*Homazh për një njeri që bëri vend e mbeti në shpirtin e mërgatës shqiptare në Greqi/
* Vasil Logo nuk është më. Vasil Logon e përcollën pardje për në vendlindje, në Përmetin e tij që diti t’a nderojë, që diti t’i këndojë…/
Atë ditë, e dielë 11 gusht 1996, në skicëditarin tim kisha shënuar…
“…Sot kam ndjerë kënaqësinë më të madhe gjatë qëndrimit në Greqi. U takova me A. Zholin dhe një grup shqiptarësh emigrantë midis të cilëve Tomor Toporen dhe një grupi tjetër shqiptarësh nga Tepelena e Përmeti. Katër orë në “Klubin e shqiptarëve” në Omonia ishin si katër minuta të shtrenjta midis miqësh”.
Nga 21 korriku kur lash mbrapa vendlindjen në një “ikje natën”, ikje fshehurazi për t’i shpëtuar kërcënimit të hapur “O mbyll gojën ose…!” kishin kaluar trijavë në fund të të cilave gjeta fijet lidhëse me mërgatën shqiptare në Athinë, fije që do të endnin në vite pëlhurën e gjatë të mërgimit pa kufi.
Lokali ku mblidheshin shqiptarët ato ditë ishte një përdheskë në Likurgu 9, një kërcim tre hapësh larg nga Omonia. Albert Zholi, emrin e të cilit e kisha lexuar shumë herë në Zëri i Popullit ku punoja deri ditën e mërgimit, zë i fortë i halleve të mërgimtarëve në Athinë, drejtonte Shoqatën e Emigrantëve Shqiptarë, anëtar i së cilës do të bëhesha me dëshirë duke paguar edhe njëmijëdhrahmijshin e kuotizacionit.
Atë ditë bëra disa fotografi me aparatin tim “Praktica”, fotografi brenda në lokal dhe në qendër të Omonias.
Njerës i vura diciturën “Ku e lamë e ku na mbeti, vaj vatani e mjerë mileti!”. Katër vetë ku përpara kanë tri shishe të boshatisura pije të butë, një paketë cigaresh gjysmë e hapur, një filxhan kafeje në harresë. Buzëqeshjen ua ka marrë brenga për mëmëdhenë, brenga për të nesërmen e një jete të panjohur pa truall e pashpirt. Në të djathtë të fotografisë në gjysmë profil është Vaskë Logo…
Fotografia e dytë, ku jam edhe unë, më vjen e qeshur, një buzëqeshje që megjithatë nuk arrin ta mbulojë brengën e të qenit jo thjesht larg atdheut.
Fotografia e tretë është bërë jashtë, të pestë; Kliti Roshi, Tomorr Topore, Albert Zholi, Abdurahim Ashiku dhe Vasil Logo bashkë, në një kujtim të paharruar…
Nuk është herae parë që i përcjell në publikun e madh të mërgatës shqiptare në Greqi këto foto, si dokumente të atij viti dhe të asaj ngjarjeje që shtoi marramendshëm ikjen biblike shqiptare, ikje që nisi të nesërmen e 26 majit ‘96 për të vazhduar të pasnesërmen e vitit të mjerë ‘97.
Kësaj radhe këto foto po i ripërcjell me një brengë, me një dhembje për një njeri që e njoha më 11 gusht 1996 e që mbeti jo vetëm në kujtesën e albumit tim fotografik por edhe në kujtesën time shpirtërore.
Vasil Logo nuk është më. Vasil Logon e përcollën pardje për në vendlindje, në Përmetin e tij që diti t’a nderojë, që diti t’i këndojë…
Vasil Logo në kujtesën time mbeti si enciklopedia më e plotë e pasqyrimit filmik e fotografik të jetës së mërgimtarëve në Greqi, e jetës dhe e aktivitetit të shoqatave e grupimeve në emigrim, e jetës së individëve të suksesëshëm në Athinë e më gjerë.
Mbase, po ti bashkojmë tërë filmimet e Vasil Logos, gjatësia e tyre do të kalonte kufirin për t’u ndalur e prehur bashkë me të në Përmet.
Mbase dikush do t’i bashkojë për të na dhënë atë që mortja e mori në kulmin e krijimtarisë, pa i dhënë kohë që të na e jepte vetë Vasil Logo në një koktej rrethuar nga miq e dashamirë.
Trupi i Vasil Logos tash është bërë pjesë e dheut të vendlindjes.
Shpirti i Vasil Logos është këtu, mes nesh, sot e mot…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 28 mars 2014