• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2014

Ndeshja me Senegalin, hap i madh drejt ndërkombëtarizimit të sportit kosovar

March 28, 2014 by dgreca

PRISHTINË/  Ndeshja me Senegalin është hap i madh drejt ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, tha sot ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka pritur në takim sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Senegalit, Amadou Kebe.

Gjatë takimit, ministri Hoxhaj e informoi Kebe për progresin në Kosovë, fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar. Ministri Hoxhaj, vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve si dhe theksoi vullnetin për zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit.

Duke iu referuar njoftimit për zyrtarizmin e ndeshjes miqësore në futboll ndërmjet Kosovës dhe Senegalit, Hoxhaj ka falënderuar Qeverinë e këtij shteti për përkrahjen që ka dhënë për mundësimin e kësaj ndeshje dhe për vullnetin për bashkëpunim ndërmjet dy shteteve në fushat e ndryshme.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Senegalit, Amadou Kebe falënderoi ministrin Hoxhaj për gatishmërinë dhe për bashkëpunim e ofruar, duke shprehur kënaqësinë që ekipet kombëtare të dy vendeve në futboll do të zhvillojnë ndeshje miqësore. Ai ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë të ministrit të Jashtëm të Senegalit me ftesë të ministrit Hoxhaj.

Pas takimit, sekretari i përgjithshëm i MPJ-së së Kosovës, Albert Prenkaj, dhe homologu i tij nga Senegali, Amadou Kebe, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi si dhe është bërë e ditur se do të pasojë edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve të tjera përfshirë edhe memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet dy akademive diplomatike, të cilat do të nënshkruhen gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm senegalez në Prishtinë

Filed Under: Rajon Tagged With: Kosove-Senegal, ndeshja e radhes

John McCain kërkon armatosjen e ukrainasve

March 28, 2014 by dgreca

UASHINGTON  – NATO-ja dhe SHBA-ja duhet t’i dërgojnë armë ushtrisë ukrainase sa më shpejt të jetë e mundur për të penguar një pushtim të pjesës lindore nga Rusia, deklaruan sot dy kongresmenë amerikanëme influencë, ku njëri prej tyre është John McCain.

“Ne i kërkojmë presidnetit Obama, në bashkëpunim me aleatët tanë të NATO-s, që t’i përgjigjemi menjëherë kërkesës për asistencë ushtarake të lëshuar nga qeveria ukrainase”, kanë shkruar John McCain dhe kolegu i tij Lindsey Graham në një komunikatë.
Ndihma, sipas tyre, duhet të përfshijë armë të lehta, municione, sisteme mbrojtëse, sisteme antitank dhe antiajrore, pajisje mbrojtëse dhe një bashkëpunim në fushën e informimit./

Filed Under: Rajon Tagged With: armatosjen, e ukrainasve, John McCain kërkon

Ish-kundërshtari i NATO-s, në krye të Aleancës së Atlantikut Verior

March 28, 2014 by dgreca

OSLO – I emëruar sekretar i përgjithshëm i NATO-s, ish-kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg, ka hedhur hapat e tij të parë në një organizëm radikal kundër aleancës, përpara se të bëhej kampion i konsensusit të marrëdhënieve të mira me rusët, që mbizotërojnë edhe sot.

Ekonomist në profesion, Stoltenberg, 55 vjeç, nuk ka pasur ndonjëherë prirje të veçantë për çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë por 10 vite të kaluara në krye të qeverive të ndryshme atij i kanë dhënë një bllok me adresa ndërkombëtare shumë të sakta duke sprovuar edhe artin e të negociuarit.
Kreu i parë i NATO-s i dalë nga një vend kufitar me Rusinë, ish-kryeministri norvegjez ka marrëdhënie të mira me Moskën, një element shumë i rëndësishëm në një moment kur kriza e Krimesë rrezikon të sjellë tensione të krahasueshme me Luftën e Ftohtë.
Nën autoritetin e tij, norvegjezët dhe rusët kanë arritur marrëveshje të rëndësishme për përcaktimin e kufijve të tyre në detin Barenc dhe heqjen e vizave për dy popullsitë fqinje.
“Eksperienca e Stoltenbergut dhe e Norvegjisë si fqinje e Rusisë, me siguri do të jetë e nevojshme”, vlerëson gazeta norvegjeze “Aftenposten”.
“Por natyra e marrëdhënieve që Perëndimi duhet të ketë me Rusinë vendoset në vende të tjera dhe jo në organet e NATO-s”, shton e përditshmja norvegjeze duke iu referuar BE-së dhe mbi të gjitha Uashingtonit.
Kur ishte i ri, Jens Stoltenberg ishte kundërshtar i NATO-s dhe BE-së, dy organizata këto për të cilat ai më vonë u kthye në përkrahës.
Kur ishte adoleshent, me flokë të gjata, ai godiste me gurë ambasadën e SHBA-së si protestë ndaj bombardimeve në Haipong (Vietnam) nga “US Air Force” në vitin 1973.
Në vitin 1985, ai bëhet kryetar i Rinisë Punëtore e cila kërkonte daljen e Norvegjisë nga NATO-ja. Por nën udhëheqjen e tij kjo lëvizje më vonë u bashkua me Aleancën e Atlantikut Verior.
“Me sa duket idetë e tij radikale u venitën pak e nga pak me kohën por që nuk janë zhdukur krejtësisht”, shkruhej këtë javë në gazetën “Wall Street Journal”.
“Ministri Stoltenberg kishte protestuar kundër provave bërthamore franceze në Mururoa duke marrë pjesë në një stafetë me biçikleta Oslo-Paris në vitin 1995″, kujton gazeta konservatore amerikane.

Nuk është një “Skifter”

I lindur në një familje të përfshirë në politike, babai ishte ministër i Mbrojtjes dhe më pas i Punëve të Jashtme ndërsa nëna Sekretare e Shtetit. Jens Stoltenberg, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, ia ka dedikuar karrierën e tij politikës.
Deputet në vitin 1991, ministër i Energjisë dhe më pas i Financave, ky njeri elegant me sy bojqielli u bë në vitin 2000, një ditë pasi mbushi 41 vjeç, kreu më i ri i një qeverie norvegjeze. Një pozicion të cilin do e mbajë për një kohë të shkurtër por që do e rimarrë sërish nga viti 2005 deri në tetorin e kaluar.
Nën drejtimin e tij, mbretëria nordike do të marrë pjesë në luftën në Afganistan dhe në sulmet ajrore kundër Libisë së Muamar Kadafit.
Vend ku traditat pacifiste bashkëjetojnë më së miri me kulturën atlantiste, Norvegjia është, falë burimeve naftëmbajtëse, një nga të rrallët anëtarë të Aleancës që rrit buxhetin e saj për mbrojtjen kur të tjerët e ulin atë për shkak të krizës.
Shumë popullor në vendin e tij, Stoltenberg habiti të gjithë botën kur bërri thirrje që t’i kundërvihemi me më shumë demokraci dhe më shumë humanizëm sulmeve ekstremiste të Anders Behring Breivik, i cili vrau 77 persona më 22 korrik 2011.
I sprovuar me negociatat e vështira, ai është bërë mjeshtër i artit të kompromisit në atë pikë sa disa të afërm të tij deklarojnë se i bën dalje konflikteve.
“Askush nuk shikon tek Jens Stoltenberg një ‘Skifter’ në çështjet e politikave të sigurisë”, deklaron Gunnar Stavrum, një komentator i gazetës në internet “Nettavisen”.
Sipas tij, “zgjedhja e Jens Stoltenberg tregon se në një moment të intesifikimit të konflikteve ndërkombëtare, fuqitë e mëdha të NATO-s shpresojnë të kenë një sekretar të përgjithshëm që arrin kompromise”./

 

Filed Under: Rajon Tagged With: Ish-kundërshtari i NATO-s, në krye të Aleancës, së Atlantikut Verior

FOTOGRAFI QË MË SJELLIN VASIL LOGON ‘96…

March 28, 2014 by dgreca

*Homazh për një njeri që bëri vend e mbeti në shpirtin e mërgatës shqiptare në Greqi/

* Vasil Logo nuk është më. Vasil Logon e përcollën pardje për në vendlindje, në Përmetin e tij që diti t’a nderojë, që diti t’i këndojë…/

Atë ditë,  e dielë 11 gusht 1996, në skicëditarin tim kisha shënuar…
“…Sot  kam ndjerë kënaqësinë më të madhe gjatë qëndrimit në Greqi. U takova me A. Zholin dhe një grup shqiptarësh emigrantë midis të cilëve Tomor Toporen dhe një grupi tjetër shqiptarësh nga Tepelena e Përmeti. Katër orë në “Klubin e shqiptarëve” në Omonia ishin si katër minuta të shtrenjta midis miqësh”.
Nga 21 korriku kur lash mbrapa vendlindjen në një “ikje natën”, ikje fshehurazi për t’i shpëtuar kërcënimit të hapur “O mbyll gojën ose…!” kishin kaluar trijavë në fund të të cilave gjeta fijet lidhëse me mërgatën shqiptare në Athinë, fije që do të endnin në vite pëlhurën e gjatë të mërgimit pa kufi.
Lokali ku mblidheshin shqiptarët ato ditë ishte një përdheskë në Likurgu 9, një kërcim tre hapësh larg nga Omonia. Albert Zholi, emrin e të cilit e kisha lexuar shumë herë në Zëri i Popullit ku punoja deri ditën e mërgimit, zë i fortë i halleve të mërgimtarëve në Athinë, drejtonte Shoqatën e Emigrantëve Shqiptarë, anëtar i së cilës do të bëhesha me dëshirë duke paguar edhe njëmijëdhrahmijshin e kuotizacionit.
Atë ditë bëra disa fotografi me aparatin tim “Praktica”, fotografi brenda në lokal dhe në qendër të Omonias.
Njerës i vura diciturën “Ku e lamë e ku na mbeti, vaj vatani e mjerë mileti!”.  Katër vetë ku përpara kanë tri shishe të boshatisura pije të butë, një paketë cigaresh gjysmë e hapur, një filxhan kafeje në harresë. Buzëqeshjen ua ka marrë brenga për mëmëdhenë, brenga për të nesërmen e një jete të panjohur pa truall e pashpirt. Në të djathtë të fotografisë në gjysmë profil është  Vaskë Logo…
Fotografia e dytë, ku jam edhe unë, më vjen e qeshur, një buzëqeshje që  megjithatë nuk arrin ta mbulojë brengën e të qenit jo thjesht larg atdheut.
Fotografia e tretë është bërë jashtë, të pestë; Kliti Roshi, Tomorr Topore, Albert Zholi, Abdurahim Ashiku dhe Vasil Logo bashkë, në një kujtim të paharruar…
Nuk është herae parë që i përcjell në publikun e madh të mërgatës shqiptare në Greqi këto foto, si dokumente të atij viti dhe të asaj ngjarjeje që shtoi marramendshëm ikjen biblike shqiptare, ikje që nisi të nesërmen e 26 majit ‘96 për të vazhduar të pasnesërmen e vitit të mjerë ‘97.
Kësaj radhe  këto foto po i ripërcjell me një brengë, me një dhembje për një njeri që e njoha më 11 gusht 1996 e që mbeti jo vetëm në kujtesën e albumit tim fotografik por edhe në kujtesën time shpirtërore.
Vasil Logo nuk është më. Vasil Logon e përcollën pardje për në vendlindje, në Përmetin e tij që diti t’a nderojë, që diti t’i këndojë…
Vasil Logo në kujtesën time mbeti si enciklopedia më e plotë e pasqyrimit filmik e fotografik të jetës së mërgimtarëve në Greqi, e jetës dhe e aktivitetit të shoqatave e grupimeve në emigrim, e jetës së individëve të suksesëshëm në Athinë e më gjerë.
Mbase, po ti bashkojmë tërë filmimet e Vasil Logos, gjatësia e tyre do të kalonte kufirin për t’u ndalur e prehur bashkë me të në Përmet.
Mbase dikush do t’i bashkojë për të na dhënë atë që mortja e mori në kulmin e krijimtarisë, pa i dhënë kohë që të na e jepte vetë Vasil Logo në një koktej rrethuar nga miq e dashamirë.
Trupi i Vasil Logos tash është bërë pjesë e dheut të vendlindjes.
Shpirti i Vasil Logos është këtu, mes nesh, sot e mot…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 28 mars 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: TRI FOTOGRAFI QË MË SJELLIN, VASIL LOGON ‘96…

RAHILE LUZAJ: KUR MË DËRGUAN NË SHTËPI, NËNA U TMERRUA SE DUART M’ I KISHIN GJAKOSUR…

March 28, 2014 by dgreca

Ka ndërruar jetë Rahile Luzaj (Caushaj), motra e Prof. Dr. Isuf Luzajt/

Nga Zyba Hysen Hysa/

“Rahile Luzaj (Caushaj), ka lindur në 27 shkurt 1927 në Kaninë dhe ndërroi jetë më 27 mars 2014. Ashtu siç u burgosën, internuan, apo u detyruan të arratiseshin shumë pjesëtarë tjerë të kësaj familjeje patriote, edhe Rahileja, përveç diskriminimit politik, ajo provoi dhe tortura çnjerëzore në hetuesi dhe burgje. “U dënua në 1952 me 10 vjet burg, nga të cilat bëri 5 vjet. Akuza e saj ishte se i kishte dhënë një makinë shkrimi grupit që ishte lidhur me të burgosurit për hapjen e burgut. Këtë makinë ia kishte dhënë Reshat Agaj, i cili punonte te gazeta “Bashkimi”. (Fari Shaskaj: “Të Quajtur Armiq të Popullit” – Krimi komunist në Vlorë)

Futem në korridor dhe kaloj një dhome, më pas në një tjetër, ku Rahileja ishte shtrirë në një divan. Ajo dukej si një lule e këputur, por sapo më pa që u futa dhe i shkova pranë, u ngrit ndenjur, më përqafoi dhe ashtu e përqafuar më pyeti se kush isha dhe pse kisha ardhur. Kur unë i thashë se kam ardhur për të biseduar në lidhje me Isufin, se jam duke shkruar një libër biografik, ajo më shtrëngoi më fort… më largoi pak dhe më puthi në ballë, veprim që e bënte nëna ime, sa herë që unë shkoja për ta takuar. Ajo nuk u shtri më në divan, u mbështet dhe u duk më e freskët në fytyrë, si lule e këputur, kur e vendosim në vazo dhe i hedhim ujë.

–          Kush më flet për Isufin, unë e kam shpirt, – tha e përlotur.  – Ai që kujton të

vdekurit, që shkruan për të ikurit, ka shpirt të pastër dhe zoti e ndihmon.

–          Ai meriton shumë më shumë, zonjë, – i thashë duke ia marrë duart mes duarve të

mia e duke ia shtёrnguar me dashuri.

–          Pse nuk e duan Isufin këtu në Vlorë? – tha ajo.

–          Se nuk kanë sy ta dallojnë se cili ka qënë dhe çfarë pasurie i ka lënë kombit tonë…

–          E di si më ka thënë një herë Isufi: “Mos u mërzit për jetën time, do gjendet një njeri, ndofta dhe i panjohur, ndofta

edhe nga një fshat i prapambetur që do ta nxjerrë të drejtën time në shesh.” – Ai ishte parashikues. Kur ishim në Gjirokastër, ka qënë në vitin 1993, mori djalin tim në telefon dhe bisedoi gjatë. Kur e mori për herë të tretë i tha: “Ti do bësh karrierë, por jo tani, pas vitit 2013” dhe djali im tani u gradua dhe është me punë të mirë në Tiranë. Po kështu dhe në takimin me Enver Hoxhën: “Jam i sigurt, ju do ta fitoni këtë luftë… Unë nuk kam frikë dhe as turp siç thua ti, shok i mirë, por nuk bashkohem me ty. Unë kam turp nga ndërgjegjja ime që nuk beson në ideologjinë Marksiste – Leniniste, si zhvillimi më i mirë i jetës së popujve”

–          Keni të drejtë, unë sa herë lexoj librat e tij shoh dritën e së vërtetës, marr energji

dhe guxim për të çuar deri në fund çdo gjë, duke pasur besim në vetvete, duke iu shmangur frikës përpara të panjohurës…

Erdhi nusja e shtëpisë dhe u bë një ndërprerje e bisedës dhe unë pushtova me sy portretin e saj. O Zot! Portret nëne, të një nëne të vuajtur, por që vuajtjet nuk e kanë ligështuar, por fisnikëruar më tepër. Flokët e bardhë, ajo fytyra e fikur, por e dashur, ata sytë e saj të vegjël, por tepër ekspresivë, ku përmes shikimit i foli nuses dhe tavolina u mbush me fruta, se qerasjen e bëri gruaja që më hapi derën. Ashtu siç bëjnë nënat, edhe ajo më thoshte shpesh “Njome gojën me një mandarinë” Nuk e di më pushtoi një dhembje koke e befasishme dhe kërkova një aspirinë. “

–          Mbase nuk ke ngrënë bukë”, – më tha.

M’u drodh shpirti se më shumë më dërgoi tek nëna ime, që fjalën e parë kur shkoja ishte: “Eja dhe ha bukë”, por e mblodha veten dhe fillova përsëri bisedën, pa i thënë, se do të bëjmë intervistë.

–          Kur e keni takuar Isufin për herë të parë pas ndarjes së gjatë?

–          Eh! – psherëtiu ajo, sikur të nxirrte diçka që i merrte frymën dhe pas pak

përpëliti sytë e njomur duke më shikuar drejt e në sy, filloi të fliste: – Ka qenë viti 1993, kur unë kam shkuar për herë të parë në Amerikë dhe takova vëllanë, atë vëlla që më ka dashur shumë. Kujtoj tani, se, kur mbusha 11 vjeç, më bleu këpucë me pak takë dhe më veshi me pallto të mirë. Sa herë që do blija diçka, apo do provoja tek rrobaqepësja, ai do vinte të më shikonte, kemi qënë shumë të afruar bashkë.

–          Më falni, nëse u bëjnë dëm kujtimet, se vërtet janë të pashlyeshme, por do

doja të dija më shumë në lidhje me takimin tuaj në Amerikë… Si ka qenë për ty dhe për Profesorin?

–          Ishim të malluar, por ai ishte shumë i vetëm… i vetmuar. Ai pothuaj nuk dilte fare.

Aq sa ndenja unë, ai doli 2 – 3 herë vetëm për të më shëtitur mua dhe në shtëpi nuk pashë asnjë që të vinte. Unë e merakosur e pyesja shpesh që pse nuk vijnë miqtë dhe shokët? Ai më jepte si përgjigje se: “Miqtë e mi janë filozofët më të mëdhenj të botes dhe këta janë librat…” pra kishte vetëm librat. Ai vetëm lexonte dhe shkruante, Isufi kishte marrë dekoratë nga Amerika dhe atë dekoratë e kam unë, – tha dhe u ngrit e shkoi për ta marrë.

U kthye e trishtuar, se nuk e kishte gjetur, por gruaja që më hapi derën pas pak e solli.

–          Ja, kjo është dekorata e Isufit, vëllait tim dhe unë e ruaj si gjë të shenjtë. Na e

kërkuan një herë, kur do të dekorohej, por ishte vetëm fjalë, ata kurrë nuk u interesuan ta marrin, as që t’i bëjnë fotokopje, – tha dhe sytë filluan këngën e tyre të përhershme.

–          Mos u shqetësoni, zonjë,  ata nuk kishin se si e merrnin, se ajo dekoratë ishte

mbi të gjitha dekoratat që mund t’i jepnin Isufit dhe ata nuk donin që Isufi të ishte mbi ta, ai meriton “Nder i Kombit” se nuk mund të barazohet një folklorist, apo me një si unë, një shkrimtare rastësore me të Madhin Isuf Luzaj. Mos u shqetëso, Isufi është shumë lart, asnjë nga këta që kërkojmë ta vlerësojë nuk mund të arrijë deri atje,  ku është ai, për ta dalluar e jo më për ta vlerësuar, ai është i vlerësuar, këta vetëm duhet ta pranojnë, po kush do ta pranojë? Si do ta pranojnë? Nëse do ndodhte kjo, shkëlqimi i tyre i rremë do të “ndriçonte” si thëngjill i shuar.

Unë kam qenë prezent në sallë atë ditë që u dhanë dekorimet dhe u trondita shumë. Shkova në shtëpi dhe bëra një shkrim me titull “Paradoks” dhe e nisa për botim si zakonisht tek gazeta “Dielli” në Amerikë dhe në gazetat shqiptare, por asnjë nuk e botoi. Kjo është “fjala e lirë” tek ne, gjithsesi, unë e kam atë shkrim dhe do t’i vijë koha…

–          O, të lumtë goja, moj bijë… që më flet ato fjalë për vëllanë tim… më ke shtuar jetën!

Ai nuk ka vetëm veprat për të cilën është dekoruar në Amerikë, por shteti ynë duhet ta dekorojë për veprimtarinë e tij patriotike, në shërbim të atdheut. Nuk kam dëgjuar të flasë njeri sesi e priti Isufi 7 prillin 1939. Në atë kohë ai ishte profesor në shkollën “Tregtare”. Isufi e priti me luftë Italinë. Bashkë me Rrapo Çelon nga Sevasteri dhe  djem të tjerë po nga Sevasteri i bënë pritë Italisë tek Moli. Aty u vra një italian dhe një shqiptar.

Më pas tek shkolla “Tregtare” shkoi komisioni italian dhe urdhëroi të grisnin flamurin shqiptar dhe të ngrinin atë italian, por Isufi nuk pranoi dhe organizoi nxënësit për revoltë. Isufi doli para dhe tha: “Të ngremë flamurin shqiptar dhe të grisim flamurin italian!” Ashtu u bë, nxënësit të revoltuar e shqyen flamurin italian dhe ngritën flamurin tonë. Atëherë u bënë arrestime dhe morën Isufin bashkë me disa nxënës, por më pas u liruan.

Më vonë, pas demonstratës së 28 nëntorit të vitit 1939, italianët studiuan gjithë personat kundërshtarë dhe Isufin e arrestuan, ku krahas tjerave, e akuzuan për vrasjen e oficerit italian në pritën që u bë në mol, si dhe organizator i revoltës në shkollë e më pas të protestave mbarë popullore në Vlorë. I mbajtën 8 ditë në burgun e Vlorës e më pas transferohen në burgun e Tiranë, të Durrësit, më pas në Brinndisi të Italisë. Prej aty i dërguan në Gaeta e prej andej në Ventotene , që ishte ishull i Italisë.

–          Kam dëgjuar e lexuar për këto burgime të patriotëve shqiptarë në këtë ishull, por

nëse u kujtohet, gjatë asaj kohe që Isufi ishte në Ventotene, shkoi njeri nga familja për ta takuar?

–          Pas dy vjetësh, shkuam në Romë familjarisht, unë, vëllai, (Irfaimi) nusja me gjithë

tre fëmijët, por autoritetet nuk na dhanë të drejtën për të shkuar ta takonim. Atëherë vëllai shkoi dhe takoi një mik dhe ai e mësoi që të shkonim në Gaeta dhe atje të bënim një kërkesë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në fund të shkruante emrin e tij e pas të shkruante “fashist”, se ndryshe kurrë nuk do e takonim.

Ashtu bëmë dhe lejuan tre vetë, por përsëri me ndërhyrjen e të njohurit realizuam që të shkonim të gjithë. Atje vetëm një herë në javë shkonte trageti që merrte ushqime, ujë dhe vizitorët që takonin të burgosurit. Ky traget shkonte çdo ditë të martë, kështu na u desh të prisnim dhe dy ditë e më pas hipëm tragetit dhe shkuam.

Në ishull ishte vetëm burgu dhe tri shtëpi. Kur shkonin vizitorë (çdo udhëtim dërgonte familjarë vetëm për një të burgosur, se atje nuk kishe ku të rrije), kështu njëra nga tri shtëpitë lirohej dhe ne qëndruam me qira. Ishte si rregull që të rrinim vetëm një jave, pra deri të martën tjetër, por ishte dhe një rregull tjetër, nëse sëmureshin familjarët, nuk i nxirrnin nga ishulli pa u shëruar, ndaj ne qëndruam plot 5 javë, se u sëmurën fëmijët. Të 5 javët, Isufi ndenji me ne, kishim një shtëpi me dy kate dhe dy policë rrinin tek dera e katit parë dhe dy policë në katin e dytë dhe çdo mëngjes, Isufi shkonte dhe paraqitej tek burgu e kthehej përsëri.

–          Gjatë kohës që ndenjët atje, u tha ndonjë gjë se me kë ishte në burg, apo ndonjë

bisedë tjetër çfarë të kujtohet?

–          Isufi kurrë nuk fliste me ne gratë për problemet e tij politike, nuk mbaj mend që

të ketë bërë biseda të tilla.

–          Si mundi të dilte nga burgu dhe sa vjet ishte dënuar?

–          Unë nuk e di sa ishte dënuar, por di që e nxori Ministri i Arsimit të atëhershëm,

Ernest Koliqi, i cili kishte qenë profesor i gjimnazit të Shkodrës, kur Isufi ishte nxënës dhe kishte respekt të veçantë për të, se ka qenë me rezultate të larta. Pasi erdhi, ndenji një muaj në shtëpi dhe doli në ilegalitet.

Kujtimet e hershme m’u duk sikur e lodhën, ndaj i kërkova ndjesë që e bëra të shkonte edhe një herë në ato vite të vështira.  Ajo më shikoi me ata sy ëndërrimtarë, si të një poeteje, që kurrë nuk mundi të nxirrte krahët e poezisë për ta nisur në fluturimin e lirë. Loti kishte endur njomështinë e tij tej e tej, si për ta ngushëlluar, por që u jepte vezullim hënor, largoi përhumbjen dhe më tha:

– Zonjë, sot është dita më e lumtur për mua, se kush më flet për tim vëlla, Isufin, unë e kam këtu! – tha ajo duke rrahur gjoksin fort, për të lënë të kuptoja, se më kishte në zemër.

Një grua, që mbi supet e saj kishte mbajtur pesha të rënda, më të rënda se malet e ajo sot kishte kurajë të fliste dhe të ishte krenare për çka kishte duruar nga armiqtë e popullit, se ishte e qartë përse kishte vuajtur. Nuk ishte ajo fajtore, as Isufi, por ishte koha pa kohë të mirë për popullin dhe atdheun. Ajo kohë që vriste patriotët në vend të armikut, ajo kohë që verboi injorantët, nxiti epshet egoiste të karrierës së pandershme duke sakrifikuar interesat e kombit e për t’i bërë këto, vrau, internoi, persekutoi e burgosi fisnikët patriotë duke i cilësuar: hajdutë, kriminelë, armiq…

Më në fund u ngrita për të ikur. Përsëri ajo më puthi në ballë e unë ju derdha në qafë si të kisha në krahë nënën time. Po ta kisha gjallë, ajo do të ishte më e re se Rahileja, por vdekja nuk pyet… U përlota dhe dola për të shkuar përsëri një ditë tjetër…

Erdhi e shtuna. Tani rrugën e dija dhe bleva një lëng frutash dhe shkova. Nuk e gjeta tek dhoma ku rrinte zakonisht. U ula dhe po prisja me shpresë që të ishte mirë e të vazhdonim bisedën. Nusja e shtëpisë, një vajzë e qetë dhe e matur, më qetësoi duke më thonë se do të vinte. Dhe… erdhi. Ashtu e paktë, por plot dritë në sy, me një buzëqeshje nëne, erdhi e më përqafoi.

Po ta dijë njeriu se sa do t’i mungojë një përqafim nëne, kurrë nuk do reshte së përqafuari kohë e pa kohë, sa herë që ta kishte pranë nënën e tij. Ajo kohë na rriti të marrë, se na marrosi diktatura, na shkriu dashuritë, për të dashur Partinë, na vrau vëllazërinë, për të bërë vëlla, serbin, rusin, kinezin… na shkatërroi shpirtin, na helmoi mendjet, na bëri tjetër “njeriu i ri komunist”.

Ashtu me mundim, zuri vend tek divani i saj dhe duke më marrë duart në të sajat më pyeti se si e kisha kaluar.

–          Mirë,  – i thashë, po ju si keni qënë?

–          Ja, kemi pasur nusen sëmurë dje… se si i erdhi… nuk u ndje mirë, por sot shyqyr

është më mirë. Na shqetësoi…

–          Të shkuara… Nëse nuk keni mundësi për të folur sot, po vij ndonjë ditë tjetër…

–          Jo, jo… ti shyqyr që erdhe, vazhdojmë…

Mua më kishin mbetur në mendje “gegëreshat” që më tha nëna e Shemsi Rrapajt, ndaj mendova ta pyes dhe me këtë shqetësim që kam pasur gjithë këto ditë, para se ta pyesja i dërgova të falat e saj dhe më pas e pyeta:

–          Nëna e Shemsi Rrapajt më tha që ju jeni rritur bashkë, tek “Uji i Ftohtë”, por ajo

që më ka mbetur në mend është se ajo përmendi, se tek ju rrinin ca gegëreshka. Çfarë ishin këto, shërbëtore? Nga vinin ato?

–          Kur ka ardhur Italia në 1920, gjylet e para ranë mbi Kaninë dhe prishën shtëpinë

tonë dhe të Arshi Selfos. Kështu ne mbetëm pa shtëpi dhe shkuam tek dajat në Sevaster, Hazis Velaj. Atje kemi ndenjur 6 muaj, më tregonte nëna, se unë kam qenë pa lindur atëherë. Pasi ikën italianët, babai im shkoi për të blerë një shtëpi në Ujin e Ftohtë, se atje kishte prona nëna ime, Hyrie Luzaj dhe në tokën e saj italianët kishin bërë një vilë shumë elegante me shumë dhoma, bile edhe me shatërvan, oborr, ballkon me xhama… shumë e bukur. Për të shkuar në shtëpi, kishte dy rrugë: në njërën vinin ushqimet, në tjetrën vinin miqtë. Atëherë shtëpinë e kishte Bashkia. Babai im shkoi dhe e bleu 600 napolona florinj. Në atë kohë kryetar Bashkie ka qenë Qazim Kokoshi. Shtëpia kishte formën e L – së, ku 8 dhoma i kishin ushtarët, në një pjesë tjetër banonin dy familje italiane, pra ishin 2 inxhinierë italianë që bënin kërkimet në naftë dhe kryellogaritar, morën vëllanë tim, Ifraimin, se ishte shumë i zoti në matematikë dhe ai kishte mbaruar Tregtaren e Vlorës. Në verë inxhinierët italianë merrnin dhe gratë e tyre me gjithë fëmijë. Kurse 4 dhoma tjera jetonin dy familje ulqinake. Njëri quhej Mujo Ulqinaku dhe tjetri Faslli Ulqinaku. Ata ishin varkaxhi. Në atë kohë vaporët nuk vinin deri në breg, se moli nuk ishte i madh, ndaj detyroheshin të qëndronin larg dhe këta dy, pra Mujo dhe Faslli Ulqinaku, me varkat e tyre shkarkonin mallra dhe njerëz e i nxirrnin në breg. Sic dihet ai  është vrarë në molin e Durrësit, kur hyri Italia fashiste në 1939, por ata e kanë ndryshuar, nuk e kanë përmendur fare që ai ka jetuar në Vlorë. Si duket për të mos dalë në skenë Isufi si patriot dhe si bashkëpunëtor, mbase që në Shkodër me Mujon, se ai ka ardhur nga Shkodra, pasi Isufi mbaroi gjimnazin. Unë nuk kam për t’i harruar kurrë ato dy familje. Me to shkonim si një familje. E shoqja e Mujos ishte rrobaqepëse dhe mua më mbante si kukull. Po ta di se ku e ka varrin, do i shkoj t’i çoj një tufë lule. Këto kanë qenë gegëreshkat. Ngaqë nuk ishin nga Vlora, por i përkisnin dialektit gegë dhe u thonin “gegëreshka”.

Kur u rregullua porti, nuk e mbaj mend si vit, por para pushtimit fashist dhe vaporët tani vinin afër dhe shkarkoheshin në port, kështu ata dolën pa punë dhe u transferuan në Durrës. Ngaqë ishte varkaxhi, mendoj se shkoi për të punuar në port dhe për të jetuar atje. Më vonë ne e lamë me qira shtëpinë dhe kemi jetuar vetë me qira në lagjen “Topana”, tek shtëpia e Sabri Mezinit. Pasi erdhi Isufi nga burgu, për një muaj ai doli në ilegalitet. Nëna mori vesh që po prishej shtëpia tek Uji i Ftohtë dhe i shkon në zyrë Vizhdan Risilisë për të biseduar, por ai i thotë “Të vijë Isufi të bisedojë me mua”. Këtë e bënte për ta arrestuar. Në këtë kohë, e shoqja e Isufit ishte shtatzënë dhe erdhi minuta për të lindur. Kush do të merrte mamin? Atëherë nuk kishte maternitet, ishte një mamie italiane. Për fat, erdhi xhaxhai, vëllai i babait, Qazim Luzaj e ne i thamë të shkonte për të marrë maminë. Iku si vetëtimë dhe sapo e solli, iku për në Tiranë, se atje ishte strehuar Isufi bashkë me Ifraimin, Hydaiun, pra nipin dhe shoqërues tjerë, Ali Mane Aliu nga Shkoza, Sulejman Tahiri nga Kanina dhe Safet Liko nga Trevllazeri tek shtëpia e Qazim Koculit, të cilin e kishte shumë mik, se Qazimi e kishte ndihmuar, kur ishte student në Paris, kishte ndërmjetësuar të jepte mësim privat për të mësuar shqip një profesori.

Nëna përherë thoshte që po ishte djalë, emrin t’ia vëmë Dalan, siç kanë quajtur babanë tim, Dalan Muço nga Sevasteri dhe ashtu ia çuam. Nuses nuk i erdhi fare gjiri. E si të kishte gji ajo në këto rrethana kaq të vështira për familjen tonë? Djalin e kemi ushqyer me qumësht dhie. Ngrihej nëna që shpejt dhe e kulloste dhinë në pyll, se nuk na linin në bacë e kur kthehej, i laja gjithë dhisë dhe nëna e mbante për brirësh, nusja e Isufit, për këmbët e pasme dhe unë ia shtrydhja qumështin direkt nga gjiri djalit.

Eh, vuanim për bukën e gojës. Më kujtohet që na sollën dajat 1 kv miell dhe e lanë tek stacioni i trenit (në atë kohë stacioni i trenit ishte në Skelë) që lidhte Vlorën me Selenicën për transportin e serës, se nuk vinin dot tek ne. Më pas shkuam në Sevaster, por jo tek dajat, se ata kishin dhenë fjalën për komunistë, ndaj u strehuam tek Shehajt, të cilët nuk na morën qira. Në këtë kohë, shtëpia në Ujin e Ftohtë, është prishur me urdhër të Vizhdan Risilisë, i cili në ka qenë prefekt. Shtëpia jonë ishte me ternit, xham dhe çatia me llamarina. Kishin lënë vetëm tri dhoma, por edhe ato ishin jashtë përdorimit, se kur ishin përpjekur të hiqnin llamarina e s’kishin mundur, i kishin shqyer dhe kur binte shi, unë hipja në tavan dhe vendosja tepsi e po ashtu zvarrë e merrja dhe e derdhja, se u kthyem për të jetuar aty. Papritur na vjen policia dhe na nxjerr nga ajo copë shtëpi dhe na lënë në oborr; nëna, kunata dhe fëmijët e Isufit. Më kujtohet që nuk ra një pikë shi për 18 ditë që ndenjëm aty në oborr e pse ishte shtator. Kishim një dhi dhe dilnim e mblidhnim lakra, vinim kazanin e i lanim e më pas i zienim. Edhe sot sikur i shoh pjatat nga pak lakra, se kur zienin, mbeteshin pak fare…

Ajo qëndroi siç pushojmë pas një udhe të përpjetë dhe pasi piu pak ujë u kthye nga unë, si për të më thënë “Vazhdojmë!”

–          Po më pas si shkoi jeta e familjes?

–          Më pas hymë në një barangë të Ahmet Velos, por na nxorën edhe që aty dhe na

futën në një bodrum të Hasan Nivicës, në vitin 1951, pa dritare, pa derë, por në vend të derës kishte qepena, nja 200 metra e gjatë e nuk di sa e gjerë, pra shkurt një bodrum që vetëm mindere për qark dhe zjarrin e ndiznim ne mes në një tepsi. Nuk kishim banjo, prisnim të iknin njerëzit dhe shkonim në përrua bashkë (tre femra). Unë punoja në konservimin e peshkut me gjithë Dritën, gruan e Isufit. Përgjegjës kishim Andon Patën nga Narta. Një të diel, më 21 janar 1951 më tha kunata “Ik ti në punë, se unë do të merrem me shtëpinë!”

Ishte ora 10 e paradites. Isha në det duke larë kostume (qeikët e peshkut, apo arkat e peshkut) me dy punëtore tjera. Në këtë kohë më thërret xha Andoni nga dritarja e zyrës së tij. “O Rahile, hajde këtu në zyrë!” Sa jam trembur atëherë moj bijë, sa që edhe sot që e kujtoj më dridhet zemra. Ç’doja unë në zyrë? Kur hyj në zyrë shoh një oficer dhe një oficere të sigurimit. Në ka perëndi të besosh, ngriva në këmbë. Xha Andoni ishte bërë dyllë i verdhë. Qëndrova në këmbë e trembur dhe u thashë:

–          Mirëmëngjesi!

–          Mirëmëngjesi, – thanë edhe ata. – Ti je Rahile Luzaj?

–          Po…

–          Do të shkojmë pak në shtëpinë tënde…

–          Urdhëroni… shkoni…

–          Jo, do të vish me ne…!

–          Bëni punën tuaj, kontrolloni… unë vij në këmbë… por u hodh xha Andoni dhe më

tha që të shkoja…

Atëherë oficerja më mori dorën dhe më hipi në makinë. Kur vajtëm në shtëpi, ishte nëna me fëmijët e vegjël të vëllait. Bëri kontroll e gjeti vetëm kripë, por mua më morën në hetuesi dhe atje po kështu deponuan tek oficeri i sigurimit, Petrit Hakani, se “Nuk gjetëm gjë tjetër vetëm kripë.” Pertrit Hakani, ne dhe Shaskajt, na ka torturuar shumë. Ata sa herë dyshonin se mos vinte Isufi, bënin kontroll, ndaj pyetja e parë ishte: “Ku është Isufi? A ka ardhur?” E nuk di se çfarë pyesnin e çfarë përgjigje shënonin, se torturat ishin çnjerëzore. Më kujtohet që mbushi 68 faqe dhe në fund më tha: “Çfarë di Rahile?”, unë i thashë “Di të laj, të lyej, të pres dhe të qëndis” Ku e dija unë se ç’është hetuesia, ke perëndi moj, ku e dija se ç’është hetuesia? Ku bëhej hetuesi në shtëpinë tonë? Mbaj mend që kur më dërguan në shtëpi nëna u tmerrua, se duart m’i kishin gjakosur. Unë mbaj mend që një polic nga Smokthina më pyeti të nesërmen:

–          Sa ke në hetuesi?

–          Nuk e di, –  i thashë.

–          Ke 48 orë…

–          Mbase kisha rënë pa ndjenja, s’e di… Kështu bënin herë me mua, herë me nënën,

herë me kunatën, na merrnin në hetuesi… – tha ajo dhe qëndroi, thua se kishte përpara fytyrën e Petrit Hakanit.

Ajo filloi përsëri të tregonte, ndërsa unë u shkëputa nga kujtimet e hershme.

–          Një herë në burg ishte një mjek, Zoto Kapllani, që bënte punën e spiunit dhe

erdhi gjoja se i vinte keq dhe gjatë bisedës i thashë:

–          Shyqyr që nuk më gjetën poezitë… se kisha dy blloqe me poezi që i kisha fshehur

poshtë dyshekut, midis dërrasave.

–          Pse shkruan poezi ti? I ngjake Isufit…

–          Kjo u desh dhe kishin shkuar në shtëpi për kontroll, por unë nuk e dija, por nëna i

kishte djegur dhe kështu shpëtova atë radhë…

Biseda kaloi miqësore, pa i shkruar. Më tregoi për poezitë, për Isufin në Francë dhe recitoi edhe një poezi që Isufi kishte shkruar për një vajzë në Paris… Më pas u përshëndeta dhe dola me një kënaqësi të pa treguar…

Kaloi java dhe me dëshirën e mirë për të vazhduar rrëfimin e zonjës Rahile, motrës së Isufit, shkova dhe e gjeta tek vendi i zakonshëm. Kur më pa, i ndrinë sytë, ndërsa unë me një droje iu afrova dhe i kërkova ndjesë, së mbase e shqetësoja, por ajo më pushtoi fort dhe përsëri më tha:

–          Më pati thënë Isufi, “… mos u mërzit për mua, një i panjohur do më nxjerrë në

dritë…”

–          Ai nuk ka nevojë ta nxjerrë njeri në dritë, ai në dritë ka qenë, por zoti na

ndihmoftë që ne të kemi dritë të mjaftueshme për ta dalluar…

–          Zoti të ndihmoftë dhe të dhëntë gjithë të mirat, që po shkruan për Isufin…

–          Unë jam shumë e lumtur që ju, zonjë, pranuat të më besoni mua kujtimet më

të vyera të jetës dhe u garantoj që kurrë nuk do t’i keqpërdor, ato janë për mua thesar, se aty gjej jetën e Isufit, të atij burri që më ka skllavëruar me shkrimet e tij. Jam dhe ndjehem shumë e privilegjuar.

Ajo m’i mori duart dhe m’i puthi me dashuri. O zot! Sa nevojë kemi për një fjalë të ngrohtë, për një mbështetje shpirtërore. Puthja e duarve për mua ishte si një bekim për punën time dhe unë në heshtje betohem që përveç të vërtetës e vetëm të vërtetës do t’i qepem pas edhe sikur të dëmtoj veten.

–          Fillojmë atëherë, aty ky e lamë. Vinin shpesh për kontroll në shtëpinë tuaj dhe

me sa më kujtohet juve u kanë burgosur, kur ndodhi kjo?

–          Është e çuditshme, moj bijë, më 21 janar kam lindur, më 21 janar më kanë

burgosur, më 21 janar kanë marrë Benin ushtar, më 21 janar ka vdekur djali i Betës, vajzës së Isufit.

–          Janë koincidenca këto, por po të them, që vajza ime e tretë ka lindur me një ditë

me Isufin, 21 shkurt, djalin tim e quajnë Isuf, vajza tjetër ka lindur më 4 gusht, kur ka lindur dhe djali i vogël i Isufit… mbase ka edhe koincidenca tjera, por nuk e di… – Nuk të pyeta atë ditë, Isufi ka ikur nga deti, apo…?

–          Në atë kohë ishte vetëm një autobus (Spiro e quanin shoferin) që shkonte për

Tiranë. Por ikja me të ishte e rrezikshme, se tek Ura e Mifolit kishte postbllok gjerman.  Ai erdhi tek shtëpia në Topana  e tha: ”Po kërkojnë të më arrestojnë!”, nuk e mbaj mend mirë, atë ditë apo një më pas ai iku me autobusin.

Kështu na tregon vajza e Qazim Koculit. ”Isufi u fut midis meje dhe një vajze tjetër dhe kur shkuam tek Ura e Mifolit, ai u bë si faturino dhe na mblodhi pasaportat e ua dha  gjermanëve. Ne qëndruam me zemër të ngrirë, por fati i tij dhe ata kontrolluan pasaportat dhe ia kthyen sërish atij e kështu nuk e vunë re” Ne nuk e pamë më, moj bijë që atë ditë. Me të dëgjuar e kam, ashtu siç më tha ai kur isha në Amerikë, që më pas shkuan në Shkodër e më pas Kosovë… por di që përfundoi në Itali.

–           Rrugën e ka bërë andej më këmbë.

–          Po në Itali di gjë me kë ishte… Kishte ndonjë shok atje?

Ka pasur Enver Bushatin, me të ishte bërë byrazer që në gjimnazin e Shkodrës dhe e mbajtën miqësinë deri në fund, por nuk di të them gjë tjetër, se Isufi ishte i rezervuar me ne gratë, nuk na fliste për punën e tij.  Ka pasur dhe një mik tjetër Avdul Kuçin, i cili u vra tek “Ura e Ballistëve”. Më kujtohet kur u dha dënimi me vrasje, shkuam dhe i takuam në burg. Unë u mbusha me lot. Ai më ktheu nga rruga duke më thirrur:

–          Ej, ti kineze e vogël, eja pak këtu! Kurrë mos u merr me politikë, ajo është imorale, – më tha kur unë i shkova afër.

Këto fjalë nuk ia harroj dhe vërtet moj bijë e tillë është politika.

Në këtë kohë vijnë vizitorë dhe biseda jonë mbaroi, me shpresë se një ditë tjetër do të shkoj përsëri, por dhe në mos paça rastin të shkoj më, ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua që fola me një zonjë të mençur, me një poete të heshtur, me një nënë të vuajtur e të dhembshur, me motrën e Prof. Dr. Isuf Luzajt, Rahilenë. Unë i hodha në kompjuter fjalët e saj, por vështrimin, përqafimin dhe puthjen e saj në ballë, i ndjej çdo ditë dhe çdo çast ajo më flet përmes tyre dhe përmes besimit që ajo lëshoi tek unë për të bërë prezent kujtimet e saj të hershme.

(Bisedoi Zyba Hysen Hysa, Vlorë 2013)

* Ka ndërruar jetë Rahile Luzaj (Caushaj), motra e Prof. Dr. Isuf Luzajt.

I dërgojmë ngushëllime familjes!

U prehtë në paqe dhe i qoftë dheu i lehtë!

Në përkujtim po publikojmë kujtimet e saj…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: duart mi kishin gjakose, Rahile Luza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 97
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT