• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2013

“Rruga e Arbërit, mediat e politizuara dhe politikanët Kardashian-ë”

November 17, 2013 by dgreca

Nga Erisa Saraçi/ Universitetit të Leipzig, Gjermani/

Që më 18 mars të këtij viti një grup intelektualësh dibranë nisën një peticion online që kërkon përfundimin sa më shpejt e brenda standardeve të Rrugës së Arbërit. Kjo është rruga shekullore Tiranë-Dibër, më kryesorja pas Egnatias, e përdorur nga Skënderbeu në shtetin e parë shqiptar, Principatën Arbërore, nga ku merr edhe emrin.
Aktualisht udhëtimi Tiranë-Dibër – si brenda apo jashtë kufijve shtetëror – bëhet nëpërmjet një rruge të gjatë dredharake dhe aspak efiçente. Të udhëtosh në këtë rrugë nacionale, që është më qesharakja në vend, është njëlloj sikur të kapësh veshin e majtë me dorën të djathtë.
Peticioni për Rrugën e Arbërit është në mënyrë strikte jo-politik. Çdo aktivist i përfshirë nuk bën pjesë në asnjë parti politike dhe as nuk ka aspirata të tilla – ky ka qenë kushti i angazhimit që në fillim! E megjithkëtë, peticioni është akuzuar në fillim nga simpatizantë të djathtë se ishte politik. Pas zgjedhjeve, kur pushteti u rrotullua, simpatizantët e të majtës filluan të bënin naze ndërkohë që të djathtët u bënë më të zellshëm. Në gjithë këtë vorbull, qëllimi i peticionit dhe forca e thirrjes së tij kanë mbetur qëndrueshmërisht të njëjtë.
Pas shumë muajve thirrje të vazhdueshme, ky peticion, që pretendon të promovjë zhvillimin e një prej zonave statistikisht më të varfra të Shqipërisë, rishpërndarjen e popullsisë, decentralizimin e investimeve, sjelljen më pranë të shqipëtarëve të Maqedonisë dhe përmirësimin e infrastrukturës së Ballkanit, mezi ka mbledhur 4000 firma.
Arsyet janë kryesisht skepticizmi i njerëzve në forcën e tyre dhe mos-njohja e çështjes nga personat jashtë Dibrës. Arsyeja për këtë të fundit është se për Dibrën flitet vetëm kur atje ndodh një krim, kur vdesin minatorët e kromit, apo kur ka përfunduar ‘kositja’ e pyjeve të Lurës, kësaj ‘perle të Ballkanit’, sipas Edith Durham dikur, por që tani duket sikur ka përjetuar shpërthimet e Hiroshimës dhe Nagasakit.
Peticionin e shoqërisë civile për Rrugën e Arbërit, mediat e mëdha në Tiranë, kryesisht ata të politizuara, me sa duket nuk e konsiderojnë aq të rëndësishëm për ta përcjellë në lajmet e tyre, që janë jo vetëm mbi axhendën zyrtare të politikanëve, por edhe mbi faktin se ku e pinë kafen, ç’kanë veshur, me kë u martuan e u ndanë… A thua se jane zgjedhur kryesisht për të mbushur faqet e shtypit roze, të cilin edhe mediat më ‘serioze’ po e imitojnë gjithmonë e më shume. Në Shqipëri, media i trajton politikanët si Kim Kardashian. Të isha si ta, do ofendohesha tejet!
Duke parë reagimin e popullit për rrezikun e sjelljes së armëve kimike në Shqipëri dhe rezultatin shpresëdhënës të këtij reagimi, shpresojmë që njerëzit të kenë fituar besim në forcën e tyre dhe që ky besim t’i shtyjë të reagojnë edhe për çështje të cilat i shqetësojnë çdo ditë: plehrat, mungesa e riciklimit të tyre, tymi i duhanit të tjetrit bonus me kafen, uji e korrenti me orar (se si do menaxhoheshin kimkatet toksike pa uje e korrent!!), etj. Po kështu, mbetemi me shpresë që rrugë si kjo e tanishmja Tiranë-Peshkopi të mos egzistojnë më në Shqipëri. Problemi është se populli ynë duket sikur ndonjëherë eksitohet më shumë nga VIP-at dhe VIP-eshat pa vlerë të politikës shqiptare se sa nga rrugët e mundimshme që bëjnë çdo ditë.
Ju lutemi të firmosni peticionin për Rrugën e Arbërit:
http://www.change.org/en-GB/petitions/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit
*Erisa Saraçi është duke kryer studimet e doktoraturës në fushën e Katalizës Heterogjene (Inxhinieri Kimike) pranë Universitetit të Leipzig, Gjermani.

Filed Under: Opinion Tagged With: Erisa Saraci, mediat e Politizuara, politikanet kardashiane, Rruga e Arberit

U MBLODH KËSHILLI I FEDERATËS “VATRA”

November 17, 2013 by dgreca

U MBLODH KËSHILLI I FEDERATËS “VATRA”

Të shtunën me 16 Nëntor në mesditë, u mblodh Këshilli i Federatës Panshqiptare të Amerikës ”VATRA”. Raportin e Kryetarit, përmbledhtazi edhe protokollin e mbajtur në mbledhjen e mëparshme të Këshillit, anëtarët e Këshillit (Board Members) dhe anëtarët e Advisory Board, e kishin marrë me anë të postës elektronike para se të vinin në mbledhje. Po ashtu kishin marrë edhe rendin e ditës së mbledhjes.
Dr. Gjon Bucaj, kryetar i Vatrës, hapi takimin dhe u uroi mirëseardhjen pjesmarrësve. Po ashtu ai informoi për gjendjen shëndetësore të tre vatranëve, presdientit të Nderit, z. Agim Karagjozi, z. Jonuz Ndreu dhe Esat Coku- anëtarë të Advisory Board, të cilët ndodhen të shtruar në spitale.
Kjo ishte mbledhja e dytë e Këshillit të ri të përzgjedhur pas Kuvendit të Prillit të këtij viti, ku anëtarët janë rinovuar në masën mbi 50 për qind.
Ja lista :
KËSHILLI DREJTUES – BOARD OF DIRECTORS
K R Y E S I A – O F F I C E R S
1 KRYETAR: Dr. Gjon L. Buçaj
2 Z/V KRYETARE: Agim Rexhaj
3 Asllan Bushati
4 SEKRETARE: Nazo Veliu
5 Z/V SEKRETAR: Chris Kirka
6 ARKATAR: Marjan Cubi
7 KRYETARË TË FONDACIONEVE: Dr. Nexhat Kaliçi
8 Prof. Mithat Gashi
9 EDITOR: Dalip Greca
ANTARËT E KËSHILLIT DREJTUES KËSHILLI I PLEQSISË
(BOARD MEMBERS) (ADVISORY BOARD)
10 Adrian Neritani 1 Ahmet Giaffo
11 Adriatik Spahiu Kryetar Dege 2 Bashkim Ahmeti
12 Agim Aliçkaj 3 Esat Çoku
13 Ahmet Hoti 4 Gjokë Deçkaj
14 Albert Perndocaj 5 Hajdar Tonuzi
14 Alfons Grishaj ” ” 6 Jim Wm Pandeli
15 Armin Zotaj 7 Jonuz Ndreu
16 Bashkim Musabelliu 8 Lumo Tsungu
17 Besim Malota 9 Muhamet Omari
18 Bukurosh Curre 10 Musli Mulosmanaj
19 Cezar Ndreu 11 Mustafë Elezi
20 Deni Blloshmi 12 Naum Prifti
21 Dine Dine 13 Ndrec Gjergji
22 Dr. Elton Mara 14 Sejdi Hysenaj
23 Dr. Hasan Ademaj 15 Tonin Mirakaj
24 Dr. Skender Myrtezani ” ” 16 Uke Gjonbalaj
25 Eduard Dilo 17 Zef Perndocaj
26 Elmi Berisha ” ”
27 Ibrahim Kolari
28 Idriz Lamaj
29 Ismer Mjeku
30 Kolec Ndoja ” ”
31 Kujtim Qafa
32 Lek Mirakaj
33 Mehmet Kadriaj
34 Merita B. McCormack ” ”
35 Nick Markola ” ”
36 Ramadan Gashi
37 Ramiz Mujaj
38 Robert Mirakaj
39 Rrustem Gecaj
40 Sabit Bytyçi
41 Sejdi Bytyçi
42 Ylli Cakani
43 Zef Balaj
44 Zudi Karagjozi

U ra dakord që të vazhdohej me 12 pikat e rendit të ditës të njoftuara më parë. Kryetari i degës së Westchester, Nik Markola, kërkoi që të informonte Këshillin për riorganizimin e degës, së cilës i kanë ndryshuar edhe emrin. U la per ne fund.
Këshilli votoi protokollin e mbledhjes së 15 shtatorit. Nënkryetari Asllan Bushati kërkoi që të përfshihej në dokumentacion edhe Promemoria dërguar Kryeministrit të Shqipërisë nga përfaqësia e Vatrës.
Kryetari sqaron se ky dokument është publikuar në Gazetën Dielli të printuar dhe në publikimin e përdtishëm në online.
Gjithësesi u vendos që t’i bashkëngjitet raportit edhe Promemorja.
Pas raportit të kryetarit për aktivitetin e Vatrës që nga 15 shtatori, arkëtari, z. Marjan Cubi paraqiti raportin e arkës, duke dhënë shifrat e të ardhurave dhe të shpenzimeve. Raporti iu bashkëngjit protokollit të mbledhjes.
Dr. Bucaj raportoi rreth punës që po bën eksperti financiar rreth përfundimit të kontrollit të financave dhe takimeve qe ai ak bere me Kryesine dhe me Danny Blloshmi.
U diskutua gjatë mbledhjes edhe finalizimi i listës së anëtarëve të Këshillit të Vatrës, ku u debatua për të shtuar praninë e femrave.
Nga kryetari u dha edhe një informacion i zgjeruar rreth regjistrimit të Vatrës dhe tha se ky proces po shkon drejt fundit.Regjistrimi në IRS ka përfunduar. Degët, porositi dr. Bucaj, duhet të presin finalizimin e regjistrimit në qendër për të bërë edhe ato regjistrimet e veta.
U diskutua edhe për përmirësimin dhe adaptimin e Kanunores së Vatrës përmes shtimit të amendamenteve. Rreth këtij problem diskutoi juristi Bashkim Musabelliu.
U diskutua konkretisht rreth statusit ligjor të Vatrës dhe degëve.
U debatua edhe rreth listave të anëtarësise dhe shlyerjes së detyrimeve simbolike që kanë anëtarët ndaj Federatës. U la që kryesia të shqyrtojë listat e pagesave të prapambetura rreth periudhës Janar-Mars 2014. Diskutuan Uk Gjonbalaj, Dalip Greca.
Një pikë më vete e rendit të ditës ishte edhe informimi rreth njoftimit për gjendjen e ndërtesës së Vatrës. Kryetari përgëzoi anëtarin e Board Members, biznesmenit Rrustem Gecaj, i cili me shpenzimet e veta do të bëjë rinovimin e ndërtesës sapo të arrihet që ajo të lirohet nga materialet.
Z. Gecaj u tregua i gatshëm edhe për menaxhimin e ndërtesës së Vatrës, për të cilën ka probleme.
U diskutua edhe rreth përgatitjeve për festimin e Ditës së Flamurit, 101 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Kryetari i komisionit, zv/kryetar i Vatrës, z. Asllan Bushati, informoi për anëtarët e Komisionit dhe përgatitjet e bëra. Darka do të organizohet me 30 nëntor në Restorantin Maestros.
Në këtë pikë e mori fjalën edhe editori i gazetës DIELLI, Dalip Greca, i cili falenderoi të gjithë ata që i ishin përgjigjur mesazhit të tij për ta mbështetur në përgatitjen e numrit special të gazetës DIELLI me rastin e Festes. Në mënyrë të vecantë ai vecoi degën e Vatrës në Queens me kryetar dr. Skënder Murtezani, që i ka qëndruar afër gazetës dhe ka dhënë kontribut konkret, duke mundësua shtatë faqe me urime. Po ashtu ai falenderoi edhe degën e Westchester(Greater New York), degën me kryetar Nick Markola, degen e Washingtonit me kryetare Merita B McCormack, degen e Jacksonville me kryetar Adriatik Spahiu, dgen Hudson Valley me kryetar Elmi Berisha, për mbështetjen e dhene. Pas degës së Queensit, renditet dega e Westchesterit, që rezervoi pesë faqe me urime. Po ashtu falenderoi anëtarët e kryesisë së Vatrës të cilët po ashtu e kanë mbështetë në këtë numër special te Diellit, duke dhënë secili prej tyre kontribut personal. Editori shprehu keqardhjen për keqkuptimin e krijuar me degën e Michiganit. Urimet në gazetë janë në vetëvete kontribute për Vatrën.
Kryetari Bucaj informoi edhe për librin e studiuesit Skënder Blakaj, të cilin Vatra do ta ndihmojë duke qenë bashkëbotuese e librit me letrat e panjohura të njerëzve të shquar deri në 1912, ku më shumë se 70 letra janë të bashkthemeluesit të Vatrës, Faik Konica.
Po ashtu Vatra, informoi dr. Bucaj, ka marrë përsipër që të bëjë edhe promovimin e librit enciklopedik të studiuesit Jusuf Buxhovi në gjuhën angleze”KOSOVA”.
Përsa i përket pikës së parashikuar për të diskutuar për problemin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, këshilli e vlerësoi të ezauruar propozimin për të dalë me deklaratë në publik. Kryetari informoi se Vatra I ishte bashkuar shqetesimit te komunitetit dhe eshte bashkuar me shoqatat e tjera.
Gazetari i komunitetit Beqir Sina, i pranishëm në takim, solli propozimin e z. Simon Mirakaj për të sjellë në SHBA ekspozitën e të përndjekurëve politik .
Z. Nick Markola informoi për aktivitetin e degës së Westchesterit dhe struktuarave të saj.(Korresp. i DIELLIT)

Filed Under: Komunitet, Kronike Tagged With: dalip greca, Keshilli i Vatres

Antiamerikanizmi ç’gafë e pafalshme Imzot!

November 17, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/

1.

Antiamerikanizmi i shfaqur ditët e fundit tregoi degradimin e  një pakice të politikës shqiptare e cila futur në qorrsokakun e madh kërkonte dritësim në tunelin që bash kishte ndërtuar vet. Antiamerikanizmi  që u perceptua nga kundërshtitë e mëdha (bashkimi i çuditshëm në shesh) ngjasonte në këto ditë vjeshte me kohët kur liderët e shtetit  komunist në vitet ‘60 sulmonin Hrushovin, për braktisje të kampit socialist në fakt halli i madh i tyre ishte te qëndrimi i këtij të fundit për ndryshime në udhëheqje. Ndryshimi, që përfshiu vendin  e vogël ballkanik në verën e vitit 2013 nuk mund të mos krijonte pasoja dhe ata liderët e vjetruar që ikjen e tyre nuk do të perceptonin dot aq më keq kur ikja  e tyre u kërkua nga shteti më demokratik i botës.

2.

Çdo komb do ta kishte ëndërruar si fat qëndrimin  në krahë të një popull të  madh. Po të analizojmë qëndrimin amerikan karshi kombit tonë në jetë të jetëve ne dhe fëmijët tanë dhe pasardhësit tanë u detyrohen SHBA,për qëndrimin që ajo ka mbajtur. Në mënyre konsekuente qëndrimi i saj ka qenë në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë perëndimore të kombit tonë. Po ta shqyrtosh këtë fakt do të zbulosh pikërisht qëndrim të SHBA, karshi kombit shqiptar. Kam gjetur disa numra të gazetës “Flamuri”një gazetë periodike e emigracionit shqiptar ,botohej në shtetin fqinj  Itali e cila hedh dritë  dhe zbulon mjaftë prej atyre rrengave që drejtuesit e shtetit komunist u krijonin anglo-amerikanëve ,e habitshme ishte një koalicion  i përbashkët anti-fashistë në luftën e dytë botërore.

Çështja që përvijohet qartazi dhe hollësisht e mundshme për tu zbërthyer aleatët e luftës dhe pas qëndrimi  me ta. Shkruan gazeta Flamuri:” Gjemia lëkundet dhe nga vjen era fillon lëvizjen. Më 3 nëntor 1943 gjejmë aty se KQ i PKSH u ka shpërndarë një qarkore,kuptohet të fshehtë. Fjalitë ku duhej përqendruar : duhet ti kem sytë të kthyer nga Moska, edhe ta shikojmë çdo gjë, në prizmin e luftës që po bënë Bashkimi Sovjetik. Duhet të krijojmë në popull dashuri dhe respekt për  Bashkimin sovjetik,Ushtrinë e kuqe dhe Stalinin..Ka qarkulluar një qarkore gati e fshehtë që është firmosur prej” Shpatit” më të dhëna 9 shtator 1943 ku rreshtohen disa radhë kundër qeverisë angleze dhe reaksionit imperialist, që në rast të një zbarkimi do ti ndihmonte çetat  e Ballit Kombëtar  i cili njihej  për tendencën antikomuniste dhe antifashiste. Të mëvonshme ngjarjet janë një konsekuencë rrjedhojë e logjikës,shkruan  gazeta “Flamuri”.

Më tej gazetë ne fjalë vijon raportimin e saj:Një erë e ndezur që do të godiste anglo-amerikanët filluan me fjalimet e drejtuesve të shtetit të atij regjimi. Çfarë ngjau? Ardhja në fuqi e laburistëve në Angli sikur ngrohu shpresat që u shuan po kaq me shpejtësi. Germë për germë shkruhet kështu tek gazeta në vitet ’50 të shekullit të shkuar. “Kështu me mjeshtrin djallëzore dëbuan Nuncin Apostolik të Papës Mgr  Nigris.Nga fundi i marsit të vitit 45 shtrënguan konsullin turk të fshihet në misionin Englez dhe të largohet fshehtas nga Shqipëria,mbasi e atakuan deri më gurë brenda në konsullatë. Filluan ti qesin pengime zyrtarëve  të UNRRA,të cilët i shikofshin si agjentë të demokracive perëndimore. Disa nga ata si  Mrs Pennington shqiptarofile e njoftuan,i dëbuan me forcë nga Shqipëria. Në fund përgatitën sulmet kundër misioneve ushtarake anglo-amerikane .Këto misione të mbikëqyrura vazhdimisht  nga policia e Koci Xoxes nuk kishin liri udhëtimi nëpër vise të ndryshme të Shqipërisë dhe njerëzit që bijnshin në kontakte me ta  shënoheshin nga agjentë të veçantë për tu përgatitur një ditë burgimin e tyre. Misionet aleate e humbën një ditë lirin me kërkue vorrezet e ushtarëve dhe oficerëve  aleat të vramë gjatë luftës në tokën shqiptare…

Shkrimtari disident Petro Marko shkruan tek botimi i tij voluminoz për këtë situatë:Furnizimet filluan te vinin. Midis tyre ishte edhe letra rotative për gazetën. Te gjitha duhej te jepeshin falas -ushqime, veshmbathje, po qeveria nisi t’i shiste dhe ata të  UNRRA-s vinin tek unë dhe kundërshtonin. Unë thosha se te gjitha ishin dhënë sipas rregullave të përcaktuara  nga UNRRA. Njeri me tha: Pame ne Sarande dy vaporë  sovjetike qe ngarkoheshin me grurin qe UNRRA sjelle për ju”! Njeri prej tyre, një burrë i thyer në moshë  e, fisnik dhe i thate si anglezet, u martua me një shume te bukur shqiptare, te cilën e mori me vete  në Londër. Më  vonë, kur erdhën te gjitha furnizimet, gjysmat e ve me siguri shkuan tek Titoja, dhe delegatet e – UNRRA s u larguan, filloi fushata e arrestimeve për të gjithë ata që kishin lidhje me oficerët e UNRRA…

Me gjithë këto presione,sharje gjithfarë gjërash, që ju provokua ,SHBA në vitin ‘91 u rikthye e vendosur për të kthyer këtë vend  midis vendeve të tjera me fytyrë  perëndimore.

3.

Ç’praj asaj kohe ndihma dhe kontributi i SHBA për kombin tonë ka mbetur jetik. Bombat e NATO në Kosovë, dhe çlirimi i saj nga pushtuesi serb,futja në NATO,përkrahja për në BE. Shume vizitat e shtetarë shqiptarë të pritur në shtypin e Bardhë,ardhja e Bushit dhe gjithë sekretarëve të shtetit amerikan tregon se Shqipëria ka pasur dorën e ngrohtë të këtij shteti në të gjitha hapat e tij drejt demokracisë dhe qytetërimeve perëndimor. Mirëpo shfaqja e antiamerikanizmit  nxori edhe një herë në shesh primitivizmat  të cilët nuk njohin gjuhë tjetër veç asaj të tribadizmit ballkanik.

Pra ky lloj antiamerikanizmi  u shfaqur tek disa çfarë ishte Imzot,ç’gafë të  pafalshme  bëre Imzot!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: antiamerikanizmi, c'gafe e pafalshme, Gezim Llojdia, imzot

GJENOCIDI NDAJ ÇAMERISE- Një fotografim i rallë!

November 17, 2013 by dgreca

*Shpërngulje masive çame nga Çamëria xhiruar nga aeroplani italian në Luftën e Dytë Botërore

*Çamëria , ana e panjohur e saj !

Nga BEQIR SINA, New York/

NEW YORK : Një fotografimë i rallë! e shpërndar në internnet thuhet se  tregohet për shpërnguljet masive çame nga Çamëria xhiruar nga një aeroplan italian, tregon anët e vërteta se çfarë ka ndodhur mbas Lustës së Dytë Botërore , me spatrimin e shqiptarëve të Çamërisë. Ky është një material i hedhur në rrjetin social Fb që bota të njihet më Çamërinë, dhe të rinjtë tonë të vetedijësohen për Çamërinë, për këtë tragjedi kombëtare!, të paktën kështu thuhet në diçiturën e kësaj fotoje, të shpërndar sot në rrjetin social facebook.

Çamëria , ana e panjohur e saj !

Gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 , një pjesë jugore e Shqipërisë u ndërpre – u nda nga trungu i saj dhe i është aneksuar shtetit grek , pavarësisht nga fakti se shumica e banorëve aty ishin shqiptarë , të të dy prej të besimive fetare ortodoks dhe musliman.

Ndërsa shqiptarët ortodoksë ishin shënjestra e procesit brutalë e helenizimit të tyre , shqiptarët muslimanë u vranë ose u shfarosë, ata që mbetën u dëbuan me forcë nga tokat e tyre stërgjyshore nga qeveria greke, si kjo pamje që paraqitet për herë të parë dhe thuhet se është marrë nga filmimet sekrte të Luftës së Dytë Botërore, ruajtur në arshivat e Uashingtonit dhe Londrës .

Popullsia e Çamërisë, me përkatësi të besimit fetar myslimanë u konsideruan si një minoritet fetar , dhe disa prej tyre u transferuan në Turqi gjatë shkëmbimit të 1.923 njerëzve midis Greqisë dhe Turqisë , ndërsa pasuria e tyre u tjetërsuar nga qeveria greke , si pjesë e marrëveshjes përkatëse ndërmjet Greqisë dhe Turqisë .

Shqiptarët ortodoksë Çam u numëruan si grekët, dhe gjuha e tyre dhe trashëgiminë e Shqipërisë ishin nën një presion brutale të një procesi të sponsorizuar nga shteti që i çoi ata që mbeten dhe u deklaruan si shqiptarë deri vonë drejt asimilimit.Në Çamëri thuhet se u vendosën pastaj popullsi greke të ardhur si refugjatët grekë nga Azia e Vogël për të ndryshuar përgjithmonë demografinë origjinale të Epirit / Çamërisë përgjithmonë.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore , pasi duke i akuzuar ata se kanë ndihmuar të fashistëve , grekët filluan një fushatë spastrimesh duke e nisur me fshatrat dhe qytet zbrazjen e Çamërisë së banuara nga shqiptarët autokton. Një nga masakruesit më të mëdhenjë njihet gjenerali famëkeq Zevra, i cili nuk kurseu as gratë , të moshuarit , fëmijët të cilët janë vrarë ose dëbuar përgjithmonë nga toka e tyre .

Ata u bënë viktima të spastrimit të parë etnik në Europë pas Luftës së Dytë Botërore dhe tragjedisë së Çamërisë . Faktet dhe historit e kësaj tragjedie dhe masakra e gjeneralit famëkeq Zevra janë zbuluar në botë , dhe konsiderohen si njëra nga tragjeditë më të dhimbshme të kontinentit evropian .

Dhe megjithse ka gjithë këto fakte, për fat keq Europa hesht, dhe çështja çame është ende e pazgjidhur . Çamët shumë prej të cilëve shkuan në Shqipëri, aktualisht janë duke u përpjekur për të ndjekur rrugët ligjore për të kërkuar kompensim për pronat e konfiskuara nga Greqia, dhe këthyer në tokat e shtëpitë e tyre, por kan hasur në një kundërshti të fort nga ana e qeverisë së shtetit grek .

“E ndihmuar” edhe nga politika anti shqiptare e regjimit të Enver Hoxhës, për më shumë se gjysmë shekulli, sot është bër shumë e vështirë zgjidhja e kësaj çështje, shteti grek vazhdon të thotë se” as nuk e njohin ose nuk ka çështje të  Çamërisë” megjithëse ajo është një çështje e të qënit një realitet historik. Për Greqinë çështja “nuk ekziston ” tha në mes të Tiranës ministri i jashtëm i Greqisë muajin e kaluar Veneziols.     Brezi më i vjetër që ka mbijetuar dhe dhe i përjetojë spastrimin etnik të cilët u vendosën në Shqipëri , vazhdojnë të thonë se ka egzistuar dhe ka një çështje e cila është ” Çamëria ”. Ata kan të shkruar në pasaportat e tyre, ashtu si e kan pasur në kohën e Mbretit Zog se ‘ vendi i lindjes ” është Çamëria, por vetëm për këtë indetifikim këta shqiptarë të Çamërisë nuk janë lejuar të hyjnë ndonjëherë Greqinë për shkak se kan lindur në Çamëri.

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Sina, Cameria, i rralle, nje fotografim

Mesazhi i përjetshëm i një poezie

November 17, 2013 by dgreca

Nga Dine Dine/New York/

I lindur në Bombei të Indisë më 1865, fituesi i çmimit Nobel, Rydyard Kipling e pa botën për herë të parë përmes jetës plot zhurmë dhe rrëmujë të rrugëve të Indisë. Në moshën 6 vjeç, së bashku me motrën Triks, ai do të nisej drejt Anglisë që të vazhdonte shkollën. Me gjithë peripecitë e shumta dhe trajtimin e vështirë që iu bë, djaloshi Kipling do të përpiqej të luante rolin e një njeriu të gëzuar. Vite më vonë, ai do të shkruante se përvoja ia kish konsumuar çdo lloj aftësie që të urrente realisht në të ardhmen. Përvoja gjithashtu e kish bërë atë që t’u jepte fëmijve të tij gjithë dashurinë, lumturinë dhe sigurinë që atij i kishin munguar. Si mbaron studimet, Kiplingu kthehet në Indi për t’u bërë reporter gazetash, ndërsa kohën e lirë do ta shfrytëzonte për të hedhur në letër idetë që i gëlonin në kokë vazhdimisht. Subjektet e tij trajtonin guximin, sakrificat dhe disiplinën që ai vetë përjetoi në departamentin britanik të shërbimit ushtarak, si dhe misteret dhe rreziqet e jetës në Indi. Tregimet e tij popullore i përmblodhi në libra të vegjël me shpresë që të gjente treg në Londër, por botuesit u tallën me veprat e tij, bile njëri prej tyre shkroi: “Marr guximin të parashikoj se shkrimtari është tepër i ri dhe do të vdesë para se të mbushë të tridhjetat”. Por Kiplingu e injoroi kritikën, dhe vazhdoi të shkruante pa u stepur prej gjykimit të tyre cinik. Me kohë librat e tij fituan popullaritet te lexuesit, dhe ai u bë mjaft i preferuar dhe i vlerësuar edhe nga shkrimtarët e famshëm, akademikët dhe politikanët. Po çuditërisht, i riu Kipling, ashtu si ndaj kritikave, edhe ndaj vlerësimeve as deshi t’ia dinte… Qysh herët, në vitet 900, Kiplingu do të parashikonte luftën me Gjermaninë dhe do të bënte thirrje për shërbim të detyruar ushtarak. Për këtë, ai përsëri do të tallej nga kritika si “imperialist” dhe “shovinist” dhe u vu në shënjestër nga mendimtarët e kohës. Edhe këtë herë, ashtu si më parë, ai s’u dha barrë kritikave po qëndroi i patundur në pikëpamjet e tij. Xhoni (i biri) po rritej shtatlartë e i hijshëm. Eh, çfarë entuziazmi ndjente Kiplingu, duke ndjekur të birin që “shtyhej” fushave të “rygby-së”! Sa krenar ndjehej ai, jo se Xhoni qe një atlet i madh, por sepse ai manifestonte një gëzim të brendshëm dhe e përcillte humor të këndshëm faktin që i ati e admironte aq shumë… Xhoni përshëndeste skuadrat dhe kundërshtarët për rezultatet e tyre, po asnjëherë ai s’mburrej për fitoret dhe as do të përlotej për humbjet. Nëse thyente rregullat, e pranonte ndëshkimin pa u ankuar dhe ishte i përgjegjshëm për veprimet e tij. Me një fjalë, djaloshi Kipling – po bëhej “Njeri”. Ta përballosh fatkeqësinë me burrëri, – për Kiplingun kishte një kuptim të madh dhe – këtë lloj sjelljeje ai donte ta inkurajonte te djali i tij. Nëse Xhoni do të mund të ndiqte veprimet e njerëzve të ditur, që Kiplingu kish njohur, nëse ai do të jetonte duke pasur parasysh atë përcaktim vlerash, në qoftë se…?! Dhe ja, një ditë dimri 1910, Kiplingu do të merrte penën dhe do të hidhte në letër ato mendime me një poezi për djalin dymbëdhjetë vjeçar. Poezinë e titulloi “Nëse”… dhe e botoi në një libër tregimesh për fëmijë nga fundi i atij viti. Ndonëse kritikat s’e shpallën atë si një nga veprat më të mira të tij, brenda pak vitesh poezia katër strofëshe u bë klasike në gjithë botën duke u përkthyer në 27 gjuhë. Fëmijët e shkollës e mësonin përmendësh, të rinjtë e deklamonin duke marshuar drejt fronteve të luftës. Në 1915, lufta që Kiplingu pat parashikuar po shpërthente në Evropë. Joseph Rudyard Kipling (1965-1936) Joseph Rudyard Kipling (1865-1936) NËSE… Rudyard Kipling Nëse mund ta ruash gjykimin kur gjith të tjerët e kanë humbur Dhe fajin për këtë ua hedhin juve; Nëse mund të besosh kur gjith dyshojnë në ju, Bile t’u japësh edhe shkas dyshimi gjithashtu, Nëse mund të presësh pa u lodhur nga pritja, Apo të gënjehesh pa gënjyer ti asnjë fjalë, Ose të ndjehesh i urryer pa urryer vetë kurrë. E megjithatë të mos dukesh as shumë i mirë, as shumë i zgjuar, Nëse mund të ëndërrosh pa e lënë ëndrrën të bëhet zoti yt; Nëse mund të mendosh, pa i bërë mendimet e tua qëllim Nëse mund ta takosh triumfin pas disfatës Dhe t’i presësh këto dy gënjeshtarë me të njëjtën fytyrë; Nëse do ta dëgjosh të vërtetën e thënë prej teje Të shtrembëruar ligsht, sa bëhet lak për të marrët, Ose të shohësh gjëra për të cilat jep jetën, të prishen para syve tuaj, E me durim e mund t’i riparosh ato; Nëse do të humbasësh me një goditje Fitoren e njëqind ndeshjeve, dhe pa bërë zë për humbjen, t’ia nisësh nga fillimi Pa bërë asnjë gjest dhe asnjë psherëtimë; Nëse mund ta detyrosh zemrën dhe nervat, Të të shërbejnë edhe kur ato kanë mbaruar, Dhe të qëndrosh kur asgjë s’ka mbetur tek ju Veç vullneti që të thotë “Mbahu”; Nëse do të rrish me të thjeshtët dhe të mbetesh i virtytshëm, Apo të këshillosh mbretërit dhe të mbetesh popull, Nëse as armiqtë, as miqtë e dashur s’ia dalin ta prishin zemrën tuaj, Nëse do t’i duash të gjithë si vëllezër pa qenë asnjëri, gjithçka për ty; Nëse do të shfrytëzosh minutën e rreptë Me përkushtim të denjë – të artë, Atëherë mbretërit, fati dhe fitorja do të jenë skllevërit e tu Dhe ajo që vlen më tepër se mbretërit dhe lavdia, ti do të jesh NJERI – biri im. shqipëroi Dine Dine Një tjetër histori, tepër interesante e prekëse, do të qe ajo që përshkruante se si Xhoni, duke dashur t’i shkojë deri në fund atij “përcaktimi të vlerave të jetës”, do të jepte, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç, provën e fundit dhe më sublime duke u inkuadruar në radhët e para të frontit dhe duke rënë heroikisht në betejën e Loos në Francë. Sa i përket Kiplingut, ai nuk ngurroi për asnjë çast të japë pëlqimin e tij për djalin e vetëm që s’kish mbushur moshën. Dhe nuk iu shmang besimit për gjithçka që i kish mësuar të birit, pa marrë parasysh pasojat. Kjo poemë e shkurtër, është nja nga perlat e poezisë angleze dhe asaj botërore. Kodi i saj i të sjellurit, i thjeshtë dhe frymëzues, u bë për miliona njerëz në botë përcaktim i vlerave të jetës. Ajo të habit me thellësinë e mendimit, thjeshtësinë dhe transparenca përmes së cilës autori komunikon drejtpërdrejt. Çdo varg i tij është një mësim, çdo mendim është një mesazh. Në vetëm katër strofa autori ka mundur të na japë, të përqëndruar, thelbin e një filozofie të tërë. Morali i saj i kristaltë si ujët e burimeve, vjen i freskët e buçitës, e herë si fllad e jehonë e bjeshkëve shqiptare. Poezia merr gjithnjë vlera aktuale, pikërisht në këto çaste kur shqiptarëve u është dashur të ruajnë gjykimin dhe gjakftohtësinë, kur të tjerët ndoshta do ta kishin humbur atë, apo të qëndrojnë kur asgjë s’ka mbetur tek ne veç vullnetit që na thotë “Mbahu”. Duke qenë të pakët në numër nga njëra anë, dhe të rrethuar në të katër anët me armiq e dhashakeqë, që të etur kanë kërkuar e kërkojnë të na gëlltisin dhe eliminojnë në çdo çast, shqiptarët u detyruan të vuajnë nëpër shekuj, por jo të nënshtrohen… Kështu me të drejtë, ne mund të mburremi para botës për me gjuhën, kulturën dhe tradita tona. Sot jemi para gurit të provës! Sot shqiptarëve kudo që janë më tepër se kurrë u nevojitet urtësi, tolerancë, mirëkuptim. Intelektualët duhet të gjejnë çelsat dhe të hapin dialogjet instruktive që çojnë drejt bashkimit e përparimit dhe të flakin tutje idetë e sëmura që që nuk sjellin veçse përçarje dhe destabilizim për mbarë kombin. Bashkimi, dashuria, vëllazërimi – kjo duhet të jetë moto e ditës për ne, përndryshe historia nuk do t’ia falë askujt veprime që pengojnë arritjen e qëllimit final. Kosova martire, në këto ditë të vështira, na thërret të gjithëve kudo që jemi të shpërndarë në katër anët e rruzullit. Ajo kërkon sot, jo fjalë por sakrifica sublime. Kur çasti final të vijë, të gjithë si një trup i vetëm duhet të dimë të dhurojmë minutën e padhurueshme – atëherë jona do të jetë toka e gjithçka gjendet në të… dhe ajo që vlen më tepër, ne do të jemi më pranë qenies “Njeri”, së cilës Kiplingu, fituesi i Nobelit i kushtoi atë “Testament”, që për brezat e gjithë kohëve do të mbetet një dëshmi e gdhendur e kulturës, artit dhe moralit të pastër njerëzor. “Për dashurinë jap jetën, për atdheun jap edhe dashurinë” janë fjalët e një poeti të madh. Këtë mesazh i dërgon edhe Kiplingu në fund të poemës të birit që dha jetën në betejën e Loos në Francë. Le të jetë kjo poezi e tij, e sjellë në shqip prej shumë përkthyesve, po edhe prej meje, një mesazh për të gjithë ne, që quhemi shqiptarë dhe duam të mbrojmë kët tokë të shenjtë që e thërrasim Shqipëri dhe që të parët tanë e kanë larë gjithmonë me gjak…

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Dine Dine, mesazh i perjetshem i nje poezie, Rydyard Kipling

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT