• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2012

100 VJETORI I PAVARESISE- A MUND TA RINGREMË PËR PËRVJETORËT E TJERË SHTËPINË KU U NGRIT FLAMURI?

November 24, 2012 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA*

1 .Ndërtesa e karantinës muzeu kombëtar i selisë së qeverisë

Strehë karantine dhe një karakoll me dy kate dhe stoike një ndërtesë historike e bërë në Skelë të Vlorës,profili i saj nga deti nga erërat s’kishte frikë,muzgje që ndërkaq thinjnin vite dhe as thinjej vet. E bërë për karantinë njerëzore në buzë të sqelës për të mbyllur fakirët,atë vit të pavarësisë mbajti qeverinë e Vlorës.Ku dergjej qeveria ,sa në konakët e Xhemilit, por hidhej tek Sharrajt,një ndërtesë të madhe tre kate zotëronin,tek telegrafi ishte Lefi dhe përmes nxënësve vlonjak të shkollës Nr 1 shkonte por dhe vinte çdo ditë,ministri i Arsimit një burrë i ditur energjik,me mustak ai ishte Gurakuqi :Për të gjithë an’ jemi rrethue/Anmiqt kqyrin me u avitë:/Don’ tok’t tona me i zaptue,/Don’krejt fare me na qitë….

Në vitin 1939,fashistët ndërsa hynin në sqelë thuhet se e qëlluan me top , që e shkrumbëzuar s’bëhet më llaf,si çdo pushtues. Për ti shuar krejt memorien historike,për ti prerë krejt gjuhën,për të djegur krejt trupin,zhuritur deri në hi.Kështu u dëmtuan përpjekjet qw kishte kryer” Shoqëria kulturore sportive Ismail Qemal”i pranë Bashkise për një muzeu arkeologjik,qëlloi që kryetari i bashkisë ishte poeti dhe liriku i madh Ali Asllani,që atë vit zuri bisedimet me dy arkeolog të ekspeditave italiane dhe franceze Rein dhe Malcone.”Përpjekja’ thekson se me përpjekjet e zotit Ali Asllani dhe atdhetareve te këtij qyteti, vendosen qe te ngrenë muze arkeologjik, pranë portit te Vlorës, ne ndërtesën ku ka kryer veprimtarinë Qeveria e Ismail Qemalit më 1912.Muzeu arkeologjik i Vlorës u inaugurua me 8 tetor 1937, ku i pranishëm dhe ministri francez z. Louis Mercier. Mirëpo edhe shqiptarët në një mëndje diku aty nga viti 1925 shkatërruan një dëshmi tjetër të pavarësisë, shtëpinë e flamurit.. Edhe regjimi paslufte mendoi se duhej ngritur ndërgjegjja kombëtare dhe vlerat e saj,ndërsa shokonin firmëtarët me ligje,dhe burgje etj,rindërtuan në vitin 1962 me atë stil dhe me atë pamje banesën,selinë e qeverisë,por shtëpinë e flamurit nuk është hedhur asnjë ide. Përse të mos ribëhej,shtëpia ku u ngrit flamuri?

2. Çfarë na mungojnë nga shenjat, që shpallën Pavarësinë?

Akti i origjinal shpalljes së Pavarësisë. Flamuri po cili ishte nga të tre. Shtëpia e flamurit duhet ribërë për përvjetorët e tjerë. a. Akti i origjinal shpalljes së Pavarësisë. Në vitin 1937 Lef Nosi për 25-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë ka sjellë një riprodhim të dokumentit të pavarësisë.

Për dokumentin kryesor të firmosur në Vlorë në ditën e ngritjes së flamurit mbetet mister se ku mund të ketë përfunduar ky akt madhor,ndërsa disponohet ende kopja e tij.Fotokopje e dokumentit të Shpalljes se Pavarësisë Kombëtare nga Kuvendi i Vlorës me 28 Mentor 1912, qe gjendej ne sendugin e librave të Aristidh Rucit .Firma A. Rruci lexohet qarte (kthimi rrlr, i rr-se se forte ne r të bute, është veçori e të folmes qytetare).Në dokumentin që u botua dhe që njihej në 50 vitet shkuara mbeti enigmë se përse u hoqën firmëtarët dhe u vendosën fotografit. E.Dilo na sjell këtë të dhënë interesante “Me 28 Nëntor 1912, pas Shpalljes se Pavaresise, I. Qemali me shoke dhe populli mbrapa, shkuan ne xhami dhe në kishën kryesore to qytetit të dëgjonin lutjet fetare, udhëhequr nga klerikë shqiptare. Edhe ne xhami e kishe u duken të ngrihen dhe të valojnë dy Flamure të Shqipërisë. Gjithnjë sipas dokumenteve të elbasanasit Lef Nosi, këta të dy flamure u gjenden ne shtëpitë e Zotrinjve Aristidh Ruci e Eqrem Vlore” (Adem Hodo, Rev. “Koha e Jone”, f. 9, Nr.10-11-12, vjeti XII, tetor-dhjetor 1973)

Do të ishte angazhuar MTKRS specialistë të mirëfilltë për të gjurmuar madje për të rënë në tragën e tij sepse ka gojë që thonë se ky akt ekziston ndodhet në duart e dikujt madje K. Frashëri thotë se në vitin 1962 dikush e ka pasur këtë akt. Gjurmimi në shtetin fqinjë ku ka jetuar djali i I.Qemalit dhe nëpër burime të tjera.Na duhet jo për të rrahur gjokset por sepse pjesë nga gjaku i shqiptarëve.I urti nga do të kthehet, fytyrë e tij rrëfehet i ligu ngado të shkojë ferrin ka si shtroje.MTKRS do ti duhet të hedhin në terren studiues jo për informata por për të lokalizuar këqyrur dhe për të sjellë në muzeun kombëtar të Pavarësisë ,origjinalin.

b. Flamuri, që u ngrit në orën tre pasdite në shtëpinë e Xhemil beut. Kemi disa variante për këtë rast dhe disa flamujë. Flamuri i Spiridon T. Ilo .Me datë 27 nëntor 1912, ai qëndroi në shtëpinë e tezes së tij Marigo Posio. Marigo Posio i qepi këtij flamuri një radhë thekësh dhe bëri disa ndryshime tek s Flamuri i komunitetit shqiptarë që jeton në SHBA..Referimi i gazetës „Dielli“ mbi një shkrim të Qerim Panaritit :“Ne e dërguam flamurin nga Bostoni në Korfuz një vit më parë se të ngrihej në Vlorë nga z. Ismail Qemali (në vitin 1911). Të gjitha shpenzimet për qëndisjen, paketimin dhe dërgimin e flamurit u bënë nga shoqëria jonë Besa-Besë.“ Në vijim z.Panariti thotë se: “Detyra e mbajtësit të flamurit ju ngarkua z. Naçi Nuçi, ish mësues i gjuhës sonë shqipe në Korçë. Flamuri Eqrem bej Vlora, në kujtimet e tij, flamuri që u ngrit më 28 Nëntor 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, ishte një flamur personal, pronë private e tij, që e mbante në shtëpi si kujtim, të dhuruar në vitin 1909 në Paris, nga një pinjoll i familjes Kastrioti, don Aladro Kastrioti.Ky flamur u ngrit në Vlorë në 28 nëntor 1912. A gjendet brenda këtij muzeu ky flamur?As këtu dhe as gjëkundi. Aty gjenden flamuj të tjerë të çetave patriotike. Studiuesi J.Brahaj punonjës i QIPK ka sjell një botim për flamurin shqiptar. Kristo Floqi shkruan kështu:Me z.Poga jam dakord sa për flamurin,që ishte një pluhur e kuqe tri metro e gjatë dhe dy metro e gjerë dhe që mbi atë u damkos shkaba dykrenore me ngjyrë të zezë, gjithashtu jam dakord se atë ditë u gatitën edhe 4-5 flamurë të tjerë që valuan në disa zyra zyrtare të ndryshme,si edhe vetë kam bërë fjalë si këto por tjetër herë. Pluhura u ble prej tregtarit Diamand dakord, po cili e hartoi flamurin e Indipendecës dhe kush e kishte gatitur shkabën dy krenore, këto nuk na i tregon z Poga .Është e vertëtë se një terezi s’ja mban mentë emrin kishte qepur disa flamurë po atë,po atë ditë s’u qepën këta flamurë por edhe të tjerë si e dinjë gjithë vlonjatet . Prej ay flamur që nguli atë ditë mbi ballkonin e shtëpisë së Xhemil Bej Vlorës, plaku Ismail Qemali nuk ish prej atyre që qepi ai tereziu që thotë zoti Poga, po ish ay që qepi dora e së ndierës Margo Pozio dhe shqiponja dy krenore ish modeli që me mjeshtëri përgatiti patrioti shkodran i ndjeri Dom Mark Vassa. Këtë e dinë të gjithë vlonjatet e sidomos z .Seid Qemali, Qazim Kokoshi, Hamza Isai, Ymer Radhima, Faik Kreshpani, Ibrahim Shyti etj, që ishin në shtëpinë e Marigosë kur përgatitej ajy flamur bashkë me disa të tjerë që e prisnin me padurim. Këtë dijnë edhe vet Xhemil bej Vlora që ish atje në shtëpi të vetë kur u suall ajy flamur e dijnë edhe zoti major Bilal Nivica, adjutanti ahere i Ismail Qemalit si dhe bijtë e Ismail Qemalit z. Ethem dhe Qazim bej Vlora dhe sa e sa vlonjatë e delegatë të krahinave të ndryshme,që ishin prezent atë ditë të shënuar

c.Shtëpia ku u ngrit flamuri u shkatërrua

Ndërtesa e flamurit është prishur sipas të dhënave në vitin ‘25 dhe u kthye në lulishte. Banesat e familjes Vlora aso kohe emërtoheshin saraje.Këto banesa ,pra sarajet e familjes Vlora ishin të përbëra nga dy godina të mëdha. Godina ku u ngrit flamuri quhej Selamllëku dhe këtë emërtim siç do ta shohim na e sjell në kujtesë,kujtimet e E.Vlorës. Godina e flamurit siç paraqitet nga një foto e cila qarkullon kudo në botime ka gjithashtu një skicë që është ruajtur deri në ditët sotme tregon një godinë të madhe për nga lartësia dhe gjerësia e saj. Në fotografin e cila është origjinale ku shfaqen tre katet e banesës nga katër siç shqipton më tej E.Vlora .Janë tre katet e banesë historike që u rrafshua diku nga vitit 1925. Edhe këtë vit- shuarje të saj e sjell po ky dëshmitar. Pozicionimi i kësaj banese historike:gjendej në vendin ku është monumenti i flamurit ,inauguruar në vitin ’72, ai kap pikën e 17 m lartësi dhe i gjithi në bronz dhe pjesa tjetër cek lulishten e flamurit ku gjendet varri i kryetarit të Qeverisë së Vlorës, Ismail Qemali, vendosur edhe një skulpturë e titulluar“Flamurtari” e skulptorit Odise Paskali.Eqrem bej Vlora thotë se :Në hyrjen juglindore të qytetit të Vlorës, në kryqëzimin e shumë rrugëve, që duke zënë fill nga Rruga e Skelës, të çonin në qendër të qytetit, në mes të një parku të madh prej 40.000 metrash katrorë, rrethuar me mure të larta tetë-metërshe dhe me dy porta në të, ka qenë deri në vitin 1925 një ndërtesë e stërmadhe me një tjetër më të vogël përpara. Ai ishte konaku i Vlorajve, përfshi haremin (banesën e grave) dhe selamllëkun (banesën e burrave).Shqyrtojmë selamllëkun ose të njohur si banesën e burrave. Ndërtesa ka pasur tre kate lartësi një numër të madh dhomash korridore dhe ambiente të tjera. Zhbirimi në pamja e parë majtas tregon pozicionin e dritareve të çdo kati .Dritaret e katit të parë janë të gjitha me hark dhe duken rreth 6 copë ndërsa në fakt kanë qenë më tepër por kaq kanë hyrë në fokusin e fotos.Janë dritare të njohura për kohën të vogla të larta por të ngushta duke përfunduar me hark .Në dritaret e katit të dytë majtas janë rreth 7 copë të cilat na shfaqen në disa forma të çrregullta .E para dhe kryesore ku u shpalos flamuri është më madhe se të tjerat është edhe derë .Duke treguar se portën hyrëse për në saraje. Përpara saj shquhen qartazi shkallët,nga lartësia e banesë zbresin duke cekur tokën.

Kati më sipërm duken dritare me forma drejtkëndësh pa hark ,ku shquhen rreth 8 të tilla majtas . Kurse ne krahun e djathtë shquhen tre të tilla të vogla një e madhe po kaq gjenden edhe një kat më poshtë. Kjo është banesa Xhemil BeJ Vlorës. Të gjithë autorët që përshkruajnë ngjarjen madhore të 28 nëntorit mbështesin qëndrimin se delegatët janë mbledhur në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, kushëriri i Ismail Qemalit. Godina tre kate e Xhemil bej Vlorës gjendej aty ku është sot monument kushtuar pavarësisë .Shtiza e Flamurit është e ndërtuar ka vendin e lartësimit të flamurit kombëtar .Mendohet se kjo shtizë përkon me dritaren e katit të dytë të selamllëkut ku u ngrit Flamuri, pasditen e 28 nëntorit. F.Paskali, bija e skulptorit Odise ka shkruar : Që shtiza që ngrihet flamuri kombëtar çdo 28 nëntor në qytetin e Vlorës, është krijuar nga babai im Odhise Paskali në vitin 1932? Që memoriali i varrit të Ismail Qemalit me figurën e Flamurtarit është vepër e babait tim .Odhise Paskali, vepër e vitit 1932? Që këto 2 vepra janë inauguruar më 28 Nëntor 1932?? Duke ju referuar sërish E. Vlora,.me dëshmi autentike nxjerrim gjysmë fraze ” ku ai shprehet U mblodhëm të gjithë në selamllëk ….Pra te sarajet e Xhemil beut.Kati i tretë paraqitet me 17 dritare të cilat sipas ideatorit përfundon secila me hark.. Kati i dytë,ka 11 dritare dhe vendëhyrjen, në foton origjinale ato shfaqen në formë të çrregullt disa më të mëdha dhe disa më të vogla. Disa përfundojnë me hark dhe disa përfundojnë në formë trekëndëshi.Ndërtesa u shemb në vitin 1925 .A mund të rindërtohet ajo duke ruajtur origjinalitetin,elementët strukturor por në madhësi dhe më e vogël se ekzistuesja?

3. Brendia e muzeut të Pavarësisë

Muzeu i Pavarësisë Kombëtare është ndërtesa ndodhet në Vlorë,qyteti ku flamuri kuq e zi, rreth 100 vite më parë,në ditët e fundit të vjeshtës të vitit 1912,u ngrit ky flamur duke shpallur independencën e shtetit shqiptar. Në korridorin hyrës brenda janë disa tablo me foto në përmasa të mëdha të luftëtarëve të pavarësisë kombëtare si dhe nga kryengritjet shqiptare për pavarësi. Kjo është ndërtesa e selisë Qeverisë së Ismail Qemalit. I vetmi në llojin e vetë. Në origjinalitete ka pajise dhe disa sende personale . Gjenden flamuj origjinal. Një flamur të patriotit Sali Butka, ngritur në Kolonjë. Një portret dhe një pikturë e Marigos. Dhoma e parë e godinës së muzeut është “parathënia e pavarësisë”, ku është pasqyruar rrugë nisja drejt Rilindjes Kombëtare,me fakte dhe dorëshkrime të pakta. Të pasqyruara janë edhe 3 vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881.Fotot e Abdyl Frashërit, Ymer Prizërenit,Sulejman Vokëshit,Iliaz Dibrës. Libra origjinale shqipe si gramatika të gjuhës shqipe në toskërisht,abetarja e S. Frashërit, libri”Vdekja e Pirros”,”Bageti dhe bujqësi” e Naimit, gazetat e kohës ’Koha”,”Shkupi’,”Drita”.”Liri e Shqiptarëve”.Deri në rrugë-mbritjen e vitit ’12 është përshkruar një vargan ngjarjesh. Lexohen pas shkollave shqipe në Korçë,normalja në Elbasan,në Kosovë,kongresi i alfabetit me kryetar Gj.Fishtën .Ardhja e librave shqip, që ndiqte tre drejtime drejt Manastirit në itinerarin Stamboll, Sofie, Bukuresht . Memorandumi i Gërçes,Lufta e Pejës. Mbledhja e Bukureshtit. Itinerarin e ardhjes së diellit,Ismail Qemali në rrugëtimin Stamboll-Bukuresht-Vjenë-Trieste-Durrës,i shoqëruar nga l.Gurakuqi, S.Ilo, Dh.Berati.. Në 28 nëntor,pasdite .U nënshkrua akti i Pavarësisë rreth 1.5 faqe dhe ju dërgua fuqive të mëdha. Me këtë punë dokumentet citojnë se është marrë Lef Nosi,duke dërguar qeverive njoftimin .Edhe shqiptarëve e patriotëve në krahina të vendit është dërguar mesazhi me thënien”Independenca e Atdheut u shpall”.Luftëtarë shqiptarë të Idriz Seferit në një foto me ngjyrat e kohës Tavolina e kryeministrit të parë ka në origjinal shkrimin e tij në shqip. Fermani i sulltanit për I.Qemalin është i vulosur dhe i shkruar në origjinal. Salla e mbledhjeve të qeverisë Vlorës,në krye kryeministri dhe anash ministrat shqiptarë përpara janë flete apo vendimet e qeverisë,përmbi karrigen e kryeministrit është flamuri kombëtar .Në mur portretet e ministrave të qeverisë Vlorës,sipas pozicionit të tyre,fillon me kryeministrin dhe ndiqen nga zv/kryeminsitri dhe ministrat. Nuk është ndonjë godinë me arkitekturë modern. Ka 6 dhoma.8 pavijone dhe 2 sallone. Ka qenë selia e parë e qeverisë së I.Qemalit. Në 1962 shpallet muze kombëtar i pavarësisë.

Dokumente që duhen arkivuar

Në SHBA ka pasur gazeta shqiptarësh deri vitet e fundi, që kanë sjellë dokumente historike e foto të ruajtur nga kjo ngjarje historike, fotografi të cilat u marrën me vete nga mërgimtarët të cilat i botuan ose i arkivuan nëpër vendet që mërguan. Ne kemi nevojë të njihemi dhe ti kemi të përhershme nëpër memurë,arkiva të gjitha fotot apo dokumentet shqiptare,që kanë gjezdisur botën. Shqiptarët e diasporës e shkruanin ndryshe historinë e kësaj dite pa retushime nëpër gazetat apo media që kishin ku hedhin lajmet e ndryshme. Dokumente të tjera gjenden nëpër arkiva të shqiptarëve të cilët i ruajnë si sytë e ballit, por nuk ekspozojnë sepse askush nuk ua kërkon duke i lënë këto dokumente të mbeten të harruar të groposura dhe të pa-ekspozuara . Shumë studiues dhe të tjerë të interesuar në këtë fushë shprehen se disponojnë ose kanë parë materiale, që gjenden nëpër arkiva të ndryshme personale. Këto dokumente mund të thithen nga institucionet të cilat kanë këtë mision. Nuk mund të presim dhe gjithë kohën të shpresojmë se një ditë këto do të bëhen. Duhet të mblidhen të gjurmohen dhe të bëhen publike .Por misioni këtu nuk përmbyllet gjithsesi. Le të arkivohen nëpër muzeumet tona kombëtare të mos i lëmë të varrosura në ndonjë qoshe apo arkiv të mbytur nga pluhuri. Nesër do të na quajnë vdekatarë të tretur nga vjeshtat. Mirësia është një dritë/që nuk shuhet kurrë. Kjo është historia jonë prandaj kërkohet që ajo të ketë vendin e saj. Vetëm F.SH në Vlorë ka të trashëguar një arkiv të madh me dokumente dhe gazeta, që do të mund të plotësonin dhjetëra hapësira boshe të këtij apo muzeve të tjera të vendit tonë që janë kaq të varfër në dokumente .Krahas kësaj këto dokumentet kërkohen të studiohen dhe të shikojnë dritëzën e botimit. Ndër rrugët më të thjeshta është që këto dokumente duhen të ruhen dhe ti krijojnë mundësi studiuesve të saj të shprehen për të marrë informata që do tu duhen në punën e tyre kërkimore studimore. Ndër rrugët më të vështira është të bësh këtë punë si gjeologu kërkon diademën e skërkave. Sepse ditët e këtij muzgu ne i kemi parë herët. Sepse jemi më të përvëluarit për arkivat sepse ato ose i gjetëm të djegura ose të grisura, ose të zhdukura nëpër mjegulla historie. Në këtë pikë mendimi që duhet rrahur është që edhe shtëpia e selisë së qeverisë së Vlorës ë duhet të ketë dokumentet origjinale në stendat e saj.Për një risistemim foto,dokumente,armë,vepra arti, të personaliteteve shqiptarë të periudhës së rilindjes dhe pavarësisë kombëtare madje me kënde të veçanta të jenë firmëtarët ,sendet dhe pajisjet e tyre,sikurse edhe dhomat e ministrave të qeverisë. Sikurse në shkollën Nr 1 që ka qenë dhoma e punës e ministrit L.Gurakuqi një muze i këtillë, atje duhej bërë për arsimin një muze jo nga këta këndet që kanë bërë shkollat që su hedh dot një sy. Të njëjtat fotografi dhe ca fjalë për pavarësinë. Një ridimesionim i tillë duhet të fillojë pas kësaj feste në ditët e fund vjeshtës për 101 vjetorin,102.. duke filluar me arredimin e brendshëm duke sjell e përgatitur pajisje ne origjinalitetin e tyre duke e pasuruar me dokumente që do të mund të blihen nga arkivat personale që janë duke i ruajtur,por që askush nuk ka tagër ti vizitojë arkivat personale,në digitalizmin në vendosjen e sisteme për ruajtjen e ajrimit të sistemit të alarmit.Madje ajo dysheme me pllaka të kuqe një ditë duhet të ndryshojë. Aktualisht sfidat edhe në këtë fushë janë akoma të mëdha. Shtëpia e selisë së qeverisë së Vlorës nuk mund të jetë njësoj si muzeumet e dikurshëm,që sot gjenden rëndom e të shpërndarë qyteteve tona, nga një në çdo qytet me të njëjtën fytyrë. Shqiptarët në diasporë, që disponojnë të dhëna dhe objekte që dot jenë të mirëpritur t’ja lënë historisë dhe të ruhen në këtë muze kombëtar. Tre grupe pune mund të sjellin ndryshimin e tij nëse ata punojnë për një qëllim në tre drejtime: historianët, arreduesit dhe gjurmuesit , nga ku këta të fundit do tu duhen ditë dhe ditë për të rënë në gjurmë të dokumenteve që do të duhen të rikthehen në shtëpinë e pavarësisë për ti parë historianët për ti vlerësuar studiuesit dhe specialistët dhe për ti vendosur në mënyrë bashkëkohore, por duke ruajtur gjurmët e kohës .Është një fakt që këtë muze aktualisht e gjen të mirëmbajtur me ato orendi personale të lyer të hapur në çdo kohë ,mirëpo kohët sjellin sfida që edhe në këtë fushë kërkojnë fonde të veçantë deri në disa mijëra euro për të kthyer në një muzeum bashkëkohor, pas kësaj shteti duhet të ridimesionojë dhjetëra muze të tjerë të llojit të veçantë , që gjenden në shumë qytete të vendit por që vuajnë nga mungesa e dokumentacionit,nga lagështira,nga mos-pasurimi nga mbyllja dyerve,nga mungesa e ideve nga mungesa e personelit,nga rrogat e ulta etj ,etj, etj.

Msc*Studiues

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Flamuri, Gezim Llojdia, ku u ngrit, Shtepia, Vlorajt

DOLI NGA SHTYPI NUMRI SPECIAL I DIELLIT ME 108 FAQE

November 23, 2012 by dgreca

Me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, natën e së shtunës të 24 Nëntorit 2012,doli nga shtypshkronja Gazeta Dielli, edicion i special. Gazeta ka 108 Faqe. Ky është botimi i dytë brenda një viti(2012) kur Dielli botohet me 108 faqe. Botimi i parë u bë me 28 prill 2012 me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës, ndërsa i dyti, është ky i tanishmi.

Në ballinën e gazetës më të vjetër të botës shqiptare, DIELLI, e cila botohet në SHBA që prej 15 shkurtit 1909, 103 vite të shkuara, është vendosur një portret i Atit të Shtetit të Pavarur, Ismail Bej Qemal Vlora, veper e realizuar nga Eltjon Valle 2012, koleksion privat i Z. Renato Skenderi.

   Editoriali i Diellit i kushtohet këtij jubileu të madh dhe mban titullin”100 vjet shtet”, Përshëndetja e sekretares Hillary Clinton zë vend të dukshëm, për t’ia lënë vendin materialeve dhe dosierëve historikë në shqip dhe anglisht, që i kushtohen përvjetorit të njëqind të Pavarësisë dhe Ismail bej Qemalit. Nëpër faqet e Diellit parakalojnë figura historike që kanë zënë vend në këta 100 vjet, si Isa Boletini, Dom Nikollë Kacorri, Vehbi Dibra, Mithat Frashëri, Ahmet Zogu, Fan s Noli, Faik Konica, Mehmet Pashë Dërralla, Thanas Floqi, Dedë Gjo Luli, Ali Pashë Gucia,Adem Jashari, Sali Gjuka, Babë Dudë Karbunara, Ferit Vokopola, Bajram Curri, Elez Isufi, Gjeneral Telini, Bajram Daklini, publikohet historia e Flamurit Kuq e Zi nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu deri më sot, Histori te Plaves dhe Gucise, Kryengritja e Shkupit, Historia e burrave që udhëhoqën Shqipërinë, publikohet historia e marrdhënieve të Vatrës me Ismail Qemalin, një speciale për Charls Telford Ericson, për priftim martir Papa Kristo Negovani, fjalimi i Nolit në Lidhjen e Kombeve dhe Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqës, një speciale për dëshmorin e lirisë Vezir Ademaj, si dhe nje special per heroin Agim Ramadani,botohen reportazhe nga festimet në SHBA etj. Për herë të parë zbardhet e plotë vizita e presidents se Kosoves dhe e dy Kryeministrave shqiptare me 12 nëntor 2012 në Kullën e Rrustem Gecaj në Llukë të Decanit, botohet një speciale me figura të Camërisë, botohet krijimtari letrare etj. Në këtë numër shpalosen edhe histori të shqiptarëve të Amerikës; si dhe nis botimi i Listave te dhurimeve të vatranëve nën moton “Të shpëtojmë Shqipërinë” -3 Qershor 1917. Në këtë numër botohen edhe urime nga vatranë dhe degët e Vatrës, ku rekordin e mban Dega e vatrës në Michigan.urime kanë publikuar në Dielli edhe shumë prej bashkatdhetarëve dhe institucionet fetare.

Gazeta DIELLI përvec se do të dergohet tek abonentët në shtete të ndryshme të Amerikës, në shitje mund ta gjeni ën shitoret e Bronxit, ajo do të jetë e pranishme edhe në darkën e  Vatrës dhe Bashkësisë Shqiptare kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë, që organizohet të dielën e 25 nëntorit 2012 në Restorantin Maestros, ku është konfirmuar një pjesmarrje shumë e madhe.

I falenderoj te gjithe ata qe paten miresine te na ndihmonin ne kete numer special , reklamuesit, degen e Vatres ne Michigan, bashkepunetoret, dhe ne menyre te vecante,  dizajnerin Danny BLLOSHMI dhe konsulentin Yoshi Waterhouse nga Vignelli Associates Designer Firm. Ky numer ka nje faqosje special.

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: dalip, Dielli Special, e pavaresise, greca, per 100 vjetorin

“GJENERALI” POPULLOR, I URUGANEVE SHQIPTARE

November 23, 2012 by dgreca

  Kryetrimi Isa Boletini , ka thënë: “Një qind herë jetën e jap, por jo kurrë: /Armën, Nderin, Flamurin e Atdheun tim!/

 Nga: Prof. Murat Gecaj/ publicist e studiues-Tiranë

 1.

Lumenj gjaku u derdhën nga populli  trim e liridashës shqiptar, deri sa u kurorëzua akti i madh historik i 28 Nëntorit 1912, kur Shqipëria u shpall shtet i lirë dhe i pavarur. Në ballë të sa e sa kryengritjeve masive të shqiptarëve, kundër pushtuesve otomanë, qëndruan shumë trima të ditur dhe luftëtarë trima. Me armë e me penë, me guxim e dituri, ata nuk kursyen asgjë, që të realizohej ideali ynë i lartë kombëtar.

Kur kujtojmë figurat e shquara të Kombit tonë, menjëherë mendja na shkon edhe te biri i thjeshtë i Boletinit të Shalës, në Mitrovicë të Kosovës, Isa Boletini ose, siç e thërrisnin malësorët, “Isa Begi”, për të shprehur kështu nderimin dhe respektin për të. Lindi më 15 janar 1864, në një familje me tradita atdhetare. Kushtrimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për luftë kundër armikut, çoi në këmbë edhe Isën 17-vjeçar. Shpejt u dallua kudo për trimëri dhe guxim, zgjuarësi e urtësi. Armiku pushtues e shprehu urrejtjen e madhe për të edhe kur i dogji kullën e tij, gjashtë herë dhe gjashtë herë e rindërtoi. Nuk u mposht ndaj përndjekjeve e presioneve dhe gjurmimeve, që i bëheshin nga pushtuesit gjakatarë. Ka mbetur proverbiale shprehja e tij e njohur: “Unë jam mirë, kur asht mirë Shqipnia”. Ndërsa nuk e zinte gjumi, kur shihte padrejtësitë dhe synimet grabitqare të otomanëve pushtues dhe të monarkive shoviniste fqinje.

 Drejt Vlorës: Isa Boletini, në krye të “uruganit” të luftëtarëve trima…

 2.

Në fillim të këtij shekulli, Isa Boletini u vu në krye të Malësisë së Shalës dhe bashkë me Idriz Seferin u dallua si udhëheqës i kryengritjeve antiosmane të viteve 1910-1912. Veçanërisht, spikati trimëria e luftëtarëve shqiptarë në grykat e Kaçanikut e Cerralevës. Shumë domethënës është epiteti, që i vuri shtypi i kohës, i cili e quajti Isa Boletinin: “Gjenerali popullor i kryengritjeve shqiptare”.

Ai udhëhoqi me trimëri luftëtarët shqiptarë edhe për të kundërshtuar synimet grabitqare, nga shtetet shoviniste fqinje serbo-malazeze etj., që kërkonin t’i copëtonin e t’i merrnin trojet shqiptare. Qëllimi i lartë, që i vuri vetes, e afroi atë me atdhetarër e shquar e udhëheqësit më në zë popullorë, ndër të cilët ishte dhe Ismail Qemal Vlora. Biri trim i Kosovës, Isa Boletini ishte përkrah tij dhe delegatëve të tjerë shqiptarë, si: Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri, Vehbi Agolli, Babë Dudë Karbunara, Nikollë Kaçorri, Sali Gjukë Dukagjini, Dervish Hima, Rexhep Mitriovica, Myfit Libohova, Jani Minga, Bedri Pejani, Ilias Vrioni, Dhimitër Zografi etj., të cilët nënshkruan Aktin e Madh historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe valvitën lart Flamurin tonë Kombëtar, pas 500 vjet robërie, nën sundimin otoman. Prijësi i betejave legjendare kundër pushtuesve armiq, në krye të mbi 300 luftëtarëve të armatosur kosovarë, u bë mburojë e çeliktë për zhvillimin dhe suksesin e atij Kuvendi të madh mbarëkombëtar.

Një ndër ish-drejtorët e shkollës shqipe të Korçës dhe delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, në Kuvendin e Vlorës, por dhe kryeredaktor i gazetës “Përlindja e Shqipërisë”,  Dhimitër Berati (1886-1970), në kujtimet e tij me titullin “28 Nëntor 1912”, ka shkruar: “Midis shumë të tjerëve, që kanë një emër më shumë a më pak të famshëm, tërheq vërejtjen fytyra e Isa Boletinit. Në fytyrë e në shtat Isa “Begi” përmbledh vetijat e shqiptarit dhe jo më pak në jetën e tij shpirtërore. Të pamët-luftëtari, gjithmonë i vrenjtur, kurrë s’i qeshë buza, pa shkak të rëndë. I gjatë dhe i hollë, trupi është i lidhur me dej të hekurt. Dëgjon shumë dhe flet pak; s’përzihet në fjalën e tjetrit dhe, kur flet, s’ngutet. Ai s’qe njeriu i fjalës, por i punimit a, më mirë, i pushkës” (B.Gaçe, “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare”, Tiranë, 1997, faqe 205)

3.

Isa Boletini është i njohur edhe për udhëtimin, që bëri më 1913, nëpër disa shtete të Europës, për të mbrojtur me çdo kusht të drejtat e ligjëshme të popullit shqiptar, të cilat donin t’i nëpërkëmbnin, armiqtë e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës. Shovinistët serbomëdhenj kërkonin ta largonin trimin atdhetar nga rruga e tij e luftës për të drejtat tona kombëtare. Prandaj u përpoqën, me dinakëri e me të holla, i propozuan poste e detyra, që ta afronin të bashkëpunonte me pushtuesit e rinj ose, të paktën, të hiqte dorë nga lufta e tij e vendosur. Por Isa Boletini trashëgonte cilësitë më të mira të shqiptarit, si krenarinë, besën e burrërinë etj. Prandaj, i përçmoi të gjitha joshjet e përpjekjet e armiqëve dhe, si kurdoherë, mbeti luftëtar i papërkulur, i vendosur deri në fund, që populli shqiptar të ishte i lirë dhe i pavarur. Ai i qëndroi besnik idealit të tij, betimit që kishte bërë një herë: “Unë një qind herë jetën e jap, por jo kurrë: Armën, Nderin, Flamurin dhe Atdheun tim!”

Pasi ushtritë  austro-hungareze pushtuan Cetinën, Isa Boletini kaloi në Podgoricë. Gjenerali gjakatar, Vashoviqi bëri plane për të organizuar një kurth. E lajmëroi të shkonte tek ai, por Isa e mori vesh qëllimin dhe nuk u bind. Në këto rrethana, forcat malazeze organizuan një pritë tjetër, në befasi. I.Boletini qëlloi me kobure, duke dhënë kështu sinjalin e luftës. Beteja ishte e përgjakshme dhe ai qëndroi si u ka hije trimave, deri sa ndërroi jetë. Pranë mbetën dhe djemtë e tij, nipat e disa bashkëluftëtarë. Aty, te Ura e Ribnicës, përgjithnjë u çimentuan themelet e një lapidari trimërie e burrërie, në shërbim të çështjes së madhe mbarëkombëtare, atij të 23 janarit të vitit 1916.

4.

Tashmë, është e njohur një histori nga jeta e këtij kryetrimi shqiptar, që po e ripërsëritim më poshtë. Më 1913, atdhetarët Ismail Qemali e Isa Boletini shkuan bashkë në Londër, si përfaqësues të denjë të popullit tonë. Aty do të takonin kryetarin e Konferencës së Ambasadorëve, për t’i shprehur protestën e vendosur ndaj padrejtësive të mëdha, që po i bëheshin Shqipërisë. Gjithashtu, do t’ia çonin atij betimin solemn dhe të njëzëshëm të mbarë shqiptarëve, se ata ishin të vendosur, deri në fund, për t’i bashkuar trojet tona amtare, Se ato na i kishin lënë të parët tanë trashëgim, brez pas brezi. Ishte një rregull i caktuar që, para se të hynin në zyrën e sër Eduard Greit, duhej t’i lenin armët në garderobë. Këtë kërkesë ia përsëritën edhe rojet Isa Boletinit, i cili veproi po ashtu, pra la koburën në garderobën e duhur. Pas bisedimeve zyrtare, Grei iu drejtua Isës, me të qeshur: “Më në fund, zoti Boletini, atë që nuk e kanë bërë dot pashallarët turq, e bëmë ne, në Londër!” Kreshniku i Kosovës martire dhe i mbarë trojeve shqiptare e mori vesh mirë, se diplomati  europian e kishte fjalën se, gjoja, ata e paskëshin çarmatosur!? Ndërkaq, Isa Boletini e shikoi drejt e në sy zyrtarin e lartë  dhe, po me buzëqeshjen dhe krenarinë e ligjeshme të shqiptarit trim e të zgjuar, të paçarmatosur kurrë, iu përgjigj shkurt e prerë: “Jo, besa, kurrë, as në Londër!” Dhe, aty për aty, nga gjiri nxori një kobure tjetër, me fishekët në gojë!… Për brezat  tanë, ai do të mbetet kurdoherë në kujtesën  e tyre, ashtu me armët ngjeshur fort, në brez. Të tillë e kemi tani edhe nëpër fotografi, në piktura e monumente.

Pllakatë, vendosur këto ditë  nëpër kryeqytetin tonë, ku është edhe portreti i Isa Boletinit (i pari, majtas, poshtë).

Marrim, kështu, nga jeta heroike e këtij luftëtari të shquar të lirisë e Pavarësisë, mesazhin e madh, që ka përcjellur historia për shqiptarët: Ata kurrë nuk do të durojnë t’i shtypin, t’i çarmatosin as t’i nënshtrojnë armiqtë, sado të fortë e dinakë të jenë. Shqiptarët “e bëjnë dekën si me le”, kur i thërret zëri i tokës amtare, kur rrezikohen seriozisht liria dhe pavarësia e tyre. Për këtë gjë flasin qartë sakrificat e shumta, që provoi, sidomos, dhe mbarë populli martir i Kosovës, vendlindja e kryetrimit Isa Boletini, “gjeneralit” të kryengritjeve shqiptare ose uruganeve popullore. Gjeneralë të tillë të shquar, ashtu si edhe Adem Jashari me bashkëluftëtarët, bënë që andej të largohen të mundur pushtuesit serbë dhe Kosova, krahas shtetit-amë, Shqipërisë, të hyjë e sigurtë në rrugën e demokracisë, e lirë dhe e pavarur.

 

Tiranë, 23 nëntor 2012                     

 

Filed Under: Featured Tagged With: Gjenerali popullor, Isa Boletini, Murat Gecaj

ELEZ ISUFI-GJENERALI ME GJETAN I SHQIPËRISË ETNIKE

November 23, 2012 by dgreca

 Shkruan: Eugen SHEHU/

 Jeta e kryetrimit Elez Isufi , më ka shëmbëllyer kurdoherë me atë ndriçimin thua krejt ëngjëllorë të ikonëve të papërsëritshme të Selanicasit . Sa më shumë ujra rrjedhin , sa më shumë borëra borërojnë në Nëntë Malet e Dibrës , sa më shumë kujtesa e gurëve hesht , aq më pranë vjen jeta e atyre që u lindën , u rritën , jetuan dhe i mbyllën sytë me mendimin fatlum se dhanë diçka për etninë shqiptare.

Mjafton vetëm një çast meditimi rreth veprës së gjeneralit me shijak , të kuptosh se brënda teje lëvizin dramat e mëdha e të përgjakshme të Dibrës , Lumës , Kolesjanit , Gostivarit , Pejës , Gjakovës , Prizrenit dhe Shkupit.Dhe ti pas kësaj e ndjen vehten të pafuqishëm , hesht dhe futesh në shungullimën e betejave ku veçmas dëgjohet zëri i Elezit , i prerë dhe komandues midis mijëra thirrjeve . Engjëjt e ikonave të Selenicasit takohen me gjeneralin popullorë vetëm në përfytyrimin tim pasi jeta e tij do të luftonte për paqën e popullit të vet deri në rrahjet e fundit pa e shijuar asesi çastin e pritur të lirisë.

Ardhur në jetë , në mesin e shekullit të kaluar , famijëria e Elez Isufit do të endej midis trazirave të natës së gjatë osmane. Edhe pse në agoni të saj , kjo natë e gjatë për shqipërinë dhe krejt popujt ballkanik nuk do të largohej nga skena e luftërave dhe pushtimeve për t’ia liruar vëndin agut. Për më tepër , si ajo bisha që parandjen fundin , ckërmitjet makabre do të ishin të pranishme në çdo ditë të jetës shqiptare. Kur e thërrasin për të kryer ushtrinë nën urdhërat e Portës së Lartë , e kupton se është rritur plotsisht dhe është bërë për pushkë . Por natyrisht shpirti i tij i lirë dhe krenar nuk mund të vihej nën urdhëra. Rrëmben armët dhe bashkohet me kaçakët Dibranë dhe Lumjanë duke u bërrë tmerr i koshalleve turke.

Ka qënë nëntori i vitit 1878 ai që mbledh trimat e Dibrës në një kuvend të rrallë tek sa i dërgohet një memorandum Turqisë ku i kërkohej në mënyrë të prerë për një sërë reformash që do shpinin trojet shqiptare drejt një të ardhmeje plot shpresa. Dy vjet më pas , po në Dibër mblidhet  kuvendi mbarëkombëtar ku përpara të gjithave 300 trimat shqiptarë tokin duart e lidhin Besën se nuk do lenë shkjaun apo turkun të coptojë vatanin. Po kështu , në vitin 1899 , në malet e Dibrës do të mblidheshin 1000 burra , përfaqsues të viseve veriore që miratuan dhe u dhanë frymarje vendimeve të Lidhjes Shqiptare të Pejës , e cila në thelb kërkonte autonominë dhe etninë e pacënuar shqiptare . Luftërat dhe koshallet e turkut i mprehën trimërinë Elez Isufit . Kuvendet e trimave i falën pjekurinë dhe gjykimin për ta ndjerë Shqipërinë kurdoherë si nënë e pafat. Jeta e varfër , privacionet e njëpasnjëshme do ta paisnin me durimin e madh por edhe dashurinë e madhe që vërtet kishte lindur  në lisat e Sllovës , por çelet sythe malli prej Ulçini deri në Prevezë , prej Vlore deri në Gjilan e Manastir . Kur Turgut Pasha digjte e shtrinte përdhe fshatra të tëra në Kosovë dhe Maqedoninë Shqiptare , zemra e Elez Isufit therej. Lajmi se na kërkon besën gjenerali me shijak u hap në çdo vatër të Nëntë Maleve të Dibrës , dhe u mblodhën plot 2000 burra që thanë njëzërit ; „ Hajt na priftë e mbarra o trim ! Pas teje ..! I paisur jo vetëm me aftësi ushtarake por edhe me zgjuarsi dhe intuitë natyrale , krytrimi i Dibrës , me këtë akt për mbrojtjen e Kosovës , u thoshte fuqive Europiane , në ag të shekullit se shqiptarët janë një popull me vetëdije kombëtare . Gjdo pjesë e trupit është dhimbshur,gjdo gurë e shkrep ka një histori të vetën për të cilat shqiptarët nuk mund të falin lehtë. Në vjeshtën e largët të vitit 1908 , atëhrë kur mëndjet e ndritura shqiptare do të mblidheshin në Manastir për të përcaktuar alfabetin e shqipes , ishte tepër vështirë të punoje hapur dhe pa pengesa , e në këtë rast , u thirr besa dhe trimëria e burrit prej Sllove. Në krye të 200 bijve e bijave dibranë Elez Isufi u ngarkua për mbrojtjen e Kongresit të Manastirit duke dëshmuar kësisoj përveç trimërisë edhe dashurinë pakufi për dije . Më pas , kur një gjeneral jugosllav i tha Elezit se ke prishur një barrë flori për të çelur shkollën e parë shqipe në Dibër dhe asnjë shpërblim nuk ke marë , ai iu përgjegj me atë fjalën e shtruar dhe të thellë , „ Dëgjo more zotni gjeneral ! Edhe në dashta unë plaku me e tradhëtue Shqipninë , nuk do lajnë me e ba këte punë ata fëmijët aty , që mësojnë e këndojnë shqip ..“.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare , drejtohej njëherësh në dy kahje , edhe kundër natës shekullore osmane , edhe kundër synimeve shovene aneksioniste të fqinjëve jugorë dhe veriorë të cilët në situata të Veçanta nuk rreshtin në veprime kafshërore për coptimin e kufirit të pambrojtur arbëror. Përmes klithmave të rrepta të vetë ligjit të egzistencës , ndër atdhetarët shqiptarë u thir falja e gjakut mes vetit , duke ndaluar makinën e verbër të krimit mesjetar . Jo rastësisht , në një nga Kuvendet e burrave të Dibrës , Elez Isufi i çon fjalë gjaksit të vet Hysen Dacit , duke i thënë se donte t’i fliste në sy të burrave , iu drejtua Elezit ; „Të kam ardh sipas zakonit . M’ke thirr e du me t’dëgjue Elez Aga ! . Elezi çohet në këmbë e duke e parë drejt në sy i thotë : „Ta kam falë gjakun o hysen Daci . Tash e tutje hajt të mendojmë për Dibrën , Kosovën e krejt Shqipninë ! . Akoma pa u çliruar burrat e odës prej çudisë (s’ishte lehtë të falje gjakun ) Hysen Daci me lotë në sy e duke përqafuar plakun trim përshpërit ;“Ke besën time e të krejt fisit Elez Aga.Na qite prej kullave ku rinim tash sa vjet.Por nuk do fshehena ferrave.Na ke krejt në komandën tande !.

Në rrafshin e qëndresës titanike të shqiptarëve për ruajtjen e kufijve të tyre veriorë , padyshim emri i Elez Isufit metet i gdhendur jo vetëm në kujtesën dhe këngët e popullit , por më së shumti edhe në analet e diplomacive të fqinjëve tanë . Dhjetra e qindra letra e telegrame , biseda e memoare , në dosjet e arkivave të Vjenës , Shkupit , Selanikut dhe Romës do të flisnin pa dyshim me gjuhën e ftohtë por konkrete të fakteve . Kushedi në sa arkiva fle çudia trimërore e Qafës së Kolesjanit , 3000 luftëtarë shqiptarë , të udhëhequr nga Elez Isufi , Ramadan Zaskocit dhe Islam Spahiut zunë pozicionet e tyre prej Lakut të Dardhës e deri në Qafën e Drinit të Zi. Ushtarakë serbë , të sigurtë në operacionin e tyre , pasi dispononin rreth 2000 ushtarë dhe të armatosur më së miri , u rreshtuan në dy fronte. I pari kalonte ; në vijën Gjakovë – Qafë e Prushit – Vau i Spasit – Qafë e Malit – Pukë ; dhe fronti i dytë : Qafë Kumbullës – Mirditë – Lezhë . Strategët tanë popullorë , ku Elezi pa dyshim luajti rolin e vet parësorë , goditën armikun pothuaj në të gjithë frontin me tendencën për ti çuar ata drejt Grykës së Kolesjanit . Qëllimi u arrit dhe për 48 orë kjo Grykë ushtoi nga shungullimat e armëve. Bijtë e shqipes , të lodhur , të pangrënë dhe të paarmatosur , guxuan të hidhen në pozicionet serbe nën dridhmat e një hakmarjeje shekullore ndaj fqinjit vrasës dhe dinak . Më pas , në zyrat e luftës në Beograd , Kolesjani u quajt „ Tragjedia serbe e shekullit „.Rrafsh 12000 serbë të vrarë e të plagosur.Rreth 2000 të zënë rrobër. Gjithsesi shqiptarët askurrë nuk kanë qënë të pangopur edhe në fitoret e tyre. Elez Isufi , ende pa u shlodhur prej lodhjes së betejave , përmes dhimbjes për djemtë dibranë që kishin falur në Kolosjan pranverat e tyre , urdhëroi që asnjë prej rrobërve serbë të kësaj beteje të mos vritej , madje as të poshtrohej. Mbi jetët e tyre veproi vetëm ligji human i robërve të luftës. Nëse ky akt vihet përballë djegjeve , lançimeve , vrasjeve pa faj që serbet kanë bërë në tokat shqiptare , atëherë shumkush përveç superioritetit të racave , nënkupton edhe shpirtin e gjërë shqiptar.

Dihet prej shumkujt mbështetja që Elez Isufi i dha Ismail Qemalit për ngritjen e Flamurit në .Nëntorin. e vitit 1912 . Mes dy burrave do të lidhej një miqsi e thellë e orientuar kurdoherë drejt lirisë së trojeve shqiptare. Edhe pse këto troje u coptuan padrejtësisht në Londër në 1913 , serbët vazhdonin veprimet luftarake duke kërkuar daljen në adriatik . Më 14 gusht 1913 , Elez Isufi flet me kryetarin e shtetit Ismail Qemalin ku bashkëlidhen veprimet në përballimin e situatave dhe ofensivave serbe. Luftëtari plak kthehet në Sllovë , jep kushtrimin dhe duke ndarë detyra djemve për Dibrën , niset për çlirimin e trojeve shqiptare në Dibër të Madhe e Prizëren , ku masakra serbe , merrte jetë të pafajshme grashë e fëmijësh për të përkundur ëndrën shovene të perandorisë sllave.

Për këtë periudhë Haki Stërmilli shkruante ; „në qytet , tabakhaneja nga thertore bagëtish u kthye në thertore njerëzish.Qytetit i vinte era gjak njeriu ,kudo mbizotëronte pasiguria dhe një heshtje tmerri“.Këtu 99 – vjet më parë , masakra serbe ideuar dhe zbatuar prej mbretit serb Pjetër , vazhdon të lëshojë ende klithma , britma e kujë të parëfyeshme . Gjithsesi kjo masakër nuk e ligu Elez Isufin.      Në krye të trimave të tij ai vazhdon sulmet e rrepta duke shfaqur i pamposhtur dhe stoik në qëndresën e tij për ruajtjen e kufijve shqiptarë.Në një letër drejtuar Kristo Dakos në Selitë , midis tjerash Elez Isufi shkruan : „ Pra se të shkruaj këto ngjarje , dua t’ju kallzoj qëllimet që ka serbia për Shqipërinë , megjithse Zotnija Juaj mund ta dije mirë : Serbia ka për qëllim të sjellë bashkimin e popujve të Ballkanit ndër frenat politike të saj.Këtë politikë kërkon ta vëje në përdorim duke filluar së pari me kombin shqiptar pasi e din se ky Komb i mjerë është më pak i fuqishëm se të tjerët.Për këtë ka shti në veprim të gjitha mjetet që ka pasur. Më së pari ,deri sot , ka derdhë 2 milion dinarë brenda shqipërisë për të sjellë ngatëresat e duhura e kështu të pengojë Qeverinë e Tiranës për të mos u rregullue e me mos marrë fuqinë dhe shëndetin që duhet.Shpenzimet që të mbahet gjallë kjo propagandë,sikur e kallzoi vetë me gojë një farë gospodini Puniço Hakiç inspektor i kufijve para komandantit tonë z.Ali Rizai me të cilin u poqën më 20.10.1921 në Reç rreth Drinit , ka nda një kredi të posaqme prej 3 milion dinarësh.Me këtë politikë , Serbia , apo të themi ma mirë sllavizmi,kërkon të mbizotnojë mbi të gjithë brezin e Adriatikut … Më 26.10.1921,armiku mësyn rreptësisht , me të gjitha forcat , llogoret tona. Kjo luftë e rreptë vazhdoi tre ditë rresht deri më 28.10.1921 , ditën e premte në mbrëmje.Kudo që bënte yrysh armiku ndodheshin para britmës shqiptare „A besa a Besë „ me dorë Ahaaa haaa ! e prej valës së pushkëve tona shtërngoheshin me u zbrapsë tue lanë disa të vrarë në tokë.Në këtë luftë si dhe në ato më të parat i dhanë shkelmin kësaj lufte dy oficerë dhe një artilier.Këta tre oficerë e diftuen veten me të vërtetë se ishin të zotët me komandue ushtrinë shqiptare e me i dalë zot nderit arbruer … (Gazeta „Dielli“ 13.shkurt.1922)

Elez Isufi , hyn padyshim në plejadën e ndritur të burrave shqiptarë të cilët jo vetëm parandjenë situatat ballkanike të fillimshekullit tonë por edhe inicuan me atdhedashurinë e tyre një sërë qëndresash masive duke dëshmuar trimërinë , zgjuarsinë dhe vetë historinë e kombit të tyre të coptuar.Lëvizja e marsit 1922 ashtu dhe ajo e qershorit 1924 synuan të kontrollonin në rrafshin politik shqiptar idenë e emancipimit shoqëror , alternativën demokratike midis dogmave që kishin marë udhën për të ardhur në shqipëri.Në atë greminë ku po shkonte Shqipëria kish vërtet nevojë për bukë e dije , për udhë e spitale ,por veçmas kish nevojë për rend kushtetues e ligje që do të buronin prej halleve të popullit.Një Asamble Kushtetuese do të mund të ndalte kësisoj vrullin drejt greminës.Vizioni largpamës i plakut trim prej Sllove , bëri që krejt veprimtaria e tij në këto vite të drejtohej në përkrahje të forcave demokratike të intelegjencës shqiptare duke dëshmuar veç intuitës politike edhe vullnet që kombi i tij të futej në rrjedhat e qytetërimeve të reja Europiane.

Por gjithmonë meraku i tij i madh do të mbetej Shqipëria e ndarë në disa pjesë . Edhe pse Noli i ofroi detyra e poste , edhe pse bastioni verilindor i Qeverisë së Nolit ishte Dibra e Elez Isufit , edhe pse mosha dhe dekadat e betejave në supe , Shqipëria Etnike do të ishte kurdoherë kryebiseda dhe zëri i ëmbël i pushkës së tij.Përballë këtij përfytyrimi të shqipërisë gjithçka tjetër shëndrohej në rrëkeza mali që derdhen brigjeve të lumit me shtratin në historinë mijëravjeçarëve të Kombit. Në shtatorin e vitit 1924 , së bashku me Sheh Shehatin , i drejton një protestë Qeverisë së Nolit për t’ia përcjellë Lidhjes së Kombeve ku kërkohet ndreqja e padrejtësive kufitare në përgjithsi e veçmas qyteti i Dibrës lënë në duart e serbëve.Një muaj më pas , në tetorin e viti 1924 , së bashku me një grusht trimash ai vetëte sërish në Kosovë duke parë me syrin e një strategu luftarak regjimin e ruajtjes së kufirit , duker llogaritur forcat e për më tepër duke biseduar ndër miq të vet në Dibër , Gjakovë e Prizren për unifikimin e veprimeve të përbashkëta. Trazirat shqiptare do ta ligështonin trimin , e gjithsesi në tërë atë terr lëvizjesh diplomatike të fqinjëve dhe shteteve europiane.Elezi do të thëriste për armët gati. Më 7.nëntorë.1924 , nga Peshkopia , Elezi i shkruan Bajram Currit ; „ Situacioni që pashë në Kosovë,dëfton nevojë të madhe që z.juej të ndodhet në Krumë.Krejt populli i Kosovës e shohin të domosdoshme që të ndodhemi afër tij.Prandaj nuk duhet ta vononi aspak këtë çështje,por sa më parë dhe me ta marrë këtë letër , të niseni pa vonesë.Qështjen e çmoni dhe vetë zotnia e juej .. Në qoftë se nuk i merrni parasysh nevojat që ju pata përmend,atëherë miqësia dhe besa që kemi me njëri tjetrin më shtërngon dhe më detyron me ju sigurue se do të merret nëpërkëmbë si nderi i Zotnisë Sate , ashtu edhe nderi i popullit të Kosovës …“ (Arkivi Qëndrorë i shteti viti 1924.Dosja 8 ,fq.167.). Dy muaj më pas kësaj letre , plumbat do ta godasin pas shpine trimin duke marrë jetën.    E nisur në luftë , jeta e këtij shqiptari të madh , do të shuhej po në luftë si për t’u treguar brezave se pa Shqipëri të lirë  e të bashkuar nuk mund të ketë jetë në paqë për gjdo shqiptar.

Një gur bri një murane në Sllovë,ka heshtur për shtatë dekada rresht.Erërrat mbi të flisnin me gjuhën e kujeve dhe vajtimi të bëhej se luftonte përjetësisht me harrimin.Diktatura komuniste nuk mund ta ringrinte mitein e gjeneralit me shajak pasi ai luftoi tërë jetën ndaj serbëve.Ylli i kuq nëpër bustina nëpërkëmbën nderin shqiptar,harruan gurgullimat e përenjëve të gjakut që derdhëm ne , për t’u mbrojtur nga fqinji verior.Mbi djemt , nipërit e Elez Isufit , ranë shpejt tragjeditë e kalvarit komunist.Në luftë me turqit,me sllavët,me italianët dhe gjermanët , kullave të Elez Isufit iu rrëzuan binarë,gurë e qoshe.Si për ironi të fatit e qejf të sllavit,Enver Hoxha i sheshoi ato kulla me fitilat e dinamitit.Por krimi dhe ndëshkimi shfaqen kurdoherë pranë njeri – tjetrit.Ndërsa emri i të parit u mallkua , prej miliona shqiptarëve, Elez Isufi mbeti në historinë tonë duke bërë nder asaj , duke pasuruar me jetën dhe veprën e tij.

 

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Elez Isufi, Eugen Shehu

ISA BOLETINI- SIMBOL I QËNDRESËS ANTISERBE

November 23, 2012 by dgreca

 Shkruan: Eugen SHEHU/

Unë e kërkova Is Boletinin,në fshatin e tij të lindjes në Boletin.Zëri im jehoi majëmaleve ,i fortë.Unë thërisja,jehonës së zërit tim,iu përgjigjën gurët e Sokolicës.Tek shpirti i ftohtë i tyre jehonte troku i kalit të Isës.Mu përgjigjën dallgët e bardha të Ibrit,në rreptësinë e tyre jetonte ajo vrazhdësi emblematike e Isës kur bëhej fjalë për armiqtë tanë shekullorë,shkijet.Mu përgjigjën me një zë gati ledhatues pyjet me qar e blinë.Brenda fëshfërimës së tyre ishte ajo dashuri madhore e Isës për tokën tonë që e lindi dhe e rriti.

Isa lindi në Boletin në mesin e janarit të vitit 1864.Lindi në ate kullë të cilat pas shumë vitesh do të futeshin në legjendat shqiptare.Ishte vetëm njëmbëdhjet vjeç kur i vrasin të jatin,Ademin i cili kish luftuar me armë në dorë,për vite me rradhë kundra ushtrisë të Mehmet Reshit Pashës i cili kishte ardhur në Kosovë si “dorë e fortë” e Sulltanit.Trupi i drejtë dhe i gjatë i Isës njëmbëdhjet vjeçar,u mbështet paskëtej në gjoks të vëllait më të madh të Ahmetit i cili anipse vetëm tri vjet më i madh do të ndikonte së tepërmi në karakterin e vëllaut.Duhet thënë se Rexhep Pasha,i cili sundoi pas Mehmet Reshit Pashës, ia kish ndjerë zërin fort larg për trimëri bijëve të Adem Boletinit.Në një rast ai e provoi sidomos trimërinë gati legjendare të Ahmetit dhe pas kësaj ai do ta linte krejt Boletinin të kalonte në rrjedhën e qetë të jetës së vet.Por marëdhënie të tilla me malësorët shqiptarë nuk do të shiheshin me sy të mirë në Stamboll.Kësisoj,me dekret të veçantë,Sulltani e dërgon Rexhep Pashën,gjysëm të internuar në Tripoli (Libi),ndërsa nis drejt viseve të Kosovës ekspeditë ndëshkimore. Kështu në vjeshtën e vitit 1892,pas disa jave luftimesh të paprera,kullat në Boletin u mbuluan prej flakëve.Porta e lartë donte të shkrumbonte krejt këtë ndjenjë atdhetarie duke u vënë zjarrin gurëve e drurëve.Po Shqipëria,Kosova e Dibra kishin zënë vend në dashurinë e madhe të bijëve të Boletinit.Ajo nuk do të fikej askurrë,ajo vetëm do të rritej e rritej ashtu siç rritej shtrati i Ibrit në mars,prej dëborërave që vinin nga Bajgora e Llapit. Në pranverën e vitit 1894,një pushkë i ze pusi Ahmet Boletinit.Ate çka s’mundën ta bënin turqit e jeniçerët me topa,u përpoqën ta bëjnë me tradhëti.Dora vrastare qëllon mbi gjoksin e burrit i cili kish qenë shembull qëndrese në Boletinin e ashpër.Tregojnë pas kësaj,se me të marë lajmin e vrasjes së vëllaut të madh,Isa rrëmben pushkën dhe shkon drejt e në fshatin Zhazhë ku u vra tradhëtisht Ahmeti.Brenda pak orëve ai merr gjakun e vëllait dhe në varrin e tij ai betohet se do të luftojë deri në frymën e fundit ndaj Portës së Lartë dhe shqiptarëve të mjerë që me veprime i shkojnë pas asaj.Pikërisht në këto momente,i rrethuar prej armiqve dhe pabesive,Isa Bolentini nuk mund të japi vetvehten.Ai fillon ti ringrejë nga e para kullat në Boletin,merr pjesë në kuvende miqësh dhe porta e tij rri e çelur për çdo dashamirës.Në vitin 1897,ate e viziton në kullën e tij pranë Sokolicës,gazetari gjerman Karl Estrajher i cili më pas në librin e tij me përshtypje udhëtimi,do ta krahasonte Isën me Gec fon Berlihingen,udhëheqësin e lavdishëm të revoltave të fshatarëve gjerman,shekuj më parë.Duke e vizatuar mjeshtërisht karakterin e Isës,Estrajer thotë ;

“Këtu lart,në bregun e Sokolicës,përballë armiqve të tij,Isai na e çeli zemrën.Është mërzitur nga kjo ndjekje që po i bëjnë dhe dëshironte të jetonte i qetë në rrethin e familjes,në shtëpinë e vet,dhe jo në dyshime të përhershme,në pusi të ngrehura… E ka kundërshtuar qeverinë dhe tani rron i kërcënuar nga të katër  anët prej saj,prej armiqve,ndërsa vet është i rrethuar nga një grusht shokësh besnik,vetëm nga tridhjetë vetë,që mund ta lënë kokën për të”.

Fundi i shekullit të kaluar,veçanërisht vitet pas Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,kishin sjellë ndryshime në vetëdijen nacionale të Shqiptarëve.Kishin filluar gati në të gjitha vilajetet të shkonin disa libra shqip që,ndonëse të paktë,ngjallnin shpresa për një rilindje kombëtare. Këta libra ishin si ato zogjtë e shkurtit që çajnë qiejt e dimrit për të lajmëruar pranverën që vjen sipër krahëve të tyre. Gjithsesi kësaj ndjenje në zgjim të shqiptarëve,Perandoria Osmane iu përgjigj me një valë ekspeditash të rrepta ku shtëpia edhe mund të digjej nëse gjendej në te ndonjë kartë e shkruar në gjuhën shqipe.Në këto kushte atdhetari Haxhi Zeka u vu në krye të Lidhjes së Pejës, e quajtur ndrushe “Besa – Besë”.Përpos të tjerave,ky kuvend burrash vendosi që nëse një krahinë ose fshat i Kosovës sulmohej prej forcave qeveritare,krejt Kosova do të ngritej për ti bërë ballë valës shkatërimtare osmane.Për zonën e Drenicës,Bajgorës e Llapit,Isa Boletini dha besën se do të ishte së bashku me trimat e kësaj treve,ushtari besnik i Lidhjes së Pejës.Dhe sprova më e madhe ishte arrestimi i mikut të tij të ngushtë dhe një prej udhëheqësve të Lidhjes së Pejës,Aqif Pazarit. Me të marrë vesh se ky u arestua dhe u dërgua në Stamboll,Isa Bolentini jep kushtrimin ndër miq e shokë brenda tri ditësh niset për në Pazarin e Ri. Është interesant të mendosh se ai u nis prej kullave të tij,në krye të 500 kalorësve,ndërsa kur mbëriti në Pazarin e Ri,telegramet e Shemsi Pashës drejtuar Stambollit,bëjnë fjalë për 10 mijë burra të gatshëm për të luftuar e vdekur nën urdhërat e Isa Boletinit.Me të arritur në Pazarin e Ri,Isai organizon disa trupa dhe pa hedhur shumë pushkë merr në dorë qytetin duke lajmëruar Shemsi Pashën që brenda dy tri ditëve,Aqif Pazarin e duan të lirohet prej burgut.Regjimentet turke të Shemsi Pashës u vunë përballë një revolte që priste të shpërthente nga çasti në çast.Ky lum i madh trimash prej mijëra vetësh,kuptohet se kishte brenda gjoksit të tij,më tepër se merakun për jetën e një njeriu.Pikërisht këtë kuptuan pashallarët e Stambollit që ulën kryet me turp dhe lanë të lirë mikun e ngushtë të Isa Boletinit.

E ndërsa Shemsi Pasha,nuk le gurë pa lëvizur për të shtënë në dorë Isain,ky i fundit i rrethuar prej një grushti trimash,shkon shpesh në Mitrovicë dhe enkas del rrugëve si për t’iu kujtuar regjimenteve osmane se ky vend është shqiptar dhe këta janë gjallë,e s’mund të frigohen prej askërkujt.Edhe pse Turqia dhe Rusia e fillimshekullit vinin pas një lufte të gjatë me njera tjetrën,ato përsëri nuk do t’i rreshtenin pazaret në kuriz të tokave shqiptare.Një ndër këto pazare është padyshim,dërgimi i konsullit rus në Mitrovicë,me dekret të Portës së Lartë.Lajmi për këtë ra si rrufe në atdhetarët shqiptarë të cilët parashihnin një kujdes të madh të qeverisë osmane për elementët serb në Mitrovicë.Kështu në ditët e para të gushtit 1902,ndërsa ish hapur lajmi se në qytet do të vinte konsulli rus, zbret Isa Bolentini në qytet me ate hapin e madh e vështrimin krenar,me kuburen e qëndisur me serm dhe vështrimin prej shqiponje. Me të marr vesh për zymtinë e bashkëkombasve të vet,energjik siç ishte,krejt  i qetë dhe i vendosur ai thërret tellallin dhe diçka i shpjegon në pazar.Ky pas kësaj,nën tingujt monoton të goditjes së daulles thërret me zë të lartë ; “Asht urdhër i prerë i Isa Boletinit.Kena lidh nji besë e duhet me iu përmbajtë asaj.Kush bën konak për konsullin e Rusisë,në hotel,në shtëpi e kudo qoftë,ta dij fort mirë se neseret i del tymi !”.

Mund të tinullojë edhe si humor por me të dëgjuar tellallin,një hotelxhi i mjerë që pati strehuar konsullin rus,duke mos ditur as të komunikojë me të,vrapon në dhomë,i merr bagazhet dhe ja nxjerr jasht në rrugë.Më pas aty vinë disa autoritete të divizionit osman dhe i shpjegojnë gjithshka konsullit që habitej.Pastaj këto autoritete e marrin mikun e ardhur prej moske dhe duke e shoqëruar me dhjetra vetë e strehojnë në një gazermë të sigurtë për ta nisur të nesërmen me tren për në Shkup. Sipas gazetës “Zastava” datë 20 mars 1903,lidhur me këtë “incindent” të rëndë mësohet që Isa Bolentini të ketë thënë ; “Kjo është thjesht çështje politike.Shqiptarët nuk mund të pajtohen që në zemër të atdheut të tyre,ku nuk ka asnjë rus,të durojnë votrën e sllavizmit”.

E ndërsa shqiptarët kishin filluar të mbureshin me emrin e Isa Boletinit,të tjerë, ata që shihnin tek ai mitin e rezistencës shqiptare nuk mund të pranonin kësisoj realitetin..Vetë Cari i Rusisë i kërkon Sulltanit që pas asaj që ndodhi në Mitrovicë ku duhet të bëjë çështë e mundur që Isa Boletini të largohet prej andej qoftë edhe për pak kohë që të vihet në vend nderi i Perandorisë së Lindjes.Disa biseda me Shemsi Pashën nuk mund të ndryshpjnë asgjë në rrjedhën e jetës së Isa Boletinit. Madje në një rast,kur Shemsi Pasha i kujtoi shpërblimet e mëdha që i ofronte Porta e Lartë  , biri i Boletinit iu përgjigj se as gjyshi e as babai i tij por as ai e nip e stërnipërit e Boletinit,nuk do të vraponin pas kockave,por vetëm pas Shqipërisë.Sultani,duke parrë reputacionin në rritje të Isa Boletinit mendon ta mbaje me të mirë ate pasi çdo lloj lufte që mund ti hapte e parashihte të humbur.Bile ai nuk vonon edhe ta ftoje në Stamboll duke i premtuar se do të jetë në shtëpinë e tij dhe do të bisedojë shtruar për fatin e Shqipërisë.Mjeshtër i këtyre makinacioneve politike,Sulltani dërgon deri në kullën e Isait në Boletin,dy njerëzit e tij që sidoqoftë ishin edhe në miqësi të ngushtë me familjen e Isës. Këta ishin Adem Nikshiqi dhe Sulejman Begçegiçi të cilët kishin në zotërim pasuri të mëdha në Turqi dhe Kosovë.Ata gjithashtu i dhanë besën trimit të Boletinit se jeta e tij ishte e siguruar dhe pos të mirave për Kosovën asgjë nuk kish për të ndodhur.Ky i fundit,i prerë si gjithmonë në gjykimet dhe fjalët e veta,mbasi i pret miqtë me gjitha të mirat i thotë se mund të shkojë në Stamboll nëse në Mitrovicë,Shemsi Pasha rri urtë me shqiptarët dhe këtu nuk shkel asnjë këmbë, konsulli sllav të huaj. Sulltani pranon kushtet e Isës dhe ky i shoqëruar nga një grusht trimash niset për në Stamboll i përcjellë prej qindra bashkë atdhetarëve që ndërsa ndaheshin e porosisnin të kujdesej për vehten e të kthehej sa ma parë në Boletin.E vërteta është se në Stamboll,biri i Boletinit, fillimisht pritet me nderime e respekte të veçanta.Atij i sigurohen kushte të mira jetese madje i jepet një shumë mujore edhe për shpenzime të tjera që mund të përdoreshin për pritjen e miqve. Por qëllimi i vërtetë i vizitës,ai i një bashkëbisedimi lidhur me problemet e Kosovës nën Perandorinë e Osmane,nuk u arrit asnjëherë. Madje miqësia midis Sulltanit dhe Isa Boletinit erdhi duke u ftohur ngase padyshim ata mbronin të dy aspiratat e qëllimeve të kundërta. E thënë troç,këta të dy kishin shumë pak gjëra që i bashkonin dhe një mal të tjera,që jo vetëm i ndanin por nga çasti në çast mund t’i hidhnin në krahët e luftës.Sidoqoftë,Isa Boletini gjatë kësaj periudhe ka mbajtur një qëndrim disi miqësor ndaj Portës së Lartë.Por ai,ashtu si atdhetarë të tjerë shqiptarë,parashihnin tek qëndrimi i tyre,i butë ndaj Perandorisë një lloj ekulibri të domosdoshëm që i kërkonte në çdo kohë  rreziku prej bishës serbosllave.Ndaj edhe Isa Boletini,intuitivisht e kuptonte se marëdhëniet e tij me Portën e Lartë nuk do të mund të kishin një përfundim të gëzuar,por sidoqoftë këto mardhënie nuk do të hidheshin poshtë asnjëherë duke u zbuluar nga të dy krahët.Anipse koha e qëndrimit të tij në Stamboll ishte e gjatë,reputacioni i birit të Boletinit askurrë s’u përfol.Ishin qindra shqiptarë që shkonin në shtëpinë e tij,bisedonin e qanin hallet e Kosovës dhe merrnin zemër prej burrit të paepur e plot shpresa.Por edhe propaganda s’mund ta linte në periferi këtë trim të mbyllur prej Sulltanit në Stamboll.”Shkruajnë nga Shqipëria e sipërme se shqiptarët janë mjaft të turbulluar që s’u kthye kryetari i tyre,Isa Boletini,nga Stambolli.Kanë frikë se mos çohet syrgjyn në Anadoll e nuk kthehet më kurrë në atdheun e vet”.(“Le Temps” e Parisit, më 25 dhjetor 1902 ).

Duke parë se durimi i Isa Boletinit po mbarohej,me urdhër të Sulltanit,atij iu propozua të merrte titullin Pasha.Biri i Boletinit duke e kuptuar fort mirë “nderin” që po i bëhej nuk e pranon këtë titull por përkundrazi,i bën me dije njerëzit e oborrit se ai do të largohet sa ma shpejtë për në atdheun e vet.Madje,në një moment nervozizmi,kur i dërguari i Sulltanit,Tahsim Pasha po i thoshte se do të shohim punën e kthimit në Shqipëri,Boletini i tha prerë ;”Sote dy javë me kini në stacion trenit. Ose i hypi trenit i gjallë ose më zvarrisni të vdekur në Stamboll !”.Duke njohur karakterin e tij,pas disa ditësh,njerëz të oborit erdhën dhe i thanë se mund të largohej pasi kish urdhëruar mbi këtë çështje edhe Sulltani. Lajmi u hap si rrufe dhe ende pa shkelur këmba e tij në Mitrovicë,qindra shqiptarë u grumbulluan aty.Thirjet majëkrahi gjëmuan në Llap e Bajgorë,në Gjakovë e Vuçitërn duke dashur që gëzimi të ndahet në çdo vatër të Kosovës.

Po Ibri ? Ah Ibri,që vuan dhimbje edhe sot, edhe ai i përplasur i ka valët nëpër gurrë e shkrepa duke iu gëzuar kthimit të birit të Boletinit por edhe burrit të Shqipërisë.

“Vitin 1907,Isai e shkoi në qytetin e Mitrovicës duke u marrë me disa ngatërresa të vogla midis qeverisë dhe popullit… ose mosmarrjen rekrutëve që ishin të thirrur të shkonin në ushtri,të rinj që ishin pa ndihmes të tjerë në shtëpi dhe ishin mbledhur përdhunisht nga zyrat e rekrutimit.Kjo e rekrutëve bëri shumë bujë.Prindërit e të afërmit e tyre erdhën në Boletin dhe ju lutën Isait t’ua shpëtonte djemt.Ai hyri në zyrën e rekrutimit dhe u bind se qenë mbledhur djem të varfur,ligje e pa ligje,për të mushur si bedelë numërin e bijve të të pasurve dhe të bejlerëve.Ata i nxori nga zyra dhe i ktheu në shtëpi”.(S.Lucrasi,”Jetëshkrimi i shkurtër i Isa Boletinit,Rilindja 1972,Prishtin,fq 57

  Më pas trimin dhe të mençurin Isa Boletinin,do ta shohim jo vetëm si pjesmarës por edhe si burrë që i dëgjohet fjala,në kuvendin e korrikut,në Ferizaj më 1908..Ishte koha kur shqiptarët fillimisht e përkrahën vendosmërisht lëvizjen e Turqve të Rinj.Por më pas,ata e kuptuan se nëse faktor të tij,nuk shfrytëzohen për interessa kombëtare,asgjë s’do të buzëqeshe në fatin e Shqipërisë. Isa Boletini,duke njohur nga afër sëmundjen e Perandorisë,duke ndjekur zhvillimet e falë miqsisë me Ismail Qemalin do të mund të krijonte një barazpeshë në qëndrimet e tij si udhëheqës popullor,ndaj Portës së Lartë.Në kuvendin e Ferizajit,korrik 1908,trimi i Boletinit,së bashku me Bajram Currin,Sulejman Batushën,Idriz Seferin,Ramadan Zaskocin,Musa Miftarin e dhjetra burra të tjerë lidhën besën për të luftuar deri në fund kundra çdokujt “që donin me coptue Shqypninë !” .

Pos të tjerave në këtë kuvend historik u nënshkrua prej trimave shqiptarë një besë e cila kërkonte të ndalohej hakmarrja për gjashtë muaj dhe të luftohej pa dallim si kundër armiqve të huaj, ashtu edhe kundër tradhëtarëve të vendit.Por në të njejtën kohë,firma e Isa Boletinit është edhe në telegramin e datës 21 korrik 1908 që Kuvendi i Ferizajit i dërgoi Sulltan Hamitit, e në të cilën pos të tjerave i kërkohej këtij të fundit të vendosë regjimin kushtetues.Lidhur me këtë telegram,në kujtimet e tij,plaku Ismail Temali shkruan : “Ky telegram në mendjen e Sulltanit mbeti një mbresë me të të madhe se vetë protesta e Fuqive të Mëdha”.(“Rilindja” – Prishtinë,19 janar 1971 ).

Duke qenë ndër ideatorët dhe mbështetësit kryesorë të kuvendit të Ferizajit i cili me sa duket kërkonte të konkuronte të ardhmen e pavarur kosovare,Isa Boletini tanimë viret në shënjestër edhe të turqve të rinj.Ata e dënojnë me vdekje dhe janë vetë gazetarët e Beogradit që e deklarojnë hapur këtë.Por plumbi s’mund ta zinte kurrë trimin e maleve që mbante kurdoherë në shpirt vizionin  e një Shqipërie të pavarur.E nisur në kuvendin e Ferizajit,besa shqiptare për ndalimin e gjakmarjes po kthehej në një besë potenciale për të bashkuar gjokset dhe armët kundër armikut.Kjo tek e mbramja shuante shpresat e Portës së Lartë për qetsi në Shqipëri.Madje jo vetëm kaq,por fjalën e Haki Pashës në këshillin ministror,xhonturqit reaguan hapur dhe egërsisht.Vetë Haki Pasha Sedrazemi tha ;”Rreziku më i madh i Turqisë,nga gjithë kombet që jetojnë nën perandorinë tonë, janë shqiptarët.

Po fara ishte hedhur.Në shpërthim të çeljes së saj nuk ishte kujdesi i pakët i një kopshtari por aspirata e një populli të tërë,i cili duke parandjerë zgjimin e vet bashkoi mendjet dhe zemrat për të flakur tej një sundim.Beteja e Grykës së Caralevës,do të ishte një provë tjetër e besnikërisë së Isa Boletinit ndaj idealit madhor të lirisë së vendit të vet.Kështu në prillin e vitit 1910,kur sapo kishte nisur kryengritja e kosovës,Mahmut Shefqet Pasha,në krye të dhjetë mijë turqve vjen në Shqipëri.Tashmë për çdo Pashë të ardhur në Kosovë,ishte e qartë si pika e lotit që s’mund të bëjë kompromis me Isa Boletinin.Mahmut Shefqet Pasha,u kish deklaruar deputetëve të Stambollit se Isa Boletinin do ta sillte të lidhur tek Ura e Gallatës (Stamboll).Duke ditur vendqëndrimin e trimit shqiptar,pashai urdhëroi të kalonin forcat më të mëdha në Grykën e Caralevës dhe vetë, në krye të shtabit madhor drejtoi luftimet në këtë zonë.Beteja në Carralevë zgjati pak më tepër se dy javë.Ajo ishte e egër dhe në mjaft vende u zhvillua trup me trup.Mbase nuk duhet harruar se në disa çaste kritike,Isa Boletini ndërsa priste ndihma u tradhëtua prej Rustem Kabashit.Por edhe në këto çaste kaq të vështira,burri i Boletinit nuk u trondit aspak.Ai dijti të udhëheqe formacionet e luftëtarëve popullorë nën një strategji që e kish bazën tek mençuria shekullore shqiptare.Kjo u duk sidomos në fshehjen e trupave dhe të qëllimeve gjatë goditjes me artileri të Mahmut Pashës e mandej në goditjet e befta e plot sukses të trimave të kosovës.Ndërkaq këmbëngulja e shtabit ushtarak për mos ta lënë grykën e Caralevës,ishte mjaft e madhe.Pikërisht në këtë front dërgoheshin trupa të freskëta dhe me gjithë humbjet e mëdha  Mahmut Pasha nuk rreshte së hedhuri në sulm kontigjente të armatosura ushtarësh.Gazeta “Cetinjski Vjesnik” e atyre ditëve,e analizonte gjërësisht situatën në Grykën e Caralevës dhe duke u ndalur në vetitë e Isa Boletinit shkruante ; “Kundër kryengritësve shqiptarë,Porta u detyrua të dërgonte forca të reja,më të mirat e Perandorisë.Komandant supremi i Ushtrisë Turke ishte emëruar Mahmut Shefqet Pasha.Ai deklaronte se shpirti i tërë kryengritjes ishte Isa Boletini,dhe se vetëm kur të mposhtet ai,situata mund të jetë në duart e turqve.Taman për këtë arsye ushtria turke u vërsul si e marrë në Grykën e Caralevës.Nën kushtrimin e Isa Boletinit së shpejti në Caralevë u tubuan 15-20 mijë kryengritës…”.

E vërteta është se pas disa ditë luftimesh,kryengritësit shqiptarë u detyruan të tërhiqen nga Carraleva e megjithatë,për nga trimëria e tyre,për nga betejat ku mbetën të vrarë me qindra ushtarë e oficerë turq,Carraleva do të shërbente si nji gurë prove i qëndresës madhore shqiptare.Kjo grykë do të hynte në këngë së bashku me legjendën e gjallë Isa Boletinin.Vitet që rrodhën më pas e gjejnë Isain në ballë të përpjekjeve popullore për pavarsi të Shqipërisë.Djegja e shtëpive,përndjekja e egër që Porta i bëri Isës,e detyroi këtë të largohet prej vendlindjes e të vendoset në Mal të Zi.Autoritetet sllavo-malazeze,u përpoqën disa herë ta marrin me të mirë trimin e Boletinit,ata nuk harruan ti premtojnë çifligje e tituj,vetëm e vetëm për ta vënë në shërbim të tyre.I mençur prej natyre,Isa Boletini i pat kuptuar qëllimet e tyre të kahershme por zakonisht përgjigjet i jepte të prera,pa lejuar komente mbi to.Nënteksti ishte i qartë : jeta e tij ishte vetëm në shërbim të Kosovës.

Ai ka filluar tashmë të mbajë lidhje të ngushta me Ismail Qemalin,Bajram Currin,Hasan Prishtinën dhe Hasan Ferrin.Më tepër se lidhje miqësh,këto ishin lidhje trimash që parashihnin se vetëm duke qenë të bashkuar,si një trup i vetëm,do të mund t’i bënin ballë sundimit osman si edhe lakmive shovene të fqinjëve sllav.Një e tillë,ku u lidh besa për t’u ngritur në luftë krejt Kosova me gjith Shqipërinë,ishte kuvendi i Junikut.Në te muarrën pjesë ; Isa Boletini,Hasan Prishtina,Hasan Ferri,Xhemal Begu,Qerim Begolli,Niman Bala,Ibrahim Bajaraktari,Idriz Zeqo,Ibrahim Hoxha, Bajaram Mani,Bajram Curri,Sadri Azemi, etj.Tani në Besëlidhjen e Junikut merrnin pjesë pothuajse udhëheqës të kryengritjes popullore nga krejt trevat verilindore të Shqipërisë.Juniku u pasua me një veprimtari të ethshme mbarëkombëtare.Forcat kryengritëse të udhëhequra prej Isa Boletinit zhvilluan disa luftime në Prishtinë,Llap,Podujevë dhe Karadak të Gjilanit.Kudo,uragani i revoltës popullore shqiptare,mirrte përpara batalione e regjimente osmane të cilët duhet thënë se po parashihnin fundin e tyre pa lavdi.Gjithashtu falë organizimit ushtarak të Isa Boletinit e Bajram Currit,me 14 gusht 1912 edhe qyteti i Shkupit (kryeqyteti i Vilajetit të Kosovës) ra në duart e kryengritësve.Me datën 15 gusht,Idriz Seferi,Isa Boletini e Bajram Curri e dhjetra udhëheqës të tjerë,në krye të 3000 burrave të armatosur hynë triumfalisht në Shkup përmes një hareje të pazakontë.Me radhë pas Shkupit,pothuaj krejt trevat shqiptare të Kosovës u gjendën edhe përmes rrëmujës të krijuar prej paktit ballkanik por edhe nën ndikimin e një shprese që po lindëte.

Midis aleancës ballkanike dhe Turqisë,prijësit  popullorë shqiptarë zgjodhën luftën e armatosur për pavarsinë e trojeve etnike shqiptare.Mdje ata nuk nguruan të deklarojnë hapur qëllimin e tyre madhorë. Kështu me 14 tetor 1912,patriotët Nexhip Draga,Sali Gjuka dhe Bedri Pejani,në një telegram që u dërgonin Fuqive të Mëdha,shpreheshin qartë se shqiptarët  kishin rrëmbyer armët jo për të përforcuar pushtetin e Turqisë në ballkan,por për tu dalë zot trojeve shqiptare.Mbase nuk duhet haruar se pikërisht në këto momente,janë dy-tri përpjekje të autoriteteve të larta serbe të cilat duan të kompromentojnë karierën patriotike të Isa Boletinit.Por në asnjë prej bisedimeve ata nuk mundën t’ia arrijnë qëllimit.

Kësisoj për të ardhur në ditën fatlume të Shqipërisë ,më 28 nëntorin e vitit 1912.Plaku i urtë Ismail Qemali,duke ngritur flamurin në vlorë mes peripecive,kreu ndër aktet e rrallë të atdhedashurisë.

“Flamuri i kuq me shqiponjën dy krerëshe u ngrit në shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës,ku u zhvillua

Kuvendi,i cili zgjodhi Ismail Qemalin si kryetar të tij.Turma që priste në oborr dhe mbushte rrugët,këndonte këngë patriotike,valëviste flamuj të vegjël të përgaditur  më parë dhe grumbullohej përpara konsullatave të Italisë dhe Austrisë.Zoti Defacendis,konsull i mbretërisë dhe konsulli Leihanetz,kolegu i tij imperial,dualën në ballkon.Megjith shiun e imët që binte dhe pothuajse në erësirë ato u shprehën me fjalë të mira dhe inkurajuese”.

(Mid’hat Frashëri – “burimet e konfliktit italo-shqiptar”– “Mercyre De France , 1-VIII-1920)

Me 100 trima të Kosovës,Isa Boletini vjen në Vlorë një ditë pas ngritjes së flamurit dhe shpalljes së pavarsisë.Megjithatë nderet që i bëhen atij janë të mëdha.Ate e presin në hyrje të qytetit dhe ndërsa Isa ulet në gjujnë e puth flamurin,plaku Ismail Qemali i drejtohet njerëzve  duke iu thënë : “Ky bir i Kosovës më dha krahun dhe fuqinë!”. Një thënie sa profetike aq edhe e sinqertë.Më pas kur formohej kabineti i parë,në ditët e para të dhjetorit 1912,Ismail Qemali i propozon Isës,detyrën e Ministrit të Luftës.Por ky me ate autoritet dhe thjeshtësi i thotë se ndofta këto grada mund t’i shkojnë më tepër Mehmet Pashë Derallës.Biri i Boletinit e kishte gjetur përfundimisht vendin e vet. Ai ishte midis bashkëkombasve,në flakët e luftërave për pavarsi.

Më 1 prill 1913,kryetari i qeverisë provizore Ismail Qemali,niset për në Konferencën e Paqës,në Londër.Me vehte ai merr edhe Isa Boletinin,këtë hero të kryengritjeve të kosovës.A mund të merret ky fakt për rastësi ? Natyrisht që jo ! Me këtë akt,Ismail Qemali donte t’u tregonte Fuqive të Mëdha se Shqipëria s’mund të ndahej,se ajo ishte një, e tërë.Në këtë udhëtim dy burrave trima u pret rrugën në Milano,emisari serb Zhirojen Ballukçiç i dërguari i posaçëm i Pashiçit.Pos të tjerave,Ballukçiç u kërkon prijësve shqiptarë që në Londër ata të pranonin propozimin serb për kufijtë mes tyre dhe të shihnin mundësinë e zgjedhjes së një princi serb si monark të Shqipërisë.Pasi Ismail Qemali I dha emisarit serb përgjigjen e duhur diplomatike,ishte Isa Boletini që me ate lakomizmin karakteristik e përfundoi bisedën : “Serbia do të pendohej keq,po të këmbëngulte të pushtonte Kosovën,sepse ajo popullsi nuk do të pushojë kurrë luftën e saj për liri “.

Në londër,dy burrat shqiptarë u përpoqën të sensibilizonin sa ma shumë opinjonin botëror për kufijtë dhe fatin e Shqipërisë.Ata u pritën prej personaliteteve të shumta deri tek sir.Eduard Grej, ministër i punëve të jashtme i Britanisë dhe kryetar I Konferencës së paqës,pas luftës Ballkanike.Tafil Boletini e përshkruan kështu takimin ;

“Deri të lirohet nga armiqtë grabitqare,Kosova s’ka me ndejet e qetë”kish thënë axha Is. Dhe ser.Eduard Grej,ju ka përgjigjur kështu ; “Për fat të keq,na nuk kemi pas njoftime të duhura për kufijtë e Shqipërisë.Por nëqoftëse këtej e mbrapa viren në diskutim këta,ju,duke pas miq si Herbertin me shokë,keni me pa se kush janë anglezët”.Më në fund e pyet axhën Isë.; Nga ç’vendi i kosovës jeni ju ? “Jam nga Mitrovica “ i përgjigjet ky. Grej e shikon hartën dhe thotë ;” sikur të kishte qenë Mitrovica afër vijës së kufirit me çdo përgjegjsi do t’ia vija një vijë,por qenka shumë thellë,bash në periferi ekstreme”.Axha i thotë ; “Nuk jam ardhur këtu vetëm për Mitrovicën,por për çdo pëllëmbë toke Shqiptare”.(Tafil Boletini “Pranë Isa Boletinit” kujtime faqe 161 – 162 ).

Po në Londër,isa Boletini do t’u deklarojë disa gazetarëve të huaj se “Nëse Evropa nuk do ta zgjedhë drejt çështjen e kufijve të Shqipërisë,ballkani nuk do të ketë kurë qetësi.Ne shqiptarët nuk marrim asnjë barë përsipër për luftërat që do të shkaktohen në të ardhmen,në saje të zgjidhjes jo të drejtë të kësaj çështje “.

Fundi i vitit 1913 dhe fillimi i vitit 1914-ës,do të turbullonte keqaz varkën shqiptare e cila notonte,në një det plot dallgë e rreziqe.Grekët në jug,digjnin Korçën e Gjirokastrën,serbët kishin ardhur në Librazhd,ndërsa Malazezët synonin të zbrisnin në Shkodër.Sikur të mos mjaftonin këto, të ardhmes shqiptare i bënin prita për ta vrarë edhe tradhëtarë të tipit Esat pashë.Ky zhvilloi disa biseda për të bindur Isa Boletinin që të braktiste Ismail Qemalin,por pa dobi.Më pas,Esati u lidh me serbët e malazezët të cilët pa dyshim i premtuan një Shqipëri të vogël për të kënaqur oreksin e tradhëtarit të vendit të vet. Në bazë të një plani të fshehtë me gjeneralin Veshoviq,forcat esadiste dhe ato serbe sulmuan Morinën.Të mbështetur prej artilerisë serbe,këto forca filluan një masakër të pashembullt duke djegur shtëpi e vrarë njerëz të pafajshëm.Sërish Isa Boletini jep kushtrimin dhe duke bashkëvepruar me Bajram Currin,bëjnë ç’është e mundur që të ndalet mizoria serbe.Ata janë gjithashtu në mbrojtje të forcave demokratike në Shqipërinë e mesme e cila u kërcënua realisht prej lëvizjes së Haxhi Qamilit. Kësisoj për të ardhiur deri në vitin 1915,kur Isa Boletini gjendet në Shkodër i lodhur luftërash dhe i dërmuar fizikisht e moralisht.Shkodra aso kohe ishte gati e pushtuar prej malazezëve.Isa duke kujtuar armiqsitë e vjetra të tij me krajlët serb e malazez,duke menduar edhe për fatin e rreth 100 trimave që i rrinin pranë,mendon të kërkojë ndihmën e qeverisë Franceze.Menjëherë sapo kërkon takim me konsullin frances në Shkodër,Bikok,ky e pret dhe i premton se diçka do të bëjë.Pas disa ditësh,Bikok, e nis Isa Boletinin me disa të afërm (djem e nipër të tij) për në Cetinjë duke pretenduar se më pas qeveria franceze do t’i stabilizoj në një vend neutral.

Po këtu kishte filluar odiseja e një udhëtimi që padyshim do të përfundonte tragjikisht.Prej Cetinje,ku malazezët u orvatën dy herë për ti bërë atentat,Isa Boletinin e çuan në Danilograd.Edhe këtu masat e sigurisë ishin tepër të rrepta.trimi i Boletinit ishte gati i burgosur megjithëse në kohën më të madhe,i sëmurë në shtrat.me 23 janar 1916,në derën e shtëpisë ku dergjej i shtrirë Isa , troket fort. Dy xhandarë kërkojnë që Isa të paraqitet në prefekturë pasi e kërkojnë autoritetet e vendit.Ndërsa ishte duke kaluar mbi urën e lumit Ribnice,Isa Boletini vështron lëvizje të mëdha xhandarësh.Me sa duket diç parandjen por tashmë ura mbahet e rrethuar dhe aty nuk lënë njerëz të tjerë të kalojnë.Thirjes së xhandarëve për të dorëzuar armët,biri i Boletinit i përgjigjet me zjarr. Kënga thotë :                                           Krisi pushka në pazar

                                                                 Lufton Isai si Shqiptar

                                                                 Se ç’u bë ky nam beteri,

                                                                 Podgoric të mloi jezeri

                                                                 U ba pushk e gjimon prroni

                                                                 Po lufton Isa dragoni,

                                                                 Lufton rreptë e lufton randë

                                                                 Mbet dëshmor,po vet i nandë…

Isa Boletini ra me dhjetra plagë në trup.Kaq e egër kish qenë urrejtja për te.Ky bir e udhëheqës i madh i Kosovës martire,po rrëzohej qindra kilometra larg vendlindjes së tij ashtu si ai lisi me degë mbi të cilën rrënon bora e fortuna.Lajmi u përhap menjëherë.Në Boletin në kullat e djegura,dhimbja endej si një zog malli i përjetshëm.Në Vlorë labërit u mblodhën  dhe e vendosën ate në këngë.Në Shkup e Shkodër,mbajtën zi për birin e tyre.Emri i Isa Boletinit endet sot në çdo kujtesë guri e bari të vatrave shqiptare.Ajo kujtesë ende valvitet në shpirtin e shqiptarit,si pallët e flamurit në frontin e Lirisë.

Bern-Zvicër  

Filed Under: Histori Tagged With: antiserbe, Isa Boletini, simbol i qendreses

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT