• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2013

Më në fund pa maskë

November 7, 2013 by dgreca

Nga Hajro Çini M.A./

Pas një përpjekje titanike për të mbuluar fytyrën e vërtetë, qytetari Bamir Topi kaloi haptazi në fushën që i përkiste prej kohësh. Jo se kjo nuk dihej. Aktiviteti i tij edhe pse tinzar dhe i kamufluar nuk linte rast për ekuivok, por të paktën ai pati sot kurajon civile të shprehet, për herë të parë, sinqerisht, se kujt spektri politik i përket. Shpresoj se akti i tij do të çlirojë nga dilema edhe ata pak pasues që realisht i përkasin shtresë së persekutuar, ish pronarëve apo të djathtëve të tjerë, që e kanë besuar deri tani.

Viktor Hygoi ka krijuar një personazh shumë të çuditshëm tek vepra e tij madhore “Njeriu që Qesh”, Barkilfedron. Ky personazh cinik, tinzar, i pabesë, i paskrupullt, i ulët, etj. etj. ka një karateristikë specifike. Ai urrente të gjithë ata njerëz që i kanë bërë atij ndere. Mosmirënjohja dhe urrejtja për bëmirësin  e bëjnë Barkilfedron ndyrësisht të famshën në llojin e vet. Mishërimi më i plotë real i këtij personazhi është edhe qytetari Topi.

Pasi u përkëdhel, u mbulua, u paraqit pikërisht ai që nuk ishte, ai u katapultua në postin më të lartë të republikës, prej ku, ai nuk la gur pa lëvizur për të dëmtuar atë parti që e ngriti në atë post. Me një tinzarllëk të pështirë.

“Bamiri nuk është injorant apo mëndje-shkurtër – këtë ta keni të sigurtë – por është një kalkulues shumë i zhdërvjellët i situatave politike. Ai hypi shkallët e PD duke luajtur me imazhin e “burrit mirë” në PD. Të përshëndeste, tregonte interes kur flisje me të, bënte “çmos” për të ndihmuar, po sic thoshte Bamiri: “këta nuk të hapin rruge” dhe normalisht nuk të mbaronte punë….. por për ironi të realitetit, Bamirit “iu hapnin rrugët në PD” – për veten e tij. Hmmmm!!! “ – Shkruan një demokrat i shquar.

Pse u kujtua në këtë moment qytetari Topi të tregohet kaq i sinqertë në qëndrimet e tija politike?! Ka disa arsye:

Së pari edhe pse u fry si gjel deti, edhe pse mori rreth 30,000 vota të zhgënjyerish, edhe pse PS u investua fuqishëm në Tiranë ti jepte vota shtesë, ai dhe askush nga partiçka e tij, e formuar në mënyrë ilegale dhe në shkelje të kushtetutës, në presidencë, nuk arriti ta nxjerrë atë antar parlamenti. Ai e di tani se pas një konsumi 8 vjeçar të pushtetit të PD-së ky ishte kulmi që ai mund të arrinte.

Pas këtij momenti, pas riorganizmit total dhe të plotë të PD-së, pas daljes së narkozës propagandistike të socialistëve si dhe një realiteti të hidhur që do të pasojë, figura e Topit në krahun e djathtë vetëm se do të zhvleftësohet, rrëgjohet, venitet dhe neveritet. Ky është momenti që Topi mund të paraqesë potencialet maksimale që do ti reduktohen çdo ditë. Pragmatizmi e detyron që ta luajë fort kartën që të marrë maksimumin e mundshëm.

 

 

 

Së dyti, pasi dështoi në uzurpimin e PD-së, pasi nuk arriti  të mbante me çdo kusht presidencën për një mandate të dytë, pasi e pa se nuk kishte asnjë vlerë elektorale ai, me të drejtë mendon, se ka një shans, edhe pse të vogël, që të katapultohet në krye të PS-së. Heqja e maskës e bën shumë interesante lojën në kampin e majtë. Atje ka pasur gjithnjë luftë bërrylash. Viktimë e kësaj lufte u bë edhe kryetari historik socialist, që nuk e pranojnë më as edhe në seli. Në këtë betejë të ashpër deri sot ka pasur të lojtarë të fuqishëm, Meta dhe Rama. Së fundi u shtua edhe Topi. Krahasuar me dy të parët, llogjikisht Topi ka disa avantazhe. Ndryshe nga Rama që ka qënë kritik i hershëm i komunizmit, me kulminacion librin “Refleksione” apo kur kërkonte vrasjen e të gjithë komunistëve, Topi nuk ka bërë ndonjëherë luftë kundër komunizmit, përkundrazi. Ndryshe nga Meta që ka bërë aleancë me Dr. Berishën, që për të majtën ishte një krim, Topi nga presidenca, pikërisht në këtë kohë i bënte luftën më të ashpër PD-së. Ndryshe nga Meta që është realisht prointegrim, Topit i nxinte fytyra në presidencë, sa herë që Shqipëria kishte progress në këtë fushë. Këto qëndrime i japin dorë të fortë Topit në krahun e majtë. Bile jo vetëm kaq. I gjithë aktiviteti i Topit në Presidencë dhe më pas i japin kredit të fortë atij në krahun e majtë, më konkretisht:

 

Propozoi në më shumë se 90 % të rasteve kriminelë, ish prokurorë, ish gjykatës të komunizmit për në Gjykatën Kushtetuese apo në Gjykatën e lartë;

Propozoi në krye të Prokurorisë së Përgjithshme të bijën e Sudes së Durrësit, një farë Ina Rama;

Dekoroi kriminelin Skënder Breca; (Vrasësin e Partiotit Xhelal Koprencka);

Dekoroi gjykatësen që kishte dënuar me varje poetin shpirtlirë Anzi Nela

Nuk dekretoi ligjin e lustracionit;

Kur në të drejtën e tij ligjore, po aspak profesionale, aspak konsekuente votoi për Edi Ramën;

E shumë e shumë të tjera. Topi nuk ka se çfarë të humbë më, prandaj doli haptaz. Ndoshta sinqeriteti, edhe pse jo në natyrën e tij, do të mund të bëjë disa pasues. Por siç është paradoks shpesh loja poltike në Shqipëri, shanset e Topit varen shumë nga lëvizjet e Metës. Këtij të fundit i intereson një Top deri kur ai erodon Ramën. Çdo lëvizje që redukton Ramën para elektoratit socialist është e mirëpritur për Metën. Por ky është caku, më tej Meta nuk mund ta tolerojë Topin, sepse edhe pse jo me kreditet e Topit në favor të së majtës, mënçuria, urtësia, pragmatizmi, vullneti dhe klasi i Metës, shumë më i lartë se ai i Topit, nuk lënë shumë rast për enthuziazëm. Meta është praktikisht afër objektivit të tij për tu bërë udhëheqësi absolute i së majtës.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: bamir topi, Hjaro Cini, Pa Maske

Është bukur të punosh për paqen

November 7, 2013 by dgreca

Nga Kozeta Zavalani/

Në Sallën Unesco të Muzeut Historik Kombëtar u mbajtën zgjedhjet e reja për Këshillin e Lokal të Paqes për Tiranën. Kaluan dy vjet nga nëntori 2011 pas promovimit të librit “Si qytetar global e paqedashës”, dhe zgjedhjes së kryesisë së Këshillit të Paqes për Tiranën. Ndaj secili duhet të pyesë veten, se çfarë ka bërë për të merituar titullin “Ambasador për Paqen”- të krenohet apo të turpërohet, që nuk ka bërë maksimumin e mundshëm. Personalisht jam ndjerë e fat, që kam pasur bashkëpuntorë të tillë të përkushtuar për paqen si Bajram Ibraj, Ali Lacaj, Qemal Çejku, si Gani Roshi e Sokol Rexhepi, si Katarzina Minollari, Lavdie Ruci e Saemira Pino etj…  Titullin “Ambasador për Paqen”e marrin ata individë, jeta e të cilëve reflekton dukshëm idealin e të jetuarit për hir të të tjerëve dhe që i përkushtohen me punën e tyre promovimit të vlerave morale universale, duke pasur detyrë të jemi zëri i atyre që nuk kanë zë,  një dorë vëllazërore që zgjatet, për të shtrënguar dorën e tjetrit,  e kështu së bashku, të krijojmë një jetë me mirësi e harmoni, mireqenie  dhe  dashuri. Keshilli i Paqes së Tiranës, veprimtarinë e parë e ka zhvilluar në fund të dhjetorit  të 2011 në bashkëpunim me Bashkinë Kamëz, ku ka dhënë kontribut të veçantë nënkryetari Qemal Çejku, për ndarjen e dhuratave fëmijëve jetimë e atyre të dalluar, me rastin e festave të fundvitit. Drejtuesja e mirënjohur Silvana Braçe,  Ambasadore për Paqen,  moderoi veprimtarinë plot dashuri e passion, duke ngjallur emocione tek të pranishmit.

Një ndër parimet e Federatës për Paqe Universale është bashkëpunimi ndërfetar – thelbësor për paqen në botë. Siç e dimë të gjithë, traditat fetare janë themeli dhe pika fillimi i kulturave, ndaj edhe ne i respektojmë ato, duke zhvilluar vizita urimi në kishën katolike, me Imzot Rrok Mirditën dhe Vëllazërinë Ugjillore.

Dashuria është simboli i mëmësisë dhe bazamenti i Ambasadorëve për Paqen, ndaj dhe 14 shkurtin, ditën e dashurisë ne e kemi festuar së bashku. Ideali origjinal i Zotit ishte për një botë, të krijuar përmes dashurisë së vërtetë. Ndaj çiftet festojnë për martesa të forta e të gëzueshme, familje të shëndetshme dhe të qëndrueshme, që sjellin shoqëri në paqe; liri dhe dinjitet.Këto na bashkojnë në një vizion për të ardhmen. Ndaj dhe në themel të punës sonë është përkushtimi ndaj martesës dhe kërkesave të saj moralo-etike.

Në veprimtarinë e 8 Marsit, Gruaja si Ambasadore për Paqen,  u theksua se gruaja është themeli i shoqërisë njerëzore, është shtylla e moralit të përgjithshëm, ajo është lulishtja e njerëzimit e duke hyrë në lidhjen e shenjtë – ndërton familjen, që e shpëton njeriun nga egërsia, duke e çuar në udhën e qytetërimit. Gruaja lind rrit dhe edukon të ardhmen e kombit.   Më 17 maj  kemi festuar Ditën Ndërkombëtare të Familjeve. 15 maji është caktuar si dita botërore e familjes qysh në vitin 1993,  në bazë të konventës së OKB. Caktimi i kësaj dite tregon rëndësinë e familjes në jetë e shoqëri,  si siguri e lumturi për njeriun. Festimi i Dites botërore të familjes ishte një rast i mirë për të folur mbi specifikat e familjes dhe çështjet e saj në shoqëri, për të përmirësuar jetën familjare, e cila është baza e shoqërisë. Veprimtaria u organizua në bashkëpunim me Federatën e Grave.

Familja është krijuese e civilizimeve, transmetuese e trashëgimisë dhe talenteve të individeve, që kanë lidhje të veçantë me familjen. Shoqëria e shëndoshë formohet nga familje të shëndosha, si kemi shembull çiftin Vitore e Skënder Sallaku, që marrin pjesë në çdo veprimtari dhe janë shembull për brezin e ri.

20 maji, Dita e Fëmijve jetimë, ka mbledhur qindra fëmijë, të ardhur nga Shtëpitë e Fëmijëve Tiranë, Shkodër e Sarandë dhe Fshati “Sos”, së bashku me fëmijë jetimë të policëve të rënë në krye të detyrës, fëmijë romë dhe fëmijë të mbetur jetimë nga tragjedia  e Gërdecit. Ata morën pjesë bashkërisht në manifestimin e organizuar nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. Gjithashtu, morën pjesë akademikë e profesorë, shkrimtarë e artistë të njohur, Ambasadorë të Paqes Universale, të moshuar pa përkrahje e tjerë. Ishte i pranishëm edhe ambasadori i OSBES-së në Shqipëri, Eugen Vollfarth i cili me bashkëshorten morën titullin “Ambasador për Paqe”.

23 shtatori  ishte dita kur Ambasadorët për Paqe zhvilluan ceremoninë e lamtumirës për Rev. Dr.Sun Myung Moon, themeluesin e Federatës së Familjes për Paqe dhe Bashkim Botëror, që është një lëvizje ndërkombëtare me në qendër Zotin dhe jo pa qëllim në drejtim të saj është një grua, bashkëshortja e tij zonja Moon. Nën shembullin e tyre ne  punojmë që në zemrat tona të ketë më shumë paqe, mirësi e dashuri.

Në takimin “Martesa e Familja në Shekullin e XXI  dhe Rëndësia e Ceremonisë së Bekimit” familjet e bekuara morrën pjesë në Ceremoninë e Bekimit në Hotel Tirana International, ku u mbajt Festivali i Familjeve dhe Ceremonia e Bekimit Kozmik. Ne duhet të kuptojmë se, ashtu siç nuk kemi lindur me dëshirën tonë, ashtu edhe nuk jemi krijuar për të jetuar për veten tonë. Prandaj përgjigja e pyetjes sesi duhet të jetojmë jetën tonë, është e thjeshtë. Ne lindëm prej dashurisë. Jeta jonë u krijua duke marrë dashurinë e pakufishme të prindërve tanë, kështu që dhe ne duhet të jetojmë tërë jetën, duke e kthyer atë dashuri. Në jetën tonë, kjo është e vetmja vlerë që mund ta zgjedhim ne vetë. Suksesi apo dështimi në jetë varet nga sasia e dashurisë që jemi në gjendje të paketojmë në vitet që na janë dhënë në jetë.

E premtja pasdite ishte një ditë e veçantë për Ambasadorët për Paqe dhe anëtarët e Federatës së Familjes, të cilët u mblodhën në selinë qëndrore të FPU në Tiranë, ose ndryshe në Ambasadën e Paqes, për të përkujtuar 1 vjetorin e ndarjes nga jeta tokësore e liderit të shquar botëror rev. Dr. San Miang Mun, që nga ndjekësit e tij më të afërt quhet edhe Baba i Vërtetë. Ceremonine e drejtoi z. Sokol Rexhepi, ndërsa referues ishin znj. Lavdie Ruci, z. Bajram Ibraj, z. Astrit Memia etj, të cilët vlerësuan Babanë e Vërtetë, si një yll polar për njerëzimin. E paharruar do të mbetet shërbesa në nderim të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të Rev. Moon për mua, zotin Rroshi e çiftin Çipa, që ishim në Qendrën Botërore të Paqes në Çonpiong, rreth 50 km në verilindje të Seulit.  Ceremonia përkujtimore Seonghwa, ishte një shfaqje e mrekullueshme Gala ku Nëna Moon këndoi së bashku me dhjetra nipër e mbesa të familjes Moon dhe u lexua poezia ”Kurora e Lavdisë”.

Himni i Ambasadoreve për Paqen

Himni i Ambasadoreve për Paqen është ngritur mbi poezinë e Reverend Moon, titulluar “Kurora e lavdisë”:

Kur dyshoj tek njerëzit, ndiej dhimbje.

Kur i gjykoj njerëzit, është e papërballueshme.

Kur i urrej njerëzit, ekzistenca ime nuk ka vlerë.

Megjithatë, në qoftë se besoj, mashtrohem.

Në qoftë se dua, tradhtohem.

I vuajtur dhe i vrerosur jam sonte, me kokën midis duarsh,

E kam gabim?

Po, po, e kam gabim!

Megjithëse mashtroheni, vazhdoni të besoni.

Megjithëse tradhtoheni, vazhdoni të falni.

Doni tërësisht, madje edhe ata që ju urrejnë.

Fshini lotët nga sytë dhe i mirëprisni me buzëqeshje

edhe ata që s’dinë gjë tjetër veçse të mashtrojnë,

edhe ata që tradhtojnë pa ndier keqardhje,

nga dhimbja e dashurisë.

O, Zot!  Shiko duart e mia.

Vendose dorën në gjoksin tim.

Zemra më hidhet, eh, çfarë agonie.

Por kur desha ata që vepruan kundër meje,

Solla fitore.

Në qoftë se dhe ju keni bërë të njëjtën gjë,

Unë do t’ju jap Kurorën e Lavdisë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, e cila festohet në të gjithë botën nën moton “Edukimi për Paqen”, Federata e Familjes për Paqe Botërore në kuadër të projektit në ndihmë të arsimit për fëmijët jetimë, në Hotel Tirana International shpërndau mjete mësimore falas për 100 fëmijë në nevojë, që filluan vitin e ri shkollor 2013-2014. Merrte pjesë edhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Znj.Lindita Nikolla, njëkohësisht edhe Ambasadore për Paqen. Ky projekt është ndërmarrë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar për Integrimin e Fëmijëve Jetimë që ka identifikuar fëmijët që përfituan nga kjo iniciativë. FFPBB Shqipëri përmbylli kështu projektin veror, gjatë të cilit një grup prej 7 vullnetarësh udhëtuan nëpër disa qytete të Shqipërisë, për të mbledhur fonde për këtë qëllim për fëmijë të moshave 6-15 vjec, që u mungojnë njëri nga prindërit ose të dy. Gjithashtu pjesë e përfituesve ishin edhe 40 fëmijë të ngujuar për shkak të gjakmarrjes në qarkun e Shkodrës.

Gjatё pёrpjekjes pёr tё vendosur se çfarё duhet bёrё, duke pasur parasysh probleme të tilla të mëdha si kriza ekonomike apo papunësia, nganjёherё ne mund tё ndihemi tё pafuqishёm dhe t’i themi vetes se, personalisht s’mund tё bёjmё asgjё qё do tё sillte njё ndryshim. Megjithatë duhet besuar me pasion se, heqja dorё nga dhuna është njё forcë e madhe, tё cilёn çdonjëri nga ne mund ta praktikojë nё jetёn e tij tё pёrditshme, dhe se çdo individ mund tё ndikojë pёrmes fuqisё sё dashurisё e zgjuarsisë, si e vetmja forcë që mund të thyejë çdo barrierë.

Pata fatin të isha një prej 300 pjesëmarrësve Konferencën e Lidershipit Ndërkombëtar në Seul të Koresë së Jugut sponsorizuar nga UPF , në bashkëpunim me Federatën e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim dhe Federatën e Grave për Paqe Botërore. Shumë nga pjesëmarrësit në konferencë ardhur nga 43 kombe, ishin zgjedhur nga Nëna Moon  për një fushatë shtatë -vjeçare deri në 2020, në Vizion t kombeve për promovimin e paqes në botë, e midis tyre edhe Shqipëria jonë, ndaj ne jemi krenarë për këtë kontribut.

Në mbyllje dua të sjell zërin e ngrohtë e miqësor të Çehovit nga  “Tri motrat”: “Unë besoj se  mbi tokë gjithçka do të ndryshojë dalëngadalë, madje ndryshimi ka filluar në sytë tanë. Ska rëndësi koha se kur, një jetë e re dhe e lumtur do të lindë. Ne natyrisht nuk do të arrijmë atë jetë, por për atë jetojmë sot, për atë punojmë,  vuajmë e krijojmë…”

Ne duhet të krijojmë njё botё, nё tё cilёn nuk ka tё panjohur, tё huaj e armiq, dhe kjo do tё kёrkojë një punë të jashtëzakonshme. E vetmja forcë që mund t’i thyejë barrierat, ёshtё fuqia e dashurisё, fuqia e sё vёrtetёs, e shpirtit. Nuk duhet të kesh fituar Çmimin Nobel pёr Paqe pёr t’u angazhuar pёr paqen. Kriteri i thjeshtё i dashurisë sё pakushtëzuar dhe heqja dorё nga dhuna, tё cilat nё mёnyrё aq tё mrekullueshme u sollёn nё jetё nga Gandi, Martin Luter King e Nënë Tereza, mund tё zbatohen nga tё gjithё. U mësoni fёmijёve tuaj vetёm kёtё. Nёse e bёni kёtё gjё kaq tё thjeshtё, sё bashku ne mund ta shёrojmё botёn. Ne jemi e ardhmja e kësaj bote. Një e ardhme e bukur, sepse çka do të jetë bota, është në duart tona e çka është në duart tona, duhet të jetë një shpresë për botën nesër…

Para se të zhvilloheshin zgjedhjet e reja, u bënë emërime të reja të personaliteteve nga fusha të ndryshme të jetës me titullin {Ambasador për Paqe, e konkretisht

1. Roza Anagnosti, aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë. E filloi karrierën ne Teatrin “Migjeni” të Shkodrës dhe vazhdoi me kinematografinë për mbi 4 dekada me role te spikatura dhe kryesore, që mbeten në kujtesën e cdo shqiptari. Ka fituar disa medalje të festivaleve të filmave. Përveç shumë vlerësimeve e çmimeve për karrierën, Roza Anagnosti mban titullin “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtre e Madhe”. është dhe aktiviste e fondazioneve të ndryshme shoqërore si: Fondacioni “Nermin Vlora Falascki”, Unicef, Karitasi Shqiptar, etj. Me bashkëshortin Dhimitër Anagnosti Nderi i Kombit, ka dy vajza: Juna (mjeke pediatre) dhe Era (juriste) qё e kanё bёrё katёr herё gjyshe ( 3 nipa dhe 1 mbesё). Moto e jetёs sё saj ka qenё gjithmonё ndershmёria, familja, puna kёmbёngulёse, besimi nё vehten e saj dhe nё zot.

2. Ferdinand Samarxhi – kolegu, gazetar i mirënjohur. Kur ende ishte mjegullnaja Komuniste me inisiativën e tij, në agimin e flladit të demokracisë, në të vetmin ekran të atëhershëm u çel drita e besimit. Për shumë vite me përkushtimin e Z. Samarxhi, Zoti kumboi në ekran dhe ndërtoj në zemrat e besimtarëve një kishë, një xhami, një teqe, një Zot që s’do të humbë më kurrë. Fjala e Zotit paqtoj zemrat në një mirëkuptim tolerance, bashkëekzistence dhe harmonie, që gazetari e përcolli me shumë dashuri, përkushtim, profesionalizëm, e devocion, nën siglën e Televizionit Publik Shqiptar. Sot liria e besimit dhe gazetari ynë janë prezent në çdo veprimtari fetare të gjitha besimeve. 37 vjet gazetar, fitues i Antenës së Artë me rastin e 40-vjetorit të Radiotelevizionit Shqiptar. I vetmi gazetar që në 23 vjet në gjininë e tij, ësht i të gjitha besimeve fetare.

3.Profesor Gjovalin Shkurtaj, studiues i njohur i gjuhës dhe letërisë shqipe, lindur në Shkodër. Thuajse gjithë jetën e tij ia ka përkushtuar mësimit të gjuhës shqipe, veçanërisht në auditoret e universiteteve të Tiranës, Prishtinës, Kozencës etj, ku ka formuar me mijëra studentë të degëve të ndryshme. Krahas punës pedagogjike është marrë aktivisht me studimin e gjuhës shqipe dhe me botime të kësaj fushe, ku ndër të fundit vlen të përmendet Atlasi Dialektologjik Shqiptar, botim i vitit 2008.Është nder që të kemi mes nesh një personalitet të tillë, i cili ka dhënë një kontribut të paçmuar për Shqipërinë e shqiptarët.

4. Besim Ndregjoni, përfaqëson veten por edhe  gjithë të persekutuarit, që kan treguar me vepra, se dinë të falin. Asnjë krim e vepër hakmarrje nuk kanë kryer në këto 23 vjet, ndërkohë që të tjerët për një fjalë kanë vrarë. As politika nuk u ka kërkuar falje, ndoshta nuk i ka trajtuar me dinjitetin e duhur, por ata janë thellë në shpirt Ambasadorë për Paqen. Koha e tregoi se të burgosurit politikë  kishin të drejte, sepse komunizmi 70 vjeçar, dhe Lufta e ftohtë 45 vjeçare ranë, për të ardhur demokracia që  ata e kishin kërkuar me idealin e tyre, me gjakun dhe me jetën e tyre.  Z. Ndregjoni është  DEKORUAR ME “MJESHTRI I MADH” me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” dhe  është shpallur “Qytetar Nderi i Dibrës”.

Ne Ambasadorët për Paqe që kemi në themelin e organizimit tonë vlerat shpirtërore dhe jo ato materiale, në emër të vlerave shpirtërore të shqiptarëve që jetojnë në të gjitha trojet shqiptare, kërkojmë sot një falje të madhe publike. Kjo është edhe arsyeja që Kryetari i FPU zoti Bajram Ibraj ka propozuar dhe ftuar zotin Besim Ndregjoni në këtë veprimtari, për të bërë këtë falje publike edhe në emër të atyre që s[e kanë bërë, me qëllim që Këshilli Shqiptar i Paqes, i cili do të mblidhet pas 10 ditëve në Prizren, kërkon që pas 12 ditëve, nga krijimi i këtij Këshilli, më 28 nëntor 2013 ditën kur për herë të parë do të mblidhen edhe dy qeveritë së bashku, të fillojë 100 vjetori i dytë në paqe.

5. Agim Doci Fitues në 35 festivale kombëtare të Muzikës së lehtë në radio TVSH. Autor, skenarist i dokumentarëve televizivë,  fitues i Çmimit të Madh të Mediave nga Centre of Exellence e NATO-s.Fitues i Çmimit të madh poetik nën kujdestarinë e Papa Gjon Palit të II në Zvicër.

Ndjenja kombëtare dhe ajo që ka bërë për pavarësinë dhe paqen në Kosovë është shumë e madhe.Ndaj është Dekoruar nga Qeveria e Kosovës, Organizata e Veteranëve dhe Invalidëve të UÇK-së, Lidhja e Shkrimtarêve Kosovë. Sot e ftojmë të bëhet pjesëtar i familjes së paqes, pasi paqja ka qenë gjithmonë e shkruar në shpirtin dhe në vargjet e këngëve që ne i këndojmë me shumë dashuri dhe që 70% e tyre i japin TV tona.

6. Bashkim Zahaj – një nga skenografët më të shquar të skenës shqiptare. Për më shumë se 2 dekada – firmë e parë në Radiotelevizionin Shqiptar ku ka realizuar mbi 300 skenografi.

Është vlerësuar me çmime të ndryshme si: Skenografia më e mirë në 1986 dhe 2007, Antena e artë 2000, Çmimi i karierës në 2001.

Nga viti 2008 i është përkushtuar edhe mësimdhënies në degën e arkitekturës.

7. Z.Kadri Morinaj, jo vetëm sipërmarrës, modeli i një prindi shëmbullor, por edhe investitor e Filantropist.Ai e sheh bamirësinë si diçka të shenjtë. Zoti Kadri Morina, i prejardhur nga trevat e burrërisë, nga Kukësi i trimave të shquar për atdhetari është President i kompanisë së sigurimeve “Eurosig”sh.a, dhe i kompanisë së Ndërtimit Euro-Alba.EA. I pagëzuar “Kadri”- nga emri i shenjtë i natës që u lind. Kemi dëgjuar për mirësitë e tij njerëzore, sikurse ishte rasti i operimit të një fëmijë 3-vjeçar; për mbështetjen e madhe në restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut, në Tiranë; për sponsorizimet në fushen e artit, kultures, sportit, për mundësimin e aktiviteteve, konferencave e simpoziumeve nga bar-restorant “Piazza”, pronë e tij, si ditën që u shpall pavarësia e Kosovës dhe në disa përvjetore.

Shqiptaria e tij nuk ka kufij, Kosovën e ka në zemër e është gati të falë edhe shpirtin për çështjen e saj, e këtë e ka dëshmuar me vepra. Dëshmi e kësaj ndjenje është pagëzimi i djalit të vogël me emrin Wesli Clark, emri gjeneralit amerikan që drejtoi operacionet e NATO-s për çlirimin e Kosovës.Ai ka kontribuar në rehabilitimin dhe ndërtimin e 11 xhamive në Peshkopi, Marikaj, Zall Bastar, Durres etj.Jep kontributin e tij financiar për Fondacione të ndryshme, familjeve në nevojë, Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”në Tiranë etj.Për vlerat njerëzore dhe humanizimin e tij është vlerësuar me titullin “Fisnikërija e Tiranës” nga Shoqata “Tirana” dhe “Qytetar Nderi” nga Bashkia Durrës. Ai është edhe sponsor i veprimtarisë sonë.

 

8. Najada Fani –Aktualisht Koordinatore Programit Akademik, Universiteti New York, Tiranë. Me një eksperiencë kombëtare e ndërkombëtare si në arsim ashtu edhe në punësim. Ka fituar eksperiencë në nivel të lartë në konsulencë akademike, menaxhim të projekteve dhe burimeve njerëzore si edhe marrëdhëniet publike.Aktiviste  e dalluar në çeshtjet e të drejtave të njeriut, me projekte e vizion bashkëkohor e aksione vepruese.

9.Entela Safeti Kasi – Poete, shkrimtare, përkthyese dhe eseiste. Është autore e disa librave.Për veprën e saj janë shprehur kritikë vendas dhe të huaj.Është vlerësuar në  Finlandë nga Federata Ndërkombëtare e Përkthyesve të Letërsisë, (FIT), për “Përkthim letrar dhe të drejtat e autorit” në vitin 2005.

Është përkthyer në: Maqedonisht, Turqisht, Anglisht, Frëngjisht, Arabisht, dhe është botuar në antologji dhe revista letrare në vende të ndryshme të botës. Ka bashkëpunuar me Universitete te ndryshme në botë, si: Universiteti i Xhorxhias në Shtetet e Bashkuara, Universiteti i Haifas, Izrael, Universiteti i HANKUK, Seul, Univeristeti i Maltepe, Turqi, etj.

Presidente e Qendrës PEN International në Shqipëri, ka marrë mjaft vlerësime dhe çertifikime në fushën e përkthimit, letërsisë, dhe krijimtarisë:

Si përfaqësuese zyrtare në fushën e arsimit: këtë vit në Frankfurt 2013,  në Ceremoninë e çmimeve nga BID Europë, ka marrë – Harku i artë i Europës për 100 kriteret e cilësisë, akorduar Gjimnazit ‘Qemal Stafa, ku është nëndrejtore.

10.Freskida Miloti – Dhe tani do të ftoj Hyrremin shqiptar, por që ka edhe shpirtin e bukur ashtu si pamjen. Freskida Miloti ka lindur në Shkodër ku është spikatur në aktivitet artistike në qytetin e lindjes. së saj. Pasioni për radion nisi qysh në moshën 17-vjeçare në Radio Shkodra e zhvendoset nga Shkodra në Tiranë për të vazhduar rrugën me sukses në Radio Kontak. Punon redaktore e revistës për fëmijë “Pëllumbat”, në Radio Sot (Koha) e me pas ne Radio Tirana. Prezantuese e disa koncerteve me karakter kulturor në shumë qytete të Shqipërisë, I është dhënë “Mirënjohja” nga Fondacioni Arsimor dhe Kulturor i Turqisë “SEMA”. Skenariste, bashkorganizatore dhe prezantuese e koncertit të bamirësisë në Durrës për fëmijët jetim, me pjesëmarrjen e artistëve më të mirë Shqiptarë. Freskida Miloti ka kryer një sërë kualifikimesh/trajnimesh në fushën e gazetarisë nga Radio France International, në fushën e teknologjisë. Pjesëmarrëse në disa Konferenca, Seminare Mbarëkombëtare me fokus arsimin. Redaktore letrare është në proces të Masterit Shkencor si punonjëse në Institutin e Zhvillimit të Arsimit. Është e martuar dhe ka një djalë.

11. Flora Jushi– është zgjedhur Kryetare e këshillit Bashkiak Rubik,  Eshtë kordinatore e rrjetit për barazinë gjinore,  mbështetur nga DLDP( për decentralizimin e pushtetit vendor ). Trajnere për ” Bashkëpunim Ndërkomunal ” nga programi ” Forcimi i Strukturave të Qeverisjes Vendore dhe Rajonale në Shqipëri ” zbatuar nga Këshilli i Evropes me mbështetjen e Agjencisë Zviceriane për Bashkëpunim dhe zhvillim, si dhe pjesë e trajnimeve të shumta për rolin e gruas në vendimmarrje me mbështetjen e OSCE-së, pjesë e shumë projekteve për barazinë gjinore dhe përfshirjen e gruas në politikë.

12. Flamur Celaj, – ka mbaruar studimet në Akademinë e Rendit Publik me mesatare shumë të lartë dhe më pas ka mbaruar studimet për Ekonomi- Biznes. Rreth 15 vjet më parë ka themeluar Kompaninë Aulona Pol në qytetin e Vlorës dhe ka arritur ta konvertojë atë në një kompani Lider në tregun e sigurisë në Shqipëri.
Baba i 2 fëmijve por që nuk do të ndalojë me kaq…, pasi mendon se pasuria më e madhe e njeriut përveç emrit që le pas, janë fëmijët.
Filozofia e Flamurit për një impakt sa më të madh social, nuk ka qenë vetëm hapja e shumë vendeve të punës, por edhe rritja e sigurisë publike n mijra klientet e kompanisë Aulona Pol. Tashmë z. Flamur kërkon të japë kontributin e vet edhe në çeshtjet publike, duke u përfshirë në mënyrë aktive në jetën politike të vendit.

13.Alban Përmeti– studiues i ri i marrëdhënieve ndërkombëtare. Ka rol kyç në Akademinë e Diplomacisë Shqiptare. Pjesëmarrës në dhjetëra konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombëtare. Mbështetës i Federatës së Paqes Universale Shqipëri prej disa vitesh. Gjak i ri për FPU.

14.Margarita Muho ka kryer studimet e larta universitare në degën “Inxhinieri Matematike dhe Informatike“ dhe më pas ka marr titullin Master i Shkencave në të njëjtën fushë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë në vitin 2011. Aktualisht është  specialiste në Sektorin e Metodologjisë së Anketave Sociale, në Institutin e Statistikave. Redaktore shkencore dhe korrektore e Revistës Periodike Shkencore “Global Challenge”, botim i ADSH. Ajo është autore e disa botimeve shkencore dhe pjesëmarrëse në disa  trajnime brenda dhe jashtë vendit.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Keshilli lokal i Paqes, Kozeta Zavalani, zgjedhje

Informojme vatranet: Z. AGIM KARAGJOZI NDODHET NË SPITAL

November 7, 2013 by dgreca

Presdiedenti i Nderit i VATRËS, z. Agim Karagjozi, është shtruar për kurim në  Winthrop University Hospital in Mineola , Long Island, NY. Ditën e Mërkurrë atë e vizituan Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, zv/Kryetari Agim Rexhaj me zonjën Laura, z. Zef Përndocaj – anëtar i Advisory Board dhe editori i Diellit, Dalip Greca.

Gjendja shëndetësore e zotit Karagjozi është stabilizuar dhe shëndeti i tij është në përmirësim e sipër. Përfaqësia e Vatrës qëndroi pranë tij për disa kohë. Në bisedë e sipër, pasi u fol për gjendjen shëndetësore, ai u interesua për komunitetin, përVatrën, Situatën në Shqipëri dhe Kosovë dhe trevat e tjera etnike shqiptare.

Z. Agim Karagjozi, që e la Shqipërinë  në Nëntorin e vitit 1944, kaloi një kalvar të gjatë migrimi në Itali, Turqi, ku kreu dhe studimet per inxhinieri ne Robert  Colege  dhe në vitin 1956 u vendos në SHBA. Ai sapo shkeli në SHBA iu bashkua Vatrës dhe u bë një nga vatranët më të përkushtuar. Kreu shumë detyra në Vatër, kontribuoi pa u kursyer, ishte në krye të komisionit për mbledhjen e fondeve të ndërtesës së Vatrës dhe për meritë të tij Vatra e ka sot një Shtëpi të sajën me tre kate; u zgjodh dy herë nënkryetar i pergjithshem i Vatrës, drejtoi Degën e Nju Jorkut, ndërsa për 18 vjet ishte kryetar i përgjithshëm i Federatës Panshqiptare të Amerikës, VATRA.

Për merita në shërbim të Kombit, Qyteti i lindjes e ka shpallë z. Agim Karagjozi ”Qytetar Nderi të Gjirokastrës”. Ky është një vlerësim i merituar për z. Agim Karagjozi, i cili e ka nderuar qytetin me përkushtimin e tij atdhetar.

Me 28 nentor 2012 z. Karagjozi së bashku me veprimtarë të tjerë nga trojet etnike është nderuar nga Këshilli Bashkiak i New York-ut.

Po ashtu, z. Karagjozi ëshët dekoruar nga Presidenca Shqiptare me Medaljen e Artë të Shqiponjës.

Me 18 mars 2010, Ing. Agim Karagjozi dha dorëheqjen si kryetar i VATRES, për motive shëndetësore. Ky vendim u morë në pëlqim të plotë në një mbledhje ku Këshilli i Vatrës, kishte si qëllim që të diskutonte shtimin e degëve të reja dhe intensifikimin e përpjekjeve për gjallërimin e aktivitetit të Federatës më të vjetër të shqiptarëve, përpara zhvillimit të Kuvendit të ardhshëm.

Shëndeti i z.Karagjozi ka ardhur duke u përmirësuar nga dita në ditë pas shtrimit në spital.

Gjithësesi adresa e spitalit ku është shtruar z. Agim Karagjozi, për të interesuarit, është kjo: 259 1st St, Mineola, NY 11501
Telefoni: (516) 663-0333

 

Filed Under: Kronike Tagged With: agim karagjozi, agim Rexhaj, dalip greca, Gjon Bucaj, Laura, spital, Zef Perndocj

Kol Margjini, martir i shqiptarizmës (16.11.1892-maj1949)

November 7, 2013 by dgreca

Nga Engjell ZERDELIA*/

Profesor  Kol  Margjini, mësues i përkushtuar, drejtues e  organizator  i shquar i arsimit, përkthyes e studiues prodhimtar  në fushën e pedagogjisë, autor tekstesh shkollore dhe didakt i njohur, udhëheqës  politik për  bashkimin kombëtar  të  kombit.

Lindi në Prizren, më 16 nëntor 1892. Mësimet e para  i  mori  në vendlindje, me mësues  Mati Logorecin e kosovarin Lazër Lumezin. Profesionistë  të mirëfilltë e të talentuar, që përçuan dhe thelluan tek Kola edhe më tepër dashurinë  për  Shqipërinë dhe Kosovën, gjë që e trashëgonte  nga vatra e Margjinëve dhe nëpërmjet bisedave që kishtë dëgjuar  nga “Oda e miqëve”, e   cila ka shërbyer si “Akademia e Edukimit   Atdhetar  Shqiptar”

I ati, Gjoni, erdhi në Shkodër, qendra e vilajetit dhe e pasurisë së  madhe  tregtare që  shërbente  si   një urë  lidhëse  ndërmjet  lindjes dhe perëndimit. Shkollën qytetëse dhe pedagogjiken  i  ndoqi   në Vienë të Austrisë me  bursë, që e fitoi  si nxënës  i shkëlqyer  që  ishte përfundoi   për   3  vjet   Institutin  Oriental, Katedrën e Gjuhës Shqipe, të drejtuar   me  kompetencë  shkencore   nga  intelektualë  e  euriditë  shqiptarë  si; profesor   Gjergj Pekmezi  me të   cilin  bisedonin për  zgjimin, përparimin dhe  të  ardhmen    e popullit shqiptar.

Në pushime kthehej në vendlindje dhe u fliste shokëve dhe miqëve, për  kulturën, për shkollën, karakterin dhe krenarinë  nacionale të austriakëve, të   cilët gëzonin dhe festonin  hapur  dhe  kërkonin  me shumë  lulëzim e përparim  kombëtar.  Kola, i diplomuar  me nota  të mira në Vienë të Austrisë, i pajisur me  vrullin  rinor të moshës, me përkushtimin tradicional e atdhetar familjar shqiptar, kthehet në Shkodër  në  vitin 1913 duke  sjellë njohuritë  e thella  të  shkollës, në përvojën e saj, mbresat e korrektësisë   së  krenarisë kombëtare të austriakëve; në këtë frymëzim   emërohet mësues në  shkollën  fillore  të  Shkodrës(atëherë quhej “Shkolla Popullore”), në  një  ndërtesë  në qendër të qytetit, prishur rreth viteve ’60 në  vendin e së   cilës, më 1987 është vendosur  një  pllakë  përkujtimore. Vashdon mësues në profilin  e matematikës, e gjuhës gjermane  në Shkollën Qytetase. Me hapjen e Shkollës  Normale në vitin 1917 ndjehej  nevoja  për  një  profesor  të  tillë, të    përgatitur. Emri i Kol  Margjinit filloi  të  bëhej  i njohur   në  rrethet intelektuale të  vendit  tonë  së  bashku  me   Gaspër Mikelin, Ismail Anamalin e Ndue Palucën, me të  cilët  i    lidhi  një  miqësi e ngushtë gjatë  gjithë  jetës, mori pjesë  në Kongresin  Arsimor të Lushnjës në Gusht të  vitit 1920.

Në protokollin original mbi  mledhjen e parë që u mbajt nga ora 9 paradite të datës 15 Gusht 1920, z. Kol Margjini  nxorri një letër  të Ministrisë  së  Arsimit dhe sipas porosisë  që  kishte  pasur ia dorëzoi me kortezi  misit  më të  moshuar  të  kongresit  zotit Kondili, i   cili e hapi letrën dhe ia dorëzoi përsëri  zotit Margjini që ta lexojë…

Në   Shkodrën  e  kulturës   së  lashtë  tradicionale  puna  e  arsimit  ishte vënë  në  rrugë  të mbarë, ndaj   profesorit   të  etur  për    të  shpërndarë   dije  në   Shqipëri,    i   qante   zemra  të    bëheshin   shumë  Shkodra    anembanë  dhe    mezi   priste   rastin për  të shkuar  vullnetar në përhapjen e mësimit shqip në Kosovë,     ku  serbët  vashdonin  genocidin  e tyre . Viti 1941 e gjen  profesor   në gjimnazin e Prizrenit, ku  shprehet dëshira e madhe për  të ndihmuar  vëllezërit  e  martirizuar   në  përparimin e arsimit .

Shumë shqiptarë e shprehin   këtë dëshirë, por  pesha e profesor  Margjinit  ishte e një rëndësie të veçantë. Propozojmë se ky gjimnaz i ri të marrë  emrin  e  Gjon Buzukut e kështu  u  bë. Me  iniciativën e tij  u   çel kursi  pedagogjik  i Prishtinës. Ai  nga përvoja  e kuptonte  se  pa  përgatitjen e  mësuesve  nuk  mund  të mbahej  në këmbë e  të zgjerohej  në  të gjithë  krahinën e  Kosovës, shkolla  shqipe. Vetëm  po të  lexojmë  raportin që  i dërgon  Ministrisë së Arsimit, bindesh për  seriozitetin e një pune  të  lodhshme  dhe efektive. Ke  se çfarë  mëson për  mënyrën  e organizimit, drejtimit të praktikës pedagogjike. Shumë  prej  ish-kursistëve i  kujtojnë  me nderim  mësimet e tyre. Por  fjala  mësues për Kolën, ishte një  koncept  i gjerë  që do të thonte dhe qytetar e patriot. E kësisoj ai  nuk mund  të rrinte  mënjanë   çështjes  së  shenjtë kombëtare . Më 16 Shtator të vitit 1943 formohet  Lidhja e Dytë e Prizrenit, organizatë politike që synonte  bashkimin  kombëtar. Profesor  Kol  Margjini  menjëherë u zgjodh  në  Komitetin Drejtues e më vonë  nënkryetar  i saj  me  ardhjen e forcave nacionaliste  në Prizren, ai  mban  një fjalim  të gjatë sa të gjithë qytetarët u përlotën  nga  fjala   prekëse e autorit, aq sa dhe gratë  kërkuan  armë për  të luftuar zaptuesit gjermanë  e serbë që po përgatiteshin   të vinin  pas tyre, për  të luftuar krahas  burrave për  mbrojtjen e Shqipërise etnike. Gjatë një inspektimi  shkollor   tek mësuesja   Marie Temali (gruaja e të ndierit Gjon Temalit, pushkatuar në vitin 1951 për’’ bombën’’ në ambasadën  Ruse) kujton : zoti  Margjini , pasi  më dëgjoi disa  orë  mësimi  ndër  lëndë të ndryshme, për  orën e historisë së  Shqipërisë  më  tha : “ … këtë orë do ta  zhvilloj  unë me nxënësit e tu, ishte tema -Lidhja e  Prizrenit. Unë, si  bir Kosove, e  ndjej shumë  rëndësinë e saj.

 

Në mbarim të orës së mësimit  shumica e nxënësve dhe prindërve (ora e fundit e muajit gjithmonë  kishte  takim  me prindër dhe i  ftoi   edhe ata  të     merrnin  pjesë në  mësim) ishin  me sy të përlotur. Ai më shumë  interpretoi  nga shpirti i tij atdhetar, se sa u shpjegoi  mësimin, gjë që  më  sugjestionoi  edhe  mua si mësuese historie, e qe  aq  mbresëlënës, sa që atë orë, nxënësit  kërkonin tua shpjegoja edhe në  orët  e tjera për shkak të përkushtimit e patosit atdhetar  që foli  profesor   Kola . Në vitin 1943 Kola qe nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit që kishte për  pikësynim  bashkimin e Kosovës me  Shqipërinë. Gjatë  kësaj atmosfere  janë bërë disa tubime të popullit  në sheshin kryesor   të qytetit  para se  të  bëhej  mitingu  në  kalanë e Rozafatit. Ka  përshendetur  Kol  Margjini  dhe spikat  fjala e tij …“… në Shkodrën tonë këndojnë  bylbylat, ndërsa   në  Kosovën e robtue  këndojnë qyqet, ne këtë  ditë gëzojmë e dëshpërohemi, këndojmë e psherëtijmë;    çdo gjë sikur  na  asht dyzue  e përgjysmue, mëndja, zemra, shpirti, vetë  trungu  i  Shqipërisë  nanë, por shpresën  ne e kemi  të madhe, siç  thotë  Fishta “Po, por  nesër  me  ndihmë të  zotit do ta bajmë  Shqypnin  të  lirë” . Ago Agaj, personalitet  i  shquar  në  historinë  nacionaliste  gjatë periudhës 1941-1945, ish-prefekt  i  Mitrovicës dhe ministër  i ekonomisë, që pas luftës  jetoi dhe vdiq në Amerikë, në revistën “Zëri  i Prishtinës” shkruan : “Në vjeshtën  1924, në mbarim të udhëtimit  tim të parë  rreth e rrotull, mal më mal, e grykë më grykë të Shqipërisë, dola  në majë  të malit të Pashtrikut, prej  ku  me dylbi  kundrova  me  mall Kosovën. Dashurinë  për  këtë  vend  ma  kishte mbjellë në shpirt, kur  po thuaj  ala fëmijë , Kol  Margjini që m’u  bë vëllai  i madh në Vienë dhe më vonë do të bëhej  profesori-martir i shqiptarizmës  në  Prizren, viktimë  i  sllavoshqiptarizmës. Ai dhe Dervish Hima  më treguan dhe trimëritë e luanit të Dragobisë,  Isa  Boletinit, që atëherë  ishte bërë legjende e gjallë  në tërë evropën”. Në vend të mirënjohjes, arrestohet në Shkodër, në Janar të 1945-ës dhe u dorëzohet  serbomëdhenjve për të mos u kthyer   më  kurrë. Gjykohet  me vdekje, i  falet  jeta duke ia  ndërruar  dënimin me  heqje lirie shumëvjecare. Janë shumë  impresionuese dhe domethënëse  fjalët e vajzës, Antonetës, kur  të atin të  lidhur   me pranga  po e dërgonin  në Tuz  bashkë  me shokë  të   tjerë që  iu drejtua  Kolës: “Bac  për  Shqipni e për  Kosovë, bacë!!”. Vdiq  pas 5 vjetësh, vuajtjesh  në  burgun  famëkeq  të Sremska-Mitrovicës, në Serbi, pa pasur    mundësi  të  ndihmohet prej askujt, larg  familjes  e  të  të  afërmëve, të cilët nuk  e dinë se ku  i  prehen  eshtrat. U shua  për  atë  ideal , për  të cilin  kishte  punuar e luftuar gjithë  jetën, martiri  i shqiptarizmës.

*  Studiues, autor i librit per Kongresin Arsimor te Lushnjes. Pedagog ne Gjimnazi “Jani Nushi” Lushnje(Ne Foto: Engjell Zerdelia)

 

 

 

 

Filed Under: Histori, Kulture

Aparencat dhe të pathënat e një miqësie

November 7, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

100 vjet më parë, në agimet e shekullit të ri, kur Europa po parapërgatitej ethshëm për Luftën e parë, më 7 nëntor 1913, lindi Albert Kamyja, filozofi, shkrimtari, dramaturgu dhe eseisti i madh francez që mori Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1957. Mes formave të shumta të ekzistencializmit, si p.sh njeriu krijues i thelbit, ai mund të konsiderohet me të drejtë babai i një ekzsitencializmi të shekullit të 20-të, jashtë kontureve të atyre të mëprashëm, pra i atij ateist dhe agnostik. Tregimtaria e tij filozofike mori shkas nga konfuzioni i madh ideologjik, filozofik dhe estetik në dekadat e para të shekullit të kaluar dhe pështjellimet ekzistenciale ku lëkundej shoqëria europiane në kufijtë tragjikë midis dy luftrave.

Kamyja i bën analizën e duhur  shoqërisë së asaj kohe dhe gjen tek ajo një koncept tejet absurd të jetës, i pasqyruar tek individi: një njeri absurd në një shoqëri absurde. Absurdi nuk ishte më një kërkim jashtë jetës në rrethanat përjashtuese të ekzistencës, në faktorë të mbinatyrshëm përtej reales, por midis njerëzve, kjo përbën dhe thelbin e filozofisë  së tij, absurdi i njeriut – si gjendje e huaj dhe reale. Miti i Sizifit është ideja kyçe e absurdit të shoqërisë që nuk ka shpëtim, nëse Sizifi lihet i vetëm në sipërmarrjen e tij të pashpresë. Dhe në fakt ai (njeriu) nuk do ta vuante problemit ekzistencial që sipas tij kërkon një zgjidhje dhe për ta zgjidhur duhet gjetur një kurë efikase të cilën ai e shihte vetëm tek solidariteti njerëzor, pasi është i vetmi në gjendje që mund ta prodhojë. Por një shoqëri kapitaliste që bazohet tek paraja, a mund ta themelonte përsëri vetveten dhe të krijonte premisat për një ndryshim? Atëherë ishte tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur që ky parim i natyrshëm dhe i brendshëm i shoqërisë të gjente zbatim. Mjafton vetëm ta përmendim fjalën luftë dhe ia kemi hequr përfundimisht natyrën humane dhe solidare shoqërisë. Kamyja e shihte një fije shprese që e thënë më qartë gjendet vetëm përmes procesit të ndërgjegjësimit, i cili do të na hapte horizonte të reja dhe kjo shihej si një stimul intelektual i rëndësishëm. Mund tw themi se i vetmi qëllim i jetës dhe punës së tij ishte lufta kundër padrejtësive në shoqëri, si dhe shprehja e humanizmit të pakët në të, ai i dënimi me vdekje. Motoja e tij mund të shprehet tek mendimi : “Nëse natyra e dënon njeriun me vdekje, të paktën njeriu të mos e bëjë atë”.

Përballë tij një tjetër gjeni e kishte formuar mendimin filozofik, Jan Pol Sartri, filozof, shkrimtar, kritik letrar dhe dramaturg. Kishin shumë gjëra të përbashkëta për nga profesioni, por krejt të kundërt në mendime, duke filluar nga idetë politike që më vonë u bënë shkas për debatet e tyre tashmë të njohura qw çuan deri nw njw mospajtim tw pwrhershwm. Nëse duam të japim pikëndarjet mes tyre, mjafton të shohim pikëpamjet apo këndvështrimet: Kamyja e shikonte tw realizueshme mundjen e absurdit, duke iu drejtuar revoltës së brendshme dhe solidaritetit, ndërsa Sartri mendonte se gjithçka varet nga njeriu qw wshtw dy herë i lirë : i lirë dhe i lirë në zgjedhjet e veta. Njeriu është e vetmja qënie që i jep kuptim botës dhe mund ta përmirësojë me punën e vet, por pa e mohuar edhe revolucionin. Ndarja e tyre nënkupton më parë një shoqëri, miqësi, takime të shumta dhe përplasje idesh për problemet e mendimeve, pasi nuk mund ta kuptosh atë pa një njohje të mëparshme. Së fundmi u gjend një letër që miku ia drejton mikut, një mesazh tipik i shkurtër mes dy njerëzve që detyrimisht e kërkonin njëri-tjetrin, e frekuentonin njëri-tjetrin, i pabotuar më parë.  Albert Kamyja i shkruante Sartrit një ftesë takimi, si dy njerëz që kishin diçka për të komunikuar, larg koncepteve tw papajtueshwmrisw me kundwrshtarin dhe prej saj shohim se hidhet dritë mbi marrëdhëniet reale mes dy filozofëve. Letra përmban emrin e qytetit dhe këto fjalë hyrëse:

Paris

“I dashuri im Sart (…) më njofto kur të kthehesh dhe do të kalojmë bashkë një mbrëmje të çlirët”.

Kjo letër tepër e vyer, edhe pse kanë kaluar kaq vjet, u gjend midis faqeve të një libri që një koleksionist e bleu nga disa librashitës të Orleansit. Disa autorë që u morën me studime për jetën dhe veprën e tyre kanë shkruar edhe për marrëdhëniet mes tyre, por letra konfirmon se Sartri dhe Kamyja kishin marrëdhënie shumë të mira miqësie. Dorëshkrimi ishte lidhur në vitin 1966 bashkë me bocën, që më pas u botua në 60 kopje nga Sartri, vetëm pak kohë pas vdekjes së Kamysë. Letra nuk ka të dhëna datore, por mendohet se mund t’i përkasë periudhës 1943 – 1948 kur u njohën dhe kur marrëdhëniet e tyre u prishën.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: aparencat dh ete pathenat, Arjan Kallco, e nej miqesie, Kamy

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT