Ne qender, ulur, Noli ne mes, majtas Kristo Kirka, djathtas Sotir Peci. Foto e vitit 1906/Nga Uran Butka*/
Në vitin 1908 Kristo Kirka u zgjodh kryetar i shoqërisë “Besa-Besën” dhe punoi me vetmohim për ta bërë atë vatrën kryesore ku të mblidheshin dhe të bashkëvepronin gjithë shqiptarët. Shoqëria “Besa-Besën” u shndërrua në shoqërinë më të fuqishme të shqiptarëve të Amerikës dhe u bë faktori kryesor i bashkimit të të gjitha shoqërive të tjera në një federatë gjithëshqiptare.
Në këto kushte lindi nevoja për një gazetë, zëdhënëse e shqiptarëve të Amerikës, por edhe tribunë e mendimit të çështjes sonë kombëtare. Më 15 shkurt të vitit 1909, shoqëria “Besa-Besën” nisi botimin e gazetës së mirënjohur “Dielli”. Vetë titulli i saj “Dielli”, i qëmtuar nga Fan Noli, ishte kuptimplotë: Dielli, që do të ndriçonte mendjen dhe rrugën e shqiptarëve. Numri i parë i saj doli në Boston më 15 shkurt 1909, si gazetë e përjavshme, mandej dy herë në javë, ndërsa në kohën e Çekrezit u bë e përditshme, shqip dhe anglisht. Në krye të numrit të parë, shpallej diviza: “Dielli është organ i shqiptarëve kombëtarë, që kërkojnë vetëqeverimin për Shqipërinë”.
Gjatë gjithë ekzistencës së saj, ka qenë një nga faqet më të rëndësishme të shtypit shqiptar. Qysh në krye, ajo ka përkrahur lëvizjet për autonomi në kuadrin e katër vilajeteve, mandej lëvizjet për ndergjegjësim kombëtar, për liri dhe pavarësi, luftën kundër politikave shoviniste e pushtuese të shteteve fqinje, si: Greqia, Serbia dhe Italia, kundër planeve të disa Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë, si edhe ka propaganduar vijimisht idenë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet kombëtar e demokratik, sipas modelit të demokracive perëndimore. Ndërkohë, ka pasqyruar jetën, veprimtaritë kombëtare, politike, ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve të Amerikës dhe ndihmën e tyre në dobi të atdheut e të çështjes kombëtare.
Redaktori dhe editori i parë i gazetës “Dielli” ishte Fan Noli, i cili me editorialet e tij të thukta, i dha drejtimin dhe peshën e duhur kësaj gazete kombëtare.
Në mbledhjen e përgjithshshme të shoqërisë “Besa-Besën” në Boston, më 14 mars 1909, për të zgjedhur Pleqësinë e shoqërisë dhe për të këqyrur ecurinë e gazetës “Dielli”, folën Fan Noli, Kristo Kirka, Nikolla Poçi e të tjerë. Pleqësia e zgjedhur i bëri thirrje Faik Konicës , drejtor i gazetës “Albania” në Londër, që të pranonte drejtimin e gazetës “Dielli”, ftesë që ai e pranoi.
Në këtë mbledhje u zgjodh edhe redaksia e gazetës: G.Gjoleka menaxher, Kristo Kirka gazetar dhe K.Kristofor arkëtar.
Me ardhjen e Faik Konicës në Amerikë, më 9 tetor 1909 dhe vendosjen e këtij personaliteti të shquar për të drejtuar gazetën “Dielli”, u rrit dukshëm cilësia dhe fama e gazetës, por edhe veprimtaria kombëtare e shqiptarëve të Amerikës.
Gjatë vitit 1909 u rishtrua çështja e bashkimit të të gjitha shoqërive në një të vetme. Pleqësia e shoqërisë “Mall’i Mëmëdheut”, përmes një letre botuar te gazeta “Dielli”, argumentonte domosdoshmërinë e shoqërive të krijuara an’e kënd Amerikës. Shoqëria “Besa-Besën” mori nismën që të organizonte një sërë mitingjesh në qendrat kryesore ku banonin shqiptarët, për të propaganduar bashkimin. Mitingu i parë u organizua më 1 nëntor 1909 në Phoenix Hall, ku erdhën shqiptarë nga Bostoni, por edhe nga Natick, Hudson, Buffalo, New Bedford, Worcester etj. Mitingun e hapi Kristo Kirka, kryetar i shoqërisë “Besa-Besën”. Në emër të kësaj shoqërie, ai bëri thirrje për bashkim, si një aspiratë kombëtare. Oratorët Faik Konica, Fan Noli,Themistokli Millona dhe Kol Kristofori folën për rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë dhe për organizimin e shqiptarëve tëAmerikës.
Mitingje masive u organizuan edhe në Hudson, më 12 nëntor 1909, në Bedford, më 18 nëntor, në Natick, më 25 nëntor, në Worcester, më 1 dhjetor, në Southbridge, më 14 dhjetor. Këto tubime luajtën një rol të rëndësishëm për fuqizimin dhe rritjen e shoqërisë “Besa-Besën”, por edhe në rrugëtimin drejt bashkimit. Thuajse një miting në javë, një gjë e pazakontë, por edhe një punë e palodhur, veçanërisht e organizatorit Kristo Kirka, që kishte një energji të pashtershme dhe një vullnet të pathyer.
Gazeta “Dielli” e datës 28 janar 1910, shkruante: “Pleqësia e Besa-Besës mbajti një mbledhje të dielën e shkuar në zyrë të “Diellit”. Ishin në mbledhje Z.Kristo Kirka, kryetari; z. Tromara, sekretari dhe z.Andea Kristo, Stavre Mihal, Xheli Sotir nga pleqësia” [1] Kryetari i shoqërisë “Besa-Besën”, Kristo Kirka, luajti një rol të rëndësishëm bashkues. Por, krahas zgjerimit të shoqërisë “Besa-Besën” me anëtarë të rinj dhe mirëkuptimit gjithnjë e më të madh për bashkimin e gjithë shoqërive në një organizatë të vetme, u shfaqën edhe mosmarrëveshje të brendshme.
“Kulmin këto mosmarrëveshje e arritën në mbledhjen e 20 shkurtit 1910 të kësaj shoqërie, që u mbajt në Boston. Kryetari Kristo Kirka, i cili e drejtoi këtë mbledhje, theksoi domosdoshmërinë dhe nevojën e një lidhjeje apo federimi në mes të shoqërive shqiptare të krijuara në Amerikë… Nga diskutimet që u bënë në këtë mbledhje, u dukën qartë kontradiktat midis kryetarit të shoqërisë “Besa-Besën”, Kristo Kirka dhe drejtorit të “Diellit” Faik Konica, kryesisht për disa artikuj të botuar në gazetën “Dielli”. Kryetari i shoqërisë kërkoi me këmbëngulje që drejtimi i gazetës “Dielli” të kalonte në duart e kryesisë së shoqërisë, gjë që nuk u pranua prej Faik Konicës, i cili theksoi se “përsa kohë do të ishte drejtor i këtij organi, nuk do të lejonte kërkënd të fuste hundët në punët e tij”.[2] Mosmarrëveshjet u thelluan edhe për një problem tjetër që u ngrit në këtë mbledhje: botimi i një gazete tjetër në Boston të titulluar “Flamuri” dhe që drejtohej po prej Faik Konicës. “Flamuri” ndryshonte nga “Dielli”, sepse e kërkonte vetëqeverimin e Shqipërisë vetëm në rrugë kushtetuese. Konica theksoi se e kishte botuar me qëllim këtë gazetë, që ajo të hynte në Shqipëri, sepse gazeta “Dielli” nuk lejohej prej xhonturqve”.[3]
Faik Konica dha dorëheqjen si drejtor i gazetës “Dielli”, ndërkohë që vazhdoi të botonte “Flamurin”. Shoqëria “Besa-Besën” zgjodhi një komision me Kristo Kirkën në krye, për të drejtuar shoqërinë dhe organin e saj, “Diellin”.
Gjithsesi, kjo mosmarrëveshje ishte në dëm të shoqërisë e të gazetës “Dielli”, por edhe të projektit të bashkimit, ndaj të dyja palët bënë një marrëveshje, u ulën në bisedime, zgjodhën një komision të përbashkët dhe shkuan në votime demokratike, me votë të fshehtë. Kryetar i shoqërisë u zgjodh Josif Pani. Kryesia e re ia dorëzoi sërish gazetën “Dielli” Faik Konicës, maj 1910. Të dyja gazetat, për një kohë, u bashkuan në një emër të përbashkët “Dielli dhe Flamuri”.
Pavarësisht nga mospërputhja e mendimeve për probleme apo qëndrime të caktuara, midis Kirkës dhe Konicës vazhdoi bashkëpunimi në dobi të çështjes kombëtare.
Në përvjetorin e parë të “Diellit”, më 11 shkurt 1910, editori i gazetës, Faik Konica, tek përshkruante rrugën njëvjeçare, do të vlerësonte në mënyrë të veçantë veprimtarinë e shoqërisë “Besa-Besën” dhe të kryetarit të saj, Kristo Kirka:
“Me këtë numër, “Dielli” mbush motin e parë të botimit të tij. Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron ndonjë herë, rri mbi një gur dhe hedh sytë pas tij. Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh sesa eci dhe ç’mbaroi gjer atje. Ashtu, edhe ne do të marrim forcë të re, duke shikuar punët që bëmë gjer sot…Shoqërisë “Besa-Besën”, kryetarit atdhetar dhe të palodhur të saj, Kristo Kirka, pleqësisë së nxehtë , kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, ana kombëtare u ka hua përhirime nga zemra”[4]
Pas shoqërisë “Besa-Besën”, në SHBA u themeluan edhe mjaft shoqëri të tjera të rëndësishme, që ndikuan në bashkimin, ndërgjegjësimin dhe arsimimin e emigrantëve shqiptarë atje, por edhe ndihmuan bashkëkombasit e tyre në Shqipëri.
Një nga këto, shoqëria korçare ”Arsimi”, e themeluar në vitin 1909 në Hudson, por e zhvendosur më pas në Boston, dha një ndihmesë të çmuar në arsimimin e emigrantëve shqiptarë në Hudson e Boston, por edhe në zhvillimin e arsimit në qytetin e Korçës. Në krye të kësaj shoqërie ishte Kristo Kirka.
Po ashtu, u formuan edhe shoqëritë “Shpresa” në Bideford, shoqëria “Dallandyshe” dhe “Mbarësia” në Marlboro, shoqëria ndihmëtare ”Bashkimi”, “Flamuri i Krujës” e të tjera.
Të gjitha këto shoqëri dhe organet e tyre të shtypit e kishin kthyer shikimin nga Shqipëria që lëngonte nën sundimin osman, por edhe që përpiqej të dilte nga kjo gjendje. Shoqëritë patriotike të Amerikës inkurajonin çeljen e shkollave shqipe, arsimimin në gjuhën shqipe, ngritjen e çetave të para të lirisë, luftën kundër shovinizmit dhe kishës greke, përkrahjen e kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 1910-1911, si edhe mbrojten e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në SHBA.
Ja ç’shkruan gazeta “Dielli”, 18 nëntor 1910:
“Ende pa marrë kryesinë Z. Kirka, anëtarët e Shoqërisë korçare “Arsimi” qenë shumë të pakë, por që kur u zgjodh kryetar Z.Kirka, i cili kurdoherë është rrëfyer atdhetar, anëtarët u shtuan shumë dhe është shpresë që të vejë më përpara shoqëria “Arsimi” për të përmbushur qëllimin e saj. Kryetari Kirka foli me hollësi për qëllimin e shoqërisë dhe u dha kurajo gjithë dëgjonjësve që të mos dëshpërohen për mbylljen e shkollave shqipe në Shqipëri, se do të vijë koha që do të hapen prapë dhe atëherë shoqëria jonë ka për detyrë t’u ndihë shkollave shqip, për të cilat është ngritur”.[5]
Kristoja ishte i mendimit që shqiptarët duhet të përfitonin nga liritë e shpallura nga xhonturqit, për të përhapur abecenë e njësuar , për të ngritur shkolla, klube kulturorë, shtyp të lirë dhe veprimtari të tjera, që të vetëdijësoheshin e të bashkoheshin shpirtërisht.
“Gjuha dhe letërsia shqiptare bënë udhën e tyre, por me mundime. Armiqtë filluan luftën e rregullt kundra shqiptarizmës… Më 1908, kur u shpall lirija konstitucionale, në të gjithë anët ku ndodheshin shqiptarë, u hapnë klube, u botuan fletore, edhe u shtypnë e u përhapnë libra edhe u krijua Normaleja e Elbasanit për të pregatitur mësonjës të aftë. Mirëpo , faktorët ngatërrestarë të huaj, duke u mbështetur n’elementët fanatikë të vendit, dëndësuan luftën në të katër anët. Lufta për shkronjat dhe gjuhën doli në krye. Xhonturqit kërkuan që shqipja të shkruhej me germa arabishte dhe të përhapej kultura osmane. Me qenë se shkronjat arabishte, përveç që nuk kanë zënore, por edhe si një gjuhë semitike, nuk përfshijnë as bashkëtingëllore, me një fjalë ishte një mjet mashtronjës për t’i ndaluar shqiptarët në fushën e kulturës. Në tërë Shqipërinë bota u nda më dysh: partizanët e shkronjave latine dhe partizanët e shkronjave arabe. E para përfaqësonte kulturën evropiane edhe e dyta kulturën orientale, e para përfaqësonte nacionalizmën shqiptare, edhe e dyta fanatizmën fetare, e para gjallëri në jetë, e dyta vdekjen. Në këtë luftë, grekët dhe serbët ndihmonin propagandën e xhonturqve…Nacionalistët u detyruan të formojnë çeta dhe t’organizojnë kryengritje. Me rëndësi ishte ajo e Kosovës, e cila përfundoi me zbritjen e kryengritësve në Shkup” – shkruante Kristo Kirka.[6]
Ai përpiqej që shqiptarët e Amerikës të mbanin gjallë gjuhën shqipe, të shkruanin e të lexonin në gjuhën e mëmës, të merrnin dituri dhe të kulturoheshin. Nga shoqëria “Arsimi” organizoheshin kurse dhe shkolla sezonale për të mësuar gjuhën shqipe të shkruar. Madje, Kristo Kirka, bënte thirrje për themelimin e një shoqërie theatrale, që të zbukuronte jetën e emigrantëve shqiptarë dhe të edukonte atdhetarizmin e tyre:
“Thërriten gjithë aktorët që kanë marrë pjesë në dramat “Besa” të Sami Frashërit, “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos etj. dhe çdo atdhetar që dëshiron të marrë pjesë në një shoqëri theatrale, të ndodhen në mbledhjen që do të mbahet më 29 të vjeshtës së dytë 1911, për të rregulluar një shoqëri theatrale”[7]
Kështu, me nismën e Kristos, u themelua shoqëria teatrale “Lahuta”, me qendër në Boston.
- Marre nga libri i shkrimtarit dhe studiuesit Uran Butka me titull”Kristo Kirka”