• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

GRUSHT SHTETI NE EGJIPT, RREZOHET MUHAMED MORSI

July 3, 2013 by dgreca

Ra Morsi! Në Egjipt ndodhi ajo që pritej. Presidenti i këtij vendi Muhamed Morsi nuk është më në këtë detyrë që prej orës 19:00 të ditës së djeshme. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i ushtrisë egjiptiane, gjenerali Abdul Fattah Al-Sisi, i cili ka theksuar se është pezulluar përkohësisht Kushtetuta e vendit, një akt i cili konfirmon se Morsi nuk është më presidenti i Egjiptit.
Duke folur në televizonin shtetor, kreu i ushtrisë deklaroi se plani i ri përfshin krijimin e një qeverie teknike deri në zgjedhjet e reja presidenciale. Ushtria theksoi ndër të tjera se Gjykata Kushtetuese do të nisë përgatitjet për zgjedhjet e reja presidenciale. Ndërkaq, një prej figurave kryesore të opozitës, Mohamed El Baradei deklaroi se plani i ri garanton kërkesat kryesore të popullit për zgjedhjet të parakoheshme gjatë kësaj periudhe tranziconi ku pritet rishkrimi i kushtetues se re. Fjalimi i kreut të ushtrisë u prit me brohorima dhe fishekzjarre ndërkohë që mediat në mbeshtetje të presidentit ndërprenë transmetimin. Një akt i tillë ndodh pas kater ditësh protesta të cilat rezultuan me shumë të vdekur gjatë përleshjeve me protestuesit pro dhe kundër Morsit.
Presidentit Morsi deklaroi se nuk do të dorëhiqet, por do të qëndrojë në mbrojtje të demokracisë së vendit. Madje, ai propozon një qeveri koalicioni. “Nuk e jap dorëheqjen, mendoj se duhet një qeveri koalicioni para zgjedhjeve parlamentare, kjo është zgjidhja për momentin”, është shprehur Presidenti egjiptian, Morsi pas skadimit të ultimatumit të vendosur nga ushtria. “Nuk largohem i gjallë nga pallati presidencial. Do të mbroj demokracinë me jetën time”, ka thënë Morsi, duke kundërshtuar kështu ultimatumin që i ka vënë ushtria.
Madje në këtë deklaratë, Presidenti Morsi bën thirrje për pajtim kombëtar. Mësohet, ndërkaq se shërbimet e sigurisë kanë ndaluar udhëtimet e Morsit jashtë vendit. Kurse Essam al-Hadded, një prej ndihmësve kryesorë të Presidentit Morsi deklaroi se, në Egjipt është duke ndodhur një grusht shteti. Morsi i ka bërë apel popullit që t’i rezistojë grushtit të shtetit. Por, orët e pasdites turma e mbledhur në Tahrir ka kaluar në dhunë. Gjuajtje me gurë janë bërë në drejtim të pallatit presidencial. Disa agjenci aluduan se, Morsi është larguar nga presidenca, por sipas ‘Al-Jazeera Arabic’, Morsi ndodhet ende në Presidencë.
Mursi në kurs konfrontimi me opozitën
Vetëm edhe pak orë, kalon afati i ultimatumit të ushtrisë dhënë Presidentit egjiptian. Megjithatë, ai ka përjashtuar mundësinë e dhënies së dorëheqjes. Opozita flet për një “shpallje të luftës”. Lufta për pushtet midis Presidentit egjiptian Mohamed Mursi dhe ushtrisë është duke shkuar gjithnjë e më shumë drejt një përshkallëzimi. Në një fjalim të transmetuar natën vonë në televizion, presidenti islamik refuzoi në mënyrë rigoroze dorëheqjen. “Unë kam ardhur në këtë post përmes zgjedhjeve demokratike. Dhe unë qëndroj fort pas këtij legjitimiteti”, theksoi Mursi. “Unë jam Presidenti i Egjiptit, që përfaqëson të gjithë qytetarët egjiptianë”, tha ai. Në të njëjtën kohë, ai pranoi gabimet dhe premtoi se do t’i korrigjojë ato.
Paraprakisht, Mursi kishte kërkuar nga ushtria që të tërheqë ultimatumin 48 orësh ndaj tij që skadon këtë të mërkurë. Komandës së lartë të forcave të armatosura nuk i bëri shumë përshtypje kërkesa e Presidentit dhe deklaroi në mëngjes se, ushtarët janë të gatshëm të vdesin për popullin egjiptian. Udhëheqja e ushtrisë i ka dhënë kohë deri pasdite Morsit dhe kundërshtarëve e tij që të arrijnë një kompromis. Përndryshe, ushtria do të paraqesë planin e vet për të ardhmen e Egjiptit.
“Zhduku”!
Fushata e opozitës Tamarod (nga arabishtja ‘rebelim’), e cila pretendon se ka mbledhur më shumë se 22 milionë nënshkrime kundër Presidentit, e vlerësoi fjalimin e Mursi-ut si një “thirrje për luftë civile”. Gjithashtu edhe turma e njerëzve e mbledhur në Sheshin “Tahrir” në Kajro, reagoi me zemërim dhe bërtiti: “Zhduku! Ne nuk të duam!” Lëvizja e protestës e kritikon Presidentin Mursi kryesisht për shkak të stilit të tij autoritar, islamizimit progresiv në vend dhe gjithashtu për shkak të përkeqësimit dramatik të gjendjes ekonomike. Ndërkaq, ithtarët e Presidentit Mursi e shohin konfliktin kryesisht si luftë për pushtet ideologjik, për ose kundër Islamit.

Televizioni shtetëror blindohet nga tanket

Disa njësi tankesh janë dislokuar gjatë orëve të fundit, përpara kompleksit të ndërtesave të televizionit publik egjiptian, njoftoi rrjeti informativ “Al Arabiya”, që citonte burime të sigurisë vendase.
Një numër i madh njerëzish vazhduan të demonstrojnë edhe dje në Kajro për të katërtën ditë me radhë. Megjithëse, një pjesë e tyre mbështesin Presidentin, shumica dërrmuese kërkojnë që ai të japë dorëheqjen. “Ne do të protestojmë deri sa të arrijmë një zgjidhje. Ne duam që Presidenti të bëjë diçka për të parandaluar ndonjë gjakderdhje. Shpresojmë që ai të gjejë një zgjidhje, e cila të kënaqë njerëzit, pra, të japë dorëheqjen”, thotë protestuesi Jad Abdullah.

Ku ndodhet Morsi?!

Ndërsa, gjithë bota ka kthyer sytë tek situata në Egjipt, dilemat janë pas skadimit të ultimatumit që vendosi ushtria, ku ndodhet Morsi. Është larguar nga pallati presidencial apo jo. Disa thonë që ai ndodhet ende aty, ndërsa mediat e ndryshme shprehen se, Morsi fshihet në një kazermë. Po sipas mediave, ushtria e ka rrethuar kazermën me tela me gjemba dhe mban në arrest. “Nuk e dimë ku ndodhet”, deklaroi Gehad el Haddad, zëdhënës i “Vëllazërisë Myslimane” dhe këshilltar i Presidentit egjiptian për CNN-in, që e pyeti se cili ishte fati i Presidentit. “Janë ndërprerë të gjitha kontaktet me të”, tha Hadda.

SHBA nuk mban anën e askujt në Egjipt

Kriza egjiptiane duhet të zgjidhet me mjete politike, deklaroi dje Pentagoni, ndërkohë që në Kajro ka një konfuzion të madh. “SHBA nuk mban anën e askujt”, theksoi zëdhënësi i Pentagonit, George Little. “Ne nuk mbështesim asnjë grup apo parti”, shtoi ai.

Filed Under: Kronike Tagged With: grusht shteti ne Egjipt, Ra Morsi

Lulezim Basha: Me mua Partia Demokratike, gardiane e pakompromistë e interesit publik

July 3, 2013 by dgreca

Të dashur anëtarë dhe militantë të Partisë Demokratike! */
Zonja dhe zotërinj, mbështetës, simpatizantë dhe votues të Partisë Demokratike! /

Një javë me parë nga kjo foltore, Kryetari i Partisë Demokratike, Kryeministri Sali Berisha iu drejtua demokratëve dhe mbarë qytetarëve shqiptarë, me një mesazh të cilin jam i bindur që ju, ashtu si unë, kemi uruar me gjithë shpirt të kish qenë tjetër.
Këto kanë qenë ditë reflektimi të thellë për ne demokratët dhe gjithë mbështetësit tanë, anembanë vendit. Kam parë dhe prekur hidhërimin për humbjen, në sytë dhe duart e qindra mbështetësve tanë të palodhur. Kam dëgjuar dhe ndjerë tronditje, zhgënjim e madje edhe zemërim, për një rezultat të cilin askush prej nesh nuk e përfytyronte, vetëm pak ditë më parë.
Kam ndjerë po kështu, në shtrëngimin e çdo dore, vendosmërinë për t’u ringritur, kam lexuar në sytë tuaj forcën për t’u përballur me sfidat që na presin dhe kam dëgjuar nga zemrat tuaja, thirrjet për të nisur të gjithë së bashku, plot shpresë, besim dhe energji, një fillim të ri në rrugën drejt rikthimit si mazhorancë!
Sot, familja e madhe e demokratëve duhet të jetë më e bashkuar se kurrë. Tani është momenti që çdo anëtar i saj, çdo demokrat dhe demokrate, të jetë i gatshëm të japë kontributin e vet maksimal për këtë fillim të ri.
Pas një reflektimi të gjatë, pas mijëra mesazheve të anëtarëve dhe militantëve të Partisë Demokratike dhe pas një bisede me Kryeministrin Berisha, jam sot para jush për t’ju komunikuar një nga vendimet më të vështira dhe të kthjellta të jetës time, vendimin për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike.
Jam thellësisht i vetëdijshëm se sa përgjegjësi e madhe është të kandidosh për kreun e një partie që ka lindur nga lëvizja historike e dhjetorit 1990, të një partie që ka ndryshuar historinë e Shqipërisë së re, që është udhëhequr nga Sali Berisha, që ka patur në krye të saj që prej fillimit elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajos për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe demokratike, me gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, me gjithë popullin shqiptar.
Askush nuk e zëvendëson dot Sali Berishën, ai është lideri ynë historic dhe burim i pashtershëm force, energjie dhe krenarie për çdo demokrat. Ai është më shumë se një simbol, vetë ndërgjegja e Partisë Demokratike, por misioni i lirisë dhe Shqipërisë së zhvilluar evropiane nuk duhet të ndalojë për asnjë moment.
Detyra që na pret nuk është e lehtë, sfidat janë të mëdha, por gjatë gjithë rrugës tonë 23 vjeçare, ne kemi treguar se kemi qëndruar dhe nuk jemi tjetërsuar as në ditët më të errëta, kemi shpresuar dhe besuar, dhe nuk jemi tërhequr, kemi fituar dhe kemi arritur t’i kthejmë ëndrrat e shqiptarëve, në projekte dhe projektet në vepra.
Ndaj sot, i vetëdijshëm për trashëgiminë tonë të vyer, plot bindje në vlerat e të sotmes, ju ftoj të ecim së bashku drejt projektit të së ardhmes tonë, drejt fillimit të ri, projektit të ringritjes dhe fitores.
Në projektin tonë të fillimit të ri, Partia Demokratike duhet dhe do të mbështetet fort tek ju, anëtarët dhe militantët e saj të përkushtuar në vite. Burra dhe gra gjigantë në kontribute dhe sakrifica, modestë dhe të heshtur në kërkesa dhe përfitime. Për mua, në pikënisje dhe themel të fillimit tonë të ri, duhet dhe do të jetë ndjeshmëria absolute për zërin tuaj dhe përgjegjshmëria e lartë për ta dëgjuar, respektuar dhe kthyer atë në moto të veprimit tonë politik.
Partia Demokratike duhet dhe në pikëpamjen time do të ndërtojë nje sistem të qartë dhe transparent të meritës dhe kreditimit për kontributet e çdo anëtari. Kësaj duhet t’i paraprijë një analizë e drejtë, e vërtetë dhe me përgjegjësi, para dhe pas çdo procesi zgjedhor. Kjo kërkon evidentimin e plotë të gjithë potencialit tonë njerëzor, të të gjithë kontributit historik të anëtarësisë tonë në vite dhe angazhimin pa asnjë hezitim, pa asnjë pengesë të këtij potenciali i cili i vënë në punë me efiçencë, përbën një forcë të pathyeshme njerëzore, siç demonstrojnë edhe fushatat tona fituese.
Dhe në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri, unë do të mbeshtetem fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa e themeluesve, e Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, do të mbështetem tek përvoja e çmuar e dhjetëra drejtuesve të Partisë Demokratike sot dhe ndër vite, do të mbështetem tek lidershipi historik i Sali Berishës, që është një pasuri e paçmueshme për Partinë Demokratike dhe projektin tonë të fillimit të ri.
Partia Demokratike lindi si bartëse e aspiratave të çdo shqiptari për liri, demokraci dhe zhvillim. Lidhja e saj me qytetarët shqiptarë është një lidhje ndërsjelltasi e pagëzuar nga besimi i qytetarëve dhe premtimet e mbajtuara të saj. Unë besoj fort dhe do të punoj që Partia Demokratike, të vazhdojë të jetë Partia e zërit të qytetarëve shqiptarë, përfaqësuesja më e denjë e interesave të tyre.
Në vizionin tim, një vend të posaçëm duhet të ketë zëri i atyre që u përballën dhe sakrifikuan në vite, për të ruajtur të paprekur idealin e lirisë, demokracisë, dinjitetit njerëzor, besimit në Zot dhe paprekshmërinë e pronës dhe në veçanti Partia Demokratike e lindur nga ëndrrat e të rinjve shqiptarë do të vazhdojë të jetë përçuese e ëndrrave dhe dëshirave të të rinjve. Së bashku me ta, kemi fituar ngaherë. Së bashku me ta, do t’i japim krahë fitores tonë të ardhshme.

Ne do të ndërtojmë instrumentat dhe forumet e një komunikimi dhe bashkëpunimi të hapur dhe të përhershëm me shoqërinë civile, botën akademike, sipërmarrësit shqiptarë të biznesit të vogël dhe te mesëm dhe gjithë grupet e tjera te interesit. Në vizionin tim, kjo është një vlerë e shtuar dhe garanci për suksesin e projektit tonë të fillimit të ri.
Unë do të punoj fort që Partia Demokratike, grupi i saj parlamentar dhe gjithë potenciali i saj njerëzor të angazhohen në një opozitë të fortë, gardiane e pakompromistë e interesit publik. Ne do te vigjilojmë me vendosmëri dhe pa asnjë lëshim për mbrojtjen e shtetit ligjor, institucioneve dhe administratës publike nga arbitrariteti dhe abuzimi me pushtetin.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e aksionit tonë politik janë dhe përfaqësuesit tanë të zgjedhur të pushtetit vendor. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi me ta duhet dhe do të jetë një konstante e punës tonë dhe një levë e fuqishme e projektit tonë të ri politik.
Une do të përkushtohem për një bashkëpunim të hapur dhe të fuqishëm me të gjithë aleatët tanë si dhe me çdo faktor që është gati të kontribojë sot në opozitë. E djathta e bashkuar është, besoj unë, një vlerë jo vetëm për Partinë Demokratike por për interesin publik sot dhe për rikthimin tonë si mazhorancë nesër.
Trashëgimia politike e Partisë Demokratike është më e vyera që ndonjë forcë ka pasur në historinë e Shqipërisë. Pluralizmi, liria, demokracia, integrimi, shteti ligjor, investimet publike, infrastruktura, arsimi, rritja e mirëqënies dhe kujdesi për shtresat në nevojë janë disa nga fushë-betejat tona, ku kemi arritur kaq shumë në këto 23 vite. Do të mbrojmë arritjet tona dhe do të luftojmë në Parlament dhe me çdo mjet tjetër, për avancimin dhe përfundimin në afat të të gjitha projekteve që ne nisëm.
Mirëqënie përmes punësimit, punësim përmes investimeve, investime përmes një klime pozitive dhe më të favorshme, kjo është trashëgimia jonë. Do luftojmë me çdo mjet të ligjshëm, për të mbrojtur kuadrin ligjor që mundësoi kthimin e Shqipërisë në një vend konkurrues dhe me klimë të favorshme biznesi. Do të kontribojmë që projekti i gazsjellësit TAP, ky sukses historik i kryeministrit Berisha, i barabartë për nga impakti ekonomik dhe strategjik me një pavarësi të dytë të vendit, të nisë sa më parë nga zbatimi.
Partia Demokratike është partia e interesit kombëtar dhe vokacionit perëndimor të shqiptarëve, është partia që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës. U deshën 11 vjet për hapin tjetër. Dhe ishte përsëri Partia Demokratike që mundësoi Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit, reformat për ftesën dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe lëvizjen e lirë dhe me dinjitet të shqiptarëve në Evropë. Partia Demokratike bëri aplikimin për statusin kandidat në Bashkimin Evropian dhe përkundër luftës së paprinciptë politike të ish-opozitës, ia doli të meritonte rekomandimin e Komisionit Evropian. Pa hezituar të japim kontributin e opozitës, në procesin e reformave për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, Partia Demokratike do të angazhohet për marrjen e këtij statusi dhe hapjen e negociatave sot dhe do të jetë Partia Demokratike nesër në drejtim të vendit, që do ta finalizojë këtë proces që qëndron si një porosi dhe objektiv genetik i saj, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Unë do të vendos të gjithë arsenalin tim dhe të Partisë Demokratike, në dobi të thellimit të bashkëpunimit me simotrat tona evropiane dhe euro-atlantike. Zëri ynë duhet dhe do të dëgjohet kumbueshëm, me fakte dhe argumenta, në çdo kancelari të Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe në çdo zyrë të miqve dhe partnerëve tanë në Washington dhe mbështetja e miqve tanë nuk do të mungojë, jam i bindur, si gjatë përpjekjes tonë opozitare, ashtu dhe kur projekti ynë të kurorëzohet me rikthimin tonë si mazhorancë zyrtare.

Zonja dhe zotërinj, anëtarë të Partisë Demokratike, 

Qëllimi i parë garës së ardhshme për mua ështëtë dalim më të bashkuar dhe më të vendosur. Ndaj unë do të bëj cmos dhe kërkoj sot nga të gjithë ju vëllezër dhe motra të familjes tonë të madhe demokrate të angazhohemi, qëkjo gare te jete nje shembull iasaj qe ne demokratet dijmë te bejme me mire se kushdo tjeter.
Cdokush qe e sheh kete garë si nje mundësi per te goditur, përbaltur, dhe përcarë duhet që nga ky moment te llogarisë në kundërshtimin tim të fortë dhe të prerë. Negativizmi nuk ka vend ne kete garë.
Sepse ndonëse e rëndësishme, kjo garë nuk është qëllim në vetvete. Qëllimii madh është ringritja e Partisë Demokratike dhe fitorja e ardhshme. Në këtë sens kjo garëështë një mundësi e madhe dhe e bukur për gjithpërfshirje dhe bashkim forcash, mendjesh dhe zemrash.
Sot 8 vjet me pare Partia Demokratike e bashkuar dhe e ripëtërirë fitoi zgjedhjet, u rikthye me votë, dhe bëri realitet transformimin më të madh në historinë e vendit.
Vetëm 2 vjet më parë tëbashkuar dhe me kontributin e gjithsecilit ne fituam betejën për Tiranën.
Me këtë rast dua ti garantoj qytetaret e Tiranes se përkushtimi im per te përmbushur cdo detyrim ndaj tyre dhe cdo premtim te bërë nuk do te mungoje per asnjë cast.
Le ta nisim pra miqtë e mi, anëtarë të familjes tonë të madhe demokrate, përpjekjen tonë, projektin tonë për njëFillim të Ri. Dinjitozë dhe krenarëper arritjet historike qe mbajne vulën demokrate, te vetëdijshëm për sfidat e mëdha që na presin per te rifituar zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, të ndjeshëm dhe me përgjegjshmëri të madhe në leximin e gjykimit dhe pritshmërivetë bashkqytetarëve tanë, por të bashkuar si kurrë më parënë vendosmërinë tonë per ta rikthyer PartinëDemokratike nëudheheqje të projektit tonë historik, Shqipërisë së zhvilluar europiane.
Zoti na ndihmoftë! Zoti e bekoftë Shqiperinë dhe shqiptarët kudo që janë! 

  • Fjalimi i Lulzim Bashes ne shpalljen publike te kandidatures per kreun e Partise Demokratike

Filed Under: Kronike Tagged With: basha ne vater, Lulzim Basha, per kreun e PD, shpall kandidaturen

NË DITËLINDJEN E AMERIKËS

July 3, 2013 by dgreca

NGA AGIM NEZA/

4 Korriku është datëlindja e Amerikës! 237 vjet pavarësi dhe Amerika mbetet gjithmonë e re në shpirtin e saj demokratik. Kjo datë nuk lindi një komb të ri, por lindi parime të reja dhe këto parime u përfshinë në Deklaratën e Pavarësisë. Dita zyrtare e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara u bë 4 Korriku i vitit 1776, dita kur Kongresi Kontinental votoi për miratimin e Dokumentit të Pavarësisë. Në këtë dokument deklarohej se qeveritë kanë të drejtën të ekzistojnë vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit të tyre. Ata që u mblodhën për të shpallur pavarësinë e Amerikës nuk ishin emra të mëdhenj, por përfaqësonin idealin e madh të popullit të tyre.
Ajo që e bën të kujtohet çdo ditë këtë Deklaratë të Pavarësisë është fakti se aty thuhej se, të gjithë kanë lindur të barabartë, të gjithë janë pajisur me të drejtën e patjetërsueshme dhe fuqia e qeverisë buron nga pëlqimi i të qeverisurve. Asnjë progres dhe asnjë sukses nuk mund të arrihet as në ditët e sotme, nëse nuk mbështetet në parimet e lartpërmendura. Zbatimi i këtyre parimeve i ka bërë të suksesshme zhvillimin e institucioneve amerikane.
Më 4 Korrik populli amerikan feston 237-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ditë është një festë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Është dita kur amerikanët festojnë pavarësinë kudo që ata ndodhen. Të e gjithë festojnë këtë ditë për të kujtuar lirinë, për të mos harruar ata që dhanë jetën për lirinë e çdonjërit.
Kjo datë (4 Korriku) është e lidhur edhe me fatet e vendit tonë. Kjo datë është kushtrim shprese për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Pikërisht më 4 korrik 1917, Presidenti Wilson deklaronte: “Unë do të kem vetëm nji zë në Konferencën e Paqes në Paris, dhe këtë zë do ta përdor për të drejtat e Shqipërisë”. Ky mesazh i Presidentit Wilson krijoi shpresën tek shqiptarët se një aleat i madh si Amerika do të mbronte çështjen shqiptare. Ndërsa më 15 shkurt 1920, Presidenti Wilson deklaroi se “Qeveria amerikane kundërshton me fuqi çdo dëmtim në kurriz të Shqipërisë e në përfitim të Jugosllavisë”. Ai shkoi edhe më larg duke kërcënuar bashkëpunimin me europianët dhe tërheqjen nga Traktati i Paqes me Gjermaninë. Vetëm një ditë më vonë, Londra e Parisi u tërhoqën para presionit amerikan. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjes së Kombeve.
Në vitet në vazhdim, në rrugëtimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol të veçantë për vendin tonë në konsolidimin e demokracisë, në anëtarësimin në NATO dhe në mbështetjen që u ka dhënë shqiptarëve të Kosovës për pavarësinë e saj.
Kësisoj, kjo festë është në memorien e shqiptarëve edhe për faktin se marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë janë të shkëlqyera, niveli i bashkëpunimit dhe miqësisë që përjeton populli shqiptar për Amerikën dhe popullin amerikan vështirë se haset diku tjetër. Gjatë këtyre viteve të demokracisë, të gjitha qeveritë shqiptare kanë pasur dhe kanë një admirim të madh për Shtetet e Bashkuara, duke u angazhuar për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Gjatë këtyre viteve, SHBA ka qenë aleati ynë strategjik. Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën politike, ekonomike, të sigurisë e të mbrojtjes, si dhe luftës kundër terrorizmit. Ky bashkëpunim ka qenë një mbështetje e vazhdueshme për reformat dhe stabilitetin e vendit tonë.
Në këtë kuadër festa e Amerikës është festë edhe për shqiptarët. Amerika nuk e feston këtë festë me parade tankesh, avionësh luftarakë apo me hapin rreshtor të ushtarakëve… Amerikanët dhe shqiptaro-amerikanët në SHBA festojnë çdo 4 Korrik triumfin e pavarësisë, triumfin e demokracisë, historinë, qeverisjen, traditat e SHBA, me fjalime politike, parada, fishekzjarrë, karnavale, koncerte, piknikë, lojëra bejsbolli, pritje në ambasada, etj.
Në thelb çdo përvjetor ka skicimin e së ardhmes për një jetë më të mirë për çdo amerikan. Forca e vërtetë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk vjen as nga shkalla e pasurisë dhe as nga forca e armëve, por nga fuqia e idealeve të amerikanëve, që nënkuptojnë demokracinë, lirinë dhe shpresën për ta pasur Amerikën gjithmonë të papërkulur dhe të suksesshme.
Askush më shumë se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka kontribuuar për të ndihmuar demokracinë të triumfojë si sistem universal. SHBA kanë qenë dhe mbeten mbështetëse për të triumfuar ndaj përvojave të hidhura të të gjitha atyre vendeve që përjetuan fashizmin, nazizmin, diktaturën komuniste, regjimet ushtarake dhe qeveritë diktatoriale. Mbështetja e SHBA ndikoi që dëshira e zjarrtë e popujve për liri të rritej dhe në sajë të kësaj mbështetjeje popujt vazhduan të marshonin të sigurt drejt fitores së demokracisë. Dy parime themelore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë e mbeten aktuale; mbështetja në drejtësi dhe vetëvendosja për të gjitha kombet, të mëdha e të vogla.
Në këtë 237-vjetor të SHBA duhet të kujtojmë dhe vlerësojmë rolin dhe kontributin e të gjithë ambasadorëve shqiptarë dhe ambasadorëve të SHBA për forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve midis shteteve tona. Të tillë janë ambasadorët dhe konsujt shqiptarë në Washington dhe New York në Organizatën e Kombeve të Bashkuara; Kostandin Cekrezi (ambasador, 1921-1922), Koço Tashko (konsull në New York,1922-1924, Mehdi Frashëri (ambasador në OKB, 1926-1929), Faik Konica (ambasador,1926-1939), Roland Bimo (ambasador, 1992-1993), Lublin Dilja (ambasador, 1994-1997), Petrit Bushati (ambasador, 1997-2001), Fatos Tarifa (ambasador 2001-2005), Agim Nesho (ambasador në OKB, 2001-2005), Ferit Hoxha, (ambasador në OKB), Aleksander Sallabonda (ambasador, 2005-2009), Gilbert Galanxhi (ambasador 2009 në vazhdim).
Kontributi i çmuar i ambasadorëve amerikanë të akredituar në Tiranë: Ulysses Grant-Smith, emëruar më 22 shtator, 1922; C. Hart, emëruar më 27 maj, 1925; Herman Bernstein, emëruar më 17 shkurt, 1930; Post Wheeler, emëruar më 26 gusht, 1933; Hugh G. Grant, emëruar më 9 gusht, 1935 dhe e përfundoi misionin kur forcat italiane pushtuan Tiranën më 7 prill 1939;
Christofor Hill, i ngarkuar me punë, 15 mars 1991; William E. Ryerson (2 dhjetor 1991- 13 tetor 1994); Joseph E. Lake (5 korrik 1994 – 15 mars 1996); Marisa R. Lino (2 korrik 1996 – 20 maj 1999); Joseph Limprecht (7 korrik 1999 – 19 maj 2002); James F. Jeffrey (3 tetor 2002 – maj 2004); Marcie B. Ries (18 tetor 2004 – 30 tetor 2004); John L. Withers II (28 qershor 2007 – 2010); Alexander Armando Arvizu (10 nëntor 2010- korrik 2013).
SHBA, nëpërmjet ambasadorëve të tyre të akredituar në vendin tonë kanë dhënë një kontribut të veçantë dhe kanë inkurajuar marrëdhëniet bashkëpunuese të Shqipërisë me të gjitha vendet e rajonit në dobi të paqes, stabilitetit dhe progresit të vazhdueshëm në drejtim të reformave.
Sot, SHBA kanë një vizion dhe strategji për një botë më të mirë. Strategjia e SHBA është një strategji partneritetesh që afirmon rolin jetësor që kanë NATO dhe aleanca të tjera që kanë SHBA, duke përfshirë edhe OKB-në. Kjo strategji është e rrënjosur në promovimin e lirisë dhe dinjitetit në të gjithë botën, që ka të bëjë me shtetin ligjor, lirinë e fjalës, lirinë e fesë, tolerancën fetare dhe etnike, të drejtat dhe respektin për gratë dhe respektin për pronën private etj.
Në këtë 237-përvjetor të Pavarësisë së Amerikës, të gjithë i bashkon fort shpresa e përbashkët se mund ta bëjnë botën një vend më të mirë për brezin e tanishëm dhe ata të ardhshëm. E këtë mund ta bëjmë edhe ne shqiptarët.
Megjithëse kanë kaluar 237 vjet, demokracia amerikane ka qenë dhe mbetet e suksesshme për faktin se drejtuesit e politikës amerikane, pavarësisht sukseseve që kanë arritur në standardin e jetesës dhe zhvillimin ekonomik, ata janë realistë dhe përgjegjësia e tyre nënkupton për të bërë më të mirën për vendin dhe qytetarin.
E ndoshta, edhe në këtë drejtim amerikanët kanë një “sekret” dhe ky sekret është ajo që thotë ish-Sekretari i Shtetit të SHBA, Kolin Paull se: “Politika nuk ka pse të jetë gjithmonë një garë ku fitorja e dikujt është patjetër humbje e dikujt tjetër.”
SHBA kanë promovuar dhe promovojnë dinjitetin njerëzor dhe demokracinë jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë, me qëllimin që paqja të ruhet, të mbrohet dhe të zgjerohet.
Në këtë ditë feste, eksperienca amerikane tregon se: “Demokracia lulëzon atëherë kur për të kujdesen qytetarë që janë të gatshëm që me lirinë e fituar me sakrifica, të marrin pjesë në jetën shoqërore duke shprehur mendimet e tyre në debate; duke zgjedhur përfaqësues që e kanë treguar veten të denjë me veprimet e tyre dhe duke pranuar nevojën e tolerancës dhe të kompromisit në jetën shtetërore…”.
Gëzuar festen e Amerikës! Zemra e vërtet e Qeverisë amerikane mbështetet në zemrën e popullit. Duke u mbështetur në zemrën e popullit mund të jesh i suksesshëm në çdo reformë.
Në këtë ditë të shënuar për pavarësinë dhe demokracinë amerikane, shpresoj dhe besoj, se pas këtyre zgjedhjeve të standardeve më të mira se çdo herë tjetër, e gjithë klasa politike shqiptare do të reflektojë për t’i bërë gjërat më mirë për qytetarin shqiptar dhe vendin tonë.

Filed Under: Editorial Tagged With: Agim Neza, Ne ditelindjen e Amerikes

FOLKLORIZMI QE PENGON ASPIRATEN KOMBETARE

July 3, 2013 by dgreca

Idetë për « Shqipërinë e Madhe», « Shqipërinë Etnike» dhe « Shqipërinë Natyrale » , pengesa serioze për realizimin e aspiratave për bashkim kombëtar!/

Shkruan: Bardhyl Mahmuti/

 Reagimi im i datës 23 qershor 2013 i titulluar “Ideja e « Shqipërisë Natyrale » – konstruksion  « artificial» në funksion të manipulimit politik!” që ishte reagim ndaj shkrimit të Koço Danajt  të titulluar “Nuk do të ketë  «Shqipëri të Madhe» por do të ketë « Shqipërisë Natyrale » hasi në reagime të disa mbështetësve të  « Shqipërisë Natyrale » dhe të ithtarëve të « Shqipërisë Etnike».

Duke lexuar reagimet e tyre ndaj shkrimit tim fitohet përshtypja se ata ose nuk e kanë lexuar shkrimin tim ose nuk posedojnë kapacitetet e nevojshme teorike për të kuptuar një tekst të fushës së politologjisë. Shumica e atyre që nuk pajtohen me qasjen time përsërisin sintezën e  shkrimit të autores Vera Dushi, e cila  “ më rikujton se ideja e Shqipërisë Etnike është objektiv i programit gjithëkombëtar të Lidhjes së Prizrenit, që ka vazhduar edhe pas shthurjes së saj në shumë programe të lëvizjeve kombëtare, edhe gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, duke filluar nga LNDSH-ja deri të Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH), tani Fronti Demokratik të Bashkimit Kombëtar (FDBK)”! ((http://www.albaniapress.com)

Që në fillim po theksoj se qëllim i këtij shkrimi nuk është të polemizoj me autor të njohur apo anonim por të shtroj argumentet, që sipas mendimit tim, mund t’i hyjnë në punë  veprimtarëve politik në realizimin e aspiratave tona kombëtare!
Trajtimi i termit “etni-etnik” paraqitet si domosdoshmëri për të kuptuar paqëndrueshmërinë e atyre që pretendojnë se “ideja e Shqipërisë Etnike është objektiv i programit gjithëkombëtar që nga Lidhja Shqiptare Prizrenit e deri më sot” dhe qartësimin e këtij nocioni teorik mund të na ndihmojë të jemi koherent ne mbështetje të kërkesave tona të ligjshme.

Etimologjia e termi “etnik” rrjedh nga greqishtja e vjetër (ἔθνος / ethnos ) që emërtonte një grupim njerëzish me institucione të përcaktuara keq, që ekzistonin para “polisit grek” dhe që konsideroheshin më inferior se organizimi politik i «Qytetit-shtet», si bashkësi me zakone dhe ligje të përcaktuara qartë.

Kështu, “etnitë” konsideroheshin popullsi jashtë «Qytetit-shtet» , qofshin grek të pa civilizuar, qofshin barbarë! (Annamaria Rivera, « Ethnie-ethnicité », në veprën e  René Gallissot, Mondher Kilani, Annamaria Rivera, L’imbroglio ethnique, Botimi Payot, Lausanne, 2000, f.101-102). Ky term me konotacion negativ  do të riaktualizohet për herë të parë në vitin 1854 nga Joseph Arthour Gobineau në veprën e tij « Essai sur l’inégalités des races » (Ese për pabarazitë e racave) dhe në këtë vepër ky term ka kuptimin e « racës  njerëzore». Ndërsa, ky term do të gjejë përdorim më të shpeshtë pas botimit të veprës së Vacher de la Pourge « Les sélections sociales » (Selekcionimi shoqëror) i vitit 1896.

Në këtë vepër « etnia » merr kuptimin e “fraksioneve të një popullsie homogjene për nga raca, që bashkëjetojnë me te dhe që përfundojnë të asimilohen si në aspektin gjuhësor ashtu edhe në atë kulturor” (Vepra e cituar f.102). Me një fjalë, të dy definicionet e nocionit “etni” ngërthejnë kuptimin e grupeve shoqërore pa struktura politike të përcaktuara qartë!

Më vonë, sidomos gjatë periudhës së krijimit të shteteve kombëtare, termi “grup etnik” do të përdoret për të dalluar kombet “e civilizuara” me struktura shtetërore nga popujt pa shtet dhe pa organizim politik.

Aspirata politike e përpiluar në kohën e krijimit të shteteve në Ballkanin Perëndimor dhe e shtruar në Programin Politik të Lidhjes së Prizrenit është aspiratë e bashkimit të territoreve të ndara në katër vilajete administrative të Perandorisë Otomane në një shtet të pavarur. T’i  vishet ideja e « Shqipërisë Etnike»  programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pra t’i vishet një terminologjie jo adekuate dhe që nuk përdorej në atë kohë, është rezultat i mosnjohjes ose përpjekje e manipulimit.

E drejta e popujve për vetëvendosje është një ndër parimet e të drejtës ndërkombëtare mbi bazën e të cilës janë mbështetur aspiratat e popujve që të jetojnë të lirë e të pavarur dhe të jenë sovran në territorin e vet për të përcaktuar format dhe modalitetet e regjimeve politike. Po e theksoj për ata që nuk duan të kuptojnë: parim i të drejtës ndërkombëtare është e drejta e popujve për vetëvendosje jo e drejta e etnive për vetëvendosje! Përkundër kësaj të drejte  të normativizuar në të drejtën ndërkombëtare realizimi praktik kërkon mobilizim të gjithanshëm dhe mbështetje të fuqishme. Kush ka nevojë të koklavitë kërkesat tona duke i shtuar atribute që nuk kanë as bazë shkencore e as përkrahje politike?

Atyre që në akuzat kundër meje interpretojnë shkrimin tim “si përpjekje për të ndalur procesin e ribashkimit të kombit shqiptar në një shtet të vetëm kombëtar!” u them se bashkimi kombëtar nuk ka nevojë për atributet “ e mëdha”, “etnike” dhe “natyrale”  por ka nevojë për  veprime të koordinuara dhe të gjithanshme për ndryshimin e raportit të forcave për t’i dhënë forcën e nevojshme kërkesave tona legjitime!

T’i shtosh atributet: «  e madhe», «  etnike» dhe « natyrale »  kërkesës legjitime të shqiptarëve që të jetojnë në një shtet të bashkuar nuk e ndihmon realizimin e aspiratave tona shekullore. Përkundrazi, në këtë mënyrë u bëhet shërbim qarqeve që nuk ia duan të mirën shqiptarëve.

4 korrik 2013

Filed Under: Komente Tagged With: Bardhyl Mahmuti, folklorizmi, ne bashkimin Kombetar

Pse asnjëherë nuk bëhen publike të dhënat statistikore në Maqedoni?

July 3, 2013 by dgreca

Debat publik i SHSHA-së në Çikago lidhur me aktivitetin e Entit Shtetëror të Statistikave/

Shkruan: Skënder Karaçica/ Çikago/

Është e vërtetë se institucioni i Entit Shtetëror të Statistikave(ESHS)në Shkup ka qenë i mbyllur për opinion dhe asnjëherë nuk i pati bërë publike të dhënat relevante të indexit përkitazi me ecuritë ekonomike,të politikës së investimeve,të planit të buxhetit,të ekonomive familjare dhe të resurseve tjera zhvillimore në këtë vend.Me këto të dhëna e nis këtë debat SHSHA-ja në Çikago me drejtoreshën e ESHS-së Bllagica Novkovska,e cila në një prononcim të saj pati thënë me gjysëm të zërit,,janë të punësuar shqiptarë në pajtim me Ligjin për administratën publike,,!Dhe përseri e lë në dilemë qasjen tonë se a ka vërtetë shqiptarë të punësuar në këtë institucion shtetërorë me bagazh profesional (ekonomistë,jurist dhe inxhinerë të informatikës dhe të përpunimit të të dhënave nga fushat gjegjëse të statisitikave.Dihet se ndër vite në këtë institucion shtetëtor nuk pati të punësuar asnjë shqiptar dhe të dhënat statisitkore mbetën në dryrin e kohës politike,që ato më shumë janë kalkuluar për manipulimet e mundshme për çështjen e popullit shqiptar karshi me opinionin ndërkombëtar.
Në këtë debat publik SHSHA-ja ia përkujton drejtoreshës Novkovska se viteve të fundit hiq pa të dhënat statistikore jemi në dijeni për lëvizjet e reja të indexit sidomos në politikën e investimeve ekonomike përmes investitorëve të huaj që përmes kapitalit të tyre ekonomik po afrojnë mundësitë për një zhvillim dhe përsepktivë të  zbutjes së problemit të papunësisë.Mirëpo,në ecuritë e politikës së investimeve ekonomike me investitorët e huaj kemi të dhëna që qendrueshme se ato po shkojnë përmes(projekteve)më shumë me kahe të politikës aktuale të N.Gruevskit në pjesën lindore ku jetojnë shumica e popullit maqedinas për të lënë pas shpine pjesën përendimore me shumicë shqiptare(!).Për të dëshmuar indexin e këtyre investimeve ekonomike po përmendim rastin e investitorëve potencial nga Turqia e kapitali i të cilëve ka shkuar në vijat e ndarjes etnike vetëm për popullin maqedonas.Përkitazi me këto projekte të anashkalimit të pjesës shqiptare,SHSHA-ja e pati bër me dije edhe Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Turqisë me seli në Çikago,i cili me të dëgjuar për këto të dhëna mori përgjegjësinë që të njohtoj mekanizmat përgjegjës të qeverisë së kryeministrit Rexhep Ordogan në Ankara.
Prandaj për të parë me sy realitetin në këtë institucion (ESHS-së)do ishte mirë që edhe deputet shqiptarë në Paralementin e Maqedonisë të kërkojnë që të dhënat statistikore për vitet 2000-2013 të bëhen publike me të gjitha të dhënat e indexit paraprak dhe ato të bëhen pjesë e debateve publike me tonet sa më demokratike dhe kombëtare.Ka ardhur koha që çështjet aktuale politike,ekonomike dhe të vijave tjera të aktiviteteve të institucioneve shtetërore në Maqedoni,populli shqiptar duhet të participojë të drejtën e vet legjitime(pa ligjet e shkuara kushtetuese)dhe të flasë pa mbulojën e përdës politike të ,,ligjeve,,të kaulicioneve ,,kështu ka thanë shteti,,(!)që të bëhen subjekt i barabart me të tjerët për të sendertuar kahet e reja të vlerave të demokracisë,të lirisë dhe të mirëqnies tevona në integrimet në Europën e bashkuar.Kejt në këtë rrafsh politik përgjejgësinë historike dhe kombëtare e mbajnë të gjitha subjektët politike shqiptare në Maqedoni që nuk po flasin më zëshëm para dyerve të institucioneve relevante shtetërore aty ku i ka sjell koha dhe vota e verdiktit të popullit,thuhet në fund të këtij debati të SHSHA-së në Çikago.

Filed Under: Komente Tagged With: nuk behen, pse asnjehere, publike te dhenat, Skender Karacica, statistikore, te Maqedonise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT