• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2012

TE VERTETAT E ISH PRESIDENTIT

November 5, 2012 by dgreca

Nga Hajro ÇINI*/

Duke qënë një kritik i hershëm i ish presidentit Topi, kryesisht në rrjetet sociale, kisha vërë re se shumë pak nga miqtë e mi prononcoheshin. Në fakt nuk e kish vënë re deri para pak kohësh kur në një bisedë telefonike me një nga miqtë i mi në USA, gjatë bisedës më tha:

“I kam lexuar shkrimet e tua për Bamir Topin, por nuk kam pasur rastin të të them, se duke e përmëndur aq shpesh po i ngren vlerat. Unë e njoh mirë Topin, nëpërmjet të vëllai, arkitektit, dhe e di që Topi nuk ka kapacitet, jo për president, jo për nënkryetar të PD, apo Kryetar të Grupit Parlamentar, po as për kryetar të një minibashkie. PD e përkrahu më shumë për arsye gjeopolitike dhe se fisi i tij ka qënë mbështetës i fortë i PD se sa për ndonjë vlerë individuale dhe intelektuale të tij. Ato problem që ti ngre kundretj tij qëndrojnë, por ai asnjëherë nuk ka qënë i ndërgjegjshëm për ato që bën. Ai është produkt i inateve të çastit, interesave shumë meskine dhe shpesh jo shumë të llogjikshme ose këshillave të të tjerëve.”

Të them të drejtën jo vetëm u befasova, por edhe, duke analizuar atë që ai më tha, i dhashë të drejtë. Kisha kohë që e kisha hequr Topin nga mëndja dhe isha bërë indiferent kundrejt qëndrimeve të tij. Tek po lexoja lajmet më ra në sy deklarata e mëposhtëme:

“Ata që na kujtojnë kohën kur ishim në PD u them. Ne, shumica jonë në FRD vijmë direkt nga Partia Demokratike, jemi krenarë për kontributin që kemi dhënë në jetën politike, në parlament, në qeverisjen e vendit, por nuk jemi përgjegjës direkt në keqqeverisjen që iu bë vendit”, tha kryetari i Fryma e Re Demokratike, (FRD), Bamir Topi sot gjate prezantimit qe iu beri departamenteve të kesaj partie.”

Kjo është një e pavertetë kaq e madhe sa për një çast më nxorri mallin e Ponc Pilatit, tek lante duart për krimin monstruoz të kryqëzimit të Jezusit, që ai lejoi të ndodhte. Për një herë më erdhën në mëndje disa gjëra.

Së pari, vetë Topi ka qënë një nga drejtuesit kryesorë të PD, nëkryetar i partisë, kryetar i grupit kuvendor të PD-së dhe më pas President. Deputeti, që dezertoi PD-në për t’ju bashkuar partiçkës së re të Topit, Oketa, ka qënë nën kryeministër dhe ministër i Mbrojtes së Shqipërisë.

Së dyti, PD ka bërë një progress mahnitës në pothuaj të gjitha fushat. Që nga firmosja e MSA e deri tek Statusi i vendit kandidat. Që nga antarësimi me të drejta të plota në NATO e deri në heqjen e vizave për shqiptarët. Qeverisja e PD-së dhe e koalicionit ka ndërtuar mbi 10,000 kilomentra rrugë, duke ndërtuar kështu infrastrukturën më të mirë në rajon dhe më gjërë. Tani krahasuar me arritjet e PD-së, që Topi i quan keqeverisje, le të shikojmë se çfarë ka bërë vetë “antikomunisti Topi:

–  Propozoi në më shumë se 90 % të rasteve kriminelë, ish prokurorë, ish gjykatës të komunizmit për në Gjykatën Kushtetuese apo në Gjykatën e lartë;

–  Kur propozoi në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe e mbajti në detyrë deri ditën e largimit nga presidenca Ina Ramën, Kryeprokurorja më e paaftë, totalisht e dështuar, por që ka krijuar një celulë shumë arkaike militantësh komunistë në atë institucion. Në të gjitha lëvizjet e Ina Ramës, është edhe firma e Topit. Ka raste që këto veprime Gjykata Kushtetuese i ka gjykuar si shkelje kushtetuese.

– Dekoroi kriminelin Skënder Breça; (Vrasësin e Partiotit Xhelal Koprencka);

– Nuk dekretoi ligjin e lustracionit;

– Në të drejtën e tij ligjore, po aspak profesionale, aspak konsekuente votoi për Edi Ramën;

– Uli Presidencën në një rang të një drejtorie të ministrisë së Jashtme;

– Shprehej tek përfaqsitë ndërkombëtare se Edi Rama është opozitar i dobët dhe se ai (si i “fortë”) ishte i detyruar të bëhej opozitë kundër maxhorancës – duke shkelur statusin e Presidencës për të qënë jashtë palëve dhe duke abuzuar me Presidencën duke e bërë atë fole partiçke politike;

– Organizator, frymëzues dhe garantor i aktin kriminal të 21 janarit 2011.

– Nuk dekoroi policin hero që ngriti flamurin plot krenari, vetmohim dhe dashuri dhe e futi në gji. Aq e humbi torruan Bamir Topi atë kohë sa, nuk gjykoi, qoftë edhe për hipokrizi, apo për të mbuluar gjurmët, dhe të vlerësonte atë akt;

Sa ishte nën kryetar i PD dhe kryetar i grupit parlamentar të saj, ai ishte gjithnjë i kujdesshëm që të ruante personalitetin e tij “antikomunist” dhe të “ekuilibruar”.  Kishte një situatë fantastike për të ardhmen e tij politike duke ndenjur 10 vjet president dhe me pas trashëgonte kreditin politik të Dr. Berishës dhe të PD.  Por “personaliteti” i “fuqishëm” nuk e lejoi që ta shfrytëzonte këtë situatë dhe vendosi të bëhej “personalitet” më vete. Edhe për këtë situatë politike që u krijua i dha një shans të jashtzakonshëm. Ai mund të pastronte drejtësine nga e kaluara e shëmtuar, nga korrupsioni galopant dhe nga paaftësia totale. Për fat të keq nuk e lejuan dy gjëra, Kreshnik Spahiu  me uri përbindëshi për korrupsion si dhe dëshira për ti futur rrota nën këmbë qeverisë, sepse helbete, tani është “Kapaçitet”, “Personalitet” dhe i “Pavarur”.

Shtetet e fuqishme janë ndërtuar nga burra shteti, në kohën kur formoheshin kombet. Duke mos patur standartet moderne të demokracisë, të udhëhequr nga një vision kombndërtues, duke përfituar edhe nga konvinienca që të jep edhe mungesa e opozitës, kanë ushtruar personalitetin e tyre të fortë dhe kanë arritur ti japin me efiçensë të lartë kombeve të tyre atë madhështi që i ka hapur frymëmarrjen e plotë. Të tillë Burra Shteti janë quajtur Baballarë Kombesh, apo Heronj Kombëtar. Thënë shkurt, mbarëvajtja varet shumë nga agjenda që përcakton personaliteti i fortë.  Duke qënë se me kalimin e kohëve, idealizmi kombëtar – që normalisht udhëheq baballarët e kombeve – ka marrë formë gjithnjë e më pak idealiste dhe më shumë materialiste, bota e përparuar e transformoi mënyrën e mbarëvajtjes së kombeve me atë që ne sot njohim demokraci, ndarje pushtetesh dhe zgjedhje të lira, për ti dhënë mundësi një barazpeshe që të parandalojnë pushtetet e forta të një pakice.   Ky trasformin u shoqërua edhe me një tjetër. Numri i Burrave të Shtetit u reduktua ndjeshëm dhe u rrit numri i politikanëve.  Kjo nuk do të thotë që sot mungojnë tërësisht Burrat e Shtetit, por luksin që kishin, George Washington, Napoleon, Mustafa Qemal Ataturk etj. – me fuqi deri diktatoriale, por që e përdornin për të ndërtuar kombin – Burrat  modern të Shtetit duhet të jenë edhe politikanë të një kalibri të lartë që të realizojnë gjëra të mëdha. Si Burra modernë Shteti sot mund të përmënd edhe Kryeministrat vizionar të Shqipërisë dhe Turqisë, përkatësisht Dr. Prof. Sali Berishën dhe shkëlqesinë e tij Taip Erdogan. Të dy kanë pasur fatin që me anën e një politike të mënçur të vënë në pozicionet e Presidentëve të vendeve të tyre nënkryetarët e Partive të tyre, në Shqipëri Topin dhe në Turqi shkëlqesinë e tij Abdullah Gul. Ka ngjashmëri vizioni që kryeministrat në fjalë përpiqen të materializojnë. Por po të krahasosh presidentët e këtyre vendeve do të shohësh me habi një dallim esencial. Ndërkohë që Presidenti dhe Kryemninistri  të Turqisë kanë një vizion pothuaj të njëjtë për mbarëvajtjen e Turqisë – sepse vinë nga e njëjta parti dhe se kanë të njëjtën ideologji, apo program politik dhe pa agjenda të vogla, egoiste apo meskine, shumë ndryshe paraqitet Presidenti Shqiptar.

Krahasoni tani Abdullah Gul me devotshmërinë e tij kundrejt Turqisë dhe programit të partisë për progresin e kombit të tij, me mëndjengushtësinë, vogëlsinë, meskinitetin, inteligjencën me një nivel foshnjarak të Zotit Topi. A mund të imagjinoni se çfarë tërmeti do të kishte rënë në Turqi në rast se Shkëlqesia e tij Abdullah Gul të ndiqte një agjendë meskine siç bën Topi? Po fenomeni “Topi” është rast sa unik aq edhe i padëgjuar në historinë e kombeve. Pse? Sepse askush nuk do të toleronte ndonjë figurë politike kaq të paskrupullt në universin njerëzor. Metamorfoza e Topit nga i “djathtë” në aparencë, në një komunist të vendosur për të shkatërruar gjithçka nga vlerat që po përpiqet me shumë mund të ndërtojë PD jo vetëm të shokon, por edhe të shkakton një neveri të pështirë. Sa ndryshe do të kishte qënë puna dhe sa progres do të ishte shënuar në rast se zoti Topi do të kishte punuar për kombin, sidomos për pastrimin e drejtësisë, në mbarëvajtjen ndërinstitucionale etj. (Shenim:Artikulli iu dergua Diellit nga vete autori)

Hajro Çini  M.A. Economics,

Richmond Hill, Ontario

Hajro.cini@sympatico.ca

Filed Under: Opinion Tagged With: bamir topi, Hajro Cini

VATRA NDERON FIGURAT QË KONTRIBUAN PËR PAVARËSINË DHE RUAJTJEN E TËRËSISË SË TROJEVE KOMBËTARE

November 5, 2012 by dgreca

Intervistë e Editorit Dalip Greca me kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Bucaj, pas udhëtimit në trojet amtare në nderim të heronjëve që kanë luftuar për Komb/

Siç ka njoftuar gazeta Dielli përmes publikimit të përditshëm në on line, kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj vizitoi në javën e parë të tetorit trojet amtare. Kjo vizitë e tij nisi në Mitrovicë, ku ai vizitoi Kullën e kreshnikut të Maleve Isa Boletini, një prej heronjëve më të zëshëm të Kombit Shqiptar, Gjenerali i Pavarësisë, simboli i bashkimit Kombëtar, eshtrat e të cilit ende presin të rivarrosen. Kryetari i Vatrës shkoi në Prishtinë dhe vizitoi varrin e ish presidentit të parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ku vendosi një kurorë me lule. Po ashtu dr. Buçaj vizitoi varrin e heroit të Kosovës, Adem Jashari dhe martirëve të familjes Jashari, që u flijuan për lirinë e Kosovës. Më pas ai vijoi me një vizitë në Tiranë, ku u takua me ambasadorin amerikan, Arvizu dhe më pas vizitoi edhe të përndjekurit politik të ngujuar në grevën e urisë.

Kryetari i Vatrës ishte edhe në trojet shqiptare në Malin e Zi, ku vizitoi shtëpinë muze të Dedë Gjo Lulit, vendngritjen e Flamurit kuq e zi me 6 prill 1911 në Bratile, Shtëpinë e Artit të Gjelosh Gjokaj në Milesh etj.

Të premten, me 12 tetor , kryetari i Vatrës ishte  i ftuar në promovimin e përmendores kushtuar Ali Ibrës, luftëtar i shquar i Lidhjes së Prizrenit, sponsorizuar nga vatrani Halit Nezaj dhe bashkvendas të tij. Po atë ditë dr. Buçaj mori pjesë edhe në promovimin e shtatores së Isa Boletinit në Isniq të Deçanit, ku jetuan të parët e tij. Me 14 tetor dr. Buçaj u kthye në New York. Për më shumë detaje nga kjo vizitë, kryetarit të Vatrës i morëm intervistën e mëposhtme:

 

Dr. Buçaj, si   lindi ideja për të vizituar trojet amtare, Shqipëri, Kosovë dhe Mali i Zi?- Në takimet e   Këshillit Drejtues të Vatrës, nga fillimi i vitit 2011,   flitej rreth aktiviteteve lidhun me 100 vjetori e themelimit   të Vatrës dhe të shpalljes së Pavarësisë, sidomos për nevojën që të   përkujtohen dhe të nderohen figurat që kontribuen për pavarësinë dhe për   ruejtjen e tanësisë së trojevet tona. U përmend kulla e Isa Boletinit që   gjindet në Veri të Kosovës ku zona e kufinit nuk asht e qetë as e sigurtë,   për shkak të kërcnimeve serbe. Vendi ku asht vra në pabesi, tek Ura e   Ribnicës në Podgoricë, asht i harruem dhe pa kurrfarë sheji, as nji gur për   të kujtue se aty u vra prijsi luftarak i Pavarësisë së Shqipnisë. Nga biseda   të tilla më lindi ideja që të baj nji udhtim gjatë vitit të 100 vjetorit. 

Dr. Buçaj:  Kur shkuat në Tiranë, takimi i parë   ishte me ambasadorin amerikan. Përse vendosët që takimi i parë të ishte me   ambasadorin Arvizu?

 

Së pari shkuem   në Prishtinë, vizituem Kullën e Isa Boletinit, Varrin e ish Presidentit të   Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe memorialin e Jasharajve në Prekaz.  Vendosëm lule në “Nderim e mirënjohje të   përjetshme” nga Vatra.

Mbas tri ditësh   qendrimi në Kosovë, shkuem në Tiranë. Ambasadorit Arvizu i bana nji vizitë   kortezije pët ta përshëndetë dhe për ta falenderue për pjesëmarrjen e tij në   kremtimet e 100 vjetorit të Vatrës në New York në prillin që kaloi. Në   përgjigje pyetjes suej, Ambasadorin Amerikan e takova të parin për respekt,   si përfaqësuesi i atdheut tonë të adaptuem dhe mik i atdheut të origjinës, si   dhe për të përfitue nga njohunia e tij për gjendjen në Shqipni.

 

Vizituat   grevistët e urisë, një vizitë që ka pasë miratime dhe kritika. Në ç’rrethana   e morët vendimin për të vizituar grevistët?

 

Dr. Buçaj:  Vendimi ishte i thjeshtë, tue pasë parasyshë   atë grup ish të përndjekunish që ishin futë në grevë urije, mënyrë kjo   ekstreme për protestë a për kërkesa, çfarëdo qoftë motivi. Për aspektin human   i kishte vizitue edhe Ambasadori Amerikan. Unë u shpreha për vëlerësimin e   jetës së tyne mbi çdo gja tjetër materjale dhe mendimin se ka mënyra tjera   për të kërkue dhe për të protestue. U thashë që të mos e merrnin vizitën time   si mbështetje ose inkurajim të grevës, por si keqardhje për gjendjen në të   cilën gjinden, tue vu jetën në rrezkue. Shpreha solidaritetin tonë për   shtresën e ish të persekutuemëvet për mungesën e integrimit të tyne, për   mungesën e denimit të krimeve dhe të kriminelëve të komunizmit, mungesën e   ligjit të lustraciont, hapjen e dosjeve, etjera. I kuptoj edhe kritikat, që   vijnë nga fakti se janë ba edhe manipulime politike plot hipokrizi.

 

Ishit tek   Kulla e Isa Boletinit. Si erdhi kjo vizitë? Ç’emocione provuat?

 

Dr. Buçaj:  Shkuem nji grup shokësh me dy makina. Kulla   ishte në kufi me nji manastir serb që ishte i rrethuem me mur dhe nxente nji   sipërfaqe toke të gjanë. Asht nji ndër objektet e shumta nepër Kosovë, të   sigurueme si enklava me planin e Ahtisaarit. Kulla ishte rindertue në formën   që ka pasë dhe ishte shëndrrue në muze, me forografina, artefakte dhe objekte   origjinale. Shkolla shqipe ishte pranë oborrit të rrethuem me gurë. Na thanë   se e kishte themelue Isa Boletini. “Po vemë kambët aty ku ka ecë Isa Boletini   para afër nji shekulli”, tha im bir, tue ndije prezencën e atij burri të   madh, trim e humanist. Kosova i kishte ndertue vorrin mermeri atij dhe njerzëve   të vet me të cilët u vra, me mendimin se eshnat e tij do të gjinden dhe nji   ditë do të vorrosen aty me gjamë ilire! Gjatë vitit jubilar të pavarësisë?   Vështirë se mund të reaslizohet, por le të shpresojmë.
Kulla e Gjeneralit të Pavarësisë nuk është vizituar nga udhëheqësit   shqiptarë, mendoni se është normale kjo?

 

Dr. Buçaj:  Nuk jam në dijeni që udhëheqsit shqiptarë ta   kenë vizitue kullën me ceremoni zyrtare ndonji herë, por ajo asht rindërtue   ashtu si ka qenë në origjinal, asht pajisë me objekte e dokumenta dhe asht   nen kujdesin e shtetit. Ka nji orar të përditshëm kur dyert mbahen hapun dhe   dikush pret vizitorët të cilëvet u spjegon mbi kullën, objektet që ruhen aty   dhe mbi Heroin e Rilindjes dhe të Pavarësisë..

 

Mendoni se me   rastin e 100 vjetorit udhëheqësit shqiptarë të Kosovës duhet ta thyejnë   akullin e izolimit dhe të shkojnë ta vizitojnë kullën?

 

Dr. Buçaj:  Shpresojmë se me rastin e 100 vjetorit do   t’a vizitojnë dhe do të zhvillojnë ndonji ceremoni të përshtatshme, pa u   tkurrë mos të shqetsohet Serbia.Me 12 tetor u perurue nji monument i tij,   vërtetë i bukur, në Isniq, katund afër Deçanit, ku familja e Isa Boletinit   kanë pasë origjinën, por vizita te Kulla ka nji vlerë dhe nji domethanje të   veçantë. Në Isniq takuem nji mbasardhës të afërt të Gjeneralt të Pavarësisë.

 

Ju ishit edhe në   trojet shqiptare në Mal të Zi. A mund të sillni detaje nga vizita atje?

Dr. Buçaj:  Në Mal të Zi na priti aktivisti intelektual   nga ajo trevë, z. Nikoll Camaj, i cili na shoqnoi në tri vende historike: te   Shpija Muze e Ded Gjo’Lulit në Deçiq, pikërisht aty ku e ka pasë kullën, në   Bratilë, ku me malësorë ngriti flamurin kombëtar me 6 prill 1911, dhe tek Ura   e Ribnicës në Podgoricë, ku asht vra Isa Boletini me bashkudhtarët e vet   luftarë. Te Kulla e Ded Gjo’Lulit takuem nji të ri nga fisi i tij që banonte   aty afër. Ai na ftoi t’i shkonim në shpi, si asht zakoni në malet bujare, por   na kishim takim tjetër. Në rrugë për Podgoricë, u përshëndetëm me piktorin e   njoftun, Gjelosh Gjokaj, n’oborrin e shpisë së tij, ekspozitë/atelie e   përherëshme që ka ndërtue aty për të joshë malësorët të qendrojnë në vend e të   mos i largohen vendlindjes. Kur i treguem se jemi në rrugë për te Ura e   Ribnicës, ku asht vra Isa Boletini, u këthye: “Nikollë, aty nuk ka kurrfarë   shejit, kishte me u dashtë nji pllakë bronxi a ndonji lloj objekti tjetër   perkujtimor….”. “Do të kërkojmë lejen” shtoi Nikolla. M’u duk se  vazhdoi biseda e para nji vjeti e gjysë e   mbledhjes së Vatrës! Ndoshta ky udhtim nuk do të mbetet vetëm si nji shetitje   e thjeshtë turistike.

Vizita juaj u   mbyll me promovimin e Shtatores së Ali Ibër Nezaj në Gjakovë. Diçka më shumë   rreth këtij promovimi?

Dr. Buçaj:  Me 12 tetor 2012 u zbulue monumenti i Ali   Ibër Nezajt në Gjakovë. Promotori kryesor, Halit Nezaj, bashkë me vëllazninë   dhe pasardhësit e këtij luftari historik të Lidhjes së Prizrenit, më kishte   ftue mue dhe vatranë tjerë me marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit.   Zbulimi i shtatores u ba nga Kryeministri Sali Berisha, në prezencën e   Presidentes Jahjaga dhe të autoritetevet vendore,  personaliteteve akademikë e shkencore.   Edhepse ditë me shi, pjesëmarrja e publikut ishte e gjanë, gjakovarë e tjerë   të ardhun nga vende të ndryshme të Kosovës, nga Shqipnia dhe nga diaspora.   Mbas perurimit, Nezajt shtruen nji drekë bujare për pjesëmarrësit, të cilët u   argëtuen me muzikë e kangë patriotike, në atmosferë festive dhe në frymë   vëllaznore. Përveç tjerëve ishin prezent edhe skulptori si dhe autori i   monografisë për Ali Ibrën, shkrimtari Hamil Alia.

Kishit shoqërues   në udhëtimin tuaj në trojet amtare?

Dr. Buçaj:  Dr. Buçaj: Po më shoqnuen në udhtim djemtë,   të dy vatranë të degës në Washington, Eduardi dhe Leka. Atje na u bashkuen   Gjon Shiroka,  Blerim Luzha, Sadri   Bajraktari, Jusuf  Telaku, Selim   Krasniqi,  dhe, ne Shqipni, Alban   Mirakaj.

Faleminderit për   intervistën!

Dr. Buçaj:Ishte   kënaqësi që biseduam.

FOTO: Nga takimi me ambasadorin amerikan ne Tirane, Alexander Arvizu

 

Filed Under: Interviste Tagged With: dalip greca, dr. Gjon Bucaj, e Vatres, Interviste me Kryetarin

KEMI ARSYE TË KRENOHEMI ME NËNË TEREZËN

November 5, 2012 by dgreca

NGA AGIM REXHAJ*/

Një ndër veprat më të mëdha, të simbolit të shqiptarëve, në botën e qytetruar mu në zemër të Europës, është ndërtimi i Katedrales “Nëna Tereze” në zemër të Prishtinës, në Kryeqytetin e Republikës së pavarur të Kosovës, e cila gjithësesi ka mbas vetes edhe kontributin e çmuar të shqiptarëve të Amerikës. Ky kontribut është një gjest dashurie, respekti, dhe bashkimi për tërë shqiptarët, kudo që ata jetojnë.

S’ka dyshim, se kur kujtojmë Katedralen “Nëna Tereze” në mes të Prishtinës – do të çojmë ndër mend, edhe çastin e hedhjes së gurthemelit nga presidenti i ndjerë i Kosovës; Presdenti historik, arkitekti i Pavarësisë, dr Ibrahim Rugovën,i cili do të mbahet mend si paraprijës i këtij projekti.

Do të çojmë ndërmend edhe prijësin shpirtëror,Ipveshkvin e ndjerë, Imzot Mark Sopin, biografin e Nënës Terezë, Dom Lush Gjergjin,e shume te tjere. Kujtojmë, në mënyr të posaçme punën e tyre, në nismën për ngritjen e Katedrales në Prishtinë, më 19 gusht 2006, ate dite te bekuar, ku moren pjese Shqiptarë nga te gjitha trojet etnike, si dhe nga diaspora e tri besimeve fetare,katolikë,ortodoksë dhe muslimanë, kujtojmë praninë ndërkombëtare. Kjo Katedrale, është bërë sot, pikërishtë monumenti që i shkon përshtat një figure të rrallë , nje Nobelisteje, një shenjëtoreje shqiptare si Nëna Tereza

Ne shqiptarët kemi arsye të krenohemi për Shënjtëreshën Nënë Tereza, emrin e së cilës mban Katedralja. Krenohemi me simbolin e racës tonë Arëbërore. Ajo, grua imcake, me trup të vogël, por me zemër të madhe, siç ka thënë Papa Gjon Pali II, “i dha formën Shekullit të XX”, ndërkohë që Kardinali Paskal,do ta ngrintë lart Kombin Shqiptar, tek do të thoshte:” Nuk mund të jetë popull i vogël ai që ka dhënë një nënë kaq të madhe.”, ndërsa shkrimtari ynë i madh, kandidati i përjetshëm i Nobelit,Ismail Kadare,  do ta vajtonte simbolin e dashurisë së përbotshme me shprehjen:” Bota dhe populli ynë mbetën jetim pa Nënë Terezën”.

Ne ndjehemi mirë që emri i Nënë Terezës është përjetësuar duke emërtuar Spitale, Qendra mjekimi, Shkolla, Aeroporte, rrugë, por ajo që do ta kujtojë përjetësisht misionin e saj, do të jetë Katedralja në mes të Prishtinës.

Dëshirojmë me zemër që kjo Katedrale, ashtu siç u konceptua që në gurthemel, të jetë edhe një një monument bashkimi për popullin e Kosovës dhe mbarë popullin shqiptar, pavërsisht përkatësisë fetare.

Modeli i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare për popullin shqiptar, është unik,i papërsëritshëm. Vëllazërimi mes feve është një tregues i qytetërimit dhe pjekurisë së kombit tonë. Kjo vlerë, në imazhin e Shqipërisë, përbën një shembull të rrallë në Europë e në botë. Le ta ruajmë këtë trashëgimi të të parëve tanë!

Me ndërtimin e Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Pavarur të Kosovës, u realizua më në fund, amaneti i Presidentit historik të Kosovës dr Ibrahim Rugova dhe Imzot Mark Sopit – të cilët nga dritarja e qeillit – shpirtat e tyre te ndjerë, sot gëzohen dhe na falenderojnë, të gjithëve ne për atë që bëmë si shqiptarët te Amerikës, atë që bëmë së bashku në dekada për çështjen shqiptare në SHBA, kontributin që dhamë në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe demokratizmin e saj, çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovë, avancimin e çështjes shqiptare ne Maqedoni Mal të Zi, por edhe për kontributin e dhënë qysh ne fillim me ndërtimin të Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë – Kosovë,

Ndërtimi i Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë , ishte rezultat i një pune të madhe që është bërë për t’i bashkuar shqiptarët e të tre besimeve fetare, pavarësisht bindjeve tona politike , pavarësiht viseve nga kemi ardhur.

Ndërtimi i këtij tempulli të besimit fetar në mes të Prishtinës, nxorri edhe një herë në pah bujarin dhe zemërbardhësinë e madhe te shqiptarëve të Amerikës që nuk kursyen asgjë për lirinë dhe pavarësinë e Kosoves , por kontribuan dhe po vazhdojnë të kontribuojnë për ndërtimin e këtij tempulli të shenjt, monument fetar dhe kombëtar si dhe shenjë bashkimi në mes të Kosovës, në mes të Europës.

Mirenjohja dhe falenderimi u takojnë te gjithe Shqiptareve, kudo që janë, të cilët ndihmuan dhe po e ndhmojnë ndërtimin e Katedrales “Nena Terezë” në Prishtinë, një nderim i veçante shkon për famullitarin e palodhur e atdhetar të Kishës Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës”,  Dom Pjeter Popaj,

A ka gje me te bukur se fakti i përfshirjes të të gjithë shqiptarëve, nga të gjitha trojet etnike, per  ndërtimin e Katedrales ne Prishtinë?

Në pamundësi për t’i përmend të gjithë, po i numëroj disa që kontribuan me shuma të konsiderueshme;

Nga arbëreshët e Italise , Joe Dioguardi ish Kongresmeni republikan , Xhim Xhema nga Presheva, Leke Gojçaj nga Hoti i Malesise, Zef Balaj nga Shqiperia,Hary Bajraktari nga Kosova, Ibrahim Kolari nga Dibra dhe shumë të tjerë.

Në prag të këtij 100 vjetori të shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar, falenderojmë mikun tonë të perjetëshëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si thoshte Presidenti historik i Kosovës, i njderi Dr. Rugova, për atë që bënë që Shqipëria të mos coptohej më tej dhe të ruante pavarësinë që e kemi tash e 100 vite. Pa mikun e madh, Kombin Amerikan, nuk do ta gëzonim pavarësinë e Kosovës, nuk do ta kishim Shqipëria në NATO.

Pra , le të shërbejë edhe sonte kjo darkë, e bukur bashkimi, për rritjen e Fondeve për Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, si një darkë që na mbledhë së bashku që të kontribojmë, por edhe të festojmë, në prag 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntorin 1912, ditën kur plaku i urtë dhe i mençur i Vlorës Ismail Bej Qemali, ngriti me ata patriotët e mbeldhur së bashku nga e gjithë Shqipëria etnikie, flamurin kuq e zi të Gjergj Kastriotit – Skëndërbeut . Le t’i shërbejë kjo darkë qëllimit të saj, ashtu si dhe në të kaluarën me aktivitetet në veprimtaritë dhe kontributete e diasporës, sidomos në dy dekadat e fundit për grumbullimin e ndihmave në New York, për Kosovën, Shqipërinë e çështjen shqiptare në tërësi.

Pra si folësi i kësaj darke gjejë rastin të falenderojë secilin prej jush për këtë kontribut të çmuar dhe t’ju urojë të gjithëve mbarësi dhe lumturi në shtëpitë tuaja, Zoti u bekoftë për këtë dhuratë të madhe që po bëni për Katedralen e “Nëna Tereze” në mes të Prishtinës-! Zoti i bekfotë Shqiptarët,Kombin shqiptarë , Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kombin Amerikan!

  • Fjalimi që mbajti zv/kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj më 14 tetor, në darkën e organizuar nga Komisioni Organizator i mbledhjes së Fondeve për ndërtimin e Katedrales”Nëna Terezë” në Prishtinë.

Filed Under: Editorial Tagged With: agim Rexhaj, Editorial, Nene Tereza

SHPIRTI NË PAQË, INTERA GJONZENELI!

November 5, 2012 by dgreca

Javën e shkuar, pak para se të niste stuhia e tmerrshme Sandi, Teki Gjonzeneli dhe Filanda, bashkëshortja na kishin ftuar në një restorant Italian në NJ për të kujtuar vajzën e tyre të ndjerë, që ndërroi jetë në Chikago. Sipas zakonit mysliman dreka u shtrua për të përkujtuar të 40-tat. Të gjithë u lutëm për shpirtin e Interës. Tekiu na mallëngjeu me copëzat e kujtimeve që shpalosi në atë drekë morti. Kujtoi fëmijërinë e vuajtur të Interës , përbuzjen që vinte nga biografia, mohimi i të drejtave më elementare. Ndërsa motra e Interës, Monika, kujtoi preferencat e motrës në jetë, dashurinë për këngët, humanizmin, dashurinë njerëzore, pasionin për gjuhët e huaja. Vajza e madhe e Interës, Argjiro, falenderoi pjesmarrësit që kishin ardhë për t’u larguar fëmijëve dhimbjen që u ka shkaktuar ikja e nënës. Motra e saj e vogël, Filanda, duket se ende nëna do të kthehet pasi shpirti i saj është ngjitur përkohësisht në qiell…

***

Pas gjashtë vite vuajtjesh, me 20 shtator, iku nga kjo botë Intera, vajza e Teki dhe Finlanda Gjonzeneli! Intera u lind në diktaturë, prandaj dhe emri i lidhej me internimin(Intera). Pat lindur në Vlorë me 11 prill 1968. Shtatë ditë pas lindjes së saj e gjithë familja u internua. Familja  e pagëzoi vajzën me emrin Intera. Ishte një shenjë kundërshtimi ndaj regjimit. Intera u rrit në internim. Fëmijëria e saj si për cdo fëmijë të familjeve të persekutuara ishte plot dhimbje, vuajtje, poshtrime, fyerje e ofendime. Zemra e saj duroi edhe injorimin e fshatit në varrimin e gjyshit të saj të dashur që e pat rritë me përekujdes e dashuri Internën. Në varrim ishte pjesmarrse vetëm familja prej shtatë vetësh. Me dhimbje përballoi edhe varrimin e heshtur të gjyshes së dashur, ku sërish e përcolli vetëm familja. Mendja e vajzës lodhej për të gjetur përgfjigje për pyetjen:Përse kjo braktisje? Gjyshi dhe gjyshja ishin njerëz të mirë, të dashur, askujt nuk i ranë në qafë. Përse? Ajo me një buqetë lulesh qëndroi në krye të kortezhit të përcjelljes së gjyshes, që e deshi shumë.

Kur babain e saj do ta burgosnin më 16 nëntor 1981, ajo sërish duroi edhe pse e dinte se do ta ksihte më të vështirë jetën. Mori frymë thellë kur ra diktatura, por shpirti i saj qe helmuar nga braktisja e mënjanimi  nga biografia. Atëherë ishte vajzë e rritur 22 vjece. Së bashku me djalin që dashuroi shkoi në Greqi. Punoi pa u lodhur për të përmirësuar jetën. I hyri në punë zanati i rrobaqepses dhe qendistarisë, të mësuara prej gjyshes në fëmijëri. Gjuhën e vendit ku emigroi e mësoi shkëlqyer, sa që e thërrisnin edhe për përkthime. Më 1999 vjen në Amerikë  së bashku me burrin dhe dy fëmijët duke u bashkuar me familjen e prindërve që kishin ardhë më herët. I bëri shumë përshtypje madhështia e Amerikës dhe pyeti të atin: A do të arrijë të integrohem dot, babi? Shumë shpejt, vec hidhi hapat me shumë kujdes-e porositi i ati.

E ndërroi emrin si shenjëe të kohës së keqe të diktaturës, duke marrë emrin Majlinda. U vendosën familjarisht në Cikago, ku shpejt ngjiti suksesshëm shkallët e biznesit ushqimor. Zotëronte anglishten, greqishten, spanjishten dhe natyrisht shqipen. Të gjithë e donin dhe e respektonin pasi shquhej për sjellje korrekte dhe humanizëm. Kë nuk ndihmoi Majlinda! Shqiptarët po se po, por edhe të tjerët. Në varrimin e saj u panë, krahas shqiptarëve edhe spanjolle duke qare me dënes, fëmijë e të rritur.

E ndjera la pas tre fëmijë, Albanon, Argjiron dhe Filandën e vogël (së cilës i vuri për së gjalli emrin e nënës, që e donte shumë) dhe bashkëshortin. Ishte një vajzë e shkëlqyer. Ishin shumë ata që e përcollën në jetën tjetër. Të shumtë ishin dhe ata që shkuan në Nju Xhersi dhe ngushëlluan familjen, Teki dhe Filanda Gonzeneli.  Shumë  mesazhe u dërguan. Po vecojmë  mesazhin ngushëllues të dr. Prenjo Imeraj, dërguar  nga Nju Jorku në  Cikago, në momentin e vdekjes: Të dashur Teki dhe Finlanda! Të dashur Monika dhe Fatmir! Të dashur Alban, Argjiro dhe Finlanda e vogël! Në pamundësi ardhje, pranoni ju lutem, ngushëllimet më të thella nga unë dhe fëmijët e mi: Anila, Irma dhe Sokoli, për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë dhe të pazëvendësueshëm! Teri ishte fatzezë.Them kështu se pa ardhur mirë në jetë , sistemi i urryer komunist i shpalli luftë të paprinciptë, gjë që e tregon më së miri emri Intera, me të cilin e pagëzuat ju, prindërit e saj të shtrenjtë, pas internimit dhe persekutimit të padrejtë të familjes tuaj të sapo krijuar.

Teri ishte fatzezë se sëmundja e mallkuar, e mori para kohe. Teri do të mbahet mend gjatë, se ju ka lënë pas tre ëngjëjt e saj, të cilët tani dhe më vonë do të kenë më shumë s ekurrë nevojë për ndihmën tuaj, sidomos për ju zonja Gjonzeneli, që keni brengën dhe dhimbjen më të madhe.

Por Teri do të mbahet mend edhe për gjurmët e mira që ka lënë në farëefisin e saj, midis shoqërisë së saj,  dhe tek të gjithë ata me të cilët punoi. Mbi të gjitha, Teri do të mbahet mend për luftën titanike që bëri me sëmundjen e mallkuar dhe përpjekjet e saj mbinjerëzore për të mbijetuar. I qoftë i lehtë dhe’u i Amerikës! Shpirti në Paqë!(dgreca)

FOTO :Intera Gjonzeneli 11 prill 1968- 20 shtator 2012

Filed Under: Kronike Tagged With: Filanda, Intera Gjonzeneli, Teki

RRËFIM PËR NJË VATRAN TE RI DHE FAMILJEN E TIJ

November 5, 2012 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Një vit pasi kisha filluar punën si editor i Diellit, kryetari i Vatrës, njëkohësisht dhe Managing Editor, z. Agim Karagjozi, më sugjeroi:- Duhet të shkruash edhe për vatranët e thjeshtë, ata që nuk u vjen radha të përmenden në kronikat e gazetës, që nuk janë të zgjedhur, por e duan Vatrën. “Përpiqu që të gjesh shembuj në historinë e Vatrës, dje dhe sot”.

Jam duke e bërë këtë kërkim dhe kam gjetur vatranë të thjeshtë që i kanë dhënë shumë Vatrës, edhe pse nuk kishin poste drejtuse, as në qendër e as nëpër degë. Së shpejti me ta do të nis një rubrikë të re në faqet e Diellit.Për ditët e sotme zgjodha një vatran nga Kosova, jo se ka bërë shumë për  Vatrën, madje nuk ka më shumë se dy vjet anëtar, pra është vatran i ri, por jeta dhe aktiviteti i tij më intriguan. Shprehja e Idriz Çelaj se “Hyrjen në Vatër, e kam konsideruar si hyrjen në një vend të shenjtë”, ishte një arsye më shumë për ta bërë objekt të këtij shkrimi.

Idriz Çelaj iu përgjigj thirrjes së Vatrës për t’u bërë pjesë e saj, pa hezitim. Edhe kur vjen në Vatër, nuk ndjehet. Kur i japin ndonjë detyrë bën ç’mund për ta kryer, kur nuk e thërrasin, nuk shfaq shenja”mbetje qejfi”.  Kur i thamë në prag të 100 vjetorit të Vatrës se a mund të gjente dhjetë veta për të plotësuar një tavolinë, ai nuk tregoi entuziazëm, por  të nesërmen, telefonoi dhe solli 2500 dollarë. Po i fus vetë nga xhepi, jo se jam i pasur, po e dua Vatrën. Po nuk gjeta, do ta plotësoj me familjen time!

Kur iu kërkua që të mund të ndihmonte në aktivitetin për promovimin e librave të Prof. Nusret Pllanës nga Vatra, ai vetëm kërkoi se çfarë mund të bënte. Dhe ditën e organizimit erdhi me gjithë makinë tek Vatra dhe ndihmoi pa u kursyer. Kontributi që dha gjatë aktivitetit ishte i dobishëm.

Idriz Çelaj është i dashuruar pas poezisë që në fëmijëri. Ai më tregon se poezinë e parë e shkroi kur ishte në klasën e gjashtë. Ishte një poezi kushtuar mësuesit.Ai kujton takimet me poetin kombëtar Azem Shkreli, i cili duke ia vlerësuar poezitë, i dha kurajo. Kujton Idrizi: Kisha botuar një poezi. Azem Shkreli më tha: Me këtë varg tëndin mund të bëj një poemë të tërë. Vazhdo e shkruaj! Në Kosovë ka qenë anëtar i Kryesisë së Shoqatës së letrarëve të rinj, kryetar për degën e Pejës.Në fund të vitetve ’70 ka botuar në revistën “Pena” në Austri, Illyria, Bota e Re, Zëri i Rinisë, dhe ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i  revistës “Koha” në Mal të Zi.

Kur Idriz Çelaj botoi vëllimin me poezi “Për Ty dhe Arbanën”, Dielli shkroi pak rreshta prezantuse, por Idrizi nuk u zemrua. Megjithatë ai më falenderoi për ato pak rreshta prezantuse. Në fakt  vëllimi poetik i Idrizit (I shoqëruar me grafika të Ramiz Mujës) shquhet për frymën lirike dhe tonet epike të rrëfimit. Në 35 poezitë e librit ai ka derdhur metaforikisht shpirtin poetik.Poezia e tij përcjell ndjesinë e spërkatjes së vargjeve me aromë vendlindjeje, me epizmin e bjeshkëve, me gjakun e trimave që sollën lirinë e Kosovës. Idrizit i pëlqen që të shkruaj edhe për dashurinë, edhe për  historinë, edhe për simbolet kombëtare, si : Nënë Tereza, Ibrahim Rugova, Fan S Noli, Faik Konica etj.

Ende i kam në kujtesë vargjet e poezisë së tij”Nëse vdes”:  Nëse vdes/ Para Festës së Madhe,/ Kokën,/ Ma ktheni kah Shqipëria,/ Zemrën,/ Ia paça falë Kosovës/ Këngën/ Këndojeni për trojet Shqiptare…

 

    KREANARI  PËR TRASHËGIMINË HISTORIKE

 

Idriz Çelaj ndjehet krenar për paraardhësit e tij. Familja e madhe e tij ka lënë gjurmë në historinë për  liri dhe të drejta Kombëtare. Babai i tij, Binaku dhe xhaxhai Qerim, ishin pjesë të çetës së Zhuk Haxhisë, gjyshit të Idrizit. Janë të njohura trimëritë e  Zhuk Haxhisë që në kohën e mbrojtjes të Plavë e Gucisë , nga ushtria serbomalazeze. Në  fillim të viteve ’40 të shekullit të shkuar, popullsisë së kësaj treve i ishte zgjuar shpresa për t’u ribashkuar me trojet amtare. Prijësit e Rugovës dhanë një kontribut të jashtzakonshëm për vëllezërit e tyre të gjakut dhe gjuhës, të Plavës e Gucisë. Ndër luftëtarët e asaj kohe, kronikat përmendin: Zhuk Haxhia, Sak Faslia, Sylë Mehmeti, Ker Sadria, Sali Rama, Bek Rexhepi, Haxhi Mustafa, Tahir Coli e të tjerë.

Zhuk Haxhia i takonte familjes atdhetare të Çel Shabanit, ish komandant gjatë Lidhjes së Prizrenit ( I dekoruar nga Presidenti Sali Berisha më 1993). Trimëritë e kësaj familje nisnin që në fillim të shekullit të shkuar, ku i biri Çelë Shabanit, Haxhi Çela ishte udhëheqës dhe luftëtar i  njohur Rugovas, që u dallua në betejën e zhvilluar në Majën e Lanit kundër malazezëve. Zhuk Haxhia sa rroku pushkën në dorë nuk e lëshoi deri në vdekje. Ai ishte pjesë e luftës së Beranit më 1911,ndërsa më 1912 është pjesmarrës në Luftën e Moknës. Nga vitet 1918-1924 është njëri ndër luftëtarët  më të spikatur të Rugovës. Më 1941 Zhuk Haxhia  me çetën e vet luftoi për mbrojtjen e kufijëve etnikë dhe u printe vullnetarëve rugovas.   Ai nuk i uli armët gjatë viteve 1941-45. Çeta e tij kishte në përbërje trima të njohur të Kosovës; Ker Sadria, Sali Rama, Sak Faslia, Tahir Coli, Jashar Haxha, Hys Selimi, Riza Zymeri e të tjerë. Me çetën e tij, Zhuk Haxhia në bashkëpunim me Isuf  Bajraktarin dhe Haxhë Mustafën e mbrojtën  vijën kufitare prej Moknave deri në Qafë të Çakorrit. Luftimet i vazhduan edhe në vitin 1946. Pushteti komunist e dënoi Zhuk Haxhinë me vdekje, dënim që më pas iu kthye 20 vite burgim i rëndë. Në burg përfundoi edhe Babai i Idrizit, Binaku e axha Qerim, të cilët kaluan kufirin dhe shkuan në Shqipëri për të kërkuar mbrojtje, por regjimi i Enver Hoxhës, i ktheu sërish tek Tito. Përfunduan në burg të Gjilanit.

Një peng e ka Idriz Çelaj; Kullat e Zhuk Haxhisë dhe e Çel Shabanit, dëshmi të hsitorisë, të rrafshuara nga dy luftra, kanë mbetur të rrënuara në themele. Vetë Idrizi nuk ka mundësi financiare, ndoshta shteti i ri Kosovës duhet ta ndjejë për obligim, që ato kulla duhet të ringrihen dhe të dëshmojnë, ndërsa eshtrat e Çelë Shabanit kanë mbetur në Plavë, atje ku dhe u martirizua në emër të lirisë së trojeve. Edhe kjo mbetet detyrë e shtetit, por edhe shqiptarët e asaj treve ia kanë borxh Çelë Shabanit.

 

        KOHË TË VËSHTIRA NË KOSOVËN E OKUPUAR

 

Idrizi e ka prejardhjen nga një familje kelmendase e zbritur nga Mbishkodra në Rugovë. Ai ndjehet krnar për trashëgiminë historike të të parëve të vet. Më i përmenduri i fisit është Çel Shabani, një ndër komandanët e luftëtarëve të Lidhjes së Prizrenit, i njohur  për  trimëritë e treguara ndër luftimet për liri, ku shquan heroizmi i tij në luftë e Nokshiqit. Çel Shabani dhe i biri, Sokol Çela, janë  personazhe të At Gjergj Fishtës tek “Lahuta”, ndërkohë që Çel Shabani është personazh edhe në romanin historik të Sulejman Krasniqit.

Vetë Idrizi ndjehet krenar që ka trashëguar nga të parët e vet kontribute atdhetarie. Ai studioi në Universitetin e Prishtinës , fakulteti Filozofik, dega Gjuhë-Letërsi, por kushtet e vështira në Kosovën e okupuar ia vështirësuan ushtrimin e  profesionit. Gjatë kohës së mbylljes së shkollave, hapjes së tyre nëpër shtëpi, për disa kohë ai ishte mësues vullnetar. Demonstratat e ’81-shit e patën gjetë student. Ishte kryetar i konviktit të Letërsisë me 500 studentë dhe u tregua tepër aktiv në demonstrata. “Nëse nuk u burgosa, merita s’ishte e imja, por e ish të burgosurit politik Xun Çeta, i cili nuk dekonspiroi emrat e organizatorëve. Idrizi kujton se me çarçafët e konviktorëve u shkruan parullat për liri e Kosova Republikë.

Aktiviteti politik i tij ra në sy të autoriteve të cilët më shumë se dhjetë herë e thirrën në biseda informative në rajonet e policisë. Në bisedat informative ai pyetej për aktivitetin politik, aktivitetin kulturor,  dhe atë pedagogjik. Merita e përballimit të dhunës psikologjike, ai thotë se i takon Avokat  Bajram Kelmendit, i cili e kishte udhëzuar se si duhej të tregohej i pa përkulur në seancat e bisedave informative.

Aktiviteti politik i Idizit në kohët e vështira të Kosovës së okupuar ishte dinamik. Ai ishte themelues i degës së LDK-së në fshatin Arbanë (ish Lutogllavë). Më pas me ftesën e Mark Krasniqit ndihmoi në zgjerimin e Partisë Shqiptare Demokristiane. Idizi ishte kryetar i degës për zonën me qendër në Tërstënik(Sot Trefish), dega më e madhe në Kosovë. Ishte edhe kandidat për deputet i asaj Partie.

Duke përfituar nga përvoja e të parëve, Idrizi ka qenë pjesë e komisoneve lokale për pajtimin e  gjaqeve. Ai ishte pjesë në pajtimin më të madh të gjaqeve që është bërë Te Verrat e Llukës , ku merrnin pjesë personalitete si: Anton Çeta, Zekria Cana, Mark Krasniqi, Avdi Kelmendi, Bajram Kelmendi, Flamur Gashi, Have Shala, Myrvete Dreshaj, e të tjerë. “

Idrizi shquhet për urtësi. “E kemi amanet nga Çel Shabani, që të mos krijonim konflikte mes shqiptarëve sepse pushka s’na shkon ndër shqiptarë, por vetëm ndaj shkjaut që na kishte zaptue vatrat. Shpesh herë këtë porosi ma ka përcjellë gjyshi, Zhuk Haxhia”,thotë ai.

 

                  DASHURIA PËR ARTIN E SKENËS

 

Idriz Çelaj është i dashuruar pas artit të skenës, veçanërisht pas dramës. Ai ruan në arkivin familjar shumë gazeta dhe revista, ku shkruhet për sukseset që ka arritur me trupat amatore të Pejës. Është i pasionuar pas regjisurës. Me trupën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Pejës, u nderua me çmim në olimpiadën “ Presheva ‘94”. Drama me regji të Idiz Çelaj dhe dy aktorët më të mirë të asaj trupe, Rudina  Xhara e Hysne Zeqaj, fituan çmime. Me ansamblin ’Ndrekë Luca” , regjisori i pasionuar Idriz Çelaj mori vendin e parë  me  komedinë e Kristo Floqit ”Burri-Burrë”. Në atë festival u shpërblyen katër aktorë të kësaj trupe, ku veçon Kushtrim Sheremeti, një aktor aktiv edhe sot. Meritën për zbulimin e tij e ka Idriz Çelaj.Shtypi e veçoi këtë shfaqje për nivelin e lartë të interpretimit.

Sukses tjetër arriti regjisori Çelaj në festivalin e  organizuar për nder të poetit kombëtar “At Gjergj Fishta” me dramën “Takimi i orës 9” të Ernest Koliqit. Aktorët amatorë dhanë një shfaqje të përkryer. Avni Kelmendi luante rolin e Luigj Gurakuqit, Agim Desku; rolin e avokatit arbëresh  Kostandin Stresto,  Mevlude Gjuka  në rolin e Rinës, profesoreshës së matematikës,  Rudinë Xhara  interpretoi rolin e Serafinës, motra e Rinës, Rejhane Muja luajti në rolin e shërbëtores. Regjisor ishte Idriz Çelaj me asistente Rudina Xhara,  me skenografi të  Afrim Gora dhe Aida Gjinkolli.

“Në Jogodë, kujton ai, morën mirënjohje nga organizatori, Lek Përlleshi.”

Edhe kur mbërriti në SHBA, Idriz Çelaj nuk hoqi dorë nga arti. Ai është rithemelues këtu në New York i Ansamblit artistik ”Rugova”.  Në radhët e ansamblit futi së pari vajzat dhe djalin e tij për të dhënë ai shembullin i pari. Ansambli dha shfaqje me nivel dhe u vlerësua edhe në Festivalin Shqiptar që organizon Qendra Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”.

Idrizi nuk ka hequr dorë nga pasioni për dramën. Ai është duke menduar për një projekt të afërm.

 

 

FËMIJËT, STUDENTË TË SHKËLQYER DHE SPORTISTË TË PASIONUAR

Idizi Çelaj u detyrua nga rrethanat e vështira të  luftës që ta zhvendoste familjen nga Kosova në SHBA. Me bashkëshorten Teutë dhe tre fëmijët, që kishte aso kohe, së bashku me një familje tjetër, u zhvendosën nga Kosova në Ulqin, më pas në Hungari, Zvicër, Argjentinë dhe mbërritën në Miami, që andej në Nju Jork.Një aventurë e gjatë e plot shqetësime. Sapo shkeli në Nju Jork, ia nisi punës. Duhej mbajtur familja, duheshin shkolluar fëmijët. Nuk i përbuzi punët e krahut.Bashkëshortja Teutë, pas kualifikimit filloi infermiere në Jacobi Hospital Center dhe u bë një mbështetje e sigurtë për familjen.

Fëmijët janë të mbarë; shkëlqejnë në mësime dhe janë të pasionuar pas sporteve. Kjo është dhurata më e mirë që ata u bëjnë prindërve të tyre. Idrizi thotë për Diellin se ndjehet krenar për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkollë. Ky është një gëzim i prekshëm në familjen e tij, si në shumë familje shqiptare këtu në SHBA.

Vajza e madhe, Marigona, studion për mjekësi në Westchester College. Rezultatet i ka të shkëlqyera. Madje katër provime të Kolegjit i pat dhënë që në gjimnaz. Pasion ka volejbollin. Pasion që e trashëgon nga i ati, Idrizi, i cili ka luajtur volejboll me përfaqësuesen e Universitetit, ku ishte shpallë “tekniku më i mirë i vitit”. Marigona ka dhe një pasion tjetër, gazetarinë. Artikulli i saj, “ A miracle  on Crompond Road “, botuar në Gazetën “The Anchor” në rubrikën ”School & Community”, u vlerësua nga lexuesit. Vajza tjetër, Albertina, është në vitin e  fundit të shkollës së mesme. Edhe ajo shkëlqen në mësime. Mjekësia  është objektivi i saj. Albertina është “Senior Editor” në gazetën “The Anchor”. Emri i saj është shënuar në faqen e parë të gazetës, ndërkohë që në çdo numër, janë botuar artikuj të saj. Në numrin e  fundit, në krye të faqes së dytë, botohet artikulli i Albertinës” Baby, it’s  Cold Outside”, ndërsa në botimin e pranverës pati  botuar artikullin” Watch Where You Throw That”. Shumë artikuj të Albertinës janë vlerësuar nga lexuesit dhe stafi i gazetës.

Vajza tjetër, Heroina (Rina, siç e thërrasin në shkollë), është në ballin e shkollës. Rina  është më rezultativja nga motrat për volejbollin. Shquhet për teknikën e lartë. Vitin e kaluar, skuadra e saj u shpall e dyta në kampionatin e shkollave të mesme. Nisur nga pasioni, teknika që zotëron, vullneti në stërvitje dhe shpirti i garës gjatë lojës, ajo është e vetmja që edhe pse nuk e ka moshën, luan me ekipin e të rriturave. Greta, më e vogla e motrave, ka pasion tenisin, ndërsa vëllai i tyre, Ardriti është i pasionuar pas futbollit.

Filed Under: Sociale Tagged With: dalip greca, Idriz Celaj, per nje vatran te ri, rrefim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”
  • Zhvillimi e përdorimi i Gjuhës Shqipe në diasporë
  • Diaspora, kapitali kombëtar që ende nuk dimë ta vlerësojmë
  • HOMAZH E NDERIM PËR TË GJITHË ATA QË NDIHMUAN TË BËHEJ SHQIPËRIA
  • FEDERATA VATRA DHE RIKRIJIMI I SHTETIT SHQIPTAR 1920-1921
  • Kolë Idromeno, “parganjoti” që u bë artist i madh në Shkodër
  • KRIJIMTARIA POETIKE E DRITËRO AGOLLIT
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN NË DURRËS RRETH “AKSIONIT TË TIJ USHTARAK” PËR TË SHPËTUAR PRINC VIDIN
  • Ja pse Venezuela e Maduros nuk është viktimë, dhe pse SHBA po vepron ?
  • Rizza Milla: Radio “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago, 3 dekada në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare
  • Promovohet filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”
  • SHKRIMTARËT, LEXUESIT, KRITIKA…
  • REZISTENCA ANTIFASHISTE SHQIPTARE NË KONTEKSTIN E KOMBEVE TË BASHKUARA KUNDËR NAZIZMIT GJERMAN NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT