Një parashikim i ri nga komuniteti amerikan i zbulimit, thotë se Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë që ta humbin statusin si superfuqi deri në vitin 2030, derisa ekonomitë aziatike do të bëhen më të forta se ato të Amerikës së Veriut dhe Evropës.
Megjithatë, raporti “Global Trends 2030”, i publikuar nga Këshilli Informativ Kombëtar, tha se Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të mbeten ndër vendet më të fuqishme të botës për shkak të rolit që mund të luajnë në zgjidhjen e krizave globale, avantazhet teknologjike dhe “pushtetin e butë” apo atributet kulturore.
Raporti tha se Kina ka gjasa që ta kapërcejë Amerikën si ekonominë më të madhe në botë në vitet e 2020-ta.
Në të thuhet se rritja e ekonomive të Kinës dhe Indisë do të “kapërcejë” rritjen e SHBA-së dhe të Japonisë së shekullit të 20-të.
Studimi thotë se Evropa, Japonia dhe Rusia pritet të vazhdojnë me rënie të ngadaltë ekonomike, pjesërisht për shkak të plakjes së popullatës.
Studimi parashikoi se aktet e dhunshme të terrorizmit islamik do të jenë më të rralla në vitin 2030.
Por, raporti vë në pah se sulmet kibernetike terroriste ka të ngjarë të rriten dhe konfliktet mbi burimet natyrore, si për ujin, mund të sjellin destabilitet.
Në atë që e përshkruan si një “zhvendosje tektonike e mundshme,” raporti gjithashtu thotë se Shtetet e Bashkuara, një nga importuesit më të mëdhenj të energjisë në botë, pritet të pavarësohen nga importi.
Ai përmend rifitimin e pozitës nga SHBA si prodhuesi më i madh natyror në botë i gazit dhe prodhimin e naftës bruto përmes përdorimit të “teknologjisë fragmentuese hidraulike.”
Raporti tha se Shtetet e Bashkuara ka shumë gjasa që të jenë “të parat mes të barabartëve” midis fuqive të tjera të mëdha në vitin 2030 “për shkak të mbizotërimit në një varg të dimensioneve të pushtetit.”
Megjithatë, në të theksohet se me rritjen e shpejtë të vendeve të tjera, epoka e dominimit amerikan në politikën ndërkombëtare që filloi në vitin 1945, do të “nisë tatëpjetën”.
Raporti thotë se në Evropë, Gjermania ka gjasa të mbetet lidere e 26 vendeve të tjera të Bashkimit Evropian për shkak të perspektivës së saj të rritjes ekonomike.
Në të thuhet se deri në vitin 2030, Rusia do të përballet me një rënie të popullsisë prej rreth 10 milionë njerëz – një rënie shumë e madhe e popullsisë krahasuar me vendet tjera.
Megjithatë, raporti thotë se për shkak të normave të rritjes ekonomike dhe politikave të emigracionit, Rusia mund të mbajë pjesën e saj aktuale të fuqisë globale.
Raporti thotë se “dinamika rajonale” në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore gjatë dekadave të ardhshme do të ketë potencial për të shkaktuar destabilitet më të gjerë.
Aty thuhet se në Lindjen e Mesme, shifrat aktuale të larta të rinjve – një forcë shtytëse e pranverës arabe – do t’i hapin rrugën plakjes graduale të popullsisë.
Ai thotë gjithashtu se me teknologjitë e reja që kanë filluar t’i sigurojnë botës burime të tjera të naftës dhe gazit, ekonomia e Lindjes së Mesme do të jetë e detyruar që të bëhet më e larmishme.
Raporti thekson se nëse regjimi islamik i Iranit mban pushtetin dhe është në gjendje të zhvillojë armë bërthamore, “Lindja e Mesme do të përballet me një të ardhme shumë të paqëndrueshme.”
Por, aty nënvizohet se shfaqja e një Irani të reformuar dhe të fokusuar në modernizimin ekonomik mund të ketë efekte pozitive.
Raporti rendit Afganistanin dhe Pakistanin në mesin e 15 vendeve, që rrezikojnë të shndërrohen në “shtete të dështuara”.
Aty thuhet se rritja e ulët ekonomike, rritja e çmimeve të ushqimit dhe mungesat e energjisë do të paraqesin sfida të “ashpra”për qeverisjen në Pakistan dhe Afganistan.
Raporti thotë se India ka më shumë gjasa që të vazhdojë të konsolidojë avantazhin e saj të energjisë krahasuar me Pakistanin. Raporti thotë se ekonomia e Indisë tashmë është gati tetë herë më e madhe se ajo e Pakistanit dhe deri në vitin 2030, ky raport ”lehtë mund të jetë 16 me 1”.(Kortezi: Europa e Lire)