Kristaq Balli/
Xhamia e Hadumit është një objekt fetar islam, si dhe një monument kombëtar arkitekturor në Gjakovë të Kosovës. Është ndërtuar në dekadën e fundit të shek. XVI
Në defterin zyrtar te Perandorisë të vitit 1571, Gjakova përmendet si fshat, ndërsa tregu i saj konsiderohet si qendër tregtare rajonale. Në atë periudhë, konkretisht në në vitet 1594/1595, Hadum Sylejman Efendia – i njohur si “Hadum Aga”, vendos ta financojë ndërtimin e një xhamie e cila do ta bartte emrin e tij. Pas ndërtimit të xhamisë në territorin e fushës së Jak Vulës, fillon zhvillimi i hovshëm i ekonomisë, pasi zejtarët nisin të vendosen në afërsi të objektit të saj. Në këtë mënyrë krijohet struktura e kompleksit të Çarshisë së Madhe, e cila më vonë luan rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor të Gjakovës.
Sipas udhëpërshkruesit turk Evlia Çelebi, 70 vjet më vonë rreth fushës së Jak Vulës dhe Xhamisë së Hadumit ishin 2000 shtëpi, disa mesxhide dhe dy xhami monumentale, hane të mbuluara me plumb, hamami i bukur dhe 300 dyqane.
Xhamia e Hadumit si ndërtim arkitektural i takon formave klasike të xhamive të grupit të stilit kosovar. Xhamia është e mbuluar me kube, ka bazë katërkëndëshe kënddrejtë dhe minaren e cila del nga muri jugperëndimor me bazë në formë kënddrejtë. Planimetria dhe skema kompozicionale e saj përbëhet nga këto pjesë: salla e lutjeve, hajati – që zë vend në fasadën veriperëndimore të veprës, dhe minarja.
Po ashtu duhet përmendur se përreth xhamisë janë varret me nishane, të realizuara në plastikë guri, me gravurë, të mbishkruara në osmanishten e vjetër. Në të kaluarën në këtë pjesë të xhamisë varroseshin anëtarët e familjeve të njohura të Gjakovës.
Në kuadër të kompleksit të xhamisë ishin edhe hamami, i cili nuk ekziston më, Hani i Haraqive (ende ekziston, veçse i adaptuar, i transformuar gjatë kohës), ndërtesa e bibliotekës së vjetër, objekti nga viti 1671 (biblioteka nuk ekziston, u dogj nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999 dhe në tërësi u rrënua në vitin 2000), si dhe mejtepi nga viti 1777, po ashtu i adaptuar.
Salla e lutjeve ka vëllim unik dhe është e mbuluar me kupolë. Kjo sallë ka planimetri katrore dhe në të hyhet nga dera e cila gjendet në fasadën veri-perëndimore. Salla, me vëllimin e saj unik, është e mbuluar me kube të konstruktuara drejtpërdrejt mbi të nëpërmjet trompeve në qoshet e mureve konstruktive. Madhësia, pra diametri i kubesë është 13.5 metra, kurse lartësia prej dyshemesë është 12.6 metra. Eshtë specifike se kubeja qëndron në tetë pilastra të forta dhe në konstruksion të trompeve. Kjo mënyrë e konstruktimit paraqet të vetmen zgjedhje të tillë ndërtimore në territorin e Kosovës.
Tremi apo hajati i xhamisë së Hadumit përfshin anën veri-perëndimore dhe ka një zgjidhje tradicionale të këtyre mjediseve të veprave klasike monumentale jo vetëm për Kosovën dhe pjesë të tjera shqiptare, por edhe për Ballkanin.
Si pjesë e skemës kompozicionale, si element i pandarë i xhamisë është edhe minarja, e cila si zakonisht zë vend në të djathtë të sallës së faljeve tek del nga muri jugperëndimor. Baza e minares ka planimetri, bazament kënddrejtë që vazhdon me papuçen në formë piramide të cunguar, që përfundon me një kornizë guri që del nga muri perimetral i elementit konstruktiv. Nga kjo pjesë fillon trupi i minares që ka formë shumëkëndore a poligonale. Trupi i minares nga korniza e parë shkon duke u ngushtuar deri në kornizën e dytë. Prej lartësisë së kornizës së dytë, trupi i minares, duke u ngushtuar gjithnjë lehtazi, mbaron me kornizën e tretë. Këtu trupi poligonal përfundon me kazanin a sherefen e minares. Sherefeja në lëshime anësore nga disa rende gurësh të latuar del nga muri poligonal perimetral i trupit të minares dhe kështu fiton një gjerësi sa për të lëvizur në rast nevoje, për kryerjen e ndonjë ceromonie të caktuar fetare: thirja e ezanit për tenbih etj. Kazani ka edhe parapetën e tij. Kjo pjesë, pra sherefeja, në xhaminë e Hadumit paraqet një pjesë ku prezantohen gdhendje në teknikë relievi, në plastikë të imët. Daljen në kazan e bën të mundur një deriçkë e ngushtë dhe e ulët. Konstruksioni i minares nuk mbaron me kaq, por tani mbi kazan vazhdon pjesa e sipërme, peteku i minares. Peteku mbaron me pjesën konike të quajtur qylah. Qylahu ka konstruksion druri dhe është i mbuluar e i veshur me mbulesë të plumbit. Në fund të minares, si element përfundimtar, njëherësh edhe element dekorimi; me cilësi artistike e estetike është edhe alemi i minares. Elemente të njëjta dekorimi prezantohen edhe në kubenë e sallës së faljeve të xhamisë së Hadumit në Gjakovë. Përveç të tjerash, funksioni i minares është që nëpërmjet shkallëve të saj, të arrihet në kazan-sherefe. Shkallët janë nga gurë njëpjesësh, të vendosur, konstruktuar edhe si pjesë të pandara të mureve konstruktive të minares, që vazhdojnë njëra pas tjetrës të lidhura deri në deriçkën e sherefes. Interieri i minares në xhaminë e Hadumit ndriçohet nga një numër i vogël dritaresh. Këto dritare kanë formë frëngjish. Ato, përveç funksionit të cekur, luajnë edhe rolin e ajrosjes së minares.
Në xhaminë e Hadumit, në veprën monumentale të mbuluar me kube si dhe në disa vepra të tjera të karakterit dhe tipit të përmendur në Kosovë, të ndërtuara në shek. XV, XVI e XVII, prezantohen edhe piktura, dekorime murale të cilat me ekzistencën dhe pamjet e tyre zbukuronin muret e objekteve fetare islamo-shqiptare.
Interieri, pamja kryesore e xhamisë, kubetë e hajatit, janë të dekoruara me piktura murale të punuara në teknikën seko (të thatë) . Motive kryesore janë peizazhet e stilizuara (në disa raste edhe me motive të arkitekturës popullore, kullave të Rrafshit të Dukagjinit) me selvi, natyra të qeta, yje bosh, motive arkitektonike të objekteve të kultit-xhamive, ornamente të botës bimore, figura gjeometrike dhe citate të Kuranit. Këto motive të prezantuara me përmbajtje të dekorimit të tyre në artin e Islamit, njihen si piktura murale me arabeska. Dekorimet e përmendura, paraqiten në kubenë kryesore si dhe ato në hajatin e objektit, në kurorë, nike, harqe dhe trompe. Ngjyra dominuese në këto dekorime janë: e kuqja, e kaltra, e gjelbra, okëra, e përhimta, e zeza e cila përdoret vetëm në citatet e Kuranit, si dhe në Emrin i Allahut, Muhamedit si dhe pasardhësve të tij. Dekorimet i takojnë stilit barok islamo-shqiptar, të realizuara në shek.XIX. Në xhaminë e Hadumit ka tri shtresa pikturale. Ekzistenca e shtresave në dekorimet pikturale është konstatuar gjatë punimeve konservuese-restauruese në vitit 1981. Me atë rast, në bazë të sondazheve të bëra në kubenë e mesme të hajatit, u vërejtën tri shtresa të pikturimit. Ndërkaq, në kubetë anësore kemi nga dy shtresa dekorimi. Motivet në shtresat e gjetura janë nga bota bimore dhe figura gjeometrike, ku dominon ngjyra e kuqe, e qeramidhes dhe e zeza. Motivet si dhe ngjyrat e janë karakteristike edhe për dekorimet e shtresës së dytë. Dy shtresat e para duhet t’i takojnë shek. XVII-XVIII. Shtresa e tretë dekoruese, ekzistuesja, në vitin 1842. Këtë të dhënë e dokumenton mbishkrimi dhe data e shënuar në timpanonin e portalit kryesor.
Restaurimi kryesori i xhamisë është kryer në dy faza, më 2003 dhe 2007 nën drejtimin e “CHWB” – Suedi (Trashëgimia kulturore pa kufij). Kjo organizatë ka marrë një donacion nga UNESCO-ja, për konservimin dhe restaurimin e dekoreve murale të brendshme dhe të jashtme (të hajatit) të xhamisë.
K.B.