• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2012

100 VJETORI I PAVARESISE SE SHQIPERISE U FESTUA EDHE NE ZELANDE TE RE

November 29, 2012 by dgreca

Jubileu i madh u shënua edhe në Zelandën e Largët

Sabit Abdyli/

Në qytetin e Aucklandit u festua 100 Vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Me këtë rast ish përgatitur një program me recitime, valle dhe këngë. Manifestimi u hap me ekzekutimin me harmonik të Himnit; Rreth Flamurit të përbashkuar nga vogëlushi Liam. Të pranishmit i përshëndeti kryetari i Komunitetit Shqiptar z. Ali Hoxha. Mes tjerash kryetari u shpreh se 28 Nëntori i vitit 1912 është ditë historike, ditë e fitores dhe gëzimit prej ku u vunë themelet e shtetit shqiptar. Në skenë pastaj doli Arbëresha Fjezullahu e pasuar pastaj nga Eni Asllani që recituan bukur nga një poezi për Flamurin kombëtar. Manifestuesit u kënaqen edhe me vallet me motive tona popullore luajtur nga vajzat dhe djemtë shqiptarë, përgatitur nga z. Belerta Rakovica e z. Arjeta Hyskaj. Sallën e ngritën në këmbë Chipanecas Liam me dy motrat e tija binjake të cilat vallëzuan bukur në ritmin e tingujve të harmonikës, ekzekutuar nga vëllai i tyre. Këta fëmijë veshur kuq e zi me origjinë shqiptare u duartrokitën gjatë. Manifestimi u pasua me muzikë e valle nga të gjitha trevat shqiptare deri në orët e vona të natës.

Filed Under: Featured Tagged With: Sabit Abdyl

MBRËMË NË TIRANË ME RITA ORËN

November 29, 2012 by dgreca

NGA Elida Buçpapaj/

E Enjte, 11.29.2012, 10:49am (GMT+1)/
Ajo u vonua pak, gjithë mbrëmja shkoi duke pritur Rita Orën. Pastaj erdhi me grupin e saj dhe u fut pas kuintave. Sali Berisha kryeministri i Shqipërisë e shoqëronte si bodyguard! Po duket atij i pëlqente që të ishte një herë bodyguard kur ishte fjala për Rita Orën. Dhe kur të gjithë thanë, ok më në fund, sa mirë që erdhi, ajo filloi të vonohej përsëri. Kamerat tregonin se si zëdhënësja e kryeministrit komunikonte me telefon duke treguar me sy skenën. Përse po vonohet Rita ?! Dil Rita Ora më në fund, se na lodhe tuj të pritë.

Pastaj filluan efektet skenike, rrezet blu dhe violet shigjetonin sheshin, herë si shkrepëtima, herë sikur vinin prej kozmosi, me konfiguracionin e Shqipërisë, shqiponjës dhe sikur të mos ishin simbolet shqiptare, të krijohej menjëherë ideja se ishe në një koncert të mbretëreshës të Pop-it, vetë Madonnës në Zürich apo Romë…..
E nuk vonoi pak dhe hyri Rita Ora. Menjëherë “Roc of the Life”, që për Rita Orën do të thotë me kall, me e ngrit në kambë të madh e të vogël, kush ka pak gjak ndër deje…

Ku pyet Rita Ora se bien shi a borë, breshër, bubullon ose vetëton, sepse ajo është bubullimë e vetëtimë ajo është një yll botëror, që posa i ka mbushur më 26 nëntor, 22 vjeç – dhe në dejet e saj rend e rend gjak shqiptari.

Pastaj ajo performoi “Shine Ya Light”, “Hot Right Now”, “R.I.P” dhe “How We Do”, diku ndalonte, fliste pak shqip, me dialektin verior, e pastaj e kthente anglisht dhe thoshte të njëjtat fjalë, se ishte e lumtur në Tiranë, se ishte shumë e lumtur që ishte në Tiranë në atë ditë të madhe, 100 vjetorin e pavarësisë, punë e madhe se bie shi, ajo e kalli Tiranën, më e bukur dhe ma bukur se Madonna, më e bukur se Rihana, një yll që e ka nisur ngritjen e tij në vendin e Beatles-ave dhe Amy Winehouse etj, një yll që të le pa frymë, me gjak shqiptari….

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Elida Buçpapaj, Rita Ora

FESTOHET ME MADHESHTI 100 VJETORI NE MICHIGAN

November 28, 2012 by dgreca

Akademi Shkencore dhe Mbrëmje Solemne në Michigan per 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë/

Nga Pjetër Jaku/

Komuniteti shqiptar në Michigan, me datat 24 dhe 25 Nëntor realizoi Akademinë  Shkencore dhe Mbrëmjen Solemne me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë në mënyrën më të mirë të mundshme. Impenjimi i Komisionit Organizativ të këtij jubileu funksionoi mirë dhe saktë, deri në realizimin  me  të mirë të këtij përvjetori historik në Diasporë.

Aktivitetet ishin  modeli i një organizimi  ekzakt  dhe domethënës.

Akadenmia Shkencore, sipas një programi të detajuar kohë më pare, u mbajt në   sallën e kulturës të Kishës Katolikë  “ Zoja Pajtore e Shqiptarëve”, e cila drejtohet nga meshtari i njohur, Dom Ndue Gjergji. Që nga përgaditja e sallës për këtë Akademi, të binte në sy veçanësia e ngjyrave që përkon plotësisht me këtë përvjetor. Gjithë aktiviteti për nder të 100 Vjetorit të Pavarësisë ishte drejtuar nën patronazhin e Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë në Michigan, aktivisti dhe biznesmeni i njohur Ekrem Bardha, i cili në ditët e këtij  përkujtimi ndodhej në Shqipëri i ftuar nga Kryeministri Sali Berisha.

Ideuar që në shkurt 2012 dhe shprehur publikisht nga Don Fran Kola, famullitar i Kishës Katolike të Shën Palit, gjitha veprimtaritë e këtij viti u realizuan në një frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, edhe pse pati ndonjë Instituciuon si Xhamia Shqiptare në Michigan, që nuk e përkrahu këtë organizim, duke pranuar të festoi në veçanësinë e saj.

Në Komisionin Organizativ për kremtimin e 100 Vjetorit të Pavarësisë në Michigan ishin:

Kisha Zoja Pajtore në Southfield, Teqja Bektashjane në Taylor, Kisha e Shën Palit në Rochester, Kisha Shën Thomai ( ortodkse ), Federata Panshqiptare “ Vatra” , Dega e Michiganit, Shoqata “ Malësia e Madhe”, “ Kosova”, “Dukagjini”, “ Kastrati”, Lidhja e Intelektualve, Qendra Ballkanike, Shoqata e Kultures, Revista “ Kuvendi”, Liga Shqiptaro-Amerikane, Organizata “ Çamëria”, Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Cikagos, Shoqata e Ndihmes ne Michigan, Unioni Studentor ect…që përfaqësoheshin nga:

Ekrem Bardha   Konsull Nderi dhe Kryetar i Këshllit të Teqesë “ Baba Rexhepi”

Don Ndue Gjergji, Famullitar i Kishës “ Zoja Pajtore”

Don Fran Kola, Famullitar i Kishës së Shën Palit

Kisha Ortokse “ Shën Thomai” në Michigan, themeluar nga Fan Noli

Alfons Grishaj, Kryetar i Degës së Michiganit ( Federate Panshqiptare “ Vatra” )

Gjergj Ivezaj, Kryetar i Shoqatës Atdhetaro-Patriotike “ Malësia e Madhe”

Nua Ivanaj, Kryetar i Lidhjes së Intelektualve ,

Mikel Demaj Kryetar i Shoqatës “ Kosova”

Taulant Kadiu, Drejtues i Qendres Ballkanike

Marash Nucullaj, Kryetar i Ligës Qytetare, Dega Michigan

Kolë Gjokaj, Kryetar i Këshillit të  Kishes së Shën Palit

Pjetër Jaku, Botues i Revistes “ Kuvendi”

Nikollë Vneshta, Kryetar i Shoqatës “ Kastrati”,

Julian Çefa, Kryetar i Shoqtës së Ndihmës

Arian Rexha, Organizata “ Çamëria”

Nikolin Shyti, Kryetar i Shoqatës “ Dukagjini”

Luvigj Stërbyqi, ish sekretar i Shoqatës “ Dukagjini”

Klementina Sula, Shoqata e Studenteve Ann Arbor

Ky përfaqësim  dinjitoz për një kremtim të tillë, u bë mbështetja  e të gjitha aktiviteteve për ta mbyllur sa më mirë me mbrëmjën solemne kushtuar 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, siç edhe ndodhi.

Akademia Shkencore u mbajt  me datën 24 Nëntor 2012 në sallën kulturore të Kishës Katolike “ Zoja Pajtore “ në moderimin e një grupi specialistësh, të cilët ishin Dr. Gjekë Gjelaj. Dr. Lukë Junçaj dhe Valentin Lumaj, të  ndihmuar nga Albina Palushaj dhe Rita Gjelaj. Ky aktivitet filloi në orën 10:00 Am dhe përfundoi me promovimin e  kompleksit historik “ Kosova” të të njohurit Jusuf Buxhovi. Promovimin e drejtoi  Mikel  Demaj. Hapjen e aktivitetit e bëri me një fjalë të shkrutër, duke uruar mirëseardhjen dhe mbarësinë e këtyre punimeve, Dom Ndue Gjergji. Fillimin e manifestimeve e përshëndeti Donika Bardha, në emër të Konsullit të Nderit, Ekrem Bardha. Në këtë akademi merrnin pjesë edhe klerikët Don Fran Kola, Dom Anton Kçira dhe Dom Frederik Kalaj, si dhe mediat e komunitetit.

Referuesit kryesor në kësaj Akademie ishin: Prof.Dr. Jusuf Buxhovi, Dr. Ardian Ndreca, Monsinjor Antonio Belushi, Atasheu Ushtarak prane Ambasades Shqiptare ne Washington, Everest Haxhi, Shkrimtari  Naum Prifti, Publicisti i  njohur Nijazi Mehmeti, Prof. Dr. Skender Karaçica, Ing. Mergim Korça, Prof.Dr. Bahri Brisku, Ing. Gjovalin Kaçorri dhe shkrimtari nga Malësia, Fran Camaj, temat e të cilëve së shpejti do të kenë një botim të veçantë nga komisioni i këtij përvjetori, i cili do të vazhdoi të qënit edhe për raste të tjera.

Në veçanti ra në sy përgaditja serioze e  monsinjor Antonio Belushit, i cili edhe pse me ngarkesën e shumë viteve, kishte përgaditur një udhëtim vërtet historik në afro 600 vitet e fundit të historisë shqiptare, me një kuader filmik, të cilin e drejtonte vëllai i tij, Tomas Belushi,  Dr. Ardian Ndreces, Ing. Gjovalin Kaçorrit, Nijazi Mehmetit dhe Fran Camajt, që nuk “devijuan” nga tema, por që edhe iu përmbajtën kohës që kishin në disponim.

Falë bujarisë së kësaj Kishe dreka ishte falas për të gjithë të pranishmit dhe darka për të ftuarit u mbulua nga aktivisti i njohur i komunitetit tonë Marash Nucullaj, në restorantin e tij.

 

Mbrëmja Solemne

 

Salla e Qendrsë së njohur të Shën Palit kishte ditë që përgaditej për këtë natë madhështore. Famullitari i kësaj Qendre Don Fran Kola së bashku me kryetarin e Këshillit të Kishës, Kolë Gjokaj dhe aktivistë të tjerë, përgaditën sallën dhe moren masat organizative për sistemimin e afro njëmijë pjesëmarrësve që ishin drejtuar për këtë rast të papërsëritshëm. Moderator të kësaj feste ishin Franz Grishaj dhe  Rafaela Kondi ( për pjesën Historike) ndërsa pjesën kulturore e drejtonin Ndue Gjekaj dhe Manjola Degaj ( Tershana ). Sipas një projekti të detajuar çdo gjë do të shkonte sipas programit, deri në mbylljen e aktivitetit. Hymnet e dy vendeve ( Shqipërisë dhe Amerikës) u  interpretuan nga Ermelinda Paparisto në shoqërimin muzikor të  Gjergji Paparistos. Pas hymneve, si përherë në këto rasteve hynë flamurtarët më në krye të njohurin, veteranin Vasel Ujkaj. Folësi kryesor i kësaj mbrëmje ishte intelektuali i njohur në botën shqiptare e më gjerë, Rektori i Universitetit Evropian në Tiranë, Tonin Gjuraj .

Këtë mbrëmje  solemne e nderuan dhe përshëndetën Kongresmeni Gery Peters ( përshëndetja e të cilit do të publikohet e plotë), këshilltari i Senatorit Levin, Majori i qytetit Sterlind HTS, Menaxheri i Macomb Twp, i cili i dhuroi një mirënjohje të veçantë Don Fran Kolës. Ambasadori shqiptar në Washington, Gilbert Galanxhi, i cili ishte në këtë mbrëmje me bashkëshorten Eva Galanxhi  dhe Atasheun Ushtarak Everest Haxhi, në përshëndetjen e tij e theksoi më së shumëti miqësinë shqiptaro-amerikane dhe ndihmën që na dhanë amerikanët në forcimin dhe ruajtjen e  integritetit tonë kombëtar. Poashtu e përshëndeten mbrëmjen Don Fran Kola, i cili një rëndësi të veçantë i kushtoi Besëlidhjes së Lezhës në formimin e shtetit shqiptar, Alfons Grishaj, i cili përveç Degës së  Federatës Panshqiptare “ Vatra” të Detroitit që përfaqësonte, përshëndeti edhe në emër të Konsullit të Nderit, Ekrem Bardha ( me autorizimin e tij). Shkrimtari i njohur Fran Camaj, gjithashtu përshëndeti, duke dhënë një pasqyrë të detajuar të problemeve imediate që kanë malsorët nën Mal të Zi dhe nevojën për t’i mbështetur ata. Gjatë mbrëmjes u lexuan letrat përshëndetëse të  Genc Pollos, nënkryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Senatorit  Levin.

Pjesa artistike, të cilën e drejtonte Kryetari i Shoqatës kulturore të Michiganit, artisti i njohur, njëkohësisht mbajtësi i titullit “ Kalorës i Paqes”, Fran Gjoka ( me moderatorët e sipërpërmendur) u mirëprit dhe duartrokit pas çdo pjese nga të pranishmit. Minidrama për Pavarësinë realizuar  nga  trupa e New Yorkut si dhe vallet e drejtuara nga Joli Paparisto  i dhanë sallës një atmosferë të zjarrtë. Poashtu, grupi polifonik i ardhur nga Ohio u pëlqye dhe duartrokit nga të pranishmit.

Me urimin për takime të tjera, sidomos në bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, u mbyll kjo mbrëmje solemne kushtuar 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.(Kortezia-Revista Kuvendi)

Filed Under: Kronike Tagged With: 1oo vjetorit, manifestim madheshtor, ne Michigan, Pjeter Jaku

FLAMURI SHQIPTAR LARTESOHET NE ONTARIO

November 27, 2012 by dgreca

Skicë/

Nga Avdulla Kënaçi/

Në këto ditë festash jam i tëri në sheshin përpara Parlamentit të Ontarios. Si zjarre të vegjel, nga të gjitha anët më rrethojnë flamujt shqiptarë dhe gurgullima gjuhës së ëmbël shqip. Është manifestimi i bashkësisë shqiptare të Torontos. Festa arriti pikën kulmore kur ushtoi Hymni Kombëtar dhe flamuri ynë mbi shtizën e bardhë merr rrugën drejt qiellit gri duke dalë mbi godinën historike të Parlamentit të provincës më të madhe të Kanadasë. Gjaku më vërshon me vrull ndër rremba. Është një moment ku unë ndjej se nuk jam në Toronto, por diku tej oqeanit Atlantik, aty ku kanë jetuar brez pas brezi të parët e mi. Dhe kujtoj….

Ishin vitet e vështirë të regjimit komunist kur emri i Amerikës pëshpëritej me zë të ulët. Ekzistonte tek brezi im një dashuri e fshehtë, dramatike për kombin amerikan, kampionin e mbrojtjes së lirisë. Mbaj mend si qarkullonte nën zë kjo histori:

Ishin vitet e para të Shpalljes së Pavarësisë. Mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte e brengosur se nuk kishte një leje të posaçme për të ngritur në raste festash apo piknikë flamurin shqiptar, deri at’here të panjohur nga Kombet e Bashkuara. U zgjodh një përfaqësi e cila iu drejtua presidntit Willson. Ai i priti, i dëgjoi, pastaj i pyeti:

– Keni ndonjë flamur tuajën të ma tregoni?

– Po –i thanë ata duke i vënë në tavolinën e punës një flamur të kuq me shqiponjën në mes të qindisur me merak. Presidenti kur pa shqiponjën, i ndriti fytyra dhe tërë gëzim, u tha:

– Po ky qënka shumë i bukur, lart e më lart flamuri shqiptar. Ta ngrini kur të doni e ku të doni. Amerikën e kemi së bashku, ajo nuk është vetëm e imja, por edhe juaja.

Është e vërtetë ose jo kjo histori, rëndësi ka që ajo qarkullonte gojë më gojë në ato kohë të vështira dhe jepte mesazhin se Amerika, kampioni i lirisë, e mbeshteste qyshkur, pa asnjë rezervë kombin shqiptar.

Ne e kishim flamurin, por nuk kishim lirinë, Kosova nuk kishte as lirinë e as flamurin. Demokracia na solli lirinë dhe distancën me Amerikën e shkurtoi në maksimum. Mars 1998, Kosova u ndez flakë nën emrin e atij flamuri. Shtatëdhjetë e dy ditë luftë. Dhe une, falë profesionit gazetar, isha ndër të parët që hyra në Kosovë kur sapo u çlirua nga zgjedha serbe. U habita me shpejtesinë se si gjysëm milon njerëz në fare pak ditë u kthyen në trojet e tyre me gjithë paralajmërimet e ushtrisë së NATO-s që të mos nxitoheshin sepse mundet që terreni dhe shtëpitë e tyre të ishin të minuara nga serbëtdhe u rrezikohej jeta. Përpara se sa të hyja në Prishtinë, u ktheva në Malishevë, në shtëpinë e xha Aliut i cili gjatë luftës, me njëzetë pjestarë të familjes së tij, kishte qenë i strehuar në familjet gjirokastrite. Shtëpinë e gjeti të djegur shkrumb e hi dhe ai ishte strehuar në një çadër ushtarake së bashku me familjen. Aty pranë, si një kukudh i zi, nxinte një tank i ushtrisë serbe,i djegur aq shumë sa nuk dukej gjurmë boje mbi kupolë, por nuk i kishte lëvizur asnjë pjesë. E kishin gjuajtur nga lart helikopterët Apash. Një djalë i ri, ish pjestar i forcave të UÇK-së, na udhëhoqi për tek trolli i xha Aliut. Mikpritësi ynë, xha Aliu, ishte një burrë tipik kosovar me mustaqe të bardha e kapuç mbi kokë, rreth të tetëdhjetave,dukej i gëzuar pa masë, sikur gjendej në parajsë. Në kulm të çadrës së tij valvitej flamuri shqiptar.

– U ka dëmtuar lufta, xha Ali. – i thashë unë, – po shoh shtëpinë shkrumb dhe asnjë bagëti rrotull.

– Jo, kam më shumë nga çfarë kisha – tha ai plot siguri dhe besim. Vuri re habinë time dhe vazhdoi të spjegohej.

– Kam atë…dhe tregoi me gisht flamurin mbi kulmin e çadrës-shtëpi.

– E solle nga Shqipëria?

– Jo, e kisha këtu, së bashku me revolen.

– Ku? – pyeta përsëri i habitur nga që nuk po kuptoja ku e kishte fshehur. Si? Trolli i shtëpisë së tij ishte shumë afër ish stacionit të policisë serbe.

– Poshtë, në tokë. – tregoi ai me dorë – Ne lëvizëm, por revolen dhe flamurin i kisha groposur këtu, në tokën tonë. Dhe bëra mirë. Ja, tek ajo qafa atje përkarshi ushtarët serbë na vunë në rresht. Na kontrollonin për armë, para dhe flamur. Paratë i fusnin në xhepat e tyre. Armët tona na i vinin në ballë, ndërsa flamujtë dhe plisat (kapuçat), kujt ia gjenin, ia i flaknin me urrejtje përdhe. Kam qarë si fëmijë sepse na thoshnin shkelni mbi plisa dhe flamuj. Por kisha një gëzim të madh thellë në shpirt. Revolen dhe flamurin tim shqiptar unë i kisha groposur në baçe, pesë pëllëmbë larg asaj dardhës, nga lind dielli, brenda, në qese plastmasi. Ja, shikoje, është ai flamuri që valvitet mbi shtëpinë time (shtëpi i thoshte çadrës)dhe revolja është kjo që kam në brez.- E hoqi revolen nga mesi me kujdesin e një nëne për fëmijën. Ishte një shtatëshe e vjetër me mulli, e vajisur mirë. Pastaj i gëzuar tha:

– Vëlla, erdhi koha që as flamuri dhe as revolja të mos futen më nën dhe, kemi mik të madh, Amerikën. Serbi na mori të keqen, kurrë nuk ka për t’u kthyer më.

Pastaj ngriti kryet lart, vuri dorën mbi plis dhe i mbetën sytë mbi flamur, si mua sot në Toronto.

Toronto, 25 nentor 2012

 

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Avdulla Kenaci, Flamuri shqiptar

KRYEMINISTRI BERISHA, SHKRUAN NE PERGAMENE PER VLOREN DHE BURRAT E PAVARESISE

November 27, 2012 by dgreca

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, zonja Liri Berisha mbërriti në mbrëmjen e 27 Nentorit në Vlorë, për të festuar me qytetarët shpalljen një shekull më parë të pavarësisë. Kryeministri përjetoi me emocion të veçantë pritjen e jashtëzakonshme që iu rezervua nga qytetarët, të cilët e shoqëruan në një pjesë të rrugës nga Levani deri në hyrje të qytetit.

Mes entuziazmit të qytetarëve, Kryeministri Berisha i drejtoi një dedikim të veçantë Vlorës e të gjithë shqiptarëve: “Mirëmbrëma Vlora! Mirëmbrëma mbarë Shqipëria e shqiptarët kudo ku jeni! Përshëndetjet më vëllazërore nga Vlora e flamurit, Vlora e Ismail Qemal Vlorës, Vlora e pavarësisë. Mirënjohjen më të thellë për këtë pritje vëllazërore. Do të lexoj këtu, para jush, këto pak fjalë që shkrova në këtë pergamenë:

Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 nëntor të viti 1912, pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100 vjetorin!”

Ky dedikim i Kryeministrit Berisha, i shkruar në pergamenë, do të vendoset e ruhet në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë.

Në vijim, Kryeministri Berisha dhe zonja Liri Berisha, Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, personalitete të larta të vendit, nga trevat shqiptare dhe të huaj ndoqën koncertin festiv në sheshin e Flamurit në Vlorë, për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Më pas, Kryeministri Berisha mori pjesë në darkën e shtuar nga Kryetarja e Kuvendit, për të ftuarit.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Berisha, kryeministri, ne Vlore

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT