• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2014

Nuk do t’ju lë të më pini

April 17, 2014 by dgreca

Tregim nga Pirro Dollani/
Ishte shkurti i vitit 1955 kur katër burra të armatosur shpërthyen derën e dhomës ku flinin shtatë fëmijë, nga 3 deri në 11 vjeç, në një të ashtuquajtur krevat: një dyshek leckash shtruar në tokë. Nuk ishin as hajdutë e as terroristë, por forcat e policisë. Jorgji Gallani me familjen e tij banonte në një pallat italian. Kishte dy dhoma të vogla, që ishin larg njëra-tjetrës, në një korridor të përbashkët, ku jetonin edhe pesë familje të tjera, të gjitha me një banjo.
Njerëzit e armatosur në vend që të shpërthenin derën e dhomës ku flinin prindërit, shpërthyen derën e këtyre fëmijëve, të cilët, të tmerruar, u bënë grusht rreth motrës 11-vjeçare. Prindërit, me të dëgjuar zhurmën, dolën nga dhoma dhe u sulën drejt derës së fëmijëve. Aty ndodhi skena që këtyre fëmijëve të mitur u shkaktoi një traumë psikike që ndoshta vetëm vdekja do të mund t’i shpëtojë prej saj. Si një tufë ujqish të uritur mbi prenë, policët iu sulën të atit. E shtrinë për tokë dhe e goditnin ku të mundnin atë burrë 57-vjeçar e tejet paqësor. Pasi e rrahën mirë e i vunë prangat, e ngritën në këmbë. (Ku vallë e gjenin gjithë atë forcë për t’u hakmarrë në një mënyrë të tillë barbare?!)
Ndërkohë nëna mundohej të mos qante, por hera-herës i shpërthente papritur ndonjë ngulç ngashërimi. Pa i dhënë mundësi t’u thoshte fëmijëve një fjalë, e tërhoqën zvarrë atë plak të urtë, ndërkohë që kokën e gjakosur e të përlotur e mbante mbrapa si për t’u dhënë lamtumirën e fundit.
Në ditët që erdhën u mor vesh se e kishin arrestuar për veprimtari armiqësore. Faji i vetëm: kishte punuar për dhjetë vjet si përkthyes në organizatën amerikane, U.N.RR.A., që sillte ndihma në Shqipëri. Sapo kjo organizatë u largua nga vendi, tërë punonjësit shqiptarë i arrestuan. Koha që kaloi në hetuesi, ishte një ferr i vërtetë. Dita e hetimit përfundonte ose kur i pandehuri humbiste ndjenjat dhe ashtu pa ndjenja e të gjakosur e përplasnin në qeli, ose kur nuk arrinte të duronte më torturat e detyrohej të pranonte gjithçka që e akuzonin.
Gjatë kohës së gjykimit, që i ngjante një farse, pasi të pandehurit nuk kishin avokatë e vendimet paraprakisht merreshin në Komitetin e Partisë, të gjithë u akuzuan si bashkëpunëtorë të amerikanëve, paçka se ishin të caktuar në atë punë nga pushteti komunist. Edhe pse dënimet ishin të rënda, të dënuarit u ndjenë të lehtësuar kur përfundoi gjyqi. Tani të paktën do t’u shpëtonin torturave çnjerëzore të hetuesve të pashpirt.
Mbas disa ditësh i nxorën nga qelia, të prangosur dhe të lidhur së bashku, për t’i nisur në një burg, në veri të vendit, ku do të punonin në një minierë. Kur Jorgji po i afrohej kamionçinës, njëri nga policët që qëndronte pranë derës për t’i ndihmuar të hipnim, i futi poshtë krahut një pako të vogël. I burgosuri e vështroi si për t’i thënë se ç’është, por polici vazhdoi të merrej me të burgosurit e tjerë. Pasi hipi, zuri vend mbi një dërrasë që shërbente si stol dhe shtrëngonte fort krahun e prangosur që të mos i binte ajo pako misterioze, ndërsa vriste mendjen se ç’do të kishte brenda e kush ia kishte sjellë. Rruga ishte gjithë gropa dhe kamionçina herë pas here dukej se do të rrëzohej. Brenda kundërmonte një erë urine, përzier me të vjellura. Udhëtimi zgjati afro 7 orë. Kur arritëm në kamp, i rreshtuan para një barake të gjatë që shërbente si kapanon. Bënë apelin dhe u hoqën prangat nga duart dhe këmbët. Pastaj i futën brenda dhe u caktuan vendin në një minder të gjatë dërrase, që do t’u shërbente si krevat. Jorgji u ul në vendin që i caktuan dhe si në gjysmë fshehtësie filloi të hapë pakon. Nga shtrëngimi ishte bërë petë. U habit kur pa dy paketa cigare “Dajti”. Në njërën prej paketave ishte shkruar: Nga Mihali. “Nga Mihali?!” – përsëriti i habitur ai. “Nuk ka mundësi. Kjo pako duhet t’i përkasë ndonjë të burgosuri tjetër. Polici gabimisht ma ka dhënë mua” – mendoi ai. “Edhe emri Mihal do të jetë një rastësi, pasi ai e di më mirë se kushdo tjetër që s’e kam futur kurrë duhanin në gojë.” Por shkrimi ngjasonte me atë Mihalit. E la pakon mbi dërrasën ku ishte ulur dhe e zuri trishtimi.
“Pse vallë më ka çuar këto paketa? Ndoshta ka menduar se burgu do t’më thyejë e do t’më bëjë që të kërkoj ngushëllim në këto cigare të flamosura? – thoshte me vete.
Lotët i mbuluan faqet, por s’kishte arsye ta fshehte fytyrën, pasi pjesa më e madhe e të burgosurve kishin kohë që qanin. Mendoi jetën e mjerueshme që do të kalonin fëmijët, tani të braktisur nga kushdo. Çfarë do të hanin? E shoqja e tij nuk kishte punuar asnjëherë ngaqë ishte e sëmurë. Kush do të kujdesej për këtë fëmijë të gjorë pikërisht tani që familja e tij do të damkosej si “armik i popullit”? Në ato çaste u tundua të hapte paketën e të ndizte një cigare, por menjëherë tha me vete “Jo! Jo! këtë gjë s’duhet ta bëj, se atëhere ata bastardë që më shkatërruan jetën, familjen e më lanë fëmijët jetimë, do të fitojnë.” E vështronte atë pako të zhubrosur dhe përsëriste me vete: O do t’më pini, o do t’ju pi! I mbështolli përsëri me letrën e zhubrosur, shqepi dyshekun prej kashte, i futi brenda dhe u betua se kurrë nuk do t’i fuste në gojë. “Jo Mihal, nuk do të thyhem! Nuk dua të më mundin këta bastardë” – u betua me vete.
Gjatë periudhës së burgut, Jorgji shpesh tundohej të shkepte dyshekun e të pinte një cigare. Sidomos pas vizitave mujore që i bënte gruaja me ndonjerin nga fëmijët. Oh me sa ëndje e priste atë ditë kur në dhomën e takimeve i shfaqeshin ata! Por sa dhimbje ndjente pas asaj dite! E sillnin të pranguar në dhomën e takimeve që ishte e ndarë me hekura nga pjesa e vizitorëve. Rrinte i heshtur me sytë nga dera e gjoksi i çahej kur degjonte klithmat e fëmijëve. Zgjaste krahët përtej hekurave dhe sapo rrokte duart e tyre e pushtonte një trishtim e shikimi i mjegullohej. S’ishte në gjendje të thoshte asgjë. Sapo merrte veten e bëhej gati të fliste, polici e mbërthente prej krahu dhe e nxirrte nga dhoma duke thënë: koha mbaroi. Në këtë gjendje i afrohej shtratit dhe me duart që i dridheshin përpiqte të shkepte dyshekun. Por mbas pak, e mblidhte veten e thoshte me zë: Jo, jo nuk do t’ju lë t’më pini!
Jo pak herë kur dilnin nga tuneli mbas pune, e të uritur shkonin të hanin darkën (një supë që më tepër kishte ujë e guralecë nga zarzavatet e palara), i shkonte mendja të shkëmbente një cigare për një pjatë supë. Kishte të burgosur që, edhe pse ishin të uritur dhe kockë e lëkurë, ofronin supën e tyre, të vetmin ushqim që kishin për darkë, për një cigare. Por përsëri stepej para betimit që kishte bërë. Kështu kaluan 7 vjet mundime, vuajtje, lotë e mjerim.

Askush nuk e priste Jorgjin atë ditë kur u shfaq në derën e shtëpisë me një thes në krah, thes ku kishte futur gjithë gjërat e burgut. S’kishte kaluar as edhe një orë, kur në derë trokiti Mihali, shoku i fëmijërisë. Të shtatë fëmijët dhe nëna e sëmurë u habitëm më shumë me ardhjen e Mihalit, sesa me ardhjen e papritur të babait të tyre. Mbasi u përqafuan duke fshirë lotët e njëri-tjetrit, Jorgji u ngrit në këmbë dhe u drejtua nga thesi që akoma s’e kishte hapur. Nxori pakon dhe ia zgjati. Mihali e mori në dorë dhe sytë i mbetën te letra e zhubrosur e tërë zgjyrë. “Ç’është kjo?” – tha me vete dhe hodhi shikimin nga Jorgji si për të parë a ishte mendërisht në rregull. Pastaj me një zë të trishtë, përsëriti: ç’është kjo?
– Hape, hape, . . . një dhuratë për ty.
– Për mua?! – Mihali u habit kur pa dy paketa “Dajti”, të zhubrosura e të nxira nga koha. Zgurdulloi sytë, hapi gojën ndoshta për të thënë diçka, por mbeti ashtu i ngrirë sikur t’i kishin hedhur në trup një kovë me ujë të ftohtë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Nuk do t’ju lë të më pini, Pirro Dollani, Tregim

54 urdhër-pagesa për ish-të përndjekurit më të moshuar

April 17, 2014 by dgreca

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, shpërndau ditën e sotme këstin e parë të dëmshpërblimit për 54 ish- të përndjekurit politik në ambjentët e Ministrisë së Mirëqënes Sociale dhe Rinisë.
Ministri Veliaj tha se “unë sot do të doja të shpërndaja 54 urdhër-pagesa. E para me një komunitet prej 560 dosjesh që ne tashmë e kemi përgatitur dhe kemi trasferuar dhe jam i sigurt personalisht që kjo minisri të ketë trasferuar paratë në llogari bankare, kështu që sot bashkë me letrën e informacionit do të merni dhe numrin e llogarisë bankare që ju keni depozituar dhe ku kanë shkuar paratë dhe shuma përkatëse për secilën depozitë”.
Më tej ministri Veliaj u shpreh se “Sigurisht që sot në një vënd normal , sot do të ishte një ditë e gëzuar sepse po bëjmë një lloj paqe me historinë dhe më rezulton që nuk është kështu në Shqipëri, sepse është një ditë shumë e vonuar dhe një ditë që është vonuar 23 vjet, kjo ministri ka pasur pjesën e vet të përgjegjësisë, keshu që edhe pse nuk kemi qene në detyrë para disa muajsh , unë kërkoj ndjesë publikisht sepse jeni përfaqësues të shtetit shqiptar dhe pavaresisht se kush është në pushtet, shteti duhet të dijë të kërkojë ndjesë për detyrat që nuk i ka kryer. Kështu që uroj që të keni mundësi të na falni dhe të na mirëkuptoni që në kohë rekord sapo e kemi marrë këtë detyrë jemi munduar ta stabilizojmë situatën.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se “ky nuk është shpërblim, ky është një dëmshpërblim sepse disa njerëzve u është bërë një dëm dhe shumë prej të mirave publike që ne kemi sot në Shqipëri për infrastrukturën është bërë pa pagesë nga njerëz që kanë punuar nën dhunë dhe nën detyrim. Ndërkohë, do t’ju ftoja që të gjitheve që te ishit pjesë e nje dikutimi për reformën që duam t’i bejmë ligjit , jo vetëm për të rritur fondet por edhe për të gjetur një mënyre të arsyeshmë që ligji për fondin të jëtë sa më eficent, për t’i dhënë përparësi atyre që janë gallë, burokracitë duhen ndërprerë, rrugët duhet të bëhën më të shkurtra.“.” I kam kërkuar ministrisë që të gjithë fondin ta disbursojë 100% brënda vitit”, u shpreh ministri Veliaj.

Filed Under: Kronike Tagged With: e pare, Ministri Veliaj: 54 urdhër-pagesat për ish-të, përndjekurit

Ushtria e përfshirë në trafik droge?

April 17, 2014 by dgreca

* Kuvendi përfshihet në debat për akuzat e opozitës për përfshirjen e ushtrisë në trafikun e drogës/
* Kryeprokurori Llalla: Po hetojmë, presim fakte nga akuza/

Nga Arbi Fortuzi/-.Hetimi i akuzave të ngritura nga opozita kundrejt qeverisë lidhur trafikimin e drogës nga ana e ushtrisë, janë në fazën fillestare, tha të enjten Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, gjatë një prononcimi për mediat.
Llalla gjatë prononcimi tha se aktualisht po bëhen verifikimet e duhura lidhur me ngjarjen në fjalë, ndërsa nënvizoi se po pritet dokumentacioni që fakton akuzat e ngritura.
“Prokuroria ka marrë edhe një kërkesë nga ministrja e Mbrojtjes për nisje te hetimeve. Jemi në fazën e verifikimeve paraprake, do i kërkojmë deputeteve që kanë ngritur dyshime për përfshirjen e strukturave te ushtrisë ne trafik droge, që të paraqesin faktet që thonë se i disponojnë, do i kërkohet edhe institucioneve te ndryshme si, SHISH, DPPSH, dhe këdo që mund të ketë informacioni e fakte që t’i paraqesë pranë organeve të akuzës”, tha Llalla.

Kuvendi përfshihet në debat për akuzat e opozitës për përfshirjen e ushtrisë në trafikun e drogës/
Kuvendi u përfshi në debate të ashpra dhe në akuza të ndërsjella, teksa si pikë e rendit të ditës ishte në fakt procesverbali i punimeve të seancës së shkuar plenare.
Opozita i kërkoi shpjegime Kryeministrit dhe Ministres së Mbrojtjes për akuzat e ngritura për përfshirje të ushtrisë në trafik droge. Por, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i kërkoi opozitës përgjegjshmëri në akuzat që ngre. Ai po ashtu kërkoi nga opozita që të çojë në Prokurori të gjitha faktet, shqetësimet dhe informacionet që ka. “Çojini në prokurori të gjitha faktet, shqetësimet dhe informacionet që keni, në rast se doni të ndihmoni Shqipërinë”, tha Meta.
Meta i kujtoi opozitës se ministrja e Mbrojtjes pas ngritjes së akuzave nga ana e opozitës, i ka bërë kërkesë zyrtare Prokurorisë të hetojë mbi akuzat e ngritura. Është detyrë e Prokurorisë të hetojë akuzat, ndërsa detyra jonë, tha Meta, është të bashkëpunojmë me Prokurorinë. “Ne jemi vend anëtar i NATO-s”, theksoi ai në fjalën e tij. Edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, hodhi poshtë akuzat. “S’ka asnjë provë të vetme dhe fakt të vërtetuar që Forcat e Armatosura apo bazat e ushtrisë janë të implikuara në veprime kriminale”, deklaroi Kodheli

Filed Under: Kronike Tagged With: kryeprokurori, Kuvendi, Ushtria ne trafik droge

Refugjatja e eksodit nga Kosova që “vodhi” miliona zemra në American Idol

April 17, 2014 by dgreca

15 vjetori i Eksodit Biblik të shqiptarëve të Kosovës, talentin Melinda Ademi e gjenë në vendin e ëndrrave të saj/
Nga BEQIR SINA/
NEW YORK CITY : Melinda Ademi talenti nga Kosova në Amerikë, ka qënë si me thënë “e harruar” nga kamerat, dhe gazetarët shqiptar, që kur ajo u largua në performancën e saj në American Idol – tre vjetë më parë.
Por pas “shkëlqimit” të saj në American Idol kur ajo “pushtoi” ekranet dhe faqet e revistave shqiptare dhe të huaja, veshjeve egzotike, prerjes dhe lyerjes së flokëve të saj, këngëtarja duket në blogun e saj sot me një pamje të re edhe më tërheqëse, e cila përkon edhe me 15 vjetorin e eksodit Biblik, të shqiptarëve të Kosovës. Eksodit, të cilit ajo dhe familja e saj i përket.Në setin e ri fotografik , ajo duke treguar modelin asimetrik të flokëve të saj, pamjen dhe pozimet tërheqëse duket, se tani e edhe më e rritur me famën dhe suksesin ka shumë ambicje të tjera të cilat “janë sekret”.
Por, pavarësisht se ajo nuk shkruan diçka rreth eksodit që ajo edhe familja e saj kaluan në këtë 15 vjetor dhe fotografive të vendosura në profilin e saj në rrjetin e saj social Facebook, Melinda Ademi, është shfaqur me një paraqitje e jashtme – (affectation) krejt të ri – që se kemi parë më parë.
Talenti në ngjitje shkëlqeu në sezonin e dhjetë e shout-(show) shumë të popullarizuar American Idol, në janar 2011 , ajo dukej si një yll i ri që kishte lindë. Sa që gazetarët dhe ekspertët latinë të këtyre show e krahasuan atë me yllin latinë Selena Gomez.
Melinda Ademi, tani është 19 vjeçe dhe ajo është ish refugjate nga Kosova – e cila është vendosur në SHBA gjatë luftës, e cila famën e saj dhe u bë njohur teksa shkëlqeu në epizodën e parë të spektaklit American Idol – 10, duke kënduar këngën e famshme të Cee-Lo “Forget you”.
Duket se bukuria e Melindës dhe zëri i saj i mrekullueshëm vërtet kanë qenë mbresëlënëse – sa që në blogosfera fansat janë të “çmendur” pas saj. Shumica e bloggerave janë të prekur nga historia e saj, si refugjate nga Kosova 15 vjet më parë.
Kështu që ish refugjatja nga Kosova jo vetëm tashmë ka befasuar jurinë e spektaklit të famshëm televiziv ‘Amerikan Idol’, 3 vjet më parë, por edhe mbarë shikuesit. Jo vetëm për zërin e saj të mrekullueshëm, por edhe për historinë që bart ajo në kët 15 vjetor të eksoditi të shqiptarëve të Kosovës.
19- vjeçarja nga Kosova Melinda Ademi, e ka rrëfyer historinë e saj në Amerikë, që kur familja vendosi të largohej nga Kosova, gjatë luftës e deri tek ëndrrat për t’u bërë një këngëtare e madhe.

Melinda, nga kampet e Bllacës në American Idol –

Mbrëmëja e fund javës së janarit 2011, pra në edicionin e 10 të spektaklit Amercn Idol, në një nga konkurrimet më prestigjiozet në SHBA, për ish refugjaten, me paraqitjen e saj dinjitoze mori vlerësimin absolut të jurisë që edhe ajo të ishte garuese e ardhshme në këtë show amerikan.
Melinda Ademi, e cila, ka qenë refugjate në kampet e Maqedonisë, por që së bashku me prindërit e saj – iu largua luftës dhe masakrës së krye-kasapit të Ballkanit, Milosheviqit, në vitin 1999, për në botën e lirë, u bë simbol i asaj që do të quhej” Talenti shqiptar nga kampet e Bllacës në American Idol – “.
Jamë “nga Kosova”! deklaroi ajo duke “shtangur” jurinë – të tre anëtarët e jurisë thanë se “nuk është e mundur të ketë një yllë të tillë nga Kosova!’
“Viti i tmerrshëm i një gjenocidi të paparë, kur rrezikohej deri në shfarosje populli shqiptarë”, kan qenë skenat që përkujtuan prindërit e Melindës skenat e 1999 – në një dokumentar televizivë tre vjet më parë. Rrëfimi i tyre, shoqërohej me sekuenca televizive, përmes të cilave, miliona shikues amerikan kanë parë, pamjet tragjike, të shqiptarëve që largoheshin me dhunë dhe forcën e ushtrisë e policisë serbe.
Ndërsa, shikuesve amerikan iu rikthyen në mëndje pamjet televizive të 15 vjetëve më parë, kur kan qenë rreth një milion shqiptarë mes tyre edhe gra, fëmijë e pleq të gjithë shqiptarë, edhe të sëmurë e të rraskapitur mes tyre, që lanë shtëpitë e tyre në vitin 1999 për të shpëtuar jetën nga genocidi i paparë serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Mirëpo, ja që fati e solli të paktën fëmijët e tyre refugjatë, sot arritën të “kapën” edhe majat e suksesit në SHBA, ata të bëhen jo vetëm të suksesshëm por edhe me famë në Amerikë.
Në facebook -un e saj Melinda Ademi, shkruante se: “Unë jam Melinda .Unë dua të këndoj! Gjëja më e dashur gjithë jetën time, është veçse të këndojë dhe këtë e kam nisë që unë kur isha vajzë e vogël. Ëndrra ime është që të bëhem një artiste e madhe. Unë e di se ëndrrat e mia janë të mëdha, por unë do të jap gjithë atë talentin tim – për të arritur atë megjithëse dhe sfida që kam përpara është e madhe.”

Melinda Ademi dhe kënga “Forget You ” në American Idol

Ka arritur tre vjet më parë për të mahnitur, jo vëtëm jurinë e spektaklit më të shikuar televizivë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Amerikan Idol, por edhe mbi 25 milion shikues të rregullt të çdo puntate. Kjo siç patën thënë komentuesit e faqes së interrnetit – jo vëtëm për zërin e saj të mrekullueshem – por edhe për historinë e popullit të saj që ajo bartë në shpirtin e saj. Kurse, shqiptarët, shkruanin se Melinda na bëri krenar!
Melinda Ademi shqiptaria nga Kosova teksa prezantonte veten para kamerave të Amerikan Idol në edicionin e 10të, ka treguar jetën e saj dhe të familjes së saj. Jeta e saj ishte një histori prekëse e njëjtë me atë të afro 1 milion shqiptarëve të larguar me forcë nga shtëpitë e tyre. Ajo ka treguar së bashku me prindërit shoqëruar dhe me pamje filmike nga ajo çfarë ndodhi me popullin shqiptarë në vitin 1999 në atë që sot thirret “Eksodi Biblik i Shqiptarëve të Kosovës”.
Gjatë rrëfimit ajo nuk fshehu edhe ëndrrat e saj fëmijënore, për t’u bërë një “këngëtare e madhe”. Tre vjet më parë duke parë Amerikan Idol, Melindën e pamë të tregojë edhe arsyet pse e shtynë atë dhe familjen e saj të linte Kosovën në vitin 1999.
Por, megjithse ajo është larguar shumë e vogël – ajo thotë se mban mënd shumë gjëra. Sidomos, luftën dhe bombardimet e ushtrisë Sërbe, djegëjet e shkatërrimin e shtëpive në Kosovë. Nëna e saj, ndërsa dëgjonte të bijën të rrefehet – dhe nuk i mbante dotë lotët.
Nëna më pasë së bashku me babanë e Melindës, treguan edhe ata se sa e vështirë ka qënë jeta nën sundimin sërb në Kosovë për shqiptarët. Dhe ata e dinë mirë se çdo të thoshte në atë kohë të lëje në duart e sërbëve gjithçka mbasi nuk kishin asnjë mundësi për t’i mbrojtur. “Si mund t’i rrisësh fëmijët në mes të luftës – me çfarë ti ushqesh ata me plumbat – ishte e tmerrshme të qëndrojë – andaj u detyruam të largoheshim” patën deklaruar ! duke qarë! para kamerave të televizionit amerikan prindërit e Melindës
Mirpo, ja që edhe fati e ndhmojë familjen Ademi nga Kosova, mbasi qëndruan disa kohë në kampin e refugjatëve në Ballacë – Maqedoni, ata fituan një Lotari të Kartës Jeshile, dhe së bashku më vajzat emigruan për në SHBA si refugjat nga Kosova.
Këtu si shumë emigrantë të tjerë, jeta e tyre nisi nga e para dhe kështu gjëtën ëndrrën e tyre Amerikane. Duke e bërë Amerikën shtëpinë e tyre. Dhe, megjithse jeta e emigrantit këtu është e vështirë në fillim ata arritën t’ja dalin mbanë. E bija e tyre qysh në moshë16 vjeçare ka qenë njëra prej kunkerenteve të spektaklit të talenteve të reja Amerikan Idol. Ishte ajo që la si i themi ne shqiptarët “pa asnjë fjalë ” anëtërët e jurisë.
Saqë, “Trupi” gjykues,” Randy Jackson, këngëtari Jackson, aktorja, Jennifer Lopez dhe Steven Tyler, ndërsa e pyetën për kuriozitet se nga vjen – ajo Melinda me plotë krenari shqiptare e veshur me një bluzë te kuqe dhe një pal pantallona të zeza ngjyrat e flamurit tonë kombëtarë i tha “nga Kosova”. Të tre anëtarët e jurisë thanë se “nuk është e mundur të ketë një yllë të tillë nga Kosova!?’
Por, e vërteta ishte se një yllë po qëndronte para syve të gjyqëtarve të Amerikan Idol dhe audiencës e milionave amerikanëve, që po e ndqnin në ekranin e televizorit këtë proformancë. Mbasi ajo interpretojë këngën solo juria i urojë mirëseardhjen në garimin tjetër për në Hollivud.
Një ish anëtar i trupit gjykues American Idol, Steven Tyler i pati thën Melindës duke miratuar suksesisn e saj absolutë se “Ju tani keni ftiuar dy hërë Lotarinë – Ekzatsisht” Salla shpërtheu në duartrokitje entusiaste, dhe anëtarët e jurise ” Randy Jackson, këngëtari Jackson dhe aktorja, Jennifer Lopez mbeten të mahnitur.

Filed Under: Kulture Tagged With: 15 vjetori i eksodit, American idol, Beqir Sina, Melinda Ademi

Gjaku i Dëshmorëve bën historinë e lirisë

April 17, 2014 by dgreca

Refik Gërbeshi, Dëshmorët e Kombit – Mareci ’99, Prishtinë, 2014/
Nga Prof. dr. Nusret Pllana/
Përkufizimi/
Ka vetëm një rrugë nëpër të cilën ecën historia e lirisë. Ajo është rruga e gjakut të dëshmorëve të kombit, të cilët në kthesën e madhe historike, ishin të gatshëm të falin gjakun për ardhjen e lirisë. Përkufizimi gjaku i dëshmorëve bën historinë e lirisë, mund të duket abstrakcion krijues, por kur lexon veprën e Refik Gërbeshit, Dëshmorët e Kombit – Mareci ’99, atëherë qartësohet dhe konkretizohet rrafshi kombëtar, jo vetëm i idealit të tyre, por edhe i gatishmërisë për të dhënë jetën.

Hyrja

Kur lexon veprën e Refik Gërbeshit, Dëshmorët e Kombit – Mareci ‘99, hapen udhët për të hetuar shkollën e edukimit kombëtar, që ka rritur djemt dhe vajzat e lirisë, hapen rrugët për të hetuar idealin që e kishin mësuar nëpër këngët dhe bëmat e stërgjyshërve, gjyshërve dhe baballarëve të tyre, të cilët kërkesave të historisë i kishin bërë ballë me pushkën krahut dhe me sakrificën e tyre.
Kjo shkollë e madhe e atdhedashurisë ishte bërë pjesë e jetës së të rinjve e të rejave shqiptare, edhe të dëshmorëve të Marecit, ishte bërë pjesë e idealeve, të cilat bëhen realitet historik vetëm me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç ishin bërë pjesë e këtij realizimi të këtyre idealeve edhe Dëshmorët e Kombit nga Mareci i Shyt Marecit dhe i bashkëluftëtarve të tij. Prandaj, mund të thuhet, se ishte bërë shkollë edhe për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve që kishin derdhur gjakun për lirinë e tokave të pushtuara.

Historia e atdheut shkruhet edhe me gjakun e tyre

Autori Refik Gërbeshi, fillimisht është marrë me historinë e gjatë të këtij toponimi dhe të këtij vendbanimi. Është marrë me gjëllimin e tij nëpër të gjitha stuhitë e kohrave, të cilat kishin lënë gjurmët e tyre edhe në kujtesën e berezave të shqiptarëve të kësaj ane.
Prandaj, kur lexon të dhënat që ka afruar autori i kësaj vepre, Refik Gërbeshi, në monografinë e tij Dëshmorët e Kombit – Mareci ‘99, lexuesi ka përshtypjen se po shfleton historinë shekullore të kësaj treve të lashtë shqiptare, ekzistenca e sëcilës arrinë deri në legjenda. Më tutje, lexuesi ka përshtypjen se po lexon gatishmërinë e brezave të burrave shqiptarë, të të gjithë brezave, për të dhënë jetën për tokën e tyre. Doemos krijohet bindja, e mbështetur në fakte se jo vetëm udha e ardhjes së lirisë, por e tërë historia e kësaj pjese të atdheut gjëllinë në gjakun e tyre, merrë frymë me gjakun e tyre, bëhet realitet jetësor i shqiptarëve të lirë, me gjakun e tyre dhe, në fund të fundit, bëhet pjesë e jetës sonë historike duke kultivuar shenjat e kujtesës sonë kombëtare.

Ndërtimi i veprës për Dëshmorët e Kombit – Mareci ‘99

Vepra e Refik Gërbeshit, Dëshmorët e Kombit – Mareci ‘99, ka një strukturë të veçantë ndërtimi. Autori ka shpaluar së pari disa veçori karakteristike të kësaj treve, jo vetëm në kohën e pushtimit të saj, por edhe përtej lashtësive historike, që nga gojëdhënat dhe legjendat. Thuajse autori ka dashur ta bind, së pari veten, pastaj familjarët e dëshmorëve të Marecit të vitit 1999, pastaj të gjithë shqiptarët, se pa shenjat e kujtesës historike të kësaj treve shqiptare, zor se do të kishte fytyrë të plotë njeriu, liria për të cilën Dëshmorët e Kombit nga Mareci janë sakrifikuar në luftën e madhe për lirinë e kësaj pjese të atdheut.
Më tutje, autori ka marrë nëpër duar të dhënat jetësore, jo vetëm të djemve që ishin bërë shenjë e ardhjes së lirisë, por edhe të familjeve të tyre. Në jetëshkrimet e Dëshmorëve të Kombit – Mareci ‘99, autori ndonjëherë ka qëmtuar edhe breza të tërë të familjarëve të dëshmorëve, jo vetëm për të dhënë udhën e jetës historike të familjes, por edhe idealin e atdhedashurisë për lirinë e të cilit kishin dhënë jetën Dëshmorët e Kombit të Marecit në vitet e lavdishme të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të dhënat jetësore për dëshmorët e Marecit, të dhënat familjare, të dhënat për rrugën historike të akëcilës familje të dëshmorëve, për të cilët ka shkruar, të shumtën e herëve janë mbështetur në shënimet që ka mbledhur vetë autori, kurse në raste janë argumentuar edhe me të dhëna nga vepra të ndryshme historiografike, në të cilat temë kryesore ka qenë Mareci, apo historia e periudhave të caktuara të kësaj treve.
Biografitë e secilit dëshmorë për të cilët ka shkruar autori i kësaj vepre, Refik Gërbeshi, janë në radhë të parë të dhëna autobiografike për jetën e tyre, deri në aktin e rënies për liri. Pastaj janë të dhëna për bëmat e tyre në beteja të ndryshme të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më tutje, janë të dhëna për rrugën jetësore të tyre, si dhe për shpalimin e idealeve të tyre, deri në aktin madhor të rënies në altarin e lirisë.

Përfundim

Duke lexuar me vëmendje veprën e Refik Gërbeshit, Dëshmorët e Kombit – Mareci ‘99, vjen natyrshëm mendimi se pa sakrificën e të gjithë Dëshmorëve të Kombit, kudo dhe kurdo që kanë rënë, as çlirimi i kësaj pjese të gjeografisë kombëtare, as ardhja e lirisë nuk do të ishte bërë realitet në jetën historike të popullit tonë.
Prandaj, është vendi të thuhet, siç del në këtë vepër, se ata që ju bënë krahë ardhjes së lirisë, janë shenjat e kujtesës sonë historike, pa të cilat një popull mbetet pa kujtesën e ekzistimit të tij, e atyre që ju shlyhet kjo kujtesë, fatkeqësisht historia ju përsëritet, siç ka ndodhë jo rrallë herë edhe me popullin tonë të shumëvuajtur.
Falë gjakut të këtyre Dëshmorëve të Kombit, të cilët i ka përjetësuar në këtë vepër autori Refik Gërbeshi, lexuesi mëson se udha që kanë ndjekur të rënët për liri, pra edhe Dëshmorët e Kombit nga Mareci i Gollakut, është e vetmja udhë e bërjes së lirisë dhe e bërjes së tërësisë së atdheut. Ky ishte ideali i të gjithë Dëshmorëve të Kombit, rrjedhimisht edhe i Dëshmorëve të Marecit ‘99.

Filed Under: Kulture Tagged With: Gjaku i Dëshmorëve bën, historinë e lirisë, Nusret pllana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT