• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2013

KONGRESI I LUSHNJËS, FLATRA E NACIONALIZMIT SHQIPTAR

January 21, 2013 by dgreca

Nga Eugen Shehu/

  Viti 1919 do të ishte në Shqipëri përmes gjëmimeve të afërta të luftës,ç’ekuilibret politike të Ballkanit i ngjanin një tërmeti në shpërthim ku padyshim trojet shqiptare do të ishin epiqendra e tij.Për sa kohë do të zgjaste ky tërmet dhe çfarë dëmesh mund të pësonin popujt ballkanik kjo natyrisht vendosej diku gjetkë në Evropë.Dhe aspak në qendrat shkencore të sizmiografisë por përkundër,në tavolinat e strategëve ushtarakë.

  Kish mbaruar lufta e parë botërore dhe nëpër kancelaritë e Evropës,çështja shqiptare natyrshëm kërkonte një zgjidhje.Italianët e ulur këmbëkryq në Vlorë dhe rrethet e saja,mendonin të vendosin protektorat të drejtëpërsëdrejtë dhe për këtë u duhej një qeveri kukull.Kohë më parë,kishte qenë Sonino,ministri i jashtëm italian i cili pat urdhëruar që të formohej një qeveri shqiptare por : „… me persona shqiptarë që të jenë njerëzit tanë dhe me autoritet në të gjithë Shqipërinë e pushtuar prej nesh me përjashtim të Vlorës dhe hinterlaudit të saj „.(I dokumenti diplomatik  italiani – Seria VI-volumi I,dokumenti 402 ).

Kësisoj u përgadit dhe u thirr Kongresi i Durrësit prej nga edhe doli qeveria e tij.Për hir të së vërtetës duhet thënë se kjo qeveri jo vetëm nuk u kujtua për hallet e popullit aq të mëdha në ato kohëra,por përkundrazi,ajo u kthye në një vegël të verbër në duart e pushtuesve italianë. Marrëveshjet e firmuara nga kjo qeveri me atë italiane ishin koncensusi dhe të hapura që  i bëheshin pushtimit të mëtejshëm italian. Dokumenta të tëra flasin për atë fakt makabër sipas të cilit vendosja e protektoratit italian ishte ndër prioritetet e qeverisë së Durrësit.Po,ishin pikërisht antarët e këtij kabineti që urdhëronin me anë të një telegrami,të gjitha organet vartëse,për të bërë ç’ishte e mundur që të përkujtohej 3 qershori i vitit 1917,ditë e cila sipas administratës italiane ishte shpallja e pavarsisë së shqiptarëve.Hidhej baltë kësisoj mbi përpjekjet titanike të popullit tonë për shpalljen e pavarsisë në nëntorin e vitit 1912.Përdhoseshin rrëkejtë e gjakut të derdhur,mohohej një epope e ndritur.Gjithësesi populli ynë asnjëherë nuk u pajtua me morri të tilla.“Dita e indipendencës së Shqipërisë është me 28 të vjeshtës së tretë“ – thuhej në një letër përgjigjeje të bashkisë  së  Elbasanit, e cila  e shikonte „ të panevojshme festëtimin popullarisht të çdo dite tjetër si ditë shpalljeje të vetëqeverimit shqiptar.” Edhe në rrafshin diplomatik ndërkombëtar,qeveria e Durrësit bëri gabime të mëdha.Ajo kurdoherë nuk dorëzoi qëndrimet aneksioniste italiane por u përpoq të zbuste protestat e popullit ndaj synimeve italiane.Vlen të përmendet këtu fakti që edhe delegacioni i qeverisë së Durrësit që vajti në Konferencën e Paqës në Paris,megjithëse foli shumë për kufijtë etnike,nuk tha asnjë fjalë për Italinë që po ashtu si fqinjët tanë të tjerë ishte gati të coptonte trojet shqiptare.

Parë në këtë kand,mund të themi se ka qenë e domosdoshme një zgjidhje tjetër politike.Rrethet përparimtare të djelmërisë shqiptare bërë gjithashtu të njohur marrëveshjes Titani-Venizellos e 29 korrikut 1919. Cetat e nacionalistëve në jug të Shqipërisë po përballeshin me sulme të mëdha të forcave të Zogratos. Korça e Gjirokastra,kishin muaj të tërë që kalonin nëpër  sulme e beteja ku nacionalistët me zjarrin kurdoherë ndezur të patriotizmës ndalnin ofensivat greke duke i falur atdheut dhe jetët e shtrenjta. Azem Bejta dhe H.Budakova,shkruanin në po këtë kohë epopenë e përgjakur të Kosovës në luftë me armikun shekullorë,serbinë.Malet e Dibrës,ujërat e Drinit të Zi dhe Drinit të Bardhë,ishin të mbushura me shungullimën e plumbave dhe të thirrjeve për liri të Elez Isufit dhe Isuf Xhelilit.

Po në këtë ditë, gazeta „POPULLI“ do të shkruante ; „Të gjithë të pasur,klerikë,intelektualë,patriotë, fshatarë e qytetarë,gra e vajza,kabnë detyrë me ju ka gati njasaj dite ku fati i Shqipërisë vjen dhe i mbështetet burrnisë dhe fisnikërisë së bijve e bijave të saj,për t’i tregue botës se duem me jetue, jena të zot me jetue e meriotojmë me jetue ne vedi“ (Gazeta „Populli“nr 31 datë 15,tetor 1919,artikulli „Dje dhe sot“).

  Në përgaditjen e Kongresit të Lushnjës,një rol parësorë natyrisht që ka luajtur edhe Komiteti „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“. I themeluar në 7 nëntorë 1918 në Shkodër,i drejtuar prej burit trim Hoxha Kadri Prishtina,ky Komitet prej kohësh kish demaskuar qëndrimet servile proitaliane të qeverisë së Durrësit si dhe kish bërë thirrje të hapura për një kuvend kombëtar që do të mund të rrëzonte qeverinë tradhëtare. Kryesia e këtij komiteti ishte ndër të parat që denoncoi urdhërin e ardhur prej Durrësi që në çdo institucion shtetëror të vendosej një komision politik italian.Sipas kësaj kryesie ky urdhër cënonte haptas dhe drejtëpërsëdrejti indipendencën kombëtare politike të Shqipërisë.Ndër të tjera,në këtë protestë publike thuhej se „këtë politikë antishqiptare të Italisë,atdhetarët e vërtetë nuk mund ta përkrahin pa tradhëtuar atdheun e tyre“.(Arkivi Qendror i Shtetit,Fondi i Kosovës,Dokumenti 708.800 datë 14.12.1919).

Delegatët e Komitetit „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“,i dënon dhe aprovuan një sërë kërkesash gati ultimative që do të bëheshin që në seancën e parë të Kongresit më 21 janar 1921 të cilat kishin të bënin me rrezikun e qeverisë të Durrësit ku përpos të tjerave dy ishin akuzat më të rënda : Nuk ishte mbrojtur çështja e Kosovës dhe krejt trojeve shqiptare – si  edhe nuk ishte vënë në dijeni populli për asnjë veprim apo traktat të lidhur në kurriz të tij.Kësisoj në ditët e para të janarit të vitit 1921,megjithë pengimet e mëdha të pushtuesve Italianë si dhe veglave të tyre të verbëra,me gjithë përpjekjet e forcave esadiste për të trembur popullin,nga shumica e prefekturave,populli kish zgjedhur me votën e tij të lirë përfaqsuesit e vet,nacionalistët dhe atdhetarët e ndershëm të cilët shkonin në Lushnje,jo për të marrë kolltuqe por për të hedhur mbi supe një barrë të madhe,me peshë historike; të ruheshin kufijtë arbnorë,të luftohej për kufijtë etnike,për demokraci e shtet shqiptar të pavarur. Midis peripecive të panumërta,delegatët nga krejt Shqipëria udhëtuan në fund janarin e vitit 1920 drejt qytetit të Lushnjës.Orvatjet e qeverisë dhe forcave ushtarake italiane nuk i penguan kongresistët patriotë të çelin seancën e parë të Kongresit më 21 janar duke deklaruar së parri rrëzimin e qeverisë së Durrësit, e cila prej kohësh pat tradhëtuar interesat kombëtare. Forca vullnetare popullore nga Elbasani,Durrësi,Peqini,Berati,Muzeqeja dhe Vlora,bashkuan armët duke vënë në mbrojtje të Qytetit të Lushnjës dhe Kongresit.Ata pritën me entuziazëm ashtu sikundër i gjithë populli thirjen e Komiteti kombëtar të Kosovës se … „Shqiptarët janë gati me ba çdo lloj sakrifice,madje me derdhë pikën e fundit të gjakut të tyne,kundër çdo veprimi që mund të vinte në rrezik pavarësinë e Shqipërisë e të tanësisë së saj tokësore „.(Arkivi Qendror i Shtetit,Fondi i Kosovës,dokumenti 708786).

Një vendim historik që pasoi ditët e këtij Kongresi ishte pikërisht edhe ai që hodhi poshtë planin e Konferencës së Paqës për vendosjen e Shqipërisë nën mandatin e një fuqie të huaj. Ky vendim iu bë i ditur menjëherë komandantit të përgjithshëm të trupave italiane në Shqipëri prej kryetarit të Kongresit Aqif Pashë Elbasanit. Delegatët gjithashtu u shprehën njëzëri për luftën e vazhdueshme për trojet etnike shqiptare.Kabineti i sapozgjedhur kryesohej prej Sulejman Delvinës.Përpos të tjerave,në këtë kabinet bënin pjesë Aqif Pashë Elbasani,Sotir Peci,Eshref Frashëri,Hoxhë Kadriu,ndërsa përfaqsues të tyre në Paris u zgjodhën ;Konica,Turtulli dhe Bumçi.

Jehona e Kongresit të Lushnjës u ndie në krejt trevat shqiptare.Mori tjetër hov lëvizja për indipendencë,pasi populli e ndjeu së thelli se qeveria do të mbronte tërësisht interesat kombëtare. Atdhetarët shqiptarë,në shkrimet e shumta të botuara,sidomos në  gazetat „Populli“,“Albania“,“Drita“ dhe „Shqipëria e Re“,vlersuan jo vetëm vendimet e mëdha të dala nga ky kongres,por edhe momentin e madh historik të shpalljes së tyre.Në hapësirat e krejt trevave shqiptare rilindën shpresat e mëdha. Në një manifestim në përkrahje të Kongresit që bëri populli i Gjirokastrës thirrja ushtoi fort në fjalët ; „Vëllezër shqiptarë ! Që kur u formua qeveria e Shqipërisë në Kongresin e Lushnjës,që kur u deklarua independenca e plotë e Shqipërisë dhe u vu në veprim,qeveria Italiane e kuptoi gjallë që jo vetëm nuk mundi të përdorë Shqipërinë si për pazarllëk midis shteteve ballkanike,po edhe Vlora e baza morale e saj humbi për të … shqiptarët pas veprave,pas punerave që shohin,gjykojnë dhe protestojnë rreptësisht.Zëri i tyre,në e lëntë shtetrrethimi i gjeneral Piaçentinit,do të arrijë mbase në vesh të popullit italian.(Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci,1917-1941.Tiranë,botimi i Arkivit Qendror të Shtetit 1959 faqe 32 ).

Kongresi i Lushnjës,vendosi gjithashtu që kryeqyteti i Shqipërisë të jetë Tirana.populli i Tiranës e priti me ovacion këtë vendim dhe rrëmbeu armët duke siguruar rrugën e ardhjes së qeverisë kombëtare.Ishin me dhjetra oficerë të xhandarmërisë shqiptare që nuk iu bindën urdhërave të eprorëve por u bashkuan me popullin duke paraparë tek ky kabinet prijësin drejt të  armes së tyre të lirë e të pavarur.

Kësisoj,Kongresi i Lushnjës,ky akt i kadh kombëtar,i shëmbëllen një agimi të ri që hodhi dritë paprerë mbi situatën dramatike në Shqipërinë e asaj kohe.Përpos një akti të madh ajo mbeti edhe një vizion modern i së nesërmes shqiptare.

 

SHTOJCË DOKUMENTASH TË ARKIVIT LIDHUR ME KONGRESIN E LUSHNJËS

 

– Në prag të Kongresit të Lushnjës,Hysen Zhyra i dërgon Bedri Pejanit kopjen e besës së lidhur ndërmjet shtatë bajraqeve të Pukës më 15-11-1919,ku ndër të tjera theksohet :

1 – Sikur  tërë populli,edhe ne kemi lidhur besë dhe nëse paraqitet nevoja kemi me derdh gjakun për atdhe.

2 – Vrasja me qëllim me marr gjak ashtë ndaluar,e nëse ndesh,shtëpia e gjaksorit digjet dhe bagëtia dhe malli i merret.

3 – Nëse ndokush sjell ndonjë vendim tjetër ne nuk  do ta përfillim.

4 – Me vjedh ose me fyer dikend  morralisht asht e ndalueme

5 – Ai që nuk hyn në këtë besë me tërë familjen do të dërgohet jashtë shtatë bajraqeve në një vend që do t’ia cakton qeveria.

6 – Kjo besë zgjat deri në Shen Gjergj”

( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi 846 , dosja nr 3 , dokumenti nr.703 / 211 ) .

“Prej çdo ane vinin kërkesa për një kongres,por kabineti i Durrësit e italianët bënin ç’është e mundur të pengonin,se Komiteti Kombëtar i Kosovës përpiqej të nxirte leje nga francezët që kongresi të mblidhej në Shkodër,por ata nuk e lejuan”.

( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi Hoxha Kadriu – fleta e kujtimeve , faqe 42-42 ) .

Ishte bërë e qartë se shpëtimi i Shqipërisë mund të bëhej vetëm po të kishte një qeveri kombëtare që të përfaqsonte interesat e popullit në luftë për liri dhe pavarsi.Këtë qeveri ajo nuk e kishte.Një qeveri e tillë mund të formohej vetëm nga një mbledhje e re kombëtare.Ideja e thirrjes së kongresit kishte pushtuar mendjen e njerëzve patriotë gjatë gjithë muajve të fundit të vitit 1919,por akoma nuk qe kristalizuar mendimi unik për të dalë me një thirrje nga një qendër e vetme siç ndodhi më vonë në Lushnjë.Masat organizative për mbledhjen e kongresit në fillim qenë të dobëta.Në këtë drejtim do të ketë ndikuar edhe fakti se kishte akoma elementë brenda dhe sidomos jashtë vendit,të cilët megjithëse ishin kundër Qeverisë së Durrësit, e konsideronin “Vetvrasje” rrëzimin e saj.Elementë patriotë,të mbledhur në Lushnjë,pas diskutimesh më 31 dhjetor 1919 vendosën të thirrej një kongres.Në vendimin përkatës thuhet ; “Tue parë se në këtë kohë në konferencën e paqës do të caktohet fati i atdheut tonë,nga ana tjetër duhet parë se turbullirat e brendshme dhe paqetësia në vend janë të dëmshme për të ardhmen e Shqipërisë e në dobi të synimeve lakmitare të fqinjëve,të gjithë krahinat e Shqipërisë çfaqin dëshirën e plotë për një mbledhje kombëtare të përgjithshme edhe në vendin e mbledhjes kanë pëlqyer Lushnjën,që ndodhet në kufitë e Shqipërisë së Veriut e të Jugës.Lushnja me gjitha krahinat e saja është antare e plotë e kësaj mbledhjeje”.

( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi “Konferenca e Paqës “ dokumenti  51110, datë 31-XII 1919 ) .

Thirja për një Kongres të ri u prit me entuziazëm nga populli shqiptar.Aty ku qenë mundësitë,zgjedhjet e delegatëve u bënë me solemitet dhe u përcuall për në Lushnjë po me të njejtën mënyrë.Në përgjigje që bënte katundaria e Tiranës katundarisë së Lushnjës, p.sh. thuhet ;

“Nisjen patriotike për të mbajtur në qytetin e zotërisë suaj një kongres kombëtar populli i Tiranës i madh e i vogël e priti me gëzim të madh dhe iu falet nderës”.

( Arkivi Qendror i Shtetit, fondi Konferenca e Paqës, dokumenti 51131, data 12-I-1919) Përgjigje e katundarisë së Tiranës thirrjes së Lushnjës për të zgjedhur delegatë .( Ne Foto: Qeveria e Lushnjës parakalon para popullit)

Bern-Zvicër, Janar 2013

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Flatra Kombetare, Kongresi i Lushnjes

NDEROHET PRESIDENTI IBRAHIM RUGOVA NE 7 VJETORIN E VDEKJES

January 21, 2013 by dgreca

Jahjaga: Ibrahim Rugova arkitekti i Pavarësisë së Kosovës/

Në shtatë vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, lideri i aktual i LDK-së, Isa Mustafa, ka vlerësuar lart figurën e ish-presidentit Rugova, duke thënë se ai ishte lideri që vulosi fundshekullin e kaluar dhe këtë fillim shekull me konkretizimin e pavarësisë së Kosovë. Ndërkaq, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se figura e Rugovës është historike për vendin. Familjen e ish-Presidentit Rugova e kanë vizituar edhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga dhe kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli./

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në akademinë përkujtimore kushtuar Ibrahim Rugovës, foli për ideologjinë, punën dhe vizionin e tij.

Presidentja Jahjaga tha se jeta dhe veprimtaria e Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, na bënë të ndjehemi krenar për rrugën që si popull bashkërisht e kemi kaluar.
Jahjaga e quajti Presidentin Rugova, arkitekt të pavarësisë, udhëheqës largpamës, i cili përfundimisht e orientoi vendin dhe shqiptarët drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Ne sot e kujtojmë Presidentin e parë të shtetit, i cili në kohë të vështira, diti të marrë vendime të rëndësishme që i dhanë kahje historisë duke e përcaktuar përfundimisht fatin tonë si popull dhe të ardhmen e atdheut”, tha ajo.
Jahjaga vlerësoi se që nisje të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, me fillimin e dominimit të hegjemonizmit serb, Ibrahim Rugova e zgjodhi rrugën e krijimit të mendimit filozofik e politik të pikëpamjes së atdhetarizmës të formësuar, si filozofi e politikës aktive paqësore, që mobilizoi popullin e etshëm për liri, për pavarësi e për demokraci, për zhvillim të jetës pluraliste, për avancim të proceseve demokratike dhe për shtet ndërtim. Presidentja tha se kjo politikë rugoviane i dëshmoi aftësitë organizative të popullit, për të pasur dhe për të mbajtur shtet, dhe njëkohësisht krijoi përkrahje të fuqishme ndërkombëtare, si kurrë më parë në histori. “Patëm një përkrahje të fuqishme ndërkombëtare, të pashënuar ndonjëherë në historinë tonë, që kulmoi me intervenimin ushtarak humanitar të NATO-s në këto hapësira, për të parandaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik”, tha ajo. Presidentja edhe për krijimin e LDK-së, meritat ia adresoi presidentit Rugova, që sipas saj së bashku me intelektualët e tjerë krijoi dhe udhëhoqi Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilën ajo e quajti, partia e parë Demokratike në historinë tonë, që vepronte publikisht, e orientuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. “Së bashku me partitë e tjera krijoi jetën shumëpartiake për shtet ndërtim duke iu kundërvënë me shumë sukses sistemit okupues”, tha ajo.
Po ashtu ajo rikujtoi se ishte nisma e liderit Ibrahim Rugova, për të krijuar Këshillin e Partive Politike të Kosovës, e më vonë edhe të Këshilli Koordinues të njëmbëdhjetë Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, që mbi bazën e barabartë të parlamentarizmit, ndërtoi dhe miratoi “Platformën Politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare në ish Jugosllavi”.
Po ashtu ajo tha se meritat i takojnë Rugovës për ndërtimin e një sistemi efikas qeverisjeje e administrimi për Republikën e Kosovës, shtet demokratik dhe të lirë, të gjithë qytetarëve të barabartë. Për më tepër ajo e vlerësoi Rugovën si strateg të shtetit të Kosovës, të Republikës, e që e kishte legjitimitetin e përkrahjen e gjithëmbarshme popullore dhe bazën legale të veprimit e të funksionimit.
Presidenti tha se me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe Presidenciale u bënë përpjekjet për funksionimin e procesit zgjedhor, nën kushtet e okupimit, si një dëshmi dhe një vullnet se populli i Kosovës do dhe di të mbajë shtet.
Jahjaga tha se Presidenti Rugova shpresonte shumë që në Kosovë do të mund të evitonte luftën kundër popullit të pambrojtur, duke llogaritur se bota përparimtare kishte marrë mësim nga luftërat e përgjakshme në Kroaci dhe në Bosnje dhe do të parandalonte gjenocidin dhe shpërnguljen e popullit të Kosovës. Ajo tha se Rugova pa as më të voglin hezitim në Konferencën e Rambujesë ia kaloi udhëheqjen e delegacionit dhe rolin prijës përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jahjaga tha se Presidenti Dr. Ibrahim Rugova njihet për sintagmën LIRI PAVARËSI, DEMOKRACI që ishte platforma e Tij politike; të punojmë, të fitojmë lirinë të shpallim pavarësinë të ndërtojmë demokracinë. Kjo tashmë është bërë realitet, ashtu si edhe vizioni për miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq një delegacion i kryesisë së LDK-së vizitoi sot familjen Rugova. Kreu i LDK-së Isa Mustafa vlerësoi lartë figurën e ish presidentit Rugova dhe kontributin e tij në shtetformimin e Kosovës.

“Si një filozof i cili e zhvilloi një aktivitet dhe një lëvizje të veçantë në një periudhe kur ishte shumë vështirë të lëvizej për liri, pavarësi dhe demokraci, lider i cili e vulosi fundshekullin e kaluar dhe fillimin e shekullit të ri dhe të arritëm që Kosovën ta pavarësojmë, që Kosova të ec drejtë integrimeve evropiane dhe euro- atlantike, kërkesë e tij e kamotshme”, tha Mustafa.

Për të nderuar ish presidentin Rugova, homazhe pranë varrit të tij bënë edhe kryesia e AAK-së. Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj tha se në nderim të veprës së tij kujtojmë gjithë arritjet që ka shënuar vendi.

“ Në përvjetorin e ndarjes fizike nga ne të presidentit historik dr. Ibrahim Rugova,bëjmë nderim dhe kujtojmë rrugën e gjatë të popullit tonë deri këtu e veçanërisht rolin historik të presidentit Rugova në rrugën e gjatë të arritjeve e popullit të Kosovës”, tha Haradinaj.

Homazhe te varri i ish presidentit Rugova kanë bërë edhe drejtues të partive tjera politike, ndërkohë në shenjë të nderimit të veprës së tij, forumi rinor i LDK-së , organizoi marsh në qendër të Prishtinës.

 

Profeti i Paqes dhe Lirisë

Ai nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë ta sulmonte askënd, përpos të keqen, padrejtësinë, diktaturën, urrejtjen, rrenën, mashtrimin, dhe atë gjithnjë me fuqinë e së vërtetës, me strategjinë këmbëngulëse dhe frymëzuese për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjithë.

Fjalët, shkrimet, idetë, politika paqësore jodhunore e Dr. Ibrahim Rugovës ishte një risi dhe befasi gati për të gjithë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, sipas parimeve të Gandhit, të Martin Luther King-ut, deri diku Havelit, apo si thoshte ai, ishte strategjia jonë “tereziane” duke u referuar dhe frymëzuar në jetën dhe veprën e Nënës Tereze Bojaxhiu. Këtë përcaktim e shpjegonte kështu: edhe jemi të detyruar, sepse nuk kemi as ushtri, as polici, as armë, dhe ndoshta kjo atëherë ishte edhe fatbardhësia jonë /vërejtja ime/, por edhe duam, sepse nuk besojmë në fitoren e luftës dhe të armëve, dhe ajo do ta përgjysmonte dhe pakësonte popullatën tonë, ndërsa ne dëshirojmë ta mbrojmë çdo jetë dhe çdo njeri… Ishte studiues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qëndrime gjithnjë pozitive dhe optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thosha edhe më tepër, Profeti i Paqes, Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa politikën në shërbim të të mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human të politikës paqësore dhe jodhunore. Shpesh thoshte: “Politika nuk është matematikë”, duke menduar dhe theksuar se njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person, individ i pacenueshëm, dhe se pakica dhe shumica duhet të bashkëpunojnë gjithnjë në kërkimin dhe zbatimin e paqes.(Kortezi:Bota Sot)

Filed Under: Histori, Kronike Tagged With: atifete jahjaga, Presidenti Rugova

BETIMI I PRESIDENTIT OBAMA

January 21, 2013 by dgreca

RRETH 800 MIJE NJEREZ NDOQEN CEREMONINE NGA LENDINA , NGA 2 MILIONE QE ISHIN NE MANDATIN E PARE/

 Disa qindra mijëra njerëz janë mbledhur në lëndinën qëndrore të kryeqytetit për të marrë pjesë në inaugurimin publik të presidentit Barack Obama për mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Obama morri pjesë në një shërbesë në kishë sot në mëngjes.
 Gati 800 mijë njerëz, shumica duke valvitur flamuj amerikanë kanë mbushur lëndinën qëndrore për të parë ngjarjen. Ky është një numër më i vogël sesa gjatë inaugurimit të tij të pare kur gati 2 milion njerëz erdhën për të pare ceremoninë e betimit të presidentit të parë afrikano-amerikan.  
 Zoti Obama bëri betimin zyrtar dje pasi kushtetuta amerikane kërkon që presidenti të bëjë betimin më 20 janar. Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts drejtoi betimin, ashtu si edhe katër vjet më parë.
 Zoti Obama do të ribëjë betimin sot duke përdorur dy Bibla historike – një të presidentit Abraham Lincoln, dhe atë të udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luther King Jr., i cili u vra në vitin 1968.
 Inaugurimi sot përkon me festën federale që shënon ditëlindjen e Martin Luther Kingut.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dan Robinson, na informon për aktivitetet para ceremonisë së sotme në parkun kombëtar të Uashingtonit, ku do të zhvillohet ceremonia publike e inaugurimit në praninë e qindra mijëra njerëzve.
  Ndoshata sot nuk do të vinë këtu 1.3 milionë njerëz si katër vjet më parë, kur vendi ndoqi inaugurimin e presidentit të parë afrikano-amerikan në vitin 2009, por sot pritet të mblidhen në Uashington më shumë se 600 mijë njerëz që do të mbushin parkun nga Kapitoli tek Memoriali i Linkolnit.
 Zoti Obama dhe zv/presidenti Baiden e fillojnë ditën sot në kishën episkopale të Shën Xhonit në Uashington, kur shefat ekzekutivë kanë ndjkur shërbesat fetare gjatë gjithë historisë amerikane.
 Pastaj ata do të shkojnë në Kapitol, ku Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhon Roberts do të administrojë berimin e presidentit. Anëtarja e parë hispanike e Gjykatës së Lartë, Sonja Sotomajor, do të administrojë betimin e zv/presidentit Baiden.
 Ky vit shënon gjithashtu edhe 50 vjetorin e marshimit të të drejtave të njeriut në Uashington në vitin 1963 dhe 150 vjetorin e Proklamatës së Emancipimit të Presidentit Abraham Linkoln që shënoi fillimin e procesit të lirimit të skllevërve në Amerikë.
 Në ceremoninë e sotme të inaugurimit do të marrin pjesë muzikantë si Xhejms Tejlor, Kelli Klarkson dhe Bijance, si dhe do të lizohet një poemë nga poeti kobano-amerikan, Rikard Blanko. Zoti Obama dhe zv/presidenti Baiden do të marrin pjesë në drekën tradicionale në Kapitol, pastaj do të ndjekin paradën e inaugurimit nga tribuna e ngritur para Shtëpisë së Bardhë. Më vonë ata do të marrin pjesë në dy ballo festive.
Presidenti Barak Obama bëri zyrtarisht betimin për mandatin e tij të dytë dje. Po ashtu edhe zv/presidenti Xho Baiden bëri betimin. 
 Presidenti Obama bëri betimin pak para mesditës, në një ceremoni që zgjati rreth 30 sekonda në dhomën blu të Shtëpisë së Bardhë që shikon nga monumenti i Uashingtonit.
 Zonja e parë Mishellë Obama, vajzat Malia dhe Sasha, si dhe një grup i vogël gazetarësh ishin të pranishëm, kur Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhon Robert administroi betimin.
 Zoti Obama i dha dorën gjykatësit Robert, puthi të shoqen dhe vajzat dhe i tha famljes: “ E bëra betimin”.
 Kjo është hera e shtatë në historinë amerikane që një president bën betimin të djelën, para ceremonisë publike një ditë më pas. Kushtetuta parashikon që mandati i presidentit të fillojë më 20 janar.
 Zoti Obama përdori biblën e gjyshes së të shoqes, LaVaughn Delores Robinson.
 Në ceremoninë pupublike sot në shkallët e Kapitolit, Presidenti Obama do të bëjë betimin përsëri me dorën mbi biblën që pëdori Presidenti Abraham Linkoln për inaugurimin e tij në vitin 1861.
 Zoti Obama do të përdorë një bibël të dytë që dikur i përkiste udhëheqësit të të drejtave civile Dr.  Martin Luther King, i Riu. Ceremonia e inaugurimit përkon këtë vit me festën kombëtare për nder të Dr. Kingut.
 Më herët, zv/presidenti Baiden bëri betimin në rezidencën e tij zyrtare në Observatorin e Marinës në Uashington, duke përdorur biblën e familjes.
 Betimi i tij u administrua nga gjykatësja Sonja Sotomajor, hera e parë në histori nga një gjykatës hispaniko-amerikan.
 Presidenti dhe zv/presidenti vunë një kurrorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezet Kombëtare në Arlington për të nderuar të rënët e ushtrisë amerikane.  
Presidenti Obama fillon mandatin e tij të dytë mes një përzjerjeje të optimizmit dhe pesimizmit për ekonominë dhe aftësinë e udhëheqësve për të lënë mënjanë përplasjet partiake dhe për t’u përqendruar në krijimin e vendeve të reja të punës dhe zgjidhjen e problemeve fiskale.
 Miratimi për punën e vetë presidentit dhe për të si person është i lartë. Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve janë optimistë për mandatin e tij të dytë. Por më pak se gjysma besojnë Presidenti Obama dhe republikanët do të jenë në gjendje të punojnë sëbashku.
 Xhon Hudak është ekspert i qeverisjes në Institutin Brookings.
  “Zgjidhja më e mirë tani është çfardo që ai të realizojë nëpërmjet Kongresit dhe që është i predispozuar të nënshkruajë. Sa më shumë që ai të bashkëpunojë me Kongresin sipas konceptit të marrëdhënieve ekzekutiv – legjislativ, aq më e dobi prurëse do të jetë në trajtimin e problemeve që ne kemi”. 
 Motoja zyrtare e inaugurimit të dytë të zotit Obama është “populli ynë, e ardhmja jonë”. Hollësitë për fjalimin e tij të sotëm nuk dihen. Ndihmësit e tij thanë se ai vazhdon të bëjë ndryshime në fjalimin e tij.
 Rreth tri javë e ndajnë fjalimin e inaugurimit të Presidentit Obmaa sot dhe atë për gjendjen e vendit që do të mbajë më 12 shkurt. 
Ai do të parashtojë në atë fjalim objektiva specifike të politikës së tij për mandatin e dytë, duke u përqendruar tek ekonomia, reforma e imigracionit, ligjet e reja për kontrollin e armëve dhe vazhdimi i tërheqjes së trupave luftarake amerikane nga Afganistani.(Kortezi: VOA)

Filed Under: Kronike Tagged With: Betimi, Presidentit Obama

Opozita kujtoi ne Tirane 4 manifestuesit e vrarë

January 21, 2013 by dgreca

Mbështetës dhe drejtues të partisë socialiste marshim në heshtje në bulevard. Kryetari socialist “procesi gjyqësor po i rivret”.Kryeministri Berisha “ata janë viktima të Edi Ramës”/

 Në Tiranë sot opozita shqiptare përkujtoi katër viktimat e 21 Janarit të 2011, të cilët mbetën të vrarë gjatë një manifestimi i cili u kthye në një përleshje të dhunshme me forcat e policisë parpara godinës së qeverisë. Mbështetës së opozitës të udhëhequr nga drejtuesit e partisë socialiste marshuan sot në heshtje. Në rreshtin e parë mbaheshin fotografi të mëdha të Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikajt. Me lule në duar dhe nën tingujt e muzikës funebre në sfond, mbështetësit e opozitës lëvizën në bulevardin qëndror të kryeqytetit, për t’u ndalur, pranë godinës së qeverisë, aty ku mbetën të vrarë, me armë zjarri, katër viktimat e dy viteve më parë. Familjarët e tyre kanë përsëritur këto ditë thirrjet për zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve, duke drejtuar gishtin e përgjegjësisë te qeveria. 
Hetimet për 21 Janarin të cilat zgjatën më shumë se një vit, u mbyllën pas ekspertizës së realizuar nga FBI-ja amerikane. Ish komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe shoferi i tij, si dhe përgjegjësi i taknologjisë në kryeministri u arrestuan. Zoti Prendi u akuzua për vrasjen e një prej protestuesve. Një tjetër oficer i gardës, Agim Llupo, i arrestuar që në 2011 po ashtu u akuzua për vrasje. Procesi gjyqësor ndaj tyre vazhdon ende. Në qeli është vetëm oficeri Llupo. Ish komandanti është në gjendje të lirë sikurse dhe shoferi i tij, i akuzuar për fshehja të provave. Ndërsa përgjegjësi i teknologjisë Armando Kasaj, u lirua nga akuzat se kishte fshirë pamjet filmike nga kamerat në godinën e qeverisë dhe u shpall i pafajshëm. Nën hetim përfunduan edhe tre deputetë të partisë socialiste, të dyshuar për organizimin e veprimeve të dhunshme, por cështja ndaj tyre u mbyll pasi përfituan nga aministia me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.
Pak ditë më parë, përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë, ambasada amerikane, ambasadori i delegacionit të Bashkimit europian Ettore Sequi dhe ambasadori i Osbe-së Eugen Wollfarth, bënë thirrje për “një proces të besueshëm gjyqësor, të lirë prej ndërhyrjeve politike”. Nga ana e saj opozita nuk e ka fshehur asnjëherë skepticizmin ndaj procesit që po zhvillohet për ngjarjet e 21 janarit. Edhe sot kryetari socialist Edi Rama u shpreh se sipas tij vrasjet në Bulevard janë pasuar nga rivrasjet në proces gjyqësor, duke shtuar se “vetëm largimi i pushtetit që vrau mund ta afrojë ditën e vendosjes së drejtësisë”.
Për 21 Janarin foli sot edhe kryeministri Sali Berisha duke rikonfirmuar qëndrimin sipas të cilit, opozita dy vjet më parë kishte tentuar përmbysjen me dhunë të institucioneve. “Ishte akti më I shëmtuar në historinë e institucioneve shqiptare”, deklaroi kryeministri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të partisë së tij. Zoti Berisha bëri përgjegjës kryetarin socialist, ndërsa tha se manifestuasit e vrarë “janë viktimat e Edi Ramës”(Kortezi Zeri i Amerikes)

Filed Under: Kronike, Politike

KOMUNITETI SHQIPTAR NE NJU JORK DENOI REPRESIONIN SERB NE LUGINEN E PRESHEVES

January 21, 2013 by dgreca

U diskutua plani i veprimeve per ditet e ardhshme: Shqiptarët e Amerikës, gati të nisin protestat në Washington dhe New York…/

Nga BEQIR SINA, New York/

Shqiptarët e Amerikës, bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, OKB-ës, dhe Washingtonit, që sa më parë t’a shtojnë vëmendjen e tyre edhe për qytetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës, mbasi ata shihen se janë qytetarët më të shtypur dhe më të diskriminuarit në Evropë, nën sundimin ultra nacionalist të Beogradit, Nikoliqit dhe Dacicit.

BRONX – NEW YORK : Përfaqësues të disa subjekteve politike të komunitetit shqiptarë në zonën e “Tri Shteteve”, u mblodhën dje në shtëpinë e Vatrës, në Bronx – New York, për të dënuar ashpër heqjen e lapidarit të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës. Ata në shenjë indinjate, kanë planifikuar që në ditë e ardheshme të dilet me një Memorandum, i cili do t’i dërgohët OKB, organizatave ndërkombëtare për liritë e të drejtata e njeriut, si dhe Departamentiti të Shtetit .

Veprimtaria e shqiptarëve të Amerikës, u tha se do të shoqërohet edhe me një protestë masive, fillimisht para Kombeve të Bashkuar më pas një marsh proteste para Misionit diplomatik të Sërbisë në rrugën 67 street dhe të 5 Avenue. Washingtoni, u ra dakord do të jetë një nga vendet ku do të përqëndrohen më së shumti kërkesat dhe protestat e shqiptarëve të Amerikës.

Vendimi për të gjitha këto është marrë gjatë një takimi, që u mbajtë mbrëmë me disa veprimtarëve të dalluar të komunitetiti dhe liderëve politikë të disa shoqatatve dhe organizatave, pas aksionit të xhandarmërisë serbe, e cila largoi me dhunë lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës në shenjë kërcënimi dhe vërgëllimi të armëve të policisë dhe xhandarmarisë serbe.
Kryesuesi i këtij tubimi zoti Shaban Mehmeti, në fund në një konferencë për gazetarët e komunitetit, mbasi përfundojë miratimin e planit të protestave dhe mbasi ka dënuar ashpër veprimin e autoriteteve të shtetit serb me atë veprimin e tyre në Preshevë, ka lexuar dekleratën për shtyp :

Në të cilën qysh në fillim theksohej se të gjitha Shoqatat e komunitetit në New York dënojnë ashpër heqjen e lapidarit në Preshevë

Më tej në dekleratë, thuhet se ” Përfaqësues të disa shoqatave shqiptaro – amerikane që veprojnë në New York mbajtën një mbledhje dje në zyrën e Federatës Pan Shqiptare “Vatra” për të diskutuar për gjendjen në Luginën e Preshevës pas heqjes së lapidarit të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) nga qendra e qytetit të Preshevës.

Dhe pikërishtë për këtë thekson deklerata Shoqatat e komunitetit mbasi e dënuan ashpër veprimin e organeve serbe, konkluduan se ashtu si në të kaluarën, edhe tani, qeveria serbe nuk kanë ndryshuar qëndrimin diskriminues ndaj popullsisë autoktone shqiptare në Luginën e Preshevës.

Ndërkohë, përfaqësuesit e shoqatave i dhanë një mbështetje deklarateve të dy qeverive shqiptare, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat tnaë ata kanë dënuar këtë veprim agresiv e vandal të organeve serbe.

Në dekleratë pohohet gjithashtu se në këtë mbledhje u themelua edhe një grup punues për të sensibilizuar tek organet më të larta amerikane, përkatësisht gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Gjatë diskutimeve, veprimtari i dalluar i komunitetit z. Ramadan Gashi, mendon se “kësaj rradhe nga eksperienca në të kaluarën, gjithësesi ne duhet t’i ikim çdo lloj “handikepimeve” lidhur me “sulmet’ ndaj lidershipit tonë, si në Luginën e Preshevës, por edhe në qeverinë e Kosovës dhe atë të Tiranës. Çdo gjë, tha ai duhet bërë duke parë se çfarë efikasiteti do të ketë protesta jonë, dhe ku është më mirë të mbahet në New York apo Washington apo në të dy kryeqendrat”.

“Mungesat që ndoshta janë reflektuar në mesin e qeverive të Tiranës dhe Prishtinës, shtoi Gashi në asnjëmënyrë nuk do të gjejnë vend në këtë protestë – e cila do të ketë një subjekt të vetëm atë të sensabilizimit të opinionit amerikan me gjëndjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, qoftë kjo me protestë apo edhe me memorandum apo një seancë dëgjimi në kongresin Amerikan”.

Kurse, Dr. Gjon Buçaj, Kryetari Vatranëve bëri apel që sa më parë të krijohet një “trup” pune, e cila do të merret me organizmin e protestës, dhe që kjo protestë të shtrihet edhe më gjërë sidomos në kryeqytetin e SHBA, aty ku vendosen fatet e kombeve në Washington. “Sepse, u shpreh zoti Buçaj, ne të gjithë e pamë se si Presheva, dje u mbulua me uniforma të zeza nga Qeveria e Serbisë, ky vend po shihet qartë se është i vetmi që i ka mbet Serbisë pas Kosovës që të ushtron dhunë ndaj shqiptarëve. Këtu nuk po pushon dhuna, terrori spastrimi njësojë si në kohën e Millosheviqit, tha ai duke shtuar se përgjigjëja nga ne shqiptarët e Amerikës do të jetë masovike, si në New York dhe Washington”.

Duke marrë fjalën e tij kreu i Legalistëve në SHBA, zoti Hakik Mena, sugjeroi se duhet me i ik mendimeve arkaike, që “ndokush mendon se duhet të sigurojmë sa më shumë njerëz, kjo nuk diskutohet tha ai por sipas tij pikësëpari është, se ne duhet të protestojmë edhe me qindra vetë, mbasi qëllimi si gjithmonë kur kan protestuar shqiptarët është tek imazhi që do të përcjell protesta – mbasi ne shqiptarët jemi i vetmi komb në SHBA që protestojmë në mënyrë masovike”.

N/kryetari Vatrës, zoti Agim Rexhaj në fjalën e tij bëri thirrje që në protestë të jenë gjithësesi në krye ata që kan udhëhequr për vite me radhë dy dekadat e fundit, demostratat dhe protestat për Kosovën, si në New York dhe Washington, të gjithë liderit tanë kudo që janë duke mos perjashtuar me këtë rast dhe ish kongresmenin me origjinë shqiptare Joe DioGuardi, presidenti i LQSHA, një njeri me eksperiencë për të drejtuar protesta të tilla në të gjitha rrugët dhe sheshet e New Yorkut dhe Washingtonit.”

Presidenti i Shoqates se Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane, shkrimtari dhe poeti i njohur nga Presheva, me banim në SHBA-es, Adnan Mehmeti, në fjalën e tij në këtë tubim theksojë rëndësinë që ka media në këtë protestë, dhe të rinjët e të rejat studentët.

“Media tha kreu i shoqatës së Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane, zoti Mehmeti, duhet të marrë përsipër “barrën” më të rëndë – atë të informimit qysh tani të kësaj proteste, dhe medies pohoi ai duhet që të jepet sa më shumë informacion, për të bërë atë që sa më shumë të sensabilizohet opinioni ynë në rradhë të parë, për të siguruar një pjesëmarrje sa më masive.”

Zoti Mehmeti, gjithashtu bëri thirrje që të punohet sa më shumë edhe me grupet e të rinjëve dhe të rejave në komunitet, studentët të cilët e njohin shumë mirë edhe mentalitetin tonë por edhe atë amerikan, dhe sidomos ai permendi organizatën “Rrënjët Shqiptare”, e cila është dalluar këto vitet e fundit për organizime të këtilla, këtu në komunitet. Së fundi ai theksojë se “Na duhet edhe një “kors” i mirë i lidhëshmërisë mes lidershpit të Luginës së Preshevës dhe veprimtarisë tonë këtu në SHBA, lidhur me këtë situatë”.

Elmi Berisha përveç konstatimit të gjendjes së rëndë të krijuar me atë akt vandal të qeverisë serbe mendon se “Kjo çfarë po ndodh sot atje në Luginën e Preshevës, ka përveçse të keqes edhe një të mirë të madhe, që sipas tij është ajo që tregon se si në kohën e Millosheviqit, shqiptarët kudo që janë tash të bashkuar duhet të ngrihen dhe të mos pajtohen në asnjë mënyrë me sundimin e serbisë ndaj shqiptarëve”.

“Asgjë, tha ai nuk është koicidencë për kohën që po ndodhin këto ngjarje tragjike, çdo gjë ka një domethënje, e cila kësaj rradhe shkon në favor të ne shqiptarëve, duke i treguar botës së në Sërbi asgjë nuk ka ndryshuar nga mënyra sesi u soll regjimi i Millosheviqit,” theksojë zoti Elmi Berisha, i cili për një kohë të gjatë është dalluar si veprimtar dhe lider i komunitetit .

Edhe liderët dhe verpimtarët e tjerë të komunitetit pjesëmarrës në këtë takim ndërsa u pajtuan për fillimin e protestave dhe nxjerrjen e një Memorandumi – për heqjen e lapidarit në Preshevë, nga xhandarmaria serbe, e kan vlerësuar veprimin e tyre si një “rrugë” që po ndjek verbërisht qeveria ultra nacionaliste serbe, ndaj shqiptarëve etnik. Ajo thanë oratorët në fjalën e tyre, po vazhdon dhunën sistematike ndaj shqiptarëve e cila është e ngjashëm si në kohën e Sllobodan Millosheviqit.

Duke e konsideruar të papranueshme sjelljen e shtetit serb me veprimin që kreu me heqjen me forcë të lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës, mbasi ata e vlerësuan këtë akt si një mjet presioni ndaj shqiptarëve të mbetur në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kështu që thanë ata tash është koha që ne shqiptarët e Amerikës, duhet t’i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, OKB-ës, dhe Washingtonit, që sa më parë t’a shtojnë vëmendjen e tyre edhe për qytetarët e atjeshëm shqiptarë, mbasi ata shihen se janë qytetarët më të shtypur dhe më të diskriminuarit në Evropë, nën sundimin ultra nacionalist të Beogradit, Nikoliqit dhe Dacicit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, denoi, Kouniteti shqiptar, lapidari, Lugina e Presheves, represionin serb, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT