• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

TIRANA, METROPOLI SHQIPTAR NUK KA ELITË

December 2, 2013 by dgreca

Esé nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Në Tiranë nuk ka elitë. Si përkufizim, elita është ai grup apo kategori sociale që ka vendin më të lartë në hierarkinë e vendit. E shprehur metaforikisht, elita është ajka e shoqërisë,aristrokracia, fisnikëria, bujaria. Në origjinë, statusi i elitës nuk është i veshur me pushtet, por ai njihet si autoriteti apo integriteti moral i padiskutueshëm.  Ka elitë dhe elita.
Në Tiranë nuk ka elitë – ka pseudoelitë, që përfiton privilegje jo për shkak të arritjeve të saj në të mirë të vendit dhe shoqërisë, por për shkak të simbiozës me politikën e krimbur nga korrupsioni dhe të qelbur nga injoranca. Servilizmi si definicion vjen nga latinishtja dhe lidhet me shtresën më të ulët dhe fundin e shoqërisë, të skllavit me shërbimin e bindur e të verbër ndaj skllavopronarit.
Këtë pozicion ndan sot elita e Tiranës me politikën. Kur do të duhej që elita të ishte në shërbim të vendit dhe rimëkëmbjes fizike e shpirtërore të tij pas 70 vitesh diktaturë e tranzicion.
Nëse degradimin gjysmë shekullor i dedikohet diktaturës. Degradimi 23 vjeçar i tranzicionit i dedikohet edhe elitës së degraduar.
Ismail Kadare është shembulli në kushte të jashtëzakonshme i përfaqësuesit të elitës së një vendi –   pasi veprën e krijoi në një sistem që e përjashtonte dhe ekskomunikonte elitën. Vepra e Kadaresë i shërbeu afirmimit të identitetit kulturor – kur kombi po kalonte një krizë të thellë identiteti, pasi regjimi totalitarist iu mohoi shqiptarëve të drejtat elementare të njeriut – siç ishte fjala e lirë, mendimi i lirë, lëvizja e lirë. Kadare i sfidoi këto barriera. E sfidoi metodën e realizmit socialist që ishte mënyra më efikase për të lejfenizuar shqiptarët. Shkrimtarët që përqafuan këtë rrymë, apo u detyruan ta bëjnë, i takojnë elitës së diktaturës – jo të një shteti të lirë dhe demokratik. Vepra dhe arti i asaj kohe duhet të merret në analizë historike, si produkt i së keqes dhe jo si shembull e vlerë. Kadare i bashkangjitet elitës së Kombit, sepse, përmes veprës së tij, pati ndikim tek publiku i gjerë shqiptar dhe botëror. Tek shqiptarët ndikoi për të mbajtur zgjuar koshiencën e lirisë përmes një arti të kulluar; tek lexuesi botëror për t’i treguar publikut dhe elitës botërore se shqiptarët janë komb i civilizuar dhe europian. Kadare është maja e elitës shqiptare dhe pjesë e elitës europiane për rolin që pati për të ndikuar në të mirë të fatit të kombit të tij në momente shumë dramatike, siç ishte periudha e rrëzimit të diktaturës dhe Lufta në Kosovë.
Në çdo shtet demokratik, që garanton tregun e lirë dhe liritë e njeriut, elitat i krijon vetë sistemi, të cilat bazohen në meritokracinë dhe vlerat.
Elitat dallohen nga turmat pasi jetën dhe veprën e tyre e venë në shërbim të shoqërisë. Pra, elitat sakrifikojnë, nuk janë përfitues privilegjesh kur vendi mbytet në mjerim dhe dekadencë.
Sot, po ashtu jemi më të çoroditur se kurrë nga inflacioni i fjalës „intelektual“ – ku me këtë etiketë konsiderohet çdokush që ka mbaruar universitetin, ka marrë tituj e grada dhe ka siguruar një jetë të suksesshme profesionale personale. Pra, arritjet personale i kanë siguruar një jetë të lumtur e pa telashe. Profesionalizmi është i dobishëm dhe i domosdoshëm, është themel për të krijuar intelektualin por prapë është pak. Intelektualët krijojnë vlerë dhe dallohen me përkushtimin, talentin, aktivitetin, kontributin e ndikimin në të mirë të shoqërisë, të komunitetit apo vendit. Domosdo që intelektualët më të shquar janë pjesë apo kontigjent i elitës. Ermonela Jaho, Saimir Pirgu dhe kjo kategori brilante artistësh shqiptarë në Perëndim, që me emrin e tyre të mirë, jo vetëm përfaqesojnë majat e artit, por i shërbejnë përmirësimit të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, janë padyshim pjesë e elitës së re shqiptare.
Në Shqipëri nuk kemi elitë. Kemi satelitë të politikës. Janë në shërbim të tyre, janë servitorë, skllevër, të pafytyrë, maskarenj, dallkaukë, sharllatanë – sepse satelitizmi i tyre është koshient, e bëjnë me ndërgjegje, pasi ata janë të vaksinuar prej kohësh dhe e dinë se çfarë është mirë dhe keq.
Në diktaturë satelitizmi të imponohej, sot në Tiranë satelitët bëhen të tillë për arsye utilitare, sepse duan një jetë personale me privilegje e me luks. Kjo e deelitizon ose e çelitizon elitën. Dhe këtu fillon korrupsioni i elitës. Sepse ata e dinë të vërtetën dhe e përçudnojnë atë.
Si përçudnues të elitës, ata janë pa publik, nuk kanë simpatizantë, as adhurues. Ata nuk dinë as të flasin. Nuk dinë të bëjnë për vete as gruan e tyre, e cila adulteron me të parin që beson se nuk është rrenacak si bashkëshorti.
Ata shkruajnë libra pa idé dhe pa shpirt. Ata botojnë e promovojnë vepra që i bëjnë doktorë, por që nuk lexohen. Ata nuk thonë asgjë, ose thonë të kundërtën e asaj që duhet, por ata përbëjnë katastrofën natyrore ndaj shoqërisë, shumë më zi se cunamët, sepse e detyrojnë audiencën, publikumin që t’i ndjekë në të gjithë pushtetin multimedial, të cilin e kanë shpërblim për shërbimin që i bëjnë politikës. Pra, ata e ushqejnë popullin me të pallavra, me të pavërtetën.
Në Shqipëri nuk ka elitë – ka vetëm satelitë faqezinj, që dhjamosen për të prodhurar fabrikate mashtrimesh në dëm të shoqërisë, në dëm të vendit, duke e shndërruar demokracinë shqiptare në gogol dhe duke e përdhosur të vërtetën. Kjo është drama kombëtare shqiptare. Sepse e ashtuquajtura elitë, shumica bijtë e bijat e ish-nomenklaturës të kuqe e kanë monopolizuar rolin e elitës.
Sargent Shriver, një burrështeti amerikan dhe aktivist i shquar, kunat i vëllezërve Kennedy – themeluesi i “Peace Corps” – Trupave të Paqes – e përkufizonte elitën si një kategori e pastër e përbërë nga ata burra e gra që sakrifikonin jetën e tyre për hir të drejtësisë dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Kam parë burra e gra që pretendojnë e krenohen se janë elita shqiptare – ndërsa nuk guxojnë të shqiptojnë as minimumin e mundshëm – të së vërtetës. Këta në fakt janë njerëzit më të rëndomtë të shoqërisë. Sepse, duke u nisur prej interesave personale ata e çorodisin shoqërinë, e intimidojnë atë, ia fusin frikën, sepse krijojnë tema taboo, diçka e pafalshme kjo për një vend si Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, që do të thotë pak a shumë një demokraci që aspiron të jetë si motrat e saj Perëndimore.
Përkufizimi që ia bën elitës Sargent Shriver është ai i shqiptuari më shqip. Sot në Shqipëri nuk ka luftë midis qytetërimesh, as midis feve apo ideologjive. Në Shqipëri ka antishtet. Dhe antishtetin e mban në pushtet pseudoelita, antielita, njerëz surrogato, shumë më të rrezikshme se rreziku i armëve kimike, sepse disorientojnë shoqërinë, duke e deformuar ndërgjegjen njerëzore dhe konceptet themelore me të cilat krenohet me të drejtë një shoqëri demokratike, që janë vlerat dhe morali.
Pseudoelita shqiptare nuk dallohet as për veprat, as për vlerat dhe as për talentin e saj. Ajo nuk dëshmon virtuozitet as në fjalë, as në shkrim dhe askund. A dini ndonjë oratori të shqiptuar prej tyre që ka prekur mendjen dhe shpirtin e popullit shqiptar këta 23 vjet tranzicion. Mjerisht nuk ka. Sepse elitat e vërteta lindin nga një motivacion i madh, për të ndryshuar për të mirë vendin dhe jetën e popullit. Ndërsa pseudoelita shqiptare është produkt i tregut të zi, korrupsionit, i shoqërisë së padekomunistizuar, i pisllikut dhe llumit të njerëzve me dosje dhe me skeletë nga diktatura.
E mira e kësaj të keqe madornale është se ky llum nuk ka dishepuj. Nuk kanë popull që u shkon pas. Nuk kanë ndjekës. Followers. Në dallim nga elita e vërtetë, e cila krijon shkollën, filozofinë,vijimësinë me qëllim mbarëvajtjen e shoqërisë duke respektuar të vërtetën. Por megjithatë përmes pushtetit medial ata e manipulojnë turmën.
Filozofi i antikitetit grek Sokrati, babai i filozofisë së etikës së jetës, që njihet si një nga mësuesit më të mëdhenj të Perëndimit, shoqërisë së cilivilizuar perëndimore, endej rrugëve të Athinës duke inkurajuar dialogun dhe komunikimin e duke i fokusuar qytetarët në zbulimin e së vërtetës. Sokrati kishte një ndikim të jashtëzakonshëm tek elita e rinisë dhe u arrestua me akuzën se “po korruptonte mendjet e rinisë duke i larguar nga rruga e Zotave”.
Sokrati nuk kërkoi as falje dhe as mëshirë por reagoi përmes “Apologjisë”, sipas së cilës janë Zotat ata që i kanë bërë thirrje Sokratit të kërkonte të vërtetën dhe drejtësinë. Kaq sublime është ajo në jetën e një shoqërie dhe kombi.

Sot Sokrati është një nga përfaqësuesit më të denjë të elitës në historinë e njerëzimit. Ai konsiderohet babai i mendimit të lirë, frut i dijeve. Një nga paradokset e Sokratit ishte se ai e barazonte virtytin me dijet. Dmth kush është i dijshëm duhet të jetë patjetër i moralshëm, njeri i vlerave dhe me integritet.
Kështu duhet të jetë, por në Shqipëri nuk është kështu. Sepse pseudoelita e Tiranës me pretendimet se është e dijshme, i ka kthyer kokëposhtë deduksionin e Sokratit, që për ta do të thotë se kush është i dijshëm, është i lirë të bëjë çfarë të dojë dhe të jetë kush të dojë, të jetë edhe i pamoralshëm, i pavirtytshëm dhe i korruptushëm.
Këta janë sofistët e tranzicionit shqiptar, pseudoelita, produkt i së cilës është edhe lejimi i degradimit të shtetit demokratik fraxhil. Sepse elitat në shtetet demokratike i shpëtojnë dhe i nxjerrin kombet nga tunelet dhe qorrsokakët, ndërsa këta të Tiranës i mbajnë në tunele dhe në terr.
Siç është rasti më i fundit rreth shfaqjes së portretit të diktatorit në një ceremoni zyrtare shtetërore. Apo imponimi i 29 nëntorit nga një segmenti ekstremist i politikës si dita e çlirimit të Shqipërisë, kur kjo datë, edhe nëse përkon me largimin e gjermanit të fundit, po ashtu shënon fillimin e kalvarit më tragjik të shqiptarëve.
Po të ishte elita, po të mos ishte kjo faqezeza, do t’i ofronte një pyetje retorike si presidentit të Republikës, ashtu kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit. “Zotërinj a do të lejonte shteti gjerman në një protokoll zyrtar, siç është ai bashkimit të Gjermanisë, që, bashkë me Angela Merkel dhe Presidentin Gauck, të shfaqej në sfond fotografia e Hitlerit?”
Kjo është e vërteta. Sa më tepër ta zbulosh, aq më mirë është. Nëse Edi Rama, Ilir Meta dhe Bujar Nishani do t’i referoheshin të vërtetës, se çfarë u ndodhi shqiptarëve prej 29 nëntorit 1944 deri në rrëzimin e diktaturës, që të tre do të përgjigjeshin: “Jo” – Atëherë ata më së paku do t’iu kërkonin ndjesë shqiptarëve! Dhe nëse në Tiranë nuk e mbron askush të vërteten, dmth nuk ka elitë, ka vetëm antielitë, prandaj them ka satelitë, ka shërbyes, shërbëtorë, skllevër të skllavopronares politikë.
Por megjithatë e vërteta ekziston, pavarësisht plehut, kënetës dhe moçalit intelektual që ka pushtuar Tiranën, që jeton nën diktatin dhe diktaturën e deformimit të së vërtetës.
E vërteta po ashtu ka gojë dhe flet, ashtu si thotë Sokrati në një nga fjalimet më të bukura të historisë së oratorisë botërore, një pjesë të cilës po jua përcjell me qëllim që t’i thërrasim mendjes, sepse po marrim në qafë brezat që vijnë: “Dikush nga ju mund të thotë: Sokrat, po ti a nuk mund ta mbash pak gjuhën, e pastaj mund të shkosh në një qytet të huaj, ku nuk të njeh kush e ku pastaj askush nuk do të merret më me ty? Mesa po shoh, unë e kam të vështirë që t’ju bind me përgjigjen time në këtë pikë. Nëse unë do t’ju thosha se, po të bëja si më thoni ju, kjo do të jetë një mosbindje ndaj Zotit dhe, prandaj, unë nuk e mbaj dot gjuhën, ju prapë nuk do të më besonit; dhe nëse unë prapë do t’ju thosha se fjalimi për virtytin që më dëgjoni të shqiptoj, duke ekzaminuar veten dhe të tjerët, është e mira më gjigande e njeriut, dhe se jeta e paanalizuar nuk ia vlen të jetohet, ju prapë nuk do të më besoni”.
Por siç e thashë, shkolla e Sokratit është një nga filozofitë në themel të civilizimit Perëndimor. Dhe ky sistem është i krijuar. Elitat e një vendi veç i mbrojnë këto vlera në vendin e tyre! Jo si vepron pseudeelita e Tiranës, që jo vetëm nuk po lejon të mbillen vlerat e civilizimit Perëndimor, por po çrrënjos edhe vlerat e konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve, falë të cilave u kemi mbijetuar tallazeve dhe të gjithë të këqiave.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, esse, Tirana nuk ak elite

KUSH E PENGON NJË BASHKËKUVENDIM TË SHQIPTARËVE TË AMERIKËS?

December 2, 2013 by dgreca

NGA  ARTUR VREKAJ/

Iku edhe një vit nga shekulli i dytë i Pavarësisë së Shqipërisë.Dhe prapë jemi atje ku ishim. Të parcelizuar me organizimin e veprimtarive festive të 28 Nëntorit në qytetet amerikane ku banojmë. Përshëndetje të shumta, dolli lloj-lloj dhe fotografi që bëjnë xhiron e botës.

Ka gjallëri, por është më shumë e inicuar në muajin Nëntor për të festuar e bërë para nga darkat si për shoqatat, individët që bëjnë biznes apo dhe këngëtarët që vijnë e mbushin kuletat për 3 a 4 koncerte.

Pak shoqata ndihmojnë financiarisht projekte për vëndlindjen. Sepse nuk e ndjejnë shumë të tjerat.

Edhe kur i drejtohemi Kongresistëve Amerikanë për hallet që ka kombi herë-herë i drejtohemi në emër personal, në emër të një organizate a të organizatave shqiptare vetëm të një shteti. Pra, nuk kemi një letër zyrtare që të tregojë unifikim të të gjithë Shqiptarëve të Amerikës. Sepse kemi mbi 200 shoqata aktive dhe jo aktive, atdhetare, humanitare e fetare.

Nuk kemi programe të unifikuara të Gjuhës Shqipe në çdo qytet ku ka shqiptarë me shumicë. Nuk kemi një program vjetor kombëtar të unifikuar për gjithë Shqiptarët e Amerikës. Nuk kemi regjistër të Diasporës.

E shikoni edhe vetë. Pak flitet për festimin e përvjetorëve të plotë të plotë të ngjarjeve dhe figurave kombëtare. U la në harresë festimi mbarëkombëtar i 135-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, sepse përkoi edhe me fushatën zgjedhore në Shqipëri. Dhe më në hall ishte Diaspora se çfarë do të ndodhte në Shqipëri më 23 Qershor se sa përkujtimi i ngjarjes më madhore përbashkuese të kombit më 10 Qershor 1878.

Edhe kontaktet me Shqipërinë i kemi sipas klientelës qeveritare, presidenciale apo institucionale.  Shqipëria  i bie daulles kombëtare në Vlorë, por nuk ka ndihmuar as me strategji, as me ngritjen institucionale të përfaqësimit të Shqiptarëve emigrantë jashtë Shqipërisë.

Nuk ka asnjë komunikim periodik nga Tirana zyrtare me shoqatat aktive në qytete.

Kambana e asimilimit ka vite që bie. Dhe po ha breza me radhë që natyralizohen më shpejt edhe për arsyen e integrimit më të shpejtë në Amerikë.

Amerika është vendi më parajsë për fuqizimin e një pune më të bashkërenduar kombëtare për edukimin e brezave me historinë dhe Gjuhën Shqipe ! Por nuk ka reagim të gjithanshëm nga shoqatat aktive. Nuk ka vërtet një ndjeshmëri, sepse u duket mirë dhe gjendja që jemi.

Ka një Institut të Diasporës në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, por nuk kemi parë një kontakt, një udhëzim, një projekt për Shqiptarët e Amerikës.

Erdhën shtetarët më të lartë të shqipërisë në Shtator 2013, u kënaqën të ndarë në Amerikë, u bashkuan nga halli në një darkë lobiste dhe kaq.

Nuk thanë ju Shqiptarët e Amerikës duhet të bashkoheni se boll jemi ndarë ne në Shqipëri edhe pse kemi bërë zullume për të fituar më shumë për vete.

Nuk thanë, e dimë ju kemi lënë pas dore edhe për programe bashkëkohore të Gjuhës Shqipe në Amerikë! Nuk thanë shumë gjëra!

Po edhe ne që i takuam, nuk ua thamë se ka shoqata që nuk janë të kthjellëta për bashkim të të gjitha organizatave. Se ka edhe në Amerikë qejfmbetje radikale kur dikush hipën në karrike në Shqipëri a Kosovë. Se bëjmë protagonizëm edhe shoqata me shoqatë këtu në Amerikë. Se nuk jemi shumë të hapur me komunitetin për çfarë duhet të ndryshojë për mirë.

Që Kosova e ka më të pozicionuar e programuar punën me Diasporën tashmë kjo është prezente me  Draft-Strategjinë e prezantuar këtë vit kudo, me ndihmat konkrete me tekste e materiale, me komunikimin për verifikimin e gjëndjes por edhe për inkurajimin për hapjen e më shumë shkollave Shqipe edhe në Amerikë.

U jemi borxhlinj! Pak tu thuash faleminderit si Ministrisë së Diasporës dhe Shrëbimit Diplomatik të Kosovës në Amerikë.

Vijmë tek plaga e madhe e bashkimit me bashkëkuvendim. Nuk jemi të vendosur për ta bërë të gjithë. Ca flasin në mbështetje të shoqatës që kanë, ca hiqen si heronj se çfarë shoqate kanë themeluar, ca  mbajnë fjalime me citate të Konicës dhe Nolit, por harrojnë se çalon diçka në bashkëkuvendim.

Ca thonë nuk janë pjekur kushtet, ca të tjerë është shumë e  vështirë. Të tjerë kush do ta bëjë a kush do marrë nismën e thirrjes etj.

A do të ndodhë një bashkëkuvendim i të gjithë Shqiptarëve të Amerikës? Po. Do të ndodhë, por nuk i kapërcejnë dot barrierat që kanë ngritur vetë drejtuesit e organizatave shqiptare të Amerikës. Sepse tek e fundit kush e pengon?

Nuk na e ka fajin as Shqipëria dhe as Kosova zyrtare që ne Shqiptarët e Amerikës që jemi të parcelizuar sipas qyteteve dhe krahinave nga vijmë të bashkëkuvendojmë për ardhmërinë e Identitetit kombëtar. E kemi fajin ne që merremi me drejtimin e shoqatave. Pak rëndësi kanë emrat e përveçëm, ata tashmë njihen në komunitetet ku banojnë. Sepse edhe kanë vite si kryetarë a anëtarë edhe të disa bordeve drejtuese. Dhe kanë rënë rehat me këtë lloj veprimtarie. Ka organizata që nuk zgjedhin kryetar por zgjedhin vetëm këshill?! Ka organizata që e mbajnë kryetarin përmbi 10 vjet ose zgjedhin vetëm kryetar dhe kryetari zgjedh vetë këshillin?! Pra, nuk kemi norma demokratike që në zgjedhje të drejtuesve. Dhe këta vegjetojnë….

Pse nuk e  duan një bashkëkuvendim të të gjitha shoqatave nuk e kanë thënë hapur. Por dihet që e vuajnë, sepse shqiptarët sot janë të shkolluar dhe e dinë mirë se vetëm me bashkëkuvendim mund të çahet më tej. Ose do bjemë më shpejt në folklorizëm.

A nuk janë frymëzuese Bashkimi i katër shoqatave të Bukureshtit me emrin BASHKIMI nga u frymëzua edhe BASHKIMI i shoqatave të shqiptarëve në Boston me emrin VATRA që përndollën Pavarësinë e Shqipërisë?

Pse të mos bashkëkuvendojmë siç bëri Noli, Konica, Kirka,Peci, Çekrezi, Tromara, Dako e sa e sa dhjetëra të tjerë? Përse? Duhet dhe është domosdoshmëri. Shiheni vetë. Sepse gazetat dhe televizionet sot nuk ua thonë hapur. Asfare!

Me keqardhje shoh shumë emra profesorësh me origjinë Shqiptare që janë të sukseshëm në punën e tyre, që janë integruar mirë në Amerikë, por nuk u është dëgjuar zëri kur bie fjala për një gjithëpërfshirje të brezit më të ri edhe për një mënyrë drejtimi më bashkëhore më integruese me komunitetet ku jetojmë.

Unë besoj se të rinjtë Shqiptarë të New York që sot për sot janë radha e parë e përfaqësimit të Shqiptarëve të Amerikës në veprimtaritë përfaqësuese dhe humanitare do të bëhen palë me bashkëkuvendimin dhe do të përmbysin këtë situatë vendnumëro të Diasporës. Nuk ka rrugë tjetër. Vetëm rinia sjell energji dhe vizion të pastër. I kemi parë drejtpërdrejtë.

 

 

Filed Under: Featured

VLERA E HUMANIZMIT DHE ATDHETARIZMIZMËS NË AMERIKË

December 1, 2013 by dgreca

Të dielën pasdite në qendrën Kulturore”Nëna Terezë” pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” u promovua libri i shkrimtarit dhe studiuesit Mikel Gojani me titull” Mhill Gjuraj, Vlera e Humanizmit dhe atdhetarizmës në Amerikë”. Merrnin pjesë bashkatdhetarë të shumtë, të afërm, familjarë dhe miq të familjes Gjuraj.

Takimin e ka hapur shkrimtari Mhill Velaj, i cili ka prezantuar librin, protagonistin Mhill Gjuraj dhe ka ftuar dom Pjetër Popaj që të bekoi veprimtarinë dhe darkën e shtruar me këtë rast.

Recensuesi i librit Luz Thaci mbajti  kumtesën me titull ”NJË LIBËR ME VLERË I ZHANRIT PUBLICISTIK,DOKUMENTAR,E HISTORIK”, ku evidentoi vlerat dhe mesazhet që përcjell ky libër me autor Mikel Gojani.

Ndër të tjera z.Thaci tha: Libri, “Mhill Gjuraj – vlera e humanizmit dhe atdhetarizmës në Amerikë, që kohë më parë ka dalë në dritë i autorit Mikel Gojani, flet mbi figurën e afaristit, humanitarit dhe mërgimtarit të përkushtuar shqiptar Mhill Gjurjaj, është në interes të të gjithëve e sidomos për vlerat dhe dinamikën e një nga periudhat e rëndësishme të diasporës shqiptare në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork.

Nuk ka se si të mos potencojmë një nga arsyet më të rëndësishme se si diaspora jo vetëm se ka qenë promotor i rëndësishëm i të gjitha lëvizjeve kulturore e politike të kohës në shërbim të kombit në përgjithësi, e posaçërisht në shërbim të pakursyeshëm( pothuajse me të gjitha mjetet dhe jetën),  të lirisë,  demokracisë dhe pavarësisë së vendit. Pa një mbështetje të këtillë sigurisht se rrugëtimi drejt lirisë dhe pavarësisë do të ishte edhe më i gjatë dhe me shumë sfida të tjera, por ja që ndihma dhe mbështetja e diasporës përbënte ndihëm apo krahun e fuqishëm të elitave që ishin në krye të këtyre proceseve në Kosovë si në procesin e çlirimit ashtu edhe të pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit demokratik.

Duke hyrë në esencën e librit studiuesi Luz Thaci, e vuri theksin edhe në vlerat përgjitëhsuesi të librit, i cili edhe pse merret me veprimtarinë atdhetare dhe bamirëse të  Mhill Gjuraj dhe familjes së tij, ai sjell jetë nga diaspora shqiptare e Amerikës. Libri theksoi z. Thaci na sjell një rifreskim të përpjekjeve të diasporës dhe ndihmës së tyre ndaj vendit,  duke shkruar mbi personalitetin e veprimtarit Mhill Gjuraj, ai ka sjell edhe një mori arsyesh të logjikshme në kapjen edhe më mirë të konceptit të diasporës shqiptare këtu në Ameërikë, respektivisht në Nju Jork, vlerës kombëtare që ngërthejnë në vete dhe zhvillimit e shërbimit të tyre në të gjitha proceset për atdheun e tyre dhe të ardhmen e brezave ne vend.

Mhill Gjuraj është një nga shembujt e mirë të përkushtimit atdhetar,  të veprimtarisë së sinqertë dhe të një njeriu të mirë i cili në mundësit e tij ka luajt rolin e duhur të një afaristi, humanitari dhe veprimtari, me ç’rast  roli i  tij është i padiskutueshëm. Apo siç shkruan në fjalën e tij hyrëse autori Mikel Gojani se mbase, z. Gjuraj, jep premtimin se angazhimi i tij në fushën e çështjes  humaniste dhe atdhetare nuk do t’i mungojë asnjëherë as në të ardhmen, sepse, ishte i vetëdijshëm se ai që ndihmon popullin e tij, vendlindjen e tij, atdheun e tij, nderon veten e tij dhe familjen e tij, përgjithësisht (M. Gojani, fq. 25, shënimi im).

Prandaj shiquar nga ky aspekt mund të nënvizoj se libri i autorit Mikel Gojani është një vlerë e shtuar,  sidomos në fushën e njohjes më mirë të diasporës dhe veprimtarisë së saj të madhe në shërbim të atdheut në të gjitha proceset. Libri në fjalë është i ndarë në disa kapituj, i dokumentuar dhe i shoqëruar si me foto të aktiviteteve të ndryshme dhe zhvillimit e lëvizjet e ndryshme, kulturore,  politike etj.

Ligjëruesi u ndal më hollësisht ën kapitullin e fundit të librit, ku të tjerët vlerësojnë veprimtarinë e atdhetarit të përkushtuar humanistit Mhill Gjuraj. Ai tha: “Veprimtari dhe humanisti Mhill Gjuraj në vlerësimin e të tjerëve”,qe  ngërthen disa opinione të miqve bashkëpunëtorëve dhe bashkëveprimtarëve të z. Mhill Gjuraj, të cilët flasin për  punën dhe angazhimin e tij në shërbim të humanizmit dhe të kauzës kombëtare. Me këtë rast, vlerësimet e tyre për vlerat humaniste dhe atdhetare të z. Gjuraj, i japin intelektualët dhe veprimtarët, si dr. Don Lush Gjergji, don Pjetër Popaj, z. Eric Reichenbaun, z. Agim Rexhaj, z. Marjan Cubi, z. Anton Berisha, ish ambasador në Slloveni, mr. Gani Bajraktari, z. Mëhill Velaj e të tjerë.

Libri i Gojani, “Mhill Gjuraj në Amerikë: Vlerë e humanizmit dhe atdhetarizmës”, është libër me vlerë dhe e pasuron fondin e librave të kësaj natyre për diasporën shqiptare, përkatësisht në Amerikë.

Në mbyllje të ligjëratës së tij, z. Thaci vlerësoi se: Vlera e humanizmit dhe atdhetarizmës në Amerikë” është një libër që luan rolin e zhanrit publicistik, dokumentar, historik, dhe, pse jo, edhe shkencor nne aspektin studimore te diaspores, ashtu sikundër e luan edhe rolin e angazhimit afarist, humanitar, kulturor e atdhetar të drejtpërdrejtë; e luan rolin e përhapjes së të vërtetës së veprimeve, ideve, vizioneve, mendimeve, qëndrimeve e të formave tjera të shkrimit dëshmues.

Pra, lirisht mund të konstatojmë se libri publicistik “Mhill Gjuraj: Vlera e humanizmit dhe atdhetarizmës në Amerikë” ka vlera të mirëfillta dhe me interes shumëdimensional.

Redaktori i librit, veprimtari i njohur i komunitetit shqiptar, anëtar i Këshillit të Vatrës dhe arkëtar i saj, Marian Cubi, foli për kompozicionin e librit duke u ndalë vecmas në secilin kapitull. Z. Cubi përshkroi me detaje subjektin dhe ngjarjet që mbart cdo pjesë e librit, të cilët kanë një lidhje organike mes vetes. Në kreun e parë, Sferka e thatë (Thatina) e Lugut të Leshanit- Vendbanim i hershëm Iliro-Dardan, përshkruhet historia e vendlindjes të Mhill Gjuraj, si dhe rrënjët e familjes së tij; në kreun e dytë, flitet më hollësisht për Familjen Gjuraj, një familje e njohur me tradita të virtytshme atdhetarie, duke kërkuar rrënjët dhe degëzimet e saj; në Kreun e  tretë autori ndalet tek Mhill Gjuraj si pasues i denjë i familjes GJURAJ, në Kreun e Katërt përshkrueht saga e mërgimit të  familjes Gjuraj, ku protagonisti Mhill Gjuraj rrëfen rrugën e gjatë të mundimshme të mërgimit nga Kosova në Itali dhe më pas në Amerikë; Kreu i pestë jep një tablo më të plotë për mbërritjën në –Tokën e Premtuar, ëndrra amerikane, ; ndërkohë që Kreu i gjashtë sjell hollësi nga kontributet e komunitetit shqiptar dhe në vecanti të Mhill Gjuraj, ku autori i librit ndalet gjatë në veprimtarinë atdhetare dhe humanitare të Mhill Gjurajt, në hapësirë të vecantë në kreun e shtatë merr kryevepra e Mhill Gjurajt, ngritja e shtatores së Nënë Terezës në Pejë, sponsorizim i tij.

Kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj ka përgëzuar organizatorët e kësaj veprimtarie, autorin e librit Mikel Gojani si dhe protagonistin e këtij libri-Mhill Gjuraj.

Kanë përshëndetur dhe kanë folë për vlerat e librit edhe Adnan Mehmeti, President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Fran Marku, Lek Përlleshi dhe e motra e Mhill Gjuraj.

Veprimtarine, pervec gazetes Dielli, e ka ndjekur edhe Revista”Jeta Katolike”, televizioni 21 dhe ARB TV.

Në fund falenderoi pjesmarrësit protagonisti i librit Mhill Gjuraj.Familja Gjuraj shtroi një darkë për pjesmarrësit. (Korrespondenti i Diellit)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dom Pjeter Popaj, Gjon Bucaj, Luz Thaci, Marjan Cubi, Mhill Gjuraj, Mhill velaj

BLLOSHMI: Z. KRYEMINISTER, MOS LUANI ME DHIMBJEN TONE TE PERGJAKUR!

December 1, 2013 by dgreca

*Dënoje atë përbindësh dhe do të mbetesh në histori në jetë të jetëve…/

*Deklaratë e Drejtorit të Përgjithshëm te Institutit te Perndjekureve Politik/

Zoti.Kryeminstër!/

Të tronditur pa masë kur mësuam se ishte vendosur në protokollin e ditës së shtunë emri i diktatorit, aq më keq shoqëruar me fotografi.
Unë ju drejtohem Ju,  personalisht si Kryeministër: Mos luani me ndnjenjat dhe dhimbjen tonë të përgjakur dhe kurrë të shërueshme.
Disa herë kemi kërkuar, si në media televizive po ashtu dhe të shkruar që të dënohet ai përbindësh që krijoj lumenj gjaku me Shqipëtarët ,po ashtu ti hiqen dhe dekoratat. Partia Debatikase, për 8 vjet rrjesht jo që se përmëndi fare këtë mostër, por na u kundërvu ne, duke forcuar luftën e klasave, duke na detyruar e lënë në mjerim deri në vetëflijim.
Ju në program të partisë suaj, në draftin që keni hatuar për të burgosurit politik keni shkuar se do të dënoni figurën e dikatatorit. Ju duhet ta kërkoni me forcë dhe ta zbatoni Rezoluten e KE për dënimin e krimeve të fatkeqit komunizëm. Parlamenti i shkuar e ratifikoj si Rezolutë dhe e fshehu në sirtarët e krimit për të mos e gjetur kurrë më.

Në emër të atdhetarëve shqiptarë, në emër të të rënëve për Shqipërine e copëtuar, e gjakosur nga komunizmi, në emër të nënave shamizeza, në emër të çupave që se përdorën djepin kurrë, në emër të lotëve të derdhura vazhdimisht, në emër të të zhdukurve, të varreve të hapura, në emër të dhumbjes së përjetshme, të plagëve të pashërueshme bëj atë që duhet bërë.

Dënoje atë përbindësh dhe do të mbetesh në histori në jetë të jetëve, duke qënë i bundur se do prishesh përfundimisht me paraardhësin tënd Sali Berisha.

Ju faleminderit

Drejtori i Përgjithshëm

Bedri BLLOSHMI

 

Filed Under: Featured Tagged With: Bedri Blloshmi, deklarate, denojeni ate perbindesh

PO RINGJALLEN HIJET E DIKTATURES

December 1, 2013 by dgreca

*Deklaratë për shtyp e Shoqates Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë/

 Hijet e errëta të së kaluarës së hidhur po ringjallen. Në tokën shqiptare kanë filluar të shfaqen përsëri fantazmat që vullneti i këtij populli i rrëzoi nga piedestalet e tyre  më 20 shkurt 1991. Këto fantazma po i ringjallin pikërisht ata që premtuan për një “Rilindje” të  vendit por që, në të vërtetë, po e shpien drejt vdekjes së tij. Këta janë Kryeministri i vendit Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta. A nuk ishin këta që, me ndërgjegje të plotë,  lejuan prapa krahëve të tyre të shfaqeshin portretet e përbindëshit Enver Hoxha në ceremoninë e zhvilluar në varrezat e dëshmorëve?

Një gjë e tillë ishte edhe një fyerje që u bëhej të rënëve në luftën për liri dhe demokraci, pasi ata nuk ranë as për Enver Hoxhën dhe as për Partinë Komuniste. Ata ranë për lirinë e atdheut të tyre. Kjo është një fyerje që u bëhet mbi 6.000 të pushkatuarve me ose pa gjyq, mbi 1.000 të vdekurve në burgjet komuniste, mbi 20.000 të burgosurve politikë, mbi 30.000 familjeve të internuara dhe dëbuara politike që përfaqësojnë në vetvete mbi 400.000 të përndjekur politikë. Kjo është një fyerje që u bëhet edhe atyre që kontribuan në vendosjen e sistemit komunist por që Neroni shqiptar i kaloi edhe ata në satër.

Një gjë e tillë është një fyerje për të gjithë popullin shqiptar. Duke kremtuar me një solemnitet të paparë ditën e zisë, 29 nëntorin, e ndajnë popullsinë e vendit në dy pjesë, pasi hymnizimi i atyre që e çuan vendin në buzë të greminës është një vijë ndarëse ndërmjet atyre që e duan atdheun dhe mohuesve të tij.  Kombi shqiptar ka vetëm një ditë të shënuar. Kjo ditë përfshin shqiptarët kudo që jetojnë, në Shqipëri apo Kosovë, Në Maqedoni apo Mal të Zi dhe kudo në botë. Kjo ditë është dita e Flamurit, dita e 28 nëntorit. Ditë tjetër nuk mund të ketë.

Turp për juve drejtues të sotëm të shtetit shqiptar. Turp për këtë veprim të pashembullt. Me këtë veprim ju nuk meritoni të futeni në Europë. Europa e hodhi poshtë nazizmin dhe nuk u përpoq kurrë ta ringjallte. Europa hodhi poshtë komunizmin dhe nuk do të kërkojë kurrë ta ringjallë. Ndërsa ju kërkoni të merreni me kufoma. Ky do të jetë fundi i juaj. Populli që i rrëzoi ato nga piedestali do të dijë t’u tregojë edhe juve vendin. Këtë mos e harroni!

Ju bëjmë thirrje të gjithë të përndjekurve politikë të Shqipërisë të bashkohen me këtë thirrje!

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve

Politikë të Shqipërisë

Tiranë, më 1 dhjetor 2013

 

Filed Under: Featured Tagged With: hijet e komunizmit, Po ringjallen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT