• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2013

“KALLËPE LLAFESH POLITIKE”?

January 14, 2013 by dgreca

NGA Fadil LUSHI/

Këtë shkrim të radhës po e filloj me thënien e një mjeku gjerman, me emrin Andreas Heinz, përndryshe Shef i Departamentit të Psikiatrisë pranë Universitetit të Berlinit. Ai në një studim të tij, pos tjerash, thotë se “…, përjashtimi social dhe përvojat negative u shkaktojnë njerëzve dëme të paparashikueshme… dhe gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë dikujt është që ta fusin atë në ndonjë kallëp”. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, fjalën arabe “kallëp”, e shpjegon kështu: 3. keq. Model a skemë që pranohet dhe zbatohet verbazi, pa e studiuar, pa ia nënshtruar kritikës, shabllon, shtampë. 4. fig. keq. Njeri që nuk është në gjendje të gjykojë e të mendojë në mënyrë të pavarur, që nuk i vështron gjërat me syrin e vet dhe i merr a i zbaton ashtu siç janë, pa i gjykuar fare; njeri i trashë nga mendja. 5. keq. …, Njerëz të çdo kallëpi.., nuk duhen futur në një kallëp, në një plan politik a moral.

Cilido qoftë lexues ka të drejtë të parashtrojë pyetjen se ç’lidhje ka ky paragraf me vështrimin gazetaresk!? Unë, me “takatin” tim mental do të bëj përpjekje që të ndërtoj një lidhje logjike mes paragrafit të lartpërmendur me ato në vijim, duke thënë se viti 2012, që kohë më parë shkoi a na iku ashtu me inate, u karakterizua me protesta, rebelime dhe tensione politike, gjithsesi të llojit ballkanas. Të gjitha këto ishin produkt a pjellë e “votimit të dhunshëm të buxhetit (kundërthënës) për vitin 2013”. Ata që ishin prezent në Kuvendin e Maqedonisë do të thonë se…, “aty u përdor dhuna ndaj deputetëve opozitarë, aty ku edhe “kinse” u lënduan  dy deputete të partisë opozitare, gjegjësisht të LSDM-së…, kinse kishte pasur tentim për sulm ndaj kryeparlamentarit z.Trajko Veljanoski”!?? Kulmi i këtij rebelimi do të hetohet në momentin kur sigurimi i Kuvendit largoi me dhunë nga galeria gazetarët e akredituar, me qëllim që të mos mund të ndjekin nga afër “zënkat e ca adoleshentëve politikë”!?

Pas gjithë kësaj hallakame, u shfaqën dy reagime, njëra ishte politike dhe tjetra mediale…, e shkruar a elektronike. Opozitarët maqedonas thanë me gojën plot se u “kontrabandua demokracia parlamentare”, ndërkaq kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, z. Naser Selmani, me të drejtë u prononcua se u suspendua demokracia e gazetarisë respektivisht opinionbërjes!

Se çka u solli “viti i dështuar parlamentar” maqedonasve, kjo ka pak rëndësi, sepse kjo ishte punë e “kurdisur” e partive politike maqedonase (pavarësisht se janë në opozitë a në pozitë), po edhe kjo është me pak rëndësi…, për ne është me vlerë se partitë politike shqiptare, në këtë fillimvit politik, a mos vallë do ta kopjojnë këtë “kallëp llafesh politike” a model të palës tjetër dhe kështu ta zbatojnë verbazi dhe në instancë të fundit, a do t’i shkojnë pas kësaj zallamahie a avazi të vjetër. Në këtë fillim viti neve na mbetet të shohim se “pushteti aktual” (që assesi nuk do t’i nënshtrohet pyetësorit të demokracisë parlamentare) a do të vazhdojë ta margjinalizojë dhe ta atrofizojë “ortakërinë politike, ekonomike, arsimore, sociale, kulturore etj., ortakëri” nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, a do të mëtojë  ta monopolizojnë “kryeminderin” e pushtetit absolut. Neve edhe në këtë fillimvit gjithqysh do të duhet të na interesojë se ky shtet “biblik” a do vazhdojë të mbajë inat me vetveten…, a do të vazhdojë të thyejë kokën e vet, sepse kjo “vetëthyerje koke” mund t’ua dërrmojë turinjtë atyre që i ka  rreth e rrotull, përfshi aty edhe shqiptarët!? Ata që kanë sado pak njohuri politike, do parashtrojnë pyetjen se maqedonasit me çfarë të drejte do të na e “imponojnë kodin e tyre të mospërfilljes”…, ca të tjerë “nacionalistë të përbetuar” shqiptarë, do të thonë se pse ne me aq lehtësi e “heshtim” këtë IMPONIM politik!?

Se ky fillimvit “parlamentar” do të jetë i mbarë a jo, do të duhet të presim e të shohim. Se ky fillim viti do jetë a jo “ogurbardhë”, do të duhet të jemi “hem sabërxhi, hem sahatçi”!? Që ky vit të mos jetë “ogurzi”, toptan partitë politike shqiptare, duhet ta rrënojnë dhe t’ia vënë flakën kështjellës së “karantinës sonë inatçore”…, do t’u duhet ta ndryshojnë atë konservatorizmin dhe provincializmin e tyre të mykur politik…, do t’u duhet ta asgjësojnë “shkollën (politike) famullitare dhe atë të fallxhorëve”!? Nëse nuk do ta ndryshojnë këtë filozofi, atëherë zor se do ta prishin a anulojmë “ortakërinë politike, financiare, kulturore e të tjera ortakëri”!? Ne edhe këtë vit duhet bërë përpjekje që të mos mbetemi peng gjithfarë premtimesh, peng gjithfarë zhurmash politike, retorikash nacionaliste, shoviniste dhe përbuzëse…, peng “heqje veshi”…, apo pse mbamendja jonë kolektive, duhet të mbetet peng i “miqësisë politike, peng i hatërisë, peng i dëgjueshmërisë”…, peng i ndërmjetësuesve të Brukselit a edhe Uashingtonit…, peng i (jo) Marrëveshjes së Ohrit…, peng i autoritarizmit të lidershipit që është ulur në kryeminderit e pushtetit makiavelist e të tërbuar…, peng i mospajtimeve të mendimeve ndërpartiake maqedonase…, peng i marrëzive politike…!

Unë nuk di se ç’kuptim do të kishte që edhe pas dy dekadash të mëvetësimit të shtetit të Maqedonisë, shqiptarët duhet lejuar vetvetes që vullneti dhe toleranca e tyre e kallkanosur dhe e çuditshme, të shndërrohet në peng të politikëbërjes stereotipe dhe jo pjellore të palës tjetër. Nëse shqiptarët, nuk do ta ndryshojnë filozofinë e politikëbërjes, atëherë hiseja tyre, në kuadër të institucioneve kushtetuese të shtetit, o do të zbehet, o do të anulohet a edhe toptan do të përjashtohet. Përjashtimet janë të dhimbshme. A mos vallë shqiptarëve, edhe këtë fillim moti “dikush do t’u sugjerojë që të bëjnë avokatllëk”, gjegjësisht të ndërmjetësojnë ndaj zgjidhjes së “mosmarrëveshjeve” mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së !??…, po ç’kuptim do të kishte ky “avokatllëk” a kjo ndërmjetësi jona, sidomos kur kemi parasysh se neve historikisht na kanë konceptuar si “huamarrës, si zaptues tokash, qaramanë, kokëkrisur, pllaninari e kokëndryshkur”!? Së fundi, ne kemi nevojë për avokatinë tonë. “Inshallah” kundërshtarët tonë politik, nuk na fusin në ndonjë kallëp kumarexhinj, kallëp tyxhari, sapuni a kallëp këpucëtari!?

Ju, të nderuar lexues, mos vallë mbani mend që dikur maqedonasit të kenë bërë një të vetme përpjekje për të na pajtuar neve? Unë për këtë as që kam dëgjuar ndonjëherë. Qofsha i gabuar. Mos dhëntë Zoti që kjo “shemëri” me shumë “hata” të vazhdojë së funksionuari me përpikëri edhe në motin 2013.

Ata që i kanë “shijuar hilet e ortakërisë” me të drejtë do të thonë se po të ishte “ortaku” i mirë, atëherë edhe Perëndia do të kishte një të tillë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, kallepe llafesh, koment, politike

Lapidari i Preshevës si diversion për bisedimet në Bruksel

January 13, 2013 by dgreca

Nga Dr. Enver Bytyçi/

Një lapidar pranë godinës së komunës së Preshevës ka krijuar tension në Luginë Shqiptarët në këtë komunë para disa muajsh e ngritën këtë përmendore, me qëllim që të përkujtohej një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e kësaj treve, të banuar po nga shqiptarët. Eshtë fjala për revoltën e armatosur të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e cila u zhvillua në vitin 2000 nën emrin “UÇPMB”. Kjo revoltë u kushtoi jetën e 27 ushtarëve, në mesin e të cilëve edhe Komandant Lleshit, i cili udhëhiqte sulmet dhe aksionet e shqiptarëve kundër stacioneve policore e pikave ushtarake serbe.

Aso kohe në pushtet ishte partia e Ivica Daçiç, e cila udhëhiqej nga komandanti i fushatës asgjësuese të shqiptarëve në Kosovë, Sllobodan Milosheviç. Pasuesi i Milosheviçit, tashmë kryeministër i Serbisë, pra Ivica Daçiç, paralajmëroi në fillim të janarit se do të bojkotonte bisedimet me Kosovën, të sponsorizuara nga Brukseli, nëse shqiptarët e Preshevës nuk e shkatërrojnë lapidarin kushtuar luftës së drejtë e të shenjtë për liri e barazi. Ose, thoshte ai, qeveria e Serbisë do ta shkatërronte këtë lapidar me dhunë. Shqiptarët paralajmëruan se një hap i tillë i kryeministrit serb do ta çonte rajonin në një konflikt të pashmangshëm, ndoshta më të madh se ai i vitit 2000. Kështu Lugina e Preshevës u përfshi edhe njëherë në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë paralajmëroi vendet fqinjë dhe u kërkoi atyre të heqin dorë nga albanofobia. Me ndërmjetësimin e ambasadorëve perëndimorë në Beograd, ku përshihej dhe ai amerikan, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës u takuan dhe vendosën që lapidari të mos prishet. Ivica Daçiç duket se është tërhequr nga pozicioni i fillimit dhe në kuvendin e Serbisë ka deklaruar para dy ditësh se nuk mund të ndërptiten bisedimet me Kosovën. Shqiptarët në Luginë kanë kërkuar përmes anëtarëvë komunalë që të përfshihen në këto bisedime, sa duket me synimin për ta avancuar pozitën e tyre në raport të drejtë e të barabartë me serbët në Kosovë.

Nga e gjithë kjo panoramë e një lufte të ftohtë midis shqiptarëve dhe serbëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë mund të analizonim disa dukuri dhe të shkonim në disa përfundime logjike të zhvillimeve të fundit.

Së pari: Ivica Daçiç e motivoi vendimin e tij për prishjen e lapidarit me dy “arësyetime”, me atë se sipas tij “të rënët e UÇPMB-së ishin terroristë”, si dhe me paragjykimin tjetër, sipas të cilit “Ngritja e lapidarit është bërë për të dëshmuar se Serbia nuk ka sovranitet në këtë pjesë të territorit të saj”. Në rastin e etikës për “terrorizëm” përgjigja është dhënë në mometin kur ka ndodhur konflikti. Në verën e vitit 2000 është nënshkruar një marrëveshje, me të cilën të dy palët kanë ulur armët dhe serbët janë zotuar se “do t´i respektonin të drejtat e shqiptarëve në Luginë”. Nga ky moment, sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk mund të bëhet më fjalë për akte terrorizmi e madje as për qëndrime ekstremiste. Alibia e Daçiç për “terrorizmin e shqiptarëve” kundër stacioneve policore është e sajuar me qëllime politike dhe e ndikuar nga psikologjia, politika dhe praktika e Milosheviçit për zgjidhjen e konflikteve në rajon. Ky qëndrim i kryeministrit serb shkon në drejtimin që historikisht ka shkuar politika serbe, sipas së cilës “serbët janë viktima, shqiptarët agresorët”. Por bota tashmë e ka parë me sytë e saj se cili ka qenë roli i Serbisë në luftën e saj shfarosëse kundër shqiptarëve.

Ndërkaq arësyetimi i dytë për “sovranitetin serb në Luginë” dhe të ashtuquajturin vënie në dyshim të këtij sovraniteti nga shqiptarët është automatikisht jashtë kontestit në të cilat zhvillohen ngjarjet. Vendosja e përmendoreve dhe lapidarëve është kompetencë e pushtetit vendor dhe komunat shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kanë të drejtën sovrane të vendosin për to. Asnjë qeveri demokratike në botë nuk mund të imponojë pushtetin lokal sa i përket vendimmarrjes për çeshtje të tilla. Nëse do të ndohte ndryshe, atëhere komunat dhe bashkitë që përfaqësojnë opozitën do të paralizoheshin, komunat dhe bashkitë që drejtohen nga pakicat do të asgjësoheshin dhe kështu të drejtat e vetëqeverisjes dhe të drejtat e tjera që burojnë prej saj do të zhdukeshin. Kjo logjikë duhet t´i kushtojë në pikëpamje të diferencave që paraqet kryeministri i Serbisë në lidhje me pakicat, krahasuar me konventat ndërkombëtare. E parë në këtë kontekst, një qëndrim dhe arësyetim i tillë duhet marrë në konsideratë në Bruksel e kryeqendrat e tjera perendimore sa i përket vlerësimit të hapave që Beogradi ka bërë në plotësimin e kushteve për pranim në BE. Nëse do të kishte ndodhur ky lloj konflikti në Shqipëri dhe nëse kryeministri i Shqipërisë do të kishte bërë një presion të tillë, jam i sigurt se të gjitha boritë e Brukselit do të ishin në piskamë kundër tij dhe kundër Shqipërisë. Por nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh një gjë e tillë kur është fjala për kryeministrin e Serbisë dhe vetë Serbinë. Nëse kryeministri i Kosovës ose kryetari i një komune në Luginë do të kishte kontestuar lapidarët serbë, të cilët u kushtohen terroristëve të dëshmuar në luftën kundër shqiptarëve, atëherë Europa do të na kishte vënë në “bankën e të akuzuarve”. Vetëm politikanët serbë kanë akses në Bruksel të sillen si të duan me shqiptarët.

Së dyti: Bie në sy se kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, prishjen e lapidarit në Preshevë me bisedimet në Bruksel i pati kushtëzuar. Ndoshta kjo kishte të bënte me një presion të radhës ndaj Bashkimit Europian. Aq më tepër po të kemi parasysh faktin se në Serbi shumë prej politikanëve, përfshirë presidentin Nikoliç, ose një prej eksponentëve të opozitës, si Vojisllav Koshtunica, janë të orientuar qartësisht drejt Moskës. Daçiç me kërcënimin për ndërprerjen e bisedimeve donte të tatonte pulsin e institucioneve të Prishtinës, të Tiranës e para së gjithash njëherësh pulsin e politikanëve të Brukselit dhe kundërshtarëve të tij në Beograd. Ai e dinte se skema e tërheqjes nga bisedimet është e mbetet rruga e gabuar për Beogradin. Por megjithatë ai kërkon që ta fusë vendin e tij në një krizë të pakthyeshme, e pas dështimit të marrë stafetën e ngritjes së partisë së tij në elektoratin serb. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar një sjellje e tillë, duke manipuluar me shqiptarët, i ka dhënë atij fitoren e paimagjnueshme në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar. Kjo eksperiencë e vyeshme për Daçiç përdoret me efektivitet edhe në rastin e lapidarit të ngritur në Preshevë. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet fakti që asnjë prej udhëheqësve të tjerë në Beograd nuk është ndjerë sa i përket këtij lloj konflikti.

Së treti: Zoti Daçiç po përdor Preshevën edhe si shenjë e model të provës se nuk është vështirë të destabilizohet rajoni. Me ultimatumin e tij, ai shkaktoi reagimin e shqiptarëve, reagim që për hir të së vërtetës duhet vlerësuar i moderuar, por edhe i vendosur. Me këtë rast reagoi gjithashtu kryeministri i Shqipërisë, por jo kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili duket se është më shumë i shqetësuar për “dështimin” e bisedimeve me Serbinë, sesa për fatin e shqiptarëve. Daçiç llogariti që me këtë presion të mobilizojë edhe Prishtinën, me qëllim që ajo të refuzojë bisedimet dhe të fajësojë shqiptarët për dështimin e këtyre bisedimeve. Kur u pa se kjo nuk po ndodh, atëherë kryeministri i Serbisë u tërhoq dhe mbrojti me shumë takt rrugën e bisedimeve, duke paralajmëruar kundërshtarët e këtyre bisedimeve në Beograd, se Serbia mund të izolohej e të bëhej përsëri “delja e zezë” e Ballkanit. Këtë mesazh ai e ritheksoi të premten e kaluar para deputetëve se “Sovraniteti i Serbisë në Kosovë gati se nuk ekziston fare. Ne sot duhet të kërkojmë mbështetjen për politikën e cila do ta ndërpres ninullën se është e mjaftueshme vetëm që të fshihemi pas rezolutës dhe se problemi i Kosovës do të zgjidhet”. Por ama Daçiç arriti diçka thelbësore. Ndonëse Thaçi ishte betuar se nuk do të shkonte “kurrë” në bisedime për veriun e Kosovës, ai më 17 janar, një muaj para pesë vjetorit të pavarësisë, do të ulet e të bisedojë me kryemnistrin serb pikërisht për fatin e veriut të Mitrovicës. Dhe të bisedosh për një çeshtje të tillë, ekskluzive si çeshtje e brendshme e Kosovës, do të thotë se do t´i duhet të bëjë lëshime. Se deri ku do të shkojnë këto lëshim, le të presim datën 18 janar. Megjithatë shqiptarët dhe institucionet e Kosovës kanë detyrë dhe të drejtë të mos pajtohen me asnjë lloj koncensioni territorial e politik në dobi të Serbisë.

Pra, përfaqësuesit e Kosovës në këto bisedime do të shkojnë “si derr në thes”, sepse nuk mjafton sllogani “ne kemi pakon e Ahtisaarit”. Kryeministri Thaçi duhet të shkojë më 17 janar në Bruksel me axhendën e tij, në të cilën të pasqyrohet e zbërthyer pakoja e Ahtisarit dhe e adaptuar në kushtet e krijuara në veri të Mitrovicës. Këshilltarët e tij ka nevojë që ta njoftojnë kryeministrin me të gjitha leximet midis rrjeshtave të platformës serbe dhe të projektit të baroneshës Ashton, sepse mundet që BE nga lodhja dhe rendja drejt suksesit personal të indërmjetësuesit të paraqesë një plan të dëmshëm për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, pra në dëm të interesave të shqiptarëve. Përfaqësuesit e Kosovës në bisedime duhet të bëjnë të qartë se asnjë m2 tokë nuk mund të humbet më nga ana e shqiptarëve, pasi ata kanë humbur gati gjysmën e territoreve në shekullin e kaluar si rezultat i dhunës, terrorit dhe ekspansionit të Serbisë në këto territore.

Së katërti: Kryeministri Daçiç kishte për qëllim që me presionin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës të bënte presion në Europë, që ajo të pranonte sa më shumë prej opcioneve të platformës së Serbisë për Kosovën. Ai është i bindur se sa më shumë kohë kalon, aq më shumë do të dobësohet prezenca e Beogradit në Kosovë. Prandaj dhe rend me ngut që të institucionalizojë me një marrëveshje konkrete praninë e vet në Republikën e Kosovës, duke synuar krijimin e një minishteti serb brenda territorit të saj. Do ta kishte ky minishtet serb emrin e Republikës Srpska në Bosnjë, ose jo, kjo ka pak rëndësi. E rëndësishmë për Serbinë është të jetë “gozhdë Nastradini” në këtë vend. Pikërisht këtë duhet ta evitojë Hashim Thaçi. Nëse është i vendosur në këtë qëndrim dhe ka besim se e eviton, ai do të meritojë respektin e shqiptarëve, nëse jo, atëherë më mirë për të është të japë dorëheqje, jo për t´ia dhënë postin e tij Ramush Haradinajt, por për ta çuar vendin në zgjedhje të reja. Më pas Haradinaj le të rikthehet në karriken e kryeministrit të Kosovës.

Së pesti: Në Luginën e Preshevës Serbia po arrin një sukes të pjesshëm. Me diversionn e saj për lapidarin, ajo ka arritur t´i mobilizojë një grup shqiptarësh e t´i adresojë kundër qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Ky akt shënoi një precedent të paparë më parë dhe besoj se kjo i duhej Beogradit, me qëllim që aktorët shqiptarë të përçahen. Do të ishte krejt normale, nëse përfaqësuesit e zgjedhur të Luginës së Preshevës do të kërkonin në mënyrë të instucuionalizuar e konkretisht ndihmën e qeverisë së Tiranës e asaj të Prishtinës. Por demonstrimet me fyerje kundër Berishës dhe Thaçit, në vend që ato të drejtoheshin kundër kryeministrit serb, Daçiç, shkojnë në dobi të qëllimeve dhe synimeve serbe në këtë rast. Eshtë në të drejtën e këshilltarëve shqiptarë në Preshevë, nëse ata duan apo nuk duan ta prishin lapidarin. Dhe këtë ata e kanë shprehur me vendosmëri. Ndaj askush nuk mund ta përceptojë pse duhej një sjellje e tillë e disa dhjetra shqiptarëve, të cilët demonstruan kundër Shqipërisë dhe Kosovës.

Dhe së fundi: Tensionet në Luginën e Preshevës nuk kanë qenë këto kohë të veçuara. Në Kosovë nuk janë lejuar për vizitë disa personalitete të Serbisë, përfshirë presidentin dhe kryetaren e Parlamentit të këtij vendi. Kjo ndodhi jo vetëm se drejtuesit e Kosovës donin të dërgonin në Beograd një sinjal të vendosmërisë së tyre në mbrojtje të sovranitetit. Kjo ndodhi gjithashtu për t´i ardhur në ndihmë kryeministrit serb, Ivica Daçiç, i cili i ndodhur ngushtë përballë presioneve të partnerëve të tij në qeverisje, mund t´u kujtonte atyre se “Nëse do të ishim të zotët e sovranë në Kosovë, atëherë ju do të kishit shkuar pa pengesa atje”. Por kjo i ka tensionuar më shumë marrëdhëniet midis Prishtinës e Beogradit. Ndërkohë në Maqedoni dëgjohen ende thirrjet “Shqiptar imirë është shqiptari i vdekur”, thirrje të cilat të kujtojnë histerinë serbe të kohës së Milosheviçit. Kjo do të thotë se në Maqedoni ka forca të interesuara për kaos dhe konflikt në rajonin tonë. Nëse i shtojmë kësaj garniture edhe garniturën e gatshme në Beograd, nëse përmendim këtu edhe disa simptoma të rrezikshme që vijnë nga finji ynë jugor, Greqia, kur është fjala për qëndrimin e saj ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë, atëherë merret lehtë me mend se rajoni noton në një vorbull të rrezikshme për paqen e stabilitetin e tij.

Presheva ka dhënë një mësim të jashtëzakonshëm. Krahas brishtësisë së paqes në këtë rajon, ajo dha edhe njehërë mesazhin se shqiptarët nuk e duan konfliktin, nuk duan përçarjen, nuk duan dhunën dhe janë të prirur drejt respektit për vetveten, pa lënduar askënd tjetër në këtë rajon. Në këtë kuptim është mirë që në skenën politike të këtij rajoni ka ende fansa dhe nostalgjikë të Milosheviçit e Shejshelit, siç janë në Serbi presidenti, kryeministri dhe disa krerë të opoziës. Eshtë mirë që në Maqedoni Gruevski me të tijët nxit maqedonët kundër shqiptarëve. Kemi raste të përsëritura të dëshmojmë pjekuri, por pa u frikësuar nga sulmet dhe diversionet antishqiptare të llojeve të ndryshme.

Filed Under: Editorial Tagged With: diversion, Dr. Enver Bytyci, Lapidari i Presheves, ne Bruksel, per bisedimet

PO, PSE O PREKË CALI, PËRBUZE “LAVDINË” SLLAVOKOMUNISTE ?

January 13, 2013 by dgreca

SOT  EDHE  TI,  DO  T’ ISHE  NË  MAOZOLEUM…/

Nga Fritz RADOVANI/

Tradhëtari dhe terroristi Mehmet Shehu, bashkluftari dhe bashkpuntori i Enver Hoxhës,kur arrijti pabesisht si të gjithë komunistët, me shti në dorë, me ndihmen e tradhëtarëve të vendit dhe forcave ushtarake sllavokomuniste të Jugosllavisë, Malësorin Trim të Maleve të Kelmendit, Burrin Legjendar dhe Atdhetar Prekë Calin, e pyeti: “E more Prenkë Cali, të pat ardhur dita t’a mbyllje historinë tënde me shkronja ari po t’ishe bërë me ne! Po, pse bërë kështu?” dhe, trimi legjendar i përgjegjët burrnisht: “Zotni, faji bjen mbi ju, se ju u batë aleatë me anmikun tonë shekullor, me serbin!” (Arkivi Min. Mbrendshme Tiranë, Dosja P.Cali, 1998.)

Ky ishte Burri i Maleve Prekë Cali, që braktisi “lavdinë” sllavokomuniste e,  që për gati 70 vjet po vazhdon me qendrue nën grumbujt e plehut ende sot, i pushkatuem dhe i dhunuem  në Zallin e Kirit të Shkodres pa një Shenjë tek koka..!

Ja, pra, Ky ishte Burri i Maleve, që nuk pranoi me u shkrue emni i Tij me “shkronja të arta”, ashtu si u shkrue edhe emni i tradhëtarit t’Atdheut, që i ofroi “nderimin” komunist..!

Ky ishte dhe asht sot Prekë Cali, Burri i Malësisë së Madhe, që brezat e ardhëshem një ditë do të përulën me respekt para Atij Guri, që do të daltohet me Shkronja të Arta Emni i Prekë Calit dhe i gjithë Atyne Atdhetarve të Malësisë së Madhe, që me 13 Janar 1945 ngritën krye kundër komunizmit, të Parët në krejt Lindjen Evropjane, që u pushtue nga Rusia bolshevike.

Per këte arësye Enver Hoxha me kliken e tij gjakatare, në bashpunim me komunistët e qeverisë jugosllave, vendosën me shfarosë me të gjitha format e terrorit dhe të genocidit të njohtun komunist këte rezistencë mbarëkombëtare, tue fillue nga koka që ishte Malësia e Madhe e Prekë Calit, Atij Burri që e kishte fillue luftën për mbrojtjen çdo pëllambe tokë t’ Atdheut dhe Flamurit të Skenderbeut, njëheresh me fillimin e shekullit XX.

Atdhetari Prekë Cali perbuzi këto “dekorata”… se ka dashtë Atdheun e vet Shqipninë,  ma shumë se komunizmin gjakatarë që shiti Trojet tona, per kolltukët e atyne tradhetarëve…

 

Nga të huejtë…

                         – Urdhri i Trimërisë së Klasit të I-rë i (Bullgari) 1944.

– Urdhri i Heroit Kombëtar (Jugosllavi) 1946. Jepej nga vetë Tito.

– Urdhri i Leninit. (Bashkimi Sovietik).

– Urdhri i Suvorov i Klasit të Parë. (Bashkimi Sovietik).

Tradhëtarët e Atdheut u nderonin nga Kuvendi Popullor i RPSSh:

 

Hero i Popullit– Për meritat në udhëheqjen e LANÇ

 

Hero i Popullit – Për luftën e tij në mbrojtjen e socializmit.

– Hero i Punës Socialiste.

– Medalja e Çlirimit

***

Sot, perveç këtyne “dekoratave”, presidentët tanë mund ta dekoronin edhe “Nderi i Kombit” ose ma e pakta… me titullin “Mjeshter i Madh”…

Sot edhe Prekë Cali, po t’ ishte tradhëtar…do t’ ishte në Maozole….

 

Melbourne, 12 dhjetor 2012.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Prek Cali

POPULLI E DI KË KA CUB KË HERO

January 13, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Këtë titull – Populli e di kë ka cub kë hero – do të kisha parapëlqyer për poezinë e vitit 1989 të autorit Qerim Ujkani ‘Populli i di të gjitha’, një ndër më të bukurat e kësaj teme në poezinë shqipe. Të më ndjejë lexuesi, përpara se të kaloj në interpretimin artistik brenda dhe jashtë tekstit, do të doja të bëj këtu shkurt historinë e lidhjes sime me këtë poezi.
Për herë të parë poezinë ‘Populli i di të gjitha’ ia kam propozuar lexuesit para 24 vjetësh, kur e botonim, madje me një zgjidhje grafike tejet të posaçme, në faqen e parë të gazetës ‘Drita’, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. E merrnim nga revista letrare e Prishtinës, ‘Jeta e re’, ku sapo ishte botuar.

Krijimi dhe botimi në Prishtinë, pastaj në Tiranë, përkonin me një periudhë tejet të ndjeshme dhe tejet vendimtare për atdheun dhe kombin tonë. Në qiellin tonë, deri poshtë nëpër frymët tona, endeshin retë e zeza të heqjes së autonomisë së Kosovës, akti i parë makabër që kurorëzonte Beogradi i Millosheviçit. Kishte tetë vjet që Kosova ndodhej në gjendje të jashtëzakonshme, herë të shpallur e herë të pashpallur, tetë vjet që serbomëdhenjtë e kërcënonin me heqjen zyrtare të autonomisë së vitit 1974. Koha provoi se heqja e autonomisë së Kosovës ishte debuti i kryekasapit Millosheviç në kuadrin e goditjes së tij vendimtare ndaj federatës, ishte kobi që iu paraprinte kasaphanave në zemër të Evropës për vite të tëra në mbarim të Shekullit XX e në prag të Shekullit XXI dhe Mijëvjeçarit të Tretë, kobi që do të përmbyllej plot dhjetë vjet më vonë, pikërisht në Kosovë, pas bombardimeve 79 ditore nga NATO, pra, me një kolonë zanore të paparë në histori.

Furia e verbër serbomadhe e mishëruar në të sëmurin e saj më kobzi, Millosheviçin, kishte bërë mëkatin fatal – duke goditur të drejtën e shenjtë të Kosovës, kishte goditur edhe vizionin e shenjtë të Evropës së Bashkuar, ‘fantazma’ e së cilës endej tashmë në kontinent, me shembjen e perdes së hekurt, dhe kjo i ngutte hordhitë në krye të Beogradit për të kryer punë shpejt me krjimin e Serbisë së Madhe, çka do të kishte pasë shënuar edhe funeralin e Evropës së Bashkuar.

Në fillim të 1989 Kosovës i hiqej autonomia, në mbarim të atij viti, më 23 dhjetor, krijohej Lidhja Demokratike e Kosovës dhe populli i Kosovës vinte në krye të tij Ibrahim Rugovën, vizionarin gjenial të Kosovës së pavarur dhe sovrane, pa të cilën nuk mund të ketë Evropë paqësore, nuk mund të ketë Evropë të Bashkuar. Realizohej kështu profecia e parë e poezisë së Ujkanit – Populli e di kë ka cub kë hero. Për herë të parë në histori, idesë Kosovës së pavarur dhe sovrane i printe një simbol i Evropës, Ibrahim Rugova, antitezë totale me njeriun që i printe idesë së Serbisë së Madhe, Millosheviçin, varrmihësin e Evropës së Bashkuar. Sa ishte shpëtimtare për Evropën ideja e Rugovës, aq ishte fatale pë Evropën ideja e Millosheviçit.

Kur lexuesit ia propozoja përherë të parë, nëpërmjet gazetës Drita poezinë ‘Populli i di të gjitha’, isha i sigurt që poezia i kushtohej asaj pjese të popullit që nuk shkon kurrë pas politikanëve që e sundojnë, shkon gjithmonë pas liderëve që ai i nxjerr nga gjiri i tij, nga kuota më e epërme e lartësisë më të madhe të vetëdijës së tij. Isha i sigurt që poezia përkonte edhe me psikologjinë e kohës në Tiranë dhe në krejt Republikën bunker të Shqipërisë, ku gjendjes sonë të ngujimit i ishte mbaruar edhe bombola e fundit e oksigjenit.

Rreth 24 vjet më vonë lexuesit, poezinë ‘Populli i di të gjitha’, nëpërmjet gazetës sime online, ia ripropozoja më 1 dhjetor 2012, pa ditë pas kulmimit të festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në atë atmosferë ku populli kishte zbritur në sheshe i tëri për të festuar, ndërsa sundimtarët e tij, gjoja elitë politike apo tjetërfare, i çirreshin nëpër tribuna, secila palë duke parë tek vetja heronjtë, ndërsa tek të tjerët duke parë cubat. Nëse më 1989 ‘Populli i di të gjitha’ kishte tingëllim kushtrues sa dhe profetik në Kosovë dhe në trojet tona të tjera në ish Jugosllavi, në Republikën e Shqipërisë ajo kishte një jehonë të mirëfilltë vetëdijësuese. Më 2012 dhe më 2013, ndërkaq, poezia ka një tingull krejtësisht aktual si në kohën kur është shkruar, edhe pse në rrethana të tjera. Tej cipës festive, ato janë të ngarkuara rëndë me sfida, nga të cilat përfitojnë sundimtarët dhe fundoset populli, pikërisht ai popull që nuk shkon pas sundimtarëve dritëshkurtër, ai populli që është në kërkim të prijësit vizionar, ai popull që ka misionin për ta nxjerrë liderin.Poezia e Qerim Ujkanit, në tërësi, është poezi e foljeve. Kjo do të tingëllonte si akuzë, kur dihet sa guxim kërkon përdorimi i foljeve në poezi, sidomos përdorimi i tyre në pozicione fundore (në rima) apo në pozicione logjike. Në fakt, në kulmin e guximit të tyre, në kulmin e trallisë së tyre, poetët, edhe formalistët më të skajshëm, ndodh që përqafojnë pikërisht foljet. Janë foljet, pra, ato që ngërthejnë në vetvete tharmin hyjnore. Nga Bibla dihet se e para ishte fjala. Dhe ajo fjalë ishte pikërisht folje – Të bëhet. Prandaj edhe vetë fjala, nga vjen kalku shqip i ‘folje’, pra ‘verb’, me burim indoevropian dhe përdorur në shkrime për herë të parë nga latinët, ka kryehere në të vërtetë ngarkesën kuptimore ‘fjala e Zotit’, ka kuptimin e mesazhit hyjnor. Në gramatikë ka kuptimin e pjesës së ligjëratës që shënon veprimin në trajtën e kryer nga dikush dhe të pësuar nga ai vetë apo dikush a diçka tjetër.Poezia e Ujkanit, poezi e veprimit, në misionin e saj kushtrimtar, ka në qendër parimin i përshkallëzimit artistik, zbritës apo ngjitës apo zbritës-ngjitës e anasjelltas. Dhe parim realizohet detyrimisht nëpërmjet foljeve. Tej formave klasike, ajo nuk ka strofa, nuk ka rima, është e organizuar në katër kapituj (katër kaptina) të shënuar me shifra romake. Secili kapitull përbëhet nga dy paragrafe (kryeradhë) dhe paraprihet e përmbyllet nga një varg refren. E gjithë poezia ka 64 vargje. Secili kapitull përmban 16 vargje, ku secili paragraf ka nga 7 vargje. Që këtu merret vesh sensi formalist i poezisë.

Mungojnë krejtësisht shenjat e pikësimit. Madje, pasi ka lexuar poezinë, sekush është e pamundur të mos dalë me mendimin – sa kot që janë shpikur shenjat e pikësimit. Një përfundim më se i përligjur në këtë kontekst. Edhe kjo e përforcon përfundimin e sapoarritur pak më lart.

 

Në tërësinë e vet krijimi i përmbahet përshkallëzimit artistik. Nga logjika ai është zbritës, nga tonaliteti, nga kumti është ngjitës. Diçka karakteristike kjo për poezinë e Ujkanit. Ky përshkallëzim, ndyshe nga poezitë e tjera të tij, ku realizohet përmes disa foljeve, këtu realizohet tek e njëjta folje, ‘di’, pra, një përshkallëzim i brendshëm. Folja ‘di’ zbërthehet nga paragrafi në paragraf nëpërmjet kundrinorëve dhe kallëzuesorëve që merr, pra nëpërmjet fjalëve ku bie veprimi i saj ose nëpërmjet fjalëve që e ftillojnë kuptimin e saj. Ky përshkallëzim kalon nga “i di të gjitha”, “di të flasë”, “di të heshtë”, tek “i di të gjitha”, “di të jetojë”, “di të vdesë”, tek ‘i di të gjitha’, “di kë ka mik kë armik”, duke i finalizuar me “i di të gjitha”, “di kë ka cub kë hero”.

Siç shihet më lart, përshkallëzimi realizohet nëpërmjet kontrastit, ku çdo paragraf ka çiftin kundërvënës, pra nëpërmjet përballjes së antitezave “të flasë-të heshtë”, “të jetojë-të vdesë”, “kë ka cub-kë hero”. Nëpërmjet këtyre kundërvënieve të pjesëshme realizohet edhe kundërvënia e madhe, ajo midis popullit dhe sunduesve, kundërvënia midis koncepteve filozofike kontrastuese që shprehin dhe mesazheve hyjnore kontrastuese që mbartin. Populli del kështu me privilegjin dhe barrën e madhe të përjetësisë. Ndërsa sunduesit dalin me ndëshkimin e përkohësisë sa mizore dhe fatale. Sa më larg misionit të tij të jetë populli, aq më e gjatë do të jetë përkohësia e sunduesve. Sa më i pakuptuar të jetë misioni i popullit, aq më mizore pamëshira e sunduesve.Kjo brengë e poetit shprehet filozofikisht nëpërmjet një paradoksi në fund të çdo paragrafi. Paragrafi i parë (kapitulli i parë) – ‘kur flet populli’ -përfundon me vargun e papritur – ‘sundimtarët janë të qetë’. Paragrafi i dytë (kapitulli i njëjtë) – ‘kur hesht populli’ – ‘sundimtarët i merr gjumi’. Kjo e përforcon në tejskaj edhe kontrastin e nënkuptuar, nga del se sundimtarët përbëjnë përbindëshin me shumëkokë dhe shqisa shumëfishe që e përgjojnë popullin. Ndërsa populli përbën të pafajshmin që, kur hesht, ndryn në vetvete të panjohurën, kijametin, së cilës ia kanë frikën për vdekje sundimtarët, ndërsa kur flet – nuk është më enigma, është vetëm përditshmëria e rëndomtë, prandaj kjo i qetëson sundimtarët.Secili paragraf bazohet në figura të përqëndruara kryesisht në një varg të vetëm a në pak vargje, ku vargjet e tjera vetëm sa sjellin detaje dhe rrethana plotësuese, garnitura. Tek paragrafi i parë (kapitulli i parë) këtë e kryejnë “gurëve të varreve u hyn shpirti dhe lëvizin”, e “të nisurave iu shfaqen fundit”. Tek paragrafi i dytë këtë e kryejnë “Si gryka malesh i kapërdin rrufetë/Mes dhëmbësh kërcëlluar i shkrepëtijnë vetëtimat/ Gjëmimet i ndryn në vete”. Kështu sundimtarët paralajmërohen se populli është vetëtimë që nuk bubullon, është vetëtimë që vetëm zharit. Kapitulli i dytë shënon edhe ndërkohën lirike të kësaj epike, teksa shënon kontrastin jetë-vdekje, shënon prehjen para stuhisë. Këtu vetëm sa përligjet emërtimi nga unë i pjesëve të poezisë me terma që përdoren në llojet e gjinisë epike, sidomos në romane.

Kapitulli i tretë është edhe kapitulli më filozofik i poezisë. Përballë mikut ai është përballë besës – prandaj mikun nuk e provon kurrë në ditë të mirë, e ruan për ditë të vështirë. Përballë armikut ai është përballë pabesisë, prandaj populli “Njësoj shikon prapa si përpara/ Rreziku që i bie ndesh është një herë rrezik/ Rreziku prapa shpine dy herë”. Duke qenë përjetësia populli është edhe përvoja gjithëjetësore e njerëzimit. Prandaj nuk ia fal vetes përqindjen sado të papërfillshme të gabueshmërisë. Mbi këtë filozofi ai e ndërton edhe triumfin ndaj armikut, njëherësh triumfin ndaj përkohësisë.

 

Poezia e Ujkanit është poezi e vargut të bardhë. Kjo, megjithatë nuk përbën rregull rigoroz për të. Kur vjen natyrshëm rima, kur e shikon të domosdoshme, poeti nuk e shmang atë. Në kapitullin e katërt, në paragrafin e parë, poezia ka vargjet “Në një mijë ngjyra/ Të lyhet e të ngjyhet/ Në një mijë fytyra/ Të shtiret/ Ai cubin e njeh/ E hedh në pleh”. Për të përftuar ironinë dhe sarkazmën, poeti nuk i shmang, përkundrazi i fton rimat e puthitura dhe të alternuara, asonancat, aliteracionet. Kjo ngarkesë vetëm sa e dendëson mesazhin artistik dhe filozofik të poezisë.

Ndërkohë përthyerjet e tyre janë një asimetri tejet e domosdoshme dhe tejet e mirëpritur në një simetri nga më të përkryerat në poezinë e tij të natyrës epike, të toneve madhështore dhe mesazheve kushtruese, ku formalizmi i skajshëm dhe përmbajtja e fuqishme janë vënë në një harmoni mjeshtërore. Me të drejtë, poeti dhe kritiku dhe poeti i madh bashkëkohor amerikan John Hollander, e konsideron poezinë kryesisht një çështje të ritmit, të riorganizimit të gjuhës dhe të vizioneve, në një mënyrë thelbësisht të ndryshme nga ajo e prozës. Qerim Ujkani është poet i ritmit të vizioneve, ritmit të ideve, të figuracionit, herë nëpërmjet përsëritjes, herë nëpërmjet numërimit, herë nëpërmjet eliptimit të tyre. Pikërisht gjallëria e ritmeve, figuracionit, theksave logjikë, madje disi edhe e theksave ritmikë bëjnë që ‘Populli i di të gjitha’ të jetë poezi e një komunikim të gjerë, pra për lexim të heshtur, poezi për lexim artistike (në shkollë, në radio, në ekranin e vogël), poezi për recitim artistik (në skenën e teatrit poetik). Autori i “Populli i di të gjitha”, Qerim Ujkani, nuk i ka munguar poezisë shqipe që nga vitet ’50. Gjithnjë besnik ndaj temës së tij, që e bën ndër krijimtarinë e tij ndër më të angazhuarat e poezisë sonë, poeti nuk ka hequr dorë kurrë nga mjeshtëria, nuk ka rënë rob i ideve të tij. Drejtvizor sa dhe kërkues brenda vetvetes në udhëtimin e tij krijues, Qerim Ujkani mbetet një zë i rëndësishëm, i pashpërfillshëm në poezinë tonë.Në pajtim me misionin e artit të tij dhe të ideve të tij, Qerim Ujkani, qoftë me poezitë, qoftë me esetë e tij nuk pranon të heshtë përballë dukurive të papranueshme të kohës sonë.E shkruar më 1989, poezia e Qerim Ujkanit “Populli i di të gjitha”, nuk mund t’i shpëtonte krejtësisht autocensurës. Në këtë kontekst, me “sundimtarët” gjithnjë kiheshin parasysh “pushtuesit”. Megjithatë kjo censurë e detyruar e bën poezinë të tingëllojë krejtësisht aktuale tek shqiptarët, qoftë atje ku ka ende pushtues, qoftë atje ku ka ende sundimtarë. Mjerisht, kombi ynë heronjtë i ka në varre, ndërsa cubat i ka në piedestalet e pushtetit.Poezinë e tij “Populli i di të gjitha”, prandaj, ia propozoj për herë të tretë lexuesit, tashmë në vitin 2013, i cili na e kujton ndërkaq edhe historinë tonë të para 100 viteve, të atij viti 1913, të mbushur me padrejtësi dhe mizori fatale, të padrejta dhe të pamerituara. Të atij viti 1913 që na kujton filozofikisht se, sa herë i kanë marrë në shenjë shqiptarët, në trojet tona, snajperët e kanë vënë në shenjestër edhe Evropën.

—

POPULLI I DI TË GJITHA
Poezi e vitit 1989 nga Qerim Ujkani
I
Populli i di të gjitha di të flasë di të heshtë

Kur flet
Gurëve të varrezave u hyn shpirti dhe lëvizin
Midis flamujsh dhe rrëmetesh
Ushtojnë sheshet
Bien daullet
Të nisurave iu shfaqen fundet
Sundimtarët janë të qetë

Kur hesht
Si gryka malesh kapërdin rrufetë
Mes dhëmbësh kërcëlluar i shkrepëtijnë vetëtimat
Gjëmimet i ndrydh në vete
U thotë fjalë të urta i qetëson
Durimin e vet e krahason me të malit me borë
Sundimtarët s’i merr gjumi

Populli i di të gjitha di të flasë di të heshtë

II
Populli i di të gjitha di të jetojë di të vdesë

Herët në mëngjes
Hukat duart të mos i bjerë përthonjsh nis punën
Te kroi te shelgu pret të bukurën belkëputurën
Bën dasmë gëzimin e ndan me të gjithë
Shtëpinë e mbush me fëmijë
Brez më brez
Shpie kujtimin

E shkon në luftë
Thirrja për liri të atdheut i hyn drejt në histori
Me vete merr armën trastën këngën
E s’pritet e s’ndalet
Veçse në fitore dhe përmendore
Liria s’pret
Duhet për çdo çast

Populli i di të gjitha di të jetojë di të vdesë

III
Populli i di të gjitha di kë ka mik kë armik

Hap derën e shtëpisë
Ndez zjarrin shtron sofrën
E në sofër bukë kripë e zemër
Kurrë s’e provon në ditë të mira
E ruan për ditë të vështirë
Ia mban besën

Ai e di se edhe uji fle po armiku s’fle
S’ia harron shprehinë e vjetër
Shpatë e zinxhirë farkon për të
Njësoj shikon prapa si përpara
Rreziku që i bie ndesh është një herë rrezik
Rreziku prapa shpine dy herë

Populli i di të gjitha e di kë ka mik kë armik

IV

Populli i di të gjitha e di kë ka cub kë hero

Në një mijë ngjyra
Të lyhet e të ngjyhet
Në një mijë fytyra
Të shtiret
Ai cubin e njeh
E hedh në pleh

Në përmendore që ligjëron historinë në shesh
E vendos heroin e vet
Në këngë trimërore
Në metafora
Në fjalë të urtë në konak
E në gjak përjetë

Populli i di të gjitha e di kë ka cub kë hero

 

Filed Under: Kulture Tagged With: cub, e di ke ka, ke hero, populli, Qerim Ujkani, Skender Bucpapaj

ABAZ KUPI,HEROI YNË I HARRUAR

January 13, 2013 by dgreca

Ne Foto: Abas Kupi dhe Mithat Frasheri ne Londer, 1949/

Nga Eugjen Shehu/

Trojet shqiptare janë ruajtur në shekuj prej bijëve të vet.Sa herë që ata kanë parandjerë rrezikun , kanë klithur me ate zë të dhmisur,ç’ka vetëm bijtë e denjë e kanë dëgjuar.Këta bij,anipse ende anonimë (për turp të historiografisë sonë) i kanë dalë zot trojeve të mëmëdheut duke dëshmuar pos trimërisë,edhe dahsurinë e tyre ndaj çdo pëllëmbe të tokës shqiptare.Pa pyetur për kuvende e thirrje,pa dashur të marrin pozat e udhëhqësve të mëdhenj,këta djem a burra,të heshtur,duke ngarendur në vijën e parë për lirinë e atdheut,ngarendnin njëherazi në pavdeksinë e tyre.I  tillë trim dhe i pafriguar askurrë,do të mbetet në zemrën e kombit të vet,edhe Abaz Kupi,prijësi popullor me die e synime të qarta kombëtare.

Lindi në Krujë,më 1891.Lindi në ate qytet të gurtë,të Shqipërisë ku për të parën herë në historinë e popullit tonë,Gjergj Kastriot Skenderbeu,me një tufë trimash,shkruan legjendën shqiptare të mospërkuljes.Bedenat e kalasë madhështore,ende sot,mbartin në kujtesën e tyre shungullimat vigane të luftërave.I jati i Abazit njihej në Krujë e rrethina për trimërinë e saj ndaj formacioneve të ushtrisë osmane.Ai disa herë ish burgosur prej tyre por sidoqoftë askurrë s’e pat ndaluar luftën në dobi të bashkëkombasve të vet,për të flakur tutje natën e gjatë osmane.Pagëzimi i parë i Abaz Kupit,në rrafsh të luftërave për lirinë e trojeve amtare,është viti 1913.Mbas disa luftimesh të gjata,ku çetat e trimave krutanë,mundën të zbrapsin serbët,në kalanë e legjendave u ngrit flamuri i ynë kuq e zi,ai flamur për të cilin plaku i urtë i Vlorës,përshkroi male e dete të tërë vuajtjesh e brengash.Gëzimi i popullit të Krujës,sidoqoftë zgjati vetëm pak ditë,ngase mjaft elementë ,të nxitur natyrisht prej qarqeve pro osmane të kohës,e zëvendësuan flamurin tonë me ate të gjysëmhënës. Abaz Kupi, i cili asaj kohe ishte në udhëheqje të një çete trimash,natyrisht nuk do të heshte.Edhe pse në veprimet e komiteteve shqiptare të atyre viteve,ndihej shpesh një lloj pavarsie dhe impulsiviteti,djaloshi 22 vjeçar mendoi të mos hakmerrej në kokë më vete.Nisiator i takimeve të fshehtë,tepër trim por edhe i përmabjtur,Abaz Kupi (apo thirruri shpesh Bazi i Canës),organizoi një takim të kryetarëve të çetave,duke kërkuar prej tyre që t’i jepej e drejta të hakmerrej mbi personin  që kishte dashur të përdhoste flamurin kombëtar.Burrat e krujës,duke e njohur kaçakun e famshëm,i japin leje e ndërkohë i afrojnë edhe ndihmën e tyre.Të nesërmen e atij tubimi,ka ndodhur ditë pazari e pikërisht,në mes të rrugëve të tij,është dëgjuar krisma e kubures dhe zëri i Abaz Kupit ; „Ta dish mirë se tue dash me u tall me flamurin tonë,je vue në gjak me krutanët e krejt burrat e Shqypnisë!“.

Ç’prej asaj dite e decenie me radhë,flamuri kuqezi valoi i lirë në bedenat e kalasë së Skenderbeut.

Vitet 1914-1918,atëherë kur për shkak të Luftës së Parë Botërore,Shqipëria u kthye në teatër të veprimeve luftarake të fuqive të ndryshme evropiane,do të dimensiononin më së miri,karakterin e luftëtarit Abaz Kupi.Tashmë jo në krye të një çete,por si komandant i të gjitha forcave të Krujës,Abaz Kupi do të ishte i pranishëm në disa beteja të rëndësishme.Kështu lufta e zhvilluar në Kakarriq të Shkodrës,do të mbante si ideator kryesor të asaj Bazin e Canës i cili anipse nuk pat mbaruar akademi të larta ushtarake,dijti të organizojë si një ushtarak i talentuar çetat e vullnetarëve,duke korrur një fitore tepër të vështirë.

Edhe në vitet 1918-1920,pushka trimërore e djalit të Krujës nuk do të heshtete,sidomos në kufijtë verior të Shqipërisë.E vërteta është se Kruja me rrethina pak është kërcënuar prej serbëve,por një atdhetar vizionar si Abaz Kupi,parashihte situatat në rrjedhat e tyre,për krejt Shqipërinë.Janë të njohura disa beteja të burrave të Krujës,të udhëhequr prej birit të tyre në Dibër e Shkodër ku do të farkëtohej edhe miqësia e ngushtë e Abazit me Bajram Currin.Në këto beteja,ka gjëmuar e para pushka e trimit të Krujës dhe kjo është bërë me qëllim prej trimave.Fjala është që serbët e malazezët të kuptonin përgjithmonë,se kufijtë e Shqipërisë do të mbroheshin prej trimave,anipse këtë mund të vinin prej Kruje,Elbasani apo Vlore.Pikërisht në këto vite betejash të repta,nuk duhet të harrojmë se armiqtë e Shqipërisë bënë çmos që të zhduknin birin e Krujës.Janë tri-katër rrethime të serbëve,që i kanë bërë kullës së Abaz Kupit.Por me t’u ndjerë pushka e tij,drejt kullës kanë vrapuar qindra luftëtarë,me ç’rast edhe serbët s’ia kanë mundur qëllimit të tyre.Por fatkeqsisht,dy herë ato kulla janë djegur,duke dëshmuar kësisoj miqësinë e verbër të shovenistëve serb ndaj atdhetarit të madh. Qeveria shqiptare e dalë nga kongresi i Lushnjës,nisur nga detyrat parësore për ruajtjen e tërësisë toksore të kufijve shqiptarë,ndërmorri një varg masash organizative.Ndër to ishte edhe gradimi i disa oficerëve,të cilët para dhe pas kongresit të Lushnjës patën dëftuar shembuj heroizmi në krye të çetave të tyre,për lirinë e trojeve amtare.Ndër ta,në ngjarjet e Mirditës më 1920.Në këto beteja,në fakt,Abaz Kupi,do të njihet nga afër edhe me personalitetin e Ahmet Zogut.Të dy këta burra,u qëndruan më vonë së bashku,dallgëve që goditën atdheun.Ata u lidhën me një miqësi të shenjtë ku ndriçonte kurdoherë ndjenja e fuqishme e dashurisë për trojet stërgjyshore.

Në fillim të viteve 20 e deri në prag të 7 prillit 1939,Abaz Kupi,në detyrën e majorit të xhandarmërisë,e shohim të veprojë në Krujë,Laç,Lezhë,Milot,Durrës,Peqin e gjetkë.Kudo në çdo problem,ai do të priret kurdoherë nga interesat e larta të atdheut duke shkelur mbi çdo meskinitet të jetës së atëhershme shqiptare.Parimor,tepër i ashpër me kriminelët,por i butë me popullin e vuajtur,Abaz Kupi do të mund të vendoste rregull e qetësi në krejt vendet ku punoi.Për më tepër,në këtë periudhë,me porosi të Ahmet Zogut si mbret i shqiptarëve,trimi i Krujës do të shkonte shpesh në kufijtë veriorë të Shqipërisë.Kontaktet e tij me miqtë e vjetër,me kapedanët e çetave komite të Veriut,do të ishin kurdoherë të sinqerta ngase të tilla ishin ato ç’prej fillimit të shekullit.Janë një sërë urdhërash e dokumentash,që provojnë se në pikëpamje të rikonstrukturimit të gjandarmërisë shqiptare,Abaz Kupi,u prir kurdoherë në ndershmërinë dhe trimërinë pikërisht të këtyre prijësve popullorë.Sigurisht ajo çka ndriçon madhërisht figurën e atdhetarit të Krujës,është padyshim,qëndresa e tij heroike,në prillin e zi të vitit 1939.Nuk është rasti të kujtojmë këtu shkaqet e pushtimit fashist por sidoqoftë,na jepet të themi se sulmi italian që përgaditej mbi shqipërinë,ishte prologu i dramës sonë të madhe.E vërteta është,që në ditët e para të prillit,Evropa parapa sulmin që do të ndodhte.Ishin edhe disa patriotë shqiptarë që lajmëruan kancelaritë e shurdhta evropiane mbi këtë sulm barbar.Dihet se mbreti Zog,ka thirrur në prag të sulmit fashist Italian,Abaz Kupin i cili në ate kohë ishte komandant i xhandarmërisë së Durrësit.Mbreti duke ditur se veprimtaria personale e tij do të varej prej qëndrimit të Këshillit të Lartë,udhëzon Bazin e Canës si mik e vëlla,mbi çka duhej të bënte.Pas atij takimi me mbretin e shqiptarëve,major Abaz Kupi,shkon menjëherë në Krujë duke i folur me gjuhë zemre,trimave të tij,atyre që se patën lënë vetëm as në situatat më të turbullta e të vështira.“Dy ditë para të premtes të zezë,Abaz Kupi ishte në Krujë.Shumë fëmijë ishin grumbulluar në pjacë,në kohën që vullnetarët po hynin në makina duke iu përgjigjur thirrjes se Abaz Kupit për të luftuar në Durrës.Për këtë rast,unë mbaj ndër mend një ngjarje,po me kuptim shumë të madh.Një djalë fare i ri u drejtua tek makina e vullnetarëve.Abazi i tha se ishte shumë i vogël dhe e ndaloi të hipte në makinë.Djali pasi e shikoi drejt e në sy tha ; „Abaz Aga,Shqipëria është e të gjithëve,pra edhe e imja!“ Komandanti pasi ja përkdheli flokët,e hipi këtë djal në makinë,bashk me të tjerët“(Abaz Kupi dhe fallsifikatorët e Historisë“Gazeta„Atdheu“14.12.“44

Në Durrës,Abaz Kupi gjeti edhe qindra vullnetarë të tjerë që prisnin me duf në shpirt,të zbraznin armët,ndaj pushtuesve italian.Të ardhur nga Tirana,Ishmi,Preza dhe Kavaja,këto forca megjithëse kishin një armatim mjaftë të paktë,treguan devocion të jashtëzakonshëm duke u rreshtuar përgjatë bregut,në mbrojtje të lirisë.Brenda atyre pak orëve të mbetura,major Abaz Kupi,mundi të organizonte një mbrojtje sa më efektive.Ai kaloi gati në të gjitha pozicionet duke u dhënë porosi e sidomos zemër vullnetarëve trima.Ndërsa me forcat e xhandarmërisë,organizoi mbrojtjen në drejtim kryesor,në portin e qytetit,duke përcaktuar edhe vet pozicionin e tij. Si rrallëkush në historinë tonë,Abaz Kupi,ai komiti i Krujës,u gjend në një mëngjez prilli,në krye të qindra vullnetarëve,përballë dallgëve të Adriatikut dhe ushtrisë disa dhjetra mijëshe të Musolinit.Porosia e tij ishte e prerë.Lufta do të fillonte atëherë kur të shkrepte pushka e birit të Krujës.Disa italianë të Durrësit,duke parë këto pregaditje,nuk vonuan të takojnë Abaz Kupin.Të instruktuar prej mjeshtërve të tyre,në Itali,ata i kërkuan trimit të Krujës që ky të mos organizonte rezistencën dhe për këtë akt,do të mbulohej me flori.Por Abaz Kupi e parashihte mirë situatën.Ky do të përbënte një turp kombëtar duke i treguar botës se shqiptarët mezi kanë pritur pushtuesin fashist.Abaz Kupi revoltohet nga propozimi i këtyre mjeranëve dhe niset akoma më i vendosur në pozicionin e tij.

Agu i 7 prillit të vitit 1939,ka ardhur në Durrës,së bashku me ulërimën e dhjetra avionëve luftarak fashist si dhe me gjëmimin e topave.Dhe ka qenë pikërisht krisma e pushkës së Abaz Kupit, e cila ka nisur luftën e madhe të popullit shqiptar,ate luftë vigane që vazhdoi për vite me radhë ndaj fashizmit.Në fakt shkrepja e pushkës së trimit të Krujës,më 7 prill 1939,shënoi fillimin e atij akti madhor të mosnënshtrimit të popullit tonë përball çdo armiku e dhune.Në shkrehjen e pushkës së Abaz Kupit,ishte mbledhur krejt urejtja e një populli martir i vendosur tu dale zot fateve të veta. Lidhur me këtë ngjarje,historiografë të huaj,perëndimorë shkruajnë ; „Në orën 5.30,të mëngjezit të 7 prillit, e premte e shenjtë,Durrësi,Vlora,Shengjini dhe Saranda u sulmuan prej 40-50 mijë trupash,të mbështetura prej 400 aeroplanësh dhe dymbëdhjetë anijesh lufte.Duket se luftimet më të ashpra janë bërë në Durrës,ku populli i qytetit dhe një kontigjend i vogël trupash i dërguan nga Tirana,i bënë ballë me vendosmëri pushtimit.Mbrojtësit e qytetit,të udhëhequr nga Abaz Kupi,komandant i gjandarmërisë së Durrësit,ndonëse të pakët në numër dhe duke patur vetëm pesëdhjetë gjerdane me fishekë për njeri,mundën të zbrapsin valën e parë të sulmit italian.Pas tërheqjes së pushtuesit,anijet filluan të qëllonin me shrapnelle për shpërndarjen e qëndresës.Por në vedn që të tërhiqeshin,Kupi me njerëzit  e tij u hodhën në sulm dhe mundën të zinin një ledh buzë detit“.(Bernd Fisher „Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri“ faqe 293).

Sigurisht qëndresa e atij grupi shqiptarësh me 7 prill të vitit 1939 do të mbante brenda saj,një simbolikë të madhe.Por vetëm kaq,ngase përballë një ushtrie që pregaditej të ndante Evropën,me histerinë e saj,rezistenca shqiptare do të ishte krejt e papërfillshme.Gjithsesi nuk duhet harruar se Abaz Kupi,për asnjë çast nuk mendoi se e pat përmbushur me nder detyrën.Edhe pse në tërheqje,për javë të tëra trimi i Krujës,organizoi një luftë të përsosur guerrillësh shqiptarë,duke i sjellë fashistëve italian dëme të mëdha në njerëz dhe teknikë luftarake.Tashmë emri i tij ishte kthyer në simbol të rezistencës antifashiste,madje për betejat e atyre ditëve,nuk mungonin edhe këngët e ngritura prej popullit të Shqipërisë së Mesme. Abaz Kupi,dënohet me vdekje në mungesë,prej fashistëve italian dhe shtëpia e tij në krujë ridigjet.Në kërkim të tij,janë vënë pastaj formacione të tëra të ushtrisë dhe zbulimit të fshehtë italian.Detyrohet prej këtyre ndjekjeve të lërë Atdheun dhe të shkojë në Stamboll.Aty natyrisht lidhet menjëherë me Mbretin Zog i cili ndodhej përkohësisht,pas largimit nga Shqipëria.Të dy së bashku përpiqen pa rreshtur për të ideuar një front të madh të rezistencës antifashiste duke u përqendruar sidomos në bashkimin e forcave nacionaliste shqiptare kudo ato janë.Në tetorin e vitit 1941,Abaz Kupi kthehet sërisht në atdhe.Tashmë për ate është e qartë se duhej të punonte e jetonte vetëm në ilegalitet të plotë ngase fashistët italian patën bërë ç’ishte e mundur për ta zënë.Kthimi i tij do të mbushte me gëzim,zemrat e qindra nacionalistëve që vepronin në Mat,Krujë,Shijak,Durrës si edhe rrethinat e Tiranës.Me aftësitë e tija ushtarake,Bazi i Canit i organizon këto forca më së miri dhe mbrenda pak muajve,janë një varg aksionesh të sukseshme ndaj fashistëve italian.Veçanërisht e bujshme,do të ishte beteja e Ishmit,në prillin e vitit 1942,ku forcat italiane lanë dhjetra të vrarë e të plagosur,ndonëse ishin dhjetëfish më të mëdha në numër se çeta e nacionalistëve.E vërteta është,se ndër idetë e këtij heroi komëtar,ka qenë kurdoherë ajo e lirisë së trojeve amtare,ndaj ai nuk shpëtoi të vendoste se nga ç’pozicion i forcave politike do të zhvillonte këtë luftë.Në mendjen e kthjelltë dhe shpirtin e madh të Abaz Kupit,parësore ishte lufta,trimëria dhe sakrifica për të mos kursyer as jetën për ardhmërinë e kombit të vet.Pikërisht për këtë,në Konferencën e Pezës,birin e Krujës e shohim së bashku me nacionalçlirimtarët,madje për meritat luftarake që i njiheshin zgjidhet edhe në Këshillin e Përgjithshëm të atij fronti.Por rreshtimi i Abaz Kupit në ate front,nuk mund të ndante shpirtin e madh të tij prej nacionalistëve shqiptarë.Në ditët e Pezës,ate e shohim të ketë biseda të ngrohta e krejt të sinqerta edhe me Hysni Lepenicën e Azis Çamin,me të cilët,dikur patën mbrojtur kufijtë e Shqipërisë.

Në dhjetorin e vitit 1942,është pikërisht ideja dhe organizimi i Abaz Kupit,për t’u sulmuar qyteti i Krujës.Ai hynte natën ilegalisht,bisedon me miqtë e tij dhe më pas përgadit sulmin nga ato anë,që ishin më pak të mbrojtura prej fashistëve italian.Duke përfituar nga dimëri i egër dhe ngase e njeh mjaft mirë terrenin,majori trim,viret vet në krye të një çete dhe sulmon qytetin në terrin e mbrëmjes. Garnizoni italian,pas disa orë luftimesh të ashpra,duke parandjerë rrezikun,largohet prej qytetit në përpjekje për t’u lidhur me forcat e veta në Tiranë.Pikërisht për këtë betejë,shtypi komunist i asaj kohe do të shkruajë ;“Në Krujën e Gjergj Kastriotit,sot e mban flamurin e luftës Nacionalçlirimtare, Bazi i Canit.Me djemtë e qytetit kreshnik ai e mori dhe do ta marri hakun e djemve të tij,dyfish dhe dhjetfish.Do ta gjakos okupatorin dhe larot e tij,ashtu siç i gjakosi më 7 prill në llogoret e Durrësit,por këtë herë me flamurin e fitores në krye“.(Gazeta “Zëri i Popullit“ 11 janar 1943 ).

Biri i Krujës,do të jetë ndërkaq edhe protagonist I ngjarjes madhore të Mukjes,aty ku u ndriçua për fare pak çaste, e shëndriti madhërisht vetëdija jonë kombëtare.Dihet tanimë se një letër e Mid’hat Frashërit që mban datën e 20 qershorit 1943 i drejtohet Abaz Kupit,me idenë se situata e krijuar kërkon një mbledhje të domosdoshme.Letra nuk u dorëzua dot,ngase korieri u kap prej italianëve.Sidoqoftë Abaz Kupi dhe Safet Butka,lidhur me këtë die për bashkimin e forcave shqiptare,kanë folur gjatë në po ate ditë,në Teqenë e Fushë-Krujës. Pas bisedave e takimeve të ndryshëm,Ballit Kombëtar i është dërguar prej nacionalçlirimtarëve një mesazh tepër i ngrohtë bashkëpunimi i firmosur prej Abaz Kupit,Myslim Pezës,Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit,ku pos të tjerave thuhej ;„ Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar,ngarkoi një delegacion të posaçëm me fuqina të plota,për të biseduar me vendosë mbi të gjitha punët dhe krtyesisht bashkimin e të gjitha forcave të kombit,në luftë kundër armikut.Delegacioni i caktuar propozoi një përpjekje sa më të shpejtë,me një delegacion të plotfuqishëm të organizatës „Balli Kombëtar“.(Arkivi Qendror i Shtetit,fondi 20 , dosja 2,fleta 7 ).

Më pas Abaz Kupi,në 19 korrik 1943 realizon një takim me Mid’hat Frashërin dhe Hasan Dostin.E vërteta është se ka qenë pikërisht ky takim ku janë parashtruar pretendimet,pikëpamjet e deri platforma e konferencës së Mukjes.Pas këtij takimi,nacionalistët e vërtetë shqiptarë,jetuan me shpresën e madhe të bashkimit,sepse udhëhiqeshin kurdoherë nga ndershmëria dhe përkushtimi,në rrafsh të problemit kombëtar.Në Mukjen – tragjedi,major Abaz Kupi do të ishte ndër luftëtarët më të vendosur të bashkëpunimit ndërmjet dy forcave politike të kohës.Ai do ta mbronte me logjikë të mprehtë opsionin e Ballit Kombëtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës,njëherazi do të bashkohej me mendimin që në krye të Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë,të vendosej një prej përfaqsuesve të Ballit.Pa u zgjatur në ato çka ndodhi pas Mukjes,vlen të mos harrohet prej historiografisë shqiptare,se heroi i Durrësit,është i pari që u shkëput prej atij fronti kur parandjeu tradhëtinë e madhe.Një letër drejtuar këshillit të Përgjithshëm nacinalçlirimtar,është lamtumira e fundit që Abaz Kupi u transmeton komunistëve së bashku me mesazhin që ai do të jetë kurdoherë luftëtar i radhëve të para për lirinë e trojeve shqiptare.

Ç’prej asaj dite e deri më sot,mbi Abaz Kupin është hedhur baltë paprerë,prej historiografisë komuniste dhe udhëheqësve mediokër të viteve të diktaturës.Por biri i Krujës nuk mund të tërhiqej asesi prej idealit të madh për shkak të këtyre sulmeve,të denja për fjalorin e serbo-çetnikëve.Përkundrazi,në ato vite stuhije për atdheun e vet,Abaz Kupi dijti të ndriçojë udhën e vet e të qindra nacionalistëve të ndershëm shqiptarë që udhëhiqte.Ai burrë që nuk u frigua më 7 prill të vitit 1939,nuk mund të frigohej prej disa komunistëve mjerënë shqiptarë që edhe përpara se të kolliteshin prej të ftohtit,duhej të merrnin leje tek „shokët“ jugosllavë.Në fakt,pas Mukjes biri i Krujës ndërmori një hap të zgjuar politik.Ai filloi të zgjonte në Shqipërinë e Mesme,Lëvizjen e Legalitetit duke paraparë në këtë zgjim,një tjetër mbështetje të fuqishme që mund t’i jepej nacionalizmit të vendit të vet.Brenda pak kohe kjo lëvizje u gjallërua dhe pas komandantit legjendar të 7 prillit,vinin qindra luftëtarë të vendosur,për të luftuar deri në çastet e mbrame të tyre, për idealin e shenjtë të lirisë.Me një qetësi të habitshme politike,Abaz Kupi,do të krijonte lidhje të ngushta me misonin angloamerikan i cili kish ardhur në Shqipëri.Këto marëdhënie ai do t’i konceptonte kurdoherë të ngushta,si në luftën kundër okupatorit ashtu edhe ndaj komunistëve që i serviloseshin Beogradit.Ka dokumenta që flasin edhe për përpjekje të gjermanëve në vitin 1944,me qëllim përfshirjen e tij në qeverinë shqiptare të kohës.Por ai nuk pranon ngase ai parandjenë rënien e Raihut të Tretë dhe gjithsesi „shpreson tek angloamerikanët“.(Arkivi i Institutit të Historisë, Dokumenti diplomatike angleze,numër 37/43/550 , datë 15 mars 1944 ).

Në krye të qindra nacionalistëve shqiptarë,tashmë Abaz Kupi,vepron në Shqipërinë e Mesme e deri në Mat ku influenca monarkiste është mjaft e madhe pranë shtabit të tij,tashmë vendoset edhe një mision anglez i kryesuar prej Maklinit duke u përpjekur të ndërlidhe sadopak këtë shtab me nacionalçlirimtarët.Por nga ana e tyre,komunistët e Tiranës,nuk mund t’ia falnin Abazit qëndrimin e tij pas Mukjes.Ata jo vetëm që nuk pranonin bashkëpunim me te por edhe luftonin brenda tyre ato zëra që kërkonin diçka të tillë.Parimi vetasgjësues i komunistëve „o me ne , o kundra nesh“, do të ishte i mjaftë për të kuptuar se në konceptet e tyre nuk mund të gjallonte demokracia dhe pluripartitizmi.Ata ishin ende çunakë për të kuptuar lojën e ndyrë të „vëllezërve“jugosllavë. Tashmë jo vetëm që nuk bëhej fjalë për bashkëpunim,por përkundrazi ishte lëshuar urdhëri për luftë frontale ndaj forcave nacionaliste.Brigada e IV dhe brigada e V,kishin marrë detyrë luftarake për të shkatëruar me çdo kusht forcat e Abaz Kupit.Në një telegram që shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë u dërgonte këtyre brigadave me 3 korrik 1944,thuhet ; „Ju keni lajmëruar,se duhet të mos bëni Bazin të grumbullojë forcat e të sulmojë në front,kundër nesh.Mos neglizhoni këto vërejtje pse përgjegjsia bie mbi shtabin e divizionit.“(Dokumente të shtabit të Përgjithshëm të UNÇ,faqe 466).

Edhe dy tri muaj të tjerë paskëtej,Abaz Kupi,lufton kundër me forcat komuniste. Ai do të mund të godiste pa mëshirë vëllezërit prej gjaku të tij,por shpirti i madh nuk ia lejon këtë.Mjaftohet vetëm duke çarë rrethinet njëri pas tjetrit,për tu larguar në vjeshtën e vitit 1944,përfundimisht nga Shqipëria.Për trimin e Krujës,tashmë fillojnë privacionet e atij emigrimi të lodhshëm e fatkeq.Lidhet sërisht me Mbretin Zog dhe nacionalistët e tjerë për të vazhduar rrugën  enisur.Bashkëpunon sidomos me Mid’hat Frashërin për bashkimin e krejt nacionalistëve në një organizatë të vetme demokratike dhe antikomuniste,themelojnë në emigracion Komitetin Kombëtar Demokrat „Shqipëria e Lirë“.Lufton deri në fund,deri në ate muzg dimëri të 9 janarit të vitit 1976 kur mbyll sytë në  Njy Jork në vetminë e madhe dhe të trishtueshme të emigracionit.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: abaz kupi, Eugjen Shehu, heroi i harruar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT