Memli Krasniqi/
Ishte e diel, 16 maj i vitit 1999. Kosova po digjej në flakë, e mijëra të burgosur po mbaheshin padrejtësisht nëpër shumë burgje serbe, brenda dhe jashtë Kosovës. Ndër ta, edhe profesor Ukshin Hoti – i cili po vuante dënimin prej pesë vitesh në burgun e Dubravës.
Atë ditë pushimi, ditë krejt e pazakontë për lirimet nga burgu, dy roje shoqërojnë Profesor Hotin nga çelia nëpër korridorin që dërgonte jashtë. Nga ai moment, Ukshin Hoti nuk është më.
Asnjë fjalë. Asnjë lajm. Asnjë informatë. I munguar, sot e 24 vjet.
I zhdukur dhunshëm nga duart e shtetit serb, natyrisht, me paramendim.
Megjithatë, i munguar vetëm fizikisht, sepse, si veprimtar, intelektual e atdhetar, përgjatë gjithë veprimtarisë së tij, Profesor Hoti ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit tonë.
Prandaj, ne nuk do të zmbrapsemi asnjëherë duke kërkuar drejtësi e përgjegjësi për zhdukjen e dhunshme të Profesor Hotit. Njejtë si edhe për të gjithë 1617 qytetarët e Kosovës të zhdukur me dhunë e të cilët figurojnë akoma të pagjetur. Sepse ata, të gjithë, janë plaga jonë e hapur. Janë dhembja jonë e përditshme.