Të dashur anëtarë dhe militantë të Partisë Demokratike! */
Zonja dhe zotërinj, mbështetës, simpatizantë dhe votues të Partisë Demokratike! /
Një javë me parë nga kjo foltore, Kryetari i Partisë Demokratike, Kryeministri Sali Berisha iu drejtua demokratëve dhe mbarë qytetarëve shqiptarë, me një mesazh të cilin jam i bindur që ju, ashtu si unë, kemi uruar me gjithë shpirt të kish qenë tjetër.
Këto kanë qenë ditë reflektimi të thellë për ne demokratët dhe gjithë mbështetësit tanë, anembanë vendit. Kam parë dhe prekur hidhërimin për humbjen, në sytë dhe duart e qindra mbështetësve tanë të palodhur. Kam dëgjuar dhe ndjerë tronditje, zhgënjim e madje edhe zemërim, për një rezultat të cilin askush prej nesh nuk e përfytyronte, vetëm pak ditë më parë.
Kam ndjerë po kështu, në shtrëngimin e çdo dore, vendosmërinë për t’u ringritur, kam lexuar në sytë tuaj forcën për t’u përballur me sfidat që na presin dhe kam dëgjuar nga zemrat tuaja, thirrjet për të nisur të gjithë së bashku, plot shpresë, besim dhe energji, një fillim të ri në rrugën drejt rikthimit si mazhorancë!
Sot, familja e madhe e demokratëve duhet të jetë më e bashkuar se kurrë. Tani është momenti që çdo anëtar i saj, çdo demokrat dhe demokrate, të jetë i gatshëm të japë kontributin e vet maksimal për këtë fillim të ri.
Pas një reflektimi të gjatë, pas mijëra mesazheve të anëtarëve dhe militantëve të Partisë Demokratike dhe pas një bisede me Kryeministrin Berisha, jam sot para jush për t’ju komunikuar një nga vendimet më të vështira dhe të kthjellta të jetës time, vendimin për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike.
Jam thellësisht i vetëdijshëm se sa përgjegjësi e madhe është të kandidosh për kreun e një partie që ka lindur nga lëvizja historike e dhjetorit 1990, të një partie që ka ndryshuar historinë e Shqipërisë së re, që është udhëhequr nga Sali Berisha, që ka patur në krye të saj që prej fillimit elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajos për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe demokratike, me gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, me gjithë popullin shqiptar.
Askush nuk e zëvendëson dot Sali Berishën, ai është lideri ynë historic dhe burim i pashtershëm force, energjie dhe krenarie për çdo demokrat. Ai është më shumë se një simbol, vetë ndërgjegja e Partisë Demokratike, por misioni i lirisë dhe Shqipërisë së zhvilluar evropiane nuk duhet të ndalojë për asnjë moment.
Detyra që na pret nuk është e lehtë, sfidat janë të mëdha, por gjatë gjithë rrugës tonë 23 vjeçare, ne kemi treguar se kemi qëndruar dhe nuk jemi tjetërsuar as në ditët më të errëta, kemi shpresuar dhe besuar, dhe nuk jemi tërhequr, kemi fituar dhe kemi arritur t’i kthejmë ëndrrat e shqiptarëve, në projekte dhe projektet në vepra.
Ndaj sot, i vetëdijshëm për trashëgiminë tonë të vyer, plot bindje në vlerat e të sotmes, ju ftoj të ecim së bashku drejt projektit të së ardhmes tonë, drejt fillimit të ri, projektit të ringritjes dhe fitores.
Në projektin tonë të fillimit të ri, Partia Demokratike duhet dhe do të mbështetet fort tek ju, anëtarët dhe militantët e saj të përkushtuar në vite. Burra dhe gra gjigantë në kontribute dhe sakrifica, modestë dhe të heshtur në kërkesa dhe përfitime. Për mua, në pikënisje dhe themel të fillimit tonë të ri, duhet dhe do të jetë ndjeshmëria absolute për zërin tuaj dhe përgjegjshmëria e lartë për ta dëgjuar, respektuar dhe kthyer atë në moto të veprimit tonë politik.
Partia Demokratike duhet dhe në pikëpamjen time do të ndërtojë nje sistem të qartë dhe transparent të meritës dhe kreditimit për kontributet e çdo anëtari. Kësaj duhet t’i paraprijë një analizë e drejtë, e vërtetë dhe me përgjegjësi, para dhe pas çdo procesi zgjedhor. Kjo kërkon evidentimin e plotë të gjithë potencialit tonë njerëzor, të të gjithë kontributit historik të anëtarësisë tonë në vite dhe angazhimin pa asnjë hezitim, pa asnjë pengesë të këtij potenciali i cili i vënë në punë me efiçencë, përbën një forcë të pathyeshme njerëzore, siç demonstrojnë edhe fushatat tona fituese.
Dhe në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri, unë do të mbeshtetem fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa e themeluesve, e Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, do të mbështetem tek përvoja e çmuar e dhjetëra drejtuesve të Partisë Demokratike sot dhe ndër vite, do të mbështetem tek lidershipi historik i Sali Berishës, që është një pasuri e paçmueshme për Partinë Demokratike dhe projektin tonë të fillimit të ri.
Partia Demokratike lindi si bartëse e aspiratave të çdo shqiptari për liri, demokraci dhe zhvillim. Lidhja e saj me qytetarët shqiptarë është një lidhje ndërsjelltasi e pagëzuar nga besimi i qytetarëve dhe premtimet e mbajtuara të saj. Unë besoj fort dhe do të punoj që Partia Demokratike, të vazhdojë të jetë Partia e zërit të qytetarëve shqiptarë, përfaqësuesja më e denjë e interesave të tyre.
Në vizionin tim, një vend të posaçëm duhet të ketë zëri i atyre që u përballën dhe sakrifikuan në vite, për të ruajtur të paprekur idealin e lirisë, demokracisë, dinjitetit njerëzor, besimit në Zot dhe paprekshmërinë e pronës dhe në veçanti Partia Demokratike e lindur nga ëndrrat e të rinjve shqiptarë do të vazhdojë të jetë përçuese e ëndrrave dhe dëshirave të të rinjve. Së bashku me ta, kemi fituar ngaherë. Së bashku me ta, do t’i japim krahë fitores tonë të ardhshme.
Ne do të ndërtojmë instrumentat dhe forumet e një komunikimi dhe bashkëpunimi të hapur dhe të përhershëm me shoqërinë civile, botën akademike, sipërmarrësit shqiptarë të biznesit të vogël dhe te mesëm dhe gjithë grupet e tjera te interesit. Në vizionin tim, kjo është një vlerë e shtuar dhe garanci për suksesin e projektit tonë të fillimit të ri.
Unë do të punoj fort që Partia Demokratike, grupi i saj parlamentar dhe gjithë potenciali i saj njerëzor të angazhohen në një opozitë të fortë, gardiane e pakompromistë e interesit publik. Ne do te vigjilojmë me vendosmëri dhe pa asnjë lëshim për mbrojtjen e shtetit ligjor, institucioneve dhe administratës publike nga arbitrariteti dhe abuzimi me pushtetin.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e aksionit tonë politik janë dhe përfaqësuesit tanë të zgjedhur të pushtetit vendor. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi me ta duhet dhe do të jetë një konstante e punës tonë dhe një levë e fuqishme e projektit tonë të ri politik.
Une do të përkushtohem për një bashkëpunim të hapur dhe të fuqishëm me të gjithë aleatët tanë si dhe me çdo faktor që është gati të kontribojë sot në opozitë. E djathta e bashkuar është, besoj unë, një vlerë jo vetëm për Partinë Demokratike por për interesin publik sot dhe për rikthimin tonë si mazhorancë nesër.
Trashëgimia politike e Partisë Demokratike është më e vyera që ndonjë forcë ka pasur në historinë e Shqipërisë. Pluralizmi, liria, demokracia, integrimi, shteti ligjor, investimet publike, infrastruktura, arsimi, rritja e mirëqënies dhe kujdesi për shtresat në nevojë janë disa nga fushë-betejat tona, ku kemi arritur kaq shumë në këto 23 vite. Do të mbrojmë arritjet tona dhe do të luftojmë në Parlament dhe me çdo mjet tjetër, për avancimin dhe përfundimin në afat të të gjitha projekteve që ne nisëm.
Mirëqënie përmes punësimit, punësim përmes investimeve, investime përmes një klime pozitive dhe më të favorshme, kjo është trashëgimia jonë. Do luftojmë me çdo mjet të ligjshëm, për të mbrojtur kuadrin ligjor që mundësoi kthimin e Shqipërisë në një vend konkurrues dhe me klimë të favorshme biznesi. Do të kontribojmë që projekti i gazsjellësit TAP, ky sukses historik i kryeministrit Berisha, i barabartë për nga impakti ekonomik dhe strategjik me një pavarësi të dytë të vendit, të nisë sa më parë nga zbatimi.
Partia Demokratike është partia e interesit kombëtar dhe vokacionit perëndimor të shqiptarëve, është partia që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës. U deshën 11 vjet për hapin tjetër. Dhe ishte përsëri Partia Demokratike që mundësoi Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit, reformat për ftesën dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe lëvizjen e lirë dhe me dinjitet të shqiptarëve në Evropë. Partia Demokratike bëri aplikimin për statusin kandidat në Bashkimin Evropian dhe përkundër luftës së paprinciptë politike të ish-opozitës, ia doli të meritonte rekomandimin e Komisionit Evropian. Pa hezituar të japim kontributin e opozitës, në procesin e reformave për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, Partia Demokratike do të angazhohet për marrjen e këtij statusi dhe hapjen e negociatave sot dhe do të jetë Partia Demokratike nesër në drejtim të vendit, që do ta finalizojë këtë proces që qëndron si një porosi dhe objektiv genetik i saj, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Unë do të vendos të gjithë arsenalin tim dhe të Partisë Demokratike, në dobi të thellimit të bashkëpunimit me simotrat tona evropiane dhe euro-atlantike. Zëri ynë duhet dhe do të dëgjohet kumbueshëm, me fakte dhe argumenta, në çdo kancelari të Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe në çdo zyrë të miqve dhe partnerëve tanë në Washington dhe mbështetja e miqve tanë nuk do të mungojë, jam i bindur, si gjatë përpjekjes tonë opozitare, ashtu dhe kur projekti ynë të kurorëzohet me rikthimin tonë si mazhorancë zyrtare.
Zonja dhe zotërinj, anëtarë të Partisë Demokratike,
Qëllimi i parë garës së ardhshme për mua ështëtë dalim më të bashkuar dhe më të vendosur. Ndaj unë do të bëj cmos dhe kërkoj sot nga të gjithë ju vëllezër dhe motra të familjes tonë të madhe demokrate të angazhohemi, qëkjo gare te jete nje shembull iasaj qe ne demokratet dijmë te bejme me mire se kushdo tjeter.
Cdokush qe e sheh kete garë si nje mundësi per te goditur, përbaltur, dhe përcarë duhet që nga ky moment te llogarisë në kundërshtimin tim të fortë dhe të prerë. Negativizmi nuk ka vend ne kete garë.
Sepse ndonëse e rëndësishme, kjo garë nuk është qëllim në vetvete. Qëllimii madh është ringritja e Partisë Demokratike dhe fitorja e ardhshme. Në këtë sens kjo garëështë një mundësi e madhe dhe e bukur për gjithpërfshirje dhe bashkim forcash, mendjesh dhe zemrash.
Sot 8 vjet me pare Partia Demokratike e bashkuar dhe e ripëtërirë fitoi zgjedhjet, u rikthye me votë, dhe bëri realitet transformimin më të madh në historinë e vendit.
Vetëm 2 vjet më parë tëbashkuar dhe me kontributin e gjithsecilit ne fituam betejën për Tiranën.
Me këtë rast dua ti garantoj qytetaret e Tiranes se përkushtimi im per te përmbushur cdo detyrim ndaj tyre dhe cdo premtim te bërë nuk do te mungoje per asnjë cast.
Le ta nisim pra miqtë e mi, anëtarë të familjes tonë të madhe demokrate, përpjekjen tonë, projektin tonë për njëFillim të Ri. Dinjitozë dhe krenarëper arritjet historike qe mbajne vulën demokrate, te vetëdijshëm për sfidat e mëdha që na presin per te rifituar zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, të ndjeshëm dhe me përgjegjshmëri të madhe në leximin e gjykimit dhe pritshmërivetë bashkqytetarëve tanë, por të bashkuar si kurrë më parënë vendosmërinë tonë per ta rikthyer PartinëDemokratike nëudheheqje të projektit tonë historik, Shqipërisë së zhvilluar europiane.
Zoti na ndihmoftë! Zoti e bekoftë Shqiperinë dhe shqiptarët kudo që janë!
- Fjalimi i Lulzim Bashes ne shpalljen publike te kandidatures per kreun e Partise Demokratike