Dy fjalë për librin e autorit Evarist Beqiri: “Themeluesi: lidershipi i Ismail Qemalit”
Msc. Albert HABAZAJ *
Më vjen ndërmend një fjalë e urtë e nënës së botës njerëzore, Shën Terezës: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, ndërkohë që Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë e nderon në mënyrën e vetë dhe ashtu siç i ka hije tempullit të dijes 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me përurimin e një libri të veçantë, botim i plotë për Ismail Qemalin si lidership me mesazhe drite për Atdheun e tij, një libër që jo vetëm çdo lexues, por çdo shqiptar duhet ta ketë në bibliotekën e tij. Ndërsa autori i këtij libri, dr. Evarist Beqiri, për festën tonë kombëtare ka skalitur për arkitektin, atin e Pavarësisë Kombëtare një monument shkronjor të quajtur meritueshëm “Themeluesi: lidershipi i Ismail Qemalit”.
Janë 420 faqe libër që lexohen me dëshirë dhe mësojmë shumë gjëra mbi Udhëtimin historik e fatbardhë për shqiptarët të Plakut të Urtë. Faqe pas faqeje leximi ecën vetë pa u gufosur, duke rritur më shumë nderimin për themeluesin e kombit, duke ndjerë admirim për punën e vlertë të studiuesit 40 vjeçar Evarist Beqiri, i cili ka ditur të shprehë në letër mendimet e tij të qarta dhe ndjenjat e pastra për Kryeidentitarin tonë. Ky tekst është më shumë se një libër, jo thjesht nga ndershmëria profesionale që ka treguar autori ndaj heroit të tij, as vetëm nga gjuha tërheqëse, e bukur, e dëlirë, apo nga stili i thjeshtë e i rrjedhshëm. Ky tekst i kalon përmasat funksionale të një libri dhe bëhet magnet i atdhedashurisë së vërtetë dhe të motivuar, sepse autori ravijëzon veten si ndriçimtar i ri i figurës së Ismail Qemal Vlorës në një këndvështrim të pashfaqshëm deri më sot në studimet shqiptare apo albanologjike. Autori e trajton heroin e tij në staturën e lartë të lidershipit, si vështrim ndërdisiplinor, krahasimtar, të përfshirë në kohën dhe në hapësirën ku jetoi, punoi e realizoi karrierën e tij, si një figurë e plotë dhënë në tërësi e në harmoni të fushave dhe nënfushave shkencore, ku klasifikohet teksti në shkencën e Bibliotekonomisë. Në pamje të parë na duket një libër biografiko-historik, sepse në fakt trajton tema, fenomene, vende, vite, personazhe, ngjarje nga fusha e historisë, si: Kryengritjet e mëdha shqiptare. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë (1908-1912). Veprimtaria politike dhe kulturore e klubeve shqiptare me nënndarje Kryengritja e vitit 1910. Kryengritja e vitit 1911. Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë – gërshetuar me fushën Studime biografike, biografi personale. Në fakt, këtu kemi një mozaik të natyrshëm të fushave ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën për të dhënë profilin vigan të lidershipit themeltar të shtetit shqiptar, si model i rrallë lartësie për Çështjen shqiptare. Në këtë libër ndërthuren natyrshëm dituria në tërësi, filozofia e psikologjia, biznesi dhe lideri, sociologjia e komunikimit dhe e mediave, teoria e komunikimit, komunikimi ndërpersonal, komunikimi publik dhe në grup, komunikimi masiv në konteksin shqiptar e botëror, në kontekstin kulturor, me theks negocimin e dinjitetit, po aq politika e brendshme, gjendja politike në vend, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacia e jashtme për të shkruar biografinë dhe historinë e Misionarit të Kombit shqiptar. Ky libër i ndërtuar me pesë kre, me parathënie apo pak fjalë për lexuesin nga akad. Aurela Anastasi (juriste) dhe prof. dr. Nevila Nika (historiane), me hyrje, me lëndën ku na njeh deri në imtësi me karakterin, vizionin, komunikimin, menaxhimin e krizave dhe trashëgiminë e lidershipit të atit themelues, ku spikat vendosmëria, optimizmi, ndershmëria dhe kuraja e Ideatorit dhe Shërbestarit të Artë të Shqipërisë, plotësohet me epilogun e duhur, me dokumente të reja të pabotuara më parë, me intervista për shtypin e huaj dhe vendas, me album fotografik autentik dhe shënimet përkatëse poshtë fotove, me aparat bibliografik në fund të faqeve dhe në fund të tekstit, me bibliografi të plotë librash nga autorë shqiptarë dhe të huaj, burime të tjera dokumentare të arkivit të shtetit, botime periodike seriale apo burime të vazhduara (integrale) online. Pra, libri i referohet fakteve dhe dokumentave që sjellin me vërtetësi Orën e bardhë të Pavarësisë, që erdhi më 28 nëntor 1912.
Ndoshta na është dukur sikur nuk kemi ç’të shkruajmë më apo se nuk kemi ç’të mësojmë më tepër për Ismail Qemalin, por ja që studiuesi Beqiri na e rrëzon këtë koncept të vockël me këtë botim të plotë deri më sot, ndërkohë që, falë njohjes që kam për synimet e larta të autorit, besoj se nuk është studim shterues i tij për këtë personalitet të ndritshëm, por mund të jetë frymëzimtarë dhe për të tjerë. Lidershipi modern i prurë nga Beqiri na shfaqet esencial për nga roli dhe rëndësia historike, që merr peshë të madhe mbi supe. Ai na vjen si një proces dinamik me vlerë kolosale, i cili nuk ndalon kurrë as me frymëmarrjen e tij, sepse ai natyrshëm shfaqet, rritet dhe përsoset si hero, njeri i vlefshëm dhe me shumë virtyte për Atdheun. Mendoj se, për të prurë lidershipin e Ismail Qemalit në këtë 110-vjetor të Pavarësisë, autori i librit ka pasur në kujtesë thënien e Senekës: “Është e vështirë t’i sjellësh njerëzit te virtyti me leksione, por ama është e lehtë ta realizosh këtë me anë të shembullit”.
Tek ky tekst kemi një Ismail Qemal aktiv, të gjallë, në lëvizje, në diell e në furtunë, në fushë e në lumë, në det e në mal, në shkrepa e në moçal, që udhëheq me forcën e shembullit, me mbështetje që nga shqiptarët e Egjiptit, arbëreshët e Italisë, vartanët e Amerikës, mori vëmendjen e personaliteteve të huaja me takimet që nisi në Athinë, Nisë, Paris e Londër, që vijoi e vijoi me detyrime kombëtare e pa asnjë privilegj personal as kur u shkri si meteor i Pavarësisë në Peruxhia të Italisë për t’u përjetësuar mbi yjet më të ndritshëm të Shqipërisë europiane. Po të kishim një Ismali Qemal pasiv e në kornizë, nuk besoj se libri do të paraqiste interes. Autori ka ditur të na japë Ismail Qemalin e vërtetë, sepse ka gjetur formën e duhur të strukturës së brendshme dhe mënyrën e shprehjes së përmbajtjes dhe po aq mirë ka ditur si të na e realizojë këtë shërbim fisnik për shqiptarët, ballkanasit, europianët. Ismail Qemali ishte i pari në ide, në veprim, në udhëheqje, duke e marrë rrezikun në sy për Atdheun. Edhe në logjistikë kryesori ishte, në ballë të frontit më të vështrirë. Mjafton të kujtojmë ç’ka mori përsipër më janar të vitit 1912, në mbledhjen e famshme të patriotëve shqiptarë pranë sheshit “Taksim” në Stamboll, ku u diskutua se e ardhmja dhe fatet e kombit shqiptar i zgjidhte kryengritja e përgjithshme në Shqipëri. Që të fillonte kryengritja çlirimtare duheshin siguruar armë dhe të holla. Pikërisht këtë përgjegjësi, më të madhen e mundshme e mori përsipër Burri i Kombit, ndërkohë që informimin dhe çuarjen e kauzës në opinionin publik europian e kishte filluar qysh nga viti 1900, veçmas në Dymbëdhjetën kur ra ora e madhe e historisë për shqiptarët dhe ai përpiqej si titan, duke intensifikuar përpjekjet me devotshëmri largpamëse për të siguruar me anë të komunikimit publik simpatinë dhe përkrahjen e opinionit publik dhe diplomacisë europiane për çështjen shqiptare. Profesori i Diplomacisë shqiptare u paraqit si strateg në shkencat e komunikimit, duke i shfrytëzuar instrumentet e komunikimit e mediat si zgjatim i nevojshëm i njeriut për arritjen e synimit në rrafshin lokal, kombëtar e ndërkombëtar, si në shoqërinë masive horizontale, ashtu edhe në shoqërinë e lartë apo shoqërinë zyrtare, vertikale. Ai ishte luftëtar i parë për autonominë dhe në vijim për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria e rëndë dhe me po kaq shqetësim shikonte situatën e nderë në Ballkan. Ai ishte i veçantë në njohjen e natyrës njerëzore, mjeshtër i mbushmendjes së të tjerëve, sidomos më të mëdhenjve dhe dinte ç’tu kërkonte Fuqive të Mëdha, dinte të ngarkonte kombet e qytetëruar me përgjegjësi morale për gjendjen e shqiptarëve të tjera brenda Perandorisë Osmane, po aq sa parandjente dhe rrezikun e dyndjeve barbare sllave në trojet ballkanike. Ndër armët e tij efikase kishte pikërisht komunikimin publik, si një sociolog kalibri, fuqinë e imazhit që rrezaton në përmasa gjithëpërfshirëse dhe veçmas kontaktin me shtypin e shkruar në Itali, Vjenë – Austri, Francë, Londër e gjetkë, ku me forcën bindëse të fjalës këmbëngulte në të vërtetën e ndodhur ndër ne aso kohe, mbi idetë e Lëvizjes Kombëtare Shqipare dhe karakterin kombëtar të kryengritjeve të vitit 1911. Shqiptarët nuk janë rebelë, – sqaronte botën europiane lidershipi sfidant. Shqiptarët kërkojnë respektim të kushtetutës, të parimeve liberal – kushtetuese nga Turqia, të cilat qëndronin në themelet e shtetit konstitucional dhe të demokracive liberale. “Kryengritjet shqiptare, – theksonte ai – nuk kanë karakter fetar, por vetëm kombëtar”.
Qetësia e shikimit dhe e tejshikimit, intesifikimi e përshkallëzimi i fjalës dhe veprimit në dobi të shtetformimit, për të mirë të Atdheut, largpamësia si strateg i psikologjisë së bashkatdhetarve të tij, bëri që Ismail Qemal Bej Vlora të ngrihej në lartësinë e liderit vizionar të shqiptarëve, se ishte një rilindas idealist i zjarrtë që kërkonte t’i hapej denjësisht porta e një Kuvendi Europian, se besonte shqiptarisht tek Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Rasih Bej Dino, tek 40 delegatët nga të gjitha trevat shqiptare – firmëtarë të Protokollit të Pavarësisë, tek gjithë ata trima të ditur e me kapital nga Kosova në Çamëri, nga Dibra në Plavë e Guci, nga Kolonja në Vlorë, nga Elbasani në Ulqin, nga Shkupi në Korçë, nga Tomorica në Shkodër, nga Tropoja në Himarë, nga Myzeqeja në Mitrovicë, nga Prizreni në Berat, nga Mallakastra në Gjakovë, që i dolën zot vendit në çastet më të vështira të ekzistencës kombëtare. Ai kështu na shfaqet edhe si një profet, si të thuash, i paradërguar i Zotit, që erdhi dhe iku hyjinisht e aq tokësor, por i parapriu edhe idesë së Bashkimit Europian, që kemi sot. Ai nuk luftoi për vete, por për Shqipërinë e rrezikuar e të mjeruar, sepse Sakrifikuesi i madh donte një shtet shqiptar të lirë e të pavarur, që jeton në paqe dhe harmoni me fqinjët, që edhe sipas traditës e nderit të stërgjyshërve tanë, me pikë të lartë referimi Epokën e Gjergj Kastriotit, është pjesëtar i denjë i familjes së madhe të popujve europianë. Vjen si një apel ndërgjejësimi, sidomos në këtë kohë të shushatur atdhetarisht mesazhi i studiuesit Evarist Beqiri: “Rikthimi tek Ismail Qemali është rikthim tek rrënjët e identitetit tonë kombëtar. Ismail Qemal Vlora ishte dhe mbetet “dielli i shqiptarisë” por që pak njihet sidomos nga brezi i ri. Sot fotografia e tij e varur mureve te zyrave nuk mjafton për të nderuar atin themelues”.
Do të ndaloja dhe pak tek një fakt. Është shembull i lartë motivimi fakti që Ismail Qemali ishte mik me gazetarët, ndërkohë kujtojmë që udhëheqësit diktatorë nuk i kanë miq gazetarët, por o i shikojnë shtrembër o i përdorin, apo i shtërngojnë t’i përdorin.
Në mbyllje të këtij kumtimi modest, mund të shprehem se, nëse vdekja e Themeltarit të shtetit shqiptar qe dëm i rëndë kombëtar, fakti që Ismail Qemali ishte kryetari i parë i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë së Pavarur dhe u shkrua në histori me gërma të arta e në këngë me përjetësim shpirtëror, është fat i madh kombëtar dhe se brenga e tij e thellë do të bëhet realitet brenda familjes së madhe europiane, me një shtet shqiptar modern e demokratik.
Edhe ky përurim libri që Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë dhe Dhoma e Tregtisë dhe Indusstrisë, Qarku Vlorë organizojnë këtu, në sallën “Rilindja” godina e Rektoratit, është një përshpirtje nderimtarie e merituar për Themeluesin, që do të vijojë përditshmërisht, duke bërë secili detyrat me devotshmëri dhe përkushtim ismailqemalian.
Faleminderit!
*) Përgjegjës i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali “ Vlorë.