• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

Udhëkryqet e Serbisë

February 4, 2014 by dgreca

Nga Zeno JAHAJ/

Një vend udhëkryq është një mundësi fati e po aq ndoshta edhe për sfida. Serbia është një vend i tillë. Nëse udhëkryqet gjeografike e historike kanë një emër, ata me siguri do të quheshin Serbi. Çka dihet me siguri është se udhëkryqet gjeografike, si për këdo, edhe për Serbinë, mbeten të përjetshme. E pasigurt është nëse do të ndodhë kështu edhe me ata që janë formësuar nga gjeopolitika, historia, interesat apo orientimet strategjike. 

Udhëkryqi gjeopolitik

E shtrirë në qendër të Ballkanit , pikërisht aty ku lidhen vendet e Europës Qendrore me ato të Europës Juglindore, si dhe ato të Europës Perëndimore me Turqinë e Lindjen e Afërt, Serbia gëzon kështu të gjitha mundësitë e lehtësitë për shkëmbime të gjera vlerash, njerëzish e mallrash. Dy rrugëkalimet e vetme strategjike veri-jug kalojnë pikërisht përmes Serbisë: njëri përgjatë luginave të lumenjve Velika dhe Juzna Morava dhe tjetri paralel me të që kalon Beograd – G. Milanovac – Kraljevo – Prishtinë – Shkup. Falë vendvendosjes strategjike, Serbia mban nën kontroll korridoret e rëndësishme të transportit të lumit Danub dhe lumit Morava. Ndërkohë, fakti që ky vend nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me dete, e detyron të kërkojë e të krijojë patjetër rrugë komunikimi me vendet e tjera.Historia do t’i rezervonte Serbisë gjithashtu një hapësirë ndoshta unike, duke e përfshirë në qendër të zhvillimeve me rrjedhime rajonale e më gjerë. E ndodhur midis dy perandorive më të mëdha të kohërave, Perandorisë Austro-Hungareze dhe Perandorisë Otomane, fati i të cilave do të ishte shpërbërja pikërisht në prag dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, Serbia nuk mund të mos ishte pothuajse në të njëjtën masë sa molla e sherrit, aq edhe e fituara e kësaj lufte. Këtë terren e kishte përgatitur me agresivitet që në luftërat ballkanike.

Pozicioni i saj gjeostrategjik, si dhe zbrazëtitë që u krijuan nga shpërbërja e dy perandorive, do ta nxisnin Serbinë të kërkonte hapësira edhe më të mëdha për të krijuar të ashtuquajturën “Serbi e Madhe”. Brenda këtij koncepti, me përfundimin e Luftës së Parë Botërore do të shpallej Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e cila më 1929 do të ri-pagëzohej me emrin “Jugosllavia” dhe do të sundohej përsëri nga serbët. Një regjim politik mbretëror në një hapësirë ku ishin përzier gjithfarë kombesh, popujsh, fesh e gjuhësh e ku predominonin serbët, nuk mund të ishte gjë tjetër veçse legalizimi i sundimit të Serbisë.

Kur për herë të parë e të fundit në Luftën e Dytë Botërore Perëndimi u gjet në aleancë me Lindjen në luftën kundër nazizmit e fashizmit, Serbia – Jugosllavia e atëhershme, u gjet edhe ajo për herë të parë e të fundit në aleancë, si me Anglo-Amerikanët, ashtu edhe me Rusët, madje me një kontribut veçanërisht të vlerësuar.

Lufta e Ftohtë do ta rikthejë Serbinë në rrugëkryq. Pas formulës së famshme të Çërçillit, ajo do të mbetej përsëri në rolin e sfungjerit, duke e përcaktuar 50% nën influencën perëndimore dhe po aq nën influencën lindore. Në këto kushte, Serbia-Jugosllavia e atëhershme do të luante lojën e vendit të paangazhuar, por duke përfituar gjithsesi mbështetje të jashtëzakonshme financiare nga Perëndimi, sidomos nga SHBA, për të mos lejuar rritje të influencës sovjetike në Ballkanin Perëndimor. Ky kuadër “asnjanës” do t’ia linte duart të zgjidhura për të mbajtur nën kontroll të hekurt popujt e popullsitë heterogjene që përbënin Jugosllavinë, pavarësisht se në krye të Federatës do ishte një katolik kroat si Tito e, madje, për një kohë relativisht të gjatë.

Në kohët moderne, Serbia do të rikthehej në qendër të zhvillimeve e të konfrontimeve. Me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe me ardhjen e ultra-nacionalistit Millosheviç në krye të Serbisë, Jugosllavia u përfshi nga luftëra të ashpra ndëretnike, të cilat sollën fillimisht pavarësimin e Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë më 1991 e pastaj, të Bosnjës më 1992. Pjesa e mbetur nga Ish Jugosllavia (Serbia dhe Mali i Zi) në prill 1992 u deklarua si “Republika Federale e Jugosllavisë”. Ruajtja e emërtimit “Jugosllavi” s’ishte gjë tjetër veçse një mburojë politike për fushatat e egra ushtarake të regjimit të Millosheviçit për të krijuar e mbajtur me dhunë “Serbinë e Madhe.” Këtij qëllimi do t’i shërbenin gjenocidi në Bosnjë e, më pas, spastrimi etnik në Kosovë. Por fushatat e saj do të ndeshnin në vullnetet dhe në forcat e bashkërenduara të komunitetit ndërkombëtar, si dhe të popujve që ishin bërë pré e dhunës serbe, me qëllim që të parandaloheshin trajtat e rrezikshme dhe rrjedhimet e rënda për sigurinë kombëtare të popujve të Ballkanit Perëndimor që mund të merrnin ngjarjet e veçanërisht, të evitoheshin shkëndijat e një konfrontimi të mundshëm në një shkallë më të gjerë. Menaxhimi i një fuqie qendrore të Ballkanit Perëndimor, sikurse ishte Serbia, e cila vijonte të luante rrezikshëm lojën me kungulleshkat e përqindjeve të influencave të përcaktuara në Konferencën e Jaltës në funksion të orekseve të saj nacionaliste, do të detyronte Europën e SHBA-në për të bërë ndërhyrjen e parë ushtarake jashtë zonës formale të përgjegjësisë së NATO-s, por brenda vlerave dhe përgjegjësive morale të kësaj organizate.

      Drejt tregut Perëndimor

Kohët e kanë prurë tashmë që Serbia, ashtu si tërë Ballkani, të gjenden, për herë të parë në histori, brenda zonës së sigurisë e prosperitetit të dy organizatave më autoritare perëndimore, përkatësisht të NATO e BE. Në këtë kuadër, rreth dy të tretat e kufirit shtetëror të Serbisë kufizohet me vende anëtare të NATO-s e të BE-së. Nëse do të shtonim edhe faktin tjetër se, si NATO-edhe BE pritet ta zgjerojnë edhe më thellë në Ballkan anëtarësinë e tyre, duke pranuar, hë për hë, edhe Malin e Zi e Maqedoninë, atëherë në këto kushte, Serbia s’mbetet veçse si një ishull brenda detit të madh politik, ekonomik e të sigurisë perëndimore. Ky fakt, tej paragjykimeve apo përdredhjeve diplomatike të klasës politike serbe, përbën një mjedis sigurie e prosperiteti vendesh demokratike nga ku rrjedhin vetëm përfitime edhe për Serbinë. Mjafton të përmendim se mbi dy të tretat e volumit të eksport-importit të Serbisë realizohen me vende anëtare të NATO-s e BE, kryesisht me Gjermaninë e Italinë.Pasi ka lënë pas trashëgiminë mbretërore e atë komuniste, sot Serbia është shndërruar në një republikë parlamentare, ku pushteti politik i nënshtrohet rregullave të lojës demokratike dhe atyre të ekonomisë së tregut. Brenda këtyre vlerave, ajo është shprehur politikisht për pranimin në BE duke bërë edhe hapat e nevojshme në këtë drejtim derisa ka arritur tashmë të marrë statusin e vendit kandidat në këtë organizatë. Serbia merr pjesë në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, duke u deklaruar se do të kufizohet vetëm me statusin e vendit partner dhe jo të vendit anëtar. Ndërkohë, trupa të Forcave të Armatosura Serbe marrin pjesë në disa misione paqeruajtëse shumëkombëshe nën flamurin e OKB-së, si në Liban, Qipro, Bregu i Fildishtë, Liberi, etj. Angazhimet politike e ushtarake si më sipër krijojnë një kuadër që e përafron Serbinë me vlerat perëndimore, duke ndikuar njëherësh, për t’u shkëputur nga politika e saj tradicionale shoviniste dhe për të hyrë në rrugën e bashkëjetesës paqësore e të prosperitetit me vendet e tjera të rajonit.

  Me vështrim nga Lindja

Në të vërtetë, udhëkryqi historik e ka gjetur Serbinë të afruar më së shumti me Rusinë, aq sa kjo e fundit në qarqe diplomatike pranohet si padroni e mbrojtësi i Serbisë, apo aleati tradicional i saj, për shkak të bashkësisë në familjen sllave dhe fenë ortodokse. Fuqizimi i lidhjeve me Rusinë shprehet qartazi në fushat politike, ekonomike e ushtarake. Rusia, duke u bazuar në lidhjet tradicionale me Serbinë, ka shfrytëzuar e shfrytëzon çdo hapësirë që të ruajë këto lidhje sidomos përmes investimeve.

Në pikëpamje tregtare, Serbia përpiqet të ruajë një balancë midis Europës e Rusisë, duke u kushtëzuar nga kjo e fundit sidomos në fushën e importeve. Por Rusia ka fituar avantazh ndaj Europës në garën e vet për ta përfshirë në sferën Serbinë në sferën e saj, duke i hapur rrugë liberalizimit tregtar me Bashkimin Doganor Rus, si dhe me ndërtimin e Gazsjellësit South Stream. Serbia është i vetmi vend jashtë Komonuelthit të Shteteve të Pavarura që gëzon Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Rusinë, ku specifikohet zyrtarisht se mallrat ruse të prodhuara në Serbi konsiderohen si të origjinës Serbe dhe eksportohen si të tilla në Rusi të lira nga doganimi.

Ndërkaq, firmave Serbe u janë hapur të gjitha dritat jeshile për të investuar e punuar për Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Rusi (Sochi) gjatë vitit 2014. Përllogaritet që gazsjellësi South Stream të krijojë 2.5 mijë vende pune dhe do të sjellë rreth gjysmë miliardë investime të drejtpërdrejta në Serbi.

Në pikëpamje ushtarake, Serbia qysh prej fillim-vitit  2013 përftoi statusin e vëzhguesit të përhershëm në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive – një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia. Ndërkohë, në nivel bilateral, Rusia dhe Serbia kanë rinovuar në nëntor 2013 marrëveshjen trashmë pesëmbëdhjetë vjeçare të bashkëpunimit ushtarak. Në 2011, Rusia hapi në Nish një qendër infrastrukturore, e motivuar në dukje për raste emergjencash, por që rrezja e përdorimit të saj synon shumë më tepër se kaq.

    Në simetrinë Lindje – Perëndim

Duket se ka një simetri lëvizjesh, apo më saktë, një garë midis NATO-s e BE nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër për të kapur rrugëkryqin Serb. Në çastin që njëra palë është e lodhur apo e pafuqishme për të vepruar, atëherë iniciativën strategjike e merr pala tjetër. Një çast të tillë përbën, për shembull, e ashtuquajtura “lodhje nga e zgjerimi” e BE-së ndaj vendeve të Europës lindore. Sapo Europa ka dhënë shenja të tilla, në atë masë është vërsulur edhe Rusia për të mbushur zbrazëtinë. Në këtë kënd, Rusia e shikon mbështetjen ndaj Serbisë jo aq si mbështetje ndaj “vëllait të vet më të vogël,” por si mbështetje ndaj një vendi jo anëtar të NATO-s e BE-së. 

Sidoqoftë, asetet Ruse në Ballkan përgjithësisht e, për këtë arsye, edhe në Serbi e kanë humbur peshën që kishin në çastet e përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ballkani rrethohet tashmë nga një hark gjigant sigurie e prosperiteti Perëndimor që fillon në Detin e Zi e përfundon në Detin Baltik. Pothuajse të gjitha betejat ushtarake e politike të pasluftës së Ftohtë në rajonin e Ballkanit i fitoi Perëndimi. Ballkani e, respektivisht Serbia, nuk janë më sfungjeri i dikurshëm ku përplaseshin perandoritë e ideologjitë politike. Shumë-shumë, një status gare relativisht më të butë për influencë në këtë rajon e ruajnë vetëm fetë, të cilat, gjithsesi, nuk e kanë më mbështetjen politike, ekonomike e sociale që kanë pasur më parë.

Kësisoj, Serbisë i është dashur gjithnjë të luajë midis dy fuqive: midis gjeografisë dhe historisë, midis interesave dhe vlerave. Ky vlerësim ka edhe trajektoren e vet në kohë. Rusia doli e dobët nga Lufta e Ftohtë e, për më tepër, nuk është më në kontakt gjeografik me Serbinë sikurse ishte gjatë asaj kohe. Përkundrazi, partnerët kryesorë europianë të Serbisë, sidomos Gjermania, renditen ndër ekonomitë më të fuqishme kontinentale e globale dhe sfera e ndikimit të tyre është shumë më e afërt edhe gjeografikisht.

Pikërisht këtu gjenden arsyet e mëdyshjes serbe në politikat ndërkombëtare. Serbia, duke u ndodhur gjeografikisht midis dy sferave, si në pikëpamje vlerash, ashtu edhe interesash, është përpjekur e do të vijojë të përpiqet të bëjë sa lojën e Europës Perëndimore, aq edhe lojën e Rusisë.

Rusia është cilësuar apo vetë-trumbetuar si aleat tradicional i Serbisë, për shkak të lidhjeve të përbashkëta sllave e ortodokse. Por Serbia, ashtu siç është rreshtuar shpesh kundër  Perëndimit, jo rrallë herë në historinë e vet është rreshtuar edhe kundër Rusisë, sidomos përgjatë Luftës së Ftohtë. Prandaj, e vërteta është se lajkat që i bëjnë njëra tjetrës si aleatë tradicionalë duket se më së shumti kanë ngjyrën e interesave, sesa të klanit apo fesë. Por, më tepër se këto dy arsye të dukshme, interesi i Rusisë për Serbinë është ruajtja e me çdo kusht e një vend-bazimi në Ballkan, nga ku mbahet gjallë synimi i kahershëm për të depërtuar në Mesdhe e për të krijuar lidhje operacionale me bazat e tjera ruse në Siri e gjetkë e në këtë rajon.

Kësisoj, kemi të bëjmë më shumë me një fenomen gjeopolitik, se sa  me një dashuri bashkësie. Marrëdhëniet midis Serbisë e Rusisë përdoren më së shumti për të krijuar e mbajtur gjallë efekte politike e ekonomike, sesa marrëdhënie solidariteti. Kështu, për shembull, kur Millosheviçi erdhi në krye të shtetit serb, ai e përdori Rusinë për të demonstruar se nuk ishte i vetëm në aventurën e tij të ruajtjes me çdo kusht të “integritetit” të Jugosllavisë dhe, se pas shpinës së tij qëndronte një “Fuqi e Madhe.” Nga ana e saj, Rusia e atëhershme e përdori Serbinë për t’i demonstruar Perëndimit dhe botës se Rusia mbetej një Fuqi e Madhe pavarësisht se Ish Bashkimi Sovjetik ishte shpërbërë. Kësisoj, ndërsa Beogradi i përkëdhelte Rusisë egoizmin për t’u dukur se kishte mbetur ende në statusin e një superfuqie, Moska, nga ana e vet, shfrytëzonte imagjinatat e sëmura që ushqente Serbia për t’u shndërruar në një fuqi rajonale imperialiste.

     Drejt tregut ballkanik për influencë

E ndodhur në kushte ambiguiteti e udhëkryqesh, Serbia përpiqet e do të përpiqet të luajë një lojë të tretë, duke shfrytëzuar avantazhet gjeostrategjike për të përfituar si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi e duke u shtirur njëherësh as me Lindjen, as me Perëndimin, me synimin e vetëm për të zgjeruar influencën si fuqi rajonale. Serbia e ka kuptuar tashmë se lojës së ekspansionit për të kapur hapësira gjeografike i ka ikur koha. Për fatkeqësinë e saj, ajo e kuptoi e fundit në Europë vetëvrasjen e kësaj loje. Prandaj ajo i është drejtuar tani lojës për të fituar më shumë influencë. Këtij qëllimi i shërben edhe lëvizja e saj e fundit për të nxitur të gjitha vendet e ish Jugosllavisë për të krijuar zyra të përbashkëta diplomatike e konsullore, një iniciativë ndaj të cilës, jo çuditërisht, pjesa më e madhe e shteteve të shkëputura nga ish Jugosllavia i janë përgjigjur pozitivisht, gjoja për arsye kostosh e efektiviteti ekonomik. 

Sot ekonomia e Serbisë është një ekonomi ku predominon ekonomia e tregut, megjithëse ekonomia shtetërore akoma mban nën kontroll themelet e veprimtarisë ekonomike të vendit. Me asetet që zotëron, ajo është fuqia më e madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor, falë gërshetimit të popullsisë dhe ajo zotëron forcën më të madhe ushtarake në rajon.

Sidoqoftë, papunësia e madhe (25.9% në vitin 2012), të ardhurat relativisht të pakta për frymë (10.600 dollarë), reformat e papërfunduara strukturore, etj, kanë bërë që ekonomia të ketë vetëm një rritje simbolike prej 1.8% në vitin 2012. Borxhi publik ka arritur në 59.2 të GDP-së në fund të vitit 2012. In 2012, eksportet ranë 3.6% në krahasim me vitin 2011. Sfida të tjera që janë pamjaftueshmëria e sistemit juridik, nivelet e larta të korrupsionit dhe një popullsi në plakje. Të tilla problematika mund të shkaktojnë edhe më shumë makth ekonomik, ndarje politike e trazira sociale, sikurse kanë ndodhur jo pak herë në këta 10-15 vjetët e fundit. Si rregull, situata të tilla kanë shërbyer apo janë shfrytëzuar për të rritur dozat e nacionalizmit në politikën e jashtme.

    Tej udhëkryqeve

Fenomene të tilla siç përjeton Serbia, i kanë përjetuar më parë edhe vende të tjera të ngjashme në pikëpamje gjeostrategjike. Por e kanë gjetur rrugën e duhur përmes komunikimit e bashkëpunimit. Në këtë frymë, një dialog shpresëdhënës është nisur e po zhvillohet midis kryeministrave të Serbisë e Kosovës. Fakti që ky dialog zhvillohet nën kujdestarinë e BE-së do të thotë shumë. Në fund të fundit, rruga e prosperitetit ekonomik që frymëzohet e mishërohet nga BE-ja nuk mund të mos ketë rrjedhime edhe në fushat politike e të sigurisë, ku udhëkryqi serb është edhe më dyshues. Ndërkohë Kryeministri i Shqipërisë pritet të vizitojë Beogradin – një mesazh tjetër i frymës së re të bashkëpunimit që synon të lërë prapa sjelljen tipike ballkanase të përjashtimit e të konfrontimit.  

Problemi i Serbisë, por edhe i aktorëve të tjerë ballkanikë që lidhen me të, nuk janë udhëkryqet në vetvete, as zhdukja e tyre nga harta fizike, por krijimi i një harte mendimi e vlerash tej udhëkryqeve. Në të mirë të vetë Serbisë, ashtu si edhe të gjithë vendeve të rajonit përreth saj e më gjerë, është shndërrimi i udhëkryqit tradicional në një trafik sigurie e prosperiteti, në një nyje të shëndetshme komunikimi me tërë vendet e popujt e shumëvuajtur të rajonit. Ka ardhur tashmë koha që Serbia dhe ballkanasit përgjithësisht, të ndërgjegjësohen përfundimisht se ekuilibri i Ballkanit nuk mund të jetë monopol i askujt dhe se janë kufijtë e varfërisë që na ndajnë nga Europa, jo kufijtë politikë. Perspektiva e integrimit në Bashkimin Europian siguron si paqen, edhe sigurinë, edhe stabilitetin. Përpara sesa qeveritarët, këtë prirje të natyrshme e kanë kuptuar vetë popujt. Populli i Ukrainës p e dëshmon këtë. Pa kuptuar këto vlera, koha do të rezervojë vetëm udhëkryqe.

Filed Under: Featured Tagged With: udhekryqet e Serbise, Zeno jahaj

QENDRIMI NDRYSHE I EQEREM KARAJT

February 3, 2014 by dgreca

U nda nga jeta në moshën 79 vjeçare Eqerem Karaj, biri i denjë i Tiranës mëmë/

Nga Hektor ZOTAJ/ Virxhinia/

Pas një sëmundje të rëndë, u shua nga jeta, një nga ata që mban emrin e merituar-Njeri, iku ky tiranas autokton i mrekullushëm. Tirana-bazë tabani nuk i besoi komunizmit dhe nuk u pajtua kurrë me të. Jetën e ka mbështetur në punën e ndershme, në djersën e ballit. Fisi Karaj-burimi i Eqeremit, është i atij tabani. Ndërsa “jugori i kohës sonë” ishte ndryshe. Ai me mbarimin e luftës, me programin e komunizmit, vërshoi pa rreshtur për në Tiranë, dhe nuk e la atë kryeqytet të të gjithë shqiptarëve siç e gjeti, por u kthye në kryeqytetin e tij. Ky vërshim veshur  me pushtet, gjeti jetën të shtruar me të gjitha privilegjet, që politika ua siguroi vetëm atyre.

Përkëdhelja bëri që ata gjithnjë e më shumë të ndjeheshin më mirë se të tjerët, që atyre u takonte jeta, që kishin ardhur në botë për të sunduar, i shikonin ata të “biografisë” dhe vendalinjët si të dorës së dytë. Aq sa pasardhësit e tyre sot, u duket vetja si” racë e zgjedhur”. Harruan atë që kishin lënë pas-bukën e misrit të pjekur në hirin e vatrës, dhallën dhe gunën me lesh dhie. Jo se kjo prejardhje popullore është për t’u sharë, por sepse jeta e privilegjuar, e siguruar jo me përpjekje, jo me aftësitë e njeriut, por e dhuruar nga politika, është e turpshme dhe e përbuzur deri në neveri për shoqërinë njerëzore. Me këtë lloj jete të sajuar me anë të dhunës, si në asnjë vend tjetër të botës, Eqeremi qëndroi ndryshe. Në vitet e para tona të gjimnazit, pak shokë na bashkonte loja e varfër e rrugës, loja e topit. Ajo shoqëri e vogël çunakësh u kthye në një miqësi të ngushtë që vazhdoi gjithë jetën tonë. Trekëndshi i jetës së Eqerem Karajt, pas mbarimit të shkollës së lartë për bujqësi, qe në Tiranë, Berat, e përsëri në Tiranë. Ai bëri emër me punën e tij të nivelit të lartë profesional, me karakterin në marrdhëniet në punë e në jetë, duke krijuar një rreth shoqëror shumë të gjërë. Krijoi familjen e tij me një vajzë nga një familje e lashtë e fismee Beratit, e plotësuar me dy fëmijë, djalë e vajzë, që kanë marrë rrugën e jetës si qytetarë të denjë të këtij shekulli.

Me gjithë njohjen e gjërë që kishte , në ato vite të asaj lloj jete, sferën e shoqërimit e bënte shumë të përcaktuar, në përshtatje me botkuptimin e tij për jetën. Përçmonte, përbuzte, e urrente, atë jetë të çmëndur të politikës, që sundonte gjithë hapësirën tonë, e gjithë qenien tonë.

Rezistenca e heshtur- ishte qëndrimi ndryshe i Eqeremit, siç qe e përgjithshme për gjithë shtresën mëmë të Tiranës të brezit të tij e më vonë.

Regjimi u përpoq të afronte nga kjo shtresë e Tiranësve, për të rregulluar sadopak imazhin e tij të mbaruar. Edhe në ato raste që tiransit u përzjenë për qëllime praktike, asnjëherë natyrën e tyre nuk e ndryshuan. Ata mbetën bijë të vërtetë të shtresës që u atkonte. Ata nuk bënë kurrë “luftë klase”, urrejtje klasore, përkundrazi, kur mundej zgjidhnin nën rrogoz edhe ndonjë hall të deklasuarëve.

Tiranën mëmë, kurr nuk mundi ta deformojë regjimi, me përjashtim të ndonjë “hibridi”. Kur filluan ndryshimet në Shqipëri,  në vitin 1991, Eqerem Karaj u përfshi menjëherë dhe pa rezerva. Ai megjithëse kishte kapacitetin, intelektin, reputacionin, nuk synoi asnjë karrierë në këtë përfshirje, bëri vetëm detyrën e një qytetari me dinjitet, duke shprehur hapur revoltën e tij, për atë regjim të urryer dhe të përçmuar. Ai u udhëhoq në jetën e tij të zakonshme, qytetare, duke përbuzur çdo cak për pushtet, e çdo pasuri të përfituar nëpërmjet politikës!

E ky është përsëri qëndrimi ndryshe i tij. Ai do t’i mungojë familjes që la në pikëllim të madh, do të na mungojë neve, të gjithë shokëve dhe miqëve të tij. Ai iku duke lënë pas portretin e tij, portretin e një njeriu të mirë, që i mungon aq shumë shoqërisë shqiptare sot.

Filed Under: ESSE Tagged With: Hektor Zotaj, homazh, i eqerem Karajt, qendrimi ndryshe

U nda nga jeta Mihane Sina – Damzi – (1935-2014)

February 3, 2014 by dgreca

Ajo kishte mbetur si një shenjë – si një pikë loti… iku dhe u tretë në moshën 79 vjeçare….!/

Nga Avenir SINA – New York/

TIRANE : Javën e kaluar në shtëpinë e saj – në Tiranë, rrethuar nga fëmijët, nipat dhe mbesat, bashkëshortit të saj Llanë Damzi, njeriu me të cilin ajo ndau dashurinë e rinisë së saj, pjestojë jetën e saj me të mirat e vështërsitë e saj – u nda nga jeta njëra nga pinjollet e shtëpisë së madhe të Sinës së Dibrës – Mihane Sina Damzi. E cila, kishte mbetur si një shenjë – ose një pikë loti – që iku dhe u tretë në moshën 79 vjeçare.  Mihana, ishte bijë fisnike e familjeve të mëdha dibrane, mbesa e Kaloshëve të zëshëm të Dibrës, e bija e Beqir Sinës, një nga patriotët dhe anti-komunistët e njohur në Dibër. Ajo duke trashëguar atë trashgmnin e prindërve të saj – babait Beqirit dhe nënës së saj Kafile Kaloshes, u bë nga vetë jeta e saj, plot trazira,simbol  i virtyteve dhe sakrificave të shtresës së të përndjekurve nga regjimi komunist, në Shqipëri.

Në moshën 14 vjeç “Sulltanesha” e Sinajve, e bukur dhe gjatë, martohet me djaloshin e Damzëve të Luzinës, edhe ky biri i një familje e njohur në këtë zonë, Damzi, është fisë me tradita të vyera patriotike, familje fisnike dhe luftëtare për komb, familje e madhe me miq shumë në Dibër.

Mihane Beqir Sina, ka lindur më 20 Tetor 1935 në katundin Rreth-Kale, prefektuara e Muhurrit në Kullën e Rushit Sinës, në familjen e famshme të komandatit, ish luftëtarit, trimit dhe patriotit shqiptarë, i cili luftojë kundra shkajut me çetën e dalluar të dibranëve në Luftën e Shkodrës – kundra hordhive serbo – malazezëve.

Mihana, ishte fëmija i shtatë nga 9 fëmijët të prindërve Beqir dhe Kafile Sinës ( nga këta tani vetëm një ka mbetur gjallë, dhe ai është Hashim Sina – që jeton në moshë në Staten Island – SHBA prej 50 vjetëve. Ajo ishte vajza më e madhe, ish oficerit ushtarak me gradën Togerr – Komandantit të Xhandarmërisë dhe Nën Prefektit, të Mbretit Zog. Si  në Dibër të Madhe, Lushnje, Rroskovec, Delvinë dhe Elbasan, figurë historike e përmasave kombëtare, për të cilin gjithë populli i Dibrës, ushqen respekt e nderim të njëjtë, ashtu si edhe në ato vende ku ai shërbeu gjatë kohës ë Mbretit Zog, si N/prefekt dhe Komnadant Xhandarmërie.

Mihana, ishte e martuar me Llanë Damzin, një pinjollët e Sefë Damzit, ose e njohur në ato anë si Shtëpia e Damzit, në Luzni. Ajo ishte nënë e gjashtë fëmijëve, djemëve Haxhiut, Rexhepit, dhe Kaloshit dhe tri vajzave, Habibes , Bardhës dhe Flutrës.

Fati ia solli që qysh në moshën 8 vjeçare, kur ajo akoma po rritej , si nje gonxhe e bukur , së bashku me motrën e saj të ndjerë Remën, këtë motër, që ajo e donte si shpirtin e saj –  fillon kalvari i madh i vuajtjeve dhe i tmerreve të pafund . E gjithë familja mes një terrori, ku nuk u kursyen as fëmijët e këtyre familjeve të mëdha , patriotike dhe intelektuale, ajo me Sojniken në ballë, si i thërrsnin në interrnim asaj, internohet fillimisht në Berat.

Një vit pas kësaj zemrat e dy motrave dhe 7 vëllezërve, hidhen në mes të “katër rrugve”  zemrat e tyre të vogla do të shprisheshin – do të mbuloheshin “me gjak”, me shumë dhimbje dhe shumë hidhërim – nga ato që kapluan mbarë familjen Sina, mbasi në mal në përpjekje me forcat e ndjekjes – vritet nga forcat e sigurimit, Batalionit famëkeq Hakmarrja –  i pari i shtëpisë, Beqir Sina në moshën 42 vjeç.

Më pasë – mbas prishjes me Jugosllavinë e Titos, për fëmijët e Beqir Sinës, nisi internimimi dhe burgu dhe ndëshkimi për shkak të aktivitetit të prindërve, i urdhëruar dhe ekzekutuar nga komunistët, pas ardhjes në pushtet të “çlirimtarëve” komunistë me yllin moskovit në ballë.

Arsyeja dihet: – babai i Mihanes ishte shpallur Armik i Popullit nga Partia dhe mentorët e tyre serbo sllavë. Si pasojë do të dënohej e gjithë familja Sina, dhe mbarë fisi, për të mos thënë e gjithë Dibra. Si ishin dënuar edhe fëmijët, pleqtë dhe krejt anëtarët e parisë së Dibrës dhe gjithë Shqipërisë. Të gjitha familjet patriote dhe fisnike – familjet e mëdha dhe të dëgjuara, pushkatohen, burgosen e internohen qysh në muajt e parë të vitit 1945, fillimisht në Berat dhe pastaj në Porto Palermo, Tepelenë, Delvinë, Këneta e Maliqit, Radostin, Zvernec, Fabrika e Tullave, e tjer.

Këtu do të humbte jetën Selman Sina ( në Berat) edhe Sojnikja – Kafile Kaloshja do të vdiste në interrnim  në Savër Lushnje, dhe disa prej pjesëtarëve të familjes Sina dhe Kaloshi.

Në këtë kohë, meqense i biri i Beqir Sinës, Ferit Sina ( ish studenti i Normales së Elbasanit ) ishte caktuar komisar politik, i çetës së Dibrës, dhe kishte luftuar deri në Nish, së bashku me forcat partizane, Kaloshët dhe Ndreun – u bëhet një “lëshim” nga qeveria e atëhershme, një pjesë e familjes sëbashku me Mihanën dhe me të motrën Remen – lirohen nga internimi dhe i dërgojnë në vendlindjen e tyre , në Rreth Kale. Në mes kushtesh tragjike, e të një mjerimi të tejskajshëm si në ato të filmave….

Kështuqë, ata të ngelur në mes “katër rrugëve” si i thonë nga Dibra, ku nuk kishin një strehë për të futur kokën , pasi shtëpia – u ishte djegur, gjendet për ta një kasolle e nënës së Ramadan Sinës, si i thërrisnin asaj në fshat.

Shkrimtari i njohur Klajd Kapinova, studiues dhe njohës i mirë i historisë së Shqipërisë e ka përshkruar jetën për këtë familje, në një shkrim të tij rreth familjes Sina, se :”Duke shfrytëzuar mjetet rrethanore dhe teknikën e ndërtimit asokohe, ata e  rrethuan me qepa (një lloj materiali i përdorur gjerësisht asokohe) e veshën me thupra dhe më pas e suvatuan me baltë e harasan.

Kjo ishte gjendja e mjeruar asokohe e Dibrës dhe në tërësi e Shqipërisë, thotë Kapinova, shkrimtari me renome , duke folur për atë që askohe familja Sina po përpiqej të luftonte mjerimin dhe prapambetjen, që u thellua me ardhjen në pushtet të proletarëve pa fe, atdhe e ide. Tashmë varfëria ekstreme u ul këmbkryq ne familjet shqiptare në qytet e katund…thekson ai

Duke shtuar se :”Por nga ana e tjetër, gjesti bujar, për t’iu gjendur në nevoj kësaj familje fisnike nuk mungoi, sepse të gjithë i donin dhe respektonin Sinajt…”

Aty, pra në këto kushte të mjerueshme, ata kaluan një pjesë të jetës së tyre, mes këtyre njerëzve fisnik e bujar, dhe kalvari i vuajtjeve vazhdoi .

Por shpejt, ëndërra e adolishentes errësohet dhe vendin e saj dhe dikur shtëpinë e saj –  e zë mjerimi dhe vuajtjet e njëpasnjëshme, që nuk kanë të sosur në familjen Sina, për shumë dekada, gjatë kohës së sundimit të kuqalashëve me hu, litar dhe mashtrim propagandist të Tiranës së kuqe prej 1944-1990.

Ky ishte pra fati i keq i kësaj bije, nëne dhe motre, gjyshe së fundi, që në hapat e para të jetës, regjimi komunistë do të tregohej shumë i pamëshirshëm. Pa ndonjë shkak tjetër, por veçse ishte e bija e Beqir Sinës, dhe motra e 5 vëllezërve të arratisur si kundërshtar të përbetuar të regjimit të Enver Hoxhës, atë në çdo pjesë të jetës do t’a ndiqte hija e keqe e sigurimit të shtetit -dhe damka “E bija e Armikut të Popullit”.

Megjithëse, emri i saj, dhe i motrës së saj të ndjer Remes, ndonëse ishte kudo në këto fshatara  mishërim i dimensionit më të thellë të qenies njerëzore – dashurisë, bujarisë dhe humorit- rezultoi në fakt në një zhgënjim të pa merituar për këta njerëz, në një dënim.

Jeta e e dy motrave fisnike, që nga fëmijëria, e tyre engjëllore, deri sa kaluan edhe në amshim, ishte praktikisht një dënim i pafundëm – duke parë me sytë e tyre edhe si fëmijë, vetëm pushkatime, interrnime, pranga e tela me gjemba( vëllai i tyre Musa vuajti në burg 28 vjetë).

Kalvari i vuajtjeve nisi me shkak ardhjen në pushtet, të komunistëve, dhe ngaqë Rushiti, Beqiri, njihej si luftëtar i përbetuar i serbo – malazezëve, dhe të kuqve, sllavo komunistëve, Feiriti dhe vëllai i tij Rushit Sina, me djemtë e Kaloshëve dhe Ndreut, u pushkatuan në brugun e tmerrshëm të Kalasë së Shkupit, dhe trupat thuhet ua hodhën në Vardar.

Ata thuhet se u pushkatuan nga sigurimi i shtetit që vepronte edhe në tokat shqiptare nën ish Jogosllavi, në bashkëpunim me UDB Jugosllave në kalanë e Shkupit. Në korrik të vitit 1957 , arratisen në Jugosllavi, dhe më pasë emigrojnë në SHBA, vëllezërit Rasim, Hashim dhe Besim Sina. Dhe në këtë kohë nënën e tyre Kafile Sinën e burgosin dhe më pas e internojnë në Savër të Lushnjes…

Megjithatë, Mihana arrin të mbijetojë për të dëshmuar vitalitetin dhe forcën e genit fisnik të familjes e fisit të saj, pas shumë stërmundimesh mes sakrificash të panumërta e privimesh që tashmë njihen nga të gjithë, ajo rritë me ndershmëri dhe djersë e ballit gjashtë fëmijë, tre djemët ; Haxhiun, Rexhepin, dhe Kaloshin dhe tri vajzat, Habiben , Bardhën dhe Flutrën..

Vitet e fundit të jetës Mihana, i kaloi mes gëzmit dhe lumturisë së ardhjes së lirisë dhe demokracisë, sa në Peshkopi,  Tiranë – , mes shumë nipash e mbesash, si një nënë e dhembshur dhe shpirtmadhe, duke u lënë si trashëgim mësimet e hidhura të jetës nën diktaturën komuniste, dashurinë shëmbullore, bujarinë dhe humorin e saj. Ajo kishte mbetur si një shenjë – ose një pikë loti – që iku dhe u tretë në moshën 79 vjeçare.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Mihane Sina, u nda nga jeta

SURPRIZAT E PARA TË EMIGRANTIT

February 3, 2014 by dgreca

   Nga Rozi Theohari, Boston/

Qëkurse korçari Nikolla Kristofori, emigranti i pare shqiptar në Amerikë, siç thuhet, kapërceu Atlantikun me 1886, pas vitit 1900 emigrimi përtej oqeanit u bë modë. Kjo “rrjedhë emigruese” e pandërprerë prej më se njëqind e ca vjetësh, vazhdon deri në ditët tona e, si duket, edhe në të ardhmen, me refrenin e përsëritur:

“Mora rrugën për Janinë—

”Mora vizën për Amerikë…”

“Nëno, do nisem për në kurbet,

Çupën e djalin të m’i kesh kujdes…”

Këto vargje njëqindecavjeçare janë aktuale edhe sot. Për më tepër, emigrimi i  sotëm është një “rrugëtim historik” duke e lënë atdheun në dekadën e një  epresioni të madh shpirtëror.

Largohen jetë njerëzish duke marrë me vete dhembjet e tyre.Çdo familje e ardhur në Amerikë është “një qelizë jete” e shkëputur nga trungu i atdheut dhe e mbjellë apo e shartuar në një terren në kushte krejt të ndryshme. Dikur, as e fantazonim këtë shtegtim të largët përtej oqeanit, fillimin e jetës së re mes përballjesh të paparashikuara e mes shumë të papriturash, lufta për ekzistence në vorbullën perëndimore.

Shumë të papritura. Duke filluar që nga vetë natyra dhe ndryshimet e motit. Ditën e mbërritjes këtu, me 14 shkurt, ishte një kohë e bukur me diell, kur, papritur, dielli u mbulua nga re të bardha e filloi të binte dëborë e rëndë, e dendur. Na dukej sikur kishim arritur në një planet tjetër. Banorët e Nju-Ingland e quajnë klimën e këtushme “mot i çmendur.” Ja përse e ndieja veten të lodhur e të kapitur atë ditë. Isha mësuar me klimën e butë e të ngrohtë të Tiranës.

Surpriza e dytë ishte takimi dhe biseda me personin e pare amerikan, e cila më la mbresa dhe besoj se njohja me njerëz të rinj është pjesa më interesante e udhëtimit kur ju vini për here të parë në një vend tjetër. Ime mbesë më ftoi të bënim një shëtitje të vogël jashtë, në rrugë, kur vuri re pamjen e trishtuar që kishte marrë fytyra ime atë ditë. Duke shkelur me kujdes në dëborën e shtresëzuar, i ndalem hapat një çast dhe ajo më njohu me fqinjën e saj, Doloresin, një grua zezake e bëshme nga trupi e fytyrëqeshur. Ishte hera e parë në jetën time që toka dorën me një person me lëkurë të zezë. Dora e saj ishte e butë si mëndafsh, ndërsa unë prisja që ajo të ishte e ashpër. Doloresi ishte shumë e sjellshme dhe e kuptoi mirë  anglishten time me akcent të dobët.

Ditë më vonë unë dilja nergut tek dera, në kohen kur ajo kthehej nga puna, sepse më pëlqente të bisedoja me të dhe dukej se edhe asaj i pëlqente të mësonte gjëra të reja nga vendi im. Më kujtohet, atë vit kam shkruar dhe poezinë e parë në anglisht të titulluar “Sjellshmëri,” të cilën ia kam kushtuar Doloresit.

Unë toka dorën/ Me një grua lëkurëzezë/ Për herë të parë,në Amerikë/ Unë dallova lot gëzimi/ Në të zezakes fytyrë/ Lotët janë pa ngjyrë/ Për herë të parë, në  Amerikë/ Unë dëgjova fjalë/ Nga buzët e negres, Doloresit/ E dukej sikur gjyshja/ Fliste në gojën e së mbesës/ Dëgjova një zezake të fliste pa frikë/ Për herë të parë, në Amerikë.

Surpriza e tretë ishte njëra prej të cilave shumica e amerikanëve e adhurojnë, i përkushtohen më tepër se çdo gjëje tjetër: organizimi dhe festimi i ditëve të kremte, i festive kombëtare ose tradicionale, si dhe i gëzimeve familjare. Mënyra se si ata parapërgatiten shumë kohë më parë (dhe këtu ndihmon media dhe tregtia me reklamat e saj), dekorimi i shtëpise, dërgimi i kartolinave dhe dhuratave, kujdesi i veçante që tregojnë sidomos për argëtimin e fëmijëve, ishin ndër mbresat e para. Dita kur mbërritëm në Boston ishte “Valentine’s Day”-”Dita e Valentinit.” Ishte një mrekulli e habi të vështroje se si dyqanet e shtëpitë ishin zbukuruar me vargje dritash ngjyrangjyra e zemrash të mëdha, të ndritshme e të kuqe. Reklamat në TV s’pushonin së paraqituri dhurata të ndryshme për çdo moshë e gjini, veç kartolinave e luleve që mund të blinte secili sipas dëshirës.Ime mbesë na ftoi të gjithë në shtëpinë e saj për të festuar së toku me ta këtë ditë aq të dashur e të mezipritur nga familjaret dhe çiftet e reja. Unë shkova e gëzova me ta, por në cepat e syve ishin fshehur pikëla loti kur kujtoja “Valentinin” tim, Shqipërinë pa drita, që atë ditë më dukej aq larg…

   x   x   x

Pashkët e para në Amerikë, me sa dukej, nuk do t’i festonim me qengj, mbasi vështirësitë e ditëve të para e kishin ngarkuar trurin me probleme më të mprehta e shqetësuese. Sidoqoftë,duhej menduar edhe për të dielën e festës që po afrohej. U nisa në këmbë drejt “Star Market”, që nuk e kishim larg nga shtëpia.

Më pëlqente të ecja në këmbë në atë ditë të ftohtë prilli. Shtëpitë e vogla e të bardha në të dy anët e rrugës dukej sikur dremitnin akoma nën gjumin dimëror dhe kjo përshtypje të forcohej më tepër tek kaloje midis drurëve skeletorë e të ngrirë, me degët e thara që i lëvizte era, pa gjurmë jete. Me të ftohtit që më kishte hyrë në palcë, u shtua edhe një drithërimë tjetër: më doli nga mendja si i thonin lepurit në anglisht, por u qetësova kur mendova se do ta shihja të shënuar në etiketë, në dyqan. Pse,gjendej lepur në “Star Market?” Asnjë për be. Pse nuk e pëlqekan mishin e lepurit këta amerikanët?! Disa thonë se atyre u vjen keq që ta therin. Nejse, kërkova manaxherin dhe e pyeta: “Ju lutem, kini mishin e kësaj kafshe?” I tregova atij një copë letër ku isha përpjekur të vizatoja një lepur. Por, siç thashë,

ishte shumë ftohtë dhe dora ime e ngrirë kallkan, nuk nxori ndonjë pikturë për të qenë. Për më tepër unë kisha vizatuar vetëm kokën dhe kjo kokë ndryshonte nga koka e një lepuri.

Manaxheri vuri syzet dhe e pa vizatimin për disa minuta. Së fundi filloi të fliste me zë të lartë duke tërhequr vëmendjen e blerësve aty afër: “Madam, më vjen keq, por ne nuk kemi e nuk shesim mish gomari!”

Ky ishte një mësim i mirë për ta marrë kudo me vete fjalorin shqip-anglisht…Më vonë, kur e gjetëm edhe mishin e qengjit edhe të lepurit e ndiem se sa larg i qëndronte shija e mishit të tyre, qengjit dhe lepurit të vendlindjes!… Po ashtu u mësuam me pranverën pa mimoza dhe aromën e tyre dehëse. Drurin e mimozës e kam gjetur vetëm në kopshtet botanike dhe në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë në Uashington D.C.

NE DHE ATA

Çdo grup etnik që nuk i kupton mirë dallimet e racave e të grupeve të tjera njerëzore, e quan veten më të mirë nga të tjerët,duke përbuzur origjinën, zhvillimin kulturor e fizik,karakteristikat raciale dhe vlerat sociale të të huajve qe i quan,thjesht, “ata.”

Sipas një miti të fisit të indianëve Ciroki, krijuesi i botës,ashtu siç e imagjinoi njeriun gatoi tri forma prej argjili dhe I futi të tria të piqeshin në furrë. Me padurimin për të admiruar veprën e vet, krijuesi nxori formën e parë nga furra përpara se të ishte pjekur përfundimisht. Atij nuk i pëlqeu pamja tepër e bardhë dhe e zbehtë e njeriut. Ai priti disa çaste dhe nxori nga furra figurën e dytë. Kjo e dyta ishte pjekur plotësisht, kishte marrë ngjyrën e bukur të kuqërremtë. Krijuesi u kënaq kaq shumë pas punës së mirë që kishte nxjerrë nga duart, sa, duke admiruar figurën e dytë, harroi figurën e tretë. Ai u kujtua për të vetëm kur filloi të vinte erë e djegur. E hapi furrën shpejt,por nuk mundi të shpëtonte njeriun e tij të tretë, i cili ishte bërë krejt i zi. U krijuan kështu tri raca njerëzore, që, sipas Cirokeve,raca indiane është natyrale e më e bukura, më e drejta, më e rëndësishmja.

Sigurisht, sot nuk ka shfaqje të etnocentrizmit në Amerikë,mbasi ky shtet në themelet e tij ka vënë lirinë e barazinë e personit edhe sepse dallimet biologjike të racave janë relativisht të parëndësishme. Megjithatë, nuk mund të thuash se s’gjen një njeri në shoqërinë amerikane të mos ketë një dozë të vogël etnocentrizmi, pavarësisht se sa liberal mund të jetë ai. Njerëzit gjithnjë do ta gjejnë një shkak për të mos pëlqyer ose për të nënvleftësuar kulturën e të tjerëve. Kjo duket edhe në mënyrën se si ata i trajtojnë pjesëtarët e familjes ose miqtë, qoftë, thjesht,edhe gjatë shijimit të gjellëve të gatuara prej tyre, kur, pas përtypjes, i përcjellin poshtë me një nënqeshje kinse u pëlqeu,por që në të vërtetë, ndodh e kundërta. Këto aspekte sot pranohen nga të gjithë si të natyrshme, sepse Amerika, e përbërë vazhdimisht nga një numër i madh kombësish, rrit pandërprerë edhe nivelin e civilizimit të shoqërisë.

Emigranti ka droje e zor. Ndodhesh mes njerëzve që flasin e ti nuk i kupton ose, kur ti flet, të tjerët nuk të kuptojnë. Ky fakt i detyron emigrantët shqiptarë, ashtu si dhe gjithë të tjerët,që, në fillim të rrinë më tepër pranë familjeve e bashkatdhetarëve, “të cilët, bukës i thonë “bukë”, e ujit , “ujë,”ku e ndiejnë veten më të sigurt e më të qetë.

Mënyra e jetesës amerikane i befason të posaardhurit në këtë vend; e njëjta gjë ndodh edhe me amerikanët kur vizitojnë një vend tjetër. Njerëzit në botë kanë kultura të ndryshme jetese dhe, doemos, shumë gjëra të vogla, të përditshme, i kryejnë në mënyra nga më të ndryshmet.

Së pari, pamja e jashtme e njerëzve dhe e botës që të rrethon,e huton disi emigrantin. Sheh gra të qethura si burrat e burra që përdorin paruke grash. Thuhet që në Amerikë gjen njerëz që vishen më mirë dhe më keq se në të gjithë botën. Prandaj është e kotë të zgjatesh në këtë aspekt. Por është interesante “jeta e paketuar” që është pjesë e pandarë e skenës së sotme amerikane.

Familjet amerikane ndryshojnë vazhdimisht shtëpitë, mobiljet e pajisjet e tjera të brendshme të banimit, automobilat, stilin e zbukurimit arkitektonik të oborrit, të kopshtit etj. Është,gjithashtu, e habitshme të ndjekësh jetën e përditshme të amerikanit, jetë në lëvizje konstante, pa qetësi e çlodhje. Njerëzit ngasin makinën për 75 ose 100 milje, vetëm që të hanë një darkë bashkë me mikun e tyre ose të ndjekin një ndeshje sportive.

Një ndryshim tjetër mbresëlënës është humbja e lidhjes së qëndrueshme midis pjesëtarëve të familjes amerikane. Në jetën e përditshme është diçka normale të dëgjosh në biseda të flitet për “nënën e gjetur” ose “babanë e gjetur” (njerka ose njerku), “fëmijet e gruas së parë, të gruas së dytë…”, “ish-bashkëshortja ose ish- bashkëshorti”, motër-vëlla “të gjetur” nga martesa e dytë ose e tretë e babait ose nënës, “familje e përzier” etj. Pa përmendur përqindjen e lartë të divorceve si dhe martesat brenda gjinisë. Studenti amerikan e zgjedh kolegjin për të vazhduar studimet mijëra milje larg familjes dhe kjo është krejt normale për të dyja palët.

Mbasi populli amerikan vjen nga shumë kombësi e kultura të ndryshme, është krijuar një rit, një ide e nënkuptuar, që e zbaton dhe e respekton çdo person: “secili shikon punën e vet sipas llogarisë e trurit të vet, në mënyrë të pavarur e të pandikuar nga të tjerët.” Vajzat e djemtë e rinj ndahen shpejt nga prindërit e krijojnë jetën e tyre. Një shoqja ime amerikane ma përmend gjithnjë se në Amerikë nënat i ushqejnë të posalindurit jo me gjirin e tyre, por me qumësht kafshësh.

Prandaj fëmijët rriten pa ndjenja të ngrohta dashurie ndaj prindërve. Ata nuk i duan ata ose i duan vetëm për para.

Sigurisht, kjo është pak e ekzagjeruar, por ka pak të vërtetë në të. Sepse, për pleqtë, as që bëhet fjalë të jetojnë në një familje bashkë me fëmijët. Ai respekt, dashuri e dhembshuri që kemi ne shqiptarët për të moshuarit, ndoshta është ndjenja më e bukur njerëzore që na veçon si popull.

Amerikani nuk ka qejf ta thërrasë tjetrin me “zotni” ose “zonjë”, ca më pak të nderojë kështu të moshuarit. Atij i pëlqen ta thërresë tjetrin thjesht, me emër, sepse kështu i duket vetja më i miqësuar me të tjerët. Madje, nganjëherë edhe bosët kërkojne nga të punësuarit e tyre që t’i thërresin vetëm me emër.

Kështu, ju mund të afroheni shumë shpejt e të bisedoni lirshëm me amerikanët, por kanë një zakon jo të pëlqyeshëm kur të bëjnë shumë pyetje personale: “ku punoni?”, “jeni i martuar?”, “sa fëmijë keni?”, “mosha juaj?” etj.

Për shkak të prejardhjes së ndryshme shoqërore e kulturore,amerikanët zakonisht përdorin “fjalor të vogël” dhe fjalë njërrokëshe p.sh: “O.K.” (mirë), “Hi,” (tungjatjeta), “Bye” (mirupafshim). Në qofte se amerikanit i bën një kompliment ose i thua: “Të lumtë, ke bërë një punë të mirë!”, ai të thotë prerë: “Thanks!” (falemnderit). Kurse ne shqiptaret, në këtë rast, do të thonim: “ Mund ta kisha bërë më mirë, po të…”

Prindërit amerikanë shpesh lindin shumë fëmijë, sepse vazhdon ende tradita e vjetër e familjeve të mëdha. Por në moshën e studentit fëmijët fillojnë e shpërndahen një nga një, familja rrallohet derisa mbeten vetëm prindërit. Ata

“kujtohen” për njëri-tjetrin me “Reunion”, bashkimin e tërë familjes, për ditë festash kombëtare ose në gëzime të rëndësishme familjare.

Amerikanët janë të lejuar të kritikojnë qeverinë e tyre, sepse gëzojnë lirinë e shtypit e të fjalës.Mësuesit amerikanë i inkurajojnë nxënësit e tyre të mendojnë për vetveten, sepse amerikanët e vlerësojnë lart individualizmin.

Amerikanët pëlqejnë e lakmojnë suksesin, prandaj punojnë rëndë që në rini, deri sa arrijnë e plotësojnë “ëndrrën amerikane”, pra, të kenë punë të mirë, shtëpinë e tyre me tërë komfortet, të krijojnë familje të lumtur etj.

Amerikanët pëlqejnë e lakmojnë progresin, shkencën dhe komfortin material. Së fundi, amerikanët vlerësojnë moralin, humanizmin, barazinë, lirinë, demokracinë e patriotizmin.

Flamuri amerikan fillon që tek shtizat mbajtëse e nderuese,vazhdon tek veshmbathjet e lodrat, te zbukurimet e shtëpive,tek batanijet me të cilat mbështillen bebet, deri tek qaforet e qenve etj.

“Të drejtat e njeriut”—është përparësia amerikane që reflekton vlerat amerikane, politikën dhe historinë. Pasuria kolosale e Amerikës është e bazuar “mbi mobilizimin e përgjithshëm, punën e jashtëzakonshme dhe përkushtimin e

zjarrtë atdhetar.” Ja përse shprehja “God bless Amerika” (Zoti e bekoftë Amerikën), përdoret rëndom nga besimtarët,studentët, poetët e këngëtarët, gazetarët, aty dhe nga vetë presidenti i vendit.

Pra, për emigrantët shqiptarë, moda dhe idetë gjithëfarë llojesh amerikane, si dhe kontakti, afrimi e shoqërimi me banorët e këtij kontinenti të ri, sjellin gjithnjë konfuzion e droje, por me kalimin e kohës ata mësohen nga pak me këto surpriza, gjë që tregon se po fillojnë një jetë të re në USA. Dhe kjo jetë fillon kur ata e përdorin më rrallë shumësin e dy përemrave vetorë “ne” dhe “ata”.

IDENTITETI I RI

 Sidoqoftë, emigrantët shqiptarë ndihen të pakënaqur kur përballohen me vështirësitë e anglishtes dhe të punësimit, me izolimin social e kulturor të jetës së tyre. Në këtë fazë kritike disa nga ata që nuk rezistojnë dot, vendosin të kthehen prapë në atdhe. Por shumica e tyre i kundërvihen rrezikut, i cili i shton mjetet e qëndresës njerëzore. Pavarësisht nga vështirësitë, me vullnet e këmbëngulje ata kërkojnë rrugëdalje duke pranuar të punojnë edhe në vende pune me nivel më të ulët nga profesioni ose arsimi që ata kanë. Me të ardhurat e pakta krijojnë një jetë modeste me kërkesa minimale si për veten e tyre, edhe për familjet. Në këtë fazë emigrantët e ndiejnë veten në rrugën e kalimit nga të huaj në qytetarë vendës. Sa më shumë shkurtohet kjo rrugë në kohë, aq më tepër emigranti i afrohet asimilimit brenda shoqërisë amerikane, duke krijuar identitetin e ri.

Për një emigrant shqiptar, marrja e identitetit të ri: “shqiptaro-amerikan” (ose për një italian “italiano-amerikan”), riafirmon identitetin dykulturor e dygjuhësor, të dyja origjinat e kombësive, si dhe nënshtetësinë e tij të re. Madje, edhe në identitetin e ri, emigranti duhet të kalojë shumë stazhe të gjata deri sa të arrijë fazën më të lartë. Gjatë kësaj kohe shqiptari është i rrethuar dhe përplaset me dy lloj kulturash: e para, e pranueshme, ajo e rrethit familjar, ku gjuha e folur, gatimi e mënyra e jetesës janë shqiptare dhe, e dyta, deri diku e papranueshme, ajo e vendit të punës ose e shkollës, ku gjithsecili ndeshet me vështirësitë e komunikimit, të disiplinës dhe me shumë komplekse të tjera, disa prej të cilave veprojnë negativisht mbi shpirtin e prekshëm të emigrantit. Diku, thellë zemrës dhe vetëdijes së tij, është tkurrur për gjithnjë e gjallon…gjallon kujtimi, meraku dhe ndjenja e dashurisë për vendlindjen, për njerëzit e thjeshtë e të varfër.

Dikur shkrova vjershën “Imigranti”, në anglisht:

 

Dy sy këtu,

Dy sy atje,

Në vendlindje.

imigrantët

Nuk kanë pesë,

Por dhjetë shqisa.

Njëra pjesë e zemrës së tyre

Rrjedh gjak,

Tjetra—lot.

Amerikanë,

Në kini pranë

Një kamboxhian

Apo një kolumbian,

Mos i quani “hutaqë!”

Çoroditja e tyre është reale

Duke jetuar në “dubël vizione”

Ditë e net…

Ngadhënjyes të “ëndrrës amerikane.”

Për një vietnamez

Grataçielet

Shëmbëllejnë me tempullin Budist;

Për shqiptarin—imagjinim

I malit të lartë me dëborë.

Pak ngroh ky diell për imigrantin e gjorë.

Ju lutem, ju lutem, zëvendësojeni këtë ftohtësirë

Me fjalën tuaj të ngrohtë e të mirë:

Welcome!

Mire se vini!

Amerika gjithnjë i ka mirëpritur emigrantët. Prandaj ata e quajnë këtë vend gjigant atdheun e tyre të dytë. Presidenti Bush ka thënë: “Një nga arsyet themelore që Amerika u bë një fuqi e madhe në shekullin e njëzetë, ishte se ajo ka mirëpritur talentin, karakterin dhe patriotizmin e familjeve të emigrantëve… Ata kanë sjellë në Amerikë vlerat e besimit te Zoti, dashurinë për familjen, punën e vështirë dhe vetëbesimin—vlerat që na kanë bërë një komb të madh…”

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Rozi Theohari, surprizat e pare, te emigrantit

SPECIALE E DIELLIT: KRYEPESHKOPI GREK I SHQIPËRISË DHE SHQIPTARËT E AMERIKËS

February 3, 2014 by dgreca

Nga Dalip GRECA/

Të hënën në mbrëmje të datës 27 Janar 2014 u bë një takim në zyrën e ansambelistit të shtetit të Nju Jorkut z. Mark Gjonaj me përfaqësuesit e Kryepeshkopit Janullatos. Ky takim ishte propozuar nga z. L Fundos gjatë takimit të së shtunës të zhvilluar në Shtëpinë e Vatrës. Kishte ardhë në këtë takim Bishop Nikoni, Mitropoliti i Korçës bishop Joan Pelushi si dhe shoqëruesit e tyre.  Drejtues i këtij takimi ishte asambleisti Mark Gjonaj, i cili prezantoi disa nga shqetësimet e komunitetit shqiptar dhe protestën e tyre.Takimi vazhdoi qetë me pyetje dhe përgjigje nga të dy palët. Bishop Nikoni bëri një ekspoze të Kishës Orthodokse Shqiptare dhe punët lavdëruese që ka bërë Kryepeshkopi Janullatos në ngritjen e Kishës ortodokse shqiptare. Ai argumentoi se Hirësia e Tij është tashmë i pranuar nga besimtarët ortodoks të gjithë Shqipërisë dhe këtu nga Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës dhe ortodoksit shqiptarë. Hirësia është një personalitet i njohur  dhe ka bërë shumë për Kishën Ortodokse shqiptare dhe është i vlerësuar në botë. Ai tha se e shihte të pavend protesën që bëjnë shqiptarët e Nju Jorkut dhe kërkoi të dinte arsye: Përse po protestoni?- pyeti ai. Nuk na nderoni kështu! Ja unë që përfaqësoj ortodoksët  shqiptarë të Amerikës jam këtu. Atëhere në emër të kujt protestoni ju? Të ortodoksëve jo. Ai këshilloi që të hiqnin dorë nga kjo pretestë sepse bëhet në kohë të papërshtatshme dhe në vend të gabuar.Presidenti i Shoqatës Rinore”Rrënjët Shqiptare” Marko Kepi parashtroi shqetësimet që i kanë detyruar disa nga organizatat që t’i bashkohen kësaj proteste. Ai rënditi probleme të tilla si: Fortulumturia e tij erdhi si eksark për rorganizimin e Kishës ortodokse jo për të qëndruar përjetësisht në fronin e kryepeshkopit, ndërkohë që Statuti i kishës Autoqefale të Shqipërisë e kërkon të parin e Kishës me nënshtetësi, gjuhë e Kombësi shqiptare. Po ashtu ai ngriti problemin e ndryshimit të arkitekturës së Kishave të ndërtuara nën drejtimin e Kryepeshkopit,krejtësisht me stilin e kishave greke, kritikoi qëndrimin e Hirësisë për kundërshtimin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, për mospërkrahjen e popullsisë çame dhe refuzimin e Lutjes për viktimat; nuk njeh genocidin grek mbi Çamërinë etj.

Metropoliti i Korçës Joan Pelushi mbajti pjesën kryesore të debatit. Me njohuri të thella teologjike ai u përpoq të sillte informacion të gjërë rreth funksionimit të Kishës Ortodokse, të konceptit të Autoqefalisë, solli shembuj, fakte, shifra nga puna e madhe e Kryepeshkopit Janullatos në Krye të Kishës etj. Sa për nenin 16 të Statutit të Kishës Autoqefale Shqiptare të vitit 1929, ai mbrojti pikëpamjen se Statuti nuk është i pandryshueshëm. Ai i këshlloi përfaqsuesit e protestës që ajo të mos bëhet dhe ajo nuk i nderon shqiptarët e Amerikës. Kryepeshkopi , tha se me këtë vlerësim që i bëhet Hirësisë së Tij, nderohet Kisha shqiptare, ortodoksizmi në Shqipëri. Ne duhet të krenohemi me këtë, jo të protestojmë. Mitropoliti Pelushi tregoji dhe vështirësitë e Kishës , mungesën e prifëtrinjëve, mundimin që duhet për të përgatitur një peshkop etj.Ai solli fakte dhe detaje nga gjendja e sotme që ka Kisha Ortodkse Shqiptare dhe bëri krahasime edhe me fetë e tjera.

Puna që ka bërë Hirësia e Tij Janullatos është e jashtëzakonshme, tha Mitropoliti. Pse po protestoni- shfaqi ai habinë e tij dhe shtoi: Aty do të ngrihet flamuri shqiptar, ai amerikan dhe i Universitetit Fordham. Ju jeni kundër? Pse?

Zef Balaj shfaqi opinionin e tij dhe argumentoi pse janë të pakënaqur shqiptarët me Janullatosin në Krye të Kishës Autoqefale Shqiptare.Ai përmendi Kombësinë e Kryepeshkopit, përkohshmërinë e misionit të Tij dhe të tjera shqetësime që janë objekt i protestës.

Nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati, tha se Vatra e mbështet protestën. Pasi vlerësoi kontributin e Kishës Ortodokse krahas besimeve të tjera, ai shfaqi rezervat e Vatrës për qëndrimin e Fortlumturisë së Tij në krye të Kishës Autoqefale. Kur statuti e kërkon prerazi se në krye duhet të jetë një Kryepeshkop me gjuhë, nënshtetësi e Kombësi shqiptare, ai duhej të kishte kryer misionin që mori përsipër në ringritjen e kishës dhe të shkonte. Edhe mënyra se si e mori e fronin me kundërshtime gjatë ceremonisë, Vatra mendon se ishte një arsye që ai nuk duhej të bëhej Krypeshkop, përderisa  kishte zëra kundërshtues. Vidio me pamje nga marrja e fronit vazhdon e qarkullon në internet. Hirësia e Tij ka bërë pak për  përgatitjen e kuadrit drejtues të Kishës. Janë 22 vjet dhe Kisha Ortodokse mbanë sërish në krye një njeri që nuk është me Kombësi shqiptare. Ai erdhi nga Kisha Greke, ku kisha dhe shteti janë bashkë, ndërsa në Shqipëri jo. Përderisa ka mospajtime të Kishës Greke me atë shqiptare dhe e djeshmja e tyre ka qenë një luftë e ashpër, në fronin e Kishës shqiptare duhej të ishte një shqiptar. Nuk pati kohë Hirësia të përgatiste një pasues shqiptar? Ishte ironike e tallëse përgjigja e tij për përkohshmërinë e Misionit: Ne të gjithë jemi të përkohshëm në këtë Botë?

Vatra nuk mund të pajtohet me faktin e injorimit të Ikonës së Kishës Autoqefale ortodokse Shqiptare, Imzot Fan S Noli, edhe pse Mitropoliti tha se ai kishte bërë shumë për Imzot Nolin.

z. Bushati tha se Vatra është për harmoninë fetare dhe e vlerëson këtë si faktor kryesor në zhvillimin dhe prosperitetin e Shqipërisë.

Nuk dukej se pozicionet mes dy palëve ndryshuan edhe pas 2 orë e gjysëm debat. Takimi përfundoi në orën 10 e 30 të darkës. Përfundimisht Marko Kepi, drejtuesi i protestës falenderoi për takimin, por nuk u tërhoq nga organizimi i kësaj proteste për të cilën të Hënën ishte marrë edhe leja nga Policia dhe Autoritetet e Sigurimit të Universitetit.Ai e uroi Metropolitin e Korçes Joan Pelushin. Ndersa  per gazeten Dielli, Kepi, u shpreh: Ne protestojmë që në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë , të vijë një Kryepeshkop, ja psh si Joan Pelushi, me gjak, gjuhë, nënshtetësi e Kombësi Shqiptare! Uroj që kjo ditë të vijë shpejt!

                     TAKIMI TEK VATRA

 

Takimit të së hënës i pat parapri një tjetër takim, ai së shtunës me 26 Janar 2014, në mbrëmje në mjediset e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA në Bronx.Takimin e ka drejtuar presidenti i shoqatës rinore shqiptaro-amerikane ”Rrënjët Shqiptare”, Marko Kepi. Gjatë takimit u diskutuan modalitetet e protestës, parullat  në pankarta, argumentet se përse bëhet kjo protestë, pyetjet që mund t’i bëhen nëse realizohej një takim me Kryepeshkopin etj. Në takim, pasi kishte një orë që kishin filluar diskutimet, erdhi  me dëshirën e tij, një nga mbështetësit e Hirësisë së Tij Janullatos z. L Fundos. Ai kërkoi mirëkuptim dhe u tregoi organizatorëve se Fortlumturia e tij ka bërë shumë për Kishën shqiptare, e  ngriti atë prej rrënimit të diktaturës, u tregoi se ai ka ndërtuar shumë kisha të reja dhe ka rinovuar të tjerat, se ai nuk e ka cënuar Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare, se nuk është antishqiptar etj etj.

Z. Fundos u propozoi një takim organizatorëve me Kryepeshkopin para se të organizohet protesta, pra të Hënën, pas marrjes se lejes nga Policia,( për lejen ofroi ndihmën e tij ish kongresisti Republikan, Presidenti vullnetar i Liges Shqiptaro-Amerikane Joe DioGuardi).

Vatra gjykoi se ky takim nuk zgjidh problemin, për arsyen e thjeshtë se Janullatos do të mbrojë pikëpamjet e veta dhe komuniteti ka qëndrimet e veta në favor të Kishës Autoqefale, vepër e patriotëve shqiptarë ortodoksë.

Në thelb të protestës ishte kundërshtimi i komunitetit shqiptar të Amerikës ndaj Kryepeshkopit grek të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili në kundërshtim me Statusin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë e ka uzurpuar atë. Për organizatorët Janullatos ka punuar për helenizimin e Kishës Autoqefale dhe në kundërshtim me nderimin, që i bëhet në Fordham University, nuk i ka shërbyer afrimit të dy popujve, përkundrazi. Ai ishte kundër intervenimit të NATOS në Kosovë gjatë gjenocidit Serb( për sqarim të lexuesit: Janullatos ka dalë publikisht kundër ndërhyrjes ushtarake/ humanitare të NATO-s për shpëtimin e popullsisë së Kosovës nga gjenocidi dhe spastrimi etnik serb,- edhe pse propoganduesit e tij kanë shkruar edhe në shtypin amerikan se ai udhëhoqi fushatën e ndihmave për kosovarët që erdhën në Shqipëri gjatë spastrimit etnik të Millosheviçit), se ai e injoron dhe nuk e njeh çështjen çame, në kundërshtim me klerikët e besimeve të tjera- nuk pranoi të ngrejë meshë për viktimat e genocidit grek kundër çamëve (e thënë shqip: ka refuzuar që të bashkohet me krerët shqiptarë të besimeve të tjera në lutje për shpirtrat e viktimave çame të gjenocidit grek), shpesh është parë më ultranacionalistë grekë që kanë ardhur në Shqipëri(shtypi i Tiranes), duke dhënë shenja se është për Vorio-Epirin. Po ashtu ai duke sponsorizuar ndërtimin e Kishave ortodokse i ka larguar ato nga trashëgimia e Kishës tradicionale Ortodokse Shqiptare, duke sjellë arkitektuarë bizantine dhe ikonografi helene. Mjafton krahasimi i dy kishave ortodokse të sotme në Korçë me fotografitë e ndërtesave të para viteve 1967, dhe shihet ndryshimi. Po ashtu meshimi në shumicë në gjuhën greke, përbën një tjetër shqetësim të komunitetit shqiptar. Injorimi i figurës së arkitetktit të Kishës Autoqefale Shqiptare, Imzot Nolit është një tjetër pakënaqësi që komuniteti shqiptar i Amerikës ka ndaj Janullatosit.

LETRAT PUBLIKE PËR PRESIDENTIN JOSEPH McSHANE

 

Shqiptarët e këtushëm paralajmëruan mospajtim me vendimin e Universitetit për ta nderuar kreun grek të Kishës Shqiptare me një titull honorifik. Të parët që paralajmëruan protestë kanë qenë anëtarët e organizatës rinore “Rrënjët Shqiptare”, të cilët i kanë dërguar edhe një letër të hapur z. Joseph McShane, S.J., Presidentit të Universitetit Fordham (Shih në faqen 7). Përmes Letrës publike , Rrënjët Shqiptare, kanë shprehë pakënaqësinë e komunitetit shqiptar dhe shfaqin habinë se si universiteti ka rezervuar çmimin e lartë për një njeri që nuk i shërben paqes dhe harmonisë, përkundrazi ai nën postin e lartë të kryepeshkopit i ka shërbyer helenizimit të Shqipërisë dhe veçanërisht asaj të Jugut, duke punuar nën rrogoz për Vorio-Epirin. Sipas letërshkruesëve, ai meshon në gjuhën greke duke diskrimuar gjuhën shqipe.Sipas Rrënjëve Shqiptare, kreu grek i KishësOrtodokse  Shqiptare nuk ka bërë asgjë për të afruar marrdhëniet vëllazërore mes Shqipërisë dhe Greqisë, përkundrazi dy vendet duket se janë më larg se kurrë,- ku si mur ndarës qëndron hija e Ligjit famkeq të Luftës, që nuk është aministuar nga parlamenti Grek. Asnjë kontribut nuk ka dhënë në këtë drejtim Hirësia e tij, që ka mbrojtjen, përkrahjen e Kishës dhe Qeverisë Greke. Më pas në letrën e Albanian Roots tregohen detaje nga gjenocidi i ushtruar nga shteti grek ndaj çamëve, të cilët edhe pse dikur ishin shtetas grek, janë të zhveshur nga e drejta e pronës dhe e kthimit në shtëpitë e tyre, ku kanë varret e prindërve, gjyshërve, dhe Janullatos nuk e njeh këtë gjenocid.Të rinjët shqiptarë në letrën e  tyre e cilësojnë kryepeshkopin grek të Shqipërisë një ”Kalë Troje”.

Edhe studentët shqiptarë që studiojnë në Fordham University, dhe ata që kanë studiuar atje, kanë reaguar përmes një letre që i dërguan presidentit të këtij universiteti,  z. Joseph McShane, S.J(Shih Dielli online). Studentët me prejardhje shqiptare të këtij universiteti shkruajnë se përfaqësojnë katër besime fetare kryesore në Shqipëri; katolik, Kristian ortodoks, sunitë dhe shiitë, dhe janë për marrdhënie miqësie mes dy popujve të lashtë të Ballkanit, shqiptarëve dhe grekëve. Por, siç shprehen ata, Kryepeshkopi Janullatos, nuk mëshiron vlerat më të çmuara të Shqipërisë, sidomos harmoninë ndërfetare.

Ata rëndisin një sërë faktesh që tregojnë se në misionin e tij në Shqipëri, Kryeposhkopi, po e largon Kishën Ortodokse Shqiptare nga të qënurit Autoqefale, e pavarur dhe po e orienton drejt armikes së saj shekullore, Kishës Greke.

Edhe Federata panshqiptare e Amerikës VATRA, është pozicionuar në kundërshtim të hapur me Kryepeshkopin me origjinë e kombësi greke, Anastas Janullatos. Ky pozicion i Vatrës buron nga Shkelja e Statutit të Kishës Autoqefale Shqiptare, miratuar nga Kongresi i Beratit , që zhvilloi punimet nga 10 deri më 19 shtator 1922, Kongres që njihet për shpalljen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Pikërisht në nenin 16 të Statutit të miratuar më 1929, është sanksionuar kërkesa themelore, ku udhëheqësi i Kishës duhet të jetë , prej gjaku, gjuhe, kombësie dhe nënshtetësie- shqiptare”. Ky statut ka marrë edhe miratimin e Patriarkanës së Stambollit më 1937(Në ballafaqimin e dytë Mitropoliti Pelushi e quajti gjë të vjetër Statutin) . Pikërisht kjo kërkesë është shkelur nga Janullatos dhe prej atyre që e sollën atë në fron, duke shkelur mbi gjakun e prelatëve të Kishës Ortodokse Shqiptare të masakruar nga Kisha Ortodokse Greke. Vatra që në krye të ardhjes së Janullatosit ka qenë kundër dhe e ka shprehur publikisht mospajtimin e saj. Madje edhe 13 vite të shkuara ishte Vatra ajo që organizoi një protestë të ashpër ndaj dekorimit të Janullatosit në New York. Protesta u organizuar me 17 shkurt 2001 përballë Hotelit Hilton. Me parulla të hapura” Janullatos, uzurpator i Kishës Autoqefale shqiptare”, “primat i kishës shqiptar duhet të jetë me gjuhë e gjak Shqiptar”, “Janullatos go Home”!- u shoqërua banketi i shtruar për Janullatosin në Hilton Hotel, ku ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Kishës shqiptare të Amerikës, që ngritën dolli me Hirësinë!Vatra ka kritika të ashpra ndaj mohimit të rolit të Fan S Nolit në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Hirësia e Tij e ka injoruar Nolin, simbolin e Kishës Autoqefale.

KRYEPESHKOPI, FERRA QË LA PAS RAMIZ ALIA-JA SI ERDHI

 

Ardhja e Anasatas Janullatos në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare është plotësisht vepër e Ramiz Alisë, e pasuar nga pasardhësit e tij. Ai erdhi në Shqipëri me 16 korrik 1991 si eksark, me rol provizor për riorganizimin e Kishës Ortodokse Shqiptare, të shkatërruar nga komunizmi. Vënia e tij në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare është produkt i asaj që quhet “Kompromisi i Korfuzit”, ku u takuan me 2 korrik 1991 Ministri i Jashtëm Shqiptar Muhamet Kapllani me homologun grek Antonios Samaras. Kompromisi u arrit duke shkelur pikërisht nenin 16 të Statutit të Kishës Autoqefale Shqiptare, ku Janullatosit iu besua drejtimi i përkohshëm (eksark) i Kishës Ortodokse Shqiptare ( shumica e shqiptarëve e ka dëgjuar shprehjen ironike të Fortlumturisë së Tij Janullatos: ”Të gjithë të përkohshëm jemi në këtë Botë”!).

Në ndihmë të rrethanave se si erdhi Janullatos në krye të Kishës Ortodokse na vjen edhe dëshmia e ish kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Ylli Popa, dhënë revistës “Klan”. Ai tregon se si në rrethana të çuditshme vizitoi Janullatosin në shtëpinë e tij në Athinë. Atë kohë Prof. Popa shkonte për takim me refugjatët shqiptarë si pjestar i Forumit për të Drejtat e Njeriut. Bashkë me të ishin edhe Prof. Spiro Qirko, Kosta Makariadhi (deputet i minoritetit grek), Niko Bello (arsimtar ne Korçe dheTahir Novi (jurist ne Gjirokaster). Për takimin ai jep pak informacion, ndërkohë që flet për një takim të dytë në Tiranë në Hotel Dajti, ku kishte thirrë edhe Kryekancelarin e Kishës së Nolit, At Arthur Liolinin(nuk kam lexuar ndonjë pronocim të Atë Liolinit për këtë intervistë të publikuar më 2003). Sipas Prof. Popës, ai e ka pyetur At Liolinin se çfarë dinte për eksarkun:”At Liolini me tha se ai nuk e njihte personalisht Peshkopin, por dinte se ai ishte personalitet i njohur i Kishes greke, kishte botuar disa studime te rendesishme edhe se kishte punuar disa vjet ne Afrike.”…Më pas At Arthuri ka bërë dy sygjerime për t’i vënë kushte Janullatosit:” E para, të mos vihej në diskutim Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare, edhe e dyta, të respektohej kontributi i Fan Nolit në ndërtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.”(dëshmi e Y. Popës)

 

    LETRA E JANULLATOS PËR RAMIZ ALINË: JAM I PËRKOHSHËM!

 

Në shtyp është publikuar edhe një letër, që i pat dërguar eksarku Janullatos presidentit të asaj kohe Ramiz Alisë , para ardhjes në Shqipëri, me 3 qershor 1991.

Në letër ai shkruante se Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare është një institucion në shkallë botërore me traditën dhe rregullat e saj të pranuara universialisht, dhe asnjë kishë ortodokse nuk mund të ekzistojë, dhe më tepër të organizohet, pa një peshkop, që të ketë pasues apostolik. Përderisa në të gjithë botën sot nuk ka një peshkop ortodoks për të marrë përgjegjësinë e riorganizimit të kishës në Shqipëri, Patiarkana Ekumenike e Kostandinopojës, që është froni i parë i njohur zyrtarisht nga të gjitha kishat ortodokse, që i përkasin institucionit në shkallë botërore të ortodoksisë (ruse, serbe, rumune, bullgare, greke, shqiptare), mori iniciativën e emërimit tim për të ardhur në vendin tuaj të dashur si një patriark eksark,- shkruante Hirësia e Tij. 
Më pas eksarku tregon se Patriarkana i kishte dhënë për detyrë: Të komunikonte me qeverinë shqiptare për të hyrë në kontakt me priftërinjtë ortodoksë ekzistues dhe besimtarët ortodoksë, pavarësisht nga origjina dhe gjuha amtare. Ai zotohej dhe premtonte se do të merrej me punën organizative kishtare në nivelin primar, mbas zhvillimeve të fundit dhe vendimit për t`i dhënë liri fetare Shqipërisë, do të krijonte kushte në një kohë sa më të shpejtë që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të vetëdrejtohet; me bindjen se riorganizimi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë duhej të përfundohet në bashkëpunim me ortodoksët e interesuar.

Ai i shkruante kreut komunist të shtetit shqiptar se kishte takuar me Lartësinë e tij Metropolitanin Theudosiun, Primati i Kishës Ortodokse në Amerikë dhe me rev. Artur Liolin, kancelar i kryedioqezës shqiptare në Amerikë, dhe kishin rënë dakort plotësisht që të bashkëpunonin për të mirën e ortodoksisë në Shqipëri dhe të gjithë qytetarëve të saj. Eksarku zotohej:”Si një peshkop ortodoks, dua t`ju siguroj ju shkëlqesi, në mënyrën më të dukshme, se misioni i patriarkut- eksark në Shqipëri kërkon ekskluzivisht t`i shërbesh me sinqeritet popullit të dashur shqiptar në këtë kohë kritike dhe të ndihmohet për të çuar përpara çështjen e paqës dhe të mirëkuptimit vëllazëror në Evropë dhe në botë”. Fjalë të ëmbla!
Po a, i mbajti premtimet fortlumturia e Tij? Kundërshtarët thonë jo. Ai nuk e pa misionin e tij vetëm si ringritje të Kishës së rrëzuar ortodokse, por edhe uzurpim të saj.Në kundështim me premtimin në letrën dërguar Ramiz Alisë, Janullatos vazhdoi të qëndrojë në Shqipëri dhe gjasat janë se do të qëndrojë sa të ketë jetë, madje edhe pasi të ndërrojë jetë. Jo vetëm pse ka përcaktuar vendvarrimin, por edhe pse ka përgatitur një pasardhës të besuar të frymës së vet, të cilin e ka shpallë Peshkop, pa ceremoni publike,larg syve të medias, por para të tjerëve!.

      

   KUNDËRSHTIMET NË ÇASTIN E MARRJES SË FRONIT

 

 Më 2 gusht 1992 eksarku u shpall kryepeshkop i KOASH-it, dhe mori miratimin e shtetit shqiptar. Vidio e fronëzimit të Tij, vazhdon të qarkullojë në internet, ku shquhet dhe një flamur grek gjatë asaj ceremonie. Qartazi dëgjohen në kor zërat e ortodoksëve patriotë, që thërrasin emrat e martirëve ortodoksë shqiptarë si Papa Kristo Negovani dhe Petro Nini Luarasi të masakruar nga Kisha Greke, dhe “besnikët” që brohorasin për Janullatosin. Më pas dëgjohen dhe këngë patriotike” Për Mëmëdhenë”!. Kjo është fshehur deri tani nga përkrahësit e Janullatosit dhe nuk është komentuar as nga fanatikët e tij.
  Ramzi Alia dhe ata që erdhën pas tij e nënvleftësuan ose e harruan të djeshmen e marrdhënieve të Kishës Ortodokse greke me Kishën Ortodokse Shqiptare.      Kisha Ortodokse shqiptare në fakt e shpalli autoqefalinë në luftë me kishën Greke! Kjo është ironia, që në krye të Autoqefalisë të sjellin pikërisht një grek!

Ata që e vendosën Janullatosin në krye harruan që Kisha greke pat mallkuar gjuhën shqipe dhe masakroi e helmoi, a vrau patriotët shqiptar. Politika naïve shqiptare harroi masakrimin e prelatëve të Kishës Ortodokse Shqiptare nga andartët grekë si: Papa Kristo Negovani, Papa Stathi Melanit dhe Papa Llambri Ballamaci, apo të martirit Petro Nini Luarasi. Gjaku i prelatëve-martirë i parapriu Kishës Autoqefale Shqiptare, por që nuk u respektua nga ata që sollën peshkopin grek në krye.

Në fakt edhe pas fronëzimit të Janullatos, shqetësimi për presion të kishës greke endej nëpër Shqipëri. U konstatua kjo edhe në simpoziumin kushtuar 70 vjetorit të Kishës Autoqefale Ortodokse shqiptare mbajtur nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë më 19 shtator 1992. Që në fjalën hyrëse të simpoziumit konstatohej një presion dhe trysni e Patriarkanës greke ndaj Kishës ortodokse shqiptare që ende nuk ishte ngritur në këmbë dhe nuk kishte dalë nga agonia  ku e kishte përpalsë shteti ateist komunist. Në simpozium u denoncua me forcë ky shantazh. Simpoziumi konstatonte:”Përpjekjet që po bëhen kohët e fundit nga Patriarkana për t’i shfrytëzuar vështirësitë në të cilat ndodhet sot Kisha Ortodokse Shqiptare dhe për të vendosur kontrollin administrative mbi të, për të vënë në krye të saj një peshkop grek, janë krejt të paligjshme, në kundërshtim me Statutin e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe me vendimin e vetë Patriarkanës, të vitit 1937.”

   KUNDËSHRTIMI I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

 

Shqiptarët patriotë të  Amerikës kanë qenë përherë në vijën e parë të kundërshtimit të Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare. Një delegacion i Komunitetit shqiptar të Amerikës shkoi në Shqipëri në vitin 1992 dhe shprehu shqetësim për vënien e një të huaji në postin e Kryepeshkopit. Ata shkuan në Shqipëri për të mbrojtur veprën e Imzot Nolit, i cili pat hedhur bazat e Autoqefalisë dhe shkëputjes nga hija e Patriarkanës Greke.Ata kërkuan nga organet përkatëse të mos shkelej “testament” i Autoqefalisë, Statuti i Kishës Ortodokse Autoqefale i vitit 1929, ku në nenin historik 16, i mbyllej përgjithëmonë dera ndikimit të të huajëve në KOASH . Në një intervistë dhënë gazetës “Liria” në Tiranë  në shtator 1992, e njerit prej pjestarëve të komisionit, Niko Kirka, i biri i Kristo Kirkës ,bashkëthemeluesit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, pjestar i delegacionit të Kishës Autoqefale Shqiptare, që shkuan në Patriarkanën e Stambollit për të mbrojtur vendimin e Kongresit të Beratit të shtatorit 1922, që shpalli Autoqefalinë, dhe statutin e 29-ës, denoncon dhe kundërshton me forcë vendosjen e një të huaji në krye të Kishës.Misioni i z. Niko Kirka dhe të tjerëve që shkuan nga Amerika vazhdoi edhe më vonë. Në një intervistë dhënë gazetës “Republika”  më 23 prill 1993, ai sërish denoncon uzurpimin e Kishës Ortodokse në emër të Komitetit të tri besimeve fetare të shqiptarve të Amerikës. Ai përcolli idenë e Nolit se humbaj e Autoqefalisë dhe e pavarësisë së Kishës ortodokse rrezikon pavarësinë e Shqipërisë.

Komiteti i Autoqefalisë kishte dhe gazetën e vet që e denoncoi ashpër uzurpimin e fronit të kishës Ortodokse. Moto e saj ishte:”Është gënjeshtër dhe hipokrizi “autoqefalia” me ju në krye si Peshkop, zoti Anastas Janullatos”.

Humbja e Kushtetutës të vitit 1994, ku kërkohej, që krerët fetarë të ishin me Kombësi shqiptare, ishte varka e shpëtimit të Janullatosit.

Lufta vazhdoi deri nga viti 1995 , ku u ngrit sërish zëri i Shqiptarëve të Amerikës në simpoziumin e organizuar me rastin e 30 vjetorit të vdekjes së Imzot Nolit. Moto e atij simpoziumi ishte:” Të mbrojmë Kishën e Imzot Nolit!”.

Më pas duket se tonet u ulën. ’97 e rebelimit me ndihmën e grekëve, i vuri vulën heshtjes.Deri sa vijmë në ditët e sotme, kur politika, kryeshtetarët, nga presidentët, kryeministrat, Kryetarët e Parlamentit, sipas rotacionit, e deri tek kryetarët e partive, pozojnë dhe buzëqeshin pranë Hirësisë së Tij!Gati kamera!

Po atëherë ç’duan shqiptarët e Amerikës?-dëgjohen zëra dhe bëhen komente në rrjetet sociale dhe website gazetash. Mos duhet që edhe shqiptarët e Amerikës të pajtohen me qenien e Janullatos Kryepeshkop të Shqipërisë?

Në fakt edhe vetë Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës e ka pranuar Hirësinë e Tij, siç e ka pranuar edhe ortodoksia në Shqipëri me përjashtim të At Nikollë Markut dhe besimtarëve që ai ka rreth vetes dhe disa patriotëve nacionalistë. Zërat që e kundërshtojnë Kryepeshkopin që nuk ka ndërmend të vetëlargohet, të dorëhiqet, po vijnë duke u ulur. Ç’duhet bërë në këto rrethana? Të heshtin shqiptarët e Amerikës?Amaneti Nolit nuk i lë të qetë vatranët dhe shqiptarët e Amerikës. Shpirti i Noli, i At Vasil Markut dhe të tjerëve, rënkojnë nga shkelja e Testamentit, Nenit 16 të Statutit(që Janullatos dhe gjakshprishurit nn shërbimin e tij e cilëlsojnë të vjetruar) :”… prej gjaku, gjuhe, kombësie dhe nënshtetësie- shqiptare”! (Jo po do t’i bëjmë AND-, tha me ironi në ballafaqim Mitropoliti i Korçes, ( Bishop Joan Pelushi- Fatmiri i dikurshëm!)

Kryepeshkopi, ferra që la jashtë varrit Ramiz Alia, erdhi këtë herë për t’u nderuar nga Universiteti i njohur Fordham në Bronx. Kryepeshkop i Durrësit, Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, u nderua si Doktor Nderi për Letrat Humane.

 

KUSH THA SE NE PROTESTE NUK KISHTE ORTODOSE?

 

Pas dështimit të dy takimeve të organizatorëve me përfaqësuesit e Kryepeshkopit Janullats, protesta e iniciuar nga Rrënjët Shqiptare dhe e përkrahur fuqimisht nga Vatra dhe komuniteti shqiptar,u zhvillua ashtu siç ishte paralajmëruar, në mbrëmjën e ditës së Martë me 28 janar, në portën hyrëse të Universitetit Fordham, në adresën 2900 Southern BLVD. Ishte një natë e ftohtë polare me temperatura nën zero. Megjithatë Shkrimtari i mirënjohur Naum Prifti, nuk ka munguar, por ka ardhur nga Queensi dhe qëndroi deri në fund të protestës, ashtu siç kishin ardhë edhe Zef Përndocaj nga White Planes, Sali Bollati e Uke Gjonbalaj nga Staten Island, Hakik Mena e Çezar Ndreu nga New Jersey, apo të tjerë edhe nga më larg. Të ftohtit nuk i kishte penguar pjesmarrësit e shumtë që t’i mbushnin të dy anët e rrugës plot dhe në duar mbanin pankarta ku kërkohej çlirimi i Kishës Ortodokse Shqiptare nga Kryepeshkopi grek Anastas Janullatos. Ata kërkuan dorëheqjen e tij dhe zëvendësimin me një peshkop shqiptar.

E gjithë kryesia e Vatrës dhe një pjesë e Këshillit ishte në protestë, me përjashtim të kryetarit, që nuk ndodhej në New York, por dy vajzat e tij ishin aty mes demonstruesëve; nëkryetari Asllan Bushati kishte ardhë me gjithë familjen, zv/Kryetari Agim Rexhaj me gjithë zonjën, sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu me origjinë nga Çamëria, e shoqëruar nga Majlinda Deli, Besa Belliu e Kamila Veliu, Marjan Cubi, Sejdi Hysenaj, Zef  Balaj me gjithe djalin Josephin,Mithat Gashi , Bashkim Musabelliu, Halit Shpuza, Besim Malota, Nick Markola, Danny Blloshmi, Ahmet Hoti, Çezar Ndreu, Naser Çobaj e të tjerë. Ka ardhur nga Buffalo  kandidati për Kongresin amerikan Eddie Egriu e shumë të tjerë.

Me protestën ishin solidarizuar, përveç Rrënjëve Shqiptare, që u përfaqësuan aty edhe me degët e Chikagos dhe Teksasit, Federatës Vatra, Lëvizja e Legalitetit për Amerikë, Shoqata Çamëria, Liga Shqiptaro-Amerikane, Oragnizata “Djemtë e Gjirokastrës, Përmetit dhe Sarandës”, Shoqata Ana e Malit, Kombi, Plavë-Guci, Uskana në Illinois, Bashkimi Kombëtar, Grupi i studentëve shqiptarë në Fordham University, Shqiptaro-Amerikanët e Chikagos e të tjerë.

Thelbi i protestës ishte mospajtimi i shqiptarëve me nderimin që po i bëhej kryepeshkopit grek, që ka uzurpuar Kishën Ortodokse Shqiptare.

Disa herë, udhëheqësi i protestës, Marko Kep, përmes megafonit , i sqaroi pjesmarrësit dhe kalimtarët, se kjo nuk është protestë kundër vëllezërve tanë orthodox, por protestë që kërkon çlirimin e fronit të Kryepeshkopit nga Kisha Greke! Ne aspirojmë, tha ai, që amaneti i  Imzot Fan Noli, për ruajtjen e pavarësisë së Kishës Autoqefale Orthodokse shqiptare, si kusht për Pavarësinë e Shqipërisë-, të mos shkelet me këmbë ! Ne duam një kryepeshkop shqiptar!

Për Vatrën dhe organizatat e tjera pjesmarrëse në protestë është i papranushëm fakti, që një grek të qëndrojë në krye të Kishës Shqiptare, e cila ende prêt një”Ndjesë” nga Kisha greke(nga vjen Hiresia e Tij Janullatos, për mallkimin që i ka bërë gjuhës shqipe-Kisha greke, por që dhe Janullatos nuk e ka fort për zemër, mallkimit që u ka bërë patriotëve ortodoks, për jetët që u ka marrë priftërinjëve shqiptarë, që kanë predikuar shqip: Papa Kristo Negovani, Papa Stathi Melanit dhe Papa Llambri Ballamaci, apo të martirit Petro Nini Luarasi, që të vetmin “krim” kishin gjuhën shqipe, për nxitjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve , përfshi edhe në kohëmasakrash, siç ishte ajo kundër çamëve, për nxitjen ëndrrës së çmendur vorioepirote….Për 22 vjet, a nuk kishte mundësi Janullatosi të përcillte një “pardon” në emër të Kishë Greke nga vinte?!

Në duart e protestuesëve qëndronin pankarta, banderola të shkruara në dy gjuhë shqip dhe anglisht:”Albanian Orthodoks not Greek Orthodox”, “Albanian Orthodox not for Sale”; “Religion free of foreing Influence!”, “We want an albanian Archbishop”; Albanian Archbishop-This Shud be the Albanian Churche; Albanian deserve an Independent Albanian Orthodox Churche, Protect the Albanian orthodox”…

Nën fotografinë e Prelatëve të Kishës Orthodokse Shqiptare, të martirve Papa Kristo Negovani dhe Papa Stathi Melani, shkruhej:”Kush e vrau?”; nën fotografinë e arkitektit të Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare shkruhej”Ky është Ati i Kishës Orthodokse Shqiptare”, Ky është Ati i Kombit”!

Gjatë protestës që u ruajt me korrektesë nga forcat e policisë, u hodhën parulla kundër Kryepeshkopit grek, kundër  konvertimit të Kishës Orthodokse Shqiptare në Kishë Greke, kundër importimit të arkitekturës greke në ndërtimin e kishave shqiptare dhe përdorimit të ikonografisë greke, dhe u bënë thirrje të hapura për dorëheqje të Janullatosit.

Protesta kishte marrë mbështetje nga prifti arbëresh në Argjentinë Alexander, Reverent i Buenos Aires dhe Amerikës së Jugut, si dhe nga Prifti i Kishës së pavarur të Shën Mërisë në Elbasan, Nikolla Marku. Përshëndetjen e Hirësisë së tij Alexander e lexoi në gjuhën angleze kandidati për Kongresin Amerikan Emin Eddie Egriu, ndërsa mesazhin e Atë Nikollë Markut, e lexoi sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu.

Përshëndetja e at Nikolla Markut ishte e mbushur me thirrje të hapura kundër Kryepeshkopit greke, të cilin ai identifikonte me qarqet vorioepirote dhe e cilësonte antishqiptar. Ai përcillte kërkesën ultimative për lëshimin e fronit të uzurpuar me kurth dhe shkelje të statutit të Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare. Ndërsa përshëndetja e priftit arbëresh Alexander përcillte dashuri për kombin shqiptar, për gjuhën shqipe, thirrje për bashkim kombëtar. Ai e cilësonte Shqipërinë e dashur si nënën e tij dhe nënë për çdo shqiptar. Ai shkrunte ndër të tjera se”Unë lutem për ju; unë lutem çdo natë për fëmijët tuaj, për gjithë shqiptarët. Unë lutem për vëllezërit e mi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, në Serbi dhe kudo ku ka shqiptarë.”

Duke iu drejtua të rinëjve protestues ai shkruante”Ju jeni e ardhmja jonë. Ju jeni fëmijët tanë. Unë lutem për ju. Unë lutëm për çdo gjë shqiptare. Ju dua me gjithë zemër! Rroftë Shqipëria! Zoti i bekoftë shqiptarët!

Përshëndetën protestën, Joe DioGuardi, nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati, Kryetari i Lëvizjes së Legalitetit për Amerikën Hakik Mena, zv/presidenti i Shoqatës Rrënjët Shqiptare, Dorjan Nasto etj. Përmes megafonit përcolli zërin e protestës çame veprimtari Sali Bollati, Endri Merxhushi, Nazo Veliu e shumë çamë të tjerë të pranishëm në protestë.

Nëpër rrjete sociale dhe website gazetash, protesta u akuzua se nuk kishte përfaqësues nga besimtarët orthodoksë. Natyrisht që kjo nuk qëndron, jo vetëm se aty kishte të atillë, madje përfaqësues dinjitoz si shkrimtari Naum Prifti, regjisori Dhimitër Ismaili, zv/Presidenti i Rrënjëve Shqiptare Dorian Nasto e të tjerë, por edhe për faktin se aty ishte edhe kryepeshop Noli me shiqptarët e Amerikës në çastkrijimin e Kishës Ortodkse, shiheni fotografinë grupore, aty ishte dhe bashkthemeluesi i kishës Orthodokse Kristo Kirka (dhe bashkëthemelues të Vatrës), aty ishin edhe Kristo Dako, Kristo Floqi, Kolë Tromara, aty ishte edhe i pavdekshmi Petro Nini Luarasi, shpirti i të cilit ende thërret:”Vramëni, po mblidhmani gjakun se do tu duhet fëmijëve të shkruajnë gjuhën shqipe”!- aty ishte Papa Kristo Negovani, Papa Stathi Melanit dhe Papa Llambri Ballamaci, aty ishte,… aty ishin të gjithë martirët e helmuar nga Kisha Greke (Lumë martirët, na mëson Ungjilli(Citim: A Shehu). Aty ishin…Nuk i patë? Aty ishin edhe ata….! Kush nuk i pa, e ka fajin vetë!

Një kujtesë për kritizerët e kësaj protestë: A mund të më sqarojë ndokush prej tyre se çfarë ka dashë Numri 1 I Federatës Panhelenike të Amerikës, antishqiptari I deklaruar, Nikolas Geijxh në ceremonitë e tre nga katër nderimet , që i janë bërë Hirësisë së Tij Janullatos?(Botuar ne Diellin e printuar, Janar 2014)

 

 

 

Filed Under: Analiza, Komunitet Tagged With: dalip greca, dielli, Janullatos, rrenjet shqiptare, Speciale e Diellit, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT