Artan Nati/
Globalizimi i jetës politike, personale dhe profesionale, përhapja e demokracisë në mbarë botën dhe rritja e emigrimit për shumë arsye të ndryshme kanë kontribuar të gjitha në rritjen e interesit për të drejtat e votës për emigrantët, refugjatët, diplomatët, anëtarët e forcave të armatosura që shërbejnë jashtë shtetit dhe të tjerë persona që mungojnë përkohësisht ose përgjithmonë nga vendi i tyre. Ndërkohë që kushtetutat e shumë vendeve garantojnë të drejtën e votës për të gjithë qytetarët, në realitet votuesit që ndodhen jashtë vendit të tyre kur zhvillohen zgjedhjet shpesh nuk kanë të drejtë të votës për shkak të mungesës së procedurave që u mundësojnë atyre ta ushtrojnë këtë të drejtë.
Me më shumë qytetarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit të tyre dhe me teknologjitë e reja që e bëjnë gjithnjë e më të lehtë pjesëmarrjen e emigrantëve në politikën e atdheut, tema e votimit të emigrantëve është shumë e rëndësishme. Si përfaqësimi në procesin legjislativ, ashtu edhe komoditeti i votimit janë thelbësore për përfshirjen politike dhe vendimtare kur vlerësohet suksesi i dhënies së të drejtës. Vlen të përmendim propozimin nga “Vatra” si kandidat për president të Ph.D Dritan Demiraj, si një nga kandidaturat më serioze, por që nuk u morr parasysh nga politikanët në Shqipëri edhe për faktin se si funksionon politika në Shqipëri, por edhe se emigrantët nuk kanë mundësi të shprehin vullnetin e tyre. Duke i mohuar emigrantëve në veçanti, por edhe vendit tonë shfrytëzimin e kapaciteteve intelektuale dhe eleminimin e konkurencës politike dhe intelektuale aq të dëshiruara dhe të munguara në Shqipëri, pëbën një vetëcopëtim dhe vetëvrasje me kosto shumë të lartë.
Megjithatë, ruajtja e lidhjeve me vende të ndryshme nga emigrantët, krijimi i modeleve të reja të përkatësisë është një fenomen më i fundit, i lidhur me përparimet teknologjike dhe lëvizjet më të shpejta të emigrimit global. Globalizimi dhe integrimi evropian kanë çuar në një rritje të lëvizshmërisë personale përtej kufijve kombëtarë, gjë që nga ana tjetër ka nxjerrë në pah pyetjet rreth përkatësisë kombëtare. Supozimi tradicional i politikës së brendshme për t’u vendosur ekskluzivisht brenda kufijve të shtetit kombëtar sfidohet gjithashtu nga nocioni se komunitetet janë shtrirë përtej kufijve shtetërorë.
Kjo ilustrohet nga fakti se numri i vendeve që kanë miratuar politika që lejojnë qytetarët jorezidentë të marrin pjesë në zgjedhjet vendase nga jashtë është rritur shumë në dekadat e fundit. Aktualisht, rreth 151 vende nga 216 lejojnë votimin nga jashtë.
Votimi jashtë vendit mund të ketë një vlerë reale dhe thelbësore për përfshirjen politike të diasporës. Në veçanti, kur zgjedhjet shihen si një mjet për ndërtimin e paqes votimi i emigrantëve mund të luajë një rol të rëndësishëm në zgjedhjet pas konfliktit ose tranzicionit. Duhet theksuar se me krizat e thella që kaloi vendi ynë pas viteve 90, ajka intekektuale në Shqipëri e ndjeu veten tërësiht të margjinalizuar nga jeta politike dhe ekonomike në vend dhe rrugëdalja e vetme, por e padëshirueshme për ta ishte emigrimi. Duke lehtësuar angazhimin e diasporës, emigrantët potencialisht mund ta shohin veten si palë të interesuara në përpjekjet për ndërtimin e paqes dhe demokracisë në vend. Kjo nga ana tjetër mund të rrisë legjitimitetin demokratik të çdo marrëveshjeje politike pas konfliktit dhe të kontribuojë në konsolidimin e paqes dhe demokracisë, pavarësisht nga këndvështrimet e ndryshme politike që mund të vijnë nga brenda ose jashtë vendit. Për më tepër, nëse qytetarët jashtë vendit nuk lejohen të ushtrojnë asnjë të drejtë politike, atëherë ekziston rreziku që politikat kombëtare të mos pasqyrojnë interesat e tyre, pasi politikanët ka të ngjarë të injorojnë interesat e grupeve që u mungojnë të drejtat zgjedhore.
Në të njëjtën kohë është e rëndësishme të mbahet parasysh diversiteti i diasporave të cilat shpesh mund të ndahen sipas linjave etnike, fisnore ose fetare. Ndërtimi i besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të diasporës është një pjesë qendrore e angazhimit të diasporës si dhe një hap fillestar drejt dialogut efektiv të diasporës. Në këtë drejtim, votimi i emigrantëve mund të luajë një rol pozitiv në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme të diasporës . Vlen të përmendim veprimtarinë e fundit të Shoqatës “Vatra” në Çikago që me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor solli bashkë të gjitha komunitetet fetare dhe shoqatat e grave dhe grupimeve të tjera në Çikago për dhurimin e abetareve për shkollat shqipe në Çikago si dhe promovimin e librave dhe ndërrmarjen e hapave konkret për ruajtjen dhe kontributin e vlerave intelektuale në komunitetin tonë. Përveç kësaj, vendet e origjinës mund të gëzojnë një dividend demokratik nga emigracioni, pasi qytetarët jashtë vendit mund të bëhen agjentë të demokracisë dhe mund të ndihmojnë në përhapjen e normave demokratike në vendet e tyre të origjinës. Qytetarët Shqiptarë, jashtë vendit gjithashtu kontribuojnë në zhvillimin ekonomik në vend, dhe nëpërmjet remitancave, të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të GDP-së kombëtare. Gjithashtu turizmi masiv i emigrantëve dhe diasporës në Shqipëi është një faktor i madh ekonomik në vend. Niveli i ulët i demokracisë në vend, por edhe niveli skandaloz intelektual në parlamentin Shqiptar e bën imperativ votimin e emigrantëve, por edhe pjesëmarrjen e tyre në jetën politike të vendit. Mundësia për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të origjinës përmes votimit të emigrantëve mund të forcojë ndjenjën e tyre të përkatësisë në vendet e origjinës.
Mënyrat e ndryshme në të cilat kryhet votimi mund të jenë përmes fletëvotimit me postë, votimit online, votimit me përfaqësues ose personalisht në qendrat e votimit të caktuara jashtë vendit. Ndërsa ka rreziqe të qenësishme dhe këto rreziqe duhet të peshohen kundër interesit më të madh demokratik dhe vullnetit politik për t’u marrë me çdo sfidë të mundshme me mirëbesim.