• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

SHQIPTAREVE UA KA FAJIN MENDESIA KOMUNISTE DHE JO SALI BERISHA

July 8, 2013 by dgreca

Shkruan: Prof. As. Dr. Thanas L. GJIKA/

 Në takimin e Maltës (1989) udhëheqësi sovjetik, Mikail Gorbçovi, i shpalli George Bushit (Plakut) se sistemi komunist, sistemi politik njëpartiak me ekonomi të centralizuar shtetërore, kapitulloi dhe se vendet e Europës Lindore do të ndërtonin sistemin pluralist me ekonomi private të tregut të lirë. Mirëpo, para se të mbyllej marrëveshja, Gorbaçovi shtoi se SHBA-të duhej t’i linin partitë komuniste të Europës Lindore që t’i kryenin vetë këto ndryshime, në mënyrë që në këto vende të mos vinin në fuqi kundërshtarët politikë të partive komuniste, sepse atëhere ish klasat e përmbysura do të kalonin në revansh dhe pas marrjes së pushtetit do të bënin gjakderdhje të ngjashme me atë që bënë dikur komunistët. George Bushi (Plaku) tha se SHBA-të ishin të interesuara që ndryshimet e reja të bëheshin pa gjakderdhje. Atëhere Gorbaçovi me stafin e tij përpunoi atë planin djallëzor që e shpalli në Katovicë të Polonisë. Sipas ketij plani udhëhejet e partive komuniste duhej të organizonin kalimin paqësor në sistemin shumëpartiak dhe në ekonominë e tregut të lirë duke krijuar parti të ndryshme politike, në krye të të cilave duhej të viheshin njerëz që të dukeshin si kundërshtarë politikë, por në fakt të ishin shërbëtorë të bindur të partive komuniste. Liria e veprimit të këtyre drejtuesve partiakë do të ishte e kufizuar, në mënyrë që ish komunistët dhe besnikët e tyre të pasuroheshin dhe të gëzonin në forma të reja pushtetin dhe pasuritë e vendit. Ish klasat e përmbysura do të nxiteshin që të largoheshin prej vendit, nuk do të lejoheshin që të merrnin pjesë të drejtpëtdrejtë në lojën politike dhe për marrjen e pronave duhej të sorollateshin me vendime të njëpasnjëshme, për të marrë një pjesë shumë të vogël të tyre…

Në një klimë të tillë tepër të minuar ka punuar Partia Demokratike e Shqipërisë, herë duke qenë në pushtet e herë jo. Gjatë këtyre 22 vjetëve të kalimit të Shqipërisë nga një vend njëpartiak me ekonomi të centralizuar në një vend pluralist me ekonomi private të tregut të lirë shohim se skemat e Katovicës në Shqipëri janë shkelur e kapërcyer me mjaft guxim. Dhe këtu nuk ka si të mos i njihen meritat z. Sali Berisha, drejtuesit të PD-së gjatë këtyre viteve. Pikërisht daljen nga kontrolli nuk ia fali ish kupola komuniste Sali Berishës, prandaj nuk la e nuk lë shpifje e sharje pa thënë kundër tij. Por drejtuesi i PD-së duhet përgëzuar se luftën për përmbysjen e komunizmit e ndërmori me shumë zell. Në këtë luftë atë e ndihmuan disa të dhëna personale si zgjuarësia, mprehtësia dhe guximi i madh. Mund të them pa frikë se ky burrë shteti luajti rolin kryesor për ta shpëtuar vendin tonë nga gjendja e komës ku e kishte katandisur diktatura komuniste dhe për ta ngritur në këmbë që të ecte normalisht. Por nuk duhet harruar se në këtë luftë titanike atë e penguan rrethanat kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe disa mendësi të ngulura në ndërgjegjen e tij, gjatë jetës nën diktaturë si komunist që kishte qenë, dhe gjatë fëmijërisë që kishte kaluar në zonat e varfra malore patriarkale. Të tilla dobësi ai shpesh herë nuk i kapërceu me sukses, sidomos në replikat e shpejtuara, kur nuk kishte mundësi reflektimi e meditimi.

Në rrugën e tij të ndryshimeve të mëdha, zotin Sali Berisha e luftuan jo vetëm ish komunistët dhe ish anëtarët fanatikë të PPSH-së, por, për turpin e tyre, dhe shumica e intelektualëve, krijuesve dhe studjuesve shqiptarë. Këta, në vend që të distancoheshin prej së kaluarës së tyre, kur kishin qenë shërbëtorë besnikë të diktaturës e diktatorit, u ngujuan në pozicionet prokomuniste dhe mbrojtën veprat e tyre të gabuara, në vend që t’i mohonin ose ripunonin ato.

Akademia e Shkencave u kthye në një bastion të mendësisë komuniste, mendësi të cilën e shpalosi hapur me hartimin dhe botimin e Fjalorit të Ri Enciklopedik dhe të Historisë së Popullit Shqiptar IV, 2008, Toena. Këtë akademi nuk e shkatërroi Sali Berisha, atë e shkatërruan akademikët e mykur me z. Luan Omari në krye, i cili e konsideronte atë si çifligun e vet.

Studjuesit e aftë, qofshin akademikë ose jo; dhe shkrimtarët e talentuar që përqafuan mendësinë demokratike, kudo ku punuan brenda ose jashtë atdheut gjatë këtyre 22 vjetëve, kanë hartuar vepra për t’u pasur zili prej kolegëve të tyre që kanë mbetur skllevër të mendësisë komuniste. Vetëm gjatë viteve 2005-2013 Shqipëria bëri ndryshime të tilla kulturore, artistike, shkencore, etj sa që Shqipërisë komuniste do t’i duheshin 100 vjet dhe ndoshta ajo nuk mund t’i realizonte me atë cilësi e vlerë.

Të shash e të hedhësh baltë mbi bëmat e z. Sali Berisha, do të thotë të hedhësh baltë dhe mbi realitetin e ri shqiptar që u krijua me aq mund e sakrifica këto 22 vjet.

Uroj që z. Edi Rama t’i mbetet besnik asaj thënies së tij të vitit 1991: Nuk po flas në këto refleksione për të hedhur baltë mbi Enver Hoxhën, por po perpiqem të heq baltën që ai ka hedhur mbi ne.

Tani, si kryeministër i Shqipërisë, z. Edi Rama ka rastin dhe mundësinë që ta shpjerë përpara punën e z. Sali Berisha për ta çliruar shoqërinë shqiptare nga mendësia komuniste, nga ajo balta që ka mbushur kokat e shumë shqiptarëve dhe na pengon të ecim përpara. Kjo luftë nuk mund të japë rezultate në rast se do të vijohet që pala tjetër të shahet e akuzohet pa fakte, në rast se do të mohohet puna e bërë prej saj në të mirë të popullit dhe atdheut. Kjo luftë nuk mund të ketë rezultate pozitive në rast se brenda PS-së nuk do të ketë liri, si kanë partitë eurosocialiste. Nuk ecet para pa kuptuar se një parti që nuk i siguron lirinë anëtarëve të vet, nuk mund t’i japë dot lirinë e nevojshme popullit.

Z. Edi Rama ka për detyrë të emancipojë anëtarët e Partisë Socialiste e sidomos bijtë e ish kupolës komuniste derisa të kuptojnë se sjelljet dhe bëmat e tyre dhe të prindërve të tyre në shërbim të diktaturës dhe diktatorit kanë qenë të dëmshme dhe duhen dënuar. Të gjithë anëtarët e PS-së duhet të ndriçohen nga thënia e Bashkim Shehut: Babai im, Mehmet Shehu, duke i shërbyer diktatorit me besnikëri u bë një kriminel dhe kriminelët nuk duhet t’i nderojë populli.

Vetëm një emancipim i tillë, një distancim i tillë nga e kaluara komuniste, do të na ndihmojë të ecim drejt qytetërimit për të zënë vendin e merituar midis popujve europianë…

 

Filed Under: Analiza Tagged With: jo Sali berisha, mendesia komuniste, shqiptareve ua ka fajin, Thanas Gjika

Albin , pse na zhgënjeve !

July 8, 2013 by dgreca

E drejta private  e faljes në xhami është e pa kontestueshme. Është e drejtë legjitime  e çdo kujt, kundër së cilës nuk ka të drejtë të ankohet. Secili për mëkatet e veta!/

     Nga Fahri Xharra/ Gjakovë/

 “Populli duhet të jetë në mbështetje të fuqishme të Albin Kurtit dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, sepse ky është ardhmëria dhe shpëtimi i tij dhe i Kosovës, e jo ata politikanë milionerë dhe miliarderë, që dikur ishin me pushkë në krahë për shpëtimin dhe për lirinë e Kosovës, e sot në paqe, ndryshe nga heroi i luftës dhe i paqes Albin Kurti, u dëshmuan për robërinë e tij ekonomike, politike dhe sociale të shumicës dërrmuese të popullit mbi 60%. “ shkruhej dikur. dhe vazhdohej…..”Ata që e shfrytëzojnë popullin ekonomikisht, materialisht, financiarisht dhe politikisht, ata nuk kanë të drejtë morale as ligjore, që ta drejtojnë dhe ta sundojnë atë, sepse janë kundër popullit. Kjo është asmiteria që diamteralisht i dallon burokratët dhe kulltukofagët e elitës politike dështuese në Kosovë nga paradigma pozitive politike, demokratike dhe kombëtare e Albin Kurtit, i cili është me POPULLIN, por fatkeqlsisht i margjinalizuar së bashku me POPULLIN, si rrjedhim i hedhjes së votës atyre, të cilët qe 10 ( sot ,14 vjetfxh) vjet radhazi, e keqpërdorën dhe nuk e përmbushën besimin e dhënë të popullit, por vendosën në emër të popullit..” Këto ishin fjalët për te cilat një numër i madh i shqiptarëve të Kosovës iu bashkangjitën rradhëve   tuaja dhe mbanin shpresa se një ditë “ do të shembet bota çfrytëzuese “ dhe do të shlirohemi nga e keqja.”

 “Votimi dhe mbështetja racioanle e Albin Kurtit, do të thotë përkrahjen dhe votimin e lirisë dhe të pavarësisë ekonomike, politike dhe sociale të popullit të Kosovës.”mbusheshin gazetat , dhe se bashku në akcionet e një lëvizjeje  që ti e udhëhiqje ,rriheshin ,përgjakëshin dhe besa …. të rinjtë

 Por , athua  ishte kjo vërtetësia e jote Albin?.

 “Vërtet, Albin Kurti me moshë është i ri, por politikisht dhe diplomatikisht është më i pjekur, më i urtë dhe, shumë më vizionar se çdo politikan shqiptar në trevat e Shqipërisë Etnike. Kjo është shpresa e sotme dhe e ardhme e Kosovës dhe e mbarë Shqipërisë Etnike, jo ata, të cilët popullin e kanë harruar dhe braktisur në “baltën e gjallë” të vrafërisë dhe të papunësisë, me qëllim që t’i realizojnë qëllimet dhe inetresat e tyre ekonomike, tregtare dhe karrieriste në kurriz të popullit dhe të Kosovës. “….. dhe i besonim ketij që e shkruante këte  dhe të tjerëve që e thonin të njejtën .Por edhe Ty! Sepse ty te paramëndonim si “ Mesia i kombit” , se një ditë me guximin tënd do të na bashkoheshin tokat e shkapërderdhura si mos më keq.

 “Këto tipare të integritetit cilësor të tij, si njeri, si humanist, si demokrat, si politikan, si atdhetar dhe si patriot i devotshëm i çështjes kombëtare shqiptare të Albin Kurtit, i provoi edhe koha dhjetëvjeçare në paqe, i cili për hir të interesit egoist material dhe karrierist politik nuk u përkul, as nuk u thye moralisht, politikisht as kombëtarisht, që interesin e përgjithshëm të popullit, ta linte në “mëshirën” e feudalëve të rinj sundimtarë si plaçkë tregu, të varur dhe të mbërthyerë në mjerim nga “shitblerësit” e ndryshëm të politikës tregtare të eksport-importit mikst të lirë neoliberal. “  .Por , nuk na dole kështu.

