• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2013

PETRO MARKO, POETI I ROBERUAR NGA REALITETI NE PRITJE TE PRANGAVE…

November 22, 2013 by dgreca

A kishte pranga për të burgosur Petro Markon, ndonëse dhimbshëm  e lanë të preës, ku poeti i robëruar nga ai realitet më mirë thotë të vdesë/

NGA GËZIM LLOJDIA*/

U mbushën 100 vite kur leu në Dhërmi, Petro Marko. Zogjtë mbretëror çukisin  në portikun e Markojve.Dallgëzuar deti,cullufja e asaj hëne e thëllimit thjeshtër.Lutur  te Shën Mëria:

-Zot  na e beko të tjera  vjeshtë!

Erdhi.Mbuluar.Frugulluam dhimbshëm sytë. O embrion i lules. Kurmi yt. Hapësirë gjeografike e pambarimtë.Nur i bukurisë.Vend thesaresh.Perla.Diamantesh Ëmbëlsisht e ëmbël.E pasur.  Bukurisht e bukur. Deti,që humbet në mugëtirë. Male mistere fshehur,shpirti yt….

1.

Dhermiu i përmendur si vendbanim qysh në lashtësi shprehen nëpër libra.   I thënë emrin me emrin Drymades përfshin dy fshatra Palase dhe Gjileke.

Ku gjendet Dhërmiu?Pozicioni i Qarkut Vlore dhe përshkrime të shkurtra
(Qarku Vlore është i përberë prej rretheve:Vlore, Sarande, Delvine. Shtrihet ne pjesën jugperëndimore te vendit dhe laget nga deti Adriatik dhe deti Jon. Qendër e Qarkut është qyteti i Vlorës, e cila është qendër tregtare, industriale dhe e ndërlidhjeve te shumta. Himara .Në krahinën e Himarë bëjnë pjese qyteti i Himarës  së bashku me fshatrat Palas, Gjilek, Dhermi, Iliaz, Vuno, Qeparo, Kudhes, Piluri. Krahina e Himarës shtrihet përgjatë bregdetit te detit Jon, duke filluar nga veriu ne Llogora e deri ne lumen e Borshit ne Jug. Nga veri- lindja, lindja dhe jug-lindja rrethohet nga vargmali i Akroceraunit me majën me te larte atë te Çikës me lartësi 2045m mbi nivelin e detit. Në krahinën e Himarës rrjedhin përrenjtë e Ksarrollakos, të Polopotamo, të Gjipes,të Vishes dhe të Qeparoit, të cilët në periudha shume të nxehta te vitit mund dhe të shterojnë. Gjiret kryesore në det janë ato te Spilese dhe te Panormit (Porto-Palermos).

Pasuritë kulturore, historike dhe artistike të Himarës. Në territorin e Bashkisë Himarë objektet kryesore te cilat përbejnë pasuri kulturore, historike dhe artistike janë: -Në Dhërmi: Manastiri i Panajase (Shën Mërisë), Manastiri i Shën Thodhorit, kisha e Shën Stefanit, Shpella e Pirateve, shpella e Parashqevise, kisha e Shën. Nikolles, lagja e vjetër e fshatit Dhërmi me shtëpitë e ndërtuara me arkitekturën karakteristike, Kulla e fisit Vretos dhe Kulla e fisit Kumi etj.

2

Çfarë është fshati i bregut të Jonit, Dhërmi. Dhermiu është   nga më të bukurit në  këtë bregdet. Gjelbërimi i agrumeve për të cilat P.Marko shprehet se me qitrot fitonin shumë është i pranishëm. Ka një det qelibar dhe anës tij shkëmbinj. Kisha e Shën Mërisë e kohë-shekujve 13-14 e.s,  mirëpo ka edhe shpella si ajo e Parashqevisë apo e piratëve dhe me  këtë emër shkrimtari Petro Marko ka bërë mendoi,gjykoi dhe bëri  edhe një libër për fëmijë.

Në Dhërmi dua të takoj Petro Markon. A ke dëgjuar të flitet për Petro Markon?

Në ka zë më të bukur në poezinë dhe letrat tona , poeti Petro i kësaj ane është i paarritshëm. Petrua ka pasur frymëzimin e detit,d.m.th kur mbushej me atë gjënë hyjnore,fryhej e kërkonte ta derdhte nëpër fletëzat e vogla një farë soji si velëzat e këtij deti harbut, që në dimër kaq kokëfortë shkon e përplaset tek bregu. Mirëpo  poeti Petro ishte një valë e bukur e ëmbël e bardhë,hyjnore e këtij deti dhe e kësaj toke.

Ku mund ta takojmë  sot,poetin PetroMarko?(Shkova deri te qisha  e vjetër . Qimiteri kishte rënë.

Xhan-xhin njeri. Ku je o prift të rrëfehemi !Çfarë shkrove gjithë javën poet?Vetëm një letër.  E postova në E-mailin e vjetër. Mbusha ujë me kotruve .Kujtimi yt mu fanit.)

Është një pyetje që nuk di ku ta bësh. Poeti dhe shkrimtari Petro nuk është ndër xhinët e kësaj bote. Është në kohë-tretjen e madhe,por të paharrueshmen. Është në mendjet dhe në fjalët e të gjithëve në këto anë,është në kopertinat e librave është në derën e një teatri në qytetin e Aulonës është në koperturën e një shoqate shkrimtarësh është kudo i gjithë gjendur është dhe nuk është. Por koha nuk e ka faruar  poetin tonë Petro Marko. Dhe përse të harrojë. Kam kaluar kohëra të mira dhe të këqija që kanë bashkëshoqëruar edhe banorët e këtyre viseve jugore ,por emrin Petro nuk besoj se është bërë i  harrueshëm. Nuk e kam njohur dhe dua ti çojë një lule atje ku paqësisht prehet ,mirëpo ku ti gjej këtu lulet dhe në këtë stinë .Mirëpo mendimi im është se më mirë të vemi,ta vizitojnë .Ka një veçori që dua ta përmend. Përgjithësisht për njerëzit që janë marrë me religjionet fetare e dinë se për shenjtorët  kurrë ikin ,thuhet nuk vdiq,por iku se kishte ndoca punë,ku? Atje sipër o burrë i këtij dheu. Dhe varrin maozelum të tij e vizitojnë kohë pas kohe njerëzia. Edhe për Petron një vizitë në këtë kohë  është një mirësi,a  e kanë bërë vallë këtë poetët e rinj,sepse Petro ishte një shenjtor i fjalës së shkruar shqipe,ishte një soj qiriu që u shkri me një jetë në luftë me regjimet dhe diktatorët e diktaturat që e qëlloni sa majtas,djathtas para e mbrapa,tutje-t’hu  se ishte krijues ishte poet dhe si poet ndihej ngushtë në kohëra dhe përpara regjimtarëve të të gjithë kohërave. Prandaj dua të them se poetët e rinj duhet të bëjnë një lloj poeteke aty ku ka lindur dhe sot ku fle pikërisht i miri poet,i  biri i Markos dhe nënë Zoicës.

 

3.

Ne  të fshatrave të  lumit të Vlorës me zonën e Himarës ishin të lidhur jo vetëm siç përpiqet të thuhet në ndonjë libër vetëm shtatë fshatrat e tij dhe kënga e shpreh ashtu se që në Gumenicë e lartë/Himarë është çdo fshatë…. Ose Himarë,Kaninë,Drashovicë/Tepelenë,Kardhiq,Nivicë/nga një farë e nga një fis/që me ardhjen e Turqisë I ndau I bëri dysh/në xhami edhe në qishë….Pra atje në Kuç dhe në të gjithë fshatrat tona këtej vargmalit me himarjotët në çdo kohë bëhej tregti e krushqi,jepej misër,fasule e merrej vaj,ullinj e agrume madje diku sipër në Qarrishtë është një lis që i thonë te lisat e qishës,ku ka qenë kisha dikur…që do të thoshin se i përkisnin një fare dhe një feje. Ne kur vinin himarjotët këtej në kohën e atij regjimi i pyesnim se kë kishin më të zgjuarin,ata përmendin poetin e keni dëgjuar Petron,por edhe Neçon që kishte zë gurgullimë si ujërat që rrjedhin e vërshojnë në Dhërmi kishte zërin e veçantë,ëmbëlësor poetik bukurisht të bukur që i këndonte vajzës së valave….Por historia me poetin dhe shkrimtarin Petron për ne që e lexonim nëpër këndime ishte si me Lasgushin. Përmende fare pak ,aspak madje dhe nuk dihej ishte i gjallë apo  i vdekur,vetëm kur vdiste e mbulonte nuri i bukurisë që ja kishin fshehur, ja kishin marr ose ja kishin ndryshuar qëllimisht. Sidoqoftë unë e dija se nga fshati im Progonati në Himarë kishte plotë ,por besohet edhe historikisht nga një fis i kaonisë  rridhnin,madje në shek 15 Himarë quheshin jo vetëm trevat e sotme,por edhe Lumi  i Vlorës dhe Kurveleshi dhe diku aty nga shek 17-18 në letrat që himarjotët u shkruanin fuqive të mëdha se Lidhja himarjote shkonte deri në Tepelenë,Butrint,Sarandë,bregu i Jonit dhe përfshinte rreth 53 katunde,ndërsa në një akt Zyrtar të M.Argiroit shënoheshin 38 katunde., deri para myslimanizmit te Lum te Vlorës e Kurveleshit, kane qene te krishtere, te traditës iliro-arbëreshe. Një pjese e madhe e fiseve te Himarë (sotme) kane ardhur aty nga Kurveleshi e Lumi i Vlorës. Ne Himarë e madhe, ne shume dokumente dali emrat e fshatrave: Piliureus, Drimades (Dhermi), Nivicë Pallasa, Pikern (Piqeras), Llukova, Vunoi, Dukat Radhim, Gjonboqari (Tragjas), Gumenica, Durbag (Terbaq), Kudesi (Kudhes), Liopes (Lopesi), Mavrove Vranishta, Smokthina, Kallazherates (Kallarat Zgugliati, Vermiki, Lepenica, Progonates,,Tepelena,shprehet pikërisht pak a shumë kështu një studiues dhe në mos gaboj është Sh.Delvina tek ‘Epiri… Mbi kurrizet e Çikës godiste me… ‘Vetëtima Zeus (mitologji, te vjetrit)…. Nëse Homeri do te kishte zgjedhur malet e Himarë për skenën e Iliades, gjerat do te kishin marre rrjedhe tjetër gjate periudhës 3000 vjeçare shprehet Pukvil.”Kaonia (Himara)  vendi ku Circet porositen Odiseun të ruhej prej sirenave… malet mbi Himare quhen “te Vetëtimave”?  Zeusi leshonte ato nga qielli sipër saj… (Emri Himare-Himera (edhe Kimera)… përfytyrohej i qenie mitologjike me trup dhie e koke luani, me bisht dragoi… qe villte zjarr nga goja (Zjarri nga flaket e  vullkani, tashme te shuar, ne Llogora… ) Deti Jon. Legjenda thotë se Jonin, birin e Dyrrahut, pas vrasjes tij ne lufte e hodhën ne det, i dha emrin .Varianti tjetër: Deti Jon=Deti ynë.

Fiset epirote kane banuar që në lashtësi: Kaone Himara, Thesprotet, çamet, molloset – Janina, amantët – Lumi i Vlores…Kaonia (=ka hone) shtrihej nga lumi Aos, Aosta (Vjosë deri ne lumin Thyamis (Kallamas) një Juge. Straboni dhe Tukididi thone se: “Pellazget e Ankandes quheshin Kaonë.Variant i emrit Kaon: “ka hone”, dhe varianti tjetër Kaoni, biri i Priamit… Kaonet zinin pjesën me te madhe  te Epirit. Nga Himara pellazgjike  shkuan në Itali etruskët,japigët,mesapët……shprehet një studiues i këtyre anëve tek gazeta Demokracia e vitit ’95…Mirëpo vetë  poeti dhe shkrimtari Petro,ç’thotë për origjinën e tij dhe të fisit

Me sa kam dëgjuar, me sa di unë rrjedh nga një  familje qe ne fshatin Dhërmi quhet Bua. Shekuj më parë ne fshatin tone erdhi për tu strehuar Gjin Bue Shpata. nipi i luftëtarit Gjin Bue Shpata. Ai, nipi, siç; thonë pleqtë, banoi ne një vend midis Shenapremtes dhe Shën Theodhorit, aty ku kishte nomenë Zhupa dhe qe quhet Paloshpita… Pastaj erdhi dhe ndërtoi një konak,nën Qëndushen, aty ku ende i themi Konaku i Gjinit. Aty i linden dy djem: Markoja dhe Gjoni. Pak metra poshtë ngriti një kishe te vogël: Shen Janin, qe është ende.

Djemtë e tij u rriten dhe ndërtuan shtëpi të tjera  të vogla nën shpellën e Pano Gjinit. Markoja dhe Gjoni i bënë pranë e pranë. Aty, në atë vend, Markajt Gjanet bënë shtëpi të tjera, se u shtuan. Edhe Buajt shtëpi pranë Konakut te Gjinit. Kështu që, shekuj me radhë  Markajt, Gjonet, Buajt ishin një bark, një fis gjer vone, sa isha unë i ri, nuk martoheshin njëri me -tjetrin. Kishin të drejtën e gjakut për njeri-tjetrin….

4.

Mirëpo Petron unë,sot nuk kam ku ta gjejë ,ndritë veçse shpirti tek varrezat. Aty paqësisht ai fle,në ditë të mira dhe të këqija ,në dimër ,në verë, në stërbima  ,llohëra e zheg,pra ka kohën   e prehjes së madhe. Petrua ishte një shqiptar i mirë,që shprehte vetë dhe mburrej me këtë,kishte edhe një ideal ,por Petro ishte me gjak e kockë të vërtetët shqiptari .Në të vërtetët figura e tij është një lloj ndriçimi  yllësor,dhe ylli i tij tashmë ndriçon në planetin tonë të letrave. Ai është udhërrëfyesi i poetëve dhe shkrimtarëve, është njeriu që sakrifikoi kur regjimet i kërkuan gjithshka deri në zhdukjen fizike,por poetët mbesin ,sepse pavdekësia tek ata është lexuar qartësisht që ditën kur vijnë,Mirëpo a kishte pranga për të burgosur Petron,a kishte kurthim për zemrën e poetit,a kishte hekura për ti lidhur duart,ndonëse dhimbshëm  e lanë të pres,ku poeti i robëruar nga ai realitet më mirë thotë të vdesë.Edhe deti I gjorë sot fle si Petro. Në tablonë e portretit të tij anija petrojane ecte në detin e gjerë të letrave .Deri në palcë i futën hekurin dhe deri në kockë e ndjeu thikën. Viktimë e këtij shekulli ,që kurrë se humbi muzën edhe nga gjumi zgjohej,në detin pa rërë e guaska,në natën pa hënë  e yje në atë botë thashethemesh,ku ishte Petro pervecse lundronte në dallgët e regjimit që e shtynin andej ,këtej lart,para dhe gjithë kohës. Për jetën e këtij poeti mund të thuhet se e mbuloi një oqean vuajtjesh,kur regjimi e shtrëngonte çdo ditë drejt vdekjes,kush do ta shpëtonte këtë vend kur fytyra  nxinte nga “kroma e kohës”. Kështu ai priti gjallërimin e kohë-ardhjes pranverë sepse kishte vite e vite, që nuk e ndjente mungesën e reve të shiut edhe mungesën e vrapit të erës së re. Në kishën e sipërme nuk gjetëm njeri dhe zbritëm tek centrali që dikur kishte bërë dritë. Edhe një herë folëm për Petron ,dritësimi që ai kishte sjellë dhe ikëm. Lamtumirë poet,hasta la vista Petro.

*Msc. Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

Sekretar i Klubit të shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, Petro Marko, poeti ne pritje, te prangave

TË MOS SHNDËRROHEMI NË HORDHI

November 22, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

‘Ne’ të Republikës së Shqipërisë, në rreth një gjysmë shekulli, të paktën dy herë jemi shndërruar në hordhi. Herën e parë, më 1967, kur iu vërsuleshim kishave, xhamive, tyrbeve dhe teqeve. Dhe, herën e dytë, më 1997, kur i vërsuleshim gjithçkaje që na dilte përpara.
Herën e parë, ne ishim një hordhi në kazermë. Vërsulja kundër tempujve shpirtërorë ishte barabar me rrënimin flagrant të themelit mbi të cilin ishim vendosur dhe ndërtuar prej mijëvjeçarësh. Tashmë shoqëria jonë ishte një ndërtesë e mbështetur në ajër, më keq, në bosh.
Viti 1967 shënonte përfundimisht kapitullimin tonë tërësor, pa kushte përballë hipnozës që ushtronte ndaj nesh diktatura enveriste, si shoqëri me tru të hekurosur.
Herën e dytë, rrafsh tridhjetë vjet më vonë, ne ishim një hordhi klasike, kufizoheshim vetëm me vetveten tonë. Edhe atë çka kishte mbetur nga shteti, e rrënuam.
E kam përmendur edhe më parë. Mediat perëndimore në atë kohë habiteshin që zemërimi i shqiptarëve të shkonte përtej çdo parashikimi dhe të mos kursente asgjë, të mos kursenin çfarë kishte krijuar ajo vetë me mund e sakrifica mbinjerëzore. Konkluzioni i tyre ishte se shoqëria shqiptare kishte mbetur pa shtyllën kryesore, pa shtyllën shpirtërore që në vitin 1967, prej kur Republika e Shqipërisë ishte zyrtarisht vend ateist, madje i vetmi në botë. Dhe mediat parathonin se do të duhej kohë që kësaj shoqërie t’i kthehej shtylla më e domosdoshme, besimi.
Për të përkufizuar gjendjen tonë si shoqëri nuk kam përdorur fjalë më pranë burimit shqip si zhgan, skotë, lukuni, por, për hir të atyre me zell të tepëruar antiturk, kam përdorur fjalën hordhi, me burim turk – urdu. Në gjuhët perëndimore është dokumentuar për herë parë në vitin 1520. Dhe ka marrë këto kuptime: 1. Grupim i përkohshëm njerëzish për qëllime lufte, gjahu apo emigrimi edhe pa lidhje gjaku mes tyre: hordhitë e Hunëve. Kuptimi i zgjeruar: grupe të çrregullta të armatosura që kryejnë shkatërrime, plaçkitje e veprime të ngjashme – hordhitë barbare. 2. Me kuptim përkeqësues ose tallës – turmë, frotë.
Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 në Republikën e Shqipërisë, me pjesëmarrjen masive dhe votën po aq masive kundër qeverisjes tetëvjeçare të Partisë Demokratike, shënuan një zgjim qytetar në rritje të shoqërisë. Atëherë unë jam shprehur se kjo votë ishte një valvul shkarkuese e zemërimit dhe pakënaqësisë ndaj një partie politike. Që në dështimin e parë të mundshëm të koalicionit të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ky zemërim dhe kjo pakënaqësi do të shkarkohej kundër krejt klasës politike. Dhe do të harrohej krejtësisht ajo çka pamë këto vitet e fundit në Greqinë fqinje.
Protestat masive të nëntorit dëshmuan se këtë zgjim qytetar e prin rinia shkollore dhe studentore. Kjo kategori përfaqëson njëkohësisht ndjeshmërinë, vetëdijën, përgjegjshmërinë e lartë qytetare. Ndërkaq protestave nuk iu mungoi një përmasë ekstremiste e tipit antiglobalist, antiperëndimor dhe vetizolues, një lloj rizgjimi i së majtës ekstreme tradicionale. Për t’u gjykuar në mënyrën më të saktë natyra e një proteste, patjetër shikohet përmbajtja e parullave, sidomos i atyre të shkruara. Në protestat e nëntorit, në 90 për qind të rasteve, nuk ishte në shënjestër qeveria apo kryeministri. Vetëm me përfshirjen e opozitës filluan të duken edhe parullat e këtij lloji. Me përfshirjen e grupeve me orientime nga më të ndryshmet në protesta, ne ishim dëshmitarë se ato, krahas masivizimit, patën edhe prirje për çorientim, për përhapje paniku, duke e çuar shoqërinë drejt një histerie kolektive.
Në kuadrin e kësaj histerie kolektive, doli në pah, në mënyrë më alarmante se kurrë, mungesa e një elite të vërtetë, sidomos mungesa e një elite të institucionalizuar. Kryeministri Rama e kishte rastin të hidhte një hap sado fillestar drejt institucionalizimit të kësaj elite të mundshme. Vendosja e dialogut me këtë elitë do të jetë çelësi i vetëm për të mos lejuar rrëshqitjen e shoqërisë drejt shndërrimit të saj në hordhi.
Edhe grupimet shoqërore më të specializuara, të përfshira protestat, ato ambjentaliste, nuk ishin bindëse në paraqitjet e tyre. Sepse askush prej atyre që morën fjalën në rrugë, sheshe, para protestuesve, para publikut nuk arritën të shpjegonin thelbin e shqetësimit të tyre. Në vend të ndriçimit të realitetit të pritshëm që krijonte ardhja e armëve kimike në Shqipëri, u krijua errësim i vërtetë, prej këtej panik dhe çoroditje. Në Perëndim, grupime të tilla, sipas tematikës së shqetësimeve, aktivizojnë në krye të veprimtarive të protestave, ekspertë të vërtetë të fushave përkatëse.
Krahu mediatik vuajti nga të njëjtat simptoma si ato të rrugës. Për më tepër ato morën rolin e komentatoreve të drejtpërdrejta të spektakleve që jepeshin në rrugë dhe sheshe. Nuk u vu re gati askund në mediat një zë i specializuar që të hidhte dritë mbi realitetin e vërtetë. Për këtë mjerisht nuk u treguan të interesuara as qeveria, as opozita.
Në mungesë të një elite, sidomos në mungesë të një elite të institucionalizuar, të një elite me autoritet të barabartë ndaj të gjitha grupimeve politike apo qytetare, do të kemi një shoqëri me tru të shpëlara, së paku me një shoqëri me tru lehtësisht të shpëlashme. Politikani amerikan Powell Clayton dikur thoshte: “Në predikimet e mia shigjetat gjithmonë kanë synuar ndaj hordhisë me tru të shpëlara.”
Mjerisht tiparin e truve të shpëlara duket se e dëshiron dhe e ushqen me qëllim politika në Shqipëri, si mënyrë për ta larguar shoqërinë nga thelbi racional i realitetit. Dhe kështu shoqëria kalon nga njëra fushatë histerizmi në tjetrën. E tillë ishte fushata që mori shkas nga vizita e kryeministrave Thaçi, Rama dhe Erdogan në Prizren, ku u spekullua me një thënie të pathënë nga kryeministri turk për një histeri anti Turqi dhe antiturke. E vetmja kritikë racionale ndaj këtij takimi, në fakt, ishte se ky takim zhvillohej në kuadrin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në Kosovë dhe ishte një solidaritet elektoral ndaj Thaçit. Por as Turqia, as turqit nuk meritonin gjithë atë shfrim që pamë në mediat tona. Është e drejtë që urrejtjen apo antipatinë të mos e ushqejmë ndaj fqinjëve tanë. Po aq është e drejtë që këto ndjenja të mos i drejtojmë ndaj faktorëve të tjerë.
Shoqërisë sonë i shpëlahen trutë duke e trullosur një herë se rreziku i saj më i madh dhe më urgjent është ai turk. Pastaj i shpëlahen trutë se rreziku i saj më i madh e më ugjent është Xhamia e Madhe e Tiranës apo Xhamia e Madhe e Prishtinës. Pastaj i shpëlahen trutë se rreziku vjen nga zhbirja kolektive që ka emrin asgjësim i armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Kështu logjika kolektive, vetëdija kolektive e shqiptarëve orientohet në mënyrat më të gabuara, më vetëshkatërruese të mundshme.
Lordi Byron thoshte për shoqërinë e kohës së tij: “Shoqëria është tashi një hordhi e polarizuar, e formuar nga dy palë të fuqishme, Bezdisësit dhe të Bezdisurit.” Kur nuk ekziston një faktor i tretë, atëherë hendeku i moskuptimit dhe i kundërvënies mes këtyre rritet. Dhe në raste si të shoqërisë sonë, ai shpërthen kundër vetvetes sonë. Në rrethanat e një bote të hapur, ata që nuk na e falin këtë mëkat janë të tjerët. Nuk ka pse të mos i mirëkuptojmë ata, aq më tepër kur janë miqtë tanë, aleatët tanë, partnerët tanë jetikë më të dëshmuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: ne hordhi, Skender Bucpapaj, te mos kthemi

Lamtumirë i dashur mik dhe vëlla

November 21, 2013 by dgreca

Nga Lulzim BASHA/

Këtu ku sot jemi mbledhur, për t’i dhënë përshëndetjen e fundit Sokol Olldashit, do të donim të mos vinim kurrë.
Në këtë humbje kaq tragjike dhe kaq të parakohshme, të gjesh fjalët e duhura për mikun, për shokun dhe liderin e shumë betejave politike dhe njerëzore, është shumë e vështirë.
Sepse sot, të gjithë së bashku, jemi duke jetuar një makth të tmerrshëm dhe të pabesueshëm.
Na duket sikur nga çasti në çast, do të zgjohemi nga ky makth dhe nga kjo gjëmë e papritur. Nuk na besohet dot të mos e shohim Sokolin gjithnjë në këmbë, gjithnjë në krye, me pamjen e tij të vendosur e të hijshme, me buzëqeshjen e tij të rrallë, ku çiltërsia rinore u kishte rezistuar për mrekulli  viteve të moshës së burrërisë dhe pjesëmarrjes së zjarrtë në sa e sa beteja politike.
Si bashkëpunëtor, si koleg dhe si kryetar i Partisë Demokratike, e kam unë sot këtë barrë kaq të rëndë, që të përcjell bashkë me ju, me lotë dhe dhimbje dhe mundësisht edhe me fjalët e duhura, Kolin tonë të dashur.
Zoti na është dëshmitar që do të donim me gjithë forcën që njeriu ndryn në shpirt, që kjo e sotmja të mos ish një ditë e vërtetë.
Do të donim të mblidheshim sot, kaq shumë sa jemi mbledhur, për të festuar datëlindjen e tij, apo një gëzim tjetër familjar, gjithçka tjetër, vetëm e vetëm që të mos na nxjerrë goja të themi:
Se Sokolin nuk do ta kemi më midis nesh!
Sepse Sokoli, ashtu si edhe e ka emrin, ishte dhe është një luftëtar, një Sokol i paepur i shumë betejave, jo vetëm politike, por mbi të gjitha e në radhë të parë i betejave njerëzore. Për një Shqipëri më të mirë dhe për një Shqipëri ndryshe, europianiste, krenare dhe të çliruar nga prapambetja.
Sokoli shkëlqeu si gazetar politik e opozitar i paepur, ku për vite të tëra, ndër më të vështirat për Partinë Demokratike, ai çmontonte dhe denonconte intrigat politike që tkurreshin kundër nesh dhe u jepte kurajo radhëve tona.
Na jepte kurajo kur ishim në pakicë dhe kur forca të errta kërkonin me çdo kusht të na zhbënin si forcë politike e të mirës dhe si ndërtimtare të Shqipërisë europiane.
Sepse, ai e dinte që në moshën 18-vjeçare si bashkënismëtar i lëvizjes së Dhjetorit, se misioni dhe roli i Partisë Demokratike, ishte një mision i madh, i patjetërsueshëm dhe i shenjtë.
Sokoli përjetoi një fëmijëri të trazuar për shkak të persekutimit absurd dhe kriminal që Diktatura i bëri familjes së tij.
Por jeta e tij shoqërore dhe politike, dëshmoi se ai e kish bërë një betim, një betim që e mbajti të gjithë jetën e tij:
Të luftonte për të drejtat demokratike të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, që askush më të mos persekutohej dhe të vuante si vuajti ai dhe familja e tij.
Dhe ne jemi sot këtu për të premtuar përmes dhimbjes dhe lotëve, se betimi yt Sokol, është edhe betimi ynë!
Për aq sa do të kemi frymë dhe jetë!
Sokoli nuk u nda kurrë nga ky rrugëtim me Partinë Demokratike, në ditë të këqija e në ditë të vështira. Me profilin, kurajën dhe vizionin e veçantë të liderit, me forcën dhe këmbënguljen e një burri me vullnet të madh, por me buzëqeshje të dlirë dhe të pastër rinore.
Shqiptarët e përqafuan këtë mirësi dhe forcë që buronte nga shpirti i tij, duke e votuar masivisht katër herë rresht për deputet të Kuvendit të Shqipërisë, si djalin dhe misionarin e tyre.
Në këtë dhimbje kaq të rëndë që na hape o miku dhe vëllai ynë, pasionant i poezisë, artit dhe muzikës, mjeshtër i fjalës dhe i debatit, parlamentar i dimensionit të guximit, ministër vullnethekurt, baba, bashkëshort, djalë dhe vëlla i pazëvendësueshëm, na krijove një brengë të pashërueshme.
Përulemi thellë në këtë trishtim dhe në këtë zymtësi të papërshkrueshme që vdekja jote na shkaktoi. Në këtë traumë të rëndë që mungesa jote na shkakton deri në kockë.
Por je dhe do të jesh gjithmonë për ne, impuls dhe forcë, një zë i dashur dhe një mik i përjetshëm, një deputet i shtrenjtë i popullit tonë, një djalë dhe një baba i pazëvendësueshëm.
Lamtumirë i dashur mik dhe vëlla.
U prefsh në paqe!

Filed Under: Featured Tagged With: Lamtumire vella, Lulzim Basha, sokol Olldashi

Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë!

November 21, 2013 by dgreca

Nga Astrit PATOZI /

Çfarëdo që të bëjmë dhe çfarëdo që të themi ne sot, në këtë ditë zie, do të ishin të pamjaftueshme për të nderuar dhe respektuar si duhet Sokolin. E unë, ndoshta më shumë se kushdo tjetër, e kam të vështirë të gjej fjalët. Sepse pata fatin e mirë, por edhe të keq, për shkak të kësaj gjëme, të jem një ndër miqtë e tij të afërt, për gati 20 vjet.
Sepse më kujtohet, që e kemi ndjellur këtë ditë, kur me shaka i kemi thënë njëri-tjetrit se çfarë do të shkruajmë në fjalimin e lamtumirës, kur Ai, që është lart, do të thërresë të parin prej nesh në radhë.
Dhe kjo ka ndodhur zakonisht pas ceremonive, kur në të shumtën e rasteve për të ndjerin thuren zinxhirë lëvdatash dhe ditirambesh. Kemi thënë jo pak herë, reciprokisht, se do të çoheshim nga varri, nëse dikush në fjalët e përcjelljes do të na fyente, duke na vënë mbi shpinë merita dhe atribute, që nuk i kishim patur dhe që nuk na takonin. Dhe ndonëse do të doja shumë që Sokoli të ngrihej, e kam të pamundur që të mos ia respektoj atij amanetin.
Që prej mbrëmjes së djeshme e derimë tani kam dashur të besoj se gjithçka ndodhi ishte një ëndërr, por në fakt e tillë duket se ka qenë jeta e shkurtër e Sokol Olldashit. E megjithatë, ai u largua nga kjo botë më i realizuar dhe më i plotësuar se askush tjetër, pavarësisht se dha shumë më tepër, se sa mori, në jetën e tij, të prerë në mes. Kurrkush si ai nuk i jetoi me aq intensitet vitet e jetës së vet. Por ky është gjithsesi një ngushëllim fare i vogël për një humbje kaq të madhe.
Do të na mungojë të gjithëve, por mbi të gjitha familjes së tij të mrekullueshme, ndaj së cilës ndjehemi në faj, që i shkuam në shtëpi pa Sokolin. Kozeta, Kela, Glauku, Kleiti, Vangjeli, Sula, Ardi dhe Alda do të ndjehen gjithmonë krenarë për njeriun e tyre më të shtrenjtë, por asgjë nuk do të mund t’ia zëvendësojë atyre burrin e shtëpisë.
Unë nuk dua të flas sot për Sokol Olldashin si politikan, jo se nuk kam gjë për të thënë. Përkundrazi. Por se çfarëdo vlerësimi që të kem, nuk do t’i shtoj ndonjë gjë të madhe asaj që ai vetë ndërtoi në këto vite karriere të vrullshme, ku la gjurmët e tij të pashlyeshme, kudo ku shkeli, kudo që foli, dhe kudo, ku veproi si shtetar i klasit të parë. Ato janë, gjithsesi, të njohura për secilin prej nesh, por edhe për çdo shqiptar tjetër, pavarësisht bindjeve politike.
Por kam shumë për të thënë për Sokol Olldashin njeri, për shokun tonë të paharruar. Sigurisht, që kam të pamundur të flas në emër të të gjithë miqve të tij të shumtë, të shpërndarë në çdo cep të kësaj Shqipërie. Sepse, unë jam thjesht vetëm njëri prej tyre.
Por besoj se kam edhe lejen e tij për të thënë se Sokol Olldashi nuk kishte asgjë heroike në qenien e vet. Asnjë grimcë patetizmi, ndonëse zanati ynë e kërkon, madje në disa raste me tepri, këtë dimension. Por kjo nuk e pengoi atë aspak të ishte njeri i vendimeve të forta dhe të drejta dhe këtu nuk kam parasysh vetëm karrierën politike. Kjo nuk e pengoi atë të ishte një adhurues dhe lëvrues pasionant i gjithçkaje të bukur, që ka krijuar mendja e njeriut. Muzika, poezia, piktura, filmi, libri në përgjithësi, ishin realisht mjedisi, ku ndjehej më mirë se kudo tjetër. Dhe jam shumë i sigurtë, se do të kishte arritur në të njëjtat kuota dhe të njëjtat maja, në rast se do të kishte vendosur për t’u marrë me secilin prej pasioneve të tij, në këmbim të politikës.
Sokol Olldashi bënte shaka me vdekjen, dhe kjo u ndodh gjithmonë atyre, që e duan dhe e jetojnë në thellësi jetën. Edhe pse një mendje e mprehtë dhe përgjithësisht racionale, ai ishte, gjithashtu më entuziasti midis nesh. Prej më shumë se 15 vjetësh evitonte në maksimum fluturimet me avion, duke besuar verbërisht se i sigurt ndjehesh vetëm me këmbë ose me rrota mbi tokë. Por, ndonëse nuk ishte ndonjë fanatik i teknologjisë, luante me makinën dhe me shpejtësinë, njësoj si me tastierën e kitarës së vet.
Duke e shndërruar, praktikisht, makinën në një avion të rrezikshëm. Ironia e fatit e deshi, që vdekja ta gjejë, pikërisht, në vendin ku ai ndjehej më i mbrojtur, se kudo tjetër.
Do të na mungojë, jo thjesht humori i tij i papërsëritshëm, edhe në situatat më të rënda, por mbi të gjitha, sensi i optimizmit edhe në ditën më të zezë, edhe në kohën më të keqe. Dhe kjo është shenja e parë dhe më e qarta, që i dallon burrat e fortë nga njerëzit e zakonshëm.
Sokol Olldashi ishte një shqiptar i madh, dhe unë këtë e them me bindjen time më të thellë, edhe pse për këto fjalë asnjëherë nuk do ta merrja miratimin e tij. Në këtë botë dhe në atë tjetrën, ku po e përcjellim sot, me pikëllim. Por jo nga ai soj shqiptarësh, që mendojnë për ta shkruar me dorën e tyre historinë e vet. Dhe si i tillë hyri në histori.
Një përfaqësues brilant i brezit të vet, i pjekur shumë para kohe, edhe për shkak të një jete të vështirë, arriti ta provojë veten dhe t’ia dalë, duke mbajtur barra tepër të rënda në një moshë fare të re.
Dhe ruajti të njëjtin ritëm dhe të njëjtin ekuilibër, që nga dita e parë, kur vendosi të marrë përsipër gjëra të mëdha. Dhe gjithçka e arriti vetë, pa marrë asnjë dhuratë Krishtlindjeje, që nga dita e parë, e deri mbrëmë, në çastin, kur u shua. Pa i hyrë në borxh askujt, por duke na bërë të gjithëve borxhlinj. Ndaj edhe me sa duket vendosi të ikë nga kjo botë i vetëm, edhe pse ishte personazhi, më me shumë miq, që unë kam njohur ndonjëherë.
Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë! U prefsh në paqe Sokol Olldashi! I paharruar, kujtimi yt!

Filed Under: Featured Tagged With: Astrit Patozi, Lamtumire, Sokol

Rikthim në kohrat dhe vitet e shkollës

November 21, 2013 by dgreca

Ne Foto: Nga e majta-Dine Dine, Jozef Radi, Faslli Haliti, Gezim Hajdari

Nga Dine Dine /New York/

Meqë ishte herët vendosëm të vizitojmë si çdo vit varrezat e prindërve tanë. Kaluam Savrën ku kisha kaluar 20 vjet, u kthyem te Pushimi i Shoferit, kaluam Krutjen, Fier Semanin, Gjazën e famshme, ku edhe aty kisha kaluar 20 vjet të tjera të kalvarit të dënimeve komuniste dhe mbrritëm te varrezat e Ngurrzës, ku prehen edhe sot e kësaj dite njerzit tanë të afërm. Në një ambient të qetë dhe plot gjelbërim u ulëm të heshtur, duke kujtuar ata njerëz që dikur kishin qenë pjestarët më aktivë të familjes, xhaxhain me të shoqen, xhaxhaicën tjetër, nënën dhe djalin tim të parë. Dhe ashtu, të përhumbur ndër kujtime menduam vuajtjet dhe sakrificat e tyre, tensionet, ankthet e gazit të degës që vërshente në çdo kohë për të bërë arrestimet e rradhës… dhe me thënë të drejtën na kapi një lloj trishtimi që çuditërisht pse jo edhe lot ngashërimi dhe dënesa si të ishim fëmi. Kujtime trishtuese, të dhimbëshme, të ëmbla e të hidhura të një kohe që iku përgjithmonë, për mos t’u kthyer më kurrë. Edhe pse varrezat që dikur i kishim bërë vetë me beton, tani krahasuar me të tjerat duken si të dala jashtë mode përsëri ngushllohemi kur shohnim atë pastërti shëmbullore dhe ku dora e dikujt vazhdimisht kujdeset për to. Ishte kujdestari i varrezave që vazhdimisht na thotë, se atë punë e bën për shpirt, por natyrisht që i gëzohet çfarëdo lloj shpërblimi sado të vogël që të jetë, sepse i ndihmon sadopak “kotheres së kalamajve”. Veçanërisht fshatarët kanë mbetur në nivelin e varfërisë. Megjithatë, falë fëmijëve, që shumica kanë çalltisur në perëndim e herëpashere dërgojnë ndonjë ndihmë, kanë mundur të mbijetojnë. S’kishim mbaruar akoma së qari hallet me kujdestarin e varrezave kur ra zilja e celularit. E kishim lënë të hamë një drekë me drejtorin e shkollës “18 Tetori” Skënder Gegën. Kur mbrritëm në Lushnje, shoku im i kahershëm Gëzim Baruti po më priste te rruga. U gëzua pa masë. Ndër mbresat e njerëzve të mi të shtëpisë që vdiqën të helmuar e pa parë kurrfarë gëzimi në jetë, isha përfshirë nga një ndjenjë kotësie e boshllëku dhe të them të drejtën s’kisha dëshirë për asgjë. U sforcova mos ta jap veten, e të dukem disi i gëzuar, por mendja përsëri vërtitej nga vërtitej dhe shkonte te varrezat e Ngurrzës dhe përsëri mendoja se përse duhej patjetër ta kryenim atë formalitet. Përse, pikërisht mua më kish ftuar drejtori për atë drekë?! Për një koinçidencë të keqe, Gëzimin s’e kisha takuar qysh nga koha kur isha larguar për Amerikë.

Në 1998, marr një telefonat nga shoku i cili me një gëzim të papërshkruar më tregon se revista “MEHR LICHT”, duke vazhduar traditën e shkollës serioze të përkthimit, atë vit kish botuar në pesë variante shqipërimi e poezinë e famëshme të Kiplingut “IF”. Për t’u dhënë lexuesve poezinë “IF” revista u mbështet në punën e përkthyesve Fan S. Noli, Vedat Kokona, Robert Shvarc, Ukzenel Buçpapaj dhe Dine Dine. Variantet po i sjellim sipas renditjes së saj… “E mbaj si bibël poshtë jastëkut – më thoshte vazhdimisht në telefon – dhe më duket se të shoh me sy”.

   ***

Sapo futëm këmbët në hyrje të shkollës në një kollonë, me një kornizë me përmasa të mëdha, ish varur përkthimi im i kësaj poezie dhe… në fund autori, ish nxënës u kësaj shkolle… U befasova sapo hyra në korridorin e gjërë, të dekoruar me shumëllojshmëri fotosh, të jetës 50 vjeçare të kësaj shkolle, stenda ekspozitash të viteve të shkuara e të tashme. Diku më tej m’u shfaqën fotografi të viteve të para të këtij gjimnazi e unë njoha veten e të gjithë shokët e shoqet e mia… Në atë shkollë njoha De Radën e Fishtën e fshehur, Konicën e përbuzur e Mavromatin, aspak të zi, madje të kuq, gjenia shpërthyese e të cilit na solli në shqip Shekspirin, Servantesin, Khajamin, Ibsenin, etj. Aty lexova Bajronin, Kardailin, Gëten, Shellin, Dikensin, Saadiun, Khajamin etj. Është e paharrueshme kjo shkollë për mua e shokët e mi. Ndaj ndjej një sëmbim në zemër, e më kujtohet vazhdimisht i vogli Zhan Kristof, heroi i veprës së Romeu Rolandit. …Shoku im e ndjeu ngashërimin tim, më futi krahun dhe u ngjitëm në katin e dytë, ku drejtori i shkollës z. Gega na priti përzemërsisht duke na gostisur sipas zakonit. Pas një bisede të shkurtër doli me premtimin se do të kthehej shpejt. Nuk pata kohë as të kundroja dekorin e zyrës së tij, kur ai qe kthyer përsëri. Na foli për shkollën e re dhe atë të së kaluarës. Fliste thjesht, larg terminologjisë pedagogjike e profesionale (ishte biokimist). Fliste ngadalë. Të shihte ngultas në sy, e ti nuk mund t’i harroje ato çka thoshte. Kordat vokale i ishin tronditur thellë për 40 vjetët e mësuesit asket të fshatrave. Zëri dyngjyrësh ishte një dëshmi sa ai kishte punuar me pasion e përkushtim me nxënësit. Dhe tani, drejtësia e ardhur vonë e kishte vlerësuar punë e tij të gjatë… U njoha me gjëra të reja në shkollën time. Laboratorë kimie të kompletuar, kabineti i fizikës. Nëpër korridore afishohej shkenca e natyra, ilustruar me pamje krejt origjinale. Anshtajni e Frojdi, përkatësisht gjenij të Fizikës e Psikanalizës, zbukuronin një kënd të veçantë. Pak më tej, Lord Bajroni dukej sikur këndonte sërish këngën: “Të rreptë bijt e shqipes…”. Lutja e tij e fshehur (për vetitë e shqiptarëve: “veç të ishin ca më të arrira”) tashmë ishte realizuar… Fishta, i fshehur, i nëmur e i përndjekur nga komunizmi përjetësisht, hijeshonte një kënd me anën tjetër të korridorit. Homeri ynë tashmë, ka zënë vendin e vet për t’u lexuar ëndshëm e pa frikë. Ndjehem i privilegjuar i fatit (të keq a të mirë!…) që pata mundësinë ta lexoja aq herët. Informatika, kompjuterat, biblioteka; të gjitha specialitetet që ushtrohen në jetë, paraqiteshin në këtë shkollë, thjesht, bukur dhe përkushtueshëm shpirtërisht e financiarisht. Vërtetë drejtori e kishte organizuar punë në këtë shkollë, duke e bërë model, por ama edhe stafi i tij ishte treguar i palodhur për t’ja arritur asaj që ne e kundronim me sytë tanë. Ejani, – na tha drejtori. Një auditor ju pret të shpreheni për jetën tuaj këtu e për jetën e re në Amerikë. U befasova sërish… Nuk e kisha menduar se do të flisja para nji auditori të tillë, të rastësishëm, por të përgatitur e që përfaqësonte një brez të ri intelektualësh të të gjitha profesioneve. Ishin ata që premtonin për shtyllat e reja të shtetit të ardhshëm shqiptar, të zhveshur nga ajo ideologji që bën të vuajnë shtetasit e vet, nga ideologjia komuniste, pothuaj e harruar tashmë… Para tyre po fliste një nxënës si ata, i kaluar në moshë e më pak në mendime… Amerika, ju thashë, është e tillë sepse punohet. Nëse shqiptarët punojnë si tek ne në Amerikë, atëherë Shqipëria do të ndriçojë sa që Evropa do ta ketë zili. Pedagogët që asistonin (ishin mjaft nga këta), pohonin njëzëri, duke përçuar tek nxënësit se puna e mendja e urtë e ndrisnin një komb, sado i prapambetur të jetë… Aty takova pedagogë, prindërit e të cilëve, bashkë me mua mësuan në këto banga. Irma Idrizi quhej njëra syresh, mbesë dhe vajzë e poetëve të talentuar Halil e Bexhet Jaçellari. Le të më falin të tjerët, emrat e të cilëve nuk mundem t’i kujtoj!… Pas asaj bisede, e ndjeva veten tamam një nxënës mes shokësh e shoqesh të së njëjtës shkollë. Ndjeva keqardhje që nuk isha moshatar me ta por kënaqësia që më jepte biseda më ngushëllonte, gjithsesi… Qe një bashkëbisedim i mrekullueshëm pedagogë-nxënës. Falenderova drejtorin për auditorin cilësor dhe dola me atë ndjesinë e këndëshme, si një ish nxënës i kësaj shkolle isha bërë i njohur… me një përkthim!! “Kur dua të shmang vulgaren me vartësit e mi kolegë – tha drejtori – u them: Shiko poezinë e Kiplingut; lexoje!… a gjen aty diçka nga vetja jote?!… nëse jo… ke pak kohë të rregullohesh, sepse përkthyesi është një ish nxënës i kësaj shkolle…”. Unë, i nëmuri, i përbuzuri, i përndjekuri zbulova në ish shkollën time se arti i pranimit të diçkaje është thuajse, i barabartë me atë (art) të krijimit të saj, dhe se shija e vërtetë e këtij arti, konsiston në interpretimin e drejtë të domethënies së tij… Kjo poezi – i thashë drejtorit – është një mermer i gdhendur mrekullisht nga Kiplingu, dhe unë veç mund ta kem dëmtuar duke e përkthyer. Më pas u kënaqa me sallën e informatikës. Më shumë se 40 kompjutera servireshin në këtë sallë. Njohuritë mbi internetin ishin përvehtësuar nga të gjithë nxënësit e shkollës. Pra ndryshimet ishin të dukëshme dhe në kahjen e duhur. Nuk pata kohë të vizitoj laboratorë të ndryshëm që përbënin didaktikën, mësimdhënien e kësaj shkolle. Drejtori me një libër në dorë mu drejtua: Merre, është për ty. Ishte një libër me autorë nxënës-pedagogë, nën kujdesin e drejtorit e të gjithë stafit të tij. Ishte një punë e mrekullueshme për pasqyrimin e vitit shkollor 2007-2008. Puna këmbëngulëse e këtij stafi bëri të mundur botimin e tij. Retushimi i librit ishte mjaft cilësor. Pas leximit të shpejtë të një pjese të tij, më bëri përshtypje puna e tyre krijuese, recensionet për një sërë veprash të njohura, si dhe përkthimet e sidomos krijimet e nxënësve në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht etj. Aty për aty, m’u kujtua James Becker në Tiranë “Liria jep rezultate”. Në një cep pashë të afishuar nga vëllimi poetik: Antologji 2008, vargje nga nxënësit e kësaj shkolle: Izidor Beqiraj, Klaudia Çarçani, Renalda Koduzi, Klelia Mone etj., prozat nga Elis Sholla, Eriola Arapi e Klaudia Shima. Binte në sy një poezi në anglisht, shkruajtur nga nxënsja Klaudia Brahimaj, ndërsa në prozë (në anglisht përsëri) krijimet e F. Gjyla, G. Qorri, I. Haxhiu, e në frengjisht B. Bozo, A. Liko. Krijimet në italisht mbanin emrat e I. Karame, E. Bazi e M. Tabaku etj. të gjithë nxënës të këtij gjimnazi… Krijimi në gjermanisht përfaqësohej nga Esmeralda Zela. U ndjeva krenar që kisha mbaruar mësimet e maturës në këtë gjimnaz që kishte përgatitur kaq krijues të zotë, të një moshe fare të re… Sikur mos të ishte kaq e egër kjo diktaturë 50 vjeçare (a thua se ka diktatura të buta?!), sot do të numroheshin me qindra krijues të moshuar e me siguri të një cilësie të lartë, sepse në atë kohë, etja për dituri e njohuri jashtëshkollore, ishte edhe më e fortë se etja për ujë në një ditë korriku… Në libër kishte recensione për vepra e autorë të njohur vendas e të huaj. Më tërhoqi vëmëndjen, veçanërisht, një recensë psiko-kritike mbi dashurinë në tragjedinë e Shekspirit “Hamleti” shkruajtur nga mësuesja e letërsisë Flora Çarçani. Ishte vërtetë diçka e re për dashurinë e herojve, të kësaj vepre të pavdekshme… Nuk mungonte (përveç mjaft të tjerash) edhe një analizë mbi Mateo Falkonen e Prosper Merimesë, aq shumë i pëlqyer në kohën e studimeve të mia të shkollës së mesme. Libri në fjalë hijeshohej nga një tufë lulesh, apo kurorë vjollcash më mirë të them, të gjitha krijime të stafit pedagogjik e nxënësve të shkollës, më së shumti… Nuk më premton koha të shkruaj për gjithçka shkruhet në këtë libër, por krijime e puna e palodhur e drejorit të gjimnazit z. Skënder Gega dhe stafit të tij, meritojnë të merren në konsideratë dhe unë në një të ardhme jo fort të largët, do të mundohem të shkruaj, anipse pretendimet e mia krijuese s’do të mund të shprehin dot, atë punë të admirueshme artistike të nxënësve të gjimnazit “18 Tetori” Lushnje ku studiova edhe unë gati gjysëm shekulli më parë… I kënaqur që kalova ca kohë në ambientet e pasura të ish shkollës sime të varfër, i kërkova drejtorit të dalim. E kisha jetuar aty, edhe një herë rininë time të hershme kujtimhidhur, paçka se, nën rreze të ngrohta të një dielli në perëndim. …Kjo retrospektivë kishte mbaruar nëse mund të mbarojnë ndonjëherë ato… Dolëm sakaq… Oborri gumëzhinte nga zërat gazmorë. Ishte një gjuhë korale, pothuasje skenike, plot emocione, ku nuk mungonin as përbetimet idilike, rreptësisht të ndaluara në moshën time të shkollës… Opopo! Kështu pse më dilnin para syve papushim?!… O ditët e djalërisë, o moj kohëz e të rit tim?!… …u kujtova dy miqve të mi vargjet e Naimit, e Skënder Gega si për të më ngushulluar, aty për aty, deklamoi: Vërtetë se syri i djalit shkrep xixa, flak e zjarr Po syri i plakut, llaps me dritë të kulluar…

 

***

Qeshëm çiltas të tre… Hygoi paska pasur të drejtë… Automobili i drejtorit mori rrugën e Beratit. Kaloja për herë të parë në atë rrugë. Lexuesi nuk duhet të habitet për këtë. Pothuajse gjysma e shqiptarëve, nuk lejoheshin të dilnin larg vendbanimeve të tyre para vitit 1990. Pa e kaluar urën e Kuçit, pak djathtas, mes një gjelbërimi të hijshëm e çlodhës, buzë lumit Seman, uji i të cilit ngjan vërtetë si një përzierje ujë çimento, rrëzë një çuke të vogël, plot jeshile e ferra, merr frymë një fshat i vogël, që ekspiron këtë frymë në formë të një tymi kaltërosh. Quhet Çukas. Restoranti nuk të “mbushte” në pamje të parë. Të gjitha tavolinat ishin buzë lumit e të mbuluara me drurë natyralë e gjith blerim. Ishte një vend piktoresk. Romantika s’tundej vendit, dhe pse vizitorët ishin të shumtë. Heminguej, me siguri që do ta kishte hedhur grepin në lumë e do ta harronte gotën e verës… Pula e zogjtë e pulës, patat e rosat me të vegjël e tyre, harabelët në anën tjetër që vërtiteshin të patrazuar, harmonizoheshin me dekorin shumëngjyrësh të pemëve, luleve e jeshillëkut. S’pata kohë të sodis të tërin atë mjedis të mrekullueshëm e çlodhës sepse ia behu kamarieri. Për meze porositëm zogj të pjekur me saç e turshi nga më të ndryshmet, patlixhana, lakra, speca etj, ashtu siç dinë ti qëndisin fshatarët. Pothuaj gjithëkund përdorej saçi. Pilaf orizi me pulë të pjekur në saç, qumështur i pjekur në saç etj. Kur na serviri zogjtë e pjekur, në një tepsi goxha të madhe nuk m’u besua; e kush do t’i hajë të gjithë këto?! Më vjen keq se do të shkojnë dëm!… Për çudinë time vetëm kockat mbetën në tepsi. Drekosëm duke biseduar, Homeri e Virgjili, Tuqididi e Demosteni, si edhe Kotoni e Ciceroni ishin të ftuar tanë të parë. Bëmat e tyre i shtruam në tavolinë, duke korrigjuar njëri tjetrin… Da Vinçi, Pjer Ronsari, Petrarka, Dante si dhe Volteri, Rusoi e Luigji XIV-të ishin një objekt i veçantë për ne. I ngritëm në qiell veprat e tyre. Gjynah veç që s’kishin pirë verë buzë lumit të vendit tim…

LAVDI o Zot, që dhe këtë balsam Që na shëroi e më shëndet na mbushi. Kishte mbërritur Omer Khajami… me një qelq verë, si rubin. Na e la mbi tavolinë e u largua. Folëm për të e për Saadiun. Diskutuam pa rreshtur për këtë poet. Para tavolinës sonë kaloi si në një revistë një qimiter i tërë mbretërish e njerëzish të mëdhenj si Keopsi, Ramsesi, Sardanapali, Jul Qezari, Aleksandri, Kleopatra, Shekspiri, Shatobriani, Shopenhaueri, Napoleoni, Balzaku, Gëtja, Tolstoi, etj. Pastaj u përqëndra tek letrarët e qytetit tonë, Faslli Haliti, Visar Zhiti, Halil Jaçellari, Evgjen Merlika, Izet Shehu, Tahsim Demiraj, etj. Unë veçanërisht fola me superlativa për të gjithë. Faslliut – iu thashë – i shkon për shtat një thënie e Shopenhauerit që pak a shumë thotë se: “jo çdo gjë e thjeshtë është gjeniale, por mund të jetë e thjeshtë e njëkohësisht gjenniale…” të bën përshtypje se me çfarë dhimsurie e pa kurrfarë kompleksesh shkruan për ata që u persekutuan padrejtësisht. Kur, dikur lexova një shkrim për Seit Selfon, të cilin pata fatin ta njoh personalisht, dy tre herë e ndërpreva leximin… sa bukur!… dhe më vinte keq që vetë ne, nuk dimë të shkruajmë aq bukur për persekutimet e vuajtjet e shokëve tanë që i njohim aq mirë sa ç’dimë për veten tonë. Me Faslliun e nja dy poetë të tjerë, para dy vjetësh pata rastin të ha një drekë diku në një fshat (emrin s’ia kujtoj) përballë Hajdaraj. Edhe pse nga natyra një neglizhent i pariparueshëm, nuk ia fala vetes që s’mora mundimin të marr nja dy shënime sa për kujtesë… ishte një drekë e këndëshme me biseda tejet të çiltëra, e pa harruar… Për Visarin folëm gjithashtu gjatë. Dikur shkrova një shkrim për 2 romanet e tij “Rrugët e Ferrit” dhe “Ferri i Çarë” më mbeti peng dhe s’e di si më mbeti pa futur një thënie e Artur Kosteler që thotë: “Shënja kryesore e gjeniut nuk është perfeksioni por origjinaliteti…” i përshtatej më së miri natyrës e shkrimeve të tij. Për shokun e vuajtjeve Evgjenin, u fola ndoshta edhe më shumë se duhej. Një poezi të tij “Muzgu” në dorëshkrim, që mbase edhe ai vetë mund ta ketë harruar, e mbaj si relike, dhe më duket se shuaj mallin, që s’e kam parë prej kohësh, duke e lexuar herë pas here. Gazeta “ILLYRIA” e ka bërë korrespondent të jashtëm. Në një kioskë aty pranë punës, ku shitet gazeta mesi pres, që të vijë e të lexoj ndonjë shkrim nga Evgjeni. Kur s’e shoh emrin e tij më duket se edhe gazeta ka diçka mangut. Bën analiza me një llogjikë të fortë e me kulturë. Për Halil Jaçellarin fola me një pasion të veçantë. Në shkollë të mesme as që e dija që ky njeri të cilin padrejtësitë e bënin të humbiste durimin, e papritmas bëhej agresiv, një ditë do të shfaqej me romanin e tij të parë “Nesër është e djelë” e për çudi në kohën e diktaturës! E lexova me një frymë derisa i dhashë fund dhe u befasova me talentin e tij. Edhe Kadareja dikur ashtu si për Faslliun kish vlerësuar talentin e Halilit. Pastaj diskutuam edhe për tregimet e romanin e tij të fundit… Pasi diskutuam për tregimet e poezitë e Izetit u ndalëm tek artikujt e tij në gazeta. Në një pjesë të madhe të shkrimeve të tij në gazeta dominon “subjekti” Katovician që me të drejtë u bë shkak i fatkeqësisë së tranzicionit në Shqipëri. Malli na kish bërë disi llafazanë, pse jo edhe vera e rakia kishin bërë punën e tyre. Pasi folëm pothuaj për të gjitha talentet e qytetit të Lushnjes, papritmas drejtori shpërtheu: harruam diktatorët, Neroni, Kaligula, Hitleri, Stalini, Polpoti… Mos fol – e ndërpreva, – nuk ia vlen t’i përjetojmë në këtë shkrim… Edhe ato që thamë pak më parë nuk ishin subjekt i këtij shkrimi, lexuesi të na ndjejë. Paguam e dolëm. Dielli kishte marrë të tatëpjetën. Kishte kohë që frynte një erë e mbarë nga ai drejtim. Dëgjohej fërfërima e gjetheve. Edhe pemët i gëzoheshin atij flladi perëndimor..

Filed Under: Reportazh Tagged With: Dine Dine, Rikthim ne vitet e shkolles

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT