• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

KUR KRAJL NIKOLLA I THURTE HYMN KRYENGRITJES SE MALESISE

September 9, 2013 by dgreca

Dihet se Krajl Nikolla kishte dhe interesat e tij për ta mbështetur Kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës kundër Perandorisë Turke, por gjithësesi kjo mbështetje ishte e domosdoshme edhe për shqiptarët. Pikërisht kësaj kryengritjeje dhe shpirtit trimëror të shqiptarëve Krajl Nikolla u kushtoi një poemë, që u botua si përkthim në shqip, jo në vargje sic ishte, por në prozë, në numrin historik të revistës “Leka”, që i kushtohej përvjetorit të  15-të Pavarësisë së Shqipërisë.Redaksia e Revistës, ndoshat e ka publikuar në vargje më vonë poemin sepse ashtu premtonte në botimin e parë në prozë, numër që ne nuk e kemi. Por sic sqarohet në hyrje të publikimit, nxitimi për ta paraqitru në rreshta dhe jo në vargje, ishte që të publikohej me rastin e festës së pavarësisë, dhe një përkthim në vargje , natyrisht është më i vështirë dhe do më shumë kohë.

Titulli original i poemës është “Malisorski Ustanak”- “Kryengritja e malësorëve”. Revista “Leka” shkruan (po ruajmë formën oriigjinale të të shkruarit)”Vetë Krajli me atë shpirt vjerrshtur qi për trashëgim e pat në familje fillon e shkruen për kryengritjen që nga shkaku i fundit qi e ndezi, trimnit’ e malësorëve gjatë luftës së përgjakshme, e aty-këtu, edhe ndimën qi aj vetë nën dorë u dha Malësorëvet e frytin politik që nxuer për veti asaij kryengritjeje.

E këta kuptohet vetëvetiu, pse përkrahja e ndihma politike epen aty dhe atyne ku përkojnë interest politike dhe nga të cilët priten shërbime e shpërblime politike.”

Poemi përmban 215 tubëza katërshe, që përfshijnë 860 rreshta ne 22 faqe libri. Vargu ashtë krejt tetërrokësh e ka shprehje shumë të zgjedhuna, ku spikat pasunia e bukuria shpirtnore. Përmban datën 1911. Revista “Leka” I ka kushtuar ritregimit të subjektit të poemës 15 faqe të saj. Herë tjetër do të shkruajmë për subjektin e poemës.

Percjellja e kujdesshme qe i ka bere redaksia e Revistes”Leka” duhet te merret ne konsiderate qe te moskeqinterpretohet dhe te kehet parasysh se paraqitja nuk eshte thjesht nje recension letrar. Po ashtu duhet te merret parasysh se autori I paraqet ngjarjet en interes te tij dhe ka dhe pasaktesi, sic terheq vemendjen Leka, per fjalet e vena ne gojen e dede Gjo Lulit.

(Pergatiti: D. Greca- Dielli)

 

Filed Under: Featured Tagged With: i thurte Hymn, Kryengritjes se malesise, Kur Krajl Nikolla

Shkatërruesi i standardit gjuhësor do t’i japë fund anarkisë gjuhësore!

September 9, 2013 by dgreca

Nga Kostaq Xoxa/

Titulli i këtij shkrimi mund ta habisë lexuesin. Ky, lexuesi, do të çuditet edhe më shumë kur t’i themi se kjo është shprehja e një akademiku. Natyrisht, për respekt të Akademisë, nuk ia vlen t’ia përmendim emrin. Është botuar në Shqiptarja. Com. më 28. 08 2013. Lexuesi i nderuar le ta lexojë që tabesojë. Në rreshtin e tretë, shkruhet: “Rama: Redaktor gjuhësor në institucione”(!).Duket si shaka? “Kurbanit” të Edi Ramës nuk ka guxuar, gjer tani, askush që t’i bëjë ndonjë paraqitje letrare. Kjo, për shkak të shthurjes gjuhësore të librit. “Kurbani, që është thuajse i palexueshëm… Një mësues i gjuhës i 9-vjeçares, që e njeh mirë standardin gjuhësor, më tha se ka lexuar vetëm 15 faqe nga ai libër, se nuk mund të vazhdonte dot më tej. Librin e kishte  blerë, si shumë të tjerë, ‘siç bliheshin Veprat e E. Hoxhës, dikur vaktit’ – këtë e tha për të bërë pak humor. Dhe vazhdoi, seriozisht: – Sikur nxënësit e mi të bënin kaq shumë gabime, do t’u vija notën 4!…