Naim Frashëri shkruante: “ Të mbuluarit dhe të mshehurit e fytyrës së gruas s`ka qenë kurrë, por është shpikur më vonë. Ndalim i madh në përparimin e një kombi! Si mund të vë mbroth një komb kur gratë domethënë gjysma e njerzisë rronë e mbyllur si në kuvli?Si mund të jetë i zgjuar një komb pa pasur në vijë jetën e shtëpisë e të fëmisë dhe këto qysh bëhen kur burri rrin veç gruas? Ç`dashuri, ç`arsye mund të mësojnë e të marrin djemtë në një familje të tillë…Gruaja duhet të jetë më shumë se burri e arsimuar se fëmija së pari e marrin mësimin nga nëna… Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe e krejt njerzisë”

Ç`fare ke situata që e bëre vehtën , jo vetëm të ndash mëndimin , por me zë të potencosh mëndimin e bartjes së shamisë? I ke harruar mësimet e Naimit , Vaso Pashë Shkodranit , Çajupit?

Ç,ndodhi me ”Kuq e Zinjt ”e Kreshnik Spahiut? Krejt patriotizmi i tij kishte qenë lufta për pushtet. Edhe atij i besonin, i madh e i vogël. Na bënte të ”qanim ” me shuplakat e tij që i lëvizte si shqiponj. Por, nuk ishte ajo e vërteta.

Gazeta ” Panorama ” e Tiranës (19.Gusht12 ) shkruante :” Ndërsa besimtarët myslimanë falnin Namazin e Fiter Bajramit, aktivistë të Aleancës Kuq e Zi kanë akuzuar kryeministrin, Sali Berisha se ka bllokuar për 2 dekada ndërtimin e Xhamisë së Madhe te Tiranes. Në sheshin e Namazgjasë, AK-ja zbuloi pllakën e vendosur nga kryeministri, Sali Berisha në vitin 1993 për nisjen e punimeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe. “Në vitin 1993 Berisha vendosi tullën e themelit të Xhamisë së re. Berisha mashtroi besimtarët, nuk lejoi ndërtimin e xhamisë për dy dekada. Berisha i la besimtarët myslimanë të falen rrugëve, 19 vjet vetëm një gur themeli”- tha kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu. ” … nejse luftë për vota.

Por  ” – Jo shumë i shpeshtë në daljet e tij publike, kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, është jo vetëm besimtar i fesë myslimane, por edhe praktikant i rregullt i saj, u ka kërkuar mbështetje për zgjedhjet e së dielës “vëllezërve” të tij myslimanë.

Ashtu si çdo të premte, ku myslimanët mblidhen në xhami për të kryer ritin e faljes, dje me ta te xhamia e Rrugës së Kavajës, është bashkuar edhe kreu i AK-së. Por ndryshe nga herët e tjera, e premtja e djeshme, që përkon me pak orë para zhvillimit të zgjedhjeve, ku vetë Spahiu kandidon në Qarkun e Tiranës, ka shërbyer edhe për propagandë politike.

Rreth orës 12:40 kreu i KuqeZi-njve, ka mbërritur te xhamia dhe ashtu siç e do feja, ka hequr këpucët te hyrja e saj dhe është futur brenda për t’u falur. Jashtë oborrit të xhamisë ishte ndaluar një makinë me logon e Aleancës KuqeZi dhe himnin e kësaj partie në sfond

Gjatë periudhës së faljes, nga ora 12:40 deri në orën 13:30 kur Spahiu doli nga xhamia, të rinjtë e kësaj partie kanë shpërndarë fletushka, në ambientet e jashtme të xhamisë, ku u kërkohej që vota e tyre të shkonte për AK.” Feja dhe politika s`kan asgjë të përbashkët. Lajm jo i mirë që i parapriu një debakli total  të kësaj partijeje në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.

Nëse e duam një shtet që  aty të mbërrijmë në maje me çdo kusht edhe i ”veshur” me feregje dhe duke u falur në Xhami apo Kishë, atëherë kësaj nuk i vie era  patriotizëm. As era e bashkimit kombëtar. As era e Bashkimit Europian . As era Europë.Por ,thjeshtë karierë politike.

E drejta private  e faljes në xhami është e pa kontestueshme. Është e drejtë legjitime  e çdo kujt, kundër së cilës nuk ka të drejtë të ankohet. Secili për mëkatet e veta!

Albin mos na zhgënje!

Me qëndrimin tënd e ke hutuar popullin . Nuk po dihet  se a je me Thaçin apo kundër tij? Çdo potez i yti ate po e forcon e ty po të rjepë nga epitetet e  “Si njeri, si humanist, si demokrat, si politikan, si atdhetar dhe si patriot i devotshëm i çështjes kombëtare shqiptare”.

Albin ,ndërroje  mendjen dhe mos të mbajmë vetëm shpresa ,por të bindemi.

 07.07.13, Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Albin, Fahri Xharra, pse na zhgenjeve

AT GJERGJ FISHTA, NARGJILEJA DHE SHQIPTARI?

July 8, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

  Dikur moti, At Gjergj Fishta, i shtyrë nga një “konflikt politik, kulturor dhe mediatik” me bashkëkohanikët e tij, kishte thurur a pohuar një shprehje shekullore, ku pos të tjerash thuhet” ‘Më lehtë mund të mbushësh një thes me pleshta, sesa një grusht me shqiptarë”! Ndofta miqtë e mi do më thonë: or ti qerrata, pa na thuaj, a mos vallë kjo shprehje e Fishtës nuk është e tejkaluar, e konsumuar a edhe paksa e ekzagjeruar? A mos vallë, ti di gjë më shumë se ku ka sot pleshta, pa na thuaj a mos vallë ti di gjë për ata pleshtat e Fishtës nga “kërcejnë”, pa na thuaj a mos ke sot një të tillë se na duhet për “ilaç”, pa na thuaj pse këtë vështrim a meditim tëndin të radhës po e fillon me këtë  “nocion të bastarduar”…, a mos vallë nuk kishe një shprehje paksa më humane, më emancipuese dhe më optimiste, a mos vallë me këtë shprehje të Fishtës mëton ta “tredhësh  inatin homerik” të shqiptarit…, a mos vallë ti ke atë shkopin magjik me të cilin do t’i ndërgjegjësosh shqiptarët…, pa na thuaj se pse ti “nuk kontrollon pleshtat e bllokut tënd”, a mos vallë me kësisoj “shkarravinash” (nuk) na e lodhe rradaken!

      Që i madhi At Gjergj Fishta kishte pasur të drejtë për metaforën e tij, unë dhe shumë të tjerë shqiptarë kemi një furgon me prova. Gjithandej shohim grumbuj shqiptarësh…, që “meditojnë”, ëndërrojnë të ardhmen, po edhe grinden mes vete…,  i pari (shqiptar) qan e gërthet, i dyti  bën sefa, i treti “mrekullohet” me budallakitë e tij dhe të të tjerëve që frymojnë për rreth tij, i katërti nuk di si dhe ku t’i harxhojë lekët e miletit, i pesti lëre që i bën pordhë shtetit, por edhe krekoset të përleshet më të, i gjashti rri nën hije duke pirë “çaj rusi”, i shtati në vigjilje të muajit të shenjtë të Ramazanit është bërë kokë e këmbë tapë…, i teti shqiptar, në pikë të ditës përvëluese shkruan përralla për nacionalizmin e tërbuar të fqinjëve, i nënti shkarravit “ese” për identitetin e tij politik dhe fetar, i dhjeti sikur nuk është i ndërgjegjshëm se nuk ka prapanicë të ballafaqohet me të vërtetën që nuk e kupton…, i njëmbëdhjeti retrospektivën e shqiptarisë e koncepton si një “dyqan të Kapali Çarshisë së Stambollit”, ku mund të blesh “llullën me bisht”, gjegjësisht nargjilenë si ajo e Ali Pashë Tepelenës…, dhe mallra të tjera orientale, i dymbëdhjeti, që “sabah e aksham” ujdis flokët,  mëton të diskutojë kulturën e mbamendjes, i trembëdhjeti (numër ters)  lexon historinë e profesorëve dhe akademikëve kosovarë, të cilët në vaktin kur Millosheviqi i mbylli institucionet arsimore, jepnin leksione pa para…, dhe ky hamendet  sa e përket kësaj vakie, sikur nuk do t’i besojë…, i katërmbëdhjeti, respektivisht “Kupa” (Jakup Krasniqi), sikur bërtet:  “Albin (Kurti) mos e nuk (mos e shkul)  mikrofonin”…, hë dhe mikrofoni i “Kupës” dhe Kuvendit të Kosovës u shndërrua në viktimë të dhunës politike…, dhe shkuan në…,!?, e pesëmbëdhjeta,  ajo deputetja lazdrake e Kuvendit të Kosovës, që ka rënë në “pubertet të vonuar politik”, me shumë çallëm dhe hiç pa “mbare” nxori këpucën (me gjysmë take) e këmbës së djathtë dhe sikur deshi ta qëllojë në kokë Konjufcën dhe kolegët e tij të “rebeluar “…, një zonjë karizmatike dhe e bukur, derisa ishte “pronare e kryekolltukut” thoshte ashtu me guxim, “shkoni për lesh”!?

         Një shqiptar i konvertuar në amerikan, i rrjedhur dhe me shumë teka, dredh tespihet, nuk hesapon as fukara as jetimë lufte, është tërbuar dhe revoltuar pse nuk e sajdis asnjeri, pse imami i xhamisë së fshatit të tij paskësh pak xhemat…, tjetri, shqiptar me “qysqi”, nxjerr gurin e lapidarit të dëshmorit për ta shitur për pak lekë…, ai tjetri me kazmën e diktatorit, shkatërroi a e prishi nga themelet gjithë historinë e lavdëruar të atyre që vatanit i sollën lirinë e munguar, një tjetër shqiptar, mori sharrën dhe e preu degën ku i kishte këmbët…, tjetri shqiptar “vodhi”  jastëkun, jorganin dhe thasët me oriz të jetimores së kryeqendrës së shqiptarëve.., tjetri i hekuros flamujt e shteteve që e çliruan dhe, i “parafundit” shqiptar, duke ulëritur me zë të lartë dhe duke i rënë tavolinës me grusht, thotë se s’ka bir nëne që ma prek prapanicën…!?

       Në do më lejohet të them, asnjëri prej këtyre që i përmendëm më lart ndofta nuk e do “profesionin që e ushtron” pos (në mos gaboj) mullisit që nuk mediton dhe nuk e “konteston zanatin e tij”…, sepse në “… mullirin e tij ka aq qetësi, aq paqe dhe bardhësi…, është i vetmi në dynjanë shqiptare që e ka pranuar me aq burrëri monotoninë e jetës, që përfitohet prej asaj rrotës së gurit që sillet gjithnjë njësoj dhe gjithnjë në të njëjtin drejtim”!…, siç do të thotë në vështrimin e tij (Arratisja e Shpirtit), Skënder Drini.

       Që unë, sot e kësaj dite të Perëndisë, “humbas” kohë me ndërtimin e llafeve boshe, besoj se miqtë e mi nuk do të më paragjykojnë si mendjemadh dhe, nëse nuk do më lakojnë si të tillë, atëherë do të më lejohet që t’u referohem ca vakive që dolën nga vaktet që i lamë pas. Pa më thuaj ti, miku im, a mos vallë megalomania jonë e skajshme politike, patriotike, mediatike dhe kulturore, nuk na solli belanë po edhe fukarallëkun, a nuk të sikletos (pa)përgjegjësia jonë kolektive, a nuk të sikletos ajo amullia e mendimit a edhe anarkia jonë feudale…, ty, miku im, a nuk të bezdis ajo përditshmëria jonë e njëtrajtshme. Ty, miku im, nuk të sikletos mungesa e të lexuarit (sa i marrë që jam, kush lexon sot, pos studentit para provimit)…, a nuk të shqetëson fakti se “triumfatori” i mëhallës së “haxhi babës”, mbeti pa veshjet e brendshme, apo mos do ta arsyetosh politikanin që nuk “ta ngre” kufjen e telefonit! A nuk të shqetëson ajo mungesa e një përkuljeje publike ndaj njerëzve të cilët dikur iu drejtuan kryefjalës shqip dhe shqiptarçe… dhe sot të mos thuash as një gjysmë fjale për ta, është përtej çdo idiotësie…, a nuk të shqetëson ajo mungesa e modestisë së politikanit, a nuk ke guximin që t’i thuash se “…, ti je si ne, ti duhet të jesh i rëndomtë dhe i afërt me ne, ti nuk duhet të “ikësh” nga ne, ti duhet ta bësh këtë dhe nëse nuk e bën këtë, një ditë do të mbetesh dallkauk dhe anonim”!? Ti, miku im i nderuar, a nuk sheh se gjithandej shqiptarët, në mungesë të profesionalizmit dhe përgjegjësisë, me amatorizmin e tyre inskenojnë a prodhojnë vlera të paqena e të tjera.

      Ti miku im, a nuk shikon se si “fantazisti i mban leksione realistit dhe intelektualit, a nuk sheh se ky i fundit nuk arrin dot të hapë gojën, a nuk të shohin sytë se si të krisurit ia fusin ashiqare të shastisurit…,” a nuk të shqetëson ajo heshtja jonë prej varri, ajo sjellja jonë jonormale. Ti, miku im, a mos vallë duhet ta “përligjim kodin tonë egocentrik”, a mos vallë na mungon vetëpërmbajtja, shpirti i vetëmohimit, ajo  urtësia popullore, ajo mençuria e pleqve e të tjerë!?  Nëse ti, miku im, mendon se ky shkrim është flashkë, monolog a dialog gazete a së fundi edhe kakafoni, më ndjej.

       Sikur sot të ishte gjallë Fishta, thënies së tij metaforike do t’i bënte redaktim të ri…, ndofta do t’i shtonte edhe një thes me…, por ama ku do ta gjente!? Në Tetovë nuk ka dyqan ku shitet nargjileja!

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: At Gjergj Fishta, Nargjileja dhe shqiptari

NË PRAGUN E 100 VJETORIT TË 10 SHKOLLAVE TË PARA SHQIPE NË RRETHIN E VLORËS

July 8, 2013 by dgreca

NGA KUJTIMET E MURAT TËRBAÇIT DHE MUÇO DELOS PËR “KOMBIARËT” E VLORES/

nga Albert R. HABAZAJ/ studiues

 Nga studimi i historisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, marrim njohuri të reja dhe plotësojmë dijet tona për ata pishtarë dhe flamurtarë të Vendit të Shqipeve, të cilët u përpoqën si ata, për ta nxjerrë Shqipërinë nga guvat e errëta në dritë të mirësisë. Në ballë të kësaj lëvizjeje përparimtare e çlirimtare nga peshat e rënda të pushtimeve, ravijëzohet si parësor roli dhe kontributi i burrave me “gramë”, njerëzve të shkolluar, mësuesve të shkollave të para shqipe. Viti 2013 përkon me 100 vjetorin e hapjes së shkollave të para shqipe në rrethin e Vlorës. Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më  1912, qeveria e Ismail Qemalit i kushtoi një kujdes të veçantë arsimimit të popullit me gjuhën amtare. Ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi, në thirrjen drejtuar mësuesve theksonte: “çështja e arsimit ka një rëndësi kryesore për rilindjen e kombit shqiptar…” Sipas vendimit të qeverisë së Vlorës, në vitin shkollor 1913 – 1914, u çelën 10 shkolla shqipe, 1 në qytet dhe 9 në fshatra, dhe, konkretisht në Kaninë, Tërbaç, Dukat,Vranisht, Kudhës, Tragjas, Oshëtimë,Drashovicë dhe Smokthinë. Viti shkollor filloi më 16 shtator 1913. Halim Xhelo ka qenë mësuesi i parë që çeli shkollën e parë shqipe në Matogjinin e largët të krahinëzës së Smokthinës. Mësues i parë i shkollës shqipe në Tërbaç u emërua Murat Miftari. Një ndër pishtarët e dritës ishte edhe Muço Delo, që me shtegun e dijes, hapur nga arsimtari shëtitës e patriot, Mihal Peço, qe arsimuar në Kolegjin e Shën Mitër Koronës, në Kalabrinë Arbëreshe, matanë detit. Përhapësit e arsimit kombëtar në Vlorë, si filiza të gjelbër të Bredhit të Lartë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mbushur me dritërim dituror e humanist, të gjithë ata, stafetëmbajtës të Kostandin Kristoforidhit, Sami Frashërit e Naimit të Madh, Pandeli Sotirit, Petro Nini Luarasit, Babë Dudë Karbunara, Jani Minga, Hamit Lumi, etj., edhe sot, pas një shekulli, na duket sikur i drejtohen vargmaleve të Vetëtimës dhe Këndrevicës, për t’u thënë: “Na hapni pak vend të bëjmë dritë edhe ne bashkë me diellin, që të ngrohim njerëzit tanë të mirë,që të bëhemi si pjesëtarët e tjerë të familjes së madhe  e të përbashkët europiane…!”

Mundësia dhe fati më ndihmuan të gërmoj në arkivat personalë të Murat Tërbaçit dhe Muço Delos, dy prej atyre mësuesve atdhetarë të fillimshekullit të XX, nga të cilat, mendoj se vlen të publikohen këto informacione burimore që kam përgatitur për gazetën “Dielli”, edhe si homazh për ata mësues me eshtër kombëtare, që duhet t’u falemi me nderim dhe respektin ndaj tyre, ta tregojmë duke vijuar misionin  e tyre fisnik në kushtet e sotme të edukimit, të përparimit dhe të zhvillimit. Murat Tërbaçi është edhe një nga 12 anëtarët e Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” të Luftës Çlirimtare të Vlorës, 1920, një nga 12 figurat simbolike të kësaj epopeje, në ballë të së cilës printe Osmën Haxhi Muhameti, Ezhdërhaja Osmën NURI, siç e mban mend kujtesa popullore.

Qysh në shekullin XIX, mjaft përfaqësues nga paria e Tërbaçit, sikurse edhe mesaplikas të tjerë të Lumit të Vlorës, kurveleshas, himariotë e burra të dëgjuar të krahinës së madhe etnografike të Labërisë, që luftuan me shpirt, me pushkë e penë, për Mëmëdhenë, ishin të lidhur me “Kombiarët” e Vlorës, Delvinës, Gjirokastrës, Frashërit, Beratit e Janinës.

Në kujtimet e Murat Tërbaçit, flitet  dhe për ndikimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në këtë fshat malor. Midis atyre, që Mustafa Pashë Vlora dërgoi në Labëri e Tërbaç, për të mbështetur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ishin dhe Avdulla Nota, Sulejman Aliko e Musa Bodo. Sipas porosisë së Mustafa Pashë Vlorës dhe një tartari (korieri, lajmëtar) të dërguar nga Himara prej Odise Kasnecit, nga Tërbaçi u mobilizuan 35 vetë në luftën kundër grekut në Lëkurës, më 1879.

Këto lidhje me “Kombiarët” e Vlorës vazhduan dhe në fillim të shekullit XX. Në motet 1900 – 1907, në Tërbaç, Mesaplik, Brataj, Bolenë,Vranisht, Kallarat e Dukat kanë ardhur si mësonjës shëtitës Beqir Velo, Kristo Karbunara, Hamit Lumi, Peço Kauri, Ibrahim Avdullau dhe Elmas Kanina.

Sipas Murat Miftarit, në shtator – tetor 1908: “Na thirri Alem Mehmeti në konakët e tij në Tragjas, ku gjetëm Ibrahim Avdullaun, Hamza Isain, Zaçe Xhelon e Ymer Radhimën,

( nga Tërbaçi kanë qenë Murat Tërbaçi, Laze Malo e Xhezo Balo). Këtu u bisedua  për dy çështje të mëdha:

E para qe për mbështetjen e Ismail Qemalit si deputet në parlamentin xhonturk. Pas takimit të Tragjasit, erdhi në Tërbaç Eqrem bej Vlora me suitën e tij në shtëpi të Kapo Miftarit, i cili kërkoi votat për babain e tij, Syrja bej Vlora, por ne i qëndruam Ismail Qemalit dhe bisedës që kishim bërë dhe fjalës që kishim dhënë më përpara  në Tragjas.

Çështja e dytë ishte që “Shoqëria e Përhapjes së Shkollave Shqipe”, që ishte formuar pas fitores së “Xhonëve” (1908), të merrte një emër të ri: Klubi “Labëria” i Vlorës, ku nga Tërbaçi morën pjesë pesë vetë.

Gjatë muajve shtator – tetor (1908), të gjithë njerëzia e Tërbaçit, Bratit, Vranishtit, Mesaplikut, gjer në Kudhës – Grehot, votuan për Ismail Beun. Këtë  e nxiti më tej ardhja e Ismail Qemalit në Mesaplik. Në Kuvend të Mesaplikut, në emër të popullit të Tërbaçit fola unë (Murat Miftar Habazaj Tërbaçi – shënimi im, A. H.), pas Memo Metes, Zaçe Xhelos e Pasho Ramadanit.

Edhe gjatë shpalljes së Pavarësisë e qeverisë së Ismail Qemalit, ne, mesaplikasit bashkëpunuam shumë me Ibrahim Abdullahun, Aristidh Rucin, Ahmet Xhafën, Ali Asllanin, Qazim Kokoshin, Alem Mehmetin dhe Ymer Çelon.

Më 1913, Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit, vizitoi shkollën e Matogjinit, ku ishte mësues HalimXhelo. Atë e shoqëronin Zaçe Xhelo, Memo Mete Brati, Toto Hosi, Jani Minga e Ibrahim Abdullau. U bë darkë në Mesaplik për Luigj Gurakuqin, në konak të Zaçe Xhelos, ku nga Tërbaçi morëm pjesë unë, [Murati], Xhezo Balo, si dhe 25 shpirt të tjerë (nga krahina).

Luigj Gurakuqi na lexoi urdhërin e Ismail Beut për të mbledhur vetëdashës dhe për të forcuar frontin e Janinës.

Pas ca ditëve, në Va të Tërbaçit (Ura e Vaut), u organizua një kuvend i madh nga tërë krahina, ku morën pjesë dhe personalitete kombëtare, si Mehmet Pashë Dëralla, ministër i Luftës dhe Nexhip Draga, gjeneral, delegat, deputet i Kosovës, si dhe shoqëruesit e tyre Ibrahim Abdullau, Hamza Isai e Sali Hallkokondi. Në mbledhjen e Urës së Vaut, si përfaqësues i qeverisë së Vlorës, për të drejtuar vetëdashësit për në frontet e luftimit, u caktua Memo Mete Brati. Trimërinë e I. Abdullaut, H. Isait, I. Çelos, A. Mehmetit, ne tërbaçiotët, e kishim njohur qysh më 1911 -’12, qysh në të ngriturit krye kundër xhonturqëve në Vlorë e Mallakastër, si dhe në Kuvendin e Urës së  Drashovicës. Mehmet Pashë Tetovari me përfaqësuesit e Qeverisë së Vlorës u ftuan nga Laze Malua, në konak të tij, ku u bë një darkë e madhe burrash.

Më 1914 u ndodha  në fshat, kur mua e Laze Malos na dërgoi një kartë Bexhet Shapati

( kushëri i Çajupit të madh) e Ibrahim Abdullai, me anën e Sali Hallkokondit nga Vranishti, ku na thoshnin: “Këto ditë u sos prej Evropës Ismail Beu dhe po prënjtet në shtëpinë e Xhemil Vlorës. Për të qarë hallet e vatanit, lutemi të vini në Vlorë më 15 të korrikut, në shesh të Namazgjasë (tek është Sahati sot – shënimi im, A.H.), ku do të mblidhet populli i krahinës. Me besë: Bexhet Shapati, Ibrahim Abdullau”.

Në këtë mbledhje, më 15 të korrikut, kur Ismail Beu u kthye nga takimi me princ Vidin, në Durrës, u bë një kuvend i madh me përfaqësonjës të të gjitha viseve jugore të Shqipërisë (rreth 2000 vetë), ku u xgjodh Komiteti i Shpëtimit Kombëtar, ku dhe unë,  Murat Tërbaçi, bëja pjesë në këtë Komision.

Në kohët më pas , me “Kombiarët” e Vlorës kam marrë pjesë në Komitetin e Vlorës dhe në hartimin e protestave e memorandumeve drejtuar Konferencave të Paqit.

Në Kongresin e Lushnjës, sipas letrës që na dërgoi Halim Xhelo (i cili qe shpirti organizator i  Kongresit të Lushnjës) dhe Besim Nuri, u poqa përsëri me Hamza Isain, Ahmet Lepenicën, Ibrahim Abdullaun, Dhimitër Qypin, Spiro Kolekën e Osman Haxhiun, që morën pjesë si përfaqësues të Vlorës vetëm ditët e fundit të Kongresit, pasi nuk kishin mandat delegati, sepse nuk i lejonte ushtria italiane. Pushtuesi dërgoi në Mbrostar forca për të penguar vlonjatët të shkonin në Lushnjë…

Mjaft interesante për Lëvizjen Kombëtare në Vlorë janë dhe kujtimet e veteranit të arsimit kombëtar, Muço Delo. Ndër të tjera, në këto kujtime mësuesi hero nënvizon:

“Ne, tërbaçasit kemi patur mjaft bashkëluftëtarë nga Vlora dhe krahinat e tjera, në kohët e zeza të robërisë turke e italiane, për fatin e Atdheut si Osman Haxhiu, Ibrahim Abdullau, Imer Radhima, Abaz Mezin, Halim Risilia, Duro Shaska, Zaçe Xhelo, Alem Mehmeti, Hamza Isai e Ali Asllani.

Motet 1917-1918, kur kishte rënë gripi spanjoll dhe ushtria italiane na kishte prerë rrugët e shtigjet për të vajtur në Vlorë, kur ishin arrestuar 25 vetë nga krahina e Mesaplikut e dergjeshin në burgjet italiane për “trazirat në Mesaplik”, na thirrën në Vlorë disa mësonjës e parësi te Osman Haxhiu, Ymer Radhima e Hamza Isai për të organizuar festimin e ditës së Flamurit, kundër pushtuesit italian. Ne kërkuam ndihmë nga Osman Haxhiu, Ymer Radhima e Ibrahim Abdullau dhe morëm në Picar edhe drithë falas, pasi katundi ishte pa bukë.

Në organizimin e Luftës së Vlorës, më 1920, të deleguar nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, përpara se të krijohej çeta e Tërbaçit, erdhën e na folën IbrahimAbdullai dhe Imer Çelua; erdhi dhe Halim Xhelua që po kthehej nga Kurveleshi, na foli si ai, e pastaj u formua çeta jonë, me komandant Selman Hysenin dhe zëvendës Selam Habazin e Selman Alikon.

Ibrahim Abdullau ka marrë pjesë në federatën “Atdheu” dhe ishte zëvendës i Avni Rustemit, si dhe, në vitet 1923 -’24, në shoqërinë “Bashkimi”. Sipas kujtimeve të Murat Tërbaçit e të Muço Delos dhe tërbaçiotëve të tjerë, këto figura të shquara të atdhetarisë së Vlorës kanë lojtur një rol të veçantë për gjallërimin e Lëvizjes Kombëtare në Tërbaç e Labëri. Ndërkohë një meritë të padiskutueshme për skalitjen historike të porteteve të këtyre pishtarëve të Lirisë dhe Diturisë në Vlorë e më gjerë ka Buldozeri i Kulturës Kombëtare, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh.

 *Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA.  Vlorë, më 08. 07. 2013

Filed Under: Histori Tagged With: Albert R Habazaj, ne prag te 100 vjetorit, ne Vlore, te 10 shkollave, te para shqipe

Gozhda e Nastradinit

July 8, 2013 by dgreca

Nga Bedri Blloshmi/

Këtë shkrim dua ta filloj me një paralelizëm,për tu kuptuar nga të gjith lexuesit.Nastradini nxorri shtëpin në shitje dhe dikush që kërkonte ta blinte shtëpin e merr vesh dhe shkon të bisedoj me Nastradinin .E pa shtëpin i pëlqeu e  ranë dakort  për pazarin, lanë dhe ditën që do futeshe në shtëpinë e posa blerë.Atë ditë Nastradini i tha blersit,e sheh atë gozhdëatje ngulur në murë? Po, i tha blersi ajo gozhdë është e imja dhe nuk do e lëvizhësh nga vendi se gozhdën nuk ta kam shitur. Dakort, i tha blersi, gozhdën nuk ta prek as kush.Pas ca ditësh Nastradini kalon tek ish-shtëpia e tij, ngjitet në katin e tretë heq xhaketën e varë në gozhdë dhe iku.Në mbrëmje vjen i zoti i shtëpisë e pa në gozhdë se ishte varur një xhaketë. Menjëher i thërret të shoqes dhe i thotë; çështë kjo xhaket e varur këtu?E shoqja i përgjigjet, kishte qënë Nastradini kishte varur xhaketën dhe kishte ikur.I zoti i shtëpisë  i bërë tym, nuk doli nga shtëpia dhe po priste Nastradinin, i cili vjen dhe ngjitet  sipër  pa i folur asnjërit nga të zotët e shtëpisë merr xhaketë dhe niset për të dalë jashtë .Athere i zoti i shtëpis e ndali  dhe i tha të mos ta lëri më xhaketën aty sepse unë ta bleva shtëpinë ti nuk ke më punë këtu .Nastradini ja kthen qetë- qetë, dëgjo zotëri “Unë të kamë shitur shtëpin jo gozhdën zotëri”Këtu do vij sa herë të më teket dhe do e varë xhaketën te gozhda ime. Atëhere të dalim për ku jemi nisur. Partia e Debatikasve e udhëhequr nga një sekretar partie prej 23 vjetësh, këtë herë që nuk vodhi dotë votat se kishte shumë vëzhgues ndërkombëtarë, doli e verteta në shesh dhe Debatikasit ranë drejtë e në humnerë. Tashti i detyruar kryetari i partisë Debatikase duke mos pas asnjë mundësi tjetër manovrimi, me shumë përtesë dhe jashtë vullnetit të tij deklaroi me gjysëm zëri.Jap dorheqjen nga të gjitha fuksionet dhe si kryetarë partie, por tani lind pyetja, a e beson kush këtë se do largohet nga partia kryetari i humnerës? Caktoi ata kanidat që patjetër i binden verbërisht dhe i bien në gjunjë duke i lëpirë dhe këpucët  të shoqëruara me lotë Krokodili.Ky që është caktuar Kryetarë Bashkie mbasi partia e Debatikasve e humbi gjith shqipërinë në zgjedhjet lokale, ndërkombëtarët e mishëruan dhe ja dhanë Bashkinë e Tiranës.
Po ky Kryetarë Bashkie, duke shëtitur ministri më ministri mbasi u akuzua për vjedhje me shifra të mëdha 240 miljon Euro të grabitura dhe si hyri një ferre në këmbë. Tani do bëhet Kryetarë i partisë së shkërrmoqur Debatikase, me këtë rastë të mos ketë mundësi qeveria e ardhëshme tia hapi dosjen sa një mal që fle tek prokurori i përgjithshëm Llalla. Prokurori Llalla kur mori karriken që ka sot bëri deklarata premtuese dhe i prerë se do zbatonte ligjin pa asnjë mëdyshje. Të njëjtën gjë bëri dhe para ardhësi i Llallas, madje shkuan shumë më largë, si Kryeministri i ikur dhe Kryetarja e Parlamentit po të ikur duke parashikuar se do ishte një Silva Konti. Kanidati tjetër vjen nga një familje Ministrash të diktatorit por është i shquar dhe për terrorin në zonën e Lumës edhe sot po tua përmëndësh Dashnor Mamaqin ata dridhen edhe sot e kësaj dite.Partia e Debatikasve dhe qeveria e ikur u krijua me bijtë e Ministrave të diktaturës, bijtë e sekretarve të parë të kryetarëve të Degëve të punëve të brënshme, me bijtë të sekretarëve të partisë ,me bijtë e sigurimit të shtetit dhe të bashpunëtorëve të tyre ,me kryetare shoqatash të Enverit. Themi shkurt se aty  në  qeveri ishin ata që kishin lidhje të forta me komunizmin ose lidhje po aq të forta me sigurimin famëkeq.Kryetari i partis Debatikase që tani përhap tymnaja se ka dhënë dorheqjen si besnik fanatik i Zv. diktatorit  Alia, e mbajti fjalën, e përcolli me shtrat topi u tregua shumë korrekt në zbatimin e porosive të Katovicës dhe të gjith këta bij komunistësh e sigurimsash jo që i punësoi në vende kyçe  të pushtetit por i la të vjedhin dhe grabisin sa të donin duke i siguruar se do i mbronte dhe nga proçedimet penale. Kjo është vërtetuar se asnjë ministër, drejtor apo ku di unë, në sektorët e tjerë ku vidhej para me tendera nuk shkoi në prokurori. Si këta që ikën nga pushteti, si këta që po vijnë thërrasin dhe premtojnë në sy dhe të ndërkombëtarve se do e luftojmë korrupsionin dhe se toleranca  është gjithmon zero. Mbas revolucionit të armatosur të vitit 97 partia e Debatikasve e humbi pushtetin duke ja marrë gjysma tjetër e Partisë së Punës. Ne demokratët  me në Krye sekretarin e Partisë dilnim çdo ditë në protesta duke dëgjuar kryetarin se kur të vinim në pushtet  do fusnin në burg të gjith të korruptuarit me në krye Fatos Nanon. Në 2005 pushteti i kaloi  partisë Debatikase dhe as njëher nuk u pëmënd, e jo më ti fuste në burg për abuzimet e bëra.Unë shtroj pyetjen, mos vallë këto dy parti kanë një marveshje të heshtur? Duke ja lënë qeverisjen në çdo 8 vjet  njëra -tjetrës?
Këta që po marrin pushtetin me një fitore të vertetë çdo bëjnë me dosjet e ministrave të korruptuar, do heshtin?Po prokurori i përgjithshëm gjithmon do hesht? Korrupsioni nuk është abstrakt është i prekshëm  gjithë ato vila, dyqane, prona,si janë ndërtuar. Mirë për miljonat e Eurove që janë depozituar në bankat jashtë shtetit, po këto që duken si do justifikohen? Në qoftëse, largë qoft do futet ndonjë ministër në burg pasuria që ka vjedhur do ti shtetëzohet? Gjykatat tona po ashtu dhe prokuroritë, kur ndodh që dëgjojm sa për sy e faqe pasuria e vjedhur nuk i sekuastrohet. Të presim, të shohim mbase prishet marrveshja e heshtur. Të shohim se sa do bëhet i besueshëm Luli për kryetar të partisë Debatikase, jo për ta votuar se ai është caktuar dhe ështe kryetare, por sa për farsë do ketë për ta mashtruar popullin se do e ngrej dhe një herë Partin Debatikase dhe ta nxjerri nga humnera ku e  hodhën.A do i pastrojnë spiunët, sigurimsat dhe vrasësist? Siç është rasti i Librazhdit, Se për bijtë e komunistëve dhe hajdutët nuk bëhet fjalë se mund të largohen. Jam kurjoz ta dëgjoj se si do të justifikohet me pronarët dhe të burgosurit politik. A do të garantojnë se sa po të vijnë në pushtet do ti detyrojnë prap të vetë  sakrifikohen? Po pronarëve çfarë përralle do ju sajojnë?Le të presim ,sherri ka nisur,Lufta vazhdon.
Po e mbyll këtë shkrim me urimin nga zemra.
E gëzofshi humnerën ku ratë.

Filed Under: Komente Tagged With: Bedri Blloshmi, gozhda e Nastradinit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT