-Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi: Kosova, një rast i mirë për leksione të rëndësishme për bashkësinë ndërkombëtare/
-Forca e Armatosur e Kosovës do të jetë një hap tjetër i madh në rrugën tonë në aspiratën për t’u bërë vend anëtar i NATO-s dhe BE-së/
-Vonesat e BE-së dhe NATO-s në integrimin e Ballkanit Perëndimor krijojnë hapësirë për ideologji të rrezikshme/
PRISHTINË, 23 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kosova është një rast i mirë për të mësuar leksione të rëndësishme për bashkësinë ndërkombëtare, tha Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, sot në seminarin e 93-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili ka nisur dje punimet treditëshe në Prishtinë. “Kosova më nuk është burim i jostabilitetit, por përkundrazi është eksportues i paqes dhe dialogut. Kjo e bën Kosovën mundësi të mirë për të mësuar për rastet e ngjashme nga e tërë bota”, theksoi ai.
Presidenti Thaçi përkujtoi se, para 17 viteve Kosova ishte një vend i sapo dalur nga lufta, nga përpjekja për gjenocid, nga një dekadë e represionit dhe aparteidit shtetëror serb dhe nga dekada të tëra të diskriminimit. “Por, në ato ditë të rënda ishte bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht NATO, që u vunë në krye të rivendosjes së paqes dhe qetësisë në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e pritën krahëhapur forcën paqeruajtëse KFOR, të kryesuar nga NATO dhe misionin e Kombeve të Bashkuara”, tha ai.
Thaçi vijoi se, një mësim tjetër i atyre ditëve të menjëhershme të pas luftës, që është i vlefshëm edhe për një prej sfidave të mëdha me të cilat po përballet sot Evropa dhe Aleanca Veri-Atlantike, është edhe çështja e refugjatëve. “Me përfundimin e luftës dhe vendosjen e paqes, rreth një milion njerëz nuk pritën as UNHCR-në, as ndonjë agjenci tjetër, por u kthyen vetë në shtëpitë e tyre. Nuk u pengonte që i kishin shtëpitë e shkatërruara, që ekonomia ishte rrënuar, që institucionet e shtetit duhej ndërtuar prej zeros. Me rëndësi kishin paqe, ndonëse ende e rëndë, si dhe garanci për siguri dhe stabilitetit, që ishte NATO. Edhe sot kur shohim valët e refugjatëve, duhet të angazhohemi që të krijojmë paqe dhe stabilitet për ta. Ata nuk dëshirojnë asgjë më shumë se sa të kthehen në shtëpitë e tyre, të kenë paqe, të kenë stabilitet, sepse shtëpitë e shkatërruara, shtetin e shkatërruar, do ta ndërtojnë përsëri, siç kemi bërë ne në Kosovë”, tha presidenti kosovar.Më tej, presidenti Thaçi tha se para një viti kemi arritur të nënshkruajmë edhe Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE-në.
“Kjo erdhi si rezultat i reformave të shpejta dhe të suksesshme në instalimin e rendit dhe ligjit, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në shtrimin e bazave të një ekonomie të lirë”, u shpreh ai. Duke folur për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi tha se Kosova është e gatshme dhe në fakt kërkon që dialogu të ngritët në një nivel tjetër, të marrë një kualitet tjetër. “Jemi të gatshëm për një proces të mirëfilltë të bashkëpunimit, të marrëdhënieve miqësore dhe të pajtimit. Nuk kemi pasur asnjëherë rast më të mirë, si Kosovë, si Serbi dhe si rajon, se sa muajt në vijim, që të vëmë në binarë të sigurt bashkëpunimin tonë”, theksoi presidenti Thaçi.
Ai vlerësoi se falë përkushtimit për dialog dhe bashkëpunim, sot marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë më nuk janë kërcënim për stabilitetin në rajon, por janë shembull i fuqisë që nëpërmjet dialogut të kthehemi nga e ardhmja më e mirë për të gjithë.“Jemi krenarë edhe për sukseset në konsolidimin e brendshëm të Kosovës. Kemi ndërtuar institucione shumetnike në të cilat janë të përfaqësuar të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, tha Thaçi. Ai shtoi se, edhe ata që dikur qëndronin në barrikada në pjesën veriore të Kosovës e madje sulmonin edhe trupat paqeruajtëse të KFOR-it dhe NATO-s, sot janë pjesë e institucioneve shtetërore të Kosovës, në Parlament, në qeveri, në qeverisje lokale, ku angazhohen për të drejtat e komunitetit të tyre. “Me këtë frymë të bashkëpunimit për të ardhme më të mirë për Kosovën, po punojmë edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Dëshirojmë që vendimi për themelimin e Armatës së Kosovës të ketë miratimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Përvoja që kemi me Forcën e Sigurisë së Kosovës, që e kemi tani, na bën të jemi optimistë për këtë ambicie”, tha presidenti Thaçi.Forca e Armatosur e Kosovës, u shpreh ai, do të jetë një hap tjetër i madh në rrugën tonë në aspiratën për t’u bërë vend anëtar i NATO-s dhe BE-së.
“E kuptojmë që sot BE nuk e ka mendjen tek zgjerimi. Kriza financiare, vala e refugjatëve, BREXIT janë tema që kanë tërhequr vëmendjen e Brukselit nga Ballkani Perëndimor. Por, vonesa e BE-së dhe e NATO-s që të afrojë afër vetes rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk do të lë thjeshtë një vakum. Ideologji tjera, nga kontinente tjera, me axhenda tjera për botën, po përpiqen të depërtojnë në rajonin tonë. Këto mezi presin të mbushin vakumin që do të lë vonesa e BE-së dhe NATO-s”, tha presidenti Thaçi. Ai theksoi se, është qenësore për rajonin, por edhe për vetë BE-në, për NATO-n, për kontinentin, që mos të vonohemi në proceset integruese të rajonit në NATO dhe në BE.
Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nesër përmbyllë punimet treditëshe Seminari i 93-të ROSE-ROTH i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në të cilin u pritën më shumë se 100 pjesëmarrës, përfshirë gati 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.Perspektiva e Kosovës në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe në rolin evolues të NATO-s në rajon, po diskutohet në Seminarnin në Prishtinë që pason Samitin e Aleatëve, të krerëve të shteteve dhe të qeverive, të mbajtur në muajin korrik, në Varshavë.Ligjvënësit e NATO-s po shqyrtojnë zhvillimet politike, socio-ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, perspektivat për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik rajonal, si dhe reagimin e Ballkanit Perëndimor ndaj sfidave që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe menaxhimi i fluksit të migrimit nëpër Evropë.Seminari është organizuar në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Xhavit Haliti, dhe me përkrahjen e qeverisë zvicerane.Qëllimi kryesor i Seminareve Rose-Roth është që ta lehtësojë dialogun, që lidhet me çështjet e sigurisë rajonale, në mesin e ligjvënësve të NATO-s dhe vendeve partnere. Kuvendi i Republikës së Kosovës merr pjesë në sesionet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në statusin e vëzhguesit, të fituar që nga qershori i vitit 2014.Forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, është në Kosovë nga viti i lirisë 1999.