Do të përmend gjatë këtij shkrimi vetëm neologjizmat e tij, të fabrikuara si në kovaçhane. Të gjitha jashtë standardit, natyrisht. Por më parë le të shohim çfarë shkruan, shkurtimisht, akademiku. Pyetjes së intervistueses sesa i domosdoshëm është roli i redaktorit gjuhësor në institucionet shtetërore, akademiku i përgjigjet: – “Në vitin 2004 nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, u paraqit një projekt-ligj për mbrojtjen e gjuhës shqipe, por kurrë nuk u mor në konsideratë”. Këtë fjalën e fundit mund ta shprehte ‘nuk u mor “parasysh” , për të shmangur fjalët e huaja që janë një nga porositë e standardit të gjuhës. Në vijim flet intervistuesja:‘Sot, nismën e kryeministrit të zgjedhur Edi Rama, për t’i dhënë fund masakrës së gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, e konsideron (“e quan” – shënim) shpëtim, si fundi i një anarkie gjuhësore’. Intervistuesja, akademikut: – Si e gjykoni nismën e Kryeministrit Rama për vendosjen e redaktorit gjuhësonë institucionet shtetërore? Përgjigjja: – “Kërkesa e Kryeministrit Rama për vendosjen e redaktorit  gjuhësor në çdo institucion shtetëror është në thelb hapi i parë, i mençur dhe i domosdoshëm, për vendosjen e disiplinës gjuhësore të shtetit, për të kthyer seriozitetin e munguar. Përveç se shprehje e

vlerësimit për shqipen si pasuri identitare e kombit, nisma e Kryeministrit Rama ndihmon për t’i dhënë fund një lëngate të gjatë njëzet e ca vjeçare anarkieje gjuhësore, nxitur në emër të një ‘liberalizmi gjuhësor’. Kërkohet që standardi të përdoret që nga foltorja e Kuvendit, te media e shkruar dhe e folur, deri te BOTIMET…”. (Sa për botimet, do të flasim më poshtë, në mënyrë të thukët, kur të vijmë te ‘Kurbani’). Më tutje shkohet te ‘defektet’. Edhe këtu kjo fjalë e huaj mund të zëvendësohet me ‘mangësitë’ apo me ‘të metat’).

Le ta mbyllim me kaq. Tani le të shohim vetëm disa prej fjalëve të shpifura të “Kurbanit” , për të cilat

ai mësuesi që përmendëm kishte thënë se nxënësit e tij që do të bënin shpërdorime të tilla, do të

vlerësoheshin me notë negative.

***

‘Presion hipokiziak’ (f. 22),‘ujqërisht’ (35), ‘pasionalisht’ (39), ‘I bubullimshëm’ (62), ‘vandalizuar’ (65+

86), njeriu ‘imbrapshtudhëhequr’ (102), ‘pallatizuese’ nga pallat (410)! Më lidhte ‘kushtimisht’ (detyrimisht) (115), kronikat e ‘ububujshme’ (129), ‘lehaqenj’ të zgjidhur (130), aferë ‘kuçedrike’ (152), një plan që ‘adreson’… (153) e tatëpjetë ‘metamorfike’ – nga‘metamorfozë’! ‘Strapallat’ në zuzarllëqe (163), marrëzitë ‘e përlumshme’ (164),, ‘gjarpërisht’ (180), ‘të energjizonim’ në ekip (180), ‘shqytatotërsh’ (për shqytarët) 192, interesaxhinj ‘telendarë’ (210) Mik “i asnjëherëharruar (236), ‘shumëxhelozia e një dashnori (237), ‘llukashenkizmi karikutaror’ (239), e la të ‘mbresuar’ (240), ‘rakafolëse e shumëhimnizuara’ lartesë (257), mendjetërhequri (258), ‘vijimësisht’ (vijimisht) (301), ‘dinamitimi’ kriminal (312), opozitë ‘majëkrahi’ (325), bëma ‘të mosozotshme’, ‘i çakërrgjakosur’ (338), burime ‘të aksesueshme’ (350), ‘Ikurrizkalldrëmtë’ (351), ‘i kjoskëzuar’ (351), ‘pazakonshmëria’ (355), ‘lugatëria’ (357), ‘thashethemuar (331),‘ç’thashethemohet’ (303), ‘tronditshëm’ nga plagët (383), ‘erafënda’ njëzet vjet (401),qyteti “me asnjëtëpërngjasuar’ (401), pengu ‘afashuar’ (403), kodra ‘barkçarë (404), propaganda ‘shtrupëlarëse’ (409), për të ‘kikirikuar’ (409), bëhej ‘televisisht’ (414), ‘xhuxhmaxhuxhëria’ (418), ‘rrëshirosur’ (419) shkrimtarët e ‘tiranizuar’ (e bërë tiranas, apo të terrorizuar?). (427), gjyshja e ‘përthërriste’ (438)…[Këto janë një pjesë e fjalëve të Edizuara apo të ‘ramëzuara’ të cilat, ‘të mbarsifikuara’, do të na prodhimtarojnë leksikografísimin që po na sipërpërmerr të na leksionojë sesi të superpërvetësojmë standardin në mënyrë të hiperperfeksionizuar!] Sa për pastërtinë e gjuhës në “Kurban” na mjaftojnë që të citojmë nja 5 prej tyre: [godinë sharmante’ (enhijshme) (351). Mjedis ‘i arreduar’ me…(i rregulluar) (352). ‘Ornamentojnë’me trotuarin (zbukurojnë ~) (352). ‘Intimiduar’ (frikësuar, kërcënuar) (361).Manipulim i ‘fazuar’ (i thekur) (365)].Akademiku ynë e di mirë se jo çdo emër (në gramatikë), mundtë shndërrohet në mbiemër: “I bubullimshëm”! Po ashtu jo çdo emër shndërrohet në ndajfolje: “Mundësí”(emër), “mundësisht” (ndajfolje), të dyja u përkasin standardit. Por nga“gjarpër” (emër) nuk mund të sajohet “gjarpërisht” (ndajfolje!) – jashtë standardit. Gjithashtu “kikirikuar” (folje) nuk mund të dalë as nga kikiriku(emër), pa lé që sajohet nga asgjëja për të nxjerrë kuptimin që “të bësh kikirikiii…” – si gjeli! Këta shembuj janë nxjerrë nga karagjozllëqet e Ramës në “Kurban”. Nëse ledhatuesi i Ramës nuk do ta kishte lexuar, për një arsye apo tjetër, “Kurbanin”, që është një masakër gjuhësore dhe një shpërfillës megaloman i standardit, do të ishte gjysma e së keqes, Ai vetë do të ishte gjysmë mëkatar. Në këtë orvatje që nuk i shkon mbrojtësit të standardit, – po të hamendësojmë se ai e ka lexuar veprën e shkatërrimtarit të standardit -ai do të ishte, për fat të keq, mëkatar tërësor. (Tani do të më lejohet të përdor një fjalë të huaj të rëndë, duke rënë ndesh me bindjet e një gjuhëtari që i ka zëvendësuar në shqipe të pastër të gjitha fjalët e huaja, Mehmet Elezit, – të cilin e admiroj për veprën “Gjuha shqipe në bunker?” dhe për Fjalorin e tij prej 41.000 fjalësh shtesë të gjuhës sonë – duke iu drejtuar akademikut tonë: Përse një zell i tillë, zotërí, që të na jepni si model të ruajtjes së standardit një person që e ka shkelmuar standardin? Duke rënë ju vetë, madje, në haxhiografi? Vërtet ai personi të cilin ju e përmendni me lavde gjer në gjobitjen, nga ana Ramës, e atyre që nuk e respektojnë standardin; por si do të veproj kandidati për kryeministër ndaj atyre që do ta sfidojnë, duke përdorur fjalët e çakërdisura të “Kurbanit”?  Apo se së shpejti do të rrijë në atë karrige, e cila nuk të bën dot leksikograf? Të ishte çudibërëse karrigia, – është një lokucion – nuk e vinin njerëzit në të ndenjurat, por në kokë!

 

Filed Under: Komente Tagged With: Kostaq xoxa, shkaterrusi i standartit

Neki Lulaj me banim në Gjermani, i ftuar në Sofrën e DIELLIT

September 9, 2013 by dgreca

PASQYRË SHPIRTI/

Eci mbi samarët në stanet e pafund të jetës/

E shtrëngoj leqet e shpirtit në lundrim/

O, më trishton ky shekull me dallgë kërleshur/

Që valë të reja më zgjoka në shpirt./

 

E kërkoj çarçafë që të mbledh hënën/

Po lumi i territ po më bën murranë/

Në degët e lisave mbledh vesën e ëndërrt/

E zogut ia prek flatrën e imët e të bardhë/

E mbaj në duar gjurmë të shumta fërkimi

E natën si një qen tinzar e dëboj

O Kohë vrastare që vjen me shtigje verbimi

Mos u bëj plak me parmendë në dorë!

(Kjo poezi e zuri vendin e parë në Orën letrare me karakter garues Organizuar në Prishtinë Marec me Poetet e diasporës me 5 gusht 2013)

 

NDERI I KOMBIT

(Kushtuar trimit të Kosharës Dëshmorit Sali Çekut)

Sa me duhën sonte shkronjat

Qe ti rradhisë do vargje lirike

Për dëshmorin  e Kosharës

Mikun e fëmirësë jetike

Një këngë çunash ndez buzë gardhi

Dallendyshët e tokës mike

Mu në strehën e mullirit të vjetër

Shkronjat thurin lavdinë për dëshmorin e tokës etnike.

Kjo natë e shurdhër e plasë heshtjën

Burbullima e nentëmbdhjetë  prillit

Hëna e lëmon fytyrën e dëshmorit

Sikur vesën e trendafillit

Vesa e puth buzën e dëshmorit

Me kristalet e rrapit shekullor

Se u nxorr guri i ndarjës

Sihariqin nënës me ja dhanë.

Mbi këto rrudha tunele të ballit

Kaluan pushtuesit zuzarë

Por në shtretër ngelën filizat

Mugulluan si bari i njomë

Miku im diell herak

Nje datëlindje e ruan nen rrap.

 

ËNDRRA E PLISIT

Korbat mbyllen me vete majë Kalsë

Bibilët e bëjnë një kor të madh nderimi

I shoh aty që nga themelet deri në majë

Mbi kupolat e ëndrrash të pambaruara  plisi.

 

Sokëllijnë laviret e zgjuara ndër Mote

Nga dushi i akullt i bijve të kombit tim

E rend nga Dardania të sjell pengje kohe

Ia zunë me ngërçin në fyt të aktit biblik

 

Bebëza e Ditës së Re përplas sërish djajtë e zinj

Në ca kthina myku shkëlqen ende Plisi

I bekoi Perëndia me frymë gjer në amëshim

E kurrë nuk u ndalën së ecuri drejt një shtegtimi

Kur do agojë bardhësia do të ndjej një frymë të re

Do të ndjej si frymon e lumtur Dardania ime

Do t’i thyej kornizat e ferrit që të djeg

Do të sjell një ditë pa piskama lemerie

Në netën e errët me yje e vravashka të gjata

Me mall bujku do të pres mëngjeset me dije

Të agojë bardhësia në kulla, pragje  e maja

Të ringrihet si Feniks modern Dardania ime

 

Përtej diellit të lirisë…….

Përtej mitit të Plisit të përtërirë…..

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ne sofren e Diellit, neki Lulaj, nga Gjermania

Punë të mbarë Kuvendit të ri të Shqipërisë!

September 9, 2013 by dgreca

Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar/

*Basha: PD, opozitë e fortë, moderne, profesionale, bashkëpunuese për çështje madhore të vendit/

* PD, mbrojtëse e vendosur e lirive, të drejtave dhe gjithë arritjeve demokratike në vend/

* PD, monitorim të rreptë premtimeve të mazhorancës, kush tërhiqet nga premtimet, duhet të përballet me pasojat/

Të nderuar deputetë të Partisë Demokratike!

Në vigjilje të çeljes së legjislaturës së re parlamentare, dëshiroj t’ju përshëndes të gjithëve dhe t’ju uroj punë të mbarë në Kuvendin e ri të Shqipërisë që fillon punimet sot pasdite.

I dashur dhe i nderuar, zoti kryeministër, Berisha!

Të dashur miq, ministra!

E ndiej si një obligim timin, t’ju shpreh sot, me rastin e paraqitjes së dorëheqjes së qeverisë Berisha, falënderimet dhe  mirënjohjen më të thellë, në emër të  Partisë Demokratike dhe gjithë anëtarësisë së saj, për kontributin tuaj të shquar në qeverisjen e vendit, në periudhën  2005-2013.

Jam i bindur se me këtë falënderim dhe mirënjohje tonën, bashkohen sot të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, të gjithë mbështetësit e saj, të cilët kanë arsye të ndihen krenarë  për arritjet historike të qeverisë “Berisha”. Por besoj se sot, falë një kulture të re demokratike që po përhapet çdo ditë në Shqipëri, mirënjohjes dhe falënderimeve tona u bashkohen edhe ata që për arsye të ndryshme, e panë të arsyeshme t’i jepnin një  mundësi alternativës së kundërshtarëve tanë.

Askush nuk mund të harrojë se qeveria  “Berisha” është qeveria që anëtarësoi vendin në NATO, qeveria që hoqi vizat dhe bëri realitet ëndrrën e lëvizjes së lirë, që hoqi vendin nga lista e rekordeve të zeza të korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar, që rriti rrogat dhe pensionet, që evitoi reçensionin në kohën e krizës globale, që shtroi trasenë e Shqipërisë së zhvilluar, moderne dhe europiane, me rrugë që nuk i ka njohur historia e këtij vendi, me 24 orë energji, shkolla, ujësjellës dhe spitale të reja, që futi Shqipërinë në moshën dixhitale, që u përkushtua si kurrë më parë në zgjidhjen e çështjes kombëtare, pavarësimin e Kosovës dhe njohjes së saj, që  përafroi më shumë se asnjë tjetër, integrimin e vendit në BE, që nënshkroi MSA, që e zbatoi atë dhe reformat shoqëruese, që aplikoi për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE dhe që meritoi rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, për marrjen e statusit kandidat, që udhëhoqi me vizion, kurajo dhe vendosmëri procesin e vështirë të konfirmimit të gazsjellësit Trans – Adriatik.

Qeveria “Berisha” është e do të mbetet një histori e pakrahasueshme suksesi, në historinë njëqind vjeçare të shtetit shqiptar. Qeveria “Berisha” është e do të mbetet gjithashtu një vlerë dhe një trashëgimi shumë e çmuar e Partisë Demokratike. Ata që kanë ardhur sot në pushtet dhe qeveritë demokratike që do të vijnë nesër, do të duhet t’i bëjnë llogaritë me bilancin e saj.

Unë jam krenar që kam qenë për gjashtë vjet me radhë, pjesë e kësaj qeverie. Arritjet e saj janë sot pjesë e përgjegjësisë sime, pjesë e përgjegjësisë së mbarë Partisë Demokratike, për një fillim të ri drejt një suksesi të ri. Në këtë sfidë të rëndësishme, ju dhe gjithë zyrtarët e tjerë të lartë të Partisë Demokratike që përmbushën detyra të rëndësishme publike dhe shtetërore këto tetë vjet, do të jenë pa dyshim pararoja e një opozite të fortë, ballore dhe moderne, në radhë të parë në Parlament, por edhe jashtë Parlamentit.

Ne vijmë nga një përvojë e çmuar e qeverisjes, që na ka mësuar shumë të gjithëve. Ne i kemi potencialet të bëjmë opozitën më efikase që ka njohur vendi. Ne jemi demokratë. Ne i përkulemi pa apelim, votës së lirë të popullit. Ne e dimë se rrotacioni i pushtetit  është një dhunti dhe atribut jetëdhënës i demokracisë. Për këto arsye dhe për faktin tjetër të gjithëpranuar, se zgjedhjet e lira janë mjeti për ta lënë dhe jo vetëm për ta marrë pushtetin, ne e kemi pranuar dhe  përjetuar si demokratë, këtë zhvillim në jetën e vendit.

Ne shpalosim legjitimisht meritat e qeverisë sonë, në përmbushjen e detyrave që ka qeveria, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve më të mira që ka njohur vendi. Ne shpalosim legjitimisht vlerat e kalimit të rregullt e të përgjegjshëm të pushtetit.

E gjithë kjo nuk na pengon aspak, të shohim drejt në sy, sot dhe në ditët në vijim, parregullsitë dhe interferimet antiligjore të ish–opozitës, në procesin ligjor. Për herë të parë, kemi parë një opozitë që ka vjedhur e blerë vota, për të tjetërsuar rezultate. E gjithë kjo nuk do të na pengojë gjithashtu, të shohim me realizëm, në funksion të reflektimeve pozitive dhe korrigjimeve të domosdoshme, defektet, të metat dhe gabimet tona, shkaqet subjektive të rezultatit, përtej konsumimit objektiv prej pushtetit dhe përtej deformimeve nga vjedhja dhe blerja e votës prej kundërshtarëve tanë.

Së bashku do t’i bëjmë këto detyra. Me gjithë demokratët dhe me ata që po vijnë e do të duan të vijnë në partinë tonë të madhe. Unë kam kënaqësinë, t’ju uroj sot të gjithëve mirëseardhjen në selinë e re, prej nga do të nisë sfida jonë e re.

Të nderuar deputetë të Partisë Demokratike!

Ky është Grupi i ri Parlamentar i Partisë Demokratike. Bashkë me aleatët tanë, kjo këtu është opozita parlamentare e Shqipërisë. Unë besoj se kjo fjalë thotë shumë, për çdo shqiptar. Ajo ka një tingëllim të veçantë, epik dhe heroik do të thosha, në historinë e shtetit shqiptar. Në periudha të caktuara të kësaj historie, opozita parlamentare ka qenë kultura dhe klasi i Shqipërisë. Me ardhjen e komunizimit, opozita parlamentare u bë simbol i martirizimit dhe persekutimit më të egër. Me hapjen e vendit, pas vitit 1991, opozita parlamentare ka qenë në momentet më të mira, simbol i shpresës dhe rojtare e pazëvendësueshme e demokracisë.

Gjithë kjo histori, është sot pjesë e vetëdijes dhe përgjegjësisë sonë, për misionin e ri që po marrim si opozitë, mision i cili në shoqërinë e hapur, është  po aq i lartë, i rëndësishëm dhe jetik, sa edhe qeverisja. Ne jemi krenarë, sepse jemi partia që e ka themeluar opozitën parlamentare në Shqipërinë postkomuniste, pluraliste.

Në periudhën 1991-1992, ishte grupi parlamentar i partisë sonë, që me guxim, vendosmëri dhe vizion të ri demokratik udhëhoqi përpjekjet, për t’i dhënë shprehje në rrafshin kushtetues e ligjor, përmbysjes së madhe të dhjetorit 1990, duke përgatitur terrenin për fitoren e madhe të 22 marsit 1992.

Nga viti 1997 deri në vitin 2005, grupit parlamantar demokrat i ra barra të mbante gjallë dhe ndezur pishtarin e opozitarizmit, në një periudhë të karakterizuar nga revanshizmi i egër neokomunist, me një qeverisje të rekordeve të zeza, ku ngritja e korrupsionit në sistem dhe kapja e shtetit nga krimi i organizuar kishin njollosur imazhin e vendit dhe dërrmuar shpresën për zhvillim dhe integrim. Opozita parlamentare e Partisë Demokratike mbijetoi dhe doli fuqishëm në rolin e saj, duke ndezur shpresën për ndryshim.

Sot, në një Shqipëri të zhvilluar dhe të përgatitur për shpërthime të reja zhvillimore, falë qeverisjes sonë tetëvjeçare dhe reformave liberale në veprim, ne fillojmë një opozitë të re, përballë një shumice që është votuar me një program antireformist, populist dhe etatist, tipik për të majtat e vjetra asistencialiste të viteve gjashtëdhjetë, të tejkaluara prej kohësh nga të majtat e reja europiane.

Ne duam ta njoftojmë sot këtë shumicë dhe qeverinë e saj, dhe  ky  është një lajm i mirë, në mos për ta, për publikun shqiptar, se duke filluar nga sot e deri në ditën e fundit të Kuvendit që ka dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, ata do të kenë përballë grupin parlamentar të Partisë Demokratike; do të kenë  përballë një opozitë të fortë, moderne; profesionale, bashkëpunuese për çështje madhore të vendit; kontrolluese e përditshme e akteve të qeverisë; verifikuese e rreptë e premtimeve të saj; kritikuese e të metave dhe gabimeve  të saj; denoncuese e korrupsionit; abuzimeve dhe shkeljeve eventuale të saj; mbrojtëse e vendosur e lirive, të drejtave dhe gjithë arritjeve demokratike  në vend; një opozitë propozuese dhe shpresëdhënëse që do të avancojë vazhdimisht alternativën e saj të qendrës dhe qendrës së djathtë.

Ne kujtojmë sot, se Partia Demokratike lindi si parti e vokacionit perëndimor të shqiptarëve. Në koherencë me këtë vokacion, që është adn-ja jonë politike, ne nuk do të bllokojmë siç mjerisht dhe botërisht bëri Edi Rama e të tijët, me bllokimin e statusit. Përkundrazi, ne do të jemi protagonistë, për të gjithë çëshjet e integrimit europian të Shqipërisë, duke filluar me marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti e duke vazhduar me tërë procesin e  anëtarsimit, me titull të plotë  të vendit në BE.

Qytetarëve shqiptarë u deklarojmë sot, konsensusin tonë pa kushte, për çdo ligj dhe akt që shkon në favor të integrimit europian të Shqipërisë. Ne njoftojmë gjithashtu bashkëpunim konstant dhe mbështetje nga deputetët tanë, në komisionet përkatëse dhe në aulën e Kuvendit, për të gjitha obligimet e anëtarësimit të  Shqipërisë  në NATO, për marrëdhëniet e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, për politikat e paqes në rajon, për  bashkëpunimin e veçantë,  në dritën e politikave të reja integruese me Kosovën, etj.

Përvojën e fituar në qeverisje, e konsiderojme një anvantazh të madh të grupit tonë parlamentar. Deputetët tanë do të garantojnë shqyrtimin profesional dhe ekspertizën me të thellë të çdo ligji dhe akti të qeverisë, të çdo dokumenti parlamentar.

Ne do të jemi të hapur, për çdo nismë verifikuese të akteve të qeverisë sonë nga shumica e re. Ministrat tanë na kanë dhënë të parët, shembullin e kësaj gatishmërie domethënëse, gjë që tregon se nuk kemi asnjë shqetësim nga trasparenca, përkundrazi, kush do të  ketë nevojë dhe kohë të merret me konçensionet  e qeverisë  sonë fjala vjen, e para dhe e fundit gjë që do të zbulojë, do të jenë  akuzat e pabaza, spekullimet dhe shpifjet e parreshtuara që ish – opozita ka adresuar kundër ministrave të Partisë Demokratike.

Duke ofruar këtë gadishmëri, grupi ynë parlamentar dhe Partia Demokratike do të përdorin të gjitha mjetet demokratike, për të mos lejuar zhbërjen e produktit të reformave që janë ndërmarrë gjatë viteve të qeverisjes sonë, në ekonomi, arsim, administrim, etj.

Një prioritet i grupit tonë do të jetë monitorimi ditë për ditë i premtimeve që shumica e re u ka bërë zgjedhësve, kundrejt votës që u ka kërkuar. Dëshiroj ta garantoj në emrin tuaj qeverinë e re, se ne nuk do t’i japim paqe asnjë minutë, për sa u takon mbajtjes prej saj të premtimeve. Këtë e konsiderojmë jetike, për të mos lejuar nëpërkëmbjen e dinjitetit të qytetarëve si dhe për kulturën e seriozitetit dhe përgjegjësisë që duhet të kultivojmë në raportet e politikës me publikun. Kush tërhiqet nga premtimet, duhet të përballet me pasojat.

 Dua të theksoj me këtë rast, se nuk do të jemi opozita e baltës, e spekullimeve, shpifjeve apo dhunës verbale. Do të jemi opozita e fakteve, opozita e gjykimeve të shëndosha, opozita e arsyes. Ne do t’i përmbahemi vlerave të guximit, etikës dhe klasit që karakterizon kulturën politike të qendrës së djathtë.

Ndërkaq, të nderuar miq, ne nuk do të jemi një opozitë akademike apo libreske që vepron vetëm në aulat dhe anekset e Kuvendit të Shqipërisë. Opozita jonë parlamentare do të jetë popullore dhe publike. Deputetët tanë do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me zgjedhësit, jo vetëm me ata që na kanë votuar, por me të gjithë zgjedhësit pa përjashtim, që do të duan të qajnë një hall, të ngrenë një shqetësim, të propozojnë një zgjidhje. Grupi ynë parlamentar do të jetë në çdo seancë, zëri i drejtë, realist dhe i fuqishëm i Shqipërisë opozitare në Kuvendin e Shqipërisë.

Ne duam të bëhemi një shkollë e opozitarizmit në vend, me synimin që kultura e mospajtimit me të keqen në një anë dhe ajo e solidaritetit dhe pozitivizmit në anën tjetër, të bëhen gjithnjë e më shumë një zakon i mirë i komunitetit dhe mbarë popullit shqiptar.

Jo vetëm në këtë aspekt, por para së gjithash në fushën e politikave të zhvillimit, që janë pasioni ynë i madh, ne do të jemi gjithashtu  një opozitë alternative, propozuese, ndërtuese. Për këtë, departamentet e Partisë Demokratike do të jenë në dispozicion të grupit parlamentar, në bashkëpunim të ngushtë me të.

Të dashur miq!

Koha ka treguar se opozitarizmi dhe qeverisja janë dy talentet e spikatura të Partisë Demokratike. Pas tetë vjetësh në qeverisje të suksesshme, kthehemi të fillojmë sot opozitën e tretë në harkun e pak më shumë se dy dekadave në demokraci. Në këtë edicion, Kuvendi do të jetë arenë primare e opozitarizmit tonë. Grupi parlamentar do të jetë pararoja e udhëtimit që fillojmë sot, për tu bërë sërish shumicë qeverisëse nesër.

Edhe një herë, punë të mbarë të gjithëve!

Punë të mbarë Kuvendit të ri të Shqipërisë!

9 shtator 2013

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: e Grupit Parlamentar te PD, fjala ne mbledhjen, Lulzim Basha

PALOKASTRA : KËTU GJËNDET PHANOTE E LASHTËSISË

September 9, 2013 by dgreca

Rubrika- Tingëllime vëndemrash ilire (3)/

 Ne Foto: Vëndbanimi i lashtë në Palokastër të Gjirokastrës, aty ku bashkohet lumi Drino me  lumin e Kardhiqit, që është identifikuar me  Phanote-n e lashtë./

Nga Prof. Nelson ÇABEJ/

Palokastra është një fshat i komunës së Cepos në rrethin e Gjirokastrës. Fshati ndodhet aty ku bashkohet lumi Drino me lumin e Kardhiqit. Në këtë fshat ndodhet një kështjellë e ndërtuar në vitet 314-315, por edhe një vëndbanim i lashtë që ka ekzistuar të paktën që nga shekulli IV p.e.s.

Vëndbanimi i lashtë në Palokastër të Gjirokastrës, aty ku bashkohet lumi Drino me  lumin e Kardhiqit, që është identifikuar me  Phanote-n e lashtë.Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1980 kështjella dhe fshati dalin me emrin Palokastra1, që pasqyron opinionin mbizotërues se ky vëndemër ka prejardhje të huaj (nga fjalët greqisht paleos ‘(i,e) vjetër’ dhe  latinisht castrum, castellum ‘kështjellë’). Por ky opinion sipërfaqësor ndesh në vështirësi të pakapërcyeshme.

Ndërkohë që dihet se kështjella e Palokastrës është ndërtuar në shekullin IV të erës sonë, vëndbanimi qytetar i lashtë aty ka ekzistuar të paktën 7 shekuj para se të ngrihej kështjella dhe ai vëndbanim sigurisht kishte një emër të ndryshëm nga Paleokastër me që qyteti ende nuk kishte kështjellë (castrum) e aq më pak kuptim do të kishte që në atë kohë ai qytet të quhej Paleokastër (kështjellë e vjetër). Atëhere, si e kanë quajtur banorët e vëndit qytetin e tyre shumë shekuj para se të ndërtohej aty kështjella?

Ndërkohë që përbërësi i dytë latin castrum ‘kështjellë’ mund të përjashtohet nga hetimi për të gjetur emrin e hershëm të këtij vëndbanimi, nga pikëpamja gjuhësore, si objekt kërkimi mbetet përbërësi i parë, paleo, edhe pse ai tingëllon qartë si një emër grek.

Ne do ta shfrytëzojmë këtë fjalë vetëm për të mbështetur të dhënat historike të burimeve të lashtësisë dhe hipotezat e historianëve modernë rreth emrit të Palokastrës në lashtësi.

Në vitin 1835 studiuesi britanik W.M. Leake2 që kishte shëtitur nëpër këtë rajon, duke u mbështetur në përshkrimet e betejave të konsullit romak Apius Claudius në Iliri dhe Epir dhe në gjeografinë krahasuese erdhi në përfundimin se në këtë rajon, në Kardhiq, në veri të Gjirokastrës, ndodhej qyteti i lashtë epirot, Phanote të cilin fillimisht e rrethoi por pastaj e braktisi konsulli. Këtë mendim mbrojti më vonë, në vitin 1862, edhe filologu dhe arkeologu gjerman Conrad Bursian (1830- 1883). Por në vitin 1938 Eugen Oberhummer (1859-1944), pas një hetimi më të hollësishëm, nëpër harta më të plota të kësaj zone, arriti ta saktësojë vëndndodhjen e Phanotës së lashtë në fshatin Palokastër, pikërisht aty ku bashkohen lumi Drino me lumin e Kardhiqit, ku sot gjëndet një vëndbanim i periudhës klasike.

Phanote me sa duket ishte nje qytet skajor jugor i fisit ilir të atintanëve ose të amantëve. Një vëndbanim tjetër i lashtë me po këtë emër, Phanote gjëndej në një rajon tjetër të Epirit, në brigjet e lumit Thyamis (sot Kalamas), aty ku sot është fshati çam Raveni, në rrethin e Filatit, Greqi.

Në mbështetje të këtij lokalizimi, të përligjur nga ana historike dhe arkeologjike, vjen edhe një argument gjuhësor: grupi ph në greqishten e lashtë nuk lexohej f, sic jemi mësuar ta shqiptojmë nga greqishtja mesjetare dhe e re, por ashtu siç shkruhet, ph. Veç kësaj, duhet të mbahet parasysh edhe fakti që për vëndemrat e huaj ph- e autorëve të lashtë grekë shumë herë qëndron për një p- të origjinalit3.

Në periudhën e parë të formimit të gjuhës shqipe, qyteti do të jetë quajtur Phanote/Panote, por, me ngritjen e kështjellës në shekullin IV të erës së re, të paktën në burimet e shkruara qyteti do të dilte me emrin *Phanotcastron (nga Phanote + castrum ‘kështjellë’). Më vonë do të ketë ndodhur disimilimi n > l,  që nuk është i panjohur në gjuhën shqipe e madje është dëshmuar edhe në vëndemra si në rastin e Panormos së lashtë, që sot njihet si Palermo, në bregdetin jonian të Shqipërisë.

Në formën e sotme Palokastër, ky vëndemër përfaqëson një dëshmi tjetër se qyteti Panotë dhe rajoni rreth tij kanë qënë banuar nga shqiptarë, të paktën qysh nga lashtësia e vonë.(Vijon rubrika)

Referencat

 1. Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985). Akademia e Shkencave e RPSSH, Tiranë.

2. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece, I, London, J. Rodwell, New Bond Street, f. 72-73.

3. Kretschmer, P. (1896). Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache. Vandenboeck and Ruprecht, Göttingen, f. 268.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Nelson Cabej, Palokastra, rubrika, tingellime ilire 3

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT