Mbrëmjen e së premtes të 24 Majit delegacioni i Lëvizjës Vetëvendosja që po bënë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vizitoi Shtëpinë e Vatrës. Për arsye trafiku lideri i Vetëvendosjes, kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti nuk mundi që të ishte i pranishëm. Ai kishte udhëtuar me linjën e aeroportit të Newark-ut, NJ, ndërsa të tjerët kishin zbritë në JFK Aeroport. Pjesa tjetër e delegacionit të Lëvizjes së Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, nënkryetar i parë, Visar Ymeri, deputet dhe kryetar i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Florin Krasniqi, deputet i kësaj lëvizjeje dhe Boiken Abazi, koordinator i sekretariateve në Lëvizje, u pritën nga Kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj dhe pjestarë të Bordit të Vatrës.
Kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj u uroi mysafirëve mirëseardhjen në Shtëpinë e Vatrës dhe u shpalosi historinë dhe qëndrimet e Federatës Panshqiptare të Amerikës, duke u përqëndruar në luftën 101 vjecare të Vatrës për cështjen Kombëtare. Kryetari i Vatrës prezantoi veprimtaritë shumëvjecare të Vatrës për cështjen Kombëtare në tërësi, dhe asaj të Kosovës në vecanti, pjesmarrjen në demonstrata, përkrahja e madhe që iu dha ish presidentit të ndjerë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova etj. Më pas dr. Gjon Bucaj prezantoi veprimtaritë e Vatrës gjatë viteve të fundit duke u ndalur edhe në 100 vjetorin e themelimit të Vatrës si dhe në festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, organizimin e Kuvendit të Vatrës etj. Duke folur për luftën e Vatrës për Cështjen Kombëtare kryetari i Vatrës tregoi pozicionin e vatranëve duke shfaqur idenë se nuk mund të luftohet në mënyrë folklorike për Bashkimin Kombëtar, por me platformë Kombëtare, duke shkuar gradualisht nga bashkimi shpirtëror, kulturor, sportiv, deri tek ai faktik.
Miqtë e Vetëvendosjes prezantuan radhazi qëllimin e vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, axhendën e takimeve, duke theksuar se në Nju Jork takimet nisën me Vatrën Kombëtare, Federatën që i rezistoi stuhive të më shumë se një shekulli. Kjo nënkupton vlerësimin e Vetëvendosjes për Federatën Vatra, me të cilën thanë ata mbi të gjitha ne na bashkon lufta shekullore për cështjen Kombëtare. Mysafirët shpalosën luftën e Vetëvendosjes kundër korrupsionit, si dhe vendosmërinë e tyer për ët realizuar bashkimin kombëtar. Ata thanë se e vlerësonin minoritetin në Kosovë, por nuk mund të pajtohen me ndërkombëtarët, apo tendencën serbe për të kaluar në minoritet shqiptarët. Qëllimi i serbëve me marrveshjen e nënshkruar synojnë që gjithëcka në veri të konsiderohet serbe, ndërsa në pjesën tjetër të Kosovës, gjithcka si e përbashkët.
Në takim nga ana e vatranëve folën përvec kryetarit Bucaj edhe zotërinjët Agim Rexhaj, Musli Mulosmanaj, dr. Skënder Murtezani, Zef Balaj e të tjerë. Të pransihëm nga vatranët në këtë takim ishin edhe: Nazo Veliu, Marjan Cubi, Agim Alicka, Mithat Gashi dhe editori i Diellit Dalip Greca.
Mysafirët vizituan mjediset e arkivit dhe të bibliotekës së Vatrës, bënë fotografi dhe lanë shënim në librin e vizitorëve.