• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

Për një Parti Demokratike post tranzicion !

July 9, 2013 by dgreca

Shkruan:  Bardhyl Ukcamaj/ New York/

Tashmë kemi kandidaturat e përzgjedhura nga Kryetari i dorëhequr i PD-së dhe një datë për të votuar, 22 Korrik. Procesi nuk mbështetet mbi statutin e PD-së, as formalisht; kjo nuk përbën ndonjë risi pasi Këshilli Kombëtar i PD-së, thuhet se nuk është mbledhur prej vitesh. Thjesht e saktë, deri tani ky është një proces jashtë statuor. Është njëfarë riorganizimi i partisë nga kryetari, kur statuti u përdor vetëm si argument për të penguar disa kandidatura të garojnë. Mund të thuhet se ideja e votimit “një anëtar, një votë” është e dobishme si ide (e praktikuar më parë nga kundërshtarët politikë), por e zhvlerësuar (ndonëse jo tërësisht) nga mënyra e realizimit praktik të ketij procesi deri tani.

Sot, kemi dy figura serioze, të përzgjedhura nga kryetari, që mund të diskutohen, por një proces jotransparent. Kryetari i tërhequr i PD-së, drejton fushatën e zgjedhjes së kryetarit te ri. Është ndaluar perkrahja publike e çdo kandidati nga drejtuestë PD-së, para dhe gjatë votimit. Ky udhëzim e bën fushatën unike jo vetëm ne historinë e politikës shqiptare por edhe ndërkombëtare. Fushate në heshtje! Me këtë kryetari synon të shmangë debatin i frikësuar nga përçarja brenda partisë. Mendoj se nuk do të funksionojë pozitivisht! Në heshtje dhe pazar në seli pas dyerve të mbyllura mund të zgjidhen drejtuesit e një fraksioni por jo udhëheqja e një partie politike. Zakonisht punët e kryera pa transparencë e rregulla të pranuera nga antarësia (stauti i miratuar) hapin telashe edhe më të medha. Arroganca ndaj bazës idealiste (jo asaj “pragmatiste” ish pjesë e administratës) të PD-së, është prezente edhe në këtë proces. Në garë kemi dy drejtues të lartë të PD-së, dy anëtarë të kryesisë, që kanë humbur shumë në zonat e tyre, pavarësisht se me një përgjegjësi relative në këtë rast. Megjithëse besoj se nuk ishte arroganca në vetvete shkak i braktisjes elektorale, por mungesa e një morali politik, korrupsioni, mungesa e demokracisë në funksionimin e partisë, shkëputja e lidhjeve të qeveritarëve me bazën, mosorientimi pro apo kundër LSI-se, konsumimi i lidershipit në dy mandate, statura mjerane intelektuale e disa ministrave apo administratoreve partizane, etj,etj.

Së paku, gjatë këtij procesi pritej dhe pritet, që këto gabime të korrigjohen dhe demokracia e brendshme në PD të funksionojë ne limitet e së mundshmes. PD-ja, parti e dytë ne vend, mund të rritet por mund të rrezikojë edhe këtë renditje pas jo më larg se dy vjetësh, nese nuk reagon si duhet, sot. Me fort se histori, ajo duhet të reflektojë vizionin e ri të së ardhmes, më shumë se kurdoherë tjetër. Dhe pikërisht në këto kushte është koha të reagohet.

Tani është koha për një angazhim historik të aktivistëve jashtë kryesisë së PD-së, për të parqitur kandidatura ose një kandidaturë dhe për t’i kërkuar antarësisë (jo kryesisë) t’i votojë duke i shtuar në fletën e votimit. Aktivistët e njohur dhe antarësia e PD-së, nëse dëshirojnë mund t’i imponohen kryesisë qendrore përmes këtij aksioni politik. Thjesht , shkohet ne votim, merret fleta dhe shënohet emri i një personaliteti edhe pse nuk është në listë. Nëse ky emër merr një numër të konsiderueshëm votash atëhere zyrtarët e tashëm të PD-së detyrohen të reflektojnë. Në këtë mënyrë i hapet rrugë për t’u rritur një formacioni politik, që para 21 vitesh fitoi dy te tretat e elektoratit, e sot është tkurrur në 1/3, për shkaqe krejt të tjera, e jo se populli nuk arriti të kuptojë gjenialitetin e udhëheqjes dhe reformat.

Para disa ditësh publikova një shënim në faqen time në Facebook, që u bë shkas i reagimeve pozitive: “Unë mendoj se në krye të PD-së duhet të vijë një personalitet politik, që përfaqëson në mënyrë të kthjellët vokacionin politik mbi të cilën u themelua kjo parti, vokacionin perëndimor. Duhet të zgjidhet një figurë politike i cili/ e cila nuk është përzierë në punët e pista të korrupsionit dhe abuzimit shtetëror. Duhet të zgjidhet një figurë motivuese, intelektual energjik me një personalitet jo të dyzuar, që reflekton qytetari dhe i shërben ushqimimit të dashurisë kombëtare. Një personalitet, që të reflektojë vizionin e një Shqipërie të zhvilluar, jo vetëm me kostum, por edhe brendi të modës e botës se oksidentit”.

Unë mendoj se, Partia Demokratike edhe për arsye të humbjes së madhe elektorale, por jo vetëm asaj, duhet të demokratizohet dhe modernizohet në kuptimin e plotë të fjalës. Të riorganizohet mbi bazën e një modeli të ri të një bashkësie demokratike. Anëtari të votojë për kryetarin por edhe për vendimet e rëndësishme të partisë, pa diskutim për statutin dhe programin e saj. Rregulloret të zbatohene korrigjohen sipas rendit e nevojës. Në këto kushte duhet të realizohet mundësia për një votim partiak më të shpeshtë, elektronik dhe të pamanipuluar (teknikisht i realizueshëm). Partia Demokrtaike duhet te bëhet transparente për anëtarësinë dhe publikun. Kryetari i ri te vendosë një mënyrë të re komunikimi me forumet e bazës së Partisë. Kryetari i ri duhet të komunikojë rregullisht me strukturat lokale. Psh. të ketë konferenca të rregullta javore (conference call) me kryesitë e vogla te rretheve njëherësh. Por edhe disa mbledhjet (psh. dy herë në vit) te kryesisë të jenë të hapura për antarësinë. Antarësia duhet të kuptojë pozicionet politike të antarëve të kryesisë për çështje të rëndësishme.

Në parti duhet të funksionojnë në mënyrë të rregullt sondazhet për të gjitha çështjet e rëndësishme, sociale dhe politike të vendit, që prekin në mënyrë të drejtperdrejtë votuesin. Pra të ketë një analizë shkencore të aksionit politik. Para së gjithash në parti duhet rivendosur jo vetëm besimi, por respekti dhe dashuria per njëri-tjetrin. Anëtarët e një force politike nuk i mban së bashku vetëm programi, statuti dhe shpresa e një fitoreje të nesërme, por edhe respekti, mirënjohja.

Duhet një kod etike i shkruar dhe i miratuar nga forumet e partisë, që të rregullojë komunikimin publik brenda partisë. Psh. nuk la shije të mirë shprehja e Patozit (kryeartikull i RD-së)” Sharlatanë larg duart nga PD-ja”. Për kë e kishte fjalën kryetari i grupit palamentar të PD-së? Për Aleksandër Biberajn?! Z. Biberaj është ish anëtar kryesie i PD-së, deputet, etj, etj. Unë nuk do të kisha votuar pro kësaj kandidature, mund edhe të mos e pranoja si kandidaturë pa rimarrë teserën e partisë, por do ta falenderoja publikisht atë dhe gjithë të tjerët, që në kushtet e kalimit në opozitë janë të gatshëm t’i rikthehen PD-së. Sulmi ndaj Biberajt nuk ishte vetëm kundër Biberajt por sidomos paralajmërim për të tjerë më të “rrezikshëm” që mund të futeshin në garë.

Partia Demokratike në mënyrë të qartë duhet të ndahet nga trashëgimia komuniste në përfaqesim, jo duke bërë diferencim për ish anëtarët e thjeshtë të PPSH-së, porduke u ndarë nga ish drejtuesit e lartë të PPSH-së. Në mënyrë të thjeshtë kryetari i ri i PD-së, duhet t’i kërkojë ish ministrit të Ramiz Alisë, z. Kastriot Islami (jo një të majti që erdhi në PD) të lërë mandatin e PD-së, në PD. Nëse Islami nuk e bën këtë (sigurisht që nuk do ta bëjë), atëhere duhet lënë jashtë grupit parlamentar. Edhe në mënyrë pragmatiste, pazari midis Kryetarit të PD-së dhe Islamit rezultoi se u refuzua nga elektorati. Kur unë e disa të tjerë e kundërshtuam kete pazar dhe media botoi edhe një shënim timin në rrjetet sociale, Genc Pollo u shpreh se bashkëpunimi midis ish kundërshtarëve do të kishte rezultat elektoral (megjithëse marrëveshje makiaveliste). Po, pati rezultat elektoral, por kundër interesave të PD-së! Me këtë nuk dua t’i ngjis përgjëgjësi që nuk i ka Pollos, se nuk e ka pyetur kush, por ai dhe gjithë kryesia e PD-së mban përgjegjësi për heshtjen. PD-ja nuk mund të kishte kandidat te saj Kaç Islamin e të linte jashtë Fatos Bejën, Mark Markun, Visar Zhitin, Selami Xhepën, Ilir Rusmajlin, e shumë intelektuale të njohur e të pakorruptuar! Partia Demokratike duhet të lirohet nga barra e rëndë e kompromiseve të pamoralshme politike. Morali politik mbetet i rëndësishëm. Ky është një nga leksionet e këtyre zgjedhjeve, që duhet lexuar me kujdes. Në këtë pikë teorikisht jam dakort me Olldashin.

Partia Demokratike duhet t’i afrohet një zgjerimi te ri dhe duhet të ketë kujdes me ish burokratët e korruptuar (qe i emërtuan arrogantë). Të gjithë ish aktivistët e shquar të levizjes demokratike të përfshirë apo të papërfshirë në vite në strukturat dhe forumet e partise duhet të ftohen për të kontribuar dhe të kenë hapësirë përfaqesimi. Madje edhe ata të angazhuar në parti të tjera për njëmijë e një arsye. Ndryshe do të shkojnë tek Bamir Topi, pragmatistët (emërtim i përdorur nga analistët pranë PD-së) tek Ilir Meta e formacione të tjera politike, madje edhe më shumë se në këto zgjedhje. Po ju kujtoj sot, se rreziku i rritjes së Ilir Metës duhet ta shqetësojë më shumë lidershpin e së djathtës. LSI do t’i marrë edhe më shumë elektorat PD-së, e pse jo edhe të pozicionohet pas zgjedhjeve të tjera parlamentare si një parti e qendrës e sigurisht të bashkëqeverisë me PS-në.

Partia Demokratike mund e duhet të përfshijë kontributin e mijëra aktivistëve të saj jashtë vendit, duke i përfshirë në vendim marrjen politike, sidomos të shkolluarit në perëndim. Keshtu PD-ja mund të rimarrë jo vetëm energji të re por edhe një forcë të konsiderueshme elektorale. PD-ja duhet të kthehet në një shtëpi derëhapur për inteligjencën shqiptare, pa paragjykime. Partia Demokratike duhet të kthehet në një forcë atraktive për intelektualet, te rinjtë, politikanët dhe të gjitha shtresat e shoqërisë përmes organizimit të klubeve të ndryshme, jo vetëm politike. Të organizojë aktivitete të shumta të të gjitha natyrave. Pjesëmarrja në një forum partiak duhet të të krijojë kënaqesi. Partia nuk ka pse konceptohet vetëm si një formacion luftarak elektoral.

Partia Demokratike duhet ta konsolidojë plotësisht dhe ta ketë parim numer një aleancën e saj perëndimore. Bashkëpunimi me partitë e qendrës dhe të së djathtës europiane duhet të rritet. Praktikat më të mira të organizimit dhe funksionimit të këtyre partive duhet të implementohen edhe tek ne. Duhet të krijohen mundësi për bashkëpunim të drejtueseve të të gjitha niveleve të PD-së, pranë këtyre partive simotra.

Partia Demokratike është krijuar si parti e unitetit dhe jo e ndasisë kombëtare. Lulzim Basha (i shkolluar në Perëndim) e kushdo tjetër duhet të jenë të kujdeshëm në përdorimin e retorikes dhe elementeve ndarjes fetare e krahinore. Ed Ramës ia kujtuan e stërkujtuan në mënyrë të ligë, emrin e babait Kristaq e prejardhjen ortodokse të familjes si të ishte një faj, po ashtu Pandeli Majkos. Nuk patën asnjë efekt, perkundrazi! Ky është një leksion tjetër shumë i rëndësishëm dhe pozitiv i shoqërisë shqiptare. Ibrahim Rugova thuhet se u pagëzua katolik dhe mbante në krye të zyrës e shtëpisë fotografine me Papën, e megjithëse në një elektorat musliman, ai mbeti jo vetëm politikani më vizionar por edhe më i votuar i Kosovës në të gjitha kohërat. Fan Noli ishte prift ortodoks nga Jugu kur u be Kryeministër e miku i tij Hasan Prishtina ishte nga Kosova kur u zgjodh deputët e madje për disa ditë edhe kryeministër i Shqipërisë.

PD-ja duhet të votojë një nen statuor, që e pamundëson secilin kryetar partie të zgjidhet më shumë se dy mandate dhe sigurisht të japë dorëheqje që në mandatin e parë nëse humb zgjedhjet. Konventa Kombëtare e partisë duhet të miratojë kandidaturat për deputetë dhe sistemi elektoral duhet të ndryshohet për t’i rikthyer komunitetit të drejtën për të zgjedhur.

Së fundi, PD-ja duhet të jetë krenare për historinë e saj te viteve 90 dhe rrëzimit të diktaturës komuniste, hapjen e vendit ndaj organizatave politike perëndimore, antarësimin e vendit në NATO, orientimin e zhvillimit ekonomik ne drejtim të përmirësimit infrastrukturor etj, etj, por edhe shumë e vëmendshme ndaj gabimeve e fajeve historike gjithashtu. Pra te ndërtohet e nesërmja mbi një trashëgimi selektive, pozitivetë PD-së, me vizionin e një Shqipërië të shekullit XXI, anëtare e familjes europiane.

Kryetari i tanishëm i PD-së, ka merita e dështime historike me të cilat do të merren studiuesit. Ai e ka bërë vetë historinë e Tij. Ai mund të shërbejë si frymëzim për një pjesë të shoqërisë shqiptare por nuk do të jetë i dobishëm si tutor i kryetarit të ri të Partisë Demokratike.

PD-ja mund të ketë një të ardhme të mirë politike nëse lexon si duhet humbjen dhe nis një epokë të re duke e kuptuar se ka përfunduar tranzicioni, përndryshe do të kthehet në një formacion politik edhe më periferik në zgjedhjet lokale pas dy vitesh.

New York, Korrik 2013

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Ukcamaj, nje PD post tranzicion

Boston Post: “Anthony’s Pier 4” drejt mbylljes

July 9, 2013 by dgreca

Restoranti i njohur në të gjithë Amerikën u themelua nga Antoni Athanas dhe shërbeu si pikë e rëndësishme referimi për komunitetin shqiptar/ Gazeta The Boston Globe njofton se restoranti i famshëm i Bostonit Anthony’s Pier Four, do të mbyllet përgjithmonë në muajin gusht. Restoranti i njohur, pronë e familjes Athanas, u hap në vitet 60 nga shqiptari i mirënjohur Antoni Athanas, i cili vdiq në vitin 2005 në moshën 93 vjeçare.
Zoti Athanas erdhi nga Shqipëria në Amerikë në moshë fare të vogël dhe pasi hapi disa restorante në periferitë e Bostonit, bleu një truall buzë detit të cilin më vonë do ta shndërronte në atë që ai e quajti Anthony’s Pier Four.
Restoranti u bë mjaft i njohur për menunë e pasur dhe verërat e zgjedhura dhe në vitin 1981, ai ishte njëri ndër 5 më të suksesshmit e Amerikës.
Xha Antoni, siç u bë më vonë i njohur pronari i tij, krijoi miqësi me disa ndër njerëzit më të shquar të Amerikës, të cilët vinin shpesh këtu për mjedisin që zoti Athanas u krijonte dhe natyrisht për ushqimin e mirë. Mes tyre kishte presidentë, aktorë dhe artistë me emër.
Komuniteti shqiptar do ta mbajë mend restorantin për takimet e rëndësishme që ka mbajtur këtu ndër vite, në sajë të bujarisë së pronarit Antoni Athanas.
Djemtë e zotit Athanas, që janë pronarët e tanishëm të restorantit, i thanë gazetës The Boston Globe se ata mund të hapin një restorant tjetër, një variant më të vogël të Pier Four-it, në njërën prej ndërtesave të reja që do të ngrihen këtu.

Filed Under: Kronike Tagged With: "Anthony's Pier 4", do mbyllet

Rama takon Fullanin: Qeveria po thellon deficitin

July 9, 2013 by dgreca

Qeveria e Berishes i ka konsideruar pretendimet e së majtës si sulme antikushtetese duke deklaruar se do vazhdojë normalisht përmbushjen e detyrimeve të saj dhe se Kushtetuta dhe institucionet  e vendit nuk do mund të pengohen, as edhe të ndikohen, sipas saj, nga revanshi i socialistëve./

Rreth takimit, i cili zgjati mbi një orë nuk pati asnjë njoftim, por ai zhvillohet në një kohë kur të majtët kanë shprehur shqetësim mbi gjendjen ekonomike dhe financiare të vendit.

Në Shqipëri kryetari socialist Edi Rama i cili do të marrë drejtimin e qeverisë së ardhshme në muajin  shtator zhvilloi një takim me guvernatorin e Bankës qendrore Ardian Fullani.
Rreth takimit i cili zgjati mbi një orë nuk pati asnjë njoftim, por ai zhvillohet në një kohë kur të majtët që pritet të marrin pushtetin kanë shprehur shqetësim mbi gjendjen ekonomike dhe financiare të vendit. Pak ditë më parë, Banka deklaroi se në gjysmën e parë të vitit deficiti buxhetor është rritur me 1.1 herë ndërsa borxhi publik ka arritur në 62.4 përqind.
Socialistët kanë parlajmëruar realizimin e një auditimi ndërkombëtar të të gjithë shtetit dhe vecanërisht të sistemit financiar. Ata kanë kritikuar qeverinë e kryeministrit në largim Sali Berisha për disa vendime me efekte financiare duke deklaruar se nuk duhet të rëndohet më tej sipas tyre, situata problematike e ekonomisë së vendit.
Por qeveria i ka konsideruar pretendimet e së majtës si sulme antikushtetese duke deklaruar se do vazhdojë normalisht përmbushjen e detyrimeve të saj dhe se Kushtetuta dhe institucionet  e vendit nuk do mund të pengohen, as edhe të ndikohen, sipas saj, nga revanshi i socialistëve.(Kortezi:Voa)

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Rama takon Fullanin

JU RREFEJ GREKET…

July 9, 2013 by dgreca

Çeshtja eshte a qe nje here dhe a ka qene gjithmone pjese perberese e Shqiperise ish-krahina turke e Janines? Ne qofte se kjo eshte e vertete, a mund te bjere poshte automatikisht kjo e vertete vetem e vetem sepse e thone edhe italianet? Fakti eshte i qarte, se Italia ka ketu nje perligje te mire e te forte, sepse rastis qe kerkesat e saj perputhen me nje akt te vonuar drejtesie kunder Shqiperise. Po ndodh qe nje here perendite hakmarrese jane ne anen e legjioneve te Çezarit. /
Shkroi: Faik Konica/New York Times, Gusht 1940/

Prej disa kohesh ndermjet Italise e Greqise po zhvillohet per Shqiperine nje perleshje paraprake me fjale, qe mund te jete pragu i nje konflikti te armatosur. Italia ngre çeshtjen se Greqia mbante nje pjese te madhe territori qe i perket Shqiperise, ndersa Greqia e mohon me ze te larte kete pretendim. Shume amerikaneve u eshte dukur e çuditeshme qe, ndersa zeri i italianeve dhe grekërve degjohej, nuk ndihej zeri i pavarur i Shqiperise. Porse a nuk ka thene njehere nje autor anglez se nje nga karakteristikate shqiptareve eshte se ata jane te “paartikuluar”?
Kerkesave te perseritura une iu jam pergjigjur se nuk kisha gje per te thene, ndersa atyre miqve amerikane, te cileve ndjenjat e tyre dashamirese u japin te drejten te me pyesin perse ashtu, u jam pergjigjur se me kishte ardhur gjithçka ne maje te hundes dhe se kisha vendosur qe ketej e tutje te mbetesha nje spektator i thjeshte i tragjedive dhe i farsave te botes. Por tani eshte nje grup atdhetaresh shqiptare qe me kerkon te bej nje deklarate. Keta miq shqiptare dine per mua disa gjera qe miqte e mi amerikane nuk i dine. Ata e dine se une kam lindur ne zonen kufitare shqiptaro-greke qe ben pjese ne krahinen e vene ne diskutim, keshtu qe trojet ku une kam luajtur si femije jane fushat e betejave te ardhshme; ata mendojne se askush tjeter me mire se une nuk e njeh historine e kesaj krahine dhe ata me permendin vazhdimisht se si drejtues i rinise, une njehere e nj’e kohe kam qene mbrojtes i palodhur i teresise tokesore te Shqiperise. Prandaj ndonese me lekundje, vendosa te thyej heshtjen dhe t’i paraqes popullit amerikan disa fakte te kontrollueshme rreth sfondit historik te konfliktit qe po vjen rrotull.
Siç dihet nga te gjithe, ne periudhen e lashte shqiptaret quheshin ilire. Rajoni i diskutueshem ne lashtesi njihej si Iliria e jugut dhe me vone eshte quajtur Shqiperia e Jugut, ndersa grekërit kane vendosur ta quajne Epir, nje emer qe do te thote “kontinent” dhe ne zanafille perdorej per kete rajon nga banoret e ishujve te vegjel pertej bregut te Shqiperise, po ashtu si peshkataret e ishujve Bahamas do ta quanin Floriden “kontinenti”, me nje emer qe nuk ka asnje lidhje me kombesine e popujve qe banojne ne kontinentin ne fjale. Ky rajon gjate afer pese shekujve te sundimit turk perbente vilajetin ose provincen e Janines, me qytetin e Janines si kryeqender.
Jo vetem qe ky rajon ka qene gjithmone shqiptar nga gjuha edhe kombesia, por kufinjte e fiseve ilire shkonin shume larg pertej. Madje, edhe ishujt Joniane kane qene kryesisht ilire. Ne nje liber te famshem qe e njohin mire studiuesit, “Fjalor i antikiteteve klasike” te Lybkerit, tek artikulli per Kerkyren (Korfuzin) vihet ne dukje se ai ishull “ne zanafille banohej nga iliret”. Kurse ata qe do te marrin mundimin te lexojne vepren e studiuesit te njohur suedez, Martin P. Nilson, botuar ne Lund me 1909 me titullin “Studime mbi historine e Epirit te Lashte”, do te sherohen nga prirje per te menduar se Epiri ka qene ndonjehere grek. Ky rajon e ka ruajtur natyren e vet ilire te pandryshuar. Deri dhe kaq vone sa i bie ne shekullin e dhjete te eres sone, perandori i Bizantit Leoni i Mençuri, ne nje nga librat e tij permend faktin qe “banoret e Epirit jane shqiptare”. Pak nga pak depertimet greke nisen te ndiheshin ne disa pjese te ketij rajoni. Se si u bene te mundshme keto depertime, ne e dime nga disa autoritete te dores se pare.
***
Ne gjysmen e dyte te shekullit te katermbedhjete, Janinen e qeveriste nje princ bizantin (ose nje despot, siç e kishte titullin zyrtar) i quajtur Thanas. Ketij Thanasi i hipi ne koke ideja e bukur per te vrare gjithe shqiptaret. Ju mund te dyshoni se mos keto ngjarje jane nxjerre nga ndonje legjende shqiptare e shtemberuar ose nga ndonje fletushke propagandistike italiane. Aspak. Autoriteti qe na e njofton kete mizori eshte nje grek besimtar dhe i ndershem, Mihail Dukas, pjesetar i Shtepise perandorake bizantine me po ate emer, kronika e te cilit perfshihet ne koleksionin e madh te historianeve bizantine, qe ndodhet ne Bon dhe mund ta studioje çdo studiues. Me neveri dhe mosmiratim Dukasi njofton te gjitha egersite dhe vrasjet qe ka bere Thanasi kunder popullsise shqiptare te Janines. Siç thote Dukasi, nje nga lojrat e tyre te parapelqyera ishte t’u priste hundet ose pjese te tjera shqiptareve dhe t’i linte te vdisnin ne agoni. Disa krere feudale shqiptare e kercenuan Thanasin me nje ekspedite ndeshkimore, nese ai nuk do t’i nderpriste krimet kunder shqiptareve. Thanasi u permbajt nje fare kohe dhe martoi vajzen e vet me princin me te fuqishem te asaj kohe, me Gjin Shpaten. Pas njefare periudhe, Thanasi i nisi perseri perndjekjet, madje edhe me te egra se me pare. Siç shkruan Mihail Dukasi, ndersa Gjin Shpata mblodhi nje ushtri dhe e rrethoi Janinen, kryeqytetin e vjehrrit te vet, Thanasi çdo dite nen flamurin e armepushimit i dergonte Shpates nje shporte me sy te nxjerre nga kokat e shqiptareve fatkeqe dhe kjo dhurate e kobshme vazhdoi derisa u hoq rrethimi.
Siç e thote historiani, ambicja e Thanasit ishte te fitonte nofken e Albanoktonos qe do te thote Shqiptarovrases. Dukasi shton se despotit i pelqenin shume te huajt dhe te jashtmit, prandaj pati sjelle shume prej tyre ne qytet. Se fundi thuhet me marifet se Thanasi ia doli mbane “te zbrazte” Janinen nga banoret e rrenjes. Natyrisht zor se mund te shpikte nje metode me te efektshme per te ndryshuar perberjen etnike te nje vendi, porse “te drejta” te krijuara ne kete menyre, ta themi ne folmen me te bute, jane te nje cilesie te dyshimte. Krimet e pershkruara nga Mihail Dukasi kane ndodhur me 1380 dhe ne pak vite me pare.
Pas pesedhjete vjetesh, me sakte me 1431, nje ushtri e forte osmane erdhi me gjemime te portat e Janines, e cila nderkaq ishte ripopulluar me te ardhur, dhe me nje sulm qyteti u pushtua. Eshte per t’u shenuar fakti se, pasi i bene nje mbikqyrje krahines, turqit e klasifikuan ate si pjese te Shqiperise. Por ka edhe diçka me domethenese dhe krejt te pakundershtueshme. Turqit bene nje regjistrim te kujdesshem te qyteteve e te fshatrave dhe emrat e ketyre vendeve kane dale me pas ne botimet zyrtare ne trajtat e tyre shqip e jo greke. Per shembull, le te marrim rastesisht dy emra, dy qendrat e quajtura shqip Delvina dhe Grevena. Ato jane regjistruar perkatesisht Dhelvinon dhe Grebene. Turqit e hershem kane qene te perpikte me hollesi te madhe per shenimin e emrane te vendeve, duke parapelqyer gjithmone trajtat e mirefillta popullore. Per shembull, pas rrethimit te pare te Vjenes, turqit nisen ta shkruanin Wian me nje A te gjate, qe eshte trajta e vertete popullore dhe sa kohe zgjati Perandoria Osmane, ata iu permbajten kesaj trajte, duke flakur trajten artificiale Wien. Ne traktatin e Ajzenburgut te nenshkruar me 1664 ndermjet Turqise dhe Perandorise Romake te Shenjte e te hartuar turqisht e latinisht, kur numerohen titujt e perandorit Habsburg, teksti latin e quan ate mbret te Bohemise, porse ne tekstin turqisht turqit kane ngulur kembe per ta thene mbreti i çekëve.

****
Pushtimi turk solli nje ndryshim te rendesishem ne jeten e Shqiperise. Per arsye qe jane teper te gjata per t’i shtjelluar ketu, shume shqiptare e lane krishterimin dhe u bene moslemane, e kjo levizje vijoi per dy shekuj, derisa rreth 65 % e popullsise u be moslemane, pjesa tjeter mbeti e krishtere, ne veri si besimtare te kishes Perendimore e ne Jug te asaj Lindore, qe shpesh quhet gabimisht kisha greke. Meqe ne kishen e dyte sherbesat behen greqisht dhe kleri eshte ne pjesen me te madhe grek, u krijua mundesia per grekërit qe te shkombetarizonin shqiptaret duke e persosur kishen si mjet te propagandes.
Nje faktor tjeter ka qene ardhja tinzare e banoreve qe flisnin greqisht, shpesh te favorizuar me budallallëk nga pronaret shqiptare, te cilet kishin nevoje per bujq per te zevendesuar shqiptaret qe iknin ne lufterat e pafund te Perandorise Osmane. Ngritja e Greqise si shtet i pavarur i dha nje shtyse te fuqishme propagandas greke. Tashme grekërit nisen haptas te shpallnin se çdo besimtar i kishes Lindore, pavaresisht nga gjuha dhe kombesia, ishte grek.
Nje nga marifetet me te padegjuara te grekërve ka qene dhenia e ryshfeteve zyrtareve te larte ne Stamboll per te nxjerre nje ferman qe te ndalonte qarkullimin apo mbajtjen e librave shqip. U quajt nje veprim i denueshem, madje edhe po te mbaje libra kaq te pademshem si gramatika ose aritmetika, po te ishin shkruar shqip. Grekërit rane madje edhe me poshte, nuk e kishin per gje te kallzonin atdhetaret shqiptare te ndershem si rebele dhe benin qe ata t’i degdisnin ne burgje te largeta.

****
Pas lufterave ballkanike Turqia Evropjane u copetua dhe Fuqite e Medha nuk mund ta injoronin ekzistencen e kombesise me te lashte te gadishullit. Shqiperia u be shtet, por u rrëgjua ne nje te katerten e madhesise se vet natyrore. Dikush mund ta mendonte se pas kesaj do te ishin te kenaqur dhe do te rrinin urte, se do te perpiqeshin po te ishte e mundur te zhvillonin marredhenie te fqinjesise se mire me pjesen qe mbetej te Shqiperise. Mirepo ndodhi e kunderta. Duke perfituar nga fakti qe Turqia nje vit me pare i kishte çarmatosur plotesisht shqiptaret, nje ushtri me grekër e organizuar e maskuar si njerez civile, vershoi mbi gjithe Shqiperine dhe nisi te djege e te vrase gjithcka i dilte perpara. Ne Shqiperi ne ate kohe kane qene ne qender te ketyre krimeve te organizuara dy deshmitare te huaj: autorja e njohur angleze Meri Edit Durham dhe nje korrespondent gjerman. Te dy ata u tmerruan dhe u moren vesh qe t’ia benin te njohur te gjithe botes çdo gje qe ta e quanin si nje nga krimet me te medha te organizuara te te gjithe koherave. Per fat te keq, plasi Lufta Boterore dhe e terhoqi vemendjen e te gjitheve. Por me 1920, me titullin “Njezet vjet ngaterresa ballkanike” Mis Durham botoi nje liber, ku nje kapitull i plote u kushtohet njoftimeve per keto masakra. Kushdo qe deshiron ta kuptoje konfliktin e sotem nuk mund te beje pa e pare kete liber.
Pas Luftes Boterore, Greqia ua ndaloi shqiptareve te kishin shkollat e tyre ne Greqi dhe vijoi punen e saj per te eleminuar elementin shqiptar me çfaredo mjeti. Nje rast i rralle iu paraqit grekërve nga Traktati i Lozanes, i cili nxiti shkembimin e familjeve turke me ato greke. Siç e kam thene me siper, nje shumice shqiptaresh disa shekuj me pare e lane krishterimin dhe u bene moslemane, por ata i ruajten gjuhen dhe traditat kombetare dhe kurre nuk kane mesuar turqishten. Mashtrimi i grekërve kishte per qellim qe t’i paraqiste si turq shume moslemane shqiptare dhe t’i dergonte me anije ne thellesine e Azise se Vogel, duke i bere objekt shkembimi. Kjo eshte njesoj sikur te syrgjynosesh, irlandezet ne Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezet edhe polaket jane katolike edhe prandaj qenkan te nje kombesie. Komisioni Nderkombetar per shkembimin e popullsise e zbuloi mashtrimin ne pak raste dhe e ndaloi, por shume here te tjera atij ia hodhen me mjeshteri.
Po te shqyrtohen deshmite e vjetra per gjendjen e kombesise ne viset e ndryshme te rajonit te diskutuar, habitesh me ndryshimet qe jane bere nepermjet dredhive dhe mashtrimeve te organizura. Ne fillim te shekullit te nentembedhjete nje anetar i kishes se Anglise me emrin Stjuart Hjuz, ka bere nje udhetim neper Shqiperi dhe ka lene shenime per vezhgimet e veta, ka vizituar dhe qytetin tim te lindjes Konicen, nje vend i lashte i cili mendohet nga disa studjues si Pukevili se ka qene ne mesjeten e hershme kryeqyteti i Ilirise Jugore. (Emri i vendit tingellon ne menyre te çuditshme si prusjan, por kjo vjen ngaqe po ai ndikim sllav mbi toponimine ka vepruar ne Prusi, ashtu edhe ne Shqiperi). Hjuzi ka shenuar se Konica kishte 800 shtepi, nga te cilat 600 ishin shqiptare dhe 200 greke. Ku jane keta 75 % shqiptare sot?
Megjithate, ne rajonin e diskutuar ka nje krahine te gjere, qendresa e pa trembur e se ciles i ka kapercyer te gjitha format e organizuara te vrasjeve, mashtrimeve dhe grabitjeve. Kjo eshte Çameria, te cilen grekërit e shtremberojne ne Camuria. (Nuk u ve faj grekërve per kete shtremberim qe vjen nga paaftesia e alfabetit grek per te riprodhuar gjithe tingujt e gjuhes shqipe dhe te shume gjuheve te tjera per kete çeshtje). I ndjeri senator Kabot Loxh (Cabot Lodge) ne shtypin grek dilte gjithmone me emrin Kampot Lone. Popullsia e Çamerise tani vone ne 1913 ka qene 96 % shqiptare. Ky perpjestim tani eshte ulur me akte dhune dhe une mund te sjell si shembull shume punetore, qe derdhin djersen ne fabrikat e Amerikes, te cilet i kane pasur prinderit pronare te lulezuar ne Çamëri me pak se nje vit me pare. E megjithate, ne kundershtim me gjithe kete pemdjekje ende shqiptaret perbejne 80 % te popullsise se Çamërisë.
***
Ndersa tani Italia eshte gati te nderhyje duke na shpallur si qellim se kerkon te vere ne vend dëmet qe I jane shkaktuar kombit shqiptare dhe te rivendose kufinjte natyrore e historike te Shqiperise. Eshte e arsyeshme qe te presesh nga çdo shqiptar i vertete se do te jete i pakenaqur nga ky veprim. Por ndonje mund te kundershtoje se megjithe metodat e denueshme te perdorura nga grekërit ata kane arritur qe ta permbysin gjendjen e kombesive ne shume vise te rajonit te diskutuar, keshtu qe te ndreqet nje padrejtesi e vjeter me nje padrejtesi te re nuk tingellon aq mire. Per kete une do te pergjigjesha se nuk mund te kete nje akt ligjor qe te perligje krimet e organizuara e te vazhdueshme.
Por, ka dhe me. Shume larg nga Shqiperia historike, ne Greqine e brendshme ka pothuaj nje milion shqiptare, gati gjysma e te cileve ende e flet gjuhen e vet te lashte. Keta njerez kane nje mall ideal per Shqiperine dhe ne te kaluaren kane nxjerre deshmore te çeshtjes shqiptare. Ata mund te shkembeheshin me grekërit e rajonit te diskutuar dhe me se fundi te gjithe do te ishin te kenaqur. Porse siç pohojne grekërit, Italia kerkon te arrije qellimet e veta duke zgjeruar kufijte e Shqiperise. Une pajtohem me kete plotesisht, por me duhet te shtoj se ky pohim nuk ka peshe dhe eshte thjesht nje perpjekje per t’i bere bisht çeshtjes. Çeshtja eshte a qe nje here dhe a ka qene gjithmone pjese perberese e Shqiperise ish-krahina turke e Janines? Ne qofte se kjo eshte e vertete, a mund te bjere poshte automatikisht kjo e vertete vetem e vetem sepse e thone edhe italianet? Fakti eshte i qarte, se Italia ka ketu nje perligje te mire e te forte, sepse rastis qe kerkesat e saj perputhen me nje akt te vonuar drejtesie kunder Shqiperise. Po ndodh qe nje here perendite hakmarrese jane ne anen e legjioneve te Çezarit.

Faik Konica
New York Times, Gusht 1940

 

Filed Under: Histori Tagged With: Faik Konica, Ju rrefej greket, New York Times

Refat Gurrazezi dishepull i Faik Konicës

July 9, 2013 by dgreca

Ne foto : Refat Gurrazezi, lindi me 15 qershor  1894, u nda nga jeta me 14 Gusht  1979/ Kjo foto eshte fiksuar me 28 nentor 1969 ne New York, ne seminarin kushtuar 60 vjetorit te Gazetes Dielli, ku ai mbajti nje ligjerate per Gazeten qe e kishte editura per shume vite/

Nga Idriz LAMAJ/

Shumë atdhetarë të njohur të mërgatës i mbyllen sytë në varfëri të madhe, pasi i sherbyen kombit dhe kulturës kombëtare për dekada me radhë. Disa prej tyre u kujtuan me ndonjë shkrim modest, e disa të tjerë i mbuloj pluhuri i harresës dhe nuk ju dihen as varret. Një prej tyre, i cili i sherbeu me penë çështjes kombëtare për 60 vjet dhe vdiq në skamje të thellë ishte Refat Gurrazezi. Ai lindi me 15 qershor të vitit 1894 në katundin Gurrazez të Tomorricës, rrethi i Beratit. Ai erdhi në Amerikë kur ishte 22 vjeç; erdhi me ëndrën për të bërë prokopi dhe përfundoi në sherbim të atdheut, ku shpesh i mungoi edhe buka e gojës.

Vitet e para Gurrazezi punoi në Detroit në një fabrikë dhe banoi në një hyrje të vogël bashkë me tre shokë. Si tashi më kujtohen fjalët e tij: “Nga rroga e vogël që merrja pagueja pjesën e qirasë, ushqehesha, dërgoja diçka në Shqipëri dhe ndihmoja Vatrën ”.

Kohën e lirë, pas punës së rëndë, Gurrazezi e kalonte duke lexuar e studiuar çdo gjë që kishte të bënte me Shqipërinë. Për një kohë shumë të shkurtë ai e përvetësoi stilin e shkrimit të Faik Konicës në një mënyrë aq të përsosur sa pak kush mund të dallojë formën e shkrimit të tij nga shkrimi i Konicës. Ky burrë i heshtur nga natyra, me sjellje fisnike, i dashur, anëtar i palodhur i “Vatrës” dhe ndihmës i rregullt me shkrime i gazetës “Dielli”, jo vetëm tërhoqi vemendjen e Konicës, por arriti të bëhej miku i tij më i ngushtë.

Kur “Vatra” po tronditej në themel nga ndarja e pikëpmajeve politike midis kryeudhëheqësve të saj dhe Konicës po i ngushtohej rrethi i njerzëve të penës, Gurrazezi emrohet Sekretar i Federatës “Vatra” (1926), dhe dy vjet më vonë Editor i “Diellit” (1928).

Editori i ri energjik, gazetar i shkathtë e kritik i ashpër politik, me bindje të patundur monarkiste dhe përkrahje të fuqishme të Konicës, fillimisht e nxori “Diellin” dy e më vonë një herë në javë. Përmbajtjen e “Diellit” dhe aftësinë gjuhësore të Gurrazezit, Konica e vlerësoi lartë:

“Gëzohem kur marr Diellin se në çdo numër shoh që ju i mbani kurdoherë përpara syve të mendjes fjalët që i çkembyem, dhe përdorni një shqipe e cila ka ktheillsinë, ngjyrën, tingëllimin e gjuhës së gjallë të gjyshërve t’anë. Lavde më të madhe se këte s’kam”. (Dielli, 9/10/1932).

Me shkrimet polemizues kundër Nolit të përjashtuar nga “Vatra” dhe forcave liberale në mesin e vatranëve, Gurrazezi krijoi shumë armiqë e kundërshtarë. Viti 1936 për të ishte viti më i vështirë i jetës së tij. Fërkimet politike midis antarëve të “Vatrës” shkojnë aq larg sa “Vatra” ndahet dysh. Një prej kryetarëve të respektuar të “Vatrës”, mik dhe kundërshtar i Gurrazezit, dr. Andrew Elia shkruan për të:

“Në jetë të tij pati humbje si shumë të tjerë, po humbja më e madhe për të ish ftohësia që ndjeu nga Faiku kur mori inisjativën të shpjerë Shoqërinë Vatra dhe gazetën Dielli në Detroit. Konica e quajti këtë akt si një shenjë armiqësie dhe si një dëm të math për Vatrën. Po Refatit ju dha rasti (me ndihmën bujare të shokëve të Detroitit) të shikoje edhe një herë Vatrën e Bashkuar dhe të zevendësuar në Boston., në qytetin ku u fillua, pranë Kishës Autoqefale Shqiptare, e cila në atë kohë qe e vetmja fole ndihmese dhe dorë e djathtë e Rilindjes Kombëtare. Koha shëron plagët e çdo shoqërie dhe njeriu me vleftë dhe e kthen humbjen në fitim. Refati e ujdisi miqësinë me Konicën dhe arriti të vijë përsëri në Boston si editor i Diellit.” (Dielli 16/9/1979).

Megjithëse Konica ndarjen e “Vatrës” e shikoi si një gabim të madh dhe ftohi marrëdhëniet me mikun e tij më të ngushtë, Gurrazezi asnjëherë nuk ndjeu pendesë për ndarjen e saj. Ai pohoi me shkrim se “Vatra” e Detroitit me Fazlli Panaritin në krye, ishte “Vatra” legjitime dhe përfshinte në gjirin e saj shumicën e vatranëve. Gazetën “Dielli” e nxori rregullisht në Detroit. Personalisht nuk e kritikoi Konicën por ju la vënd të tjerëve ta kritikonin atë për përkrahjen që i jepte “Vatrës” së Bostonit dhe pajtimit të tij me Nolin.

Afër dyzetëvjet më vonë, Gurrazezi shkruan për marrëdhëniet e Nolit me Konicën:

“Fan Noli dhe Faik Konica u ndanë për një kohë të gjatë, njëri në Boston dhe tjatri në vende të ndryshme n’Evropë, po miqësia u shtua tepër në mes të tyre me anë të letër-kembimit. Miqësia personale dhe politike në mes të dyve vazhdoi gjer më 1925, dhe pas kryengritjes së dytë më 1924, u-ndanë politikërisht. Po miqësinë personale e vazhduan tërë jetën e tyre. Këtë gjë nuk e dinë shumica e Shqipëtarëve, po është fakt që provohet me dokumenta. Lufta e fjalëve mes tyre me anë të shtypit vazhdoj lart nga shtatë vjet, që më 1926 dhe gjer më 1933, po letër-këmbimin nuk e kishin prerë, prapë ishin miq, dhe bashkoheshin tok në Boston kur Konica vinte nga Washingtoni.” (Dielli, 28/2/1974).

Për të forcuar pohimin e tij mbi marrëdhëniet e tyre, ai botoi një letër të Nolit dërguar Konicës:

“I dashur Usta – Munt të vini dorën në zjarrë që jam hequr nga politika me një mënyrë të përfuntme, – pneumonia i vuri kapakun tërë punës sime. Jam akoma në shtrat, dhe plaga e mëlçisë është akoma e hapur… Tani e dini tërë historinë dhe munt ta merrni me mënt që s’kam më as nge as qef as takat për politikën. U zgjata mjaft në këtë pikë, se dua që t’a dini mirë punën dhe kështu të muntni t’a shiguroni qeverinë tonë që këllëçi im politik është varur në muze, dhe nuk del s’andejm kurrë më. I jap funt letrës, se u-lodha. Bile kam frikë se ju kam lodhur ca më tepër. Shtoj vetëm këto fjalë: Përpiquni të më ndihni, se jam keq nga të gjitha pikëpamjet – Me të fala. Juaji me besë, F.S. Noli.”(Dielli, 28/2/1974).

Sipas Gurrazezit: “Pak ditë më vonë, me 6 Janar 1934, Fan Noli i shkori prapë letër Konicës në Washington dhe i thosh se mori përgjegje nga Mbreti dhe i dërgoi një ndihmë prej 3000 franga ari (flori). Me atë ndihmë të Mbretit, Noli pagoi doktorin dhe vajti në spital që u shërua nga sëmundja. Po gjeti belanë nga disa njers – “shokë” dhe pasanik të tij – të cilët e kundërshtuan sepse mori ndihmë nga Mbreti, dhe i thanë: “Na tradhëtove”! Fan Noli gjysëm i sëmurë, u përgjegj: “Po të kisha marrë ndihëm nga ndonjë i huaj, fjala vjen nga Petrua i Serbisë ose Jorgua i Greqisë, kishit të drejtë të më thoshit që ‘na tradhëtove’ – po unë mora ndihmë nga Zogu i Shqipërisë, ay dhe unë të dy shqiptarë, mbase sot politikërisht nuk jemi të bashkuar në mendimet, po të dy punojmë dhe mendojmë për Shqipërinë.” Kështu u hap fjala ahere nga ata që ishin pranë tij.” (Dielli 28/2/1974).

Gurrazezi e drejtoi gazetën “Dielli” afër 12 vjet, në Boston dhe në Detroit. Ai ishte edhe një prej konferencierëve më të shquar të “Vatrës” në vitet 30-të

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe bashkimit të dy “Vatrave”, Gurrazezin e shohim përkrah Nolit e Konicës në përpjekje për formimin e një qeverie shqiptare në mërgim nën kryesin e Mbretit Zog. Vdekja e Konicës me 1942 dhe ardhja e regjimit komunist në pushtet në Shqipëri e goditën atë si rrufe. Ai nuk u largue nga “Vatra” por ndeji në heshtje dhe rrall shkroi ndonjë artikull për gazetën “Dielli”. Prishja e marrëdhënieve të “Vatrës” me regjimin e Enver Hoxhës e inkurajoi angazhimin e mërgatës së re në Federatën “Vatra”. Siç duket ky faktor ndikoi në Gurrazezin për riangazhim të plotë në Shoqatën e tij të vjetër. Në vitet 70-të, megjithëse i thyer në moshë e i ngacmuar nga sëmurjet e ndryshme të pleqërisë, emrohet përsëri Editor i “Diellit”, shkruan në secilin numër të gazetës, redakton si dikur në moshën e re, dhe herë pas here goditë pa frikë veset e dëmshme të shqiptarëve:

“Mjerimi i Shqiptarëve ka qënë, edhe është, se gjithmonë kanë qënë të përçarë, s’kanë patur bashkim! E dimë që shumë njerës nuk do t’a pëlqejnë këtë, dhe mund të na shajnë, po është fakt, dhe fakti është ky: Si pas mendimit t’onë, dhe s’jemi të lajthitur mi këtë pikë, vetëm dy gjëra janë që munt t’i bashkojnë Shqipëtarët: Interesi i metelikut, dhe frika e kamxhikut, – dhe ajo po mbretëron sot: Frika!” (Dielli/1/21/1974).

Gurrazezin e takova për herë të parë në Selinë e Tij të Shenjët, në zyrën “Vatrës”, 25 Huntington Ave. Boston, Mass; në atë zyrë të vogël, gjysëm të errtë, me një tavolinë pune e dy-tre karrige për mysafirë, me libra të shpërndara dhe gazeta e letra të pluhrosura, ku mëmzi lëvizje dhe të zihej fryma. Në një qosh të zyrës, në anën e majtë të tavolinës së punës, ai kishte edhe një lavaman të vogël. Aty herë pasë here mbushte një gotë letre me ujë për të lagur gojën. Në atë ambjent të ndotur nga pluhuri i letrave dhe tymi i duhanit, gdhihej dhe errej kalorësi veteran i Federatës “Vatra”, i cili varfërinë e thellë në pleqëri e përballoi me stoicizëm të pashoq dhe me kryelartësinë e burrave të vjetër shqiptar. Kur i shkonte ndonjë mik për ta vizituar ose për të pirë një kafe me të, ai nuk e lëshonte pa qeras. Shpenzonte edhe ata dy-tre dollarët e fundit që i kishte ruajtur në xhep vetëm për raste të tilla. Gurrazezin e njoha atëherë kur i dridheshin duarët dhe ai shkruante e redaktonte në një makinë të vjetër shkrimi të dhuruar nga Faik Konica.

Refat Gurrazezi vdiq me 14 gusht, 1979; vdiq në (Nursing home) një shtëpi kujdesjeje të qytetit pa pasur asnjë shqiptar afër kur i mbylli sytë. Përshendjetja e fundit iu dha në Boston. Sherbimet fetare i bëri Imam Vehbi Ismaili. Anthony Athanas shtroi një drekë për kujtimin e tij. Kryetari i “Vatrës”, dr. Andrew Elia mbajti një fjalim prekës dhe më vonë botoi një nekrologji të shkurtër, të cilën e mbyll me këtë paragraf:

Refati, “… Punoj pa kursyer për Vatrën, kur me rrogë e kur pa rrogë, kur me bukë e kur pa bukë. Fjeti në bodrum të shtypshkronjës, se s’kishte mjete për fole gjumi si të tjerët dhe s’ja duronte shpirti të pushohej botimi i gazetës Dielli. Deshirat e tij në kohët e fundit qenë dy: të vdiste në zyrën e Vatrës dhe të varroseshe pranë Faik Konicës. Për fat të zi asnjë nga ne kemi në dorë të zgjedhim vendin për të dhënë shpirt. Pranë Konicës nuk kishte vent. Po trupi i Refatit u mbulua fare afër deshires së tia, nëpërmes të shumë patriotëve në Forest Hills Cemetery, në Boston, Mass …”. ( Dielli, 9/16/1979 ).

Gurrazezi në kujtesën time mbetet Xha Refati. Këtë vatran të madh e njoha kur kishte nevojën e ndihmës dhe pak kush e ndihmonte. Dikur me të më lidhi një miqësi dhjetëvjeçare, sot me të më lidh admirimi për karakterin e fortë që kishte dhe shkrimet që la mbas.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dishepull i Konices, Idriz Lamaj, refat Gurrazezi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT