Ka ndërruar jetë Rahile Luzaj (Caushaj), motra e Prof. Dr. Isuf Luzajt/
Nga Zyba Hysen Hysa/
“Rahile Luzaj (Caushaj), ka lindur në 27 shkurt 1927 në Kaninë dhe ndërroi jetë më 27 mars 2014. Ashtu siç u burgosën, internuan, apo u detyruan të arratiseshin shumë pjesëtarë tjerë të kësaj familjeje patriote, edhe Rahileja, përveç diskriminimit politik, ajo provoi dhe tortura çnjerëzore në hetuesi dhe burgje. “U dënua në 1952 me 10 vjet burg, nga të cilat bëri 5 vjet. Akuza e saj ishte se i kishte dhënë një makinë shkrimi grupit që ishte lidhur me të burgosurit për hapjen e burgut. Këtë makinë ia kishte dhënë Reshat Agaj, i cili punonte te gazeta “Bashkimi”. (Fari Shaskaj: “Të Quajtur Armiq të Popullit” – Krimi komunist në Vlorë)
Futem në korridor dhe kaloj një dhome, më pas në një tjetër, ku Rahileja ishte shtrirë në një divan. Ajo dukej si një lule e këputur, por sapo më pa që u futa dhe i shkova pranë, u ngrit ndenjur, më përqafoi dhe ashtu e përqafuar më pyeti se kush isha dhe pse kisha ardhur. Kur unë i thashë se kam ardhur për të biseduar në lidhje me Isufin, se jam duke shkruar një libër biografik, ajo më shtrëngoi më fort… më largoi pak dhe më puthi në ballë, veprim që e bënte nëna ime, sa herë që unë shkoja për ta takuar. Ajo nuk u shtri më në divan, u mbështet dhe u duk më e freskët në fytyrë, si lule e këputur, kur e vendosim në vazo dhe i hedhim ujë.
– Kush më flet për Isufin, unë e kam shpirt, – tha e përlotur. – Ai që kujton të
vdekurit, që shkruan për të ikurit, ka shpirt të pastër dhe zoti e ndihmon.
– Ai meriton shumë më shumë, zonjë, – i thashë duke ia marrë duart mes duarve të
mia e duke ia shtёrnguar me dashuri.
– Pse nuk e duan Isufin këtu në Vlorë? – tha ajo.
– Se nuk kanë sy ta dallojnë se cili ka qënë dhe çfarë pasurie i ka lënë kombit tonë…
– E di si më ka thënë një herë Isufi: “Mos u mërzit për jetën time, do gjendet një njeri, ndofta dhe i panjohur, ndofta
edhe nga një fshat i prapambetur që do ta nxjerrë të drejtën time në shesh.” – Ai ishte parashikues. Kur ishim në Gjirokastër, ka qënë në vitin 1993, mori djalin tim në telefon dhe bisedoi gjatë. Kur e mori për herë të tretë i tha: “Ti do bësh karrierë, por jo tani, pas vitit 2013” dhe djali im tani u gradua dhe është me punë të mirë në Tiranë. Po kështu dhe në takimin me Enver Hoxhën: “Jam i sigurt, ju do ta fitoni këtë luftë… Unë nuk kam frikë dhe as turp siç thua ti, shok i mirë, por nuk bashkohem me ty. Unë kam turp nga ndërgjegjja ime që nuk beson në ideologjinë Marksiste – Leniniste, si zhvillimi më i mirë i jetës së popujve”
– Keni të drejtë, unë sa herë lexoj librat e tij shoh dritën e së vërtetës, marr energji
dhe guxim për të çuar deri në fund çdo gjë, duke pasur besim në vetvete, duke iu shmangur frikës përpara të panjohurës…
Erdhi nusja e shtëpisë dhe u bë një ndërprerje e bisedës dhe unë pushtova me sy portretin e saj. O Zot! Portret nëne, të një nëne të vuajtur, por që vuajtjet nuk e kanë ligështuar, por fisnikëruar më tepër. Flokët e bardhë, ajo fytyra e fikur, por e dashur, ata sytë e saj të vegjël, por tepër ekspresivë, ku përmes shikimit i foli nuses dhe tavolina u mbush me fruta, se qerasjen e bëri gruaja që më hapi derën. Ashtu siç bëjnë nënat, edhe ajo më thoshte shpesh “Njome gojën me një mandarinë” Nuk e di më pushtoi një dhembje koke e befasishme dhe kërkova një aspirinë. “
– Mbase nuk ke ngrënë bukë”, – më tha.
M’u drodh shpirti se më shumë më dërgoi tek nëna ime, që fjalën e parë kur shkoja ishte: “Eja dhe ha bukë”, por e mblodha veten dhe fillova përsëri bisedën, pa i thënë, se do të bëjmë intervistë.
– Kur e keni takuar Isufin për herë të parë pas ndarjes së gjatë?
– Eh! – psherëtiu ajo, sikur të nxirrte diçka që i merrte frymën dhe pas pak
përpëliti sytë e njomur duke më shikuar drejt e në sy, filloi të fliste: – Ka qenë viti 1993, kur unë kam shkuar për herë të parë në Amerikë dhe takova vëllanë, atë vëlla që më ka dashur shumë. Kujtoj tani, se, kur mbusha 11 vjeç, më bleu këpucë me pak takë dhe më veshi me pallto të mirë. Sa herë që do blija diçka, apo do provoja tek rrobaqepësja, ai do vinte të më shikonte, kemi qënë shumë të afruar bashkë.
– Më falni, nëse u bëjnë dëm kujtimet, se vërtet janë të pashlyeshme, por do
doja të dija më shumë në lidhje me takimin tuaj në Amerikë… Si ka qenë për ty dhe për Profesorin?
– Ishim të malluar, por ai ishte shumë i vetëm… i vetmuar. Ai pothuaj nuk dilte fare.
Aq sa ndenja unë, ai doli 2 – 3 herë vetëm për të më shëtitur mua dhe në shtëpi nuk pashë asnjë që të vinte. Unë e merakosur e pyesja shpesh që pse nuk vijnë miqtë dhe shokët? Ai më jepte si përgjigje se: “Miqtë e mi janë filozofët më të mëdhenj të botes dhe këta janë librat…” pra kishte vetëm librat. Ai vetëm lexonte dhe shkruante, Isufi kishte marrë dekoratë nga Amerika dhe atë dekoratë e kam unë, – tha dhe u ngrit e shkoi për ta marrë.
U kthye e trishtuar, se nuk e kishte gjetur, por gruaja që më hapi derën pas pak e solli.
– Ja, kjo është dekorata e Isufit, vëllait tim dhe unë e ruaj si gjë të shenjtë. Na e
kërkuan një herë, kur do të dekorohej, por ishte vetëm fjalë, ata kurrë nuk u interesuan ta marrin, as që t’i bëjnë fotokopje, – tha dhe sytë filluan këngën e tyre të përhershme.
– Mos u shqetësoni, zonjë, ata nuk kishin se si e merrnin, se ajo dekoratë ishte
mbi të gjitha dekoratat që mund t’i jepnin Isufit dhe ata nuk donin që Isufi të ishte mbi ta, ai meriton “Nder i Kombit” se nuk mund të barazohet një folklorist, apo me një si unë, një shkrimtare rastësore me të Madhin Isuf Luzaj. Mos u shqetëso, Isufi është shumë lart, asnjë nga këta që kërkojmë ta vlerësojë nuk mund të arrijë deri atje, ku është ai, për ta dalluar e jo më për ta vlerësuar, ai është i vlerësuar, këta vetëm duhet ta pranojnë, po kush do ta pranojë? Si do ta pranojnë? Nëse do ndodhte kjo, shkëlqimi i tyre i rremë do të “ndriçonte” si thëngjill i shuar.
Unë kam qenë prezent në sallë atë ditë që u dhanë dekorimet dhe u trondita shumë. Shkova në shtëpi dhe bëra një shkrim me titull “Paradoks” dhe e nisa për botim si zakonisht tek gazeta “Dielli” në Amerikë dhe në gazetat shqiptare, por asnjë nuk e botoi. Kjo është “fjala e lirë” tek ne, gjithsesi, unë e kam atë shkrim dhe do t’i vijë koha…
– O, të lumtë goja, moj bijë… që më flet ato fjalë për vëllanë tim… më ke shtuar jetën!
Ai nuk ka vetëm veprat për të cilën është dekoruar në Amerikë, por shteti ynë duhet ta dekorojë për veprimtarinë e tij patriotike, në shërbim të atdheut. Nuk kam dëgjuar të flasë njeri sesi e priti Isufi 7 prillin 1939. Në atë kohë ai ishte profesor në shkollën “Tregtare”. Isufi e priti me luftë Italinë. Bashkë me Rrapo Çelon nga Sevasteri dhe djem të tjerë po nga Sevasteri i bënë pritë Italisë tek Moli. Aty u vra një italian dhe një shqiptar.
Më pas tek shkolla “Tregtare” shkoi komisioni italian dhe urdhëroi të grisnin flamurin shqiptar dhe të ngrinin atë italian, por Isufi nuk pranoi dhe organizoi nxënësit për revoltë. Isufi doli para dhe tha: “Të ngremë flamurin shqiptar dhe të grisim flamurin italian!” Ashtu u bë, nxënësit të revoltuar e shqyen flamurin italian dhe ngritën flamurin tonë. Atëherë u bënë arrestime dhe morën Isufin bashkë me disa nxënës, por më pas u liruan.
Më vonë, pas demonstratës së 28 nëntorit të vitit 1939, italianët studiuan gjithë personat kundërshtarë dhe Isufin e arrestuan, ku krahas tjerave, e akuzuan për vrasjen e oficerit italian në pritën që u bë në mol, si dhe organizator i revoltës në shkollë e më pas të protestave mbarë popullore në Vlorë. I mbajtën 8 ditë në burgun e Vlorës e më pas transferohen në burgun e Tiranë, të Durrësit, më pas në Brinndisi të Italisë. Prej aty i dërguan në Gaeta e prej andej në Ventotene , që ishte ishull i Italisë.
– Kam dëgjuar e lexuar për këto burgime të patriotëve shqiptarë në këtë ishull, por
nëse u kujtohet, gjatë asaj kohe që Isufi ishte në Ventotene, shkoi njeri nga familja për ta takuar?
– Pas dy vjetësh, shkuam në Romë familjarisht, unë, vëllai, (Irfaimi) nusja me gjithë
tre fëmijët, por autoritetet nuk na dhanë të drejtën për të shkuar ta takonim. Atëherë vëllai shkoi dhe takoi një mik dhe ai e mësoi që të shkonim në Gaeta dhe atje të bënim një kërkesë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në fund të shkruante emrin e tij e pas të shkruante “fashist”, se ndryshe kurrë nuk do e takonim.
Ashtu bëmë dhe lejuan tre vetë, por përsëri me ndërhyrjen e të njohurit realizuam që të shkonim të gjithë. Atje vetëm një herë në javë shkonte trageti që merrte ushqime, ujë dhe vizitorët që takonin të burgosurit. Ky traget shkonte çdo ditë të martë, kështu na u desh të prisnim dhe dy ditë e më pas hipëm tragetit dhe shkuam.
Në ishull ishte vetëm burgu dhe tri shtëpi. Kur shkonin vizitorë (çdo udhëtim dërgonte familjarë vetëm për një të burgosur, se atje nuk kishe ku të rrije), kështu njëra nga tri shtëpitë lirohej dhe ne qëndruam me qira. Ishte si rregull që të rrinim vetëm një jave, pra deri të martën tjetër, por ishte dhe një rregull tjetër, nëse sëmureshin familjarët, nuk i nxirrnin nga ishulli pa u shëruar, ndaj ne qëndruam plot 5 javë, se u sëmurën fëmijët. Të 5 javët, Isufi ndenji me ne, kishim një shtëpi me dy kate dhe dy policë rrinin tek dera e katit parë dhe dy policë në katin e dytë dhe çdo mëngjes, Isufi shkonte dhe paraqitej tek burgu e kthehej përsëri.
– Gjatë kohës që ndenjët atje, u tha ndonjë gjë se me kë ishte në burg, apo ndonjë
bisedë tjetër çfarë të kujtohet?
– Isufi kurrë nuk fliste me ne gratë për problemet e tij politike, nuk mbaj mend që
të ketë bërë biseda të tilla.
– Si mundi të dilte nga burgu dhe sa vjet ishte dënuar?
– Unë nuk e di sa ishte dënuar, por di që e nxori Ministri i Arsimit të atëhershëm,
Ernest Koliqi, i cili kishte qenë profesor i gjimnazit të Shkodrës, kur Isufi ishte nxënës dhe kishte respekt të veçantë për të, se ka qenë me rezultate të larta. Pasi erdhi, ndenji një muaj në shtëpi dhe doli në ilegalitet.
Kujtimet e hershme m’u duk sikur e lodhën, ndaj i kërkova ndjesë që e bëra të shkonte edhe një herë në ato vite të vështira. Ajo më shikoi me ata sy ëndërrimtarë, si të një poeteje, që kurrë nuk mundi të nxirrte krahët e poezisë për ta nisur në fluturimin e lirë. Loti kishte endur njomështinë e tij tej e tej, si për ta ngushëlluar, por që u jepte vezullim hënor, largoi përhumbjen dhe më tha:
– Zonjë, sot është dita më e lumtur për mua, se kush më flet për tim vëlla, Isufin, unë e kam këtu! – tha ajo duke rrahur gjoksin fort, për të lënë të kuptoja, se më kishte në zemër.
Një grua, që mbi supet e saj kishte mbajtur pesha të rënda, më të rënda se malet e ajo sot kishte kurajë të fliste dhe të ishte krenare për çka kishte duruar nga armiqtë e popullit, se ishte e qartë përse kishte vuajtur. Nuk ishte ajo fajtore, as Isufi, por ishte koha pa kohë të mirë për popullin dhe atdheun. Ajo kohë që vriste patriotët në vend të armikut, ajo kohë që verboi injorantët, nxiti epshet egoiste të karrierës së pandershme duke sakrifikuar interesat e kombit e për t’i bërë këto, vrau, internoi, persekutoi e burgosi fisnikët patriotë duke i cilësuar: hajdutë, kriminelë, armiq…
Më në fund u ngrita për të ikur. Përsëri ajo më puthi në ballë e unë ju derdha në qafë si të kisha në krahë nënën time. Po ta kisha gjallë, ajo do të ishte më e re se Rahileja, por vdekja nuk pyet… U përlota dhe dola për të shkuar përsëri një ditë tjetër…
Erdhi e shtuna. Tani rrugën e dija dhe bleva një lëng frutash dhe shkova. Nuk e gjeta tek dhoma ku rrinte zakonisht. U ula dhe po prisja me shpresë që të ishte mirë e të vazhdonim bisedën. Nusja e shtëpisë, një vajzë e qetë dhe e matur, më qetësoi duke më thonë se do të vinte. Dhe… erdhi. Ashtu e paktë, por plot dritë në sy, me një buzëqeshje nëne, erdhi e më përqafoi.
Po ta dijë njeriu se sa do t’i mungojë një përqafim nëne, kurrë nuk do reshte së përqafuari kohë e pa kohë, sa herë që ta kishte pranë nënën e tij. Ajo kohë na rriti të marrë, se na marrosi diktatura, na shkriu dashuritë, për të dashur Partinë, na vrau vëllazërinë, për të bërë vëlla, serbin, rusin, kinezin… na shkatërroi shpirtin, na helmoi mendjet, na bëri tjetër “njeriu i ri komunist”.
Ashtu me mundim, zuri vend tek divani i saj dhe duke më marrë duart në të sajat më pyeti se si e kisha kaluar.
– Mirë, – i thashë, po ju si keni qënë?
– Ja, kemi pasur nusen sëmurë dje… se si i erdhi… nuk u ndje mirë, por sot shyqyr
është më mirë. Na shqetësoi…
– Të shkuara… Nëse nuk keni mundësi për të folur sot, po vij ndonjë ditë tjetër…
– Jo, jo… ti shyqyr që erdhe, vazhdojmë…
Mua më kishin mbetur në mendje “gegëreshat” që më tha nëna e Shemsi Rrapajt, ndaj mendova ta pyes dhe me këtë shqetësim që kam pasur gjithë këto ditë, para se ta pyesja i dërgova të falat e saj dhe më pas e pyeta:
– Nëna e Shemsi Rrapajt më tha që ju jeni rritur bashkë, tek “Uji i Ftohtë”, por ajo
që më ka mbetur në mend është se ajo përmendi, se tek ju rrinin ca gegëreshka. Çfarë ishin këto, shërbëtore? Nga vinin ato?
– Kur ka ardhur Italia në 1920, gjylet e para ranë mbi Kaninë dhe prishën shtëpinë
tonë dhe të Arshi Selfos. Kështu ne mbetëm pa shtëpi dhe shkuam tek dajat në Sevaster, Hazis Velaj. Atje kemi ndenjur 6 muaj, më tregonte nëna, se unë kam qenë pa lindur atëherë. Pasi ikën italianët, babai im shkoi për të blerë një shtëpi në Ujin e Ftohtë, se atje kishte prona nëna ime, Hyrie Luzaj dhe në tokën e saj italianët kishin bërë një vilë shumë elegante me shumë dhoma, bile edhe me shatërvan, oborr, ballkon me xhama… shumë e bukur. Për të shkuar në shtëpi, kishte dy rrugë: në njërën vinin ushqimet, në tjetrën vinin miqtë. Atëherë shtëpinë e kishte Bashkia. Babai im shkoi dhe e bleu 600 napolona florinj. Në atë kohë kryetar Bashkie ka qenë Qazim Kokoshi. Shtëpia kishte formën e L – së, ku 8 dhoma i kishin ushtarët, në një pjesë tjetër banonin dy familje italiane, pra ishin 2 inxhinierë italianë që bënin kërkimet në naftë dhe kryellogaritar, morën vëllanë tim, Ifraimin, se ishte shumë i zoti në matematikë dhe ai kishte mbaruar Tregtaren e Vlorës. Në verë inxhinierët italianë merrnin dhe gratë e tyre me gjithë fëmijë. Kurse 4 dhoma tjera jetonin dy familje ulqinake. Njëri quhej Mujo Ulqinaku dhe tjetri Faslli Ulqinaku. Ata ishin varkaxhi. Në atë kohë vaporët nuk vinin deri në breg, se moli nuk ishte i madh, ndaj detyroheshin të qëndronin larg dhe këta dy, pra Mujo dhe Faslli Ulqinaku, me varkat e tyre shkarkonin mallra dhe njerëz e i nxirrnin në breg. Sic dihet ai është vrarë në molin e Durrësit, kur hyri Italia fashiste në 1939, por ata e kanë ndryshuar, nuk e kanë përmendur fare që ai ka jetuar në Vlorë. Si duket për të mos dalë në skenë Isufi si patriot dhe si bashkëpunëtor, mbase që në Shkodër me Mujon, se ai ka ardhur nga Shkodra, pasi Isufi mbaroi gjimnazin. Unë nuk kam për t’i harruar kurrë ato dy familje. Me to shkonim si një familje. E shoqja e Mujos ishte rrobaqepëse dhe mua më mbante si kukull. Po ta di se ku e ka varrin, do i shkoj t’i çoj një tufë lule. Këto kanë qenë gegëreshkat. Ngaqë nuk ishin nga Vlora, por i përkisnin dialektit gegë dhe u thonin “gegëreshka”.
Kur u rregullua porti, nuk e mbaj mend si vit, por para pushtimit fashist dhe vaporët tani vinin afër dhe shkarkoheshin në port, kështu ata dolën pa punë dhe u transferuan në Durrës. Ngaqë ishte varkaxhi, mendoj se shkoi për të punuar në port dhe për të jetuar atje. Më vonë ne e lamë me qira shtëpinë dhe kemi jetuar vetë me qira në lagjen “Topana”, tek shtëpia e Sabri Mezinit. Pasi erdhi Isufi nga burgu, për një muaj ai doli në ilegalitet. Nëna mori vesh që po prishej shtëpia tek Uji i Ftohtë dhe i shkon në zyrë Vizhdan Risilisë për të biseduar, por ai i thotë “Të vijë Isufi të bisedojë me mua”. Këtë e bënte për ta arrestuar. Në këtë kohë, e shoqja e Isufit ishte shtatzënë dhe erdhi minuta për të lindur. Kush do të merrte mamin? Atëherë nuk kishte maternitet, ishte një mamie italiane. Për fat, erdhi xhaxhai, vëllai i babait, Qazim Luzaj e ne i thamë të shkonte për të marrë maminë. Iku si vetëtimë dhe sapo e solli, iku për në Tiranë, se atje ishte strehuar Isufi bashkë me Ifraimin, Hydaiun, pra nipin dhe shoqërues tjerë, Ali Mane Aliu nga Shkoza, Sulejman Tahiri nga Kanina dhe Safet Liko nga Trevllazeri tek shtëpia e Qazim Koculit, të cilin e kishte shumë mik, se Qazimi e kishte ndihmuar, kur ishte student në Paris, kishte ndërmjetësuar të jepte mësim privat për të mësuar shqip një profesori.
Nëna përherë thoshte që po ishte djalë, emrin t’ia vëmë Dalan, siç kanë quajtur babanë tim, Dalan Muço nga Sevasteri dhe ashtu ia çuam. Nuses nuk i erdhi fare gjiri. E si të kishte gji ajo në këto rrethana kaq të vështira për familjen tonë? Djalin e kemi ushqyer me qumësht dhie. Ngrihej nëna që shpejt dhe e kulloste dhinë në pyll, se nuk na linin në bacë e kur kthehej, i laja gjithë dhisë dhe nëna e mbante për brirësh, nusja e Isufit, për këmbët e pasme dhe unë ia shtrydhja qumështin direkt nga gjiri djalit.
Eh, vuanim për bukën e gojës. Më kujtohet që na sollën dajat 1 kv miell dhe e lanë tek stacioni i trenit (në atë kohë stacioni i trenit ishte në Skelë) që lidhte Vlorën me Selenicën për transportin e serës, se nuk vinin dot tek ne. Më pas shkuam në Sevaster, por jo tek dajat, se ata kishin dhenë fjalën për komunistë, ndaj u strehuam tek Shehajt, të cilët nuk na morën qira. Në këtë kohë, shtëpia në Ujin e Ftohtë, është prishur me urdhër të Vizhdan Risilisë, i cili në ka qenë prefekt. Shtëpia jonë ishte me ternit, xham dhe çatia me llamarina. Kishin lënë vetëm tri dhoma, por edhe ato ishin jashtë përdorimit, se kur ishin përpjekur të hiqnin llamarina e s’kishin mundur, i kishin shqyer dhe kur binte shi, unë hipja në tavan dhe vendosja tepsi e po ashtu zvarrë e merrja dhe e derdhja, se u kthyem për të jetuar aty. Papritur na vjen policia dhe na nxjerr nga ajo copë shtëpi dhe na lënë në oborr; nëna, kunata dhe fëmijët e Isufit. Më kujtohet që nuk ra një pikë shi për 18 ditë që ndenjëm aty në oborr e pse ishte shtator. Kishim një dhi dhe dilnim e mblidhnim lakra, vinim kazanin e i lanim e më pas i zienim. Edhe sot sikur i shoh pjatat nga pak lakra, se kur zienin, mbeteshin pak fare…
Ajo qëndroi siç pushojmë pas një udhe të përpjetë dhe pasi piu pak ujë u kthye nga unë, si për të më thënë “Vazhdojmë!”
– Po më pas si shkoi jeta e familjes?
– Më pas hymë në një barangë të Ahmet Velos, por na nxorën edhe që aty dhe na
futën në një bodrum të Hasan Nivicës, në vitin 1951, pa dritare, pa derë, por në vend të derës kishte qepena, nja 200 metra e gjatë e nuk di sa e gjerë, pra shkurt një bodrum që vetëm mindere për qark dhe zjarrin e ndiznim ne mes në një tepsi. Nuk kishim banjo, prisnim të iknin njerëzit dhe shkonim në përrua bashkë (tre femra). Unë punoja në konservimin e peshkut me gjithë Dritën, gruan e Isufit. Përgjegjës kishim Andon Patën nga Narta. Një të diel, më 21 janar 1951 më tha kunata “Ik ti në punë, se unë do të merrem me shtëpinë!”
Ishte ora 10 e paradites. Isha në det duke larë kostume (qeikët e peshkut, apo arkat e peshkut) me dy punëtore tjera. Në këtë kohë më thërret xha Andoni nga dritarja e zyrës së tij. “O Rahile, hajde këtu në zyrë!” Sa jam trembur atëherë moj bijë, sa që edhe sot që e kujtoj më dridhet zemra. Ç’doja unë në zyrë? Kur hyj në zyrë shoh një oficer dhe një oficere të sigurimit. Në ka perëndi të besosh, ngriva në këmbë. Xha Andoni ishte bërë dyllë i verdhë. Qëndrova në këmbë e trembur dhe u thashë:
– Mirëmëngjesi!
– Mirëmëngjesi, – thanë edhe ata. – Ti je Rahile Luzaj?
– Po…
– Do të shkojmë pak në shtëpinë tënde…
– Urdhëroni… shkoni…
– Jo, do të vish me ne…!
– Bëni punën tuaj, kontrolloni… unë vij në këmbë… por u hodh xha Andoni dhe më
tha që të shkoja…
Atëherë oficerja më mori dorën dhe më hipi në makinë. Kur vajtëm në shtëpi, ishte nëna me fëmijët e vegjël të vëllait. Bëri kontroll e gjeti vetëm kripë, por mua më morën në hetuesi dhe atje po kështu deponuan tek oficeri i sigurimit, Petrit Hakani, se “Nuk gjetëm gjë tjetër vetëm kripë.” Pertrit Hakani, ne dhe Shaskajt, na ka torturuar shumë. Ata sa herë dyshonin se mos vinte Isufi, bënin kontroll, ndaj pyetja e parë ishte: “Ku është Isufi? A ka ardhur?” E nuk di se çfarë pyesnin e çfarë përgjigje shënonin, se torturat ishin çnjerëzore. Më kujtohet që mbushi 68 faqe dhe në fund më tha: “Çfarë di Rahile?”, unë i thashë “Di të laj, të lyej, të pres dhe të qëndis” Ku e dija unë se ç’është hetuesia, ke perëndi moj, ku e dija se ç’është hetuesia? Ku bëhej hetuesi në shtëpinë tonë? Mbaj mend që kur më dërguan në shtëpi nëna u tmerrua, se duart m’i kishin gjakosur. Unë mbaj mend që një polic nga Smokthina më pyeti të nesërmen:
– Sa ke në hetuesi?
– Nuk e di, – i thashë.
– Ke 48 orë…
– Mbase kisha rënë pa ndjenja, s’e di… Kështu bënin herë me mua, herë me nënën,
herë me kunatën, na merrnin në hetuesi… – tha ajo dhe qëndroi, thua se kishte përpara fytyrën e Petrit Hakanit.
Ajo filloi përsëri të tregonte, ndërsa unë u shkëputa nga kujtimet e hershme.
– Një herë në burg ishte një mjek, Zoto Kapllani, që bënte punën e spiunit dhe
erdhi gjoja se i vinte keq dhe gjatë bisedës i thashë:
– Shyqyr që nuk më gjetën poezitë… se kisha dy blloqe me poezi që i kisha fshehur
poshtë dyshekut, midis dërrasave.
– Pse shkruan poezi ti? I ngjake Isufit…
– Kjo u desh dhe kishin shkuar në shtëpi për kontroll, por unë nuk e dija, por nëna i
kishte djegur dhe kështu shpëtova atë radhë…
Biseda kaloi miqësore, pa i shkruar. Më tregoi për poezitë, për Isufin në Francë dhe recitoi edhe një poezi që Isufi kishte shkruar për një vajzë në Paris… Më pas u përshëndeta dhe dola me një kënaqësi të pa treguar…
Kaloi java dhe me dëshirën e mirë për të vazhduar rrëfimin e zonjës Rahile, motrës së Isufit, shkova dhe e gjeta tek vendi i zakonshëm. Kur më pa, i ndrinë sytë, ndërsa unë me një droje iu afrova dhe i kërkova ndjesë, së mbase e shqetësoja, por ajo më pushtoi fort dhe përsëri më tha:
– Më pati thënë Isufi, “… mos u mërzit për mua, një i panjohur do më nxjerrë në
dritë…”
– Ai nuk ka nevojë ta nxjerrë njeri në dritë, ai në dritë ka qenë, por zoti na
ndihmoftë që ne të kemi dritë të mjaftueshme për ta dalluar…
– Zoti të ndihmoftë dhe të dhëntë gjithë të mirat, që po shkruan për Isufin…
– Unë jam shumë e lumtur që ju, zonjë, pranuat të më besoni mua kujtimet më
të vyera të jetës dhe u garantoj që kurrë nuk do t’i keqpërdor, ato janë për mua thesar, se aty gjej jetën e Isufit, të atij burri që më ka skllavëruar me shkrimet e tij. Jam dhe ndjehem shumë e privilegjuar.
Ajo m’i mori duart dhe m’i puthi me dashuri. O zot! Sa nevojë kemi për një fjalë të ngrohtë, për një mbështetje shpirtërore. Puthja e duarve për mua ishte si një bekim për punën time dhe unë në heshtje betohem që përveç të vërtetës e vetëm të vërtetës do t’i qepem pas edhe sikur të dëmtoj veten.
– Fillojmë atëherë, aty ky e lamë. Vinin shpesh për kontroll në shtëpinë tuaj dhe
me sa më kujtohet juve u kanë burgosur, kur ndodhi kjo?
– Është e çuditshme, moj bijë, më 21 janar kam lindur, më 21 janar më kanë
burgosur, më 21 janar kanë marrë Benin ushtar, më 21 janar ka vdekur djali i Betës, vajzës së Isufit.
– Janë koincidenca këto, por po të them, që vajza ime e tretë ka lindur me një ditë
me Isufin, 21 shkurt, djalin tim e quajnë Isuf, vajza tjetër ka lindur më 4 gusht, kur ka lindur dhe djali i vogël i Isufit… mbase ka edhe koincidenca tjera, por nuk e di… – Nuk të pyeta atë ditë, Isufi ka ikur nga deti, apo…?
– Në atë kohë ishte vetëm një autobus (Spiro e quanin shoferin) që shkonte për
Tiranë. Por ikja me të ishte e rrezikshme, se tek Ura e Mifolit kishte postbllok gjerman. Ai erdhi tek shtëpia në Topana e tha: ”Po kërkojnë të më arrestojnë!”, nuk e mbaj mend mirë, atë ditë apo një më pas ai iku me autobusin.
Kështu na tregon vajza e Qazim Koculit. ”Isufi u fut midis meje dhe një vajze tjetër dhe kur shkuam tek Ura e Mifolit, ai u bë si faturino dhe na mblodhi pasaportat e ua dha gjermanëve. Ne qëndruam me zemër të ngrirë, por fati i tij dhe ata kontrolluan pasaportat dhe ia kthyen sërish atij e kështu nuk e vunë re” Ne nuk e pamë më, moj bijë që atë ditë. Me të dëgjuar e kam, ashtu siç më tha ai kur isha në Amerikë, që më pas shkuan në Shkodër e më pas Kosovë… por di që përfundoi në Itali.
– Rrugën e ka bërë andej më këmbë.
– Po në Itali di gjë me kë ishte… Kishte ndonjë shok atje?
Ka pasur Enver Bushatin, me të ishte bërë byrazer që në gjimnazin e Shkodrës dhe e mbajtën miqësinë deri në fund, por nuk di të them gjë tjetër, se Isufi ishte i rezervuar me ne gratë, nuk na fliste për punën e tij. Ka pasur dhe një mik tjetër Avdul Kuçin, i cili u vra tek “Ura e Ballistëve”. Më kujtohet kur u dha dënimi me vrasje, shkuam dhe i takuam në burg. Unë u mbusha me lot. Ai më ktheu nga rruga duke më thirrur:
– Ej, ti kineze e vogël, eja pak këtu! Kurrë mos u merr me politikë, ajo është imorale, – më tha kur unë i shkova afër.
Këto fjalë nuk ia harroj dhe vërtet moj bijë e tillë është politika.
Në këtë kohë vijnë vizitorë dhe biseda jonë mbaroi, me shpresë se një ditë tjetër do të shkoj përsëri, por dhe në mos paça rastin të shkoj më, ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua që fola me një zonjë të mençur, me një poete të heshtur, me një nënë të vuajtur e të dhembshur, me motrën e Prof. Dr. Isuf Luzajt, Rahilenë. Unë i hodha në kompjuter fjalët e saj, por vështrimin, përqafimin dhe puthjen e saj në ballë, i ndjej çdo ditë dhe çdo çast ajo më flet përmes tyre dhe përmes besimit që ajo lëshoi tek unë për të bërë prezent kujtimet e saj të hershme.
(Bisedoi Zyba Hysen Hysa, Vlorë 2013)
* Ka ndërruar jetë Rahile Luzaj (Caushaj), motra e Prof. Dr. Isuf Luzajt.
I dërgojmë ngushëllime familjes!
U prehtë në paqe dhe i qoftë dheu i lehtë!
Në përkujtim po publikojmë kujtimet e saj…