


Të enjten në axhendën e Kuvendit shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë, dhe më pas formimi i Komisionit shtetëror për lansimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë/
PRISHTINË, 13 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Kuvendi i Kosovës, të enjten, në 16 maj, në orën 10:00, do të mbajë seancë plenare, në të cilën do të shqyrtohet iniciativa e kryeparlamentarit Kadri Veseli për Tribunalin për gjenocidin serb në Kosovë.
Pikë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë, dhe më pas formimi i Komisionit shtetëror për lansimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.
Pika të tjera të kësaj seance do të jenë: vendimi për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish-Tjegullorja, ndërtimi i Memorialit të dëbimit, te Stacioni hekurudhor i Prishintës, si dhe caktimi i Ditës së Gjenocidit.
Një seancë e veçantë e Kuvendit do të mbahet më 21 maj, për të përkujtuar masakrën e Dubravës, në 20 vjetorin e saj.
PRESIDENTI THAÇI: KUVENDI I BASHKUAR DUHET TA DËNOJË GJENOCIDIN SERB DHE TË KËRKOJË DREJTËSI
KORISHË, 13 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Tubimin Përkujtimor kushtuar Ditës së Martirëve në fshatin Korishë.
Presidenti Thaçi ka thënë se sot kujtojmë me pietetin më të lartë, me respektin dhe nderimin më të lartë shtetëror martirët e Korishës dhe fshatrave përreth, që ranë para 20 vjetësh.
“Gra, fëmijë e pleq, civilë shqiptarë, u vranë në rrethana që i imponoi shteti i Serbisë. Në rrethana që i detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, nga oborret e tyre, nga trojet e tyre dhe dhunshëm u ngarkuan në rimorkio të zënë rob, për t’i bllokuar deri në momentin që ndodhi ajo që ndodhi”, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit ka thënë se kjo masakër dhe martirët në Korishë janë direkt viktima të gjenocidit të shtetit të Serbisë, të spastrimit etnik nga ana e shtetit të Serbisë.
Ai ka thënë se është mirë që më në fund, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vendosur që në mënyrë të bashkuar të lëvizet përpara me nxjerrjen e një rezolute dhe dokumenteve tjera pasuese, ku dënohet qartë gjenocidi i Serbisë i kryer në Kosovë dhe kërkohet drejtësi nga të gjitha instancat ndërkombëtare./b.j/