SHKRUAN: Skënder BLAKAJ*/
Frang Bardhi, më 1636, që në ballinë të veprës së vet latinisht “Apologjia e Skënderbeut”, me të cilën i del zot atdheut të vet Shqipërisë dhe kryeheroit të saj Skënderbeut, shkruan: ”Gjergj Kastrioti, Epirotas, i quajtur zakonisht Skënderbe, princ trim mbi trima dhe i pathyeshëm i Epirotëvet, u kthehet bashkatdhetarëvet dhe atdheut të vet, prej Frang Bardhit.” Katër vjet para Frang Bardhit tonë, boshnjaku Tomko Margnaviq kishte botuar libër në Vatikan, në të cilin i jep zor ta nxjerrë Gjergj Kastriotin të rrënjëve sllavo-boshnjake, madje nga të familjes së autorit Tomko. Vepra e Frang Bardhit tonë, e shkruar për vetëm dy javë, është përgjegjie idhnake Margnaviqit.
Më 2005, në 600 vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit, në Shkup, në maqedonisht u botua libri më i vëllimshëm që ka dalë ndonjëherë për Skënderbeun. Libri pati edhe ribotime. Autori, Dr. Petar Popovski, në 1170 faqe të dendura, me titullin “Georgija Kastriot-Iskender, Kralj na Epir i Makedonija, i Vtorot Aleksandar Veliki”(d.m.th. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Mbret i Epirit dhe i Maqedonisë dhe Aleksandër i Madh i Dytë), bën njësoj si Tomku i dikurshëm. Në të gjitha këto faqe, mbasi e “kthen” Gjergj Kastriotin në maqedonas, autori vazhdon ta madhërojë atë dhe qëndresën e jashtëzakonshme antiosmane të tij. Burimet arkivore dhe autoriale janë të zgjedhura ashtu që t’i shërbejnë më së miri tendencës së autorit, dhe janë mënjanuar të gjitha dokumentet dhe autorët që mund të futnin dilema brenda asaj skeme. Autori, mbasi e vesh këmishën e vazhdimësisë nga Maqedonia e lashtë e Filipit e deri te ditët e sotme të krijimit artificial të këtij kombi e të këtij shteti, “argumentet” kryesore i ka se Epiri herë-herë ishte edhe pjesë e Maqedonisë, kurse Gjergj Kastrioti ishte mbret i Epirit dhe i Maqedonisë, dhe si i tillë mund të ishte vetëm maqedonas, mbasi ky mbret, gjoja, as vetveten as të vetët nuk i përmend kurrë si shqiptarë, se Shqipëria e vitit 1912, sipas tij është një krijesë artificiale e anglosaksonëve, se shqiptarë aty nuk kishte kurrë deri në shek. XVIII e XIX, kur i solli Turqia nga Albania e Azisë, se emërtimi Shqipëri e shqiptar nuk ka të bëjë asgjë me emërtimin anglosakson Albania, albanians, albanesi etj., se bizantinët kultivonin politikë tendencioze antimaqedonase mbasi kudo në dokumentet e tyre, për kombësinë e padefinuar të P. Popovskit, siç e thotë vetë me pezm, hasen vetëm emërtimet bullgarë dhe Bullgari, etj. Qorton madje edhe autorë serbë që pa hamendje e trajtojnë Iskenderin si hero të shqiptarëve. Dhe, mbasi konstaton se shqiptarët s’e kanë asnjë këngë për Gjergj Kastriotin, sjell 19 nga shumë këngë në maqedonisht, mbi 650 vargje që i quan popullore e të mbledhura në rrethet e Dibrës në fund të shekullit XIX. Shihet që mbledhësi i tyre, një mësues, veprën e Marin Barlecit e ka kthyer në vargje, me ndonjë detaj vetjak, që Kastrioti të jetë maqedonas, ashtu si ia do edhe zelli i tij. Praktikën sllave për krijim të lehtë të këngëve folklorike, thuaja për çdo ngjarje, e tall edhe Noel Malcolm. Malcolm, kur flet për këngën popullore serbe dhe rolin e saj negativ për mitin serb të Kosovës, duke e kthyer disfatën në fitore (1389) dhe duke serbizuar heronj si Milosh Kobiliqin, me prejardhje vlleho-shqiptare, duke përbaltur trima e duke heroizuar tradhtarë e vasalë të osmanëve, si Krajleviq Markon, thotë se “Dimë, po ashtu, se poetët e folklorit serb, sipas një zakoni, i shndërrojnë ngjarjet menjëherë në poezi. Ai e përmend një poet fshatar, deputet të Kuvendit serb, (1873) “i cili dilte përditë nga kuvendi dhe tërë debatin për reformën monetare e buxhetin e shndërronte në vargje të bardha për një publik qe e dëgjonte plot admirim”.
Për temën tonë le të themi që fajet nuk i kanë kjo kategori “skllavonësh” të kompleksuar karshi Gjergj Kastriotit, po ai vetë, që ishte aq madhështor sa ta lakmojnë secili për vete. Prandaj, dialogu me autorë të ngjashëm do të ishte si bisedë me pinguinët, po të mos ishin disa fakte të çuditshme brenda librit. Së pari, libri është përgatitur me mbështetje të madhe financiare, dhe kjo shihet nga falënderimi që u bënë autori arkivave të Stambollit, Dubrovnikut, Vjenës, Venedikut, Milanos, Vatikanit, Romës, Padovës, Napolit, e të tjerave në të cilat ka bërë hulumtime. Së dyti, autori sjellë edhe të dhëna që njihen më pak ose hiq nëpër shkrimet a librat tonë për Skënderbeun. Së treti, autori i këtij libri ka dëshmuar një zell të çuditshëm, që krahasuar me historianët tanë të trishton tejmase, sepse të gjithë së bashku nuk kanë qenë në aq arkiva në sa del se ka qenë ky përmbysës i historisë.
Faji, pos i historianëve, është te mjerimi i institucioneve tona. Ministritë tona financojnë kaseta defatoresh, se deri aty arrin niveli i tyre, e jo ndonjë projekt botues a kinematografik, që do t’i afirmonte më hovshëm në botë vlerat e kombit tanë.
I. Kadare, te libri “Poshtërimi në Ballkan” thotë se është gjë e njohur, po edhe shqetësuese“…që ballkanas kokëtrashë, sipas një tradite të njohur që u mohon shqiptarëve çdo personazh të fismë, duke i lënë veç banditët, hajdutët dhe brashnjarët… Poshtërimi, pararendësi i racizmit, bën pjesë në shenjat e sigurta që paralajmërojnë përgatitjen e një zezone”.
“Kurthi i prejardhjeve mbetet nga më të larmishmit në Ballkan. Prejardhja si mburrje. Prejardhja si fyerje. Prejardhja e padurueshme prej tjetrit. Prejardhja e mohuar. Prejardhja e fshehur. Prejardhja e nxjerrë befas si thikë nga mënga, e kështu me radhë.”, shkruan I. Kadare po aty, duke u marrë edhe me tendencat serbe e maqedonase të përvetësimit të Nënë Terezës dhe të Gjergj Kastriotit. “Rrjedhimisht, vijon Kadare, rënia e kambanës për poshtërim kërkon një përgjegjësi të lartë morale. Një kushtrim të rremë nuk e ndan veçse një hap nga thirrja për krim kundër tjetrit.”
Skënderbeu nuk është i hipur mbi pelë qorre, që ta kapë kushdo për freri e ta lidhë në oborrin e vet, por ata shqiptarë që quhen specialistë të historisë së Gjergj Kastriotit e të periudhës së tij, nuk do të duhej ta bënin gjumin rehat nëse i kanë fqinjë hajdutët si autorin e librit të përmendur.
*Redaksia e Diellit ka kenaqesine qe te njoftoje lexuesit e saj se ka fituar edhe nje pene te njohur te letrave shqipe, si bashkepunetor nga Kosova. Ai eshte studiuesi i njohur Skender Blakaj.Ky eshte shkrimi i trete qe po botojme. Faleminderit studues! Po ashtu njoftojme lexuesit se studuesi Blakaj ka perfunduar se fundi nje liber me interes per shqiptaret, qe fokusohet ne letrat e pa botuara te shqiptareve te shquar, nder ta edhe FAIK KONICA.
Dr. Din Krasniqi says
I nderuari Prof. Dr. Skender Blakaj.
Kam nje respekt te madh per ish profesorin e Gjuhes dhe Letersise Shqipe i cili me ka mbajtur mesim ne Gjmnazin “Bedri Pejani”, ai edhe atehere ka qene nje studius shum i zelleshem, me kujtohet shum mire kur shpiegonte poetin tone te mirnjohur te mjerimit, Migjenin.Aq me hollesi ishin ato shpjegime qe edhe pas 40 viteve me kujtohen. Pas botimit te librit per Historin e Skenderbeut ne 3 (tri )gjuh ne Shqipe, Anglishte, dhe Gjermanishte ,beri nje pune studimore te shkelqyeshme. Une i mora 2 Libra pre kosoves mi dergoj me poste ,Prof Skenderi, i jam shume minjohes. Per Arsye te veqant, sepse ato libra ,njeren e mora per bilioteken time, gjersa tjetren ja dhurova nje Prof. te Univerzitetet te Lincit, Roland Fischer,shef i Gjuheve te huaja pran keti Univerziteti.Prof. Roland Fischer eshte nje mik i Shqipetareve, dhe me shkrun disa fjali te gjata dhe te vlefshme sepse i kishte lexuar me kujdes.dhe ne fund me shkruan nje falenderim Autorit per nje pune shkencore te shkelqyeshme. Me respekt Dr Din Krasniqi -Austri.