• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2014

“PAK DRITË ! – MEHR LICHT !”

March 12, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/

 “Në këte kohë në Shqipni, asht turp i madh me kënë jashta burgut!”-                                                                                                  Imz.V.Prennushi, 1946./

Ne Foto: Imzot Vinçenc PRENNUSHI, (4 Shtator 1885 – 19 Mars 1949)

Nga Fritz RADOVANI/

Imz. Vinçenc Prennushi ka lé në Shkodër me 4 shtator 1885, nga prindët Gjon e Drande Prennushi. Mësimet e para i mori në vendlindje. Në seminarin e Troshanit iu kushtue Urdhnit Françeskan. Mësimet e nalta i përfundoi në Tirol të Austrisë. Asht shugurue meshtar me datën 25 mars 1908 dhe si françeskan merr emnin At Vinçenc Prennushi O.F.M. Asht i formuem jo vetëm nga ana fetare, atdhetare dhe kulturore, por zen vend ndër letrarët ma në za të periudhës së Pavarësisë. Shkruen në revistën “Hylli i Dritës”, ”Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout”  sidhe në gazetën “Ora e Maleve”. Me rastin e ngritjës së Flamurit në Kalanë “Rozafat” në Shkodër, me 14 mars 1914, plot 100 vjet perpara mban fjalimin kryesor ku spikati oratoria e Tij. Në librin “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë” jep mendime për një shtet demokratik. At Vinçenci asht kenë Provinçial i Françeskanëve Shqiptar në vitin 1928. Koha e shërbimit si drejtor i Kolegjit Françeskan dhe si Provinçial, ka provue se Ai dinte me drejtue, prandej në vitin 1936, At Vinçenci shugurohet Ipeshkëv i Sapës (Dioçeza e Zadrimës). Në vitin 1940 Ai emnohet Argjipeshkëv i Dioçezës së Durrësit, atëherë kur kryeqyteti i Shqipnisë Tirana përfshihej në Dioçezen e Tij. Nuk duhet lanë pa theksue se mbas vitit 1940, kur asht edhe administrator i Tiranës, Ai kishte përkrah Imz. Luigj Bumçin, Don Shtjefën Kurtin, At Pjetër Meshkallën, At Anton Harapin, At Mati Prennushin, Don Lazër Shantojën, të cilët kanë lanë mbresa të pashlyeshme në jetën e kryeqytetasëve.

Keqsimi i gjendjes shëndetësore të Imz. Bumçit, në vitin 1945 ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht Ky, jo vetëm e kreu me  ndërë detyrën e klerikut të divoçëm, por edhe nuk i la kurrgja mangut Imzot Bumçit edhe në fushën politike dhe, pikërisht, në fazën ma delikate të historisë sonë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo -komunist jugosllav e rus, të vitit 1944.

Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkoder me 26 Maji 1946 dhe arrestimit të Don Mikel Koliqit, famullitar i Shkodres, Imz. Prennushi ngarkohet me detyren e Primatit Katolik të Shqipnisë. Nuk pajtohet asnjëherë me pushtimin komunist.

Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë prezent edhe Imzot Gaspër Thaçi.

Rezultatin e atij takimi e kujtoj edhe unë….ashtusi duhet ta kujtojnë mirë edhe shumë shkodranë moshatarë të mij, ndonse “skleroza komuniste” nuk po i len me folë.

Kur erdhi Enver Hoxha në Shkodër me 16 Shtator 1949, dhe mbajti një fjalim disa orësh në balkonin e pallatit të Prefekturës, ku i rrahu shpatullat “birit të denjë të kllasës puntore të Shkodrës”, “shokut të dashur të tij” Tuk Jakova, kujtoj si tashti se, kur foli për takimin e tij me Ipeshkvijtë, imitoi tue ferkue duert Imzot Prennushin, i cili kishte vdekë që në Mars 1949. Ai shprehi “konsideratën” për Klerin Katolik si agjenturë e Vatikanit, mbasi aty dihej se i kishte ngecë sharra Enver Hoxhës, tek shkëputja nga Papa…

Imz. Prennushi arrestohet me 19 maj 1947, dhe hetimet i bahen në hetuesinë e Durrësit. (Dosja 1245). Me 18 dhjetor 1947, para gjykatës ushtarake të Durrësit, Imzot Prennushi  deklaron pa frikë: “Lufta ime ishte kundër komunistave e partisë komuniste, që ajo të mos egzistonte”…“Nuk i kam ba fashizmit asnjë shërbim”, shënon Imzot Prennushi, dhe i qëndron kësaj fjalë deri në fund. Sigurisht, kjo qëndresë bazohej tek e vërteta dhe ndershmënia. Imzot Prennushi pyetët në hetuesi për shkuemjen e Tij në Misionin amerikan, Ai përgjegjet: “Në Misionin amerikan kam shkue për kryeshndosh për Rusveltin…Në Tiranë në një mbledhje të Klerit kemi diskutue për mbylljen e shkollave, të seminarëve dhe shoqnive fetare si dhe, ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946) Kemi paraqitë në qeveri një memorandum me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga një kopje ua kam çue edhe misionëve amerikane e franceze në Tiranë.”

Imzot Prennushi shpjegon për një takim me gjeneralin Hudgson, kur vizitoi Zyrën Famullitare në Tiranë: “Hudgson ka ardhë me dy oficera. Unë nuk dij frengjisht po dinte Don Shtjefën Kurti. Kemi bisedue mbi çeshtje të përgjithshme por me hollësi nuk më kujtohët se çfarë. Mbas disa ditësh i kam këthye vizitën unë me Don Shtjefnin, në Pallatin e Misionit anglez ku, më kujtohët se më ka pyet për flamurët që mbante populli në rrugët e qytetit dhe më tha: -Ma mirë do të ishte kenë që të gjithë këto flamuj t’i bënin rrobe me veshë fukaratë!Nuk u shpreh mirë për qeverinë, por u tregue i ftoftë.

…Unë (Vinçenc Prennushi) i thojshe popullit kur kishe kontakte me té dhe sidoemos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqet nga komunistat të cilët né na luftojnë deri në zhdukje”.

Me datën 18 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit e përbame nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror kapiten Petrit Hakani, hapin gjyqin kundër të pandehurve:

1.Monsinjor Vinçenc Gjon Prennushi, datlindja 1885, Kryepeshkop i Durrësit, i biri i Gjonit dhe i Drandës, lindë në Shkodër vjeç 63, dënohet me 20 vjet burg…

***

“…E ngarkuan me bajtë trungje  prej rrugës poshtë e te kodrina ku gjindëj burgu. Si Krishti n’ Udhën e Kalvarit  u përpoq tri herë me radhë, por u rrëzue të trija herët pa  shprehë ankim…” Tregon bashkvuejtësi Prof. Arshi Pipa, ndërsa, kush ishte Imzot Vinçenci, tregojnë këta rreshta të deponuem në hetuesi prej Tij me datën 4 shtator 1947: “Vinçenc Prennushi  deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste që të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve.” Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun e Durrësit me 19 mars 1949.

Në revistën “Zani i Shna Ndout”, Janar 1930, në kujtimet e Prennushit, “Nji e stigmatizueme e ditve tona”, në takimin që kishte pasë me Teresa Neumann në Bavari të Gjermanisë, Ajo i ka thanë: “Do të keshë nji aksident rrugor. Do të bahesh Ipeshkëv dhe mbas 13 vjetësh të Ipeshkvisë do të vdesësh Martir i Fesë”.

Dhe, me të vërtetë në atë prag pranvere, kur lulja e Sh’Jozefit shpërthente gonxhët e saj në degët e çveshuna prej acarit të komunizmit, një za dëgjohej në atë errësinë.., në të mekun: “Pak dritë! – Mehr Licht !”… Ishte MARTIRI  I  FESË  Imz. V. Prennushi…

Melbourne, Mars 2014.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, Imzot V Prenushi, Mehr Licht, Pak drite

Në përkujtim të bashkëatdhetarit Ndue Tunë Jakaj (1957-2014)

March 12, 2014 by dgreca

Ditën e marte, më 11 mars 2014, në Spitalin ‘Saint Johns’, Detroit (Michigan), pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit Ndue Jakajt, në moshën 57-vjeçare, duke lënë mbrapa zonjën e tij, dy djem dhe katër vajza./
 nga Tomë Mrijaj/
Në vitin 1957, lindi fëmiu i parë, që do të pagëzohet me respekt në shenjë përkujtimi, me emërin e gjyshit Ndue, në familjen e Jakajve të Ranocit në Kosovë. Ky ishte një gëzim i papërshkruar, për çiftin e ri Tunën e nënën Gjyle, axhallarët: Martinin e Tomën dhe mbarë familjen e madhe të Jakajve.
Ky ishte një lajm shumë i mirëseardhur në Kullën e madhe shumë të mirënjohur të Jakajve, i cili, u përhap sipas zakoneve dhe traditave shqiptare, me krisma pushkësh dhe jehonë shtëpi më shtëpi dhe mal në mal.
Ndoshta, për lexuesit, është mirë të përshkruhet se nga cila familje lindi dhe u rrit ky bir i denjë i Kosovës, i cili, për shumë vite jetoi dhe punoi në Detroit të SHBA-së.
Pse ai, u detyrua të lërë Atdheun e lindjes dhe të marrë udhët e mërgimit të largët në SHBA?!
Vrasjet dhe torturat e njëpanjëshme të ushtruar vijueshmërisht nga kolonizatorët pushtues serbo-malazias- çetnikë, që e goditën familjen e madhe të Jakajve asokohe e gjen vdekjen edhe patrioti i palodhur Pjetër Jaku (1898-1945), i cili, u pushkatua nga pushteti sllavo-komunist në Kullën e Popit në Burim (Istog) në janarin e ftohtë të vitit 1945, me shumë burra të zgjedhur të Kosovës martire.
Familja e madhe e Jakajve, mbeti nën drejtimin e vëllaut të Pjetrit, Ndue Jakut (1896-1948), i cili, vdiq nga torturat çnjerëzore tre vite më vonë…
Për Nduen, filluan ditë të vështira, angazhimi për drejtimin e familjes së madhe dhe gjakmarrja (hakmarrja) për vëllain Pjetrin, i cili, ishte asgjesuar me urdhërin e çetnikut kriminel Radosh Tashiqit, që ishte shumë afër me fshatin Ranoc, ku, jetonte familja Jakaj dhe Koshi, që ishte katundi i ngjitur me Ranocin, ku, ishte kryeçetniku Radosh Toshiqi.
Në fillim të vitit 1945, shumë burra trima të Lugut të Drinit, rrokën pushkët, kundër pushtetit sllavo-komunist, me në krye legjendën e trimërisë patriotin e madh Ndue Përlleshin, i cili, la detyrën e kryetarit të komunës në Budisalcë dhe me vëllezërit e tij Zefin e Hilin e me shumë të tjerë, rrokën pushkët dhe u nisën drejt maleve të lirisë, për të luftuar kundër çetnikëve serbë.
Pjesëtarët e familjes Jakaj, ishin miq me luftëtarin e lirisë Ndue Përlleshin. Kushëriri i parë i Ndout Pren Perlleshi, kishte martuar vajzën e Ndue Jakut, Marqen.
I vëllai i Pjetrit, Ndue Jakaj, u kishte hapur dyert e kullës së njohur antarëve të lirisë të çetave nacionaliste dhe gjithnjë ishte i gatshëm, për t’i furnizuar me armë, veshmbathje, ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme.
Në të njëjtën kohë, kishte ndërhyrë tek miqtë e tij të shumtë, që t’ua hapnin me bujari dyert e shtëpive dhe t’u ndihmonin sa të kenë mundësi çetave vullnetare nacionaliste shqiptare, që kishin rrokur pushkët, për çlirimin e vendit nga pushtuesit serbo-komunist.
Një mbrëmje në kullën e Jakajve, ku, ishte strehuar luftëtari i lirisë antikomunisti Ndue Përlleshi (1908-1949) me çetën e tij, ishte diskutuar çështja e hakmarrjes. Dhe vetë Ndue Jaku, me antarë të tjerë e kishte vënë në shënjestër Radosh Toshiqin si armikun më të madh të familjes dhe krahinës së tij në Lugun e Drinit.
Nuk kaloi shumë kohë e çeta e Ndue Përlleshit, në orët e vona të mbasditës, në katundin Kojavç e vret Radosh Toshiqin, i cili, ishte duke u kthyer nga komuna e Burimit. Në gjoks i lë të vrarit një letër, ndër të cilat, kishte shkruar fjalët: “U ban shum t’fala Pjetër Jakut me shok.”
Historia e shkurtër e vuajtjeve dhe kalvarit
Për familjen e Jakajve, historia e kalvarit të vuajtjeve dhe mundimeve, nuk përfundon me vdekjen e parakohshme të nacionalistit Ndue Jaku. Por kalvari i gjatë e ka zanafillën e vet tek punët e detyrueshme dhe plot mundime, pa pagesë, që u detyruan me dhunë të bëjnë pjesëtarët e kësaj familje.
Në kushte shumë të këqija, në ambientet e punëve të rënda, në mes pyjeve të dendura të Bjeshkëve të Burimit në Rakosh (për prodhimin e lëndëve drusore), humbi jetën në mënyrë tragjike djali i dytë i Ndue Jakut, Gjergji, kur nuk kishte mbushur më shumë se 17 vjeç.
Vdekja në moshë të re e Gjergj Jakut (1932-1949) e shtoi edhe më shumë dhimbjen në familjen Jakaj.
Gjatë periudhës së sundimit të rrëgjimit sllavo-komunist, shumë meshkuj të familjes së madhe patriarkale të Kullës së Jakajve, u detyruan, që për të siguruar mbijetesën e familjes së tyre, të punojnë me orare të zgjatura dhe pagesa të vogla, në shumë vende të ish-Jugosllavisë.
Një nga pjesëtarët më aktiv dhe njëherësh i dhënë shumë mbas historisë së familjes së vet, me dokumente dhe fotografi origjinale,është djali i vogël i Ndue Jakut, nacionalisti dhe anëtar ende sot i Organizatës Nacionaliste Mbarëshqiptare “Balli Kombëtar” në emigracion Tomë Jaku, ndër të tjera kujton:
“Shteti i ri i sapokrijuar mbas vitit 1944, me emërin artificial Jugosllavi, më mori me dhunë njerëzit më të dashur të familjes, që më munguan shumë në jetën time. Të paharruar mbetën për mua babai dhe vëllai Gjergji.
Largimi nga ai vend, ku, përjetova vetëm kujtime të ithta, për mua ishte një rilindje e re.
Me ardhjen time në SHBA, në vitin 1969, menjëherë u radhita në radhët e Ballit Kombëtar, ku, në mënyrë aktive, përmes demonstratave dhe ndihmave financiare e luftova si munda dhe dita atë regjim gjakatar.
Regjimi sllavo-komunist, na privoi nga gjërat më të shtrenjta në jetë, që për mua janë: Prindërit e Atdheu.
Lirimi i Kosovës më 1999, për mua dhe gjithë shqiptarët atdhedashës, është ëndrra e jonë shekullore, që e paguam shumë shtrenjtë me gjakun tonë.
Atje kemi familjet dhe varrezat e të dashurve tanë. Jam shumë i lumtur, që erdhi kjo ditë, t’a shohim Kosovën tonë të lirë.
Ata, që ranë për lirinë e Kosovës pushofshin të qetë, në atë tokë shumë të dëshiruar për çdo shqiptar.”
Historia Kullës së Jakajve
Kulla e Jakajve në këtë krahinë, është një pikë strategjike dhe e lakmuar shpesh, për pozicionin e saj të favorshëm gjegrafik.
Nga lartësia e saj, mund të shikosh në qetësi një pjesë të madhe të Lugut të Drinit. Ajo që të tërheq, për t’a kundruar me kujdes dhe ëndje peisazhin alpin dhe kullën historike, ndërtuar mes kodrave të mbuluar me pemë drufrutore, është se një pjesë e tokave të reja, që janë të qendisura nga gjelbërimi, ku, dora e njerëzve të palodhur, i ka kthyer këto shpate të thepisura në toka bujqësore pjellore.
Në pjesën lindore të Kullës tipike shqiptare (ndërtuar shumë dekada më parë me material guri të latuar dhe tulla të kohës), dikur gjendeshin lisat e gjatë, që i jepnin mjedisit gjeografik klimë të shëndetshme, me verë të nxehtë dhe dimër, mbuluar nga dëbora deri me ardhjen e stinës së pranverës.
Kurse në pjesën jugperëndimore trevën e rrethojnë tokat pjellore (arat) dhe një burim i vogël, që quhet Ranavica, e cila buron nga Malet e Palevës dhe në katundin Zllakuqan bashkohet me lumin Drini i Bardhë.
Në këtë kodër me lartësi mesatare, sot kulla hijeshon mes harlisjes së pemëve të gjata, që në tabanin e tyre janë të veshur me gjelberimin e kullotave alpine, ku, blegërojnë bagëtitë e imta të banorëve të katundit Ranoc.
Kjo kullë në shekullin e kaluar, ka qenë dëshmitare e pandërprerë e historisë, ngjarjeve të njëpasnjëshme, që e kanë shoqëruar të gjithë krahinën e shquar, për qëndresën historike, kundër ushtrive mizore turke dhe ish-kolonizatorëve serbë.
Freskia e ndërtesës alpine, ndërtuar nga të parët e Jakajve, edhe sot ruan konturet e stilit të vjetër alpin, megjithëse ajo është ndërtuar në shekullit XX.
Frengjitë dhe dritaret e ajrosjes, gjenden në të dy katet e saj, duke i dhënë një emër të mirë në të gjithë krahinën e Lugut të Drinit.
Nga burimet e hershme historike të kohës, shohim se kjo kullë, ka qenë përherë një derë bujare, për miqtë dhe vizitorët e shumtë të krahinës dhe përtej saj. Aty kanë gjetur streh, mirëpritje dhe bujari fisnike shqiptare bijtë më të mirë të çetave nacionaliste, që me pushkë në dorë i kanë dol zot fateve të Atdheut.
Dera e njohur e familjes
së madhe të Jakajve
Nga kujtimet e të parëve në odat e moçme të burrave dhe nga ato që më ka treguar im atë Nikollë Pren Mrijaj (1911-1999), mësojmë se Kulla e Jakajve, ka qenë e përbërë nga shumë antarë, një familje tipike shqiptare, që asokohe në histori janë quajtur familje patriarkale.
Ata sëbashku kanë jetuar në të dy katet e kullës, dhe meshkujt e shumtë, janë marrë me administrimin e saj, punët e bujqësisë dhe blegtorisë, kullotjen e dhenve dhe bagëtive të tjera në male dhe stane, gjatë stinës së verës në kullotat e pasura.
Ndërsa vajzat dhe gratë si amvise të mira, kanë mbushë ujë me pagure në burimet e afërta, kanë gatuar dhe sistemuar shtëpinë sapo djemtë janë nisur në punë. Shpesh djemtë dhe burrat e familjes, kanë shkuar në qytet, për të bërë tregti dhe blerë sendet e nevojshme për kullën, kanë marrë pjesë në gëzimet dhe hidherimet e miqve dhe dashamirësve të tyre.
Mikëpritja, kjo traditë e moçme shekullore e shqiptarëve, është përcjellë brez mbas brezi edhe në derën e madhe të Kullës së Jakajve. Aty kanë gjetur bujarinë, besën, burrërinë, traditat dhe zakonet shqiptare shumë njerëz të shquar të Kosovës, të cilët, janë pritur dhe përcjellë sipas zakonit nga familja e Jakajve.
Ardhja e dhunshme
e komunistëve në pushtet
Duhet thënë, se në periudhën historike të viteve 1944-1950, kur lëvizjet kundërkomuniste dhe kundërsllave ishin të vazhdueshme nëpër male, me mbi 50 çeta nacionaliste, që vepronin asokohe në Kosovë, vala e reprezaljeve shfarosëse ose shkombëtarizuese të pushtetarëve të rinj sllavo-komunistë ishte e pamëshirshme, ndaj luftëtarëve dhe familjeve të tyre që me sakrifica i mbështenin ato nëpër male.
Ardhja e çetnikëve të kriminelit të famshëm kundërshqiptar Drazha Mihajloviç, mbi të cilin rëndojnë krimet çnjerëzore, kundër popullsisë së pafajshme shqiptare në Kosovë, e bëri më të fortë rezistencën e nacionalistëve dhe kundërkomunistëve shqiptarë.
Çdo ditë kishte vrasje dhe krime, që çetnikët e përbindshëm sllav bënin mbi familjet shqiptare, në Lugun e Drinit, duke mbërritur edhe në Kullën e Jakajve të Ranocit.
Çetnikët serbë, me ardhjen e pushtetit të tyre komunist i rruan mjekërrat e në ballë vuan yllin komunist të diktatorëve të Rusisë bolshevike.
Një nga ngjarjet më të shëmtuara dhe krimeve kundër njerëzimit, ka mbetur e shënuar në analet e historisë dimri i vitit 1944 dhe fillimi i vitit 1945, kur në muajin janar çetnikët, iu vërsulën shtëpive shqiptare dhe nxorën prej atyre qindra burra më të mirë të vendit dhe i pushkatuan në Kullën e Popit në Burim (Istog).
Nga familja e Jakajve, u pushkatua pa gjyq kryetari i familjes Pjetër Jaku, i cili, qysh herët me shumë burra të shquar të Lugut të Drinit, kishte rënë në sy të çetnikut kriminel Radosh Toshiçi.
Familja Jakaj e posaçërisht Ndue Jaku i Ri (i cili, u nda nga kjo jetë këto ditë), kishte shumë mall për vendlindjen e tij  Kosovën. Ai qëndroi larg vendlindjes vetëm fizikisht, kurse me mend dhe zemër gjithnjë jetonte me Kosovën e dashur, për të cilën, ai bëri aq sa mundi me gjithë shpirt.
Këtë e dëshmojnë edhe ndihmat e pakursyer, që dhanë herë mbas here gjatë fushatës fondmbledhëse, për lirinë e Kosovës familja Jakaj.
Këtë vit, me inisiativën e axhës së tyre Tomë Ndue Jakaj, ata sëbashku dhanë një ndihmë financiare bujare, për ndërtimin e Altarit të Kishës Katolike ‘Shën Gjon Pagëzuesit’, në Zllakuqan të Lugut të Drinit.
Në të ardhmen, rrugën e ndërshme të të atit, do t’a vazhdojnë ndërshmerisht djemtë dhe vajzat e tij, me shumë nipa dhe mbesa.
Pushoftë në paqë!

Filed Under: Featured Tagged With: nderroi jete, Ndue Ttun Jakaj, Tom mrijaj

Dy te vdekur dhe 18 te plagosur ne Harlem, NY

March 12, 2014 by dgreca

Dy gra gjetën vdekjen nga shpërthimi në Nju Jork, nderkohe qe shkon ne 18 numeri i te plagosurve/

Dy gra gjetën vdekjen sot në Nju Jork dhe të paktën 18 persona u plagosën kur një shpërthim masiv shembi dy ndërtesa apartamentesh.
Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio tha se një numër njerëzish figurojnë të humbur megjithëse disa mund të mos kenë qënë në ndërtesë në kohën e shembjes.
Shpërthimi në mëngjes në lagjen Harlem të qytetit, pak pasi një banor në një ndërtesë aty pranë njoftoi se kishte nuhatur gaz natyror.  Kompania e shërbimeve  Consolidated Edison, tha se kishte dërguar dy ekipe në skenën e ngjarjes por ata kishin mbërritur pas shpërthimit.
Një zëdhënës i kompanisë nuk spekuloi të thoshte se shpërthimi ndodhi për arsye të rrjedhjes së gazit.
Më shumë se 200 zjarrëfikës u përgjigjën pas shpërthimit.
Të dyja ndërtesat u shembën deri në themele dhe rrënojat nga shpërthimi mbuluan rrugët në zonën përreth.

Filed Under: Kronike Tagged With: 18 jane plagosur, dy gra vdesin, ne Harlem, nga shperthimi

Nju Jork, digjet nëna shqiptare, shpëton foshnja disa muajshe

March 12, 2014 by dgreca

Komuniteti shqiptarë ka hapur një fond ku kërkojnë që kush ka mundësi të ndihmojë familjen Cekani në këtë moment të vështirë. (http://www.cekanifund.org/) është websajti në ndihmë të familjes Cekani ndërsa apelohet se cdo penny ndihmon në mbështetje të familjes/

Nga BEQIR SINA, New York/

ALBANY NEW YORK : Njoftohet se një nënë e re shqiptare humbi jetën pas djegieve që ajo pësoi si pasojë e rënies së zjarrin në banesën ku ajo jetonte së bashku me familjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Gjatë rënies së zjarrit në banesën familjes Çekani në Adirondack Street në kryeqytetin e New Yorkut,  Albany, ndodhej ZerinaCekani, foshnja e saj disa muajshe dhe vëllai i Zerinës, Johan Cekani, 19 vjeç. I riu arriti të dilte nga dritarja e shtëpisë bashkë me foshnjen, por nuk ia doli dot nëna e bebit e cila u asfiksua nga tymi dhe zjarri gjatë tentativës për të shpëtura fëmijën e saj.

Zjarrfikësit thanë se e nxorrën gruan, por fatkeqësisht për të ishte shumë vonë. Ajo pësoi 75% djegie në mbarë trupin dhe humbi jetën si pasojë e një arresti kardiak në spitalin e Syracuse.

Ndërsa digjet në një banesë, dhe vdes e reja shqiptare, shpëton mrekullisht foshnja. Një ngjarje e rëndë kjo që ka prekur një familje shqiptare, dhe të gjithë komunitetin shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku viktimë e një zjarri në banesë ka mbetur një nënë e re.

Mjetet e shtypit amerikan njoftuan sot se dje në darkë më 11 mars, banesa e familjes Çekani në Adirondack Street në Albany, Nju Jork është përfshirë nga flakët që u përhapën me shpejtësi në mbarë shtëpinë.

Sipas tyre në ato momente në banesë ndodhej Zerina Cekani, foshnja e saj disa muajshe dhe vëllai i Zerinës, Johan Cekani, 19 vjeç. I riu arriti të dilte nga dritarja e shtëpisë bashkë me foshnjen, por nuk ia doli dot nëna e bebit. Zjarrfikësit e nxorrën gruan, por fatkeqësisht për të ishte shumë vonë.

Sipas mjekëve ajo pësoi 75% djegie në mbarë trupin dhe humbi jetën si pasojë e një arresti kardiak në spitalin e Syracuse.

Por, ngjarja ka prekur shqiptarët që jetojnë në Nju Jork. Rritja e foshnjes dhe vëllai 19-vjecar, tepër i ri i Zerinës nuk mund të përballojnë jetesën në kushtet ku ndodhen. Ndaj shqiptarë në SHBA janë organizuar duke ndihmuar financiarisht familjen e prekur në këtë tragjedi.

Ata kanë hapur një fond ku kërkojnë që kush ka mundësi të ndihmojë familjen Cekani në këtë moment të vështirë. (http://www.cekanifund.org/) është websajti në ndihmë të familjes Cekani ndërsa apelohet se cdo penny ndihmon në mbështetje të familjes.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: digjet nena, shpeton vajza

AMERIKA KËRKON DREJTËSI PËR VËLLËZËRIT BYTYQI

March 12, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Me 8 Korrik të këtij viti mbushen 15 vjetë ç’prej kohës që tre shtetas amerikanë, tre sokola trima shqiptaro-amerikanë, tre vëllëzërit e rijnë të familjes Bytyqi, Ylli, Agroni dhe Mehmeti u zhdukën pasi u arrestuan nga policia serbe, ndërsa—në një akt humanitar — po përcillnin disa anëtarë të minoritetit roma të kalonin kufirin për në Serbi, aksidentalisht kaluan në territorin serb dhe u arrestuan.  (Në vitin 1999, ata kishin lënë familjen e tyre në New York dhe së bashku me nja 400-luftëtarë të tjerë shqiptaro-amerikanë në Brigadën e Atlantikut shkuan në Kosovë për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e saj kundër forcave terroriste serbe të Sllobodan Millosheviqit dhe politikës së tij të gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës.)  Zhdukja dhe vrasja barbare e vëllëzërve Bytyqi ndodhi pothuaj menjëherë pasi mori fund ndërhyrja e NATO-s dhe pasi u çlirua Kosova.  Për t’i ra shkurt historisë së tyre të hidhur, për kalimin e kufirit ilegalisht midis Kosovës dhe Serbisë, ata u liruan pas dy javë burg, me urdhër të një gjykatësi serb por, sipas të dhënave, ata nuk dolën kurrë nga burgu dhe për pothuaj dy vjetë askush nuk dijti gjë rreth fatit të tyre.  Sipas të dhënave të zyrtarëve diplomatikë amerikanë të cilët e kanë ndjekur këtë çështje gjatë viteve, vëllëzërit Bytyqi, megjithëse ishin liruar nga burgu me urdhër të një gjykatësi serb, ata nuk u liruan por u morën me forcë nën kontroll nga forcat speciale kriminale të Ministrisë së Mbrendshme të Serbisë dhe pasi u ekzekutuan në mënyrën më barbare, u hodhën në një varrezë masive së bashku me nja 75 shqiptarë të tjerë të vrarë nga Kosova.  Pasi Slobodan Millosheviqi humbi zgjedhjet në vitin 2001, qeveria e re serbe e asaj kohe, “zbuloi” dhe hapi varrin masiv ku ishin hedhur trupat e pajetë të shqiptarve, përfshirë edhe vëllëzërit Bytyqi, trupat e të cilëve më në fund u identifikuan dhe më vonë u sollën për varrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në atdheun e tyre të dytë, të adaptuar.

Gjatë gjithë këtyre viteve që kanë kaluar, Shtetet e Bashkuara, nepërmjet përfaqsuesve të tyre në Beograd dhe në konferenca ndërkombëtare, sidomos në Organizatën për Sigurim dhe Bashkpunim në Europë, me çdo rast, kanë kërkuar nga qeveria serbe që të identifikojë dhe të dënojë kriminelët e Ministrisë së saj të Mbrendshme, të cilët besohet se kanë vrarë tre vëllëzërit e pafajshëm Bytyqi. Deri më sot, Serbia nuk ka identifikuar as nuk ka dënuar asnjë person për këtë krim.

Por rasti i vëllëzërve Bytyqi nuk harrohet në kët anë të Atlantikut. Pothuaj në çdo përvjetor të zhdukjes së tre vëllëzërve Bytyqi, por edhe në raste të tjera, përfaqsues diplomatikë amerikanë dhe anëtarë të Kongresit, kanë vazhduar t’i bëjnë thirrje qeverisë serbe që të tregojë angazhimin e saj serioz për identifikimin dhe dënimin e kriminelëve që vranë vëllëzërit Bytyqi, 15 vjetë më parë.

Kështu ndodhi edhe javën që kaloi, gjatë një seance në Kongresin amerikan mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Përendimor, ku Senatori i shtetit Mariland, Benjamin L. Cardin ngriti çështjen e vëllëzërve Bytyqi, familja e të cilëve ishte e pranishme në seancën dëgjimore të Kongresit amerikan.  Senatori Cardin tha me këtë rast  se “Vëllëzërit Bytyqi u vranë në Serbi nga fundi i vitit 1999.  Ata janë shtetas amerikanë dhe ne kemi vazhduar të kërkojmë llogari se pse deri tani askush nuk është mbajtur përgjegjës për këto vrasje barbare, ndërsa presim që qeveria jonë të bëjë çdo gjë që është e mundur për zbardhjen e kësaj çështjeje”, shtoi senatori amerikan.   Senatori Cardin, në seancën e Kongresit javën që kaloi, iu drejtua Zëvëndës Ndihmës Sekretarit të Shtetit amerikan, Zotit Hoyt Yee me pyetjen se ç’po bëhet për këtë çështje dhe çfarë masash po merren për të çuar drejtsinë në vend për këto vrasje.  Pasi i premtoi Senatorit Cardin se do i dërgojë atij shpjegime me shkrim në lidhje me ato që po bën qeveria serbe në lidhje me këtë çështje, Z. Yee deklaroi qëndrimin zyrtar të Amerikës para Komisionit të Kongresit duke thënë se, “Ne të Departmentit të Shtetit dhe e gjithë qeveria e Shteteve të Bashkuara, si dhe të gjitha agjencitë të cilat janë të shqetësuara dhe të interesuara për këtë çështje, i marrim shumë seriozisht përpjekjet për të siguruar se ata që janë përgjegjës (për vrasjen e vëllëzërve Bytyqi) të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë.”

Zëvëndës Ndihmës Sekretari i Shtetit, vazhdoi duke thënë se, “Ne jemi të përkushtuar që këtë çështje gjithmonë ta fusim në rendin e ditës kur bisedojmë me përfaqsues të qeverisë serbe, dhe çdo herë që na jepet rasti.  Ai njoftoi Kongresin se numri dy i diplomacisë amerikane, Z. William Burns, në takimin e tij të fundit me Kryeministrin serb, drejtësia për vëllëzërit Bytyqi, ishte njëra prej çështjeve kryesore të agjendës së bisedimeve midis dy palëve.  Z. Hoyt Yee siguroi Kongresin dhe anëtarët e familjes Bytyqi, të pranishëm në seancë, mbi ”angazhimin tonë të palëkundur” dhe shtoi se “ne nuk do të pushojmë së kërkuari zgjidhjen e kësaj çështjeje, për derisa të mos jemi siguruar dhe të bindur se drejtësia është çuar në vend” me identifikimin dhe dënimin e atyre që janë përgjegjës për vrasjen e vëllëzërve Bytyqi.

Këto janë angazhime publike personale, nga ana  e zyrtarëve të lartë diplomatikë dhe institucionalë të  Shteteve të Bashkuara, se çështja e vëllëzërve Bytyqi është një çështje me rëndësi nga e cila nivelet më të larta diplomatike të Shteteve të Bashkuara nuk do të heqin dorë, për derisa të gjëndet një zgjidhje dhe për derisa kriminelët e Ministrisë së Mbrendshme të Serbisë, që mendohet se janë përgjegjës për këto vrasje, të  mos jenë identifikuar dhe të dalin para drejtësisë për këtë krim barbar kundër tre të rinjve shqiptaro-amerikanë.

Jeta është e shënjtë dhe e drejta kryesore e njeriut për të ekzistuar, për të jetuar është themelore.  Vrasja e vëllëzërve Bytyqi nga forcat policore serbe ishte shkelja sublime e të drejtës njerëzore për të jetuar.  Shtetet e Bashkuara e kanë traditë, dhe e ndjejnë si obligim moral, për të zbuluar të vërtetën dhe për të çuar të drejtën në vend, sado vonë dhe sa do kohë të marrë, kur është fjala për fatin e qytetarëve të vet, qofshin ata të vrarë e të humbur duke filluar nga Lufta e parë dhe e dytë Botërore, e deri tek Lufta e Vjetnamit dhe nga luftërat e kohëve të fundit.  Kjo traditë amerikane duhet të na japë shpresë dhe të na bindë se qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka vendosë që identifikimi dhe dënimi i vrasësve barbarë të vëllëzërve Bytyqi, të jetë një prioritet kryesor në marrëdhënjet me Serbinë.  Njëkohësisht mund të mbështetemi në besimin se Washingtoni zyrtar nuk do të pushojë së punuari në këtë drejtim, për derisa drejtësia nuk është çuar në vend dhe për derisa Shtetet e Bashkuara, familja Bytyqi dhe komuniteti shqiptaro-amerikan nuk janë të kënaqur me status quonë në këtë rast dhe kërkojnë llogari dhe përgjigje nga nivelet më të larta të qeverisë serbe. Në një rezolutë të fund-vitit të kaluar, e në të cilën shprehej ndjenja e Kongresit në lidhje me vrasjen e vëllëzërve Bytyqi, thuhej se “përparimi ose mungesa e përparimit mbi këtë çështje duhet të mbetet një faktor me rëndësi në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënjeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë.”

Muaji Korrik që po vjen shënon 15-vjetorin e zi të vrasjes barbare të tre vëllëzërve Bytyqi.  Le të shërbejë ky përvjetor si një rast — që nepërmjet angazhimit dhe influencës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës — të mbahet lartë niveli i presioneve diplomatike ndaj Serbisë, me qëllim që ajo të angazhohet për identifikimin dhe dënimin e vrasësëve.  Dhe njëkohësisht –t’i kujtohet pa ndërprerje Beogradit, nga nivelet më të larta të Shteteve të Bashkuara siç ishte seanca e Kongresit javën e kaluar, se Amerika, familja Bytyqi, dhe besoj se edhe komuniteti shqiptaro-amerikan, nuk do të pranojnë kurrë që këto vrasje të kalojnë në harresë dhe se as nuk do të pajtohen kurrë që vrasësit e Yllit, Agronit dhe Mehmet Bytyqit, të mos identifikohen dhe të mos sillen para gjyqit, për t’u përballur më në fund me drejtësinë.  Zyrtarët më të lartë amerikanë janë shprehur vazhdimisht se drejtësia për vëllëzërit Bytyqi është një angazhim i patundur i qeverisë dhe i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë 15-vjetor të vrasjes së tyre, ky duhet të jetë gjithashtu edhe zotimi i komunitetit shqiptaro-amerikan, që nepërmjet përfaqsuesve të tij në Kongres dhe në kontaktet me entet përkatëse të qeverisë amerikane, vrasja e vëllëzërve Bytyqi të mos harrohet dhe të këmbëngulet që vrasësit e tre shtetasve amerikanë të identifikohen dhe të dënohen për krimin e tyre.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Amerika kerkon, Bytyci, drejtesi, Frank shkreli, per vellezerit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 97
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT