
Prof. Milazim Krasniqi/
1. Serbia është peng i Rusisë. Serbia pohon se Rusia ia mbron Kosovën, ndërsa Putini e krahason aneksimin e Krimesë me Kosovën, me çka tregon se interesi i Rusisë në Krime është i kundërt me interesin e Serbisë në Kosovë. Ama Serbia shtiret sikur nuk merr vesh. Në vend se të pranojë realitetin e shpërbërjes së ish federatës jugosllave, ku Kosova ishte njësi federale e të përqafojë vlerat e BE-së dhe ashtu të bëhet një shtet normal evropian, Serbia vazhdon të jetojë në të kaluarën e Versajës/Jajces/Zhablakut dhe të varë shpresat te Rusia, e cila pas këtij agresioni kundër Ukrainës, nuk do të jetë e aftë të ndihmojë as vetveten. Rusia do të fillojë të shpërbëhet edhe vetë. Ama Serbisë i është ndalë sahati. Kur diçka është pa lidhje, në nivel të budallallëkut, serbisht thonë: “Serpska posla.” E pakta ia kanë gjetur formulën budallallëkut të vet.
2. Njëra nga mjetet për ta frenuar Serbinë rusofile është destabilizimi i vetë Serbisë. Nëse Serbia nuk i bashkohet Bashkimit Europian dhe SHBA-së në sanksionet kundër Rusisë, destabilizimin e vet e ka të pashmangshëm. Sanksionet më të buta që mund t’ia vendosin nga BE, Serbinë e qesin në kokërr të shpinës. Pse? Sepse eksportet e Serbisë, mbi 70%, shkojnë në tregun në Bashkimin Europian. Nga ana tjetër, borxhi i jashtëm i Serbisë është mbi 32 miliardë dollarë. Nëse i bllokohen eksportet, Serbia nuk arrinë të shlyejë as borxhet. Dhe kollapsin e ka të paevitueshëm. Qat’herë ngihen me nanën Rusi!
3. Serbia është shtet me një rrethim të theksuar armiqësor. Marrëdhëniet e këqija të Serbisë me Bosnjen, me Kroacinë, me Malin e Zi dhe me Kosovën, janë barrë për ekonominë dhe shtetin serb, sepse harxhohen shumë para e shumë energji për të bërë presion mbi këto shtete. Por, fronti antiserb tashmë po profilizohet dhe po fuqizohet edhe në rajon. Po të mos ishin lojërat me “Ballkan Open” Serbia sot do të ishte tërësisht e izoluar në rajon. Por, pas refuzimit të Serbisë që të vendos sanksione kundër Rusisë, presioni mbi Serbinë do të jetë ngulfatës. Shtetet e rajonit çlirohen nga presioni i Serbisë dhe mund të fitojnë rëndësi më të madhe gjeopolitike dhe ekonomike. Tas që “Ballkani i Hapur” u mbyll, Serbisë iu mbyll një mundësi për manipulim gjeopolitik.
4. Serbia është shtet, i cili zyrtarisht mbron kriminelët e luftës. Që nga Shesheli dhe dy anëtarët e partisë së tij, të cilët nuk i janë dorëzuar Tribunalit e deri te Radosavleviq Guri, urdhërdhënësi për vrasjen e vëllezerve Bytyqi, janë të mbrojtur nga shteti serb. Ndërsa një shtet që mbron kriminelët, nuk mund të ketë respektin në komunitetin ndërkombëtar. Në një rangim të publikuar kohët e fundit lidhur me regjimet autokratike, regjimi i Serbisë është ranguar si regjimi i pestë autokratik në botë.
5. Sipas partisë opozitare, Partia e Drejtësisë dhe Lirisë, borxhi publik i Serbisë në vitin 2022 ishte 32 miliardë dollarë. Kjo është një shumë marramendëse e borxhit, të një shteti që ka ekonomi të dobët. Sa për ilustrim po kthej në kujtesë faktin që borxhi i ish Jugosllavisë, në kohën kur ajo ra në krizën e borxheve, nga e cila pastaj pasoi edhe kriza politike dhe shpërbërja e përgjakshme, ka qenë 20 miliardë dollarë. Pra, ish Jugosllavia me të gjitha resurset që kishte me të gjashtë republikat dhe dy krahinat autonome, nuk e përballoi borxhin prej 20 miliardësh. Prandaj mund të thuhet se nga ky aspekt Serbia është shtet i falimentuar. Nuk arrinë të përballojë krizën e borxheve të mëdha ku e kanë futur qeveritë e saj, më së shumti vetë qeveria e Vuçiqit.
6. Sipas të dhënave që ka publikuar Sindikata Ushtarake, në këto vite, shërbimin në ushtri e kanë braktisur mbi 10.000 profesionistë. Kjo do të thotë se ushtria serbe ka pësuar edhe një goditje të fortë, pas goditjes që mori në vitin 1999, nga bombardimet e NATO-s. Është riarmatos me armë ruse, gjë që e bën edhe më të vështirë raportin e saj strategjik me NATO-n.
7. Mediet në Serbi janë nën terrorin e regjimit, për ç’arsye imazhi i saj përditë e më shumë po errësohet. Tashmë edhe në sistemnin e Tvitterit Serbia është evidencuar si shtet që kontrollon mediet, gjë që e vë në pikëpyetje besimin në mediet serbe.
8. Në Malin e Zi po formohet qeveria e re pa bllokun serb. Në BeH Dodiku do të ketë probleme ligjore, që mund të çojnë edhe në arrestimin e tij. Regjimi serb i Vuçiqit të vetmen shpresë për mbijetesë, në turbulencat që priten të ndodhin në Serbi nga kjo vjeshtë e tutje e ka nëse arrin të shkaktojë konflikt të armatosur në veriun e Kosovës, përkatësisht të nxitë rebelimin e serbëve në Kosovë. Nëse skenari i konfliktit i dështon, atëherë Serbia do të ballafaqohet me krizën e vet të brendshme, ndoshta edhe me ndonjë formë të revolucionit.