• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2013

STUDIUESJA KOSOVARE NGA UNIVERSITETI I VJENËS NE ARKIVIN E VATRËS PËR STUDIME TË DOKTORATURËS

November 2, 2013 by dgreca

Gjatë muajëve shtator-tetor, studuesja kosovare Resmije Kurbogaj-Ajeti vizitoi disa herë arkivin e Vatrës për qëllime studimore në shërbim të post-doktoraturës. Ajo shoqërohej nga anëtari i këshillit të Vatrës, z. Ramiz Mujaj. Studiuesja u prit nga editori i Gazetës, Dalip Greca, i cili gjatë vizitës së parë i tregoi shkurtazi mysafires historinë e Vatrës, që prej 101 vitesh zhvillon një veprimtari të dendur kombëtare. Po ashtu studiueses iu prazantuan dokumente te Vatrës, eksponate, fotografi dhe vecanërisht ajo u ndal edhe në koleksionet e gazetës Dielli, për të lexuar kronikat e veprimatrive të Vatrës dhe të shqiptarëve të Amerikës në tërësi në mbrojtjen e cështjes së Kosovës.

Zonja Ajeti, la me shkrim në librin e mbresave këto shënime: Fillimisht falenderoj dajën tim Ramiz Mujaj për kontributin e tij 20 e ca vjecar pranë kësaj federate dhe mundësinë e dhënë së bashku me z. Dalip Greca që të vizitoj organizatën më jetëgjatë të emigracionit shqiptare, e cila për shqiptarët këtu është epiqendra e aktiviteteve shqiptare. Eshtë emocion i vecante dhe i papërshkrueshëm për aq kohë sa qëndrova në ato mjedise dhe nga ato që shfletova dhe pashë mbeta e befasuar. Ne arkiv shprehet qartë se Federata Vatra ka një histori të lavdishme shumëvjecare, më e vjetër se edhe vet shteti shqiptar. Këtu gjeta memorien kolektive shqiptare, e cila për mua paraqet një pasuri kombëtare. Duhen falenderuar të gjitha ata breza që bënë punë të palodhshme për të grumbulluar dhe ruajtur gjithë këtë thasar, që mbanë brenda vetes Vatra, duhen falenderuar për punën e tyre që bëjnë jo vetëm në aspektin politik por edhe për arsimin dhe kulturën shqiptare.

Puna dhe angazhimi i diasporës tonë në SHBA, e cila faktohet përmes këtyre materialve të ruajtur tek Federata Vatra paraqet një nga dritaret e të kuptuarit dhe të studimit tim mbi rolin e diplomacisë amerikane në raport me angazhimin e saj ndaj çështjes së Kosovës”.

 

KUSH ËSHTË ZONJA AJETI?

 

Pas mbarimit të studimeve Bachelor në Shkenca Politike pranë Universitetit të Prishtinës Znj. Resmije Kurbogaj-Ajeti vendosi që studimet për Master t’i vazhdojë jashtë vendit. Me ç’rast zgjodhi Universitetin e Vjenës në Austri, si vendin më të përshtatshëm për të thelluar studimet po në të njëjtën fushë, si dhe një mundësi e re për ta mësuar edhe gjuhën gjermane. Në vitin 2012 pranë Institutit të Shkencave Politke të Universitetit të Vjenës Znj. Kurbogaj-Ajeti u diplomua në mastër në dy specializime a) Unioni Evropian dhe Europianizimi dhe b) Veprimtaria Shtetërore Analiza Politike dhe Qeveritare. Paralelisht me studimet dhe në të njëjtën ekuvalencë me specializimet e saja, ajo ka kryer edhe  studime në Vjenë, ndër të cilat edhe ka marrë diplomën si EU-Ekspertë nga CIFE (Centre International de Formation Européenne), si një nga institutet më të njohura për studime evropiane.

Znj. Kurbogaj-Ajeti momentalisht vazhdon studimet në doktoraturë, sërish pranë Universitetit të Vjenës, ku temë studimi ka zgjedhur: „Roli i Diplomacisë Amerikane në Kosovë 1989-2008“. Për të bërë një studim të mirëfillt të cfarëdo lloj fushë nevojitet një hulumtim i dokumentacionit dhe arkivave të institucioneve të ndryshme, si dhe mbledhja e materialeve të nevojshme mbi temën në fjalë. Pikërisht për këtë çështje Znj. Kurbogaj-Ajeti ka ardhur në SHBA.

 

PAK FJALË PËR LIBRIN, KU ZONJA AJETI ËSHTË BASHKËAUTORE

 

Roli i Politikës së Jashtme të Unionit Evropian në Kosovë (1989-2010)

Roli i Unionit Evropian (UE) në Kosovë është një nga temat më pak të hulumtuara deri më tani në aspektin shkencor. Është vështirë të gjesh ndonjë punim shkencor, i cili merret me këtë tematikë, qoftë në gjuhën shqipe apo angleze.

Libri “Roli i Politikës së Jashtme të Unionit Evropian në Kosovë (1989-2010)” i dy politologëve nga Kosova, Faruk Ajeti dhe Resmije Kurbogaj-Ajeti, është një studim voluminoz mbi angazhimin e UE-së në Kosovë. Libri në fjalë është një hulumtim intensiv 18 mujor në Institutin e Shkencave Politike në Universitetin e Vjenës. Ky libër analizon në mënyrë mjaft kompetente fushën në fjalë, bazuar në hulumtimin e literaturës dhe dokumenteve të UE-së mbi Kosovën. Përpos literaturës kompetente, autorët kanë zhvilluar edhe dhjetë intervista me personalitete të ndryshme, të cilët janë marrë me angazhimin e UE-së në Kosovë ose me çështjen e Kosovës apo të cilët, që nga viti 1989 deri në 2010 kanë qenë bartës të disa proceseve dhe funksioneve me rëndësi si Ambasadori i Austrisë në Serbi dhe ish i dërguari i UE-së për çështjen e Kosovës, Ëolfgang Petritsch, zëvendësi i presidentit Ahtisaarit në bisedimet e Vjenës, diplomati austriak Albert Rohan dhe diplomati tjetër austriak Stefan Lehne. Ndërsa, nga pala kosovarë janë intervistuar po ashtu personalitete të veçanta, të cilët kanë qenë bartës të zhvillimeve të ndryshme në Kosovë, si: Azem Vllasi, Kaqusha Jashari, akademik Rexhep Qosja, ish kryeministrat dr. Bujar Bukoshi dhe dr. Bajram Kosumi, prof. dr. Enver Hasani dhe Ambasadori i Kosovës në Austri dr. Sabri Kiqmari.

Dy autorët e shikojnë me të drejtë politikën e UE-së në Kosovë si një nga me të rëndësishmet apo vendimtaret. Me miratimin e Traktatit të Maastricht-it të vitit 1993 u institucionalizua për herë të parë fusha e politikës së jashtme të UE-së, e quajtur si shtylla e dytë e UE-së. Dihet botërisht që kjo fushë akoma nuk është kompetencë e Brukselit dhe për këtë vendosin shtetet anëtare. Andaj, në relacion me këtë, pra duke e krahasuar evoluimin e politikës së jashtme të UE-së në njërën anë dhe zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë në anën tjetër, dy politologët analizojnë në mënyrë komparative këto procese, duke i përballur njëra me tjetrën.

Fokusi i analizës studimore të librit fillon me heqjen e autonomisë së Kosovës në mars të vitit 1989, konkretisht më miratimin e rezolutës së parë të Parlamentit Evropian mbi çështjen e Kosovës së datës 13 prill 1989, fazë e cila në arenën ndërkombëtare qe sfidë e veçantë, ku fokusi i bashkësisë ndërkombëtare nuk ishte në zhvillimet në Jugosllavi, por në rënien e Murit të Berlinit dhe shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik. Megjithëkëtë, dy autorët kanë hulumtuar edhe dokumentet e para të miratuara nga Parlamenti Evropian, ku me anë të rezolutave kanë shprehur shqetësimet e tyre për gjendjen e rendë në Kosovë dhe vazhdimisht kanë bërë thirrje për përmirësimin e gjendjes në Kosovë. Në bazë të dokumenteve të gjetura faktohet qartë angazhimi i vazhdueshëm i UE-së në raport me gjendjen në Kosovë.

Kosova është vendi i fundit që u bë e pavarur pas shembjes së Jugosllavisë. Krahasuar me republikat e tjera jugosllave, procesi i pavarësisë së Kosovës zgjati më gjatë. Shkatërrimi i Jugosllavisë mbaron aty ku u nisë: në Kosovë. Që nga viti 1990, UE-ja ka qenë politikisht dhe ekonomikisht gjithnjë e më e pranishme në rajonin e Ballkanit. Në fillim, në periudhën e ashtuquajtur të pasivitetit 1989-1995 dhe në dy vitet e para pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, UE-së i mungonte dinamizmi dhe vullneti për t’u marrë me çështjen e Kosovës. Faza e tretë 1998-1999 u karakterizua nga një përfshirje gjithnjë e më aktiv të UE-së në bashkëpunim me aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Faza e katërt 1999-2010 u shënua me marrjen e përgjegjësive për procesin e zhvillimit ekonomik dhe procesin integrues të Kosovës si dhe me përgjegjësinë politike gjithnjë në rritje të UE-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Resmije Kurbogaj-Ajeti së bashku me bashkëshortin e sajë bëjnë një elaborim argumentativ edhe mbi pesë vendet e UE-së të cilat akoma hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës. Duke paraqitur argumentet e “mos njohjes” së pavarësisë së Kosovës nga Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro, autorët hedhin dyshime mbi qëndrueshmërinë e këtyre argumenteve, sidomos pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik të vitit 2010 vërtetoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në harmoni të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Përpos, kësaj këto shtete me qëndrime të tyre arrijnë të pengojnë unitetin e UE-së, gjë që rezulton në uljen e prestigjit të saj në botë. UE-ja deri më tani është kritikuar me të drejtë për mos efikasitetin dhe pa aftësinë e saj në fushën e politikës së jashtme, e cila deri më tani nuk qe në gjendje që të paktën problemet në “oborrin e vet” (si në Bosnje apo Kosovë) ti zgjedh pa ndihmën dhe ndërhyrjen amerikane. Dhe për të qenë e gatshme të zgjidh çështje të tilla komplekse, UE-ja fillimisht duhet të zhvilloj edhe mekanizmat ushtarak, si komponent me rëndësi i efikasitetit në politikë të jashtme, por edhe shtetet anëtare të UE-së duhet të shmangin interesat e tyre vetanake dhe të koncentrohen në interesin e përbashkët evropian, e cila jo domosdoshmërisht mund të përkthehet në bartjen e sovranitetit të tyre drejt Brukselit.

Ky libër është një udhërrëfyes i mirë i kontakteve të para të udhëheqësisë së Kosovës me UE-në që nga viti 1989 deri më 2010, e sidomos atyre pas 10 qershorit të vitit 1999, fazë e cila karakterizohet me rritjen e rolit të UE-së në Kosovë. Të gjitha proceset e rëndësishme politike dhe ekonomike në mes të Kosovës dhe UE-së lexuesi mund t’i gjejë në këtë libër. Edhe pse libri për momentin është vetëm në gjuhen gjermane pritet që gjatë fillim vitit tjetër të jetë i gatshëm edhe për lexuesit shqiptarë.

E veçanta e këtij libri për studiuesit mund të paraqesin edhe intervistat me ish të dërguarin e UE-së për Kosovën, Ambasadorin Wolfgang Petrisch (e cila është botuar si shtojcë e librit), i cili si person i angazhuar direkt në kontaktet e para me UÇK-në dhe në bisedimet e Rambujes dhe Parisit ofron informacionet nga dora e parë dhe dëshmitë e pathëna deri më tani për çështjen e Kosovës. Edhe intervista me juristin e njohur nga Kosova, tani kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. Dr. Enver Hasani mund të gjendet si shtojcë e librit.

Faruk Ajeti dhe Resmije Kurbogaj-Ajeti janë deri më tani studentët e vetëm shqiptarë në Universitetin e Vjenës, tema e masterit të të cilëve është botuar libër nga Instituti i Shkencave Politik të Universitetit të Vjenës. Ky botim i Institutit udhëhiqet nga dy profesorët dhe politologët e njohur austriakë Helmut Kramer dhe Eva Kreisky. Dy parathëniet e librit janë shkruar nga mentori i dy politologëve Prof. Dr. Helmut Kramer dhe Ambasadori Wolfgang Petritsch.(DIELLI)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Resmije Kurbogaj-Ajeti, Studdjusja, Universiteti i Vienes, Vatra

KRYENGRITJA E RESNJES DHE KUVENDI I FERIZAJT 1908

November 2, 2013 by dgreca

NGA PROF. DR. VEBI XHEMAILI/

Zgjerimi  i lëvizjes patriotike shqiptare pas periudhës së Lidhjes së Prizrenit shtronte përpara veprimtarëve nevojën e domosdoshme të luftës për autonomi. Ndërsa, në anën tjetër, këtë lëvizje do ta përforconte lëvizja kulturore-arsimore që duhej shtrirë në tërë Shqipërinë, e cila do të zgjerohej e të vihej mbi një bazë organizative më të mirë, që të plotësonte veprimtarinë politike të filluar nga Lidhja e Parë e Prizrenit deri në fillim të shek XX. Forcat nacionaliste tanimë e kishin të prerë se fati i shqiptarëve ndodhej në tavolinat e shahut të Fuqive të Mëdha. Krerët shqiptarë e kuptuan fortë mirë lojën e ndytë të Fuqive të Mëdha se çfarë operacioni strategjik-ushtarak përgatitej për trevat lindore shqiptare që përbënin Shqipërinë Verilindore, pasi që Fuqitë e Mëdha kërkonin zbatimin e reformave vetëm për  sllavët, ku bënin pjesë bullgarët, maqedonasit dhe serbët, që jetonin së bashku në trojet e Shqipërisë Lindore. Po ashtu, interes të veçantë për këto reforma ka treguar edhe diplomacia serbe.[1] Në atë kohë, kjo pjesë e Shqipërisë ishte e ndarë administrativisht në vilajetin e Kosovës e të Manastirit.[2]

Emisarët xhonturq vepronin sidomos në nxitjen e revoltës së popullatës kundër absolutizmit të Sulltanit dhe për këtë qëllim propagandonin se Sulltani i kishte shitur Austro-Hungarisë pjesë të tokës shqiptare, nëpër të cilën do të kalonte hekurudha e re, që do të vinte nga Novi Pazari në drejtim të Mitrovicës, Ferizajt dhe do të delte në Shkup, për në Selanik. Kjo propagandë antiaustriake mori përmasa të gjëra popullore dhe shkaktoi vëllimin e protestave të përgjithshme që u shndërrua me të shpejtë në një rezistencë mbarëshqiptare. Politika xhonturke arriti të përvetësonte qëndrimin e shqiptarëve dhe t’i fus në pjesëmarrje aktive, që ka qenë faktor vendimtar për suksesin e revolucionit Xhonturk.

Premtimet e turqve të rinj me programin e tyre tërhoqën edhe  popujt e tjerë që kërkonin demokratizimin e Perandorisë. Xhonturqit e dinin se midis krerëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare kishte shumë ithtarë për demokratizimin  e vendit, e në veçanti klasa intelektuale. Prandaj shqiptarët me të madhe pranuan këtë lëvizje, pasi ishin të bindur se do të fitonin të drejtat shoqërore dhe politike drejt avancimit të çështjes shqiptare. Pas kësaj fshiheshin synimet e shqiptarizmit dhe kjo ishte arseja se pse shqiptarët marrin pjesë aktive në këtë lëvizje xhonturke.[3]

Krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ishin të bindur se me reformat e ardhshme që premtonin xhonturqit, shqiptarët do të fitonin autonominë dhe ruajtjen territoriale të Shqipërisë Etnike nga ndonjë agresion i papritur nga jashtë, e në veçanti pas reformave që kërkonte Austro-Hungaria me Rusinë, në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane. Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare ishin të orientuar edhe në luftë kundër forcave të brendshme antikombëtare të klerit, që vepronin në atë kohë në Shqipëri, si ato: katolik-ortodoks dhe ai mysliman, që ishin kundër kërkesave të autonomisë shqiptare”.[4] Kjo shihet më së miri në letrën e Dervish Himës dërguar Temos, në të cilën jep mendimet e Ismail Qemalit lidhur me masat që duhen marrë brenda dhe  jashtë vendit  për të përballuar rrezikun shovinist bullgar mbi trevat shqiptare lindore, rrezik  që po rritej në kuadrin e diskutimit të çështjes maqedonase” [5]

Politika xhonturke mori zhvillim më të hovshëm kur u transferua komiteti i tyre “Bashkim e Progres” në Selanik në vitin 1906, i cili luante rolin e një qendre të përgjithshme në tërë Perandorinë. Ky komitet tani ishte më afër ngjarjeve që zhvilloheshin në pjesën e Rumelisë, ku bënte pjesë edhe Shqipëria Etnike. Tani më propaganda xhonturke ishte shumë më afër shqiptarëve, si bartës të ardhshëm të të gjitha ndryshimeve në Perandori.

Por duhet theksuar se turqit e rinj, në fillim nuk merrnin në konsideratë kërkesat e popujve të shtypur për autonomi të tyre. Nuk pranonin çështjen nacionale të popujve të tjerë, që ishte problem thelbësor në përbërjen e Perandorisë. Synimi kryesor i politikës së tyre ishte centralizimi i pushtetit në dëm të popujve jo turq. Krerët e shqiptarizmit, me këtë rast, i afronte për bashkëpunim vetëm lufta kundër absolutizmit të sulltan Hamitit, ku pas kësaj fshihej synimi i krerëve shqiptarë në luftë për autonominë e tyre, që njëherë e përgjithmonë të shkëputeshin nga robëria shekullore turke. Ndër të parët në këtë lëvizje xhonturke, bënte pjesë vetë themeluesi Ibrahim Temo, me disa veprimtarë, si: Dervish Hima, Ismail Qemali, Hamdi Ohri, Kadri Prishtina, Jashar Erebara nga Dibra dhe mjaft atdhetarë të tjerë që vepronin brenda atdheut dhe jashtë tij.

Në Kongresin II që u mbajt po ashtu në Paris, në dhjetor të vitit 1907, pra pas pesë viteve nga Kongresi i mbajtur në vitin 1902, xhonturqit më në fund pranuan të përdorin forcën, duke shtyrë në kryengritje  të armatosur të gjithë popujt e pakënaqur, si mjet të luftës kundër absolutizmit të Sulltan Hamitit dhe për të rivendosur kushtetutën e vitit 1876, të bindur se me këtë kushtetutë do të siguronin qëndrueshmërinë e Perandorisë Osmane ndaj ndërhyrjes së huaj. Kjo temë u  bisedua edhe në kongresin që mbajtën xhonturqit në Paris  më 20.02. 1902, ku  nga krerët shqiptarë morën pjesë: Dervish Hima, i cili në atë kohë ndodhej në Romë, Ismail Qemail, mori pjesë nga Brukseli, Jashar Erebera, u dërgua nga studentët shqiptarë të Bukureshtit,[6] Kadri Prishtina, shkoi nga Kajro, njëherësh ishte edhe nënkryetar i Partisë “Bashkim e Progres”.[7]

Ismail Qemali, si anëtar i këtij Komiteti, paraqiti kumtesën e tij: “Lufta për mbrojtjen e pakicave kombëtare”, por nuk përmendi fare mbrojtjen e Shqipërisë Etnike.[8] Pasi mbaroi Kongresi, Ismail Qemali, në një takim që pati me Dervish Himën, para se të nisej për në Bruksel, i dha një porosi Himës, që duhej të kthehej në Shqipëri, për ta organizuar popullin. Ai midis tjerash tha: “Kur bullgarët nesër të bëjnë demarshet e tyre pranë Fuqive të Mëdha,  shqiptarët të parët duhet t’u venë atyre gardhin më të madh të kundërshtimit”.[9]  

Komiteti xhonturk pasi u vendos në Selanik, në vitin 1906-1907, u shpërngul edhe qendra e Komitetit Qendror të Partisë “Bashkim dhe Progres”. Qysh nga kjo kohë ka vepruar në Strugë dhe Elbasan dhe ka pasur bërthama ose degë të kësaj shoqërie. Në Shqipëri vepronin Dervish Hima dhe Hamdi Ohri, etj.,  përmes të cilëve dega e Kostancës, e drejtuar nga Temoja, mbante lidhje me Manastirin, Strugën, Elbasanin, Dibrën, Shkodrën, Tiranën, Durrësin, Ohrin, Korçën, Starovën, Beratin, Janinën dhe me qendra të tjera.[10]

Gjatë vitit 1908,  në katër vilajetet e Shqipërisë u themeluan komitete të fshehta kombëtare për lirinë e Shqipërisë, si: në Shkup, Manastir, Ohër, Prespë, Strugë, Gjirokastër, Shkodër, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë e tjerë. Me këtë rast paralelisht u formuan edhe komitete  të xhonturqve “Bashkim e Progres”, ku krahas turqve në këto komitete hynë edhe shumë oficerë dhe intelektualë  shqiptarë si: Ibrahim Temo,  Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi bej Ohri, Nexhib bej Draga, Shahin Kolonja, Rexhep Voka Tetova e të tjerë.[11] Politika xhonturke  e pati suksesin më të madh midis reparteve ushtarake, në veçanti me të madhe u përkrahën nga oficerët dhe ushtarët shqiptarë. Me këtë rast, shumica e ushtarëve shqiptarë të garnizonit të Shkupit, përkrahu lëvizjen xhonturke. Kështu ndodhi edhe me garnizonin e Shkodrës.

Xhonturqit, duke qenë të bindur se Turqia evropiane ndodhej në rrezik dhe një ditë mund të shkëputej nga qendra e Stambollit me ndërhyrjen e ndonjë fuqie të huaj, u bënë thirrje shqiptarëve dhe nacionaliteteve të tjera të shtypura, për një kryengritje të përbashkët të armatosur. Ky deklarim i tyre për dhënien e lirisë, barazisë dhe drejtësisë,  fitoi simpatinë e popujve të shtypur, e në veçanti morën përkrahjen e fuqishme të krerëve dhe popullit shqiptar.

NIJAZI BEJ RESNJA UDHËHEQËS I REVOLUCIONIT

Një ndër udhëheqësit kryesorë të revolucionit të Turqve të Rinj në Manastir me rrethinë, ishte edhe shqiptari Amed Nijazi Beu, i lindur në Resnjë, në vitin 1883.[12] Ky doli në mal, me një çetë prej 50 pjesëmarrësish dhe  ushtarësh të tij. Por sipas burimeve më të reja kapiteni i ushtrisë turke dhe komandanti i batalionit të Resnjes Nijazi Resna, doli në mal me batalionin e tij të përbërë nga 200 ushtarë, oficerë dhe disa civilë shqiptarë, pasi shumica nga ata vullnetarë ishin të veshur me tesha kombëtare shqiptare. Nijazi Resnja, doli në mal që të luftonte për rivendosjen e kushtetutës të vitit 1876, për heqjen e absolutizmit të sulltanit, për bashkimin e të gjithë nacionaliteteve të Perandorisë pa dallim feje e kombësie, nën parullën osmanizmit, ide e cila duhej ti përfshinte dhe ti bashkonte të gjithë nën flamurin e osmanizmit V.Xh).

Prandaj, në këtë revolucion shqiptarët u inkuadruan me të madhe, pasi ishin të bindur se me rrëzimin e Sulltan Hamitit do të ketë më shumë liri për të gjithë shtetasit e Perandorisë Osmane. Kësaj radhe, kryengritja filloi në Vilajetin e Manastirit, kur oficeri Nijazi Beu me lejen Komitetit qarkor të klubit “Bashkim e Progres” (Ittihad dhe terakki), vendosi të largohej nga repartet e Armatës III, me seli në Manastir, ku komandonte Ismail Pasha.[13] Me këtë rast, sipas marrëveshjes së mëparshme në shtëpinë e Haxhi Agës, midis kryetarit të komunës Xhemat Beut, majorit  të shtabit, Remzi Beut dhe komisarit politik të policisë, që kryengritja të fillojë në datën e caktuar, pra më 3 korrik, në Resnjë.[14]

Nijazi Beu doli në mal ditën e premte, më 3 korrik 1908, sipas marrëveshjes paraprake. Kjo datë merret edhe si fillim i kryengritjes në Vilajetin e Manastirit, më konkretisht në Resnjë shpërtheu kryengritja e  repartit  ushtarak të  Korparmatës III, nën komandën e oficerit shqiptar Ahmet Nijazi beut. Sipas deklaratave të Nijazi Beut, “Kryengritja në fillim u përkrah nga fshatarësia shqiptare e rretheve të Resnjës, Ohrit, Starovës, Elbasanit, Korçës dhe të Dibrës”. Në këto rrethe u formuan njësite vullnetare të armatosura dhe u hodhën në luftë kundër pushtetit autokratik të Sulltanit.[15] Ndër çetat më të njohura ishin: Osman Efendiut nga Prespa, e kapiten Zenunit nga Dibra, Kurtish Novosllës dhe ajo e Emin Pisoçanit, të cilët kishin nga 30 vullnetarë shqiptarë. Sot fshati Pesoçan nuk ka asnjë banorë shqiptarë.[16]

Në një tubim të tillë të mbajtur në fshatin Llabunishtë të Strugës, para popullit të grumbulluar të këtij fshati, ai përveç tjerash  tha edhe këto fjalë: ”Erdhëm që t’u ftojmë në luftën e shenjtë për të mirën dhe fatin e atdheut tonë, i cili ishte zhytur në robëri të rëndë. Çfarë bëjmë tani? Shtëpitë tona digjen në flakë. Tymi na e zë fytin, zjarri na djeg  e ne presim të bjerë kulmi i shtëpisë e të na zhdukë  nga faqja e dheut…Kudo çeta komitësh, luftë, gjak dhe pjesë të këputura nga trupi i fëmijëve  tanë. Serbët thonë se ky është atdheu i tyre, bullgarët kërkojnë: Ohrin, Dibrën, Shkupin, Selanikun, grekët; Manastirin, Prilepin,  Stambollin gjerë në Ankara. Por, mos  harroni: Shkodra dhe Janina, Novi Pazari dhe Prishtina, Shkupi dhe Velesi, të gjitha këto vise janë tonat. Ne duhet të zgjohemi patjetër nëse kjo fatkeqësi nuk pengohet, atdheun tonë do na e copëtojnë  armiqtë dhe do të hakmerren keq me ne. Do të na vënë në kokë kësula serbe, do të na i grisin mbulesat tona, do të na përdhunojnë  gratë dhe motrat tona. Neve do të fitojmë nëse e japim besën se do të luftojmë gjer në pikën e fundit të gjakut. Më mirë të vdesim me nderë sesa gjallë me turp”. Ky u pritë si çlirues në të gjitha këto troje shqiptare, deri në Dibër.[17]

Meqë termi “Maqedoni” dhe e ashtuquajtura çështje “maqedonase”, u imponuan në mënyrë arbitrare në qarqet diplomatike, pa u marrë në konsideratë realitetet historike dhe etnografike, cenonte rëndë edhe tërësinë gjeografike dhe etnike të Shqipërisë, kufiri i së cilës në lindje shtrihej  midis Shkupit e Velesit, mali Mokrino-fshati Barabaras në lindje të Makedonski Brodit, ndërmjet fshatrave Deviç dhe Ropotovë-fshati Sopot në juglindje të Kërçovës, i zhdukur në vitin 1913 nga forcat pushtuese serbe, vazhdonte ndërmjet fshatrave Vraneshnicë, Kërçovë dhe Dolencë, Demir-Hisar, Gjavatë, ndërmjet Manastirit e Resnjës dhe vazhdonte përmes Pelisterit.[18]  Shtrirja gjeografike e “Maqedonisë”, në kuptimin e saj më të gjerë, deri-diku përplasej me kufijtë e gjerë të Shqipërisë, konstaton edhe K. Pavlloviq.[19] Prandaj edhe termi “Maqedoni” ishte i pa pranueshëm për Perandorinë Osmane, kur dihet se administrata osmane gjatë gjithë sundimit të saj në këto territore, fare nuk njihte termin-emërtimin Maqedoni. Po ky  ishte i papranueshëm me atë domethënie edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, për shkak të motiveve ekspansioniste që promovoheshin me atë emërtim apo nocion  ndaj tokave shqiptare, përkatësisht Shqipërisë Lindore.[20]

Urrejtja ndaj absolutizmit të Sulltan Abdylhamidit II, gjithnjë e më tepër po rritej, pasi ai po bënte lëshime shumë të mëdha Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Nga këto rrethana, Manastiri me rrethinë ishte çuar në këmbë dhe kërkonte ndryshime. Stambolli urdhëroi Shemsi Pashën që të nisej nga Kosova, për të qetësuar Manastirin e trazuar, deri sa të arrinin përforcime të reja nga Stambolli.  Ky  më 3 korrik arriti në Ferizaj, por nuk u ndal që t’i bindej Mytesarifit të Prishtinës, për ngjarjet e  Ferizajt, por me të shpejtë u nis për në Prizren, për të qetësuar shqiptarët lidhur me ngatërresat që kishin lindur me rastin e hedhjes së kokave të derrit në Xhaminë e Sinan Pashës.  Në këtë kohë, Shemsi Pasha ishte gjenerali më i besuar i Sulltanit, ky ishte shqiptar nga Rozhaji, njëherësh edhe kundërshtar i madh i lëvizjes xhonturke, njëherit edhe mik i Isa Boletinit. Të cilët më vonë për këtë arsye e vranë Nijazi Beun kur kishte hipur në vapor në limanin e  Vlorës për të shkuar në Stamboll në v. 1914. V.Xh).

Ky me 20 batalione nga territori i Kosovës,  u  nisë për në Manastir. Shemsi Pasha, njiherësh njihej edhe si specialist për shtypjen e revoltave kundrejt shqiptarëve. Ky më parë ka shërbyer edhe si komandant i Divizionit ushtarak të Mitrovicës, së bashku me Sylejman Kylçen nga Tetova, i cili ka qenë adjutant i komandantëve të divizionit ushtarak të nizamëve në Mitrovicë dhe pjesëmarrës direkt në  lëvizjen xhonturke.[21] Shemsi Pasha,  posa arriti në Manastir, mori masa të ashpra disiplinore kundër të gjithëve që favorizonin lëvizjen xhonturke, ku bartës kryesor të kësaj kryengritje ishin vetë shqiptarët me oficerët e tyre.  Ky filloi të tregojë forcën e tij, duke thënë se do t’i nënshtrojë në zjarr e hekur Resnjën, Ohrin, Prespën, Korçën, Elbasanin dhe Dibrën. Pas kësaj propagande kundër tij, në Manastir oficerët xhonturq  së bashku me komitetin e tyre, përgatitën  atentat, ndërsa ky u vra nga dora e togerit Atif Bigali, në dalje të gjeneralit  nga posta, në mëngjesin e 7 korrikut, ku gjenerali me telegram e kishte njoftuar sulltanin, për masat që do të ndërmerrte kundër rebelëve ushtarakë.[22] Mendohet se atentatori Atif Beu, të ketë qenë nga treshet e Komitetit të Fshehtë për çlirimin e Shqipërisë, të themeluar në Manastir në vitin 1905. Pasi njeri nga mbrojtësit e gjeneralit, Haxhi Rifat Aga, po ashtu kishte lidhje të ngushta me Nijazi Resnjën para arratisjes së tij. V.Xh). Kjo vërtetohet në mbrojtje të gjeneralit,  pasi në rastin kritik  trup mbrojtësit e tij nuk gjuanin në atentatorin, por në ajër, përderisa në fund ai plagosë vetëm në këmbë, duke arritur të arratiset dhe të shërohet në Ohër. Kjo flet qartë për një koordinim të ngushtë të veprimeve midis anëtarëve të Komitetit “Bashkim e Progres” dhe Komitetit të Fshehtë Shqiptar për çlirimin e Shqipërisë, në luftë për mposhtjen e absolutizmit të Sulltan Abdylhamitit.

Kjo njëherësh ishte edhe fillimi i lëvizjes për autonomi në mbarë trevat shqiptare, ku me të madhe do të përfshinte Vilajetin e Manastirit deri në Dibër, pastaj do të shtrihej  në drejtim të Tetovës, Gostivarit deri në Shkup.[23] Për këtë ngjarje të rëndësishme, menjëherë më 4 korrik të vitit 1908, konsullata serbe në Shkup lajmëronte për kryengritjen dhe pa dëgjueshmërinë e ushtarëve dhe redifëve shqiptarë, për dezertimin e tyre nga kazermat  turke. Po ashtu, edhe oficerët shqiptarë kërkonin në të shumtën e rasteve nëpër mitingje, që të mbrohet çështja shqiptare. Ditët e para të korrikut, kasnecët përhapën lajmin mbi marshimin e ushtrisë austro-hungareze drejt Kosovës, kështu që në katër anët u lëshua kushtrimi kinse për mbrojtjen e  kufijve. Kjo propagandë turke si duket nuk pati sukses, për të çorientuar shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre. V.Xh).

Në të njëjtën kohë, pra vetëm dy dytë pas kryengritjes së Resnjës, më 5 korrik  1908,  krerët e Prishtinës, Mitrovicës dhe Gjakovës u tubuan në Ferizaj, i njohur në historinë tonë kombëtare si Kuvendi i Ferizajt, që pati jehonë dhe rezultate të jashtëzakonshme. Shkas për këtë kuvend ishte lajmi se janë duke ardhur nxënësit e gjimnazit, me personelin e konsullatës  austro-hungareze dhe pjesëtarë të tjerë të grupit inxhinieringut  nga Selaniku e Shkupi,  për të vizituar kinse qytetin e Ferizajt, pasi që në atë kohë ishin përhapur zërat se njësite ushtarake austro-hungareze mbaheshin në gjendje gatishmërie në kufij me Bosnjën.

Pas tre javëve të kryengritjes, Nijazi beu kontrollonte Prespën, Strugën, Resnjën dhe Dibrën. Çdo kund ky i largoi nëpunësit turq dhe tagrambledhësit, duke emëruar njerëz të revolucionit. Më 22 korrik, kryengritësit e rrethojnë Manastirin, të nesërmen sëbashku me çetën e oficerit nga Ohri Ejup Sabriut, ky më vonë mori pjesë në Kongresin e Dibrës dhe të Manastirit,[24] Këta si udhëheqës të revolucionit xhonturk, hynë në Manastir dhe i lëshuan të gjithë të Burgosurit.[25]

Shqiptarët e moshës madhore, sa u përhap ky lajm, me të shpejtë rrokën armët dhe u grumbulluan në drejtim të Ferizajt. Në këtë Kuvend morën pjesë, sipas të dhënave serbe, mbi 15 mijë shqiptarë nga kazaja e Gjilanit, Preshevës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës dhe regjioneve të tjera të Kosovës.[26] Ky kuvend zgjati deri më 23 korrik 1908, në të cilin u zhvilluan diskutime rreth shumë çështjeve aktuale të ditës, madje edhe rreth miratimit të dokumentit në formë memorandumi, i përbërë prej 8 pikash.[27]

KUVENDI FERIZAJIT

Siç pamë më lart, Kuvendi i Ferizajt filloi tubimin e tij më 5 korrik,  konsultimet mbaheshin në xhaminë më të bukur të Ferizajt, në “Hamidije”.  Sipas raporteve të konsujve të huaj për këtë tubim, thuhej “se qëllimet janë të errëta”. Në radhë të parë pengoheshin projektet e Austro-Hungarisë drejt Shkupit dhe Selanikut. Prandaj, diplomacia Austro-Hungareze, në këtë kohë bëri shumë zhurmë, trajtoi tubimin nga këndi i vet, duke aluduar  “se ky tubim duhet të jetë tubuar në radhë të parë kundra Austrisë dhe trimave të Orientit”, në radhë të dytë kundra myshirit Ismail Pasha, i cili së bashku me mydyrin e Ferizajt u detyruan të japin dorëheqje nga detyra. Pa marrë parasysh presionet politike, shqiptarët vazhduan të tubohen, ku deri në pjesën e parë të korrikut, numri i tyre arriti mbi 10-15 mijë vetë. Tubimet e përgjithshme  u mbajtën afër Stacionit hekurudhor,  i njohur si vend i kuvendeve shqiptare, të cilët zgjatën deri më 23 korrik të vitit 1908.[28] Kjo prani e madhe e shqiptarëve në këto Kuvende, pa marrë parasysh arsyet, u shfrytëzua nga Komiteti “Bashkim e Progres, me një mjeshtëri dhe zgjuarsi të jashtëzakonshme politike, përkatësisht nga udhëheqësi i xhandarmërisë dhe anëtarit të klubit të xhonturqve, Galip Beu, i cili për herë të parë vizitoi Ferizajn, më 7 korrik, me disa oficerë turq, që ishin të ndihmuar fuqishëm nga Rexhep Hoxhë Tetova dhe Sherif Efendiu. Ky i fundit, për të bindur të pranishmit në tubimet e Ferizajt, disa herë u bëri thirrje pjesëmarrësve përmes Kuranit, që të pranojnë ofertat e  xhonturqve. Për këtë veprim pro, Sherif Efendiu në zgjedhjet e ardhshme parlamentare u nominua deputet. V.Xh).

Në praninë e Galip Beut në Kuvend, krahu xhonturk mori fuqi, tanimë ishin prezentë personalitetet më të shquara të vilajetit, ndërsa më të zëshmit ishin përsëri këto dy figura; Myftiu i ardhshëm i Manastirit, Rexhep Efendiu nga Tetova dhe Sherif Efendiu nga Prizreni.[29] Pastaj radhiteshin paria e Shkupit, në krye me Sahit Hoxhën dhe myftiu i Prishtinës, Xhemail Aga dhe Fuat Pasha.

Po ashtu, në këtë tubim bënin pjesë edhe krahu  luftarak si: Zejnulla Beu i Vushtrrisë me Hasan Prishtinën, nga Jeni Pazari, Murat Beu dhe Osman Pashiq; Sjenica, Ismail Spahoviq dhe Nazif Agai; Mitrovica, Isa Boletini, ky për shkak të vdekjes së vajzës e lëshoi tubimin më herët,  Sulejman Agë Batusha, Qerim Beu, Sali Agai, Ferat bej Draga, Zejnulla Beu,  Qenan Beu dhe Ahmet Agai. Po ashtu, nga Peja ishin: Jahaj Beu, Rasim Aga, Mahmut Beu, Zenjella Beu dhe Qerim beu; nga Budakova, Hasan Hyseni; Gjakova, Qerim Mahmut Begolli, Hasan Efendiu, Iljaz Beu e tjerë. Nga Prizreni ishin Jahja Aga dhe Rasim Agai; nga Luma, Mustaf Lita, Ramdan Zaskoci Sherif Aga dhe Haxhi Rust Kabashi,[30] kurse nga Tetova, pos Rexhep Vokës, merrnin pjesë edhe Emin Beu, Halim bej Deralla, Murat Beu dhe Aqif Pasha, ky i fundit ishte pjesëmarrës edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.[31] Ndërsa gazeta “Kosova”, përmend gabimisht edhe emrin e Mehmet pashë Derrallës.[32] Nga Presheva ka marrë pjesë, Kadri Hasani; nga Gjilani, Idriz Seferi dhe Ramë Abdyli; Nga Tërpeza, Sali Kupina dhe nga Pozharani;  Ramë Topalli, Zeqë Pira dhe Islam Pira, që njihen edhe si organizatorë të këtij Kuvendi.[33]

Ky Kuvend zgjoi interesim të madh tek qarqet diplomatike dhe konsullore të shteteve të mëdha dhe diplomatëve të tyre të akredituar në vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit. Për këtë ngjare ka qenë shumë e interesuar diplomacia austro-hungareze, pasi që në këtë Kuvend shqiptarët u shprehën publikisht kundër politikës austro-hungareze. Shqiptarët në këtë Kuvend shprehën qëndrimin e tyre kundër çdo agresioni të jashtëm, të gatshëm që me armë ta kundërshtojnë çdo sulm nga jashtë, qoftë edhe atë nga dy super fuqitë e kohës ruso-austriake, të cilat në këtë kohë kishin fituar disa koncesione nga vetë Sulltani.  Ky dyshim i shqiptarëve doli shumë i saktë, kur dy muaj më vonë në tetor 1908, austro-hungaria e shpalli aneksimin e Bosnjës.[34] Këtë qëndrim të prerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare do të tentojnë ta përvetësojnë për interesa të veta shtetet e Ballkanit, në radhë të parë Serbia.

Numri i shqiptarëve në Kuvendin e Ferizajt, aty ka kah fundi i muajit korrik arriti mbi 30.000 vetë njoftonte gazeta bullgare “Iskra”,  që botohej në Selanik.[35] Sipas konsujve austro-hungarez, numri i shqiptarëve në këtë Kuvend ka qenë shumë më i madh. Sipas Prohaskës, “në këtë tubim pati mbi 44 mijë vetë”.[36] Nga ky Kuvend; përfaqësues të Mitrovicës, Jeni Pazarit, Prishtinës, Ferizajt, Shkupit, Tetovës, Gostivarit dhe viseve të tjera të vilajetit të Kosovës, i dërguan Sulltanit, më 20 korrik të vitit 1908, një telegram me 180 nënshkrime. Këta përfaqësues të Vilajetit të Kosovës, kërkonin nga sulltan Abdyl Hamidi II, unanimisht hyrijetin (lirinë) dhe rikthimin e Kushtetutës së vitit 1876.[37]

Më 22 korrik, para se të miratohej Itifaknama, Kuvendi i Ferizajt i dërgoi Sarajit të Sulltanit një telegram tjetër, ku thuhej se në rast se nuk shpallej menjëherë Kushtetuta e vitit 1876, populli me armë në dorë do të zbriste drejt Stambollit. Në të vërtetë, organet e pushtetit gati në tërë Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit u paralizuan në të gjitha fushat e jetës politike dhe administrative, ato ishin plotësisht në duar të shqiptarëve, gati më se një muaj të zgjatjes së Kuvendit në Ferizaj, jeta në këto dy vilajete funksiononte bindshëm nën mbikëqyrjen e oficerëve dhe krerëve shqiptarë.[38]

Sulltani, nga kjo situatë e krijuar në Shqipërinë Verilindore, u gjind në një pozitë tejet të vështirë politike, ku masa  prej 30.000 vetash prisnin komandën  në gjendje gatishmërie, për të marshuar drejt Shkupit e Selanikut, për në  Stamboll. Shqiptarët kanë një moral të lartë, nuk plaçkitin, “por kërkojnë pavarësi dhe çlirim kombëtar”.[39] Kjo kërkesë e popullit shqiptar e shqetësoi pamasë jo vetëm sulltanin, por edhe xhonturqit, që kishin nxitur shqiptarët të bashkëpunonin me ta. Më 23 korrik, pa ardhur ende përgjigja nga Stambolli, kryengritësit shqiptarë e shpallën Kushtetutën në Selanik, pastaj e shpallën në Manastir, Shkup, Preshevë, Veles e shumë qendra të tjera shqiptare.[40]

Më 24 korrik, Sulltan Hamiti pranoi dhe shpalli rivendosjen e Kushtetutës, e cila u pritë në mbarë Perandorinë me gëzim të madh  dhe me manifestime të ndryshme. Sipas konsullit Prohasaka: ”Tubimi i shqiptarëve në Ferizaj ishte një nga më të mëdhenjtë që me shekuj nuk mbahej mend”.[41]

Kryengritësit e mbanin të rrethuar Ferizajn 15-23  korrik 1908

Tubimi i Ferizajt u shndërrua në një demonstratë të vërtetë popullore, me të cilin shqiptarët kërkonin kthimin e Kushtetutës të Mithat Pashës, e cila parashihte për popujt e nënshtruar ligjshmërinë, lirinë dhe përparimin e kushteve ekonomike dhe sociale të qytetarëve. Ky tubim i shqiptarëve në Ferizaj i dha fuqi të madhe Lëvizjes Xhonturke drejt grabitjes së pushtetit. Ky Kuvend, pati  rezultate të jashtëzakonshme në favor të Turqve të Rinj, ku rol të rëndësishëm  në mesin e shqiptarëve patën oficerët e lartë shqiptarë që mbanin poste kyçe në Vilajetin e Kosovës, si: Selahedin Beu dhe Galip Beu, të cilët kishin influencë të madhe në kryeqendër të Vilajetit, në Shkup.[42] Nën-komiteti i Shkupit, që midis anëtarëve të vet kishte nënkolonelin Vasi Beu, pastaj Salih Beun, ish-kryetarin e  bashkisë së Shkupit dhe Haxhi Mustafa Hamdiun, që kishin një influencë të madhe, ia doli në krye të bind ata se mjeti më i mirë shërues për nevojat dhe brengat e tyre ndodhej në konvokimin e një mexhlisi nacional, të dërguar prej Ferizajt për në Stamboll, që në emrin  e tyre të siguronte solidaritetin e plotë me Komitetin “Bashkim e Progres”, që ka pasur influencë mbi vendimin e Sulltanit për të akorduar Konstitucionin e dëshiruar. Edhe Ismail Qemali i ka dërguar një telegram përshëndetës, Reshit Pashës, ku solidarizohet me shqiptarët pjesëmarrës në revolucionin xhonturk.[43]

Kuvendi i Ferizajt ka qenë tubimi më i madh i shqiptarëve të Kosovës, që nga periudha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881. Krerët shqiptarë, të shqetësuar për situatën e krijuar politike dhe për të mbrojtur tokat shqiptare nga copëtimi i jashtëm, u ngritën me armë prej rretheve të Manastirit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Prizrenit, Gjakovës, Prishtinës, Vushtrrisë, Gjilanit, Preshevës, Kaçanikut,  Shkupit, Tetovës, Gostivarit etj.[44]

Shqiptarët, të bindur thellë se me shpalljen e parlamentarizmit nën qeverisjen turke, do të plotësohen disa kërkesa jetike të çështjes sonë kombëtare, siç ishte kërkesa për autonomi,  në Kuvendin e Ferizajt pas dy javë kuvendimi, më të zëshëm ishin: fanatikët e Prishtinës, Prizrenit, Tetovës, Shkupit etj, kurse ndikim më të madh në Kuvendin e Ferizajt ka pasur Rexhep Efendi Tetova nga fshati Shipkovicë.[45]

Në Kuvendin e Ferizajt doli fituese rryma e xhonturqve, të udhëhequr nga Galip Beu, anëtar i komitetit “ Bashkim e Progres” në Shkup. Ky me vete kishte   Kryetarin e klubit të Tetovës, Rexhep Hoxhë Vokën dhe Emin Beun e Tetovës, pjesëmarrës i Lidhjes së Prizrenit, të cilët arritën në Ferizaj më 15 korrik.[46] Këta u bashkuan  me përkrahësit e rrymës së konstitucionit  dhe rendit parlamentar, siç ishin: Xhemail agë Prishtina, Xhemil Efendi Prizreni, Sherif Efendi Prizreni dhe Halim bej Derralla. Halimi ishte përkrahës i ideve liberaliste, ku bie ndesh me idetë e babës së tij, Mehmet Derralla, i cili për interesa të tij personale mbante krahun e Sulltanit, edhe pse në këtë kohë ishte i internuar dhe nuk mori pjesë në këtë Kuvend. Ky u lirua  nga internimi një muaj pas ardhjes së xhonturqve në pushtet. V.Xh).[47]

Në këtë Kuvend, anëtarët dhe përkrahësit e ideve xhonturke shfrytëzuan situatën e krijuar, duke ua paraqitur shqiptarëve kushtetutën e re, si të vetmen rrugë për të shpëtuar nga shtypjet, nga ndërhyrjet e huaja dhe nga rreziku i copëtimit të Shqipërisë Etnike. U premtua liria dhe zakonet që përfshinë të drejtën e mbajtjes së armëve, hapjen e shkollave shqipe etj. Këto oferta të programit politik të xhonturqve u pranuan edhe nga Isa Boletini dhe Bajram Curri.[48]

Pra, Kushtetutën e vitit 1876, edhe shqiptarët e konsideronin si përpjekje për forcimin e perandorisë, sepse ajo mbronte edhe tërësinë territoriale të atdheut të tyre. Idetë liberale dhe këmbëngulja e vazhdueshme për zbatimin e reformave, që do ndihmonin përparimin e Perandorisë Osmane, i mbronte edhe Ismail Qemali. Ai do të deklarojë: “Mbështetje në një politikë të hapur me vendet e zhvilluara evropiane dhe sidomos me Anglinë”, të cilën e shihte si një fuqi që kërkonte ta ndihmonte miqësisht Perandorinë, gjatë periudhës së vështirë që po kalonte Turqia. Kjo bindje e Ismail Qemalit, solli si pasojë acarimin e marrëdhënieve të tij me Sulltan Abdyl Hamidin, pasi që Ismail Qemali që në moshë të re bashkëpunoi ngushtë me reformatorin e madh Mit’hat Pashën dhe mori pjesë në hartimin e kushtetutës së parë osmane, shpallur më 1876, ku neni 108 i kësaj kushtetute pranonte që “administrata e krahinave do të kishte si themel parimin e decentralizimit” dhe parashihej krijimi i një vilajeti shqiptar,[49] edhe pse  kushtetuta e cila kishte për qëllim forcimin e Perandorisë Osmane, mbeti e pazbatuar deri në Kuvendin e Ferizajt, më 1908. Sulltan Abdylhamidi e kishte marrë “promemorien” nga burrat e Kuvendit të Ferizajt, më 20 korrik, të lëshuar në emër të shqiptarëve të Kosovës, ku kërkohej rikthimi në fuqi i Kushtetutës së vitit 1876 dhe thirrja e parlamentit. Kjo i kishte shkaktuar Sulltanit  “një goditje të papritur dhe i kishte lënë një përshtypje më të madhe, sesa vërejtjet e të gjithë turqve apo të përfaqësuesve diplomatikë të Evropës”, do të deklarojë  në kujtimet e veta, Ismail Qemali.[50]

Pas tri ditësh, i trembur se ushtria dhe kryengritësit kosovarë mund të hynin në Stamboll, Abdyl Hamiti II  rivendosi Kushtetutën në fuqi, më 23 korrik të vitit 1908.[51] Kthimi i Kushtetutës më së pari u shpall në Manastir dhe Selanik, kurse ky lajm u shpall më 24 korrik edhe në shtyp. Menjëherë pas njohjes së kushtetutës prej Sulltanit, u formua Qeveria e Re, e përbërë prej turqve të rinj. Kjo ringjallje konstitucionale u quajt Hyrijet (Liri), e cila  u prit me gëzim të madh prej shqiptarëve, duke shpresuar se turqit e rinj do ta mbajnë fjalën dhe premtimet e dhëna dhe do t’i rinë besnik kushtetutës. Nëpër të gjitha qytetet e Perandorisë u bënë festime, kurse më të bujshme u bënë në trojet shqiptare të pjesës lindore: në Manastir dhe Shkup. U liruan të burgosurit, u falën të ikurit nëpër male, të cilët u kthyen nëpër shtëpitë e tyre. Në Tetovë, pas leximit të fermanit të sulltanit për amnisti, më 24 korrik pas dite, hyri në qytet çeta e Liman Mustafës, e cila numëronte mbi 150 luftëtarë. Ky njësit kishte marrë pjesë në Kuvendin e Ferizajt, së bashku me vullnetarët e Halim Derrallës. Me këtë rast u mbajt manifestim i madh deri në mëngjes, ku morën pjesë edhe vullnetarët nga rrethina e Gostivarit dhe Luma.[52]

Papritmas, gjatë mbajtjes së manifestimit në sheshin e Tetovës, u përhap lajmi se 4-5 mijë luftëtarë nga Nahija e Lumës, janë vendosur në periferi të Tetovës, rrëzë malit Sharr, dhe kërkojnë sqarim për reformat e reja të shpallura, me pretekst se nuk janë në përputhje me rendin dhe sheriatin. Por, Rexhep Efendi Tetova arriti t’i bindë se çdo gjë është në përputhje me sheriatin, se “s’ka asnjë shkelje të ligjit”, atëherë edhe luftëtarët e Lumës iu bashkuan manifestimit.[53]

Pas rikthimit të jetës parlamentare në Perandorinë Osmane, filloi të ndihet një frymë e re e lirisë. Vetëm disa fanatikë myslimanë, sidomos ata që përfitonin prej regjimit të vjetër, e pritën ftohtë këtë ngjarje të madhe historike, ndërsa Lëvizja Kombëtare Shqiptare i dha mbështetje të fuqishme xhonturqizmit, si Ismail Qemali, Dervish Hima, Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Rexhep Vokë Tetova e shumë të tjerë, të cilët e përkrahën kërkesën e turqve të rinj.[54]

Në Kuvendin e Ferizajt, forcat liberaliste të udhëhequra nga Bajram Curri, dolën fituese ndaj forcave centraliste, që ende në këtë kohë mbanin anën e Sulltanit.[55] Mospajtimet u dukën jo vetëm në radhët e xhonturqve, por edhe ndërmjet tyre dhe shqiptarëve.

 



[1] Gligor Todorovski, Serbija i reformite vo Makedonija, Shkup 1987, f. 199.

[2] Abas Ermenji, Albania, Romë 1988, f. 265.

[3] P. Bartl, vep. e cit. f.154.

[4] Gazeta “Drita”, Sofje, nr. 81 më 15 korrik 1906.

[5] Ismail Qemali, Përmbledhje dokumentesh…, dok. nr. 49. f. 83, më 13 shkurt 1902.

[6] I. Qemali…, Dok. 49, f. 33-34.

[7] Eqber Skendi, Hoxhë Kadriu-(Kadri Prishtina), Prishtinë 1992, f. 13-14.

[8] Ismail Qemali, “Unë fola për pakicat, pasi nuk guxoja ta përmendi Shqipërinë,  por ajo ishte  në zemrën time”.

[9] Ismail Qemali…, dok. 49. f. 83-84.

[10] Pavarësisht peripecive që hoqi Dr. Temo në Strugë në verën e vitit 1889, duke u arrestuar nga agjentët e Stambollit, deri në vitin 1895, në Stamboll u arrestua edhe katër herë të tjera. Në Rumani, agjentët e Stambollit tentuan disa herë ta helmonin. Të dënuarin me burgim të përjetshëm nga Porta e Lartë e Stambollit.

[11] Ismail Qemali, Dok. nr. 82, f. 114.

[12] Manol Pandevski, Politiçkite parti i organizaciji vo Makedonija 1908-1912, Shkup 1965, f. 281.

[13] Ismail Qemali,  Përmbledhje dokumentesh, shih, dok. 82, Raport i Esat Pashës,  dërguar sulltanit, ku njofton për përfundimin e  hetimeve lidhur me pjesëmarrjen e oficerëve në komitetet xhonturke dhe elementët e arratisur,  më 12 korrik 1908. Esat  Pasha, në këtë kohë ishte Gjeneral Divizioni,  ëvendës i mareshalit të Armatës së Tretë perandorake.

[14] Ismet Dërmaku, Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe kolonitë shqiptare të mërgimit në Rumani dhe Bullgari, Prishtinë 1987, f. 340; Reshat Nexhipi, Prespa dhe Manastiri nëpër shekuj, Kërçovë 2003, f. 61; Tajar Tetova është i lindur në Tetovë, me gradë ka qenë oficer ushtarak dhe ka shërbyer në ushtrinë turke. Në fillim ka mbrojtur fuqishëm Perandorinë dhe interesat e saja, por më vonë ka dhënë një kontribut të fuqishëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare edhe në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë.

[15] Historia e popullit shqiptar, II, 2002 Tiranë, f. 374.

[16] Fshatii Pesoçan, ky fshat sot fare nuk ka banorë shqiptarë, pasi u dogj nga ushtria serbe në vitin 1913, ku një pjesë të banorëve të saj i vrau në mënyrë më mizore duke i fut të gjallë në pus pranë fshatit, ndërsa pjesa tjetër u shpërngulën nga dhuna e ushtrisë serbe, pasi akuzoheshin se kishin marrë pjesë aktive në Kryengritjen e Shtatorit, që kishte filluar në Dibër, por më të madhe ishte përhapur në tërë trevat e Shqipërisë Lindore.

[17] Reshat Nexhipi, Prespa dhe Manastiri nëpër shekuj, Kërçovë 2003, f. 60-61.

[18] Halim Purrellku, Aspekte të Kryengritjes së Ilindenit në raport me interesat shqiptare, Çështja e reformave në “tre Vilajetet” (“Maqedoni”), dhe imponimi i të ashtuquajturës “çështja maqedonase”, Seminari i III, Ndërkombëtar i Albanologjisë, në USHT, Tetovë-Shkup 2009, f. 201. 

[19] Stefan K. Pavlloviq, Istorija Balkana, (përkthyer nga serbishtja Çedomir Antiq), KLIO, 2001, f. 247.

[20] Halim Purellku, Aspekte të Kryengritjes së Ilindenit në raport me interesat shqiptare, çështja e reformave në “tre Vilajetet” (“Maqedoni”)…, f. 201. 

[21] Shefqet Pllana, Kuvendi i Ferizajt më 1908, sipas disa bashkëkohësve, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1997, f.101-103.

[22] Raport i konsullit Zambuar në Mitrovicë, Ministrit Erentall në Vjenë, më 8 korrik 1908;  Ali Vishko,  Kongreset e Alfabetit dhe të shkollës shqipe,  Shkup 1992,  f. 27.

[23] Raport i përfaqësuesit serb  Jeliçka nga Shkupi, dërguar Beogradit 27 qershor 1908; HHStA, Pa, ”Mendimi politik”, i Ambasadorit Pallvaçini nga Stambolli, dërguar Vjenës, më 5 maj 1910.

[24] Ejup Sabriu, edhe pse ishte oficer në shërbim të Perandorisë Osmmane, mori pjesë edhe në Kongresin e Dibrës 1909 dhe të Manastirit në v. 1910.

[25] Manol Pandevski, Politiçkite parti i organizaciji vo Makedonija…, f. 26.

[26] Historia e popullit shqiptar II, vep. e cit. f. 375. Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim e bashkim kombëtar, Tetovë 2003, f.

[27] Zhivko Avramovski, Izveshtaji austro-hungarski i konzula u Kosovskoj Mitrovici, Prizrenu i Skoplju, o odborskoj Skupshtini u Ferizoviqu, 5-23 jula, 1908; “Vjetar-Godishnjak”, Arhiva II-III, Prishtinë 1970, f. 320-322.    

[28] Zhviko Avramovski, Raportet e konsujve  austro-hungarezë në Mitrovicë, Prizren për Kuvendin e Shqiptarëve  në Ferizaj, “Përparimi” Prishtinë 1976, f. 581.

[29]Arkivi i Maqedonisë-Shkup, Fond. PP, mikrofilmi 332, raport i konsullit Millan Peqanacit nga Prishtina, më 18 korrik 1908. Zh. Avramovski, Izveshtaji austroungarskih konzula u Kosovskoj Mitrovici, Prizrenu i Skoplju o odborskoj Skupshtini u Ferizoviçu 5-23. jula 1908, “Vjetari”, II-III, Prishtinë  1970, f. 312-314.   

[30] Shefqet  Pllana, “Gjurmime albanologjike”, (seria 26-1996), Prishtinë, 1997, f. 105; Gjyltekin Shehu, “Shqiptarët e Maqedonisë” ,(material i simpoziumit, ngjarjet në vilajetin e Kosovës sipas burimeve franceze, 1908- 1912),  Shkup, 1994. f. 290

[31]Vebi Xhemaili, Pjesëmarrja e shqiptarëve të Pollogut në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, “Fakti”, (fejton), Shkup 2003.

[32]Gazeta “Kosova”, Konstancë, kallnor 1942; Në bazë të dëshmive që kemi, në vitin 1908, Mehmet  pashë Tetova, ka qenë i internuar në Bagdad,  pas mbajtjes së Kuvendit të Ferizajt ai fiton amnistinë  nga Sulltan  Abdylhamiti,  prandaj nuk ka pasur mundësi të marrë pjesë në Kuvendin e Ferizajt. Gazeta “Kosova”, si duket e ka përzier me pjesëmarrjen e djalit të tij Halim bej Derrallën. Poashtu e konsulli francez në Shkup, Pichon, nuk e përmend fare emrin e Mehmet pashë Derrallës.                                                                                     

[33] Historia e popullit shqiptar II…, f. 376.

[34] V. P. Potemkin, Istorija Diplomatije…, f.167.

[35] Dimitar Vllahov, Makedonija i maldoturska revolucija, “Istoriski çasopis”, III, Beograd , f. 35;  Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, Kongresi i Manastirit,Tiranë 2004, f. 52; Gazeta ”Iskra”, Selanik, viti 1908.

[36]Zhviko Avramovski, Raportet e konsujve  austro-hungarezë në Mitrovicë, Prizren për Kuvendin e Shqiptarëve  në Ferizaj, “Përparimi” Prishtinë 1976, f. 581-582.

[37] Zivko Avramovski, Izveshtaji austroungarskih konzulla u Kosovskoj Mitrovici, Prizrenu i Skoplju o odborskoj Skupshtini u Ferizoviçu 5-23. jula 1908. “Godishnjak”, II-III, Ahriv Koosva , Prishtinë 1970. f. 312-314. Kjo kushtetutë ishte përgatitur nga Mithat Pasha.

[38] Zhivko Avramovski, Raportet e konsujve austro-hungarezë në Mitrovicë, Prizren e Shkup, për Kuvendin e Shqiptarëve në Ferizaj, mbajtur prej 5-23 korrik 1908, “Përparimi”, nr. 7, 1967, f. 868.  

[39] Raport nr. 80, i Zëvendës konsullit Pizhon, nga Shkupi, më 24 korrik 1908.

[40] Historia e popullit shqiptar ii…, f. 377.

[41] Raport i konsullit Prohasaka, nga Prizreni, Ministrit Erentall, në Vjenë, teleg. nr. 124, më 29 korrik 1908.

[42] Galip Beu, ishte funksionar i lartë në administratën turke, me origjinë, shqiptar nga Kosva.

[43] Ismail Qemali, Përmbledhje dokumentesh, telegram i Ismail Qemalit, më 30 tetor 1908, dërguar Reshit Pashës, shqiptar për kah origjina, ku Ismail Qemali ka shpresë se xhonturqit do ti përmbushin kërkesat shqiptarëve.

[44] Avstriski dokumenti za istorijata na makedonskiot narod 1907- 1908, Tom II. Shkup, 1981. dok. 99; Shefqet  Pllana, “Gjurmime albanologjike”, (seria 26-1996) pinim i cit. f. 107; “Kosova”, 11 kallnor 1942.

 [45] Zivko Avramovski, Izveshtaj austrohungarski…f. 315;  Tetovo i tetovsko niz istoriata, vep. e cit. f. 287-288; Shënime të mbledhura nda autori, Rexhep Efendi Tetova, ka lindur në fshatin Shipkovicë, në vitin 1844, Ka mbaruar studimet e larta në Stamboll, drejtimi i  Teologjisë. Më vonë emërohet Myfti  në Manastir, është pjesëmarrës në Kuvendin e Ferizajt, dhe në Kongresin e Alfabetit  në Manastir dhe Dibër. 

[46] Zekeria Cana, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë 1908-1912, Prishtinë 1979, f. 37; Shukri Rahimi, Vilajeti i Kosovës, Prishtinë 1967, f. 122; Tetovo i tetovsko niz istoriata, vep. e cit. f. 287.

[47] Pra nuk qëndron konstatimi që jep Niman Ferizi, Familja Curri, Konstancë 1930, f. 16. 

[48] Emin Pllana, Kosova dhe reformat në Turqi, vep. e cit. f. 264; Abas Ermenji,  Albania, vep. e cit. f. 265; “Kosova”, kallnor më 1942; Sipas kësaj gazete: “Më  këmbëngulës në Kuvendin e Ferizajt, që me ushtri të niset menjëherë për në Stamboll, ka qenë Bajram Curri”.

[49] Mithat Pasha, pak muaj pas emërimit si qeveritar dhe reformator i madh turk u arrestua, u dëbua nga Perandoria dhe, më vonë u vra.  Ndërsa, Ismail Qemali për idetë e tij liberale dhe bashkëpunimin me Mit’hat Pashën, që binin ndesh me regjimin absolutist të Abdul Hamid-it II, vuajti 7 vite internim (1877-1884).

[50] Instituti i Historisë-Tiranë, Kujtimet e Ismail Qemalit, Londër 1920. Më 1897 ai i paraqiti një “promemorie” sulltanit, ku i sugjeronte që të ndërmerrte reforma të menjëhershme për të shpëtuar Perandorinë nga “fundi shumë tragjik”. për të vënë në jetë këto reforma Ismail Qemali e këshillonte Abdul Hamidin që të vinte në zbatim, pa asnjë vonesë, kushtetutën e vitit 1876, duke u përpjekur për forcimin e Perandorisë, ai mbronte edhe tërësinë territoriale të atdheut të tij. “pas fitores së revolucionit të xhonturqve korrik 1908, u kthye në Shqipëri dhe u zgjodh deputet i sanxhakut të Beratit, në Parlamentin Osman. Pritja që i bëri populli i Vlorës, ditën që u kthye në atdhe, më 18 shtator 1908, ishte madhështore.

[51] Historia e popullit shqiptar,  II, Tiranë 2002, f.377.

[52] Tetovo i tetovsko niz istorijata, vep.  e cit. f. 286. 

[53] Po aty, f. 288.

[54] Gazeta “Kosova”, Kallnor të vitit 1942; “Gjurmime albanologjike”, (seria-26), punim i cit. f. 89.

[55] Emin Pllana, Kosova dhe reformat në Turqi, Prishtinë 1978, f. 237.

Filed Under: Histori Tagged With: delegatet e Kuvendit, kryengritja e Resnjes, Vebi Xhemaili

Zgjedhjet Lokale 2013 dhe Urbanizimi i vendbanimeve tona

November 2, 2013 by dgreca

Shkruan: Ylber Vokshi-Ylli/Prishtine/

 Përfundoi fushata e konkurrences politike për zgjedhjet lokale të vitit 2013. Nga të gjitha subjektet politike premtohen shumë çështje jo reale për funksionimin e një pushteti komunal,posaçërisht në fushën e Planifikimit hapësinor,Urbanizmit dhe Arkitekturës. Gjatë muajit elektoral kishte shumë provokime nga gazetarët dhe moderatorët,me pyetje të ndryshme drejtuar kandidatëve për Kryetar të Komunave. Ishin interesante përgjigjet jo të sakta,shpesh konfuze dhe jo reale të pretendentëve (kandidatëve),nëse komunat do të kishin dokumentet hapësinore të zbatueshme ne të gjitha zonat e tyre.

Janë të kota ato premtime të konkurrentëve komunal të cilat nuk janë të bazuara në plane hapësinore dhe urbane realiste,të punuara në mënyrë profesionale,pasi duke premtuar “ad hoc” projekte të ndryshme e duke u bazuar në premtimet joreale,vetëm krijojnë huti dhe pakënaqësi e madhe të banorët. Për atë është kërkuar,nga ata që e njohin këtë lami,që së pari të përpilohen Planet Zhvillimor Komunal e pastaj Planet Zhvillimor Urbane e Planet tjera Rregulluese Urbane ashtu si janë të definuar shumë mirë në Ligjin e Planifikimit Hapësinor.

Kualiteti i jetës urbane në komunat tona është shumë i varfër,nga mënyra e zhvillimit të qyteteve tona mundësit për një jetë normale janë minimale. Ka shumë deformime urbane nëpër vendbanimet tona ato vërehen dhe preken nga të gjithë ne. Banori i thjeshtë i komunës i ka kërkesat realiste të bazuara në mundësit e Komunave tona. Ai kërkon kushte normale të strehimit,për të jetuar. Është interesant se Komuna nuk investon mjete materiale për obligimet e banimit.

Komunarët shpesh ankohen në mungesën parave në buxhetet komunale për Planifikim hapësinor dhe Urbanizëm,janë këto qëndrime aspak të qëndrueshme pasi thelbi i problemit është menaxhimi (drejtimi) i Komunës. Në esencë është mungesa e përgjegjësisë profesionale dhe asaj ligjore. Kemi raste të shumta që mjetet buxhetore teprojnë (suficit) në fund të vitit,duke mos ditur se çka të bëjnë me mjetet tepricë.

Problematika urbane është e margjinalizuar,as që dihet dhe çmohet rëndësia dhe domosdoja e ekzistimit të këtyre dokumenteve hapësinore,kryesore për funksionimin e një Komune. Edhe atje ku janë punuar ato dokumente as qe ka pasur vullnet dhe interesim politik dhe profesional për t’i zbatuar ato,pasi nuk çmohet rëndësia e tyre nga veprimet e profesionistëve (urbanistëve).Ndryshe si të arsyetohen ndryshimet e planeve ende pa filluar zbatimi i tyre pas aprovimit,                             duke mos respektuar së paku procedurat aktuale ligjore.

Mendohet dhe përfolët se ato munden me qenë vetëm pengesë për vazhdimësinë e abuzimeve shumëvjeçare me hapësirën komunale çka nuk përket me të vërtetën. Interesat e përbashkëta as që trajtohen,vetëm interesat i individuale janë të rëndësishme. Janë bërë keqpërdorime të mëdha me tokën ndërtimore,ka uzurpime të tokës shtetërore e të huaj,ka ndryshime dhe përvetësime të pa imagjinueshme të pronës kadastrale,të gjitha këto janë delikte të rënda të cilat në të ardhmen duhet trajtuar nga organet kompetente shtetërore.

Planet Rregulluese urbane sipas ligjeve aktuale duhej të ishin bazë për dhënien e lejeve ndërtimore, por përpilimi i tyre,ne shumicën e rasteve,nuk është punuar sipas ligjit dhe akteve nënligjore dhe si të tilla nuk i kanë shërbye qëllimit për çka janë paguar para të mëdha.

Kryesorët janë profesionistët ata që kanë “detyruar” banorët e Kosovës të ndërtojnë dhe të blejnë objekte të ndërtuara pa kontroll profesional shtetëror,                        ashtu si veprohet në të gjitha shoqëritë e civilizuara pjesë e të cilës kemi menduar se jemi. Kush i ka ndaluar Komunat të punohet me ligjet e planifikimit dhe ndërtimit,përse nuk veprojnë ato ?. Cili profesionist do të lejonte ndërtim në një hapësirë ku do të dëmtohen edhe ata që janë lejuar të ndërtojnë pa leje. Ma të dëmtuari do të jenë banorët e vjetër të qyteteve tona, është e pa qartë kush do të jetoj në ato objekte pasi as ata nuk do të kenë rehati,që banimi kolektiv në një vendbanim kërkon.

Deri me tani në Kosovë janë “prodhuar” vetëm dokumente hapësinore dhe urbane qe janë pluhurosur në raftet komunale,pasi nuk ishin realiste dhe nuk janë realizuar,si është duke ngjarë me disa plane rregulluese të cilët kanë kushtuar shumë KOHË të humbur,ngjashëm si ka ngjarë më pare gjatë planifikimit centralist – konvencional. Mos respektimi i kohës është shkaktari kryesor i tërë katrahurës urbane në Kosovë,ku interesat individuale janë si duket ende dhe do të jenë më të rëndësishme se ato të përbashkëta.

Në kohen kur në tërë botën preferohet SHKARKIMI i qyteteve si e vetmja mundësi e mbetur për tejkalimin e kaosit urbanistik që i kanoset gati të gjitha metropoleve botërore. Në Kosovë janë propozuar disa koncepte të tejkaluara që vetëm sjellin pasoja të pa riparueshme urbane,si modele plotësisht të tejkaluara,                               si zonat industriale në afërsi të zonave të banimit duke i harruar parqet industriale si njëra prej formave ma të sigurta për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të qyteteve tona.

Është domosdoshmëri të respektohet zhvillimi POLICENTRIK i qyteteve si një prej principeve themelore në planifikimin aktual hapësinor dhe urban në tërë rruzullin tokësor. Kjo nënkupton shkarkimin e qyteteve,por kështu nuk është duke u vepruar. Këto sugjerime nuk merren seriozisht as nga”ekspertët”e planifikimit edhe se ato ishin direktiva ndërkombëtare (ESDP-1999) që duhet respektuar nëse pretendojmë të jemi të barabartë me qytetet tjera Evropiane.

Më duhet theksuar se ajo çka është duke ngjarë në Kosovë nuk ka lidhje me Planifikimin Hapësinor,Urbanizmin dhe Arkitekturën,pasi kjo veprimtari esenciale për një komunë duhet vënë nën kontroll shtetëror e jo të veprohet si deri me tani. Duhen intervenime urbane,legalizime shumë të  dhimbshme,                                                përpilime dhe aprovime të dokumenteve hapësinore si një domosdoshmëri e cila sado-kudo do të kanalizoi problematikën esenciale për funksionimin e një komune.

Jo të ndërtojmë pa kontroll shtetërore,ku elementi i SIGURISË duhej të ishte esencial e jo mos të kemi,qasje te ekipeve shpëtimtare në raste emergjente të zjarreve,vërshimeve,rrëshqitje të dheut apo erërave si ka ngjarë në vitet e fundit. Të gjithë ne dimë të ankohemi kur ngjajnë rrënimet dhe vërshime të ndryshme sa herë të bijën shi apo fryn ndonjë erë ma e fortë. Këso rastesh kemi pa numër pasi nuk është duke u punuar ashtu si e kërkojnë rregullat teknike.

Qëllimi i komunës duhej të ishte që të gjithë të interesuarit të ndërtojnë me rregulla dhe ligje. Që moti ka kaluar koha kur banorët janë refuzuar me arsyetime banale se “nuk kemi plane”, atëherë ata janë detyruar të ndërtojnë pa leje në shekullin XXI. Metodat e vjetra të planifikimit konvencional me ndalesa janë të tejkaluara,sot bota preferon Planifikimin Hapësinor dhe Urban STRATEGJIK me respektimin e ligjeve në fuqi. Askush nuk ka të drejtë morale që tërë një shoqëri të dërgoi në greminën e një humnere të pa imagjinueshme,duke shikuar vetëm interesat e veta apo të një grupi të caktuar për një kohë të caktuar të cilët për përfitime personale marrin pjesë në këto procese jetike për një shtet.

Prishtinë    arch. Ylber Vokshi-Ylli/arkitekt i pavarur

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Kosove, urbanizimi i vendbanimeve, Ylber Vokshi, Ylber Vokshi-Ylli, zgjedhjet lokale

KY KOALICION QEVERISES DO TE ECIN SI TRAKTORI I PARE SHQIPTAR

November 2, 2013 by dgreca

NGA RAMIZ LUSHAJ/

E majta e riardhun në qeverisje, me pushtete e struktura të saj, iu ka turr opozitës së djathtë tue kangurue me tepri politike e qytetarie: Basha e Berisha–bashkëkryetarë të Partisë Demokratike. Në fakt diçka tjetër po duket ashiqare: mazhoranca e ka hallin e vet. Po i tutet duelit politik mbi 15 vjeçar Rama-Meta. “Kali i Trojës” po iu lodron në thelluta e thepnaja të ortakërisë ajzberige. Patjetër, njani prej të dyve, ndoshta dhe pas një shkrirje aliazhore të natyrshme PS-LSI, ka me ia mbrri shpejt për me u ulë në krye të “llozhës rozë” të pushtetit politik të trefishtë. I pari hap, ma i arritshëm: Rama të bahet ish-kryeministër. Hapi i dytë i të (pa)mundurës është yshtja e Ramës nga kreu i PS. I treti vjen vet: kryetar i aleancës të së majtës shqiptare. Duket se nuk ka tjetër rrugëzgjidhje politike, pasi kësisoj ky koalicion ka me ecë si traktori i parë shqiptar. Përndryshe, lypsen të tjera mejdane politike: zgjedhjet lokale të rradhës më 2015 apo ato të (para)kohshme parlamentare, që do të ndryshojnë raportet e forcave politike dhe priten përgjegjësi e angazhime të reja kombëtare politike.

Kryesocialisti e kryeministri Fatos Nano, disi i pa mëvetësuar plotërisht po i motivuar e i (vet)detyruar pothuaj tërësisht nga kushte e rrethana të (prapa)skenës politike të ditës e të perspektivës, si një mjeshtër i sprovuar i skemave kësodore, iu dha Ilir Metës e Edi Ramës poste ministrore në qeverinë “Nano 4” të 24 prillit 1998. Pavarësisht faktit se kjo qeveri e re vinte pas krizës së qeverisë të maparshmes të 25 korrikut 1997, u syshfaq publikisht sikur u riformatua vetëm për këto dy fytyra politike të reja të ekzekutivit shqiptar, Meta e Rama, pasi emrat e ekipit qeveritar 18 antarësh ishin pothuaj të njëjtit.

Rama dhe Meta ishin qeveritar me fat për karrierën e tyre politike, sepse për gjashtë muaj kontribuan dhe mbijetuan në këtë qeveri të përveçuar si tepër aktive, vorbullnajë enigmatike, autokrate ekstreme, mafioze e ashpër, me laryshi politike, tejet problematike. Njëherash, ishte qeveria që ka prit e përcjellë ma shumë personalitete në historinë e tranzicionit shqiptar, si: Nano, Rama, Meta, K. Islami–ish kryetar i Kuvendit, A. Imami–një ndër themeluesit e PD dhe nënkryetar i PD e kryetar i grupit të saj parlamentar (1990-1992), B. Fino–ish kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (1997), ministri A. Malaj–tashti antar partie jashtë partisë së tij, A. Angjeli–ish ministër i kahershëm i lekut që në qeverinë “Nano 2” (1991) dhe i rikthyem së vonit deputet i Ramës, etj. Në vite të ardhshme (jo)elektorale 6 ministra të kësaj qeverie të majtë u (ri)kthyen tek PD si në aleanca para e pas zgjedhore, antarë ose deputetë e ministra të saj.Kësokohe, Nano me të tijët, i la Metën e Ramën në “bangot e fundit” të qeverisë “Nano 4”, pasi i duheshin ma së forti për frymë e imazh (ndër)kombëtar. Prania e këtyre dy “pëllumbave”politik flatrahapur në këtë qeveri ishte një farë çertifikate e garancie që Fatos Nano të rrinte në krye të pushtetit të trefishtë: ekzekutiv, partiak e atë të koalicionit qeverisës.

Këta dy lider të së ardhmes, nistue në Qeverinë “Majko 1” dhe “Meta 1” dhe veçmas kur Meta rizgjidhjet për së dyti herë rradhazi kryeministër dhe kur Rama u zgjodh për herë të parë kryebashkiak i Tiranës, u kthyen në “skifterë të politikës”, pasi ndaj tyre dhanë ndikimet e veta edhe Lufta e Kosovës (1998-1999), ngjarjet e shtatorit 1998, rivaliteti gjithëfarësh i Nanos për rikthim në krye të ekzekutivit sidomos pasi gjyqësori i dha pafajësi për vitet e burgimit në Bënçë dhe PS e rizgjodhi kryetar të saj në Tiranë, rikthimi konservator e brutal i ish-ëve të PPSH, lufta e hapur e të rinjëve e të vjetërve në qeveri e struktura të larta të PS e të aleatëve të saj, etj.

Mirëpo, Rama e Meta, pos valëve të përplasjeve politike ndërveti, po edhe me të tjerët në PS e jashtë dhe larg saj, të dy mirëditën me ia mbrri të dalin të parët e vendit të shqipeve në elektoriadën e veçantë të qershorit 2013. Sigurisht, Rama dhe Meta, ishin të projektuar, promovuar e faktorizuar qyshse herët për një kohë të tillë të pritshme qeverisjeje të së majtës në Shqipërinë Londineze të shek. XXI.

Këta të dy, Rama e Meta, tashma në këtë mandat të ri qeverisës po bahen “dinosaurë” të rinj të politikës shqiptare.  Po i betonojnë klanet e tyre në politikë. Përplasja e re e tyre është në ardhje të  frikshme e eksplozive para e drejt nesh.

Edhe këta të dy liderë të rinj, Rama e Meta, jo pak personaliteteve politike shqiptare, ndër ta edhe kryesocialistit e kryeministrit Nano, ua dhanë “faturat” politike me veti. Tani, edhe pas 15-viteve, prapë kanë “llogari” politike ndërveti, aqsa gjithandej e shpeshtas edhe jashtë të majtës shtrohet (krye)pyetja e heshtur apo e hapur: Rama apo Meta? Meta apo Rama? Ndaj industria politike e të majtës aleancore produkton për eksport politik drejt të djathtës shqiptare e në instuticione euro-atlantike hamendësime të qëllimta: Basha apo Berisha në krye të PD, edhe pas 26 qershorit 2013 të dorëheqjes së Berishës si kryetar i saj.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: koalicioni imajte, qeverises, Ramiz Lushaj, traktori i pare

DOREHIQE SHEFI I SHTABIT TE PERGJITSHEM TE USHTRISE SHQIPTARE

November 1, 2013 by dgreca

Shqipëri, jep dorëheqjen Xhemal Gjunkshi pa dhe arsye te doreheqjes ne tekstin qe zoteron media/

Në tekstin e dorëheqjes, Shefi i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë nuk jep asnjë motiv mbi shkaqet e veprimit të tij

Në Shqipëri Shefi i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë Xhemal Gjunkshi dha sot dorëheqjen. Vendimin e tij ai ja bëri të ditur presidentit Bujar Nishani. Në tekstin e dorëheqjes gjenerali madhor i ushtrisë shqiptare nuk jep asnjë motiv mbi shkaqet. Largimi i tij vjen vetëm dy muaj pas ndërrimit të pushtetit në Shqipëri. Në letrën e dorëheqjes ai mjaftohet të vërë në dukje arritjet e ushtrisë që prej gushtit të vitit 2011 kur mori detyrën e lartë. Gjunkshi përmend rezultatet e ushtrisë shqiptare, që nga operacionet në ndihmë të popullatave në raste të fatkeqësive natyrore, te demontimi i armëve dhe municione të rrezikshme dhe misionet e tyre jashtë vendit.
Zoti Gjunkshi, një ushtarak karriere, është vënë shpesh nën kritika dhe akuza, vecanërisht dy vitet e fundit, kur pati disa lëvizje të krerëve të strukturave të larta të ushtrisë. Rasti më i fundit është ai i majit të këtij viti kur u shkarkuan tre gjeneralë, mes të cilëve dhe zëvendës shefi i Shtabit të përgjithshëm Sandër Lleshi. Ata e kundërshtuan si të pabazuar vendimin. Socialistët në atë kohë në opozitë dolën në mbrojtje të gjeneralëve të shkarkuar. Pas zgjedhjeve kryeministri Rama emëroi zotin Lleshi si këshilltar të tij për Mbrojtjen.
Shefi i shtabit Gjunkshi u përmend më pas edhe për cështjen e Shtëpisë qëndrore të ushtrisë pasi kundërshtoi kalimin e saj si seli e partisë demokratike.(VOA)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: jep doreheqjen, Xhemal Gjunkshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT