(Ne foto: Vasil Andoni, i dyti nga e majta ne te djathte, ne Krah te Mithat Frasherit/
NGA RUDOLF DELIANA/*
Më 22 qershor 1939, rreth tre muaj nga dita e zezë e 7 Prillit, pushtuesi italian bën arrestimin e parë politik në Elbasan. Darkën e asaj dite, pa zhurmë e bujë, pa tërhequr vemendjen e askujt, arrestohet Profesori Vasil Andoni.Të nesërmen dërgohet në Tiranë e mbyllet në burgun e atjeshëm. Ndoshta ai qe ”vizitori” i parë i asaj ndërtese që pak nga pak u mbush plot me patriotë të tjerë.
Pse u bë ky arrestim? Cili qe Vasil Andoni?Ai dhe Fashizmi a njiheshin me njëri-tjetrin? Përgjigjet e meposhtme do të skjarojnë gjithcka.
Më 1928 V. Andoni përfundon studimet universitare dhe në periudhën 1928-1935 punoi në Normale si profesor i pedagogjisë e si nëndrejtor i saj.Si i tillë ai reformoi Internatin ku jetonte një pjesë e mirë e normalistëve. (Shih ”Normalisti Shetitës” H. Ballshi, S. Spasse). Në këtë periudhë falë tij në Normale u futën për herë të parë metodat aktive të mësimdhënies.Në këtë kuadër e gjithë shkolla u vu në lëvizje.Në Internat nxënësit u bënë vetë drejtuesit e jetës së tyre të brendëshme, duke kryer secili detyra të caktuara, sikur të ishin që të gjithë pjesë e një familjeje të madhe.Në Shkollë lindën për herë të parë ”Shoqëritë Normaliste” nëpër klasa. (Shih ”Elbasan Enciklopedi” f. 559). Secila prej tyre sipas dëshirës dhe mundësive ngriti grupe sportive, teatrore e muzikore, që gjallëruan jetën e Normales e të Elbasanit.
Po në këtë periudhë të Arsimit tonë, vetëveprimtaria në Normale arriti kulmin me daljen e revistës ”Normalisti”. Qe një revistë pedagogjike që merrte përsipër të vendoste themelet e Arsimit tonë fillor. (Shih nr 1, fjala e A. Xhuvanit). Epiqendër e kësaj veprimtarie që ra në sy në të gjithë Shqipërinë, ishte V. Andoni, prandaj edhe ai u njoh si një arsimtar reformator. (Shih ”Përpjekja Shqiptare” nr 18-24, f. 426).
Pikërisht në vitin 1934 të kësaj periudhe Profesori e njohu për herë të parë fashizmin italian. Këtë ia venë në dukje nxënësit e tij. Ata i tregojnë se profesori i gjuhes italiane, italiani Foresti, herë pas here gjatë orëve të mësimit u lavdëronte Italinë e Musolinit. Atyre u kishte shpërndarë distinktiva fashiste dhe ua paraqiste shtetin e tij si mik e dashamirës të Shqipërisë. Madje në një rast u kishte thënë se do të ishte mirë që në Myzeqe të vendoseshin qindra familje kolone italiane që bujqësinë tonë të asaj fushe pjellore ta çonin përpara. Profesori, nuhatës i mirë politik, e rroku kuptimin e këtyre fjalëve ndjellakeqe për të ardhmen e Atdheut. Ai reagoi. E denoncoi në Ministrinë e Arsimit dhe agjenti italian u largua nga Normalja. Kuptohet se edhe agjentura italiane e pranishme tek ne, e kuptoi ”nga i erdhi kjo e keqe”! Emrin e tij ”e regjistroi” në kujtesën e vet kriminale. Kështu më 1934 ndodhi përplasja e parë midis V. Andonit dhe pushtuesit të ardhëshëm.
- Andoni e njohu më mirë ”Italinë Mike” më vonë, në ditët e para të prillit 1939, kur e hoqi maskën e mikut dhe tregoi fëtyrën e vërtetë të armikut. Ato ditë e njohën armikun edhe të gjithë shqipëtarët, prandaj në çdo anë të Atdheut nisën demonstratat. Kështu në Elbasan normalistët e populli në shenjë proteste grisën flamurin italian, që varej në ballkonin e një ndërtese në qendër të qytetit. Edhe në Tiranë ndodhi e njejta gjë. Në këtë veprimtari masive popullore përfshihet edhe V. Andoni që në atë kohë ishte profesor në Gjimnaz e Teknike.. Bashkë me kolegë të tjerë organizoi nxënësit e vet. I bashkoi ata me ata me ato të Shkollës Femnore ”Nana Mbretneshë”.Vendoset në krye të tyre dhe i drejton në Pallatin Mbretnor, ku të gjithë kërkojnë armë për mbrojtje të Atdheut. Kjo qe përplasja e dytë e V. Andonit me pushtuesin, që ende s’kishte ardhur, por më e fortë se e para. (Shih kujtimet e H.Babmetos te gazeta liria dhe kujtimet e Ramazan Turdiut)
Të tretën përballje e bëri më 7 Prill, kur në Durrës po zbrisnin ushtarët e parë pushtues. V. Andoni përpiqet që me një farë mënyre të njoftojë Botën se në Shqipëri nisi lufta. Për këtë atë ditë nga Tirana, ende e papushtuar, i nis një telegram kunatit të tij, Dervish Dumës, që ishte Sekretar i Ambasadës Shqiptare në Londër. Në telegram vendos pa frikë edhe emrin e tij, pa u tutur se “kupa mund të mbushej” dhe ndjenjat e hakmarrjes të pushtuesit mund të ktheheshin në veprim hakmarrës real e të fuqishëm per të. Patriotizmi i Profesorit sundoi mbi vdekjen!
Ja teksti i telegramit :
”USHTERI POPULL NXANES PO LUFTOJME PER VDEKJE RROFTE SHQIPNIA”-VASILI/
Data 7 prill kaloi. Atdheu u pushtua, por Profesori “ nuk e mbylli gojën “. Përkundrazi, e ngriti zërin e protestës në kupë të qiellit. Këtë e bëri pak ditë mbas 7 prillit, kur u rihapën shkollat dhe nisën punën e tyre normalisht.Ja c’bëri orën e parë të asaj dite. Hyri në klasë ku do të jepte mësim dhe pa patur as më të voglën frikë, u drejtohet nxënësve me këto fjalë, sa patrotike aq edhe të guximshme:
”Djema, Atdheu ynë i dashur ra edhe një herë në robëri! Dëshmorët që ranë heroikisht në brigjet e Adriatikut ne do t’i nderojmë duke mbajtur një minutë heshtje. Çohuni në këmbë!”
Ishte e para herë që nxënësit e klasës dëgjonin fjalë të tilla! Ata brofën në këmbë dhe me lot në sy qëndruan në heshtje me sytë drejtuar te profesori dhe të mallëngjyer e të habitur nga një ceremoni e tillë e paparë dhe e padëgjuar prej tyre!
” Mos u dëshpëroni djema” vazhdoi Profesori. ”Atdheu ynë prap do ta fitojë Lirinë”.
Këtë skenë e këto fjalë nuk i harroi asnjëri nga ata djem. I futën në mendje ata dhe të gjithë nxënësit e Gjimnazit. Një mbresë shumë të veçantë lanë ato te djaloshi Hajro Babameto, një nga profesorët e ardhëshëm dhe mjaft të njohur në Tiranë. Ai i nguliti në mendje dhe në zemër. Kaluan disa dhjetëvjeçarë dhe kur erdhi Demokracia i paraqiti me shkrim në kujtimet e veta. (Shih Kujtime të H. Babametos te gazeta ”Liria” dhe kujtimet e R. Turdiut)
Kjo bisedë sa prekëse aq edhe patriotike, a nuk ishte një shpallje lufte ndaj asaj ushtrie që s’kishte më shumë se 2-3 ditë që kishte shkelur Atdhenë? Një individ sfidonte një ushtri! Nacionalizmi jepte kushtrimin pëe Liri!
Por pushtuesi ato ditë nuk u tregua ashtu siç ishte, ujk me dhëmbë të mprehtë, se nuk donte telashe deri sa të vendoste nënshtrimin e plotë në të gjithë shtetin e pushtuar. E la Profesorin ta mbyllte vitin shkollor i qetë e të kthehej në shtëpi në Elbasan për pushimet verore.
”Dhelpra plakë” e nis ”hakmarrjen” më datë 17 qershor 1939. Atë ditë gazeta e kohës ”Fashizmi” njoftonte se Profesor Vasil Andoni pushohej nga puna.Më në fund, mbas 5 ditësh, në datën 22 qershor në mbrëmje pushtuesi qetw, pa bujw, pa rwnw nw sy tw askujt tregon fytyrën e vërtetë. E arreston profesorin e nderuar dhe të nesërmen e mbyll në burgun e Tiranës “që të mblidhte mendjen!”. Kështu fashizmi nisi të zbrazë mbi të mllefin që ruante ç’prej kohësh për atë ”armik të hapur e kokëfortë”! Me këtë burgosje mendoi se e hoqi qafe një person tashmë të padëshirueshëm për të ardhmen e vet .
Por Profesori ” i kishte marrë masat”. Mbas telegramit të 7 prillit ai i kishte dërguar motrës një të dytë e disa kartolina, të gjitha të shkruara prej tij. E fundit prej tyre është ajo e dt 19.6.1939, pra e shkruar 3 ditë para arrestimit. Në to fliste vetëm për probleme familjare e private. E bënte këtë për t’i treguar motrës se ende s’kishte ndodh gjë, ç’ka ai e priste.
Lajmin e burgosjes e jep kartolina e datës 25 qershor 1939. Atë e shkruan njëri nga dajat e Profesorit, plaku Jan Deliana .Midis të tjerash aty ai përmend edhe arrestimin. Ja fjalët e paraqisin atë:
”Do ta keshë pa gazetën ”Fashisti” dt. 17/6 që shkruente për pushimin e Vasilit e pardje në 22 në mbramje e muerën ndën vërejtje e më 23/6 e nisën për Tiranë.Asht atje tani.Deri tani s’kemi marrë vesht për se e kanë marr……”
Në burg V. Andoni nuk u izolua plotësisht. Atij i lejohet të takohet me familjarë, miq e shokë. Pushtuesi sillej kështu ”i butë”, jo se ”e donte”, përkundrazi e urrente, por për t’u paraqitur në publik jo si pushtues por si mik i Shqipërisë. Ndoshta mendonte që në këtë mënyrë ta nënshtronte kundërshtarin e vet.
Burgosja e profesorit bëri bujë dhe shokët e miqtë i afrohen. Madje në burg e takojnë edhe nxënësit e tij. Kjo kuptohet nga një kartolinë e nisur nga Tirana më datë 27.07.1939, që i arrin motrës në londër. Në të shkruhet:
”Jam nji nxanës i z. Vasil dhe po e shkruej këtë kartolinë, që t’iu dëftej se ai asht shum mir. Un dhe shokët mij shkojmë e piqemi përherë me z. Vasil. Prandaj mos u mërzitni aspak”. Dërguesi është Qemal Agolli.
Pra pushtuesi u tregua i butë me shpresë që Porfesori të qetësohej e të tutej, por gaboi. Më vonë e pa se ç’qe ai i burgosur e ç’bëri për ta luftuar.
Kartolinën e sipërme bashkë me të mëparshmet apo me ato që e pasuan, motra i ruajti me shumë kujdes. Më 1995 i sjell në atdhe kunati të shoqëruara me një letër në të cilën, ndër të tjera shkruan:
”Të dy telegramet e kartëpostaret po i mbyll këtu. Disa nga postaret janë dërguar nga Vasili dhe tregojnë gjendjen në Shqipëri n’ato ditë të Prillit 1939 dhe meritojnë të përmenden”.
Më poshtë shton:
”Siç e dini fort mirë, ai luftoi si pushtuesin e huaj, ashtu edhe atë të vendit – Komunizmin – deri sa vdiq! Patriotizmi i Vasil Andonit ishte i pashoq!” (Shih letrën e D. Dumës dt 21 prill 1995).
Profesori del nga burgu mbas disa muajsh, por nuk nënshtrohet. Luftën kudër fashizmit pushtues e nis duke e sfiduar pikërisht në Ditën e Flamurit dhe në Kryeqytet. Pra më 28 nëntor 1939 bashkë me patriotë të tjerë miq e kolegë të tij organizon në Tiranë të parën demonstratë kundër pushtuesit dhe kështu bëri ballafaqimin e tij të parë si luftëtar antifashist i vetëdeklaruar.
Ditët e muajt kalojnë. V. Andoni kthehet në të papunë e pa asnjë të ardhur. Me gjithë atë ai as përkulet e as nuk lyp mëshirë. Kur afrohet fillimi I viti shkollor ’41-42, Ministri i Arsimit i kohës Ernest Koliqi, e rimerr në punë.E cakton profesor në Normalen e Elbasanit dhe mbas pak ditësh e dergon në Prishtinë që të ngrejë atje Gjimnazin dhe Internatin e tij. Këtë veprim të tijin ishministri ia kujton shokut të tij, Karl Gurakuqit, me një letër që i drejton nga Roma më 16.3.1951. Duke treguar se si ministër pati në qendër të vëmendjes kulturën shqiptare dhe intelektualët shqiptar, vazhdon:
”Lirova nën garancinë personale mbas nji konflikti t’ashpër me Gjeneral Guxonin, para të cilit dridhej mbarë Shqipnia, Tajar Zavalanin, Vasil Andonin, Mihal Zallarin”…. ”Vasil Andonin, në kundërshtim me mendimin e të gjithë shefave të Ministrisë, e emnuem drejtor konvikti në Prishtinë”. (Shih gazetën dygjuhëshe Shqip-Italisht ”Rrënjët”-Le Radici”,viti 13 nentor 2015).
Profesori edhe në Kosovë nuk ndejti ”urtë”! Krahas punës në Gjimnaz e Internat dha një kontribut me shumë vlera në vendosjen e themeleve të shkollës shqiptare në çdo skaj të trojeve kosovare, siç veproi edhe në vitet ’30 në Normalen e Elbasanit. Këtë veprimtari e lidhi edhe me mobilizimin e kosovarëve në luftë kundër pushtuesit italian, por edhe atij serb i cili nëpërmjet propagandës komuniste, përpiqej që Kosovën ta mbante në robëri edhe mbas luftës.
Më 1943 e le punën e bashkohet me M. Frashërin, mikun e zemrës së tij. Vendoset bashkë me të në krye të Ballit Kombëtar për të vazhduar luftën për Çlirimin e Atdheut. Është ndër organizatorët e Mukjes e pjesëmarrës në Konferencë e saj. E ndjek hap pas hapi Z. Frashëri nëpër malet e Atdheut e më 1944 kalon bashkë me të e të tjerë në mërgim. Atje vazhdon luftën në dy drejtime: Në Çlirimin e Shqiperisë nga komunizmi uzurpues e antishqiptar dhe në mbrojtje të Kosovës nga pushtuesi serbokomunist, armik i betuar i Shqiptarizmës. Si armë të tijën pati mendjen, gojën, miqtë e shokët të shpërndarë kudo në botë me të cilët mbante lidhje të ngushta.
Në mërgim zhvilloi një veprimtari patriotike shumë të ngjeshur, e cila i merrte shumë orë të ditës. Materialet e kësaj veprimtarie i përgatiste në një dhomë shumë të thjeshtë të shtëpisë së tij ku banonte në Romë. Aty kishte shtratin e thjeshtë ku flinte. Po aty kishte një tavolinë me 2-3 karrige. Mbi tavolinë kishte makinën e shkrimit dhe telefonin me të cilin lidhej çdo ditë e çdo natë me miqtë e shokët që ishin larg Italisë. Në një skaj të asaj dhome kishte grumbullin e librave që kishte mbledhur ca nga ca, që të gjitha me vlera për Shqipërinë e shqiptarët. Në saje të përpjekjeve të tija kishte mundur të gjente edhe koleksionin e revistës ”Normalisti”, që e ruante me kujdes të veçantë, si veprën e tij të parë publiçistike. Në këtë mjedis përgatiste lëndën e gazetës ”Flamuri”, e cila qe vepra e tij e dytë në fushën e gazetarisë. Për disa dhjetëvjeçarë atë e shpërndante në çdo kontinent të Globit ku kishte shqipëtarë. Ai organ shtypi u bë zëdhënësi i Nacionalizmit të lirë Shqiptarë që jetonte në mërgim. (Shih ”kujtime” të Bim Daklit). Kjo bibliotekë e vërtetë me vlera të mëdha qe dhurata e fundit që i fali Atdheut, i cili për të qe ”Nëna që e lindi dhe e rriti si Shqiptar të vërtetë”
Dy vitet e fundit të jetës së tij, kur forcat fizike nisën ta linin, shokët, të afërmit dhe miqtë e vendosën në një shtëpi pushimi në Acilia të Romës ku të çlodhej. Aty kushtet e jetesës i kishte shumë të mira, por edhe pagesa ishte mjaft e madhe. Atë e përballuan përsëri të gjithë së bashku, sepse vetë Plaku, tashmë mbi të nentedhjetat si pasuri kishte vetëm rrobat e trupit! I rrethuar çdo ditë nga shumë njerëz në atë strehë pleqsh I mbylli sytë I qetë më 11.07.1994.
Qenë po të sipërmit që me në krye nipin nga e motra, Agim Dumën, e sollën në Atdhe më 18.7.1994. Trupi pa jetë dhe I mbyllur në arkivol iu paraqit Kryeqytetit ku punoi dhe luftoi. E gjithë Tirana I dha lamtumirën e fundit. Të nesërmen me 19.7.94 arkivoli I tij u vendos në një sallë të Normales së Elbasanit e të tijën ku i dhanë lamtumirën e fundit familjarët, elbasanasit e shumë e shumë të tjerë të ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërise dhe nga Kosova. Të gjithë së bashku e kaluan nëpër rrugët e qytetit ku lindi e ku nisi veprimtarinë e tij të shkëlqyer si mësues dhe atdhetar i vërtetë . E vendosën trupin aty, pranë eshtrave të së ëmës, Saveta Andoni, nga e cila u nda më 1944 dhe nuk e takoi dot me! E përqafoi nëna mbas plot 50 vjetësh dhe u qetësua duke e patur pranë vetes! Kështu të bashkuar nisën rrugën drejt përjetësisë!
Figura e V. Andonit u përjetësua në trojet shqiptare. Prishtina një rruge të saj i vuri emrin VASIL ANDONI, ndërsa Ministria e Arsimit e Kosovës i dhuroi titullin ” MERITË”, për punën e veçantë që bëri në ngritjen e shkollës shqipe në Kosovë.
Edhe Elbasani një rrugë të vetën e emërtoi VASIL ANDONI.Arsimi Shqiptar i dha titullin ”Mësues i Popullit”.Atdheu e nderoi me Urdhërin e Flamurit.
Këtij burri të rrallë të Kombit tonë dikush i kushtoi vargjet:
Mëmëdheut iu fal
në rrënjë gjaku, lirie
lindi e mbeti
Simbol Atdhetarie
Vasil Andon
një emër Shqiptar
në gji të epokave
Pishtar!
*(U botua per te paren here ne”Balli i Kombit”, dt. 13.7.1995, nr. i posaçëm me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Tij).