• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

LAMTUMIRË PROFESOR NJACI

February 8, 2014 by dgreca

– FJALA E RASTIT NË CEREMONINË MORTORE TË PERCJELLJES SË NJAC LACUKUT, I CILI NDERROI JETE NE ÇIKAGO /

Nga: Bahri Asllani*

E nderuar familja e Njac Lacukut,/

E nderuar bashkshorte Age, /

Të nderuar djem të Njacit, Landi e Toni./

Të nderuar të afërm e pjesmarrës bashkatdhetarë!/

Kurr nuk ma kishte marrë mendja se me mijëra milla larg atdheut tonë të dashur, këtu në Çikagon e Amerikës, një ditë do ti thoja këto dy fjalë percjellëse per njeriun e dashur Njac Lacuku të cilit sot në moshën 82 vjeçare po i japim lamtumirën e fundit per në jeten e pasosur të pertejvarrit.

Per Njac Lacukun edhe po të mbajmë një fjalim shumë të gjatë, edhe po të zgjedhim fjalet më vlerësuese, më të mirat e më të gjeturat që i takojnë një njeriu, prap nuk do të kemi thënë shumë. “Zotni Njaci”, – siç e njeh dhe e thërret krejt Shkodra ka një vend të nderuar si njeri e si kuader, si sportist e profesor i sportit, si nenpunes e drejtues shembullor, si aktivist i palodhur shoqror me dekada të tera me ndikim të gjërë në fshat e në qytet.

Sot, në këtë ditë ndarje e percjellje të Njacit, na vjen si në ekran jeta e tij intensive e shembullore. I tillë ishte Ai si nxenes e sportist gjatë studimeve të mesme e të larta ku gjithnjë shquhej per zell e vullnet, per ndershmëri e figurë të paster pedagogjike e sportive. I tillë, shembullor mbeti deri në fund të jetës së tij.

Familja Lacuku, sot ka humbur të madhin e më të dashurin saj. Bashkshortin ka humbur Ag-ja, babain kanë humbur djemtë, gjyshin , nipat e mbesat. Por krahas familjes suaj të nderuar Lacuku, është dhe një familje tjeter edhe më e madhe, edhe më e njohur edhe më e degjuar gjithkund në Shkoder, në Shqipëri e jashtë saj, që sot bjen në heshtje e nderim per birin e paharruar;  -Ajo familje ka një emer historik:  –Vllaznia e Shkodrës!

Me emrin e Vllaznisë lidhet krejt jeta e ketij njeriu shembullor që sot po i japim lamtumirën. Shumë vite atlet i klubit “Vllaznia”, shumë dekada mësues, trajner e profesor në fshatrat e qytetin e Shkodrës, shumë vite kuader drejtues në sektorin e sportit në shkalllë rrethi. Zotni Njaci ishte më i papërtuari, më i palodhuri, njeriu që nuk e diti kurr fjalen ‘Jo”, njeriu i gatshëm aty ku ishte më vështirë. Dhe gjithëkund fjalëëmbël, gjithëkund buzëgas, gjithëherë frymëzues e mobilizues per të tjerët në rrugën e kapërcimit të veshtirësive, në rrugen e suksesit. Shumë dekorata e medalje flasin per vlerësimet ndaj punës së tij të gjithanshme në disa dekada.

Unë personalisht kam patur fatin e mirë ta kem mik e koleg per shumë e shumë vite kur isha mësues por edhe drejtues i Komitetit të Kultures Fizike e Sporteve të Rrethit. Unë isha Kryetari i zgjedhur dhe i emruar, por, ama, nuk e teproj të them se per mua, moralisht, Njaci ishte kryetari im. Per këtë njeri, ruaj konsideratat më të larta, vlerësimet më pozitive, respsktin më të madh.

Veshtirë të hasim nenpunes më korrekt, më sistematik, më të kujdesshem se zotni Njaci. Puna e tij sidomos në gjetjen, ruajtjen e pasurimin e dokumentacionit të sportit në vite në rrethin e Shkodres do vlerësohet edhe më shumë edhe në të ardhshmen. Puna me perkushtim shembullor e Njacit është në themel të historikut të sportit shkodran, në fototeken nga më të pasurat, në shenimet e ditaret nga më korrektët.

Jeta erdhi e tillë dhe Njac Lacuku po varroset sot në Çikago të Amerikës ku po percillet me shumë nderime jo veç nga komuniteti i Çikagos por edhe nga shumë shtete të tjera të Amerikes deri edhe nga Kalifornia e larget. Por, të mos harrojmë se po të ishte ky varrim atje, në Shkodren e dashur, në token tonë, në At’dheun e paharruar, me mijëra do ishin edhe ata shkodranë që nuk do mund të rrinin pa ju bashkue kësaj percjelljeje. Ish koleget, ish nxenësit qe janë aq shumë, ish sportistet e veprimtaret e sportit qe e ndjenë nga afer doren e tij në jetë, do i thoshin lamtumirë profesor Njacit.

Në kontributin e Njac Lacukut per zhvillimin e perparimin e sportit shkodran tash sa dekada, ka nje vend nderi edhe vet familja e tij. Injaci punoi dite-nate per sportin, per arsimin e kulturen ne pergjithesi por duhet thene se mbrapa i kishte krahet e sigurtë, kishte gruan e tij shembullore Agen, kishte dy djemt prej ma të mirëve që i ka Shkodra, Landin mësues e drejtor shkolle e Tonin basketbollist shembullor të Vllaznisë sonë të dashur. Ag-ja dhe djemtë, jo vetem nuk iu bene kurrë pengese Njacit në detyrat e tij të shumta, por perkundrazi ju bene krahë dhe e mbeshteten pafundësisht per të qenë ky pra, ky që po flasim sot.

Jam i bindur se Njac Lacuku do të mbetet një shembull frymëzimi per të gjithë ata që e kan njohur, per të gjithë ata që kan punuar apo edhe thjeshte kanë ndenjur qoftë edhe pak kohë me të.

-I paharruar qoftë emri e kujtimi i mirë i zotni Njacit.

-Shpirti i tij pastë dritë në jetën per ku po niset sot.

-Zoti e pastë nën kujdesin e tij.

-I lehtë të qoftë dheu i tokës së premtuar, dheu i Amerikës o zotni Njac!

-Ju qofshi shendosh të gjithë, pjesetarë të familjes, të afërm, miq e shokë, gjithë sa po len mbrapa i nderuari Njac Lacuku.

-E gjetshi dhe e takofshi njeriun tuaj të dashur në driten e Parajsës.

  -Nga Çikago, USA, Shkurt 2014-

* Ish kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të Rrethit të Shkodrës

 

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Lamtumire, Njac Lacuku

LAMTUMIRE VAÇE ZELA!

February 8, 2014 by dgreca

Iu dha lamutmira këngëtares së madhe Vaçe Zela. Të afërm, miq, bashkëpunëtorë e poltikanë nderuan në homazhe Artisten e Popullit.

Skena, ishte suksesi dhe emocioni më i madh i këngëtares e për këtë arsye homazhet u kryen në skenën e TOB, ku Vaçe Zela u ngjit dhjetra herë për të interpretuar, ndërsa sot këngët e saj shoqëronin në sfond lamtumirat.

E ndërsa bashëpunëtorët e artistes brenda sallës bënë homazhet pranë trupit të saj, qindra qytetarë që kishin ardhur nga qytetet e tjera të vendit, ishin të detyruar si të vetmen zgjidhje ti vendosnin lulet vetëm në fotografinë e saj.

Kolegët e artistes së madhe, Luan Zhegu, Osman Mula, Bujar Kapexhiu, Sherif Meidani, Irma Libohova, Zana Shuteriqi të cilët sot ndan kujtimet, bënë që këngët e Vaçe Zelës të shndërrohen në këngët më të dashura për të gjithë, prandaj dhe sot qindra qytetarë që e njihnin pak, ose aspak nga afër gjenden aty me lule në duar për të bërë homazhet.

Në fjalën e tij Basha u shpreh: “Zëri i Vaçe Zelës ishte balsam dhe ndër të paktët ngushëllime për shpirtrat e sfilitur të shqiptarëve përgjatë dekadave dhe viteve të veprës së saj. Është dhe mbetet zëri dhe kujtesa e saj përjetë mes nesh, në  zemrën e një kombi të tërë, mirënjohës dhe krenarë  për të dhe për veprën e saj, ç’ka shihet qartë edhe nga bashkimi  i  qindra, mijëra shqiptarëve në homazhe dhe nderimin për të paharruarën Vaçe Zela”.

Në fjalën e tij, ish-kryeministri Berisha vlerësoi lart figurën e Vaçe Zelës duke e cilësuar si disidenca e këngës shqiptare.

“Sot përcjellin për në banesën e fundit zërin e shekullit të kombit tonë. Këngëtarja  e pavdekshme e dashurisë për fëmijën, për nënën, për të dashurin dhe mikun, për Shqipërinë dhe hallet e saj. Vaçe Zela iu dhuroi shqiptarëve me talentin e saj më shumë se kushdo tjetër në kohën e vet gëzime, kënaqësi dhe krenari. Vaçe Zela ishte njëkohëshisht disidenca e këngës shqiptare në atë regjim barbar të antivlerave. edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe qytetarëve të Lushnjes  që i bënë shqiptarëve një dhuratë të tillë, të gjithë atyre që kanë pasur tek Vaçe Zela këngëtaren e tyre të dashur” tha Berisha.

Ndërkohë homazhe ka kryer edhe Ambasadori i BE-së Ettore Sequi, i cili shkroi edhe një shënim në librin e vizitorëve.

“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të thella e të ndjera për humbjen e Vaçe Zelës, një prej artistëve më të mëdha të Shqipërisë që do të mbahet mend gjatë sepse zëri i saj i fuqishëm e stili i të këndruarit mbeten të përjetshëm. Ajo u dha zë shpirtit dhe ndjenjave të vendit të saj fisnik. Mendimet e mia janë me familjen dhe miqtë e saj në këtë moment të hidhur” ka shkruar ambasadori Sequi.

Homazhet janë zhvilluar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit ndërsa në sallën e TOB është mbajtur një ceremoni homazh ku personalitete të artit, kulturës dhe politikës kanë mbajtur nga një fjalim për Vaçe Zelën.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e organizuar për Vaçe Zelën, kryeministri Edi Rama theksoi se edhe pse Vaçja iku nga kjo botë la pas trashëgiminë e saj të përjetshme.

“Nuk ka vdekur Vaçe Zela.  Është shuar diçka brenda gjithkujt që e njohu nga afër apo e dëgjoi nga larg.  Kjo është vdekja që e bën lajmin për ikjen e vaçes nga kjo botë posaçërisht të veçantë për secilin prej nesh. Një dhimbje që përçohet në trajtën e një humbje të përbashkët  edhe deri tek të rinjtë që deri dje nuk kishin dëgjuar asgjë për të dhe për 48 orësh lënë shënimet e tyre në rrjetet sociale. Kur këndonte Vaçe Zela bota ishte bardhë e zi. Dhe ekrani ishte bardhë e zi. Vaçe Zela iku nga mesi ynë kur ra perandoria bardhë e zi. Dhe e la kyçur zërin e saj këtu në rrethin e kujtesës sonë bardhezi pa u kthyer kurrë më me hapat e saj në skenën e erës sonë për të na kërkuar shpërblim, ndere apo vëmendje për minutat e paçmueshme që na bëri të jetojmë dhe ja tani pas shumë vitesh na dërgoi befas thjesht lajmin e vdekjes si një kartolinë e një dashurie të pathënë dot kurrë deri në fund” tha Rama.

Edhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka mbajtur edhe një fjalim homazh për nder të ikonës së këngë shqiptare Vaçe Zela.

“Unë të kam parë, të kam ndjekur, të kam kënduar me vete por se pata kurrë fatin të të afrohem sepse kam qënë dhe jam shumë e vogël përpara teje.  Sot je këtu afër dhe unë ndihej mallë siç edhe ti vetë ke thënë ” sa mallë kemi sa deti valë”. Ne Vaçe të duam shumë por ti vetë prapë e ke thënë “Dashuria është si kënga dhe duaje  sot gjithë botën ta pushtoj”. Prandaj po  të lë Vaçe që të na pushtosh siç na ke bërë gjithmonë, që atje lart tek yjet se pjesë e tyre ke qënë dhe je. Prej ku do të na vazhdosh të na shohësh duke na pushtuar të gjithve” tha ministrja.

Ndërkohë gjatë homazheve Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela ka mbajtur flamurin në gjysmështizë.

Pas homazheve trupi i pajetë i Vaçes ka dalë nga Teatri i Operas dhe Baletit me tingujt e këngës “Alway love you” dhe me duartrokitje nga qytetarët ndërsa është përcjellë për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës

Vaçe Zela mbetet idhulli dhe frymëzimi për breza të tërë, emocioni dhe krenaria e të qenit shqiptar. Kënga e saj do të jetojë shumë gjatë bashkë me zërin e saj magjik, të kulluar, do të vazhdojë të jetë bashkudhëtare e historisë sonë shqiptare.

Ngushëllime për ndarjen nga jeta të ikonës së muzikës Vaçe Zela

Vaçe Zela lindi në Lushnje në vitin 1939. Këngët e saj në vite mbeten popullorë dhe të preferuara edhe sot nga publiku.

Artistja e Popullit dhe këngëtarja me famë të madhe, u zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnje. Vaçe Zela kishte një zë të jashtëzakonshëm.

Vaçe Zela mbetet “Zëri” i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Ajo ishte një këngëtare e cila ka marrë pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në radio televizion që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981 kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë me këngën “Komunistët” (dubluar nga Marina Grabovari).

Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit në të cilin ka interpretuar shumë këngë pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh ajo ka jetuar dhe është kuruar në Zvicër.

Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.” Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.

Festivalet

Në ka një artist, që emri i tij të identifikohet me festivalet e këngës, pa asnjë dyshim, ai është emri i Vaçe Zelës.

Ajo ishte dhe mbetet këngëtarja më e madhe e muzikës sonë të lehtë. Vaçe Zela u rrit dhe u kurorëzua mbretëreshë e këngës shqiptare, për mëse dy dekada rresht, duke korrur plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur për të gjitha kohët.

Vaçe Zela është fituesja e Festivalit të parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.

Atëherë ishte një vajzë e re, vetëm 23 vjeç. “Kisha ndrojtje ta këndoja atë këngë. Kisha frikë ta këndoja se isha e pamartuar dhe si mund t’i këndoja lindjes së fëmijës së parë?”, kujton këngëtarja nga festivali i parë. Sot duket paradoksale, por Vaçen nuk donin ta pranonin në festival. Ishte frika mos bënte dallime të dukshme me këngëtarët e tjerë, jo aq të njohur në interpretimin e këngës. Megjithatë festivalet rrodhën njëri pas tjetrit, nga viti në vit dhe Vaçja ishte gjithnjë prezente me zërin e saj. Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tana ilegale”, etj, kanë ngelur në fondin e artë të muzikës shqiptare.

Fillimet

Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare. Ajo nuk ishte e talentuar vetëm në muzikë por kishte talent edhe në pikturë e teatër.

Ishte dhjetë vjeç kur nisi të këndonte vetë të gjitha ato këngë myzeqare që kishte dëgjuar nëpër shtëpi nga e ëma dhe nga të gjithë pjesëtarët e tjerë të fisit, të cilët ishin qejflinj të muzikës. Në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjës ajo do mahniste të tjerët me zërin e saj, ndërsa këndonte krejt shkujdesur.

Vaçja ishte nxënëse shkolle, atëherë kur veshi një fustan të bardhë nusërie të sajuar me dorë, e doli me të në një koncert shkolle. Shpejt ajo u bë artistja e vogël e qytetit myzeqar.

Të gjithë besonin se ajo do të bëhej një artiste e madhe, megjithëse prindërve të saj nuk u pëlqente shumë ideja që vajza e tyre të merrte një udhë të tillë. Megjithëse asnjëherë nuk u përpoqën ta ndalnin Vaçen nga pasioni i saj.

Kështu vajza u nis drejt Liceut Artistik të Tiranës, për të plotësuar dëshirën që e mbante mbërthyer fort. I ngjiti shkallët e asaj shkolle me shumë ndrojtje, ndërsa në duar shtrëngonte një valixhe të vogël mbushur me plaçka. Por nuk qe e thënë. Nuk ia dhanë të drejtën për ta filluar atë shkollë. Më pas do t’i kthehej edhe një herë Tiranës, për të provuar shansin në dyert e ndonjë gjimnazi. Ndërsa nisi studimet në shkollën “Qemal Stafa” nisi të mësojë edhe kitarën, e cila më pas u bë pjesë e pandarë e jetës së saj.

Ishte kjo kitarë me të cilën kohë më pas ajo fitoi dhe të drejtën e studimit në degën e dramës, të cilën nuk e çoi dot deri në fund, pasi u mor më shumë me pasionin e fëmijërisë së saj, këngën.

Karriera

U emërua fillimisht këngëtare në Estradën e Ushtrisë, më pas në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Këngët e bukura të vendlindjes gjetën te Vaçja një interpretuese të madhe. Kudo ku dha shfaqje, në qytete e fshatra, apo edhe jashtë shtetit, ajo u mirëprit për zërin e bukur dhe melodioz. Jo më kot u quajt “Bilbili i Myzeqesë”, por shumë shpejt u bë i gjithë Shqipërisë, sepse këndoi me të njëjtën dashuri e pasion këngën e të gjitha krahinave të vendit.

Në çdo sukses të merituar që ka pasur Ansambli i Këngëve dhe Valleve popullore jashtë shtetit, si në Francë, Greqi, Itali, Turqi, Zvicër e gjetkë, këngëtarja e shquar Vaçe Zela bëri për vete një publik mjaft të gjerë. Shtypi i këtyre vendeve e ka vlerësuar mjaft lart.

Kalimi nga muzika popullore në muzikën e lehtë qe i natyrshëm. Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.

Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë, si pjesë e muzikës së filmave.

Një karrierë që u ndërpre në vitin 1991, vit që shënon edhe ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje.

Vaçe Zela, është konsideruar nga të gjithë brezat, si meteori i fatit që i ra për pjesë Shqipërisë, në vitet e zymta të diktaturës. Atëherë kur Shqipëria kishte vetëm errësirë, këngët e Vaçe Zelës i kënduan dritës.

Vaçe Zela kishte aftësi të jashtëzakonshme për ta përvetësuar dhe riprodhuar çdo melodi, qoftë edhe me njëherë të dëgjuar nga radioja. Ajo kishte aftësinë për ta bërë këngën të prekshme për çdo mjedis dhe arrinte të ruante besnikërinë ndaj nuancave, qofshin ato dhe nga tradita e popujve të tjerë.  Njerëzit e donin Vaçe Zelën. Afishet kudo reklamonin emrin e saj, ndërsa biletat shiteshin sa hap e mbyll sytë.

Që nga festivali i 19-të, kur këndoi dhe si përherë shkëlqeu dhe u vlerësua me çmimin e parë për këngën “Shoqet tona ilegale”, Vaçe Zela i kishte munguar skenës së festivale.

Rasti i fundit i pranisë së saj në atmosferën e festivalit ishte viti 1999. Festivali i 38-të i këngës. E ftuan nga Zvicra si kryetare e jurisë, ku jetonte prej vitesh dhe kurohej për sëmundjen e saj, megjithëse mjekët e këshilluan të mos udhëtonte ajo nuk donte të humbiste emocionet e festivalit. Po aty e nderuan me çmimin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.

Çmimet

Është përfshirë në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë. Në Paris është krahasuar me Edith Piaf, ndërsa në Itali me këngëtaren e madhe, Mina. Çmimet në adresë të artistes janë të panumërta. “Artiste e merituar”, në vitin 1973, “Artiste e Popullit”, në 1977, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare Nderi e Lushnjes”, deri te çmimi më i lartë, “Nderi Kombit”.

Këngët e saj këndohen vazhdimisht nga brezat e rinj të këngëtarëve, por janë të pakrahasueshëm gjithsesi me atë vokal, që vetëm Vaçe e kishte. Artistja thotë se ndihet mirë sa herë që në Shqipëri dikush kujtohet dhe vlerëson punën e saj. Është emocionuar gjithmonë edhe pse në të shumtën e rasteve çmimet i janë dhënë në mungesë të saj.

Çmime të rëndësishme këngëtarja ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Vaçe Zela është nderuar me “Diskun e Artë” nga Amerika për “kontribut në shoqëri në vitin ‘97”, është zgjedhur “Gruaja e vitit ’97-’98” në Cambridge të Anglisë, “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës e Kosovës, etj. I fundit çmim për Vaçe Zelën është “Çmimi i madh special për legjendën e këngës”, në 45-vjetorin e Festivalit në RTSH. Ky vlerësim iu bë këngëtares së njohur shqiptare në natën Gala, të organizuar në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit vetëm pak ditë përpara se të niste Festivali në Radio Televizion, i cili numëron një numër rekord prej 20 festivalesh. Çmimi i është akorduar këngëtares për kontributin e veçantë të dhënë për muzikën shqiptare dhe për pjesëmarrjet e veçanta qysh në vitet e para të organizimit të këtij festivali, në të cilin artistja ka rrëmbyer edhe mjaft çmime.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: artistja, dalip greca, Lamtumire Vace Zela, u percoll

Po Vaçja s’e la këngën. Edhe pas shurjes, kënga e saj gjallon

February 7, 2014 by dgreca

Nga Faslli HALITI/

Sapo kishte kënduar në Orën Gazmore të qytetit, Vaçja erdhi në shtëpinë tone. Ne kishim hyrje-dalje me Zelët. Që në moshën dymbëdhjetë vjeçe, Vaçja ishte bërë e njohur në gjithë qytetin e Lushnjes. Xhaxhesha kërkoi që ajo të këndonte një këngë. Vaçja që e kishte këngën të gatshme, si gjinkalla, filloi të këndonte, pa pritur që t’i thoshin për së dyti. Bukur, bukur, tha xhaxhesha, po jo si në radio (altoparlant), jo si në skenë. Atje duket tjetër, këtu tjetër. Eh, dhe ti moj Shahe, i thonë nëna, po kjo atje e ka vendin dhe jo këtu në mes të tymit, afër vatrës, ku piqen bukët. Çdo gjë në vendin e vet.

Ndërkaq Vaçja e vogël çau dritaret e shtëpisë së bukës me zërin e saj të madh dhe kënga u përzie me erën e bukës së djersitur që avullonte në qoshe të hambarit dhe që ne fëmijët s’mund ta hanim pa u ftohur gjersa avulli i bukës të arrinte në arën më të largët. Zia e bukës ishte në vitin më të zi dhe buka duhej kursyer duke u ngrënë e ftohtë, sepse e ftohtë hahej më pak. Vaçja që sapo kishte hequr biberonin nga goja, na ngopte shpirtin me këngën e saj të ngrohtë avulluese që ne e përpinim ashtu të avullt.
Ora Gazmore jepej një herë në javë, çdo ditë të diel me altoparlant. Të gjithë njerëzit grumbulloheshin rreth shtyllës së drunjtë, në majë të së cilës ishte vendosur altoparlanti. Këndonte treshja e këngëtarëve pionierë.
Vaçe Zela, Flora Mebelli dhe Ajete Nepravishta (Brahimi), por njerëzit veçonin Vaçen mes treshes duke thënë: po këndon Vaçja dhe nxitonin drejt sheshit me kalldrëm të qytetit për të dëgjuar Vaçen dhe e dëgjonin gojëhapur duke u grumbulluar rreth shtyllës me altoparlant. Si ftesë kishin zërin e Vaçes, këngën e saj. Ishte një treshe këngëtaresh të vogla, pioniere. Kulmi i këtij trekëndëshi këngëtaresh ishte Vaçja që shumë shpejt do të bëhej kulmi i këngës së lehtë shqiptare të të gjitha kohërave.
Flora Mebelli ishte më e bukura, më e veshura nga të tria këngëtaret e vogla. Ajetja ishte më e bukur dhe më e veshur se Vaçja, por të gjithë, i madh e i vogël sytë dhe veshët i kishin ngulur vetëm te Vaçe Zela, te zëri i saj, te kënga e saj si Hirushe, si mis e vogël, si zanë e vogël mali. Kjo treshe këngëtarësh ishte një zë që vinte nga Evropa, për ne. Kjo në vitet pesëdhjetë, ishte një pranverë me fllad evropian që përcillte blerim, lulëzim për shpirtrat tanë dhe sythi, lulja e kësaj pranvere ishte Vaçja që po shpërthente në ngjyra dhe fëshfërima melodish. Ajo mori njerëzish rreth shtyllës së drunjtë, rreth shtyllash me altoparlant, ka mbetur kaq e gjallë, kaq e bukur në përfytyrimin tim sa s’e ka zbehur asnjë ekran televiziv gjer sot. Dhe kur dikush në vitet nëntëdhjetë e dy tha për Vaçen, të mos e ngrinim në qiell duke caktuar dhënia e çmimit vjetor kombëtar «Vaçe Zela», për muzikën sepse ajo, tha ai, i ka kënduar komandantit, diktatorit, ata që e dëgjuan, s’e mbajtën dot veten; mbylle mor buqen, i thonë, se zëri i Vaçes është më i madh se gjithë komandantët dhe diktatorët e kësaj bote. Në ndërgjegjen e popullit ka mbetur kënga vaçjane, zëri vaçjan dhe jo vdekësirat që i flak tej si bëzhdila uragani i zërit të Vaçes.
Ajo shtyllë me altoparlant mes kalldrëmit të qytetit meritonte të ruhej në muze si obelisku i Vaçes. Por ne jemi ende pa kulturën e nevojshme të ruajtjes së relikave. Sepse aty pranë asaj shtylle mbiu fidani i blertë i Vaçe Zelës, fidan që u bë lisi më i lartë në pyllin shushuritës e gjëmues të këngës shqiptare.
Pas debutimit në orën gazmore që e organizonte popullori, elitari pasionanti aktori, piktori impresionant Ilia Shyti, Vaçja vazhdoi të këndonte e s’e pushoi më këngën. Kudo që ndodhej asaj s’i rrihej pa kënduar dhe këndonte me shpirt. Njerëzit e donin këngën e Vaçes dhe ajo s’ua kurseu atë, por e jepte me shpirtin e gjeneshës adoleshente. Kujtdo që do t’i binte rasti të njihej me Vaçen do të kërkonte që ajo të këndonte të paktën një këngë ose një pjesë të këngës me të cilën ajo kishte pasur sukses. Dhe Vaçja s’kursehej ta përshëndeste të saponjohurin me një këngë të re ose me një këngë për të cilën ajo kishte dobësi.
Qëlloi që erdhi në shtëpinë e pionierit Sekretari i Parë i Komitetit të partisë Petraq Magjistari, babai i Rudina Magjistarit. Ai na përshëndeti të gjithëve ne fëmijëve që ndiqnim rrethet dhe kurset në Shtëpinë e Pionerit. Udhëheqësja e pionierëve e prezantoi sekretarin me këngëtaren e vogël Vaçe Zelën, me të vetmin fëmijë të njohur midis gjithë nesh që s’ishim veçse korniza e gjallë e saj.
Kjo është Vaçe Zela, shoku Sekretari i parë, i tha udhëheqësja e pionierëve, sekretarit.
Ti qenke Vaçja? tha sekretari i habitur.
Po, unë jam! Ta këndoj këngën O Azerbajxhan? e pyeti Vaçja, e gëzuar nga që ai e njihte.
Pa ta dëgjojmë një herë ! i tha sekretari…
Dhe Vaçja shpërtheu….
Oborri i shtëpisë së pionierit, në çast u shndërrua në sallë koncerit.Vaçja krijonte kudo salla koncerte të befta që në fillimin e karrierës së saj.
Në vitin 1956, e takoj Vaçen para bibliotekës së qytetit. Në këtë kohë Vaçja i kishte kaluar kufijtë e Lushnjes. E njihte e gjithë Shqipëria. Diskutohej shumë për të, bëheshin shumë thashetheme e cirkonin me baltë. Por cirkat e baltës nuk zinin në trupin e bukur të pastër, të kulluar të këngëtares, sepse Vaçja dhe kënga ishin një dhe s’ka baltë që e cirkos këngën që pastron shpirtrat dhe vetëpastrohet si uji gurrës.
Të keqen motra, më thotë, Vaçja, futu pak në sallën e bibliotekës mbi tavolinën, te dritarja e fundit kam lënë revistën italiane. Noi donne e cila në brendësi të saj, ka faqet e modës. Unë po vij te dritarja, më tha dhe ti ma jep revistën. Më fal që po të mundoj!
Kur e mori revistën u gëzua shumë. I pëlqente moda. Vishej me copa të lira, por i priste dhe i qepte bukur, krijonte modele të reja. Vishej me shijen e top modeles më të mirë. Por kjo ishte e parakohshme për qytetin tonë, madje edhe për Shqipërinë e atëhershme që sapo kishte dalë nga zija e bukës. Vaçja me revistën në sqetull unë me një fletore vizatimi në dorë, bisedonim në trotuar larg bibliotekës. Vaçja kishte veshur një fund të kuq basmeje. Një gisht poshtë fundit të kuq, dukej një rrip i bardhë. Kalojnë pranë nesh dy gra. Njëra i thotë shoqes, qyqja shiko, dy pëllëmbë e ka nxjerrë këmishën dy pëllëmbë poshtë fundit. Është zhypon mos të plaçin sytë, nuk është këmishë, iu shkreh Vaçja me indinjatë , gruas injorante dhe cinike.
Mirë ia bëre, i thashë Vaçes duke i dhënë të drejtë.
Vaçe Zela s’ia përtonte askujt që i binte më qafë sikur dhe mbret të ishte.
Pas lirimit nga ushtria fillova studimet në Liceun Artistik për pikturë.
Në lice ishte edhe Vaçja, e cila studionte për kanto. Pashë se s’ishte e qetë, e axhituar shpirtërisht.
E di si po qarkullon një fjalë e dalë, gjoja, nga goja e pedagoges sime Marie Kraja, sikur ajo më paskësh thënë që, «Ti Vaçe çdo gjë mund të bëhesh, po vetëm këngëtare nuk bëhesh».
Po ti këngëtare je, i thashë unë që kisha një adhurim hyjnor për zërin e Vaçes. Janë në vete këto, apo flasin kuturu?!
E po ik dhe mbushu mendjen pa, më thotë Vaçja dhe kërciti gishtat e dorës me nervozizëm.
Vaçja u largua nga Liceu. Largimi i saj ishte gati një protestë memece ndaj kësaj thashethemnaje që spo shuhej. Vaçja ishte një artiste që rebelonte.
Më vonë në Lice u fol, se nuk ishte e vërtetë ajo që qarkullonte sikur gjoja se Vaçes çdo gjë mund të bëhej, por këngëtare nuk bëhesh kurrë. Kjo thënie ishte gjysmë e vërtetë. Pedagoget e kantos kishin thenë se Vaçja nuk mund të bëhej këngëtare opere, sepse këngëtare e muzikës së lehtë ajo ishte dhe këtë pedagoget s’e mohonin, por e pohonin jo vetëm me zë të lartë, por edhe me kompetencë. Ato s’mund të injoronin veten.
Me këtë thënie u spekulua shumë. Por e vërteta është se Vaçja u largua nga dega e kantos në formë proteste, pa bujë. Për ikjen e saj u fol shumë pro e kundër. Kundër flisnin cmirëzinjtë, mediokrit. Pjesa e talentuar e profesorëve dhe e nxënësve ishin pro Vaçes.
Pas kësaj Vaçe Zela vari kitarën në qafë dhe vazhdoi të këndojë lirisht, pa semaphore e vija të bardha. Këndonte këngë spanjolle, italiane. Muzika jonë e lehtë ende nuk ishte e nivelit që është sot.
Në pushimet e verës e takoj Vaçen në Lushnjë. E pyes se si ndihej në shtëpinë e kulturës.
Mizerje, më thotë.
Pse mizerje?
Po ja… Patëm një koncert në sallën e kinemasë së qytetit. Merrte pjesë sekretari i Parë me suitën e tij. Këndova me gjithë shpirt. Dhashë maksimumin. Pas shfaqjes më thërret sekretari i Parë. Po prisja të më thoshte fjalë të mira. E di ç’më tha: Mirë moj Vaçe, mirë. Bukur këndove, po pse përdridheshe si çingi…
Ç’t’i thosha Buzos. T’ia përmblidhja të merrja veten më qafë?
Të shkretët ne ia ktheu Vaçja thellësisht e trishtuar …
Më vonë takohem befas në Vlorë me Vaçen. S’e mbaj mend pse gjendesha në Vlorë,kurse Vaçja kishte ardhur për koncert me ansamblin e ushtrisë. Viti s’më kujtohet.
Të keqen motra, thotë Vaçja. Shko pak në shtëpinë time. Lajmëroji ata të shtëpisë sime se këta shokët e ansamblit duan të më bëjnë një vizitë. Ti e di si jemi ne të shkretët në shtëpi. Së paku ato pak lecka të rregullohen pak.
Vaçja ishte tepër krenare. Megjithëse nuk pyeste, prapë dëshironte që miqtë ta gjenin në rregull. Ata e nderonjin dhe ajo donte t’i nderonte dyfish kolegët.
Të talentuarit janë mirënjohës dhe etikë të mëdhenj. Vaçja edhe pse e thjeshtë, prapë në thellësi të sja, flinte dhe zgjohej shpirti aristokrat. Sidoqë ishin njerëzit që njihte, ajo i takonte me shumë përzemërsi pa asnjë përpjekje për shmangie edhe kur ata ishin me qeleshe ose opinga. Një herë u sëmur një kushëri i saj. U shtrua në spitalin e Tiranës. Vaçja e vizitonte gati çdo ditë. Mjekët shtuan përkujdesjen. Ata e prisnin me padurim ardhjen e këngëtares magjike. Sapo hynte në korridorin e spitalit artistja e madhe, të sëmurët thoshin se po vinte sorkadhja. Kishte ecje të lehtë prej sorkadheje prandaj të sëmurët e quanin ashtu.
Nuk mbaj mend nëse Vaçja këndoi me zë të ulët ndonjë këngë spanjolle apo italiane të sëmurëve. Mbase edhe u ka kënduar por unë s’e mora vesh. Po ku i rrihej Vaçes pa këngë?
Një ditë Vaçja po më tregonte për suksesin e saj në sallën e estradës së Tiranës. Më tregonte se si e ndërprisnin me ovacione në mes të këngës. Ishin duartrokitje frenetike. Thirrje të stuhishme: Bravo, bravo, braaaaavo! E irrituar pse duartrokitej Vaçja që këndonte këngë të huaja, këngëtarja popullore Fiqirete Rexha i thotë: – Epo s’jemi në Italie këtu … Epo edhe në Turqie nuk jemi, de – i thotë Vaçja koleges.
Ishin vite disi liberale. Bashkimi Sovjetik po bënte kthesa të mëdha të çuditshme. Ndeshej liberalja me konservatoren. Në një dhomë të shtëpisë së Vaçes, në vitin 1963, banonte një ish e burgosur politike që dinte shumë mirë italisht. Unë shkoja tek ajo për të mësuar italisht me të. Një ditë takon Vaçen afër derës së ish të burgosurës së bashku me gjyshen që e donte jashtëzakonisht shumë. Aq shumë e donte saqë gjyshja përkëdhelej si fëmi. Vaçja sapo ishte kthyer nga një koncert në Rumani. E pyes se si kishte shkuar koncerti e ç’kishin thënë rumunët. Isha së bashku me Luçie Milotin, më thotë. Pas mbarimit të koncertit na çuan në një bar-lulishte. E di ç’i thanë rumunët ambasadorit tonë në Rumani?
Çfarë?
Në se Luçie Miloti është bilbili i këngës shqipe, Vaçja është surpriza shqiptare.
Të mëdhenjtë janë të sinqertë dhe s’druhen se mos i marrin si mburravecë. Unë u gëzova shumë që rumunët e kishin quajtur Vaçen surpriza shqiptare. E urova. Më thotë gjithë entusiazëm:
Do të përgatis një recital që …
Ashtu?
Po!
Ç’është ky cital moj bijë, e pyet gjyshja.
Jo cital, moj gjyshe. Recital, – i thotë Vaçja gjyshes duke qeshur e duke e përkëdhelur sikur të ishte gjyshja mbesa, dhe jo Vaçja.
Recitali moj gjyshe është …
Hë? Si është, thuaja gjyshes…
Është …, e di si? Që, pasi të kem kënduar, mua të më nxjerrin me tezgë nga skena …
E pse?
Aq shumë do të këndoj, sa do të bëhem telef….
Po qe kështu, lëre lanetin …
Po Vaçja s’e la këngën.

2014

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Faslli Haliti, Vacja nuk e la kengen

SHKON NË VEND AMANETI: VAÇE ZELA, NGA PRISHTINA ARRINË NË TIRANË

February 7, 2014 by dgreca

Ka mbërritur në atdhe trupi i pajetë i ikonës së këngës shqiptare Vaçe Zela, e cila ndërroi jetë dje në Basel  të Zvicrës pas një sëmundjeje të gjatë dhe të mundimshme.

Trupi i pajetë i artistes Vaçe Zela ka mbërritur në orën 14:00 në aeroportin e Prishtinës, ku është pritur nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Më pas nëpërmjet “Rrugës së Kombit”, trupi i pajetë i këngëtares së madhe shqiptare, Vaçe Zela, ka mbërritur rreth orës 18:10 në shtëpinë e saj në kryeqytet, ku është pritur nga familjarë por edhe shumë qytetarë.

Ndërkohë homazhe në nderim të artistes Vaçe Zela do të zhvillohen nesër nga ora 10:00-12:00 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Gjatë homazheve Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela do të ulin flamurin në gjysmështizë.

Pas homazheve ikona e këngës shqiptare do të përcillet për në banesën e fundit duke u nisur nga TKOB për tu prehur në varrezat e Sharrës.

Ceremonia në nderim të artistes do të organizohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe në vëmendjen e Kryeministrit,  Edi Rama.

Vaçe Zela mbetet idhulli dhe frymëzimi për breza të tërë, emocioni dhe krenaria e të qenit shqiptar. Kënga e saj do të jetojë shumë gjatë bashkë me zërin e saj magjik, të kulluar, do të vazhdojë të jetë bashkudhëtare e historisë sonë shqiptare.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Mberrine Vace Zela, Prishtine

NJË VRASËSE FËMIJËSH… SOT, “HEROINË” ?!

February 7, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/

Ne Foto:KOBRA…VRASËSE…/

Nga Fritz RADOVANI/

Do të filloj këte shkrim me një nga faktet që shkruen At Konrrad Gjolaj, në librin e Tij “Çinarët”, ku shpjegon se me daten 29 prill 1959, gjykata e Shkodres, dha vendimin e vet per pushkatimin e Mikut dhe Shokut Tij të perjetshem Don Dedë Malaj…

At Konrradi shpjegon: “I vetmi njeri që u interesue me i shpetue jetën Don Dedës, kje mesa e Tij 13 vjeçare, Drandja. Mbas arrestimit të Don Dedës ajo jetoi me Tinen. E ndihmoi materialisht Don Marin Shkurti, i cili u pushkatue edhe ky në 1969 si, edhe Don Pjeter Gruda, që edhe ky vdiq në burg në vitin 1989, i dënuem 15 vjetë. Me ndihmen e këtyne dy Priftenëve, Drandja u nis në Tiranë me daten 1 Maji 1959, me mujtë me takue Enver Hoxhën. Kje e pamujtun, madje as Haxhi Lleshin, kryetar’ i Kuvendit Popullor. Mujti me takue sekretaren e tij Nexhmije Hoxhën, që i takonte me kenë dora vetë. Drandja e vogel tue e kujtue veten para një “gjyshes”, ra në kurthen e asaj që populli e ka quejtë “pantera”, dhe vajza jetime me lot përfaqe i kerkoi faljen e jetës së axhës së vet, tue i shpjegue se ‘nuk kam asnjë njeri në këte Botë’. Nexhmia iu pergjegj: “Pse t’ ia falesh jetën atij, ai është armik i popullit. Ti nuk ke mundësi t’ interesohesh për té, mese do e mbash até?” Drandja iu pergjegj: “Até e mban burgu, s’ ka gja, veç të jenë i gjallë, aman të lutem ma ban këte nderë, se nuk kam as nanë as babë, veç këte axhë!”

Me daten 9 Maji Drandes, i erdhi pergjegja: “Lutja yte refuzohet.”

Kjo asht kenë Nexhmije Hoxha.” ( A. K. Gjolaj, “Çinarët”, fq. 169, Shkoder, 1996).

Me daten 12 Maji 1959, Don Dedë Malaj u pushkatue në moshen 42 vjeçare.

Në nandorin e vitit 1996, At Konrradi erdhi dhe më mori me shkue per një vizitë tek një person i panjohun per mue. Hyna në makinen e Tij dhe u nisem nga Rruga Canej jo, larg nga shtëpia ime… Kur u ndalueme më tregoi se aty, banonte Drandja…

Na hapi deren një djalë…hyme mbrendë, dhe tek dera e shtëpisë na priti Drandja.

Drandes tashti grue e moshueme, iu mbushën sytë me lot…Nuk mujti me nxjerrë asnjë fjalë nga goja, veç, si tue u pertypë, mujtëm me kuptue thanjen e zakonshme të atyne krahinave, prej të cilave Drandja trashigonte doke e zakone: “Hajdeni, mirse Ju ka prue Zoti!..” Vonoi me marrë veten. Filloi me folë si me Axhen e vet me At Konrradin…

Gati mbas një oret, At Konrradi kerkoi me ndigjue edhe unë, atë takim të Drandes, që pat ba me Nexhmije Hoxhën, në Maji të 1959. Ajo e shpjegoi si t’ ishte një ditë perpara.

Unë veshtrova pa nderhy fare, mbasi u topita tue ndigjue Burrneshen Drande!

Tue ndigjue Até, më dukej sikur po fliste Don Deda… e kishe ndigjue gjyqin e Tij dhe, nder mend më sillej pafajsia e Tij, guximi dhe qendrimi Burrnor… E, para syshë më dilte Drandja… një vajzë e vogel jetime, pa askend, e mbetun në Doren e Zotit… “tue i kerkue një bushtres plakë, ‘mëshirë”! Mëshirë! Kerkonte per një Prift të pafajshem!

Po, a thehej, “heroina e Gjenocidit komunist kundrejt Klerit Katolik Shqiptar, nga një fëmijë që ishte e pa asnjë njeri?!”…

Kampi interrnimit Tepelenë 1948 – 1954 (Grafikë nga Lek Pervizi)

Në lidhje me vrastaren “heroinë” kam veçue pak thanje:

Gjyljana Pervizi (Malaj): Unë “Beba”, që u futa në kamp 4 mujshe e dola 42 vjeçe.

I persekutuemi politik, autor i Nderuem i disa librave Agim Musta shkruen: “Në kampin e Tepelenës komunistët lanë të vdisnin nga urija 300 fëmijë…”

E nderueme zonja Klara Mirakaj Merlika tregon: “Shkova në interrnim me përparësen e shkollës e dola gjyshe mbas 45 vjetësh…”

***

Dishroni me pa edhe dokumenta të Gjenocidit komunist që ka aprovue kjo bishë në Kuvendin Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë:

Lexoni këte dokument:

Tiranë, më 26.6.1979  Nr. i dekretit: 5912 Viti 1979…

Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi dhe Sekretari, Telo Mezini firmosin dekretin për internimin dhe dëbimin si masë administrative, propozue nga Këshilli i Ministrave.
Në vitin 1979 hyjnë në fuqi disa nene për internimin dhe dëbimin kundër shtetasve shqiptarë e të huaj dhe personave pa shtetësi,që kanë mbushur moshën 14 vjeç.

“Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Presidiumi i Kuvendit Popullor

Dekret Për Internim dhe dëbim si masë administrative në mbështetje të nenit 76 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave.

Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë
Vendosi:

Neni 1.

Internimi dhe dëbimi, si masë administrative, mund të vendoset kundër shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi, që kanë mbushur moshën 14 vjeç, janë të përgjegjshëm dhe paraqesin rrezikshmëri për rendin shoqëror të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Neni 2.

Internimi dhe dëbimi mund të vendosen edhe kundër pjesëtarëve të familjes së personave të arratisur brenda ose jashtë shtetit. Quhen pjesëtarë të familjes personat që në çastin e arratisjes, bashkëjetonin me të arratisurin, si bashkëshorti, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat, si dhe persona te tjerë që bashkëjetonin me të dhe kanë qenë në ngarkim të tij.

Dhe, mund të vazhdoni: http://www.zemrashqiptare.net/news/id_21841/cid_154/Fritz-Radovani:-Shteti-shqiptar-mbron-genocidin-komunist!.htmlKy ligj 50 vjet para nenshkrimit të tij tek né, kur u aplikue në Gjermani u quejt Gjenocid. Në Gjermani perfshinte 5% të popullsisë gjermane.

Në Shqipninë e 1979 ky ligj ka perfshi të gjithë Popullin Shqiptar! Nenshkruesit e këtij GJENOCIDI, vazhdojnë me kenë “heroj” dhe, me u shperblye si të tillë edhe pse njihen si vrasës mashtrues dhe terroristë të pashpirtë të selisë krimit në Shqipni.

Në Republiken e Shqipnisë sot, konsiderohet “Heroizem”…i nenshkruesëve!

Po, sa e sa libra mund të shkruhen vetem me kujtime të Fëmijëve të plakun nder kampe? – Oh sa herë, kjo kober ka kafshue mija e mija Shqiptarë e lanë jetima rrugash e kampesh interrnimi e shfarosje… Oh, sa fëmijë ka mbytë e mbytë prap kjo bishë me vendimet e saja, nder kënetat e malet e shkretnueme të Tepelenës e sa e sa fermave mizore, ku Nanat Shqiptare vajtonin Loçkat e zemres tue i mbulue me baltë?!

Po, sa gra e nuse të reja kanë lindë nder tortura në birucat e sigurimit shtetit foshnje dhe janë masakrue pa mujtë me i dhanë bebeve të vogla një ditë gjiun e Nanës!

Mija e mija fëmijë nder fshatra… edhe pse Nanat e tyne zgjoheshin pa dalë dielli dhe milnin lopët e kooperativës, nuk kishin të drejtë as me ushqye me qumësht fëmijët e vet, se kështu kishin urdhnue “heroinat e deputetet” e Kuvendit Popullor… që vetem, mendonin per “jeten e lumtur”… të fëmijëve tanë… E kush e beson këte sot në Botë?

Në vitin 1974, i duhej gjak fëmijësh të porsa lindun me i dhurue Enver Hoxhës…

E sa fëmijë u mbyten në maternitetin e Tiranës, me urdhën të kësaj  “heroinë”, per me i shpetue jeten katilit Popullit Shqiptar..?! – Askush nuk flet! Vazhdon edhe sot frika!

Kjo bishë e pangopun me gjak Fëmijësh asnjëherë nuk ishte ndryshej nga shoku i vet terrorist e kriminel, por nuk gaboj, kur e them me bindje se, ndoshta, edhe ia kalonte atij barbari anadollak, që edhe pa sy në ballë e pa mend në kokë dinte me vue “firmen” e vet per tradhëti ndaj Atdheut, robni të Popullit Shqiptar, shfarosje inteligjence dhe të disa dhjetra Atdhetarëve, e në “ditë feste” me çue dollinjë “Me gjak Klerikësh Katolik”!

Sa gotat ka shkrepë kjo perbindshe gjaksore me terroristë per vrasje Fëmijësh…

Me të tillë vrasës Foshnjesh dhe trashigimtarët e tyne…

Shqipnia sot troket në dyertë e Europës!.. TURP !

    Melbourne, Shkurt 2014.

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, heroine, Nexhmija Hoxha, Nje vrasese femijesh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT