• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

I ftuar ne Sofren Poetike te Diellit: Qazim Shehu

December 20, 2013 by dgreca

BLERIMI I POETIT/

QAZIM D.SHEHU/

Kur blerimi më afron pranverën për fejesë,/

Më vjen Esenini , emër kujtesë./

Ky margaritar i poetëve ,lirik që buis,/

Më sillet rreth netëve me vargun që ngjiz/

Ndjenja e mendime, brenga pakufi,/

Teksa kërkon nënën mbështjellë me shall të zi,

Teksa kërkon vajzën që iku dhe s`u kthye,

Kur s`kupton Leninin e ikën nëpër pyje.

Kohë s`ka dhe natyra për ç`pati më të mirë,

Ia dha kaçurrelit ;dhe fat të vështirë,

Zoti seç i dha,u gjethërua bejroza e prapë u tha,

Veç vargu i poetit bleroi në dhjetra vjet,

Dhe frymë marrin pyjet me një fllad të lehtë,

Dhe pret në funde muzgjesh një mall pa kufi,

Them korie e në çdo dru fytyra e tij rri…

 

+++

Prej ëndrrash tutesh,nga ëndrrat mos kij frikë,

Ëndrra është krijuar e keqja të ikë.

Është ëndërruar me kohë nga njeriu i parë,

Ëndërrohet dhe sot, sikur të mos ketë ndodhur,

Nga ëndrrat njeriu nuk ndihet i lodhur.

Po mos ishin ato, planeti s`do kish orbitë

Netët s`do sillnin netë dhe ditët ditë,

Po mos qenë ato s`do shkruheshin këto vargje,

Vargjet të gatuhen si brumi në magje.

Thellësitë s`do dukeshin asnjëherë,

Atje ku shikimi hidhet pa prerë….

 

LOTI

 

Ta përvetësova lotin e dashurisë e shkrova

Me të një baladë.Loti i hidhur i mati caqet

E ndezura në flakë.Dhe nata u bë më e bukur,

Dhe dita më e bukur u bë.Veç ajo dashuri s`është më.

Mbetet veç dashuria dhe balada, dashuria tjetër

Që në gjurmët e së parës ecën nëpër të….

+++

Po të zhvishja si një kalli në netët hënore,

Apo në agun kur dielli mëngjesin shtyn,

Kokrrat e hireve të tua do binin si brilante,

Mbi vesën që ankthin mbyt e mbërdhin.

Si  dielli vesën shkrin ashtu afshi im ,

Të gjitha do i shkrinte  … deri në mbarim

 

LISI DHE PËRROI

Fjalë të ujit kullot,shkruan mbi lëkurë të ashpër

Gjithë fjalët e gurgullimave me tepri.

Shkruan e ç`nuk shkruan mbi lëkurë,

Gjithë misteret e rrugës dhe brengat që pëlcitën.

Të gjitha i mblodhi në lëkurë.

Vetëm lojën e fjalëve s`mundi ta kuptojë kurrë.

Si lojën e grave që s`e kupton një burrë….

 

PËRVOJË

Të quhet rrospi, farmak,

Mos vallë e ka hak?

Të quhet diell, lumë, det,

Mos vallë përmbytjen e do vetë?

Kjo botë…

Duhet parë mirë.

Ndoshta një herë duhet zhdukur,

Për t`u rikrijuar më e bukur…

 

 

Filed Under: Featured

Fytyra e shpërfytyruar e Universitetit të sotëm

December 20, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/ Universiteti  Fan s. Noli, Korçe/

Disa ditë më parë u zhvillua në Fakultetin e shkencave në Korçë një simpozium me një temë të rëndësishme që lidhet me Didaktikën e shkencave. Profesionistët e zanatit, ata që kanë një përvojë të gjatë në të, e kuptojnë mirë termin dedaktikë, pasi jo vetëm e kanë studiuar në universitet, por e kanë praktikaur edhe në shkollat ku punojnë. Është një moment shumë i rëndësishëm në ditët e sotme, aq më tepër kur dihet tashmë se në çafrë standarte përfundoi shkolla shqiptare, si rezualtat i masakrës së quajtur reformë. Pra qeverisë së sotme dhe ministrisë përkatëse i del si detyrë që të vendosë rregull në kaosin pakrye të kësaj shkatërrire. Por ka edhe një didaktikë tjetër që lidhet me kërkimin shkencor dhe që duhet të jetë prioriteti kryesor i jetës akademike universitare shqiptare, nëse duam që me hapa të vazhdueshëm t’i afrohemi universiteteve të vendeve përreth nesh e për të shkuar më larg, të marrim përvojën tek ato më të fuqishmet botërore, që sot janë pararoja e shkencës. Vetëm pak ditë më parë lexova një artikull në një prej gazetave më të mëdha italiane ku zbulohet tragjikisht se universiteti ka marrë natyrë tjetër. Mendova se më në fund edhe në Itali pas një hallakatje disa vjeçare, në klasifikime jo dinjitoze të tyre, erdhi momenti që të rifitojnë kohën e humbur, nuk u duhet shumë, nëse ndiqen politika të drejta arsimore, dhe të hyjnë në garë me universitetet më prestigjoze botërore. Historia flet për ecurinë e tyre, por si ishte është një kohë që ka përfunduar. Por jo, artikulli ishte një kritikë e hapur dhe ironi deri në sarkazmë për fatet e fytyrës së sotme të Universitetit. Autori me një analizë dhe logjikë të mprehtë na jep disa prej parimeve të këtij universiteti që kur e lexon me vëmendje të kujton komedinë shqiptare të këtyre viteve dhe politikat që u ndoqën ndaj institucioneve të shkencës. Kam shkruar shumë rreth këtij fenomeni shqiptar, duke theksuar se masivizimi dhe politika e shkatërruan plotësisht atë. Mesa duket disa njerëz “gjenialë” po përpiqen që edhe tempujt e dijes t’i kthejnë në një vend ku mblidhen njerëz që në vend të merren me punë, u duhet të bëjnë më shumë mbledhje, mos qofshin partie, dhe fjalë. Një pasqyrë e shëmtuar e këtyre përpjekjeve është realiteti universitar dhe shkencor shqiptar, me ndonjë përjashtim, dhe norma e realizuar e politikës me një numër rekord dhe të pathyer më parë të njerëzve me diploma dhe tash e tutje do të kenë “fatin e mirë” edhe me tituj. Por cilat janë këto parime të reja të universitetit të sotëm italian? Duke i lexuar në vijim do ta kuptoni se ku po e çojnë politikat e gabuara, kriza e rëndë dhe faktori globalizëm universitetin. Një qeverie që nuk i dhimbset më e ardhmja e një kombi, bën krimin më të shëmtuar ndaj tij, duke e fundosur pikërisht institucionin që i prin zhvillimit dhe përparimit. Shembulli gjerman është drita në errësirën dhe qorrsokakun shqiptar. Këto ditë lexova shumë opinione pas refuzimit të statusit nga B.E-ja për Shqipërinë dhe të them të drejtën nuk e kuptoj sesi e kërkojmë atë status me këtë realitet në nivele gati të një prapambetje totale, gjithmonë kjo e krahasuar me disa lloj standartesh. Më të zellshmit ose janë të verbër, ose u bien daulleve sipas orientimeve të poltikës, nuk përjashtohet ndonjë manipulim partiak, dhe në euforinë kolektive nuk e dinë dhe vetë se çfarë kërkojnë. Shumë zhurmë për asgjë!

Parimet sipas autorit të shkrimit të artikullit

Universiteti i sotëm nuk është më vendi i studimit dhe kërkimit, sepse janë lukse qënuk i interesojnë askujt. Detyra e universitetit sot është të merret me gjëra serioze,  si të përpilojë dokumente të pafund, të thërrasë mbledhje të shumta. Pra të bëjë gjithçka me përjashtim të kërkimit dhe studimit. Studimi nuk është i ndaluar, por duhet të mbetet në kuadrin privat, sidomos pa i ekspozuar efektet negative të kërkimit tek studentët. Është frika se grupe të vogla studentësh mund të bëhen kuriozë nga librat dhe të interesohen për reflektimin kritik, objekte dhe veprimtari të konsideruara të papranueshme në universitetin e sotëm, duke korruptuar veten dhe të tjerët.

Nëse studimi, leximi, mendimi, diskutimi kritik janë të dekurajuara në universitetin e sotëm, nuk është e vërtetë që kërkimi po eliminohet plotësisht. Kërkimi nuk praktikohet në universitetin e sotëm dhe librat tradicionalë janë ndaluar.

Të gjithë e dinë se në universitet është më e lehtë të shkruash artikuj shkencorë, sesa t’i regjistrosh në vqr, prandaj energjitë janë destinuar për këtë të dytën.

E gjithë puna kalon nën kompetencat e një organi ministerial dhe bëhen qëndrore për për kualifikimin nga ku nxirren listat e pedagogëve të aftë. Si ka mundësi që kërkimi të jetë kaq i rëndësishëm, kur pengohet me të gjitha mjetet? Puna në universitetin e sotëm nuk ndalet këtu, por i mban në formë pedagogë dhe stafin, duke organizuar minimalisht 5 mbledhje në ditë.

Anmëtarët e këtij universiteti nuk pyeten në publik për këto lloj praktikash, sepse kurioziteti i tepërt mund të mos jetë në favorin e tyre.

Parimet e reja priren ta pengojnë studimin dhe mendimin. Arsyeja që i shtyn nuk është kaq misterioze. Pushteti burokratik – politik e konsideron punën intelektuale kritike të padobishme, gati të rrezikshme.

Parimet e universiteti të sotëm ku vlerësohet gjithçka, por pa e mneduar se përse vlen, janë të destinuara që t’i dekurajojnë intelektualët : duhet ta kenë të qartë se universiteti nuk është vend për ta. Më shumë i referohet rrogave të profesëorëve që konsiderohen ende intelektualë kritikë. Rroga e tyre maten me sasinë e dokumenteve që hartojnë dhe numërin e mbledhjeve në të cilat marrin pjesë.

Asnjë iluzion se universitetit i duhen njerëz që e duan kulturën shkencore, por vetëm për vete. Ideja e këtij universiteti është konceptuar nga ekonomistë fondamentalistë të tregut, i ngjan më shumë ish Bashkimit Sovjetik, sesa ëndrrave të Friedmanit dhe Hayekut. Duket më shumë masë dhe aspak kuptim, shumë eficiencë pa e ditur përse. Mendimi kritik flaket në margjinalitet.

Fantazia të çon tek të rinj që që diskutojnë gjallërisht për filozofinë, matematikën dhe artin në periferi dhe fshat. Ndërsa në Itali studimi dhe kërkimi janë vetëm tregues dhe nuk investohet për kulturën, në Gjermani mendojnë se sistemi edukativ është antidoti më i mirë i krizës dhe motori më i mirë për zhvillimin e së ardhmes.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Fytyra e Universitetit, te sotem

LAGJIA IME NGJYRË BRONZI

December 20, 2013 by dgreca

Vullnet Mato/

 LAGJIA IME NGJYRË BRONZI/

 Jetoj te lagjia e “Tironës” me gjuhë lirie,/

ku jehon tallavaja me tonalitete histerike/

dhe dëgjohet shprehja:“O, me rob shpie!”/

siç bie sahati i madh te xhamia islamike./

 

Quhem “gaxhoi i mirë që shkruan llogje”./

Kur zbres nga makina bidonat me ujë Selite,/

më rreshtohet emrat e skuadrës me yje bote,/

nga lista ndërkombëtare e futbollistëve./

 

Fundjavën e kam me net pagjumësie,

nga ekstazat dasmore të miqve komshi,

që më urojnë nga larg me litërshe rakie

dhe hedhin valle nate te rrugica me shi.   

 

Djemtë e vajzat me xhinse poshtë mesit,

me kërthizat si mikrofona që thithin deri tutje,

u dridhet barku nga ritmet marroke të xhezit,

tek kërcejnë, si kukullat me fije të padukshme.

 

Zhurmëtarët e mi lindin e shuhen si meteor,

por humbjet ua plotëson karvani me kokorroçë.

Çuditen kur shkoj në zi, i ngushëlloj mbi arkivol,

ku ata zbrazin dhimbjen më të hidhur në botë…

 

Jetoj te lagjia e “Tironës” me gjuhë lirie,

ku jehon tallavaja me tonalitete histerike.

Ndryshoj nga ngjyra por në shpirt jam një prej tyre,

më gufon zemra, njësoj si rom me pasion muzike…  

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: lagjia ime, ngjyre Bronzi, Vullnet Mato

Buçpapaj ka një jetë që i bie me çekiç mureve që ndajnë

December 20, 2013 by dgreca

Nga Rrustem Geci – Dortmund/

Libri i Skënder Buçpapajt, „Frikë nga atdheu“ është një thirrje hyjnore e mbijetesës poetike e cila është e nevojshme në kohën tonë më shumë se kurrë, për të mbajtur gjallë diellin në vargjet tona. Shkrimtari, publicisti dhe eseisti Skënder Buçpapaj është vendali i Tropojës epike. Ai ia njeh nga afër zemrën Shqipërisë, dhe frymën ajrit që Shqipëria e konsumon. Buçpapaj një disident malsor nga gjigantet e alpeve shqiptare, ka një jetë që i bie me çekiç mureve që ndajnë!../

Nuk jam as Platoni as Jezui, por një shkrimtar që do udhën për tek nëna, tek gjiri i saj, tek jeta e saj, tek Gjylë Buçpapaj. Me këtë parathënie poetike hapet libri i shkrimtarit, Skënder Buçpapajt ”Frikë nga atdheu”. Brendia e poezisë të Skënder Buçpapajt, është poezi e gjerë, e thellë, me leksik dhe figurë shumë të pasur.

Në poezinë „Tamël zanash“, poeti Buçpapaj, na e shfaq gjithë fuqinë e tij poetike, njeriun poetik të truallit tonë. O shpirti im që tymon;Hënën e marrin nëpër fletët e aheve / dhe e shndërrojnë në tamël zanash / nëpër krojet fund ashté…tamlin e zanave foshnjat e pinë…Vargje vërtet të bukura, të përkryera, perla. Evat e sotme vazhdon poeti, janë të krevatëshme,../ ato e dinë se në parajsë, ai që i ka falë do t´i presë pa asgjë…

Libri poetik i Skënder Buçpapajt „Frikë nga atdheu“ është i konceptuar në shtatë cikle, dhe brenda ka 210 poezi. Gama poetike në poezinë e Skënder Buçpapajt është e gjerë. Arti poetik i Skënder Buçpapajt është i ngrohtë dhe mbresëlënës, epik dhe shpërthyes. Në poezinë „Ndërsjelltas“ poeti me lirikën më shqipe i thotë të vërtetës; Tani asnjë rrugë s´duhet të të sjellë te unë/ bëje të pamundurën që asnjëra prej tyre të të mos sjellë te unë / vërtiti nga të duash rrugët / ngatërroi si flokë një vit e më shumë të pakrehura / bëji lëmsh e hidhi në zjarr rrugët / edhe nëse betohesh se të gjitha të sjellin te unë / bëj të pabërën, shpik të pamundurën…/ vdis, zhvdis, jeto, çjeto / Mos shkel në asnjëren prej tyre / Të bëhem unë dëshmitar …

Në këtë poezi himn, poeti Buçpapaj, tregon se është gjigand në letërsinë tonë të bukur. Disa nga poezitë e Skënder Buçpapajt mund të quhen rrëfenja, rrëfenja poetike model. Në kohën tonë poezisë nuk po i shkojnë punët dhe aq mirë. Ajo here-herë qan, i dalin lot. Tyrifilët, ata që e zgjyrin fjalën e shenjtë të poezisë, e ndotin me gjithfarë baltërash, ata janë bijtë e mjegullave të palara,.. Rrukë, Mrrukë, dhe Ndrrukë…Poezia e Skënder Buçpapajt është poezi e mirëfilltë, poezi e cilësisë së lartë, poezi e idesë së luleve. Në poezinë „Rrugës së ashtës“ poeti Buçpapaj na shpie në një ambient të virgjër poetik. Rrugës së ashtës / kam shkuar shpeshherë / pa më vënë re…të takoj… popullin e ashtës,..ketrat, arinjtë, zogjtë, zvarranikët, krimbat.. Tematika e poezive të Skënder Buçpapajt është krejt e veçantë nga poetët e tjerë. Duket e thjeshtë, por shumë diell dhe jetë ka brenda. Ndërsa, në poezinë „Guri kalbur“, Buçpapaj bën një gjetje të shkëlqyer, dhe përdorë një figurë krejt të veçantë nga poetët e tjerë. Në fund të kënetës ushqen klorofilën e lëmashqeve / Në zemër i lëshon filiz ëndërra/ ëndërra e shëndërrimit në baltë…

Ndryshimi mes idesë së luleve dhe gurit të kalbur është se as  lulja dhe as guri nuk kanë as kujtesë, as kohë. Realizimi poetik i autorit këtu është i përkyer. Dramaturgjia poetike e figurave; Rrukë, Mrrukë, Ndrrukë, shkruar nga autori Buçpapaj, është një gjetje  nga më të realizuarat në poezinë moderne shqipe. Librin „Frikë nga atdheu“ unë e bleva para pak ditësh në Prishtinë. Dhe jam i befasuar për të mirë me vlerën poetike të librit. Meqenëse librit i kam bërë dy lexime, vlerësimet e mia kanë të bëjnë me një libër vërtetë të arritur.

Tematika e poezive të Skënder Buçpapajt është nga më befasueset. Në poezinë, “ Nëpër fletët e aheve”, po edhe në poezi të tjera, poeti ka zgjedhur një ambient të paprekur poetikisht. Askund  më të kulluar / se në fletët e aheve / agimin nuk mund ta kemi / prandaj, kullojeni nën kullojsen / e fletëve të aheve… Kjo ese është një ftesë për të hyrë në brendësi të librit, në brendësi të shpirtit të poetit. Z. Skënder Buçpapaj, urime për këtë libër të arrirë. Presim edhe poezi të tjera nga ty. Shëndet e jetë të gjatë, o i madhi poet!

 

Filed Under: Featured Tagged With: Rrustem Geci, Skender Bucpapaj

Pse nuk e deshëm princ Vidin?

December 20, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/*

M’u duk e nevojshme një qasje ndryshe në historinë tonë, duke e krahasuar me të kaluarën e njëjtë shumëshekullore të popujve të Ballkanit.

Në vitet 1858-1859, populli i Vllahisë dhe ai i Moldavisë vendosën që të dy principatat të bashkohen ndër një administrim të përbashkët dhe si udhëheqës të kenë një princ nga ndonjë familje fisnike e Evropës. Aleksandru Joan Kuza për një kohë të shkurtër e udhëhoqi shtetin quajtur Rumania. Të rikujtojmë që principatat si dhe shteti i vetëquajtur Rumania ishin ende nën vasalitetin e Perandorisë Osmane.

Më 1866, qeveria kërkoi që 27-vjeçari Karol Hohencollern-Sigmaringen të jetë udhëheqës i ri i Rumanisë. Pavarësia e Rumanisë u njoh nga Imperatoria Otomane më 1878, në Kongresin e Berlinit, dhe principata u bë Mbretëri sovrane më 1881 me princin Karol si mbreti Karol i Parë i Rumanisë. Mbreti Karol kishte lindur në Sigmaringen, i biri i Karl-Anton Hohencollern-Sigmaringenit, i cili pas shkollës së mesme u diplomua në Akademinë Ushtarake të qytetit Mynster dhe pastaj në Shkollën Artilerike.

Më 10 maj të 1866 u prit me gëzim të madh nga turmat e njerëzve dhe personalitetet politike. Ajo ditë u konsiderua si ditëlindja e Dinastisë Mbretërore Rumune, dinasti e cila mbretëroi në Rumani deri në vitin 1947. Kjo ditë maji e 1866 ishte ditë e shënuar historike në zhvillimin e një shteti modern evropian, me një mbret të ashpër shtetformues, me personalitet të disiplinuar dhe me standarde të larta të mortalitetit. Në Luftën e Parë Botërore, Rumania e integroi në kuadrin e saj Transilvaninë. (Kjo Transilvani është shkaku i mosnjohjes së sotme të shtetit të Kosovës ngaRumania.

Edhe me Bullgarinë e njëjta gjë. Ata u udhëhoqën nga Dinastia Sax-Koburg-Gotta. Imperatoria Otomane e mbajti Bullgarinë të pushtuar që nga viti 1389, por përfundimisht u përzunë jashtë më 1878. Kur Bullgaria u bashkua në një shtet e u lirua nga e kaluara otomane shumëshekullore, më 1885 vendosi të kërkojë një princ të huaj me shpresë se një familje e traditës mbretërore evropiane do t`i jepte vendit prestigjin e duhur.

Si anëtar i familjes princore të Sax-Koburg-Gottas, princ Ferdinandi u caktua mbret, por Evropa nuk e njohu ende Mbretërinë e tij gjersa Turqit ia dha titullin Lartësia e tij Mbretërore, më 1896. Mbreti i ri gjerman me Mbretërinë bullgare, pasi u liruan nga turqit, pushtuan edhe toka të reja.

Greqia, e pavarësuar nga Turqia më 1829, gjithashtu kërkoi nga familjet e vërteta mbretërore të Evropës të ketë një mbret nga gjaku evropian. Greqia bëri edhe më shumë për t`u shkëputur nga e kaluara otomane dhe u udhëhoq nga mbreti Otto, djali më i ri i mbretit Ludvigu I i Bavarisë. Turbullirat e brendshme e rrëzuan atë, por asambleja kombëtare prapë kërkoi mbret të Evropës dhe zgjodhi princin e ri danez, mbretin Gjorgji I, i cili e filloi Dinastinë e Oldenburgëve të Monarkëve Grekë. Edhe pse i huaj, ai punoi për Greqinë dhe pas luftës ruso-turke, bëri ekspansion territorial duke aneksuar Thesalinë dhe një pjesë të Epirit.

Për ne, fuqitë e mëdha e zgjodhën princin Wielhelm nga familja princore e Vidëve, që të udhëheqë me shtetin e ri të pavarur e të parehatuar të Shqipërisë. Lajmi u bë i ditur në nëntor të 1913-tës. Edhe Ismail Qemajli e mirëprit dhe e pranoi këtë vendim.

Kush ishte princ Vidi? Kishte lindur në Kështjellën e Neuwiedit në Rajnë afër Koblencit (Gjermani), i biri i tretë i princit Wilhelm të 5-të të Wiedit (vëllai i Elizabetës, mbretëreshës së Rumanisë) dhe princeshës Maria të Holandës (motra e Luizës, mbretëreshës së Suedisë). Gjyshërit nga babai ishin Hermani, princi i Vidit dhe princesha Maria e Nassaut dhe gjyshërit nga nëna ishin princi Frederik i Holandës dhe princesha Luiza e Prusisë. Luiza ishte e bija e princ Wilhelmit të Tretë të Prusisë. Princ Vidi ishte nip i familjes mbretërore të Rumanisë.

Princ Vidi dhe gruaja e tij, princesha Sofia, mbërritën në Shqipëri më 7 mars 1914, duke e shpallur mbret të Shqipërisë. Menjëherë e ngarkoi Turhan Pashë Përmetin të formojë kabinetin e parë qeveritar, i cili u zotërua nga pashallarët dhe agallarët. Por, më i rrezikshmi ishte Esat Pashë Toptani, i cili, i përkrahur nga Turqit e Rinj, e detyroi princ Vidin të ikë në shtator të të njëjtit vit. Kurora pastaj iu ofrua një pashai otoman, Mehmet Burhanmedinit, të birit të ish-sulltanit Abdyl Hamiti i Dytë. Shteti pastaj bie në luftëra qytetare dhe kështu bëhet një pre e lehtë për fqinjët grabitqarë.

Me qëllim e përshkrova gjerësisht prejardhjen e princ Vidit, për të parë se Evropa, duke menduar që jemi të gatshëm si shtetet tjera ballkanike të heqim dorë nga e kaluara shumëshekullore aziatike dhe të përqafojmë një udhëheqje evropiane, na e solli princ Vidin nga dera e traditës gjermane.

Viti 1914, Serbia dhe Greqia i filluan pushtimet dhe zaptimet e tyre në Shqipëri, kurse në Shqipërinë e mesme esadizmi morri hov. Atë e përbënin tre krerët më shkatërrimtarë apokaliptikë, si: Esad Pashë Toptani, myftiu Musa Qazimi dhe Haxhi Qamili. Këta ishin tre krerët e një kuçedre, që pasqyronin tradhtinë dhe lakminë, fanatizmin e verbër e krejt këto nën maskën e fesë. Në atë vit, Shqipëria u bë dëshmitare e një dukurie të paparë: agjentët e Patrikanës greke, të lidhur ngushtë me fetarin Musa Qazimi, me njerëzit që pretendonin që luftonin për dinë e dovlet, bashkëpunojnë me çetat shkatërrimtare greke.

Esad Pasha, i cili e minoi Mbretërinë e Princit Vid duke i shfrytëzuar ndjenjat fetare dhe dashurinë për Turqinë që ekzistonte e fortë, shpalosi idenë e ardhjes së një prijësi mysliman në krye të fronit shqiptar. Ky, me truqe të ndryshme, mundohet të bindë fshatarët e zonës, të cilët ende nuk e kishin të qartë konceptin e Shqipërisë së pavarur, se Turqia ende nuk na ka harruar dhe se duhej të përpiqeshim për të. Në këtë valë fanatizmi e prapashkuarje, me vendosmërinë e një psikopati u paraqit në skenë Haxhi Qamili. Si fëmijë kishte dhënë shenja të një sëmuri mendor duke ngrënë sapun e duke i kafshuar njerëzit në dhëmbë pa arsye. Ideja e tij se vetëm myslimani ka të drejtë, se pushka e kaurit (mendohet në Vidin) nuk merr nishan dhe se plumbi i tij shkon shtrembër, bëri bujë në atë kohë.

Në kësi lloj situatash, gjithfarë lloji i aventurierëve, intrigantëve, gangsterëve e psikopatëve shndërrohen thjesht në heronj. Haxhi Qamili ishte njëri prej tyre, njëri ndër më famëkëqijtë e historisë së Shqipërisë. Thirrja e tij “Du`m Babën e jo Papën!” (E duam Sulltanin, e jo Vidin) shprehte mërinë më të madhe ndaj atdhetarëve dhe protagonistëve të pavarësisë dhe urrejtjen më të madhe ndaj flamurit kombëtar, “flamurit me sorrë”. Egërsia e tij ishte djegia e shtëpive dhe pasurive edhe të patriotëve, si ajo e Aleksandër Xhuvanit, Taqi Budës (babai i Aleks Budës) e të tjerëve, thjesht ngase ata donin një Shqipëri pa Turqinë. Haxhi Qamili mundohej ta çonte Shqipërinë përtej Adriatikut dhe Mesdheut dhe ta bashkonte me Turqinë. Ky analfabet dhe injorant turkofil nuk e kishte as më të voglën ide se çdo të thotë Evropa. Ai s’ishte ideologji politike përveç përkushtimit të pafrenueshëm për Dovletin, me të cilin i motivonte ndjekësit dhe mbështetësit e tij.

Por, si popull, për t`u bërë gaz i vetvetes, ai u shfaq mu në kohën e shtetit të ri të pavarur shqiptar pikërisht atëherë kur Shqipëria kishte nevojë më shumë se kurrë për maturi, nguti për të ecur përpara dhe për të vendosur themelet e një shteti të vërtetë evropian.

Ai u shfaq si një fatkeqësi por mbi të gjitha si një dukuri që e kishim për ta quajtur haxhiqamilizëm dhe shfaqet me përmasa më të vogla, me tendencë rritjeje aty-këtu në shoqërinë mbarëshqiptare edhe pas 100 vjetësh.

Në librin “Historia e Dibres” e Kristo Frasherit faqe 345 shkruan:”Në Marsin e vitit 1914 kur Princ Vidi erdhi në Durrës….për ti krijuar shtetit shqiptar veshtirësi,qeveritarët serbë e vunë në qarkullim aventurierin e njohur xhonturk,Arif Hiqmetin i cili me të hollat e financuara nga Beogradi, u orvat të kurdiste në Dibren e Epërme një lëvizje “myslimane” në paraqitje antiVidiste në thelb antishqiptare.

E ngjajshme me këto të sotit në tokat mbarëshqiptare!

*Ne foto:Princ Wiedi dhe princeshe Sophia

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Perse nuk e deshem, Princ Vidin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT