• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2012

EKONOMITE AZIATIKE DO TE DOMINOJNE BOTEN NE 2030

December 11, 2012 by dgreca

Një parashikim i ri nga komuniteti amerikan i zbulimit, thotë se Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë që ta humbin statusin si superfuqi deri në vitin 2030, derisa ekonomitë aziatike do të bëhen më të forta se ato të Amerikës së Veriut dhe Evropës.
Megjithatë, raporti “Global Trends 2030”, i publikuar nga Këshilli Informativ Kombëtar, tha se Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të mbeten ndër vendet më të fuqishme të botës për shkak të rolit që mund të luajnë në zgjidhjen e krizave globale, avantazhet teknologjike dhe “pushtetin e butë” apo atributet kulturore.
Raporti tha se Kina ka gjasa që ta kapërcejë Amerikën si ekonominë më të madhe në botë në vitet e 2020-ta.
Në të thuhet se rritja e ekonomive të Kinës dhe Indisë do të “kapërcejë” rritjen e SHBA-së dhe të Japonisë së shekullit të 20-të.
Studimi thotë se Evropa, Japonia dhe Rusia pritet të vazhdojnë me rënie të ngadaltë ekonomike, pjesërisht për shkak të plakjes së popullatës.
Studimi parashikoi se aktet e dhunshme të terrorizmit islamik do të jenë më të rralla në vitin 2030.
Por, raporti vë në pah se sulmet kibernetike terroriste ka të ngjarë të rriten dhe konfliktet mbi burimet natyrore, si për ujin, mund të sjellin destabilitet.
Në atë që e përshkruan si një “zhvendosje tektonike e mundshme,” raporti gjithashtu thotë se Shtetet e Bashkuara, një nga importuesit më të mëdhenj të energjisë në botë, pritet të pavarësohen nga importi.
Ai përmend rifitimin e pozitës nga SHBA si prodhuesi më i madh natyror në botë i gazit dhe prodhimin e naftës bruto përmes përdorimit të “teknologjisë fragmentuese hidraulike.”
Raporti tha se Shtetet e Bashkuara ka shumë gjasa që të jenë “të parat mes të barabartëve” midis fuqive të tjera të mëdha në vitin 2030 “për shkak të mbizotërimit në një varg të dimensioneve të pushtetit.”
Megjithatë, në të theksohet se me rritjen e shpejtë të vendeve të tjera, epoka e dominimit amerikan në politikën ndërkombëtare që filloi në vitin 1945, do të “nisë tatëpjetën”.
Raporti thotë se në Evropë, Gjermania ka gjasa të mbetet lidere e 26 vendeve të tjera të Bashkimit Evropian për shkak të perspektivës së saj të rritjes ekonomike.
Në të thuhet se deri në vitin 2030, Rusia do të përballet me një rënie të popullsisë prej rreth 10 milionë njerëz – një rënie shumë e madhe e popullsisë krahasuar me vendet tjera.
Megjithatë, raporti thotë se për shkak të normave të rritjes ekonomike dhe politikave të emigracionit, Rusia mund të mbajë pjesën e saj aktuale të fuqisë globale.
Raporti thotë se “dinamika rajonale” në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore gjatë dekadave të ardhshme do të ketë potencial për të shkaktuar destabilitet më të gjerë.
Aty thuhet se në Lindjen e Mesme, shifrat aktuale të larta të rinjve – një forcë shtytëse e pranverës arabe – do t’i hapin rrugën plakjes graduale të popullsisë.
Ai thotë gjithashtu se me teknologjitë e reja që kanë filluar t’i sigurojnë botës burime të tjera të naftës dhe gazit, ekonomia e Lindjes së Mesme do të jetë e detyruar që të bëhet më e larmishme.
Raporti thekson se nëse regjimi islamik i Iranit mban pushtetin dhe është në gjendje të zhvillojë armë bërthamore, “Lindja e Mesme do të përballet me një të ardhme shumë të paqëndrueshme.”
Por, aty nënvizohet se shfaqja e një Irani të reformuar dhe të fokusuar në modernizimin ekonomik mund të ketë efekte pozitive.
Raporti rendit Afganistanin dhe Pakistanin në mesin e 15 vendeve, që rrezikojnë të shndërrohen në “shtete të dështuara”.
Aty thuhet se rritja e ulët ekonomike, rritja e çmimeve të ushqimit dhe mungesat e energjisë do të paraqesin sfida të “ashpra”për qeverisjen në Pakistan dhe Afganistan.
Raporti thotë se India ka më shumë gjasa që të vazhdojë të konsolidojë avantazhin e saj të energjisë krahasuar me Pakistanin. Raporti thotë se ekonomia e Indisë tashmë është gati tetë herë më e madhe se ajo e Pakistanit dhe deri në vitin 2030, ky raport ”lehtë mund të jetë 16 me 1”.(Kortezi: Europa e Lire)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: 2013, do te dominojne boten, Ekonomite aziatike

BE ME REFUZIMIN E TRETË, NXJERR JASHTË LOJE SI SHKAKTARE KLASËN POLITIKE TË SHQIPËRISË

December 11, 2012 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Lajmi është dhënë nga EurActiv, kush dëshiron që ta lexojë vetë, ja ku është linkuhttp://www.euractiv.com/enlargement/eu-ministers-send-mixed-messages-news-516498, ku mësohet nga burime diplomatike që vijnë direkt nga Brukseli se Ministrat e BE-së nuk do t‘i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat gjatë takimit të javës së ardhshme, i cili pritet të mbahet më 10 dhjetor, ndërsa mësohet se një vend si Hollanda ka kundërshtuar fuqishëm dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë.

EurActiv shkruan se ka shumë gjasa që Serbisë t‘i hapet drita jeshile për fillimin e bisedimeve të pranimit, gjithmonë nëse ka respektuar kushtet e vendosura, të tilla si përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Një ditë më parë Organizata e njohur Transparency International publikoi indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2012, sipas të cilit Shqipëria renditet në vendin e 115 nga 176 shtete të përfshira në studim, duke rënë 15 vende më poshtë krahasuar nga një vit më parë e duke u renditur si vendi më i korruptuar i Ballkanit dhe në gjithë Europën Lindore.

Le ta bëjmë me bast – reagimet nga të dy kampet e politikës pas përhapjes të këtij lajmi, do të jenë një lumë akuzash kundër njëri-tjetrit. Taborret e maxhorancës, në të gjitha nivelet do të akuzojnë opozitën dhe liderin e saj se u bë shkaktari kryesor që Shqipëria ngeli jashtë për të tretën herë, sepse nuk votoi tri ligjet e kërkuara nga BE, duke vënë si pengesë qarkun e Fierit, ndërsa po ashtu nga opozita do të kemi të njëjtin llum akuzash, veç personazhet do t’i takojnë krahut tjetër.

Në fakt refuzimi për të tretën herë për t’i dhënë statusin e kandidatit Shqipërisë nga ana e BE-së, është një refuzim për klasën politike, të gjithën bashkë, e cila e ka patur në dorë që Shqipëria ta kishte marrë më 10 dhjetor statusin e kandidatit, bile ky status do të duhej të merrej që me herën e parë.

Klasa politike shqiptare, si maxhoranca, ashtu edhe opozita, si shefi i ekzekutivit, ashtu edhe lideri i opozitës morën mesazhe të qarta nga Perëndimi, që për hir të vendit të tyre, integrimit të Shqipërisë në BE, ata do të duhej t’i lëshonin pe njëri-tjetrit, të paktën njëri prej tyre, të demonstronte qytetari, civilizim dhe për një moment të vinte në balancë interesat e vendit me interesat personale apo të partisë.

Më 1 Nëntor Shqipërinë e vizitoi Sekretarja e Shtetit e SHBA, Z.Hillary Clinton, e cila i bëri thirrje lidërshipit që të bashkëpunonin për hir të interesave kombëtare të vendit, por asnjëra palë nuk e dëgjoi këtë mesazh dhe bëri shurdh-memecin ndaj aleatit tonë jetik, në sajë të të cilit vendi jonë sot është në NATO dhe siguria e Shqipërisë është në kuadrin e vendeve anëtare të Aleancës Verio-Atlantike.

Me shurdh-memecëri totale, indiferencë, megallomani, arrivizëm, egocentrizëm u reagua edhe ndaj të gjitha lutjeve dhe kërkesave që erdhën nga vendet anëtare të BE-së dhe Parlamentit Europian. U tallën me ta dhe me shqiptarët! Sepse de facto asnjëra palë nuk e do integrimin e Shqipërisë në BE, sepse nëse njëra palë do ta kishte dashur, padyshim që do të kishte sakrifikuar, qoftë sikur të humbte pushtetin apo të vazhdonte të mbetej në opozitë.

BE më 10 dhjetor nuk do t’ia refuzojnë statusin e kandidatit Shqipërisë, por klasës politike të saj, e cila ka mbetur në klasë për të tretën herë dhe si e tillë ajo nuk meriton që të përfaqësojë interesat e shqiptarëve, qëllimi i të cilëve, i shpallur që me rrëzimin e diktaturës 22 vjet më parë me sloganin “Të jemi si gjithë Europa”, është t’i bashkangjiten trungut të Europës.

Refuzimi i 10 dhjetorit, që ngel për të tretën herë klasën politike shqiptare, për mospërmbushjen e detyrimeve, duke u kthyer në një penalizimim dhe ndëshkim për çdo qytetar të Shqipërisë, sepse pengon integrimin e tij legjitim si qytetar i Europës së Bashkuar, duhet të jetë kambanë alarmi për çdo shqiptar të ndershëm, kudoqoftë dhe kushdoqoftë, pavarësisht bindjeve politike, që të mos pranojë kurrë më të jetë gur shahu në dorën e një klase politike klanore të papërgjegjëshme, e cila ka 22 vjet që mendon vetëm për pasurimin e saj, sepse me votën tonë ne vetë do të duhet të vendosim për fatin tonë, se prej kujt do të udhëhiqemi: prej satrapëve apo prej liderëve të denjë për besimin e popullit, të cilët me integritetin e tyre të pastër dhe përkushtimimin e tyre janë të gatshëm që për hir të interesave të vendit dhe qytetarëve të sakrifikojnë interesat e tyre politike.

Ky refuzim për të tretën herë që i bëhet Shqipërisë, për të marrë statusin e vendit kandidat, është një refuzim-denoncim që BE dhe Perëndimi bën për klasën politike të Shqipërisë në mënyrën më eksplicite të mundshme. Pas 22 vitesh tranzicion makabër, me një luftë gati civile midis, siç ishte kriza e 1997, kjo klasë politike duhet të dalë përfundimisht nga skena politike, ku hyri përmes prapaskenave që diktoi sistemi totalitarist në gjoja ikjen e tij skenike, teatrale. Pas refuzimi të tretë, nuk duhet të lejojmë më që Shqipëria të mbetet peng i kësaj klase politike, shtetarët e të cilit janë të denjë për shtetarë të Republika të Bananeve, por kurrë të një vendi anëtar të NATO-s, me një popull që ka 22 vjet që aspiron t’i ngjitet trupit të Europës, prej nga e ka prejardhjen e tij të lashtë prej të paktën tri mijë vitesh.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, humbet statusin, Jashte loje, klasapolitike, shqiperia

TURP-ZOT, MBANA GOJEN MBYLLUR, KUR S’KEMI GJE PER TE THENE…

December 10, 2012 by dgreca

Sqarim per lexuesit dhe miqte e mi pas akuzave te sajuara ne kuzhinat e mbetjeve komuniste?/

NGa Dalip Greca/

Te dielen, me 9 dhjetor, u organizua aktiviteti i Shoqates Cameria para Selise se Kombeve te Bashkuara. Pasi une, ne detyren e editorit te Diellit,  bera kroniken dhe e publikova ne on line,  dhashe mendimet e mia si gazetar se perse qe e paefektshme ajo veprimtari dhe pse duhej organizuar me mire.Dhe numerova disa arsye: Ishte e nxituar, nuk u pergatit opinion qe te kishim me shume pjesmarres, ishte e papershtashme koha, 20 minuta para se te perendonte dielli, dhe dite e papershtashme-te dielen askush nuk punon ne Seline e Kombeve te bashkuara dhe kalimtaret ishin shume te paket. Permenda numrin e pjesmarresve; ku sipas vete organizatoreve, nuk ishin me shume se 50 vete. Kjo i ka merakosur shume organizatoret, te cilet bene cmos qe te shmangnin Vatren nga ky organizim dhe perpiqen te fshehin deshtimin e tyre.

Te ishte nje keqkuptim, nuk do ta beja kete shenim, por duke qene se eshte nje inskenim I pshitire allakomuniste, nga pseudointelektuale, qe ne kerkim teidentitetit te tyre te munguar, kerkojne te me bejne pis pse guxova dhe shkrova kroniken e manifestimit cam me nota realiste, me duhet te respektoj miqte e mi dhe t’u tregoj se komentetet jane emocionale dhe shpifese e dashakeqese, te nxitur nga nje nga ato qe sot rreh gjoksin si par excellence, nje theshethemexheshe klasike, qe ka gjete ca vegla te verbera dhe ne kor sajojne, me idene se dicka do te mbese.Tash po e kuptoj pse na qenka ngrite forumi me emer te madh ku kane gjete vend edhe thashethemexhinje e shpifes ordinere. !

Duke e pare veten te sulmuar pse thashe nje te vertete, une perseri I mbetem besnik profesionit, nuk mund te mashtroj. Une mund te shkruaja edhe ndryshe, te shkruaja edhe per fjalimet folklorike qe nuk I sherbyen askujt,  pervec atyre qe I mbajten, te shkruaja qe sheshi gjemonte nga qindra pjesmarres, te shkruaja se ne I tundem grekerit nga vendi etj etj.,..Por keshtu ndergjegja profesionale do te penalizohej brenda meje. Te thuash se tre organizata nuk sollen dot as 50 veta, une mendoj se kjo eshte detyre e gazetarit, mirepo tani gazetare jane beret e gjithe dhe te gjithe te japin mend si te shkruash. Dhe pse thua kete te vertete, te shpallin”Spiun”! Zoti na ruajte nga Spiunet dhe thashethemexhinjet!

Monstruoziteti eshte akuza se une paskam qene spiun! Pika atyre qe sajojne akuza te till ate prodhura ne kuzhina spiunesh.I autorizoj akuzuesit cmirzinje qe te shkojne dhe te hapin arkivat, kurre ne jete time nuk e kam luajte kete rol te peshtire dhe kam urryer dhe vazhdoj t’I urrej spiunet. E keqja eshet se Shqiperia duke moshapour dosjet I kep mundesi spiunit te therrasi:Kapeni Spiunin! Po ashtu I autorizoj ata qe kane sajuar thashethemen me te fundit per mua se jane te lutur te shkojne ne Arkivin e Partise Republikane dhe te shikojne se dy here eshte marre dokumenti I Pastertise se Figures time nga qe kam konkuruar per Deputete per Opoziten dhe Komisionet antispiune vepronin atehere. O mjerane, nuk  mund t’I hapni vend organizatave tuaja duke luftuar vatren dhe editorin e Diellit. Kushdo e kupton kaq. Une e shkrova dhe ne komentet para se te organizohej mitingu, vatra ka 100 vjet qe lufton per camerine dhe nuk e shmang nga rruge as shoqatat qe lindin sot apo neser, asnndonje inatcor cam, qe nuk do te bashkepunoje me vatren. Dhe une kam bindjen se shoqata te reja do te lindin e do te shuhen, por Vatra eshte lis qe nuk rrezohet. E verteton kete qendresa e saj 100 vjecare. Sa kane luftuar panheleniket e Greqise ketu per ta rrezuar kete lis dhe nuk akne mundur! Sa ka luftuar Sigurimi I shtetit per ta percare kete federate, por nuk akne mundur. Po perse po e luftojne pikerisht tani Vatren? Sepse ajo eshte ne rilindje e siper. Po shtohet perdite, po lindin dege et reja dhe sigurimseve ose bijeve te tyre ose hibrideve inatcore, nuk u intereson kjo. Gazeat e Vatres DIELLI, eshet rikthyer ne kohete e saj me te mira dhe bashkepunetor cilesor ne te gjitha trojet kombetare, me perjashtim te disa kandidateve te supozuar per PHD, te cilet vuajne per identitet.

Me vjen keq per miqte e mi cam, per te cilet kam shkruar aq shume, kam investuar, i kam ndjekur ne te gjitha aktivitetet e tyre, por derisa keta qe po i shmangin sot camet nga Vatra dhe Dielli nuk e duan bashkepunimin, u jap fjalen se lufta per ceshtjen came do te vazhdoje edhe pa lejen e tyre. Turp per ata qe aktivizojne llumin e ketij komuniteti per te hedhur gure mbi te verteten dhe per te sajuar thashetheme per te denigruar ata qe nuk u shkojne pas avazit…Me vjen keq edhe per nje gje tjeter, qe atje kishte dhe vatrane dhe me ndonje perjashtim, nuk shkruan nej fjale per t’i pergenjeshtruar ato akuza qe hodhi llumi dhe te tregonte se e everteta ishet ashtu sic e pershkrova une. Ne mbyllje te ketij sqarimi, une do te kerkoja ndihmen e fjaleve te konices-Lutja e Editorit:Zot mbana gojen mbyllur kur s’kemi gje per te thene…! dhe do te shtoja nga veta:Zot, mbana larg llumit qe kerkon te na baltose! Amin!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Mbana Gojen mbyllur, Zot

MBLEDHJA VJETORE E OSBE-SË NË DUBLIN DHE PARALLAJMERIMI I HILLARI KLINTON

December 9, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ministrat e Jashtëm nga më shumë se 50 vende morën pjesë në mbledhjen vjetore prej dy ditësh të Organizatës për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE) që u mbajtë në Dublin të Irlandës, të ënjtën dhe të premtën e javës që kaloi.   Në mbledhjen ministrore prej dy ditësh,

Kryetari i radhës i Organizatës për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë, zëvendës kryeministri dhe ministri i jashtëm irlandez, Eamon Gilmore njoftoi se ministrat e punëve të jashtme të 57 vendeve pjesëmarrëse  kanë rënë dakord për projekt planet e ardhëshme të OSBE-s, duke thënë se ”kemi arritur një marrveshje për një proces për të forcuar dhe për të ri-ngjallur organizatën e OSBE-së tani e deri në vitin 2015, viti që shënon 40-vjetorin e Marrveshjes përfundimtare të Helsinkit.”   Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier e mirëpriti marrveshjen duke e cilësuar atë si një bazë të mirë për të përcaktuar vizionin e kësaj organizate për fazën e ardhëshme të veprimtarisë së saj, duke e aftësuar OSBE-në të përballohet në mënyrë më efektive me sfidat e reja ndaj sigurimit rajonal.

Siç dihet, Marrveshja e Helsinkit e vitit 1975 ishte dokumenti  bazë që themeloi OSBE-në dhe njëra prej marrveshjeve kryesore që konsiderohet  të ketë  ndihmuar në dhënjen fund të luftës së ftohët.   Por roli i saj pas rënjes së Murit të Berlinit ka rënë ndjeshëm, ndërkohë që roli i organizatave si Bashkimi Evropian dhe NATO është shtuar gjatë dy dekadave të fundit.

Megjithse Ministri i jashtëm irlandez, Z. Gilmore, si kryetar i OSBE-së mirëpriti marrëveshjen e arritur për projekt-planet e organizatës për tre vitet e ardhëshëm, ai në të njëjtën kohë shprehu keqardhjen e tij në lidhje me ”mungesën e një marrëveshjeje mbi vendimet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.”   Por ai u tha delegatëve se ajo që është  ”shumë shqetsuese është realiteti trishtues se respekti për të drejtat e njeriut dhe për liritë themelore është tani më  i kërcënuar se përpara në shumë vende të rajonit të OSBE-së’’.

Ironia e këtij komenti është se ai iu drejtua ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të një organizate, misjoni i së cilës është për të promovuar dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut anë e mbanë zonës së OSBE-së.   Ndërkaq, nuk është aspak e rastit atëherë, kur Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton në njërën që mund të jetë prej mbledhjeve të fundit ndërkombëtare që ajo merr pjesë para se të largohet nga detyra muajin që vjen, shprehu shqetsimet e saj mbi të ardhmen e OSBE-së, duke thënë se 20-vjetë pas luftës së ftohët, ”mbetet pa u kryer puna për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqë”,  dhe njëkohësisht  theksoi ”shqetësimin e saj në rritje e sipër për të ardhmen e kësaj organizate dhe  të vlerave që ajo ka promovuar”, për pothuaj 40-vjetë.

Para se të fliste para ministrave të jashtëm të OSBE-së, Hillari Klinton u takua me përfaqsues të shoqërive civile nga disa vende anëtare të kësaj organizate, të cilët e informuan Zonjën Klinton mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në vendet  e tyre.   Sekretarja  amerikane e shtetit ishte dakord me përfaqsuesit e shoqërive civile se ”hapësira për veprimtarinë e tyre po ngushtohej dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive bazë ka rënë gjithashtu dhe se qeveritë janë duke u treguar më agresive ndaj kundërshtarëve.”   Zonja Klinton foli posaçërisht kundër vendosjes  së kufizimeve të reja ndaj të drejtave të njeriut në disa ish-shtete sovjetike, duke kritikuar në veçanti qeverinë ruse për kriminalizimin e ndihmave të huaja për organizatat e të drejtave të njeriut dhe të shoqërisë civile në Rusi.

Por akuzat më të forta, zyrtarja e lartë e Shteteve të Bashkuara i rezervoi për Rusinë pak para takimit të saj me Ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov.   Duke përdorur gjuhën më të ashpër që ka përdorur administrata e presidentit Obama gjatë katër viteve të fundit ndaj Moskës, Sekretarja e amerikane e shtetit paralajmëroi delegatët duke kritikuar  ashpër ato që ajo quajti, ”përpjekje për të sovjetizuar rishtas rajonin”, një referencë këjo ndaj planeve të Moskës për të krijuar një bashkim të ri tregtar midis Rusisë dhe ish- shteteve satelitë sovjetikë, ose një të ashtuquajtur Bashkim euro-aziatik.   Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara janë duke marrë masa për të ngadalësuar ose për të penguar këtë proces’’.   Madje, ajo tërhoqi vëmendjen edhe ndaj disa zhvillimeve, sipas saj, “shqetësuese’’ në fushën e të drejtave të njeriut dhe të zhvillimeve demokratike në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO, dhe shtoi se ”ia vlenë t’ia kujtojmë vet-vetes se secili vend anëtar (i OSBE-së) –përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara — kanë hapësirë për përmirësim”, në këtë fushë.

Megjithë kritikat e ashpëra ndaj disa vendeve anëtare të OSBE-së dhe mungesës së përparimit në fushën e të drejtave të njeriut dhe të zhvillimeve demokratike në radhët e shteteve anëtare të kësaj organizate, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton në emër të vendit të saj, tha se ”Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara ndaj objektivit për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe, si edhe ndaj parimeve të OSBE-së”, dhe  njëherazi u bëri thirrje ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, që të ”zbatojmë dhe jo të minojmë angazhimet dhe zotimet që i kemi bërë njeri tjetrit dhe qytetarëve tanë”, për të mbrojtur dhe për të promovuar të drejtat e njeriut dhe zhvillimet demokratike anë e mbanë eurozonës.

Kështuqë, përfundoi Zonja Klinton, ”ndërsa po i afrohemi 40-vjetorit të nënshkrimit të Marrveshjes së Helsinkit, ka ardhur koha që OSBE-ja të veshë edhe njëherë mantelin e udhëheqjes për të zgjëruar kufijtë e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor dhe për të ripohuar prapë vlerat dhe parimet që kanë udhëhequr këtë organizatë ç’prej themelimit të saj”.

Caption:Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-s në takimin e tyre në Dublin, javën që kaloi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dublin, Frank shkreli, Grim, Hillari Klinton

KUJTESE: GENCIDI GREK NE ÇAMERI

December 9, 2012 by dgreca

Genocidi i paparë helen ndaj banorëve të Çamërisë në vitin 1944-1945/

Shkruan Eugen SHEHU/

Historia e shqiptarëve etnikë në Çamëri është mbushur padyshim me një varg datash tragjike, të ruajtura në kujtesë si akte të dhimbjes kulmore. Por historiografia jonë e ka pranuar se nëse në vitet 1913-1943 genocidi helen ndaj shqiptarëve çamë ka patur një përshkallëzim, po ashtu është pranuar që pranvera dhe vera e vitit 1944, përbëjnë apogjeun e barbarisë greke ndaj popullsisë së pambrojtur të shqiptare. Ky genocid do të provonte edhe një herë qëndrimin e palëkundur të Athinës, e cila kërkonte jo vetëm largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore, por edhe rrënimin e plotë të kjtimeve mbi ekzistencën aty të racës sonë.

Në muajt gusht-shtator 1943, vlen të thuhet se rezistenca e atdhetarëve çamë ishte organizuar më së miri. Ndonëse në thelb, kjo rezistencë u organizua kundër okupatorit, në të pati edhe element të mbrojtjes vendore, çka do të thoshte ruajtja e shtëpive dhe popullsisë së pambrojtur ndaj andartëve grekë. Atdhetarë të tillë si Isuf Izeti, Xhafer Çafuli, Musa Demi, Dervish Dojaka, Braho Karasani, Sami Alushi e dhjetëra të tjerë u përpoqën që këtë front të rezistencës ta mbanin të ndezur edhe nëpërmjet zhvillimit të disa betejave kundër gjermanëve, duke parë sigurisht që këto beteja të mos i jepnin mundësinë kundërshtarit që të bënte raprezalje.

Kështu në ditët e fundit të shtatorit 1943 dhe deri në fillim të nëntorit të këtij viti, efektivat e batalionit “Çamëria” të ndihmuar edhe nga vullnetarët e zonës përreth, zhvilluan betejën e famshme të Konispolit, e cila zgjati 55 ditë. Në të vërtetë, në këtë betejë, muarën pjesë shqiptarë nga të dy anët e kufirit politik dhe ky fakt u përcoll jo pa shqetësim në qarqet shovene të Athinës. Ky bashkëpunim i ngushtë i shqiptarëve brenda shtetit amë me vëllezërit e tyre çamë, pamvarësisht se ata luftuan kundër okupatorit gjerman, u kuptua si një rrezik i madh për vorioepirotët dhe qëllimet e tyre.

Ndërkaq efektivat e batalionit “Çamëria” në bashkëpunim edhe me komandën nacionaliste të forcave të jugut zhvilluan luftime edhe në zonat e Gjirokastrës, Tepelenës dhe Delvinës. Sipas dokumentave gjermanë që gjenden në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë, këto luftime u karakterizuan nga disa prita tepër të rrezikshme ku kanë gjetur vdekjen dhjetëra ushtarë dhe oficerë gjermanë. Në këto luftime qoftë atdhetarët e Çamërisë, qoftë nacionalistët e jugut të Shqipërisë, patën marrë krahë sidomos “nga deklarata e Uinston Çërçillit, sipas të cilit kufiri shtetëror i Shqipërisë do të rishqyrtohej menjëherë pas mbarimit të luftës.” (Gazeta “Atdheu” Tiranë 20 tetor 1943.)

Gjithashtu mendoj se nuk mund të lihet në heshtje fakti që nacionalistët e Çamërisë, iu kundërvunë disa çetave komuniste shqiptare, të cilat patën krijuar lidhje të ngushta me Partinë Komuniste greke. Këto çeta, të udhëhequra nga disa filogrekë të njohur në Çamëri, trumbetonin me të madhe se vetëm lufta e tyre e përbashkët me grekët do t’i sillte “lumturinë” Çamërisë. Ata nuk mund të kuptonin dot se çfarë tragjedie po përgatitej në Athinë dhe ishte vetëm prezenca gjermane që e vononte pikërisht këtë tragjedi. Një nyjë e çuditshme lidhte në këtë rast atë grusht komunistësh të Çamërisë, me klikën e Tiranës, e cila po ashtu pretendonte se komunizmi do të ishte liria e ëndërruar e gjithë popujve.

Në këto momente tejet të ndërlikuara, Athina zyrtare si kurdoherë u orientua drejt politikave të saj antishqiptare. Për këtë qëllim ajo shfrytëzoi një marrëveshje të Partisë Komuniste të Greqisë me klikën e Dushan Mugoshës dhe Enver Hoxhës në Tiranë, sipas të cilës, në fshatrat me minoritet grek në Shqipëri, mund të shkonin përfaqësues komunist grekë dhe të bënin propagandë dhe organizime për të luftuar okupatorin. Komunistët grekë që ngarendën në jugun e Shqipërisë, nxituan të bënin propagandë për idetë panhelene të Vorio Epirit dhe brenda pak javëve , në kuvendin e organizuar në vendin e quajtur Akrovjan, përfaqësues të këtij minoriteti brenda kufijve të shtetit amë shqiptar, kërkuan me forcë që “duam të jemi një Greqi, qoftë kjo komuniste apo e djallit, vetëm të jemi në Greqi.” Nënteksti ishte i qartë, kufijtë e Shqipërisë duheshin shtyrë akoma më tej, duke i rrudhur tinëzisht ata.

Një rol jo pak të rëndësishëm, në pranverën e vitit 1944 do të luanin edhe atdhetarët nacionalistë të Çamërisë. Këta me propagandën e tyre, por edhe me veprime të hapura aspironin bashkimin e trojeve çame me Shqipërinë. Këtë lëvizje e drejtonte një Këshill Krahinor me organizmat e tij, të shtrirë në nënprefekturë e deri në fshatrat më të largët. Mendoj se është me vend të kuptohet se pikërisht në muajt e parë të vitit 1944, ndryshe nga çfarë është publikuar deri më sot, autoriteti gjerman ka dashur të luaj një rol amortizuesi apo frenuesi të mërive të vjetra greko-shqiptare. Kështu, në një dokument tepër sekret që komanda gjermane në Çamëri, i dërgon komandës së lartë ushtarake të Athinës, midis të tjerave shkruan tekstualisht: “Gjendja në krahinën e Çamërisë është përkeqësuar, sidomos në këto javë të fundit. Deri afër fundit të vitit 1943, shqiptarët mjaftoheshin me ushtrimin e zotërimeve të tyre në disa zona influence pa marrë përsipër të administrojnë vendin. Tashmë ata kanë bërë hapa përpara duke forcuar pozitën e tyre nëpërmjet krijimit të disa organeve administrative. Marrja e këtyre masave motivohet për shkak të administratës greke, e cila ka falimentuar plotësisht dhe pa ndërhyrjen e shqiptarëve rendi dhe qetësia rrezikohen totalisht. Për zbatimin e organizimit administrativ ata kanë ngritur një Këshill Kombëtar Shqiptar të Çamërisë.” (Arkivi i Institutit të Historisë Tiranë. Dokumente gjermane. Dok. 23/44 sekret, datë 10 janar 1944)

Veprimtaria e lartpërmendur e Këshillit Kombëtar, në asnjë mënyrë nuk mund të pranohej prej qarqeve shovenë të Athinës. Për këtë shkak qeveria greke, me një telegram të posaçëm, iu drejtua ministrit gjerman për Evropën Juglindore, Nojbaherit ku midis të tjerave i kërkonin të rivendosej sa më shpejt pushteti helen, pasi ndikimi i nacionalizmit shqiptar do të ishte me pasoja të mëdha për fatet e nesërme të shtetit grek. Nga ana tjetër në krah të dy mijë forcave të komanduara nga gjenerali famëkeq Napolon Zerva u vu edhe Divizioni i Dhjetë i komanduar nga krimineli Vasil Kamara, i cili do të ishte i destinuar në luftë mizore kundër banorëve të Çamërisë.

Në ditët e para të qershorit të vitit 1944, në zyrën e gjeneral Zervës në Janinë, andartët grekë dërgojnë një të quajtur Harallamb Kallojeri, kinse pati furnizuar me armë batalionin  Çamëria. Ky me lot në sy e mohoi këtë fakt dhe ngase ishte grek nuk pësoi gjë. Por vlen të sjellim këtu fjalët me të cilat e përcolli Zerva. Gjeneral Zerva duke shtrënguar nofullat kishte vazhduar: “Po dolën të vërteta ato që më kanë thënë se ti u shet çamëve armë, ta dish se jo vetëm ty, por gjithë fisin tënd do ta djeg me benzinë së gjalli, në mes të fshatit që të lemerisen të gjithë.” Pastaj ai u  drejtua të gjithë të pranishmëve duke shtuar: “Çamërve duhet t’u afrohemi dhe t’i marrim me të mirë, që të mos na ikin nga duart deri sa të zemë kufirin. Pasi t’i kemi mbyllur si bagëtitë në vathë, jo vetëm njerëz që nuk do të lemë të gjallë, por edhe macet e tyre do t’i shkojmë në thikë. (I.D.Hoxha “Viset kombëtare në shtetin grek” Tiranë 2000, faqe 356)

Preja e parë e dhunës makabre helene, do të ishte krahina e Paramithisë, e cila u pati bërë ballë shpesh herë, me armë në dorë, hordhive të andartëve grekë. Në mesnatën e 26 qershorit 1944, ata iu afruan Paramithisë nga të katër anët. Në agun e 27 qershorit, disa atdhetarë çamë ranë në pritën e zervistëve dhe lufta filloi e fuqishme. Por dinakëria greke nuk vonoi të funksiononte sërish. Komanda e lartë zerviste vrapoi te myftiu i Paramithisë Sali Hafizi duke i mbushur mendjen atij se nuk kishin punë me çamët ndaj këta të ulnin armët dhe të rrinin të qetë në shtëpitë e tyre. Sali Hafizi u besoi nga ana e tij dhe në një kuvend të shkurtër burrash dha porosi të pritej lufta.

Më pas komanda zerviste e udhëhequr nga majori famëkeq Kranjani dhe antishqiptari i tërbuar Kristo Stavropulli shkuan në mitropoli dhe bënë planet kokë më kokë me dhespotin grek. Me të mbaruar takimin me dhespotin, disa ushtarë grekë u shpërndanë nëpër rrugë dhe sheshe duke njoftuar me zë të lartë: “Urdhërihen tërë ata që kanë armë, t’i dorëzojnë menjëherë se qetësinë dhe rendin do ta mbajë ushtria. Askush të mos frikësohet! Këdo e quajmë vëlla. Duam të bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë njeri-tjetrin.” (Gazeta “Bashkimi” Tiranë, 7 mars 1947) por kjo s’mund të ishte tjetër, veçse gënjeshtra e radhës e helenëve për të arritur në planet makabre të gjeneral Zervës.

Vite më pas, në dëshmitë që Asllan Myftari dhe Sadete Katiu do të dërgonin në OKB përmes Komitetit të Mbrojtjes së Çamërisë, midis të tjerave do të kujtonin: :Rreth mesditës, kur ende muk kishte mbaruar dorëzimi i armëve, zervistët grupe-grupe… të udhëhequr nga oficerë u derdhën egërsisht mbi popullatën. Me të dëgjuar krismat e armëve njerëzit lanë shitoret dhe ja dhanë vrapit nga të mundnin. Më të shumtët vrapuan drejt anës perëndimore të qytetit ku mendohej që shtegu nuk ishte mbyllur akoma. Pati raste që familja u nda më dysh, dikush çau gardhin e kriminelëve dhe dikush tjetër jo.

 Meqë rrethi u mbyll në mënyrë të hekurt njerëzia vraponin në qytet të ndjekur nga vrasësit si egërsira prej gjahtarit. Vritej kushdo që hasej përpara. Rrugët dhe sheshet u mbushën me të vrarë… kur zervistët u turrën në një shtëpi të thernin një djalë 6 muajsh dhe e jëma e mbuloi djepin me trupin e vet, ata i ngulën gruas thikat në kurriz. Më pas ata therën me thikë djalin tjetër të shtëpisë dhe të zotin e saj. Motrën e Hasan Belulit, 3 djemtë e Asim Dinos, dy çupat dhe të shoqen e Rexhep Malit, i mbërthyen me gozhdë përpara murit të shtëpisë. Pasi vranë Mulla Çenin, argëtoheshin me të bijën. Aty pranë vranë edhe 12-13 fqinjë të Mullait. Në tërë Paramithinë dëgjoheshin kujet dhe vajet rrënqethës, të pleqve, të rinjve dhe fëmijëve që shuanin shpresat e fundit nën krismat e plumbave apo presat e thikëve e sopatave.”

Masakra e Napolon Zervës ndaj banorëve të pambrojtur të Çamërisë, do t’ia kalonte për nga egërsia e saj edhe dënimeve të inkuizicioneve mesjetare. Asnjë lloj pengese nuk do të haste ky kriminel i lindur dhe gjithë taborri i tij, në barbarinë e pashembullt. Dëshmitë e dhimbshme vazhdojnë: “Poshtë xhamisë së Prronjatëve dergjeshin sa e sa kufoma. Dalluam nusen e Ibrahim Bollatit, motrën e Muharrem Bakos, djalin e saj, Mit’hatin 10 vjeçar, Harun Mezanin 14 vjeçar ndërsa të tjerët nuk i njohëm, sepse ishin prishur në fytyrë. Ndërsa Estref Ilmiu tregon se kur atë dhe disa të burgosur të tjerë i shpunë të varrosnin trupat gjysëm të prishur pranë kishës së Shën Jorgjit, njohu vetëm katër prej trupave, ndërsa dhjetëra të tjera nuk mundi t’i njihte pasi fytyrat ishin gjymtuar në mënyrë të llahtarshme prej vrasësve.” (Gazeta “Bashkimio” Tiranë 4 prill 1947)

Sigurisht epshet shtazore të Zervës me kompani, nuk mund të preheshin vetëm me kasaphanën e Paramithisë. Ata u derdhën dy ditë më pas në fshatrat Grikë, Kacjan, Karbunarë dhe në një varg fshatrash të Çamërisë së Mesme. Nëse gjenin gjë të gjallë (njerëzia dhe bagëtia ishin barazuar tragjikisht) andartët dhe zervistët e thernin menjëherë. Në ato shtëpi ku njerëzit qenë larguar nxitimthi, komandot ushtarake ushtronin kontroll të imët duke vjedhur e plaçkitur gjithçka, deri edhe pajat e vajzave fatkeqe të Çamërisë. Në fshatrat Luar dhe Karbunarë, po ashtu edhe në qytezën e Margëlliçit, në të vërtetë u organizua një qëndresë e vogël, disa orëshe. Por përballë 25-30 burrave të këtyre fshatrave, Athina dërgoi Regjimentin e Dyzetë të komanduar nga major Angora, i cili pas 1700 ushtarëve dhe oficerëve, kishte në p[ërbërje të vet edhe një kontigjent prej 40 kriminelësh grekë, të cilët patën “fituar” lirinë nga burgjet greke, vetëm e vetëm për të therur sa më shumë shqiptarë etnikë të Çamërisë.

Kjo epërsi numerike në njerëz, kjo shpejtësi çoroditëse në arritjen e qëllimeve, ky brutalitet i pashembullt, kishin të bënin sa me vrasjet e çamëve aq edhe me heshtjen që do të shoqëronte ky terror. Madje megjithë fshehjen misterioze që Athina i ka bërë në decenie kësaj tragjedie, diplomacia evropiane do të shënonte në analet e saj: “Duke shkelur në mënyrë të qëllimshme Marrëveshjen e Kazertës, trupat e Divizionit të Dhjetë, njësitë e dy divizioneve të E.DH.E.S-it, ato të regjimenteve 100, 110 dhe 40, po mëyjnë mizorisht territoret e pambrojtura të Çamërisë.” (Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë. “Çështja e Çamërisë” Fondi 251, dosja 14, fleta 143)

Tanimë atdhetarët e Çamërisë e kishin plotësisht të qartë se Athina kërkonte zhdukjen përfundimtare të shqiptarëve etnikë. Rrethanat në verën e vitit 1944 kishin favorizuar Athinën, e cila duk marrë edhe përkrahjen e aleatëve shekullorë të saj Anglisë dhe Francës, kryente njëhersh dëbimin e çamëve dhe popullimin e trojeve të tyre me të krishterë të jugut helen. Në këtë mënyrë, krahas organizimit të njësiteve të vegjël për shpëtimin e popullsisë, këta atdhetarë u përpoqën të sinjalizonin rreth masakrës edhe diplomacinë evropiane. Ndërsa lidhjet me shtetin amë nuk u ndërorenë për asnjë moment. Kështu në telegramin e firmosur prej disa burrave të Çamërisë dhe dërguar kryeministrit shqiptar në gushtin e vitit 1944, midis të tjerave shkruhet tekstualisht: “Nuk kanë të munëruar as vrasjet, as grabitjet dhe as përdhunimet e kriminelëve të Zervës. Madje, ajo pjesë e popullsisë që akoma nuk ka rënë ndënë thikat e zervistëve, po ikën e tmerruar drejt Shqipërisë duke humbur gjithçka.” (Arkivi Qëndror i Shtetit-Tiranë. Fondi 251, dosja 179, fleta 2)

Ndërkaq propaganda shovene helene vazhdonte me ritme akoma më të mëdha t’u binte tam-tameve të Vorio-Epirit. Kështu, në mbrëmjen e 1 tetorit 1944, Radio Kajroja shpërndante në eter mesazhin e ministrit grek të informacionit, Kartallit për kinse revoltë të vorioepirotëve në Gjirokastër e Sarandë, të cilët kërkonin bashkimin e trojeve të tyre me ato të shtetit amë, Greqisë. Duke pretenduar se këto troje ishin plotësiht greke, Athina madje me anë të emisarëve të fshehtë të saj, nisi të shpërndante në jugun e Shqipërisë fletushka duke u thënë shqiptarëve etnikë aty se nuk ishte e largët dita kur fshatrat e tyre do t’i bashkoheshin Greqisë. Madje ndikimi i Athinës u shtri deri në komandën e lartë gjermane, duke e fshehur realitetin dhe duke e afruar Zervën sa më shumë me këtë komandë. Aq i thellë ka qenë ky ndikim saqë komanda gjermane përpiqej të ruante indiferencën përpara masakrës që ndodhte me çamët. Kështu, në një informacion dërguar RAIHUT TË TRETË, lidhur me një protestë të atdhetarëve të Çamërisë, midis të tjerave, komanda gjermane e Filatit spjegonte” “Kërkesat e parashtruara lidhur me evakuimin e popullsisë shqiptare që nuk ëhtë në gjendje të mbrohet, nuk ka asnjë bazë. Ushtria gjermane ka marrë përsipër mbrojtjen dhe sigurimin e paqes dhe të rregullit në zonat e okupuara prej saj.” (Arkivi i Institutit të Historisë- Tiranë. Dok.gjerman nr. T 314-1458)

Vala tjetër e spastrimeve të shqiptarëve etnikë, nga trojet e tyre në Çamëri, iu besua sërish gjeneralit famëkeq Zerva, në marsin e vitit 1945. kësaj radhe do të goditej, digjej e shkretohej pikërisht Filati, çerdhja e qëndresës kulmore të banorëve të Çamërisë. Ndonëse burrat e Filatit ishin larguar, të mobilizuar në njësite të vogla vullnetarësh, drejt Filatit u derdh me egërsi të paprë makina luftarake e Zervës. Nuk munguan me këtë rast as vrasjet, as therjet, as djegiete njerëzve dhe shtëpive. Krimet ishin pothuaj të papara. Në informacionin që koloneli britanik Vuthaus i dërgonte Londrës në fundmarsin e vitit 1945, midis të tjerave shkruante tekstualisht: “Nisur nga Misioni Aleat që drejtova, ju bëj me dije se Zerva i nxorri jashtë çamët nga shtëpitë e tyre më 1944, shumica e të cilëve mundën të gjenin strehë në Shqipëri. Dëbimi i tyre u krye sigurisht përmes një gjakderdhjeje të madhe. Veprimi i Zervës u ndoq më pas në marsin e vitit 1945 nga një masakër akoma më e madhe, siç ishte kjo e marsit, në Filat, e cila nuk mund të falet.” (Arkivi i Institutit të Historisë- Tiranë. Fondi Zyra e jashtme britanike PRO\ FO Nr 371\ 48094)

Sipas Memorandumit të emigrantëve çamë në Shqipëri, i cili u paraqit jo vetëm në kancelaritë evropiane por deri në SHBA, në peiudhën qrshor 1944-mars 1945, janë vrarë gjithsej 2771 civilë të pambrojtur. Gjatë kësaj peiudhe gjithashtu u dogjën dhe plaçkitën 68 fshatra me rreth 5800 shtëpi. Në humbjet e tjera materiale llogariten 110 mijë krerë bagëti të imta, 2400 gjedhë, 80 mijë kuintalë vaj ulliri, 21 mijë kuintalë grurë pa llogaritur dramën e madhe të shkombëtarizimit të këtyre trojeve. Një pjesë e konsiderueshme e politikës greke gjatë viteve të Luftës së Ftohtë si edhe lakejtëq e historisë së tyre, kanë mbrojtur dhe vazhdojnë të mbrojnë tezën absurde sipas së cilës shqiptarët e Çamërisë janë larguar me vullnetin e tyre nga trojet stërgjyshorë, kinse kanë qenë të lidhur me Gjermaninë, pra kundërshtaren e Greqisë. Këto teza justifikuese sidoqoftë nuk mundën të shuajnë gjurmët e përgjakura të atij gjenocidi biblik.

Sa për pronat e banorëve të Çamërisë, fillimisht ato iu shpërndanë kolonëve grekë të ardhur nga Pireu, të cilët nuk vonuan të thellojnë krimet edhe kundër atyre shqiptarëve ortodoksë që patën mbetur në këtë trevë. Më pas, me urdhër mbretëror U.B. 2185\152 dhe me vendim 2781\54, pasuria e shqiptarëve etnikë në Çamëri iu konfiskua këtyre për t’ia falur apo shitur me çmime qesharake vullnetarëve grekë që linin jugun e vendit, për t’u ndeshur “trimërisht” me ndonjë shqiptar të vetmuar ortodoks në këto vise. Një proces i tillë i paprecedent në rrafsh të Kartës së të Drejtave të Njeriut, ndodh edhe sot në milleniumin e ri dhe me gjithë zhurmën mediatike, Athina vazhdon të verë në jetë çdo ditë e më shumë, planet e veta aneksioniste ndaj Shqipërisë.

 Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Genocidi grek, ne cameri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT