• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

ISOJA, KJO MBRETERESHE PA KURORE…

September 8, 2013 by dgreca

“SHENJTËRIA E ISOS”-Një libër me vlera kombëtare, i Timo Mërkurit/

Shkruan: DRITA LUSHI  /

E kush s’ka dëgjuar të këndohet “me iso…”- siç i themi ne.

Ndonjëherë madje,edhe është munduar ta mbajë ashtu siç di atë, ndonëse

mund të stonojë, por të shkruash për ison, këtë këngë në dukje aq të thjeshtë s’të mjaftojnë veç fjalët e këngës, por mbi të gjitha, mendimi, pjekuria e studimi,e këtë nuk mund ta bënte më mirë se një bir i Labërisë, Timo Mërkuri.

 “Kënga, gjithmonë ka qenë mbretëresha e shtëpisë dhe e jetës shqiptare”- thotë autori.
“Jo një mbretëreshë që ulej në fron, por ulej në sofrën e varfër të fshatarit, që kurrë s’rrinte pa këngë”- vazhdon ai.

Dhe vërtet, po të kemi parasysh historinë tonë të vërtete, dhe jo atë imagjinare, shqiptari dhe në lufte shkonte me këngë, e këngën se ka ndalur as para litarit.

Përshkrimi shpjegues i autorit, duke bërë paralelizëm mes isos, dhe mbretëreshës, jo vetëm që të bën ta lexosh me interes, por të “mban lidhur”- në lexim, se ç’do të mësojmë më tej.

Ja si e përshkruan autori, momentin kur fillohet kënga:

“Askush, s’guxon të bëzajë.Secili vendoset në vendin e tij, pritësi, kthyesi, mbajtësit e isos, ashtu si vendosen baronët, kontët, viskontët e kalorësit, para mbretit….të gjitha këto në të dhjetën e sekondës.Mjerë kush vonon, apo gabon.Ca të tallura janë më e pakta, në mos përfundoftë në plevicë”

Ai e përshkruan imtësisht,me një gjuhë kaq të thjeshtë, të kuptueshme e popullore, sa të duket se je ukur në kafé e bisedon me të.

Shoqërimi i shpjegimit  edhe me nje tis humori té natyrshëm e bën më të lakmueshëm në sytë dhe vëmendjen tonë, gjithë ç’ka thuhet për iso polifoninë, sa ne, që s’jemi nga bregdeti, gati na vjen “zili” që s’e njohim mirë, e s’dimë ta këndojmë, këtë rit “mbretëror”, e se njohim nga afër këtë “mbretëreshë”.

“Iso”-ja këndohet në grup apo vetëm, por gjithmonë respektohet si një mbretëreshë”- thotë autori.

Ai që këndon, nuk e ndërpret këngën të të kthejë përgjigje edhe nëse e pyet apo flet”

Por  mos mendoni që autori është kaq ”egoist” sa “t’ia marrë mendjen” veç mbretëresha, ai është “zemërgjerë” e përfshin në këtë libër dhe “princëra” me sy blu e shpirt deti: E pikërisht legjendarin e këngës “iso”; Neço Mukon, ose Neço Himarjaotin.

Neço-ja, në Francë, në kurbet, sillej si princ, sepse shkruante si tá,por shkruante këngë, e në vend të luleve të vërteta qe mbillnin princërit, ai mbillte vargje.

“Ai sjell ne Himarë një lloj të re kënge”,-siç thotë autori, “duke i dhënë një “rol” zërit të tretë, hedhësit e duke e bërë më të zhdërvjellët këngën himarjote.Novatorizmi ishte,edhe në shoqërimin e këngës me instrumente siç do ta çonte në ditet e sotme këngën pilurjote Lefter Çipa”

Autori na përshkruan historikun e këngës, lindjen dhe zhvillimin e saj, pjesët përbërës të zërave në “iso”, duke na sjellë shembuj konkretë të këngëve e mënyrën si këndohen.

Është vërtet interesant leximi i librit, e jo vetëm gjuha,por edhe intensiteti i rrëfimit dhe shpjegimit, përfshirë  dhe elementin historik,të bëjnë të kalosh me dëshirë në faqen dhe kapitullin pasardhës.

Origjina e këngës polifonike është ceremoniali i vajtimit, e dokumentin e parë për vajtimin në gjuhen shqipe e sjell Marin Barleti për vajtimet e Lek Dukagjinit mbi vdekjen e Skënderbeut.
Autori futet dhe në detajet e vajtimit , mënyra si bëhet, si respektohet, nga kush bëhet, e normalisht as të shkon mendja, dhe çuditesh nga trajtimi dinjitoz, i kësaj gjendje në dukje kaq e thjeshtë, që na ka ndodhur të gjithë në jetë  ta kalojmë të paktën një herë :

”Vajtimi bëhet me ligje sipas traditës Himarjote dhe në përgjithësi të zonës të Labërisë, duke renditur cilësi të veçanta të të vdekurit”

“Dita e parë, kur atmosfera emocionale është e ndezur, nuk dallohet rregullshmëria, radha dhe zërat e vajtorëve,nga ndërprejet e shpeshta që i bëjnë ligjërueset njëra-tjetrës.. Por në të tretat, në të nëntat e në ditët në vazhdim, rregullshmëria e vajtimit bie menjëherë në sy”

Isoja është në këngë kolektive, vërtet e nis një moment marrësi, edhe pritësi, ndonëse ngrihet nje çast mbi të tjerët, shumë shpejt bashkohet me grupin e tërë, duke humbur anonimitetin, e duke dalë në pah kolektiviteti i këngës.

E pikërisht, ndaj nuk njihen këngëtarë me emër, por kur përmenden, përmenden si grupe:”Grupi i Pilurit” “I Bënces”I Himarës” etj.

Kolektiviteti i isos, shfaqet dhe tek natyra e vetë këngës, në tekstin e saj ku shumica bëjnë fjalë për bashkim e solidarizim.

“Ndodh që të ndodhesh diku vetëm dhe të ndjesh nevojën e këngës, at’herë personi bën vetë rolin e marrësit, të pritësit e deri tek imitimi i mbajtëseve të isos”– thotë autori.

Pra, në njëfarë mënyre, kjo është mënyra më e bukur për të mposhtur vetminë që është armiku më i madh i njeriut.

Ky libër, është një konglomerat dijesh, e të rejash që mund ti zbulosh rresht pas rreshti.Si mund të flasësh e të studjosh “ison”, të futesh ne botën e saj, e të mos flasësh për kërcimin që shoqëron këngën.

Vallja ashtu si dhe kënga,është pjesë e traditës jo vetëm labe, por dhe asaj shiptare në përgjithësi.

“Te heqësh vallen e rënde”-ështe një valle që, hiqet ngadalë pa të hedhura e spërdredhura, e pjesëtarët e grupit e hedhin hapin të avashtë, dy hapa para e një hap prapa, duke kënduar avash e duke mbajtur kokën pak ulur. Kjo valle kërkon një tekst kengë te rëndë epik.E në këto valle, burrat mbahen sup më sup, ndryshe nga gratë që mbahen krah për krahu”

Ja, kështu na e përshkruan Timo, “vallen e rëndë” duke na paraqitur çdo element të saj, që nga kënga që e shoqëron, përplasja e këmbës në tokë fort, thirrja “Houuuuu” uljen në gjunjë dhe duke vazhduar thirrjen, uljen në tokë.

Vallja e rëndë shoqërohet nga këngë të rënda që peshojnë çdo varg e fjalë.

“Unë vallenë nuk e lë”, është një tjetër “histori”e treguar me vërtetësi, humor e realizëm, kur nusja që kërcente së bashku me shoqet, nuk ndal vallen e këngën as kur i shoqi bari, kishte tre muaj që s’e kish parë.

“O burrë të keqenë,

duro pak dhe per “atë”

se une vallene s’e lë”

Kënga,ruhet e paprekur si rit, jo vetëm kur këndohet nga burrat, por dhe në rastin,kur vallja hiqet e këndohet lehtë nga gratë.

Vallja është e shenjtë si një ritual fetar, e askush s’guxon të pipëtije, e kështu dhe ajo, ka rregullat e saj.

“Kercenin vajzat, djemte burrat dhe pleqte.Gratë zakonisht të veshura më të zeza, respektonin zinë të cilën mund ta mbanin gjithë jetën, e s’kish rëndësi se për kë mbahej, në ish i ri apo plak.Vetëm në raste të caktuara, kur martohej djali i madh, i vogli apo i vetmi, ato hiqnin nga koka shaminë e zezë e hidhnin ne kokë një të bardhë,aman rrobat e zeza nuk i hiqnin kurrë”

Evoluimi i isos e këngës labe ndër vite është një ndalesë tjetër e autorit, e cila  të bën të “mbash frymën”, të imagjinosh,e herë- herë të shohësh me sytë  e mëndjes, dhe “të vësh në punë” dhe zërin për të kënduar pak “iso”, sepse në çdo rast bëhet shpjegimi me vargje i këtyre këngëve .

Të zgjohet dëshira befas të dëgjosh nga fillimi në fund një këngë labe me “iso”

Më 25 Nëntor 2005, Iso-Polifonia kaloi nën mbrojtjen e UNESCO-s, si një nga pasuritë e rralla të trashëgimisë kulturore botërore.

Iso-ja  mbetet një kryevepër e kulturës shpirtërore, shqiptarët që e kultivojmë atë e dinë dhe e ndiejnë më së miri,por e rëndësishme është që të tillë, tani e vlerëson edhe bota e qytetëruar nëpërmjet organizmave të saj ndërkombëtare, që e klasifikon ndër kryeveprat e njerëzimit dhe e merr nën mbrojtje nga dëmtimi, që në këtë rast është harresa.

Autori i mëshon dhe faktit, që “iso”-ja po këndohet gjithnjë e më pak nga brezat e rinj, por ajo ështe vërtet një thesar, e thesari ka vlerë në çdo kohë, periudhë  dhe etapë. Ai nuk ndryshket me kalimin jo të viteve, por edhe të shekujve.
Gjithashtu shqetësimi i tij i natyrshëm se mjaft vargje ndryshohen gjatë këndimit të këngëve të ndryshme duke humbur kuptimin e këngës,dhe lidhjen me të kaluarën e tyre, nuk mund të quhen novatorizëm, por shtrembërim të vargjeve, e jo të një poeti  çfarëdo por më të madhit :popullit.

E “meraku” i autorit, nuk shuhet kollaj.

Ai na shpjegon përsëri në shumë faqe ndryshimin mes polifonisë dhe isopolifonisë, e pas shumë arsyetimesh me bazë, na thotë se  kënga labe quhet “iso polifoni”, dhe jo thjesht  polifoni, se mé shumë zëra, mund të këndohen dhe mjaft këngë  të tjera, si marshe, hymne etj etj.

Ne iso, marrin pjesë të gjitha zanoret, që përdoren në gjuhën shqipe, duke i dhënë larmi, bukuri, bashkëngjitur tekstit që gjithmonë mbart  një mesazh te veçantë.

“Te kënduar “labçe”, do të thotë të këndosh me shpirt, më shumë se me zë.Sepse iso-ja del nga shpirti, e jo nga gryka”- shprehet autori duke i dhënë gjithë dashurinë, respektin dhe adhurimin e merituar, kësaj kënge e lloj të kënduari.

Libri i Mërkurit, vjen në vazhdën e mjaft librave të tjerë, qoftë poetikë, apo studimorë dhe është një paraqitje dinjitoze e autorit, dhe njëkohësisht me shumë vlerë , jo vetëm për shqiptarët e bregut, që këndojnë dhe njohin iso-polifoninë, por për çdo shqiptar që është i interesuar te dijë vlerat e kulturës kombëtare,lindjen dhe zhvillimin e saj.

Gjithashtu, duke qenë poet dhe eseist, studimet e tij nuk janë të ftohta e me një gjuhë të thatë e zyrtare,apo fjalë të “fryra” prej akademiku, por ato janë një diapazon i ngrohtë, ku hulumtimi i tij mbi isopolifoninë, të përfshin jo vetëm si shqiptaré, por mbi të  gjitha si lexuese.

“SHENJTËRIA E ISOS”, i sapodalë në qarkullim, është një libër me vlera kombëtare, sepse aty, gjejmë mjaft shkrime,hulumtime, studime e mendime të vlefshme të autorit, të cilat s’janë as më shumë e as më pak,por  jeta dhe kultura jonë në breza, të cilën duhet ta dimë  dhe të krenohemi  në mënyrë  të ligjëshme, të gjithë ne shqiptarët.

Unë jam veç nje zë, që s’mundem ta them, e të flas aq bukur për “ison”-të  cilën, autori ka vite që e e studjon,dashuron e servir vlerat dhe zërat e kësaj kënge që është një pasuri kombëtare endé e pahumbur dhe pa vjedhur.
Bashkë me leximin tuaj të këtij libri mbi historinë dhe lindjen  e isos, ne do të ndihemi krenarë për “madhërinë” e saj,e do dimë që të bashkojmë mendimet dhe zërat që Ajo, të mos humbë kurrë.

Shtator 2013

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Drita Lushi, Isoja, mbreteresha pa kurore, Timo merkuri

Përparësitë dhe dobësitë e qeverisë së re shqiptare

September 8, 2013 by dgreca

Nga Menada Zaimi/

Analistët në Shqipëri komentojnë pikat e forta dhe të dobëta të qeverisë së re, e cila do të drejtohet nga Edi Rama. Dukshëm qeverisja do të jetë komode nga pikëpamja e mandateve në Kuvend, fakt që analisti Armand Shkullaku e rendit si një pikë të fortë.
“Pika më e fortë që ka kjo qeveri është mazhoranca tepër e madhe. Pra, ka një shumicë prej 83 votash, me të cilën, si të thuash, i ka duart e lira për të kryer reformat apo premtimet elektorale, që ajo ka paraqitur para votuesve shqiptarë”, thotë Shkullaku.
Iris Luarasi fokusohet te prurjet dhe elementet origjinale për të sjellë një program fitues më 23 qershor:
“Bëhet fjalë për një energji të re të pashpenzuar gjatë 8 viteve në opozitë. Bëhet fjalë për një sërë tryezash të rrumbullakëta të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit, ku është thirrur një grup i rëndësishëm specialistësh dhe është marrë mendimi i njerëzve që kanë një zë në fusha të ndryshme, për të cilat janë realizuar tryezat e organizuara nga Partia Socialiste. Po prapë një gjë pozitive shohim edhe përfshirjen e shumë njerëzve të rinj në pozicionet e ministrave”.
Por, jo të gjithë e kanë përqafuar optikën e kryeministrit të ardhshëm për të formuar kabinetin e ri, çka për Luarasin mund të jetë arsye për konflikte të brendshme.
“Pikë të dobët unë shoh edhe vetë opozitën që do të krijohet brenda Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që mund të ndihet e anashkaluar nga vendimmarrja, në të cilën janë zgjedhur ministrat e rinj, kabinetet e tyre, drejtorët e drejtorive në pozicione të caktuara, që do të jetë ndoshta një nga handikap nëse nuk do të merren masa nga lidershipi i Partisë Socialiste për ta kaluar këtë si proces”, vlerëson Luarasi.
Për të mirëqeverisur, analistët jo drejtpërdrejtë i sugjerojnë qeverisë së re të Shqipërisë të mos gjejë justifikime bazuar te realiteti që po trashëgon mazhoranca në largim.
Armand Shkullaku thotë për Radion Evropa e Lirë se situata ekonomike nuk mund të përdoret si alibi për mospërmbushjen e detyrimeve programore.
“Zoti Rama të paktën gjatë 4 vjetëve të fundit ka akuzuar vazhdimisht me shifra me fakte, me të dhëna, realitetin ekonomik që paraqiste mazhoranca e djeshme. Kështu që e ka të qartë gjendjen reale, në të cilën ndodhet vendi. Kjo nuk përbën justifikim për mosplotësimin e programit të Partisë Socialiste që të qeverisë vendin”.
“Sigurisht, Shqipëria ka pasur një ngecje, nuk ka pasur një rritje ekonomike domethënëse, ka pasur rënie, madje. Por, sigurisht, është një nga vendet e rajonit që ka shpëtuar deri tani nga kriza ekonomike dhe tashmë ajo që do të menaxhohet nga sot e tutje, i mbetet mazhorancës së re”, konsideron Shkullaku.
Nën shënjestër, siç thotë Luarasi, do të jetë sjellja e qeverisë së re në raport me korrupsionin. Çdo hap i munguar në këtë drejtim, sipas saj, do ta penalizonte mazhorancën e re.
“Dhe, nëse ne nuk do të shohim njerëz që do të shkojnë prapa hekurave, dhe do të dënohen për aktet korruptive që ata kanë kryer deri më sot, sigurisht që pastaj do të lërë shumë për të dëshiruar dhe do t’i ulë shumë pikë mazhorancës së re”, thekson Luarasi për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, qytetarët e anketuar presin, as më shumë, as më pak se sa mbajtja e premtimeve të bëra në zgjedhje:
“Të gjitha gjërat, sidomos për të rinjtë dhe të reja, se është bërë shumë keq, punësimi, të gjitha”.
“Punësim, rend, ato që duan të gjithë njerëzit”, shprehet qytetari i dytë.
“Thjesht, të mbajë premtimet dhe kaq. Punësim”.
“Presim ndryshime ndaj dhe shumica votoi për ta. Besoj se do të mendojnë për këtë popull tani. Në radhë të parë duhet luftuar korrupsioni. Mbi gjithçka duhet të ketë qetësi. Rendi duhet të vendoset”.
“Vetëm atë që kanë premtuar. Jo vetëm kjo qeveri, por të gjitha që do të vijnë e do të ikin, gjithë ato që kanë premtuar kaq”.
“Nga qeveria e re presim ndryshime të mëdha në lidhje me zgjidhjen e halleve dhe problemeve të rinisë, të pensionistëve, invalidëve.
“Mbi të gjitha rendi”.
E vetëdijshme për fuqinë e shtuar që i dhanë votat në 23 qershor, mazhoranca e re u ka paraprirë dyshimeve publike e mediatike, duke deklaruar se nuk do të keqpërdorë votat në Kuvend.
Por, rezultati i zgjedhjeve prodhoi gjithaq dhe një LSI më të fortë, e për rrjedhojë dyshimet se kjo forcë politike mund të jetë sa fuqia, po aq dhe dobësia e Qeverisë Rama. Ndonëse shpreson që qeverisja të funksionojë, analistja Luarasi nuk e shmang skepticizmin se marrëdhënia mes dy liderëve s’do të jetë dhe aq e lehtë.
“Sigurisht, me kalimin e kohës do të kemi edhe ngjarje, edhe në këtë pikëpamje. Në fakt, zoti Meta ka treguar se arriti të bëjë një bashkëqeverisje shumë të mirë me zotin Berisha që ishte kundërshtari më i madh i tij politik. Kështu që nga kjo pikëpamje mendoj që nëse ai do të jetë i interesuar për të vazhduar këtë lloj qeverisjeje, aq më shumë me numrat e katërfishuar të deputetëve që ai ka sot në Parlament, atëherë do të ketë një dëshirë të mirë për ta vazhduar këtë bashkëpunim”.
“Nga ana tjetër, ne e dimë që të dy liderët, qoftë zoti Rama, qoftë zoti Meta në një moment të caktuar kthehen në njerëz të paparashikueshëm. Kështu që e vetmja shpresë është që të mos ndodhin gjëra të paparashikueshme gjatë këtyre katër vjtëve në vazhdim, të paktën”, shprehet Luarasi.
Ndërkaq, Shkullaku kujton se Ilir Meta e Edi Rama kanë ditur të bashkëpunojnë, çfarë ka shumë arsye të ndodhë edhe tani.
“Është e vërtetë se për sa kohë është edhe pikë e fortë si të thuash kjo mazhorancë e konsoliduar, por nga ana tjetër edhe qeverisja me dy koka, ose me dy pole, përbën një vështirësi. Por, mendoj që Meta dhe Rama kanë kaluar periudha bashkëqeverisjeje me njëri-tjetrin, e kanë një eksperiencë nga e kaluara, kur zoti Meta ka qenë kryeministër dhe zoti Rama kryetar i Bashkisë. Kështu që, mendoj që e njohin aq mirë njëri-tjetrin, sa gjërat që i ndajnë t’i evitojnë dhe të mbështeten te gjërat që i bashkojnë”, potencon Shkullaku.
Qeveria e re pritet të nisë punën javën që vjen. Një lexim më i qartë i pikave të forta apo të dobëta të Kabinetit Rama, ndoshta do të bëhet pas përmbylljes së angazhimeve programore të 300 ditëve të para të qeverisjes.

Filed Under: Analiza Tagged With: Menada, qeveria socialsite

Maqedonia “ndëshkon” shtetasit e Kosovës

September 8, 2013 by dgreca

Qeveria e Maqedonisë ka miratuar masa kundër Kosovës, pas vendimit të kësaj të fundit për aplikimin e embargos për disa prodhime maqedonase.
Vendimi i Qeverisë në Shkup parasheh taksa rrugore prej 2 eurosh për çdo qytetar që kalon kufirin, taksë prej 5 eurosh për makina, ndërsa për mjetet transportuese taksa do të jetë 10 euro.
Zyrtarë të qeverisë kanë thënë se masat do të vlejnë derisa Kosova të heqë embargon për Maqedoninë.
Nga Qeveria maqedonase po ashtu kanë thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me Prishtinën zyrtare, por nuk jepen detaje mbi qëndrimet e palëve.
Masat ndëshkuese i ka paralajmëruar vetë kryeministri Nikolla Gruevski dy ditë më parë, duke deklaruar se kabineti i tij “po shqyrton të gjitha mundësitë pas vendimit të njëanshëm të Kosovës”.
Zhvillimet e tilla në raportet mes dy shteteve kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve maqedonase për ndalimin e importit të miellit nga jashtë, që ka përfshirë edhe Kosovën.
Si kundërpërgjigje ndaj këtij vendimi, Qeveria e Kosovës prej para dy ditësh ka vendosur embargo për disa prodhime të Maqedonisë.(I.Kadriu)

Filed Under: Featured Tagged With: Kosoven, Maqedonia, ndeshkon

Ahmet Zogu në Hotelin Mayflower, Ku pat sherbyer 13 vjet Ministri i tij, Konica

September 8, 2013 by dgreca

Nga Agron ALIBALI/
Takimi i 17 gushtit 1951 në Hotelin e famshëm Mayflower në kryeqytetin amerikan, pikërisht aty ku Faik Konica kishte shërbyer për 13 vjet si diplomat i mbretërisë shqiptare në SHBA, shënoi fillimin e njërit ndër operacioneve më të sofistikuara për përmbysjen e Enver Hoxhës, çka u kthye sikurse dihet në dështim të plotë.
Në bisedën me personazhin misterioz amerikan Ahmet Zogu parashtroi planin e tij strategjik-operacional, por prej thelbit të saj mund të deduktojmë edhe disa piketakime të rrallam e krejt të veçanta, midis tij dhe Enver Hoxhës.
Dihet, fillimisht, se të dy këta personazhe që vunë në krye të shtetit shqiptar në periudha të ndryshme dhe tejet delikate, kishin kundërshti të jashtëzakonshme me njeri tjetrin. Ato përgjithësisht njihen dhe ishin së pari ideologjike e politike, por edhe krahinore, në formimin kulturore e arësimor, etj.
Kurse pikëtakimeve midis tyre u është kushtuar pak rëndësi deri më sot.
Së pari, edhe Mbreti Zog, edhe Enver Hoxha ushqenin mosbesim të thellë ndaj politikës britanike ndaj Shqipërisë. Mosbesimi i Enver Hoxhës del gjerësisht në kujtimet e tij, por përmendet edhe në dokumentet amerikane të OSS të publikuara së pari nga Peter Lukas. Aty permendet, për shembull, një moment kur Frederik Nosi, ndihmës dhe përkthyes personal i Enverit në malet shqiptare i raporton shefit të vet për një koment përçmues të një oficeri të lartë britanik, i atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ.  Po ashtu, në kujtimet e tij Enver Hoxha përmend me hollësi përplasjet e shumta me oficerët e tjerë të zbulimit anglez, që përqëndrohsehin kryesisht në mbështetjen që këta të fundit i jepnin Ballit Kombëtar e Legalitetit. Në fakt, mosbesimi lidhej edhe me sinjalet që kishte Hoxha për pazarllëqet e mundshme të Çërçillit me qeverinë greke në mërgim për copëtimin e Shqipërisë.
Ky mosbesim ndaj britanikëve, sikurse u përmend, del edhe në bisedën e Ahmet Zogut me bashkëbiseduesin amerikan. Natyrisht, edhe Zogu kishte hatërmbetje të vjetra ndaj britanikëve, qysh me reagimin e shurdhët ndaj pushtimit të Shqipërisë me 7 prill 1939, dhe më pas me injorimin për vite me rradhë të Zogut në Londër.
Së dyti, edhe Enver Hoxha edhe Ahmet Zogu ishin të shqetësuar për rrezikun që mund t’i vinte vendit nga pretendimet e pabaza të Greqisë, të mbështetura në mënyrë absurd nga politikanë britanikë.  Zogu ia shprehu fare qartë këtë shqetësim bashkëbiseduesit amerikan. Prandaj,  ai edhe kërkonte deklaratën paraprake të mosndërhyrjes, dhe e shprehu haptaz frikën e tij për   pazaret nsaj Shqipërisë së Jugut.  Po ashtu, edhe qëndrimi i Hoxhës në këtë drejtim dihet: ai ishte krejti qartë dhe i prerë.
Por ndërsa Hoxha nuk ngurroi të deklarojë botërisht se, po qe se do të shkelej qoftë edhe një pëllëmbë e kufirit shqiptar, do të derdhej gjaku deri në gju, Zogu përmendte “mekanizmat” e OKB-së. Ndofta Zogu llogariste se atij i nevojitej ndihma greke për përmbysjen e Hoxhës dhe deri aty ishte maksimumi i kompromisit të tij. Në këtë drejtim ndofta duhet parë edhe mendimi i Zogut për nevojën e një force ushtarake prej 10,000 burrash për të ndërhyrë në Shqipëri. Praktikisht, një forcë e tillë ushtarake, besnike e Mbreti dhe me pikëpamje detyrimisht nacionaliste,  e vendosur në territorin grek pranë kufirit shqiptar dhe e gatshme për t’u future në Shqipëri, do të mund të shërbente edhe si deterrent për çfarëdo ideje apo përpjekje të Athinës për të copëtuar vendin.
foto: Dy faksimile nga dokumentet sekrete ku dëshmohen takimet e tij sekrete për të organizuar aksionin për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës në 1951)

Së treti, Zogu dhe Enveri – edhe pse në rrethana të tjera kohore – takoheshin në një pikë tjetër; atë të të qënit në krahun e fitimtarëve. Zogu ia tha copë bashkëbiseduesit amerikan: në pritje të Luftës III Botërore, do të duhej që Shqipëria të ndodhej në krahun e Perëndimit fitimtar, sepse vetëm kësisoj do ta ruante integritetin e vet tokësor. Natyrisht që kjo analizë e Zogut doli e gabuar, dhe koha e hodhi poshtë, pasi nuk plasi luftë. Mirëpo këtu ai me siguri do të kishte patur ndërmend faktin kokëfortë se Lufta Nacional Çlirimtare dhe çlirimi i vendit në nëntor 1944 e vuri Shqipërinë përfundimisht në krahun e Aleancës së madhe antifashiste SHBA – Britani e Madhe – Bashkim Sovjetik, dhe kësisoj bllokoi çdo pazarllëk për copëtimin e mundshëm të Shqipërisë në Konferencën e Paqes.

Madje, në një ndër seancat plenare të kësaj Konference Enver Hoxha botërisht përcolli sakrificat e pashembullta dhe gjakun e derdhur të popullit shqiptar për liri, dhe hodhi poshtë çdo insinuatë që e fuste Shqipërinë ndër vendet humbëse. Gjejmë rastin të theksojmë se në atë fjalim, Enver Hoxha jo pa qëllim nuk e përmendi asfare Mbretin Zog, edhe pse e kishte rastin për ta denigruar botërisht. Arësyeja për këtë “harresë” të qëllimshme të Enverit ishte se, me siguri, ai e kishte parasysh praktikën e vazhdimësisë së shtetit në të drejtë ndërkombëtare, dhe prandaj Ahmet Zogu, edhe pse u largua nga vendi pa lavdi në 7 prill 1939, ishte udhëheqës i ligjshëm i vendit të paktën deri në momentin e agresionit fashist ku Shqipëria humbi pavarësinë dhe sovranitetin.

TAKIMI I DYTË – NJU JORK, 30 GUSHT 1951

Po le të hidhemi tek takimi i dytë midis Ahmet Zogut dhe bashkëbiseduesit misterioz amerikan, që në dokumente, ritheksjomë se kishte detyrën e Shefit të Drejtorisë 1 të Evropës Lindore. [Chief, EE-1].  Takimi u krye gati dy javë më pas, në Hotelin Delmonico në Nju Jork. Personazhi misterioz u paraqit atje në orën 19:30 dhe menjëherë i deklaroi Zogut se “ne e kemi vrarë shumë mendjen  [had given serous thought] për diskutimet tona të përparëshme për operacionet shqiptare”.
Vërejmë këtu përdorimin e shumësit, çka nënkupton se dy personazhet tona ishin takuar dhe kishin rrahur mendime edhe përpara takimit në Mayfloëer. Sipas raportit dyfaqesh të gjendur në arkivat amerkane, ku bashkëbiseduesi amerikan i referohet Ahmet Zogut gjithmonë si “mbreti”, biseda u vazhdoi pak a shumë kështu:
Amerikani fillimisht tha se “nëse Zogu do ta quante të vlefshme, ne do t’ju japim të gjithë asistencën e mundshme materiale për infiltrimin a një grupi të vogël agjentësh të nivelit të lartë që do të siguroheshin prej tij me qëllim kryerjen e misonit të rikonjicionit në Shqipëri dhe për vendosjen e kontaktit me njerëz që janë miqësorë ndaj Zogut, të cilët ndodhesibn në ushtrinë dhe qeverinë shqiptare, si dhe me grupe të rezistencës që njerëzit e tij do të mund të takonin”.
Pra, amerikanët konfirmonin mbështetjen e plotë materiale. Po ashtu, në bashkërendim të plotë me Ahmet Zogun, ata përcaktonin edhe objektivat kryesore të misionit “Molla”, që ishin: (i) njohja e gjendjes në terren; (ii) kontakti me personalitete të larta miqësore ndaj Zogut në ushtri dhe qeveri, dhe (iii) kontakti me grupe të tjera të rezistencës antikomuniste.  Se cilët do të ishin këto “kontakte të larta” do ta shikojmë më pas.  Amerikani shtoi se “ne do të zgjedhim edhe një operator radist [Ë/T operator] që do të shoqërojë grupin”.
Ish-Mbreti u përgjigj duke thënë se ishte i gatshëm të vendoste njerëzit e tij në dispozicion. Ai sugjeroinjë grup prej dy ish- oficerësh, që tani jetonin në Egjipt, sëbashku me dy shoqërues apo udhërrëfyes, që do të ndihmonin oficerët për të lëvizur nëpër zonat kritike. Radisti i ofruar nga amerikanët do të ishte pjestari i pestë i grupit. I gjithë operacioni duhet të kryhet në mënyrën më të fshehtë dhe njerëzit e tij duhet të silleshin në Greqi në rrugë sekrete. Ndofta ata fillimisht mund të transferoheshin në ndonjë vend tjetër Evropian ku pala amerikane mund t’i takonte dhe të organizonte transferimin e tyre klandestin në Greqi. Zogu do të urdhëronte ndihmësin e tij, Kolonel Selmanin, që të ndihmonte palën amerikane në instruktimin e këtyre njerëzve në Greqi.
Mandej bashkëbiseduesi amerikan pyeti nëse Zogu mund të bënte me dije emrat e agjentëve të zgjedhur prej tij.
Ish Mbreti u përgjigj se  “Do të më duhet njëfarë kohe për të zgjedhur individët e posaçëm, por do t’ju njoftojmë me t’i caktuar ata”. I rrahur si gjithnjë, ma vaj e me uthull, Zogu nuk harroi të shmangë përgjegjësinë nga radisti.  “Po ju paralajmëroj, tha ai, se unë mund të mos kem njohje për radistin e zgjedhur prej jush, prandaj përgjegjësia është tuaja sa i takon besnikërisë [trustiërothiness and reliability] së tij.”
“Shpresoj, shtoi ai, se ju do të përdorni materiale kriptografike, të cilat të mos lexohen nga rusët, që janë shumë të aftë në thyerjen e kodeve dhe të shifrave”. Ai natyrisht kishte parasysh dështimet e misioneve të mëparshme në Shqipëri.
Sipas raporti, biseda zgjati edhe një orë më shumë, me një diskutim të përgjithshëm për tema të nxehta të ditës të rrahura edhe më parë midis tyre.  Ato kishin të bënin me “arritjen e një zgjidhjeje të shpejtë të problemit izraelo-arab në Lindjen e Mesme, nevojën për veprim të fuqishëm kundër komunistëve në Kinë, etj”.
Në fund, Zogu përmendi edhe faktin se ai “kishte takuar gjeneralët MacArthur dhe Clay, dhe kishte mbetur me mbresat më të mira lidhur me kuptimin që ata kishin për çështjet që Zogu u kishte paraqitur”.

Filed Under: Histori Tagged With: agron alibali, Ahmet Zogu, Faik Konica, ne Mayflower

Robi Servantes në duart e Arnautit Ali Mami

September 8, 2013 by dgreca

NGA LUAN RAMA/

Shpesh librat historikë, dorëshkrimet e vjetra, historitë e popujve dhe emigrimet na zbulojnë personazhe e ngjarje të habitëshme për të cilat është shkruar pak ose nuk është shkruar fare. Shumë shqiptarë të shquar i kanë shërbyer historisë dhe kulturës evropiane. Të tjerë, përkundrazi, kanë qënë renegatë, duke u shërbyer pushtuesve apo fuqive të tjera, larg atdheut të tyre, ashtu siç kishte dhe renegatë të popujve të tjerë, grekë, italianë, dalmatë, spanjollë, etj, të cilët, në kohën e dyndjes së tmerrshme osmane drejt brigjeve të Adriatikut dhe në Mesdhe, u detyruan të bëhen renegatë dhe të islamizohen, për të shpëtuar nga vdekja, apo për të fituar lirinë familjet e tyre të robëruara. Një nga ata ishte dhe Arnauti Mami, siç ka hyrë ai në historinë spanjolle apo të Algjerisë, ose më mirë në historinë e piraterisë së Mesdheut, pasi ajo që e dalloi këtë renegat shqiptar ishte pikërisht pirateria dhe rrëmbimi i Miguel Servantesit, autorit të një prej kryeveprave botërore të letërsisë, Don Kishoti i Mançës. Ai ishte një «corsaire» (pirat) i njohur, që komandonte 300 «galerat» (lloj anije) të flotiljes së Algjerit, që në atë kohë ishte në duart e Sulltanit dhe drejtohej nga një guvernator turk. Algjeri në atë kohë ishte në fakt një «shtet piratësh». Shumë vite më vonë nga rrëmbimi i Servantesit, më 1583, Arnaut Mami do të bëhej pasha. Nga të vetmit piratë që u bënë pashallarë gjatë gjithë kohrave njihen vetëm Arnaut Ali Mami, kalabrezi Euldj Ali ( i cili si dhe paraardhësi i tij, pirati Kheir ed Din u bë admiral i flotës osmane), venedikasi Hasan Corso, apo i quajtur ndryshe Hasan Venedikasi si dhe Mezzo Morto (I Gjysëm-Vdekuri), i quajtur kështu, siç duket se nga ndonjë histori, ku ai duhej ti kishte shpëtuar për mrekulli vdekjes së sigurt. Arnaut Mami duket nuk është i njohur në Ballkan, apo në historinë shqiptare, pasi veprimtaria e tij është zhvilluar në detrat e jugut të Mesdheut. Po cila ka qënë historia e tij ? Nga cili vënd i Shqipërisë ishte larguar ? A ishte kthyer vallë më vonë në Shqipëri? Ndoshta arkivat e Konstantinopojës (Stambollit) apo të Algjerit,  mund të ruajnë gjurmë të jetës dhe prejardhjes së këtij shqiptari. Sot në Algjer, të gjithë e njohin pallatin e Arnaut Mami, të quajtur ndryshe Shtëpia e Kuqe, apo Dar El Hamra, meqë në të mbizotëron ngjyra e kuqe. Ajo është një perlë e arkitekturës “maureske”, dhe sot shërben si Ministri e Turizmit. Ende dhe sot ekzistojnë në këtë ndërtesë bodrumet e famshme të skllevërve, ku ka kaluar me siguri dhe Miguel Servantes. Por si ndodhi që pikërisht i famshmi Servantes të binte në dorë të Arnaut Mami ? Në ç’kohë kishte ndodhur kjo dhe pse?

Ndryshe nga ç’mund të imagjinohet, në rini të tij Servantesi bëri një karierë ushtarake dhe në fillim u angazhua në regjimentet spanjollë që luftonin në detrat e Mesdheut, por edhe në fanteri (këmbësori) në jug të Italisë. Ai së pari ishte një “guerriero” dhe më vonë do të ishte shkrimtari Servantes. Atëherë, mbretërit dhe princat e Perëndimit, filluan të bashkohen për tu mbrojtur nga dyndjet osmane që vazhdimisht, gjithnjë e më shumë, kërcënonin territoret e Evropës, të cilat rrezikonin të binin nën pushtimin e tyre. Trimëria e Servantesit u vu në sprovë në një nga betejat më të mëdha që Perëndimi i bëri ushtrive të perandorisë osmane në betejën e Lepantos, në gjirin e Korintit dhe të Patras, të komanduara nga Ali Pasha, ku anijet kristiane, duke përfshirë anijet veneciane, spanjolle, napolitane, etj, kapën mbi 110 anije turke dhe fundosën 130 të tjera. Nga kristianët kishte 7-8 mijë të vrarë ndërsa nga turqit 20-30 mijë. Pikërisht në këtë betejë, Miguel Servantesi u plagos nga shigjetat e një harkëtari turk. Për gjashtë muaj ai do të qëndrojë në një spital të Mesinës në Itali, për tu angazhuar përsëri në trupat e të famshmit Don Juan d’Autriche, admiral i «Ligës së Shenjtë», e më pas të Lope de Figuero.

Tashmë ai është bërë një “ushtar elite”, apo “soldado aventajado”, siç i cilësonin këta ushtarë të sprovuar, të cilët pagoheshin me tre dukatë në muaj. Në vend që të kthehej në Madrid, pranë familjes, ai preferoi të bashkohej me trupat spanjolle, duke rrahur detrat e Mesdheut. Madje me anijen e tij ai kishte zbarkuar në Korfuz dhe në ishujt e tjerë të Jonit, për të vazhduar pastaj në brigjet e Italisë dhe marshuar drejt veriut. Më 1572, ai mori pjesë në betejën tjetër të madhe të Navarinit. Pas kësaj, Servantesi do të qëndrojë dy vjet në Napoli para se të kthehet për në Madrid. Pikërisht në këtë kohë ndodh dhe drama e tij. Katër anije spanjolle kthehen drejt Spanjës, duke u ngjitur sipër Korsikës. Por në detin e jugut të Francës, jo larg portit “Les Saintes Maries de la Mer”, ata sulmohen papritur nga një flotilje barbareske e komanduar nga Arnaut Mami dhe lietnanti i tij, renegati grek, i quajtur Dali Mami. Gjatë kohës së sulmit, Miguel Servantesi është në anijen “Sol”, por befasia e sulmit i ka ç’orientuar të gjithë. Ishte data e 23 shtatorit të vitit 1575. Shumica vriten dhe Servantesi është nga të fundit që kapet rob, siç kujton dhe një nga bashkëluftëtarët e Servantesit, Antonio Marco, i cili shkruan se “Migueli rezistoi shumë dhe ishte nga të fundit që u kap rob”. Edhe Servantesi që përshkruan këtë histori tregon se “I gjëndur vetëm duke luftuar, gjithë plagë, u detyrua më së fundi të dorëzohej”. Të lidhur me zinxhirë, robërit, mes të cilëve dhe vëllai më i vogël i Servantesit, Rodrigo, hidhen në kuvertën e “galiotës” barbareske dhe pas tre ditësh udhëtimi, të mbyllur në hambaret, ata mbërrijnë në brigjet e Algjerit. Siç kujton dhe një tjetër bashkëkohës i Servantesit, Saavedra në librin e tij Jeta në Algjer, “kur arrita i plagosur dhe pashë atë tokë me nam të keq e të trishtë, që në gjirin e vet kishte aq shumë piratë, nuk i mbajta lotët”. Miguel Servantesi atë ditë të 26 shtatorit, kur hyn në burgjet e Algjerit, është 28 vjeçar dhe i sprovuar me luftrat, por ajo që do të kalojë do të jetë një klavar i vërtetë, siç e përshkruan dhe në librin e tij Galatea, një libër i menduar prej gjashtë vëllimesh, por që Servantesi shkroi vetëm vëllimin e parë. Të lidhur me zinxhirë të rëndë, njëri pas tjetrit, spanjollët robër i çojnë në burgjet e Arnaut Mami dhe më pas në burgun e Dali Mami. Fati i keq i Servantesit ishte se atij i gjetën letra e rekomandime që ai kishte marrë nga Don Juan d’Autriche dhe duka De Sessa për t’ia çuar mbretit spanjoll Philippe II. Arnaut Mami e kuptoi se kishte të bënte me një njeri të rëndësishëm dhe kjo do ta vononte shpëtimin e tij nga ai ferr i vërtetë. Megjithatë, Arnaut Mami duket se s’do të merret më me të burgosurit, të cilët i a lë lietnantit të tij. Ai vetë do të niset në inkursione të tjera. Pikërisht në këtë kohë nis dhe historia dramatike e Miguel Servantesit dhe dhjetra mijra robërve që gjëndeshin atëherë në burgjet e ndryshme të Algjerit. Algjeri në atë periudhë ishte një qytet i lulëzuar nga tregëtia dhe trafiku i madh që bënin piratët; ai ishte një qytet prej 150 mijë banorësh, pra më i madh se Palermo apo vetë Roma. Shitja e robërve të kapur u sillte gjithashtu përfitime të mëdha. Meqë çalonte, greku Dali Mami quhej ndryshe “Topalli”, (“El Cojo”). Ai e dinte se Servantesi kishte qënë kapiten anijesh dhe haraçi për ta liruar u vendos i lartë : 500 dukatë. Por që në muajt e parë të vitit 1576, Servantesi do të përpiqet vetëm për një gjë : si të arratiset nga ky vënd. Ai nuk mund të presë ardhjen e misionarëve që vinin për të blerë robërit. Ndërkohë, Orani, jo larg Algjerit, ishte në duart e katolikëve spanjollë dhe ai dukej si vëndi i vetëm i shpëtimit. Migueli arriti të bindë një « maur » vëndas, i cili mundi t’i nxjerrë nga Algjeri për në rrugën drejt Oranit, nëpër shkretëtirë, por pas disa miljesh, ndoshta nga frika, ai i braktisi. Të mbetur në mes të rrugës, nga frika se mos vdisnin në shkretëtirë, grupi i robërve, së bashku me Servantesit që i udhëhiqte, u kthyen përsëri në burgun e Algjerit. Dhe për  këtë sigurisht, torturat ishin të tmerrëshme. Në mars të atij viti, një bashkëluftëtar i tij lirohet nga tre misionarë të ardhur nga Spanja, të cilët paguajnë për lirimin e tij. Eshtë Gabriel de Castaneda, ai që do të çojë letrat e Miguelit familjes së tij. Sapo e ëma e tij e merr vesh burgosjen e Miguelit dhe gjëndjen e tij të mjerë, i bën menjëherë një peticion Këshillit Katolik që të mund ta ndihmojë me para, por shuma e haraçit është e madhe : 500 dukatë. Këshilli i jep vetëm 60 dukatë, nga 30 dukatë për secilin nga bijtë e saj, Miguelin dhe Rodrigon. Ndërkohë Migueli bën tentativën e dytë për tu arratisur. Në 30 shtator, së bashku me ca robër të tjerë ata mundin të largohen 3 milje nga Algjeri drejt një shpelle, ku presin njata  do ti zbulojnë dhe do ti kthejnë të lidhur me zinxhirë në burgjet e Algjerit. Kësaj rradhe Servantesi e merr përsipër detyrën e frymëzuesit dhe të organizatorit dhe për këtë dënohet me 2000 shkopinj. Por Migueli është i fortë dhe arrin ta përballojë këtë sprovë ç’njerëzore. Në çdo tentativë që bën, torturat janë të tmerrshme, por megjithatë autori i ardhmë i Don Kishtoti i Mançës, nuk do të jepet. Ndoshta kjo përvojë, këto sprova do ti japin një optikë tjetër për botën dhe shoqërinë do t’I krijojnë atë ngjizmë që do të formojë te ai portretin e një humanisti të madh. Vallë a ka filluar ta mendojë temën e romanit të tij të ardhmë ? Në fakt, siç dëshmojnë kronikat e kohës, në burg ai ka filluar të shkruajë vargje dhe shkrime të ndryshme. Madje ai bije në dashuri dhe me vajzën e një fisniku të njohur dhe të pasur të Algerit, me Zoraiden e Haxhi Muratit, një renegat tjetër dalmat nga Raguza, një tregëtar që kishte përqafuar islamin. Kjo është e vetmja kënaqësi e Miguel Servantesit gjatë roberisë së tij, për të cilën ai do të shkruajë në librat e mëvonshëm të tij.

Zoraidja e bukur, shpesh kërkon ta ndihmojë për tu arratisur që ai të gjejë lirinë. Por sa herë ai tenton, Migueli kapet përsëri. E tillë ishte dhe aventura me një renegat spanjoll i quajtur Abdurrahim, i kthyer në musliman, i cili ishte penduar që kishte përqafuar fenë muslimane dhe mendonte të largohej. Ai bleu një anije dhe u përgatit të merrte Miguelin dhe 60 robër të tjerë, por një tjetër spanjoll i spiunoi dhe tentativa dështoi. Tashmë Miguelin e ruan në burgun e tij vetë mbreti i Algjerit, Hasan Aga (Cayban) një renegat fjorentinas. Por edhe pse në një burg akoma më të tmershëm dhe i lidhur me dy palë zinxhirë, ai përsëri arrin të gjej një “maur” dhe me anë të tij të nisë një letër për guvernatorin e Oranit, Don Martin de Corboda, por  “mauri” do të kapet dhe planet e tij të arratisjes marrin fund. I dëshpëruar, si shpresë të vetme, Servantesi ka vetëm ardhjen e misionarëve dhe mbledhjen e 500 dukatëve për haraçin e tij. Më 1577, tre misionarë vijnë dhe lirojnë rreth 106 të burgosur. Por Migueli preferon që në vend të tij të lirohet i vëllai, Rodrigo. Miguelit do i duhet të presë dhe tre vjet të tjera gjersa do të vija dita e lirisë. Ai është 33 vjeç kur një ditë shtatori vijnë misonarët e tjerë. 5 vjet kanë kaluar që nga dita e parë e robërisë. Nëna e tij i ka mbledhur dukatët e duhur. Motrat kanë shitur prikat e tyre, që të mund të ndihmojnë për lirinë e tij. Arnaut Mami endet në atë kohë, ende nëpër detrat e Mesdheut. Atë ditë, Hasan Aga, ka hipur në anijen që do ta çojë në Stamboll për ndonjë post të ri. Siç dëshmojnë kronikat e kohës Migueli është robi i fundit që ai pranon të lirojë përkundrejt 500 dukatëve. Eshtë dita e 19 shtatorit të vitit 1580. Kuptohet gëzimi i jashtëzakonshëm i Servantesit që më së fundi ai do të kthehet në Spanjë, në gjirin e familjes së tij.

Por edhe pas këtyre viteve të tmerrëshme, jeta e Servantesit nuk do të jetë e paqtë. Me kthimin e tij në Madrid, ai zbret në Andaluzi dhe Sevilje, ku disa vjet merret me vjeljen e taksave, pastaj burgoset më 1597, nga falimentimi i bankës ku kishte depozituar paratë dhe më vonë ç’kishërohet. Pikërisht në burg fillon të shkruajë Don Kishotin e Mançës. Jeta e tij bëhet një dramë e vërtetë gjersa do të vdesë në vitin 1616. Megjithatë, prehja e tij e vetme ishin librat që shkroi, dorëshkrimi i Don Kishotit të Mançës, të cilin arriti ta botojë në vitin 1605. Dhe në këtë roman, ai nuk harron të kujtojë vuajtjet e « robit » në burgjet e Algjerit dhe që në fakt është vetë ai…

Historia e Arnaut Mami n’a kujton dhe dy histori arnautësh të tjerë që i shërbyen perandorisë osmane dhe që çuditërisht ishin guvernatorët apo pashallarët e dy prej qyteteve më në zë të Palestinës së dikurshme: Akos (apo St.Jean d’Acre) dhe Jaffo-s (Xhafos) dy qytete sot në Izrael dhe që ishin portat e dikurshme të ushtrive kristiane për të shkuar drejt Jeruzalemit. Guvernatori i Xhafos ishte Abu Nabut (që qeverisi gjatë viteve 1807-1820) dhe që ndryshe e quanin “babai i dajakut”, pasi “dajaku” ishte mjeshtëria e tij. Ndërsa Ahmed El-Xhezairi hyri në histori si një ndërtues dhe strateg i madh ushtarak. Kur Napoleoni hyri në Ako dhe donte ta pushtonte kështjellën mesjetare të kohës së tempullarëve, ai nuk mundi ta pushtonte. Më 1799, trupat e tij vranë 200 robër arnautë dhe më pas u larguan. Atëherë Xhezairi ndërtoi qytetin si dhe xhaminë më të madhe, ku sot janë eshtrat e tij dhe të birit të tij. Nga Napoleoni tek Servantesi, nga Abu Nabut tek El-Xhezairi, historia i ka mpleksur shqiptarët në histori të çuditëshme dhe zhurmëmëdha.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ali Mami, ne duart e Arnautit, Robi Servantes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT