• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2014

U BETUE…E DHA JETEN PER NJË IDEAL “ATDHÉ E FÉ”!

April 3, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/110 MA PARë, 4 PRILL 190/

Ne Foto: At Mati PRENNUSHI O.F.M.(1882 – 1948)/

Nga Fritz RADOVANI/

At Mati Prennushi, u shugurue meshtar në urdhnin Françeskan të Shkodres.“Për gazmend t’Asaj ditës së Lume, kur Padër Mati Prennushi i Urdhnit të Sh’Françeskut, me të madhin gzim i rrethuem prej t’Vetve tha Meshën e Parë, në Kishën e Fretenve në Gjuhadol, Shkoder, 4 Prill 1904.” (Fotokopjo ruhet nga Autori FR)

At Mati Prennushi OFM, asht lé me 2 Tetor 1882 nga prindët Kolë e Drande (Roza) Prennushi, në qytetin e Shkodres. Asht i familjes vjeter Prennushi, nipi i Don Matisë, që vdiq në vitin 1904, vit në të cilin Shugurohet Meshtar me atë emen At Matia.

Mbasi perfundoi studimet në Troshan, vazhdoi dy vjet në Bosnje dhe shkoi per studime teologjike në Graz t’ Austrisë, ku perfundoi shkollen e naltë. U kthye në Atdhé.

U emnue profesor në gjimnazin e Fretenve, dhe mbas një viti shkoi famullitar në Bajzë të Kastratit. Dashamirsia dhe bujaria e malësorëve e bane shpejtë per vete. Po, as këtij nuk i mungoi trimnia që shumë shpejt e bani me u rreshtue me luftarët e Lirisë!

Nga fundi i vitit 1905 turqit mendojnë me i dhanë flaken qytetit Shkodres pak kohë para se me ra Perandoria Turke…– dëshmonte At Dioniz Maka, me 14 Prill 1995, sësi – At Matia njëditë diele mbas Meshe, u çvesh dhe i hypi kalit me alltije në brez i ndjekun nga malësorët e vet besnikë të rreshtuem mbas Tij, dhe u nisën me i ra Shkodres së zaptueme nga turqit. Erdhi lajmi në Shkoder…me të marrun vesh valia, dergoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodres për me e ndalue këte veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër shkodranëve.

Imzot Guarini i dërgoi një përfaqsues me u dalë para malësorve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqsuesi i Klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej valisë, malësorët u këthyen, Shkodra shpëtoi… At Matia qysh i ri asht dallue për trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun… e, si tash, e kam ndër veshë zanin e Tij kur këndonte Gloria!..”

At Matia bashkë me At Buon Gjeçaj janë të dy tek Maja e Bratilës përkrah Dedë Gjo’Lulit, në vitin 1911 me Flamurin e Gjergj Kastriotit të palosun në gjoksin e Tyne.

Gjaku i Malësorve Trima të Alpeve i shkuem rrëkajë përsa shekuj Fitoi!

Asht Dita ma e madhe e Popullit Shqiptar, gati pesë shekuj mbas vdekjes së të Madhit Skenderbé, kur edhe njëherë u ngrit Flamuri i Tij, me Shqipën Dykrenare.“Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiqit, afër Tuzit. Até e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e Tij”, shkrue nga Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq. 150, University of San Francisco, USA.

Fitoria duhej shtrij në gjithë Shqipninë! Asht Imzot Lazër Mjedja, që me 10 Qershor 1911, i prinë ngjarjeve të Mëdha të Pavarësisë së Vlonës, tue shkue drejt e në çelën e At Mati Prennushit në Gerçë, ku u përpilue “Memorandumi i Gerçës” bashkë me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, Hasan Prishtinen, etj…dhe u firmue nga i Madhi Dedë Gjo’ Luli i Traboinit të Hotit, Sokol Baci i Grudës, Dedë Nika Bajraktar i Grudës, Gjeto Marku i Hotit, Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit, Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Kelmendit, Lul Rrapuka i Vuklit të Kelmendit, Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit, Mehmet Shpendi, i pari i Djelmnisë së Shalës, Martin Preka i Shkrelit, Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi i Toplanës, Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. (Nga Revista L.E.K.A. Shkoder, 1937).

Mbas pak muejsh At Matia kapet nga forcat e Mali i Zi, dënohet me varje në litar, dhe i shpeton jeta me nderhymjen e At Gjergj Fishtës tek krajl Nikolla.

Mbas vitit 1924 qeverisja e Ahmet Zogut merr tipare tjera drejtuese, me veprime diktature. Asht ai vit kur pothuej krejt Veriu kërkon largimin e tij nga froni…Kleri Katolik Shqiptar tue mos u pajtue me mënyren e qeverisjes së Zogut, i cili kishte ba marrveshje me Jugosllavinë kundër interesave kombëtare, doli në opozitë të haptë në vitin 1926. Zogu dënoi me varje në litar Don Gjon Gazullin dhe, e ekzekutoi vëndimin në Rrëmaj të Shkodres, ku ka vorrin. Një pjesë tjetër e klerit u interrnuen, disa morën dënime të randa.  At Matia ishte në listën e të parëve që mund të pushkatohën. Asht At Pal Dodaj që ndërhynë tek Zogu dhe e shpëton At Matinë, me kusht që ky të mos shërbente ma në krahinat e malëve të Veriut. Për këte arësye shkoi në Laç të Kurbinit, Iballe e Gomsiqe të Pukës dhe në vitin 1941, me At Anton Harapin, çelin Kishen e Fretenve në Tiranë.

At Dioniz Maka thekson: “Në Kishën Françeskane në Tiranë, me 28 Nandor 1942 Ai ka vue Flamurin Kombëtar me Shqipen e flamurit të Deçiqit (1911), pa stemat e fashizmit. Kryente vizita kortezie ndër autoritetët shtetnore edhe italiane, që i kishte të detyrueme por prej tyne konsiderohej “françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane.” (Dëshmi e A.D.Makës, viti 1995, në Shkoder).

Në vitin 1943 At Matia asht zgjedhë Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë.

Diskutohej me u zgjedhë Ky, ose At Çiprian Nika…Merr fjalen At Matia:

“Jo!.. Mos me e zgjedhë At Çiprianin, se komunistat punën e parë që kanë me ba, kanë me pushkatue Provinçialin, prandej t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né”. “Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë, nuk i bante përshtypje pushkatimi se edhe dy herë ma parë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile, edhe deri tek stoli i konopit në Serbi…”  Kështu, shkruen At Konrrad Gjolaj OFM, në librin “Çinarët” faqe, 67.

Në janarin e 1945 shkojnë në kuvendin e Gjuhadolit kriminelët Sheuqet Peçi dhe pak ditë mbas tij, terroristi Mehmet Shehu:  Të dy kerkojnë nga At Matia shkëputjen nga Vatikani, dhe të dy marrin të njajten pergjegje: “Kjo punë nuk mund të bahet kurrë!”

At Mati Prennushi u deklarue haptas antiosmanllijë, antimalazi, antishovenist sllav, antizogist, antiitalian e antifashist, antinazist, antikolaboracionist, antikomunist…

Prandej, me okupacionin sllavo komunist, anadollakët tanë në sherbim të tyne At Matinë e arrestojnë me 17 Nandor 1946, dhe mbas 14 muejsh tortura në burgun e Kishës së Fretenve, në Janar 1948 e dënojnë me vdekje, me pushkatim. (Gjyqi kje i mbyllun).

Asht torturue mizorisht nga hetuesit e njohun kriminelë Nesti Kopali, Pjerin Kçira, Dul Rrjolli, Dulaç Lekiqi dhe Lilo Zeneli, se nuk pranonte asnjë akuzë, gja që del edhe nga dosja hetimore nr. 1302/A (Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë 1989).

Pafajsia e Tij, i akuzuem kryesisht per “futjen e armëve në kishen e Fretenëve të Gjuhadolit”, sot vertetohet edhe nga fakti se një veprim i tillë asht ba edhe në kisha të tjera katolike Shqiptare, po edhe ishte “një skenar sovjetik i aplikuem nga Stalini, edhe nder kishat tjera katolike të Bashkimit Sovjetik dhe demokracive të kampit komunist”.

Asht pushkatue me grupin e Nderuem të Prelatëve të Kishës Katolike Shqiptare, të kryesuem nga Imzot Frano Gjini, gjyqi i të cilëve nuk u pa as u dëgjue nga askush!

Në fjalën e fundit, me datën 11 Mars 1948, në ora 5.00 në Zallin e Kirit, pranë Rrëmajt, me dokument Nr. Regj. 67, në praninë e gjykatsit Kap.I Misto Bllaci, para ekzekutimit: “At Mati Kol Prennushi tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrrnoftë Papa, Rrrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnia!

U baj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”

Ky ishte fundi i Kalvarit…që edhe mbas 50 vjetësh nuk mujt me u mëshef  as nga partia komuniste jugosllave, as nga partia anadollako bolshevike shqiptare, as nga spijunët e Sigurimit të shtetit…Por as, edhe nga qendra organizuese të këtij skenari në shumë prej “Demokracive Popullore”, nga Moska staliniste e Beogradi titist i vitit 1946…

***

At Mati PRENNUSHI me daten 4 Prill 1904 u BETUE…

Kryqi i Jezu Krishtit dhe Flamuri i Gjergj Kastriotit ishin të ngulun n’ Elterin e Atdheut, ku Ai, Iu ishte kushtue Idealit “Atdhé e Fé”, per të cilin bani vdekjen si me lé…

Në këte 110 vjetor të lavdishem të Tij, këta pak rreshta, Ia kushton Autori.

Melbourne, Prill 2014.

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: “ATDHÉ E FÉ”!/, Fritz radovani, U BETUE...E DHA JETEN PER NJË IDEAL

Tre të vrarë dhe 16 te plagosur në Fort Hood të Teksasit

April 3, 2014 by dgreca

Autoritetet amerikane të rendit thonë se një person i armatosur hapi dje zjarr në bazën e ushtrisë amerikane në Fort Hood të Teksasit, duke lënë të vrarë të paktën tre vetë, para se të vriste veten. Deri në 16 të tjerë u plagosën.Presidenti Barak Obama, në komentet në Çikago, shprehu ngushëllimet e tij duke thënë “na pikëllon shumë fakti që një tragjedi e tillë është përsëritur”. Ai i cilësoi të plagosurit dhe familjet e tyre si njerëz që “kanë sakrifikuar shumë për lirinë” dhe tha se gjendja në bazë nuk është krejt e qartë. “Ne po e ndjekim situatën me vëmendje” tha ai.

Zyrtarët në këtë bazë konfirmuan se ka pasur të shtëna me armë, pasi e publikuan së pari njoftimin përmes medias sociale.
Pak pasi u njoftua incidenti me armë zjarri, stacionet televizive transmetuan pamje të helikopterëve që fluturonin mbi bazë, ndërkohë që në tokë zhvillonte kontrolle policia ushtarake. Po ashtu ishte mobilizuar edhe policia lokale e cila po kontrollonte makinat dhe kishte bllokuar zonën përreth bazës që ndodhet në jug të qytetit Waco.

Filed Under: Kronike Tagged With: Fort Hood, të Teksasit, Tre të vrarë dhe 16 te plagosur në

JUVENTUSI SHOKON PARIZIENET, Fiton 1:0

April 3, 2014 by dgreca

Juventusi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në udhëtim te Lyoni me rezultat 1-0, për të bërë një hap të madh drejt gjysmëfinales së Europa League. Kampioni i Italisë hyri në këtë sfidë me një formacion që nuk jemi mësuar ta shohim, por kjo nuk ndikoi aq në lojën e italianëve e cila ishte stabile.

Pjesa e parë kaloi me dominim të Juventusit, ashtu sikurse e dyta.Në fund të takimit, në minutën e 85-të ishte Leonardo Bonucci ai që shpërbleu mysafirët me një gol nga afërsia për 1-0.

Në ndeshjet tjera Porto ka mposhtur Sevillan në shtëpi, Benfica fitoi minimalisht në udhëtim te Az Alkmarr, teksa Baseli befasoi me rezultat 3-0 Valencian.Finalja e Europa League zhvillohet në maj në Juventus Arena.

 

Filed Under: Sport Tagged With: Juventusi fiton, me Lion, ne Paris

SHURDHOMEMECRIA E AVOKATIT TË POPULLIT SHQIPTAR!?

April 3, 2014 by dgreca

Vëzhgim/

Para disa ditësh Avokati i Popullit Shqiptar rrugëtoi nga Tirana në Durrës për të dalë në dritaren e emisioninit të Bashkim Hoxhës të News-24.Siç tha, kishte shfrytëzuar rastin e takimet me “popullin” e Durrësit dhe me këtë rast, një “rrugë e dy punë”, siç thuhet, doli në rrugë satelitore dhe foli edhe për ne, mërgimtarët që po humbim gjuhën shqipe dhe po mbetemi të burgosur në pikat e kalimit kufitar për shkak të toponimeve, pse, siç theksoi, nuk shkruhet Thesaloniki por Selanik (!?)
Përmendi se edhe një “koleg juaji”  (a thua se “kolegu” nuk kishte as emër e mbiemër dhe as adresë elektronike)  e ka ngritur këtë problem.
I rashë numrit të celularit në cepin e djathtë, sipër, të ekranit që t’i prezantohem drejpërdrejt, por zilja binte e kush nuk e ngrinte.
Për lexuesin e këtyre radhëve sqaroj se Avokatit të Popullit Shqiptar i kam bërë dy letra të hapura që ia kam dërguar në adresën e tij elektronike dhe (për horizont njohjeje) i kam dërguar edhe dy librat e mija, librat “Rilindësit e kohës sonë” dhe “Shkolla shqiptare e Athinës-Rilindësit e kohës sonë-2” në të cilat paraqitet puna e jashtzakonëshme e mësuesve vullnetarë shqiptarë në Greqi që nga veriu në jug dhe nga stereja në ishuj, të cilët me përkushtim atdhetar kanë hapur kurse për mësimin plotësues të gjuhës shqipe. I kërkova që me autoritetin që i jep posti të ndërhyjë që me ligj të vlerësohet jo moralisht  por materialisht puna që këta mësues  tash 13 vjet zhvillojnë mësim në prushin djegës të mjedisit helen, pa asnjëlloj marrëveshje shtetrore për këtë e pa asnjë mbrojtje ligjore.
Të njejtën gjë bëra edhe për problemin e pasaportave, jo vetëm të fëmijëve por të mbarë shqiptarëve, plotësuar në mënyrën më analfabete të mundëshme nga njerëz që nuk njohin jo vetëm ligjet ndërkombëtare por edhe gjuhën shqipe.
Desha ta pyes në atë dalje publike Avokatin e Popullit Shqiptar, avokat edhe për një të tretën e shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë që jetojnë në Greqi, Itali, Gjermani, në të pesë kontinentet e globit, pse nuk më është përgjigjur për dy letrat e mija në adresë drejtpërdrejt atij? Unë, për probleme të mijat dhe të komunitetit shqiptar në Greqi i jam drejtuar disa herë Avokatit të Popullit Grek dhe gjithnjë, në kohën më të shkurtër të mundëshme, kam marrë përgjigje me shkrim. Avokati i Popullit tim nuk më përgjigjet mua si gazetar, detyrim ky ligjor, çka përbën problem për statusin e tij. Dhe kur nuk i përgjigjet një gazetari për një problem të madh që lidhet me mërgatën shqiptare në Greqi, lëre pastaj se sa mund t’u përgjigjet njerëzëve të thjeshtë në hallet e tyre.
Dy letrat e mia në adresë të z. Totozani do t’i gjeni në internet ndaj nuk do zgjatem për hollësitë që i kam përcjellur.
Desha në atë emision ta pyes Avokatin e popullit tim dhe bashkë me të edhe drejtuesin e emisionit në se e kanë me vete pasaportën zyrtare shqiptare dhe në mungesë të saj në se e mbanin mend se si është shkruar vendlindja e tyre Tirane apo Tiranë, Durres apo Durrës, i sigurt që është shkruar si edhe pasaporta ime ku është shkruar Diber në vend të Dibër, ashtu siç është shkruar Korce në vend të Korçë, Kucove në vend të Kuçovë etj., etj. Desha ta pyes se pse Avokati me autoritetin që i jep ligji, nuk ia ka kthyer mbrapsht Ministrisë së Mbrendëshme pasaportën e tij shkruar me gabime të pafalshme dhe pse  nuk e ka detyruar që ta përsërisë me shpenzimet e fajtorit.
U bë më se dy vjet që fëmijët shqiptarë bllokohen në kufi për faj të shtetit shqiptar. U bë dy vjet që në ditë festash e pushimesh shqiptarët pyesin me ankth: “A lejohet kalimi i fëmijëve me probleme në të shkruarit e toponimeve”.
Askush nuk përgjigjet, askush nuk e ve ujin në zjarr për ta vluar mirë problemin. Ministrat që vijnë e shkojnë luten  para grekëve pushtetarë si të jenë para altarit kishtar, luten përthyeshëm në kurriz…
Avokati i Popullit Shqiptar z. Totozani pse bën shurdhomemecin? Deri kur ai do të dalë ekraneve për të thënë…”asgjë nga fronti i toponimeve”? Kur do ta hapë plotësisht gojën Avokati i Popullit për të kërkuar gjënë më të thjeshtë të mudëshme: TËRHEQJEN E TË GJITHA PASAPORTAVE TË FËMIJËVE QË KANË LINDUR DHE PO HUMBASIN GJUHËN E IDENTITETIN NË GREQI DHE PLOTËSIMIN E TYRE ME SHPENZIMET E FAJTORËVE?
Është e vetmja alternativë dhe ndjesë që duhet t’u kërkohet fëmijëve shqiptarë në Greqi, ndjesë që para të gjithëve i takon ta kërkojë Avokati i Popullit, detyra e të cilit është mbrojtja e njerëzve në hall. Dhe fëmijët shqiptarë së bashku me prindrit e tyre janë në hall të madh, hall që i ka rrënjët në vendin që ata e duan më shumë se çdo vend tjetër, në Atdheun e tyre që i ka harruar.

Abdurahim Ashiku

Filed Under: Opinion

GJUKANOVIÇI I MALIT TË ZI NUK MUND TA HEQIN FLAMURIN SHQIPTAR TË DEDË GJO’ LULIT

April 3, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

1. “Ligji i Flamurit”, i paraqitur nga Qeveria e Gjukanoviçit në Parlament, është provokim diskriminues veçmas për Shqiptarët etnik nën Malin e Zi, pasi po akt-kryhet juridikisht e publikisht në prag të 6 prillit, 103 vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar në Deçiç të komunës urbane të Tuzit (Podgoricë) nga Dedë Gjo’ Luli me luftëtarët kryengritës të Malësisë së Madhe. Ky Flamur e mbështolli arkivolin e Homerit Shqiptar, Gjergj Fishta.

            Kjo ngjarje historike panshqiptare skënderbegiane hyri përjetësisht në memorien e Kombit, në udhën e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare drejt Vlorës, në kangët e popullit:

Kruja e dytë, Vlora e par’

Dedë Gjo’ Luli Flamurtar.

Fluturo Flamur Shqiponjë

Nga Bratila për në Vlorë…

 Gjithmonë kur shtetit, si ky i “gospedar” Gjukanoviçit, fillon me i ra takati politik, sidomos në kit’ mandatin e fundit, nis e mendon keq, ban keq, të gjuen keq. Errësimi shoven i arësyes, urrejtja bio-politike ndaj shqiptarëve etnik, e çon Gjukanoviçin të kryej ngucama të tilla politike e etnike, të cilat do të jenë objekt i protestës shqiptare të 6 prillit në Tuz e i 8 prillit në Plavë-Guci si dhe i Demonstratës të shqiptaro-amerikanëve më 8 prill 2014 në Uashington D.C. në ditëpritjen e Gjukanoviçit nga Zëvëndës Presidenti Amerikan Xhozef Bajden.

    2. Para së gjithash, i ashtuquajturi “Ligji i Flamurit”, i përcjellë pardje në Podgoricë nga Komisioni Parlamentar për Të Drejtat e Njeriut e të Pakicave Etnike, bie ndesh me vet Kushtetutën gjukanoviçiane të Malit të Zi, kapitulli 5 i saj “Të drejtat e veçanta të pakicave”, neni 79 “Mbrojtja e identitetit”, ku pika 1 e kryesisht pika 2 sanksionon “zgjedhjen, përdorimin dhe të shfaqurit publikisht të simboleve kombëtare…”.

Njëherash, ky P/Ligj bie në kundërshti edhe me nenin 80 të Kushtetutës që është mburojë ligjore kundër asimilimit etnik, si ky rast me ushtrim force të shumicës gjukanoviçane ndaj shqiptarëve trojenik, të simboleve të tyre.

  3. Askush nga Shqiptarët etnik, partitë e shoqatat e tyre, nuk i ka kërkue ndonjëherë Malit të Zi që ta vendosin e valëvitin Flamurin Kombëtar Shqiptar në  dy kryeqytetet e tij: selinë e Presidencës në Çetinë dhe as në selinë e Kryeministrisë në Podgoricë, pavarësisht se kjo e fundit është tokë etnike shqiptare e Gentit dhe Teutës,  (edhe e të parëve të mij, të Shipshanikut).

            Në fakt, shtetit multietnik të Malit të Zi mund t’i kërkohet që krahas Flamurit të tij Shtetëror (që ka ndrrue disa herë heraldikën e tij) të vendosen edhe Flamuri i Kombit Shqiptar, për disa arsye:

Shqiptarët janë shumicë si tokëformues të shtetit të Malit të Zi, pasi nga mbi 13 mijë km. katërore të tij mbi 9 mijë km katërore janë toka etnike shqiptare të pushtuara e aneksuara prej tij, si Ulqini e Tivari, Podgorica, Plava e Gucia, Rozhaja, etj.

Shqiptarët për nga etnia, si autokton, në shtetin e sotëm të Malit të Zi janë të dytët, pas malazezëve të Çetinës. Serbët ortodoksë janë të ardhur në territore shqiptare e malazeze nga Berana e Andrejavica deri tek Herceg Novi e Tivati. Boshnjakët janë shqiptarë të asimiluar apo në raste të tjera të ardhur nga Bosnje-Hercegovina apo Sanxhaku shqiptar i Tregut të Ri. Muslimanët janë një populli e sajuar si term nga vet malazezët, pasi pjesa ma e madhe e tyre janë shqiptarë të asimiluar. Kroatët janë të ardhur në Tivat apo Kotorr.

Shqiptarët katolikë në Malin e Zi zenë vendin e parë, shqiptarët muslimanë de facto renditen të dytët. Shqiptarë të besimit ortodoksë janë deklaruar vetëm 27 vetë e si protestanë vetëm 2 prej tyre. Ky numër do të ishte ma i madh sikur të mos ishte asimilimi sllav ndaj tyre.

Shqiptarët janë shtetformues të Malit të Zi, pasi edhe me votat e tyre referendare arriti të jetë shtet i pavarur e sovran.

4.Ky “Ligj i Flamurit” e lejon përdorimin e Flamurit Kombëtar Shqiptar vetëm në ato komuna, forma themelore e qeverisjes vendore në Mal të Zi, ku  janë shumicë apo kanë mbi 15 për qind popullsi etnike shqiptare. Shqiptarët, në rastin e parë si shumicë janë vetëm në komunën e Ulqinit (79 për qind) si dhe në komunën urbane të Tuzit (një nga dy nënkomunat e Podgoricës), të cilës nuk po i jepet statusi si komunë e plotë, më vete.

            Shqiptarët, në rastin e dytë: mbi 15 për qind, janë vetëm në komunën e re të Gucisë e ndoshta edhe në komunën e re të Plavës, po ende nuk kemi të dhana të plota pasi rregjistrimi i popullsisë për të dyja përmbyllet këto ditë në prag të votimit të tyre komunar të 25 majit 2014.

Llogjika e thjeshtë e këtij ligji parathotë se në komunën e Podgoricës, ku shqiptarët etnik janë mbi 8 për qind (të tretët) nuk kanë të drejtë të përdorin lirisht Flamurin Kombëtar Shqiptar në territorin e tyre, veçse të ardhurit e atyshëm: malazezët (rreth 55 për qind) e serbët (rreth 26 për qind). Dikur shqiptarët ishin të parët për nga popullsia në komunën e Rozhajës, po tani kanë mbetë të dytët, kryesisht në Malësinë e Rozhajës, pasi janë asimilue në boshnjakë apo shpërngulë në dhera të tjera. Fakti që janë vetëm 5 për qind nuk mund t’i privojë ata nga e drejta e përdorimit të Flamurit Kombëtar Shqiptar në tokën e vet, në komunën e vet, në dasmat e tyre shqiptare.

Kuota ligjore 15 për qind është sanksionue vetëm për hatër të mos përjashtimit të komunitetit kroat të komunës së Tivatit, si popullsi e tretë (mbi 19 për qind) si vendi i selisë së partisë së tyre që qeverisë e privilegjuar në koalicion me Gjukanoviçin dhe kanë një ministër në qeverinë e tij. Për shembull: Në koftë se kuota do të ishte mbi 10 për qind do të përfitonin edhe shqiptarët e komunës së Tivarit fqinjë, tokë etnike shqiptare në shekuj, ku shqiptarët arrijnë në mbi 12 për qind. Në Tivar, realisht, ka rreth 6.000 shqiptarë etnik, ndërsa në Tivat, gjysma e tyre, rreth 3.000 kroatë – komunitet i ardhur. Faktikisht shqiptarët e kroatët janë etni e tretë në komunat e tyre.Veçse kanë ndryshim të madh ndërveti: së pari, kroatët, ndryshe nga shqiptarët, për padrejtësinë malazeze ma të vogël protestojnë në Malin e Zi, në Kroaci, në Bruksel e Nju Jork, në Uashington D.C., etj.; së dyti, për kroatët në Malin e Zi shteti Kroat (antar në NATO e BE) nuk lëshon asnjë hap, asnjë orë, asnjë element, ndërsa Shqipëria e Kosova duket se i kanë lanë disi “dorë të lirë” të Gjukanoviçit ma së shumti me fitue “pikë” në integrimin euro-atlantik e në pushtetin e vet politik.

“Ligji i Flamurit” me caktime përqindjesh të tilla nuk mund t’i përjashtojë nga përdorimi lirisht i Flamurit Kombëtar Shqiptar në komunat e tyre shqiptarët etnik në trojet e veta në Podgoricë, Tivar, Rozhajë, etj. po as në Kotorr, Budva, Çetinë, Nikshiq, Herceg Novi etj. ku shqiptarët janë në numër të pakët, ma pak se 100 banorë.

5.Fillim prilli 1907. Në Amerikë, në udhët e Bostonit, pranë Stars and Stripes, organizohet një Paradë e shqiptaro-amerikanëve me Flamurin Kombëtar Shqiptar. Ishin atdhetarë shqiptarë emigrantë, shtetas amerikanë, në tokën amerikane. Ishte koha e Presidentit Amerikan, Teodor Ruzveltit. Gazeta “Kombi” (Boston, 26 prill 1907, fq. 2) thotë se paradon “për të parën herë në mënyrë legale, në kohët moderne, Flamuri i Skënderbeut”.

Prapë prill. Mbi një shekull ma vonë. Në një mijëvjeçar tjetër. 8 prill 2014. Shqiptaro-amerikanët do të protestojnë në Uashington D.C. kundër kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç. Ata do të jenë në ballë të demonstratës me Flamur Kombëtar Shqiptar, me atë Flamur që Gjukanoviçi shoven don t’ua ndalin shqiptarëve etnik nën Malin e Zi.

Simboli ynë Kombëtar, Flamuri Shqiptar i Skënderbeut, është i lidhur pazgjidhmërisht e pafundësisht me historinë e Shqiptarëve të trevave shqiptare nën Malin e Zi, me këtë pjesë të përjetshme të trungut e trollit shqiptar nga Ulqini e Tivari, në Tuz e Podgoricë e deri në Plavë-Guci e Rozhajë, etj.

Pranverë 1786. Karamahmud Bushati me krerët e Maleve shkoi “në betejë me Flamurin Kombëtar Shqiptar” (F. Lonermon: “Turcs et Montenegrins”) sikurse edhe më 1798 me kit’ Flamur luftoi për t’i shkëput nga ndikimi i Vladikës së Malit të Zi krahinat e Kuçit, Piprit e Palabardhit dhe, si flasin kronikat e kohës, u vra “Më i shkëlqyeshmi Kastriot”.

Ishte tjetër prill. Ai i vitit 1879, kur Ali Beg (Pashë) Gucia lëvizte nëpër “Arbninë e Vogël”, nga Gucia në Plavë e Murinë, i hypur mbi kalë e “mbante një flamur të vogël të kuq me shqiponjë dykrenore”. Në Luftën e Ultinës së Epërme të Limit (Lufta e Nokshiqit), në të dy betejat, 4 dhjetor 1879-11 janar 1881, forcat ushtarake të Lidhjes së Prizrenit e të Plavë-Gucisë kishin prijëtar në ballë Flamurin Kombëtar Shqiptar. Në një telegram të Dervish Pashës dërgue Portës së Lartë (1881) informon se “fjala është për flamujt shqiptarë, të cilët Lidhja i ka përdorur para dy vjetësh për ushtrinë shqiptare të cilët kanë shkuar për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë nga sulmet malazeze. Sikurse iu informova në atë kohë kishte afër 20-30 flamuj të tillë. Mirëpo flamujt shqiptarë, të cilët i ka përdorur ushtria e Lidhjes qysh atëherë kanë mbetur në Plavë e Guci” (Dok. 49 dhe 71). Lufta e Nokshiqit ishte “parathënia e Shpalljes së Pavarësisë” në Vlorën e 1912-tës, si e shprehin dhe vargjet:

Si dy male i rrijnë Historisë,

Nokshiqi dhe Vlora e Pavarësisë.

   Koinçidencë e jashtëzakonshme: Prapë Prill. Ishte 19 prilli i vitit 1880. Në një miting të madh të organizuar në Shkodër me qytetarët e atyshëm, me malësorë nga të gjitha fiset e Malësisë së Madhe e nga të gjitha krahinat e Vilajetit të Shkodrës, në mbrojtje të Hotit e të Grudës nga pushtimi malazez, pas fjalës të Hodo Sokolit, hotjanët i japin zjarr vendit me veprimet e tyre: “Menjëherë doli në ballkonin e ndërtesës Ismail Marku i Hotit, trupmadh, me fytyrë të pjekur nga dielli, i cili me një të qëlluar të jataganit, e theu shtizën ku ishte varur flamuri i gjysmëhënës. Flamuri i Sulltanit ra përdhe, në pluhur. Pastaj, bajraktari i Hotit, Çun Mulaj, midis brohoritjeve të papërmbajtura valviti Flamurin e kuq Kombëtar”. E pikërisht në atë Tuzin e sotëm që Gjukanoviçi po don me ia pengue e përdredhue statusin si komunë më vete, u mblodhën krerët e LSHP të krahinës së Hotit (dy bajrakët e Hoti i Plavës) më 16 korrik 1880 e iu drejtuan të Mëdhenjëve të Kohës, ku mes tjerash, shprehen:”…ne shpallëm luftën për Pavarësinë e Shqipërisë, për të cilën jemi të vendosur të sakrifikojmë edhe pikën e fundit të gjakut” (Akte të Rlindjes Kombëtare Shqiptare, 1878-1912).

            Shqiptarët etnik nën Malin e Zi janë fort të lidhur me Flamurin Kombëtar Shqiptar saqë Gjukanoviçit nuk mundet as ta kuptojë prej qëndrimeve të tij kundërshqiptare, nuk mundet ta heqin Flamurin e Skënderbeut, të Dedë Gjo’ Lulit, të Ismail Qemalit. Në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë kontributi i shqiptarëve etnik të Hotit e Grudës, të Plavës e Gucisë, të Ulqinit e Tivarit, të Kotorrit e Rozhajës, etj. është tejet i çmuar për fatet e kombit.

            Në Kotorr, në vitin 1902, në shtëpinë e Pashko Shkjezit i çonte flamujt shqiptar nga deti princi Aladro Kastrioti, pasaardhës i Skënderbeut, që shpërndaheshin gjithandej nëpër Shqipëri (HD, Shkodër. 1937). Në vitin 1905 në shtëpinë e Filip Nogës në Tivarin bregdetar u punue një Flamur Kombëtar Shqiptar që u ruajt deri në vitin 1916 (J. Brahaj. Flamuri i Kombit Shqiptar. Tiranë, 2007). I pari që e përdori Flamurin Kombëtar Shqiptar në Shqipëri është prifti malësor dijetar Berndardin Shllaku, i cili e vendosi edhe në emblemën e ipeshkvisë së tij në Pult, në vula, etj.

            Dedë Gjo’ Luli i Hotit, në vitin 1906 e mori dhuratë nga princi Aladro Kastrioti një flamur shqiptar të madh, dy metra e me tufa ari anash e ia besatoj prurësit dorazi, Preloc P. Kisit, që ta ngulte një Flamur Kombëtar Shqiptar përballë Tuzit. E duhet shtue edhe faktin tjetër: Po këtë vit (1906) edhe në Triepsh (nën Malin e Zi të sotëm) u ngrit një Flamur Kombëtar Shqiptar” (“Leka”. Shkodër, 1937).

            Prapë koinçidencë: Prill tjetër. I përket vitit 1983 kur një grup nxënësish atdhetarë të gjimnazit të Plavës formuan grupin “Besa”. Ata ishin nga qyteti i Plavës, nga Hoti i Vendit mbi liqen të Plavës, Martinajt, etj. E donin vendlindjen e tyre ndryshe. Asokohe, në mbledhje partie u diskutua direktiva titiste e udbaiste se nuk guxohet të përdoret Flamuri Kombëtar Shqiptar. Po këta të rinj: Tahir S. Prelvukaj, Sadri Xhemë Mehaj (Hoti), Sadri A. Ahmetaj, Naim Selimaj, Burim U. Ahmetaj, Musa Selimaj që ”kanë dasht ta shpalosin Flamurin veç të ndaluar për festën e 1 Majit” (Historiani Rexhep Dedushaj: “Loja” e malazezëve me Flamurin Shqiptar”. Shkurt, 2014) u arrestuan më 29 prill 1983 dhe u dënuan me akuza të montuara e kohë të ndryshme në burgjet e Bijello Poles (Mali i Zi) e në Krushevac (Serbi).

            Kur u ngrit Flamuri i Pavarësisë në Vlorë (1912), ku pati parfaqësues edhe nga treva e Plavë-Gucisë, etj. u festua si ngjarje madhore historike kombëtare edhe nga shqiptarët nën Malin e Zi. Kronikat e kohës dijenojnë se ulqinakët gjetën një mënyrë krejt të veten. Në anijet e varkat e tyre e ngritën Flamurin Kombëtar Shqiptar. Kapiteni i një anije ulqinake, Ymer Fasllija, “e shpuri anijen e tij me flamur Shqiptar në portin e Tivarit. Për këtë u burgos dhe pagoi edhe një gjobë”. Sikur krajl Nikolla I në fillim shek. XX po vepron edhe Milo Gjukanoviçi, krajli i ri malazez në shek. XXI (!).

Filed Under: Analiza Tagged With: dede Gjo Lulu, Flamuri shqiptar, Gjukanovici, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT