• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

SHQIPTARET DHE GREKET, DY DEGE TE NJE RRENJE..

February 9, 2014 by dgreca

(Refleksione nga vizita e ministrit Bushati në Greqi)/

Nga Petro Dangëllia/

Viti i katërmbëdhjetë i mijëvjeçarit të III të erës sonë, çfarë do të sjellë ky për shqiptarët?! Ata, të cilët për dymijë vjet i mbijetuan asimilimit te tri perandorive, Romake, Bizantine dhe Osmane; sot me dëshirën e tyre pranojnë t’i aneksohen dhe të “asimilohen” nga një perandorie e re, Bashkimi Europian. Në tri perandoritë e para, paradoksalisht ky asimilim vinte nga ato, të cilat nga ana e tyre ne thelb, në kodin gjenetik, në bërthamën e tyre kishin nje etnogjenezë të përbashkët me shqiptarët; Etruskët pellazgë të Azisë së Vogël, Dardanët e Lindjes dhe te Perëndimit, Pellazgët Dodonas Epirotë dhe Hititët e Lidianët pellazgë të Anatolisë. Në formimin e tyre këto tri perandori lanë mënjanë gjuhën e parë te etnogjeneës së tyre, pellazgjishten; duke preferuar bijat e tyre latinishten, greqishten e vjetër dhe nje çorbë gjuhësh që mori emrin turqishte, ku përfshiheshin pellazgjishtja, sanskritishtja, persishtja etj mikrogjuhë që iu shtuan kësaj çorbe gjuhësh në formën e erëzave. Ndërkohë që parardhësit e shqiptarëve preferuan të ruajnë me fanatizëm gjuhën e të parëve, ku sot e kësaj dite edhe vetë shqiptarët flasin të njëjtën gjuhë, që kanë folur të parët e tyre 10-12 mijë vjetë më parë.

Popujt e perandorisë europiane, ndonëse edhe ata kanë të njëjtën etnogjenezë si popujt e tri perandorive, por me nje largësi më të madhe 1000-2000 vjeçare; ku dhe tiparet e përbashkëta të rrjedhura nga të parët e përbashkët janë më të pakta dhe rrjedhimisht më pak të dukshme, se sa në tri perandoritë e para.

Dëshira e shqiptarëve për të hyrë në këtë perandori, ndoshta do të ngjasojë me atë; që jep një pare për të hyrë në valle dhe kur lodhesh jep treqind pare, dhe nuk del dot nga vallja, se nuk të lënë të tjerët të dalësh.

Por shqiptarët, si një popull që çdo gjë e merr me vrull, e kanë marrë me qejf këtë punë dhe kërkojnë që me çdo kusht, dhe sa më shpejt të fusin kokën nën zgjedhën e kësaj perandorie, pavarësisht nga çmimet që do paguajnë rrugës.

Europianët duke parë këtë qejfllëk të madh të shqiptarëve janë trembur dhe nuk po nxitohen ti qasin. Prandaj u kanë vënë fqinjët e tyre, të cilët në rolin e sekserëve, u kërkojnë bakshishe dhe dhurata, që ata të bëhen dorëzanës për t’i futur në perandorine europiane.

Një nga këta sekserë janë edhe grekët, të cilët për 24 vjet i kanë mjelë, po i mjelin; i kanë rrjepur dhe po i rrjepin kaq shumë shqiptarët; saqë këta fakir fukarenj kur te hyjnë në Europë do të jenë kockë e lëkurë. Por, mund të pyetet çfarë u kanë marrë grekët shqiptarëve? Ua them unë.

Fillimisht, në vitin 1992 u morën Kishën Autoqefale Shqiptare dhe i futën në Kishën Greke. Në vitin 1995 u morën sovranitetin politik në maskën e një Traktati Miqësie, traktat i cili të kujton traktatet që lidhte Ahmet Zogu me Italinë fashiste.

-Në vitin 2004, nëpërmjet një shkolle greke dhe konsullate greke, përgatiten kushtet për aneksimin e Korçës, gjë që se realizuan dot 100 vjet më parë, në vitet 1914-1918.

-Në vitin 2006 nëpërmjet hapjes së një shkolle greke, përgatiten kushtet për aneksimin e Himarës, gjë që se realizuan dot 100 vjet më parë, në vitet 1914-1916 me anë të bandave të Spiro Milos dhe ushtarëve grekë.

-Në vitet 2006-2008 nëpërmjet varrezave greke i hapën varrin Shqipërisë së Jugut, gjë që se realizuan dot 100 vjet më parë, në vitet 1914-1916 me anë të bandave të andartëve dhe ushtrisë greke.

-Në vitin 2009 nëpërmjet një marrëveshje i grabitën detin Jon Shqipërisë.

Doni më për Behlul Gjeraqinat, politikanët shqiptarë që shesin Shqipërinë dhe e kanë nxjerrë atë në ankand, duke e shitur pjesë pjesë, për interesat e tyre personale; se gjoja nuk i zë gjumi që t’i fusin shqiptarët në Europë si një thes me krunde. Pasi shitën tokën dhe nëntokën e Shqipërisë (krom, bakër, hekur, naftë). Ja dhe më freskëta e vitit 2014, ku këta myteberë kanë filluar të shesin lumenjtë. Ngrihu nga varri o Esat Pashë Toptani dhe përqafoji këta batakçinj, si pjellat e tua më dinjitoze!

Po Europa çfarë bën do thoni ju? Ja u them unë, bën sehir dhe zgërdhihet me idiotizmat e shqiptarëve. Sepse kur i zoti e shet (Shqipërinë), çfarë i duhet tellallit (Europës) që të mos e japë (Shqipërinë). Kur shqiptarëve po ua “hanë drekët” grekët, italianët, sërbët, maqedonasit, malazezët, turqit etj etj; Europa u thotë “U bëftë mirë” dhe mirë jau bëni këtyre qorrave.

I lemë perandoritë dhe kthehemi aty ku donim ta nisnim. Do flasim për shqiptarët dhe grekët, për popujt dhe jo për politikanët.

Populli shqiptar dhe populli grek janë dy popuj vëllezër. Edhe me grekët na bëre vëllezër, do te thotë ndonjeri?! Po do t’u them unë. Kur politikanët tanë na bënë vëllezër me turqit (dhe nuk e kanë gabim, pasi edhe me ata ndajmë një origjinë të përbashkët, sic përmendëm më lart, pellazgët e Azisë së Vogël; Dardanët, Hititët, Lidianët, Likianët, Trojanët etj etj. Përjashto këtu hordhitë aziatike, turkmene, selxhuke dhe osmane). Pse mos t’ju bëj edhe unë vëllezër me grekët.

Shqiptarët dhe grekët ndajnë një origjinë të përbashkët, dhe të parët e tyre janë pellazgët e Epirit ( ku pjesën dërmuese të tyre e përbënin Tesprotët e stërlashtë), pellazgët e Atikës (Jonianët), pellazgët e Argosit (Argonautët), të Kretës (Minoianët), të Mikenës, etj etj.  Për këto probleme kanë folur mjaft historianë, duke veçuar këtu të ndjerin Aristidh Kola.

Të parët e grekëve dhe shqiptarëve kanë folur të njëjtën gjuhë, kanë pasur të njëjtat zakone dhe tradita; të cilat, për hir të së vërtetës, kanë ardhur të tilla deri në fillim të shekullit të XX, ku europianizimi i të dy popujve (dhe helenizimi i tejskajshëm i grekëve) i zhduku këto veçori karakteristike te tyre etnografike.

Doni një shëmbull të thjeshtë. Kush e ka parë filmin grek “Ishulli”, një film i jashtëzakonshëm dhe i vlerësuar nga kritika kinematografike botërore; nuk mund të mos ta ketë vënë re se : zakonet, traditat, kultura, martesat, fejesat, dashuritë, sjelljet, morali, jeta e përditshme e atyre banorëve; nuk dallon asnjë presje nga ato të sivllezërve të tyre shqiptarë. I vetmi ndryshim është se ata flasin greqisht. Sikur ata të flisnin shqip, çdo shqiptar që do ta shikonte atë film; nuk do ta kish dalluar kurrë që aty bëhej fjalë për një llauz (popull) tjetër. Cdo koment mendoj se është i tepërt.

Populli grek dhe populli shqiptar janë dy popuj vëllezër të një gjaku (përjashto këtu popullsitë afro-aziatike me ngjyrë që janë derdhur në Greqi në qindra dhe mijëra vjet. Venizellosi më 2013 foli për 1 milion emigrant afro-aziatik me ngjyrë, të ardhur në Greqi vetëm për 10 vjetët e fundit). Ata janë dy popuj miq, por që i kanë armiqësuar në mënyrën më të tejskajshme, dhe kjo jo për faj të shqiptarëve. Patrikana e Stambollit është e para që ka nxitur këtë armiqësi, me ëndrën e saj të çmendur dhe të fandaksur për ringjalljen e perandorisë Bizantine nën suazën e shtetit grek. Të dytët, janë qarqet shovene të borgjezisë greke, të krijuara krahas me zhvillimin kapitalist të Greqisë këto 200 vjetët e fundit. Këtu ka edhe faktorë të tjerë, te cilët nuk po i përmendim.

Midis Greqisë dhe Shqipërisë ekziston nje URE e madhe lidhjeje. Këta janë ARVANITASIT. Aristidh Kola flet për disa milionë të tillë. Irakli Koçollari në veprën e vet “Arvanitasit” flet plot për pesë milion të tillë (gjysma e Greqisë), të cilët janë të shpërndarë në të gjithë territorin, ashtu si të parët e tyre, pellazgët. Arvanitasit nuk janë një mish i huaj për Greqinë, ku sipas disa historianëve, janë thjesht të ardhur dhe që i janë bashkangjitur grekëve në shekujt e mesjetës. Ata janë thelbi, zëmra, shpirti dhe trupi i Greqisë. Ata janë vetë Greqia. Ata janë vetë kombi grek. Atdheu i tyre është Greqia. Pa arvanitasit Greqia nuk do të ekzistonte për asnjë çast. Ekzistenca 180 vjeçare e shtetit grek u detyrohet arvanitasve.

Nuk po futem në luftën e popullit grek për pavarësi, ku arvanitasit janë të parët në të, dhe janë ata që e bënë Greqinë,  ku emrat e tyre i ka skalitur historia. Nuk po përmend, admiralët, presidentët dhe kryeministrat e Greqisë, që ishin arvanitas. Por do përmend dy familje të mëdha arvanitase, që kanë një shekull që pinjollët e tyre kanë qënë politikanët më në zë të Greqisë; Venizellajt e Kretës dhe Papandretë (Baba Ndreu në shqip) e Atikës.

Në këto kushte midis Greqisë dhe Shqipërisë duhet të rilidhet një Traktat Miqësie i Vërtetë (jo si ai i viti 1996, i cili duhet të hidhet poshtë), ku palët të jenë të barabarta dhe në ndihmë reciproke të sinqertë me njeri tjetrin. Grekët duhet të hapin sytë dhe t’i gjejnë miqtë tek vllezërit e një gjaku, dhe jo tek “vëllezrit” e një feje (ortodokse). Lidhja Greko-Shqiptare (duke qënë edhe dy vende të NATO-s) do të jetë një faktor stabiliteti në Ballkan duke e bërë Ballkanin të qëndrueshëm, pro perëndimor, dhe i patronditur përballë agresivitetit pan-sllav.

Grekët do të kenë tek shqiptarët miqtë e vërtetë. Dora e shtrirë e miqësisë e shqiptarëve do të jetë një OGUR  i mirë edhe për vetë Greqinë. Por për ta pasur këtë miqësi vëllazërore, grekët duhet të shkulin me rrënjë gjëmbaçët e helmatisur të mbjellë anë e kënd tokës greke. Të braktisin një herë e përgjithmonë shovinizmin. Të heqin dorë përfundimisht nga i ashtuquajturi Vorio-Epir. T’u kërkojnë falje shqiptarëve për gjëmat që u kanë bërë atyre këto 100 vjetët e fundit. Në të kundërt Greqia do të përfundojë në Greminë.

Filed Under: Featured Tagged With: dege te nje rrenje, Petro Dangellia, shqiptaret dhe greket

Mërgata Shqiptare nga Maqedonia mbështet Emin Eddie Egriu-n për Kongresin Amerikan

February 9, 2014 by dgreca

Emin Eddie Egriu është në mënyrë aktive duke konsideruar si shumë serioze kësaj rradhe ri-kandidimin e tij për rrethin e 26 të kongresit të Nju Jorkut/

 Nga BEQIR SINA, New York/

NEW YORK CITY : Megjithëse, është heret, por ai tashmë të paktën në komunitetin shqiptar i ka shpalluar ambicjet e tij për të kandiduar për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve Amerikan atë të Qarkut 26-të në Buffalo – New York. Një zonë, kjo e njohur si “tokë e demokratëve” dhe ku shumë pak shqiptarë jetojnë. Kështuqë, megjithse, jo zyrtarisht Emin Eddie Egriu, është në mënyrë aktive duke konsideruar si shumë serioze kësaj rradhe ri-kandidimin e tij për rrethin e 26 të kongresit të Nju Jorkut, duke pasur parasyshë si thotë dhe vetë ai edhe mësimet e nxjerra nga rezultatet e fundit të kandidimit dhe përvoja e fushatës që ai zhvilloi. Emin Eddie Egriu, në vitin 2010 ka qenë ish- kandidat për në Seantin e Shetit të New Yorkut, nga Partia Demokratike, por i humbi zgjedhjet. Një vitë më pas ai provoi të kandidoi në Kongresin Amerikan Zonën elektorale 28-të të New Yorkut, kundra Kongresistes me provojë të gjatë në politikë dhe Capitol Hill, Louise Slaughter, dhe nuk mundi të hyjë në garë, kjo për shkaqe të ndryshme…. !.

Megjithatë, simbas shtypit amerikan, u tha se kongresmenia demokrate Louise Slaughter, ishte përballuar me një sfidë të fortë në primare nga rivali i saj brenda partisë demokrate Emin Eddie Egriu.
Egriu thotë se e ka në plan të njoftojë vendimin e tij për të kandiduar për një vend në Kongresin amerikan – pra në Capitol Hill  brenda këtyre muajve, megjithëse ai ambacijen e tij e shpalosi për herë të parë në një darkë fondmbledhëse, me komunitetin shqiptarë në Waterbury të Kenektiket dhe komuniettin dibran në Staten Island.

Më pasë po me shqiptarët në New York, e rrethinat e tij, ai ka mbajtur edhe tre katër takime fondmbledhëse, dhe duhet pranuar se ato nuk kan qenë aq shumë të suksesshme sa janë pritur, megjithëse, komuniteti shqiptarë po tregohet i gatëshëm të mbështesë synimin e tij – për të kandiduar në Kongresin Amerikan.
Emin E. Egriu, në biografinë e tij – faqen e interrnetit “Egriu for Congress”, thotë se ai ka ndihmuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve në  Buffalo , Nju Jork, që nga krijimi i firmës së tij të parë në vitin 1989, EMINI .
Ai thotë se atje ai ka krijuar një komunitet  vetë-mbështetës, pra në Buffalo të New Yorkut, duke zhvilluar biznese të reja , klinika mjeksore ,ndihmuar kishat, shtëpitë,etj.
Në jetën politike me bashkëatdhetarët si e kemi parë ne ai u dallua me punën e tij me PUSH një organizatë kjo që kërkonte bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare.

Emin E. Egriu është përfshirë plotësisht në politikë që nga viti 1999  

Egriu në qëllimin e tij për të kandiduar në Dhomën e Përfaqësueseve, i tha gazetës tonë në një intervistë se ai “është fokusuar në arsimin, emigracionin , bizneset , të moshuarit dhe të drejtat e njeriut “. Kurse, me komunitetin shqiptar ai thotë se “ka qenë në ballë të PUSH ( shqiptarëve ) Programi Lëvizjes së Bashkuar, një angazhim që ai e ndau me të gjithë komunitetin shqiptar dhe të të gjithë emigrantët shqiptarë “. Mirëpo, shqiptarët janë duke pritur se çfarë do të tregojë gjatë kësaj fushate Emin Egriu, për të qenë një kandidat i fortë për Kongresin dhe më pasë nëse fiton një kongresistë.A do të shfrytëzojë ai përvojen e tij , si lidershipi i qartë , për zgjidhjen e problemeve, me aftësitë , përkushtimi i tij – për të gjitha komunitetet dhe çfar vizioni ka ai për ndryshim a janë të përshtatshme për post zgjedhor apo jo!?

Këto e shumë të tjera – priten që ai ti bindë elektoratin nëse kandidatura e tij është serioze, për çka edhe ai thotë se do t’i realizojë bile edhe me sukses duke pasur besim të madh në aftësitë e tij, eksperiencën e fituar dhe përvojën e tij në këto fushata.
Si në mënyrë të ndershme dhe të vështirë, ai duket se është duke punuar si një i “pavarur”, por ende nuk ka vendosur , megjithëse, mund të jetë një kandidat “gjysmë demokrat gjysmë i pavarur” për të bindur jo vetëm njujorkezët, por edhe amerikanët, që tashmë së bashku me komunitetin shqiptarët janë ata që po mbështesin plotësisht atë , -si në Connecticut , Çikago , Detroit , New Jersey e të tjera shtete federale .
Në aspektin tonë si shqiptarë i Amerikës, Egriu, thotë se ai ka ndërtuar një profil të fortë kombëtare dhe ndërkombëtare , por për më shumë flet edhe për origjinën e tij familjare, e cila i përket një familje me tardita të shuqara patriotike në Dibër të Madhe dhe emigracion.

MSHM : Mbështesim Emin Eddie Egriu-n për Kongresin Amerikan

Kështu shkruajn shqiptarët në rrjetet sociale ku fushata e tij pothujase ka nisur për të siguruar sa më shumë mbështetje. Mërgata Shqiptare për Maqedoni, në faqen e saj të internetit thotë se e mbështet fuqishëm kandidaturën e z. Emin Eddie Egriu-t për zënë një vend në Kongresin Amerikan! Ata thonë se ;” Bëjmë apel te të gjithë shqiptarët kudo që ato ndodhen të japin kontributin e tyre për të bërë të mundshme që Emini ynë të përfaqëson edhe shqiptarët në Kongresin Amerikan! Një zë i shqiptarit në Kongres do me thënë shumë, një zë i një shqiptari në Kongres mund të ndryshon shumë gjëra të cilat ne na qëndrojnë pingul mbi kokë duke mos mundur t’i realizojmë me dekada të tëra, ky zë numrin e dekadave e redukton në vite, prandaj fuqia e zërit të një shqiptari në Kongresin Amerikan është shumëfish më e fuqishme për të realizuar aspiratat tona! “hkruar në apelin e saj Mërgata Shqiptare për Maqedoni,

Më tej ata u bëjnë thirrje dhe figurave shqiptare më të njohura në Amerikë. “Ftojmë artistët tonë në SHBA- shkruan në thirrjen e saj Mërgata Shqiptare për Maqedoni, duke permendur emra të till si: znj. Eliza Dushku, z.James Belushi, z. Stan Dragoti, z.Agim Kaba (aktor në SHBA), z. James Biberi (aktor në SHBA) gjithashtu thërrasim të gjithë personat publik si këngëtarët, modelet, z. Emina Cunmulaj (modele e njohur në SHBA) dhe shumë artistë tjerë të cilët do të bënin të mundshme që Emini të jetë më afër se kurrë Kongresit Amerikan!”
Në fund ata thonë se ftojmë mediet e të gjitha llojeve (tv, gazetat,portalet informative, portalet socilae etj) në tokat shqiptare, t’i kushtojnë vëmendje dhe përkushtim kandidaturës së Eminit për Kongresin Amerikan, kemi nevojë për ju të nderuar përfaqësues të medieve, ngase vetëm bashkë mund të realizojmë atë që synojmë! Emini në Kongresin Amerikan do të ishte pasuria më e madhe të cilën ne mund të imagjinojmë aktualisht, prandaj mos kurseni mundin.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: e mergates shqiptare, Emin Eddie Egriu, Kongres amerikan, merr mbeshtetjen, nga Maqedonia

KESHTU E DUE UNE SHQIPERINE !

February 9, 2014 by dgreca

… hebrenj, roma, komuniste, dhe popuj sllave, rus, polak, çek etj. (Vetem ne ish Bashkimin Sovjetik, ma shume se 27 miljone qytetare vdiqen ne lufte, dhe nga vuejtjet e perndjekjet e                                      

 Nga  Sami Repishti */

“Populli i Izraelit nuk do te harroj kurre se gjate diteve te veshtira te Luftes se Dyte Botenore, ata gjeten tek populli shqiptar mbrojtje dhe mikpritje te sinqerte.” (Ezer Weizman, President i  Izraelit)

***

New York City.SHBA. Per mendimin tim, shprehja e Lame Kodres : “une e dua Shqiperine/Per nje stan ne Trebeshine…” ashte shprehje monumentale e nji te merguemi per vendlindjen e tij: e thjeshte por e plote; fisnike e jo arrogante; madheshtore per çdo vend dhe ne çdo kohe. Monumentale! Sot, shkrimtari qe vdiq ne nji kenete te Myzeqese i uritun dhe i perbuzun nga “shoket e idealit”, po te ishte i gjalle, ndoshta do te shkruente: “Nuk dua villa, as pallate/ As ndertesa me dhjete kate…. Leremeni te lire/ Me nje stan ne Trebeshine!”  Keshtu do te fliste ky shqiptar krenar, viktime e “idealeve” te tradhetueme…!

Nji ndjenje krenarie e qenies “shqiptar” e perjetova une me 27 Janar 2014, me rastin  e ceremonies perkujtimore te viktimave te Holokaustit (Shoah ne hebraishte) gjate viteve te Luftes se II Botenore, te mbajtun ne ambientet e Selise Qendrore te Organizates se Kombevet e Bashkueme, ketu ne New York City, SHBA.

Paneli i caktuem dhe i organizuem nga B’nai B’rith International, nji organizate me prestigj te nalte botenor,  dhe Misioni i Republikes se Shqiperise prane OKB-se, diskutoi temen “The Rescue of Albanian Jews” “(Shpetimi i Hebrenjve Shqiptare” nji titull impresiv, por fatkeqsisht, ne mendimin tim, jo ekzakt. Sepse, shqiptaret shpetuen jo vetem hebrenjt me nenshtetsi shqiptare por edhe te huejte qe te friksuem nga persekutimi nazist, erdhen ne Shqiperi ku gjeten strehimin qe u shpetoi jeten. “The Rescue of Jews by Albanians” (Shpetimi i Hebrenjve nga Shqiptaret”) do te ishte ma korrekt, me qene se hebrenjt u shpetuen edhe ne Kosove nga shqiptaret e Kosoves, e Maqedonise.

Ashte nji manifestim i karakterit te popullit shqiptar, dhe i traditave shekullore te mikpritjes –tue perfshi edhe hasmin!- pavaresisht nga vendbanimi i tyne. Dhe ky ashte nji sukses i madh qe nuk duhet harrue.

Sidoqofte, me kete titull u pasunue veprimtaria e “Dites Nderkombetare te Perkujtimit te Holokaustit” qe mbahet per ruejtjen e kujteses se “ zhdukjes” se miljona qeniesh njerezore nga rregjimi shnjerezor nazist- qenie te pafajshme, te pambrojtje, te pafuqishme, gra, pleq, femije, sidomos femije, keto simbole te pafajnise!- kryesisht, krimineleve naziste). Nji shperfillje monstruoze e shenjtenise se jetes se njeriut.

Ne kete katastrofe te paimagjinueshme , kur njeriu zbriti ne thellesite ma te uleta dhe te paprekuna ma pare ne histori, aty ne erresinen e plote ku strehohen tortura dhe vdekja qe tremben nga drita e diellit, humben jeten ne kampet naziste edhe disa qindera vellazen e motra shqiptare (dhe kusherini im, 17 vjeçari Zyhdi Repishti). Holokausti ka qene dje, ashte sot dhe do te mbetet per jete nji disfate morale per te gjithe boten e qytetnueme per arsye te heshtjes se madhe qe vrau, dhe nji njolle e pashlyeshme ne historine e popullit gjerman. Perkujtimi solemn i Holokaustit ka nji qellim qendror: “Heshtja vret. Mos heshteni para krimit. Ngrijeni zanin nalt. Ndaloni doren vrastare”.

Ne kete kuader te ferrit mbi toke, ne kete humnere krimi te ushtruem me metoda “shkencore” ka pase edhe “shkendia” te dashunise se njeriut per njeriun: qenie njerezore te thjeshta, klerike dhe intelektuale te guximshem gjeten kurajon e mjaftueshme me ngrite zanin me nji “Jo!” te fuqishem kunder murtajes naziste, dhe me luftue ate me aktin sublim te “shpetimit” te jeteve se kercenueme, edhe me rrezikun e jetes se tyne. Ky akt tejet njerezor dhe guximtar ngushellon sot boten akoma te tronditun me bindjen se ekziston nji “fryme njerezore” qe afron çdonjenin nga ne “si vellau me vella”, sidomos ne raste te rrezikut suprem. Kjo ashte esenca e solidaritetit njerezor qe u çfaq e forte ne popullin shqiptar gjate viteve te L2B.

Ketu del ne shesh epersia e shpirtit tone mbi egersine e epsheve tona shtazarake per shtypjen dhe torturen, dhe e akteve tona kriminale. Ky akt sublim duket sikur i thote krimit –individual ose i organizuem- “Ndal! Na jemi qenie njerezore te paisuna  me arsye dhe ndergjegje, na nuk lejojme kalimin e krimit mbi koket tona! Na jemi gati ta luftojme me te gjitha kufizimet qe na imponon natyra e jone njerezore, por qe na i tejkalojme tue sfidue rrezikun e vdekjes. E ne se vdesim sot per kete Ndal! historik, ashtu qofte! Qofte bekue vdekja, sepse vdesim te lire nga pesha e pergjegjsise….” Keshtu folen shqiptaret qe me rrezikun e vdekjes, ndihmuen viktimet hebraike gjate L2B.

Keshtu e due une Shqiperine!

Mendime te ketilla me mbuluen kur lexova pershkrimin e ceremonise ne OKB. Me gjithe ftesen, nuk mora pjese per arsye te nji moti shume te ashper. Ftesa qe mora shkruen:

”Ne nji kontrast te jashtezakonshem me ate qe ngjau ne te gjithe Europen, Shqiperia – nji komb me shumice myslimane e okupueme nga Gjermania gjate viteve 1943 dhe 1944 – u ba nji çerdhe strehimi per virtualisht te gjithe popullsine hebraike, dhe te tjere, qe kerkuen nji vend te sigurt gjate viteve te Holokaustit. Si rrjedhim, rreth 2.000 hebrenj u shpetuen nga gjenocidi nazist ne kete vend te vogel, e te ndryshem nga te tjeret”.

“Shqiperi, Shqiperia e ime!” thashe me krenari. Ne vend te pare “Shqiperi, “ perserita, “ti me jep nder, ti me jep emrin shqiptar!”

Tue fole para publikut ne Sallen e OKB-se, Zonja Johanna Nahuman, qe mbijetoi Holokaustin ne saje te ndihmes shqiptare, e pershkroi  keshtu kete fenomen te rralle ne historine e njerezimit:

“…Une ia detyroi jeten time shqiptareve. Po qe se bota do te ishte shqiptare, ne nuk do te flismim sot per Holokaustin”.

Po qe se bota do te ishte “shqiptare”…. Keshtu e due une Shqiperine!

Shqiperia e vogel, e vorfen por fisnike e kreu detyren e saj me sukses. Ashtu si dhe Kosova. Per te huejt ky qendrim spontan, individual dhe kolektiv i organizuem ne grupe vullnetaresh nga vete shqiptaret,- myslimane e te krishtene- per nji kohe te gjate  mbeti nji “fenomen” enigmatik per masat e shumeta e te painformueme. Per ne shqiptaret ka spjegimin e vet.

Ne nji studim timin “Hebrenjt ne Shqiperi: Historia e Nji Mbijetese “ (The Holocaust:Essays and Documents” R.L.Braham, Editor, N.Y.`2009) jam perpjeke me spjegue se qendrimi i shqiptareve ndaj hebrenjve nuk ka  qene “nji akt spontan” (“un acte gratuit” si e quejne françezet) por vazhdimi i nji procesi te gjate, nji akt autentik. Ne historine e popullit shqiptar nuk ka nji rast te vetem ku hebrenjt jane viktimizue nga shqiptaret; nuk ka nji rast te vetem  kur hebrenjt jane debue nga shqiptaret, dhe nuk ka nji rast te vetem qe tregon bashkepunimin e shqiptareve me nazistet gjermane ne te ashtu-quejtunen “zgjidhja perfundimtare” . Anti-semitizmi as nuk ka linde as nuk ashte zhvillue ne Shqiperi. Ai ka qene, dhe mbetet edhe sot, nji “fenomen” i huej per shqiptaret

Vite ma pare , i ndjeri Imzot Fan S. Noli shkruente:” Si Izraeli ashtu e dhe Shqiperia jane dy vende te vegjel. Te dy kane rrenje te thella. Te dy kane nje histori mundimesh dhe vuejtjesh. Dhe te dy vendet kane ruejte identitetin  dhe kulturat e tyne respektive. Keto ngjashmeni formojne nji lidhje te perbashket ne mes te hebrenjve dhe shqiptareve”..

Sot, kudo qendrimi i shqiptareve spjegohet me traditen tone te “Beses”, zemra e Kanunit tone,  si spjegimi ma i zakonshem. Por “Besa” permban edhe “turpin” per shkelsin kur ajo nuk mbahet, si dhe “mikpritjen” si tradite kombetare qe e dallon ate, e qe ne thelb,  ashte “ndihme”, qofte edhe me sakrificat ma te medha per “te huejin”, qe troket ne dere, e qe ne vendin tone quhet “mik”.

Akti fisnik i mbrojtjes se te persekutuemeve ashte aq i vjeter tek shqiptaret sa edhe Testamenti i Vjeter, dhe aq bashkekohor sa edhe vitet e Holokaustit (Shoah) dhe te ekzodit kosovar te viteve 1998-9. Pa dyshim, rasti unik i shqiptareve kerkon nji studim te thelluem psikologjik dhe sociologjik – te individit dhe te shoqenise shqiptare!

Fenomeni i qendrimit shqiptar ne mbrojtje te persekutuemeve dhe   personave qe kerkojne strehim ne kohet moderne, tregohet sidomos nga momentet historike te shekullit te fundit. Shqiptaret e perndjekun nga  serbet e malazezet ne vitet 1877-78, te njohun akoma sot si “muhaxhiret” (refugjatet) ne Kosove, u perkrahen nga  bashke-atdhetaret vendas. I njajti fenomen shihet edhe ne vitet 1878-1920 edhe me shqiptaret viktima te Malit te Zi, Qe nga Nikshipi, Podgorica deri ne Tivar dhe Ulqin, te shperngulunit u strehuen kryesisht ne Shkoder.

Ironikisht, kur ne vitin 1915, ushtria e dobesueme serbe kaloi ne terheqje nepermjet maleve te Shqiperise veriore deri ne Durres dhe Korfuz, ajo  nuk u sulmue nga shqiptaret viktima. Kater vjet ma vone, ne vitin 1919, kur u ri-kthyen si fitimtare ne Kosove,  “shqiptaret” u shperb lyen me  asgjasimin fizik te popullsise, ose “spatrimin etnik”.

Dokument:“Sekretari i Shtetit (Lansing) per A.J.Balfour (Minister i Jashtem Britanik)Paris 18 prill 1919.

“…Ne lidhje me masakrat mbi shqiptaret ne Mal te Zi: Gusinja, Plava, Ipek, Djakova, Podjour dhe Rozhaj kane qene skena te terrorizimit dhe vrasjeve masive nga ana e ushtrive serbe dhe agjentave serbe , politika e te cileve duket se ashte asgjasimi i banoreve shqiptare te krahines”. Me nderime Robert Lansing.”

Mbas vitit 1912, ushtrite e munduna turke nuk u sulmuen nga banoret shqiptare per hakmarrje, sepse ishin te dorezueme (“nuk priten ne bese”). Nderkaq, energjite e shqiptareve u mobilizuen me strehue çamet e perndjekun te vilajetit te Janines dhe Çamerise qe u debuen me dhune nga trupat ushtarake greke dhe banditet greke, te ardhun nga ishulli i Kretes. (1912-1920) dhe ma vone me shpernguljen e tyne te detyrueshme ne Turqi. Por kur ne vitet 1940-44, gjate okupacionit italian e gjerman te Greqise greket e uritun u drejtuen kah shqiptaret per buken e gojes , ata gjeten mikpritjen dhe mbrojtjen qe i shpetoi ata nga uria.  Menjihere mbas kesaj situate, kur greket u kthyen si   fitimtare, shume nga ata greke qe shpetune nga uria me buken shqiptare u angazhuen ne zhdukjen fizike te gjenocidit çam, viktimet e te cilit kerkojne edhe sot te drejtat e tyne te mohueme.

Me 1943, mbas kapitullimit te Italise fashiste, ma shume se 100.000 ushtare italiane mbeten robe ne token tone. Pothuejse te gjithe gjeten strehim ne familjet shqiptare ne te kater anet e vendit. (Me nji perjashtim makaber: qendrimin e komunistve shqiptare qe ekzekutuen robe lufte te pafajshem ne kundershtim me çdo norme nderkombetare)

Gjate viteve te veshtira te rregjimit komunist, lindi spontaneisht fryma e solidaritetit. Megjithe vorfnine e tejskajshme, familjet shqiptare ndihmuen njena tjetren, dhe te gjithe se bashku ndihmuen , familjet qe vuejshin ma shume: te persekutuemet…! Familja ime ashte nji shembull.

Dhe ajo ma e fundit: ekzodi kosovar i viteve 1998-99,. Kur ma shume se  500.000 refugjate kosovare kerkuen strehim ne Shqiperi, ata u priten me nji zemergjanesi te madhe qe çuditi boten mbar, sidomos publikun amerikan…!

***

Nji fak del i qarte edhe nga pershkrimi i percipte i ke tij “fenomeni” shqiptar. Ne mbrendine e shqiptarit nuk fshihet egersia e ushqyeme nga propaganda komuniste, por nji bazament moral i forte- i njohun si  “cilesite burrenore” te shqiptarit: bese, nder, burreni, mikpritje …, bazament qe drejton jetet e ketij populli sidomos ne ditet e veshtira.

Çoroditja e diteve tona, qe na turperon te gjitheve,  nuk ashte “shqiptare”; ajo ashte rezultati i nji ideologjie te çmendun  qe zgjodhi “urrejtjen” si vlere kryesore dhe e perpunoi me metodat ma te rafinueme te “luftes se klasave” e ne  kundershtim me çdo gja qe ishte “kombetare”  cilesi qe justifikojshin krenarine e kombit tone- dhe timen!

 * Shqiptaro-amerikan, aktivist per te drejtat e njeriut.

Filed Under: ESSE Tagged With: Keshtu e due, Sami repishti, shqiperine

SHQIPËRI ME… JANULLATOS NË GJI…

February 9, 2014 by dgreca

Shkruan: Rasim BEBO/ Cikago/

   Gjatë dy luftërave botërore, në shekullin e kaluar, kanë ardhur këtu pushtues të ndryshëm, por nuk na kanë prekur në dinjitetin e kombit dhe të gjuhës.Një shëmbull:  Koloneli francez De Skoin, nxori  një shpallje publike më 10 dhjetor 1916 që i njihte pavarësinë prefekturës së Korçës, si “Provinca Autonome Shqiptare e Korçës” dhe ngriti flamurin kombëtar shqiptar. Gjithashtu ai emëroi si prefekt luftëtarin patriot Themistokli Gërmenji, heroin e vendit. I cili ndërmjet të tjerave, realizoi si administrator i zoti  hapjen e shkollave shqipe në të gjitha fshatrat e zonës, kurse shkollat greke dhe turke i mbylli bashkë me zyrat e tyre.

Kurse paraardhësit e Janullatosit të kohës, përdorën “armën e intrigës së famshme greke” siç thotë Konica. E arrestuan Themistokli Gërmenjin dhe e pushkatuan më 7 nëntor 1917. (E. J. “Shqiptarët”, f. 401-402).

Nuk mjaftoi me kaq, por në kohën e vetë Janullatosit, u hodh në erë natën  “Shtëpia e kulturës dhe e Flamurit” në Korçë, e Themistokli Gërmenjit , e cila gjet gurë mbi gurë në mëngjesin 11-gushtit 2012.  Atëherë ishte kryetar bashkie në Korçë Niko Peleshi , të cilin sot e ka zv/kryeministër Edi Rama. Ky pra, është Janullatosi që ndërton për rrënjën e helenizimit dhe shkatëron me agjentët e tij natën djepin e kulturës shqiptare.

Nën parullën  e antinacionalizmit enverian, krimineli  Ramiz Alia lejoi pushtimin e kishës  ortodokse fanoliane prej Janullatosit, pararojë e shovenizmit grekokaragjoz në Shqipëri . ( E. Ymeri)

Kohën e fundit është bërë më e theksuar dhe e kristalizuar përplasja ndërmjet e nacionalistëve Kombëtarë dhe aty Antikombëtarë, për këtë po shtrojmë këtë artikull, për t’i zgjuar paksa nga tulatja shqiptarët e Shqipërisë londineze.

 

KUNDËRSHTIMET NË ÇASTIN E MARRJES SË FRONIT NGA JANULLATOSI

            Më 2 gusht 1992, eksarku u shpall kryepeshkop i KOASH-it, dhe mori miratimin e shtetit shqiptar. Vidio e fronëzimit të Tij, vazhdon të qarkullojë në internet, ku shquhet dhe një flamur grek gjatë asaj ceremonie. Qartazi dëgjohen në kor zërat e ortodoksëve patriotë, që thërrasin emrat e martirëve ortodoksë shqiptarë, si Papa Kristo Negovani dhe Petro Nini Luarasi, të masakruar nga Kisha Greke, dhe “besnikët” që brohorasin për Janullatosin. Më pas dëgjohen dhe këngë patriotike” Për Mëmëdhenë!”… Kjo është fshehur deri tani nga përkrahësit e Janullatosit dhe nuk është komentuar as nga fanatikët e tij.

Ramzi Alia dhe ata që erdhën pas tij, e nënvleftësuan, ose e harruan të djeshmen e marrëdhënieve të Kishës Ortodokse greke me Kishën Ortodokse Shqiptare. Kisha Ortodokse shqiptare në fakt e shpalli autoqefalinë në luftë me kishën Greke! Kjo është ironia, që në krye të Autoqefalisë të risjellin pikërisht një grek!

Tani mësoni se si e përhap rrënjosjen e helenizmit në Shqipëri, Janullatosi.

Prof. Dr. Flori Bruqi shkruan: “… Ngriti K.A.SH. me 400 famulli, Themeloi Akademinë Theollogjike “Ngjallja e Krishtit’ në Durrës 1992 dhe dy lice kishtare, shkolloi dhe dorëzoi 150 klerikë. Themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme. Bëri të mundfur ndërtimin e 145 kishave të reja. (të stilit grek shën. Im), u riparuan 160 kisha ekzistuese, si dhe 70 qendra kishtare të tjera. (Po të stilit grek shën im.), ndërtesa, mitropolite, shkolla, qendra mjekësore, shtëpi pritje, kampe rinore etj. Themeloi kolegjin “AKSARIO” në Sauk (shën. im) ku ndërtoi 425 ndërtesa. Themeloi qendra mjekësore diagnostike me 24 specialitete, dy institute të formimit profesional. Themeloi një gazete të përmuajshme dhe tri revista, një stacion radiofonik. Themeloi  katër qendra  mjekësore, dy institute të formimit profesional, një lice profesional, dy shkolla fillore, shkolla për vajza dhe konvikte, 17 kopshte fëmijësh etj…” (marrë nga interneti  27-1-201.  http:// Floripress). Të gjitha këto janë arterie që Janullatosi përhapi helenizimin nëpërmjet gjuhës greke, nën hundën e qeverisë shqiptare dhe të Akademisë së Shkencave.

Janullatosi ka deklaruar në gazetën greke “Katemirini”:  “Nuk e kuptoj idenë e shqiptarëve, që feja e shqiptarit është Shqiptaria. Këtë tezë do ta luftojmë, duke dalë hapur kundër Rilindjes Kombëtare Shqiptare”.  Pra, kaq duhet për të ditur se kush janë atdhetarët Shqiptare që mbështesin pushtuesin ose uzurpatorin e Shqipërisë, Kryepeshkopin grek  Janullatios. Ky prift përhapi kudo rrënjët e helenizimit dhe po i përhap ato në drejtim të Shkollës  greke, të kishës greke, të gjuhës greke, po i çimenton me Kryqe në Shqipërinë e Jugut, me varreza dhe memoriale në nderim të ushtarëve kriminelë greke. Çfarë çmendurie është kjo, kur Janullatosi të merr për leshko e budalla, gjoja se kërkon kufomat e ushtarëve grekë  pas 73 vjetëve të lënë harcave, kodrave e maleve që aluvionet i kanë përfunduar në lumë dhe në dete. Në vend të kufomave të ushtarëve grekë, u bënë zhvarroje të shqiptarëve, për të mbushur sarkofagët me gjoja grekë. Vallë a ka tallje dhe sakrilegj më madh se kaq, kjo që i bën kombit tonë ky pushtues me veladon fetar?…

Agolli thotë: “…Të ngrihesh për të nxjerrë eshtrat, është si ajo puna e fantazmave që kemi lexuar nëpër romane, të cilat nuk i besojmë se ekzistojnë. Po ja që këto fantazma u ngritën e shetisin në këmbë në Kosinë në shekullin XXI… një veprim i turpshëm, i frikshëm e i padenjë për asnjeri…Është një veprim që më shtyn edhe mua frikën. Tani që jam 75 vjeç dhe shqetësohem  se mos na i shesin kockat.

Janullatosi, prezantohet në Europë dhe në Amerikë, si kreu grek i kishës ortodokse “greke” dhe i besimtarëve ortodokës “grekë” të Shqipërisë. (thotë Xhufi “ILLYRI”,  6-6-2006,   f. 30.)

            Sot të dy partitë mercenare PD dhe PS janë bashkuar me pushtuesin grek dhe veprojnë në dëm të kombit shqiptare, siç i përcakton Mit’hat Frashëri: “Rrëmbejnë kazmën  e i bien themelit për të shkatërruar këtë ndërtesë që mezi e ngritën Rilindasit”.

            Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri,lexojmë: “Janullatosin Shqipëria e ka dhuratë nga Partia Socialiste e Shqipërisë, kur kishte Fatos Nanon në krye.

Dëshiroj t’i kujtoj mbarë popullit shqiptar dhe veçanërisht rinisë shqiptare të Shqipërisë Londineze, Shoqatës Kulturore dhe Atdhetare “Labëria”, Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe personalisht zotit dhe zonjës Dio Guardi se historiani grek Nikolas Stavros ka deklaruar:

            “Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX”. Kjo deklaratë e historianit grek, tingëllon tepër poshtëruese për nderin dhe për dinjitetin e Republikës së Shqipërisë, të cilën e ka nëpërkëmbur Greqia shoviniste, përmes lëshimeve që Partia Socialiste, me Kushtetutën e vitit 1998, i bëri për pushtimin e kishës ortodokse fanoliane prej Janullatosit, i cili e ka kthyer atë në një filial të kishës shoviniste greke.

“Dekorimi i Janullatosit me titullin “Peace of Honor” nga presidenti i Fordham University në Nju Jork, zoti Joseph M. Mc Shane S.J. është një provokim i hapur për ndjenjat tona kombëtare, sepse është i pamerituar. Shoqata “Kombi” e Forcester, Massaçusetts, nënvizon se kjo ceremoni në Nju Jork, në metropolin e Lirisë Amerikane, shënohet pikërisht në prag të 100-vjetorit të masakrave greke në Shqipërinë e Jugut më 1914, kur qeveria dhe ushtria greke martirizuan për vdekje me torturat më çnjerëzore kanibaliste kishat në Hormovë, Kuqar, Peshtan, Odriçan, Panarit e Grabockë, dogjën vendin në emër të fantazmës Vorio Epir, për të cilin punon hapur edhe kreu i Kishës Ortodokse sot”.

            Asnjë shoqatë e Shqipërisë Londineze nuk u ngrit peshë më këmbë dhe të protestonte kundër Presidentit Topi, i cili, i zhveshur tërësisht nga ndjenjat e dinjitetit kombëtar, me rastin e 80-vjetorit të tij, e dekoroi shovinistin Janullatos me urdhrin e lartë të Skënderbeut, duke na fyer

rëndë edhe figurën e heroit tonë kombëtar. Kërkesën për anullimin e këtij urdhri e bëri vetëm “Aleanca Kuq e Zi”.

PROTESTA ZHVILLOHET SONTE, 28 JANAR 2014, NË ORËN 5 e 30 /

PROESTËS IU BASHKËNGJITËN SHOQATA ÇAMËRIA, LIGA QYETATARE SHQIPATRO- AMERIKANE, PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT, FONDACIONI I PLAVË- GUCISË, ANA E MALIT, BASHKIMI KOMBËTAR, SHKOLLA SHQIPE, LËVIZJA PUSH… ETJ.  “Ky nuk është nderim, por provokim”, tha Sali Bollati, një aktivist i njohur në komunitet dhe i mbijetuar i tragjedisë çame…

January 29, 2014

KUSH THA SE NË PROTESTË NUK  KISHTE ORTODOKSË? NUK I PATË?

            Po aty ishin: Imzot Noli, Kristo Kirka, Kristo Dako, Kristo Floqi, Kolë Tromara, Kolë Rodhja, ishte edhe i pavdekshmi Petro Nini Luarasi, shpirti i të cilit ende thërret: ”Vramëni, po mblidhmani gjakun se do t’u duhet fëmijëve të shkruajnë gjuhën shqipe”!- aty ishte Papa Kristo Negovani, Papa Stathi Melani dhe Papa Llambri Ballamaçi, aty ishte… aty ishin të gjithë martirët e helmuar nga Kisha Greke (Lum martirët, na mëson Ungjilli)….

JA KUSH JANË KOMBËTARËT: ”E gjithë kryesia e Vatrës dhe një pjesë e Këshillit ishte në protestë, me përjashtim të kryetarit, që nuk ndodhej në New York, por dy vajzat e tij ishin aty mes demonstruesëve; nëkryetari Asllan Bushati kishte ardhur me gjithë familjen, zv/Kryetari Agim Rexhaj me gjithë zonjën, sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu me origjinë nga Çamëria, e shoqëruar nga Majlinda Deli, Besa Belliu e Kamila Veliu, Marjan Cubi, Sejdi Hysenaj, Zef Balaj me gjithe djalin Josephin, Mithat Gashi, Bashkim Musabelliu, Halit Shpuza, Besim Malota, Nick Markola, Danny Blloshmi, Ahmet Hoti, Çezar Ndreu, Naser Çobaj e të tjerë. Ka ardhur nga Buffalo kandidati për Kongresin amerikan Edie Egriu e shumë të tjerë.

Me protestën ishin solidarizuar, përveç rrënjëve Shqiptare, që u përfaqësuan aty edhe  degët e Çikagos dhe Teksasit, Federatës Vatra, Lëvizja e Legalitetit për Amerikën, Shoqata Çamëria, Liga Shqiptaro-Amerikane, Oragnizata “Djemtë e Gjirokastrës, Përmetit dhe Sarandës”, Shoqata Ana e Malit, Kombi, Plavë-Guci, Uskana në Illinois, Bashkimi Kombëtar, Grupi i studentëve shqiptarë në Fordham University, Shqiptaro-Amerikanët e Çikagos e të tjerë.

Përplasja ndërmjet shqiptarëve me antishqiptarët  28 janar 2014, ora 5:30

Takimi u organizua në zyrat e ansambleistit të shtetit të Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj. Në takim kishin ardhë, MOHUESIT E KOMBIT SHQIPTARË  tëjanullatosit:  Bishop Nikoni, Mitropoliti i Korçës Joan Pelushi, Jim Liolin, Lu Fundos, Tom Beno etj.

            *Marko Kepi për DIELLIN shkruan: Ne protestojmë duke kërkuar që në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të vijë një Kryepeshkop si Joan Pelushi, me gjak, gjuhë, nënshtetësi e Kombësi Shqiptare! Uroj që kjo ditë të vijë shpejt!

PROTESTA ZHVILLOHET SONTE, 28 JANAR 2014, NE OREN 5 e 30 /

Nga Dalip GRECA: “Të hënën në mbrëmje të datës 27 Janar 2014, u bë një takim në zyrën e asambleistit të shtetit të Nju Jorkut z. Mark Gjonaj me përfaqësuesit e Kryepeshkopit Janullatos. Ky takim ishte propozuar nga z. L Fundos gjatë takimit të së shtunës të zhvilluar në Shtëpinë e Vatrës. Kishte ardhë në këtë takim Bishop Nikoni, Mitropoliti i Korcës bishop Joan Pelushi si dhe shoqëruesit e tyre. Drejtues i këtij takimi ishte asambleisti Mark Gjonaj, i cili prezantoi disa nga shqetësimet e komunitetit shqiptar dhe protestën e tyre.Takimi vazhdoi qetë me pyetje dhe përgjigje nga të dy palët. Bishop Nikoni bëri një ekspoze të Kishës Orthodokse shqiptare dhe punët lavdëruese që ka bërë Kryepeshkopi Janullatos në ngritjen e Kishës ortodokse shqiptare. Ai argumentoi se Hirësia e Tij është tashmë i pranuar nga besimtarët ortodoksë të gjithë Shqipërisë dhe këtu nga Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës dhe ortodokësit shqiptarë. Hirësia është një personalitet i njohur që ka bërë shumë për Kishën Ortodokse shqiptare dhe është i vlerësuar në botë. Ai tha se e shihte të pavend protesën që bëjnë shqiptarët e Nju Jorkut dhe kërkoi të dinte arsyen: Përse po protestoni?- pyeti ai. Nuk na nderoni kështu! Ja unë që përfaqësoj ortodoksët shqiptarë të Amerikës jam këtu. Atëhere në emër të kujt protestoni ju? Të ortodoksëve jo. Ai këshilloi që të hiqnin dorë nga kjo pretestë sepse bëhet në kohë të papërshtatshme dhe në vend të gabuar.

Presidenti i Shoqatës Rinore”Rrënjët Shqiptare” Marko Kepi, parashtroi shqetësimet që i kanë detyruar disa nga organizatat t’i bashkohen kësaj proteste. Ai renditi probleme të tilla si: Fortulumturia e tij erdhi si eksark për riorganizimin e Kishës ortodokse, jo për të qëndruar përjetësisht në fronin e kryepeshkopit, ndërkohë që Statuti i kishës Autoqefale të Shqipërisë e kërkon të parin e Kishës me nënshtetësi, gjuhë e Kombësi shqiptare. Po ashtu ai ngriti problemin e ndryshimit të arkitekturës së Kishave të ndërtuara nën drejtimin e Kryepeshkopit, krejtësisht me stilin e kishave greke, kritikoi qëndrimin e Hirësisë për kundërshtimin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, për mospërkrahjen e popullsisë çame dhe refuzimin e Lutjes për viktimat; se nuk njeh genocidin grek mbi Çamërinë etj.

Puna që ka bërë Hirësia e Tij Janullatos është e jashtëzakonshme, tha Mitropoliti. Pse po protestoni? – shfaqi ai habinë e tij dhe shtoi: Aty do të ngrihet flamuri shqiptar, ai amerikan dhe i Universitetit Fordham. Ju jeni kundër? Pse?

Zef Balaj shfaqi opinionin e tij dhe argumentoi pse janë të pakënaqur shqiptarët me Janullatosin në Krye të Kishës Autoqefale Shqiptare.Ai përmendi Kombësinë e Kryepeshkopit, përkohshmërinë e misionit të Tij dhe të tjera shqetësime që janë objekt i protestës.

Nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati, tha se Vatra e mbështet protestën. Pasi vlerësoi kontributin e Kishës Ortodokse krahas besimeve të tjera, ai shfaqi rezervat e Vatrës për qëndrimin e Fortlumturisë së Tij në krye të Kishës Autoqefale. Kur statuti e kërkon prerazi se në krye, duhet të jetë një Kryepeshkop me gjuhë, nënshtetësi e Kombësi shqiptare, ai duhej të kishte kryer misionin që mori përsipër në ringritjen e kishës dhe të shkonte. Edhe mënyra se si e mori e fronin me kundërshtime gjatë ceremonisë, Vatra mendon se ishte një arsye e fortë që ai nuk duhej të bëhej Krypeshkop, përderisa kishte zëra kundërshtues. Vidioja me pamje nga marrja e fronit vazhdon e qarkullon në internet. Hirësia e Tij ka bërë pak për përgatitjen e kuadrit drejtues të Kishës. Janë 22 vjet dhe Kisha Ortodokse mbanë sërish në krye një njeri që nuk është me Kombësi shqiptare. Ai erdhi nga Kisha Greke, ku kisha dhe shteti janë bashkë, ndërsa në Shqipëri jo. Përderisa ka mospajtime të Kishës Greke me atë shqiptare dhe e djeshmja e tyre ka qenë një luftë e ashpër, në fronin e Kishës shqiptare duhej të ishte një shqiptar. Nuk pati kohë Hirësia të përgatiste një pasues shqiptar?… Ishte ironike e tallëse përgjigja e tij për përkohshmërinë e Misionit: Ne të gjithë jemi të përkohshëm në këtë Botë?- See more at: (https://gazetadielli.com/ perfundoi-takimi-mes-organizatoreve-te-protestes-me-perfaqesuesit-e-kryepeshkopit-janullatos/#sthash.5h8rMkcf.dpuf)

January 29, 2014

Anastas Janullatos, ky uzurpator i mbështetur nga klane shoviniste dhe antishqiptare, është duke bërë planet e tij për pasardhesin po grek në krye të kishës ortodokse shqiptare.Pasi ndrroi statutin e Fan nolit dhe të dekretuar nga mbreti zog, statut që përcakton qartë se krepeshkopi, peshkopët, priftërinjtë etj, janë prej gjaku gjuhe dhe kombësi shqiptare, statut i njohur nga patriarkana e stambollit si i përjetshëm.

“Statuti i ri lejon që kryepeshkopi mund të jetë dhe një nënshtetas i huaj. Por nuk është e vërtetë. IGNATI është nje grek shovinist, kunder shqiperisë dhe Vorio Epirit. Po te ishte arvanitas, nuk do të rrinte indiferent ndaj çështjes çame. Duke zgjedhur IGNATIN, peshkopin e Beratit, kërkon t’i japë një goditje pikërisht qendres ku u hodhën themelet e pavarsisë së kishës kombëtare ortodokse shqiptare, si dhe u themeluan ligjet kanonike ortodokse shqiptare. IGNATI përgatitet nga kisha greke, qeveria fantazmë e Vorio Epirit dhe partia neo naziste ”Agimi i artë” në Greqi.

Nuk e kuptoj pse at Artur Liolin vlerësoi punën e Janullatosit. Çfar e detyroi? Lobi grek në SHBA? Apo ndonjë perfitim biznesi nga Janullatos? Si duket ky prift e ka harruar Fan Nolin dhe nuk e njeh realitetit e Shqipërise. At Artur Liolin do të bënte mirë të ndihmonte drejtpërdrejtë në shqiperi dhe jo nga kisha e luksit në Boston.

Po ashtu dhe veprimtaria e Ilia Ketrit, është e dyshimtë, për sa kohë shoqëron Janullatosin. Do të vijë dita, që financimet e Janullatosit do te quhen kisha të Vorio Epirit dhe atëherë do të jetë shume vonë.

IGNATI, peshkopi i Gjirokastrës dhe janullatos orgonizojnë çvarrimet, krijojne eshtra te paqena të ushtrise greke në jug të Shqiperisë, problemet me Himaren si dhe ngjarjet e turpshme dhe aspak kishtare të Permetit.

Ne jemi të gatshem të organizojmë një kuvend kombëtar me ortodoksët, për të vendosur në vend vepren e Fan Nolit. (At Marku, “Projekt antikishë…”, gazeta “Dielli”, 30 janar 2014)

Pra, nga sa thamë më lart, del se Shqipëria është sot një zonjë e madhe, me kancerin Janullatos në gji, që lëshon metastaza të rrezikshme çdo ditë e muaj që kalon. Duhet patjetër një ndërhyrje kirurgjikale e shpejtë.

Rasim  Bebo  Addison Çikago  shkurt  2014

Filed Under: Analiza Tagged With: rasim bebo, Shqiperia me Kancerin Janullatosin

MESAZH POSTMORTEM NGA VAÇJA PER EDIN

February 9, 2014 by dgreca

Edi,/

Që kur ndërrova jetë kam vënë re disa herë keni aluduar se ndoshta do të kisha qenë më me fat të kisha lindur diku tjetër.
Nuk e di se si e keni hallin ju liderat e mëdhenj të Shqipërisë së ‘parëndësishme’, po unë jam krenare që linda shqiptare. Jemi nje komb i vjetër sa lashtësia, me një botë shpirtërore sa gjithësia, por të mallkuar të çqeverisemi akoma nga makutëria.
Do të jetë mirë që shteti të përkujdesej për artistë si unë kur jemi gjallë.
Edhe diçka tjetër. Nuk më erdhi mirë kur thatë sot se ke pyetur veten se si do ta këndoja, sikur të isha më me fat, këngën “I will always love you.”
Unë isha me fat që këndova në gjuhën time, Edi, dhe qielli i Shqipërisë më mjafton.
Më bëj një favour, të kam rizha, dhe në seancën e parë të Kuvendit, kur të lodheni duke sharrë njëri tjetrin, dëgjoni origjinalin shqip të Whitney Houston, ”Malli për Mëmëdhenë”. Arti bën çudira…(G Alpion)

http://www.youtube.com/watch?v=EawnRiBlCco

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT