Prof.as.dr. Evalda Manovi Paci/
Më datën 15 shtator 2023, pranë Bibliotekës së Institutit të Arkeologjisë (ASA) u mbajt veprimtaria studimore mbi përkthimtarinë dhe qasje hermeneutike në procesin e përkthimit. Në këtë veprimtari të organizuar nga Departamenti i Studimeve Letrare (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë) u mbajtën dy ligjërata që kishin pikënisje pikërisht qasjen hermeneutike dhe një sërë problematikash që lidhen si me përballjen e përkthyesit me sfida jo të pakëta në proceset e përkthimit, ashtu dhe me raste më të veçanta që shpien në reflektime mbi njohjen e duhur të konteksteve të caktuara në këto të fundit.
E ftuar nderi e Departamentit të Studimeve Letrare ishte Dr.Zuzana Finger, që mbajti ligjëratën me titull “Roli i hermeneutikës në transformimin e përkthimit letrar”, duke sjellë për të pranishmit një sërë shembujsh mbi aspekte të shndërrimeve të mundshme sintagmatike në procesin e përkthimit letrar. Njohëse e mirë e gjuhës shqipe dhe e letërsisë bashkëkohore shqipe, me një formim kompleks në të cilin spikat njohja e thelluar e disa gjuhëve të huaja, Dr.Finger kishte përzgjedhur tekste të veçanta, të cilat u interpretuan prej saj në disa vështrime, duke pasur parasysh konotacionet përkatëse në gjuhën burimore dhe në atë të përkthimit.
Trajtesa interesante e dr.Zuzana Finger u pasua nga ligjërata me titull “Empatia hermeneutike në procesin e përkthimit”, mbajtur nga kolegu Arian Leka, si një trajtesë me objekt çështje të së njëjtës qasje (hermeneutike), me vëmendje të orientuar nga receptimi i traditave të caktuara letrare, përfshirë dhe letërsinë antike, frymëzuese në disa lamije të lëvrimit letrar dhe artistik.
Falënderoj përzemërsisht dhe me shumë mirënjohje kolegët e pranishëm në këtë veprimtari, të cilët pasuruan së tepërmi ecurinë e saj me praninë e çmuar dhe me diskutime që duke qenë në të njëjtën linjë me tematikën qendrore të sipërcituar, ofruan dhe përvoja konkrete të tyre në procese të përkthimit apo interpretimeve përkatëse.