• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U BETUE…E DHA JETEN PER NJË IDEAL “ATDHÉ E FÉ”!

April 3, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/110 MA PARë, 4 PRILL 190/

Ne Foto: At Mati PRENNUSHI O.F.M.(1882 – 1948)/

Nga Fritz RADOVANI/

At Mati Prennushi, u shugurue meshtar në urdhnin Françeskan të Shkodres.“Për gazmend t’Asaj ditës së Lume, kur Padër Mati Prennushi i Urdhnit të Sh’Françeskut, me të madhin gzim i rrethuem prej t’Vetve tha Meshën e Parë, në Kishën e Fretenve në Gjuhadol, Shkoder, 4 Prill 1904.” (Fotokopjo ruhet nga Autori FR)

At Mati Prennushi OFM, asht lé me 2 Tetor 1882 nga prindët Kolë e Drande (Roza) Prennushi, në qytetin e Shkodres. Asht i familjes vjeter Prennushi, nipi i Don Matisë, që vdiq në vitin 1904, vit në të cilin Shugurohet Meshtar me atë emen At Matia.

Mbasi perfundoi studimet në Troshan, vazhdoi dy vjet në Bosnje dhe shkoi per studime teologjike në Graz t’ Austrisë, ku perfundoi shkollen e naltë. U kthye në Atdhé.

U emnue profesor në gjimnazin e Fretenve, dhe mbas një viti shkoi famullitar në Bajzë të Kastratit. Dashamirsia dhe bujaria e malësorëve e bane shpejtë per vete. Po, as këtij nuk i mungoi trimnia që shumë shpejt e bani me u rreshtue me luftarët e Lirisë!

Nga fundi i vitit 1905 turqit mendojnë me i dhanë flaken qytetit Shkodres pak kohë para se me ra Perandoria Turke…– dëshmonte At Dioniz Maka, me 14 Prill 1995, sësi – At Matia njëditë diele mbas Meshe, u çvesh dhe i hypi kalit me alltije në brez i ndjekun nga malësorët e vet besnikë të rreshtuem mbas Tij, dhe u nisën me i ra Shkodres së zaptueme nga turqit. Erdhi lajmi në Shkoder…me të marrun vesh valia, dergoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodres për me e ndalue këte veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër shkodranëve.

Imzot Guarini i dërgoi një përfaqsues me u dalë para malësorve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqsuesi i Klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej valisë, malësorët u këthyen, Shkodra shpëtoi… At Matia qysh i ri asht dallue për trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun… e, si tash, e kam ndër veshë zanin e Tij kur këndonte Gloria!..”

At Matia bashkë me At Buon Gjeçaj janë të dy tek Maja e Bratilës përkrah Dedë Gjo’Lulit, në vitin 1911 me Flamurin e Gjergj Kastriotit të palosun në gjoksin e Tyne.

Gjaku i Malësorve Trima të Alpeve i shkuem rrëkajë përsa shekuj Fitoi!

Asht Dita ma e madhe e Popullit Shqiptar, gati pesë shekuj mbas vdekjes së të Madhit Skenderbé, kur edhe njëherë u ngrit Flamuri i Tij, me Shqipën Dykrenare.“Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiqit, afër Tuzit. Até e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e Tij”, shkrue nga Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq. 150, University of San Francisco, USA.

Fitoria duhej shtrij në gjithë Shqipninë! Asht Imzot Lazër Mjedja, që me 10 Qershor 1911, i prinë ngjarjeve të Mëdha të Pavarësisë së Vlonës, tue shkue drejt e në çelën e At Mati Prennushit në Gerçë, ku u përpilue “Memorandumi i Gerçës” bashkë me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, Hasan Prishtinen, etj…dhe u firmue nga i Madhi Dedë Gjo’ Luli i Traboinit të Hotit, Sokol Baci i Grudës, Dedë Nika Bajraktar i Grudës, Gjeto Marku i Hotit, Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit, Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Kelmendit, Lul Rrapuka i Vuklit të Kelmendit, Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit, Mehmet Shpendi, i pari i Djelmnisë së Shalës, Martin Preka i Shkrelit, Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi i Toplanës, Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. (Nga Revista L.E.K.A. Shkoder, 1937).

Mbas pak muejsh At Matia kapet nga forcat e Mali i Zi, dënohet me varje në litar, dhe i shpeton jeta me nderhymjen e At Gjergj Fishtës tek krajl Nikolla.

Mbas vitit 1924 qeverisja e Ahmet Zogut merr tipare tjera drejtuese, me veprime diktature. Asht ai vit kur pothuej krejt Veriu kërkon largimin e tij nga froni…Kleri Katolik Shqiptar tue mos u pajtue me mënyren e qeverisjes së Zogut, i cili kishte ba marrveshje me Jugosllavinë kundër interesave kombëtare, doli në opozitë të haptë në vitin 1926. Zogu dënoi me varje në litar Don Gjon Gazullin dhe, e ekzekutoi vëndimin në Rrëmaj të Shkodres, ku ka vorrin. Një pjesë tjetër e klerit u interrnuen, disa morën dënime të randa.  At Matia ishte në listën e të parëve që mund të pushkatohën. Asht At Pal Dodaj që ndërhynë tek Zogu dhe e shpëton At Matinë, me kusht që ky të mos shërbente ma në krahinat e malëve të Veriut. Për këte arësye shkoi në Laç të Kurbinit, Iballe e Gomsiqe të Pukës dhe në vitin 1941, me At Anton Harapin, çelin Kishen e Fretenve në Tiranë.

At Dioniz Maka thekson: “Në Kishën Françeskane në Tiranë, me 28 Nandor 1942 Ai ka vue Flamurin Kombëtar me Shqipen e flamurit të Deçiqit (1911), pa stemat e fashizmit. Kryente vizita kortezie ndër autoritetët shtetnore edhe italiane, që i kishte të detyrueme por prej tyne konsiderohej “françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane.” (Dëshmi e A.D.Makës, viti 1995, në Shkoder).

Në vitin 1943 At Matia asht zgjedhë Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë.

Diskutohej me u zgjedhë Ky, ose At Çiprian Nika…Merr fjalen At Matia:

“Jo!.. Mos me e zgjedhë At Çiprianin, se komunistat punën e parë që kanë me ba, kanë me pushkatue Provinçialin, prandej t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né”. “Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë, nuk i bante përshtypje pushkatimi se edhe dy herë ma parë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile, edhe deri tek stoli i konopit në Serbi…”  Kështu, shkruen At Konrrad Gjolaj OFM, në librin “Çinarët” faqe, 67.

Në janarin e 1945 shkojnë në kuvendin e Gjuhadolit kriminelët Sheuqet Peçi dhe pak ditë mbas tij, terroristi Mehmet Shehu:  Të dy kerkojnë nga At Matia shkëputjen nga Vatikani, dhe të dy marrin të njajten pergjegje: “Kjo punë nuk mund të bahet kurrë!”

At Mati Prennushi u deklarue haptas antiosmanllijë, antimalazi, antishovenist sllav, antizogist, antiitalian e antifashist, antinazist, antikolaboracionist, antikomunist…

Prandej, me okupacionin sllavo komunist, anadollakët tanë në sherbim të tyne At Matinë e arrestojnë me 17 Nandor 1946, dhe mbas 14 muejsh tortura në burgun e Kishës së Fretenve, në Janar 1948 e dënojnë me vdekje, me pushkatim. (Gjyqi kje i mbyllun).

Asht torturue mizorisht nga hetuesit e njohun kriminelë Nesti Kopali, Pjerin Kçira, Dul Rrjolli, Dulaç Lekiqi dhe Lilo Zeneli, se nuk pranonte asnjë akuzë, gja që del edhe nga dosja hetimore nr. 1302/A (Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë 1989).

Pafajsia e Tij, i akuzuem kryesisht per “futjen e armëve në kishen e Fretenëve të Gjuhadolit”, sot vertetohet edhe nga fakti se një veprim i tillë asht ba edhe në kisha të tjera katolike Shqiptare, po edhe ishte “një skenar sovjetik i aplikuem nga Stalini, edhe nder kishat tjera katolike të Bashkimit Sovjetik dhe demokracive të kampit komunist”.

Asht pushkatue me grupin e Nderuem të Prelatëve të Kishës Katolike Shqiptare, të kryesuem nga Imzot Frano Gjini, gjyqi i të cilëve nuk u pa as u dëgjue nga askush!

Në fjalën e fundit, me datën 11 Mars 1948, në ora 5.00 në Zallin e Kirit, pranë Rrëmajt, me dokument Nr. Regj. 67, në praninë e gjykatsit Kap.I Misto Bllaci, para ekzekutimit: “At Mati Kol Prennushi tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrrnoftë Papa, Rrrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnia!

U baj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”

Ky ishte fundi i Kalvarit…që edhe mbas 50 vjetësh nuk mujt me u mëshef  as nga partia komuniste jugosllave, as nga partia anadollako bolshevike shqiptare, as nga spijunët e Sigurimit të shtetit…Por as, edhe nga qendra organizuese të këtij skenari në shumë prej “Demokracive Popullore”, nga Moska staliniste e Beogradi titist i vitit 1946…

***

At Mati PRENNUSHI me daten 4 Prill 1904 u BETUE…

Kryqi i Jezu Krishtit dhe Flamuri i Gjergj Kastriotit ishin të ngulun n’ Elterin e Atdheut, ku Ai, Iu ishte kushtue Idealit “Atdhé e Fé”, per të cilin bani vdekjen si me lé…

Në këte 110 vjetor të lavdishem të Tij, këta pak rreshta, Ia kushton Autori.

Melbourne, Prill 2014.

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: “ATDHÉ E FÉ”!/, Fritz radovani, U BETUE...E DHA JETEN PER NJË IDEAL

Artikujt e fundit

  • NJË YLL SHNDRITËS NË YLLËSINË E KOLOSËVE BOTËRORË…
  • VOTA E VJEDHUR E KTHYER NË ART…
  • Shkollimi i femrës shqiptare në vitet 1913–1939: përpjekje, pengesa dhe arritje
  • Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nga “Fronti Europian në Frontin Kombëtar”. Çfarë mund të fshihet pas këtijë slogani?
  • Martin Camaj: “Unë jam i jueji e ju jeni të mijt…”
  • 34 vjet nga vizita e Baker. 500 mijë në shesh, tapet të kuq, makinën e ngritën në krah dhe në miting asnjë flamur shqiptar
  • Thank you Congressman George Latimer…
  • “Tre dritare dhe një varje” shpallet filmi fitues i edicionit të dytë të Festivalit të Filmit Shqiptar “Fan S. Noli” në Boston!
  • Festivali Shqiptar në Michigan
  • VATRA Boston mikpret Luan Ramën në një takim për kulturën dhe çështjet kombëtare
  • VOTA E GJAKUT …
  • “Çekani i mesnatës”, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbi operacionin e SHBA në Iran
  • “Parada Shqiptare 2025” – Shqiptarët e Amerikës u mikpriten në “shtëpinë” e kryetarit të Bashkisë së New York-ut Eric Adams
  • Shqiptarët e Amerikës, krenari kombëtare
  • Presidenti Trump i flet kombit – SHBA-të godasin 3 baza iraniane të programit bërthamor

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT