
Sokol Paja/
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra nderoi sot më 1 janar 2022 në Selinë Qëndrore në New York, rapsodin e madh Bajrush Doda, në një cermeoni madhështore me pjesëmarrjen e familjes, miqve, të njohurve, bashkëpunëtorëve, mediave e personaliteteve të shquara e veprimtarëve të spikatur në diasporën shqiptare të Amerikës. Në fjalën e hapjes në ceremoninë e nderimit kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha theksoi rëndësinë e figurës së Bajrush Dodës në muzikologjinë dhe folklorin shqiptar. Z.Berisha prezantoi për të pranishmit miqësinë e hershme me rapsodin Doda dhe aspekte të veçanta të madhështisë së tij si njeri dhe si rapsod popullor. Musa Dakaj verimtar i madh i çështjes kombëtare u ndal në njohjen me rapsodin Bajrush Doda dhe theksoi faktin se rapsodi Doda do të mbetet përjetë i paharruar dhe i veçantë pasi i ka kënduar trimërisë shqiptare, bukurisë shqiptare, figurave të shquara të kombit shqiptar të cilat na bëjnë krenarë gjithmonë. Në emër të familjes përshëndeti të pranishmit Skënder Doda i cili shprehu mirënjohje për vlerësimin dhe respekt të veçantë për pjesëmarrësit. Në ceremoninë e nderimit përveç pjesëmarrësve shqiptaro-amerikanë të spikatur në diasporë, nga familja e rapsodit Bajrush Doda morën pjesë bashkëshortja Mone, e bija Afërdita, djali i madh Skënderi, Ylberi, Besarti, dhe dy nipat e Bajrush Dodës Denisi dhe Bjarushi i vogël. Në një ceremoni solemne në Selinë Qëndrore të Vatrës, nderimi i rapsodit u bë në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta. Vatra e nderoi rapsodin Bajrush Doda për veprimtarinë e tij jetësore dhe kontributin e madh që i ka dhënë folklorit shqiptar, i cili me një mjeshtri të rrallë diti ta ruaj dhe ta kultivoj me besnikëri melosin autokton të Dukagjinit, Malësisë së Gjakovës dhe të Rugovës. Duke qenë një prej rapsodëve më mëdhenj të kohës, ai me këngët e tij që nuk do të vdesin kurrë, u bë i dashur dhe i adhuruar në të gjitha trojet shqiptare dhe ne me plot krenari mund ta quajmë legjendë të folklorit shqiptar. Djali i Bajrush Dodës, Skënder Doda u bë pjesë e Federatës Vatra në Degën e Hudson Valley.
Në përfundim të ceremonisë së nderimit, kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha shtroi një drekë festive në shenjë nderimi dhe respekti për të pranishmit dhe legjendën e folklorit shqiptar Bajrush Doda.