RUGOVËS ADEM DEMAÇI T’I KËRKOJË NDJESË!/ Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ E dëgjova me dhimbje sulmin e Adem Demaçit drejtuar Rugovës që nuk jeton më. E dëgjova me lot në sy mbrojtjen që i bëri Akademik Mark Krasniqi, njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të liderit indipendentist, i përjashtuar nga koalicioni i LDK-së menjëherë pas vdekjes së Rugovës. Më mirë se Mark Krasniqi askush nuk mund t’i dilte në krah Ibrahim Rugovës. Mbrojtjen e Rugovës nuk mund ta bënte asnjë nga lidërshipi i LDK-së ardhur postmortum Rugovës. Mark Krasniqi, si një shenjtor i lirisë mbi tokë, me të drejtë ishte plot pezm, sepse nuk e ka menduar që Adem Demaçi të shkonte deri këtu. Mirë kur Rugova ishte gjallë, por tani! Ibrahim Rugova, Mark Krasniqi, Adem Demaçi janë tre nga ikonat e luftës për liri dhe pavarësi me kompleksitetin që ka patur koha e vështirë, kur midis shqiptarëve ishte ngritur Muri i Berlinit dhe kur pushtuesi ushtronte të gjitha mjetet për të mos lejuar të ndodhte ajo që tani është realitet. Natyrisht që Ibrahim Rugova është lideri i pavarësisë. Dhe nëse pavarësia simbolizon kulmin, atëhere Ibrahim Rugova është mbi këtë kulm. Por kjo nuk e ul veprën e Adem Demaçit që ky të shfrynte mësime historie duke fyer Ibrahim Rugovën që nuk është më midis të gjallëve. Sepse ne jemi të gjithë dëshmitarë, të gjithë jemi bashkëkohës të historisë dhe e dimë se pavarësia e Kosovës ishte ideali më i paarritshëm në botë. Ibrahim Rugova, Akademik Mark Krasniqi, Adem Demaçi janë emra të ndritur që bëjnë pjesë në listën e sakrifikuesve për lirinë e Kosovës, ata që do t’ia mbajnë përherë Kosovës themelet e lirisë të forta. E dëgjova me dhimbje kur Adem Demaçi e portretizoi liderin indipendentist si „frikacak“. Ibrahim Rugova tash mbush shtatë vjet që ndodhet në botën e përtejme, në parajsë pranë Zotit, nga të paktët politikanë shqiptarë pa mëkate, jo si mëkatar, ashtu si e kanë zënë rrugën për në ferr shumica e politikanëve shqiptarë. Sa ishte gjallë, gazetat e majta të Kosovës i mbushnin për ditë faqet me sulme të paskrupullta kundër Ibrahim Rugovës, me shpifje, intriga, spekulime, sepse e dinin se, nëse rrëzonin Rugovën, betejën politike e kishin të fituar. Ndërsa ne të paktët gazetarë që mbronim liderin gandist, na etiketonin si „ekstremistë“ dhe pastaj na kërcënonin me jetë dhe e quanin veten „çlirimtarë“. Shikoni se çfarë paskrupullësie. Që do të thotë se vazhdon, përderi sa Adem Demaçin dikush e frymëzoi që ta etiketojë pas vdekjes Ibrahim Rugovën, e t’i bëjë aq dëm me fjalët e veta, vetë Adem Demaçit. Sa ishte gjallë Rugova, beteja e politikanëve të të gjitha ngjyrave ishte gjithmonë e humbur, me gjithë luftën mediatike dhe të të gjitha mënyrave kundër tij. Kur vdiq Rugova, PDK i fitoi zgjedhjet dhe hyri menjëherë në aleancë me Fatmir Sejdiun dhe LDK-ja mori të tatëpjetën, duke e lënë jetim elektoratin Rugovian. Adem Demaçi që, për nga vepra, i takon gjithë historisë të Kosovës, bën gabim kur e ndan popullin e Kosovës, i cili ka vuajtur dhe është ngritur i gjithi në këmbë për hir të idealit të lirisë. Adem Demaçi nuk ka nevojë për partitë e Kosovë. As t’u bëjë shërbim atyre, siç veproi kur e fyeu edhe të vdekur Rugovën si „frikacak“! Po kush është trim, sipas Demaçit, ata që i bënin atentat Rugovës për ta vrarë! Ata janë burracakë, frikacakë, kriminelë! Kudo qofshin i pret rruga për në ferr, sepse biletën për atje e kanë prerë me bëmat e tyre. Po Demaçi çfarë ka! Pas vdekjes të Rugovës, filluan të përfitojnë të majtë e të djathtë prej mospranisë së tij, ndërkohë që tani thonë se të gjithë kanë qenë rugovistë. Po të shihni pelegrinazhet tek varri i Rugovës, ai është vendi më i vizituar nga shqiptarët, por edhe nga mëkatarët – nga ata që ia kanë nxirë jetën Rugovës kur ishte gjallë. Ndofta janë penduar, ndofta i kërkojnë ndjesë, ndofta i luten që t’ua fali atë çka ata i punuan kur ai frymonte mes nesh. Ta dinë se Rugova i ka falur! Me një kusht, që të mos e vazhdojnë rrugën e qoftëlargut me luftue shqiptari kundër shqiptarit. Ndërsa për sulmet më të fundit që Demaçi nisi kundër Rugovës së vdekur nuk gjej asnjë sens. Adem Demaçi për vitet e burgut meriton të quhet njëri nga Mandelat e Europës. Ne shqiptarët kemi dy, Pjetër Arbnorin dhe Adem Demaçin, emrat me të cilët duhet të krenohen Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët. Po përse e nëpërkëmb emrin e vet Adem Demaçi , me gojën e vet, duke nëpërgojuar Ibrahim Rugovën? Nuk jam dakord me ata që thonë se asht plakë e rrokatë tash Demaçi. Jo, e kam dëgjuar plotë herë Demaçin kur flet ashtu si duhet, me marr mend ne të gjithë prej tij! Po çka atëherë! Qëndrimi i Rugovës, për të cilin Adem Demaçi spekulon kësaj here duke e cilësuar si frikacak, ishte vetëm në mbrojtje të popullit të Kosovës, sepse, asaj kohe, as SHBA dhe aq më pak Europa, nuk ishin të gatëshme ta mbronin Kosovën ashtu si vepruan më 1999. Deri kur Presidenti George Bush senior shpalli „vijën e kuqe“, qendrimi Amerikan ishte autonomi për Kosovën. Le të kujtojmë se tragjedia që ndodhi në Bosnje do të ripërsëritej në Kosovë, me një skenar edhe më të përkryer për shkak të homogjenitetit të popullsisë. Mua më erdhi tmerrësisht keq kur e dëgjova Adem Demaçi që bëhej mashë për ata që i pret ferri, dhe nuk e le Rugovën të prehet i qetë në parajsë, pas atyre të gjitha poshtërsive që ia punuan kur ai ishte në gjallje. Përballë lapsusit lajthitës të Adem Demaçit, Ibrahim Rugovës i doli në krah Akademik Mark Krasniqi, shenjtori i gjallë i Kosovës. Atij i kishte hije edhe pezmi ndaj Demaçit. Mark Krasniqi i doli në krah Rugovës së vdekur, sepse asnjërit nga lidërshpi i LDK-së nuk i kanë hije fjalët. Me që Demaçi na ktheu pas, e kam të freskët kohën kur, ndërsa qeveria hije e Kosovës jetonte me plot komodidete në Perëndim, Ibrahim Rugova qëndronte me familjen në Kosovën e pushtuar. Dhe i viheshin në diskutim pagesat e biletave dhe udhëtimeve në SHBA dhe Europë, ku ai lobonte për pavarësinë e Kosovës! Nuk gjej asnjë sens në sulmet e Demaçit kundër Rugovës. Adem Demaçi dha kontributin e tij si Mandela i Kosovës, i burgosur në burgjet e pushtuesit, Ibrahim Rugova si lideri Indipendentist, i cili përmes mënyrës gandiste dhe europianiste e sendërtoi pavarësinë, e ktheu nga një iluzion në realitet. Të dy i duhen Kosovës. Shqiptarofobia ishte sëmundje e Ballkanit, e cila do ende kohë të shërohet plotësisht. Pavarësia e Kosovës, lideri i së cilës është Ibrahim Rugova, ngjante si një „kataklizmë“ për mentalitetin ballkanik, pasi shqiptarët gjithmonë shiheshin si qytetarë të dorës së fundit aty ku jetonin. E Pavarësia, ky objektiv që e ideoi dhe sendërtoi Rugova me të gjithë ata që iu bashkangjitën, kërkonte burrëri të madhe, jo burracakëri. Prandaj Ibrahim Rugova ishte burrë, burrështeti! I pari në historinë e Kosovës moderne! Dhe këtë gjë e di mirë Adem Demaçi, të cilit i ka hije që t’i kërkojë ndjesë Rugovës. Mjaft u fye nga burracakët Rugova i gjallë! Nuk dua të pranoj se Adem Demaçi është burracak, sepse kam respekt për burgun e tij. Edhe Demaçi vetë, nëse ka respekt për vetë Adem Demaçin, duhet t’i lypë ndjesë Rugovës të vdekur dhe shqiptarëve të Kosovës, të cilët idealin e Rugovës e mbajnë në shpirtrat e tyre gjithnjë të gjallë!
Archives for December 2013
SIMPOZIUM SHKENCOR NE NEW YORK “ LETERSIA SHQIPE DHE ROLI I SAJ NE DIASPORE”
Diten e Diele, Dt. 22 -12-2013 ora 12. 00 -4.00p.m.,-do te zhvillohet Simpoziumi me teme: “Letersia Shqipe dhe roli i saj ne Diaspore!”, organizohet nga Shoqata e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane.. Simpoziumi do te zhvillohet ne mjediset e Monro College, Bronx, New York, perkatesisht ne adresen:
2501 Jerome ave. Bronx NY 10468.
Ne Simpozium do te mbahen disa kumtesa rreth:
-Kush eshte Shoqata e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane , roli dhe kontributi i saj.
-Letersia bashkekohore ne gjinine e prozes e poezise,
-Si e shihni kritiken letrare sot, dhe a ekziston nje kritike e mirefillte letrare.
-Botimet e reja te Anetareve te SHSHSHA-e.
Jane te mirepritur edhe autore qe nuk jane anetare te Shoqates dhe dashamires te Artit e Letersise.
Jeni te mirepritur dhe pjesemarrja juaj vleresohet si kontribut dhe perkushtim ndaj artit e letersise shqipe dhe detyrimi qe kemi ndaj audiences se lexuesve. Ju faleminderit paraprakisht per kohen dhe pjesemarrjen tuaj. Ju faleminderit gjithashtu per mendimet dhe opinionet tuaja. Ju pergezojme dhe se bashku pacim Suksese ne Krijimtari, Familje e Shoqeri.
Nderime e respekt:
Adnan MEHMETI/President
Raimonda MOISIU/Kryetare
Pal NDRECAJ/Nenkryetar,
Dr.Yllka FILIPI/Sekretare,
Sabije VESELI/Anetare e Kryesise,
Ramiz MUJAJ/ Anetar i Kryesise
E SI MOS TË ÇUDITET NJË SHQIPTAR?
Përshtypje udhëtimi nga Kanadaja/
Nga Luan Çipi/
Këtu në Kanada, si në shumicën e vendeve të përparuara, hasim me ca norma të tjera jetese:-Ka më pak bashkësi e lidhje familjare. Secili mendon punon më shumë për vete: punon e mbledh para për nevojat vetjake; gatuan, më së shumti për vete dhe po vetë i lanë enët, apo teshat personale. Nëqoftëse të mërzitet e të rëndohet burri, a gruaja shkëpute, merr një tjetër e bashkëjeton me të, duke i ndarë në mes shpenzimet e qirasë, apo shpenzimet e tjera të përbashkëta, por pa u armiqësuar me bashkëshortin e parë dhe, kur është nevoja, duke e takuar dhe e ndihmuar atë, apo duke ndarë ndonjëfarë përgjegjësie për fëmijët e përbashkët të mitur. Pas moshës 18 vjeç fëmija nuk të pyet më, si prind dhe si rregull, del “në bukë të vetë”.
-Gjindja, këtu në Kanada, punojnë shumë, pa qibër, në çfarëdolloj punësh dhe kur gjejnë, angazhohen me punë të dyta, boll të nxjerrin sa më shumë të ardhura. Me sa duket, si i nxjerrin, shumë më tepër nga ne, ashtu dhe i shpenzojnë ato, sidomos për qiratë e larta, ndriçimin, ngrohje-ftohjen dhe ujin, shpenzimet për autoveturat në karburant, siguracione, remonti e gjoba policie, si dhe për taksa e tatime të larta lokale e shtetërore. Bilanci, me së shumti është negativ dhe manovrohet me kartat dhe kreditë bankare. Po, ama, rrojnë, si njerëz të qytetëruar, me konceptin se jemi qenie të përkohshëm, duhet të jetojmë të sotmen dhe nuk duhet vrarë shumë mendja për të nesërmen.
-Edhe për të ngrëne, si rregull, tjetër gjë. Nuk kanë orar preciz për vaktet, madje as numërohen 3 vaktet tona klasike. Hanë kur ti marrë uria. Mëngjesi ahet me këmbë, ose merret me vete: Kafe amerikane, lëngje frutash, sufllaqe të përgatitura me feta buke e në mes tyre sallata, djathëra manure, rripa mortadello, apo proshutë. Darka është vakti baze, po një darkë-drekë, sa vijnë nga puna, rreth orës 18-20. Atëherë, shtrohen në tavolinë me sallata e barishte gjithfarësh, fileto peshku, apo llokma me biftekë vici të pjekur në furrë, garniturë nga kavanoza të gatshme me salcë e përbërës të tjerë të shijshëm dhe gjithnjë shoqëruar me verë cilësore. Vonë, para gjumit, secili konsumon lëngje, ose fruta të freskëta. Pak bukë, pak kripë e thuajse fare yndyrë dhe shumë ujë, direkt nga çezmat, pasi e filtrojnë dhe e ftohin.
Si rregull, në qytet, e bëjnë pazarin një herë në javë, duke shkuar me makinat e tyre personale në supermarketet universale.
-Pak njerëz gjen në rrugët e tyre të gjera e të pastra, e të ndërtuara më së miri, me sinjalistikë të thjeshtë e të kuptueshme, me mbikalime të shumta dhe bajpase të lehta, të shtrira në transversalet Veri-Jugë, e Lindje-Perëndim; apo në kafenetë e rralla e parqet e shumta të populluara me zogj gjithfarë ngjyrash e me ketra zijosh. Më këmbë sheh vetëm qytetarë të paktë, që rendin për freski e kalitje trupore, si dhe zonja, apo zotërinj, që u shërbejnë e shëtisin, të tërhequr prej rripave nga qentë e tyre të racës.
-Ka njerëz nga të gjitha ngjyrat, të padiferencuar prej njeri tjetri. Shume aziatik e më pak afrikane i sheh, të ulur apo në këmbë, për të ngrënë, apo pushuar në lokalet e specializuara për ushqim kinezë apo vietnamezë, japonezë, apo indiane. Ka kudo klinika me emra e mjekë aziatik.
Një qytezë kineze, me mjedise të shumtë, gjendet fare afër nesh. Atje ka shitore të specializuara dhe supermarket të kompletuar me gjithfarë mallrash të zgjedhura, cilësore e të vendosura bukur, për të varfër e për të pasur, po gjithnjë të etiketuar e të sortuara, të freskëta e të konservuara, me copë apo me peshë. Dhe kudo një buzëqeshje e sjellje e kulturuar, që të grish për blerje e begenisje. Edhe ndërtimet apo zbukurimet këtu kujtojnë Kinën e tyre të dashur, punëtore e paqësore. Kur unë i them Majkllit, dhëndrit tonë kanadez, se dhe te ne, në Shqipëri, po vijnë shumë kinezë ai ma kthen: “Kjo të bind se Shqipëria po futet shpejt në rrugën e zhvillimit. Kinezët janë indikatorë të leverdisë ekonomike dhe e kërkojnë atë, të paret, kudo që të jetë e kudo që të ndihet”.
Me tej është duke u përfunduar një qendër tregtimi, njëkohësisht dhe pushimi e argëtimi, e madhe dhe e bukur indiane. Në këto anë duket se aziatikët janë popullata me dominuese ndër emigrantët. Ata i sheh kudo tek shërbejnë, punojnë, pleq e të rinj, duke shoqëruar fëmijët e tyre të shumtë, apo në lëvizje me automjetet e tyre, kryesisht japoneze, gjermane e amerikane.
Po, vendas e më të hershëm, ata që e drejtojnë Kanadanë, ende më të shumtit, më të pasurit e më te diturit, janë anglezët dhe pas tyre, francezët dhe italianët, si dhe evropianë të tjerë nga Spanja, Irlanda, Rusia, etj.
Gjatë qëndrimit prej dy muajsh në Toronto të Kanadasë vizituam edhe një “Moll”, tregtore të madhe, me dhjetëra pavijone e me disa kate, nga ku hipje me shkallë të lëvizshme, me pafundësi shitoresh të specializuara, të mbushur me mallra cilësore e të shumëllojshëm, të prura nga të gjitha anët e botës. Kishte aty mjedise për ngrënie, pije freskuese, akullore (deri edhe për diabetikë), kënde të gjelbëruara për lexim shtypi e reklamash, për çlodhje e relaks. Të gjitha komode të ndriçuara dhe të ajrosura mirë dhe me sistem qendror ngrohjeje optimale. Kishte një sinjalistikë me qendra orientuese e tabela për të lëvizur me lehtësi, në ato labirinte, ku ndryshe, mund të humbasësh.
Vizitova atje dhe supermaketin “IKEA”, të madh e të specializuar për të tërhequr çfarëdolloj malli të nevojshëm për ndërtime e pajisje shtëpiake. Duhet të zgjidhje e të merrje çfarë të doje vetë e, pasi ta paguaje, kryesisht me kartëkrediti nëpërmjet makinave regjistruese automatike, ta transportoje mallin e blerë, me karro dore e ta ngarkoje në mjetin tënd. Merr e ik, për hesapin tënd, pa qenë nevoja të pyesësh njeri, se malli është i vlerësuar dhe me çmimet përkatëse në etiketat, apo tabelat elektronike dhe për të, ke udhëzimet e hollësishme, shpesh në disa gjuhë, si ta montosh kur është rasti, apo si ta përdoresh atë. Kur pagesa kryhet me kartëkrediti në makinat elektronike, mund të mos biesh ne kontakt fare me njeri, me asnjë shitës, apo punëtor shërbimi. Natyrisht çdo gjë kontrollohet nga kamerat përkatëse dhe nga ndërgjegjja, apo frika e klientit, i cili detyrohet të respektojë kriteret e caktuara, ndryshe vihet para sanksioneve të renda.
Në tregtoret e mallrave të zhvleftësuara, gjeje çdo gjë me çmim të lirë (natyrisht jo aq lirë, sa te “Gabi” ynë), ndërsa te ndonjë tregtore e specializuara, gjeje çfarëdolloj malli, fare të lirë, me çmim një dollarë. Kudo mallin mund ta blije dhe ta ktheje, kundrejt konfermës, po qe se bëheshe pishman.
Në një ujkend bujtëm për darkë te një restorant me gatim grek. Ishim me Linditën, vajzën tonë dhe burrin e saj, Majkllin. Ushqime gjithfarësh, me kuzhinë si te ne: nga qoftet, byreku, japraku, shishqebap e deri te ëmbëlsirat dhe frutat. Mund të haje sa të doje dhe t’i mbushje pjatat disa herë, me një çmim fiks paraprak. Hëngrëm me shije, sa dhe e tepruam si të babëzitur, aq sa edhe në mëngjes nuk kishim më uri. Mentalitet shqiptari: Mos të na shkoi dëm asgjë e paguar.
Në një tjetër ujkend, këtë radhë edhe me nipin e mbesën: Denin dhe Valin shkuam, po me makinë, në një restorant cilësor që quhej “Le Castelio”. Vera e mirë dhe ushqimi i shijshëm, që nga bërxollat e biftekët e viçit e deri te gjithfarë prodhimesh deti, gjithnjë shoqëruar me garniture e sallata te shijshme, ishin aq të bollshme, sa që ne nuk i përgjysmuam dot, por në fund, siç ishte rregull kudo, na i paketuan në kuti të veçanta dhe i konsuamuam të nesërmen në shtëpi. Shumë e shijshme, këtu ishte njëlloj sallate me gjethurina e barishte, djathëra, salcë e përbërës të tjerë, që u përgatit nga kuzhinieri, aty afër në një tavolinë, në prezencën tonë dhe që, ndarë në pjata për secilin, u hëngër e para, me shume kënaqësi. Falas nga pronari të jepej dhe një oreksndjellse me tranguj kornishonë turshi, bukëhudhre, gjalpë rrumbull, sa një kokërare e djathë të shkrirë, si gjizë. Shërbimi këtu ishte shumë i mirë: Bëhej porosia dhe rezervimi i tavolinës qysh më parë, në pritje, sa hyje, te shërbenin për heqien e palltove dhe vendosjen në gardërobë, të shoqëronin kamerierët dhe të shërbenin fillimisht bonusin e lokalit dhe ujë të ftohtë me akull, nga ibrikë inoksi dhe të rinin në kokë për të plotësuar shpejt çdo lloj kërkese. Natyrisht, në këtë restorant çmimet ishin fortë të “kripura”. Përfundimisht, ngelëm shumë të kënaqur dhe falënderuam organizatorin dhe nismëtarin e këtij ujkendi, Majkllin, dhëndrin tonë të mirë, të kujdesshëm e bujar.
Më datën 5 prill, kur dimri i egër ishte në rënie, nipi im Deni, organizon një shëtitje me makinën e tij në drejtim të qytetit të afërt Brampton. Nuk kishte asgjë të veçantë e të dukej si vazhdim i Missisuagës, duke kaluar nga rruga veri jugu në lindje perëndim. Kudo rrugë të gjera, me disa korsi, pastaj autostradë me kufizim shpejtësie 90 deri 120 km. Në kthim, drejt Torontos, ndenjëm në një Park, buzë liqenit super të madh Ontario. Bimët kanë filluar të çelin dhe bari nuk ka nisur të gjelbërohet. Ne liqen patat e paprekshme nga njerëzit dhe qytetarë që, tek tuk, kanë filluar të peshkojnë. Ketrat na shoqërojnë kudo. Aty me poshtë një grup aziatikësh, që duket se diç festojnë. Dikush është duke furnizuar e përgatitur barbikjunë për të pjekur mish a peshk. Mësova se patave, që lundrojnë aty afër, nuk duhet t’u hedhesh ushqim, ndryshe gjobohesh nga policia. Gjobë të rëndë, rreth 100 dollarë merr edhe po tu tek të përmjerrsh jashtë, në natyrë, qoftë dhe në një bythë peme, apo ndenë një këmbe ure, siç bëhet rëndomë, pa të keq, në Tiranë anës Lanës. Po të harrosh rripin e makinës pa e vënë, ke 200 dollarë gjobë dhe, po protestove të shtohet, ndërsa, po e shkele shpejtësinë e lejuar, të hiqet patenta. Dhe ne themi sa të civilizuar janë këta njerëz: nuk hedhin një bisht cigare apo një copë letre përdhe. Hidhe, po deshe, ndiq teken dhe huqin tënd, pa do të të fluturojnë dollarët, me “pikat e gjakut” të trupi tënd.
Pjesë e Librit të Luan Çipit “Nga Llogoraja në Niagarë”
Shkupi nuk është serb, jasht Car Dushani!
”Shqiptarët janë autokton, të cilët gjatë gjithë dyndjeve të popujve, e rujatën tipin dhe karakterin e vet në mënyrë të theksuar. Ata u bënë ballë sulmeve të romakëve dhe mësymjeve të dendura të sllavëve ” -Dr. Bransisllav Nushiqi , shkrimtar sërb/
Shkruan: Fahri XHARRA/
Segregacioni kombëtar dhe gjuhësor në Maqedoninë është shumë ndjellakeq; është për t`ardhur keq që një pushtet i një shteti që mbahet në këmbët prej qelqi nuk e don që të vërtetn e së vërtetës ta sheh me sy të kthjellët. Ka raste kur syri vuan nga shkurtpamësia ,atëherë vehen syzat pasi që na është caktuar dioptria. Shkurtëpamësia politike rrjedhë dhe si e tillë është ose nga mosdija ose qëllimet që prekin shumë largë por pa një përllogaritje të saktë për atë “largëpamësi”. Është për t`ardhur keq që në një shtet ku shqiptarët janë ata që janë ,qofshin musliman apo ortodoks që janë , e bëjnë një numër aq të madh sa që më të gjitha mjetet e mundshme mundohet të mëshifet; bëhët një segregacion kombëtar dhe gjuhësor ndaj tyre.(fxh) Historikisht është e vërtetuar që shtetet nuk shkatërrohen mbrenda natës. Farët e shkatërrimit të tyre janë të mbjellura thellë në institucionet shtetërore. Por ç´po ndodhë më Maqedoninë?
E humbur në ëndrrën e rastësishme të të qenurit shtet , humbë edhe obligimet që dalin nga ajo.Pellazgët kishin pas thonë që një e mirë e arrijtur pa mund , ndodhë që të shkakton të vjellura që s`kan të ndalur. Dhe kjo po ndodhë vazhdimisht me këtë shtet të rastësishëm.
Duke mos pasur as gjë të vetën ti prezantoj botë , duke u munduar që të krijon artificialisht një certifikatë të lindjes si komb e si shtet , po zhytet për ditë e më shumë në errësirën e historisë , dhe e ka të vështirë të del nga labirinthët e saj.
Sa qesharake aq edhe e rrezikshme është çasja e saj në vjedhjen e historisë së të tjerëve për të krijuar një imazh karshi botës , një imazh të rrejshmë për vetvetën.
Dhe populli sllavo -maqedon ( po prej një kombi të pagëdhendur lind një pushtet po ashtu i topitur) , i vetdijshëm për të kaluarën e saj herë si bullgar e herë si serb,; herë -evski , herë si -ov e hiq si -iq i duartroket këtij kapërcimi shtetëror në kopshtin e historisë të popullit vendas , atij shqiptar.
Të kotë e kanë sllavët maqedonisë që janë si bishti i sllavëve të krijojnë njëidentitet kombëtar me një gjuhë të që si e thoshte Z.Edith Durham e fillon me bullgarisht dhe e zien me serbisht. Të kotë e kanë të mbijetojnë me rrenat dhe mashtrimet e tyre.
Juve sllavëve të Maqedonisë Titoja iu mësoi keq të kaluarën e juaj; por edhe me ne veproi në të njejtën mënyrë. Pse po e them këte? Ju kujtohet Republika e Krushevës , Kryengritja e Ilindenit ? Pito Guli me shokë? Pra viti 1903. Edhe keta ishin shqiptarë;por edhe këta turku nuk i deshti,dhe i shkatërroi. E mjera Perandori ! mendonte se do të jetë përjetësisht në këto toka..
“Mbretëria serbe, nga viti 1913 deri në vitin 1941 ushtroi politikë tepër barbare ndaj popullsisë shqiptare, të besimit fetar mysliman, ortodoks dhe katolik, por edhe ndaj popullsisë maqedonase. Bile, maqedonasit as që i njihte për popull, kurse shqiptarët myslimanë mundohej t’i tjetërsonte në turq. Por ama, përqendrimin fillestar asimilues pushtuesi serb e koncentroi ndaj popullatës shqiptare me besim ortodoks, duke e shpërdoruar për këtë politikë asimiluese edhe kishën nacionaliste serbe dhe besimin e tyre, prandaj shqiptarët ortodoks i pat “konvertuar” zyrtarisht në serbë.”
Dhe tani si ortak me një përbindësh , sllavo maqedonasit mundohen të shpëtojnë nga e vërteta shqiptare duke u bashkuar me serbët ,me një popull që nuk i pranon as neve e as ata .
Por, e vërteta është një lloj ujë i nxehtë që del nga toka, i cili shkrin dëborërat dhe akujt që ka përqark, i bën për vete dhe shtohet duke shkuar dhe sado që mund të ngrijë duke u ftohur ajri, pa kaluar shumë kohë prapë bëhet siç ka qenë (ujë i rrjedhshëm) – ka thënë Sami Frashëri.
15 përmendore ilegale të “Shkupi 2014” ( INA) Zhernovski(Kryetar Komune Qender) tha se për vendosjen e disa përmendoreve nuk ka asnjë dokumentacion, por vetëm se janë vendosur si pjesë e pazareve politike dhe që tani po nxisin tensione ndëretnike dhe ndërmjet qytetarëve. Ai me këtë rast ka përmendur edhe përmendoren e Car Dushanit, që sipas tij është antiligjore, pasi që ajo nuk është paraparë në planin urban dhe të detajuar në Urën e civilizimeve mbi lumin Vardar, ku janë vendosur edhe përmendore të tjera.(INA).
Përmendorja e Car Dushanit vërtetë që është antiligjore si përmendore, por është një paralajmërim se,jeni të nënshtruar !
Nuk ruhet identiteti me figura të huazura të historisë së pushtuesve.
Fahri Xharra ,11.12.13 Gjakovë
KOMBI IM BALLËNDRITUR
Neki Lulaj/Gjermani/
KOMBI IM BALLË NDRITUR/
Kombi im rrugëtoi në udhë betejash ballëndritur/
Me besë me flamur, me gjuhë e me tokë/
Në rrugë mes acareve të viteve që kanë ikur/
Rrënjët u mplkesën në gur, në shpirt dhe në kokë./
Tremijë vjet kërkoi e kërkoi një rreze lumturie/
Jetuam mes udhëkryqeve në pafundësi/
Njëqind e një vjet na u dukën si flakë lirie/
E sot na bashkon shqiptarçe Nëntori i ri/
Njëqind e një vjet fluturuan në duhë qiellore shqipet
Mbi shumë ura nën gryka me një hark Ylberi
Zemra i dha shpirt forcën gurit që ndizej e digjej
Thellë u mplekësën ëndrat te guri i një themeli
Nëpër furtunë e dallgë ecën njëqind e një vjet
I bënë dritë hije historisë sonë ëndrës së lirisë
Kur shkoj në Ulqin,në Çamëri, në Shkup e në Preshevë
Prek me shpirt ëndrrat e ndrydhura të shqiptarisë
Gëzuar vëllezër të gjakut shumë e shumë
Ju që keni në zemër të mbjellë një flamur
GURRA E STANIT
Gurra para stanit lëshon ujin e qelbur të vetmisë
Currilat rrokullisen njëra-tjetrën duke u kafshuar
Thyhen si qelqi ne mes ngricave të dimrit të ngrirë
Vetmisë në bjeshkë para stani duke i kënduar.
Nuk sjell më zhurmë stani nga zëra fëmijësh
Nuk e kthehet me zëri i lugut nga fyelli i bariut në luginë
Nuk dëgjohet me këmbora e qingjave kërthinjë
As shpendmira nuk këndon mbi llajën e bagëtisë
Shakullin bora xixa-xixa përmbi kodra e maja malesh
Uturijnë drurët e kërcasin nga pesha e kërrusur
Ariu bën gjumin diku thellë në shpella, ndër shpate
Në pranverën e blertë stani shpërthen sërish prej zhurmës
BALLI YT
Sipër ballit tënd krelat e flokëve si shkumë ujëvare
Janë mpleksur bash si mjegulla mbi Rozafë
Mbushin zgalat e murit ca tinguj serenate
Në mes zgavrave të rrapit zogjtë këndojnë pa ndalë
Mbi Kala po më duket se vrojton Teuta pa pushim
Dashurinë e nimfave të gurra në cep të një oborri
E hiri rrit shtatin mbi pishën e Çabratit me gjelbërim
Balli yt shndërit e duket si qielli kaltëror te honi
Mbi kalldrëmet e kohërave qep zgërbonjat e lisave
Me perin e merimangës mes molëzave të gishtërinjve
Qëndis brigjet me perlat e bardha filigram në ditët ballëdrita
Me gurët e pickuar të rrugicës kujtoj ditët e rinise
KOHËT
Rastësisht bashkë kohërat një ditë na kanë takuar
S’e di pse sytë vjedhurazi lëpiheshin në fytyrë me etje
Kullosnin te njëri tjetri me etjen e madhe e të pashuar
Në kohën e ikur që kurrë më nuk do të kthehet
Koha ikte hipur mbi një karrocë të vjetër prej druri
Se di pse ne i shpalosnim ëndërrat bashkë mbi fletë
Te netët e pagjuma preknim me muzën me fuqi burri
E dikush në gjumë gërhiste në dhomën e tretë
U shpalosën puthjet si petalet e luleve para diellit
Kurrë nuk e di cili i pari i shpleksi të gjatat gërshetat
Faqet e qëndisura me brumë shpirti dukeshin si qielli
Vargjet tona mendonim se zbuluan thesarëet e shtrenjta
E s’e dinim se fjalët ishin në robërinë e fletës
Ishin në oborrin e poezisë me mollëzat e gishtërinjve
Shtrydha lotin me grimcat e shpirtit dhe të jetës
Dhe eca pa u lodhur në udhën e këngëve nëpër brigje
NA DOGJËN
Na dogjën kullën të çmendurit e shumtë
U mashtruan nga çmenduria e hienësisë
Druri i thatë rriti hirin mbi trup e mbi gur
Heshtja jetoi me ditë javë e muaj
E themeli u forcua më shumë mbi tokën ku kishte veç bekim
Flakoi lotoi në majë të kulmit
Dhe i shkriu zinxhirët e ndryshkur të robërisë
I mallkova armiqtë e ndyrë të fshur mes tymit
Bashkë me turpin ikën morën arratinë
Në themelin e kullës
gjyshi kishte fshehur thesar me flori
E Kulla jonë sot plot gjallëri gaz e këngë
E kulla gurë e mjaltë…
Oh, ç’ëmbëlsi..,….
ATDHEU IM
Atdheu im është tokë me eshtra të pa tretura
Atdheu im është fushë me kufoma të pagjetura
Atdheu im është tokë dëshmorësh me shekuj
Atdheu im është tokë e bekuar që ka vetëm engjëj
Atdheu im është tokë me trima e heroina
Atdheu im është tokë e mbushur me legjenda
Atdheu im është tokë me beteja ku ecën lavdia
Atdheu im është tokë e kullë ku flet rezistenca
Atdheu im është feniks tokë e djegur e ngjallur
Është guri ku kokën kam vënë ditën e natën
Atdheu im është tokë e ballë i stuhive të historisë
Atdheu im është tokë e gjuhë e bekuar e perëndisë
PSE
Me zamkën e zemrës plagën e shpirtit e shërova
Dhe emrin tënd e gdhenda në gurin ëndërrror
Ndryshkun ia u hoqa eshtrave që më mbolli koha
E në lulet e para që erdhën nga Çamëria mora aromë.
I kujtova ninullat e netëve të gjata
Kur gjyshja i këndonte tek oxhaku
Mbi prush zinte shtatin e rritjes flaka
E hija e blertë e hirit rrinte te pragu.
Mbi flatrat e pritjës prek durimin për dashuri
Kur eci si Kolomb rrugëve në Çamëri
Kur mësoj për Marko Boçarin
Kur dëgjoj për trimëri
SONTE NË BËRLIQ
(Imazhe malli nga vendlindja ime ku e lidhi jetën)
Stërkala mbi gjamë vërshojnë si përroska vjeshte
Mbi parmakët e dritares heshtja ndrydh vetminë
E sipër faqeve të qelqit shkruhen imazhe jete
Mes zefirit përplaset porta që kërcet nga era e vetmisë
Kullë boshe pa fëmijë nuse, burra e pleq
Mes zgalave të murit përshpërit vetëm era
Merimanga në shtatin e parajës fle e qetë
Oh po shumë paska hapur krahët heshtja
Porta e drurit me dhimbje kërcet e vetëm kërcet
Macja mjaullin për një copë bukë në tasin e vjetër në odë
Nuk ka fëmije në oborr e lulja ka mbetur e shkretë
Mungonn zëri i pleqve dhe kutia e duhanit të fortë
- « Previous Page
- 1
- …
- 40
- 41
- 42
- 43
- 44
- …
- 67
- Next Page »