Kosova ka perspektivë evropiane dhe duhet të vazhdojë rrugën e integrimit euroatlantik – ka qenë mesazhi kryesor i ministrit të Jashtëm të Greqisë, Evangelos Venizelos, njëherësh kryetar i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, gjatë vizitës së tij në Kosovë. Pasditen e së mërkurës, 19 Shkurt, ai është takuar në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Në konferencën për media, pyetja kryesore e gazetarëve ka qenë se kur do ta njohë Greqia pavarësinë e Kosovës. Në këtë, ministri grek është përgjigjur duke thënë se “integrimi evropian i Kosovës është qëllimi kryesor”.
“Ky është një projekt me shumë sfida. Gjatë periudhës së tranzicionit, do të kemi kohë të shqyrtojmë të gjithë hapat e nevojshëm”, ka thënë Venizelos.
I pyetur nëse kjo do të thotë se Kosova mund të integrohet në BE edhe nëse nuk njihet, ai është përgjigjur:
“Në bazë të të ashtuquajturave kritere të Kopenhagës, integrimi i vendit të ri në BE do të thotë pranim i ‘acuqis’-it (struktura ligjore e BE-së). Në kuadër të ‘acquis’-it evropian, kemi mundësi t’i zgjidhim të gjitha problemet”.
Në nivelin dypalësh, Venizelos ka thënë se takimi me Thaçin ka qenë një mundësi e mirë për “freskim të marrëdhënieve”.
Thaçi, në anën tjetër, ka falënderuar Greqinë për ndihmën e deritashme dhe ka paralajmëruar se Kosova, në të ardhmen e afërt, do të hapë zyrë ndërlidhëse në Athinë.
“Ne do të hapim së shpejti në Athinë edhe zyrën ndërlidhëse të Kosovës, në mënyrë që të kemi një komunikim edhe më të shpejtë dhe më produktiv. Po ashtu do të kemi prezencën e shumë investitorëve grekë në Kosovë që kanë pasur sukses të plotë. Ne do të thellojmë bashkëpunimin tonë bilateral në mes të Kosovës dhe Greqisë”, është zotuar Thaçi.
Viktori says
Po e perseris edhe pse nuk besoj se komenti do te botohet, Kosova dhe Shqipnija duhet te formoin nji Konfederate Panshqiptare. Kosova, si shtet ne veti nuk ka fuqin ekonomike e politike per me perballue kercinimet Greko-Serbo-Ruse.
Shqiptar Çam says
Shihni se si zgerdhihet venizellosi. Ja hodhe edhe ketij Thacit si atyre te Tiranes