• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2012

NDAHET NGA JETA “BABAI” I SPELEOLOGJISE SHQIPETARE

December 18, 2012 by dgreca

 Ditën e hënë, më 17 dhjetor 2012, u nda nga jeta Prof. Gezim Uruçi dhe padyshim njëri nga speleologët më të shquar në historinë e sepeleologjisë shqiptare./

 NGA RAJMONDA MOISIU/

 Profesor Uruçi konsiderohej nga të gjithë si “babai” i speleologjisë në vendin tonë, gjë të cilën ai e kishte vërtetuar më së miri.Profesor Gëzim Uruçi, ishte vetëm 5 vjeç, kur në vitin 1950 së bashku me babanë e tij, zbuluan shpellën e Gajtanit pranë fshatit Gur i Zi në Shkodër. Ky ishte vetëm fillimi i një pasioni të madh në fushën e speleologjisë për shkodranin Gëzim Uruçi, i cili konsiderohet si eksploratori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. 62-vjeçari është eksplorues i rreth 3200 shpellave në të gjithë botën dhe mban titullin Profesor Honoris në shkencat speleologjike. Ndonëse 12 vjet më parë një sëmundje e la invalid, ai me një përpjekje mbinjerëzore e mposhti atë. Edhe pse me paterica, Uruçi është pjesë aktive e ekspeditave ndërkombëtare. Shkodra njihet si qyteti që ka nxjerrë emra të shquar në fushën e artit, kulturës dhe të shkencës. Një prej tyre është Gëzim Uruçi. Në vitin 1994, Unioni Internacional i Speleologjisë në Bruksel i dha titullin Profesor; Federata Bullgare e Speleologjisë dhe Unioni Internacional i Astronomisë, e kanë nderuar me medalje; më 1994, në Spanjë iu dha çmimi “Juri Gagarin”.
Ndërsa më 2001, Instituti Biografik i Kembrixhit e përfshiu ndër intelektualët më të shquar të botës. Uruçi është përfshirë në 8 enciklopedi ndërkombëtare, ku e fundit është ajo e vitit 2006 (enciklopedia e speleologjisë së Bullgarisë). Aktualisht, 62-vjeçari që nderoi e nderon qytetin e tij të lindjes dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, merr pjesë çdo vit në mjaft konferenca ndërkombëtare.

 / Pasioni për Speleologjinë/

 Gëzim Uruçi, pasionin për zbulime e kërkime e ka trashëguar nga babai i tij, Myftar Uruçi. Ky i fundit, i diplomuar në Perëndim, në vitin 1936, krijoi në Shkodër me disa shokë të tij, shoqërinë e bjeshkatarëve e shpellarëve, si pjesë e shoqërisë “Vllaznimi”. Po nga babai, Gëzimi trashëgoi dhe pasionin për alpinizmin. Në vitin 1970, ai krijoi grupin e parë të speleologëve shqiptarë. Por sipas urdhrit të dhënë nga qeveria e asaj kohe, ky grup speleologësh duhet të shkonin vetëm në disa shpella për eksplorim, si në atë të Jubanit dhe Zhylës në Shkodër; Pirogashit në Jug dhe e Piratëve në Dhërmi. Zhvillimi i speleologjisë do i çonte arkeologët në zbulime të rëndësishme; si mbishkrime të lashta; instrumente litikë; piktura neolitike, siç janë ato në shpellat e Dukagjinit e Kelmendit në Shkodër; në shpellën e Trenit në Korçë; në shpellat e Karaburunit; Dhërmiut e Himarës. Në vitin 1972, zbulimet e tij bëhen prezent në Akademinë e Shkencave, ku Gëzim Uruçi pranohet si bashkëpunëtor për speleologjinë, ndërsa punonte si teknik i mesëm në uzinën mekanike “Drini” në Shkodër.

    /  Rreziqet/

 Eksplorimet në shpellën e Gjolajve në Bratosh të Bajzës, atë të Bijës së Husit në Bogë, shpellën e Majës së Harapit në Theth, shpellat e Konispolit e Karaburunit, janë ato që kanë lënë dhe mbresat më të pashlyeshme tek speleologu Uruçi. Duke rrëfyer për emocionet dhe rrezikshmërinë, ai tregon se mjetet që përdoreshin ishin mjete primitive empirike, pasi mungonin pajisjet e posaçme dhe teknika përkatëse. “Këto mjete prodhoheshin nga ne, si gozhdët për shkëmbinj, ganxhetat, shkalla prej litari etj. Përdornim dhe mjetet e alpinizmit. Për kaskë mbrojtëse merrnim kapele minatorësh, të cilat i gjenim privatisht me anë të lidhjeve shoqërore e miqësore me minatorë”, – tregon 62-vjeçari. Ai thotë se ishte tepër e rrezikshme futja e lëvizja nëpër hapësirat e sifoneve, të cilat janë gropa në formë omega, si vezore të mbushura me ujë, në pozicione të ndryshme nën tokë, në thellësi 150-300 m. “Të gjitha pajisjet e zhytjes prodhoheshin nga ne. Maskat e fytyrës i bënim me lozen e gomave të vjetra të makinave, të cilat nuk përdoreshin më. Tek sytë vinim xham të zakonshëm si dhe faqet gominash të makinave Çentauer. Tubat lidhës i modifikonim me tuba gome të ndryshëm, dhe këto i bënim në fshehtësi. Kjo për faktin se nuk lejohej përdorimi tyre, pasi mund të përdoreshin për arratisje”, – rrëfen Uruçi. Sipas tij, disa prej këtyre mjeteve ruhen dhe sot në muzeun e tij privat. Gëzim Uruçi tregon se të dhënat që grumbullonin ia dorëzonin Akademisë së Shkencave. Në mjaft raste të studimeve, anëtarët e kësaj akademie u referoheshin të dhënave të tyre (speleologëve).

      / Apartamenti Muzè/

 Shtëpia ku jeton Gëzim Uruçi së bashku me familjen e tij ndodhet në katin e pestë të një pallati në qytetin e Shkodrës, por ajo mund të quhet mjaft mirë një muze i arkeologjisë e speleologjisë, një qendër studimore ku arkivi, fototeka e biblioteka kanë zënë çdo hapësirë. Në çdo mur të apartamentit të tij shikon të ekspozuara objekte të gjetura në shpella apo gërmime arkeologjike. Ai ruan në arkivin e punës së tij (fototekë) filma dhe foto të bëra me teknikë dixhitale, rreth 1.300.000 të tilla të skeduara me indeks shkencor sipas sistemit të fototekës ‘Marubi’. Thuajse gjysma e tyre i përket studimeve speleologjike, me foto bardh e zi dhe kolor, ndërsa ka dhe mjaft diapozitiva. Edhe biblioteka e tij personale është ndër më të mëdha të biblioteka private, ku përfshihen mjaft literature për gjeografinë dhe speleologjinë. Lidhur me bibliotekën e tij personale, Uruçi sqaron se në vitin 1990 ka pasur oferta nga shteti i atëhershëm për t’ia dhuruar atij, kundrejt një këmbimi qesharak (do e dërgonin të punonte mësues në një fshat afër Shkodrës). Madje pas 1990-ës nuk i kanë munguar dhe interesimi për arkivin e tij nga universitete të huaja që kanë afruar çmime të pëlqyeshme, por që janë refuzuar, pasi dorëzimi i kësaj pasurie për Uruçin do të thotë të tradhtojë pasionin e jetës së tij si dhe traditën e familjes. Vetëm letërkëmbimi i familjes dhe i tij përmban rreth 13.000 letra në 18 gjuhë të ndryshme të botës, ku nuk mungojnë ato me 70 universitete të huaja dhe 30 akademi. Literatura që ka biblioteka familjare e tij, i përket fushave të etnografisë, astronomisë, arkeologjisë, speleologjisë, muzikës empirike, mjekësisë antike etj. Për të sistemimin e ruajtjen e kësaj pasurie e ndihmon dhe vajza e tij.

 

 

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ndahet nga jeta, Prof. Gezim Uruci, Raimonda Moisiu

SOFRA E DIELLIT- HAPUNI PORTA TË KOMBIT TIM !

December 18, 2012 by dgreca

 NGA VULLNET MATO/
 
Hapuni, në çdo kanat, o porta të lashta të kombit tim!/
Se na thërret të gjithëve nënëmadhja jonë arbërore,/
të ribashkohemi si bijtë e saj të zanafillës në krijim, /
këtë fillim shekulli, kur po afrohen shpirtrat njerëzore! /
 
Hapuni, o porta të rënda të kohës së hershme të gurit,/
porta iliriane të gdhendura nga trungjet e fortë të lisit,/
porta mesjetare të rrethuara me avllitë e larta të murit,/
porta qëndrese me frëngjitë e kullave vigjiluese të fisit!/
 
Hapuni, të dalim në oborret me diell për të pritur nusen,/
mbi kalin e bardhë me bajrakun e shqiponjës dykrenore,/
të festojmë sa të gjëmojnë malet nga daullet shungulluese,/
të pimë dollitë me njëqind shëndete në sofrat vëllazërore! /
 
Hapuni, o porta kosovare në Veriun e Eposit kreshnik,/
porta çame në Jugun e valles magjike të Osman Takës,/
porta shkupjane ku majëmalet ndrisin më herët në agim,/
porta ulqinake ku dielli perëndon mes kuqëlimit të flakës!/
 
Hapuni, të çlodhemi në dy dete e në dy burime të Drinit,/
të çmallemi me vëllezërit tanë në të katër stinët e motit,/
të dëfrejmë së bashku nga Pramëthia në brigjet e Ulqinit,/
të na puthen të rinjtë në të katër puthitjet e horizontit!/
 
Hapuni, porta mikpritëse për gjithë miqtë e këtij vatani,/
vështrimin e penguar ta hedhim më së fundi gjerë e gjatë!/
Se ndarja me hanxhar e trojeve nga kasapët e Ballkanit,/
nuk ndodh më kurrë në këtë tokë ku jemi krijuar bashkë./
 
Hapuni, në çdo kanat, o porta të lashta të kombit tim!/
Se na thërret të gjithëve nënëmadhja jonë arbërore,/
të ribashkohemi si bijtë e saj të zanafillës në krijim, /
këtë fillim shekulli, kur po afrohen shpirtrat njerëzore! /

E dergoi per Diellin vete autori. E falenderojme.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Hapuni Poreta, te Kombit Tim, Vullnet Mato

SHBA: 31 TRAGJEDI NE 13 VJET NGA TE SHTENAT ME ARME ZJARRI NE MASE

December 18, 2012 by dgreca

Njëra nga dy tragjeditë më të rëndat është ajo që ndodhi më të premten në mëngjes, më14 dhjetor 2012 , ku mbeten të vrarë 27 persona të cilët u qëlluan dhe u vranë në një Shkollë Fillore Sandy Hook në Newtown, Connecticut , në mesin e tyre 20 fëmijë të moshës 5 deri në 10 vjeç./

 NGA BEQIR SINA, New York/

 Të premten në mëngjes, më14 dhjetor 2012 , 27 persona u qëlluan dhe u vranë në një Shkollë Fillore Sandy Hook në Newtown, Connecticut . Sipas burimeve, 20 prej këtyre viktimave ishin fëmijë të moshës nga 5 deri në 10 vjeç. Kjo është një ndër dy ngjarjet më të rëndë në historinë e të shtënave masive në shkollat në SHBA. Duke iu referuar ngjarjes më të fundit kur Adam Lanze 21 vjeç pasi vrau nënën e tij në shtëpi, shkoi në shkollën fillore Sandy Hook dhe vrau 27 fëmijë dhe anëtarë të stafit të shkollës(mësueset)  dhe më pas vrau veten, është ngjarja e 31 të, që ndodhë në historinë e hapjes së zjarrit me armë në masë në Shtetet e Bashkuara.

     Sipas raporteve që ka nxjerrë shtypi amerikan këto ditë pas ngjarjes së fundjavës së kaluar nga nga 31 aktet të tilla ndaj atyre që kan ndodhur në shkollat në SHBA kjo është më e madhja që nga viti 1999 në Shkollën e Mesme  Columbine kur 13 vetë u vranë, nga të shtënat e pakuptimta.   Raportet tregojnë se shkalla e njerëzve të vrarë nga armët e zjarrit në duart e njerëzve SHBA është 19.5 herë më e lartë se nga vende të ngjashme me zhvillimin në botë. Në 30 vitet e fundit që nga viti 1982, Amerika ka mbajtur zi të paktën për 61 vrasje masive.

Më poshtë është një afat kohor 13 vjeçarë të vrasjeve në masë pas të shtënave me armë zjarrin në SHBA të cilat janë nxjerrë nga ajo që ndodhi në masakrën Shkollën Columbine High School:
11 dhjetor 2012. Të martën, 22-vjeçari  Jacob Tyler Roberts ka vrarë 2 persona dhe veten e tij me një pushkë vjedhur në qendër të qytetit Clackmamas në Oregon. Motivi i tij është i panjohur.
27 shtator 2012. Pesë veta u qëlluan për vdekje nga 36-vjeçari Andrew Engeldinger në Accent Signage Systems në Mineapolis, Minnesota . Tre të tjerë u plagosën. Engeldinger qëlloi në masë me armëzjarri i “egërsuar” pas humbjes së punës së tij, në fund të fundit duke vrarë edhe ai veten.

5 gusht 2012. Gjashtë anëtarë të një tempulli sik, u vranë kur 40-vjeçari veteran i ushtrisë amerikane Wade Michael Page hapi zjarr në një ditë të shenjët të tyre në Oak Creek, Wisconsin. Katër të tjerë u plagosën, dhe Page më pas vrau veten.
20 korrik 2012. Gjatë premierës së mesnatës të filmit The Dark Knight Rising  në Aurora, Colorado, 24-vjeçari Jejms Holms la të vranë 12 persona dhe plagosi 58 të tjerë. Holmes u arrestua jashtë teatrit.
29 maj 2012.. Ian Stawicki hapën zjarr mbi lokalin Racer Espresso Cafe në Seattle, Washington, duke vrarë 5 vetë dhe pas vetveten.
6 prill 2012. Jake Egland, 19 vjeç, dhe Alvin Watts, 32 vjeç, qëlluan me motive racore 5 burra të zinjë në Tulsa, Oklahoma, nga të shtënat  tre vdiqën.
2 prill 2012. Një ish-student, 43-vjeçari One L. Goh ka vrarë 7 persona në Oikos University, një kolegj i Krishter Korean  në Oakland, California. Të shtënat ishin vdekjeprurëse gjashtë të vdekur nga masakra e shkollës në SHBA dhe ishte sulmi i dytë vdekjeprurëse në një shkollë të lartë që nga viti 2007 masakrës Virginia Tech.
27 shkurt 2012. Tre studentë u vranë nga po i njëjti studentë i asaj shkolle i cili quhej Thomas “TJ” Lane,  në një protestë në Shkollën e Lartë në Chardon Chardon, Ohaio. Tre të tjerë u plagosën.
14 tetor 2011. Tetë persona kanë vdekur nga të shtënat në një sallon e flokëve – Salloni Meritage në Seal Beach, California. I armatosuri, ishte 41-vjeçari Scott Evans Dekraai,  gjashtë gra dhe dy burra mbeten të vdekur, ndërkohë që vetëm një grua ka mbijetuar. Kjo ishte vrasja më vdekjeprurëse në Orange County në të shtënat e pakuptimta në masë.
6 shtator 2011. Eduardo Sencion, 32 vjeç, hyri në një restorant IHOP në Carson City, Nevada dhe e qëlloi 12 njerëz. Pesë vdiqën në vend, duke përfshirë edhe tre anëtarë të Gardës Kombëtare.
7 korrik 2011. Shtatë persona u qëlluan për vdekje, kur Rodrick Dantzler sqëlloi në një tubim në Grand Rapids, Mchigan. Ai vrau ish-të dashurën e tij, motrën e saj, dhe vajzën 10-vjeçare të motrës së saj, ish-gruan e tij dhe vajzën e tij para se të vriste veten

8 janar 2011. Ish kongresistia demokrate e Arizonës Gabby Giffords u qëllua në kokë, kur 22-vjeçari Jared Loughner hapi zjarr mbi një turmë njerëzish në një miting elektoral  në një qender tregtare në Safeway në Tucson, Arizona. Gjashtë njerëz vdiqën, përfshirë  Gjykatësin e Përgjithshëm të Qarkut –  Gjyqtarin Roll John, një prej anëtarëve të stafit Giffords ‘, dhe një vajzë 9-vjeçare. 19 veta gjithsej u qëlluan nga të shtënat e pakuptimta. Loughner është dënuar me shtatë herë dënim me vdekje plus 140 vjet, pa kusht.
3 gusht 2010. Omar S. Thornton, 34 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në Distributorin e Birrës në Hartford  në Manchester, Connecticut , pasi  u kapë duke vjedhur birrë. Nëntë u vranë, duke përfshirë Thornton, dhe dy të tjerë u plagosën.

5 nëntor 2009. Dyzet e tre persona u qëlluan nga një psikiatr i ushtrisë amerikane Nidal Malik Hasan në bazën ushtarake Fort Hood në Teksas. Hasan thuhet bërtiti “Allahu Ekber!” para hapjes së zjarrit, duke vrarë 13 ushtarë dhe duke plagosur 29 të tjerë.

3 prill 2009. Jiverly Wong, 41 vjeç, hapi zjarr në një qendër emigracioni në Binghamton, New York para se të kryete vetëvrasje. Ai vrau 13 persona dhe la 4 të plagosur.

29 mars 2009. Tetë persona kanë vdekur nga të shtënat në Qendrën Pinelake të Shëndetësisë dhe Pinelake dhe Shërbimit Shëndetësor të Rehabilitimit në Carthage, North Carolina. I armatosur, ishte një 45-vjeçar i quajtur Robert Stewart, i cili tha se ishte motivuar nga që punëdhënësit kishin larguar gruan e tij nga puna dhe e kishin ngacmuar sipas tij. Stewart u dënua me burgim të përjetshëm.

14 shkurt 2008. Steven Kazmierczak, 27 vjeç, hapi zjarr në një sallë leksionesh në pjesën veriore të Illinois University, duke vrarë gjashtë persona dhe plagosur 21 të tjerë. Njeri i armatosur e qëlloi atë dhe e vrau më pas ai vrau veten para se policia arriti. Ajo ishte ngjarja e pestë-vdekjeprurëse nga të shtënat në universitetet në historinë e SHBA.

7 shkurt 2008. Gjashtë njerëz kanë vdekur dhe dy të tjerë u plagosën në një sërë të shtënave në sallën e Pallatit të Sportiti të qytetit në Kirkwood, Missouri. I armatosur, ishte Charles Lee Thornton, i cili hapi zjarr gjatë një takimi publik, pasi ati i ishte mohohuar kontrata për ndërtimet në qytet qëai besonte se i takonin atij .Thornton u vra nga policia.

5 dhjetor 2007. Një 19-vjeçar, Robert Hawkins, qëlloi në një dyqan në qendër  të qytetit Westroads në Omaha, Nevada. Hawkins vrau 9 njerëz dhe la 4 të plagosur para se të vriste veten. Ai përdori një armë pushkë gjysmë-automatike të cilën ai e kishte vjedhur nga shtëpia njerkut të tij.

16 prill 2007. Kampusi i Universitetit Virginia Tech u bë vendi i të shtënave vdekjeprurëse të shkollës në historinë e SHBA, kur një student, me origjinë koreane Seung – Hui Choi, hapi zjarrë të pakuptimtë me armë duke shtënë ndaj 56 njerëz. Tridhjetë e dy persona vdiqën në masakrën.

12 shkurt 2007. Në Salt Lake City supermarketi Trolley Square Mall, një person hapi zjarrë dhe vrau 5 persona dhe 4 të tjerë u plagosën nga 18-vjeçari Sulejman  Taloviç. Një nga viktimat ishte një 16-vjeçarë.

2 tetor 2006. Një mirëmbajtës shkolle i racës Amish në Lancaster, Pennsylvania  u qëllua për vdekje nga 32-vjeçari Charles Carl Roberts , Roberts ka ndarë duke detyruar ata  djemtë nga vajzat,  dhe ka nisë të shtënat duke vrarë vetëm vajzat. 5 vajzat e reja vdiqën, ndërsa 6 djem të tjerë u plagosën. Roberts ka kryer vetëvrasje më pas.

25 mars 2006. Shtatë vdekur dhe 2 të tjerë u plagosën nga 28-vjeçari Kyle Aaron Huff Kyle në një serë të të shtënave të pakuptimtë në Capitol Hill në Seattle, Washington. Masakra ishte vrasja më e keqe në Seattle që nga viti 1983.

21 mars 2005. Një i ri i quajtur  Jeffrey Weise ka vrarë gjyshin e tij dhe të dashurën e gjyshit të tij përpara se të hapet zjarr mbi  një turmë nxënësish të shkollës së mesme Red Lake Senior High School, duke vrarë 9 persona dhe plagosur në kampus 5 të tjerë. Weise më pasë vrau veten.

12 mars 2005. Në Kishën “Të jetosh me Perëndinë” u qëllua për vdekje nga 44-vjeçar prifti i Kishës Tarry Ratzmann Michael në një hotel Sheraton në Brookfield, Wisconsin . Ratzmann  mendohet të ketë pasur motive fetare, për këtë akt dhe vrau veten pas ekzekutimit të pastorit, djalin e tij 16-vjeçar të pastorit, dhe 7 të tjerë.Katër të tjerë u plagosën.

8 korrik 2003. Doug Williams, një punonjës i kompanisë Martin Lockheed, qëlloi në fabrikë e tij në Meridian, Missouri në një tërbim i motivuar nga ndjenja racore. Ai qëlloi 14 persona, shumica e tyre afrikano amerikan, shtatë mbeten të vrarë  përpara se ai të vriste veten.

26 dhjetor 2000. Punonjësi i kompanisë Edgewater Teknologji Michael “Mucko” McDermott ka qëlluar dhe ka vrarë shtatë bashkëpunëtorët e tij në zyrën në Wakefield, Massachusetts . McDermott jetonte me fantazi u tha sepse se ai kishte deklaruar se “kishte udhëtuar me në kohë dhe mendonte për të vrarë Hitlerin dhe gjashtë nazistët e fundit .” Ai u dënua me 7 fjali rresht(7 herë) të dënimit me vdekje.

15 shtator 1999. Larry Gene Ashbrook hapi zjarr në një koncert rock ndaj një turme besimtarësh të krishterë tubim  lutje të rinjësh në Wedgewood Kisha Baptiste në Fort Worth, Teksas. Ai vrau 7 persona dhe u plagosën 7 të tjerë, pothuajse të gjithë adoleshentët. Ashbrook më pasë ka kryer vetëvrasje.

29 korrik 1999. Mark Orrin Barton, 44 vjeç, vrau gruan e tij dhe dy fëmijë me një çekiç para se të niste nga një akti i pakuptimtë ku nga të shtënat  dy ditë i fshehur pas qendrave tregtare qëlloi në njërëz të pafajshën në Atlanta . Barton, një tregtar  besohet të jetë motivuar nga humbje parave me shuma  të mëdha . Ai vrau 12 vetë duke përfshirë edhe familjen e tij dhe plagosi 13 përpara se të vriste veten.

20 prill 1999. Prej të shtënave vdekjeprurëse të shkollës së lartë janë të parat e këtij lloji në historinë e SHBA, kur dy adoleshentët Eric Harris dhe Dylan Kiebold kan qëlluar në masë në shkollën e mesme Columbine High School  në Littleton, Colorado Ata vranë 13 persona dhe plagosën 21 të tjerë. Ata vranë veten pas masakrës.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina. 31 tragjedi, ne 13 vjet, ne SHBA

DITA NDERKOMBETARE E BAMIRESISE MERR EMRIN”NENE TEREZA”

December 18, 2012 by dgreca

TIRANE- Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur 5 shtatorin, ditën kur u shua e lumnuara Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikes se shqiperise përmes një deklarate për mediat e ka përshëndetur këtë vendim, me te cilin, sipas saj, vendet anëtare të OKB-së, duke njohur e vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të akteve të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore, i bëjnë një homazh të merituar aktivitetit e trashëgimisë së Nënë Terezës, e njohur ndërkombëtarisht dhe e vlerësuar botërisht për përkushtimin dhe punën e saj gjatë gjithë jetës në ndihmë të të sëmurëve, të varfërve e njerëzve në nevojë.
“Rezoluta, duke inkurajuar aktet e bamirësisë, bën thirrje që më 5 shtator, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, organizatat e Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile, si dhe individët, të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë. Shqipëria ishte një nga vendet kryesore sponsorizues të kësaj rezolute dhe Misioni ynë në Kombet e Bashkuara pati një rol kyç në miratimin me konsensus të saj. Nëpërmjet një lobimi të fuqishëm, rezoluta arriti të marrë bashkësponsorizimin e më se 20 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara”,- thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Filed Under: Kronike Tagged With: Dita nderkombetare, e Bamiresise, merr emrin, Nene Tereza

FAN S.NOLI: JA SI U TAKOVA ME FAIK KONICEN

December 18, 2012 by dgreca

E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurrë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij. Unë mbeta i shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja nnjë mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare.
Ndonëse nuk kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave. Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica ishte i gjatë e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica.Meqë ra fjala, lexuesi mund ta gjejë në librin e Konicës ndryshimin ndërmjet kostumit grek dhe veshjes shqiptare: është e vërtetë se grekët e kanë përshtatur nga shqiptarët, por ata u përpoqën ta stërhollojnë sa që e bënë një veshje grash me aq sa mundën. Veshja e Konicës nuk ishte e vetmja gjë që më habiti.
Thjesht mbeta pa mend, kur ai nisi të më “mësonte” për çdo gjë në botë. Ishte njeri me kulturë të lartë. Gijom Apoliner, një shkrimtar dhe mik i tij, e ka quajtur “enciklopedi shëtitëse” që e fliste frëngjishten si një francez. Një shkrimtar tjetër, Zhyl lë Metrë, ka shkruar për të: “Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë”.Si studiues i pasionuar i muzikës, Konica e adhuronte shumë Vagnerin. Një nga gjërat e para që bëri ai pasi u takuam, ishte të më tregonte për Vagnerin dhe operat e tij. Me këshillën e tij e pashë përherë të parë Parisfalin, kur u dha më 1910 në Boston. Në varrimin e tij, tridhjetë vjet më vonë, duke e ditur se sa shumë e donte Vagnerin, iu luta organistit të luante muzikën e Vagnerit nga kreu deri në fund.Ka disa fakte që mungojnë në librin e papërfunduar të Konicës, fakte për Shqipërinë, që i kam mësuar prej tij. Për shembull, Konica flet për krenarinë e malësorëve shqiptarë. Zonja Durham e pranon këtë në librin e saj “Brenga e Ballkanit”.
Kur përshkruan shpërndarjen e ndihmave në Maqedoni gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, ajo na tregon se si gratë fshatare e rrethonin ditë e natë, duke i kërkuar ushqime dhe rroba. Ata vendoseshin rrotull shtëpisë ku banonte ajo dhe nuk largosheshin derisa të merrnin diçka. Edhe kur u shpjegoi se nuk kishte më asgjë për t’u dhënë, ato nuk shkuleshin. Kur zonja Durham vajti në Shqipëri, priste që t’i ndodhte njësoj. Për habinë e saj, askush nuk iu afrua për t’i kërkuar ndihmë.Konica përmend edhe faktin se zonja Durham ka qenë një adhuruese e madhe e amvisës shqiptare.
Ajo mendonte se vetëm amvisa holandeze mund të krahasohej me të për pastërtinë. Zonja Durham kishte të drejtë. Mjafton të shkosh për vizitë në shtëpitë e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe mund ta shohësh dallimin ndërmjet amvisës shqiptare dhe shumë prej fqinjëve të saj që nuk janë shqiptare.Një gjë që e ka lënë jashtë Konica është fakti që fqinjët ballkanas e italianë kanë shpifur se shqiptarët janë të egër e të pamëshirshëm. Zonja Durham na thotë se kjo nuk është e vërtetë. Ajo kiste parë fshatarët siçilianë se si i rrihnin pa mëshirë kuajt dhe gomerët, por kurrë nuk kishte qenë dëshmitare se si një shqiptar rrihte një kafshë. Unë e kam vënë re edhe vetë kur kam udhëtuar me kalë në Shqipëri. Sa herë vinim te ndonjë copë rrugë e vështirë, ishim të detyruar të zbrisnim dhe kafsharët gjithnjë përdornin fjalët përkdhelëse për t’u dhënë zemër kafshëve, si për shembull: “Hajde, vëlla. Ec, or bir; Nuk është dhe kaq e vështirë. Do ta kalojmë”.
Një shpifje tjetër e përhapur nga fqinjët tanë, është se shqiptarët qenkan njerëz që nuk u shtrohen ligjeve. E vërteta është krejt e kundërt. Ata u shumë më tepër se gjithë fqinjët e tyre. Statistikat e rajoneve të policisë në qytetet amerikane ku ka shqiptarë, dëshmojnë qartë se ata janë nga grupet më të mira ndër të gjithë të ardhurit e huaj. Përvoja ime e gjatë më ka vërtetuar se shqiptarët u binden ligjeve në shqipëri po ashtu siç u binden në Shtetet e Bashkuara. E keqja është se, kur fqinjët e Shqipërisë përpiqen të shkelin tërësinë e saj tokësore, atëherë shqiptarët “e paligj” ngrenë krye.Kur përshkruan pamjet e bukura të Shqipërisë, Konica përmend shumë turistë të huaj që e kanë admiruar këte vend. Një emër, që megjithatë mungon, është ai i prozatorit, dramaturgut dhe kritikut muzikor francez, Roman Rolanit, i cili në njërin nga librat e vet flet për “kodrat e bukura të valëzuara të Shqipërisë”. Unë për vete i kam soditur nga maja e malit Tomor dhe nga kështjella e Krujës, kryeqyhteti i vjetër i Skënderbeut. Nuk kam parë gjithë jetën time gjë më të bukur.

Mjaft shtesa mund t’i bëhen kapitullit të Konicës për vetitë luftarake të shqiptarëve. Për shembull, kalorësit shqiptarë u bënë proverbialë në gjithë Europën pas vdekjes së Skënderbeut. Gjithë mbretërit dhe sundimtarët e Italisë, Francës, Britanisë së Madhe kanë marrë kalorës të lehtë shqiptarë për ushtritë e tyre. Konica më ka thënë një herë se në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kur francezët kërkonin të lavdëronin një kalorës, shpreheshin: “E nget kalin si një shqiptar”.

Kemi disa dokumente italiane, që flasin për kalorësinë shqiptare dhe që na shpjegojnë se si Skënderbeu e shpëtoi mbretin Ferdinand të Napolit me kalorësinë e vet të lehtë. Sipas dëshmisë së historianëve bashkëkohës, Ferdinandi e kishte humbur davanë kur e braktisën banorët feudalë dhe u bashkuan me Rene Anzhuanë, që ishte rivali i tij francez dhe që pretendonte fronin e Napolit.
Dihet mirë se ushtritë mercenare të Rilindjes asnjëherë nuk bënë ndonjë betejë të vërtetë. Ata kujdeseshin jo për lavdinë ushtarake, por për pagat. Zakonisht krijohej një komitet i përbashkët i të dy ushtrive rivale dhe vendoste kush do të shpërblehej me fitoren. Për shembull, kur njëra nga ushtritë kundërshtare kishte epërsi të padyshimtë si numër, asaj i jepej fitorja pa e zgjatur shumë. Kur ushtritë ishin të barabarta nga numuri dhe komiteti nuk mund të merrte vesh se cila palë mund të fitonte, atëherë kurdisej një betejë e shtirë, në të cilën nuk dëmtohej ose nuk vritej askush, me përjashtim të ndonjë aksidenti. Por kjo manovër shërbente për të ndihmuar komitetin e përbashkët që të merrte një vendim.
Diçka e ngjashme ndodhi kur skënderbu zbriti në Itali me kalorësinë e vet të lehtë.
Komandanti i ushtrisë kundërshtare konti Piçinino dhe Skënderbeu rregulluan një betejë të tillë të shtirë për të parë se cila nga të dy ushtritë do të kishte më shumë shanse për të marrë fitoren. Dy reparte të zgjedhura nga ushtria shqiptare dhe italiane bënë një paraqitje të kalorësisë dhe të aftësisë luftarake. Shqiptarët e fituan ndeshjen dhe kështu u mbyll gjithë kjo histori. Italianët asnjëherë më nuk e kundërshtuan epërsinë e kalorësisë shqiptare. Natyrisht, me turret ishte një pun krejt tjetër. Atëherë Skënderbeut i duhej të bënte beteja reale dhe të arrinte fitore reale. Turqve nuk u bënte përshtypje asnjë paradë.
Skënderbeu ka qenë, padyshim, një gjeneral i madh dhe ai meriton nderime të mëdha për kryqëzatën e tij heroike kundër turqve. Por ne nuk duhet të harrojmë se edhe ushtarët e tij meritojnë pjesën e tyre të nderit. Kryengritja shqiptare e viteve 1910 – 1912 kundër turqve tregoi se luftëtarët e çetave shqiptare ende e ruanin trimërinë dhe forcën e gjallë që kishin dëshmuar në kohët e vjetra në Skënderbeun. Vetëm për vetëm ata i mundën turqit, marshuan në Selanik dhe e detyruan qeverinë turke t’u jepte autonominë. Pas disa muajsh iu desh gjithë kombeve të Ballkanit që të bashkoheshin për t’i mundur po ata turq. Më 1920 atje u përsërit po ajo histori e përjetshme.
Shqipërinë e kërcënonte copëtimi. Italia kishte pushtuar Vlorën dhe prapatokën e saj deri në Gjirokastër. Fqinjët e tjerë kërkonin copat e tyre sipas traktatit të fshehtë të vitit 1915. Vetëm një zë u ngrit për të kundërshtuar, ai i president Wilson. Por ai mjaftoi për të ngritur kombin. Malësorët shqiptarë të bregdetit jugor qenë të parët që u ngritën, pastaj i ndoqën edhe të tjerët. Brenda pak muajve italianët u hodhën në det dhe u detyruan ta linin Vlorën dhe rrethin e saj. Rreth njëzetë vjet më vonë, më 1940 grekët, pothuaj shtatë herë më të shumtë si numër sesa shqiptarët, nuk mundën ta përsëritnin këte marifet, ndonëse kishin mbështetjen e flotës angleze dhe të forcave ajrore angleze, që i penguan italianët të sillnin përforcime.
Tani disa fjalë për vendin e Konicës në historinë e Shqipërisë së sotme. Si mysliman dhe si përkrahës i një familjeje të vjetër aristokratësh nga Shqipëria e jugut, Konica kishte të gjitha mundësite që të fitonte poste të larta në Perandorinë Turke, ku Shqipëria bënte pjesë, që pas vdekjes së Skënderbeut. Në të vërtetë, shumë shqiptarë të tjerë gjatë shekujve ishin ngjitur në postet më të larta të Perandorisë Turke. Për shembull, kur Konica ishte i ri, Vezir i madh ose kryeministri i Perandorisë Turke ishte Ferid Pasha, një shqiptar nga Vlora.
Por kjo karrierë nuk e tërhiqte Konicën. Ai mendonte se misioni i tij ishte të luftonte për pavarësinë e Shqipërisë. Nga viti 1897 deri më 1912, dy nga pionierët më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja, botuesit e dy revistave shqiptare, që dolën jashtë: “Albania” dhe “Drita” përkatësisht.
Gjatë sundimit turk shqiptarët kishin harruar gjithçka për lavdinë e tyre të kaluar nën Skënderbeun. Konica ka qenë njeriu që e rizbuloi dhe e popullarizoi Skënderbeun e flamurin e tij, shqipen e zezë dy krenare në një fushë të kuqe. Ky flamur u bë simbol i pavarësisë kombëtare dhe më në fund u ngrit në Vlorë më 1912 nga Ismail Qemali kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur.
Konica është quajtur si krijuesi i prozës moderne shqipe. Kur unë vendosa të bashkohesha me kryqëzatën për pavarësinë e Shqipërisë, e para gjë që më bëri përshtypje ishte mungesa e plotë e veprave letrare shqipe me vlera artistike. Por kur vajta në Egjipt më 1903, një atdhetar shqiptar, Spiro Dineja, më dha vëllimet e revistës “Albania” nga viti 1897 deri më 1903. I lexova të gjitha nga faqja e parë deri tek e fundit dhe atëherë e mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe. Për më tepër, Konica zbuloi dhe popullarizoi shqiptarë të veprimtarisë letrare si Kristofordhi,
Mitkoja, Fishta dhe Zako Çajupi. Me këshillën dhe udhëzimet e tij unë përktheva disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Poeja dhe Don Kishotin e Servantesit. Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë dhe shkruesin e këtyre radhëve.

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: me Faik Konicen, noli, si u takova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT