• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2013

Gjilberta Lucaj ekzekutoi mjeshtërisht në koncertin “Trio Fundacion Astor Pianzzolla”

October 16, 2013 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në qytetin e famshëm botëror në Manhattan, një lagje e Nju Jurkut që s’vë kurrë gjumë në sy u dha një koncert madhështor.Koncerti “Trio Fundacion Astor Pianzzolla” u shfaq në sallën e koncerteve në shkollën e Allen -Stevenson School.

Tri artistë të mirënjohur si Sebastian Forster, Gjilberta Lucaj dhe Galina Zhdanova ekzekutuan mjeshtërisht pjesë të ndryshme si: Calambra, Soledad, Adios Nonino, Summer, Escualo, Winter, Olivion Lunfardo, Le Gran Tango dhe Tangata.  Bota e muzikës dhe e artit ka magjinë e transmetimit të emocioneve të fuqishme dhe të mesazheve pa të cilat çdo qenie njerëzore do të ishte e venitur.  Të ftuar si TV Alba Life përpos kënaqësisë që ndjen në këto aktivitete tepër mbresëlënëse nuk ke se si të mos ndjehesh krenar kur në skenë shikon duke interpretuar pjesë të ndryshme nga kompozitorë botërorë luajtur mjeshtërisht nga violinçelistja plot sharm shqiptarja Gjilberta Lucaj.  Bashkëpunimi i violinçelistes Lucaj me TV Alba Life ka kohë që ka filluar, por publiku i gjerë do ta kujtojë gjatë interpretimin e saj në violinçelë në koncertin klasik që u zhvillua në Manhattan dhe që hapi siparin e festimeve të 100 Vjetorit të Pavarësisë.  Në programin që ishte shpërndarë rreth koncertit dhe tri artistëve të famshëm ishin venë dukshem arritjet dhe sukseset e shkëlqyera të violinçelistes Lucaj ku qysh në frazën e parë jepej origjina e saj shqiptare.  Lucaj ka filluar te studjojë për violinçelë qysh në moshën 6 vjeçe.  Ndërsa kur ishte në moshën 13 vjeçe ka fituar çmimin kombëtar midis artistëve të rinj.  Si rezultat i kësaj ajo ishte nxënësja më e re e zgjedhur në orkestrën simfonike të Shkodrës ku shkuan për në Itali dhe dhanë koncert përpara Papa John Paul II-të.  Për këto rezultate të shkëlqyera fitoi një bursë të plotë nga Konservatori i muzikës së Padovës.  Ajo studjoi në konservatorin e muzikës SUNY College dhe gjithashtu ka marrë master si mësuese muzike në edukim në universitetin e Nju Jorkut (NYU).

Gjilberta ka dhënë koncerte në Carnegie Hall në Manhattan dhe në vitin 2006 është anëtare e orkestrës filarmonike të Nju Xhersit dhe vazhdon të japë koncerte në Carnegie Hall, Avery Fischer Hall dhe ka shkuar gjer në Korenë e Jugut.  Ka dhënë leksione për Hudson Valley Piano klub për dy vjet si dhe ka luajtur për studentët që kishin klasa masteri si dhe në Yo Yo Ma.

është anëtare e grupit Monticelli Trio ku që nga viti i kaluar në tetor vazhdon të luajë në koncerte të ndryshme.

Artisti tjetër pianisti Sebastian Forester, një djale simpatik i lindur në Buenos Aires në 1975 me performancën e tij i dha shumë emocione audiencës dhe ngriti lart shpirtin e spektatorëve që e dëgjonin plot endje.  Forester është nje pianist ndërkombëtar dhe koncertet e tij janë rekorduar në orkestrat Delaware, Stuttgrt, Holland, Berlin, Budapest, Linz Brucker, Buenos Aires, Radio State Ukraine.

Ka rekorduar 9 albume muzikore etj.

Një artiste suksesshme ishte dhe dhe Galina Zhdanova me origjinë ruse e cila ka filluar të studjojë në violinë në moshen 5 vjeçe.  Në moshen 15 vjeçe fitoi çmimin e parë ndërkombëtar në Tokio, Japoni.  Ajo ka kryer studimet në konservatorin e St.Peterburg dhe ka dhënë koncerte në Carnegie Hall, në Madison Square Garden, The Boardwalk Theater në Atlantic City, the Izod Arena dhe ka bërë prezantim në Good morning America.

Pas koncertit madhështor Gjilberta i tha TV Alba Life se ishte shumë e lumtur për koncertin dhe shpresoj t’ju kem bërë krenare si shqiptare.  Artistja shqiptare prezantoi dhe bashkëshorten e kompozitorit të tangove në botë Jose Bragato, zonjën Laura e cila vlerësoi lart artisten shqiptare.

Ajo kishte udhëtuar që nga Argjentina për të ardhur dhe dëgjuar direkt koncertin të realizuar mjeshtërisht nga Trio Fundacion.  Ndërkohë në krah të saj u afruan pianisti i shquar argjentinas Sebastian Forster dhe violinistja e mirënjohur ruse Galina Zhdanova ku shprehnin dashurinë dhe mirënjohjen e pakufishme për publikun që ishin pothuajse nga të gjitha vendet e botës dhe që i ndërpriste herë pas here nga duartrokitjet e stuhishme.  Muzika shpreh atë që nuk mund ta thotë me fjalë, por është e pamundur të qëndrojë në qetësi… thotë shkrimtari botëror Victor Hygo.

Artistja shqiptare me delikatesën dhe qetësinë e saj e shprehu gjithçka nëpërmjet luajtjes në violinçelë ku krahët e bardhë të saj si të mjelmave fluturonin mbi violinçelë.

Tetor, 2013

Manhattan, New York

 

 

 

Filed Under: Featured

ASGJË E RE NË DEKLARATËN E SERVET PËLLUMBIT PËR RAMIZ ALINË, GORBAÇOVIN DHE KATOVICËN SHQIPTARE

October 15, 2013 by dgreca

Z. Tomorr Malasi e ka publikuar 15 vjet të shkuara dokumentin e Katovicës shqiptare të Ramiz Alisë në gazetën”Republika”. Ndërmjetës ishte Maksim Begeja…Atë kohë Servet Pëllumbi heshti…./

Nga Dalip Greca/

Deklarata e një prej ideologëve të së majtës shqiptare, ish Profesorit të Filozofisë Marksise Leniniste, Servet Pëllumbi, rreth Katovicës Shqiptare, në intervistën e tij me gazetarin e Televizionit “Channel One”,  ushqehu edhe një herë median shqiptare me silazhin e përditshëm që gatuan politika dhe që është mësuar ta përtypë e ripërtypë në mënyrë mekanike. Gati të gjitha gazetat u morën gjatë dhe e lakuan në të gjitha rasat e shqipes, përfshirë dhe Thirroren, emrin e ish profesorit të Filozofisë Marksiste – Leniniste, ish kryetarit të Parlamentit Servet Pëllumbi. Deklarata e profesorit u cilësua si një provë autentike që u mbush mendjen shqiptarëve se Katovica, këtu e tutje duhet besuar si teori dhe si praktikë, sepse e ka thënë Servet Pëllumbi, teoriecieni ideologjik i M-L, përherë afër Ramiz Alisë. Nuk po e shtrojmë pyetjen përse nuk e pohoi në të gjallë të Ramiz Alisë atë që dinte, përse nuk u prononcua  më parë, përse tani? Mendoj se një spjegim do të ishte në dobi të besueshmërisë të tezës që ai e hodhi nga ekrani. Pyetja është kjo: Kur 15 vite të shkuara, këtë dokument, e botoi gazeta Republika, përse nuk u ndje Profesori? Aso kohe Tirana dhe Shqipëria u morën gjatë me atë artikull, që shkaktoi habi e huti. Asgjë më shumë se ç’shkruhej në rreshtat e atij artikulli që niste në faqen e parë të Republikës, nuk na tha nga ekrani, tani pas 15 vitesh, Servet Pëllumbi.

Në atë artikull që botoi Republika tirrej i plotë skenari i Katovicës shqiptare, me ideator Gorbaçovin dhe me skenarist shqiptar Ramiz Alinë. Nëse atë kohë Servet Pëllumbi do të dilte para opinionit dhe do të thoshte, po kjo është e vërtetë-, ngjarjet mund të kishin marrë tjetër rrjedhë. Mjafton që të thoshte kaq:” E kam parë edhe unë dokumentin”… Atëherë shoqëria shqiptare do të kishte reaguar, ndërsa sot është vonë, tepër vonë. Dëmi ka ndodhur, demokracia është mbajtur peng, problemet tona kanë mbetë pa u zgjidhë. Tranzicioni vazhdon të jetë sfilitës.Vazhdojmë t’u japim përparësi sherreve dhe nuk pranojmë dialogun; pranojmë të takohen shqiptarët me serbët, por jo pozita me opozitën në Tiranë!

Artikullin në Republika e kam shkruar unë, në atë kohë kryeredaktor i gazetës. Ngjarja ndodhi kështu: Që në mbrëmje, miku im Maksim Begeja, më telefonoi në gazetë dhe më tha se të nesërmen kafenë e mëngjesit ta rezervoja se do ta pinim me një mik, që kishte diçka për gazetën. Të nesërmen u takuam në një kafe përballë Kafe Europa. Maksimi shoqërohej nga Tomorr Malasi, një ndër politikanët e spikatur të Partisë Demokratike. Gjatë pirjes së kafesë, z. Malasi më pyeti nëse mund ta botoja në Republika një dokument që mbahej secret, por që ai e kishte me vete? S’dija ç’të thoja sepse nuk e kisha parë ende dokumentin. Vështrova në drejtim të Maksim Begesë, që ishte zv/kryetar i Partisë Republikane. Ai qeshi lehtazi dhe foli para meje:- Mos e vë në dyshim z. Tomorr, nuk i mungon kurajo kryeredaktorit.Unë miratova me lëvizje të kokës.

Atëherë Tomori nxori materialin, që me sa mbaj mend përbëhej nga dy fletë të daktilografuar. Në krye të fletës së parë ishte shënimi se ky ishte material secret i lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë më 1989. Nuk më kujtohet nëse ishte edhe data apo muaji. Por mesa e ndoqa edhe zotin Servet Pëllumbi, as ai nuk i përmendi këto detaje.Nëse nuk gjendet i arshivuar ky material original, domosdo edhe i protokolluar as pas 23 vitesh përmbysje, dyshimi është real. Kjo hedh një hije dyshimi mbi vërtetësinë e dokumentit.

z. Malasi po më ndiqte me vëmendje gjatë leximit. I përpiva fjalët dhe radhët njëra pas tjetrës. Ndjeja një lloj habie dhe zhgënjimi njëkohësisht. Nuk po u besoja syve. Shkruhej e zeza mbi të bardhë ashtu siç kishte ndodhur në Shqipëri.Ngjarjet ishin zhvilluar si në teatër, duke ndjekur me përpikmëri skenarin e shkruar para kohe. Në fillim mendova se duhej të ishte ndonjë sajesë dhe se nuk kishte mundësi të zbatohej me përpikmëri ajo që ishte ideuar që më 1987 në Katovicë të Polonisë. Ua thashë dyshimin tim bashkëbiseduesëve, por letrat ishin aty si dëshmi të pakundërshtueshme të inskenimit.

Mos e boto kështu siç është, por komentoje,-ishte ideja e Tomorr Malasit. Maksimi miratoi.

Ashtu bëra. E mora letrën me vete dhe shkova në zyrë, ku nisa komentin, por të gjitha fjalitë e skenarit, porositë e Ramiz Alisë në Mbledhjene Byrosë Politike, i shkrova siç ishin, duke ruajtur origjinalitetin.Dukej se ishin konspektuar porositë e Gorbaçovit pikë për pikë. Pranohej se  Socializmi kishte dështuar. Ky ishte fakt dhe nuk donte shumë mend se ishte koha që të përcaktohej strategjia e komunistëve shqiptarë për kalimin në demokraci në mënyrë graduale dhe pa ndëshkim. Nuk kishte më kohë për të humbur. Ngjarjet në ish kampin socialist kërkonin vigjilencë dhe përshpejtim masash. Shqipëria ishte e fundit dhe kishte mundësi të shmangte c’mund të ishte e shmangshme. Kjo u bë më emergjente pas 25 Dhjetorit 1989, ku Nikola Çaushesku u egzekutua. Padushim atë skenë e ka parë dhe Ramiz Alia dhe Byroja Politike. Dhe Ramiz Alia udhëzonte: “Do të nxisim dhe dotë krijojmë parti sa më shumë, por këto duhen kontrolluar nga ne. Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Le të na shajnë…Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve”.

Duke lexuar këto porosi të ish udhëheqësit të fundit komunist mendoja atë kohë se kjo mund të ishte bërë me qëllim nga ish komunistët për të denigruar liderët demokratë. Këtë mendim ende e kam edhe sot, ndryshe duhet të pranojmë faktin që parashtron z. Pëllumbi, se Ramiz Alia, ishte zotëruesi i skenës politike derisa mbylli sytë.

Ajo që të bën të mendosh më thellë e të reflektosh ndër porositë e Ramiz Alisë, dhe të mos mëdyshesh në vërtetësinë e tyre, është referenca ndaj të përndjekurve politikë: “Të përndjekurit politikë duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre”. Aty flitej konkretisht edhe për Ballin dhe Legalitetin, partite tradicionale shqiptare. Madje në komentet të movonshme është shtuar se ai kishte dhënë porosi që bijtë e tyre të lejoheshin të emigronin në masë.

Ajo ç’ka e bënë të besueshëm skenarin Katovician të Ramiz Alisë janë porositë e tij për ish pronarët. Ai udhëzonte byroistët: “Të shpronësuarve do t’u japim letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim pronën. Në ato porosi ishte edhe parashikimi i rikthimit të komunistëve në pushtet, por jo më të varfër, por të pasur dhe me prona. Startegjia ishte : “Për dy-tre legjislatura ish klasa jonë komuniste-proletare do të kthehet në klasë kapitaliste.”

Të gjitha këto porosi të Ramiz Alisë u denoncuan në shkrimin e Republikës për Katovicën shqiptare para 15 viteve, por Servet Pëllumbi,me deklarimin e tij nga ekrani, vetëm na riktheu pas. Asgjë të re nuk solli.

…Të nesërmen gazeta u shit që në mëngjes. Atë kohë Republika kishte një tirazh që shkonte deri në 40 mijë kopje ditore dhe vetëm në Tiranë shiteshin 12-13 mijë kopje. Efekti qe i madh, por më shumë shkaktoi habi e huti. Më pas u harrua. Shumë nuk e besuan.Ramiz Alia ishte gjallë. Servet Pëllumbi me të tjerë që e dinin të vërtetën nuk u prononcuan, nuk dëshmuan. Dhe e plasi tani Pëllumbi, plot pas 15 vitesh.

Le të shpresojmë se pas kësaj do të vijë reflektimi i shoqërisë shqiptare, që vuan shpesh nga humbja e kujtesës. Le të shpresojmë se dhe vetë media nuk do të harrojë këtë”zbulim” të Servet Pëllumbit, për t’u rikthyer pas 15 vitesh të tjerë , ku të gjejë një tjetër Pëllumb, që të “rizbulojë” Katovicën e Ramiz Alisë… Këto radhë që shkrova janë lehtësisht të vërtetushme; shkoni në Bibliotekën kombëtare dhe shfletoni koleksionin  e gazetës Republika. U kërkoj ndjesë Tomor Malasit dhe Maksim Begesë sepse u kisha dhënë fjalën se nuk do t’i publikoja emrat e tyre, por “bomba” e vonuar e Servet Pëllumbit ma diktoi thyerjen e “besës”.

Filed Under: Opinion Tagged With: asgje e re, dalip greca, e Servet pellumbit, Katovica shqiptare, Maksim begeja, nga deklarata, Ramiz Alia, Tomorr Malasi

Franklin Delano Roosevelt-Presidenti që shpiku termin “100 ditët e para të qeverisë”

October 15, 2013 by dgreca

“…..lideri botëror  që shpëtoi Kapitalizmin dhe Demokracinë në -“100 ditë” –thënë ndryshe në pak javë… “/

Nga Raimonda MOISIU?Hatford/CT/

“Franklin Delano Roosevelt është Presidenti i 32 të  i SHBA-së i zgjedhur në vitin 1932, dhe  është  Njeriu që shëndrroi Epërsinë dhe  Veprimin në Princip. Presidenti që shpëtoi  Kapitalizmin dhe Demokracinëe amerikane në pak javë dhe  me të erdhur në pushtet shpalli “Kompromisi i ri”  (Neë Deal) –të quajtur ndryshe edhe “100 Ditët” në muajt e parë të administrimit të presidencës-ashtu sikundër pati premtuar gjatë fushatës së tij elektorale,- pra është Presidenti i parë i SHBA-së dhe lideri i parë botëror  që eksperimentoi- ndryshimin në “100 ditë”-shin e parë të qeverisjes. Gjendja e mjerueshme dhe kushtet e vështira sociale të shkaktuara  nga kolapsi  ekonomik,  (Depression Era), u dhanë demokratëve një fitore të sigurtë më 1932. Presidenti pararendës Hervert Hoover, pavarësisht programit ambicioz të  masave  për zbutjen e varfërisë e papunësisë nga ana e qeverisë federale,  ai nuk  morri në konsoderatë  ndihmën e mirëfilltë e të drejtëpërdrejtë për individët e dëshpëruar të prekur nga depresioni ekonomik, por strategjia e programit të  tij ekonomik e social  parashikonte të ngjallte besim e ndihmonte në të holla-bisneset dhe institucionet industriale të falimentuar, ndërkohë që jeta e amerikanëve sa vinte e varfërohej, papunësia dhe të pastrehët rriteshin nga dita në ditë.

Kështu, përballë presidentit Hervert Hoover, demokratët zgjodhën  Guvernatorin e Neë York-ut, ideatorin   e programit model për zbutjen e varfërisë,   i programeve sociale, për pensionet e shtresës së të moshuarve, asistencë sociale për papunësinë, programe publike të guximëshme, të fuqishme   dhe  këmbëngulëse. Ai ishte Franklin Delano Roosevelt!

Roosevelt shtegëtoi cep më cep të Amerikës, me orar e pa orar në një fushatë elektorale energjike e historike. Populli amerikan, mbështetësit e tij e shihnin atë me qaforet shtrënguar rrotull këmbëve  teksa lëvizte me karrocën e invalidit, i mbërthyer që në moshë të re, në vitin 1921,  nga sëmundja e Polios.

Me përpjekje e sakrifica, sëmundja nuk e pengoi Presidentin e 32 –të të Amerikës  të conte në zemrën e cdo amerikani premtimin e tij-Neë Deal—marrëveshjen dhe kompromisin e ri dhe  të gjithë së bashku të punonin  për  kurimin e ekonomisë amerikane. Kështu në nëntor amerikanët  i dhanë  Roosevelt 22.8 milion vota -dhe presidentit Hoover-15.8 milion, -Roosevelt kryesonte Kolegjin elektoral; 472 përfaqësuesë  për demokratët dhe 59 –ë të tillë  për republikanët.  Gjatë muajve të parë të Administratës së tij, të deklaruara e njohura  si “100 ditët e para”, Roosevelt morri një pamje ekspansive të fuqisë presidenciale, pafutur aspak në grackë Kongresin,  ai paraqiti  urgjentisht legjislacionin gjithpërfshirës për emergjencën kombëtare – për rimëkëmbjen nga  kolapsi ekonomik. Kështu që në seancën e parë të Kongresit,  me një lëvizjë të matur e të zgjuar në një situatë të tillë kritike për vendin, duke patur parasysh premtimet në fushatë, ai bëri draftin dhe ngriti Kompaninë Federale të Sigurimit të Depozitave, duke jua garantuar depozitat bankare amerikanëve, të cilët i patën tërhequr ato nga bankat dhe i kishin qepur në dyshekë dhe jastëke.  Ata iu bindën Presidentit të tyre me patriotizëm duke ridepozituar kursimet e tyre. Zgjeroi kompetencat e Bordit të Arkës Federale, ngriti Korporatën e Huazimit të pronarëve të shtëpive –për t’i ndihmuar  ata të mos humbnin shtëpitë, miratoi Ligjin e Obligacioneve Federale, ligj i cili ju kërkonte kompanive të deklaronin informacionin e plotë financiar mbi  huamarrjet  dhe aksionet financiare të reja. Për të luftuar papunësinë, Roosevelt i kërkoi Kongresit të lëvrojë 500 milion dollarë për programet e ndihmës sociale, për të hapur vënde pune, duke përfshirë edhe Mbrojtjen Civile të Shoqërive Aksionare. Për të stimuluar industrinë, Roosevelt iu drejtua Kongresit Amerikan të miratojë Projektligjin  e Rimëkëmbjes  Kombëtare të Industrisë, edhe pse industria vetë fillimisht i rezistoi mundishmëm presionit, Roosevelt ushtroi kontroll në Ëall Street, i ashpër me taksat dhe i rezistoi  presionit për të nacionalizuar bankat. Me miratimin e Projektigjit  të Nëpunësit Cvili –ai krijoi Administratën Publike  dhe i detyroi liderët industrialë të miratojnë ligjet e praktikave të ndershme, duke i lejuar ata sipas rendit të vendosnin tavanin e cmimeve,  pafrikën e ndonjë procedimi antitrust. Pagat minimale dhe orët e punës të vendosura sipas ligjit, dhe klasës punëtore iu dha të drejtën për marrëveshje kolektive. Përvec ligjit, ai ngriti Këshillin e Rimëkëmbjes Kombëtare të udhëhequr nga Gjeneral Hugh Johnson. Ky Këshill ishte përgjegjës për hartimin e një sërë projektligjesh në favor të biznesit. Edhe pse qeveria federale mundi  të kryente reforma të thella progresive, si krahun e punës nga fëmijët në industrinë tekstile dhe industrive të tjera, në të njëjtën kohë ajo iu dha të drejtën edhe sindikatave të punëtorëve të përdornin legjislacionin për të fituar më shumë pushtet dhe të tërheqnin anëtarë. Roosevelt ishte i shqetësuar dhe tregoi interes për gjendjen e mjerueshme të fermerëve amerikanë dhe krijoi në bashkëpunim me Kongresin, Administratën e Rregullimit  të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në maj 1933. Progami i kësaj administrate  kishte si qëllim  të vendoste kufirin e prodhimit, subvecioneve federale dhe cmimet bujqësore në “barazi” me cmimet e fermerëve që patën gëzuar dikur, kohën kur  bujqësia ishte në ditët e saj më të mira ekonomikisht.

Një qind ditët e para gjithashtu ligjësuan lindjen e Tennessee Valley Authority-një agjensi përgjegjëse për programet e përgjithëshme sociale brenda autoritetit të rajonit.  Në përballje me kolapsin ekonomik që kishte mbërthyer Amerikën, Roosevelt vendosi të marrë në varësi cdo gjë Post-Kongres, biles e bënte me arrogancë packa se ishte i pafat në realizimin e marrjes në varësi të Gjykatës së Lartë. Ai po priste sa majtas –djathtas dhe nuk ishte nga ata që të falte. Sa morri mandatin në 100 ditëshin e parë-  hidrocentralet,   plehrat kimike për konservmin e tokës, kontrollin nga përmbytjet dhe pyllëzimi, duke marrë njëcerek milion punëtorë krahu, endacakët e të papunët , ata që rronin me asistencë sociale, dhe i detyroi të pastronin pyjet për të hapur toka për rrugë, ndërtesa dhe duke ndërtuar qytete e qëndra banimi. Me një shkathtësi e aftësi admiruese i bëri që të gjithë të punonin, duke vënë përfomancën  mbi përkushtimin. Roozvelt më 5 mars 1933-dita e parë e  plotë në zyrën e tij presidenciale, u zbavit duke dhënë një fjalim legjionit amerikan, thirri nën armë veteranët e liruar –krijoi një ushtri të tipit Musolini –për të mbrojtur bankat nga dhuna, anarshia dhe sigurinë e qytetarëve amerikanë në vend.Ky akt sa befasues dhe i mahnitshëm i një lidershipi “ të rrëmbyeshëm” dëshmoi “momentin final” të një politike modern amerikane: Roosevelt shpëtoi Kapitalizmin e Demokracinë në 100 ditët e para të Presidencës së tij.Populli amerikan e adhuronte Roosveltin për atë cfarë ai po përpiqej të bënte në ato “100 ditët”. Edhe pse nëntë milion njerës ishin akoma të papunë në 1934, Demokratët patën sukses të kishin epërsinë më të madhe,  në të dyja dhomat e Kongresit amerikan. Të papunët ishin  lojalistë ndaj administratës të Roosevelt, sepse ata vlerësonin vendimet e tij në caste dramatike. Katër milion prej tyre u  punësuan nëpërmjet Projektligjit të  Emergjencës për Rimëkëmbjen  Kombëtare, dhe shumë të tjerë u trajtuan me fondet publike.Megjithëse kongresmenët dhe vetë Presidenti ishin në dilemë për koston e FERA—program punësimi nga  Administrata e Punëve Civile, por ata e mirëkuptonin si domosdoshmëri  projektin e punësimit. Roosvelt hoqi taksimin mbi të dhe në vitin 1934, pra vitin në vazhdim ai i bëri thirrje Kongresit të ngrinin Administratën e Mirëqënjes Sociale e Publike, dhe nga viti 1935 deri 1943-e, kur ky program po përshënditëte, u shpenzuan $ 11 bilion dhe u punësuan 8.5 milion njerës. Ndër komponentët e ËPA-u bënë publike programet për projektin e Artit e Kulturës,   Theatrit, Statusi i  Shkrimtarëve dhe i Rinisë. Megjithëse u derdhën miliona dollarë në ekonominë amerikane nëpërmjet programeve federale, Great Depression vazhdonte ta mbante të mbërthyer Amerikën. Në fillim te vitit 1936 Roosevelt  filloi “Second Neë Deal” ( “100 ditëshin e dytë të ndryshimit” )-dhe Kongresi vazhdoi punën dhe gjatë këtij kompromisi të dytë të ri, duke kthyer në ligje e projektligje më shumë programe. Presidenti Roosevelt kishte vullnetin për të bërë kompromise shumë më tepër se kushdo e në kohën e duhur. Për të dekretuar  Projektligjin për numurimn e punës ai braktisi bazën liberale dhe përkrahu versionin konservator të tij:krijoi pensionet për të moshuarit, nëpërmjet taksimit të rrogës. Roosevlet dhe Kongresi Amerikan dekretuan: Projektligjin e “The National Labor Relations” (Marrëdhëniet e Punësimit Kombëtar”)-që do të thotë; Marrëdhëniet -mes Punëtorëve e Punëdhënësve, të Punës  e Çështjeve sociale- i njohur ndryshe si Ligji i Ëagner-it, ligj i cili rriste fuqinë e punës kolektive, Projektligjin për kontrollin e Energjisë Elektrike dhe Gazit për ngrohje, Projektligjin për Elektrifikimin dhe Zhvillimin e  Zonave Rurale, Projektligj që coi energjinë elektrike në 9-ë zona rurale e ferma në Amerikë; Projektligjin për Taksimin e Shëndetit Mjekësor.

Por para  mbarimit të  “100 ditëshit të dytë”, erdhi viti 1936-ë-viti që shënoi mbarimin e mandatit të parë presidencial, pra viti i zgjedhjeve presidenciale dhe ky mandat ishte për Roosevelt-Një Fitore e Plotë! Ai bëri fushatë në cdo shtet-përvecse në Maine dhe Vermont,  dhe e mundi oponentin e tij Alfred M.London, prej me më shumë se 10 milion vota. Edhe në mandatin tjetër pati ulje e ngritje dhe ndiqte të njëjtën politikë, sa të pasurit dhe biznesi i madh e quajtën tradhëtar, por Roosevelt ishte njeri që epërsinë e kthehu në princip. Shumë demokratë u përpoqën ta ndalonin për të mos fituar sepse e shihnin si njeri i paqëndrueshëm  dhe i rrëmbyeshëm, duke e quajtur atë një “eksperiment-administrator i guximshëm e këmbëngulës”, por amerikanët e votuan edhe për mandatin e tretë e të katërt.

Ndërsa Amerika po përballej me Depression Era, ngjarjet në tërë globin po bëheshin më të pasigurta e të rrezikëshme për kombet e botës. Në Itali, Musolini dekretoi një projektligj për trainimin universal të ushtrisë dhe pushtoi Etiopinë, në 1935. Gjenerali Francisko Franco grumbulloi një forcë ushtarake rebelësh dhe filloi luftën kundër qeverisë spanjolle. Në korrik të vitit 1937-ë, Japonia pushtoi Kinën përsëri. Në vitin 1938 Gjermania e Hitlerit pushtoi dhe aneksoi Austrinë.Megjithë ndjenjën e fortë  izolacioniste dhe lufta po përhapej anëmbanë botës, Roosevelt ndjehu detyrimin t’i vinte në ndihmë Anglisë dhe Europës Perëndimore. Kur sfidat ndryshuan ai ndryshoi kursin, duke deklaruar; “Marrëveshja e Re”, me “Të fitojmë Luftën” –Ishte një luftë e drejtë në kohën e duhur. Presidenti historik Franklin Delano Roosevelt mendonte se njëanëshmëria ishte shkatërrimtare.

Sulmi i befasishëm nga Japonia ndaj Pearl Harbor i dhanë atij  pretekstin e duhur, për të cilin ai kishte nevojë dhe shkroi historinë; -Amerika hyri në Luftën e Dytë Botërore  dhe e fitoi atë, e udhëhequr nga Presidenti më Popullor dhe Presidenti që shërbeu më gjatë në historinë presidenciale amerikane -Franklin Delano Roosevelt.

Lufta e Dytë Botërore do të bënte atë që nuk arriti ta bënte “Neë Dea; I dha fund kolapsit ekonomik –The Great Depression! Sidoqoftë Kompromisi i Ri ( Neë deal)-i njohur ndryshe  “100 ditë”-shi -pati përmbushur shumë nga axhenda progresive e reformës që gjeti zhvillim e mbështetje për më shumë se një shekull. Më shumë se cdo gjë tjetër Neë Deal me Projektligjin për Numurin e Punës dhe Projektiligjet e tjera reformuese –profilizuan Amerikën modern të shekullit të 20 –të. Udhëheqja presidenciale nga Roosevelt edhe sot e kësaj dite ofron disa ide të dobishmëme për Shtëpinë e Bardhë dhe për këdo që është i intriguar nga misteret e lidershipit. Disa nga metodat e drejtimit të shtetit bazohen  në metodat  e lidershipit të  parë botëror që premtoi ndryshimin në “100 ditë”dhe Themeluesit të Lidhjes së  Kombeve  të Bashkuara – Franklin Delano Roosevelt.

Hartford CT USA

Tetor 2013

 

Filed Under: Histori Tagged With: presidenti, qe shpiku 100 diteshin, Raimonda Moisiu, Roosvelt

”Festa e Kurban Bajramit në Tiranë,Prishtinë dhe viset shqiptare”

October 15, 2013 by dgreca

Mijëra besimtarë muslimanë shqiptarë, e falen në sheshin Skëndërbej sot Kurban Bajramin, një nga ditët me të rëndësishme të fesë islame./

Ne Foto: Falja e Kurban Bajramit ne Tirane/

Nga Tirana BEQIR SINA/

TIRANE : Festa e shenjtë e Kurban Bajramit, e cila  festohet 67 ditë mbas Bajramit të Madh (e martë 15 tetor 2013) në të gjithë Shqipërinë, Kosovë dhe viset shqiptare, u shënua me një lutje të përbashkët për mirësi, paqe dhe bashkëjetes.  Ndërsa, kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptarë, Selim Muça, bëri thirrje për më tepër harmoni, gëzim dhe paqe, në këtë ditë të shënuar.

“Kurban Bajrami është festa e sakrificës, e durimit dhe e varfërisë, tha ai duke shtuar se besimtarët të kenë më shumë begati, dashuri dhe harmoni në familje, pasi Kurban Bajrami është edhe festa e sakrifices, mirëkuptimit, faljes dhe bashkimit”, tha Muça, i cili mbajti fjalimin përpara besimtarëve të shumtë në bulevardin e Tiranës, gjatë mëngjesit të sotmë.

Në ndërkohë që mijëra besimtarë u falen në sheshin “Deshmorët e Kombit” në mes të një shiu të dendur, Kurban Bajramin, një nga ditët me të rëndësishme të fesë islame.

Kështu si miliona besmitarë në mbarë botën edhe besimtarët myslimanë shqiptarë më 15 Tetor 2013, në Tiranë, falen në orën 07:32, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, festën e tyre Kurban Bajramin ose si njihet ndryshe Bajrami i Vogël dhe zgjatë tre ditë . Në kryeqytetin e shqiptarërve në  Tiranë, u mblodhën  dhjetra mijëra besimtarë myslimanë, ashtu si çdo vit, teksa nisën kremtimet që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të Kurban Bajramit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, megjithëse binte shi .

Në faljen e namazit ishte kreu i komunitetit mysliman shqiptar, Selim Muça i cili përcolli urimin e rastit, duke thënë se:” Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit te Zoti dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes.”  tha Muça.

Më pasë  në Hutbe, ligjerues ka qenë myftiu i Tiranes Ylli Gurra, i cili  mbajti një ligjeratë të gjatë dhe të thuktë.

Imam Gurra tha se :”Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Familja që e ther mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra.”

Ai revokoi gjatë ligjeratës në Hytybe festimin e Kurban Bajramit afro çerek shekulli më par duke thënë: “Disa vite më parë, kur besimi fetar, ishte i ndaluar në Shqipëri,  ritet fetare, kremtoheshin fshehurazi. Ndonëse pa bujë shume familje tradicionale, shqiptarët i kushtonin një fond të veçantë kremtimit të kësaj feste.

Kurse, Kurban Bajrami, tashmë është bërë një ditë feste zyrtare e cila po kremtohet prej vitesh nga të gjithë shqiptarët, pa harruar këtu devotshmërinë e besimtarëve myslimanë në këtë ditë, e cila shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit, në emër të dashurisë për njeriun.” tha Myftiu i Tiranës Ylli Gurra.

Mbas faljes së Kurban Bajramit kan qenë krerët më të lartë të shtetit që vizituan  sot selinë e Komunitetit Mysliman për të përcjellë urimet me rastin e Kurban Bajramit, përfshirë edhe liderit e opozitës dhe ish kryeministrin Berisha.

Njëhereshit, Kurban Bajrami është duke u përjetuar me gëzim edhe në trojet shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Bujanovc, Medvegje, Çamëri dhe Diasporë. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi morrën pjesë në kremtimet e mbajtura në xhaminë kryesore të Prishtinës.

Sakaq, në Prishtinë Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, të gjithë besimtarëve mysliman shqiptarë  u ka uruar Kurban – Bajramin, me dëshirat më të mira për shëndetin dhe lumturin në familje. ”Lusim Allahun xh. sh. që të largojë çdo kërcim që e vështirëson sigurinë dhe paqen, dhe në botën mbarë të mbretërojë paqja dhe harmonia mes njerëzve”, tha ia.

 

Në urimin e myftiut Tërnava thuhej se ”edhe në këtë festë dashuria ndaj Allahut xh. sh. manifestohet përmes Haxhit dhe prerjes së Kurbanit ku Ibrahimi a.s. dhe Ismaili gërshetuan dashurin mes babait dhe të birit e cila u reflektua me bindjen e thellë në Allahun Një dhe porosit e Tij”.

Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, urime për besimtarët myslimanë kanë dërguar pothuajse të gjithë politikanët e Kosovës, politikanët shqiptarë në Luginën e Preshevës, Mal të Zi, Maqedoni, diasporë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Shqipëri ka qenë kreu i shtetit Bujar Nishani, ai që i  ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit, me një mesazh të veçantë.Përmes një mesazhi urimi, presidenti Nishani thekson se simbolika e kësaj feste përmban në vetvete progresin njerëzor.

“Gëzuar këtë festë që na sjell çdo herë në vëmendje gjënë më madhore të Jetës; Dashurinë e Zotit ndaj njerëzve, mëshirën e Tij të pakufishme ndaj tyre, si dhe detyrimet që rrjedhin prej kësaj Dashurie dhe asaj mëshire. Kurban Bajrami, kjo festë e bukur myslimane, përcjell shumë mesazhe të epërme përmes një veprimi në dukje të thjeshtë, por jashtëzakonisht të dendur në thellësi; Bërjen Kurban të diçkaje, në emër të arritjes së diçkaje tjetër më të lartë. Akt ky, që, i përsëritur, përmban në vetvete thelbin e progresit njerëzor, hapat e njëpasnjëshëm drejt përsosjes duke sakrifikuar nga pak në çdo hap dhe në çdo rast” thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.

Më tej, presidenti Nishani thekson se mposhtja e egoizmit, të kuptuarit e efektit rrënues të mendjemadhësisë, frenimi i materializmit, arritja e vetëkontrollit gjatë udhës plot peripeci dhe plot rreziqe të Jetës, duke synuar në këtë mënyrë gjithmonë barazinë, vëllazërimin, paqen, begatinë, janë në themel të të kuptuarit të Kurban Bajramit.“Kumti madhështor që na sjell Kurban Bajrami na bën ta festojmë çdo herë me më tepër adhurim këtë festë të shenjtë, të cilën edhe një herë ua uroj me gjithë shpirt; Gëzuar!” përfundon mesazhi I urimit I kreut të shtetit.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar therret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit.

Familja që e therr mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra. Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla, të cilat duhet t’u serviren edhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, kurban Bajrami, Tirane

NË METROPOLIN SHQIPTAR KURBAN BAJRAMI FESTOHET PRAPË NËN QIELL TË HAPUR

October 15, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Në Tiranë binte shi kur besimtarët myslimanë me rastin e festës të Kurban Bajramit falën Namazin. I gjithë riti fetar u zhvillua si zakonisht në bulevard – në mënyrën më të pameritueshme dhe më të paemancipuar të mundshme në mungesë të objektit fetar.
Ceremonia u zhvillua e shkurtuar për shkak të kushteve atmosferike, me difekte në foni, të cilat bënin që lutjet të vinin të cunguara, ndërsa njerëzit faleshin mbi asfalt, pak të mbuluar nga tapetet e gjithkund lisho bulevard.
Për 23 vjet tranzicion, politika u tall me këtë komunitet, i cili dallohet për tolerancën fetare, duke qenë një nga faktorët që i ka siguruar shtetit laicitetin e tij. Sa e rëndësishme është kjo kur shohim se diskordancat fetare e kanë kallur në flakë botën mbarë. Politikanët shqiptarë duhet të shkojnë për çdo vit në Mekë e t’i kërkojnë Zotit t’i falë për mëkatet si ikonoklastë. Jo se kryejnë sulme direkte kundër objekteve të kultit, porse blasfemojmë duke i lënë besimtarët myslimanë të shfaqen në publik si të jenë një komunitet tribal – pa shtëpinë e Zotit – kur në fakt janë një komunitet i qytetëruar, me bonsens dhe tolerancë shembullore.

Toleranca fetare që ekziston në Shqipëri, padyshim që i dedikohet edhe shumicës. Ajo është në shërbim të vëllazërimit dhe harmonisë midis shqiptarëve. Harmonia fetare ndikon pozitivisht edhe në harmoninë kombëtare, të cilën e prish vetëm politika.

Komuniteti mysliman në kryeqytet meriton që të ketë Tempullin ku të falet. Shqipëria është vendi ku identiteti fetar apo krahinor vetëm se e plotësojë identitetin tonë kombëtar, sipas thënies së përherëshme të Vaso Pashës se feja e shqiptarit është shqiptaria. Ashtu si e pohon edhe Fishta „si t’kshtenë, si muhamedan / Shqypnin s’bashkut t’gjith e kanë/.“ Apo: „Bini, Toskë, ju, bini Gegë! /Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë!/A ngadhnyesé a t’gjith déshmorë! / »

Toleranca fetare është në gjak të shqiptarëve. Jo më kot jemi i vetmi vend në Europë, me shumicë myslimane që i morëm në mbrojtje hebrejtë. Islamizmi shqiptar është unik dhe kombëtar. Im atë, poeti Vehbi Skënderi, më tregonte se i jati i tij dhe gjyshi im, Imam Demir Efendiu, i shkolluar në Stamboll me një bibliotekë të jashtëzakonshme, kishte pikpamje të tilla liberale, sa njërin djalë të tij, dmth xhaxhain tim, e dërgoi të studionte në Shkollën e Fullcit, ndërsa tim atë, duke i parë vokacionin e çoi të ndiqte studimet fetare në Medresenë e Lartë të Tiranës, ku midis mësimdhënësve kishte orientalistin e mirënjohur Vexhi Buharaja, Profesor Mehdi Bushatin, Hafiz Ismetin etj etj.

E pra ta lësh këtë komunitet pa objekt kulti është mëkat. Ndërtimi i Xhamisë do të plotësojë simetrinë fetare në metropolin e Tiranës, pasi dy komunitetet e tjera tashmë i kanë ndërtuar Tempujt e Zotit. Në zemër të Tiranës ndodhet Katedralja e besimit katolik që mban emrin e apostullit të Shën Palit, një nga figurat më të rëndësishme të Krishtërimit, që e ka vizituar Durrësin, kur daton edhe komuniteti i parë krishterë, rreth viteve 50 të erës sonë. Po në zemër të Tiranës ka dy vjet që është inauguruar edhe Katedralja Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, me një arkitektonikë madhështore, duke mbuluar një hapësirë rreth 2000 metra katrorë, me një kosto rreth 50 milionë $. Një objekt kulti i rëndësishëm është edhe Katedralja e Nënë Terezës në Prishtinë, gurin e themelit të të cilit e vendosi Ibrahim Rugova, me besim fetar mysliman, por me një vetëdijë shkencore europiane për rrënjët e identitetit kulturor shqiptar, që kërkon respekt të ndërsjelltë fetar prej palëve. Toleranca nuk pranon intolerancën e cila i bën besimtarët myslimanë të kenë 23 vjet që, në festën e Kurban Bajramit, t‘i falen Zotit në mes të bulevardit kryesor të Tiranës nën tempullin e qiellit të hapur.

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, kurban Bajrami, ne qiell te hapur, Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT