• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

“Klasa politike meriton ndëshkim, se e ktheu në shërbëtor sovranin

September 9, 2013 by dgreca

Në prag të rrëzimit të diktaturës, korrespondentja e parë grua nga Tirana që do të informonte nëpërmjet Radios “Zëri i Amerikës”, do të ishte poetja, publicistja, analistja dhe përkthyesja Elida Buçpapaj -bija e vetme e poetit e publicistit të persekutuar nga regjimi –të shquarit e të paharruarit Vehbi Skënderi. Elida Buçpapaj është diplomuar në universitetin e Tiranës për Gjuhë–Letërsi, shkrimet e para filloi t’i botojë në shtypin e postdiktaturës, si te gazetat Atdheu, Kosova, Rilindja Demokratike dhe Tribuna Demokratike. Gazetare profesioniste me aktivitet për më se dy dekada në Diasporë dhe 22 vjeçar në shtypin shqiptar e atë shqiptaro-amerikan. Korrespondente, redaktore, editore, freelancer, autore, kolumniste – tek Zëri i Amerikës, tek Rilindja Demokratike, Zëri i Rinisë, Republika, Revista RTSH, dhjetë vjet editorialiste tek Bota Sot. Prej 5 vitesh së bashku me bashkëshortin e saj publicistin dhe shkrimtarin, Skënder Buçpapaj, janë editorë të portalit Voice of Albania. Po ashtu Elida është bashkëpunëtore e rregullt me gazetën më të vjetër në Amerikë, Dielli -dhe gazetat e platformat në Diasporë. Ka të botuara mijra faqe publicistikë në gazetarinë shqiptare dhe atë shqiptaro-amerikane. Elida Buçpapaj ka lëvruar e vazhdon të lëvrojë me sukses pothuaj të gjitha zhanret e shkrimeve publicistike dhe letrare, që nga kronika, reportazhi, përshkrimi e deri tek analizat, komentet, replikat etj. Autore prodhimtare dhe njohëse në mënyrë perfekte e katër gjuhëve të huaja anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht, duke përkthyer në shqip majat e poezisë botërore. Autore librash në zhanret e poezisë, prozë, publicistikë e përkthimit dhe e vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Në këtë intervistë për “Tirana Observer”, Elida Bucpapaj rrëfehet si kurrë ndonjëherë gjëra që i tregon për herë të parë për veten dhe për Atin e saj, poetin e shkrimtarin Vehbi Skënderin, dhe si arriti Elida të bëhet një zë i fuqishëm analitik dhe opinioniste në publicistikën shqiptare dhe po ashtu një figurë dominuese e zërit femëror intelektual e krijues në letrat shqipe.

Përshëndetje znj. Elida! Faleminderit për kohën e vyer në përkushtim të kësaj interviste. Kam shfletuar dhe lexuar me interes të veçantë vëllimet tuaja të fundit me poezi “Rapsodi e Golgotës të Tranzicionit” dhe “Unë jam e përjetshme”. Sinqerisht, ngazëllehesh nga mjeshtëria e kulturës profesionale dhe thelbi artistik e filozofik i penës tuaj poetike. Si lindi poezia tek ju. Cila ka qenë eksperienca juaj e parë në gjininë e poezisë?

Të falenderoj Raimonda për interesin që pate. Jam vajzë poeti, poezia është element i jetës time – si ajri, uji dhe zjarri.

Çfarë mendoni, kush ju ka bërë poete?

Natyrisht një bir a bijë mjeku apo avokati mund të ndjekë lehtë gjurmët e të jatit, ndërsa poetët lindin. Për ta vendos forca maxhore. Si individ, unë jam lindur e rritur me poezinë, por prapë kjo s’mjafton të bëhesh poeteshë. Im atë kishte një respekt shumë të madh për jetën – dhe të tërën e inkuadronte në poezi. Një pikë shi, një pikë trishtim. Ishte poet i lindur. Sa kam filluar të mbaj mend, e kujtoj veten mbi gjunjët e tim eti, ndërsa ai shtypte poezitë e tij në makinën e shkrimit. Aty ai filloi të më mësojë edhe gërmat e alfabetit. Duke jetuar mes poezisë, mes deklamimeve të tim eti, vargjeve dhe rimave, natyrisht që kjo ka ndikuar tek unë që ta dua poezinë. Kur isha fëmijë thosha se do të bëhesha poete, po kjo gjë s’kishte lidhje me realitetin. Poezia ime e parë ishte përpjekje për të rimuar, padyshim që ishte imitim. Talentin tim e konstatuan të parat mësueset e letërsisë që në shkollën fillore e deri në gjimnaz. Shkruaja hartime dhe i bëja shoqet e shokët e klasës të qanin.

Kur i botuat poezitë e para?

Poezitë e para i dërgova në gazetën “Drita”, me mbiemrin e nënës time, si Elida Shyti. Më kujtohet si sot, isha në vitin e parë gjimnaz dhe ia dorëzova Diana Çulit. Ishin fillimet e para, por duket cikli kishte bërë përshtypje dhe redaksia dërgoi të pyesin për mua në gjimnazin Sami Frashëri se cila isha. Aty u doli se Elida Shyti – në fakt ishte Elida Skënderi, e bija e Vehbi Skënderit dhe cikli nuk u botua. Nuk kisha për ta mësuar kurrë këtë fakt, por sekretari i partisë i gjimnazit, mësues Llambi, që tani nuk jeton më, duket e njihte tim atë dhe nga keqardhja erdhi në shtëpi e na e tregoi. E kujtoj si sot, ishte mbrëmje, kur unë hapa derën e u habita, ai nuk hyri brenda, por bisedoi disa çaste me babin.

Po librin e parë?

Librin e parë e kam dërguar për botim posa mbarova gjimnazin. Dëshiroja të studioja për letërsi. I jam mirënjohëse Dritero Agollit, edhe për një rast tjetër, sepse kur im atë shkoi dhe i kërkoi që të jepte një rekomandim për ta paraqitur në dokumentat e mia, ai pranoi. Po kështu morëm një vërtetim edhe nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” se kisha në proces botimi libër, por ai libër nuk u botua kurrë dhe po ashtu nuk m’u dha as e drejta për të studiuar në Universitet.

Po çfarë bëre atëherë?

Po çfarë të bëja. Në një farë mënyre, unë e dija se Universiteti nuk do të më dilte, pasi në Shqipëri dihej se kush e ka biografinë e keqe nuk i lejohej të shkonte në shkollë. Sa herë dilnin listat, në fund të gushtit, i kam parasysh si tani, një palë vendoseshin tek “Rruga e Kavajës”, tek një dyqan pastrimi kimik, aty shkoja dhe i lexoja. Kërkoja emrin tim më kot, se mos ngjante mrekullia. Por në diktaturë mrekullitë janë të pamundshme. Im atë për të ma zbutur këtë dhimbje, shkoi tek miku i tij Petro Zheji. Kur u kthye në shtëpi na tregoi se Petroja i kishte thënë “s’ka gjë Vehbi, do t’i dalë më për hajër”. Në fakt, Petro Zheji ishte universitet më vete. Sot nuk gjej një njeri që të ketë formatin e tij. Ai filloi të vinte një herë në javë në shtëpinë tonë për të më mësuar frëngjisht. Isha me fat që, një njeri gjenial si Petro Zheji, bashkë me frëngjishten më hapi portat e poezisë më të mirë franceze. Por nga ai njeri, mësova antikonformizmin, mënyrën për të mos pranuar metodën e realizimit socialist. Im atë tregohej me mua shumë i kujdesshëm, sepse kishte frikë se mos unë flisja jashtë, ndërsa Petro Zheji tallej pa fund me drejtuesit dhe shefat e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”.

Po pastaj si vajti?

Me Petron po ecja shumë mirë, kisha nisur të notoja në ujërat e poezive të Rimbaud-së, Verlain-it, Mallarme-së. Petroja më vinte detyrë t’i mësoja përmendsh, sepse kështu më thoshte përfiton edhe gjuhën, edhe kulturën. Pas pak kohësh, nisi të më jepte poezi për të përkthyer dhe, kur kënaqej me përkthimet e mia, më lavdëronte përpara prindërve të mi, pas orëve të studimit, kur mamaja ime me këtë rast do të na kishte përgatitur patjetër ndonjë ëmbëlsirë. Kalonim kështu gjithë mbrëmjen. Na vinte edhe një kushëri i mamasë që e adhuronte gjenialitetin e Petro Zhejit. Dhe ishin mbrëmje të paharruara, sepse Petroja fillonte e na tregonte historitë e tij të pafundme, patjetër të ngatërruar edhe me mediokritetin e pseudoelitës komuniste. Në ato mbrëmje ku flitej pa doreza dhe pa maska mësuam edhe për studimin e tij për gjuhën, ku shqipen e shihte si mëmën e të gjitha gjuhëve të botës. Tani këtë vepër e ka botuar. Petro Zheji është një njeri gjigand dhe me një zemër të jashtëzakonshme, është tmerrësisht humanist. I prirur për të bërë vetëm mirë, për të ndihmuar çdokënd. Asnjëherë nuk mungoi në ditën kur ishin caktuar orët e mësimit, ishte dimër, verë, borë e shi dhe ai nuk pranoi kurrë ndonjë shpërblim sado modest, veç mirënjohjes. Por ishte shumë bukur për të qenë e vërtetë. Sepse një ditë prej ditësh Komiteti Ekzekutiv i Tiranës më dërgoi një letër kur më kërkonte të paraqitesha në Kombinatin “Josif Pashko” për të filluar punën si punëtore në Fabrikën e Pllakave, në një pseudo stazh. Ishte një ferr i vërtetë. Fabrikë me mjete të shekullit XIX, ku regjimi sillte aty për riedukim njerëz që i konsideronte armiq të klasës. Aty fillova punë edhe unë. Petroja i tha tim eti të mos pranonte të më dërgonte, por në kushtet ku ndodheshim çdo refuzim pune nga ana jonë shihej politikisht. Ne kishim ndërruar banesën, por për të na bërë presion psikologjik, apo kushedi se çfarë planesh që kishin, ata nuk na regjistruan për disa vjet rresht si banorë të Lagjes 1. Ndofta prisnin momentin të na internonin, ashtu si e kishin planifikuar, në një fshat të izoluar të Tiranës, ku po të shkoje humbisje krejt. Im atë asaj kohe punonte në repartin e mbeturinave në Shtypshkronjën e re, si punëtor i pakualifikuar.

Në këto kushte a ju shkonte mendja të shkruanit poezi?

Vështirë. Në dukje e pamundur, kur shihje se babain e hiqnin nga puna, ia mohonin të drejtën e shkrimit, ia ndalonin librat, dhe kur kishe frikë se nga çasti në çast do të vinte makina për të të degdisur diku në një humbëtirë, kur ty vetë të largoheshin shoqet e detyroheshe të shkoje e të vije vetëm. Në këto kushte kaq të trishta dhe të frikshme, prindërit e mi bënin gjithçka për të më krijuar në shtëpi një tjetër botë, 180 gradë ndryshe nga bota përbindëshe që përballesha kur isha jashtë. Po ta shprehja në mënyrë danteske, jashtë më priste ferri, ndërsa në shtëpinë time kisha parajsën, aq dashuri dhe përkujdes më jepnin prindërit e mi. Jam përballur me cinizmin që fëmijë. Në shkollë jam përballur me cinizmin e mësuesve dhe xhelozinë e shoqeve që kënaqeshin me vuajtjet e mia, paçka se isha e shkëlqyer në mësime. Kisha talent për letërsi, për gjuhët e huaja, por edhe në matematikë. Tek “Sami Frashëri” kishim një mësues matematike të jashtëzakonshëm, i thërrisnim profesor Kristaqi, i binte fizarmonikës në zbore dhe aksione. Kur takohej me babin i thoshte, Elida arrin të asimilojë për një javë, atë që të tjerët e asimilojnë në muaj. Fjalët e profesor Kristaqit ishin diell për të zbutur sado pak hallet që kalonte familja ime, kur tim eti i shmangeshin për ta takuar gati të gjithë ish-miqtë e shokët e tij, deri tek mësuesit e mi të gjimnazit kur ai vinte për të pyetur për mua. Këtë do të ma tregonte mësuesja e letërsisë Ferial Vasili, e cila më ndejti pranë në vitet më te vështira të jetës time,  ajo u kujdes për mua kur na kishin braktisur pothuaj të gjithë.

Si ndodhi?

Siç e thashë që në krye, bijtë e poetëve dhe shkrimtarëve më së shumti nuk e trashëgojnë talentin dhe genin e të shkruarit. Edhe im atë ishte shumë i kujdesshëm në këtë drejtim, që të mos më krijonte mua iluzione. Ai si prioritet shihte shkollimin tim, të kulturohesha, të mësoja gjuhë të huaja dhe pastaj, nëse isha e talentuar, përse jo. Pastaj atij ia shembën shpejt të gjitha ëndrrat që, si çdo prind, bën për fëmijët e tij. Unë isha në kopësht kur atë e përfshinë në një grup antiparti me akademikë nga Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, si Prof.Selman Riza, Prof.Zija Shkodra, Dhimitër Pilika, etj. kur ia hoqën të drejtën e botimit dhe e dërguan për riedukim në Vaun e Dejës dhe pas një pseudorehabilitimi njëvjeçar e fundosën prapë përfundimisht, kur vendosën të na internonin në rrëzë të Dajtit. Asaj kohe unë isha ende në tetëvjeçare. Pra talenti im nuk i hynte askujt në punë. Regjimi ushqente shoqërinë me luftën brenda llojit. Mjafton që të vendoste partia që shoqëria të thoshte amin. Kishte burgje realë, si Spaçi, por mund të jetoje burgun edhe duke qenë jashtë hekurave të tij. Kështu ishin vitet e gjimnazit për mua, vuaja tmerrësisht për tim atë të cilin e torturonin me mënyrat më perfide që kishte sistemi, deri sa u sëmur. Nuk deshën që ta pranonin as në spital. Tani e kam parasysh tim atë se ishte vetëm dyzetë e ca vjeç dhe ishte plakur për vetëm disa ditë 30 vite njëherësh. Askush nuk donte t’ia dinte për të. Sikur të ishte njeri me lebrozë. Pikërisht në këtë kohë të errët për mua u shfaq Ferial Vasili. Ferialin e pata mësuese të letërsisë në gjimnaz gjatë vitit të tretë dhe vitin e maturës. Më kujtohet si sot, autoriteti që kishte tek nxënësit, sepse ajo nuk pyeste për miq dhe jepte atë notë që meritonin. Erdhi hartimi i parë. Tema ishte për dëshmorët. Pas tre-katër javësh klasa kishte dy orë korigjim hartimi. Mësuese Feriali komentonte hartimet e klasës. Hartimit tim nuk po i vinte rradha. Kur pasi i kishte kaluar të gjitha, në fund më afrohet mua, më jep fletoren e më thotë: Elida lexoje! Edhe tani që po i shkruaj këto rradhë, sytë më lotojnë. Ajo bëri diçka shumë të rrallë. E sfidoi hipokrizinë e trupit pedagogjik që konformohej me verdiktin e partisë, që duke mos u ngopur me të jatin, i sulej edhe një adoleshenteje të brishtë. Ajo ishte jashtë kësaj klisheje. Pikërisht Ferial Vasili më bëri të besoj se jam e talentuar. A do të më hynte në punë ky talent po të vazhdonte diktatura? Nuk do të më hynte kurrë në punë, por ajo e bëri punën e saj. Atë hartim pastaj, që ia kushtoja Qemal Stafës, unë e transformova në poemth, dhe me përpjekjet e pafundme të tim eti, u botua më vonë tek revista Nëntori.

Po si çatë, a ia dolët që të çanit?

Ishte e pamundur të çaja. Nuk çaja dot askund, megjithëse babai im nuk linte derë pa trokitur tek miqtë e tij, që i kishte patur dikur kolegë. Kishte ditë që vinte i dërmuar sepse ia përplasnin dyert në fytyrë. Por prapë diku dilte dikush që të zgjaste gishtin apo dorën. Kështu kemi mbijetuar si qenie njerëzore. Ndërsa me talentet e reja merrej direkt Komitetit Qendror i Partisë të Punës dhe vendoste ky institucion se kush do të bëhej poet, se kush do të bëhej gazetar, se kush do të përfshihej në ingranazhet e superstrukturës, ku përgjithësisht mblidheshin më të patalentuarit e dheut por veglat më të pështira dhe më të bindura të regjimit.

Kur filloi të ndryshojë jeta juaj Elida?

Të thashë se jeta ime jetohej paralelisht në dy realitete, me realitetin e jashtëm që ishte brutal dhe me realitetin brenda familjes time si dhuratë e Zotit. Në shtëpi isha e rrethuar nga bota e librit. Unë i adhuroja prindërit e mi dhe përpiqesha që t’ua zbusja mërzitë e jetës. Im Atë përpiqej që të keqen ta kthente në të mirë. Dhe thoshte shpesh me të qeshur: “Nuk vinë të gjitha të këqijat për keq“. Më kujtohet kur punonte në repartin e plehrave të Shtypshkronjës së Re, prej andej më sillte në shtëpi fashikujt e librave të rinj që nuk i plotësonin standardet. Unë lumturohesha sepse isha nga të parat lexuese. Më kujtohet kur më solli, novelën e Kadaresë “Nata me Hënë“ apo “Koncert në fund të Dimrit“. Tek “Nata me Hënë” gjeta veten time, ndërsa “Koncerti…” m’u duk libri më i mirë që kisha lexuar deri atëherë. Dhe këtë mbresë e kam edhe sot. “Kronikë nën gurë” e kisha librin e nënkresës, ashtu si “Princin e Vogël”, ndërsa “Koncerti…” është një libër që nuk mund ta shkruajë dot dora e njeriut. Nga ana e tij, Petro Zheji me anë të mikeshave të tij më krijoi mundësi që të lexoja edhe në sallën e katit të dytë të Bibliotekës Kombëtare. Aty shfletoja edhe albumet nga Muzeumet e Louvre-it, Prado-s, Hermitage-it, Centre Pompidou etj. Pastaj po përmes miqve të tim eti dhe mësueses time të letërsisë Ferial Vasilit, u largova nga varrezat e Sharrës ku punoja. Pas Fabrikës së Pllakave, nuk isha më shumë se 20 vjeç, kur fillova punën si punëtore mirëmbajtjeje në varrezat e “Sharrës“. Deri atë kohë prindërit nuk më kishin sjellë asnjëherë në varreza, edhe kur kishin vdekur gjyshet e mia, tani më duhej të kujdesesha për mirëmbajtjen e varreve. Për herë të parë u përballa me vdekjen. Qaja pa fund duke lexuar epitafet dhe duke parë moshën se kur kishin ikur nga kjo botë banorët tashmë të botës së përtejme. Më kujtohet epitafi i shkrimtarit Jakov Xoxa. “Ah sikur jeta të vinte e të shkonte, të shkonte e të vinte“ – Atëherë nuk e kuptoja këtë sentencë, tani e kuptoj shumë mirë. Aty më treguan se ku kishte qenë varri i Mehmet Shehut dhe se si e kishin zhvarrosur. Në krye të varrezave, nga parcelat e para ishin edhe varret e njerëzve të afërt të nomenklaturës më të lartë të vendit, si varri i nënës së Nexhmije Hoxhës. Një ditë prej ditësh erdhi vetë Nexhmija për të sjellë lule. Brigadierit që i vinte keq për mua, më tha, shko Elida, thuaji për shkollë se ndofta të ndihmon. Nuk shkova. Po jeta ime ndryshoi edhe jashtë mureve të shtëpisë. Nisa punën në Institutin e Kulturës Popullore, në fillim si daktilografiste. Makinën e kisha mësuar që fëmijë, kur babi më mësonte gërmat e alfabetit. Tim eti nuk i kishte shkuar kurrë në mendje se një ditë do të punoja si daktilografiste. Pastaj u punësova në arkivin e Institutit, ku u përballa me Fondet e ndaluara të A1 dhe A2, që ishin fondet e Lef Nosit dhe Gjergj Kokoshit, njëri nga Etërit e pavarësisë i pushkatuar dhe tjetri ish-deputet i vdekur në burg, si armiq të regjimit. Fillova t’i shfletoj ato fonde. Më caktuan të punoj pranë Profesor Qemal Haxhihasanit për Ciklin e Kreshnikëve. Aty u njoha me mrekullinë e Eposit shqiptar. Në Institut punonin shkencëtarë të vërtetë si Qemal Haxhihasani, Andromaqi Gjergji, Jorgo Panajoti, Spiro Shkurti, Mark Tirta, Afërdita Onuzi, etj. Ndërkohë diktatori Hoxha kishte vdekur dhe mua më dhanë të drejtën e studimit për letërsi me korrespondencë. Studimet bashkë me diplomën i mbarova për tri vjet. Këtu më duhet të shpreh mirënjohjen për dy njerëz. Për Profesor Alfred Uçin që ishte drejtor i IKP, i cili më punësoi me ndërmjetësimin e zonjës të tij, Rozeta Uçi që im atë e kishte shoqe dhe Xhemal Dinin, i cili më dha mundësi të vazhdoj studimet në Universitet. Njëri më krijoi mundësi të punoj në kushte normale në një ambient kulture, paçka se shumë herë shumë i vështirë dhe ortotodoks,ndërsa tjetri më dha mundësi të diplomohem.

Po me letërsi a vazhdoje e merreshe, po jeta si vazhdonte?

Po natyrisht që merresha, por nuk më botonin. Ndërkohë kisha filluar lidhjen time të jetës me Skënderin, kësisoj isha lidhur pazgjidhshmërisht me poezinë. Tek Skënderi zbulova talentin, shkencëtarin, kritikun, gjuhëtarin, por mbi të gjitha njeriun. Ai vinte pikërisht nga trevat e Eposit të Kreshnikëve, pas të cilit unë isha mrekulluar. Duket se Zoti e kishte pikuar nga qielli ne tokë pikërisht për mua. Sa i përket punësimit, megjithëse diploma ime mbi hiperbolën dhe metamorfozën e Eposit u botua në disa numra tek Revista Shkencore e Kulturës Popullore, megjithëse kisha dhënë edhe provimin e anglishtes në Universitetin e Tiranës dhe isha shumë e përgatitur për t’u inkuadruar si punonjëse shkencore në këtë institut, sepse kisha edhe përkrahjen e stafit akademik të institutit, kur shkuam bashkë me Skënderin në Akademinë e Shkencave dhe u takuam me Luan Omarin, kërkesa ime atij iu duk si absurditeti më i madh i botës. Se si mua mund të më shkonte mendja të punoja në një institucion të superstrukturës, paçka se lidhej me Kulturën Popullore e dukej se ishte larg institucioneve që kishin lidhje direkte me trurin dhe mendjen e partisë të punës. Pa marrë parasysh se kishte hyrë dhjetëvjeçari i fundit i shekullit XX, në Akademinë e Shkencave mund të punësoheshe vetëm nëse ishe me biografi të mirë. Edhe nëse e kishe kokën bosh.

Je duke folur për fillimet e lëvizje demokratike.

Pikërisht, por megjithatë Akademia e Shkencave e Luan Omarit ma refuzoi të drejtën e punës për një vend që unë e meritoja. Ishim në prag të zgjedhjeve të marsit 1991. Shtypi ishte nën kontroll dhe pluralizmi i kontrolluar, por gjithsesi Shqipëria po hapej. Gjithsesi shpresa kishim. Tek Rilindja Demokratike botova shkrimin e parë dedikuar Petro Markos. Pastaj fillova të botoj tek Atdheu, Kosova, Tribuna Demokratike. Kështu nisa edhe rrugëtimin tim si gazetare.

Po poezinë?

Edhe poezi shkruaja, por më rrëmbeu publicistika, më rrëmbeu koha që ishte aq e vrullshme, e cila brenda mbante përmbysjen e diktaturës. Ëndërronim për një Shqipëri të lirë. Në prag zgjedhjeve të marsit 1992 raportoja për “Zërin e Amerikës”. Që pati një ndikim të madh në formimin tim si gazetare. Prej andej kalova redaktore tek “Zëri i Rinisë”, në fillim kisha kryeredaktor Ilir Yzeirin, i cili më kërkonte të shkruaja kolumna me temë nga politika e jashtme për faqen e parë të gazetës. Kjo më ka ndihmuar shumë dhe i jam mirënjohës Ilirit. Tek Zëri i Rinisë kam botuar edhe përkthimet e mia, Eliotin, Nënë Terezën. Në gazetë kisha kolegë Agron Tufën, Mark Markun, Rudi Erebarën etj. Në të njëjtën kohë, Ylli Rakipi dhe Lutfi Dervishi më ftuan të bashkëpunoja si gazetare e lirë me Republikën, duke më lënë në dispozicion një hapësirë fikse në faqen e parë. U jam mirënjohëse. Natyrisht ata nuk ma bënin këtë nder kot, por megjithatë u shpreh mirënjohjen. Tek revista Shqipëria RTSH kam punuar me Fatos Kongolin. Revista ishte e përdyjavshme dhe e nxirrnim bashkë. Ndërkohë Skënderi vazhdonte punën si drejtor i Përgjithshëm i RTSH dhe kjo pozitë e tij kishte bërë të futeshim në qendër të furtunave. Këto furtuna kishin nisur që kur Skënderi punonte tek gazeta “Drita”, me shkrimet e tij të guximshme pro ndryshimeve demokratike në vend. Por në RTSH këto sulme u bëmë shumë më agresive. Më kujtohet një herë, kur vendosëm që ta sillnim Prizrenin dyvjeçar në studion e përrallave të Pavlina Manit. Ai e ndiqte teta Pavlinën nga shtëpia dhe ne menduam se mund të shkonte në studio si fëmijët e tjerë. Të nesërmen, gazetat e majta ishin plot. Për të evituar këtë luftë të paskrupullt unë hoqa dorë edhe nga emërimi si zëdhënëse e kryeministrit Meksi dhe preferova të vazhdoj si gazetare e thjeshtë, por ndërkohë isha shumë aktive me shkrimet e mia. Kam të paktën njëzet vjet që kërkoj hapjen e Dosjeve. Kur e emëruan Arben Puton në krye të Komitetit të Helsinkit, reagova menjëherë me shkrim. Si ishte e mundur që kunati i Manush Myftiut, të drejtonte një institucion të të drejtave të njeriut në shtetin e ri demokratik. Dhe isha shumë e re. Përpara 23 vitesh të dy me Skënderin ishim shumë të rinj. Në këtë kohë botova edhe librin poetik “Unë jam e përjetshme“.

Si u prit nga kritika?

Në Shqipëri as nuk kishte dhe as nuk ka kritikë, ose më mirë të them ekziston vetëm kritika e periudhës të realizmit socialist, bashkë me autorët e saj.

Po në Zvicër kur u vendosë ?

Në 15 mars të vitit 1996. Skënderi nisi punën si diplomat unë si sekretare teknike. Prizreni filloi në Bernë kopshtin. Endriti nuk kishte lindur ende. Pastaj ndodhën ngjarjet e 1997 ku në Shqipëri shpërtheu luftë civile dhe u rrafshua shteti demokratik. Ne kërkuam azil politik dhe filluam angazhimin tonë për dhjetë vjet rresht tek Bota Sot, prej marsit 1998, me masakrën e familjes të Adem Jasharit, Skënderi kryeredaktor, unë si redaktore kolumniste, në periudhën më dramatike por edhe më frutdhënëse për fatet e kombit. Gjatë kësaj periudhe Bota Sot arriti të botohej në 200 mijë kopje, një tirazh i tillë, i paparë dhe kurrë i arritur në 100 vjet histori të shtetit shqiptar, duke thyer tabu përmes një gazetarie moderne Perëndimore të shekullit XXI.

Ndërkohë ti ke botuar disa libra të tjerë me poezi dhe publicistikë, apo jo?

Po, kam botuar “Rapsodi e Golgotës të Tranzicionit”, “Unë jam e Përjetshme”, kam në proces botimi librin poetik Rebelim në Tranzicion. Në publicistikë kam botuar “Tirania e Tranzicionit”, tani del “Traumat e Tranzicionit” dhe është në proces botimi “Disidencë në Tranzicion”. Në botimet e publicistikës është përfshirë krijimtaria e dy viteve të fundit. Nëse do të botoja krijimtarinë time më tepër se 20 vjeçare në gazetari, do të duhen vëllime të tëra.

Çfarë është poezia për ju?

Është mënyra më sublime për t’u shprehur. Është kuintesenciale. Shpreh thelbin e ndjenjës, është vetë emocioni – poezia është produkt i shpirtit.

Po publicistika?

Publicistika është komunikimi direkt me publikun, publicistika është pasojë, ndërsa poezia është shkak. E kam thënë edhe herë tjetër, poezia më ndihmon shumë edhe në publicistikë dhe prozë. Publicistika sot është shumë e rëndësishme, sepse është e lidhur me realitetin postdiktaturë, me qëllimin për të ndikuar në të mirë të shqiptarëve. Pasi gazetaria si pjesë e pushtetit të katërt ka funksion që të përçojë të vërtetën, të përcjellë zërin e opinionit publik dhe të ndikojnë në ndërtimin e shtetit ligjor. Mision i shenjtë por i keqpërdorur nga politika në të gjitha trojet shqiptare.

Çfarë pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj?

Punën time e dua shumë. E kam me pasion këtë profesion që nuk ma lejuan kurrë ta ushtroj gjatë diktaturës. Është profesion i bukur të mirinformosh publikun, të mos lejosh që politika t’ia shpëlajë trurin si vepron rëndom, të japësh kontributin në të mirë të shoqërisë. Pra motivimi është i madh. Por pa vokacionin natyrisht që nuk do t’i isha kushtuar gazetarisë. Sepse gazetaria, përveç integritetit, kulturës së gjerë kërkon që të kesh vokacion, të kesh prirje. Sepse duhet të shkruash në mënyrë të tillë që të shigjetosh atje ku duhet dhe në mënyrën më efikase të mundshme. Çfarë nuk pëlqej. Mënyrën kategorike të mospranimit për ato që shkruaj nga militantë apo simpatizantë fanatikë partish apo liderësh. Unë vetëm për Nënë Terezën do t’i vija duart në zjarr, e cila ka sakrifikuar jetën për të ndihmuar, ndërsa sa për klasën politike shqiptare, ajo meriton ndëshkim, sepse e ka kthyer në shërbëtor Sovranin. Gjithsesi kategorizmin dhe absolutizmin nuk e pranoj. Je dakord apo s’je me mendimet e dikujt është diçka e natyrshme, porse si thotë Volteri çdokush ka të drejtë ta shprehë mendimin e tij, natyrisht kur ky mendim është i mbështetur mbi themele të shëndosha, që nuk cënon të drejtat e njeriut. Askush nuk ka të drejtë ta shpërdorojë lirinë e fjalës.

Ju së bashku me bashkëshortin tuaj Shkrimtarin e Publicistin Skënder Buçppapaj, nxirrni gazetën online –Voice of Albanian –Zëri i Shqiptarëve në Zvicër – www.voal-online.ch, cili është qëllimi i këtij botimi?

Pas një kontributi prej një dekade tek Bota Sot, Skënderi dhe unë jemi editorë të Zërit të Shqiptarëve, një gazetë e përditshme në internet. Në fakt, largimi jonë nga gazeta Bota Sot ishte politik dhe obskurantist. Me largimin tonë, gazeta Bota Sot, ka përfunduar ashtu si shumë gazeta të tjera, të futura në qorrsokakun e politikës dhe pronarëve profiterë, të cilët nuk njohin as profesionin dhe as moralin, por që për para shesin nënë e babë. Censorët që na larguan nga gazeta, menduan se kështu do të na e mbyllnin gojën. Por dihet se profili i censorëve është shkurtpamësia. Zëri i Shqiptarëve është projekti ynë më i suksesshëm, ku ne botojmë veç analizave dhe komenteve tona, bashkëpunime të shumë kolegëve dhe profesionistëve të fushave. Synimi ynë është që të përcjellim modelin e një shtypi të angazhuar dhe Perëndimor. Nuk mjafton vetëm vërtetësia e lajmit, respekti për të vërtetën, por duhet edhe qëndrimi ndaj të mirës dhe të keqes. Gazeta jonë ka bashkëpunime shumë të frutshme edhe me gazetat dhe portalet e shqiptarëve në Perëndim si “Zemra Shqiptare”, “Tribuna Shqiptare”, “Diellin”, gazetën e Vatrës e themeluar nga Fan Noli, që vazhdon të botohet nga pasardhësit e Vatranëve. Zëri i Shqiptarëve aspiron që shndërrohet në tribunë të mendimit të lirë shqiptar larg modelit klientelist që ofron sot pushteti medial në shtetin amë dhe trojet shqiptare.(INTERVISTOI: RAIMONDA MOISIU)

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Interviste, Raimonda Moisiu

8 shtatori – Dita Botërore e Arsimimit

September 9, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Dje një lajm sensacional u përhap nga të gjitha emitetntet televizive shqiptare për një përqindje tepër të lartë të mësuesve të shkollave 9-vjeçare që nuk e kapërcyehen provimin e shtetit. Dhe nuk janë pak, por 75% e të gjithë atyre që u futën në testim. Shifër marramendëse kur pretendohet se Shqipëria ka bërë hapa para në arsim me reformat e qeverisë në ikje për tetë vjet rrjesht. Një tjetër e dhënë tronditëse pak kohë më parë për një shifër tepër të lartë, rreth 40% e mësuesve të gjuhës shqipe nuk e kaluan atë. Për të mos folur për një edhe më alarmante që në kryeqytet rreth 40% e mësuesve janë me shkollë të mesme. Do të mjaftonin këto të dhëna të besueshme për realitetin shqiptar që të vësh duart në kokë dhe të mendosh për këto dy dekada shqiptare dhe një titull po aq tronditës i ndonjë artikulli : Demokracia shqiptare analfabete. Këtë artikull e shkrova pikërisht në një koinçidencë me datën 8 shtator që është Dita ndërkombëtare e Arsimimit. Kanë kaluar 40 vjet që nga nismat e para, por përvjetorët nuk lidhen vetëm me vendet në zhvillim, por edhe me shtetet perëndimore, ku analfabetizmi dhe mungesa e leximit janë argumente aktualë. Pra demokracia kapitaliste prodhon analfabetë edhe në vendet që janë lidera në zhvillim. Nuk e di nëse tek ne është kremtuar ndonjëherë kjo datë, por edhe nëse është bërë, do të ketë qënë një ditë e zakonshme me fjalime pabukë dhe me përralla për arritjet e padiskutueshme shqiptare, ndërsa e kundërta na flet për rrënimin e arsimit shqiptar, për numërin në rritje të analfabetëve, për braktisje të shkollës, për fabrikën me nam të diplomave. Sot është ditë e dielë dhe ndoshta protokellet e ndërrimit të qeverive nuk do ta bënin të mundur realizimin e nismave, pavarësisht ditës kjo gjë duhet të ndodhte. Para shoqërisë shqiptare dhe vetë shtetit duhet të kristalizohen mirë në mendje se nuk duhet pritur dita që t’I kushtohet vëmendje arsimimit, por të gjithë duhet t’i përveshim mëngët fort dhe t’i kthehemi atij arsimi që në vite nxori njerëz vërtet të arsimuar dhe përgatitur. Këtë vit tema zgjedhur nga UNESKO-ja është Arsimimi dhe paqja në  shekullin e 21-të, me qëllim që të sensibilizohet opinioni publik botëror për rëndësinë e madhe që ka arritja e objektivit “Edukim për të gjithë”, të mbështetura këto që nga viti 1946, kur krijohet një komiteti që do të promovonte mësimin në shkollat bazë. Arsimimi është investim për të ardhmen, hapi i parë drejt shekulit ku çdo fëmijë mund të lexojë dhe përdorë përparësitë që të arrijë autonominë – thuhet në dokumentat kryesore të UNESKO-s. Është një e drejtë njerëzore themelore dhe baza e çdo të mësuari: ajo i jep akses arsimimit, i domosdoshëm për të eleminuar varfërinë, pakësimin e vdekshmërisë foshnjore, frenimin e rritjes së popullsisë, arritjen e barazisë gjinore dhe garantimin e paqes dhe demokracisë. T’i paraprish dhunës, të ulësh tensionet dhe t’u japësh fund konflikteve- janë përpjekje që kërkojnë vëmendje. Arsimimi çliron aftësi individuale për një të ardhme më të mirë. Hap rrugë drejt një drejtësie, barazie dhe progresi më të madh. I ndihmon shoqëritë të shërohen dhe të ecin në procesin që lidhet me objektiva madhorë për një mirëqënie të përbashkët. Në këtë pikë rëndësia e arsmimit është e padiskutueshme, pasi është motori i zhvillimit të qëndrueshëm.

Të dhënat e ditëve të fundit flasin për shifra alarmuese : në botë ka rreth 776 – 793 milionë të rritur analfabetë, pra me një llogari të thjeshtë, një në pesë është analfabet. Por faktet flasin qartë se pjesa më e madhe janë gra dhe 141 milionë prej tyre në krahinën subsahariane të Afrikës. Shifër jo e ulët edhe për minorenët dhe të rinjtë : 137 milionë fëmijë dhe të rinj analfabetë, prej të cilëve 61% janë vajza. 2/3 e analfabetëve gjenden në nëntë vende dhe prej tyre 47% jetojnë në Indi dhe Kinë. Vendet me përqindje më të ulët të arsimimit në botë janë Burkina Faso (12.8%), Niger (14.4%) dhe Mali (19%). Unesko-ja ka luajtur një rol të rëndësishëm  në promovimin e arsimimit dhe vë vënien e theksit  tek rëndësia themelore e tij si një e drejtë e pakundërshtueshme njerëzore. Disa ditë më vonë do të kremtohet edhe Dita botërore e Gjuhëve të Huaja, ajo është kthyer tashmë në traditë, por tek ne ka lindur një emergjencë që duhet të jetë ultimatum për qeverinë e re dhe për shoqërinë, arsimimi me bazë gjuhën tonë amëtare.

*Universiteti Fan S. Noli, Korçë

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, dita boterore, e Arsimit

DY FJALË PËR EKSPOZITËN E PIKTORIT VLONJAT KRISTAQ PAVLI

September 9, 2013 by dgreca

Nga Vaso PATA &Albert HABAZAJ/

Është i njohur dhe i lakuar pozitivisht dhe, jo pak herë zilishëm, grupimi i piktorëve me banim dhe aktivitet për një kohë të gjatë në qytetin e Vlorës. Arti i bukur dhe original, që ata kanë krijuar dhe është pëlqyer edhe në shkallë kombëtare e deri në përmasa europiane a ndërkontinentale, u quaj Shkolla Vlonjate e Pikturës, ku spikatën individualitete krijuese si Nestor Jonuzi, Skënder Kamberi, Ilmi Bani, Agron Dine etj., deri te brezi më i ri me protagonistë Agim Sulaj, Artan Shabani etj. Pioneri i pikturës së krijuar në Vlorë e çau përtej mjegullës së kohës së pasme është i paharruari Vasil Talo, që bëri pagëzimin e emrit të shkollës së pikturës me emër në Vlorë. Në këtë mjedis të mrekullueshëm, mbushej edhe frymëmarrja artistike e piktorit Kristaq Pavli, me origjinë nga Vunoi, i cili formohej e plotësohet në vijimësi, duke evidentuar kështu profilin e tij romantik, si punëtor i palodhur e i përkushtuar i penelit. Pikturon bukur me bojëra uji, ndërsa nuk ka hapësirë të qytetit dhe të rrethit Vlorës që s’ka shkelur. Pamjet nga natyra vijnë nëpërmjet peizazheve të admirueshme, që nga pikturat mbresëlënëe me shtëpi karakteristike të Vunoit, Narta, Zvërneci, dhjetra “det”, “Ura e Bratit” Mozaiku stinor dhe gjeografik i Vlorës është shndërruar natyrshëm dhe bukur në art nga piktori K. Pavli. I lindur në Vlorë, në vitin 1954, Pavli ka mbaruar liceun artistik në Tiranë në vitin 1974 dhe sot vazhdon aktivitetin e tij krijues në STUDIO ART, Vlorë. Ka qenë pjesëmarrës në ekspozita lokale dhe kombëtare dhe është në kontakt korrekt me këto veprimtari. Punimet e tij ndodhen të ekspozuara në galerinë  e artit të qytetit, si dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Pak kohë më parë, piktori Kristaq Pavli organizoi, në hollin e teatrit “Petro Marko” të Vlorës, ekspozitën e tij të 11- të.

Autori ka zgjedhur të paraqitet para publikut, kryesisht me peizazhe. Gjithsesi, ky lloj kufizimi në gjini, kompensohet nga larmia e teknikave (punime në vaj, akuarele, grafika), motiveve dhe ngjyrave.

Piktori Kristaq Pavli, qoftë nga motivet e zgjedhura, teknikat e përdorura apo stili i tij, ka ndikime të ndërsjellta me stilet e piktorëve të tjerë të qytetit të Vlorës.

Mesazhet që ato mbartin e përcjellin janë të drejtpërdrejta, lehtësisht të kapshme dhe domethënëse.

Akuarelet përbëjnë një nga pikat e forta të piktorit. Kam patur rastin dhe fatin e mirë të njihem me disa nga punët e hershme të autorit. Ndonëse me ngjyra të kursyera, më sjellin kënaqësi edhe sot e kësaj dite. Me kalimin e viteve arti bëhet më i pjekur, teknika më e përsosur, motivet më të përpunuara, ngjyrat më të gjalla dhe gjithnjë, duke ruajtur freskinë dhe naivitetin e viteve të para. Piktori, është e natyrshme, e ka mjaft përzemër fshatin e tij të lindjes, prandaj Vunoi është i pranishëm në një pjesë të mirë të punëve. Punët paraqesin copëza të pejzazhit që rrethon fshatin. Një pjesë deti, midis dy shkëmbinjve, një punë kjo mjaft e mirë artistikisht, rrugica të ngushta e të pjerrëta, godina karakteristike me vlera dokumentare dhe historike. Akuarelet janë të këndshme¸ plot dritë, ku pothuaj preket hapësira, ndihet ajri dhe është e pranishme lëvizja. Ato të çlodhin sytë, të kënaqin shpirtin e madje të bëjnë të meditosh. Është mëse e natyrshme, sepse mbresat që provon shikuesi i ka përjetuar më parë vetë artisti. Lidhjet e artistit me natyrën, kur ato janë realizuar e pasqyruar me nivel artistik, përcillen lehtësisht e natyrshëm tek artdashësi. Ky i fundit e ka më të thjeshtë të kapë e të zbërthejë mesazhet e veprës.

Punimet në vaj, të përmasave mesatare, vërehet se mund të ndahen në dy grupe. Pjesa më e madhe e tyre kanë një vizatim më pranë realitetit. Vijat, linjat, konturet janë të qarta e më të lakuara, format më të dallueshme. Ngjyrat aspak të kursyera me tone spektrale të pastra, kalojnë gradualisht tek njëra – tjetra.

Në pjesën më të vogël të punëve, vizatimi nuk luan rolin kryesor. Shumë detaje vetëm sa skicohen lehtë. Vijat dhe dritëhijet nuk kanë përvijime të qarta dhe, duke u ndarë e duke u shkrirë, kalojnë tek njëra – tjetra, ashtu siç i sheh syri në natyrë. Në këto punë, ngjyrat marrin përsipër të plotësojnë vizatimin. Penelatat duken shkoqur, ngjyrat janë të pastra, të papërziera, pranë njëra tjetrës, ka kalime të shkallëzuara nuancash.

Besoj se nuk ka piktor vlonjat, që në motivet e veta të parapëlqyera, të mos ketë detin. Vlora ka shumë simbole (bëhet fjalë gjithnjë për peizazhe) Llogaraja dhe “Pisha flamur”, Tuneli, Manastiri në mes të lagunës të Nartës, Kanina etj etj, por mbi të gjitha këto, deti. Këtij “kurthi” nuk kishte sesi t’i shpëtonte piktori Kristaq Pavli.

Në ekspozitë deti paraqitet në të gjitha pamjet e tij. Deti Jon, i thellë, blu, pranë brigjeve shkëmbore, pasohet nga një perëndim, ku Manastiri rrethohet nga laguna e cekët e Nartës. Më tej një det i shkumëzuar, nën një qiell të hirtë kontraston me një det më të përmbajtur, me ngjyra më gazmore. Një det tjetër të jep ndjesinë e freskisë mëngjesore, ndërsa më tej, e gjen veten të çlodhur, duke soditur perëndimin mbi një det të qetë.

Punimet pasqyrojnë më së miri aftësitë profesionale të artistit, gjendjen emocionale dhe raportet e tij me natyrën, mënyrën si ai e shikon, e koncepton, e shijon dhe e pasqyron atë.

Gjithsesi, artisti eksperimenton, por kurrsesi, nuk imiton.

Dëshirojmë t’i mbyllim këto pak mbresa me një thënie, që piktori Pavli e ka si lajtmotiv: “Më pëlqen të bëj pjesë në radhët e artistëve, që me penelin tim, t’i shërbej sadopak misionit fisnik të artit”.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, ekspozite, Kristaq Pavli, Vaso Pata

I vjetër sa stalaktitet e shpellave te malëve të veta

September 8, 2013 by dgreca

Nuk jemi ardhacak në tokat tona. Të kotë e keni ju turq ,grekë e serbë./

Nga Fahri XHARRA/

Përputhja e trojeve që flisnin dikur e që edhe sot flasin shqip me kufinjt etnikë të ilirëve të jugut e të epirotëve të lashtë mbrenda e jashtë Shqipërisë mund të shpjegohet vetëm me autoktoninë e shqiptarve në këto troje.

“Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë , banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore. Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejn të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë.”

Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrenjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.(At Gjergj Fishta ,1939).

Përputhja e trojeve shqipfolëse të sotme me kufinjt etnikë të ilirëve dhe epirotëve të lashtëë mbrenda dhe jashtë Shqipërisë etnike mund të shpjegohet vetëm me autoktoninë e

shqiptarëve në këto troje

Në vitin 1958 njëfarë Ivan Popoviçi  (Slaven und Albaner in Albanien und Montenegro) e ”zbulon” se duke u mbështetur kryesisht në ”argumentime” gjuhësore , i paraqet shqiptrët si popullsi e ardhur në trojet e sotme të tyre në një kohë të pa përcaktur në mesjetë ,por sipas tij  gjithësesi pas sllavëve.

Pse e gjithë kjo luftë , pse i gjithë ky ngulm gati dyqind vjeçar  i fqinjve që të na “gjejnë kohën se kur kemi ardhë “këndejpari ,dhe të “ nderojnë “ edhe me vendin se nga “ishim”?

Historia është shkencë egzakte dhe nuk duron “ mrekullira” se e vërteta qëndron edhe nën tokë e edhe në ujë , asaj ne duhet t´i japim gjuhën dhe te flet.
“Në  malet ,mbi zonën e banuar me sllavë dhe protoromanë mbeti një popullsi blegtorale që mund të  cilësohen si protoshqiptarë” thoshte Ivan Popoviçi.

Objekti dhe qëllimi i i pikëpamjeve që e kundërshtojnë autoktoninë e shqiptarëve është i qartë (N.Çabej, Ilirët që mbijetuan) , të gjëndet një vend nga dikur jo fort largë në histori. shqiptarët të kenë ardhur. .Por, kot. “Mrekullitë”  nuk i duron shkenca e historisë.

Por ka edhe nga ata , që nuk i bishtnojnë fakteve dhe e thonë  atë që duhet thënë se në burimet historike nuk bëhët fjalë për ndonjë megrim të shqiptarëve.Andaj është e natyrshme që shqipja është folur , që nga kohët e lashta në ato vende ku flitet edhe sot, pa i llogaritur vendet tjera ku iu kanë humbur gjuhën..Gjuhëtari Radoslav Katiqiç: “ grupe shqipëfolëse ka në Epir , në pjesën perendimore të Maqedonisë dhe në lindje të Malit të Zi. Në Kosovë ,popullsia është kryesisht shqiptare.(Katiqiq, Ancien Lanuages of the Balkans) dhe përfundon që kjo zone e banuar me folës të shqipës gjendet thuajse terësisht mbrenda territorit të lashtë të Ilirëve.Për këtë arsye ai e sheh normale dhe të natyrshme gjuhën shqipe si pasardhëse moderne të ilirishtes.

Në një blog serb lexova ku thuhet se shqiptarët e Kosovës nuk kanë aspak lidhëshmëri me ne dhe ata janë ta ashtu si e thoshte plaku shqiptar ne nje Tv-intervju :”  ne jemi ilirë’ ,ky nuk është vendi i serbëve, ne gjithëmonë kemi qenë këtu, kjo është e jona, kjo është e jona…” (Albanci sa Kosova naravno nemaju aspolutno nikakve veze sa nama i oni su kako kaze drtavi starac koga su intervjuisali na TV-u “mi smo Iljiri, ovo nee srbska zemlja, mi smo od uvek bili ovde, ovo nasho, sve ovo nasho…”

Por te shkojmë edhe më largë në histori: Më 18 gusht, Kisha katolike përkujtoi dy shenjtorë, që derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare: e kemi fjalën për Shën Florin e Shën Laurin, nga qyteti i Ulpianës në tokën e Dardanisë, Kosova e sotme.

Shën Niketa, i njohur edhe me emrin “ Shën Niketa i Dardanise “apo “ Shën Niketa i Remessiana-s” ( tek sllavet: “sveti Nikita”, kompozoi himnoren e mirënjohur “ Te deum, laudeamus”-“ Ty Zot te lavdërojmë”. Te paktën qe nga fillimi i shekullit te kaluar, kur britaniku A.E. Burn botoi ne Cambridge (1905) monografinë “Niceta of Remessiana”, dihet botërisht se ky shenjtor doli prej botes iliro-shqiptare. Vete Shën Niketa shkruan me dorën e tij: “Dardanus sum” jam dardan..

Në vështrimin historik, shfaqja e Nënë Terezës si perfaqesuese e një misioni të shenjtë, në hapësirën dhe botën shqiptare jo vetëm nuk ka asgjë te papritur, por vjen si perforcim i një tradite dymijëvjeqare. Tradita e takimit të hapësirës shqiptare vazhdoi me shekuj. Në veri Shën Sergji e Baku; ne jug Shen Gjon Vladimiri, deri tek Shen Kozmai, tregojnë se bota shqiptare jo vetem nuk ishte e larget për misionaret e shenjtë, por, madje, ofronte mjedis zhvillimi e lartësimi. Kjo nuk lidhet vetëm me krishterimin, por me bashkesinë shqiptare ne terësi. Ruajtja e kodikeve te Shqiperisë në ketë mjedis ku kan kaluar rrebeshe kohërash dhe ku janë kryqezuar ndikime mospajtuese, shpreh edhe një here një vlerëprej vlerave etnodalluese të popullit shqiptare, tolerancen ndërfetare të tijë, një model tolerance edhe per shqiptarinë e sotme.

Te tilla dorëshkrime janë pjese e identitetit kulturor te popullit, qe i ka ruajtur dhe i japin emer Shqiperisë në bote. Prandaj ne perulemni me emocion dhe nderim para tyre.

Nuk jemi ardhacak në tokat tona. Të kotë e keni ju turq ,grekë e serbë.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e shpellave te veta, Fahri Xharra, i vjeter, sa salaktitet

FEJZI ALIZOTI,KOMISARI I TOKAVE TË LIRUEME SHQIPTARE

September 8, 2013 by dgreca

Ne Foto: Fejzi bej Alizoti – 1874-1945/

 Shkruan:Eugen SHEHU/

Kanë qenë me qindra e mijëra bij të shqipes,në shekullin e kaluar që ngase nuk patën mundësi shkollimi,u larguan për në viset  e largëta.Lanë shtëpitë e shtrenjta,vatrat e dashura,prindërit e tyre me dëshirën dhe shpresën  e madhe se një ditë do të ktheheshin patjetër në dheun ku “balta asht më e ëmbël se mjalta”.Se zogjtë e shqipes kurdoherë kur kanë ngarendur hapsirave,shpirtin e kanë patur kurdoherë tek nana e vet.Jeta e Fejzi Alizotit ngjau dhe u jetua pikërisht në këtë vazhdë trimërore të bijve të Shqipërisë.Fejzi Alizoti ka lindur në qytetin e Gjirokastrës në qershorin e vitit 1874.U rrit në kujdesin e madh të prindërve,sidomos të Hasan Beut,të jatit,i cili nisi të mësonte Fejziut të vogël,mësimin e gjuhëve të huaja.Në krejt qytetin e Gjirokastrës,kjo familje ish e njohur,veçanërisht emër të mirë ka pasë lënë Alizot Pasha (gjyshi i Fejziut) i cili falë pasurisë dhe atdhetarisë ka pas ndihmuar mjaft patriotë të tjerë,në rrafsh të zgjimit dhe përhapjes së ideve kombëtare,në disa raste, familja e Alizot Pashës,pat kundërshtuar ashpër vendimet e Portës së Lartë lidhur me taksat që i viheshin shqiptarëve.Kur pat mbushur tetë vjet,Hasan Beu e dërgoi të birin në qytetin shqiptar të Janinës dhe e vendosi në një prej shkollave më të dëgjuara të qytetit.Qyteti i bukur,i banuar në masën mbi 90 përqind prej shqiptarëve,me liqenin e hijshëm me kalanë dhe legjendat për Ali Pashë Tepelenën,do të nxiste më tej fantazinë fëmijënore të Fejziut.Me urtësinë që e karakterizonte ai do të merrte këtu dijet e para në ç’rast do të formonte edhe idetë e para mbi rrjedhat e historisë së vendit të vet.Pas mbarimit me rezulltate të larta të shkollës fillore,Fejzi Alizoti shkon në gjimnazin klasik të Selanikut ku edhe aty shquhet ndër shokë për vëmndje të thellë dhe rezulltate konkrete në përvetsimin e dijeve.Truplartë,me një vështrim kurdoherë depërtonjës,jo rrallë në Selanik,Fejzi Alizoti do të mblidhte miqtë  e vet shqiptar duke shetitur aty në malin  e vjetër të qytetit,do të ja merrnin këngëve trimërore të vendlindjes,ata që  e patën njohur Fejziun,kanë treguar se ai kishte një zë mjaft të bukur.Pasi ka mbaruar shkëlqyeshëm gjimnazin klasik të Selanikut në vitin 1890  ka shkuar në Gjirokastër.Pas kësaj,ai është nisur për në Stamboll,në ndjekje të studimeve të larta,në bangat e Universitetit “Mylkije”.Edhe këtu u shqua për vullnet të lartë,me çrast ka marrë njohuri të thella në rrafsh të ekonomisë dhe administrimit civil.Stambolli i fundit të shekullit 19-të gjallonte prej shqiptarëve të cilët duke paraparë rrjedhat e ngjarjeve patën nisur të bashkoheshin në ide  e mendime.Në këto rrethe patriotësh u përfshi edhe Fejzi Alizoti duke ecur në gjurmët e gjyshit dhe atit të tij.Ai ka qenë dhe mbeti deri në fund miku i shtëpisë së Naim Frashërit dhe veprën e këtij kolosi të Shqiptarizmës,bëri çmos jo vetëm ta vlersojë por edhe ta përhapë në radhët e studentëve shqiptarë të Stambollit.Me komplimente të shumtë të autoriteteve të Universitetit,mbas përfundimit të studimeve të larta,Fejzi Alizoti dërgohet me shërbim administrativ në Siri.Plot tri vjet punë atje, bënë që emri i djaloshit nga Gjirokastra të dëgjohej deri në zyrat e larta të perandorisë.Për këtë “Në bazë të shërbimit të jashtëzakonshëm,të kryer me sukses,Fejzi Alizoti u gradua Prefekt në Humes të Tripolit dhe së andejmi përsëri  me gradim u transferua në Bilesia të Azisë së Vogël”.(Arkivi Qendror i shtetit –Tiranë.Fondi Këshilli Ministruer 1941,dosja 4,karkatreistike e Fejzi Alizoti si Ministër Shteti).

Një prefekt i Perandorisë Osmane,vetëm 23 vjeçar,do t’i bënte nder më shumë atdheut të vet.Fejzi Alizoti u shqua ndërkohë jo vetëm si administrator i plotfuqishëm por edhe si atdhetar. Bashkëkombasit e vet,në Azinë e Vogël,do t’i ndihmonte jo vetëm me të holla e vende të mira pune,por sidomos me fjalën e ngrohtë,me dëshirën e tij se “kudo ku jemi,kudo ku jetojmë,mendjen duhet ta mbajmë gjithmonë se kur do të ikim në Shqipni,per ti sherbyer asaj”.

Në vitin 1906 ai i dërgon një shkresë Portës së Lartë,ku e bën me dije për çështë arritur në Bileciq të Azisë së Vogël,dhe në fund shpreh dëshirën se do të ishte tejet mirënjohës Portës,nëse e dërgonte me detyrë në viset shqiptare.Disa muaj më pas i përkrahur edhe nga disa miq të tij në Stamboll,Fejzi Alizoti emërohet me detyrën e prefektit të Korçës,me ç’rast gëzimi i tij ishte tejte i madh.Korça e viteve 1906-1907,askurrë nuk duhet nënkuptuar si një qytet i veçuar e vetëm piktoresk.Mendoj se nuk duhet haruar se këtu ishin ngritur të parat çeta të udhëhequra prej Sali Butkës,Qamil Panaritit,Bajo Topullit etj.Të mos harrojmë se në Korçë e rrethina pat filluar ajo levizje  e   madhe e shkollës shqipe me Petro Nini Luarasin dhe Gjerasim e Savasti Qiriazin.Të mos harrojmë gjithashtu se çetat e kaçakëve shqiptarë të Strugës,Resnjës e deri ato të Kërçovës,gjenin çerdhe të ngrohtë në qytetin e korçës kur përndiqeshin nga bashibozukët turq.Në pamundësi për t’u ndalur më gjatë në këto radhë për Fejzi Alizotin,unë vetëm mund të pohoj rolin e madh të tij në zgjimin  e vetëdijes sonë nacionale.Nëse dita,këtij djaloshi të shkolluar,i shkonte në zyre,në punët e prefekturës,netëve ai do të ishte kurdoherë në shoqërinë e patriotëve shqiptarë.Vendimet e komnadës së lartë të Manastirit në disa raste,prefekti Alizoti nuk i pat pranuar.Këto lidheshin sidomos me ndjenjën dhe internimet e patriotëve shqiptarë.Mandej në disa raste,ka qenë Fejzi Alizoti i cili lajmëronte Cerçizin dhe Bajo Topullin për rreziqet që u kanoseshin nga xhandarmëria osmane.Në vitin 1908, turqit e rinj u përpoqën të merrnin pushtetin në duart e tyre dhe ja arritën kësaj duke deklaruar pos të tjerave edhe lejimin e disa të drejtave për popujt e prangosur të perandorisë,pati shum shqiptarë që përkrahën ardhjen e tyre në pushtet duke paraparë natyrisht një sërë reformash të domosdoshme në atdheun e tyre.Fejzi Alizoti ndërkaq,është emëruar pas konstitucionit turk,në detyrën e Prefektit të Prizërenit,në vitet 1908-1909,në këtë qytet,vetëdija kombëtare qe gjallëruar së tepërmi dhe këto ndjenja çdo ditë e më shumë po binin ndesh me veprimet e Turqve të Rinj.Duke qenë njeri i pjekur dhe me kulturë të thellë,duke u dalluar si administrator i aftë,Fejzi Alizoti u dërgua aty pikërisht për të gjetur një “të mesme të artë”  midsi krerëve kryengritës në Kosovë dhe shtabit ushtarak të Portës së Lartë.Por kjo e “mesme  e artë” askurrë nuk u gjend pse vetë Fejzi Alizoti,ishte rritur me shqiptarizmën e madhe me shpirt.Gjyshi e babai i vet patën luftuar kurdoherë për pavarsinë e Shqipërisë dhe vet Fejziu asaj kohe punonte e vepronte nën devizën ;T’i shërbejmë Turqisë,por jo aq sa të shkatëroj interesat e nalta të kombit tim !”.Është kjo arsyeja që mjaft krerë të lëvizjes së armatosur shqiptare gjejnë prehje në Prizëren,madje konsuj të huaj këtu bëjnë me dije se këta kryengritës,në mënyrë të fshehtë bashkëpunojnë me prefektin shqiptar të Gjirokastrës.Për më tej,Fejzi Alizoti doli hapur kundër ekspeditave ndëshkimore të Xhavid Pashës i cili disa herë kërkoi bashkëpunim me prefektin e Prizërenit.Kur Xhavid Pasha pa tek Fejzi Alizoti një kundërshtar të vendosur,atëherë ai sigurisht ka bërë me dije Portën e Lartë.Kësisoj,me urdhër të Portës së Lartë,në marsin e vitit 1910,Fejzi Alizoti e len vendin  e prefektit të Prizrenit dhe shkon në Stamboll.Ai pritet me dashamirësi aty ku autoritetet e larta,duke i fshehur qëllimin i thonë se e kanë larguar ngase do ta çojnë në Rumuni ku do të studiojë më tej për administrim të komunave.Pas gjashtë muaj kualifikimi aty Fejzi Alizoti shkon me detyrën e administratorit të qytetit Urfa në Azinë e Vogël. Lidhur me qëndrimin e tij si administrator,natyrisht që flasin gradimet e Portës së Lartë.Ndërsa lidhur me atdhetarinë e tij,unë do të përmendja ç’ka u tha në vitin 1941 në emërimin e tij si Ministër shteti shqiptar ; “Në Urf,të Azisë së Vogël,zoti Alizoti,çliroi nga burgjet atdhetarët shqiptarë,shokë të tij.Pastaj gjithnjë tue perfitue nga rrethanat,dhe i brymosur prej rrethanave nderkombëtare, propozoi pranë qevresië së Stambollit dhe siguroi prej saj njohjen e gjuhës shqipe,që të mësohej në shkollat fillore.Gjithashtu siguroi që rekrutët shqiptar të mos merreshin me sherbim ushtarak në vise të largëta si Jemeni dhe njëkohësisht që taksat lokale të pagueme nga populli shqiptar,të përdoreshin për nevoja të popullit”. ( Arkivi Qendror  i  shtetit – Tiranë . Dosja  Këshilli Ministruer 1941 , faqe 7 ).

Më pas me fillimet e luftës italo-turke ( për sundimin  e Libisë),Porta e Lartë e emëron Fejzi Alizotin,si guvernator i ishujve në Dodekanez.Këtu sigurisht,Fejzi Alizoti vendosi si kur dohere një rregull dhe admnistratë të përsosur duke siguruar jo vetëm qetësinë por edhe begatinë e banorëve të këtyre ishujve.Nga ana tjetër ai ndiqte me vëmnedje ngjarjet e rënda që patën plakosur Perandorinë.Brenda këtyre ngjarjeve,Fejzi Alizoti në çdo mënyrë analizonte veprimet e lëvizjes kombëtare shqiptare duke u përpjekur t’u paraprinte atyre.Një letër këmbim i shumtë,hedh dritë në faktin se prej ishujve të Dodekanezit,Fejzi Alizoti ishte i lidhur me mjaft atdhetarë shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Stamboll,Sofje dhe Kostancë.Qe fatin e atdheut të vet,ai e sheh kurdoherë të lidhur ngushtë me veprën e atdhetarëve, e dëshmon edhe vajtja e tij në Shqipëri,si i dërguar i Turqisë ndaj rebelimeve të atdhetarëve në Jug të Shqipërisë.Populli i labërisë,duke paraparë masakrat e Xhavid Pashës në Kosovë,i revoltuar në kulm prej sjelljes së turqve të rinj të cilët renden të mbyllin edhe ato shkolla e klube të pakta shqiptare,u mblodh në vendin  e quajtur Cepo në Gjirokastër,duke dhënë besën për të rrokur armët e për të  luftuar për  autonominë  e Shqipërisë. “Kryengritja e labërisë e tronditi aq thellë Turqinë, e cila dërgoi një delegacion nën kryesinë e Fejzi Alizotit,me qëllim që të qetsonte shqiptarët”(Arkivi qendror i shtetit –Tiranë, Fondi 270 , dosja 49 , fleta 62 ).

Pak kush ka besuar se Fejzi Alizoti ka shkuar në Labërinë e vet për të qetsuar gjendjen.Vajtja e tij në Gjirokastër u prit me entuziazëm të madh jo vetëm nga dashamirët e popullit,por edhe vetë atdhetarët shqiptarë.Fejzi Alizoti,duke u njohur nga afër me kryengritësit e punët e tyre,u përpoq të spjegonte rëndësinë e një bashkëpunimi më të madh të kryengritësve të jugut me ato të shqipërisë së mesme e sidomos me trimat e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare.Ngase pat njohur burrat si bajram Curri,Ded Gjo Lulin e Isa Boletinin,kur ishte prefekt në Prizren,Fejzi Alizoti dërgoi prej kryengritësve të labërisë dy-tre vetë të cilët do të jepnin mesazhin e bashkëpunimit në viset Veriore shqiptare.Dy javë qëndrimi në Labëri,bënë që biri i Gjirokastrës të shamllej sadopak me vendlindjen e vet të dashur e për më tej,t’u jepte fjalën gjirokastritëve se shumë shpejt,në rastin më të parë,ai do të kthehej aty,për t’u vënë në krye të punëve të lëvizjes kombëtare shqiptare.Dhe fjalën e mban.Menjëherë pas largimit nga Shqipëria,ai kërkon prej portës së Lartë disa kohë të shlodhet kinse është lodhur nga detyrimet  e mëdha.E vërteta është se prej ishujve të Dodekanezit,ai le fronin e shtrenjtë të Governatorit,për tu futur menjëherë në gjirin e lëvizjes kombëtare shqiptare.Shkon në Konstancë të Rumunisë dhe vjen në kontakt me atdhetarët shqiptarë aty.Mbron në kuvende të shumta,tezën e luftës së popullit shqiptar për pavarsi por gjithmonë çon mesazhin që me turqit të jemi të matur,me qëllim që prej fuqive të Portës së Lartë të përfitojmë sa më shumë,duke patur parasysh sidomos,agresivitetin e shfaqur prej monarkive ballkanike.Ka qenë pikërisht në konstancë në rrethet e shqiptarëve që mblidhnin ndihma në të holla për lëvizjen kombëtare kur është ftuar të shkojë menjëherë në Shqipëri,prej plakut të vlorës,Ismail Qemalit.”Mbas një telegrami që mori nga zoti Ismail Qemali,i cili ishte në dijeni të plotë dhe i dinte ma mirë se kushdo tjetër shërbimet e nalta por të heshtura të tij,Fejzi Alizoti erdhi në Vlorë”.( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi “Këshilli Ministruer “ 1941 ).

Një udhëtim plot peripeci ka kaluar më pas Fejzi Alizoti për të hyrë në Shqipëri.Gjandarmët turq patën urdhëruar arrestimin ngase Perandoria Osmane e njihte prej kohësh influencën e vet në rrethet patriotike shqiptare.Me ndihmën e miqve të vet mund të hyjë ilegalisht në Gjirokastër e prej andej udhëton për në qytetin e Vlorës ku ishte ndërkaq qeveria e përkohshme shqiptare.Së pari aty merr takim me Ismail Qemalin e më pas takohet me personalitete të tjera shqiptare të cilët nuk munguan të shpallin përmes atyre rrebesheve,pavarsinë e Shqipërisë.Ngase njihet si ekonomist i zoti dhe personalitet i cili nuk mund të abuzojë me pushtetin që i jep popullit,caktohet nga Qeveria e Përkohshme shqiptare si ndihmës i parë i Ismail Qemalit për financat dhe problemet e tjera ekonomike.Menjëherë pas emërimit në detyrën e sekretarit të përgjithshëm të financave,në kabinetin e Ismail Qemalit,biri i Gjirokastrës u vu në krye të punëve tejet të vështira.Shqipëria e sapo dalë prej natës së gjatë osmane jo vetëm trashëgonte një varfëri të skajshme por edhe i mungonin elementet e domosdoshëm të organizimit të ekonomisë.Të gjithë e dimë tanimë,se askush nga Evropa nuk e ndihmoi me të holla Qeverinë e Vlorës,përveç një grupi atdhetarësh nga Rumunia,Bullgaria dhe Amerika.Po të marrësh parasysh se që në ditët e para të punës së saj, Qeverisë së Përkohshme shqiptare,atëherë lehtësisht mund të kuptohen vështirësitë ekonomike të vendit.E vërteta është se me vullnetin që e karakterizonte,Fejzi Alizoti punoi asaj periudhe ditë  e natë duke organizuar ekonominë shqiptare,madje duke përpiluar krejt aktet ndërkombëtare të qeverisë së Vlorës me vendet Evropiane.Duke njohur nga afër burokracitë e mëdha të aparatit administrativ turk,si edhe mentalitetet e rrënjosura të shqiptarëve,Fejzi Alizoti bëri ç’ish e mundur të vendoste në administrimin e ekonomisë shqiptare,ligje të kohës dhe njerëz me mentalitete të reja.Një varg urdhërash e udhëzimesh të qeverisë së përkohshme,të karakterit ekonomik,të cilat janë të firmosura prej Ismail Qemalit,natyrshëm janë pregaditur prej Fejzi Alizotit i cili në orët e vona të mbrëmjes i kalonte kurdoherë në shoqërinë e plakut të Vlorës.Për më tej,me insistimin e Fejzi Alizotit,iu dha një fond i konsiderueshëm,Ushtrisë Kombëtare Shqiptare e cila drejtohej prej Mehmet Pashë Derallës dhe merrte përsipër barrën e rëndë të mbrojtjes së kufijve shqiptare të kërcënuar prej serbo-malazezëve,bullgarëve dhe grekërve.Puna dhe veprimtaria atdhetare e Fejzi Alizotit,kanë zënë vend të veçantë në kujtimet e kryetarit të shtetit të parë shqiptar Ismail Qemali.Në verën e vitit 1913,u duk sheshazi se Esat Pashë Toptani ( i cili mbante postin e ministrit të ekonomisë shqiptare) pati bërë shkelje mjaftë të rëndë kundrejt programit të qeverisë.Ai mundi të abuzojë me disa fonde duke paisur me armë e veshmbathje disa reparte në Durrës me preteksin e rrezikut serb,por në fakt ai përgadiste dhe armatoste gardën tradhëtare të tijën.Kur ai doli hapur kundër Qeverisë së Vlorës,këshilli i Pleqësisë i Kuvendit historik,vendosi që financat shqiptare të lihen në dorën e Fejzi Alizotit i cili me ç’rast u ngarkua me detyrën e Ministrit të ekonomisë,edhe në këtë funksion ai dha prova ndershmërie e përkushtimi të thellë.Mendoj se është tepër interesante të njihet qëndrimi i Fejzi Alizotit në ardhjen e Princ Vidit,në vitin 1914.Komisioni Ndërkombëtar i Kontrrollit i përbërë prej fuqive evropiane,për të ulur sa më lehtësisht Princin në fron,kërkoi që Ismail Qemali,të paraqiste pranë këtij komisioni,dorëheqjen e vet të parevokueshme.Vetë Fejzi Alizoti,këtë rast e spjegon më vonë,publikisht.Pos të tjerave ai thotë ; “Propozimin e komisionit internacional të kontrollit për dorheqje,Ismail Qemal Beu,me dy nga pjestarët e qeverisë,zotërinjtë Luigj Gurakuqi dhe Fejzi Alizoti vendosën ta pranojnë me konditë që për unifikimin e administratës,të hiqej edhe Esat Pashë Toptani nga qyteti i Durrësit.Komisioni e pranoi këtë propozim”.( Fejzi Alizoti , Gazeta “Drita” më 13 dhjetor 1936 ).

Nga viti 1914 e deri më vitin 1920,Fejzi Alizoti ka patur funksione të larta në admnistratat shqiptare që ja linin vendin njëra tjetrës.Ai akurrë nuk u kursye të vihej në detyrat e vështira të ekonomisë shqiptare,madje për shumë kohë ka marrë një shpërblim tejet modest,përballë funksioneve që kryente.Miq të tij në Stamboll i dërgojnë lajme se qeveria turke ka urdhëruar faljen e tij dhe i ka kërkuar Alizotit të shkojnë në Stamboll ku e presin funksione të larta shtetërore.Këtyre miqve,me plot respekt,Fejzi Alizoti u shkruan se mjaft ka punuar në rininë  vet për Perandorinë Osmane,tash e tutje,energjitë dhe aftësitë e veta,ai do tia falte Shqipërisë deri në vdekje.

Duke njohur aftësitë e mëdha të tij,qevreia shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjës i vitit 1920,i jep atij detyra të rëndësishme në riorganizimin e sektorëve ekonomike të vendit.Më tej,duke paraparë se ekonomia shqiptare do të kishte ndërthurje të shumta me interesat italiane,Fejzi Alizoti dërgohet në Romë si përfaqsues fuqiplotë i Shqipërisë.Periudha 1922-1925,do të jetë për Fejzi Alizotin në Romë,një periudhë e ngarkuar me punë mjaft voluminoze e të vështira.Por pjekuria e një ekonomisti dhe administratori të talentuar,bënë kurdoherë,në çdo firmë të hedhur,Fejzi Alizoti,të shihte se çfarë fitimi do të kishte populli i vet,pavarsia dhe e ardhmja e tij.Një numër i pafund letrash e telegramesh të viteve 1922-1925,të dërguara prej Alizotit në Tiranë,flasin për kujdesin e vazhdueshëm të tij në forcimin e ekonomisë shqiptare,si edhe atdhetarizmin për të mos lënë shtigje për keq interpretime politike.Gjithmonë i vetëdijshëm për resurset e mëdha natyrore të Shqipërisë,edhe në vitet e mëvonshëm kur punoi në Tiranë,Fejzi Alizoti u përpoq të organizojë e planifikojë një ekonomi me karakter tërësisht kombëtar,ai ishte dhe mbeti armik i huave në para duke thënë shpesh kolegëve se shqiptari s’e ka patur traditë të lype borxhe.

Pushtimi fashist  e 7 prillit,Fejzi Alizoti e priti me ndjenjën e thellë të revoltës si krejt shqiptarët. Duke qenë në dijeni të shumë traktativave ekonomike me Italinë,ai thirret të marrë përsipër,të drejtojë ekonominë shqiptare.Por Fejzi Alizoti nuk pranon.Ekonomisti me përvojë gjysëm shekullore nuk mund të viret nën tutele të italianëve.Ngase nuk pranon aty,e çojnë në verën e vitit 1939 në qytetin e Korçës,në detyrën e prefektit.Këtu rri vetëm 3-4 muaj.Në 28 nëntorin e vitit 1939, në Korçë organizohet një demonstratë shumë e madhe e nacionalistëve dhe rinisë korçare.Në krye të demonstratës ishte flamuri kuqezi i Skenderbeut si edhe disa të rinj të veshur me kostume kombëtare.Të nesërmen,gjandarmëria italiane në Korçë,arrestoi rreth 70 vetë dhe për këtë Fejzi Alizoti iu drejtua ashpër autoriteteve të larta italiane.Kur këta nuk e përfillën burrin shqiptar, atëherë Fejzi Alizoti dhe menjëherë dorheqjen si prefekt,me ç’rast ky akt u përshëndet prej nacionalistëve shqiptarë.Më 17 maj të vitit 1941,me vendim të këshillit Ministror të Shqipërisë,vendoset ;”Emnimi i zotit Fejzi Alizoti,Ministër shteti,komisar civil i Qeverisë Shqiptare për të ushtrue në viset e Kosovës, Dibrës e Strugës, pushtetet civile qe i janë dhanun Qeverisë”.(Fletore  zyrtare  shqiptare,numër 85, datë 9 qershor 1941 ).

Menjëherë pas kësaj detyre,Alizoti,filloi të punojë me energji të pasura,ngase shihte të realizohej një prej ëndrrave të hershme të shqiptarëve,bashkimi i trojeve në një shtet të vetëm.Peja,Prizreni, Prishtina, Prehseva,Kumanova,Tetova,Gostivari e Struga,u bënë më pas kësaj date,vendet më të dashura për ekonomistin dhe atdhetarin Fejzi Alizoti.Si komisar i Tokave të Lirueme,ai e ndjen përgjegjsinë e madhe morale që kishte funksioni i tij,ndaj nuk u kursye të linte pas dore gruan dhe katër fëmijët në Tiranë,për t’iu kushtuar lulëzimit të viseve etnike Shqiptare.Organizon kudo administratën shqiptare në këto treva që ende rënkonin prej dramës serbo-sllave, bullgare. Bashkëpunon ngushtësisht me patriotë të tillë shqiptarë si ;Fuad Dibra, Ibrahim Lutfiu, Asllan Boletinin, Xhevat Kallajxhiun,Kadri Saliun,Jup Kazazin,Ernest Koliqin,Xhafer Devën,Xhem Gostivarin,Hasan Dostin etj.duke u përpjekur si për vendosjen e rregullimit,ashtu edhe funksionimin e plotë të administratës civile dhe përhapjen e arësimit shqip në këto treva.Mbase nuk duhet harruar se veprimtarinë e tij të gjithanshme si Komisar i Tokave të Lirueme Shqiptare,ai e konceptoi kurdoherë të përbashkët me luftën e tij në parllamentin shqiptar të atyre viteve.Shtypi shqiptar i asaj kohe,duke u ndalur në figurën e Fejzi Alizotit,pos të tjerave theksonte ; “Figurë politikani e provueme,i palodhur dhe energjik,ka lënë kujtimet më të mira gjatë karrierës së tij si përfaqsues i popullit.Fjalimet e tij në Parlament kanë lujtur kurdoherë një rol të parë… ka luftue injorancën dhe abuzimet për të shpëtuar me çdo mënyrë prestigjin e racës dhe ka përkrahun marëvajtjen shoqnore ekonomike-financiare të vendit për t’i dhënë Shqipërisë ate hov e përparim,që lejon pozita e saj gjeografike, e shkuemja historike dhe vetë vlera e këtij populli të etun për naltësinë shpirtërore”.( Gazeta “Kosova” më 18 korrik 1941 ).

Veçanërisht popullsia e Maqedonisë shqiptare,nuk do të harrojë ndihmesën e Fejzi Alizotit në forcimin e pushtetit shqiptar në këto treva.Me urdhër direkt të tij,në vendet kyçe të administratës së asaj periudhe,u vendosën shqiptarët e vërtetë,ata që ishin të zotë të udhëhiqnin por edhe të pafriguar nga propaganda maqedonosllave-bullgare.Në një prej tubimeve të Tetovës,ndërsa ra fjala për Shqipërinë etnike,Alizoti kumtoi ; “Për mue,shqiptaret janë një,si ai në Prevezë ashtu edhe në Mitrovicë e Shkup.Tash që rrëzojmë gardhet që në vu Evropa me 1913,duhet me u dash ma fort sho-shoqin e me u dal zot fateve qe na kanë trokitë”.Natyrisht tragjedia e madhë kombëtare që përfshiu shqiptarët në vitet 1944-1945,do të ishte edhe tragjedia e krejt komunistëve serbo-malazez që kishin lëshuar metastazet e kancerit në Partinë Komuniste Shqiptare,nuk mund të prisnin as gjykimin e ftohtë dhe as vlersimin real të jetëve njerzore.Më parë se për jetët njerzore,ata mendonin për  internacionalzmin proletar.Kështu në grupin e parë të “armiqve të pushtetit popullor” u projektua pos të tjerave edhe dënimi me vdekje i Komisarit Civil të Tokave të Lirueme Shqipatre, term i cili paradoksalisht,u fshi menjëherë prej  klikës së Tiranës.Për rreth dy muaj,kryetari i gjyqit special të Tiranës,i drejtuar nga teneqexhiu-komunist Koci Xoxe,u mundua të hedhë baltë e të shpif sa të mundi,duke e akuzuar Alizotin në mënyrë nga më absurdet.Janë rreth 120 faqe pyetje-përgjigje ku pas çdo shpifjeje komuniste,del qëllimi i pastërt dhe i ndershëm i burrit nga Gjirkostra.Ndonëse në moshën gati 70 vjeçare,gjatë gjykimit,ate nuk e lanë të takohet asnjëherë,as me gruan dhe as me katër fëmijët e vet.Dënimin me vdekje e pret qetësisht.Fjala e fundit e tij,është një aktakuzë e fuqishme ndaj komunizmit që pat plakosur Shqipërinë.Ndërsa këta burra të vyer të kombit e prisnin të qetë vdekjen,në sallën e kinema “Kosova” ku zhvillohej gjyqi,disa mjeranë thërrisnin të etur për gjak se donin t’i shihnin në litar “kriminelët”.Ndërsa shtypi i Tiranës shkruante ;”Kryesia e këshillit Antifashist,në mbledhjen e pardjeshme,refuzoi kërkesën që kishin paraqitur 17 kriminelët  e luftës,të dënuar me vdekje nga gjyqi special i kryeqytetit.Pas rrëzimit të tij,mbrëmë në darkë,ora 19/19`, të 17 të dënuarit u egzekutuan.Të egzekutuarit janë ; Fejzi Alizoti,Terenc Toci,Aqif Permeti,Gustav Murdez,Koço Kote,Hilmi Leka, Reshit Merlika,Beqir Valteri, Javer Hurshiti, Dik Cami,Isamil Golemi, Zef Kadarja, Tasim Bishqemi, Shyqyri Borshi,Daut Carçani, Kol Tromara dhe Bahri Omari” ( Gazeta “Bashkimi “ më 15 prill 1945 ).

  Kështu kish nisur tashmë,në shtetin amë të binte nata e zezë e komunizmit serbosllav, e cila fuqishëm ishte i zgjatur dhe në tokat tashmë të pushtuara shqiptare nga serbosllavët,ajo natë e tmerrshme e trishtueshme për kombin tonë që zgjati jo ma pakë se gjysëm shekulli.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Fejzi Alizoti, tokat e lirueme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT