• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

ELBASANI NDEROI POETIN, QYTETARIN E VET TE NDERIT, MILIANOV KALLUPI

July 26, 2013 by dgreca

Elbasani nderoi poetin e vet, Milianov Kallupi, i cili nderroi jete te merkuren me 24 korrik. Qyteti i tij, qe i pat dhene titullin”Qytetar Nderi”, e percolli me nderime mjeshtrin e vargut. Ne nekrologjine percjellse koleget shkruan:Diten e mërkurë, më datë 24 korrik, mbylli sytë miku ynë, poeti, gazetari e botuesi Milianov Sofokli Kallupi, militant i shquar i kulturës së rrethit tonë e më gjerë.

Milianovi u lind më 18 janar 1948. Ai mbaroi Akademinë Ushtarake, Universitetin e Tiranës për gjuhë e letërsi, Universitetin e Elbasanit “A.Xhuvani” në degën histori-­gjeografi.

Mbi 40 vjet u mor me krijimtari letrare, me poezi dhe ka fituar mjaft çmime lokale e kombëtare e përtej, si: në Elbasan, Tiranë, Sarandë, Korçë, Rumani, Maqedoni etj.

Në vitet 1983-­1995 ka punuar gazetar në gazetat “Luftëtari” dhe “Fjala e lirë”.

Në vitin 1995 themeloi shtëpinë botuese “Egnatia” dhe deri në vitin 2010 ka qenë drejtues i saj. Synimi themelor i kësaj shtëpie botuese ka qenë nxitja, përkrahja dhe inkurajimi i talenteve të reja, të cilën e ka realizuar me sukses, duke botuar mbi 150 tituj librash.

Qe kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi”. Si rrjedhojë e punës së tij aktive të përhershme e me përkushtim, ka bërë të mundur që kjo shoqatë të jetë gjithmonë e ngritur e të funksionojë realisht, duke evidentuar dhe vlerësuar krijimtarinë e mirëfilltë letrare të krijuesve elbasanas e më gjerë

Me iniciativën e tij, në vitin 2000 në Elbasan krijohet Klub­Haiku Shqiptar, shoqatë poetësh, të cilën e drejtoi me sukses. Ky Klub ka krijuar lidhje me Klub­Haikun Botëror me qendër në Tokio, si dhe me Klubet e Haikut në Ballkan e në Europë. Klub­Haiku Shqiptar nxorri periodikisht revistën “Haiku”, drejtor i së cilës qe vetë Milianovi.

Për të rritur ka botuar 27 libra me poezi dhe 28 libra me haiku.

Krahas kësaj krijimtarie dhe punës së veçantë krijuese, Milianovi qe bërë i njohur edhe si krijues në letërsinë për fëmijë, duke botuar 10 libra për moshën e njomë.

Për krijimtarinë poetike të poetit Milianov Kallupi  kanë shkruar mjaft kritikë dhe analistë të njohur, të cilët kanë vlerësuar me të drejtë punën e tij të vazhdueshme krijuese, si dhe punën organizative për zhvillimin e veprimtarive promovuese e letrare.

Milianov Kallupi renditet në leksikonë, enciklopedi dhe antologji të ndryshme të botuara në Shqiperi, Kosovë, Kroaci, Maqedoni, Greqi, Japoni dhe së fundmi në antologjinë “Letrat moderne shqipe” në gjuhën italiane. I është dhënë titulli “Qytetar i Nderuar” nga Bashkia e qytetit të Elbasanit.

Ky poet është përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, greqisht, maqedonisht, kroatisht, rumanisht, italisht.

Miku ynë i shtrenjtë e i paharruar Milianov, të qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë!

Astrit Bishqemi, Mujë Bucpapaj, Fatmir Musai, Musa Vyshka, Bahri Myftari, Pandeli Koçi, Roland Lushi, Beatriçe Balliçi, Shefki Karadaku, Dhimo Tarusha, Ilir Mborja, Xhemal Lufta, Agim Bajrami, Elisabeta Myftari, Ahmet Mehmeti, Lida Lazaj, Nasuf Myftari, Bardhy Ajazi, Çlirim Gega, Vehap Xhindoli, Shpëtim Haxhihyseni, Mihal Disha, Nazmi Seitaj, Flamur Luta, Ferit Rama, Stavri Çipi, Bardhyl Toda, Alfred Molloholli.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Elbasani nderoi, Milianov Kallupi, poetin

KRISTAQ TURTULLI NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

July 26, 2013 by dgreca

KRISTAQ TURTULLI/

Poemth për prindërit/

U tërhoq dielli në heshtje, pa vështruar përqark/
I nervozuar,/
i fyer, /
I thanë të ka skaduar leja e hyrjes,/
për të dhenë dritë./

Hëna verdhashe, tinëzare,/
Prostituta kusare,/

shndërruar në drapër, donte të priste qiellin në mijëra pjesë./

Të shkurtonte dhe të krasiste yjet,
Ti bënte të shëmtuar, kataroshë
qerosë,
lapangjozë…

Katarakti i ëndrrës ngriu, ngeli e varur në   kujtesë,
si një relikt e vjetër e shpërdoruar.
Nuk mundën të shkëndijonin më gurët e kalldrëmeve të shpresës.
Ishte bërë natë…

Hija e gjatë e babait, luhatej, përkulej,
e lodhur,  e munduar,
Në rrugët e rrugicat e kalldrëmta të qytetit zbriste, ngjitej.
Shumë vendlindjen e donte,
I dha gjithçka dhe për vete asgjë s’kërkonte.

Mbarte natë e ditë si Ante,
Pallton e vjetër, gri, të reve,
të halleve,
të persekutimeve.
Rrëkeja e djersës së babait  pikëlonte në kalldrëme,
së bashku me pengun e pathënë,
dritën e paparë,
shpresën e vrarë.

Qyteti memec,

Në shkallët e padijes u ngec.

Nuk çau më kryet për ata që i dhanë dritë dhe krenari.

I nëpërkëmbi, i mohoi, i tradhtoi.

I zymtë si nata,

U mbështoll me pelerinën e mërisë.

Gjuhë tharë, sy dalë,

Zemër vrarë.

 

U verbua pa lindur ëndrra.
Fëmija shtatanik belbëzoi disa fjalë,

Dhe u ndot në pelena.

Syve të qytetit iu shurdhua kujtesa.
Dyer dhe dritare u veshën me sklepa.
E shumë vuajtura,

Fisnikja,

Flokë argjenda,
E pamposhtura

Nëna ime.

Me rëkëtinën e zemrës ardhjen e babait, ndjente.

Në këmbë brofte.
Përgjonte, të mos dilnin zvarranikët prej skutave.

Me lot lante pastronte gurët e kalldrëmeve,

për të përzënë hijet e natës,
Gjarpërinjtë e ligësinë,

Vrerët e poshtërsinë.
Përpara se të vinte dhe të shkelte në kalldrëme:
I dashuri.

I heshturi,
i ndershmi,
i vuajturi,
Babai.

Nëna e donte buzëqeshjen,
dritën e diellit, gazmendin e çiltër,
të gjitha i donte.
Sepse ish grua dhe nënë.

Por ato ishin larg, dhunshëm u ndërprenë,
Qysh kur fyen, nervozuan diellin, kur i thanë:
Hej ti bubuzhel, karikaturë e kotë, ku shkon, ndalo aty!

Nuk e kupton, të ka skaduar leja  hyrjes.
Nuk na duhesh më, shko, gremisu. Të tjerë diej do krijojmë.

Të ndriçojnë dhe të ngrohin kur duam ne dhe jo kur do ti vetë.
Nëna gjithnjë, si nënë.
Hapte zemrën, shtrinte krahët, zgjidhte shaminë.
Diellin ftonte. E thërriste ta dëgjonte:

O Diell, o bir! Flakte mërzinë.
Ç’mund të bëjë një botë pa dritë.

Njerëzit janë çiliminj të prapë, nuk dinë seç bëjnë.
Më dëgjon  o diell po të flet një nënë!

Të lutem fali. Pendohen të gjorët atëherë kur është vonë.

 

Dielli dëgjonte dhe përtypte në heshtje mërinë.
Shtyhej në qiell, ngucej mes yjeve.

Heshtje.
Shpejtonte nëna të mblidhte xixëllonjat e fshehura nëpër hatulla.
Për të krijuar rrëkenë e vogël të dritës.
Jo për vete, po për të tjerë.

Palltoja e gjatë, gri e halleve,
Lëvizte nëpër terr rrugicave.

Ajo pallto e vjetër, nuk kishte vetëm babanë nën vete.
Por gjithë botën e madhe.

Kërkonin, nxitonin duart e nënës, dridheshin,
Xixëllonjat tentonin të iknin, të shkisnin, zhurmonin,
Ankoheshin me potere,

Na lësho, moj nëne. Kur iku dielli, na lër të ikim dhe ne.

Nëna s’ dëgjonte, nxitonte, mblodhi disa shkëndijëza,
Oshtinin hapat e babait mbi kalldrëme,
Hijet, rrëketë, dashakeqësitë, skërmiteshin, i vinin stërkëmbësa.

kërkonin ta ndalnin, ta gjunjëzonin në rrugë.

 

Një lot drite afronte që atje tutje.

I dashuri,

I heshturi,

I vuajturi,

I ndershmi.

Njeriu. Ish në prag të shtëpisë.

Duart e nënës përvëlonin, digjeshin.

 

I shtriu Nëna krahët përpara, hapi gishtërinjtë,
hodhi mbi të dashurin të voglat dritëza.
Hijet u gjunjëzuan rënë përdhe.

Qyteti si plak grindavec gërmuqej dhe teshtinte.

Nëna vetëtimthi shikimin derdhi mbi mua, duke thënë:
Vocërrak, mos u huto, vrapo,

mbas rrëkesë së dritës,
të gjesh lumin e shpresës
jetës….
Vrapo biro,

Pas teje le të vijnë të tjerë…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kristaq Turtulli, ne sofren poetike, Poemth per prinderit, te Diellit

Letersi-KULLA E PËRGOJUAR

July 26, 2013 by dgreca

Tregim nga FARUK MYRTAJ*/

Si rrallë herë tjetër, nuk arriti ta ujdiste përgjigjen që duhet të jepte. I ndodhur mes tri të tjerëve, të huaj edhe ata, nuk diti ç’të thoshte. Iu tha pështyma në buzë, iu bë se po mbytej, teksa njeri prej tyre, ai që këmbëngulte të merrte një përgjigje, duke i qeshur fare pranë, iu lut të mos e merrte seriozisht.

“Përse e vuani kaq shumë, miku im?! Unë nuk po shpik gjë. Nuk di se ku, por e kam lexuar diku, jam i sigurt. Në një krahinë tuajën, në disa fshatra a mbase në një fshat të vetëm, diku në hartën e Atdheut tuaj, ka qenë zakon që për të respektuar mikun i dërgohej në shtrat vajza e shtëpisë! S’është e vërtetë kjo?!”

Prej frëngjisë ku ajo vetmonte dukeshin qafat e maleve, lugina mbyllej aty ku tretej vështrimi, një gjurmë si rrugë e rishtë bari shkelur këmbësh që ajo nuk e dinte, ose e kishte harruar, për ku nxirrte. Dëgjoheshin zilet e këmborët e bagëtive kur dilnin apo ktheheshin nga kullotja dhe angullima e përvajshme e qenve nëpër natë, pas së cilës nëna përsëriste gjithnjë të njëjtën frazë, “Hëngshi kokën tuaj, o Zot!”, dhe kaq.

Edhe asaj dite, syri ‘s’mundi t’i rrokte pamje tjetër veç asaj të të gjitha ditëve të tjera. Vështrimi largohej prej mureve të errët të kullës, shkonte rrëshqitazi tek pllakat e gurit me të cilat ishte shtruar oborri, shtynte vetëtimthi portën, dilte përtej udhëzës që lakohej në të tëposhtën e bregut, i cili i bëhej se humbiste tek një breg tjetër më i lartë që, nën hijen e malit përballë, mbetej për vete si një xhuxh. Pamja mbushej e tëra prej krijesash të natyrës: dru, shkurre, gëmusha, gurë, ca pllanga të vogla toke prej dheu të mbjella me misër, si thjesht për të provuar se, megjithatë, edhe këtu mund të jetohej. Si gjithëkund.

Njerëzit thuajse mungonin tërësisht në këtë fushëpamje, nëse nuk do të llogariteshin njerëzit e shtëpisë. Ata ishin të vetmit, të njëjtët, të pakëmbyeshëm me askënd tjetër. Kulla për ta ishte vetëm strehë e natës. Sapo agonte, largoheshin për tu kthyer vonë në muzg, kurse ajo, Age Peshkagjini kishte përpara tërë ditën e lume dhe tërë natën me vetminë e saj të ofruar nga Zoti. Ajo nuk largohej. Për askund. Si të ishte pjesë e kullës, dilte në frëngjinë e saj dhe u lutej syve të saj të vështronin sa të ishte e mundur më larg. Kërmijtë përgjatë murit të lagësht të kullës, ashtu të avashtë e të drojtur, bënin shoqëri të heshtur me vajzën. Lëshoheshin përpara me antenat ngritur sa mundnin, me tërë trupin nxjerrë prej guackës, duke lënë pas vragën e tyre të artë. Në shterje të ditës, në muzgun që njomte deri edhe frymëmarrjen, do të duhej të mbylleshin njëlloj, kërmijtë dhe vajza e asaj kulle.

E kush vallë, do të vinte re asaj dite përskuqjen e fytyrës së asaj vajze në moshë, tek qëndronte në pezullin e ftohtë të frëngjisë së kullës së Peshkagjinëve? As përhumbjen e lojës se paqartë të dorës së saj, nuk kishte ngè ta kqyrte kush. Si të ishte pjese e trupit të një tjetri, gishtërinjtë e saj krehnin, në fillim butë e pastaj ca më ashpër, thuajse dhunshëm, gëmushën e flokëve të saj, duke zbritur pastaj deri në qafën e njomë e paksa të djersitur. Ndaleshin për një çast, trembur, në lugun e butë të gushës dhe vazhdonin të zbrisnin më poshtë, sikur të prekin frutat e një peme fshehur prej diellit, mbirë e rritur nën hijen e mureve të lagësht të kullës.

Pothuaj instiktivisht dora i bindej urdhërit të marrë prej shqisave e ndjesive që sikur fshiheshin, drojtur edhe prej vetes. Më tej dora i zhvendoset edhe më poshtë, nëpër trup, por gjithnjë vetëm mbi rrobat që, edhe ato, digjeshin në të njëjtën temperaturë të tij. E kush e di ku burojnë llavat vullkanike?

Kur syri nuk mundte më, madje kur ai humbte edhe terrenin që ishte pronë e Peshkagjinëve, ajo kujtohej se ia kishte mbrritur mbrëmja, që kishte ritualin e vet. Babai shfaqej në harkun e bregut të vogël, ajo duhej të zbriste e t’i hapte portën e jashtme. Gjithësesi, duhet të zbriste për çdonjerin që vinte. Rituali i hapjes dhe mbylljes së portës, edhe pse dukej fare i kotë, ishte pjese e atij kodi, e atyre rregullave të lëna prej më të mëdhenjve që vdisnin kënaqur që linin pas këto amanete të vyera e të përjetshme. Kurrkujt tjetër, as për të mirë e as për të keq, nuk i voliste të vinte gjer aty ku ishin ngjitur Peshkagjinët, por dyert e portat prandaj janë: të hapen e të mbyllen. Dyert që rrijnë gjithnjë hapur nuk janë dyer. Edhe dyert e stallës apo hangarit të bagëtive i hap dhe i mbyllë dikush.

Kur muzgjet rëndoheshin nga lagështira, i duhej ca mundim të dallonte zërin e babait nga ai i nënës, teksa zërat e vëllezërve ndryshonin fare pak nga i njeri tjetrit. Atë buzëmbrëmje erdhi e para nëna. Nuk e ngriti kokën, teksa po qasej për tek kulla. E bija zbriti fluturim, hapi derën e rëndë të oborrit të kullës, pasi kishte lënë hapur portën e oborrit. Teksa priste që e bija t’a mbyllte sërish pas shpinës së saj, vështrimi i së ëmës shkoi dhe ngriu tek fytyra e Ages: Pse kështu fytyra e saj sot? Mos ka gjetur pasqyrën e vogël tek dollapi im?

Për këtë pyetje nuk përdori zërin, por bëri bubulluese heshtjen, zakon që burrat e atyre anëve ushtronin ndaj grave të tyre. Zonja e shtëpisë, që bënte njëherësh edhe gruan edhe nënë, po kqyrte hamendëse rreth e qark oborrit, pastaj brenda shtëpisë, si të dyshonte në ishte edhe tjetërkush brenda kullës.

E bija ishte po ajo, po aq e dashur, dhe qëndroi në pritje të porosive të saj.

Atë mbrëmje e vonoi paksa hapjen e dyerve për vëllain e vogel, madje priti sa ai nisi të trokiste fort. Age Peshkagjini nuk guxoi ta përsërisë shakanë me vëllanë e madh. Mbase vërtet ishte marrosur asaj mbrëmje, teksa shkoi ndërmend që edhe babanë ta linte të priste paksa atje jashtë! Jetoi vetëm pak çaste kjo shkëndijë mendimi, se kur ai do të zgjaste dorën të trokiste, porta e jashtme do të niste menjëherë gërvërimën e saj të zakonshme dhe do të hapej kanatash.

Babai ishte nurzi, i ashpër, i drejtë dhe i dhimbshur. E bija nuk kishte shkuar ndërmend kurrë të trishtohej apo të mërzitej, aq më pak të mendonte keq për babanë, edhe kur ai, pa iu drejtuar asaj, kërkonte të mirrej vesh, një herë e mirë, se femra në Peshkagjinët dilte nga shtëpia bashkë me nderin dhe kthehej vetëm e vdekur pa të. Ajo e dinte mirë, e besonte, ndjehej mirë madje, kur dëgjonte se të mirat në shtëpi vinin për të gjithë, ashtu si edhe të ligat, nëse ndokush prej pjestarëve bëhej shkak një ditë. Mezi priste që ata të vinin në kullë, edhe pse ardhja e tyre pak-o-gjë ndryshonte në monotoninë e jetës së saj.

Prej së largu, vuri re se babai nuk po vinte vetëm. Po sillte në kullë dikë tjetër. Një njeri tjetër?

O Zot, një njeri tjetër! Nuk e kishte shkuar ndër mend këtë mundësi.

Sa kohë që syri shihte vetëm njerëzit e saj: babai, nëna, vëllezërit, të njëjtë me të, aty kishin qenë, prej kur ishin lindur. Të gjithë i ishin të dashur. I mjaftonin dhe i tepronin njeri tjetrit. Deri përpara ca kohe, kishte qenë edhe gjyshi, por zotat u kujtuan t’ia kthenin fletën e jetës dhe shpirti i tij u ngjitë atje lart, në ajrin dhe retë që shungullonin mbi majën e malit. Trupi i prehej në kodrën me dhè të bardhë. Prej asaj dite, gjyshi nuk kthehej më në shtëpi.

“Një fytyrë më pak…”, kishte thënë e trishtuar Age Peshkagjini me vehte, asaj nate, kur ra për të fjetur. Nuk shkoi ndërmend të pyeste veten përse trishtimi i ndjehej më i madh se dhimbja për vdekjen e gjyshit.

“Sikur po e mërzisnim njeri tjetrin…”, i kishte thënë çiltazi së ëmës, disa ditë më vonë. Për gjyshin i kishte thënë këto fjalë, por pa ia përmendur emrin. Nëna e kishte vështruar një copë here ngultazi, ishte mërrolur paksa, derisa e bija ia kishte plasur të qarit: “Ia kam ndjellë unë vdekjen, thua, duke menduar kështu?”

Prej ikjes përgjithnjë të gjyshit nga kulla, kishte mbetur fare vetëm. I pastronte brenda një ore të gjitha kthinat, pastaj dilte në dritare, në atë frëngjinë prej ku nuk dukej asgjë e re dhe vështronte po ato gjëra, ditë për ditë, vit për vit, gjer kësaj pasditeje të vonë, kur babai dukej se po sillte tjetërkëndin me vehte.

Age Peshkagjini po kujtohej se nuk ishte e thënë që syri të kapte gjithë jetën të njëjtat gjëra.

I huaji shkeltte në të njëjtën gjurmë me babanë, si për të zbutur të vërtetën se ai ishte tjetër. Nuk ishte pjestar i familjes së Peshkagjinëve. As ndonjë i afërm, prej rrethit të miqësisë ose fisit. Ajo i ndoqi me sy gjersa arritën fare pranë kullës, pa e kuptuar pse po ndjehej e turbulluar, pjesë-pjesë, pastaj e tëra. U përmend sa për t’i kujtuar vetes se i duhej të nxitonte të zbriste për të hapur portën e madhe. Instiktivisht, po mendonte diçka që në vetmi do t’i dukej e çuditshme: “Paskej njerëz të tjerë në këtë botë, pra! Ja si qenkan…!”

Po thoshte kështu me veten, teksa babai bëri përpara, e hapi portën më gjerë se kurrë, vuri dorën tek zemra, pastaj e shtriu përpara, duke u përkulur lehtë, si t’i lutej të ardhurit të hynte në kullë si në shtëpinë e vetë.

I ardhuri vazhdoi të çapitej me të butë, edhe brenda oborrit, sikur bënte kujdes mos trembte ndokënd. Babai i priu për nga porta e brendshme që çonte për tek oda e burrave.

Ages i mbetej të sillej si gjithë ditët e tjera. Mbylli portën e madhe dhe lëvizi pas dy burrave. E mbante vështrimin ulur. Ishte mësuar prej kohësh të shikonte kështu. Shpinën paska të kërrusur të babait e njihte si formën e të gjithë objekteve rreth e qark kullës, por e gjeti veten të joshur nga dëshira për të vënë re trupin e njeriut tjetër.

Fytyra e tij, për aq sa ajo mundi ta vëzhgonte, iu duk më me dritë se e babait dhe rrobat që mbante veshur më të çelura. Më vonë mori vesh se bujtësi vinte prej qytetit dhe se të nesërmen qysh herët do të vazhdonte rrugën për në fshatin tjetër. Vetëm ndonjë fjalë prej odës së burrave depërtonte gjer te ajo. Krijoi përfytyrimin e një të qeshure të lehtë që shoqëronte papushim të folurën e njeriut tjetër.

Ndihmoi nënën në përgatitjen e darkës dhe afrimin e pjatave tek Oda e Burrave. Në një çast, e ngatërruar në kthinat e trurit që bluante pa drith, pa e kuptuar as vetë, me pjata në duar, gati sa po hynte në odën e burrave. Në çastin e fundit, kur retina e syrit të saj bëhej gati të reflektonte shembëllimin e njeriut tjetër, e kishte përmendur zëri i nënës.

“Ej, ti…U marrose a…?!”

Age Peshkagjini u kthye vetëtimthi, duke e falenderuar me tërë shpirt. E kishte shpëtuar nga koritja. Zëri i nënës, i ushtruar për kësi rastesh gjatë një jete të tërë, nuk e kapërceu pragun e derës së burrave por, i shoqëruar prej lëvizjeve të duarve, shformimit të fytyrës, regëtimës së buzëve dhe zbardhëllimit të dhëmbëve, mbërriti tek veshi dhe pastaj thellë qenies së të bijës si një klithmë e vërtetë. Vajza s’kishte asnjë shkak të mendonte për të keq. Bëhej dy të mos linte punë të pa kryer dhe shndërrohej në sy e veshë ndaj porosive të nënës. Duheshin bërë po ato gjëra, po ai kujdes, po ato punë dhe po ajo jetë që ishte bërë përherë nga gratë në atë kullë. Burrat si burrat dhe gratë si gratë. Kaq, vetëm kaq duhej kuptuar. Nëse ende nuk kishte ardhur dita për të dalë jashtë kulle si nëna e vetë, frëngjia ishte i vetmi vend ku ajo mund të rrinte, por jo pa dijeninë e tyre. Sikur dalja tek frëngjia të ishte e ndaluar, as atje nuk do të dukej. As ditëve, kur robtë e tjerë të shtëpisë humbisnin pas brigjeve dhe blegërimës, as mbrëmjeve, kur prej frëngjisë nuk dukej asgjë, madje as edhe gjërat e mësuara përmendësh që i kapte syri ditëve.

Ajo që mund të pritej, dukja, përshfaqja, madje ardhja e një njeriu të ndryshëm, kishte ndodhur.

Tjetri, i huaji, jo i fisit Peshkagjin, ishte tashmë në odën e miqve ku as nëna e as vajza e shtëpisë nuk duhej të shfaqeshin. Për Age Peshkagjinin, këto zakone, këto rregulla të pashkruara askund por të mësuara prej gjithkujt, ishin gjëra të bukura, të kthjellta, burrnore. Nëna ia kishte përshkruar si shenjtërira.

Vajza ofronte pjatat tek e ëma që i përcillte deri tek pragu i burrave, nga ku zgjateshin duart e të shoqit.

“Janë të shkruara e të rregulluara të gjitha gjërat në këtë botë e në atë botë, bijo…”

Vajza ndjente herë pas here dëshirën ta përqafonte të ëmën. S’dinte nëse kjo ishte dhëmbshuri për sakrificën dhe lodhjen, apo përpjekje e gëzuar që edhe asaj po i lejohej të gjendej në të njëjtin ritual të cilin nëna e kishte mësuar prej nënës, vjehrrës, gjyshes, vdekur të gjitha prej kur s’mbahej mend. Duhej të jetoje si ato, por edhe më tepër akoma: duhej të gëzoje të vuaje, gëzoje e vdisje si ato. Age Peshkagjini do të çuditej , do të zemërohej, nëse ndonjë hije qoftëlargu do t’i vinte dhe do t’i pëshpëriste tek veshi: ke nisur te ndjehesh grua, apo po ngushëllohesh qysh tani për shpërfilljen e ardhme ndaj teje?!

Kur përcjellja e darkës për në Odën e Burrave kishte marrë fund, nëna e kujtoi se qe koha të shtronin rrobat për gjumë. Tjetra u duk sikur mezi e kishte pritur këtë fjalë. Nxitoi, madje, për në dhomën e saj. Veç shtratit dhe rrobave, në dhomë ruante librat e shkollës. Të shkollës fillore. I kishte ruajtur sikur të ruante ashtu kujtimin e kohës me njerëz të tjerë dhe naivitet fëmijëror. Siç edhe me përrallat e gjysheve, kujtimet dhe dashuria për to, provohen si ndjesi që rriten edhe më, gjatë kohës që rrjedh pas humbjes së tyre. Ja, kishte ardhur një njeri ndryshe, dhe kujtesa nxitoi të shkonte menjëherë tek librat.

Asnjë fjalë, asnjë tingull nuk vinte prej Odës së Burrave. As ajo drita që mezi kapet prej yjeve të largët. Pas bukës, do të ngriheshin për të dalë edhe vëllezërit. Njeriu Tjetër do të mbetej vetëm me babanë. Vetëm babai e kishte atë fat, të rrinte deri vonë me njeriun që s’ishte prej Peshkagjinëve. Babai kishte të drejtë të takohej e të kuvendonte me njerëzit ndryshe. Vetëm ai mund të ftonte ndokënd në kullë, siç kishte bërë edhe kësaj mbrëmjeje, dhe vetëm ai do të dilte ta përcillte të nesërmen, kur Tjetri të ikte.

Age Peshkagjini e respektonte edhe më shumë babanë për këtë privilegj që i jipte zakoni. Mbase prandaj i dukej se e donte diçka më shumë se nënën. Si duket kishte dremitur, ashtu shtrirë, e pazhveshur për gjumë, teksa dëgjoi derën që u hap. Ndjeu frymëmarrjen e nxituar të nënës, pastaj dëgjoi zërin e saj. “Ngrihu dhe shtroi atij, moj qyqe. Si nuk të shkon mendja vetë? Nesër pasnesër do bëhesh grua…”

Vështrimi i nënës iu duk i largët, jo i zakonshëm. Më këmbë, me sytë tek e bija, me mendjen mërguar tjetërkund. Kishte turbulluar shtëpinë ardhja e atij tjetrit, kështu?

“Në dhomën e miqve, e di ti…”, plotësoi qortimin nëna.

Ndenji edhe për pak çaste mëdyshëse dhe ktheu shpinen. Vajza u ngritë menjëherë. Do të shtronte rrobat në krevatin ku do të flinte ai, njeriu tjetër. Nuk i kishte ndodhur kurrë të bënte këtë gjë.

“Dyshekun e miqve dhe jorganin e ri, më dëgjove?”

“Po nënë, të dëgjova…”

Pas njëzetë minutash dhoma dhe shtrati ishin gati. Vajza bëri të dilte por, në çastin e fundit, syri i kapi një rrudhë në çarçafin e bardhë. U ndje tërë dëshirë që në atë shtrat të mos mungonte asgjë. Shtriu pëllëmbën përmbi çarçafët ku Ai, tjetri, jo Peshkagjini, do të shtrihej. Ajo gjendja e ngrohtësisë, që e kishte pushtuar tërë atyre ditëve, iu përsërit edhe në këto momente.

Trupi i digjej së brendshmi, duart preknin dyshekun dhe mbulesat, sikur ashtu të gjenin udhë për t’a përcjellë temperaturën tjetërkund. E përhumbur në lojën me veten e panjohur, nuk ndjeu se e ëma ishte kthyer sërish. Pa u vënë re nga e bija, por pa shkuar ndërmend ta përgjonte, e gjeti vajzën e saj të përkulur, duke lëmuar rrudhat, por me të butë fare, sikur po përkëdhelte çarçafët dhe mbulesat. Nuk kishte asnjë shkak të mendonte për keq. Në të vërtetë ishte fare e zakonshme: të gjitha femrat lodhen për dukjen, aq më shumë kur ndjehen në syrin e botës.

E bija u ngrit më këmbë, tha se i merreshin mendtë, mbase kishte edhe pak temperaturë.

“Je ftohur tek frëngjia…”, i tha nëna dhe dolën njera pas tjetrës nga dhoma ku do të flinte i ardhuri.

Pas një gjysëm ore, në kullën e Peshkagjinëve secili ishte në shtratin e tij. Edhe ai, bujtësi.

Age Peshkagjini s’po i mbyllte sytë. Gjumi vonoi t’i vinte, si me porosinë e saj, derisa ajo ndjeu hapa në koridorin e shtruar me dërrasa. Dëgjoi babanë që i uroi tjetrit “natën e mirë-n”, dhe pastaj rrëshqitjen e derës së tërhequr nga jashtë. Hapat e babait që zbritën shkallët, shuarja e jehonës së tyre, u ndoqën më në fund nga heshtja absolute, heshtja e kullës, që e bëri edhe më të thekshme vetminë.

Gjithë natën ai do të ishte atje. Deri në mëngjes do ta kishte njeriun tjetër aty, përtej mureve që ndanin kthinat e kullës. Krejt pafajsisht, nisi të mendonte për muret që i ndanin. Prania e atij tjetrit u bë me të vërtetë ngacmuese, tunduese, bezdisëse, torturuese. A e kishin menduar nëna, babai, vëllezërit, këtë?

Një orë e ca më vonë, e bindur se asaj nate nuk kishte gjumë për të, Age Peshkagjini kërceu prej rrobave. Nuk u vu re nga askush teksa doli nga dhoma e saj, ndali tek ajo përbri, përgjoi frymëmarrjen e njeriut tjetër, u bind që ai ishte në gjumë, priti edhe pak të sigurohej me vdekje për këtë, shtyu lehtë derën e mbetur paksa hapur dhe, majagishtash, hyri në dhomën e tij.

Ai vazhdonte të flinte rëndë, shyqyr o Zot, nuk ndjeu asgjë teksa ajo hyri brenda, me qiririn në dorë. Njeriu në gjumë s’ka punë me hallet e të gjallëve. Trupi merrte e jepte frymë, kurse fryma e vërtetë e tij, ajo e shpirtit, kush e di ku ishte. Age Peshkagjini rrinte dhe e vështronte. Si ai fëmija që kur madhohet në çdo sekondë, dikur vë re se përveç nënës së tij, që e lindi dhe i rri në sy, paska edhe njerëz të tjerë.

Guxoi dhe preku lehtë, fare lehtë, mbulesat e njeriut që flinte. Diku tek këmbët, pastaj më tej akoma, gjer tek mbulesa, që frymonte me ritmin e gjoksit. Ballin po e ndjente paksa djersitur. Sytë, qerpikë e qepallë rrëzuar, buzët në një dridhje të lehtë, teksa gjoksi vazhdonte t’i ulej e ngrihej si ai deti që gufon e gufon, edhe pse për njeriun e gjore e të vogël sa një thërmijë në breg, nuk ndjehet as erë, për të shpjeguar ushëtimën e ujit.

Prej vitesh, nuk kishte parë njeri tjetër dhe, prej sa mbante mend, kurrë nuk i ishte ndodhur një njeriu tjetër, një mashkulli, kaq afër. I panjohur, i pafajshëm, njëlloj si ajo, ai flinte fare patëkeq në shtratin e shtruar prej duarve të saj…

Befas iu dëgjua se ai pëshpëriti përgjumshëm. Ca fjalë që ajo as nuk guxoi t’i dëgjonte e jo më t’i kuptonte apo të mirrte vesh kumtin e tyre. Mbeti aty, duke e vështruar në sy, se mos ai ishte zgjuar, por pastaj iu bë se tek flinte përmendi, në jerm, një emër gruaje. Mbase emrin e gruas së tij. Age Peshkagjini i largoi menjëherë duart prej mbulesave hedhur përsipër atij, si prej një zjarri të mufatur gjatë tërë natës, përposh hirit.

U kujtua se ishte me rroba gjumi, madje iu bë se po vinte ndokush prej të sajve. Vetëm në këtë çast po habitej me veten: nuk i kishte menduar pasojat për shkuarjen në dhomën ku flinte njeriu i huaj, miku i kullës, bujtur prej babait të saj? Me çfarë logjike, me çfarë shkaku? O Zot, jam në ëndërr kështu, apo jam çmendur?

Iu bë se dëgjoi hapa që afroheshin. Asnjë rëndësi se të kujt, prej njerëzve të saj ishin. Bija e babait dhe nënës, motra e vëllezërve, gjendej atje, në mes të natës, në dhomën ku flinte bujtësi dhe, në të gjitha variantet, kjo e vërtetë ishte e pabesueshme, e papërfytyrueshme. Ajo ishte e sigurt se askush prej tyre nuk do të shkonte ndërmend të hynte në dhomën e mikut, ku marrëzisht gjendej ajo. Ata nuk do të vinin në dyshim mikun e shtëpisë, edhe kur të vinin re mungesën në dhomën e saj. Gjëma kishte ndodhur, veç e veç, për secilin, ndarazi pre të tjerëve. E pafalshmja, kishte ndodhur. Njëherësh me ardhjen e njeriut tjetër, e pakthyeshme, e pafalshme…

I bëhej sikur vej-e-vinin atje jashtë, në koridor. Ndjehej në fajin më të madh që mund të bënte në jetë: kishte bërë që njerëzit e saj të ndjeheshin më ngushtë se kurrë në jetët e tyre. Ishte e kot të priste falje prej tyre. Nuk e meritonte. Edhe nëse ata nuk ishin atje jashtë, madje edhe sikur nuk kishin qenë për asnjë çast duke pritur daljen e saj, ajo vetë s’kishte të drejtë t’ja falte vetes…

U ndje edhe më keq kur mendoi se në ato çaste mund të zgjohej ai që flinte…Gjëma, pas kësaj, do të ishte e plotë, fatkeqësia do të merrte përmasa të tjera…

Siç kishin ardhur punët, në këtë jetë të saj, në këtë botë, nuk mund të ndryshohej dot asgjë. Nxitoi rrëmbyeshëm për tek frëngjia dhe, mundimshëm, depërtoi përmes saj. Duke bërë ç’mund të mos bënte asnjë lloj zhurme. Në çastin e hedhjes a kur po rrëzohej tëposhtë, u dëgjua një klithmë drithëruese e paqëllimshme dhe kulla u zgjua e tëra.

E gjetën pas pak orësh atje poshtë, në fundin e mureve të ftohtë të kullës. Ishte e nxehtë, endè. Varrimi u bë qysh atë ditë. Bujtësi, mori pjesë edhe ai, në lamtumirën e vajzës së shtëpisë të cilës vetëm siluteën i kishte parë, ashtu shkarazi, teksa hapi dyert e kullës, mbrëmjen më parë.

Mezi e priti rastin të ndodhej mes tri të huajve të tjerë. Ua rrëfeu ndodhinë më sipër dhe heshti. Mbeti vuv përballë tyre. Nuk diti ç’duhej shtuar më tepër. Përsëri iu tha pështyma në buzë, iu bë se po mbytej, teksa njeri prej tyre, pikërisht ai që këmëbëngulte për një përgjigje, iu lutë të mos vazhdonte më.

  • Mbrëmjen e së premtes, 26 korrik, u takova me Faruk Myrtaj për një kafe në Bronx. NY. U takuam, u cmallëm, biseduam. Në ndarje më dhuroi  romanin e tij të fundit” Atdhe’ tjetër”.Faleminderit i dashur mik!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kulla e pergojuar, nga faruk Myrtaj, Tregim

“Demoni i Çmuar” nga Albert Lulushi, libri i ri që vjenë së shpejti…..

July 26, 2013 by dgreca

Libri “Demoni i Çmuar – Valuable Fiend” i Lulushit, zbulon faktorët e vërtetë që kontribuan në dështimin përfundimtar të operacionit Kim Fillbi/ Nga BEQIR SINA, New York/

  WASHINGTON : “Demoni i Çmuar – Valuable Fiend”, i autorit Albert Lulushi, është libri i parë, dhe i vetëm deri tani për të ofruar një llogaritje të plotë të operacionit paraushtarak të CIA-s, kundër Shqipërisë komuniste, shtetit më të dobët dhe më i izoluar i ish vendeve satelitë, të Bashkimit Sovjetikë, në periudhën 1949-1953. Ky libër madje shkon përtej pikëpamjes simplisticike marrë shpesh në subjektin që ngarkon me fajin për dështimin e operacionit të Kim Filbit, “spiunin” më të famshm që vdiq në Bashkim Sovjetik, i inflitruar edhe brenda agjenturave britanike të  SIS.

Libri i Lulushit, është unik jo vetëm për përdorimin e tij të gjerë të burimeve që janë primare, por edhe për shkak se ky libër paraqet një pamje të ashtuquajtur “multi-faceted” të tregimit, nderthurje dhe “juxtaposing” pra vë shumë pranë faktet dhe elementet e operacionit të raportuara nga pjesëmarrësit në anën amerikane kundër atyre të rrëfyera deri tani nga kundërshtarët e tyre në anën komuniste.
Libëri “Demoni i Çmuar – Valuable Fiend” i Lulushit, zbulon faktorët e vërtetë që kontribuan në dështimin përfundimtar të operacionit Kim Fillbi, duke përfshirë:  Një atmosferë të konkurrencës dhe xhelozisë, sesa bashkëpunimit, ndërmjet degëve të CIA-s dhe midis CIA-s dhe shërbimeve të tjera mike e inteligjencës.
Të hutuar dhe të papërvojë me këtë rast oficerët e CIA-s, janë futur në operativitet në disa vende ish komuniste, të cilat i përkisnin një regjimi stalinist të pamëshirshm e të papërcaktuar për të konsoliduar pushtetin e vet në atë kohë me asnjë mëshirë për kundërshtarët e tyre.

    Konfliktet dhe rivalitetet mes fraksioneve anti-komuniste të përkeqësuara edhe nga intrigat e Mbretit Zog, aleati i gjallë CIA-s, i cili ishte monarku i vetëm në Europë, si Mbret musliman, i martuar me një konteshë hungareze – amerikane, dhe një anëtar i Vëllazërisë Myslimane të Egjiptit, u bënë së bashku të gjitha dhe në të njëjtën kohë.

    Përveç kësaj, dhe ndoshta më e rëndësishmja, e librit të shekncëtarit dhe studiuesit shqiptar në Amerikë, Albert Lulushi, në librin e tij “Demoni i Çmuar” tregon se si u ngulit operacioni i lënë në planifikimin dhe ekzekutimin e veprimeve të tjera të Luftës së Ftohtë, nga paraushtarakët që pasuan, duke përfshirë edhe ato të grushtit të shtetit “organizuar” perj CIA-s: “D’états në Iran dhe Guatemala, dhe Gjiri i Derrave në Kubë”.
Libri i Lulushit “Demoni i Çmuar” ofron një sasi të madhe të informacionit të freskët dhe të pabotuar më parë për këdo kërkues dhe studiues, ai është një libër i rrallë i kësaj natyre i shkruar me seriozitet nga një autor shqiptar, i cili ka “gërrmuar” thellë në arshivat e Washingtonit, aty ku nuk mund të futet kollaj çdo njeri:
Libri i tij është për të hyrë në historinë e CIA-s, në ditët e saj të hershme, ardhjen e komunizmit në Europë, përpjekjet e CIA-s, për të rrëzuar regjimet Komuniste, megjithse prapa kishin kërcënimet e qeverive komuniste rreth botës. Në librin “Demoni i Çmuar” CIA- dhe SIS-i janë të “shoshitura” – “Marrëdhëniet agjenturore dhe të fshehta anglo-amerikane, gjatë Luftës së Ftohtë, Lufta e Inteligjencës dhe e Spiunazhit, dhe kryespiuni Kim Philby”.
Ky libër është për ata që dëshirojnë për  të kuptuar rrënjët e sfidave aktuale me të cilat përballen edhe sot vendet në Europën Lindore dhe në Ballkan, duke përfshirë Greqinë, Shqipërinë dhe ish Jugosllavinë që nuk egziston më pas shpërbërjes (mbas 1991); dhe janë të bazuara në një kërkim serioz dhe të thellë për të zhvilluar një pamje objektive të historisë së këtyre vendeve pas Luftës së Dytë Botërore, e cila, në një masë të madhe, mbetet ende patreguar si duhet.

Së fundi libri i autorit Albert Lulushi “Demoni i Çmuar – Valuable Fiend”  zgjeron dukshëm të dhënat e burimeve autentike dhe primare rreth informacionit, mbi subjektin nga referenca të qindra dokumenteve të CIA-s që janë deklasifikuar nga viti 2007. Përveç kësaj, Lulushi përdor materiale që kanë ardhur nga Shqipëria që prej rënies së komunizmit, duke përfshirë edhe kujtimet e ish-oficerëve të policisë sekrete të caktuar për t’iu kundërvënë operacioneve të atëhershme të CIA-s. Prezantimi ndër-referenca dhe anë-nga-anë tek perspektivavt e kundërta që ofron një rinumërim i vërtetë dhe i plotë i ngjarjeve nëpërmjet libërit të Albert Lulushit.
Rreth Autorit te librit, Albert Lulushi

Albert Lulushi është një shkencëtar shqiptaro amerikan i teknologjisë së informacionit, sipërmarrës dhe drejtor ekzekutiv i biznesit me një karrierë të suksesshme në menaxhimin e ndërmarrje të gjera në projekte për disa organizata botërore, duke përfshirë agjencitë federale qeveritare dhe kompanitë Fortune 500.
Lulushi është një studiues i pasionuar pas Gjuhës dhe autor i njohur i botimeve të teknologjisë, duke përfshirë disa prej librave mbi hartimin dhe zhvillimin e sistemeve të informacionit në industri e teknologjinë bashkohore, e botuar nga Prentice Hall dhe Pearson Education.
Lulushi i ka dhënë shumë shërbimeve të përkthimit dhe interpretimin e Departamentit të Shtetit për mbi 20 vjet, duke punuar me zyrtarët më të lartë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Në këtë kapacitet, Lulushi ka qenë një dëshmitar okular të ngjarjeve më të rëndësishme historike në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë dhe Kosovës që nga rënia e komunizmit.
Albert Lulushi thotë se :”Burimet kryesore të informacionit për operacionin e CIA-s, në Shqipëri, janë të rrallë. Dy oficerë të CIA-s të cilët kanë marrë pjesë në operacionin e CIA-s, janë James McCargar dhe Michael E. Burke, me kushte dhe referenca të zhdrejta në operacion, i “pastruar” rëndë nga CIA, për shkak të ndjeshmërisë së operacionit. Kujtimet e tyre janë botuar respektivisht në vitin 1963 dhe 1984. Ndërkohë, që Kim Philby e përshkruar rolin e tij në operacionin në 1968, në autobiografi e tij. Bethel një autor tjetër që ka studiuar Luftën e Ftohtë ka intervistuar disa prej oficerëve britanikë të cilët kryen operacionet e SIS dhe një disa agjentëve shqiptarë të cilët mbijetuan dhe kan kujtime të hidhur. Disa dokumentet e deklasifikuar të CIA-s janë vënë në dispozicion nga Biblioteka Presidenciale Truman. Shumica e librave që kanë trajtuar subjektin e kanë përdorur dhe riciklohen nga këto njëjtat burime parësore gjatë viteve.”

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Lulushi, Demoni i cmuar

MBLEDHJA BALLKANIKE E NIVELIT TË LARTË NË SLLOVENI DHE DEKLARATA E NIKOLICIT

July 26, 2013 by dgreca

Presidenti serb, Nikoliç i cili mori pjesë në konferencën  e Brdos, ball për ball me dy presidentë shqiptarë, u tha gazetarve disa ditë para konferencës në Slloveni se Kosova, sipas tij, nuk do të jetë kurrë shtet dhe udhëheqsi serb pohoi se në ”mirësinë” e tyre  serbët na qenkan  gati që  Kosovës t’i japin një “autonomi substanciale”./

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Takimi i kësaj jave i udhëheqsve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Brdo të Sllovenisë/

           Sllovenia dhe Kroacia organizuan këtë javë në Brdo të Sllovenisë takimin e kryetarve të shteteve të Ballkanit Prëndimor, në një përpjekje nga këto dy vende të vetme ballkanike, anëtare të Bashkimit Evropian, për të rivendosur lidhjet politike dhe ekonomike me qëllim për forcimin e stabilitetit në rajon pas luftërave të përgjakshme fund shekullin e kaluar që shkaktuan vdekjen e rreth 100-mijë vetave anë e mbanë ish Jugosllavisë.

Ky takim u cilësua si një mledhje jo zyrtare, por pjesë e të ashtuquajturit “Procesit Brdo”,  i cili me nismën e Sllovenisë dhe të Kroacisë, filloi më 2010, me objektivin për forcimin e marrëdhënjeve rajonale, ndërkohë që shtetet e Ballkanit Perëndimor përpiqen të plotësojnë kushtet për antarsim në Bashkimin Evropian. Takim ky jo zyrtar , sipas organizatorëve, sepse një atmosferë e tillë bën më të mundur dialogun e hapur e të sinqertë dhe bashkpunimin më të mirë midis udhëheqsve të vendeve pjesëmarrëse në konferencë, të cilat kanë një histori të gjatë konfliktesh dhe armiqësishë — me shpresën  se madje edhe problemet më të ndërlikuara, “mund të zgjidhen me dialog, sinqertitet dhe besim.”

”Procesi Brdo”, është shikuar gjithashtu si një model për zgjidhjen e problemeve me rëndësi midis vendeve të Ballkanit, pasi ky proces, fillimisht ka bërë të mundur zgjidhjen e problemeve edhe midis Kroacisë dhe Sllovenisë, dy vendeve sponsorizuese të këtij takimi. Një ndër objektivat e kësaj konference ka qenë dhe mbetet përpjekja për të identifikuar së bashku projekte që do të çonin në një bashkpunim dhe integrim më të madh midis vendeve të kësaj pjese të Evropës.   Pasi pa integrim dhe bashkpunim midis vet vendeve të Ballkanit Perëndimor, e vështirë, mos e pa mundur, do jetë edhe integrimi  dhe bashkpunimi i tyre me organizmat euro-atlantike, përfshirë edhe Bashkimin Evropian, megjithse antarësimi në këtë oganizatë varet edhe nga përparimi i shënuar dhe plotësimi i kushteve nga secili vend veças.

Në takimin e Brdos të presidentëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor të ënjtën, morën pjesë Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, si dhe Presidenti i Bosnje Hercegovinës, i Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, për të dialoguer, në një atmosferë jo zyrtare, mbi bashkpunimin rajonal.   Fotografia nga ky takim në nivel të lartë megjithse jo zyrtar, me dy presidentë shqiptarë rreth tryezës së rrumbullakët, le të kuptohet dhe dërgon një mesazh të pa dyshimtë se fati i shqiptarëve sot është në dorë të tyre dhe se ata janë një faktor i rëndësishëm paqeje, sigurie dhe fqinjësie të mirë në Ballkan.  Është gjithashtu edhe symbol  krenarie për çdo shqiptar!

Këtyre iu bashkua Presidenti i Francës, i cili ndodhej në një vizitë zyrtare dyditëshe në Slloveni,  Z. Francois Hollande, me të cilin ata patën rast të  diskutojnë, bashkërisht dhe individualisht, mbi ritmet drejtë antarësimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Shqipërisë, Z. Bujar Nishani u tha  kolegëve të tij se Tirana zyrtare është e vendosur të plotësojë kushtet dhe se antarësimi në Bashkimin Evropian, mbetet një prioritet për Shqipërinë, përfshirë edhe  angazhimin serioz të maxhorancës së re qeverisëse, të dalë nga zgjedhjet e fundit. “Mbetemi plotësisht të përkushtuar në intensifikimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, forcimin e shtetit të së drejtës dhe përshpejtimin e ritmit të reformave për arritjen e standardeve evropiane.   Ky është një proces që kërkon vijueshmëri.   Kështu, do t`u ofrojmë qytetarëve tanë shërbime të cilësisë evropiane dhe do të arrijmë objektivin më parësor strategjik, integrimin evropian.”- deklaroi Presidenti Nishani.

Edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Z. nja Atifete Jahjaga, në takimin e saj me presidentin francez, në Brdo tha  se objektivi kryesor edhe i Kosovës është gjithashtu antarësimi në organizmat euro-atlantike,  duke theksuar se, “me fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Kosova dhe BE-ja kanë hapur një marrëdhënie të re kontraktuale.   Ajo u angazhua se, “reformat e nevojshme dhe të domosdoshme në vend dhe procesi i forcimit të demokratizimit të Kosovës do të përshpejtohen në kuadër të rrugës së anëtarësimit në BE”.    Mirëpo,  në një formë ankese ndaj Evropës, Presidentja tha se “Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit që ende nuk e ka marrë liberalizimin e vizave për qarkullim të lirë të qytetarëve në vendet e BE-së dhe vlerësoi se ndihma e Francës në këtë proces do të ishte e më se e nevojshme”.

Pjesëmarrja e Presidentit francez në takimin e udhëheqsve më të lartë shtetërorë të vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte një shënjë mbështetjeje, jo vetëm nga ana e Francës, por edhe e Bashkimit Evropian, për një integrim sa më të shpejtë të vendeve të këtij rajoni në komunitetin e vendeve evropiane. Ai e cilësoi vendimin e tij për të marrë pjesë në konferencën e Brdos si, “një shprehje e përkrahjes së Francës për integrimin e mëtejshëm të vendeve ballkanike në strukturat e Bashkimit Evropian”, dhe shtoi se, “Ky takim përbën një mesazh shprese për popujt e Ballkanit, pasi ata mbajnë  mbi supe një përvojë të rëndë”, historike, tha udhëheqsi francez.

Njëra nga këto barrë të rënda që rëndon mbi supet e  sidomos të shqiptarëve  dhe njëkohësisht  pengon edhe përmirsimin e marrëdhnjeve rajonale është politika gjithnjë agresive e Serbisë ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj.    Megjithse kryeministri i  Kosovës dhe ai Serbisë  kanë zhvilluar bisedime në Bruksel për përmirësimin e marrëdhënjeve midis dy vendeve, Beogradi  zyrtar dhe Kisha Ortodokse ruse vazhdojnë avazin e vjetër se Kosova në mendjen e tyre na qenka gjithnjë, “provincë” e Serbisë, megjithse pavarsia e saj është njohur tanimë  nga mbi 100-shtete anë e mbanë botës.

Presidenti serb, Nikoliç i cili mori pjesë në konferencën  e Brdos, ball për ball me dy presidentë shqiptarë, u tha gazetarve disa ditë para konferencës në Slloveni se Kosova, sipas tij, nuk do të jetë kurrë shtet dhe udhëheqsi serb pohoi se në ”mirësinë” e tyre  serbët na qenkan  gati që  Kosovës t’i japin një “autonomi substanciale”.   Për këtë, siç duket udhëheqsit politikë dhe fetarë serbë llogarisin në mbështetjen e Rusisë për politikën e tyre ndaj Kosovës.    “Ne presim që Rusia si fuqi e madhe sllave, do të japë mbështetjen e saj, kështuqë problemi i Kosovës të zgjidhet në mënyrë të drejtë,”  i ka thënë kohët e fundit kreu i Kishës Ortodokse serbe Irenej, kryetarit të parlamentit rus, Sergei Naryshkin, sipas agjencisë Itar-Tass-it.Fatkeqsisht, me deklarata dhe qëndrime të tilla ndaj Kosovës, nga ana e Serbisë, dhe megjithë qëllimet e mira të takimeve zyrtare ose jo-zyrtare të “Procesit Brdo”,  pa normalizimin e marrëdhënjeve shtet me shtet, midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë paqë e stabilitet në Ballkan, dhe as antarësim e integrim  të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në organizmat euro-atlantike.

Angazhimi i “Procesit Brdo”, sipas të cilit “Të gjithë së bashku në Bashkimin Evropian”, me kontributet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të shkohet drejtë një të ardhme të përbashkët evropiane,  do mbetet vetëm aq, një angazhim me fjalë dhe asgjë tjetër.   Është në dorë të Bashkimit Evropian që të detyrojë Serbinë të njohë pavarsinë e Kosovës,  ashtuqë i gjithë rajoni i Ballkanit, sipas deklaratës së Brdos,  të “jetojë në pajtim, begati, siguri, liri shtypi, rend e qetësi dhe në mirëqenje për të gjithë, pa marrë parasyshë prejardhjen e  tyre etnike…. bazuar në standardet, parimet dhe vlerat europiane.”

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe deklarata, e Nikolicit, Frank shkreli, Mbledhja e Sllovenise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT