• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2014

Lulzim Basha: Qeveria nuk reflektoi për mosdhënien e statusit, por thelloi bilancin negativ

March 13, 2014 by dgreca

– Kryetari i PD-së thekson në takimin me Presidentin e Senatit Francez, Jean-Peirre Bel-/

Integrimi europian i Shqipërisë dhe çështja e statusit të vendit kandidat ishin në qendër të një takimi të Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Presidentit të Senatit Francez Jean-Pierre Bel.
Kreu i PD-së, Basha falenderoi Presidentin e Senatit për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Franca Shqipërisë në të gjithë momentet e rëndësishme të integrimit euroatlantik, por i shprehu atij shqetësimin për kursin që ndërmori qeveria e re në dëm të demokracisë, në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, kundër standardeve europiane, çka bëri që të rritej doza e skepticizmit në shumë vende të BE-së, gjë që solli vendimin e dhjetorit të Këshillit të Ministrave, për mosdhënien e statusit.
Qeveria e kishte gati statusin e vendit kandidat, tha Basha, duke e informuar z.Bel për reformat e ndërmarra dhe kriteret e përmbushura nga qeverisja e mëparshme, deri në shtatorin e vitit të kaluar.
Basha shtoi se në këtë drejtim rruga për marrjen e statusit nga qeveria e re ishte edhe më e lehtësuar, pasi Partia Demokratike dhe opozita mbështesin plotësisht dhe pa kushte procesin e integrimit dhe marrjen e statusit.
Por, shtyrja e Ligjit për Nëpunësin Civil nga qeveria me një akt normativ që u shpall anti-kushtetues nga Gjykata, shkarkimet masive në administratë, lufta ndaj institucioneve të pavarura, bënë që statusi i vendit kandidat të mos merrej.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se ende më shqetësues është fakti se qeveria nuk e lexoi si duhet vendimin e dhjetorit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian. Në vend të angazhimit për reformat e kërkuara, qeveria u angazhua në një proces fajësimi të të ashtuquajturve ekstremistë europianë dhe vijoi thellimin e bilancit negativ, duke zhbërë standardet e arritura dhe duke ndërmarrë sulme të njëpasnjëshme kundër institucioneve kushtetuese dhe vetë ligjit e kushtetutës.
“Qeveria nuk bëri asnjë reflektim pas vendimit të dhjetorit, përkundrazi, vazhdoi me shkarkimet masive të punonjësve të administratës, nuk respektoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vijon ta keqpërdorë parlamentin si noter të akteve të veta, redukton hapësirën e debatit në Kuvend, uzurpoi kompetencat e Presidentit në rastin e shkarkimit dhe emërimit të kreut të ri të ILDKP-së”, theksoi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike e siguroi z. Bel se opozita është e vendosur për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit ligjor në vend.
Presidenti i Senatit francez u shpreh se integrimi europian është çështje me interes kombëtar dhe kërkon patjetër konsensusin e palëve. Ai tha se vendimi i dhjetorit të Këshillit të Ministrave, ishte një mesazh për të ndërmarrë reformat e duhura për procesin e integrimit.
Duke e ripërsëritur qëndrimin e opozitës në mbështetje të plotë të marrjes së statusit, Basha i tha Bel se “opozita do të dëshironte të debatonte me qeverinë dhe të kishte kundërshti me të për çështje programore të së majtës dhe të së djathtës, dhe jo për shtyllat themelore të shtetit të së drejtës dhe demokracisë që janë vënë seriozisht në rrezik nga mazhoranca aktuale”.
Z.Basha dhe z.Bel konfirmuan marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Francës dhe konsolidimin e një portofoli të pasur raportesh dhe shkëmbimesh mes të dy vendeve

Filed Under: Politike Tagged With: kritikon qeverine, Lulzim Basha, takon francezet

Kosova kërkon 1700 të zhdukurit

March 13, 2014 by dgreca

“Projekt me pajtueshmërinë e palëve” për varrezën masive në Rashkë- Ne Foto: Komisioni qeveritar per te pagjeturit/

Nga B.Jashari/.-Komisioni qeveritar i Kosovës për personat e pagjetur dhe partnerët ndërkombëtarë mbajtën sot një takim, ku u diskutuan përgatitjet dhe hapat e mëtejshëm në rastin e varrezës masive të Rashkës, në Serbi. Në këtë takim në Prishtinë, nën drejtimin e zv/kryeministres së Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ishin të pranishëm përfaqësuesit e Komisionit qeveritar për persona të pagjetur dhe partnerët ndërkombëtarë të angazhuar në këtë çështje, si dhe përfaqësues të ambasadave që do të jenë mbështetës të projektit për gërmime në Rashkë.
Zv/kryeministrja Tahiri theksoi se “jemi thellësisht të shqetësuar për çështjen e të pagjeturve dhe mungesën e një zgjidhjeje të plotë për këtë dhe si Qeveri e Republikës së Kosovës kemi qenë dhe mbetemi tërësisht të angazhuar për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi”.
Qeveria e Kosovës, vijoi ajo, angazhohet që sa më parë të realizohen të gjitha veprimet për ndriçimin e fakteve nga rasti i Rashkës, prandaj domosdoshmëria e hartimit të një Projekti gjithëpërfshirës dhe Planit për veprim për rastin e Rashkës janë mekanizma konkretë që do të mundësojnë realizimin e qëllimeve tona.
Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur njoftoi për rrjedhat e deritanishme lidhur me rastin e varrezës masive në Rashkës, si dhe për të gjitha aspektet e rëndësishme që duhet të merren parasysh në përgatitjet e projektit për gërmimet.

Pas diskutimeve të pjesëmarrësve në këtë takim u nxorën konkluzionet, ku përfshihet “Projekti me pajtueshmërinë e palëve”, i cili “ nënkupton një projekt të dakorduar, përkatësisht projekt me pajtueshmërinë mes institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të Serbisë, mbi hapat e mëtutjeshëm dhe shpenzimet e nevojshme buxhetore për rifillimin, vazhdimin dhe përfundimin e punimeve në ‘rastin e Rashkës’”.
Ambasadorja e Zvicrës, Krystyna Marty Lang, vlerësoi rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare në këtë projekt të rëndësishëm, që do të kontribuojë për ndriçimin e fakteve të reja për të pagjeturit. Ajo shprehu gatishmërinë për të mbështetur me donacione duke theksuar se projekti i tillë duhet të jetë i dakorduar mes palëve, për të qenë e mundur përkrahja.
Kosova mëse 15 vjet pas luftës vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të 1718 qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë rivendosur nga familjarët në 8 mars në rrethojat e Kuvendit e Qeverisë, në sheshin qendror të Prishtinës

 

Filed Under: Rajon Tagged With: 1700 te pagjetur, kerkon, kosova

Dr. REXHEP KRASNIQI

March 13, 2014 by dgreca

Shkruan:Eugen Shehu/Lindi në Gjakovën e burërisë më vitin e largët të 1906-ës.Lindi në atë natyrë të bukur,ndër ato male të larta që kishin provuar në supet e tyre krismat e luftërave shekullore me shkijet.Lindi tok me shekullin e ri për të provuar krejt luftërat,gëzimet dhe vuajtjet e vetë shekullit.Jeta e tij tek e mbramja është një metaforë epike e vet shekullit që e lindi. Gëzimet e vetme dhe të parat ishin ato të shkollës. Rexhepi ky djalosh me një pamje fisnike do të dallohej ndër shokët për mençurinë dhe dashurinë e madhe për dije.

Për shkak të trazirave ballkanike,synimet e „të mëdhenjëve“ të Europës,tanimë do ishin drejtuar të gjitha në këtë gadishull kush të mbërrinte i pari në brigjet e adriatikut,anipse aty jetonte prej shekujsh një komb i lashtë autokton.Sidoqoftë Austro-Hungaria me pretendimet e saja po bëhej një barierë e fuqishme ndaj pretendimeve serbo-sllave.Në pjesën shqiptare nën protektoratin e saj,dhe nën veprimet edhe të rilindasve shqiptarë,kishin filluar të çeleshin shkollat shqipe dhe në bangat e tyre ulej djalëria shqiptare në mesin e tyre dhe ndjaloshi Rexhep Krasniqi i dalluar në prirjet e tija për të mësuar.Por herët i vdesin prindërit dhe djaloshi Gjakovar mbetet shpresëthyer.Tanimë atij i duheshin lënë librat për të fituar bukën e gojës,ate tashmë e thëriste jeta në ato sfida të mëdha përkundër moshës së njomë,mirëpo dukej sikurse djaloshit fisnik do ti shkëlqente një fat i madh. Ai kish jetuar në Gjakovë krejt pranë shtëpisë së fëmijërisë të Bajram Currit i cili një ditë do ta mësonte mbi hallet e gjitonit të  vet. Dhe mrrekullisht është Bajram beg Curri i cili duke paraparë tek Rexhepi jo vetëm prirjet e tija fisnike por edhe atdhetarin e nesërm, endihmon atë materialisht për të vazhduar ëndrën e prerë në rrugë drejt mësimit e dijes.Më pas vetë Bajrram Beu e dërgon birrin e marum në shpirtë për në Vienë,duke e këshilluar që duhej më thellë të mësojë për vatanin e vet,që këtu Rexhep Krasniqi e ndjen në thellësinë e shpirtit peshën e madhe jo vetëm të gjakovarit por edhe të qenurit shqiptar.Ai duhej të mësonte për të çelur sytë e tij e mëndej dhe të bashkëkombasve të vet, ndaj dhe punon me plot pasion,tërhiqet veçmas ndaj historisë,ai tashmë ka nisur të kuptojë se historitë në të vërtetë mund të sjellin mërira,por ato duhet vlersuar për të njohur sam ë mirë të kaluarën e largme dhe të afërme,kujtesa e një kombi duhet të jetë kurdoherë në gjendje të zgjuar.

Puna e palodhshme dhe ngjitja e shkallëve shkencore Rexhepi do të Doktorohet në filozofi në Universitetin e Vienës  para një komisioni akademikësh me në krye mentorin e tij prof.dr. Carl Patch,në vitin 1934. Teza shkencore e punimit të doktoraturës kishte në themel punimin mbi coptimin e Shqipërisë Verilindore në Kongresin e Berlinit.Fjalët i kishte të prera dhe të sakta,burimet e arkivave të historiografisë i kishte marrë nga studjues të shumtë nga mbarrë Europa,mendimi i thellë dukej se përbënte një aktakuzë për padrejtësitë që Europa i kishte bërë Shqipërisë,gjakovari do të kishte guximin të tregonte jo vetëm ç’kish ndodhur me atdheun e vet por sidoqoftë edhe ç’do të ndodhte më tej,merr titullin e Doktoraturës  dhe preferon për tu kthyer në atdhe për të punuar.Kështuqë në Shqipëri  në vitin 1934 emërohet mësues në gjimanzin e Gjirokastrës.Ngase ishte tepër i dashur me nxënësit,mbase fliste edhe për të kaluarën e qytetit të lashtë jugor,mjaft prej shtëpive gjirokastrite i hapën dyert për gjakovarin gojë ëmbël e mësuesin e dijes së thellë.Duke parë se shkolla e mesme e atyre viteve kishte mungesa të mëdha në mbrendinë saj,Rexhep Krasniqi punon dhe përpilon një tekst mbi historinë e Shqipërisë.Të dhënast që jepeshin aty,jo vetëm që kishin të vërtetën e madhe brenda por ishin edhe të pa kontestueshme prej askujt, erudicioni i profesorit gjakovar bëri që teksti i tij i historisë të mësohej pothuaj në krejt gjimanzet shqiptare.

Vitin 1939 do ta përjetonte tok me nxënësit e tij,mbrendësinë e asaj drame të madhe që parandjenin krejt shqiptarët e mençur dhe të ndershëm. Me 7.prill, edhe pse gjimnazi mbahet i rrethuar prej ushtarëve italian,ai del në balle të nxënsve dhe duke folur evokon luftërat e famshme të shqiptarëve.Fashistët italianë do ta pushonin nga detyra e nëndrejtorit të gjimnazit dhe për ta patur nën survejim të plotë e dërgojnë si mësues në gjimnazin e Tiranës. Edhe këtu,trimi gjakovar nuk do të mungonte t’u tregonte asnjëherë nxënsve të vet, mbi historinë dhe trimërinë e Ilirëve të lashtë,madje jo rrallë,kur shihte fytyrat e ndrojtura të nxënsve ai do t’u thoshte me ate buzëgazin e tij ;“Të jem krenar për të kaluarën tonë !“.

Më vitin 1941 dr.Rexhep krasniqi kthhet në Kosovë në detyrën e Komisarit të lartë të shkollave shqipe dhe të drejtorit të shkollës normale-gjimanizi „Sami Frashëri“ të Prishtinës Pas kapitullimit të Italisë fashiste,filluan të frynin erëra të tjera në të mirë të kombit shqiptar.Më 1943 zgjidhe Ministër i Arsimit dhe nën/kryetar i Kuvendit të Shqipërisë ku morrën pjesë deputetë të zgjedhur nga të gjitha trojet etnike shqiptare nën Qeverinë e Mehdi Frashërit.Fjala e tij e mençur gjithmonë do ti shërbente bashkimit të shqiptarëve ndërvedi dhe bashkimit të krejt viseve shqiptare të copëtuara padrejtësisht në Berlin e Londër.

Është mjaft domethënëse pjesmarrja e trimit gjakovar në mbledhjen themeluese të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizërenit në 16 shtatorin e vitit 1943.Historia përsëritej tashmë në kushte të tjera,sidoqoftë ishte po ai flamur i mbajtur  dikur prej burrave të shquar si Abdyl Frashëri,Ymer Prizëreni,Iljaz Pashë Dibra, Sulejman Vokshi etj,për të kauar në atë vjeshtë rrebeshesh në duart e Aqif Blutës,Rexhep Mitrovicës,Bedri Pejanit, Xhafer Devës e dhjetra burrave të tjerë që ndjenë këngët majëkrahu që në përkundjet e djepit.

Që në ditën e dytë të këtij Kuvendi  dr.Rexhep Krasniqi me shumicë votash zgjidhet në funksionin e nënkryetarit të Kongresit. Në po këtë ditë,ndërsa falenderonte pjesëmarësit për besimin e dhënë profesori dhe akademiku gjakovar me shumë pasion fliste për të kaluarën e trojeve etnike shqiptare.Ai solli në ate Kuvend dokumente dhe argumente të disa prej personaliteteve të njohura botërore të cilët mbronin tezën e autoktonisë shqiptare në gadishullin ballkanik si pasardhës të drejtpërdrejtë të Ilirëve të lashtë.Dokumentimet e konstatuara krijuan bindje tek të gjithë pjesmarësit se karakteri i Ilirëve të lashtë është pikë për pike ai i shqiptarëve të sotëm,kështu dëshmohej vazhdimësia e natyrshme të jetës në këto troje stërgjushore e për më tej konstatimi i dr.Rexhep Krasniqit ishte ;

„Sllavët kanë formuluar dhe vazhdojnë të formulojnë mbi këto vise thjeshtë shqiptare,pretendimet dhe kërkime krysekëputë absurde,kërkime të cilat mbasi ja shëron si një hirug i pamëshirshëm por shpëtimtar një analizë historike dhe etnografike e thellë, e cila i hedh poshtë si të pathemelta dhe të sendergjueme vetëm nga një qëllim,për të gjetun pretekse me justifiku nevojën me u shtri mbi vendet tona pa arsye,pa të drejtë dhe pa asnjë dokument provues të pretendimeve të tyre“.

I pjekur në mendime e gjykime por edhe energjik në veprim,trimi i Gjakovës i përkiste atij grupi burrash që donin të mos humbënin asnjë çast prej asaj rrjedhe ngjarjesh që vërshonin në krejt trojet shqiptare të asaj kohe.Kësisoj në ditën e tretë të këtij Kuvendi,dr.Rexhep Krasniqi me zë të lartë e të plotë do të deklarojë ;

„Kuvendi i Dytë i Prizërenit i mbledhun me 16 të shtatuerit 1943,si bisedoi në mbledhjen e tij të tretë,ditën e 18 shtatuerit 1943 gjatë e gjanë,problemin e prefekturës së Mitrovicës,tue e shqyrtue nga të gjitha pikëpamjet si nga ajo historike,gjegrafike dhe etnografike, bisedim në të cilën muern pjesë të gjithë delegatët e viseve të përfaqsuara në Kongres,deklaron ; Të gjitha vendet që përshin rrethi i Perfekturës së Mitrovicës,don me thanë Mitrovica, Vuçitërna,Pazari i Ri dhe Podujeva,janë vise krejtësisht të banueme prej prej popullsie me gjak shqiptari,po ashtu me gjuhë e zakone shqiptari,me një përqindje dërmuese gjithnjë shqiptare,që kapet deri në 95-99 përqind dhe si i tillë përkasin Shqipërisë.Shpresojmë se dëshira jonë do të merret parasysh nga Qeveria e cila do t’i kushtojë krejt përpjekjete e saja si Qeveri Kombëtare,diplomatike e politike për të realizuar vullnetin e popullit“.(a Shqiptare 9 maj 1999,faqe 13.Tiranë ).

Nëse Lidhja e Dytë e Prizërenit u godit rëndë ashtu siç ishte goditur që më parë dhe Balli Kombëtar,kjo do t’u kujtonte shqiptarëve se jo vetmë se fatet e shqiptarëve ishin në duart e të huajve të cilët nuk mund të pranonin vetëdien një bashkim të tillë,por aq më shumë ndihmoi dhe tradhëtia komunistëve shqiptarë të lidhur ngushtë me armiqtë tanë shekullorë serbosllavët.Përderisa Rahstagu Gjerman kishte pranuar dhe njohur Shqipërinë Etnike dhe kërkonte tërheqjen e Bullgarisë nga trevat e rrobëruara shqiptare,tashmë po godiste lufta civile që i hapte rrugë pushtimeve të serbosllavëve. Komunistët shqiptaro-sllav filluan tashmë pushkatimet  persekucionet,burgosjet e deri tek ndjekjet e pafundme të gjith atyre që kishin luftuar e sakrifikuar për bashkimin e Kombit  e trojeve etnike shqiptare, kështu që së bashku me Xhafer Devën,Rexhep Mitrovicën,Xhelal Mitrovicën,Tahir Zajmin e tjerë do t’iu bashkohet dhe dr.Rexhep Krasniqi të detyruar për ti thënë lamtumirën e padshëruar atdheut të tyre të rrobëruar tashmë prej komunistëve sllavoortodoks dhe veglave të tyre shqipfolëse komuniste,por gjithmonë në shpresë se një ditë do të kthehen sërish në tokën që i lindi dhe i bëri burra.

Dr.Rexhep Krasniqi,intelektuali i ngritur në shkallë të lartë akademike,patrioti dhe atdhetari i zjartë ,tashmë do të provonte rrugët e hidhura të mërgimit fillimisht në Itali andej në Siri e deri në Australinë e largët ku punoi si një puntor i thjeshtë fabrike për mbijetesë. Ndërsa në vitin 1956 ai thirret në Ministrinë e Punëve të Jashtme të SHBA-ve për të marrë pjesë në riorganizimin e Komitetit Kombëtar Demokrat  „Shqipëria e Lirë“.Në krye të Komitetit.dr.Krasniqi kreu një veprimtari të gjërë politike me emigracionin shqiptar dhe ate diplomatike duke përfaqsuar emigracionin antikomunist shqiptar.Po ashtu ai mirrte pjesë dhe në tribuna e simpoziume politike e shkencore si në SHBA ashtu dhe në botën perëndimore antikomuniste,gjithmonë dukdemonstruar  fatin e ndërlidhur të Shqipërisë me Kosovën.Revista „Shqiptari i Lirë“ do të ishte tribuna dhe zëri i përçimit të antikomunizmit shqiptar,gjithmonë në rrugën e lirisë dhe bashkimit kombëtar shqiptar,në këtë revistë gjithmonë do të shkëlqente në gjdo numër të sajën, mençuria dhe mendimi i vyer i profesorit gjakovar.Megjithëse në moshë të rënduar ai deri në ditët e fillimit të luftës në Kosovë zëri i tij në telefonata do të ishte gjithmonë këmbues dhe optimiste në çlirimin e Kosovës kur thoshte se „tash jam i lumtur se rrokëm armën liria troket dhe vjen shpejtë,zori i shqiptarit asht sa të futet në luftë,si të futet s’ka kush e ndal, tash edhe me vdekë e di se Kosoava do të lirohet“ (Bisedë me autorin së fundmi më 15.qershor 1998). Kështu për të ardhur deri tek ajo që quhet ditë hidhërimi e dhimbjeje të shkurtit 1999 kur dhe do të mbyllte sytë përjetësisht me imazhin e Kosvës së lirë dhe të bashkuar me shqipërinë.Fjalët e fundit „Rroftë Kosova,rroftë Shqipëria Etnike !“ sikur grishin ndërgjegjen e pastërt të  intelegjencës shqiptare për të kuptuar se interesat e Kombit dhe Atdheut vëhen mbi interesat ditore apo të çastit.

Bern-Zvicër

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugen Shehu, patrioti, Rexhep Krasniqi

NJË VËSHTRIM MITOLOGJIK MBI FESTAT KALENDARIKE E TRADICIONALE TË VITIT DHE LIRIKËN RITUALE

March 13, 2014 by dgreca

nga MSC. Albert R. HABAZAJ/ STUDIUES/

Kemi patur dëshirën dhe mundësinë për t’u njohur me burime e studime mbi festat kalendarike, ritualet e motmotit, ritet parake dhe letërsinë popullore mbi to. Përmendim me nderim botimet monografike “Mitologjia ndër Shqiptarë” dhe  “Etnologjia e Shqiptarëve”  të akademik Mark Tirta, “Etnologjia dhe folkori shqiptar” nga Prof. Dr. Agron Xhagolli, punimin dispencial “Ritet dhe këngët e tyre” nga Prof. Dr. Miaser Dibra, artikuj të tjerë shkencorë nga Prof. Dr. Afërdita Onuzi, Prof.as. Dr. Nebi Bardhoshi, Arbnora Dushi, Kadri Halimi, Halil Kajtazi, Albana Velianj, Bledar Kondi, Shefqet Hoxha, Fejzullah Gjabri etj. Gjatë kërkimeve të motivuara për të gjetur arketipin, gërmoja nëpër bibliotekat e Tiranës dhe të Vlorës, vëreja ku shiteshin libra të vjetër, kur fati ma bie në dorë afërsisht ç’kërkoja. Një ish – student nga Vlora, më dhuron një libër, ku, nga kapaku, faqja e titullit dhe kolofoni, bëhet fjalë për monografinë  “Këngë popullore lirike”, Instituti i Shkencave, punuar nga GJ. KOMNINO, Tiranë, 1955, f. 346. Bëhet fjalë për një nga punët e vlerta të  poetit, përkthyesit, antifashistit të orëve të para, atdhetarit, që dhe në burg mblidhte folkorin, intelektualit të persekutuar, profesorit të Letërsisë së Durrësit, Gjergj Komnino. Studiuesja dhe poetja Flora Gjondeda Dervishi, me monografinë “Viset e preme” njeh lexuesit e sotëm dhe studiuesit e rinj me personaliletin e të paharrueshmit Gjergj Komnino, ngritur mbi dy kolona të forta, kolona e parë: Krijimtaria letrare e Gjergj Komninos, me shtatë vepra të  botuara nga Marzocco, Firence në vitet 40-të, si dhe disa materiale dorëshkrimore; si dhe kolona e dytë: veprimtaria kërkimore, në 50 volume me Visaret e Kombit, të mbledhura nga Gjergj Komnino në vitet 1949 -1857, të kyçura në arkivin e Insitutit të Kulturës Popullore, me kodin sekret: AF2. Kur ai punonte si bashkëpunëtor shkencor, në Institutin e Folklorit, në disa nga ekspeditat kërkimore folklorike, ishte me të shoqen Veronikën, si mbledhëse. (edhe ajo e koduar AF3). Një histori e hidhur e jetës së këtij çifti është sa absurd, aq tronditëse: më 1957 u prangosën edhe Gjergji, edhe Veronika 24 vjeçe, me vajzën e vogël dhe përsëri shtatzanë…Në studime dhe botime të ndryshme, për festat parake (ato më të vjetrat, të lashtat), gjejmë cilësime të ndryshme, si Rite Kalendarike, (Tirta), Këngët e Motmotit (Xhagolli), Këngët Rituale (Dibra), Festat Tradicionale (Onuzi), Festat e Vitit (Komnino). Sipas punimeve etnokulturore të Gjergj Komninos, për popullin shqiptar kanë qenë të pranishme Festat e Vitit, nga të cilat, disa prej tyre mbahen mend edhe sot deri tek banorët e moshës 55 apo dhe 50 vjeç. Duke bërë një udhëtim përmes kohëve, kujtesa sociale na sjell festat për Kolendrat, Vitin e Ri, Ditën e Verës, Llazoret, Rusicat, Shëngjergjin dhe Për të rënë shi në verë. Pikërisht për këto festa të vitit marrin informacionin e mjaftueshëm lakonik nga shkrimet e  Gjergj Komninos (1920 – 1996).

KOLENDRAT: Më 23 të dhjetorit bëjnë kolendra. Më 24 është dita e kolendravet. Djemtë, në mbrëmje, mblidhen në një vent, ku këndojnë e lozin gjer në mes të natës. Pastaj venë shtëpi më shtëpi, dhe me një çomiklë ose çomage u bijen dyervet e portavet. Zonja e shtëpisë ngrihet dhe hap portën. Me gjithë që është kohë gjumi nuk zëmërohen se u kanë prishur qetësinë kolendarët, të cilët këndojnë këngën e rastit. Si mbarojnë, zonja e shtëpisë u jep nga një kolendër dhe nga pak gështenja.

VITI I RI: Natën, përpara se të vijë, në Kosovë të Përmetit, grat’ e çdo familjeje gatuajnë një byreksheqer dhe, përpara se të shtrohet darka, venë në çdo vend të shtëpisë duke kënduar: “Olek bolek plot me buk’ e bereqet,/ Me hambarë e me qilarë,/ Me nuse e djem gëzuarë!”. Në Paftal të Beratit mblidhen njerëzit e familjes rreth vatrës, hedhin në zjarr fletë përckash ose kokrra gruri edhe kujtojnë n’atë cast emërin e njërit, p.sh. për NN. Po të hidhet përpjetë përcka ose kokrra e grurit e të kërcasë, tregon se do të gëzojë shëndet të plotë gjithë atë vit; po nuk u hoth përcka a gruri përpjetë tregon të kundërtën. Bëjnë edhe kulaç me brumë të ardhur dhe venë një parà brënda. Darkën e vitit të ri këtë kulaç e presin në aqë pjes sa janë pjesëtarët e familjes dhe të gjithë marrin nga një copë. Kush gjen paranë ai do të ketë fat. Në disa vise bëjnë byrek me trahana e kulaç me vezë dhe ditën e vitit të ri në mëngjes shkojnë në vreshtë dhe rrukullisin çiliminjtë nëpër hardhitë; pastaj presin tri degë hardhi, të cilat i marrin dhe i bëjnë kurorë duke u vënë edhe një llastar ulliri. Vendit të hardhisë ku u pre dega i hedhin verë e i vënë pak byrek me trahana. Kurorën e hardhisë, që e ruajnë jashtë shtëpisë, e hedhin ditën e Ujit të bekuar në krua anë ndonjë rrëke.

DITA E VERËS: Dita e Verës festohet më 14 Mars dhe zgjat dy ditë. Çdo festë fillon që pas drake të ditës së parë. Gjithë njerëzit, po sidomos fëmijët, dalin nëpër fusha, këndojnë, lozin valle, mbledhin lule; djemtë mbledhin edhe dëllinja. Lulet vajzat i vënë nëpër vrimat e murit, nëpër dritoret e nëpër portat. Gjithë pasdrekja shkon duke shëtitur nëpër fusha. Në mbrëmje ndezin dëllinja (bëjnë dumenë). Dumenë e ndezin rreth shtëpisë ose nëpër livadhet pranë; fëmijët hidhen përsipër zjarrit, tundin edhe zile. Kur ndezin dumenë, ndodhen edhe gjithë njerëzit e shtëpisë. Më vonë bëjnë “piligrinë” e në këtë kohë thonë: “piligri, moj piligri, mos dil jashtë, t’i mbush sytë me hi”. Në Kosovë të Përmetit darkën e Ditës së Verës bëjnë gati kuleçët. Në mëngjes pa gdhirë nëna vete në krua, lag kulaçin dhe kthehet me dorjen plot me ujë kroi e me bar të njomë. Me të hyrë në shtëpi, spërkat çdo qoshe që të mos ketë pleshta e çimka gjatë verës. Pastaj u njom fytyrën gjithë njerëzve të shtëpisë që të mos i zënë ethet dhe uron për shumë vjet Ditën e Verës. U jep ëmbëlsira e vezë fëmijve duke u thënë: “qofshi të ëmbël si sheqeri e të bardha si veza”. Para se të gdhihet, nusja e re merr një vezë, pak verë e bukë, rri në oborr dhe, duke përsëritur: “Qofsha e bardhë si veza dhe e kuqe si vera”, ha nga pak bukë e pi pak verë dhe vezën e shkon rreth fytyrës. Në Opar fëmijët, kur ngrihen në mëngjes, prekin me dorë nga një copë hekur, se e kanë për mirë. Ditën e Verës ngrihen të gjithë shumë shpejt dhe duke marrë me vehte kuleçë, vezë, sheqer, mjaltë, venë në krua që të lahen. Në krua thonë tri herë: “Mirë mëngjes, o krua, lashë të ligat dhe mora të mirat”. Edhe kulaçin e lagin tri herë dhe secili e mkafshon tri herë; gjithashtu edhe vezën. Në krua vete çdo djalë me babanë, nënën ose me ndonjë të afërm të shtëpisë. Kulaçi që hanë në krua quhet “kulaçi i kroit”. Kur kthehen nga kroi, u thonë njerëzve të shtëpisë: “mirë mëngjes” dhe këta u përgjigjen: “mirë se na arthtë”. Pastaj përsëri ata që ishin në krua u thonë: “me shëndet, me bereqet”. Në shtëpi fëmijët marrin nga një mollëe nga një lugë sheqer. Bukët në këtë ditë i zënë me qiqër. Fëmijët shëtitin nëpër fshat, venë në çdo shtëpi, ku marrin vezë. Ata i urojnë: “paçi këmbën e mbarë!” Për atë që vete për herën e parë Ditën e Verës në një shtëpi thonë “ na bëri këmbë”. Me vezët që mbledhin fëmijët lozin duke i përpjekur dhe kujt i del veza më e fortë ja merr tjetrit. Ditën e verës fëmijët lyhen me mjaltë në ballë. Të gjithë  vishen me rroba të ra e nuk punojnë gjithë ditën. Duke u bazuar në tekstin”Këngë popullote lirike” Tiranë, 1955, botim i Institutit të Shkencave, punuar nga Gj. Komnino, janë botuar 9 këngë për Ditën e Verës dhe përkatësisht të regjistruara në Shkodër, Lumë, Servan – Skrapar, Shqiptarët e Molizës, Shpat – Elbasan, Këngët Nº. 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9,10, që gjenden në tekst nga f. 266 – 269 këndohen ditën e verës, sipas kërkuesit shkencor Komnino). Po paraqes për lexuesin e “DIELLIT” dy njësi folklorike. E para vjen nga Shkodra: “Tue dalë e duel vera, joho del verë,/ Ti na dalsh me t’mira shumë,/ Ti na dalsh me djem shumë, /Ti na dalsh me nuse shumë, / Ti na dalsh me shtjerra shumë,/ Ti na dalsh me dhen shumë!” Tjetra vjen nga Shpati i Elbasanit: “Lumja ti, moj lulevere,/ Q’ më ke nanën topsheqere;/ Kur të çon, të ledhaton,/ Tyj qafën, moj, të drejton./ Mjera ti, moj manushaqe,/ Q’më ke  njerkën si farmaqe;/ Kur të çon, moj, të dërmon,/ Tyj qafën, moj, të shtrembron” etj.

LLAZORET: Kur vjen pranvera, fëmij në moshë të rritur e bile edhe burra, dalin në mbrëmje vonë, mbasdarke, e shkojnë në çdo derë, duke kërkuar vezë; populli i quan llazorë; kanë dalë llazoret,d.m.th.po vjen pranvera. Sipas librit të cituar më lart të Komninos, janë  4 këngë të botuara për Llazoret dhe pikërisht këngët me nr. 13, 14, 15, 16 , f. 270 – 271, regjistruar në Shingjergj, Pogradec, Jugë dhe ndër Shqiptarët e Greqisë, të cilat banorët i këndojnë në këtë ditë. Po e konkretizojmë me dy këngë: E para ven nga Pogradeci: “Lele, lele, moj llazore,/ Ngaj na hyre, ngaj na dole:/ Nëpër baçe flytyrove,/ Lele, lele, moj, llazore”. Dhe tjetra po nga Shqipëria e Jugut: “O pullumth, o pullumth-o,/ Mos më pe Lazuarë?/ Këtu drejt më shkuanë./ Ndë derë të Zotit-ë/ Ay Zot, se qysh punon:/ Kill e aspër numuron./ Darovit Lazuarë,/ Ashtu dalç gëzuarë!/ Me djathë ndë napëz,/ Me nuse për qafëz./ Sa lule ndë Tomor,/ Aqë nuse ndë obor!/ Sa lule ndë qershi,/ Aqë djem ndëpër shtëpi!”

Për festat e tjera kalendarike, siç janë  Rusicat, Shëngjergji, Për të rënë shi në verë, sipas Gjergj Komninos etj. do të lexoni në numrat që vijojnë

*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë. Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, nje evshtrim mitologjik

Amerikë o vend i bekuar , prite prite ”Skënderbenë ”!…

March 13, 2014 by dgreca

”Sot e perfundova së lexuari ” Kryqtari i fundit – Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Virgjil Kule. Ç´të them ? Duhet te jemi të lumtur qe i kemi të ngriturit si Virgjili e që e shkruajnë historine ashtu si duhet, e nuk mvaremi nga përdredhjet e qëllimta të të huajve. Te lumt Virgjil , që na e dhe knaqesinë e te qenurit pasardhës të Skënderbeut .( fxh)

***

Nga Fahri XHARRA/

”Kur janë mbushur 544 vjet nga vdekja e një prej figurave me te rëndësishme te historisë shqiptare, Skënderbeut, gazetari Virgjil Kule sjell një botim te ri për jetën e heroit tone kombëtar. Edhe pse tashme janë shkruar rreth 600 botime për Gjergj Kastriot Skënderbeun, gazetari Kule ne emisionin “Intervista” thekson se libri “Kryqtari i fundit” synon ti japë një dimension te ri te kësaj figure, jo vetëm si luftëtar, por veçanërisht si politikan e diplomat. Gazetari Kule i cilëson te neveritshme debatet qe zhvillohen rreth figurës se Skënderbeut, e veçanërisht ato qe lidhen me kombësinë e tij, debate qe sipas Kules, i prodhojnë njerëzit e ceket. Skënderbeu vdiq ne 17 janarin e vitin 1468 dhe libri i Virgjil Kules synon te hedhe drite mbi aspekte te jetës se tij, duke filluar nga arsimi ne Turqi, tek kthimi ne Shqipëri, martesa ne moshën 46-vjeçare e deri tek momenti i vdekjes. (Tv “intervista”)

Sa tmerruese është kur nga vetë goja e t`tanëve dalin fjalë që s`i kanë hije një kombi të civilizuar ,për emblemën e shqiptarisë , Skënderbeun. Të pa matur , qëllim keqinj , vetëmohues mundohen të çpikin të pa qena për te , vetëm e vetëm të na zhbëjnë si komb, dhe me një dëshirë të kemi një histori pa heronj . Populli pa histori ,nuk është popull , por është i destinuar që të zhduket. E jo!

Gazetari Virgjil Kule vjen për publikun me botimin e tij të parë “Kryqtari i Fundit”, një libër historik kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. (”Shqip”)  ku sipas tij ” është përpjekur të shpjegojë disa nga domethëniet e veprimeve të Skënderbeut”

”Përderisa ka ende hapësira veprimi për të ashtuquajturit “çmitizues”, mendoj se ende nuk është shkruar mjaftueshëm për Skënderbeun. Mbi të gjitha nuk janë prekur ende sa duhet “indet e buta”, pikërisht ato që i japin zhdërvjelltësi skeletit të njeriut. Ato ndodhen në shumë zona të trupit, por unë jam përpjekur të prek diçka nga truri, nga mekanizmi që prodhonte idetë, planet dhe strategjitë e Gjergj Kastriotit.” thot Virgjili. Ne jemi krenar që ; “Bashkë me ambicjet, aftësitë, talentet dhe, ndoshta, imperfeksionet e veta si qenie njerëzore, Skënderbeu kishte aftësinë jo vetëm për të parë më larg se të tjerët, por edhe për t’i dëshiruar gjërat më fortse të tjerët. Ai nuk synoi të devijonte rrjedhën natyrale të ngjarjeve, por, me veprimtarinë e tij, u bë një interpretues i ndërgjegjshëm pikërisht i asaj rrjedhe natyrale, duke gjetur brenda saj një rol për faktorin arbëror. Ai do t’i vinte të gjitha, si pjesën e vet njerëzore të zakonshme (ambicie, ëndrra etj.), ashtu edhe pjesën e jashtëzakonshme, atë gjeniale (vizion, qëllim, objektiv) në shërbim të nevojave të shoqërisë europiane (ku bënte pjesë edhe populli arbëror) për t’i rezistuar dyndjes osmane. Në këtë proces tejet të mundimshëm Skënderbeu do të kryente aktin madhor të legalizimit në histori të së drejtës së popullit shqiptar për të qenë pjesë e familjes europiane.”

Pikërisht Virgjil Kule në kët libër na i përshkruan vramendjet e Skënderbeut për mënyrën e zbatimit të këtij procesi.Virgjili na e spjegon që “Ka të bëjë me ndërtimin e historisë mbi bazë njësish horizontale kronotopike (kohoro-hapësinore). Si në një skaner që lexon shtresa me trashësi të ndryshme, edhe unë kam bërë prerje të realitetit mbi bazë njësish me “trashësi e shtrirje” vjetore. Pra, duke pasur në qendër të vëmendjes Skënderbeun, kam bërë një prerje horizontale të kohës dhe hapësirës së çdo viti të veprimtarisë së tij, duke lexuar aty, si në sipërfaqen e prerë të një peme të trashë, kompleksitetin e ngjarjeve, lidhjet midis tyre, fenomenet shkak-pasojë, aktorët dhe faktorët etj. Njësia kohoro-hapësinore “vit” përbën kështu hallkën e një zinxhiri me 25 të tillë. Çdo hallkë pastaj qëndron në vendin që i takon, duke i pasur sa më të plota ngjarjet e veta, rolin e Skënderbeut në to, rolet e bashkëkohësve dhe ndërveprimet midis tyre. Kemi të bëjmë me 25 libra më të vegjël (ditarë vjetorë) që nuk mund të radhiten kurrsesi ndryshe. Pra kemi një Skënderbe ngushtësisht kronologjik. Në rast se duam një zinxhir të fortë të historisë është më e frytshme të ndërtojmë hallka të veçanta gjithnjë e më të forta dhe jo thjesht të bashkojmë dy a më shumë zinxhirë të tjerë. E tëra në vetvete është gjithmonë më e përsosur se sa shuma aritmetike e pjesëve të veçanta të saj. ”

Skënderbeu ishte politolog, gjeopolitolog , poliglot , strateg dhe mbi të gjitha Arbër .”Libri më shumë se për ngjarje flet për proçese. Në qendër të tij është një politikan, diplomat, burrë shteti e strateg ushtarak i nivelit shumë të lartë që i drejton këto proçese. Pra nuk janë ngjarjet, por proçeset ato që i flasin të sotmes. Në rrethana historike nga më të ndërlikuarat dhe më të pafavorëshmet për trojet shqiptare, Gjergj Kastrioti hartoi dhe zbatoi një projekt politik të guximshëm, nëpërmjet të cilit i dha mundësi popullit shqiptar që të bënte një kërcim spektakolar në histori dhe të ri-legjitimonte të drejtën e tij për të qenë i pavarur dhe vetvendosës.”( Virgjil Kule ne intervisten dhënë  Muharrem Sfarqës )

Ai për të cilin duhet ngritur një institut studimor më vete dhe duhet gërmuar pafundësisht në dokumentacion – krenaria e vërtetë e kombit tonë, jo thjesht në kuptimin simbolik, por edhe në kuptimin e krijuesit të bazave të një shkolle kombëtare për të ndërtuar respektin ndaj vetes si shqiptarë dhe për t’ia imponuar atë të tjerëve. Në çdo kohë i janë nevojitur shqiptarëve lidera si Skënderbeu, por mjerisht ata kanë qenë shumë të rallë, madje edhe të pakrahasueshëm me figurën komplekse te Skënderbeut.

“Ka popuj në kufijtë e botës së qytetëruar që janë të njohur në përgjithësi në publik vetëm nëpërmjet emrit, por që e meritojnë të njihen më gjerësisht, bazuar në fatet, të bëmat dhe cilësitë që shfaqin.” e këte po e bënë Virgjil Kule

PS: (Virgjil Kule me Skënderbeun e tij do të jete  me :15 mars – Cleveland, 16 mars – TroyMichigan, 21 mars – Filadelfia, 22 mars New York.)

Filed Under: ESSE Tagged With: Fahri Xharra, Kryqtari i fundit, Virgjil Kule

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 97
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT