• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

Qëndrimi ndaj hebrenjëve i bën nder kombit shqiptar

July 20, 2013 by dgreca

* Kur hebrenjëve iu kërcënohej jeta, shqiptarët u ofruan miqësinë sipas kodit të lashtë të besës /

*Sipas bisedës me z. Mustafa Rezniqi, zonjën Xhangyle Ilijazi, te Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael, z. Besim Ndregjoni, i Shoqatës të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe  zonjën Larisa Lezha, studiues e Arkivit të  Shtetit Shqiptar…/

Nga Dalip Greca/arkiv/

Ajo ç’ka kanë bërë shqiptarët gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore në mbrojtje të hebrenjëve, nuk është më sekret. Sekretet i mori me vete gjatë rrokullimës së tij sistemi komunist, i cili e kishte shpallë të padëshiruar shtetin e hebrenjëve dhe e quante “koburja e imperializmit amerikan”. Mirëpo, Ramiz Alia, besniku dhe pasuesi i diktatorit Enver Hoxha, në kohëpërmbysjen e pushtetit komunist, dosjen për mbrojtjen e hebrenjëve nga shqiptarët ia dorëzoi kongresistit  amerikan Tom Lantos dhe ish kongresistit Joseph DioGuardi gjatë vizitës së tyre në Tiranë më 1990 dhe bota e mësoi se ç’ishte besa e shqiptarëve dhe kodi i saj i sacrificës. Miqtë nga Izraeli nuk vonuan që të shprehnin mirënjohjen për besën dhe bujarinë e shqiptarëve, që kishin vënë veten dhe familjet e tyre në rrezik për të shpëtuar jetë të miqëve, që u kishin rënë në besë.

Veprimi i shqiptarëve përmban në vetëvete ndjenjën e  sakrificës. Kur një familje shqiptare pat vendosur familjen izraelite në një bazë, e  cila mund të rrezikohej nga gjermanët, i zoti i shtëpisë çoi edhe të birin me ta, për t’u treguar se ai për mikun vinte në rrezik të birin. Janë të rrallë popujt që e bëjnë një sakrificë të tillë. Si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, hebrenjtë u morën në mbrojtje nga shqiptarët sipas kodit të lashtë të besës dhe kështu nderuan kombin.

Edhe Kosova u hapi dyert dhe zemrën hebrenjëve

Mustafa Rezniqi nga Gjakovai ndjehet krenar, që  i ati i tij, një ndër tregtarët më të njohur në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishte miqësi me hebrejntë. Miqësinë, i ati i tij,  Asllan Rezniqi,  nuk e shfrytëzoi vetëm për tregti, por, në çastet e vështira, kur miqëve të tij iu rrezikua jeta, ai u ofroi kodin e besës. Hebrenjtë kishin ardhë nga Peja në Deçan për arsye sigurie.

Me porosi të hebrenjve bëri një ndërtesë enkas për ta, dalja sekrete e nëndheshme e së cilës i nxirrte nga rreziku nëse shkonin gjermanët. Gjithësesi ajo ishte një shtëpi moderne për kohën, me dy kate dhe kishte dhoma të veçanta gatimi, fjetje, për miqtë etj. Skicat e kësaj shtëpie janë  depozituar që në vitin 2005 në Izrael. Hebrejtë qëndruan aty gati katër vjet. Kur qëndrimi u bë i rrezikshëm, atëhere, Asllan Rezniqi, i mori dhe i përcolli për në Tiranë.

Mustafa tregon se babai i tij ato kohë ishte një ndër tregtarët me shumë zë si gjatë Luftës së I Botërore ashtu edhe gjatë Luftës së Dytë.

Mustafa Rezniqi, që i ka kaluar të tetëdhjetat, kujton se ishte fëmijë atëherë dhe mban mend shumë mirë miqtë hebrenj. Ai kujton edhe kampin e Prishtinës, ku ishin grumbulluar hebrenjtë, që më vonë u nisën drejt Tiranës,  Aty ishte edhe miku i atit të tij, Samuel Mizraki. Ai pat përfituar nga një dy orësh liridalje që kishin në kohë dreke, ka ikë prej Prishtinës dhe ka marrë rrugën për në Deçan, duke kërkuar mbrojtjen e Asllanit. Që në fillim u morën masa që ai të krijonte një identitet të ri. Fillimisht i nxorën një pasaportë shqiptare me emrin Sami Mazreku. Ai kishte qenë më parë me banim në Shkup, por që andej e kishin sjellë në Prishtinë me rastin e  grumbullimit. I ati i Mustafës ka arritur që ta përcjellë sërish për në Shkup, ku atij i kishte mbetur familja, e cila ishte e hutuar nga ikja e kryefamiljarit.

Mustaf Rezniku, ka sigurtuar dokumentacion të mjaftueshëm, që mohon zëra se në Kosovë janë asgjësuar hebrej. Këto akuza të pavërteta,  thotë ai, i kanë hapur serbët me qëllim që të injoronin solidaritetin e shqiptarëve me hebrenjtë dhe së dyti të përhapnin urrejtje ndaj shqiptarëve me qëllim që të realizonin represionin dhe genocidin e tyre ndaj shqiptarëve, po ashtu si nazistët që ushtruan kundër popullsisë izraelite nëpër Evropë. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë të ekspozuar ndaj genocidit dhe dhunës po aq sa hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një gazetar sllav, Misha Vavic prej Mitrovice ka sajuar një histori ashtu siç i intereson atij dhe jo siç ka ndodhë në fakt për  batalionin shqiptar ”Skënderbeu” dhe këto mashtrime kanë mbizotëruar shtypin serb dhe fatkeqësisht po i merr në konsideratë edhe ndonjë shqiptar dhe më pas shumëzohen në internet. Kurrëfarë  krimi nuk kanë bërë shqiptarët ndaj hebrenjve. Misha Vaviç ka shkruar shpesh të kundërtën e asaj që ka ndodhur mes shqiptarëve dhe hebrenjve. Ka shumë artikuj që mbajnë firmën e tij, por ato i beson vetëm ai dhe ata që qëndrojnë pas tij.

Vaviç rreket që të kapet pas historisë së një shqiptari, i quajtur Muhamet Prejuci, gjoja sikur ai paska treguar me gisht hebrenjtë, duke u bërë kallauz i gjermanëve. Gjithçka është e sajuar, qëllimi ka qenë që të njollosë jo vetëm Muhametin, por edhe tre vëllëzerit e tjerë të tij, që shquheshin si derë fisnike dhe e pa përzier me pisllëqe e krime, që kërkon t’i atribuojë gazetari sllav.

Mustafa dëshmon se për këtë rast ka intervenua i ati i tij, Asllani,me kërkesën e babait të Muhametit. Në fakt Muhameti ka qenë burgos në Pejë për pak kohë. Baba me anë të Halil Kastratit ka investigu dhe ka mësuar të vërtetën. Ai ka qenë i pafajshëm.

Mustafa tregon se deri tani janë evidentuar disa shqiptarë të Kosovës,  që u bënë strehë për hebrenjtë. Ai kujton se babai i tij, Asllani, ka shpëtuar dhe një hebre tjetër, me të cilin bashkëpunonte për punë të tregtisë. Ky ishte me qëndrim në  Gllogovc të Drenicës, e ka çuar në një fshat tjetër, tek një mik i tij. Ky u përcoll për në Shqipëri përmes Bjeshkëve të Nemuna.

Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael tregon edhe një rast që flet për përkushtimin e  hebrenjëve ndaj shqiptarëve. Është i njohur rasti i doktor Abravanel, ky ka qenë mjek i shkëlqyer. Shërbente në spitalin e Shkupit. E kanë pasë transferuar nga Shkupi në Deçan dhe ka qëndruar disa muaj aty nën besë të Asllan Rezniqit. Mustafa nuk mund ta harrojë mjekun hebre sepse falë aftësive të tij mjeksore është gjallë sot. Pjestarët e familjes së tij ishin të infektuar nga tifoja e zorrëve dhe kosa e vdekjes po i korrte njëri pas tjetrit. Ishin disa të infektuar që qëndronin bashkë dhe infeksioni ishte përhapur zinxhir: halla e babës, axha, dhe disa kushërinj nuk mundën të shpëtonin, ndërsa Mustafa, atëhere fëmijë, falë kujdesit të doktorit hebre mundi që të shpëtonte. Bëhet fjalë për vitin 1941. Mustafa kujton detaje se si erdhi doktori hebre në shtëpi, se si e vizitoi, i mori gjakun për analiza,  dhe më pas kishte kërkuar një njeri të saktë që ta çonte gjakun në spitalin e  Shkupit për analiza. U gjet një njeri i tillë, i sigurtë. Ky ishte daja i Mustafës, Ismet Stavileci, i cili e çoi në spital gjakun, por s’ka mundur që ta marrë analizën sepse spitali është bombarduar në çast dhe është hedhur në erë.

Kohën e rrezikut mjeku e kaloi në shtëpiën e babës së Mustafës. Ka qëndruar 6 muaj aty. Familja ruan edhe fotografitë më të.  Mjeku hebre kishte lënë familjen në Shkup, gruan, vajzat dhe djalin. Asllani e ka përcjellë vetë nëpër Deçan, Gjakovë, Prizren, Tetovë dhe në Shkup. Më vonë ky mjek shkoi në spitalin e Manastirit. Shqiptarët që shkonin atje ai i ndihmonte, qoftë edhe me një fjalë përshëndetjeje prej Asllan Rezniqit.

…Pas një heshtje, që zgjat disa minuta, Mustafa tregon me dhimbje, se doktori ka pasë një tragjedi familjare.Vajzës së tij i kishte ardhur kunati që ta merrte dhe të shkonin  në Dubrovnik tek një kushëri që kishte mbërritur atje. Kanë qenë të gjithë në mbrëmje në Shkup, por ka rënë një tërmet i fuqishëm dhe familja siç ishte ka mbetur e vdekur.

Mustafa tregon se i ka mbajtë lidhjet me doktorin sa ishte gjallë. Tani lidhjet mbahen me një mbesë të doktorit, me të cilën është takuar në Izrael, ku ka qenë i ftuar.

Kosova po dokumenton kontributin shqiptar ndaj hebrenjve

Xhangyle Ilijazi ka ardhur në Nju Jork nga  Gjilani i Kosovës. Ajo në kohën e vizitës mbante detyrën e zv/kryetares së shoqatës të Miqësisë Kosovë-Izrael. Anëtarësia e shoqatës, më  shumë  se 30, përbëhet kryesisht nga familje që kanë kontribut në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shoqata ka grumbulluar material dokumentar dhe fotografik që dokumentojnë ndihmat e shqiptarëve.

“Ka pasur një propogandë intensive serbe që e ka fshehur këtë realitet dhe ka propoganduar të kundërtën, sikur gjoja shqiptarët nuk kanë mbrojtur hebrenjtë”, thotë me indinjatë zv/kryetarja Iljazi.

Kanë qene më shumë se 15 familje shqiptare që janë të dokumentuara si strehuese dhe shpëtuese të hebrenjve në Kosovë, nderkohe qe numri I familjeve hebreje ne Kosove ishte 56, nderkohe qe pranai e hebrejeve ne Kosove daton ne shekullin e 15-te.

Zonja Ilijazi tregon se mban korrespondencë të rregullt me Muzeumin e Yad Vashem-it që nga fundi i viteve 1980. Ajo ka dërguar disa materiale për shqiptarët që kanë ndihmuar hebrenjtë gjatë Luftës së II Botërore.

Ajo vazhdon që të mbajë lidhje me shumë shoqata të hebrenjve si dhe me një sërë prej shoqatave simotra në shtetet e  Ballkanit.

Aktiviteti më i rëndësishëm mbetet rinovimi i varrezave të hebrnjve. Cila është historia e varrezave?

Organizata “ Zbor” i kishte dorëzuar listat e hebrenjve qarqeve gjermane. Në maj të vitit 1941 në Prishtinë  ishin grumbulluar hebrenjtë dhe po bëhej seleksionimi i tyre. Mushon Asheri dhe djalin e tij Solomonin, gjermanët i kanë rrahur në mënyrë çnjërëzore dhe më pas i kanë pushkatuar në Taukbashqe të Prishtinës. Këta dy hebrenj janë të pushkatuarit e parë në këtë vend. Aty janë edhe varrezat e hebrenjve. Deri në vitin 2000 ato varreza nuk kanë qenë të përkujdesura, dukeshin të braktisura. Me angazhimin e  veprimtarit humanist Murteza Studenica dhe disa ndihmësve të tij, ato varreza janë rregulluar dhe janë nën përkujdesje të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Të gjitha të dhënat lidhur me këto varreza dhe me shpëtimin e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore nëpër familjet shqiptare dhe prej nëpunësve shqiptarë janë prezantuar në librin e Murteza Studenicës “Shqiptarët dhe hebrenjtë”, botuar në Prishtinë dhe në librin e Shaban Sinanit “Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri”, botuar në Tiranë në vitin 2005. Në këtë drejtim Arkivi i Kosovës ka bërë fotografimin e varrezave dhe ka grumbulluar dokumentacionin duke ua dhënë në shërbimin studiusve.

Ndër studiuesit që ka hedhur dritë mbi kontributin shqiptar ndaj hebrenjve në Kosovë, në Luftën e Dytë Botërore, është  Prof. Hakif  Bajrami.

 

Sa ka qenë numri i hebrenjve në qarkun e Kosovës?

 

 

Sipas statistikës turke të vitit 1911 në fondin “Komiteti i Kosovës” në Arkivin e Shqipërisë, dosja 27, theksohet se në Vilajetin e Kosovës jetojnë 2009 hebrenj, prej tyre 1343 në Shkup, 547 në Prishtinë, 93 në Kumanovë, 26 në Mitrovicë dhe disa persona të vetmuar në Prizren, Gjakovë dhe Pejë.

Ndërsa dy vite më vonë, më 1913, po sipas statistikës të Komitetit të Kosovës, (dokumenti origjinal gjendet në Arkivin e Shqipërisë, dosja 22) në Shkup jetonin 567 hebrenj. Në viset e tjera të Kosovës hebrenjtë nuk shënohen në atë dokument.

Me regjistrimin e vitit 1921 shënohet se në Prishtinë jetonin 322 hebrenj, në Mitrovicë 104, në Pirzëren 1, dhe në Rahovec 1, gjithësej 427 hebrenj në Qarkun e Kosovës.

Me regjistrimin e vitit 1931 shënohet se në Prishtinë jetonin 373  hebrenj, në Ferizaj 3, në Mitrovicë 110, në Prizren 11, në Gjakovë 6 dhe në Pejë 3. Sipas të dhënave arkivore në territorin e Kosovës më 1937 jetonin 506 hebrenj.

Sipas dokumentave ushtarake serbe më 1905 në Vilajetin e Kosovës jetonin 3000 hebrenj, më 1910 jetonin 3200, hebrenj, më 1915 jetonin 298 hebrenj, që do të thotë se të tjerët ishin shpërngulur për në Turqi.

Më 1937 është bërë sërish regjistrimi me detaje i hebrenjve, të cilët në të njëjtën kohë shprehën dëshirën që të shpërnguleshin në Turqi së bashku me shqiptarët. Atëbotë erdhi nga Beogradi Dr. Isak Alkalaj dhe i bindi që hebrenjtë të mos shpërnguleshin.

 

 

Arkivat shqiptare ruajnë kontributin  për hebrenjtë

 

Larisa Lezha, e diplomuar për histori, punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Shqiptar. Ndjehet pak e lodhur sepse ka qenë e mbingarkuar jo vetëm me gjetjen dhe sistemimin e materialeve, por është marrë edhe me dizajnimin e materialeve arkivore që u ekspozuan në Paris. Larisa tregon se më 27 janar 2008, “Dita e Kujtesës” për Shqipërinë u organizua në Paris, në Pallatin e Luksemburgut, në senatin francez, ku u mbajt konferenca me temë: “Shqipëria në periudhën 1933-1944, një shembull për Evropën”. Dimensioni human i Shqipërisë së panjohur ishte vendosur në qendër të konferences së Parisit,  e cila u organizua nën kujdesin e ambasadorit të Shqipërisë në Paris, Ylljet Aliçka, e Senatorit Bernard Fournier, e Drejtoreshës së Arkivave, Nevila Nika. Bashkë me kryetarin e Shoqatës Shqipëri Izrael, prof. Petrit Zorba si dhe Besim Ndregjonin. Larisa ka udhëtuar më pas nga Parisi në Nju Jork, ku u organizua ekspozita “Në besë të shqiptarit”.

Larisa tregon se në arkivat shqiptare janë gjetur dokumenta të pasura që dokumentojnë kontributin dhe sjelljen fisnike të shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve.

Studiuesja e arkivave, Lezha, e cila ka kontributin e vet edhe në ekspozitën që u hap në “Ditën e Kujtesës” në Parlamentin shqiptar, tregon se në qendër të ekspozitave janë vendosur dokumente dhe fotografi origjinale, që faktojnë atë çka ka ndodhur në ato vite në Shqipëri dhe në Kosovë…Ato janë:

– Leje qëndrimi dhe leje pune për hebrenjtë e ardhur nga Gjermania, Greqia e Austria.

– Qarkore e Ministrisë së Brendshme mbi numrin e familjeve izraelite në Shqipëri.

– Marrja e shtetësisë shqiptare nga njerëz të shquar, siç ka qenë rasti nga profesor Nobert Jokli dhe Franz Gunjurger, etj.

 

 

Ndregjonët, sakrificë në emër të besës

 

–         Sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së ish të përndjekurve politikë të Shqipërisë dhe aktivist i të drejtave të njeriut, Besim Ndregjoni,ishte pjese e ekipit shqiptar per Ditet e kujteses. Një nga familje shqiptare qe eshte vene ne mbrojtje te izraeliteve, ka qenë edhe ajo e Ndregjonëve, që i mori hebrenjtë nga Tirana dhe në mot të vështirë e rrugë të vështira për katër ditë i fshehu në Katër Grykë. Ku i mbajti deri në mars të vitit 1945. Babai i Besimit ka qenë oficer i Mbretërisë Shqiptare. Më 1939 ka luftuar kundër  pushtimit fashist. Ka luftuar kundër pushtuesve  i radhitur me çetat nacionaliste nga viti 1941-1944. Në mes të kësaj periudhe, dhjetor 1943, në Tiranë në shtëpinë e  Xhemal Herrit,  i kërkoi babait që të shkojë dhe të takojë Isuf Zenunin, i cili mbante në besë disa hebrenj, të cilëve u rrezikohej qëndrimi i mëtejshëm aty.

Babai i Besimit, Imeri, takon Isuf Zenunin, i cili i tregon problemin. Kishte shtatë hebrenj që duheshin çuar në një vend të sigurtë sepse ardhja e gjermanëve e bënte të pasigurtë qëndrimin e tyre. Familja që duhej marrë në mbrojtje ishte e Emanuel Rubenit e ardhur nga Jugosllavia. Ai ishte me bashkëshorten Lea dhe katër vajzat; Rashela, Ritka, Beta dhe Matilda si dhe  kunati i tyre Isak.Kishin ardhur nga Beogradi, ku u kish ndodhë një fatkeqësi; burrin e njërës prej vajzave të Emanuelit, e kishin masakruar nazistët në Beograd. Problemi ishte se si të shpëtoheshin pesë femrat dhe dy burrat.Në këto kushte Imer Ndregoni, së bashku me një të njohurin e  vet, Ramadan Biba, nga Qafë Molla, i marrin hebrenjtë dhe në kushte fshehtësie i nxjerrin jashtë Tiranës. Ishte një udhëtim i vështirë në një mot me shi të rrëmbyshëm e me erë të fortë. Udhëtimi zgjati katër ditë nëpër male. Akti i babait të Besimit, Imer Ndregjonit, është përjetësuar në kryeqytetin e Shqipërisë, ku një rruge në Tiranë i është vendosë emri, “Imer Ndregjoni”. Në motivacionin e nderimit përfshihet kontributi për shpëtimin e hebrenjve, kontributi kundër fashizmit dhe kundër komunizmit.

–         Rruga që përshkoi Imer Ndregjoni atë dhjetor të ftohtë të vitit 1943 në krye të hebrenjve ishte e gjatë dhe e lodhshme. Ai kishte zgjedhë që të ndiqte  rrugën e Arbërit; Pas Malit të Dajtit, kaloi në Shkallë të Tujanit, mori  Qafën e Murrizës, në Mal të Bardhë, mbërriti në Klos të Matit, në Kurdari dhe përfundimisht i çoi në Katër Grykë, ku ishte shtëpia e Imer Ndregjonit dhe shtëpia e Llan Destan Ndregjonit, që ishte njëkohësisht xhaxhai i babait të Besimit.  Llan Destan Ndregjoni ishte një luftëtar i njohur antiserb, i plagosur tri herë ndër beteja me serbët, por që komunsitët i kishin vrarë të birin dhe kushëririn, Xhetanin në Pezë të Tiranës gjatë vitit 1943. Shtëpia e tij ishte bosh nga që ai vetë ishte vendosur në Vojnik. Kështu që shtatë hebrenjtë  u sistemuan pa asnjë problem. Në fshat u hap fjala se kishin ardhë mysafirë nga Tirana, të cilët  meqenëse  u ishin djegë shtëpitë, do të rrinë për disa kohë tek Ndregjonët.

Besa e shqiptarit është se kur e merr mikun në mbrojtje sakrifikohet edhe familja edhe miqësia. Kjo ishte besa që i dha Imer Ndregjoni familjes hebraike që kishte pësuar një traumë në Beograd. Dhe nga dhjetori 1943 deri në mars 1945 hebrenjtë kanë qëndruar tek Ndregjonët në Katër Grykë të Dibrës.

Besimi thotë se nuk mund të lëri pa përgëzuar të gjithë fshatin Lukas dhe miqtë  që iu gjendën familjes pë krah në mbajtjen e  besës për të shpëtuar familjen e hebrenjve.

Pas Luftës së Dytë Botërore për Ndregjonët filloi Holokausti komunist. Llan Destan Ndregjoni u vra nga komunstët në vitin 1946, Xhetan Ndregjoni ishte vrarë më parë nga komunistët më 1943, Halil Ndregjoni vdiq në burgun e Peshkopisë nën torturat çnjerëzore, ndërsa vetë Imeri, që shpëtoi shtatë jetë njerëzore të një populli të largët, luftëtari i 7 prillit 1939 pas një hetuesie të rreptë, u dënua fillimisht me pushkatim, më pas me 101 vjet burg, dhe shumë vite të jetës së vet i kaloi burgjeve të komunizmit. Mbrojti jetë njerëzore dhe u ndëshkua në mënyrë çnjërzore.(Arkiv)

Filed Under: Histori Tagged With: kosova, ne mbrojtje te hebrejeve, shqiperia

NJERËZ QË GËNJEJNË NË KOR

July 20, 2013 by dgreca

Shkruan:Fadil LUSHI/ Tetovë/

Të nderuar lexues, këtë shkrim timin të radhës nuk e kam ndërmend t’ia dedikoj as politikanit, as matrapazit të mëhallës sonë, as kambistit që dikur vendndodhjen e kishte te ‘ish’-semaforët e sheshit “Iliria” të kasabasë së Tetovës, as Fejzos (të cilin Ramazani i bekuar e ka “kapur për fyti që në syfyr” dhe, që herët në sabah, i ik fiqiri)…, nuk do t’ua kushtoj as atyre që deri dje mbaheshin për të mençur, as recidivistëve të rrezikshëm politikë…, as mbretit të Babilonisë së lashtë, i cili para 3500 vjetësh pat thënë: “Qeveriseni mirë popullin se ndryshe ai çdo invazion të huaj do ta quajë çlirim”!…,nuk do t’ia dedikoj as atij “kryeplakut” gojëprishur të “mexhlisit” të katundit, i cili me një rast,  pos të tjerash, kishte thënë: ”…, për të bërë shqiptari, nuk mjafton që të kesh këllqe…, duhesh të kesh edhe koqe…, kryeplaku kishte harruar se në atë mexhlis kishte zënë vend edhe një i paftuar…, po që ky i paftuar,  pa e pyetur njeri, kishte bërë pyetjen me sa vijon: o ju burra, pa më thoni mua që k….t i kam të tredhura, ça do bëj”!??…, eh, ti çun i Kavajës, shporru që këtej…, nuk je as për Stamboll e as për Gjirokastër”!?… dhe vërtet ky “çuni” që nuk ishte gjirokastrit kishte ikur kokëvarur dhe i turpëruar! Nuk do t’ia dedikoj as atij legenit ordiner të bllokut tonë, i cili me rast e pa rast e ul pazarin politik të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit!?…, nuk do t’ia kushtoj as atij lëngaraqi që shkon pas prapanicës së urdhërdhënësit të tij për një mëditje, për një kockë a ndonjë lek…, as letargjisë së zvarranikëve, as atyre mazohistëve, të cilët kur ta “fusin ashtu pahiri”, ta thyejnë boshtin e kurrizit dhe kështu bëhesh “viktimë e kurdisur” e kësaj pune me “zarar”… dhe, në fund, nuk të mbetet gjë tjetër pos të bërtasësh: o, milet, pa më thuani se kush ma futi!?

Ti, i nderuar miku im, këtë shkrim timin nuk do t’ua kushtoj as atyre që mëtojnë pa të drejtë ta studiojnë etnopsikologjinë e fqinjëve të tyre, kurse të veten as që e njohin sa duhet, as atyre që janë të krisur e të inatosur!?…, as atyre që në “aksham të martojnë e në sabah të harrojnë”!…, as atyre që ta brohorisin emrin a edhe llagapin e fisit në kor…, as atyre që pëshpëritin qosheve në kor, as atyre që në emër të popullit dhe për popullin i bëjnë punët me dallavere, me marifetllëqe dhe me improvizime. Thjesht, këtë do t’ia kushtoj Filip Çakulit, i cili shkrimin e tij të paradokohshëm me titull “Tre fajtorë pa faj”, e kishte përfunduar me këtë paragraf: “…, e gjithë kjo të kujton historinë e atij çifti pleqsh që do të festonin 50-vjetorin e martesës së tyre. Shkuan në të njëjtin hotel ku kishin shkuar për herë të parë dhe në të njëjtën dhomë. -Është me të vërtetë shumë prekëse, thotë plaka e ekzaltuar, kjo që po përjetoj tani. Më duket vetja si në atë kohë, kur ishim të rinj. Ndjej një afsh përbrenda, aq sa gjoksi më digjet nga dashuria për ty. -Lëri moj këto budallallëqe, ia kthen plaku, dhe hiqi sisët që të kanë rënë te pjata e supës…,”!

Se sa kohë kishin ndenjur në atë dhomë plaku e plaka, se kishte pasur krevat dopio në atë dhomë dhe se ç’kishin “bërë”, Filipi, sikur “për inat”, nuk na jep shpjegime të mëtutjeshme dhe më të hollësishme…, megjithatë do të ishim “kureshtarë” ta dinim vazhdimin e kësaj vakie, sa të natyrshme, po aq edhe njerëzore, po edhe sikur Çakuli ta vazhdonte këtë tregim neve do na jepej e drejta të themi se shkrimin e ka të qëndisur me atë satirën e tij të mprehtë, të ashpër, të hidhur dhe therëse, një satirë ashtu ulur, ashtu këmbëkryq dhe rehatshëm në kryeminderin e përditshmërisë sonë, sa të bezdisshme po aq edhe “përrallore”!

Ndofta miqtë e mi të nderuar me gojën plot dhe me të drejtë do të parashtronin pyetjen se ç’i duhen këtij shkrimi gjithë këto paradigma!? Mos vallë autorit nuk i mjaftonte parashtresa nga ajo e meselesë së Çakulit, apo ndofta vështrimit në vijim mëton t’i ngjisë bisht sëpate…, mos vallë në fund ky “shkrim me bisht” do përfundojë  me “zarar dhe me hata”! Pavarësisht se si do të përfundojë e gjithë kjo, ne në këtë fabul të Çakulit, hetuam  një dozë  optimizmi te plaka dhe nuk besoj se ky optimizëm i saj ishte i rremë a i sajuar, siç mendonte plaku. Nejse, mua më duhet të them se kjo vaki e plakut dhe plakës, sikur po përsëritet këtej hapësirave politike, në veçanti në Tiranë. Një e tillë do të hetohet në kryeqendrën e shqiptarëve, ku (krye)”propagandistë” do të jenë: Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, përndryshe kandidatë a pretendentë për kryeparë a zëvendësues të Sali Berishës (në dorëheqje). Këta dy politikanë të respektuar, disa javë më parë, morën strajcat, i hodhën në krah dhe dolën të “gjezdisin” anembanë vendit për të kërkuar vota nga simpatizantët dhe votuesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

“Thashethemexhinjtë” do të thonë sot se ato strajca janë të mbushura me optimizëm, me sjellje lavdëruese, me tolerancë, me fyerje, nostalgji dhe paksa me satirë politike si të asaj plakës së ekzaltuar të Filipit… me ide të reja, por të shkërmoqura, e të tjera ide (jo)kolektive. Në strajcat e tyre ka edhe premtime (të reja dhe të vjetra) të cilat nuk kishin “fat e vakt” që të realizohen. Në krahasim me herët e tjera, kësaj radhe vizita e Olldashit dhe Bashës në hapësirat e PD (jo në hotelet e dikurshme) është duke u realizuar paksa më ndryshe. Pretendentët për kryetar të Partisë Demokratike një gjë duhet ta dinë a duhet ta bëjnë në mend: kur të gjithë simpatizantët ulërijnë emrin tënd, dije se në kor të gënjejnë…, dije edhe atë se ata “mashtruan” një kryeministër e lëre më një politikan “axhami”!??…, ata “mashtruan a edhe tradhtuan  në  kor” pushtetin makiavelist. Dije edhe atë se nuk mund të thuash se ky milet është i marrë, ai, me filozofinë që ka, të jep ujë me shpinë të lugës…

Pleqtë mendjendritur thonë se herën e parë mund ta gënjesh miletin, herën e dytë mund ta tradhtosh, por ama herën e tretë të godet ashtu papritur, “fshehurazi dhe pamëshirshëm”! Të nderuarit në fjalë, të cilët ashtu “jerm” u shkojnë vërdallë miqve të vjetër, kësaj radhe duhet t’i kthehen mbajmendjes së tyre dhe të ndërgjegjësohen se kalaja e politikëbërjes parimore nuk mund ndërtohet me fjalor denigrues, nuk ndërtohet me akuza të paqena, me paragjykime, me optimizëm të rremë, me shpifje…, në themelet e politikës parimore nuk ka vend për “gjymtimet” e kundërshtarëve politikë, qofshin ata të jenë Edi Rama, Ilir Meta, Bamir Topi dhe të tjerë…, nuk mund t’i konceptosh si kaçakë e zullumqarë, qofshin ata të vegjël a të mëdhenj…, nuk bën! Nuk bën që atë optimizmin e tepruar për një Shqipëri evropiane ta ngjisësh në thembër të këmbës, ndërkaq atë fjalorin denigrues ta mbash në majë të gjuhës…, nuk duhet që privatësia a edhe e kaluara politike e oponentit tënd të të shërbejë si alibi për…!? Në instancë të fundit, cilido qoftë politikan  që do të veprojë kështu, le ta dijë se kurrën e kurrës nuk do të vrapojë dhe nuk do ta përfundojë atë “maratonën politike shqiptare”, po qoftë edhe i “dopinguar”!

Sa të sinqertë dhe sa të këndshëm që duken personazhet e satirës së Filip Çakulit. Sa të vështirë e ke t’i gjesh sot në politikën shqiptare!

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, njerez, qe genjejne ne kor

HARADINAJ: I BERA OFERTE THACIT QE T’MA LINTE MUA QEVERISJEN, POR S’PRANOI!

July 19, 2013 by dgreca

I ftuar në emisionin “Tonight Ilva Tare”, në RTV “Ora News”, Ramush Haradinaj ka folur për akuzat e luftës dhe si do bëhet Kryeministër.Përpara gazetares Ilva Tare, Haradinaj ka deklaruar është nder të udhëheqësh një projekt për liri dhe se është i bindur që do të jetë kryeministër.“Unë i kam marrë përsipër të gjitha rreziqet e mundshme se qëllimi ishte i shëndetshëm për Kosovën edhe gjatë politikbërjes kuptohet që jo të gjitha shkojnë në bazë të planit. Çfarë është me shumë rendësi, ajo që edhe sot besoj se do të kishim fituar më shumë kohë. Ajo do të ndodhë pas një kohe. Po, po po, e bazoj në ato që punoj, në ato që ndodhin në terren dhe në ato që ndodhin në mendjet e njerëzve të Kosovës”, u shpreh Haradinaj.

Në lidhje se pse nuk funksionoi marrëveshja me Hashim Thaçin, Haradinaj u shpreh:

“Unë i kam bërë një ofertë zotit Thaçi dhe PDK-së. Duke vlerësuar gjendjen në vend, një analizë të cilën ata jo se e mohonin, por një gjendje jo të mirë. Trendet e brendshme, nuk po flasin për obligimet e kosovës regjionale, ndërkombëtare, në planin e jashtëm edhe në planin e brendshëm duhet shumë më shumë të bëhet, por për qeverisjen në vend. Unë i thashë që nëse dëshiron… krahas angazhimit ndërkombëtar që ai e zhvilloi, nëse dëshirojmë që ta përforcojmë pozicionin tonë, na duhet një qeverisje efektive në vend sepse situata e brendshme ta dikton nivelin tënd kudo që shkon. I bëra një ofertë që ai ta lëshonte qeverisjen, ta merrja unë udhëheqjen dhe të kryeja këto punët e shtepisë, si i quaj unë . Kishte një interesim në fillim por ajo nuk ndodhi, më vjen keq që s’ka ndodhur. Do të ishte mirë sepse do kishim fituar kohë, atë që thashë, po luftoj me kohën, do të ishte mirë që  të kishim fituar betejën me kohën.”

 

Haradinaj nuk ka lënë pa përmendur edhe marrëveshen me Beogradin midis kryeministrit Thaçi dhe Daçiç.

“Marrëveshja s’është e përkryer, por ne e përkrahim këtë proçes. E përkrahim marrëveshjen dhe të gjitha detyrat që dalin nga ajo.Duhet të ishim më funksional brenda në Kosovë, në mënyrë që situata në terren të diktonte edhe marrëveshjen më të mirë. Mirëpo me gjendjen reale çfarë e kemi me kualitetin e qeverisë me atë si është gjendja në veri atëherë ne e mendojmë këtë si një zhvillim real drejt shtrirjes së juridiksionit tonë në veri. Kuptohet dhe ajo do të kishte mundësi për  më mirë por në zhvillimet çfarë kanë ndodhur ne besojmë se përmes kësaj që është arritur, të mund ta shtrijmë juridiksionin në veri.Një Kosovë unike me rend dhe ligj në të gjithë territorin e vet, me qytetarë të integruar, pra aludoj veriun. Pra do të kemi një Kosovë që ka rend dhe ligj, që kushtetutshmëria vlen në të gjithë territorin me të gjithë njerëzit e vet”, tha Haradinaj.

Në lidhje me pyetjense kurrë do ta njohë Serbia Kosovën, Haradinaj u përgjigj:

“Unë i ndaj këto dy tema. Interesi im i parë është të zotërojmë veten. Interesi i dytë është që atë që ne zotërojmë, të na e njohin të tjerët. Ne e kemi tash këtë, të arrijmë të zotërojmë vetveten , të arrijmë të jemi zot shtëpie në shtëpinë tonë pastaj me siguri etapa tjetër do të jetë, e shoh dhe atë që do të ndodhë. Do të ndodhë me anë të proceseve të integrimit në BE. Nuk do të mundet as Serbia as ndonjë vend tjetër me konflikte të ngrira të vazhdojnë. Ju e dini se kriteret për anëtarësim në BE vetëm sa po ashpërsohen dhe kuptohet që BE nuk i lejon më vetes atë që ka ndodhur me Bullgarinë e Rumaninë që u bë tolerancë në nisje dhe pastaj me i zgjidhë ato që janë akumuluar. Me ne do të jenë shumë më striktë. Do të kërkojnë preçiz si duhet të veprojmë ne për të shkuar më tutje, pra e shoh që  do të ndodhë, por për mua janë dy tema të ndara. E para është zotërimi i asaj se kush jemi. Të jesh zot shpie. Që kushtetuta, rendi dhe ligji, juridiksioni i Kosovës të funksionojë në tërritorin e vet, tek të gjithë njerëzit e vet. Pastaj bilateral me fqinjin do të avancojmë gradualisht”.

Në lidhje me votimin e ligjit për amnistinë, Ramush Haradinaj u shpreh:

“Ne e kemi përkrahur marrëveshjen, produktet e marrëveshjes. Ky është një produkt i marrëveshjes. Ne kemi kritikuar kualitetin e ligjit. Jo idenë e ligjit ose idenë për të mbërritur deri ku kemi mbërritur. Për fat janë bërë disa ndryshime cilësore në ligj. Është hequr neni 3 që është i panevojshëm. Edhe janë bërë disa ndryshime. Kur ndodhi përmirësimi i ligjit, kuptohet mbeti vetëm neni 5. Edhe kuptohet tash që është fokusuar kritika aty por e vërteta është pak më ndryshe. Ligji ishte pak më i zgjeruar. E para e votuam sepse në vizionin tonë ishte një ligj i nevojshëm për integrim në veri, por për fatin tonë edhe kualiteti i tij u përmirësua gjatë rrugës”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se nuk i gjykon qëndrimet që mban Vetëvendosja për këtë ligj.

Pyetjes nëse do të shkruante një autobiografi të tijën, Haradinaj ju përgjigj:

“Nuk besoj. Nuk mbaj ditar, nuk shkruaj vargje, nuk shkruaj poezi. Kam një koncept tjetër. Teza të caktuara, ose qëllime ose qëndrime ose diçka që më bën përshtypje ose që më hyn në punë e mbaj shënim. Përshembull të dëgjoj diçka të ndershme nga media ose nga ju që më duket se është me kuptim atëherë atë e shënoj, por vetëm si thënie pa e ditur pse, prej kujt, nga ato mundohem ti ndaloj”, u shpreh Haradinaj.

Ramush Haradinaj ka folur gjithashtu edhe për veprimet e EULEX-it në Kosovë, rihapjen e dosjeve për disa nga ish komandatët e UÇK-s, midis tyre Fatmir Limaj, Sylejman Selimi.

“Është e vështirë të vlerësosh Euleksin, pa e vlerësuar gjyqësorin tonë ligjin tonë. Dëmi është tek ne, efekti është i gjyqësorit të Kosovës. Kosova ka dështuar për të bindur të tjerët që ka gjyqësor profesional, të paanshëm dhë që mundet të gjykojë çfarëdo lloj krimi, pa marrë parasysh se kush është ky, pavarësisht  se kush është viktima. Është dashur një herë të fitosh këtë mandate, këtë të drejtë. Gjyqësori ynë është dash me qenë I vlerësuar se mundet të gjykojë këdo qoftë, që ka bërë krime në luftë, përfshrirë një serb. Nuk do të jetë I diskriminuar se është serb, por do të gjykohet në bazë të ligjeve të Kosovës për veprat që mund të ketë bërë. Përfshirë një shqiptar apo kushdo qoftë. Mosaftësimi I Kosovës deri në këtë shkallë ka lënë hapërsira për të interpretuar në mënryra të ndryshme të atyre që kanë ndodhur në luftë dhe është e vështirë si të thuash se është e padrejtë të shqyrtosh ngjarje të cakuara ,ta zëmë, është e padrejtë që më kanë thirrur dhe më kanë… Megjithatë ligji shqyrton. Defekti është para se të mbërrijmë këtu .  Do të thotë nuk mund tash të thuash  a ka të drejtë Euleksi që shqyton një incident apo një ngjarje. Unë besoj se Gjykata do të vendosë në pafajësinë e zotërinjve të cilët janë sot të akuzuar. Dhe besoj shumë se nuk kanë ndodhur krime që ata akuzohen. Çka është më e keqja për ne, është se ne nuk kemi krijuar gjyqësor tonin. Nuk kemi arritur të themi se nuk ka lidhje kush është, është  vëllai, Axha, është komandanti është kryetari I shtetit. Ligji është ligj. Ne duhet të shkojmë nga krijimi I gjyqësorit nga krijimi I ligjit në Kosovë I cili na jep të drejtat t’I themi  tjetrit ,ne bëjmë ligjin në vendin tonë. Nuk ka nevojë të vijë dikush të na trajtojë cilëndo etapë të jetës sonë që në e bëjmë”.

Ndërsa për fushatën për zgjedhjet e 3 Nëntorit, për pushtetin lokal dhe për platformën që do të ndjeki dhe koalicionet Haradinaj tha: “Ne kemi një koalicion me Lidhjen Demokratike të Dardanisë, që udhëhiqet nga Nexhat Daçi ,kryetar i Kuvendit më përpara. Jemi në koalicion me grupe të organizuar qytetare në disa komuna që na përkrahin. Nuk kemi arritur një marrëveshje koalicioni me subjektet e mëdha me PDK ose LDK në këtë raund të parë. Në raundin e dytë do ta shqyrtojmë si të shkojmë ne bazë të specifikave. Ne shpresojmë të jemi vetëm në garë dhe ta kërkojmë ndihmën e tjerëve, por do ta shqyrtojmë edhe mundësinë ose kërkesën e dikujt për ndihmë.”

Ndërsa për sa i përket Bashkimit kombëtar me Shqipërinë, Haradinaj tha:

“Shumë interesante kjo temë. Unë mendoj se krahas asaj që ndodh në rrugëtimin tonë drejt BE-së nuk duhet  t’ia lënë krejt integrimit në BE, do të thotë ne kemi filluar të themi që do të bashkohemi BE dhe po na vjen më lehtë, por nuk është krejt ashtu. Edhe në BE ke regjione që nuk ndërlidhen më vete. Ne duhet me qënë krijues së ideve integruese ndërshqiptare. Psh ekzistojnë disa dhoma ose ta quajmë senat, parlament me krijue një dhomë shqiptare të tillë. Kur bëhen zgjedhjet për BE për parlamenti Europian të gjitha vende votojnë për vete për komunën dhe për parlamenti e BE-së. ky parlamenti I BE-së është një model I mirë. Një parlament shqiptarë që ti japi vetes disa detyra që nuk bien ndesh me kushtetutat e vendeve ku jetojnë  edhe në rast se jetojnë në Kosovë dhe në Shqipëri, por dikush mund të zgjedhë me përfaqësu në atë vend edhe nga rajonet e tjera nga shtete fqinje, nga diaspora secila dhomë mund të kishte 4-5 përgjegjësi, kryesisht simbolike si fillim që do të merrej me standaritn e gjuhës, me historinë kombëtare që do të merrej më shënimin e datave festive me dhënien e çmimeve kombëtare ose me tema të tjera. Pra një dhomë me obligime jo aq ekzekutive, një dhomë nderi ta quajmë ashtu, shqiptare. Dhe ajo do të ndikojë në një farë mënyre që njerëzit me vazhdu. Pastaj ngadalë po presion të madh pa ndikuar në temat integruese apo në raporte integrale me fqinjët të kemi dhomën tregëtare ekonomike të kemi dhomën kombëtare të sportit. BE-ja I ka në komisione . Vendet janë të pavarura, por kanë komision të përbashkët për tregëtinë . Shqiptarët nuk e kanë të ndalur për të qënë krijues për të ndërmarrë veprime të një integrimi të ndërsjelltë që nuk bie në konflikt me parimet integurese të BE-së dhe me mardhëniet bilateral. Ka hapësira pra kushtetuese ligjore që e lejojnë që shqiptarët të krijojnë një integrim të brendshëm.”

Ndërsa në fund të intervistës së tij, Ramush Haradinaj ka folur për maxhorancën e re në Shqipëri dhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin e ri, Edi Rama.

“Nuk kam ndonjë marrdhëni shumë me zotin Rama. E kam përcjellë në politikë, është një rast interesant. Nuk ju thash se përse doja të fitonte Berisha. Përse kam vepruar ashtu. Është rruga. Në fakt për ta bërë këtë rrugë që sot lidh kombin ka qënë një ngarkesë financiar për Shqipërinë. Unë e di se ndoshta kanë mbetur rrugë pa u bërë në jug të shqipërisë ose  në veri apo tjetër vend. Mirëpo ajo rrugë është tepër strategjike do të na ndihmojë në një kohë afatgjatë. Ne kemi edhe një projekt të papërmbushur ai kushton rreth 400 milion euro është hekurudha. Lidhja me hekurudhë Kosovë-Shqipëri. Berisha e kishe në plane ta bënte hekurudhën. Hekurudha do të vinte nga Lezha ne drejtim të Kosovës. Më vjen keq se ai do ta kishte bërë”, përfundoi RamushHaradinaj.(Kortezi”TV ORA NEWS)

 

Filed Under: Interviste Tagged With: “Tonight Ilva Tare”, Ilva Tare, Ramush Haradinaj

PRESIDENTJA MORI NE DOREZIM PETICIONIN E SHOQERISE CIVILE

July 19, 2013 by dgreca

Përfaqësues të shoqërisë civile i dorëzuan të premten presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, peticionin e nënshkruar nga mbi 12 mijë qytetarë, me të cilin shprehet mospajtimi i tyre me versionin e tanishëm të Ligjit për Amnistinë.
Rrjedhimisht, përfaqësues të shoqërisë civile kërkuan nga presidentja që të përdorë autoritetin dhe kompetencat ligjore dhe të mos e nënshkruajë këtë ligj, para se ai të pësojë ndryshime shtesë.
Bashkë me peticionin, përfaqësuesit e disa organizatave qeveritare i kanë dorëzuar presidentes edhe një letër ku shoqëria civile pajtohet me miratimin e një Ligji për amnistinë, por se ai duhet të vlejë për integrimin e qytetarëve serbë të veriut në institucionet e Kosovës.
Ilir Deda, drejtor ekzekutiv i Institutit KIPRED, tha para mediave se shoqëria civile nuk është kundër Ligjit për amnistinë, por kërkon që ky ligj, si një akt që derivon nga Marrëveshja me Beogradin, të vlejë vetëm për integrimin e serbëve të komunave veriore dhe të mos amnistojë edhe vepra të jashtëligjshme të kryera në pjesët tjera të vendit.

“Republika e Kroacisë ka sjell Ligj të amnistisë vetëm për serbët për integrimin e tyre, Republika e Serbisë për shqiptarët në Luginë të Preshevës, Republika e Maqedonisë ka nxjerr Ligj për amnisti për shqiptarët në Maqedoni dhe për integrim të pjesës veriore të Kosovës duhet të amnistohen ata që duan të integrohen. Nuk mund të ketë amnisti për njerëz që janë edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të cilët e kanë shkelur ligjin apo të cilët janë afër partive politike”, tha Deda.
Ndërkohë, edhe Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike tha se në emër të nënshkruesve të peticionit, i kanë kërkuar presidentes që të kthejë ligjin në Kuvend për ndryshime të mëtutjeshme.
“Ne i kërkuam presidentes që të ushtrojë kompetencat e saj kushtetuese për ta kthyer ligjin në Kuvend dhe për t’i dhënë specifikisht ato zbrazësi juridike që ne mendojmë se ky ligj i ka. Ne jemi për një ligj mbi amnistinë, i cili i arrin dhe plotëson standardet bazike të një shteti të së drejtës dhe për një ligj mbi amnistinë që nuk amniston dikë, i cili nuk është objekt i marrëveshjes Kosovë – Serbi”, u shpreh Korenica.
Më pas, përmes një komunikate me shkrim, presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se do të marrë parasysh shqetësimet e paraqitura nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, përmes peticionit të nënshkruar nga qytetarët e vendit.
Ajo është zotuar se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke shqyrtuar edhe respektimin e normave ndërkombëtare në interes të përgjithshëm të Kosovës dhe të proceseve që çojnë drejt realizimit të synimit për integrim në BE.
Po sot, Lëvizja Vetëvendosje procedoi për në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për amnisti, duke e cilësuar atë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Kërkesa Gjykatës Kushtetuese iu procedua nëpërmjet deputetes Albulena Haxhiu.
“Ne e kontestuam këtë projektligj në dy aspekte; në atë përmbajtjesor, ngase me miratimin e tij u shkelën të drejtat e njeriut, pra u shkel Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe aspekti i dytë, me miratimin e tij u shkel edhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, theksoi deputetja Haxhiu.
Dallimi ndërmjet qëndrimeve të Vetëvendosjes dhe shoqërisë civile qëndron në faktin se ky subjekt politik e ka kundërshtuar në tërësi ligjin, pasi që ai buron nga Marrëveshja për normalizimin e  marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Ky ligj ishte miratuar në Kuvend me dy të tretat e votave, Siç është prezantuar nga Qeveria, amnistia ka si qëllim integrimin e serbëve të veriut në kuadër të sistemit dhe institucioneve të Kosovës.(Kortezi Zijadin Gashi)

Filed Under: Kronike Tagged With: Jahjaga, Peticioni, Presidentja, shoqeria Civile

DEGA E VATRËS NË SOUTH FLORIDA INFORMON QENDRËN

July 19, 2013 by dgreca

Foto-arkiv- Dega e Vatrës në South Florida gjatë organizimit të veprimtarisë për Festën e Fëmijëve, qershor 2013/

Dega e Vatrës në South Florida e drejtuar nga z.Kolec Ndoja, e ka rritur aktivitetin e saj. Veprimtaria që organizoi ajo me rastin e 1 Qershorit, festës kushtuar fëmijëve, ishte një rast i mirë për të bashkuar vatranët e atjeshëm, ashtu sic edhe dega tjetër, ajo në Jacksonville, Florida, organizoi veprimtarinë kulturore kushtuar Naim Frashërit.

Këto ditë kryetari Ndoja dërgoi në qendër listën emërore të anëtarësisë, kuotat e anëtarësisë për vitin 2013 si dhe pesë anëtarësime të reja.

Në informacionin e kryetarit të degës binte në sy se ksihte të dhëna të hollësishme, adresat e plotë për secilin, numrat e telefonave, pagesat, lëvizjet e anëtarësisë etj.

Edhe dega e Michiganit shquhet për korrektesën e informacioneve dhe shlyerjen e detyrimeve të anëtarësisë. Për vitin 2013 dega i ka shlyer detyrimet dhe e ka informuar qendrën rregullisht për cdo anëtarësim të ri ose për cdo shqetësim që ka lindur për dërgimin e Gazetës Dielli tek anëtarësia.

Me këtë rast u bëjmë thirrje degëve që të përmes arkëtarëve të verifikojnë pagesat e detyrimeve të anëtarësisë dhe bëjën verifikimin e detajuar të anëtarësisë. Gjatë krijimit të degës së re të Westchestër janë krijuar disa probleme për anëtarësinë dhe pagesën e tyre. Nuk ka një pasqyrë të plotë të pagesave, ka anëtarë qv nuk kanë paguar, dhe për rrjedhojë ka vatranë të kësaj dege që nuk e marrin gazetën. Po ashtu ka anëtarë që e kanë emrin edhe në degën e re edhe në degën e krijuar një vit më parë në Hudson Valley në Nju Jork.Për degën e Hudson Valley ka ardhur koha që të shlyej detyrimet e antërësisë dhe pagesave të gazetës. Me 15 korrik ishte përvjetori i ngritjes së kësaj dege. U mbyll viti dhe tani kryesia e degës duhet të bëjë verifikimin e anëtarësisë dhe të mbledhë pagesat e t’i dërgojë ato në qendër.

Edhe për degët e tjera mbetet problem ndjekja e problemeve të tilla dhe zhvillimi i aktiviteteve për ta mbajtur degën të informuar.

Ka raste kur anëtarësia lëviz nga dega, shkon në rajon tjetër, qoftë edhe jashtë shtetit, ku e zhvillon aktivitetin dega ku është anëtarësua, por qendra nuk merr informacionin e lëvizjes së tij. Një shembull nga mund të mësohet është dega e South Florida, ku informacioni për lëvizje të anëtarësisë është përcjellë në qendër.Mirë është që cdo degë ta shohë problemin e anëtarësime të reja me përparësi.(Dielli)

Filed Under: Komente, Kronike Tagged With: Dega e Vatres, South Florida

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT